Home »
» …ç’më do ky shpirti im?!
…ç’më do ky shpirti im?!
Tre poetë të një brezi, që krijuan poezi nën diktaturë, për të cilat Vilson Blloshmi u pushkatua dhe Frederik Rreshpja e çoi jetën burgjeve, po ashtu edhe Pano Taçi. Poezi qelibar, të krijuara në errësirën e epokës diktatoriale, mu në kulmin e asfiksisë së ndjesive shpirtërore këta dy poetë krijojnë. Nga Rreshpja botojmë disa poezi të përgatitura nga Shpëtim Kelmendi nga libri “Rapsodi shqiptare”, botim i vitit 1968. Ndërsa nga Blloshmi janë poezi të mbledhura për herë të parë në një libër nga Sadik Bejko. Gjendje shpirtërore që mund të lexohen me zë të ulët dhe me gaz; me dhimbje e shend dashurie; në eros dhe ndjesi të larta – poezitë e rralla të Pano Taçit zënë vend në lirikën magjike
Frederik Rreshpja
Lirikë
Po ik nga bregdeti.
Ndër mend i kam ende
Portokallet që më ngjajnë me yjet e verës.
Tani,
lamtumirë!
Nën këto mijra drita të vogla që i lëkund era në muzg
Mbledh motivet ajrore të rivierës.
Ujna të qeta,
të dashtuna mu si kangë himarjote,
U dëgjoj që dallgëzonin brenda meje si ujvarë.
Po niset autobusi.
Portokalle, digjuni mbi mue!
Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…
Më mori malli për detin!
Për fjalët e ngrohta të ojnikut (1),
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.
Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.
Atëherë var këtë këngë
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
Rri sonte te unë
Hëna mbi lumë vizaton
Një urë për ëndërrat e yjve;
Reja gri, si mall i harruar
…Vë kryet mbi duart e pyjeve.
Ti erdhe nëpër udhën e hënës,
Çeli gonxhe edhe pragu i portës.
Rri sonte te unë
Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!
***
Pano Taçi
Eja mike
Sa herë vjen çapkëni prill,
çapkëne më bëhet shpresa,
brezin nga mesi ia zgjidh
malit, t’ia bëj rëkeza
Bredhi si qiri argjendi,
na rri nën tyl të mjergullës.
prill çapkëni, lisin çmendi
kur gjirin ia puth pjergullës.
Eja mike, na fton prilli
te ai vend q’u bë harim.
atje ku këputet ylli
porsi lot i syrit tim.
Bëj ta gjej
Kërkoj veten që s’e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
me kaq plagë në gji.
Kërkoj veten, bëj ta gjej
Thomëni, kush ma pa?
Dhe n’e gjej, me dhëmbë e brrej.
Brengat mua m’i la.
Kërkoj veten ku më humbi,
në ç’udhë pa krye?
Pa veten do më marë lumi
Pa veten jam hije.
Mos ma lexo
Mike, mos ma lexo dhembjen
në buzëqeshjen time.
nuk dua t’ua bëj mbrëmjen
t’iu mëkoj trishtime.
Mos m’i lexo sytë e thellë
tek rrijnë në humbëtim.
një dëshirë mallim ua ndjell
ç’më do ky shpirti im.
Mos më thuaj, se u bësh së gjalli
për ty pa pritur, unë.
pa pritur ma erdhi malli
që më ka djegur shumë.
Jetë morri
Kur tokës, iu zvarita si morri mbi kuriz,
poshtë këmishës me arma më gjeti mua;
tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis,
më zu e me gas më vuri mbi thua.
Bëri të më shtypte, e s’më shtypi dot.
lëkurën koha ma kish bërë prej guri.
morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë
bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.
E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë.
e ç’lëkurë me plagë që kisha tej i hodha.
poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë,
më shumë se ç’duhej, nëpër zhele u lodha.
Do shtrihem t’i kyç sytë e mi të vrarë,
nga pagjumsia. Do fle pa andralla.
kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë
se loti do m’i djeg të lodhurat kokalla.
Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak
si skelet golle pa asgjë përbrenda.
të tjerë shushunja tokës i pin gjak,
unë q’e giciloja të qeshte, iu rënda.
Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon
nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë
te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon,
më bëri të jetoj me përdhunë
nga që e bëja të kruhet.
Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë
O soi im i morrit, u lodha shumë,
më shumë se ç’duhet.
Duke gicilisur tokën plakë:
kam cimbisur helm e jo gjak.
***
Vilson Blloshmi
Brenga, shpresa, vegimet
I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë
N’jerm bën tunele n’ajër t’hapësirës
Si mbas formës së tij, lëvizjes së tij.
Ah sikur mbas çdo hapi
Ajri të ngrinte-beton,
Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen
Kallëp-shabllon
E të tregojë ta gdhendë Sa kohë iku zvarrë
E sa në këmbë.
Sikur të mbeteshin e shiheshin
Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi
Brenga, shpresa, vegimet
Të dukej krejt i jetës zigzagu i gjatë
Që nga ardhja në këtë botë e gjer
Tek varri, pikës e llahtartë.
***
A s’e patët ditën plot me diell
Qe bën natë koha dhe e nxin…!
I jep hënë e yje, lart në qiell
E, së fundmi, fare e përpin…!?
A se shkuat shpejt ju fëmininë?
Kjo s’u fsheh për ju e s’humbi fare?
A s’po mbani mbi sup pleqërinë,
E në mendje thellë vitet mitare?
A s’e mbani mend atherë te plepi
Loznit në oborr me hijen tuaj?
Po tani më larg nga ju është djepi
Apo arkivoli, pa më thuaj?
Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,
Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet
Troket lehtë kujtimi i trishtuar
Mysafiri në shtëpi të vet.
***
Sërish dukesh në udhë
Që ngjan si vijë gjaku
Mes gëlbazës së murrme
Të pështyrë
Nga turbekulë.
I lodhur,
Vetveten mbi kurriz
Shket
Dhe mendja lodhur
Klith: po shkoj,
Mbeç me shëndet…!
Dhe rend barkbosh
Në zorrën bosh të rrugës
Si një shtrëngatë
E qetë.
Dhe gurët kthejnë nga ti
Anën e mprehtë
Dhe njerëzit, ata
Stërnjerëzit,
Ajkë mbi jetët-hirrë
E kanë vështirë
Mëngjesit.
Edhe mbrëmjes
Vështirë,
Kur mbi ju ngecin vështrimin
Mbi ju rreckë-njerëzore,
Masë zhelesh mishi e shpirti
E qepur me fije damarësh
Mendimesh
E hedhur, pa mëshirë
E pa të drejtë
Në anë të rrugës së ndotur
Ku të qetë
Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet
Këllirë.
Dëshirat
Që i ndez thëngjilli i zemrës,
Mbuluar thellë
Me hirin e trupit…
Dhe brodhe prapë rrugëve
Me bujë e pohe
Kërkoje ti vetveten
Që më në fund e gjete
E s’e njohe
Ngaqë pandehje
Është shumë vështirë ta gjesh.
Kur të doli rastësisht
The: s’është kjo
Dhe kalove
Dhe u zhy te mes territ
Të zi pa fund.
Kërkon – një dorë e kurm
Dhe një këmbë
Dhe mbete cung.
Po prap sulesh përpara
Me tallas
Me me gjysmën e thatë
Dhe gjysmën e njomë
E at’ që kërkon e arrin
E lë pas
Dhe zvarrë hiqesh përpara
Kërkon…
Vazhdë lënë mbi pluhur
E gjak
Gjymtyrët gjysmë të thara
Gërvishtin trak – trak
Dhe gjer thellë të ngushen
Ato kër – kër – kër – krak.
… kërkon
Mbi këtë tokë shkëmb
Mbi këtë tokë gur
Mbi këtë tokë kockë
E lëkurë.
E as e di ç’të dhemb
Veç sulesh para, shkon
Me zemrën e rëndë plumb
Dhe sa më shumë kërkon,
Ç’kërkon,
Më tepër
E humb.
***
… dhe vetëm me rrobat e mia
E me vetminë time
Nën barin e flokëve të mi të thinjur
Nën pleqërinë time
E dashurinë për mëshirë…
Me hijen e mirësisë tënde
Varur në gozhdën e kujtesës së venitur,
E të lodhur nga terri që
Nxjerr prapë gjithë sa hedh
Kujtimi thellë në të…
Standard