E përditshmja greke: Mafia shqiptare e pyjeve plaçkit Gramozin (VIDEO)

E përditshmja greke: Mafia shqiptare e pyjeve plaçkit Gramozin (VIDEO):

pyjet-e-prereMe titull “Mafia e pyjeve plaçkit Gramozin”, e përditshmja greke “Ta Nea” i kushton në faqen e parë të saj një artikull fenomenit të shpyllëzimit të paligjshëm të disa pllajave të këtij mali në tokën greke prej disa grupeve të organizuara nga Shqipëria.
Sipas reportazhit të kësaj gazete, zhurmat e sharrave elektrike që ata përdorin dëgjohen çdo mëngjes deri në fshatin Trilofo që ndodhet vetëm 1.5 km nga kufiri, ndërsa pamja e lisave dhe e pishave të prera shtohet çdo ditë.
Shumica e pemëve, siç dëshmojnë banoret e paktë të këtij fshati, janë rreth 30-vjeçare dhe janë të prera një metër mbi rrënjë.
Me pas, trupat transportohen me ane të kafshëve drejt kufirit shqiptar, ku rreth 500 metra ne brendësi të të cilit, janë hapur reparte provizore me sharra elektrike të cilat seleksionojnë lëndën drusore.
Prej atje, drurët e zgjedhur shkojnë drejt Italisë për ndërtimin e fuçive të verës, trungjet e drejtë i shiten kompanisë elektrike për shtyllat e energjisë elektrike, ndërsa pjesa e mbetur sistemohet dhe dërgohet përsëri në Greqi për t’u shitur si dru zjarri në këtë periudhe që shumica e grekëve të varfër i janë kthyer kësaj mënyre për t’u ngrohur, pas rritjes së çmimeve të gazit natyror dhe naftës.
Sipas zv/guvernatorit të Kosturit, Dhimitris Savopoulos, vitet e fundit janë shpyllëzuar nga këto grupe mafiozësh mbi 300 hektarë pyje që është ekuivalente me 35.000 m kub lëndë drusore.
Gazeta “Ta Nea” thekson gjithashtu se më në jug, grupet e tregtarëve të paligjshëm të druve janë shqiptarë dhe grekë që bashkëpunojnë, madje kanë ndarë malin Gramoz në zona të caktuara.
Sipas reportazhit, shkak kryesor për këtë fenomen është bërë tashmë edhe mungesa prej disa vitesh e reparteve ushtarake që ka mbyllur qeveria greke, duke lënë të lirë kontrabandistët e druve të veprojnë pa kontroll në këto zona kufitare./TCH