“Jeta e re” - një dashuri dhe shtatë faje
Para gjashtëdhjetë vjetësh Esad Mekuli i dha jetë revistës “Jeta e re”. Ndërsa, pas një pauze nga viti 2006, këtë muaj doli numri jubilar për gjashtëdhjetë vjetorin e kësaj reviste, duke dhënë kështu shenja për riaktivizimin e saj
Ag APOLLONI
“Jeta e re”, revistë me status kulturor - dikur dhe me status letrar - tash, sapo ka dalë nga shtypi. Ky numër jubilar (60-vjetori i revistës) është përgatitur nga Ali D. Jasiqi (kryeredaktor) dhe Halil Haxhosaj e Jonuz Fetahaj (anëtarë redaksie). Iniciativa e tyre për të shënuar përvjetorin e kësaj reviste është për t’u lavdëruar, sepse është udhëhequr nga dashuria (!) përa ta ngjallë revistën, ndërsa mënyra sesi e kanë përgatitur këtë revistë është për t’u qortuar, sepse redaksia ka bërë shtatë faje të pafalshme. Nga një revistë prestigjioze ku, siç thuhet në parathënie, “të gjithë emrat e shquar të letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi e ushtruan dhe e zhvilluan talentin e tyre”, “Jeta e re” me rastin e 60-vjetorit të saj është shndërruar në revistë amatore që i bën të turpërohen edhe ata autorë që janë botuar në këtë numër. Ky turp është derivat i shtatë arsyeve (fajeve): 1. edhe pse ky numër pretendon të tregojë fytyrat që e kanë mbajtur gjallë revistën, në të nuk janë botuar tekstet e të gjithë kryeredaktorëve të saj (Rexhep Qosja, Hasan Mekuli dhe Sali Bashota), por vetëm të disave (Esad Mekuli, Rrahman Dedaj dhe Ali D. Jasiqi); 2. nuk janë botuar tekste nga autorë të tjerë përfaqësues të letërsisë së Kosovës, të cilët dihet se kanë kontribuar në këtë revistë (p.sh.: Ramiz Kelmendi, Mehmet Kraja, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Zejnullah Rrahmani, Eqrem Basha, Ymer Shkreli etj.); 3. janë reduktuar pa ndonjë kriter estetik, pra janë censuruar, tekste që në tërësinë e tyre kanë vlerë, por si fragmente as dreqi s’mund t’u bie në fije; 4. nuk është ndjekur kurrfarë kriteri në radhitje (as mosha, as nacionaliteti, as gjinia letrare, as gjinia seksuale), përndryshe nuk do të kalohej nga Murat Isaku te Roman Jakobsoni; 5. janë botuar 46 autorë meshkuj, por vetëm tri femra, gjë që flet për një revistë “lekëdukagjinçe”; 6. shumica e teksteve janë nga autorë që janë plakur pa krijuar vlerë dhe pa arritur famë, kështu që janë promovuar disa pleq dhe është “masakruar” ndonjë i ri; 7. nuk është prezantuar asnjë shkrimtarë për fëmijë (thuajse ata janë fëmijë dhe si të tillë nuk dinë të shkruajnë!), kur dihet që asokohe në këtë revistë ka qenë një rubrikë e veçantë pë letërsinë për fëmijë.
Qëllimi i daljes së këtij numri të revistës është përkujtimi i saj si revistë letrare më me ndikim në Kosovë; si revistë ku kanë lindur dhe janë zhvilluar shkrimtarët kosovarë; si revistë që krahas qëllimeve letrare ka pasur edhe qëllime kombëtare; si revistë që, pavarësisht presioneve nga pushtuesi serb dhe pavarësisht nga pengesat që vinin nga dashakëqinjtë shqiptarë, vazhdoi të dalë deri në vitin 2006. Qëllimi i daljes është i mirë, por vetë dalja e revistës në këtë gjendje, pa ndjekur kurrfarë kriteri, pos atij familjar, fisnor e klanor, nuk është e mirëseardhur. “Jeta e re” është revista më jetëgjatë e Kosovës, por nëse duhet të aktivizohet, ajo duhet të jetë e gatshme për të hyrë në konkurrencë me revistat tjera shqiptare. Në vitin 1949, “Jeta e re” ishte më e mira sepse nuk kishte tjetër, por për të qenë më e mira në Kosovë edhe sot, ajo nuk duhet të bie viktimë e frymës politike dhe e logjikës provincialiste. Kështu që, edhe sot ajo nuk ka kushedi çfarë konkurrence. Në Kosovë, ajo duhet të konkurrojë vetëm me “Verbin”, pasi që “Kalendari letrar” nuk po jep shenja jete, ndërsa revistat tjera janë ose lokale ose interne të institucioneve përkatëse. Ndryshe nga “Verbi” që është revistë letrare me kritere meskine, “Jeta e re” do të duhej të ndiqte shembullin e revistave letrare e kulturore të Shqipërisë të cilat tash për tash janë më cilësoret dhe, natyrisht, më të lexuarat, ngaqë botojnë tekste të mira, pavarësisht orientimit politik, fetar, gjinor a klanor që mund të ketë akëcili autor. “Jeta e re” dikur ka qenë kulturore, ndërsa tash është vetëm letrare. Arsyet për një rrudhje të tillë mungojnë. Në këtë aspekt, kjo revistë do të mund të mësonte mjaft nga simotrat e saj që botohen në Shqipëri, e veçmas nga revista “Aleph”, e cila në numrin më të ri, përveç shkrimeve letrare, në mes të revistës, me fletë të lëmuara, ka krijuar një ekspozitë arti.
Parathënia e numrit jubilar të revistës “Jeta e re” përfundon me një shpresë “se ky do të jetë fillimi i nisjes së ribotimit të rregull të revistës me traditën më të gjatë të periodikut shqiptar, përkatësisht me gjashtë dekada”. Gjithkush që e ndien vakuumin kulturor që ka shkaktuar “Jeta e re”, e sheh si të domosdoshëm botimin e saj (e jo ribotimin, siç thotë redaksia e saj) edhe në të ardhmen, por mendja e shëndoshë nuk mund të shpresojë në një riaktivizim cilësor të saj, përderisa ajo udhëhiqet nga mendje të vjetëruara.
ag apolloni,shkrime nga Ag Apolloni