KËNGA E FUNDIT E MJELLMËS


Ag Apolloni 

KËNGA E FUNDIT E MJELLMËS 

“Çdo ditë shoh qartë e ma qartë 
Dhe vuej thellë e ma thellë” 

Janë këto dy vargjet e Migjenit të mbetura në dorëshkrim. Vlera e këtyre dy vargjeve qëndron në faktin se kapërthejnë krejt konceptin dhe krejt disponimin shpirtëror të Migjenit. Por, Migjeni në radhë të parë mbahet mend për Vargjet e lira (1936) që është vepra e parë dhe e vetme e botuar për të gjallë të autorit . Edhe pse poet i varfër, ai, siç pohon Mitrush Kuteli në një shënim të vitit 1944, këtë libër e botoi me paratë e veta të cilat i ndante nga paga që merrte si mësues nëpër katunde të Shkodrës. Ai kishte një dëshirë të flaktë ta shihte veprën të botuar. Por nuk ishte i sigurt që kjo do të ndodhte, prandaj thoshte: 

O kangët që fleni reliket e mija 
Q’ende s’keni prekun as një zemër të huej, 
Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija 
Unë- djepi juej; ndoshta vorr’i juej. 

Vargjet e lira u botua më 1936, por në treg u hodh vetëm pas vdekjes së autorit. Libri ndahet në pesë cikle: Kangët e ringjalljes, Kangët e mjerimit, Kangët e Përndimit, Kangët e rinisë dhe Kangët e fundit, ndërsa si prolog jepet një poezi me titull Parathanja e parathanjeve. Këtë libër Kuteli e quante Kënga e fundit e mjellmës, duke iu referuar kështu shkencëtarëve që thonë se mjellma këngën më të bukur e këndon pak para se të vdesë. Kështu, Kuteli vetëm me tri fjalë e përkufizon veprën e Migjenit më mirë se të gjithë studiuesit që kanë shkruar për të dhjetëra e qindra faqe. 
Vargjet e lira janë vargje të lira në formë dhe përmbajtje. Për herë të parë në letërsinë shqipe shfaqet një poet ikonoklastik, që, sipas konceptit të Niçes, kërkon shndërrimin e të gjitha vlerave, duke i përmbysur së pari perënditë e pastaj edhe mbretërit. Migjeni është ikonoklastik, sepse shan Zotin, shan mbretin, shan klerin, shan zotërinjtë dhe gjithçka tjetër që në kohën e tij ishte imponuar si vlerë. Ai është poet që për herë të parë në letërsinë shqipe interesohet për lypësit dhe prostitutat, të cilat janë personifikim i mjerimit social dhe moral. 
Vargjet e lira është një vepër në të cilën manifestohet poeti përmbysës me një diskurs dionisian. Migjeni, ekspresionist në artikulim dhe rebel në qëndrim, përfaqëson një drejtim të modernizmit në letërsinë shqipe- ekspresionizmin. Ja një shembull: 

Hesht njeriu pran grues që qanë e turpnueme ... 
Syni i venitet 
Në te loti vërvitet, 
Diçka nxjerr nga xhepi 
Grues ja le – dhe së shpejti 
E len gruen e humbun 
Në melodin’ e këputun. 

Në këto vargje, poeti si një piktor ekspresionist jep një tablo të nëpërkëmbjes së nderit të gruas, e cila, nga skamja, detyrohet të shesë vetveten. Prandaj, duke e parë këtë libër në aspektin versifikativ (dhe ideor), mund të konkludojmë që Migjeni për letërsinë shqipe ka po atë vlerë që ka Van Gogu për pikturën botërore. Të dy i përmbysin rregullat e artit për ta bërë artin plotësisht të lirë. 
Vepra e Migjenit u ndalua në kohën e Monarkisë së Zogut dhe u adhurua nën diktaturën e proletariatit. Madje, deri në dekadën e fundit të shekullit njëzet Migjeni është lavduar si profet i komunizmit dhe është kritikuar si demon i nihilizmit. Pikë reference për këto qëndrime kontradiktore kanë qenë veçmas tema sociale (mjerimi i shtresave të ulta të popullit) dhe ideja e tij për mbinjeriun. Lexuesit e Vargjeve të lira gëzoheshin kur poeti u këndonte të mjerëve dhe të varfërve, por u mbetej hatri me mbinjeriun, të cilin e thërriste Migjeni në disa poezi, kurse te Trajtat e Mbinjeriut, nën titullin e së cilës shkruante Dityramb Niezchean, tashmë e afishonte ashiqare këtë ide të Fridrih Niçes: 

Një sfings i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm, 
Pa zemër, pa ndjenja, 
Syt e tij rrufena – 
Qarkullojnë rreth ruzllit tue synue vranshëm. 

Migjeni këtë ide e shpjegon edhe më shumë në poezinë Kanga e Përndimit, ku qartësohet edhe më shumë referenca ndaj Zaratustrës, që e shpall vdekjen e Zotit për ta kthyer besimin në vete: 

Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete ... 
Kanga e tij një fe tjetër, me tempuj të tjerë, ... 

Ideja e mbinjeriut si ide bosht e poezisë së Migjenit është e ndikuar drejtpërdrejt nga filozofia e Niçës, kurse tema e mjerimit si temë dominuese vjen nga ndikimi i Viktor Ygosë. Ky ndikim mund të vërehet më së miri te Poema e mjerimit, që është një manifest i mjerimit: 

Mjerimi s’do mëshirë. Por don vetëm të drejt! 

Pra, mëshira nuk e ngushëllon të mjerin- kjo është ideja e Migjenit, e Niçes dhe e Ygosë. Deri këtu e kemi një Migjen me të cilin mund të krenohemi, por ç’do të ndodhte sikur ai të jetonte së paku edhe një dekadë? 
Ismail Kadare e konsideron Migjenin uragan të ndërprerë, studiues të tjerë vdekjen e hershme të tij e konsiderojnë fatkeqësi, kurse Kuteli veprën Vargjet e lira e krahasonte me këngën tragjike të mjellmës. 
Sot, kur dihet se çfarë epoke e pasoi monarkinë shqiptare, mund të themi se Migjeni pati fat që vdiq i ri. Sepse, mund të supozohet që mund të mashtrohej nga metarrëfimi i fundit (komunizmi). Disa shenja degradimi vërehen edhe në fletoren ku shënonte reflektimet e çastit për veprat që i lexonte. 
Meqenëse Vargjet e lira është vepër kulmore e letërsisë shqipe, madje vepra më ikonoklastike dhe më novatore e kësaj letërsie, ne do të donim që ky poet të kishte shkruar ende. Por, a mund të imagjinohet një poet rebel brenda poetikës së realizmit socialist? Besoj, që jo. 
Prandaj, po e përsëris, Migjeni pati fat që vdiq i ri. Shkoi si një mjellmë, pasi na dehu me këngën e fundit, që ishte njëherësh edhe kënga e parë e tij. 

shkrime nga Ag Apolloni,shkrim nga Ag Apolloni,Ag Apolloni shqip,shkrime nga Ag Apolloni