Me shkas nga albumi i ri i Elina Dunit Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/29/me-shkas-nga-albumi-i-ri-i-elina-dunit/#ixzz2GV2HIrgM


BESNIK MUSTAFAJ



Diku në mes të dhjetorit që  po mbyllet dha një koncert të madh në Tiranë këngëtarja Elina Duni me kuartetin e saj. Me sa kam mundur unë ta ndjek jetën artistike të kryeqytetit tonë të dashur, ky është koncerti i parë i plotë që ajo jep për ne në vendlindjen e saj. Por edhe në mos qoftë i pari, jam i sigurt që ky është koncerti që e shfaq në plotërinë e vet pjekurinë e saj të deritanishme si artiste, dhe kjo ka rëndësi. Ajo kishte ardhur të paraqiste edhe në Tiranë albumin e vet të fundit, “Matanë malit”. Siç shkruan vetë ajo në fletorkën informative që shoqëron albumin e saj, Elina Duni është me një përkatësi të dyfishtë: me rrënjët në Shqipëri dhe me kurorën në Zvicër, për të cilën ajo pranon se është vendi që e bëri të jetë vetvetja. Elina Duni këndoi për ne në shqip jo pse ne, publiku i saj atë mbrëmje në Teatrin e Operas e të Baletit, ishim shqiptarë, por sepse në shqip është albumi i saj në versionin e nxjerrë për tregun muzikor ndërkombëtar, ku pak nga pak ajo po zë vendin e vet dinjitoz. Në koncertin që ne pamë, ajo i kishte të gjitha për të fituar admirimin tonë: zërin, që nuk u lodh për as edhe një sekondë; e bukur si një xhinde; e llastuar me shumë lezet nga veshja; me mjeshtërinë për ta zotëruar skenën, në qendër të së cilës ishte gjithë kohën e vetme; dhe interpretimin muzikor pa shenja monotonie dhe pa përsëritje që do ta kishin cenuar tensionin e një koncerti. Publiku ishte i lumtur, dhe kjo lumturi është gjithçka ç’pret në fund të shfaqjes një artiste për t’u ndier edhe vetë e lumtur. Shpresoj që ne, spektatorët e saj të asaj mbrëmjeje, kemi ditur t’ia shprehim lumturinë që po merrnim, në mënyrë që edhe ajo të ndihej e shpërblyer për të qenë edhe vetë e lumtur.
Për hir të së vërtetës, mediat e Tiranës bënë përpjekje të ndershme për t’i dhënë kësaj ngjarjeje kulturore rëndësinë që ajo meritonte për kryeqytetin tonë. Por unë nuk pashë të shprehen kritikët e muzikës. Ndoshta kanë folur. Ndoshta do të flasin më vonë. Jam i sigurt se nuk do të jetë kurrë vonë të flitet për këtë album. Ai bart në vetvete ca tharme universale, të gjithëkohshme, që nuk do ta lënë të mplaket e të rrudhoset. Sado që Elina Duni shkruan vetë në fletorkën me të cilën shoqërohet albumi, se kjo vepër i kushtohet Shqipërisë, mua nuk më duket aspak si një album-homazh, siç lë të kuptohet “kushtimi”. Do të thosha me bindje se ky album buron nga Shqipëria, domethënë nga rrënjët e artistes, siç i përcakton ajo vetë lidhjet me vendlindjen. Si i tillë, ky album përmban diçka thelbësore të identitetit shqiptar, diçka të mbledhur çika-çika nga artistja siç mblidhen grimcat e floririt në shtratin e një lumi, për ta shkrirë pastaj në furrën e saj të krijimit duke mbajtur vetëm metalin e çmuar, të pastër në vlerën e tij universale, aq sa ta shohë gjithkush me sytë në ballë. Ky është identiteti shqiptar e që njëherësh përmban ato tharmet universale, të gjithëkohshme në formën e shfaqjes së vet artistike, brenda të cilit duhet të ndjehet mirë shqiptari i shekullit XXI, një identitet që na dallon për të mirë nga të tjerët duke na bashkuar po aq me të tjerët për të hedhur së bashku vallen e njerëzimit të sotëm. Identiteti shqiptar, i tillë siç mishërohet në veprën e Elina Dunit, përsa u përket vlerave të tij imponuese, nuk ka asgjë të ngjashme me zhurmën “o sa mirë me kenë shqiptar” që mbizotëroi në kremtimet disamujore të 100-vjetorit të pavarësisë, një zhurmë kjo që fsheh keq në të vërtetë një kompleks inferioriteti ndaj të tjerëve e, për pasojë, na veçon nga të tjerët, na lë jashtë valles së madhërishme që hedh sot pjesa e shëndetshme e njerëzimit.
Ne duhet të ndihemi mirë në pasqyrën identitare që na vë përpara Elina Duni me albumin e saj të ri për të njëjtat arsye që vetë artistja ndihet mirë brenda këtij identiteti e që ajo e sheh të nevojshme edhe të na i shpjegojë përmbledhtazi: lumturia që ky vend i ka falur kur ishte fëmijë, një lumturi që e kanë të gjithë fëmijët sepse e përmban vetë mosha e zbulimit të botës dhe që nuk ka doemos të njëjtin kuptim me fëmijëri e lumtur. Lumturia e fëmijërisë është mbushja e syve me dritën e jetës. Trashëgimia kulturore, e përfaqësuar nga shkrimtari Ismail Kadare e këngëtare si Vaçe Zela. Elina Duni e kupton qartë se një identitet pa trashëgimi kulturore, domethënë pa gjurmën e pashlyeshme të artistit, është si identitet i shkretëtirës, i pajetueshëm. Dhe poezia e gjuhës shqipe. Sepse një gjuhë pa poezi, domethënë një gjuhë e varfër, një gjuhë e drunjtë, do të ishte dëshmia e varfërisë shpirtërore dhe mendore të njeriut shqiptar.  Elina Duni e pohon këtë identitet para botës mbarë përmes këngës së saj dhe e pohon natyrshëm, pa ndrojtjen e të voglit, të cilin e tremb vogëlsia e vet e pa mendjemadhësinë e një megalomani. Ne, bashkëkohësit e saj shqiptarë, duhet t’ia dimë veçanërisht për nder. Në këtë periudhë delikate të zhvillimit të qytetërimit tonë, pra, edhe të evoluimit të identitetit tonë, kjo artiste na ka ndihmuar sipas mënyrës së saj ta njohim më mirë veten, pra, të ndihemi më të sigurt në vete.
Në përgjithësi, gjithë ç’u shkrua me këtë rast në shtypin shqiptar për rikthimin e Elina Dunit në vendlindje, si artiste ndërkombëtare e konfirmuar tashmë, ishte dashamirëse. Aq më mirë! Por, përtej kësaj fryme entuziaste, gazetarët mbeteshin disa herë të pakuptueshëm në vlerësimet e tyre, qofshin ato dhe lavdëruese. Të paktën për mua. Po sjell një shembull, marrë në njërën nga të përditshmet më të mëdha të vendit. Gazetarja thotë se mënyra e të kënduarit (jazz) e Elina Dunit nuk është fare shqiptare. Gazetarja nuk e zhvillon më tej mendimin e vet. Unë, që e ndoqa koncertin, nuk vura re asgjë të “huaj” për shijen shqiptare, pavarësisht se artistja luante jazz. Të paktën prej afro një shekulli, “jazz” është një arketip muzikor, ku artistët që e zgjedhin, secili sipas talentit të vet dhe lëndës artistike që mbart, ndërtojnë fizionominë e tyre që është “jazz”, por thelbësisht origjinale. Kështu ka bërë edhe Elina Duni me fjalën dhe melodinë burimore. Elina Duni shfaqet si një artiste që e di çfarë bën dhe po ashtu përse e bën. Kjo e pasuron gjenuinitetin e saj fillestar. Për të qenë didaktike ndaj një publiku të pamësuar me muzikën jazz apo një publiku tjetër të pamësuar me folkun shqiptar, ajo shpjegon se përpiqet të “sjellë jazz-in në Shqipëri përmes folklorit, ndërsa jashtë përcjell folklorin përmes jazz-it”. Por, rezultati është një dhe i pandashëm: kënga e saj. Jo vetëm zëri dhe imagjinata krijuese, por edhe koncepti i qartë estetik e bën Elina Dunin artiste të madhe dhe jep siguri se ajo do të shkojë larg në rrugën që ka nisur.
Artisti natyrshëm realizon më së pari dhe kryesisht vetveten përmes veprës së vet. Dhe Elina Duni nuk bën përjashtim në këtë pikë. E tillë, ajo na drejtohet ne në Tiranë me të njëjtën gjuhë artistike siç u drejtohet adhuruesve të vet në Gjenevë, në Paris, në Mynih apo në Nju Jork. Fati ynë që në zanafillë kjo është gjuha jonë amtare. Fuqia krijuese e Elina Dunit e bën gjuhën tonë të kuptueshme e të pëlqyeshme edhe andej. Dhe me “gjuhë” unë nuk kam parasysh në këtë rast thjesht fjalorin, por krejt semantikën komplekse të komunikimit të artit, atë semantikë që e ndriçon identitetin tonë në një dritë të re, moderne. Faleminderit, Elina!