Erdogan, (jo aq) i Madhërishmi

“Shekulli i Madhërishëm” shkaktoi protesta që nga çasti që seria e parë u publikua në janar 2011. Koncepti i shqyrtimit të prapaskenave të jetës private të sulltanëve erdhi si tronditje për turqit; ata janë mësuar të shohin patriarkët e tyre të mëdhenj si shenjtorë prej plastike
ANDREW FINKEL, NYT



Stamboll – “Shekulli i Madhërishëm”, një telenovelë e prodhuar në Turqi dhe që paraqet aventurat plot intriga të familjes perandorake të Sulejmanit, i mbiquajtur I Madhërishmi, e ka shtrirë ndikimin shumë më tepër se sa pati bërë Perandoria Osmane në mes të shekullit të 16. Domeni i telenovelës shtrihet nga Franca në Ukrainë, në Republikën e Çekisë dhe Japonisë, me mbi 150 milionë shikues në xhep. Në Turqi, seriali shkakton bllokimin e jetës në mbrëmje dhe merr një të tretën e të gjithë shikuesve të televizorit në vend.
Megjithatë, telenovela përballet me një xhep të vogël rezistence që mund të rezultojë vendimtar: Kryeministri Recep Tayyip Erdogan e urren atë.
Erdogan gjeti kohë gjatë një ceremonie për prerjen e shiritit të një aeroporti provincial së fundmi për t’i përshkruar seritë e telenovelës si një transvestit. Për të ishte e gabuar të reduktohej historia e shkëlqyer në një sagë intrigash familjare.
Projekti i xhamise se re

Xhamia Sulejmanie


Sulejmani kaloi “30 vjet mbi kalë”, tha ai, duke nënkuptuar se sulltani duhet të ketë pasur shumë pak kohë të lirë për të shijuar komoditetet e jetës.
“Ne kemi vënë në lëvizje autoritetet, – shtoi Erdogan. Po presim për një vendim gjyqi mbi këtë çështje. Ata që luajnë me vlerat duhet të marrin një mësim brenda kufizimeve të ligjit”.
Ligji kundër mungesës së shijes, gjithsesi duket se nuk po zbatohet mbi arkitekturën: ndërsa kryeministri bën fushatë kundër serialeve televizive për shpifje ndaj së shkuarës, ai dhe bashkitë të sunduara nga partia e tij janë shumë të zëna duke parodizuar historinë e Turqisë me një seri projektesh ndërtimore ku synohet të rigjallërohet fama e Osmanëve.
“Shekulli i Madhërishëm” shkaktoi protesta që nga çasti që seria e parë u publikua në janar 2011. Koncepti i shqyrtimit të prapaskenave të jetës private të sulltanëve erdhi si tronditje për turqit; ata janë mësuar të shohin patriarkët e tyre të mëdhenj si shenjtorë prej plastike. Por tani që telenovela është në sezonin e vet, ka shumë më pak ankesa dhe shumë më pak kundërshtime të ashpra.
Pra çfarë e shtyn kryeministrin të vijojë të shprehë zemërim? Një shpjegim popullor në këtë kohë është se ai po përpiqet të shmangë vëmendjen mbi probleme më tokësore. Ai ka bërë propozime që kanë ngjallur shumë debat si ndalimi i abortit apo kthimi i dënimit me vdekje, – masa që ai nuk ka ndër mend t’i bëjë realitet – ndërkohë që Turqia po përpëlitet me problemin e pazgjidhur të kurdëve dhe ekonominë në ngadalësim.
Në këndvështrimin tim, Erdogan e sheh “Shekullin e Madhërishëm” si një komplot që po minon autoritetin e tij. Në të njëjtin fjalim në të cilin sulmoi spektaklin, ai mbrojti politikën e tij të jashtme kundër kritikëve që thonë se pretendimet e Turqisë për të ndikuar mbi ngjarjet në Siri apo Gaza kanë qenë më të mëdha se sa fuqitë reale të vendit. Në fakt, sundimtarët e sotëm të Turqisë paraqesin një aspiratë neo-otomane që mbështetet tek epoka e artë e së shkuarës.
Dhe mënyra se si ata kanë zgjedhur të shprehin këto aspirata mund të dëmtojnë më shumë Turqinë nga sa mund ta dëmtojë “Shekulli i Madhërishëm”, që është në fund të fundit një melodramë e pështirë.
Një nga tributet që kryeministri po mbështet si pagesë për të shkuarën otomane, është ndërtimi i një xhamie të stërmadhe në kodrën Camlica, një park publik mbi Stamboll. Arkitektura e përzgjedhur është një kopje e stilit të lartë otoman që lidhet ngushtë me arkitektin Sinan, i cili ndërtoi Xhaminë Sulejmanie mbi Bririn e Artë.
Xhamia e Sinanit është një zgjidhje mbresëlënëse e një problemi të rëndë. Si të ndërtosh nga guri një hapësirë të vetme simetrike të mbuluar me kube dhe gjysmëkube. Xhamia e sapokomisionuar nga Erdogan është një kopje e falsifikuar dhe obeze që duhet të ndërtohet me beton të përforcuar. Edhe shtypi islamik në Turqi është tronditur nga banaliteti i saj.
Akoma më keq, Bashkia e Stambollit është aktualisht duke ndërtuar një linjë të re metroje përgjatë Bririt të Artë, një urë varëse false që është shumë më e madhe dhe më e lartë nga sa nevojitet për të kapërcyer atë copë ujë. Kjo do të dëmtojë panoramën e siluetës së nderuar nga koha të Xhamisë Sulejmanie, kryeveprës së vërtetë osmane.
Andrew Finkel ka qenë korrespondent i huaj në Stamboll për 20 vjet si dhe opinionist për gazetat e gjuhës turke.

İhsan Eliaçık, një shkrimtar fetar i njohur për kritikat e tij ndaj kapitalizmit, tha se projekti reflekton dëshirën e Erdoganit për të ndërtuar një “xhami sulltani”, siç patën vepruar Sulejmani i Madhërishëm dhe Fatih Sulltan Mehmeti i Dytë, Pushtuesi i Kostandinopojës

Xhamia e sulltanit të ri Erdogan?

Qarqet akademike dhe islamike reaguan ashpër ndaj këmbënguljes së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan për të ndërtuar një xhami në kodrën Camlica të Stambollit. Por Erdogan ka ecur përpara me projektin pavarësisht kritikave.
“Bukuria e xhamisë në Camlica nuk është aq e dukshme në projekt. Por më besoni, ajo do të jetë shumë e bukur”, i tha ai një grupi gazetarësh.
Kryeministri e propozoi fillimisht idenë e ndërtimit të një xhamie në majë të kodrës në 29 majin e kaluar. “Kjo xhami gjigande në Camlica do të shihet nga të gjitha pjesët e Stambollit”, tha Erdogan në atë kohë. Gjithsesi, ideja e tij shkaktoi reagime nga të gjitha anët.

Shqetësime arkeologjike

Profesori Afife Batur nga Universiteti Teknik i Stambollit, i cili është i specializuar në arkitekturën e vonë otomane dhe atë të periudhës së Republikës, thotë se procesi i ndërtimit ishte ilegal që nga fillimi.
“Ne thamë se projekti është i vendosur në një park arkeologjik, ata e hoqën parkun nga lista. Ne thamë, së paku të bëhet një projekt i përshtatshëm. Ata nisën një konkurs për projektin në mënyrë ilegale të tillë që ne nuk e kemi parë kurrë në historinë e Turqisë”, i tha Batur gazetës “Hyriet”, një publikim pranë grupimit të njohur si Gulenistët.
Bashkia Uskudar dhe shoqata për ndërtimin e xhamisë hapi një konkurs për arkitekturën menjëherë pas njoftimit të Erdogan duke ofruar një çmim prej 300 mijë lirash turke për projektin fitues.
Në konkurs u paraqitën 62 projekte, por çdo gjë përfundoi pa një vend të parë. Dy projekte fituan vendin e dytë dhe të tretë dhe një prej tyre u pranua si i “aplikueshëm”.
Sipas projektit fitues, xhamia e re do të zërë 15 mijë metra katrore dhe do të mbajë afërsisht 30 mijë njerëz.
İhsan Eliaçık, një shkrimtar fetar i njohur për kritikat e tij ndaj kapitalizmit, tha se projekti reflekton dëshirën e Erdoganit për të ndërtuar një “xhami sulltani”, siç patën vepruar Sulejmani i Madhërishëm dhe Fatih Sulltan Mehmeti i Dytë, Pushtuesi i Kostandianopojës.
“Turqia nuk ka nevojë qoftë edhe për një xhami të vogël për shkak se 110 mijë xhamitë në të gjithë vendin janë tani bosh”, tha Eliaçık.
“Drejtësia shoqërore duhet të vijë në fillim. Ka vetëm shtatë apo tetë shtëpi për të varfrit në Stamboll, një qytet me 17 milionë banorë”, shtoi ai.