Home »
» Andoni Athanas, siç e kam njohur
Andoni Athanas, siç e kam njohur
Van Christo
Kam patur fatin e mirë që ta njihja Andon Athanasin (Anthony Athanas) për më shumë se 50 vjet; së pari, si shqiptaro-amerikan, ashtu si dhe unë, me të cilin më bashkonte insktitivisht vendlindja e përbashkët, Korça, dhe pastaj, si një mik të ngushtë, model jete dhe vizionar. Andoni, një burrë i pashëm, kishte shumë sqimë e cila qe, pa përjashtim, e dukshme në çdo takim me të ku, çdo herë, ishte i veshur me stil dhe sipas modës më të fundit të burrave shoqëruar kjo me sjellje elegante dhe një buzëqeshje kordiale. Garderoba e zgjeruar e Andonit frymëzohej, pjesërisht, nga aktorja amerikane Elizabeth Taylor e cila kishte shprehur miratim të fortë për një xhaketë blu dopiopetë me kopsa-rruaza të bardha që Andoni pat veshur njëherë.
E taova së pari Andonin në vitet ’50 në restorantin e tij popullor General Glover Inn në Swampscott, Massachusetts. E njihja prej së largu, sigurisht, pasi kisha lexuar për të në gazetat e Boston-it dhe e kisha parë gjatë meshave në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston apo veprimtari të tjera shqiptare në Massachusetts dhe New York. Njëherë, teksa po darkoja në General Glover, kur Andoni kaloi nga tavolina ime e thirra me hezitim Hello, Anthony. Më pa dhe me një buzëqeshje të lehtë tha: Vë bast se je shqiptar! Qesha dhe u përgjigja: Po, por nga e kuptove? Me një nënqeshje në fytyrë, u përgjigj: Ma merr mendja se ishte forma e fytyrës tënde dhe hunda dhe ktheu kokën në profil duke treguar tiparet e veta. Pastaj u ul në tavolinën time dhe më tha t’i tregoja për veten. U lumturua kur i thashë se edhe unë isha lindur në Shqipëri, në Korçë në fakt, afër fshatit të tij.
Andoni mbërriti nga Shqipëria në Amerikë në moshën 5 vjeçare, në vitin 1916. Familja e tij u vendos në New Bedford, Massachusetts. Ai punoi në restorante të ndryshme nëpër New England dhe New York ku mori njohuri të çmuara (dhe receta gatimi) që do t’i shërbenin shumë më vonë. Pasi bleu restorantin e tij të parë, në vitin 1938, në Lynn, Massachusetts, për 1 800 dollarë, filloi edhe legjenda ‘Anthony Athanas’. Më vonë ai themeloi kompaninë Anthony’s Fine Restaurants në Massachusetts përbërë nga Anthony’s Hawthorne në Lynn, Anthony’s Pier 4 Café, General Glover Inn, Hawthorne by the Sea Tavern në Swampscott, dhe Anthony’s Cummaquid Inn në Yarmouth Port, Cape Cod, duke arritur kulmin në vitin 1963 kur ai hapi restorantin, botërisht të famshëm, Anthony’s Pier 4, aty ku qyteti i Boston-it takohet me oqeanin Atlantik.
Andoni dha një ndihmesë monumentale për rindërtimin dhe zhvillimin përfundimtar të vijës bregdetare të Boston-it. Si të gjithë vizionarët, Andoni pa një mundësi ku të tjerët shihnin një pengesë. Zona përreth vijës bregdetare të Boston-it ishte e pistë, e rrëgjuar dhe aspak tunduese. Vendi që zgjodhi Andoni në vitin 1962 për të ndërtuar restorantin e tij ishte një risk i madh pasi ndodhej në një mol të braktisur prej kohësh.
Anthony’s Pier 4 u bë një sukses i menjëhershëm dhe mori lëvdata e çmime nga e gjithë bota. Brenda pak vitesh Anthony’s Pier 4 u bë i njohur si restoranti më fitimprurës në Amerikë dhe vendi i preferuar i krerëve të shteteve, presidentëve amerikanë, liderëve fetarë, shkrimtarëve dhe artistëve të shquar, atletëve etj. Kur ndodheshin në Boston, Anthony’s Pier 4 ishte vend i parapëlqyr darkimi për një grup njerëzish të njohur, përfshirë Elizabeth Taylor dhe Richard Burton, Sammy Davis, Jr., Presidentin John Kennedy, Senatorin Ted Kennedy, Mohammed Ali dhe shumë të tjerë.
Andoni ishte një perfeksionit. Edhe kur mysafirë në restorat ishin dinjitarë shtetesh, gjithmonë e shihja të vendosej në një pikë të restorantit nga e cila mund të vëzhgonte gjithë sallën e ngrënies. Nëse pikaste diçka që nuk përkonte me standardet e tij të larta, ai largohej duke kërkuar ndjesë prej bashkëbiseduesit dhe merrej me problemin. Asgjë nuk ishte e parëndësishme për të. Për shembull, njëherë e pashë tek i thoshte një kamarieri se duhej më shumë akull për gjalpin që do shërbente. Sipas meje ishte përkushtimi i tij ndaj detajeve që e bënte atë një biznesmen perfekt restorantesh.
Megjithëse nuk ishte akademik, ai ishte i shumë-kërkuar si lektor nga Harvard Business School, University of New Hampshire dhe Cornell University.
Në vitin 1978, mori çmimin Horatio Alger Award nga Horatio Alger Association of Distinguished Americans si shenjë e tranzicionit të tij nga një djalë i varfër emigrant nga Shqipëria te një nga biznemsemët më të sukseshëm në Amerikë.
Shoqëria ime e gjatë me Andonin më lejoi të isha dëshmitar i dorës së parë i krenarisë së të qenit shqiptar. Shumë herë kam parë si i përshëndeste shqiptarët me kënaqësi e dashuri të njëmendtë. Megjithëse nuk e tregonte kurrë, besoj se ka qenë pak e lodhshme për të, sa herë ndokush, pasi pikaste mbiemrin e tij Athanas, hamendësonte se ishte me origjinë greke. Sidoqoftë kisha privilegjin të isha me të një rast të tillë kur, me diplomaci, u përgjigj Jo nuk jam grek, por një fqinj i mirë i tyre; jam shqiptar!
Andoni ishte gjithnjë i gatshëm dhe i lumtur të festonte datën historike të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntorin. Në atë datë ai e bënte gati restorantin e tij të Boston-it, Anthony’s Pier 4 për të mirëpritur shqiptarë nga e gjithë Amerika në një banket përkujtimor. Ishte një ngjarje e shumëpritur nga shqiptarët e të gjitha besimeve dhe ngjyrave politike sepse gjithmonë ekspozonte një larmi të grupeve shqiptare në mbarë Amerikën.
Është e rëndësishme të përmendet gruaja e bukur dhe sharmante e Andonit, Esteri, gjithashtu shqiptaro-amerikane. Esteri dhe Andoni ishin të njohur për veprimtaritë e tyre filantropike, veçanërisht mbështetjen e pakursimtë për Arqipeshkvinë Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Përpos, amerikanët me origjinë shqiptare ishin shumë krenarë që Andoni, Esteri dhe djemtë e tyre të pashëm e të suksesshëm njiheshin nga shumë njerëz si ‘shqiptarët’. Në një mori rastesh, kur njerëzit më pyesnin për origjinën time etnike, komenti i parë i tyre ishte Oh, si Andoni Athanas.
*Van Christo është aktivist i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan të Boston-it. Ai është themelues i Frosina Network në ndihmë të emigrantëve shqiptarë e të tjerë. Familja e tij u shpërngul nga Korça në Amerikë kur ai ishte 1-vjeç. Ka shërbyer në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.







