Margaret Mazzantini: Shkruaj për gjymtimin njerëzor, lënien në harresë, dhimbjen dhe dobësitë e njerëzve

nga Mimoza Hysa*

Margaret Mazzantini


Kohët e fundit u shfaq në kinematë italiane premiera e filmit "I ardhur në jetë", realizuar sipas romanit tuaj me të njëjtin titull: si erdhi në jetë ky roman? 


"'I ardhur në jetë' ka qenë për mua një libër shumë i vështirë, rrëfimi i një historie intime dhe tronditëse, një rrugëtim i gjatë në tunelin e dhimbjes, një epope sfilitëse: dola prej atij tuneli e plagosur dhe thellësisht e lënduar.
E kisha në mendje që kur shpërtheu lufta në ish Jugosllavi dhe unë sapo kisha sjellë në jetë fëmijën tim të parë, Pietron. Si të gjitha nënat e reja qëndroja në shtëpi, i jepja gji ndërkohë që shikoja televizor, ndiqja kronikat e lajmeve me pamjet e tmerrshme që mbushnin ekranin. Ka qenë lufta e parë e filmuar që të gjithë mund ta shikonin, një shok i vërtetë për ne që qëndronim të ulur qetësisht në divane duke biseduar, duke debatuar mbi tmerrin që ndodhte kaq afër nesh, vetëm pak milje deti larg. Kur ke një fëmijë aq të vogël, të shtohet edhe më tepër shpresa tek e ardhmja, por unë shikoja fytyrat e refugjatëve që iknin, dëgjoja të shtënat e snajperëve, pamje dhe zhurma të tmerrshme që nuk arrija t'i fshija nga kujtesa. Fillova të mbledh materiale, një sasi shumë të madhe fotosh, artikuj gazetash, intervista, reportazhe, dëshmi të kohës së luftës, mbusha një baule të tërë. Kisha shumë dëshirë të flisja për atë luftë. kështuqë vite më vonë, kur më erdhi në mendje një histori dashurie dhe steriliteti, e kuptova se rrethimi i Sarajevës ishte si rrethimi i dy personazheve të mi, Xhemës dhe Diegos. Librat e mi zënë fill nga një gjymtim, nga një mangësi, që i shtyn personazhet të kërkojnë diçka; Xhema dhe Dieogoja kërkojnë në këtë botë fëmijën që nuk kanë, derisa fati i çon në Sarajevë.
"I ardhur në jetë" është një afresk i madh dashurie dhe dhimbjeje që merr përmasa kozmike. Është jeta që fiton mbi luftën, është dhimbja nga e cila lind shpresa e një fëmije, i cili është fëmija i kësaj bote".

Si arritët ta krijonit atmosferën e asaj lufte që nuk e keni jetuar në vetë të parë? A ishte e vështirë të futeshit në lëkurën e personazheve boshnjakë? 


"Lufta e ish Jugosllavisë është një vrimë e zezë në ndërgjegjen tonë kolektive: me të mbaruar konflikti unë shkova në Sarajevë dhe qëndrova tri ditë, pashë qytetin, gratë, dëgjova historitë e tyre, u gjenda mes rrënimit, atje bota kishte shpërthyer si kokoshkat në tigan. Dëshiroja të flisja për atë botë dhe për ato plagë, sepse ky besoj është kuptimi i punës së shkrimtarit: të ngrejë pikëpyetje më të mëdha se vetë historia, të kultivojë forcën simbolike të letërsisë".

Elementi surprizë është gjithnjë i pranishëm në romanet tuaja: në "Shpirt pezull" lexuesi mbetet me dorën në zemër deri në fund, ashtu si tek "I ardhur në jetë" në të cilin e vërteta e të gjithë historisë zbulohet në faqet e fundit. Si punoni ju me strukturën e romanit: e keni paraprakisht në mendje para se të uleni ta shkruani?
"Jam rrëfimtare historish; e shkruara më jep mundësi të trajtoj temat që më interesojnë, më jep mundësi që të them fjalën time, por gjithmonë duke respektuar lexuesin. Qysh fëmijë më ka pëlqyer të rrëfej histori, të shpik botë të ndryshme, dhe sa herë që hap kompjuterin nuk e di se cila do të jetë gjuha që do të përdor, gjithëherët më duket vetja si njeriu i parë i shpellës kur ishte në kërkim të zjarrit për të gatuar dhe për t'u ndriçuar natën. Është udhëtimi i vetë heroit, ai i njeriut të parë që rrëfen historinë e tij".


"I ardhur në jetë" është një roman mbi luftën, por që përmbyllet me një himn ndaj jetës. Për ju e shkruara është një mënyrë për të ëndërruar e për të shpresuar të pamundurën? 


"E shkruara për mua është të hiqesh mënjanë botës për të treguar diçka për botën. Unë bëj një jetë të dyfishtë dhe e shkruara më ndihmon të përballoj gjithçka. Edhe pse jam shumë energjike, e shoh se jeta krijuese është një sfilitje për atë që shkruan, madje dhe për lexuesin. Për të shkruar duhet t'i vidhesh botës, ndoshta dhe për një kohë të gjatë, dhe t'i kthehesh një zanati të lashtë që të këkron ta pastrosh dërrasën e zezë, të përballosh gërryerjen, të bëhesh qelibar, i çiltër, i pastër, me qëllim që të të avitet historia e re.
Unë shkruaj nisur nga këndvështrimi i çdo njeriu, e kam fjalën për sa i përket jetës dhe vështirësive. Kur shkruan, duhet të guxosh, të zhytesh në jetën e tjetrit që është si ti. Kur rrëfej një histori, edhe atë më të dhimbshmen, kam nevojë që të dalloj gjithnjë një fije drite sepse e gjithë e keqja e kësaj bote, në fund të fundit, e ka një shpjegim, edhe pse neve na duket e pakuptueshme, e ka një mundësi shpagimi".

Gojkoja është një personazh simpatik, një njeri i drejtë, me vlera, i ndjeshëm dhe me një natyrë impulsive, tipik ballkanas....sa i njihni ballkanasit? 


"Në të vërtetë personazhi i poetit Gojko ka shumë prej meje: çapkën dhe i përhumbur".



Po për filmin e realizuar nga romani, ç'mund të thoni? 



"Unë bashkë me tim shoq, Sergio Castellitto-n, që është dhe regjisori e bashkëskenaristi i filmit; shkuam në Sarajevë, ku e prekëm nga afër dhimbjen dhe tmerrin, realizuam së bashku një rrugëtim jo vetëm njerëzor, por edhe politik e poetik. Zbuluam në ato vende një tension të fortë etik, e megjithatë unë e ndjeja se dëshiroja me gjithë shpirt të flisja për atë luftë nëpërmjet një historie dashurie; jeta është një shumëfishim historish dashurie, apo një dashuri e vetme që përshkon rrugë të ndryshme.
Në film, Penelope Cruz-i, e interpreton në mënyrë të shkëlqyer rolin e Xhemës, e kupton thellësisht pamjaftueshmërinë e saj, atë mungesë që i shtyn dy protagonistët të kërkojnë nëpër botë, të dalin nga rrjedha e tyre e përditshme".


Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar në formimin tuaj? A keni ndonjë të preferuar? 


"Kur isha e vogël nuk lexoja shumë, më pëlqente më tepër të luaja në ajër të pastër dhe të shpikja rrëfenja dhe personazhe, për veten dhe motrat e mia. Kur fillova të lexoj, iu përkushtova kryeveprave të teatrit, duke filluar nga Cehovi dhe dramat greke. Pastaj kalova tek Dostoevskij, Faulkner-i, Morante, Joyce, Simenon-i. Këta janë autorët që dua, por nuk janë vetëm këta frymëzimi im. Unë i dëgjoj të gjithë dhe më frymëzon çdo gjë".

Për ju shkrimtaria është pasion apo mision? 


"Për mua shkrimtaria është punë kërkimore e vazhdueshme, ndaj më duhet një arsye shumë e fortë për ta ndërmarrë. Ajo çka më pëlqen të gërmoj nëpërmjet shkrimit është gjymtimi njerëzor, lënia në harresë, dhimbja, dobësitë e njerëzve. Më intereson të zbuloj pjesën më të errët të gjithkujt prej nesh dhe të përpiqem t'i shpërblej disi personazhet e mi, të shikoj dritën në fund të tunelit".

Sipas jush ka ndryshim midis një shkrimtari dhe një shkrimtareje nga mënyra sesi e perceptojnë botën? A mund të ketë shkrimtaria një këndvështrim gjinor? 


"E shkruara është një dhuratë dhe dhuratat duhet të kthehen në një farë mënyre, kështuqë çdo shkrimtar, qoftë burrë apo grua, e bën këtë gjë sipas mënyrës së vet, tërësisht personale. Për mua është si një përkëdhelje, unë e bëj me përunjësi dhe me disiplinë, shkruaj me gjithë shpirt, rrezikoj me gjithçka, vë veten në lojë. Është një gjithëpërfshirje e fortë, një kolovajse e vazhdueshme, mes ekzaltimit dhe sflitjes".

Cila është prirja e letërsisë së sotme, sipas jush? A ka libra të shkruar për elitë dhe libra për të gjithë? Cili është mendimi juaj për librat best seller? 


"Lexuesit janë për mua mbi gjithçka dhe nuk duhen zhgënjyer. Të mbërrish në sa më tepër njerëz është e mundur, është gjëja më e bukur për çdo shkrimtar, ta ndjesh veten se je aty me ta, që shkrimi yt shndërrohet në zëdhënës të një zëri më të madh, që shumëfishohet, si një flakë që rritet. Të shkruash është privilegj shumë i madh, por njëkohësisht dhe një përgjegjësi e madhe në lidhje me lexuesit që blejnë librin duke hequr dorë nga diçka tjetër; është përgjegjësi për atë që shkruan".

Si është dita juaj e zakonshme? 


"Kam shumë përgjegjësi të përditshme, punën e tim shoqi, Serxhos, kam dhe katër fëmijë që duhet të shoqërohen për në shkollë, të ndiqen në aktivitetet e tyre, pastaj dhe të gatuaj për të gjithë".

Çfarë ju nevojitet për të shkruar? Shumë shkrimtarë kanë vese të ndryshme: disave nuk u pëlqen të shkruajnë drejtpërdrejtë në kompjuter, disa të tjerë e kanë të nevojshme të largohen nga shtëpia etj. Po ju? 


"Për mua e shkruara është një pushim, është si të strukesh në një vend të fshehtë, me zor pres çastin e duhur për ta bërë, si të eci këmbëzbathur mbi thëngjij të ndezur, s'ka gjë më të mirë për një njeri si unë që dashuron stuhinë".

A njihni ndonjë shkrimtar shqiptar? …e në përgjithësi për Shqipërinë çfarë dini? 


"Respekt të madh për poetin dhe shkrimtarin e madh Ismail Kadare.
Shqipëria është një vend i pasur me bukuri natyrore, historike dhe artistike, është tokë e një qytetërimi të lashtë. Kemi shumë lidhje të forta që na bashkojnë. Ju falenderoj shumë për intervistën". 


*2 dhjetor 2012