Egjipt, protestuesit i sulen pallatit presidencial, Mursi ia mbath (FOTO)


Deri në orët e para të mbrëmjes, protestat kundër presidentit egjiptian Mohamed Mursi ishin paqësore. Por në mbrëmje shpërthyen edhe trazirat.
Protestuesit arritën të çajnë një barrierë policore, duke u sulur drejt pallatit presidencial.
Sipas informacioneve nga forcat e sigurisë, presidenti Mursi është larguar menjëherë nga pallati. Lajmin e bën të ditur edhe gazeta egjiptiane al- Ahram. Vendndodhja e saktë e tij nuk dihet.
Forcat e sigurisë kanë reaguar me gaz lotsjellës mbi demonstruesit. Më pas pati përplasje trup më trup.
Raportohet për së paku 18 të plagosur.
Turma kërkon dorëheqjen e presidentit dhe kthimin mbrapsht të ndryshimeve kushtetuese.
“Ne po marshojmë kundër tiranisë,” tha një përfaqësues i opozitës.
Ndërkohë, për në fundjavë të gjitha grupet opozitare kanë thirrur një protestë të madhe me moton “Paralajmërimi i fundit”. Krahas gjykatësve edhe mediat kanë dalë në krah të protestuesve. Mursi i ka dhënë pushtet vetes mbi gjykatat, ndërkohë që me Kushtetutën e re do të krijojë një shtet islamik.