Nga Kastriot Myftaraj
Gazeta “Sot”
5 nëntor 2008
Me marrëveshjen e fundit për ndërtimin e varrezave ushtarake greke në Shqipëri, Greqia shkallëzoi zbatimin e planit të saj për të bërë në pesrpektivë në pjesën e Shqipërisë të rivendikuar prej saj, të politikës që bën sot Serbia në Kosovë. Varrezat ushtarake greke në Shqipëri do të instrumentalizohen nga Athina siç bën Serbia me të ashtuquajturën trashëgimi historike serbe në Kosovë. Varrezat ushtarake greke në Shqipëri do të jenë ekuivalenti i përmendores serbe të Fushë-Kosovës që përkujton betejën e vitit 1389. Përmendorja serbe në Fushë-Kosovë nuk është e hershme. Ajo është ngritur në kohën e regjimit komunist në Jugosllavi, nën influencën e serbit më të fuqishëm në udhëheqjen komuniste të kohës, Aleksandër Rankoviç. E megjithatë serbët sot e konsiderojnë atë trashëgimi historike serbe dhe ajo u shtohet të ashtuquajturave monumente historike dhe kulturore serbe në Kosovë, mbi të cilat Serbia më së shumti e pretendon Kosovën, duke e quajtur tokë të shenjtë serbe.
Të njëjtën gjë do të bëjë dhe Greqia nesër, duke i përdorur varrezat ushtarake greke në Shqipëri për të potencuar rivendikimin e saj për Shqipërinë e Jugut, duke e quajtur tokë të shenjtë grekë, ku janë varret e martirëve grekë. Varrezat ushtarake greke që do të ndërtohen në Shqipëri do të jenë së bashku me kishat greke (jo me arkitekturë tradicionale ortodokse shqiptare, por greke) që po ndërton Janullatos në Shqipëri një krijim artificial i tokës së shenjtë greke në Shqipëri. Greqia, e cila pretendon që Shqipëria të nderojë të rënët grekë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjëherë nuk i ka kërkuar ndjesë Shqipërisë për marrëveshjet e fshehta zyrtare që ka bërë Greqia me vendet fqinje për të ndarë Shqipërinë. Tashmë këto marrëveshje janë botuar prej kohësh dhe as vetë Athina nuk i ka mohuar kurrë. Greqia e ka fajësuar Shqipërinë se i shpalli luftë në 1940, në suazën e Kurorës italiane, por para se të ndodhte kjo gjë, ka qenë Greqia ajo që kishte bërë marrëveshje të fshehta për ndarjen e Shqipërisë me Serbinë. Greqia ka tentuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore të bëjë marrëveshje të tilla me Jugosllavinë e Titos. Shumë kohë më vonë kur të hapen arkivat do të shihet se Greqia këtë gjë e ka bërë edhe në vitet e fundit, çka kuptohet nga politika tradicionale që ndjek Greqia ndaj Shqipërisë.
Greqia, qartësisht kërkon të ndërtojë në Shqipëri varreza gjeopolitike, të cilat synon t’ i përdorë për të siguruar në Shqipërinë e Jugut së paku aq të drejta sa po siguron Serbia në Kosovë, dhe në rast të një ndryshimi të kufijve edhe më tepër. Qeveria shqiptare, duke nënshkruar marrëveshjen për varrezat me Greqinë, nuk ka cënuar thjesht në terma të përgjithshëm integritetin e vendit, por ka shkelur edhe në terma precize ligjin shqiptar, pikërisht parimin kushtetues të ndarjes së fesë nga shteti. Sipas marrëveshjes shqiptaro-greke për varrezat ushtarake, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të kujdeset për varrezat ushtarake greke në Shqipëri. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë shkel Kushtetutën e Shqipërisë nëse e bën këtë gjë, pasi varrezat ushtarake greke në Shqipëri i përkasin ushtrisë së një shteti ku feja nuk është e ndarë nga shteti. Ushtria greke është një ushtri ortodokse greke dhe ushtarët grekë mbajnë në uniformë kryqin ortodoks grek dhe betohen me formula fetare greko- ortodokse. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, e cila për më tepër ka në krye një grek të imponuar, duke marrë kujdesin për varrezat ushtarake greke në Shqipëri, implikohet edhe më tepër në procesin e helenizimit në të cilin ajo po tërhiqet nga Janullatos. Pasojat e këtij procesi mund të imagjinohen lehtë po të konsiderohet se implikimi i kishës ortodokse në Shqipëri në politikën greke është në origjinë të zhvillimeve të vitit 1914 në Shqipëri. Kjo shkatoi, apo në doni justifikoi rebelimin islamik të atij viti në Shqipëri, i cili erdhi dy muaj pasi në Shqipërinë e Jugut u shpall autonomia e Vorio-Epirit.
Të fajësosh qeverinë aktuale shqiptare për marrëveshjen për varrezat, do t’ i thotë të bësh një ritual retorik që tashmë tingëllon pa vlerë. Qeveritë shqiptare, të djathta apo të majta qofshin, nuk e kanë as fuqinë dhe në shumë raste as vullnetin, për t’ iu kundërvënë me sukses Greqisë në çështje të tilla. Raporti i forcave është qartësisht në favor të Greqisë. Si në të gjitha rastet e ballafaqimit greko-shqiptar, edhe në çështjen e varrezave, e vetmja shpresë për ta frenuar Greqinë është tek ndërhyrja amerikane. Amerikanët duhet ta kuptojnë se shteti shqiptar do të shpërbëhet në rast se tolerohet që në organizmin e tij të zhvillohet “virusi” i futur nga Greqia. Gjithçka do të jetë një deja vu e vitit 1914. Shteti shqiptar rilindi pas kolapsit të vitit 1914 dhe u ndërtua me sukses në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, pikërisht se fuqitë e mëdha nën patronatin e të cilave ishte Shqipëria, Britania e Madhe dhe Italia, frenuan ndërhyrjet serbo-greke në Shqipëri. Problemi sot është se edhe në Ëashington ka një “virus” që cënon raportin organik strategjik amerikano- shqiptar, që është lobi greko-amerikan. Dhe këtu gjërat komplikohen shumë duke hyrë në një rreth vicioz që përbën sot sfidën më të madhe të mendim it politik shqiptar.





