Parajsa e ndaluar


Lehtësi e durueshme

Beqë Cufaj 


Botimi në shqip i klasikut modern "Ankesat e Portnoyt", libër ky gjenial të cilin shkrimtari amerikan Philip Roth në fund të viteve gjashtëdhjetë e pati botuar dhe brenda natës e bëri autorin jo vetëm yllin, por edhe më të njohurin në skenën letrare amerikane të Nju-Jorkut, është një lajm i mirë për çdokë që e ka njohur apo lexuar këtë autor në origjinal a në gjuhë të tretë.
Ky bestseller për familjen hebreje dhe neurotikun me emrin Portnoy ishte një par excellence i "dirty" fjalëve dhe "dirty" skenave dhe përgjithësisht sensibilitetit seksual, i cili në ato vite provonte që të thyente tabutë e lexuesve, të shoqërisë amerikane dhe asaj perëndimore përgjithësisht. Një copë parajsë e ndaluar. I tërë libri mund të lexohet si një autobiografi që edhe sot e kësaj dite e hedhë lexuesin në fantazinë e heroit që flet në vetën e parë: një hebreu i cili ngado që shkon thuajse nuk di të bëjë gjë tjetër, pos të masturbojë!
Me këtë libër, autori vetëm 34-vjeçar me emrin Philip Roth, u shndërrua në një anatemë. Sidomos bashkësia e fuqishme etnike hebreje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa herë që dëgjonte emrin Roth, jo vetëm që rrëqethej por edhe e luftonte atë: me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara. Kritiku i madh hebrenjo-amerikan i asaj kohe Gerhom Scholem, jo vetëm që e pati shkatërruar librin në "New York Times" por edhe e pati akuzuar autorin për "antisemitizëm hebraik" dhe se të gjithë hebrenjtë, ngado që janë, do ta paguajnë shumë shtrenjtë këtë antisemitizëm që u vjen nga njëri prej gjiut të tyre!
Por, në vend të shkatërrimit të tij, kritiku me nam i kohës, bëri që libri të shndërrohet në kanun letrar, kurse autori, nga më të lexuarit në Amerikë dhe më pas edhe në Europë!
Pas Portnoy-t, pasuan karakteret e reja dhe ciklet e reja. Tash me personazhin e ri që ka një emër po aq karakteristik për një hebre: Nathan Zuckerman. E ky Zuckerman në romanet e Rothit është një shkrimtar hebre, të cilin autori e përcjell nëpër të gjitha stadet dhe rrugët jetësore. Nga të qenit shkrimtar përmes "Ghost Writer" (1979) e deri te të qenit shkrimtar i madh, dhe me këtë edhe shkrimtar me shumë vuajtje e bllokada shkrimi në "Ora e anatomisë" (1983).
Në qendër të vëmendjes së triptikut për hebreun e famshëm është pa asnjë dyshim "Çlirimi i Zuckermanit" (1981). Në këtë roman, si dhe në atë të vjetrin, i njohur edhe nga Portnoy, janë problemet dhe rrethi i pakalueshëm familjar. Është një moto që këtë libër por edhe librat tjerë i përcjell bashkë me seksualitetin dhe sensibilitetin banal që shkon me të, kjo moto do të mund të përmblidhej me fjalët: është sa e nevojshme po aq edhe e pamundshme që të shkëputesh nga familja dhe nga të qenit hebre.
Me veprën "Kundërjeta" të botuar në vitin 1986, Philip Roth provon që pikërisht të arrijë ta kapërcejë këtë rreth të quajtur familje dhe hebre. Përmes personazhit të ri të futur në "kundërjetën" e Zuckermannit, vëllait të tij. Është ky romani kur kritika amerikane dhe ajo botërore përgjithësisht u pajtuan që Amerika me Rothin gjeti Dostojevskin e saj të ri! Sepse çdo gjë në këtë libër dhe sidomos karakteret e rrëfimit të "Kundërjetës" janë ato që dëshmojnë se janë e kundërta e asaj që përjetojnë dhe bëjnë.
Në fundvitet e tetëdhjeta me Philip Rothin ngjet ajo që askush nuk e pret. Autorin, tashmë të famshëm edhe përtej Atlantikut e fshin një krizë psikologjike që do ta përcjellë për disa vite me radhë. Shumëkush kishte filluar të shkruante apo fliste epitafet për autorin e madh i cili më nuk do të mund të kthehej në ujërat e letërsisë së madhe që kishte bërë. Derisa në mes të viteve nëntëdhjetë publikut iu shfaq një Roth i ri. Me pjesën e parë të "Trilogjisë Amerikane". Me rapsodinë e jetës e cila në mijëra faqe letërsie ishte një kursiv krejt tjetër nga ai i mëparshmi, u shfaq ciniku dhe satiriku Roth.
Pjesa e parë e kësaj trilogjie e titulluar "Idila Amerikane" me të cilën Roth edhe mori Çmimin e famshëm Pulitzer, atë e ktheu në etazhet më të larta të kritikës dhe librarive amerikane e botërore. Ngjau kështu me Rothin kontradiktor, pos ironisë ishte zhdukur edhe pështirja artistike për njeriun si qenie për keqardhje dhe kishte fituar krahu i njeriut si qenie, si specie e "pasionit të lartë". Rothi ishte gjunjëzuar para jetës çfarë ajo është me krejt të mirat dhe të këqiat e saj. Dhe ky gjunjëzim, ky çlirim, vetëm sa e bëri edhe më të madh.
Kjo mund të thuhet jo për shkakun që Roth tashmë ikën nga kronologjia e rrëfimit ngucaç dhe cinik por për shkakun që ky autor, si pak, vërtet, fare pak të tjerë të kësaj bote, thjesht arriti të shkëputet nga kursi, mënyra e rrëfimeve të mëparshme. Kjo mund të thuhet edhe për shkakun që personazhi është i njëjti: Nathan Zuckermani. Mirëpo tashti ky nuk është më ai perverti i cili mbi çdo gjë e në çdo gjë do "vetëm" të masturbojë apo ta fusë në kompleksin e imagjinatës së tij seksualiste.
Me një fjalë, Zuckermani tashti tërhiqet në kuartet e gjakosura me djersën dhe anonimitetin e investimeve jetësore të familjeve të thjeshta për atë që çdokush e njeh dhe din si ëndërr amerikane. E aty shkon ngapak edhe pikanteria e ironisë dhe seksualizmit të cilat tashti nuk janë me "motor" jetësor i këtij personazhi monumental dhe të pashoq në letërsinë më të re botërore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dy vëllimet tjera të "Trilogjisë Amerikane", konkretisht "Babai im, komunisti" si dhe "Njolla jetësore" 2001.
Në të tre vëllimet, Nathan Zuckermann dëgjon dhe nuk mendon vetëm për veten. Dëgjon njerëzit dhe fatet e fatkeqësitë njerëzore. I vrojton dhe çan kokën për to. Dhe bashkë me to, përcillet edhe nga stuhitë shoqërore e politike të cilat shoqërinë amerikane e përcjellin: McCarthy epokën, kohën e luftës së Vietnamit apo edhe aferën Lewinsky!
Ajo që sot, kur Philip Roth ka arritur të jetë fituesi moral i çdo çmimi të mundshëm (së fundi edhe fitues real i Princit të Asturias), mund të thuhet është që njeriu nuk mund të flasë për hebrenjtë pa e patur të lexuar këtë autor. E tashti, kur kjo tezë e pranuar edhe në kritikën letrare qëndron, atëherë mund të thuhet lirisht që prapa këtij apo këtyre fateve hebrejo-amerikane na del, është edhe universalizmi njerëzor dhe artistik. Janë pra ato copëza të ndaluara të parajsës të cilat mund të gjenden vetëm në letërsi, art.
Sepse ajo që librat e Philip Rothit i karakterizon është minimi i individualizmit egocentrik dhe marrja me "unin" dhe unin e panjohur të secilit prej karaktereve dhe me këtë edhe të lexuesit. Prandaj nuk duhet çuditur që sa herë që një libër i ri i Philip Rothit del në librari, kritika letrare amerikane dhe europiane, njëkohësisht, e festojnë këtë ngjarje me qindra artikuj, kritika e analiza. Kështu ngjau edhe me njërin prej romaneve të fundit të Philip Rothit "Kafshë që vdes".
Pilip Roth është si shkrimtar, si rrëfimtar, më i plotfuqishëm si pak shkrimtarë të tjerë të gjallë. Roth është një autor i cili në duar e ka kontrollin e plotë mbi figurat dhe vijat e rrëfimit e fatit që ata i përcjell. Thjesht janë si kukullat (këtu më bie ndërmend romani i tij me kukullat "Teatri i Sabath"-it) të cilat me një omnipotencë mund të lëvizin deri në vijën më të largët të skenës së çmendisë- dhe me këtë edhe na tregojnë çdo gjë: pafuqinë kur dashurojmë dhe pafuqinë e të qenit sepse të gjithë ne nuk jemi gjë tjetër pos vdektarë të zakonshëm.

Related Posts: