Dashnia i din tana pse-të


ELONA ÇULIQ ka lindur në Shkodër(18.10.1986) ku dhe banon. Ajo ka studiuar fillimisht
për piano në shkollën artistike “Prenk Jakova” e më pas për gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve të
huaja “Shejnaze Juka”. Studimet e larta në nivelin master i ka kryer për psikologji pranë UT.
Poezia është pjesë e pandashme e saj.


Vedit



Fol sonte, n’kyt natë me bark

t’mbushun me lot,

e me shpirt t’gatum n’nji telajo t’ftohtë dimni.





Fol, ngrohe largsinë me frymen tande,

zhdavarite asgjanë para se diçka me ardh e me t’harru ndër kujtime.



Ah, ti s’e din;

ose ndoshta e din

sa e vështirë asht me u gjetë ndër kujtime,

edhe at’herë kur n’përmbajtje je vetëm ti.

Rrëfenjat e tyne nuk fillojnë e nuk mbarojnë kurrë n’nji kohë,

kujtimet s’kanë pentagram.



Asigja s’më ka randu ma shumë,

as koha nuk m’ka – ma fort,

as dhimbja s’më ka kafshue ma padhimbshëm,

se sa ngerçi jot, lot i kapërdim me zor.





Asht



Buzve t’kohës e vërteta asht psherëtimë,

kurse na, fjalë e thanun me ngut.

Shkapërdahena n’hava si re t’zhubrosuna t’nji qielli që lind

veç kur shpina jonë asht përgjigja e hapave t’ngutshme

t’ndjenjës që don ma shumë se T’due!



Kam ndi që e thonë, jo pak herë e kam mendue

edhe un’ ç’ashtu se dashnia s’ka si, pse, me ke dhe kur!

Po, s’ka mendojshe, por e vërteta asht se ka,

ka si, pse, me ke dhe kur (n’pakohësi).



Nuk mundena me e ndie n’Dashni nji qenie tjetër

vetëm prej fjalës, dashnisë apo t’ndjenjave t’lamshueme

n’zemër që na i drejton hapat përballë nji pranie

që e dimë se e dona, por s’dina pse.



Dashnia i din tana pse-të, por i lyen buzve si psherëtimë.

Kjo asht Dashnia! Me mësue me puth e përpie n’zgavren

e shpirtit tonë psherëtimat e buzve t’saj.

Me ditë që syve t’përlotun flejnë e rrjedhin frikrat, jo dobësitë.



Nji që don, që zhytet n’honet e shpirtit t’nji tjetri,

që i mëson gjuhët e syve dhe shijet e buzve,

nuk ka si me kenë i dobët’. Dashnia s’asht as e dobët’,

as e fortë, as e guximshme, ajo thjesht Asht!



Dhe Na thjesht jena gjuetarë t’saj!

Gjuetarë me gjurmë toksorësh e sy hyjnish





Rrugica



Duert e diellit gatuejnë
kyt mesditë t’dalun binarsh.
N’ajrin e zhurmave t’kalimtarëve
malli fsheh sytë e thyem.

Mirë kanë ba njerzia,
i kanë sheshue tana trazimet e ditës
mbas kanateve t’mbylluna,
e t’mbulueme me perde trasha,
në t’cilat dielli vetëm përrshqet, s’depërton.

Pyes vedin a ka jetë aty brenda?
zagushia e parakohshme
freskohet n’hijen teme t’shkujdesun,
e dielli i njomë buzët e rreshkuna
me puthje t’mjegullta gërmueme
mes kujtimesh t’velun nga lodhja.

Hapat e njipasnjishëm
kafshojnë kohën,
rr’mojnë përgjigjet poshtë shollës
së këpucës,
që ka nji numër,
për t’panumërta hapa që
bajmë çdo ditë drejtë grackës.

Ndali hapin, mbaj frymën e mendoj:

- A thue ka nji numër t’fundit edhe fryma?
Du…,por s’mundem me u zhyt n’kyt çast fryme,
realiteti n’fund t’kësaj rrugice shumullohet,
jetët lindin me kambë n’diell,
e pëshpërisin shpresën e së nesërmes

Buzëve t’hanës.
I tham vedit: – Ç’rrëfim ka

me iu puthë atyne buzëve sonte?

Rrugicës po i vjen fundi,
e tash dielli po gatuhet n’flokët e mi,
avujt e dëshirave t’mesditës
dalin si tymnaja përmbi kryet tem.



Mbaj hapin, kthej kryet e përlaj tanë rrugicen me sy,
po ai zheg i heshtun,
me t’njëjtat ngjyra perdesh që mbyllin sytë e realiteteve,
me t’njëjtin diell që me nge vazhdon me gatue frymën e mesditës.
Pyetja që rri e ajërt përmbi mue: – Po unë ç’gatueva n’kyt rrugicë?

Dje deri sot.





S’ka titull për Dritën



I thatë më duket ky çast,

sikur nji diell që i kanë ra rrezet,

i janë përtha hiret,

e syve t’botës i trembet

me lakuriqsinë e vet të shëmtueme.



Më duket sikur ia ndigjoj t’rrahunat

që buçasin venave t’thame për nji fije zhurmë,

ia ndi e ia numëroj hapat

që shoqnojnë kastanjedat e sekondave,

minutave ngatërruem

kambëve, njitun duerve t’ftohta,

tretun kohësh,

si nji prag deret i harruem nga stinët.



Ia kam mbërthye frymen

n’grackën e syve,

e n’mendjen teme ia shtrydhi

deri n’marri pusin e heshtjes,

ia pi me nji frymë fjalët buzëve,

ia ngujoj t’folunen, e Heshti!



Ashtu e du, t’heshtun,

derisa t’msojnë Dritën,

derikur t’ia pushojnë rrezet bulave t’gishtave,

t’lyhet e njyhet me te,

derikur t’mi njohin sytë me erë.



Vetëm at’herë kam me e çmendë

thatinën e këtij çasti,

e kam me e lejue me hedh shishen e shpirtit tij

n’ujnat e syve t’mi.





Gota e buzëve që s’dinë me puthë

Unë jam gota jote,
herë më mbush me lumtuni,
herë më len me u mbytë
n’ujtë e idhnimit tand.

Jam gota e zemrimit,
kristal i formtë,
i ftohtë dhe i heshtun
që s’din me iu ankue a shmangë
shtërngimeve t’pamendta,
t’forta e t’dhimbta
t’humbjeve tueja.

gota jote, që netëve

t’pagzuem me mall,
vjen e shprazë n’te zbrazëtinë

tande, len sytë peng heshtjes,
e n’memecërinë e kristalit,
kërkon gjurmë buzësh,
me shpresën nji fjalë n’to me e gjetë.

gotë jam, e Zot kam vetëm
duert tueja, buzët e kohës, e duhmat e harrimit
përziem me tym cingaresh t’dredhuna.
Nuk t’i njoh sytë,
edhe pse shpesh jam mbush me dallgët
e frymës tyne,
të njoh vetëm buzët,
e megjithatë asnji puthje nuk t’a njoh,
ty, njëri me duer t’brengta,
që din vetëm me mbush e shprazë zbrazëti,
por që s’din me puthë.

Unë jam gota jote,
ruej shenjat e mëkateve tueja,
mureve t’mi t’heshtuna;
kumbojnë rrëfimet e malleve tueja
e unë t’ndi e njitun mbas duerve tueja rri,
unë, gota e buzëve që s’dinë me puthë.











Përgjithmonë



Arrna kohe jena

herë i veshena, herë na veshet

e randë,

si nji pikë vesë, prolog i dritës,

nji çarçaf mjegull që e mbeshtjellim syve

si ujtë e ftohtë t’nades

për me la andrrat

që na flenë përmbi qepalla.



Jena nji përgjithmonë që asht sot,

moment që therrmohet akrepave

e mbush honet e qiellit,

gjymton krahnorin e Hyjnores me kafshata

lutjesh, njerzish, fjala e t’cilëve fiket

heshtjes së syve.



Atje në maje, në naltësitë e akullta

të mosprekjes, por vetëm t’imagjinatës,

atje në picërrimin e syve,

horizontet kapërthehen, o i heshtun!

E ngërci i tyne na lan si pendimi

me zbrazëti që ngjitet hapave t’kalimtarëve

për me trembë frikën e vetmisë së fjalëve.



Ky çast i fundëm i “përgjithmonë”,

Diç’ rrëfen me gishtat e frymtë që m’endin lëkurës

bulëza djerse, sytha andrrash që kanë etje.

E unë ngrihem,

n’majë gishtave të flutrimit tem,

e përqafoj me gjithësinë e krahëve t’mi qiellin,

atë përjetësi që e ka jeten sa nji hap, sa nji fjalë,

sa nji shikim e nji premtim që s’flet me fjalë,

por vetëm me rrahje zemre.

Related Posts: