
Me rezultat 4-3, Manchester City e ka mposhtur Norwich Cityn në udhëtim, edhe pse pjesën e dytë e zhvilloi me një futbollist më pak në fushë.
Në takimin e zhvilluar në Carrow Road, mysafirët luajtën më mirë në pjesën e parë të cilën e mbyllën me avantazh.
Me dy gola të shpejtë, Edin Dzeko (2’ dhe 5’), krijoi epërsi të dyfishtë pas asistimeve të David Silvas dhe Sergio Agueros.
Anthony Pilkington i ktheu vendasit në lojë me një gol të shënuar në minutën e 14-të dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë.
Para se skuadrat të shkonin në pushim, Samir Nasri u përjashtua me karton të kuq (44’) duke e lënë skuadrën e tij që ta zhvillonte gjysmën e dytë me inferioritet numerik.
Mirëpo, kjo nuk u vërejt te kampionët. Në minutat e para të gjysmës së dytë (50’), Sergio Aguero e ngriti edhe më shumë epërsinë, falë asistimit të Yaya Toure.
Vendasit reaguan sërish me anë të Russell Martin (63’), por një autogol i Mark Bunn ishte fatal (67’).
Martin shënoi edhe një herë (75’), mirëpo lojtarët e Norwichit nuk arritën të nxjerrin rezultat pozitiv në minutat e mbetura të takimit.
Manchester City mban pozitën e dytë në tabelë me gjashtë pikë më shumë se Tottenhami që gjendet në vend të tretë dhe shtatë më pak se lideri Manchester United. /





