Bullgaria e kushtëzon Maqedoninë me ndërtimin e Korridorit 8


“Southeast European Times”



Një tjetër provë për marrëdhëniet Maqedoni-Bullgari paraqitet me letrën e ministrit të jashtëm bullgar, i cili i kërkon Maqedonisë përmbushjen e tre kushteve në udhën e Maqedonisë për në integrimin në BE, ku bie në sy kërkesa ultimative për ndërtimin e Korridorit 8, që i lidh vendet me Shqipërinë  

Shkupi mori një letër nga qeveria bullgare që kërkonte tre kushte që Maqedonia duhet të përmbushte për integrimin e saj të suksesshëm  uro-atlantik. Letra e marrë  në 29 nëntor, vjen vetëm dy javë përpara takimit të BE në Bruksel kur do të vendoset në qoftë se Maqedonia do të marrë një datë për nisjen e negociatave të pranimit. Nikolaj Mladenov, ministri i jashtëm bullgar, kërkoi së pari një marrëveshje për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve, bazuar në deklaratën ekzistuese të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë nga 1990. "Kushti i dytë i fortë është ndërtimi i një infrastrukture të nevojshme [Korridori 8, që lidh Bullgarinë me Shqipërinë], me një qëllim për të forcuar bashkëpunimin  dhe për të formuar grupe të përbashkët pune për përmirësimin e marrëdhënieve në fushat kryesore të duhura. Së treti, Sofja sugjeron formimin e një këshilli të nivelit të lartë që do të kryente takime vjetore ndërqeveritare,” thoshte letra. Mladenov tha se Bullgaria ka mbështetur kurdoherë përpjekjet për në BE të Maqedonisë por se marrëdhëniet dypalëshe në pakë vitet e fundit nuk kanë qenë në nivelin e duhur për të dy vendet. Letra nga Bullgaria vjen si një reagim ndaj një tjetër letre që qeveria maqedonase dërgoi në Sofje në të cilën sugjerohej mbajtjen e respektit të ndërsjellë ndaj çështjeve të ndjeshme të njëra tjetrës, çështjet historike t’u lihen historianëve dhe të dy vendet të ndihmonin njeri tjetrin siç nevojitej. Nikola Popovski, ministër i punëve të jashtme të Maqedonisë tha se nuk kishte asgjë shqetësuese në letrën e Mladenov. "Mesazhi i dërguar nga Sofja përmbush  nismat e vendosura më parë … që kanë të bëjnë me çështjet nga e kaluara. Në fakt, Bullgaria mbështet Maqedoninë në të gjitha fushat,” konfirmoi Popovski. Disa analistë politikë në Maqedoni, megjithatë nuk janë dakord. Risto Nikovski, ish-ambasador maqedonas, tha se letra është një shtytje e panevojshme nga Bullgaria. "Ata mendojnë se tani është koha të na shtyjnë ne, kështu që mund të arrijnë ndonjë fitim  dhe do të bëjnë çmos ta arrijnë këtë, ndonëse nuk do t’ia dalin,” tha Nikovski. Letra e Mladenov pasoi komentet e presidentit bullgar Rosen Plevneliev në tetor  ku ai kritikoi qeverinë maqedonase për “përdorimin sistematik të një ideologjie të urrejtjes ndaj Bullgarisë.” Ndërsa përsëriste mbështetjen e Sofjes për ofertën e Maqedonisë për në BE, ai i kërkonte gjithashtu Shkupit t’i jepte fund “fushatës së vet anti-bullgare dhe manipulimi të fakteve historike,” dhe të përqendrohej në reformat e kërkuara. Sipas Solomon Pasi, president dhe themelues i Klubit Atlantik të Bullgarisë dhe ish-ministër i jashtëm, çështjes mund t’i ishte drejtuar ndryshe. "Mua vetëm  më vjen  keq  që në vend të bisedimeve konfidenciale kokë më kokë midis dy kryeministrave, ne po shohim letra të botuara midis tyre”, i tha ai SETimes. "Shpresoj që anëtarësimi në NATO-s dhe BE i Bullgarisë do të përdoret për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët tanë por ajo që po shohim është krejt e kundërta. Ende, është inkurajuese se kjo nuk është një çështje e marrëdhënieve midis  popujve tanë, por midis dy qeverive tona”.