“Il Foglio”
Helmim nga poloniumi, komplotet apo SIDA: kush apo çfarë e vrau presidentin Jaser Arafatin? Me të nuk dalin llogaritë; nuk dolën kur ishte gjallë e jo më tani në vdekje
Gënjeshtra e tij e parë konsistonte rreth vendlindjes së tij. Për vite me radhë, lideri palestinez na ka bërë të besojmë se ka lindur në Jerusalem, në shtëpitë para Murit të Lotëve. Por, në vitin 1997 rezulton se Muhamedi Abdel Rahman Abdel Raouf Arafat al-Qudwa al-Husseini- emri i tij i plotë- ka lindur në Kajro, Egjipt. Sipas Ion Pacepa, një ish oficer i inteligjencës rumune në kohën e Nikolae Çausheskut, ky mashtrim prej finoku u përgatit nga KGB-ja. Vetëm pas vdekjes së nënës së tij, Arafati, i cili ishte atëherë pesë vjeç, u dërgua në Jerusalem për të jetuar për disa kohë me tezen e tij. Rreth vëllezërve dhe motrave të tij dihet pothuajse asgjë, përveç faktit se ai nuk ndjente dashuri ndaj babait të tij, një tregtar pëlhurash. Në vitin 1952, kur babai i vdes, ai nuk shkon në funeral, madje braktis dhe mbiemrin e familjes. Që nga këto kohë, humbasin gjurmët e gënjeshtrave. Imazhi i fundit i gjallë i Arafat-it e tregon atë me një pizhame hyjnore, përkrah sekretarit personal dhe një ekip mjekësh ndërsa i buzëqesh kamerës. Pas disa ditësh, ai vdes në spitalin ushtarak Percy në periferi të Parisit. Zyrtarisht, shkaku i vdekjes është përcaktuar si çrregullim gjaku që dobësoi sistemin e tij imunitar.
"Shtatë jetët e Arafatit" është titulli i një libri kushtuar udhëheqësit palestinez. Jeta e tij e fundit shpaloset përmes zhvarrosjen, me kërkesën e vejushës, Suha. Gjatë ditëve të fundit, ekipi zviceran ka marrë gjashtëdhjetë mostrat biologjike nga trupi i Arafatit. Tre grupe ekspertesh janë thirrur për të përcaktuar nëse lideri palestinez, i cili vdiq tetë vjet më parë, u helmua me polonium, supozim i ngritur në korrik nga një dokumentar që zbuloi praninë e gjurmëve të substancave radioaktive: ata janë një ekipi francez, pas një ankese të paraqitur në Francë nga e veja e tij, një rus dhe një zviceran të zgjedhur nga Autoriteti Palestinez.
Vendimtare për ngritjen e hetimeve rreth një helmimi të mundshëm ishte hulumtimi i kryer nga mjekët e Institutit Radiophysique de Lausanne, në laboratorët e të cilit, në qershor, janë analizuar gjurmët biologjike (gjak, pështymë, djersë) të Arafat-it. "Në përfundim të analizave, kemi gjetur një nivel të konsiderueshëm të poloniumit-210", thuhej në njoftimi tronditës për botën të drejtorit të këtij instituti, François Bochud, duke sugjeruar si shkakun e vdekjes armën radioaktive të prodhuara në Chelyabinsk, në Rusinë Qendrore. Të njëjtat izotope u gjetën në trupin e Alexander Litvinenkos, një kolonel i ish-shërbimeve sekrete të Moskës i cili u helmua në Londër në vitin 2006.
Por shumë analistë izraelitë hedhin dyshime mbi përdorimin e mundshëm të poloniumit, duke krahasuar Arafat-it me rastin e Litvinenkos. Pse gruaja e Arafatit, punonjësit apo truprojat e tij nuk u preken nga radioaktiviteti, të cilët kanë qëndruar pranë agonisë së Arafatit në spital? Në rastin e Litvinenkos, tre prej punonjësve të tij u shtruan në spital nga radioaktiviteti i poloniumit, dhe gjurmët e helmit janë gjetur gjithashtu në disa shtëpi dhe automobila të përdorura nga ish spiun rus. Hipotezën e helmimit nga poloniumi nuk e beson as Masse Ronald, ekspert francez i radiologjisë në spitalin ku vdiq Arafat-i. "Kur je në kontakt me doza të larta të poloniumit, trupi vuan nga një formë akute e rrezatimit që përkthehet në një gjendje të anemisë dhe një shkatërrim të rruazave të bardha të gjakut. Arafati nuk i kishte këto simptoma".
Teoritë e konspiracionit mbi Arafatin filluan të përhapeshin dy ditë pas vdekjes së atij që dikur ishte lider i Fatahut, kreu i Autonomisë palestineze, shefi i policisë dhe ushtrisë, njeriu i cili bëri thirrje për "një milion shahid" për të pushtuar Jerusalemin dhe pastaj u ul në OKB për të biseduar me të gjitha liderët botërorë. I pari që hodhi në qarkullim mundësinë për helmim ishte e përditshmja arabe “Hayat”, duke cituar me emra disa individë nga personeli i Muqata- selia e Arafatit në Ramallah- të cilët ishin të përfshirë në paketimin e ushqimit të Presidentit. Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha me një mohim të topitur. "Këto raporte janë tërësisht të pabazuara".
Gazetari, Hafez Barghouti, nga e përditshmja Al Hayat Jadida, e kundërshton hipotezën e helmimit nga ushqimi. "Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm në kontrollet e ushqimit dhe kishte zakonin që ta ndante ushqimin me mysafirët e tij". Helmimi, sipas këtij skenari, do të prekte gjithashtu edhe punonjësit apo mysafirët e e Arafatit, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Gazeta saudite “al Watan” shkruan rreth një skenari tjetër helmimi ndaj presidentit Arafat. Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në verën e vitit 2003. Arafati kishte marrë dhuratë një stilolaps, dhe papritmas ai filloi të ndihej keq. Personi që i kishte dhënë këtë dhuratë u zbulua dhe në mesin e palestinezëve qarkullojnë fjalë se ai është ekzekutuar. Asgjë e tillë nuk është njoftuar zyrtarisht.
Komploti që përfshin Mossad-in bazohet në planin se në vitin 1997, shërbimi sekret izraelit urdhëron vrasjen me mënyra jokonvecionale të Amman Khaled Meshaal, liderin e Hamasit. Plani i vrasjes përfshinte hedhjen e disa pikave të një substance të panjohur në vesh e cila mund të shkaktonte atak kardiak pa lënë gjurmë. Ndërhyrja e papritur e një roje sigurie e prishi komplotin dhe Izraelin u detyrua t’i dërgojë Amman-it një antidot.
Ekziston gjithashtu precedenti i Waddy Haddad, kreu i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, i cili vdiq në mars 1978 me simptomat e leukemisë, njësoj si Arafati. Për disa muaj, shërbimet sekrete izraelite – siç shkruan Aaron Klein në librin “ Striking Back”- Haddad-it do t’i jepej një çokollatë e famshme belge, e cila nuk gjendej në tregun irakian atë kohë. Brenda çokollatës u injektua një helm aq i sofistikuar, saqë i shpaloste efektet në mënyrë të ngadaltë dhe nuk mund të identifikohej. Në gjakun e Arafatit, ashtu si në atë të Haddad, papritmas pushoi prodhimi i rruazave të kuqe.
Gazetari izraelit, Uri Dan, i zhdukur në vitin 2007, dhe një mik i ngushtë i Sharonit, shkroi se kryeministri izraelit e kishte paralajmëruar presidentin Xhorxh W. Bush se zotimi tij i mëparshëm për mos dëmtuar Arafat-in ishte shuar. Bush u përgjigj se do të ishte e preferueshme që fati i Araftit të lihej “në duart e Zotit të Plotfuqishëm". Por Sharon - sipas Dan – replikoi duke thëne se Zotit ndonjëherë duhej “t’i jepet një dorë”. Raanan Gissin, bashkëpunëtori i Sharon, në ditët e fundit ka mohuar ekzistencën e ndonjë plani për të vrarë Arafatin. "Ideja nuk konsistonte në vrasje, por për të ndryshuar lidershipin palestinez. Izraeli kurrë nuk ka prekur një fije floku mbi kokën e tij". Një vit më parë, një i burgosur palestinez, në burgun e Ketziot, rrëfeu se ai ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete izraelite për t’u infiltruar në oborrin e Arafatit për ta helmuar presidentin. Por Yossi Melman, gazetari i prestigjiozes, “Haaretz”, i cili është gjithmonë i mirë-informuar rreth operacioneve të fshehta, tha se Sharon ishte kundër vrasjes së Arafatit pasi kjo do ta forconte politikisht kauzën e palestinezëve.
Ndërkohë, akuzat ngrihen mbi themelet e një prove të çuditshme. Krahu i djathtë tradicional i Arafatit, Bassam Abu Sharif, fytyra e të cilit u shëmtua nga shpërthimi i një letër-bombë dërguar atij nga izraelitët më 25 korrik 1972 në Bejrut, njoftoi tre vjet më parë se Arafati ishte helmuar me talium, një helm pa erë dhe pa ngjyrë. Më pas, hyn në lojë disidenti i Fatah, Faruk Qaddoumi, i cili gjatë një transmetimi në al-Xhazira akuzoi për helmimin Abu Mazen (Abbas-in), pasardhësi e Arafatit si kryesues i Autoritetin Palestinez.
Nëse teoritë e helmimit do të përgënjeshtroheshin nga faktet, vdekja e palavdishëm e presidentit Arafat do t’i hapte derën një sekreti tepër dramatik, një tabuje të madhe se Arafat ka vdekur nga SIDA si pasojë e homoseksualitetit. Kjo hipotezë është hedhur poshtë nga palestinezët si shpifje e tmerrshme e dizenjuar nga izraelitët për të diskretituar udhëheqësin e tyre historik. Si gjithmonë, bota arabe islame e sheh AIDS si një "sëmundje" perëndimore. Madje, sipas tyre, AIDS nuk është një sëmundje, por një “ndëshkim për mëkatarët”.
Sipas gazetarit investigativ izraelit, Ronen Bergman, Izraeli mund të ketë planifikuar vrasjen e liderit palestinez: "Nëse me të vërtetë Ariel Sharon urdhëroi vrasjen e Arafatit, kjo duhet të ketë qenë e zhvilluar në fshehtësi, e hartuar në takime tepër sekrete”. Megjithatë Bergman thotë se "ka shumë arsye për të besuar se Arafati ka vdekur si pasojë e shkaqeve natyrore", dhe se shkaku kryesor ishte HIV-i. Gazetari i njohur i referohet një video të presidentit të xhiruar nga shërbimet sekrete të Rumanisë komuniste gjatë regjimit të Çausheskut. Arafati ishte një mysafir i shpeshtë i diktatorit vicioz. "Në imazhet e kësaj video shfaqet Arafati duke bërë seks me truprojat e tij", thotë Bergman. "Ariel Sharon do t’u kishte thënë bashkëpunëtorëve se Izraeli e kishte vendosur nën siguri videon dhe se shqyrtonte mundësinë për ta qarkulluar në internet për të diskretituar Arafatin”.
Një vit më parë, në një intervistë për “Al Jazeera”-n, ishte pikërisht mjeku personal i Arafatit, Ashraf al Kurdi, i cili për arsye misterioze u largua menjëherë nga dhoma e spitalit në ditët e fundit të presidentit, për të pohuar më pas se shkaku i vdekjes së Arafatit ishte HIV-i. Sapo dëgjoi emrin e virusit HIV, emetuesi nga Katari i ndërpreu menjëherë kontaktet me mjekun palestinez. Një dyshimi i tillë u konfirmua disa muaj më parë nga disa mjekë francezë në spital ku Arafat po mjekohej. Dhe pastaj në vitin 2007, Ahmed Xhibrili, kreu i ashpër i Frontit për Çlirimin e Palestinës, duke folur në televizionin e Hezbollahut u shpreh se presidenti palestinez, Mahmud Abas, kishte pranuar personalisht se Arafati kishte vdekur nga SIDA.
Në të përditshmen “Haaretz”, gazetari izraelit, Amos Harel, i cili zakonisht tregohet i balancuar me shkrimet e tij, argumenton se AIDS mund të jetë shkaku kryesor i vdekjes së Arafatit. Organizimi i një komploti do të ishte i dobishëm vetëm për të shenjtëruar dhe pastruar imazhin e liderit palestinez. Në një libër të Harel Avi Isacharoff, "Lufta e Shtatë", u publikuan për herë të parë rezultatet e komisionit të spitalit, të cilat përcaktonin HIV-in si shkakun e vdekjes.
Por në qoftë se Arafati qenka helmuar, cili mund të jetë i dyshuari kryesor? Një vit më parë, Komiteti Qendror i Fatahut drejtoi gishtin ndaj një të dyshuari, ndoshta për ta diskredituar atë politikisht: Mohammed Dahlan, ish njeriu i fortë i Arafatit. Dahlan mesa duket kishte kritikuar haptazi Arafatit dhe "gardën e vjetër" të sigurisë të mbërritur në Ramallah nga Tunisi dhe kërkoi reforma mbi këtë strukturë sigurie për ta pastruar atë nga korrupsioni. Xhibrili Rajoub, këshilltari kombëtar për Sigurinë e Autoritetit Palestinez, u shpreh se Dahlan ishte një "kolaboracionist", një kolonë e pestë e Izraelit.
Por ky bazohet ky kolaboracionizëm i Dahlan-it? Kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, udhëheqësit e tij zbuluan një letër nga Dahlan, datë 13 korrik 2003, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, atëherë, Shaul Mofaz. "Ditët e Arafatit janë të numëruara”. Në qershor 2011, Dahlan u përjashtua nga Fatah i akuzuar për vrasjen e Arafatit.
Vëllavrasja është një histori e gjatë, që daton para Fatahut dhe fillon me udhëheqjen e Myftiut të Madh të Jerusalemit, Haj Amin al Husseini, i cili në Berlin hitlerian u prish me komandantin popullor të ushtrisë së tij, Fawzi al Qawaqji, përgjegjësin e radios naziste në arabisht. Me t’u kthye në Palestinë gjatë luftës 1948, të dy u përfshinë në luftë për të kontribuar kësisoj në humbjen ushtarake të palestinezëve. E tërë çështja e Arafatit është shënuar nga plumbat e palestinezëve kundër palestinezëve. Abu Nidal dhe Wadi Haddad shpenzuan më shumë kohë për të vrarë anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës sesa civilë të pafajshëm apo hebrenj të Europë; gjatë përpjekjes së Arafatit për të fituar një rol qendror në krizën libaneze, Saiqa, grupi palestinez pro-sirian, rroku disa herë armët kundër Fatah. Në vitin 1983, Arafati u rrethua dhe pothuajse gjesh u vra në Tiro, Liban, në të cilën nga një front e në një tjetrin vërshonin palestinezët: nuk ekzistojnë statistika mbi ekzekutimet pa gjyq të "kolaboracionistëve" palestinezë gjatë veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar Palestinez, por shumica e këtyre ekzekutimeve ishin të motivuara nga grindjet politike brenda palestinezëve.
Elementi kimik (polonium) që mund të ketë vrarë Arafatin u emërtua nga Marie Curie, në nderim të vendit të saj të lindjes, Poloni. Por ndoshta, në rastin e presidentit palestinez, mendohet për një skenar shekspirian i Hamletit dhe tentativa të pasuesve dhe vejushës së Arafatit për ta shndërruar këtë të fundit në një martir të lavdishëm post-mortem.
Ndoshta vdekja e Arafatit do të mbetet gjithmonë një mister. Ose për ta thënë më mirë me fjalët e Moshe Ya’alon, i cili ishte atëherë Shef i Shtabit, aktualisht zëvendëskryeministër i Izraelit: "Vdekja e Arafatit duket të jetë një kapitull i ‘Njëmijë e një Netëve’.