POEZIA E JOSIF BAGERIT


PERIKLI JORGONI 



1. 
Poezia e Josif Bagerit e botuar në librin “Kopësht Malësori” dhe nëpër faqet e gazetave të ndryshme të periudhës së Rilindjes Kombëtare, si në gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”, “Shqypeja e Shqypnisë”, “Ushtima e Krujës”, “Liria” e ndonjë gazetë tjetër, përbën një objekt interesant për studimet tona letrare, të cilat ende nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur kësaj krijimtarie. 
Në parathënien e librit “Kopësht Malësori” Josif Bageri thekson, se ai është nxitur nga mendimi, për t’i shërbyer kombit, me sa mundet, me penë e me pushkë, i ndërgjegjshëm, se rruga e tij nuk do të ishte e lehtë, se do të përballej me lloj e lloj pengesash e vështirësish, se do të ndiqej nga qeveria turke e qarqet e errëta shoviniste të Ballkanit dhe se do t’i duhej të përballonte mungesat e shumta e rrugëtimet e gjata, për të kryer detyrën ndaj atdheut. 
Për këto mundime dhe vështirësi të përhershme na flasin vjershat “Dëshira ime”, “Idealizma”, “Vajtim e mallkim”, “I qahem atdhetarit”, “Larg atdheut” dhe vjersha të tjera, që na përshkruajnë gjendjen e vështirë, në të cilën ndodhej atdheu dhe poeti, vuajtjet shpirtërore në mërgim e mallin për tokën e lindjes, e cila i rri gjithnjë në mendje.  
Ai e di mirë, se njeriu idealist detyrohet të shesë dhe rrobet e trupit, për të jetuar, dhe se rruga nëpër të cilën duhet të ecë është shpesh e shtruar me gjemba.  
Si bir i kohës, Josif Bageri e vlerëson rolin e dijes në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e në përparimin e kombit. Kujdesi për ruuajtjen e pasurimin e gjuhës amtare dhe për hapjen e shkollave shqipe do të zinin detyrimin parësor në këtë përpjekje vigane të rilindasve tanë.  
Kjo tematikë trajtohet në mjaft vjersha si “E ama dhe i biri”, “Ati dhe i biri”, “Jo padija, po dituria”, “Klithje për vëllaznit e mi”, “Ditët fluturojnë”, “Vetëm shkronjat të mbrojnë”. Në këto vjersha Josif Bageri thekson domosdoshmërinë e përhapjes së diturisë, vlerën e gjuhës, rëndësinë e alfabetit kombëtar dhe nevojën e hapjes kudo të shkollave shqipe: 
Mbruje vedin dhe mëso gjuhën, 
Përparoni në ditunia, 
Të mos na verbojë kush me pluhën. 
                               (Mësoni gjuhën) 
2. 
Misioni prej idealisti i poetit, që shqetësohet për plagët dhe brengat e atdheut, ndihet në të gjithë veprimtarinë e Bagerit. Në vjershat e tij poeti na përshkruan tablonë e Shqipërisë të kohës, kur perandoria e madhe ushtarake turke, që kishte gllabëruar nën sundimin e saj kaq toka e popuj, ndodhej në zgrip të greminës. Shqiptarëve iu duhej zgjuar ndërgjegja kombëtare e duheshin të ngriheshin në kryengritje të armatosur, për të mos u rroposur së bashku me të në gërmadhat e saj.  
Ngjarjet historike, pas rënies nga froni të Sulltan Hamitit, e bindën se nuk duhej pasur besim as te xhonturqit dhe as te Kushtetuta e miratuar nga mexhilisi i Stambollit. Këtë shpresë, që u zbeh mjaft shpejt, poeti na e rrëfen në vargjet e vjershës “Kremtim për çeljen e shkollës otomane”: 
Sot një jetë tjetër për ne u nis, 
Po gzohet gjindja dhe po kremton, 
Ndonse na s’jemi të gjithë farë e fis, 
Kushtetuta ne na vllazëron. 
Vitet e ngarkuara me ngjarje e drama tronditëse e poqën para kohe poetin, i dhanë atë vetëdije, që të njohë realitetin dhe rethanat politike e shoqërore, prapaskenat dhe djallëzitë e fuqive të mëdha. Ai i mbeti gjithnjë besnik idealeve të çlirimit kombëtar dhe luftës së popullit, që është ndodhur gjithnjë në ballin e betejave.  
Por që lufta e popullit të ngadhnonte, bijtë e saj më të ditur, duhet të përpiqeshin me të gjitha mundësitë, të ndrinin mendjen e bashkëkohësve, prandaj Josif Bageri, ashtu si rilindasit tanë të mëdhenj, mundohet të japë ndihmesën e vet në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në ndriçimin e situatave e në demaskimin e gjithçkaje që pengonte çlirimin dhe përparimin e vendit.  
Përgjithësisht në këtë hapësirë merr frymë krijimtaria dhe veprimtaria e tij. Poezia e Josif Bagerit, në tematikë dhe në frymën që e përshkon është në vazhdën e poezisë të Rilindjes Kombëtare, në vazhdën e Naimit e të Çajupit, të Fishtës e të Mjedës. Ajo ka karakter kushtrimtar e luftarak, demaskonjës e akuzonjës, diturak e moralizonjës. Nga skemat metrike ndjek traditën e poezisë shqipe, është shkruar me vargje të rregullta e të rimuara, me skema të larmishme, ritmike e rimale. Poeti ka shfrytëzuar me sukses dhe pasurinë folklorike, gjuhën e krahinës së vet dhe ligjërimin popullor. Kjo poezi është ndërtuar herë-herë si dialog në mes të personazheve, herë-herë si rrëfim i vetë poetit, i cili bën kronikën e ngjarjeve dhe analizën e situatave e ngërthimeve politike. Dhe kurdoherë është i prerë, i saktë, i palëkundur, i vendosur dhe me një këndvështrim të qartë e të përparuar, në anën e popullit e të lëvizjes 
përparimtare. 
Duke qenë biri i një familjeje të varfër nga Nistrova e Rekës, e ndjen thellë varfërinë e vegjëlisë, dramën e kurbetit dhe fatin e mjerë të njeriut pa ndihmë e përkrahje: 
Fëmija ime zun të qajën, 
Po s’kish kush t’u ndali vajin. 
                           (Dëshira ime) 
Në vjersha të shumta poeti na paraqet me dhimbje e realizëm këtë gjendje të rëndë, pa rënë në grackën e dëshpërimit e të qëndrimeve sentimentale. Vjershat e tij nuk mbizotërohen nga tone elegjiake, ato kanë përgjithësisht një ton kushtrimtar dhe akuzonjës. Ndihet në to i fuqishëm besimi tek e ardhmja, tek lufta e një populli me histori të lashtë dhe të lavdishme, e një populli që ka nxjerrë burra të përmendur si Naim Frashërin, Bajram Currin, vëllezërit Topulli, Papa Kristo Negovanin, apo si djaloshin mësonjës Spiro Garo, që në mërgim, në Bullgari punoi me përkushtim pa u lodhur për çështjen kombëtare dhe gjuhën shqipe. Këta personazhë historikë janë skalitur të gjallë në vjershat e Bagerit, ku spikat aftësia për skicimin e portreteve me individualitet, me ngarkesë psikologjike dhe emocionale.  

3. 
Liria është më e shtrenjtë, se çdo gjë tjetër. Liria është zanafilla e çdo të mire dhe mbrodhësie. Në mënyrë simbolike vlerën e lartë të lirisë poeti na e shpërfaq në vjershën “Djali dhe Bilbili”, e cila shtjellohet në formën e një dialogu. Në të theksohet mendimi, se sado e bukur të jetë kuvlia, ajo të mban të mbyllur, larg jetës plot hapësirë dhe dritë.  
Në mënyrë të thjeshtë e të qartë poeti kumton ide filozofike tek vjershat “Errësira dëbohet”, “Idealizma”, “Forca e parasë” e vjersha të tjera, që përbëjnë trungun e vjershave me motive filozofike. Filozofia përçohet në vjershat e Bagerit me qartësi dhe pa nënkuptime të dyshimta. Këto vjersha herë-herë marrin formën e sentencave, si vjershat “Sende të vërteta” e “Fjalë të vërteta”. Shpeshherë këto vjersha kanë karakter mësimor dhe diturak, i drejtohen nxënësve të shkollave, për t’i mbruajtur me një botëkuptim të shëndoshë e me një filozofi, e cila priret nga e mira, nga harmonia dhe dashuria në mes njerëzve. Në vjershën “Forca e parasë”, e cila nga tematika ka përngjashmëri me vjershën e famshme të Hasan Zyko Kammberit për paranë, autori demaskon psikologjinë e mendësinë e shoqërisë feudale, etjen për pasurim të pandershëm e shfrytëzim, pangopësinë, dredhitë e hilet, grackat dhe kurthet në jetën e të tjerëve, për të nxjerrë përfitime. Por tek Hasan Zyko Kamberi forca e satirës dhe e ironisë është më e dukshme e më therëse. Gjithsesi dhe Josif Bageri na jep një tablo realiste të jetës, e cila është e helmuar dhe e molepsur nga etja për para; një tablo të  
gjerë, që përfshin e ngërthen pamje të ndryshme e një mori personazhesh, që vuajnë dramën dhe kllapinë e lojës djallëzore të parasë: 
Kush të ka ty, o pare në dorë, 
Që k’so punësh bon në jetë, 
Vllain tim ka bo tradhtor, 
Armiqësi me mu të ketë. 
                (Forca e pares) 
Për kushtet e rrethanat, sesi u zhvillua kjo krijimtari, poeti u detyrua ta përqëndronte vëmendjen më tepër në temën atdhetare dhe shoqërore, të mos ngulmojë dhe aq, që ta zgjerojë horizontin tematik e të merret me përsiatje dhe përjetime intime. Gjendja e rëndë në të cilën ndodhej atdheu e detyronte vëmendjen artistike të Josif Bagerit, të përqëndrohej në problemet më të rëndësishme dhe më nevralgjike të kohës.  
Në ndonjë vjershë si “Dasma e gjyshes” poeti dëshmon, se është i aftë të krijojë dhe situata sarkastike dhe humoristike, të thumbojë e të vejë në lojë të metat e natyrës njerëzore. Në vjershën për bariun na krijon tablo të jetës idilike të jetës baritore, na pikturon një realitet të pangjashëm me jetën e vërtetë, një realitet të pashqetësuar nga hallet dhe brengat e shoqërisë, ndërsa në vjershën “Lufta turko-shqiptare” na përshkruan me frymë epike dhe dramatike masakrat e Turgud Pashës dhe betejën heroike të Kaçanikut. Poeti dëshmon, se është i aftë t’i japë gjerësi shtjellimit të subjektit, të krijojë situata të acaruara dhe të skicojë karaktere të ndryshme njerëzore, si karakteri i Turgud Pashës, i Isa Boletinit e i Ministorit të Stambollit. 
Gjithsesi krijimtaria e Josif Bagerit përbën një vlerë të veçantë në poezinë e Rilindjes. Ajo nga forma e nga përmbajtja është në frymën e metodës artistike të poezisë bashkëkohore. Ajo është një poezi e shkruar me ndjeshmëri e me vetëdije qytetare, një poezi që na pasqyron në mënyrë realiste jetën, duke guxuar të fshikullojë e të vejë në dukje mangësitë dhe plagët e saj. Kjo poezi është muzikale, e rrjedhme, konkrete dhe me përjetime emocionale. Ajo është dëshmi e saktë e një kohe plot përpjekje titanike për çlirim kombëtar dhe përparim shoqëror. Ajo duhet hulumtuar e kërkuar nëpër faqet e shtypit të kohës dhe nëpër arkiva ende të panjohura, duhet botuar me kujdesin e duhur, madje së bashku me tregimet e publicistikën, për të na krijuar një njohje më të plotë të punës e të veprimtarisë të këtij atdhetari të madh. 

Durrës, me 15 qershor 2011 

Related Posts: