Ky nuk është një udhëtim me tren, është një fluturim.
Në Kinë është hapur më 26 dhjetor linja më e gjatë hekurudhore për trena të shpejtësisë së lartë.
Traseja lidh kryeqytetin Pekin me metropolin ekonomik Guangzhou në jug të vendit, 2298 kilometra larg.
Më shumë se 20 orë kalonin pasagjerët në tren për të bërë këtë rrugë. Tani supertrenat e rinj e bëjnë këtë për tetë orë.
Trenat arrijnë shpejtësinë deri në 300 kilometra në orë dhe ndalojnë në të gjithë qytetet e mëdha gjatë rrugës.
Për inaugurimin e tyre ishte përzgjedhur pikërisht data 26 që përkon me ditëlindjen e Maos.
Mediat transmetuan gjithçka live.
Kina nisi përpara pesë vitesh të ndërtonte rrjetin e saj hekurudhor për trenat super të shpejtë. Tre vite më vonë kishte mbaruar 8358 kilometra në rrjetin më të madh në botë. Deri në vitin 2020 do jenë ndërtuar 16 mijë kilometra.





