E premte e përgjakshme në Egjipt. Por e shtuna nuk ka nisur më ndryshe.
Në Kajro një gjykatë ka dënuar me vdekje 21 persona, që janë gjetur fajtorë për trazirat në një stadium në Port Said vjet. Trazirat në stadium morën jetën e 74 personave, tragjedia më e rëndë në botën sportive në Egjipt.
Vendimi është transmetuar LIVE. Qindra persona që ishin në Sheshin Tahrir shpërthyen në gëzim. Përkrahësit e klubit kryeqytetas Al- Ahly kishin kërcënuar me trazira nëse vendimi nuk do ishte ai që prisnin.
Trazirat në stadium kishin lidhje edhe me revoltat kundër Husni Mubarak, pasi tifozët e kryeqytetit kishin luajtur një rol të rëndësishëm për rrëzimin e ish- presidentit.
Ndërkohë në përvjetorin e dytë të revolucionit, ka pasur përplasje të dhunshme mes përkrahësve të presidentit mysliman, Mohamed Mursi dhe kundërshtarëve të tij, që e akuzojnë se ka vjedhur revolucionin për të krijuar një shtet islamik.
Trazirat më të rënda janë shënuar në qytetin e Suezit, ku kanë vdekur 9 persona dhe janë plagosur mbi 500.
Presidenti Mursi ka bërë thirrje për qetësi, ndërkohë që dhuna në rrugë po vazhdon.