Emanuela Sako
-Maks Velo është njeri i përpiktë. Dhe i sinqertë. Ashtu siç mund ta kemi dëgjuar në intervista dhe e kemi ndeshur në rrugë. Ndoshta dikush nuk e kupton, por përveçse shprehjes që hedh në telajo, ai ka një gjuhë shumë të natyrshme në bisedë. Piktori dhe arkitekti, por sidomos Maksi, thjesht, vjen në një rrëfim tepër të sinqertë për jetën që bën, për mjedisin ku jeton, për marëdhëniet me dy motrat, dhe ata pak miq të tij. Me keqardhje, sepse e shkëputëm nga puna.
Maksi tregon se ai ruan marëdhënie tepër të mira me motrat, duke ruajtur mëvetësinë e njëri-tjetrit. Maksi nuk heziton të na tregojë se në shtëpinë e tij hyrje-daljet me farefisin dhe miqtë janë të rralla. Sot, ai ndihet i zhgënjyer nga një pjesë e njerëzve të afërt me të. Por, përtej këtyre, Maksi tregon se është një njeri që ia di vlerat jetës dhe di motivin për të cilin jeton. Ai i rri pranë familjes së tij dhe punon çdo mëngjes në studio me një pasion që sot e gjen rrallë te njerëzit.
Kemi parë së fundi, se mbi 70 vizatimet, litografi, po edhe tekste tuajat, janë bërë pjesë e një botimi shumë të rëndësishëm në Amerikë për letërsinë e burgut nga Evropa e Lindjes Komuniste, me autor Harold Segel. Nga Shqipëria aty përfshihen Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Arshi Pipa etj.
Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që një institucion prestigjoz si Universiteti i Pitsburgut, bën një botim të tillë që unë do ta quaja enciklopedi të disidencës së lindjes. Është një libër gjithëpërfshirës, fillon me Shqipërinë, përfshihen 47 autorë. Libri është përpiluar nga një enciklopedist i jashtëzakonshëm që flet edhe shqipen. Ai është Harold Segel. Më kërkoi vizatimet dhe unë i çova gati 100 vizatime me temën e diktaturës. Aty janë botuar 71 piktura dhe disa tregime që prof. Segel i ka përkthyer. Për mua është një vlerësim që në Shqipëri unë nuk e kam marrë.
Në raport edhe me vitet e burgut, doni të thoni? Cila është arsyeja që nuk keni marrë dëmshpërblim?
Që të merrje ato që të takojnë, këtu duhet të përulesh, duhet të paguash, duhet të jesh njeri pa dinjitet dhe unë këtë nuk e bëj dot. E kam kritikuar Shoqatën e ish-të përndjekurve politikë si një qendër hajdutësh, njerëzish pa moral, njërëz që shkatërruan dhe shkelën me këmbë vuajtjet e intelektualëve shqiptarë. Asnjeri nuk ma përkrahu këtë kritikë megjithëse e dinë si është e vërteta.
Veç të tjerash kjo shoqatë nuk ka mbështetur ndonjë botim, libër apo album që kam bërë mbi diktaturën.
Si i siguroni të ardhurat ju Maksi?
Përveç pensionit special që kam, të ardhurat e mia financiare vijnë nga shitja herë pas here e veprave që bëj dhe nga dy-tre projekte të arkitekturës që kam bërë.
Keni klientë?
Unë punoj vazhdimisht. Çdo ditë bëj atë që kam dëshirë, pa kondicione të bëj art të madh, art të vogël apo art shqiptar. Punoj atë që mendoj dhe që kam dëshirë. Kam ekspozuar në Evropë, Amerikë.
Sa kushton një tablo juaja?
Kosto tavan dhe çmime të larta nuk kam. Veprën që kam shitur më shumë ka qenë 2 mijë euro dhe jam i sigurt që këto janë çmimet që variojnë me artistët shqiptar. Këtë vit kam shtiur 8 punë edhe me çmim më të ulët. Kjo është zakonisht 6-8 punë në vit.
Keni ndonjë ndjekës të rregullt të pikturës suaj?
Dy janë koleksionistët që më kanë blerë Fevziu dhe Zhylien Roshi. Ky i fundit është një francëz që punon këtu, i cili ka blerë punë të miat që në vitin 1992.
Sot, në këtë prag të jetës Maksi, cilat mendoni se janë etapat më të rëndësishme në krijimtarinë tuaj?
Kam kalur në një rrugë me shumë etapa. Megjithatë kam pasur individualitetin tim që në fillim i frymëzuar nga motivet shqiptare. Më tepër i primitivitetit shqiptar - jo për ta nënvlerësuar, - por për të shkuar tek origjina. Kur flas për një primitivitet shqiptar edhe ballkanik, nuk flas vetëm për njerëzit, por edhe për natyrën. Që në fillim kam ndjerë një forcë që e tejkalonte realizimin dhe shkonte drejt një impresioni të fuqishëm. Fillova me vizatimet e qyteteve dhe të njerëzve të ndryshëm. Nga pazaret kam një cikël të madh që e kam botuar në albumin “Portrete” dhe prej këtu në ‘64 kalova tek arti abstrakt pa subjekt dhe të dyja këto kanë qenë paralel duke ndihmuar dhe kanë konkurruar njëra -tjetërn. Është një vepër shumë e rëndësishme në vaj e vitit 1969 ku janë dy instrumentistë. Para arrestimit e hodha në zjarr por e shpëtova menjëherë dhe e futa në qilar. Është e dëmtuar, por u restaurua në Korçë dhe tani është në gjendje të mirë. Për mua është vepra më e rëndësishme e gjithë asaj periudhe dhe kështu punova deri kur u arrestova.
Një pjesë punëve që janë djegur janë fotografuar në hetuesi. Kur kam marrë dosjen, kam marrë fotokopjet e fotove dhe i ribëra. Janë 30 e ca tablo. Kur dola nga burgu fillova dhe rregullova studion. Në ’89-ën kuptova se kjo punë ka marrë fund dhe atëherë fillova ciklin e vizaimeve për diktaurën, një cikël me rreth 100 punë. Kritiku kosovar Shkëlzen Maliqi e ka vlerësuar si cikël të rëndësishëm për historinë e artit për këtë temë dhe po evidentohet edhe në Amerikë. Pra, fillova bëra këtë cikël dhe sikur u çlirova. E kisha një gjë të brendshme, një akth, një tmerr që e nxora me këto vizatime. Fillova të shkruaja tregime të shkurtra që i botova. Kështu që e dhashë tablonë time të burgut. Pas kësaj fillova të punoj në mënyrë më të qetë dhe më të lirë tablo me vaj. Përdor shumë akrilikun në letër sepse e kam më të lehtë për ta ekspozuar jashtë dhe kështu kam vazhduar. Siç ju thashë, kam cikle të shumta. Një nga ciklet është “Jeniçerët”, “Labëria”.
E vazhdoni ende ciklin për diktaturën?
Të them të drejtën jo. E kam ezauruar në mënyrën më të plotë. Ajo që bëj është se shkruaj ndonjë tregim.
Si e ruajtët koleksionin tuaj nga djegia?
Historia e tyre është shumë e dhimbshme, shumë e ndryshme. Kisha me qindra punë, përderisa ata morën 250. Ishin në shumë sirtarë, kishte të futura ndërmjet letrave të bardha ose në qilar dhe në vende të tjera. Një pjesë, rreth 32 që kanë shpëtuar, i kam nisur para arrestimit për në Paris. Domethënë, unë kisha një marëdhënie me një albanologe franceze, Odil Daniel që vinte në Shqipëri. I nisa me një pedagog të frëngjishtes, i cili jepte mësim në shkollën pedagogjike në tiranë. Ai ia çoi Odilës në Paris. I kam marrë sërish në vitin 1992, ato që i kam pasur origjinale të shpëtuara. Ata morën sa morën dhe me sa duket nuk kontrrollonin dot më dhe disa të tjera shpëtuan. Duhet të jenë rreth 400 të shpëtuara. Ndër ato që shpëtuan kishte vizatime qytetesh, portrete që ata nuk i konsideruan. Ky fond është botuar në librin “Pastel”.
Jetesa me dy motrat në një shtëpi
Maks Velo (1935) rrëfimin e nis duke treguar për mënyrën e jetesës së tij, marrëdhëniet e mira që ka me motrat, duke i krijuar hapësirë njëri-tjetrit për të plotësuar veten. Por, Maksi tregon se është një njeri që i kushton shumë rëndësi edhe ushqimit apo kujdesit për veten duke zgjedhur peshkun, frutat dhe zarzavatet apo duke bërë vrap nga liqeni.
Ku jetoni aktualisht?
Jetoj në Tiranë që kur kam ardhur më 1951, përveç kohës që jetova në Spaç. Jetoj në rrugën “Hoxha Tahsin”. Një rrugë e zhurmshme, e cila më parë ka qenë një rrugë e qetë. Në këtë shtëpi dhe në atë studio i kam krijuar të gjitha veprat. Më parë jetoja në rrugën “Kont Urani”. Në vitin 1963 vëllai e bleu këtë shtëpi. Është pronë e tij. Vëllai jeton në Amerikë, unë jetoj me dy motrat. Jam shumë i lidhur me këtë vend sepse kam krijuar reflekse me drejtimin, me ajrin, me diellin. Tani më shqetësojnë shumë zhurmat e makinave, megjithatë jam munduar të krijoj njëfarë qetësie, izolimi nga ana e jugut. Me atë shtëpi i kam të lidhura të gjitha kujtimet. Aty i kam krijuar veprat moderne, veprat abstrakte, aty i kam gjithë fondin e artit qoftë në pikturë apo në arkitekturë. Nga aty dola kur më arrestuan, aty më konfiskuan 250 piktura që m’i dogjën. Në kohën e burgut, u sëmura njëherë dhe më çuan në spital. Kur dolëm i kërkova nënoficerit që më shoqëronte me ambulancë të kalonte nga “Hoxha Tahsini”. Pastaj, sigurisht që ishte gëzim kur dola nga burgu më 1986, dhe kur trokita në derë më doli mamaja. Për të gjitha këto jam shumë i lidhur me atë shtëpi.
Çfarë marrëdhëniesh keni me motrat?
Motrat Diana dhe Roza, fatkeqësisht në periudhën kur unë u kritikova dhe u konsideruam familje armike, ato u larguan nga puna dhe nuk u martuan dot. Kështu që ishte një detyrim i imi që unë u mundova t’ua shpërblej. Qoftë për këtë arsye, qoftë për faktin se ato ishin të vetmet që u interesuan në kohën që isha në burg. Kështu që vendosa të jetoj me to. Unë jetoj një kat më sipër dhe ato në katet e poshtme.
Kemi marrëdhënie të mira dhe respektojmë mëvetësinë e secilit. Fakt është se ato nuk dalin shumë, nuk shkojnë jashtë shtetit, kanë njëfarë frike dhe fobie që u ka ngelur nga atëherë edhe sot. Por mua më lënë të qetë në kohën e punës. Secili nga ne të tre dëshiron të përgatisë gjellë edhe unë gatuaj kur kam ndonjë gjë speciale. Për shembull, çdo javë shkoj në Korçë dhe ble peshk, belushka dhe kam qejf ta përgatis vetë supën e peshkut. Gatimi më ka ngelur nga koha e burgut që kishim një kuzhinë të vogël dhe gatuaja.
Jeni nazeli për ushqimet?
Naze në ushqim nuk kam. Sigurisht në periudhën e ndryshimit të moshës ndryshon edhe shija e të ngrënit. Tani ha më pak dhe përdor ushqime natyrale. Kam filluar të përdor mjaltin, frutat dhe zarzavatet. Domethënë dua të ha pak, por të jenë të shijshme.
A vijnë njerëz për vizitë në familjen tuaj?
Nuk vijnë shumë njerëz në shtëpi. Nuk jemi familje me vajtje-ardhje, sidomos mbas asaj që ndodhi me lagjen, kur bënin mbledhje që diskredituan gjithë familjen, para arrestimit. Gjithë familjes i hyri një frikë dhe u krijua një distancim me ambientin përreth. Tek unë vijnë vetëm pak njerëz, të cilët më kërkojnë të shikojnë pikturat, të huaj ose nga ambasadat. Por, kjo ndodh rrallë, një herë në dy muaj. Nuk kam shumë vizita edhe unë jam shumë i zhgënjyer nga miqësitë, nga shokët e ngushtë që kanë dashur gjithmonë që të më mbajnë pranë për të më goditur dhe penguar.
Përse është krijuar kjo marrëdhënie me miqtë?
Motivi është ligësia e pakufijshme e shqiptarëve. Të mendosh që një djalë 17 vjeç e vrasin për 1 500 lekë me thikë, i kupton të gjithë të tjerat ose veprimi i tortës që nuk ka ngjarë asnjëherë që t’i futemi me çizme apo me legenë tortës. Mendo se çfarë mund të bëjnë këta njerëz dhe çfarë marrëdhënie mund të krijosh. Ju mund të thoni që janë pak njerëz. Jo nuk janë pak. Në 29 nëntor prapë një vrasje në Shkodër. Marrëdhëniet në Shqipëri janë shumë të vështira, dominon intriga, e cila është në qendër sepse mungon puna. Meqenëse jemi një popull që punon pak, meqenëse jemi njërëz me një injorancë të madhe, unë këtu fus edhe intelektualët, e kompensimi është marrja e gjërave të padrejta. Mjafton t’ju them që nuk më dhanë studio në kohën e komunizimit, as në kohën e demokracisë.
Ju kemi parë që bëni vrap nga Liqeni?
Po bëj vrap dhe mundohem që të jem në formë me aq sa më lejon dhe mosha.
Maks Velo: “Historia me tim bir, kapitur i mbyllur përgjithmonë”
Ndryshe nga çdo rrëfim, Maks Velo, tregon për marrëdhënien me djalin e tij, të cilin nuk e ka takuar për vite me radhë. Ai e konsideron historinë me të birin një kapitull të mbyllur përgjithmonë. Ata nuk mundën të kenë kurrë një marrëdhënie si babë e bir.
Ju nuk keni folur kurrë për djalin tuaj, pse?
Problemet personale të asaj kohe janë shumë të vështira. Shumë të vështira për t’i thënë, shumë të vështira për t’i vërtetuar, përderisa nuk hapen dosjet e atyre që kanë shërbyer për regjimin. Ky është problemi. Moshapja e dosjeve është e qëllimshme, është një nga gjërat më të poshtra, sepse mbeten të gjitha gjërat pezull. Njerëzit vdesin dhe nuk dinë të vërtetën. Historia ime është e gjatë, si një histori mes dy personave. Mjafton t’ju them që unë me atë djalë nuk kam pirë një kafe, nuk kam ngrënë një drekë, që kur ka lindur dhe deri më sot. Unë nuk e njoh kush është, nuk e di se çfarë njeriu është.
Keni kërkuar ta takoni pas burgut?
Është një histori shumë e komplikuar dhe shumë e gjatë.






