Një njeri në krye të teknologjisë botërore viziton vendin e mbetur në një tjetër epokë.
Shefi i kompanisë Google, Eric Schmidt, 57 vjeç, ka shkuar në Korenë e Veriut për një vizitë, që ka ngjallur shumë dyshime.
Aty ai ndeshet me kompjuterë të vjetër dhe me njerëz, për të cilët fjala internet është e huaj. Apo nuk është kështu?
Në fotot e shpërndara nga agjencitë, Schmidt shihet me një palë syze 3D duke parë një teknologji të re kompjuterike në Korenë e Veriut.
Nga pamjet nuk mund të dallosh nëse ai është entuziast apo i zhgënjyer.
Më përpara ai ka vizituar universitetin e kryeqytetit, ku studentët punojnë me kompjuterë të vjetër HP.
Por pyetja që mundon shumëkënd është se çfarë kërkon shefi i Google në perandorinë e së keqes?
Departamenti i Shtetit e ka kritikuar vizitën e tij.
Por Schmidt nuk u ndal. Zyrtarisht vizita e tij është private me qëllime humanitare. Schmidt do të interesohet mbi të gjitha për situatën ekonomike në Korenë e Veriut.
Në delegacion është edhe ish- guvernatori i shtetit New Mexico, Bill Richardson. Ai kërkon të negociojë për lirimin e disa turistëve amerikanë, të arrestuar nëntorin e shkuar.
Google ka përfaqësi në Kinë, Rusi e në Korenë e Jugut, vende fqinje me Korenë e Veriut.
Se kur do shkojë Google në Korenë e Veriut, nuk dihet.





