Egjipti, diktaturë, demokraci, diktaturë?


“The Economist”



Mezi një javë më parë presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, po mburrej me lavdet e marra për ndihmën ofruar në arritjen e një armëpushimi në Gazën fqinje. Sot ai e sundon, dalëngadalë, një komb të polarizuar. Më 27 nëntor, një tubim po aq i madh sa edhe ato të ditëve të revolucionit të janarit të vitit 2011 në Egjipt, e dridhi qendrën e Kajros në një kakofoni protestash kundër njeriut që tani e cilësojnë si një diktator të ri. Por jo vetëm me kaq, presidenti pakokëulur ka arritur që të nxjerrë në rrugë turma edhe më të mëdha kundërshtarësh. Kampi i tij ka arritur ta sigurojë aprovimin e draftrezolutës kundërthënëse, fuqimisht të kundërshtuar dhe islamike në një referendum të përgjithshëm. Pas pesë muajsh në detyrë, në kërkim për të kapitalizuar suksesin e tij në Gazë dhe të thyejë bllokadën e kamotshme me kundërshtarët sekular, Morsi miratoi një dekret shokues gjashtëpikës, i cili i garanton atij ekstra kompetenca të reja. Veprimi e ka tërhequr Egjiptin në krizën më të rëndë të saj që nga kryengritja, e cila u dha fund gjashtë dekadave diktaturë. Vendimi i tij bashkoi opozitën deri më tani të ndarë sekulare, e cila planifikon të protestojë derisa ai të tërheqë dekretin e tij.
Nga perspektiva e presidentit dhe e atyre që janë renditur në një rresht me të, nga më të rëndësishmit “Vëllazëria myslimane” dhe grupet fundamentaliste salafiste, veprimi ishte i kuptueshëm. Morsi e mori pushtetin në muajin qershor me shumicën e zbehtë të fituar në votimet egjiptiane – 51.7 për qind. Megjithatë islamikët, të cilët së bashku kanë grumbulluar një shumicë më të madhe sesa në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, kanë qenë të zemëruar për konvertimin e fitores në një ndryshim të madh. Ç’është edhe më keq, qeveria e Morsi e ka gëlltitur fajin për shërbimet e papërmirësuara qeveritare dhe ekonominë e paqëndrueshme. Me keshin që po i shteron, vendi mund shumë shpejt t’u nënshtrohet masave të ashpra të kursimit, edhe pse raundi i ri i zgjedhjeve po afron.
Islamikët kështu ndien se po u mbyllet dritarja e mundësive. Siç ata e shohin gjithë këtë, një grup i forcave keqdashëse është bashkuar për t’i kundërshtuar. Në mesin e tyre nuk ishin vetëm sekularistë dhe minoriteti i krishterë i Egjiptit, por po ashtu edhe fuqitë e huaja, shtypi i parespektuar dhe shpeshherë armiqësore dhe grupet kryeneçe shkatërruese të burokracisë kolosale shtetërore të Egjiptit.
Gërshetimi i të gjithë këtyre kujton elitën e kamur që krijonte pasuri nën regjimin e rrëzuar të Hosni Mubarakut. Gjyqësori i Egjiptit ka qenë veçanërisht në pozitë të vështirë. Në pranverë, një gjykatë e diskualifikoi përzgjedhjen e parë të Parlamentit të dominuar nga “Vëllazëria” për Asamblenë Kushtetuese, trup ky i angazhuar për hartimin e Kushtetutës së re. Vetëm pa ditë para inaugurimit të Morsit, gjykata më e lartë kushtetuese e zemëroi “Vëllazërinë” me vendimin për të shpërbërë vetë Parlamentin. Gjykatësit egjiptianë u bashkuan në tetor për ta bllokuar Morsin që të shkarkojë një prokuror publik, një i emëruar i fuqishëm nga epoka e Mubarakut, i cili kishte dështuar që të përmbushë kërkesat e popullit për drejtësi “revolucionare”. Morsi shpresonte, duke i dhënë urdhrat e tij, që t’i shlyejë të gjitha këto sfida përnjëherë. Kishte pak kundërshtime për disa pjesë të dekretit, siç është tentimi i dytë për të shkarkuar prokurorin publik dhe për të lejuar rigjykimin e njerëzve të regjimit të mëparshëm. Mirëpo Morsi kishte premtuar që të përdorte sa më pak kompetenca legjislative, të cilat i takojnë në mungesë të një parlamenti. Në vend të saj, pa diskutim publik dhe këshillave paraprake nga vetë ndihmësit e tij, presidenti vendosi jo vetëm të bllokojë çdo sfidë të mundshme gjyqësore që i vihet në rrugë. Ai po ashtu i siguroi vetes një mbulojë gjyqësore, deri në kohën miratimit të një kushtetute të re.
Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë së shpejti, për legalitetin në Asamblenë e dytë Kushtetuese, përsëri të dominuar nga islamikët. Legjitimiteti i saj është sfiduar nga dorëheqja masive e përfaqësuesve të krishterë, femrave dhe sekularistëve, mirëpo trupi e ruan kuorumin e ngushtë të përbërë nga islamikët. E nxitur nga protesta kundër dekretit të Morsit, Asambleja shumë shpejt pranoi kërkesat kundërthënëse të ushtrisë së fuqishme të Egjiptit, siç është ajo që ministri i Mbrojtjes të mos ishte një figurë civile. Kampi i Morsit tani thotë se draftkushtetuta 230-faqesh është e gatshme, duke i injoruar protestat e unioneve tregtare, kishave dhe ekspertëve ligjorë, më shumë se të të gjithë të tjerëve, se disa pjesë të saj janë të paqarta, të padrejta për të tjerët dhe se garanton kompetenca të tepruara ekzekutive. Mbështetësit e “Vëllazërisë” insistojnë se kompetencat e zgjeruara janë në të mirë ekskluzive të publikut. Morsi ka bërë fjalime pajtimi, duke u deklaruar krenarë për qeverisjen e shtetit me një opozitë të fuqishme dhe të zëshme. Veprimet e tij ishin të domosdoshme, theksoi ai, për të krijuar ambientin që i duhet Egjiptit për të siguruar synimet revolucionare, për të ndërtuar institucionet demokratike dhe për ta rikthyer ekonominë e saj përsëri në shtegun e duhur.
Duke u zotuar që të luftojë “krimbat” që e kishin rrezikuar Egjiptin, Morsi u betua të ruaj liritë për të cilat kishte luftuar gjatë gjithë jetës së tij.
Por Morsi duket të ketë harruar ndjeshmërinë që një shtet porsa i liruar nga dekadat e despotizmit mund ta ndiejë ndaj çdo gjëje që kundërmon diktaturë. Me të qenë e fshehur dhe me shikim të kthyer vetëm nga vetja, “Vëllazëria” duket e befasuar nga mosbesimi që shumë egjiptianë, përfshirë këtu edhe myslimanët fanatikë të çdo shtrese shoqërore, ushqejnë karshi tyre. Mbështetja për islamikët mbetet e lartë ndërsa fuqia e tyre organizuese e zorshme. “Ata do t’i tubojnë të varfrit me sloganin: që të jesh një mysliman, voto po për Kushtetutën dhe largoni të pafetë”, parasheh Mohammad Nour Farahat, një profesor i drejtësisë në Universitetin Zagazig të Kajros. Edhe nëse Morsi dhe Vëllazëria e tij Myslimane ia dalin të shpëtojnë nga e gjithë kjo, një re e dendur do të mbetet e vendosur gjithnjë mbi sundimin e tyre.