Kur shkrimtarët shkruajnë për shkrimtarët


MOIKOM ZEQO


MOIKOM ZEQO

Kur shkrimtarët shkruajnë romane për shkrimtarët, kapërcehet trilli për personazhet e panjohur, pra edhe të shpikur. Këtu nis një aventurë mendore e tjetërllojtë. E vërteta se edhe shkrimtarët adhurojnë shkrimtarët tingëllon si apoteozë, ose idiolatri kulturore.
Në fakt, shkrimtarët shkruajnë për shkrimtarët e tjerë, për binjakët shpirtërorë.
Pra, një formë inteligjente, dinake dhe e pëlleshme për të shkruar për vetveten. Narcizëm estetik.
Në vitin 1907, Gaillaume Apollinaire, poet dhe shkrimtar ikonoklast francez, botoi romanin surreal “La femme assise” (Gruaja ndenjur). Personazhi kryesor i romanit është Pablo Canouris (Kanuri). Një personazh i kryqëzuar, me tipare të shkrimtarit shqiptar Faik Konica dhe të piktorit gjenial Pablo Pikaso, me origjinë spanjolle.
Ky krijim i hibridizuar është ankthi i Apollinaire-it për metamorfoza dhe dyzime në formën e njësimit (sigurisht, edhe për pseudonime). Apollinaire-i ftillëzon vullnetin e tij për ta riparë botën në të gjitha pamjet, qeniet, edhe përballë, edhe në profil, si në vetë pikturat tronditëse dhe provokuese të Pikasosë.
Personazhi centaur Pablo Kanuri mban si emër emrin e saktë të Pikasosë dhe si mbiemër mbiemrin e virtualizuar të Konicës. E habitshme.
Një dozë hokatare humori, ndoshta dhe ironie.
Apollinaire-i shkruan: “Me origjinë shqiptare, Pablo Kanuri është i lindur në Spanjë, në Malaga, por arti dhe truri i tij, i shënjuar me atë forcë realiste që karakterizon prodhimet dhe mendjet e Gadishullit Iberik, kanë ruajtur atë dëlirësi dhe atë vërtetësi rebele që u vijnë nga të parët e vet… Në karakterin e Kamurit përzihej Shqipëria dhe Spanja. Nga pamja ishte siç janë shqiptarët, midis të cilëve ka burra të hijshëm, fisnikë, guximtarë, por që kanë një prirje për vetëvrasje, që të bën të rrëqethesh për racën e tyre, sikur vetëtitë e tyre seksuale të mos e hiqnin qafe mërzitjen e tyre nga jeta. Ajo çka qe spanjolle te Kamuri, nuk përjashtonte shijen e kërkuar të vdekjes me dashje dhe ruante për femrat një shije spanjolle tepër të shqiptarizuar».
Romani flet për rrëmbimin e një gruaje nga shqiptaro-spanjolli i guximshëm dhe kokëshkretë si Kazanova dhe Kaliostri. Aventura e epërme dhe paradoksale e dashurisë. Këtë roman e ka lexuar shkrimtari argjentinas me origjinë shqiptare, Ernesto Sabato.
Në një shkrim për shqiptarët, Sabato rithekson idenë e prirjes së vetëvrasjes që kanë shqiptarët si metaforë ekzistenciale, ashtu siç edhe e koncepton trishtueshëm dhe filozofikisht, edhe Albert Camus-i.
Më 1926-n, fill mbas vdekjes së Franc Kafkës, miku i tij i ngushtë, Max Brod-i, boton romanin “Mbretëria e lumtur e lumturisë”. Në këtë roman Brod-i ka si personazh Kafkën, por me emrin Garta, dhe veten me emrin Nowy-i. Veten e paraqet si seksoman të suksesshëm, kurse Kafkën-Garta e paraqet si “një shenjtor të dëlirësisë kozmike, që donte pastërtinë absolute, nuk mund të donte gjithfarë sendi tjetër…”.
Milan Kundera me nervozizëm neurotik e quan këtë roman “një shkarravinë, karikaturë romaneske që estetikisht është në polin e kundërt me artin e vetë Kafkës”.
Kështu, biografinë e Kafkës Brodi e shndërron në hagjiografi dhe krijon një mitologji të rreme. E vërteta është krejt ndryshe: edhe Kafka ka qenë një aventurier i jetës seksuale dhe nuk kishte asnjë atribut shenjtërie fetare dhe morale. Post coitum omne animal triste.
Çdo zbulim i një kotësie dhe gënjeshtre është burimi i komikes. Brod-i mistifikon.
Revolta e Kunderës është e saktë.
Por edhe romani i Apollinaire-it, edhe ai i Brod-it, janë një kundërshti këlthitëse.
Si personazh romani, Konica është me më tepër fat. Ai nuk u bë shkrimtar botëror si Kafka, por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Si shkrimtar shqiptar qe i vetëmjaftueshëm, por ndoshta edhe më i çuditshëm, më sqimatar dhe shumë herë më i ditur se sa Kafka.
Konica shpiku figurën e Doktor Gjilpërës, që është ai vetë. Kërkoi metamorfozën e Eskulapit mitik.
Brenda Kafkës së Eskulapit vuri trurin e tij, ku dituritë, sarkazmat, alegoritë shpërthenin. Ja një dialog i hatashëm: “S’mbaj mend mirë se ç`thotë Hipokrati për duhanin”, tha Dr. Protogora Dhalla. “Duhet kënduar korrespondenca e Hipokratit me inglizin Sir Walter Ralligh-in, që pruri i pari duhanin në Europë”, këshilloi Dr. Gjilpëra. “Nuk e kam kënduar”, tha Dr. Dhalla. “Por gjëja më interesante, – shtoi Dr. Gjilpëra, – është korrespondenca e Herodotit me Abraham Linkolnin”.
Franc Kafka skaliti makthin e pakuptimshmërisë.
Te romani i tij “Kështjella”, i zoti kont i kështjellës u jep urdhra të gjithëve, por nuk e ka parë askush, as e ka takuar fizikisht asnjeri. Moskuptim absurd, kozmik.
Te Konica dialogët janë gjithashtu kafkianë në shumë raste, por për fat Konica nuk është aspak kafkian, shenjë kjo e përkorjes dhe e pavarësisë së tij intelektuale. Ata që çmenden mbas Kafkës, nuk e njohin Konicën. Realiteti arnohet nga rastësitë.
Si personazh i Apollinaire-it, Konica është më i vërtetë se sa Kafka-Gerta, te romani i harruar dhe apologjik i Max Brod-it. Të jesh i panjohur nuk është as sakrilegj e as fatkeqësi e pariparueshme. Faik Konica nuk e çan kokën për këtë dilemë. Nuk i intereson fama, as lekturat shkollore, as simpoziumet akademike europiane, për emrat e mëdhenj të letrave. Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm, mahniti Apollinaire-in dhe Remy De Gourmont-in. Dhe kjo qe, e ritheksoj – krejt e vetëmjaftueshme.
Gjithçka që vjen më pas, është heshtje – thotë Hamleti.