Britania e Madhe
Dalja nga BE, premtim elektoral
Cameron u dha fund shumë muajve spekulime, duke njoftuar se ka një plan për të zhvilluar një referendum për këtë çështje mes viteve 2015 dhe 2017, duke hedhur poshtë kritikat që thonë se një masë e tillë do të dëmtojë perspektivën ekonomike të vendit dhe do ta ndajë atë nga partneri më i rëndësishëm tregtar që ka prej shumë dekadash.
Ai tha se kombi ishull, i cili u bashkua me paraardhësin e Bashkimit Europian, Komuniteti Ekonomik Europian 40 vjet më parë, tha se nuk dëshiron të izolohet nga bota, por zhgënjimi publik me BE-në është “në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave”.
“Është koha për popullin e Britanisë që të thonë fjalën e tyre. Është koha që ne të ndajmë këtë çështje mbi Britaninë në Europë”, tha Cameron. Partia e tij konservatore do të dalë në fushatë për zgjedhjet e vitit 2015 me një platformë, ku synohet rinegocimi i anëtarësimit të këtij vendi në BE.
“Pasi ne të kemi arritur një marrëveshje të re, do t’i japim popullit të Britanisë një referendum me një zgjedhje të thjeshtë për të qëndruar apo për të dalë nga bashkimi, sipas termave të rinj. Do të jetë një referendum për të qëndruar apo për të ikur”, tha ai.
Fjalimi e lidh Cameron me një çështje që ka qenë fatkeqësi për një gjeneratë të tërë udhëheqësish konservatorë në Britani. Në të shkuarën ai pati shmangur luftën e ashpër brenda partisë së tij mbi Europën. Cameron tha se dëshiron të tërheqë pushtetin nga Brukseli, një propozim që duket se është vështirë të pranohet nga vendet e tjera europiane. Sterlina ra në nivelin më të ulët në pesë muaj kundrejt dollarit, ndërkohë që Cameron fliste.
Përgjigjja nga partnerët europianë ishte siç pritej, e ftohtë. Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, tha: “Nëse Britania dëshiron të largohet nga Europa, ne do të shtrojmë një qilim të kuq për të.” Fjalët qenë një përsëritje të asaj që vetë Cameron pati thënë kur ftoi të pasurit francezë të shkonin në Britani, ku do t’i prisnin me qilim të kuq, për të shmangur taksimin e lartë që qeveria socialiste franceze dëshiron të imponojë mbi të pasurit.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, tha se vendi i tij dëshironte që Britania të qëndronte si vend anëtar, por Londra nuk mund të lejohet të zgjedhë ato aspekte të anëtarësimit që i pëlqejnë. Udhëheqësit e biznesit kanë deklaruar se vetëm paqartësia mbi anëtarësimin që pritet të zgjasë shumë vite, do të dëmtojë klimën e investimeve.
“Pasja e një referendumi në axhendë krijon më shumë paqartësi dhe ne nuk kemi nevojë për të”, deklaroi një drejtues i rëndësishëm biznesi. “Ky është një vendim politik, jo një vendim ekonomik. Ky nuk është një lajm i mirë. Ju sapo keni shtuar një arsye tjetër se pse njerëzit duhet të shtyjnë për më vonë vendimet për të investuar.”
Fjalimi hapi edhe një sherr me aleatët e vegjël të Cameron, Liberal Demokratët. Udhëheqësi i tyre, zëvendëskryeministri Nick Clegg, tha se plani do të minojë rimëkëmbjen e dobët ekonomike. Madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se dëshirojnë që Britania të mbetet në BE “me zë të fortë”.
Britania e Madhe ka qenë prej kohësh qendra e euroskepticizmit. Cameron u detyrua të hyjë në këtë politikë si pasojë e rritjes së Partisë së Pavarësisë së Britanisë së Madhe (UKIP), një parti që kërkon tërheqje të plotë nga BE-ja dhe që është ngritur në vend të tretë në sondazhe, përgjithësisht duke rrëmbyer vota nga konservatorët.
“Gjithçka që ai mund të bëjë është të shkelmojë një kanoçe në rrugë dhe të përpiqet të nxjerrë UKIP jashtë loje”, tha drejtuesi i kësaj partie, Nigel Farage.
Euroskeptikët në partinë e Cameron u lumturuan nga fjalimi. Deputeti konservator, Peter Bone, e cilësoi atë “një fitore të tmerrshme” që do të unifikojë 98 për qind të partisë. “Ai është Kryeministri i parë që thotë se dëshiron të tërheqë pushtetin nga Brukseli”, i tha ai “Reuters”. “Kjo është me të vërtetë një gjë shumë e fuqishme.”
Nëse Cameron do të mbajë ndonjë herë referendumin, mbetet po aq e paqartë sa edhe shanset e konservatorëve për të fituar zgjedhjet e ardhshme më 2015-n. Ata janë pas Partisë Laburiste në sondazhe dhe koalicioni qeveritar po vuan nga ekonomia në stanjacion, ndërsa po punon për ulje të mëtejshme të shpenzimeve publike për të reduktuar deficitin buxhetor.
Britanikët votuan 40 vjet më parë për anëtarësimin e Britanisë në klubin europian. Më 1975-n, 67 për qind e votuesve thanë “po”.
Cameron deklaron se do ta mbajë referendumin, në rast se fiton zgjedhjet e vitit 2015 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP