Revolta e Atlasit


Eleni Laperi



Kush e ka vizituar Nju Jorkun dhe nuk ka provuar shijen e energjisë? Qyteti gjigant të rrëmben në vorbullën e tij dhe e ke të pamundur t’i shmangesh rrymës që të gllabëron e të bën të ecësh thuajse me vrap, e të marrësh frymë thellë, e të ndjesh respekt për veten.
E rrethuar me aureolë energjie isha duke shkuar për në redaksinë e revistës Harper’s për të marrë disa të dhëna mbi krijimtarinë e Roz Uajlldër Lejn; më duheshin për librin tim. Këmbët më ndalën para skulpturës aq të bukur të Atlasit, një nga veprat më të njohura në stilin Art Deko e skulptorit Li Oskar Lori. Skulptura ngrihet në ballë të godinës së Qendrës Rokfeler, në Avenynë e 5-të. Figura e heroit, e titanit Atlas – që u detyrua nga Zeusi të mbante mbi supe kupën e qiellit, se u ngrit kundër zotave të Olimpit -, rri në ballë të godinës që prej vitit 1937, madhështore, e rreptë, emocionuese. Kur e vështron nga afër, skulptura të zbulon një varg domethëniesh të tjera. Aksi i sferës mbi supet e tij tregon Yllin e Veriut. Mbi një gjysmëhark, që mbështetet mbi shpatullat e krahët e hapura të heroit janë gdhendur simbolet e Mërkurit, Venerës, Tokës, Marsit, Jupiterit, Saturnit, Uranit dhe Neptunit. Ngjitur me simbolin e Tokës është edhe simboli i Hënës. Ndërsa në një prej unazave të sferës janë simbolet e dymbëdhjetë konstelacioneve, nëpër të cilat dielli kalon gjatë një viti. Po Qendra Rokfeler e Artit nuk ka vetëm këtë vepër arti. Ajo është e stolisur ngado me skulptura, relieve, afreske, thënie, që njeriun e thjeshtë e kënaqin dhe i mësojnë gjëra të mençura, mendimtarin e vënë në mendime, polemistit i japin shkak për reagim. Qëllimi i gjithë atyre heronjve, titanë mitikë apo vdektarë, të koleksionit të Qendrës Rokfeler bazohet mbi të njëjtën temë: respekti për forcën e punës dhe përpjekjeve të Njeriut, himnizimi i fuqisë së Urtësisë e Diturisë, triumfi i Njeriut mbi Zotin nëpërmjet Dijes. Qendra Rokfeler është shembull se si përdoren me sukses energjitë dhe paratë e njeriut.
Isha fokusuar në kërkimet mbi veprën e Roz Uajlldër Lejn, po titani Atlas më solli ndër mënd jo vetëm veprat e saj po edhe vepra të Izabel Paterson dhe Ein Rand. Të tria mendimtaret amerikane mbahen si themelueset e lëvizjes së re liberale në SHBA-në e viteve ‘40. Ato i kanë thurur lavd lirisë së individit dhe superioritetit, që të siguron mençuria, dija dhe puna. Në librat e tyre tregohet se titanë që ngrihen kundër zotave gjen edhe sot mes njerëzve në Tokë. Janë ata që përdorin drejt energjitë natyrore të njeriut e sjellin përparimin. Xhim Pauell, publicist i Nju Jork Tajms, Uoll Strit Xhurnëll etj., thotë se ‘në kohën më të keqe ato tri gra dëbuan frikën. Ato guxuan të deklarojnë të keqen e kolektivizimit dhe u ngritën për të drejtat natyrore të njeriut, e vetmja filozofi që siguron një bazë morale për t’iu kundërvënë tiranive kudo…’
Ndërkohë që shumica e historianëve fokusohej te udhëheqësit, Roz Uajlldër Lejn me librin e saj ‘Zbulimi i Lirisë, Lufta e Njeriut kundër Autoritetit’ fokusohet te betejat mijëravjeçare të individit të thjeshtë, që sfidoi prijësit dhe prodhoi begati. Shembull më i mirë për këtë ishte revolucioni amerikan, i cili arriti në pak shekuj atë që Evropa e arriti pas mijëvjeçarësh.
Isabel Paterson, te libri i saj ‘Zoti i Makinës’, thotë se ishin ndërmarrjet private ato që nxorën hekurin, e shkrinë, farkëtuan çelikun, shpikën makinën me avull, ndërtuan aparatura, prodhuan dhe akumuluan kapitalin, duke ditur t’i organizonin përpjekjet e tyre. ‘Ajo që njerëzit urrejnë’, thotë Paterson, ‘janë monopolet, i vetmi kontribut i dhënë nga politika në këtë proces’.
Ayn Rand, te romani ‘Revolta e Atlasit’, për të cilin punoi për gati katërmbëdhjetë vite, me anë të personazheve shpalos filozofinë e saj për lirinë, paranë dhe seksin. Gjatë leximit të librit, si refren del figura misterioze e gjeniut Xhon Galt, që e mban lexuesin me frymën peshë. Libri të nxit të kuptosh se çfarë do të ndodhte, në se gjithë njerëzit më prodhimtarë të botës do të ngriheshin në grevë kundër taksambledhësve e mënyrave të tjera të shfrytëzimit nga autoritetet. Apo, në se shprehemi me fjalët e Francisko d’Ankonias, çfarë do të ndodhte në se Atlasi do shkundte kupolën e qiellit nga supet e tij.
Libri ‘Revolta e Atlasit’ është shitur në dhjetëra miliona kopje. Në revistën ‘The Economist’, më 26 shkurt 2009 shkruhej për ‘Revoltën e Atlasit’: ‘Sa herë që qeveritë ndërhyjnë në tregjet, lexuesit rendin ta blenë librin e Rand. Pse? Arsyeja shpjegohet me emrin e një grupi në Facebook, rrjeti social më i madh në botë, i quajtur: “Read the news today? It’s like ‘Atlas Shrugged’ is happening in real life”. Grupi dhe një kor i madh blogerash zemërakë pohojnë se jeta po imiton artin.’
Fatmirësisht nga shtëpia botuese ‘Pegi’ në Tiranë është sjellë në shqip ‘Revolta e Atlasit’ e Ein Rand, me përkthimin e bukur të Amik Kasoruhos. Tani edhe lexuesi shqiptar mund të mësojë nga ‘Revolta e Atlasit’. Se ndoshta është koha që shqiptarët të vrapojë ta blejë librin e Rand.