“Pussy Riot”, “Tupac” dhe Putini


Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)





 


“Pussy Riot” mbase nuk janë si “Tupac”, mirëpo anëtaret e grupit ishin ikonat, të cilat e thyen akullin, megjithëse në një mënyrë fyese dhe të padurueshme. A nuk është kjo ajo që kritikët thanë edhe për Steve Jobsin? Kam qenë një vizitor i rregullt i Rusisë së Vladimir Putinit, dhe, kur po ia përshkruaja gjënë që më shqetësonte më së shumti rreth vendit një miku tim të mençur të huaj, ai më nxiti ta lexoja veprën “Tri motra” të Chekhovit. Ishte ky një tregim i familjes ambicioze Prozorov, tri motrat e kulturuara dhe të arsimuara të së cilës – Olga, Masha dhe Irina – u rritën në Moskë, por pas 11 vjetësh u gjendën të braktisura në një fshat. Motrat gjithnjë shkruanin poezi për planet e tyre të kthimin në Moskë (në Emerald City), por kurrë nuk ia dolën dhe ëndrra e tyre shuhet.
Putini i nxjerr “Tri motrat” nga unë. Sa herë që e vizitoj, pres që të zbulojnë se, kësaj radhe, Rusia vërtetë po ndryshon nga të qenit një petro-shtet, me një shkëlqim të rëndë autoritar – dhe një president që përdor retorikë antiperëndimore për ta ruajtur bazën e tij politike – në një shtet që ka vendosur të investojë në arsimim, inovacion dhe kapitalin e vet njerëzor dhe është e gatshme të jetë një partner i Perëndimit.
Por kjo gjë kurrë nuk materializohet, dhe së fundmi madje edhe ka nisur të bëhet edhe më keq. Pyes veten nëse Putin e kupton se sa e hapur do të ishte SHBA-ja në partneritet me Rusinë sot, me qëllim të sjelljes së rendit në Lindje të Mesme apo për të shërbyer si kundërpeshë ndaj Kinës – veçanërisht tani kur Bashkimi Evropian është aq i dobët dhe Amerika është aq e përqendruar nga brenda.
Po, zgjerimi i NATO-s ishte një gabim i madh dhe i vuri Amerikën dhe Putinin në një shteg të gabuar. Mirëpo kjo gjë ka përfunduar. Kësaj radhe është Putini që e ka mbyllur veten, për shkak të politikave të tij cinike, të modelit të Luftës së Ftohtë. Boria e tij antiperëndimore po bën jehonë të madhe në fshatra, të cilat janë shndërruar në bazë të tij politikë në një kohë kur shtresat e mesme urbane në rritje janë me sundimin e tij autoritar.
Rusia do të kishte shumë më tepër ndikim si partner i Amerikës se sa do të ishte si një padron i Iranit apo i Sirisë. Dhe ekonomia e saj do të ishte dukshëm më elastike sikur Putin ta përkrahte popullin e tij dhe t’ua hapte kreativitetin në vend se e bëri këtë gjë me naftën dhe gazin e tij. Mirëpo për ta bërë këtë duhet një atmosferë shumë më e lirë politike. Putin mund të duket si një burrështetas i fortë, mirëpo politikat e tij po e bëjnë Rusinë më të dobët. Ai duhet të jetë i kujdesshëm. Lajm i mirë për rusët sot është se mund të ikin. Lajmi i keq për Rusinë është se ata edhe do ta bëjnë këtë.
Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim sapo ka përpiluar një studim mbi ekonominë ruse, e të cilën e raportoi “Bloomberg News”. Artikulli bën të ditur se “Rusia, eksportuesi më i madh i energjisë në botë, po bëhet gjithnjë e më e varur nga mallrat dhe po dështon të përgatitet për prodhimin në rënie të naftës pas 20 vjetësh... Korrupsioni, arsimimi i dobët, barrierat e emigrimit dhe dominimi i shtetit mbi ekonominë, gjë kjo që e frenon inovacionin, të gjitha e pengojnë diversifikimin. ... Varshmëria e ekonomisë nga energjia është shumë më e madhe sot se sa në mesin e viteve 90, kur lënda paraqiste më pak se gjysmën e eksporteve... Investimet e Rusisë në promovimin e industrive të teknologjisë së lartë – me paranë publike që mbulon 75 për qind të financimit për hulumtime dhe zhvillim – kanë dhënë vetëm rezultate gjysmake, ka bërë të ditur Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim (EBRD). Arsyet janë të qarta. Bizneset e vogla, kompanitë fillestare dhe jofitimprurëse kërkojnë mbrojtje të fuqishme të pronës së të drejtës intelektuale, të gjykatave të pavarura dhe të tregjeve të besueshme financiare dhe të gjitha këto kërkojnë edhe institucione solide politike me rrotacione të rregullta në pushtet – gjëra këto kundër të cilave vepron pushteti i Putinit.
E kam gabim pse jam kaq pesimist, thotë Vladislav Y. Surkov, zëvendësministër për modernizim. Isha në zyrën e Surkovit në Shtëpinë e Bardhë të Rusisë vetëm disa ditë më parë. Derisa po e intervistoja, ishte e pamundur të injoroheshin dy posterë në murin e zyrës së tij. njëra shfaqte bashkëthemeluesin e “Google”, Sergey Brin dhe tjera Vladimir Zworykin, i cili shërbeu si drejtor i laboratorëve RCA në Princeton, në vitet 1950 dhe ndihmoi në inicimin e televizionit. “OK”, e pyeta Surkovin, “pse këta dy burra janë në murin tuaj?”. “Dua t’u dërgoj mesazh vizitorëve të kësaj zyre se Rusia i ka dhuruar botës mendje të tilla gjeniale”, theksoi Surkov. “Shpikjet e tyre kanë hyrë në çdo shtëpi në botë dhe fakti se këta njerëz, të llojit dhe gjakut tonë, ia kanë dalë ti japin dhurata të tilla botës duhet të mbushë zemrat tona me besimin se Rusia e ka një të ardhme si fuqi inovative”. Surkov, dikur i përshkruar si Machiavelli i Putinit, është impresiv ndërsa planet e tij për simulimin e inovacionit në Rusi më tingëlluan bukur reale. Mirëpo nuk mund të mos e vëreja se kulturat e inovacionit nuk bëjnë gjëra si mbyllja e grupit të muzikës punk “Pussy Riot” në burg për dy vjet, për shkak të performimit në një Katedrale. Kjo u dërgon një sinjal të keq të gjithë atyre që janë të lirë të mendojnë çfarë të duan. Surkov, i cili e mban po ashtu edhe një fotografi të reperit amerikan “Tupac Shakur” prapa tryezës së tij, zmbrapset. “Tupac Shakur është një gjeni dhe fakti se ishte në burg nuk ia pengoi as kreativitetin e tij dhe as zhvillimin inovativ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. “Pussy Riot” nuk janë si “Tupac Shakur”, shtoi ai. “Me të qenë edhe vetë një ortodoks, më vjen vërtetë keq për vajzat e ‘Pussy Riot’, por (situata e tyre) nuk ka ndonjë ndikim në zhvillimet inovative të Rusisë”. “Pussy Riot” mbase nuk ishin si “Tupac”, mirëpo anëtaret e grupit ishin ikonat, të cilat e thyen akullin, megjithëse në një mënyrë fyese dhe të padurueshme. A nuk është kjo ajo që kritikët thanë edhe për Steve Jobsin?