Aida Tuci
![]() |
| Armand Shkullaku |
Për etikën dhe gazetarinë në Shqipëri flitet jo vetëm institucionalisht por edhe në biseda kafenesh mes miqsh e kolegësh. Një pamje thuajse eunifikuar paraqitet përsa i përket problemeve të etikës dhe profesionalizmit me të cilat përballet gazetaria sot në Shqipëri. Ndërhyrjes së pronarëve të mediave, nënshtrimit ndaj interesave të tyre ekonomike dhe politike, shfrytëzimit të pushtetit mediatik në interes të tyre, pagave të ulëta, u shtohet edhe mungesa e profesionalizmit të vetë gazetarëve. Duke qenë pjesë e këtij sistemi janë shumë pak ata gazetarë apo drejtues mediash të cilët ngrenë krye për ta ndryshuar situatën. Por për një gazetar që është shkëputur prej katër vjetësh nga terreni mediatik shqiptar, aq më tepër kur gjatë kësaj kohe ka kaluar dhe përvojën më të mirë profesionale në një tjetër sistem mediatik, ndryshimi i situatës që e rigjen njësoj, kthehet në një sfidë. Eshtë sfida për ndryshim, qoftë edhe duke filluar me ato pak gjëra që në dukje janë detaje të vogla, arsyeja e rikthimit të gazetarit Armand Shkullaku, si drejtor i Departamentit të Informacionit në televizionin “AbcNews”.
Nga “Klan Kosova” tek “Abc News” çfarë ndryshon, sipas jush?
“Abc Neës” është një përvojë e re për mua. Unë kam qenë drejtues lajmesh, por në edicione të caktuara në një televizion gjeneralist që ka pasur dhe programe të tjera përveç lajmeve. Në këtë kontekst është një përvojë e re. “AbcNeës” parë së largu si shikues dhe së afërmi tashmë si drejtues i saj, mendoj se është një televizion që ka strukturën më të mirë programore nga profilet e televizioneve që janë programuar për të dhënë 24 orë lajme.
Çfarë do të donit të ndryshonit te ky TV tani që jeni drejtues i saj?
Ajo që do të doja të ndryshoja do të ishte një zhdërvjelltësi më e madhe informacioni. Pra, të kemi informacione të reja, në mënyrë që të shmanget përsëritja. Në rastet e një TV që transmeton 24 orë lajmë është e pashmangshme ta eliminosh tërësisht këtë, kështu ndodh në gjithë televizionet e botës, por ky rrezik të themi mund të minimizohet. Si? Nëse në edicionin e parë transmetojmë lajmin, pra atë çfarë ka ndodhur, në edicionin pasardhës të kemi thellimin mbi të, në atë të radhës këndvështrime të ndryshme mbi çfarë ka ndodhur dhe opinionet pro dhe kundër. Pra ideja është që për të njëjtin lajm qasja ndaj tij të jetë e plotë dhe e ndryshme, për t’i dhënë mundësi shikuesit që të gjykojë vetë mbi atë çfarë ka ndodhur. Një tjetër ndryshim, ose për të qenë më saktë një tjetër projekt i imi si drejtues i “ABC News”, është realizimi i programeve ku përveç informacionit të mund të debatohet edhe për temën e ditës ose të javës, por dhe një program mëngjesi që sigurisht që bazohet tek informacioni, por ai të bëhet sa më interaktiv. Në planet e mia është edhe projekti i orës kryesore televizive ose siç quhet ndryshe prime time-i ku prej orës 19.00 deri në orën 23.00 në ekran të shfaqen katër drejtues, ku secili (një orë secili) jo vetëm do japë lajmet kryesore të ditës, por do t’i vërë vulën e vet njëorëshi-t të programit informativ. Nuk është dhe aq e thjeshtë të gjesh katër gazetarë të mirë që mbajnë çdo ditë një orë një program, sepse ky format me të ftuar, për të cilin unë flas, kërkon që gazetari të jetë edhe autor i programit dhe jo thjesht moderator.
I keni skicuar në mendjen tuaj figurat e këtyre katër gazetarëve?
Pak a shumë i kam, por është herët të flasim për emra, sepse është ende një projekt. Diçka tjetër që u mungon televizioneve shqiptare dhe që publiku do të ketë mundësi ta shohë ne ekranin e “ABC News” është jeta dinamike, mënyra jonë e të jetuarit. Në ekranet shqiptare mungojnë dy aspekte të rëndësishme, për mendimin tim, që, nëse arrijmë t’i realizojmë bashkë me stafin e këtij televizioni, mendoj se do të jenë një kontribut i yni për publikun shqiptar. E para që i mungon ekraneve TV është jeta e përditshme e atyre njerëzve që prodhojnë, është ajo pjesë e shoqërisë që na bën të mundur ne të tjerëve të jetojmë. E kam fjalën për atë bukëpjekësin që ngrihet që pa gdhirë për të na siguruar ushqimin tonë të përditshëm, për ata fshatarë që punojnë tokën dhe na sigurojnë që në dyqane të mos mungojë asgjë, për tregtarët, e shumë e shumë të tjerë. Kjo është pjesa e padukshme e Shqipërisë, që punojnë përditë për ne. Sot në televizionet tona lajmet hapen me Berishën, vazhdojnë me Ramën dhe mbyllen me çështjen çame dhe kronikën e zezë. Televizionet 24 orë fokusohen vetëm te politika dhe politikanët. Madje dhe për këtë kategori njerëzish për të cilat unë fola më sipër mediat kujtohen vetëm atëherë kur politikanët shkojnë dhe u premtojnë ulje taksash. Unë mendoj se duhet të ndryshojë këndi i vështrimit tonë. Të mos i shohim ata përmes syrit të politikës, po t’i shohim vetë ne njerëzit e medias për t’ia treguar publikut. Po të jemi pak të vëmendshëm do të kuptojmë se ka edhe një Shqipëri tjetër që nuk lidhet as me Fierin, as me votimin e tre ligjeve e as me dy shtetësinë.
Kjo kategori, nëse e quajmë kështu, në ç’formë do ta gjejë veten në ekran?
Në formën e reportazhit, intervistave, dossierit, historive personale. Por edhe në kronika. Mendoj se është i gabuar perceptimi i tematikave të tilla si diçka speciale, ndërkohë që kjo është kronika e jetës sonë të përditshme, që fatkeqësisht nuk gjen hapësirën televizive.
Çfarë tjetër i mungon ekraneve?
Është dhe brezi i 18-vjeçarëve, mosha ku njeriut i zgjohet interesi për atë që ndodh jashtë rrethit të tyre, që nuk e sheh veten të përfshirë në televizionet shqiptare, dhe brezi i 33-vjeçarëve. Mediat vazhdojnë akoma të punojmë për politikën për shkak sepse edhe drejtuesit kryesore janë njerëz që janë rritur me politikën. Kësisoj, gjithë interesi mediatik është përqendruar në një rreth të ngushtë njohjesh dhe interesash, që në fakt i përket një shtrese shumë të vogël të popullsisë. Adoleshentët, studentët, të rinjtë që rikthehen nga studimet jashtë kanë interesa të tjera.
Si do të joshet kjo moshë?
Duke gjetur veten e tyre në ekran, duke trajtuar tema që kanë interes për ta.
Si do të orientoheni, kur nuk ka një statistikë apo një studim se çfarë i intereson këtij brezi?
Nuk mendoj se ka nevojë të kemi statistika. Ne njerëzit e medias jetojmë këtu dhe e dimë se çfarë u intereson. Jemi të ndërgjegjshëm gjithashtu se për ta flitet shumë pak. Ne nuk e dimë sesa hapësira publike ka në dispozicion të tyre, që nga terrenet sportive, kinematë, teatrot etj. Ne nuk dimë sesi jetohet në Qytetin Studenti, çfarë ndodh në shkollat tona. Kamerat shkojnë në shkollat vetëm kur ka inaugurime ku janë dhe politikanët sigurisht, por nga ana tjetër nuk dimë çfarë problematike kanë këto shkolla, nuk kemi informacion sesi zhvillohet ora e mësimit, çfarë bëjnë këta të rinj pas mësimit etj. etj. Këtij brezi i përkasin dhe ata të rinj që kanë mbaruar universitetin dhe preokupimin më të madh kanë të gjejnë një vend pune. Por çfarë mundësish u ofron tregu i punës këtyre të rinjve? Çfarë profesionesh kërkon më shumë ky treg pune: juristë, mjekë, hidraulikë, elektricistë apo këpucarë? Këto janë çështje që u duhet dhënë hapësirë për t’u trajtuar në një televizion që i shërben publikut. Nëse TV hap një hapësirë për të trajtuar problemet që shqetësojnë këtë brez, unë kam besim që dhe ata do të kenë interesin e tyre për ta ndjekur atë TV. Në këtë drejtim mendoj se duhet të ndryshojë qasja e televizioneve ndaj publikut. Një tjetër mangësi është dhe hapësira dedikuar kulturës. Është një fushë që na intereson dhe na përfshin të gjithë. Është një fushë që ka nevojë të zgjerohet dhe trajtohet. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ku mungojnë botime për kritikën e artit, ku nuk ka gazeta mirëfilli kulturore dhe ku televizionet shqiptare me përjashtime të rralla realizojnë emisione për kulturën. Ne jemi vend që prodhojmë shumë politikë, konflikte, por prodhojmë pak kulturë dhe atë pak kulturë nuk e promovojmë. Duke e promovuar ne rrisim shanset që ajo të zgjerohet dhe të zhvillohet. Nuk e kam fjalën thjesht për disa kronika shfaqjesh, siç ndodh rëndom, por për debatin kulturor, promovimin e talenteve të reja në muzikë, pikturë, aktrim etj., që të jenë ato modele për të rinjtë dhe jo ai 17-vjeçari që vret. Në fund të fundit, këto janë modelet e njeriut normal që duhet t’i ofrojmë kësaj shoqërie, modeli i atij që shkon në shkollë, përpiqet të gjejë një punë, të bëjë diçka për veten e për rrjedhojë të kontribuojë edhe për shoqërinë dhe jo modelin e njeriut që prodhon konflikt politik, apo të njeriut që vret. Kjo është ajo që ne synojmë të arrijmë si televizion, si një kontribut për shoqërinë, duke sjellë një frymëmarrje tjetër në informacionin e lajmit.
Për të gjitha këto projekte u larguat nga Kosova?
Për mua nuk është largim. E shoh më shumë si shkëputje. Por mund të them se Klan Kosova është eksperienca më e mirë profesionale për mua. Jam shkëputur nga Kosova për shkak të një nevoje dhe një momenti ku njeriu kërkon të provojë dhe diçka tjetër. Me Aleksandër Frangajn diskutonim idenë që unë të provoja të merresha me “Abc Neës”, një televizion që transmeton 24 orë lajme, por ky projekt për shkak të impenjimit tim në Klan Kosova dhe pasionit që kisha për atë TV u shty. Por kur vendosa se duhej ndryshuar diçka, i thashë po ofertës. Por ka dhe arsye personale, sepse 4 vjet është një shkëputje e madhe. Por Kosovën vazhdoj ta shoh si shtëpinë time, ku mund të rikthehem një ditë.
Eksperienca më e mirë profesionale…
Po. Kjo lidhet ndoshta edhe në aspektin personal. Klan Kosova ishte një projekt televiziv që e ndërtova nga fillimi, për ta çuar në nivelet e televizionit që është sot. Kjo më jep një emocion të veçantë. Por gjithë pasioni, këmbëngulja dhe dëshira ime për të bërë një televizion të mirë gjeti të njëjtin përkushtim dhe pasion edhe nga stafi. Pra, përcillnim të njëjtën energji pozitive. Pasioni dhe dëshira bënin që njerëzit të mos vinin në punë thjesht për të marrë një rrogë. Klan Kosova ka funksionuar dhe ka arritur sukses sepse të gjithë punonin si një ekip i vetëm. Kjo përsa i përket aspektit njerëzor. Ndërsa në aspektin profesional, mendoj se në Klan Kosova ka qenë i vetmi ekip gazetarësh që e kuptuan që në fillim se çfarë duhet të bënin dhe e kanë me profesionalizëm punën e tyre.
Cilat janë arsyet, sipas jush, që në Kosovë gazetaria është në këto nivele?
Mendoj se këtu ka ndikuar fakti se pas vitit 1999 në Kosovë formimi i gazetarëve ka qenë më i mirë. Kjo si rrjedhojë e kualifikimeve profesionale që ata kanë kryer. Gazetarët më të famshëm të botës kanë qëndruar për kohë të gjatë në Kosovë dhe kanë drejtuar mediat kosovare. Ky ka qenë një avantazh i madh për formimin profesional të një brezi gazetarësh, gjë që ne në Shqipëri nuk e kemi pasur. Kosova ka qenë gjithsesi një vend i hapur ndaj mediave të huaja dhe ndikimeve të gazetarisë europiane. Anë tjetër pozitive është fakti se atje të gjithë flasin anglisht. Kjo mund të duket një avantazh i vogël, por nuk është e tillë, sepse kjo u ka dhënë mundësinë atyre që të jenë vazhdimisht në kontakt dhe të shohin mediat e huaja. Pra, në Prishtinë jetohet më globalisht se në Tiranë. Të gjithë gazetarët kanë programin e tyre të preferuar në BBC, CNN, CBN etj. dhe secili prej tyre ka gazetar të preferuar që e shikon dhe e ndjek si model. Për një njeri që dëshiron të bëhet gazetar është më e lehtë kur e ka në kokë një model pozitiv për të ndjekur. Nga pikëpamja formale tregu mediatik atje është shumë herë më i vogël se këtu dhe kjo bën që investimet në media të jenë modeste, të moderuara. Atje mungon shkëlqimi i madh i programeve shoë si X-Faktor, E diela shqiptare, apo BigBrother. Mungojnë investime të kësaj natyre, por koncepti dhe përmbajtja është më e thelluar se këtu.
Arsyet, sipas jush, që në Shqipëri mungon ky profesionalizëm që ju e gjetët në Kosovë? Nëse ka qenë i tillë para vitit ’97 siç dhe pretendohet, pse devijoi nga kjo rrugë gazetaria në Shqipëri?
Edhe deri para ’97-ës, po qe se do të jemi realistë, mendoj se ka qenë pjesërisht profesional. Atëherë, ndryshe nga tani, ka pasur një lloj pasioni për profesionin e gazetarit, por që nuk është mbështetur me formimin. Vetëm pasioni nuk mjafton. Gazetarët e asaj kohe përfshirë dhe mua kanë pasur formim autodidakt. Asnjëri prej nesh nuk ka bërë shkollë gazetarie. Nga ana tjetër duhet të pranojmë se modeli ynë i gazetarisë ka qenë ai italian, modeli më i keq i gazetarisë europiane në raport me modelet e gazetarisë britanike, gjermane, franceze etj. Italianët janë ata që priren drejt sensacionit dhe jo drejt kuptimit apo përmbajtjes. Po ta vëmë re, ne vazhdojmë të ndjekim akoma atë model edhe në programet shoë që transmetojnë televizionet, programe sipërfaqësore ku nuk ka asnjë përpjekje për të zbuluar thellësinë. Ky ka qenë modeli ynë dhe ne këtë reflektojmë. Me gazetarinë shqiptare pas ’97-ës ka ndodhur edhe katastrofa; bashkë me formimin profesional humbi edhe dëshira për të bërë profesionin e gazetarit. Kjo për shkak të inflacionit të madh që ekziston në media. Ky inflacion bëri që edhe ata që ishin të mirë brenda këtij sistemin të kërkonin rrugë të tjera. Një pjesë gjeti vend në politikë, të tjerë në administratë, disa prej tyre u bënë drejtues televizionesh, kryeredaktor dhe redaktor mediash pa kryer ende ciklin e reporterit. Po duhet të jemi koshient që situata mediatike reflekton kaosin social në të cilën ndodhet Shqipëria. Nuk mund të pretendojmë një media të rregulluar në një vend që është kaotik. Së dyti, në profesionalizmin e gazetarisë shqiptare ndikon edhe linja editoriale. Në media kemi sot dy modele pronarësh. Është modeli i biznesmenit që bëhet pronar mediesh pa pasur asnjë lidhje dhe njohuri për gazetarinë. Ky model pronari ngushton hapësirat për një gazetari profesioniste. Ky model pronari mes gazetarit të mirë që reagon dhe e kundërshton dhe atij që i nënshtrohet sigurisht që do të zgjedhë këtë të fundit dhe shumë shpejt rezultati do të jetë një media që nuk ka asnjë vlerë profesionale. Këto media, ekzistojnë apo jo, nuk kanë asnjë ndikim në jetën tonë. Ato janë aty thjesht për të marrë reklamën dhe përfitimin e radhës. Por kemi dhe një model të dytë, atë të pronarëve që vijnë nga fusha e gazetarisë, që mund të ketë qëndrime politike të njëanshme, por të paktën në mediat e tyre prodhohet gazetari profesionale.
Çfarë formule ndryshimi ofroni për këtë situatë mediatike?
Ndryshimi do të ndodhë kur të stabilizohet i gjithë tregu në Shqipëri. Duhet pranuar se ekonomia shqiptare po bën hapa të rëndësishëm drejt formalizimit të tregut të gazetarëve. Ka një lloj përpjekje, mendoj, edhe pse e vogël, në këtë drejtim. Kur ky treg të jetë formalizuar, kur investimet e huaja të jenë të mbrojtura, kur Shqipëria me futjen në BE garanton investitorët e huaj, ekziston mundësia që të bëhemi atraktivë për kompanitë e huaja. Unë jam i mendimit se media në Shqipëri do ta gjejë shpëtimin vetëm atëherë kur një kompani e madhe e huaj që nuk ka interesat e politikës së ditës të investojë dhe të jetë e interesuar për rritjen e profesionalizimit dhe realizimin e programeve cilësore, në mënyrë që të mund ndikojë sa më shumë te shikuesi. Nëse ndodh kjo, atëherë ka një lloj shprese.
Nga të huajt i vjen shpëtimi edhe gazetarisë shqiptare?
Patjetër, nuk besoj se në këtë vend kaq të vogël, ku secili njeh tjetrin, të mund të krijosh një media që të ndryshojë Shqipërinë.
Mapo






