Home »
» GJAKMARRJA/Janë 900 fëmijë të ngujuar
GJAKMARRJA/Janë 900 fëmijë të ngujuar
Intervistë me Gjin Markun, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve
Kryetari i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Marku, në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” flet për fenomenin e gjakmarrjes. Marku thekson se krimi gjen strehë tek Kanuni, dhe se Kanuni po manipulohet nga ata që nuk e njohin. Marku vë në dukje se vitet e fundit janë rritur krimet nga gjakmarrja. Më tej ai thotë se në Shqipëri ka 1600 familje të ngujuara dhe 900 fëmijë të ngujuar.
Nga Qazim D. Shehu
Zoti Gjin, Ju si protagonist, njeri i njohur dhe Komiteti që drejtoni, si një organizëm efikas, keni bërë një punë të madhe në luftën kundër mentalitetit vrasës që ekziston në shoqërinë tonë. Deshëm të pyesnim si lindi kjo nismë?
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u krijua si një organizëm me një mision të caktuar, parandalimin e vrasjeve në shoqëri, parandalimin nga zinxhiri i tyre të kryer prej një vrasje fillestare. Pra ka një mision tepër human në emër të një shoqërie më të mirë. Duhet theksuar se kjo nismë përfaqëson atë dëshirë të kahershme ose atë traditë qytetare të shoqërisë sonë që vë mbi gjithçka arsyen dhe jo verbërinë. Në këtë kuptim, pyetja juaj çohet detyrimisht drejt përgjigjes si duhet e si mund të mendohet më e mirë. Kjo nuk është një nismë e mbetur në letër, po një nismë që erdhi duke u zgjeruar dhe duke gjetur përkrahës të shumtë gjithandej.
Sot ky Komitet ka një histori të ngjeshur me veprimtari të shumta, me zbritje në terren, takime të shumta me njerëz, tubime dhe kontakte me njerëz. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë?
Puna jonë bazohet pikërisht në këtë. Është punë konkrete, me sakrifica të mëdha, po gjithsesi mbart një mesazh të madh. Mesazhin e mbrojtjes së jetës njerëzore. Në jetë ka njerëz të ndryshëm, ka ngatërrestarë, nxitës të së keqes, njerëz që veprojnë dhe kënaqen kur ndodh një e keqe,egoistë, smirëzinj, me horizont mendor te ngushtë, ashtu siç ka edhe njerëz të mirë të kuptueshëm, transparentë, pranues, të bindur ndaj gabimeve dhe fajeve. Nuk është trimëri të vrasësh, të bësh keq, trimëri është të falësh, të kuptohesh,të bindesh. Këto janë elementë të qytetërimit perëndimor, por vijnë edhe në kodin moral e zakonor të shqiptarit që nga lashtësia. Ne shfrytëzojmë çdo mundësi që na jep përpjekja jonë për ta njohur realitetin dhe për ta shfrytëzuar atë në dobi të pajtimit dhe të së mirës. Kjo është e vështirë po ia kemi dalë shumë herë të pajtojmë njerëz, familje fise, të ndihmojmë njerëz të ndryshëm, duke shfrytëzuar në dobi të së mirës,virtytet e shqiptarit dhe duke mos e parë njeriun bardhë e zi. Puna me fjalën është puna më e vështirë.
Zoti Gjin, çfarë natyre ka krimi në Shqipëri?
Krimi ka natyra nga më të ndryshme duke arritur herë-herë deri në përfytyrime të skajshme. Kemi vrasje për vetëgjyqësi, një fjalë goje, për pronë, ngatërresë të saj, për një shikim, gërvishtje makine, një vijë uji, vrasje që vijnë nga një hak i pamarrun që nga vitet e hershme, etj. Të gjitha këto vrasje jepen nëpër kronika, lajme të ndryshme , duke sjellë panoramën e një situate të zymtë. Nganjëherë mendon se deri ku arrin infatiliteti njerëzor, si ka mundësi të ndodhin këto gjëra,po ja që ndodhin dhe kjo është e kuptueshme, ka diçka gjenetike, por edhe është refleks i një shoqërie që shkon në përpjekjet e saj në një proces të pandalshëm drejt rregullimit dhe formatimit të saj.
A mund të na thoni diçka me statistika?
Statistikat janë alarmuese dhe kjo tregon se krimi vjen në rritje, po të mos harrojmë se edhe lufta kundër tij vjen gjithashtu në të njëjtin kah. Nuk duhet me u dekurajuar, por gjithnjë duhen thurur platforma të guximshme kundër krimit, kundër vrasjes, për të implementuar gjëra të vlefshme, për të cilat ka nevojë shoqëria jonë. Kështu, nga 2-3 vrasje në vitin 2000-2007 për shkak të nderit, në vitin 2011 arriti në 17 vrasje. Nga 70-80 vrasje në vitin 2006-2007, policia ka raportuar për 124 rate të tilla në vitet e fundit. Ne kemi statistikat tona, evidentojmë ato dhe po bëjmë një punë, them unë, të dobishme në këtë drejtim,kjo punë nis jo vetëm me evidentimin e tyre, pa u ndalur në shifra, po në njerëz konkretë.
Zoti Gjin, kohët e fundit në një opinion që ndërtohet enkas, flitet për një faturim të krimit në emër të Kanunit, si mendoni për këtë?
Kjo është alibi e krimit. Krimi gjithnjë ka natyrën e sofistikimit, të fshehjes, të manipulimit, këtë e ka thënë Shekspiri, kjo është e ditur. Kanuni, është një vlerë juridike e cila trashëgohet nga Mesjeta dhe çdo deformim i tij është i padrejtë dhe ka një nonsens. Unë do thoja se Kanuni nuk e ka vrasjen e gruas,as të fëmijëve, ai ka ndëshkimin për çdo vrasje që kryhet larg ligjeve dhe rregullave të veta. Njerëzit që nuk e njohin atë, që s`e kanë lexuar apo s`dinë ta interpretojnë, ashtu siç ndodh në shoqëri shpesh, një farë ngutje për të konkluduar në mënyrë paragjykuese, flasin pa u menduar. Duke fajësuar Kanunin, padashur mbrohet krimi, apo thuhet diçka e padrejtë, dhe kjo padrejtësi mbyll shtigjet për të gjykuar drejt. Gjithashtu plogështohet dhe dekurajohet kuptimi për njerëzit e ligjit dhe organizmat ligjore, krijohet një cilësim i shoqërisë sonë si jo moderne po mesjetare, etiketohen pa të drejtë zona të caktuara,flitet kot. Sot, me integrimet e fuqishme që sjell teknologjia e informacionit, shoqëria e lirë, njohjet, lëvizjet e shpeshta jashtë etj, etj, nuk mund të flitet tymthi, as me një të rënë të lapsit. Përgjegjësia e fjalës më kujton një distik të Sadiut: ”Njeriu i rrahur me uthull dhe vaj/mendohet një herë, nxjerr fjalën pastaj…”.
Atëherë i mbetet faji shoqërisë, instancave shtetërore, ekzekutive;
Padyshim që faj ka, padyshim që organet e policisë mund të bëjnë një punë më të mirë parandaluese. Krimi është si sëmundja, është më mirë ta parandalosh, pa marrë jetë njerëzore. Nëse mundesh ta bësh këtë atëherë ke mundur të bësh shumëçka. Unë nuk dua ta minimizoj këtë punë as të bëj njeriun mohues, po gjithsesi, sipas rasteve të evidentuara ka ndodhur se mund të parandaloheshin shumë krime nëse do kishim njerëz më të përkushtuar, larg indiferencës dhe apatisë që ndodh jo rrallë. E thashë edhe më parë, ka njerëz që mbjellin përçarje, ka njerëz që shfrytëzojnë rastin për të realizuar një qëllim tjetër, ka manipulatorë dhe disvergues, e kjo përbën një gjë të rëndë. Unë do thoja se kjo punë do vijë duke e eliminuar elementin apatik për të sjellë një ndërgjegjësim më të madh në luftën kundër krimit , ndërgjegjësim i cili ka gjithnjë një premisë: guximin dhe trimërinë për ta luftuar krimin me çdo kusht…
Edhe pse kemi instanca ligjore, ekzekutive, edhe pse proklamohet dhe sillet një frymë mediatike, akoma po duket se nuk po ngrihet një frymë me fuqi më të madhe për të mos ndodhur gjëra të tilla, ose të minimizohet ky fenomen i shëmtuar. Ju si mendoni për këtë?
Aktualisht janë 1600 familje të ngujuara, 900 fëmijë të ngujuar nuk janë pak. Ne po punojmë në regjistrimin e konflikteve në 2600 fshatra, 300 komuna, 60 bashki. Është shumë i rëndësishëm marrja e informacionit, selektimi i tij duke e klasifikuar në prioritetet e ndërhyrjes, njohja e gjendjes. Ndërsa për pyetjen që bëtë ju, unë do thosha se ajo pjesërisht është e vërtetë, pasi punohet veçanërisht nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, punohet me plane të qarta dhe informacione të detajuar, ndonëse ka vështirësi, pengesa përgojime dhe gjëra të tjera. Njerëzit po të duan punojnë, ecin, kjo jo vetëm që është dialektike, por mbetet një gjë e njohur dhe s`ka nevojë për koment. Natyrisht të gjitha institucione duhet të ngrenë tonusin e punës, përgjegjësinë morale dhe ligjore, pa e parë këtë si fenomen sezonal.
Zoti Gjin, cilat janë planet për të ardhmen?
Ditën e diel mblidhet Asambleja Kombëtare e Misionarëve të Pajtimit për të shqyrtuar raportin e Ekspeditës së Komitetit të Pajtimit tek familjet me probleme nga 21 gushti gjer në Krishtlindje. Aty do diskutohet mirë mbi ecurinë e punës, të dhëna fondamentale dhe plotësuese, dhe ky raport pasi të plotësohet nga diskutimet do t`u dërgohet institucioneve vendore e ndërkombëtare si dhe anëtarëve të Këshillit Koordinativ që udhëhiqet nga Presidenti. Aty do diskutohet pozitiviteti i punës, shqetësimet, rrugët për zgjidhjen e tyre, ndarja e detyrave e njëkohësisht hartimi i rrugëve të mundshme sa më efikase për të dhënë rezultate sa më të mira të fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes. Mbi këtë do hartohet Plani i Ri i Ekspeditës nga 6 janari 2013 deri më 30 qershor 2013. Si dhe përcaktimi i datës së zhvillimit të kongresit, besoj në muajin mars. Natyrisht këto janë veprimtari dhe plane të koordinuara më së miri, kanë një qëllim që dihet, dhe synimi është të tërheqim sa më shumë misionarë të pajtimit, njerëz me reputacion e besim në krahina të caktuara, njerëz që dinë të bindin e të binden, njerëz të fjalës. Ky Komitet do pushojë së ekzistuari vetëm atëherë kur në vendin tonë të ketë arritur paqja e vërtetë sociale, harmonia e plotpushtetshme, të pastrohen ferrat e keqbërësve , ngatërrestarëve dhe njerëzve nxitës të krimit, kur e gjithë shoqëria të shohë institucionet e shtetit me besim maksimal, për të ndalur vetëgjyqësinë dhe hakmarrjen primitive. E gjer atëherë ne do vazhdojmë të mbjellim në vend të ferrave, lule…






.jpg)