Këto tregime ndrisin më së miri motivet e ndryshme dhe të kundërta që po i japin zemër këtij revolucioni. Pa një lider të fortë dhe mendjendritur me një vizion unifikues, të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, heqja qafe e Assadit nuk do t’i sjellë rend Sirisë. Dhe kaosi në Siri nuk do të ketë pasoja të njëjta si kaosi në vende të tjera të rajonit
Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)
Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)
Darkush, Siri - Skena është biblike. Duhet të kaloni nëpërmjet kallameve të gjata, të kapërceni lumin Orontes nga Turqia me një anije të vogël dhe pastaj iu marrin disa ushtarë të një kontingjenti të Ushtrisë së Lirë Siriane, jashtë qytetit sirian të Darkushit. Njëri prej kryengritësve na tregon një fotografi celulari të një vajze siriane që porsa ishte dërguar matanë kufirit në Turqi me disa plagë që ishin fatale të shkaktuara nga një bombë e hedhur nga një helikopter i ushtrisë siriane në fshatin e saj. Rebelët thonë se helikopterët kishin hedhur eksplozivë në shtëpinë e saj. Pak më larg, shihen varreza të porsahapura me trupat e njerëzve që ishin nxjerrë prej rrjedhës së lumit. Ndodh nga një ditë që lumi të nxjerrë në breg ndonjë këmbë a krah, tregojnë kryengritësit. Megjithëse ky është një rajon “ i çliruar, ju mund të dëgjoni jehonën e bombardimeve që vjen jo fort prej vendit ku ndodhemi. Ushtria po bombardon kodrat dhe një qytet të afërt. E pyes komandantin lokal të rebelëve, Mutasim Bila Abul Fida, si mendon se do të marrë fund situata. Përgjigjja e tij e ndershme më zhbiron mua: “Pa ndihmën e Iranit dhe ‘Hezbollahut’, ai tashmë do të kishte marrë fund”, i referohet presidentit sirian Bashar al Assad. Por edhe pasi t’ia mbathë, do të ketë një hallakatmë të madhe. “Do të marrë pesë apo gjashtë vjet”, shton ai, sepse partitë islamike “duan sheriatin, dhe ne duam demokraci”.
Në vizitën time përgjatë kufirit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë mbes pa mend sesi kaq shumë njerëz duan aq shumë gjëra të ndryshme për Sirinë. Kjo është e pakapshme. Një biznesmen i krishterë nga Aleppo më thotë se nëse sot do të mbaheshin zgjedhje të njëmendta të lira, presidenti i rrethuar Assad ende “do t’i fitonte 75 për qind të zgjedhjeve”, sepse shumica e sirianëve vuajnë për rendin që ai kishte krijuar dhe janë lodhur prej luftës. Ama pak orë më parë në një vizitë të shkurtër në një kamp refugjatësh sirianë të vendosur nga Turqia në qytetin kufitar Antakya, i intervistova disa djem të rinj sunitë sirianë, të cilët kishin ikur prej Latakiyas së njohur si një fortesë e familjes alavite të Assadit, që nuk ndodhet fort larg kufirit. Ata folën për sistemin krejtësisht të padrejtë sirian dhe sesi alavitë po merrnin pa të drejtë hisen më të madhe të pushtetit. “Kur ne fillimisht protestuam me kërkesat tona për reforma, regjimi nuk bëri asgjë”, ka thënë Yahya Afacesa, “dhe pastaj ne nisëm të brohorisnim dhe të kërkonim liri, dhe regjimi na sulmoi. Pra, nuk kishte asnjë mënyrë për ta luftuar regjimin në mënyrë paqësore”.
Ai dhe kolegët e tij ngulmonin megjithatë se problemi në Siria ishte familja e Assadit, e jo sekti alavit, një degë e shpitëve, prej të cilëve ka prejardhje Assadi dhe që dominon regjimin. Këta janë burra shekullarë, dhe ata ende krenohen me harmoninë dhe identitetin multisektar të Sirisë, që duhet të kujtohet se ka rrënjë të thella në këtë rajon. Në të vërtetë, përpara se t’i vizitonim ata, qëndrova në Odën e Tregtisë në Antakya. Kryetari i odës me krenari shfaqte një poster të zyrës të më shumë se 20 kishave, xhamive dhe sinagogave të ndryshme, që ende operojnë qytetin e tij, që është vetëm pak kilometra larg prej kufirit sirian. Përsëris: Ka rrënjë kulturore për pluralizëm në këtë rajon që një qeveri e re siriane mund të mbështetet - por mund të ndodhë edhe e kundërta. Në vazhdën e këtij rasti, në Antakya takove dy ekspertë turq të logjistikës. Ata folën për “legjionin e jashtëm arab” të luftëtarëve islamikë të vendeve të largëta, si Çeçenia dhe Libia, të cilët kishin arritur në qytet dhe kishin kaluar nëpërmjet lumit Orontes për t’iu bashkuar luftës në Siri. Ata kishin dyshime se Siria mund të dalë si një demokraci prej një lufte në të cilën furnizuesit më të mëdhenj të armëve janë monarkitë islamike të Arabisë Saudite dhe Katari. Dëshira kryesore e Arabisë Saudite dhe e Katarit janë që Siria të shkëputet prej të qenët një shtet i dominuar nga ndikimi iranian shiit, dhe të shndërrohet në një shtet të dominuar nga sunitët. Demokracia e njëmendtë nuk është prioriteti i tyre kryesor.
Njëri prej dy ekspertëve turq ka një tjetër biznes në Katar. Për të marrë leje për të punuar dhe operuar në Katar, shpjegon ai, atij i duhet një banor lokal i Katarit për ta sponsorizuar lejen e tij të punës. “Nëse keni një leje pune dhe dëshironi të lini shtetin, duhet sponsori juaj t’ju japë një leje të shkruar”, ka theksuar ai. “Nëse sponsori juaj vdes, këtë të drejtë e trashëgojnë pasardhësit e tij”. I biri i sponsorit të tij është shumë i ri. Megjithatë, “nëse ai thotë se unë nuk mund të shkoj, unë nuk mund ta lëshoj vendin. Unë bëj biznes në Katar, por nuk kam kurrfarë të drejtash. Ne tallemi se jemi ‘skllevër modernë’ atje. Dhe ky shtet po mundohet të sjellë demokraci në Siri?” Këto tregime ndrisin më së miri motivet e ndryshme dhe të kundërta që po i japin zemër këtij revolucioni. Pa një lider të fortë dhe mendjendritur me një vizion unifikues, të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, heqja qafe e Assadit nuk do t’i sjellë rend Sirisë. Dhe kaosi në Siri nuk do të ketë pasoja të njëjta si kaosi në vende të tjera të rajonit. Siria është një pikë kyç në Lindje të Mesme. Nëse mungon një platformë e tillë, atëherë mund të shpartallohet i gjithë rajoni. Kufijtë e Sirisë ishin vendosur që nga koha kur fuqitë koloniale britanike dhe ato franceze të krahinave arabe të Perandorisë Osmane pas Luftës së Parë Botërore. Nëse bie Assadi dhe do të ketë kaos, lufta civile siriane do të mund të bëhej rajonale dhe do t’i sfidonte të gjithë kufijtë e vjetër - derisa shiiikët e Libanit kërkojnë të lidhen më shumë me alavitë-shiitë e Sirisë, kurdët në Siri, Iraku, Irani dhe Turqia mundohen të lidhen njëri me tjetrin dhe të krijojnë një Kurdistan të pavarur, dhe sunitët në Irak, Jordani dhe Siri të afrohen më shumë për t’i kundërshtuar shiitët e Libanit, Sirisë, Iranit dhe Irakut, Arabisë Saudite dhe Bahrejnit. Ne mbase po hyjmë në një epokë të re të ndryshimit të kufijve të Lindjes së Mesme - secili mendojeni sipas versionit tuaj - ku kufijtë e Lindjes së Mesme rindryshohen, jo prej kolonizatorëve nga lart-poshtë, por prej vetë popujve të Lindjes së Mesme, prej poshtë-lart.