“Përlindja e Shqipënisë”, ja çfarë shkruhej në gazetën e parë të Vlorës


Bendis Pustina


Gazeta e parë e shtetit shqiptar është “Përlindja e Shqipëniës” (gusht 1913 deri më 28 mars 1914), botim zyrtar i Qeverisë së Vlorës. Në këtë gazetë fillimisht kryeredaktor ishte Dhimitër Berati, por ka kontribuar mjaft dhe publicisti Mihal Grameno. Në faqet e kësaj gazete, si mjet i komunikimit masiv dhe si dritare ndaj botës, gjenin vend që nga proklamatat dhe qarkoret e Qeverisë së Vlorës, notat e telegramet drejtuar Fuqive të Mëdha dhe qeverive të huaja e deri te shpalljet për kërkim nëpunësish në administratë dhe kriteret e kërkuara a formularët e thirrjeve për tender për ndërtimin e veprave dhe realizimin e investimeve të para të Qeverisë.
Misionin e saj gazeta e shpalli që në nëntitull: “Organ për (të) me mprojtur të drejtat kombëtare” dhe e ushtroi duke botuar në faqet e saj analiza të thella e të plota mbi gjendjen politike në Shqipëri, situatën ndërkombëtare, politikën e jashtme të Qeverisë për mbrojtjen e interesave kombëtare, si dhe kronika të paharrueshme të mizorive të pushtuesve serbë e greke mbi popullsinë civile të trojeve të mbetur jashtë kufijve. Shumica e kryeartikujve ishin politikë dhe i kushtoheshin mbrojtjes së interesave të vendit dhe luftës ndaj faktorëve kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm të bashkimit e të përparimit të tij, gjithmonë nga këndvështrimi i Qeverisë së I. Qemalit.  Në brendësi të gazetës veç artikujve plot patos patriotik, gjen lajme të ndryshme nga vendi e bota, njoftime (lajmim apo zadhanie) e  deri te rubrikat kulturore, copëzat letrare e shkrimet në shërbim të krijimit të një shoqërie të emancipuar  shqiptare. Kjo gazetë, në kuadrin e rëndësisë së saj të përgjithshme, pasqyruar më sipër, pati rëndësi dhe si dëshmitare e historisë së gjuhës shqipe dhe administratës shqiptare. Në verën e vitit 1913 Qeveria nisi marrjen e masave të para  për ngritjen e shtetit dhe të administratës së tij, ku akti më i rëndësishëm është: “Kanuni i përtashëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në 22 nëntor 1913, ndërsa më parë ishte miratuar Kanuni i Zhurisë (13 maj 1913), akti i parë legjislativ në fushën e organizimit gjyqësor kombëtar. Gjuha shqipe, ndonëse e lëvruar dhe e kultivuar në letërsi e publicistikë, nuk kishte realizuar shfaqjen e saj në veprimtarinë e administratës shtetërore, si një ndër kërkesat e para të një shteti. Qeveria e Vlorës ishte ajo që hodhi hapat e parë në këtë drejtim.
Që në numrin 6 të saj, datë 30 gusht 1913, gazeta “Përlindja e Shqipëniës, e para gazetë zyrtare shqip, boton këtë “Lajmim”: “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotëniës se Tij Kryetarit të Qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet që të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen npunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…” Ky njoftim ribotohet dhe në disa numra të mëpasëm me komentin: “Për t’a përhapur sa ma shumë ma të bukurin urdhër që ka dhanë qeverria gjer më sot po e botojmë përsëri.”
Në numrin10, datë 13 shtator 1913, botohet urdhri i Ministrisë së Arsimit mbi hapjen e shkollave fillore shqipe të detyrueshme që prej 16 shtatorit 1913Vendimet e mësipërme kishin një rëndësi të madhe jo vetëm për vetë gjuhën shqipe, që fitonte me këtë rast një funksion të ri shumë të rëndësishëm shoqëror, por njëkohësisht edhe përforcimin e karakterit të pavarur e të autoritetit të shtetit të ri shqiptar. Por, sigurisht, lufta për të konsoliduar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të komunikimit në të gjithë administratën shtetërore shqiptare eci paralelisht e ndoshta me po aq përpjekje, sa ajo për sigurimin e tërësisë territoriale dhe vendosjen e autoritetit të shtetit të ri shqiptar në kufijtë që iu caktuan ndërkombëtarisht nga Konferenca e Londrës (1913).
Kështu, “Përlindja” ndihmoi ndër të tjera në përparimin e çështjes së gjuhës, jo vetëm nëpërmjet ngritjes së problemit politikisht, por edhe gjuhësisht, nëpërmjet rubrikave a artikujve si: “Skanjet teknike” (termat teknikë), “Bisedim gjuhe” etj., ku bashkëpunonin personalitete të atëhershme të gjuhës e kulturës shqiptare, si Aleksandër Xhuvani, Sali Gjuka, Kristo Floqi, Thanas Floqi etj.
Në lidhje me detyrimin e përdorimit të gjuhës shqipe në korrespondencën zyrtare, në artikullin “Për nënpunësit” i bëhet thirrje Qeverisë të vendosë afate për mësimin e gjuhës shqipe nga ata nëpunës që nuk e dinin, ndryshe duhet të lironin vendet, pasi Shqipëria e re nuk mund të qeverisej veçse me gjuhën shqipe.
“Gjyqësia në Shqipërië“ është një artikull mjaft i rëndësishëm i Kristo Floqit, “Kryetar i Gjykatoriëvet Politike e Penale të Vlorës”, mbi shqipen në jurisprudencë e zyra dhe përkthimin e terminologjisë gjyqësore (“Përlindja e Shqipniës“ dt. 3/16 gusht 1913, f.3, dhe vazhdimi i artikullit më dt. 7/20 gusht 1913, f.2). Po citojmë disa rreshta prej tij, ku analizohen shkaqet përse gjuha shqipe, megjithëse e shpallur zyrtare, nuk po përdorej ende:“Guverna edhe veçanërisht ministori’ e Drejtësiës dha urdhër akoma të përdoret edhe gjuha Shqip, si gjuhë zyrtare nëpër zyrat offiqiale, po mjerisht ky urdhër mbet vetëm i shkruar më kartë edhe as fare i zbatuar në veprim… shkaku i parë është që të  9/10 e nëpunësve nuk dinë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhën shqip dhe i dyti, që më të shumët e nëpunësve s’duan të përdoret gjuha shqip. Këta të dytit ndahen në tre kategoria. 1) Në ata që pandehin se gjuha shqip s’është e plottë edhe s’mbush gjithë nevojat, 2) në ata që dinë pak të shkruajnë… dhe 3) në ata që pandehin se mos këto shkronja gjaure (!) prishin fenë muhamedane etj. etj. gjepura”.  Përveç këtyre si shkak për mospërdorimin e shqipes në gjykatat, K. Floqipërmendte dhe zbatimin e “nomeve” (ligjeve) të Turqisë, të vështira për t’u përkthyer në shqip, e njoftonte punën e tij mbi hartimin e“kushteve të gjuhës gjyqore”, të cilat për lehtësi kuptimi do të botoheshin të shpjeguara në tri-katër gjuhë.
Falë projektit të admirueshëm të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, të gjitha këto shkrime, lajme, copëza nga mozaiku historik i foshnjërisë së shtetit shqiptar bëhen tani lehtësisht të arritshme, nëpërmjet riprodhimit të koleksionit të gazetës “Perlindja e Shqipëniës”,e sidomos versionit të tij elektronik,duke na dhënë atmosferën e kohës e duke na kthyer  në atë periudhë të shqetësuar, por njëherësh plot idealizëm e optimizëm kolektiv për fatet e Kombit.
Mapo

Related Posts: