Manchester United ka regjistruar fitore mbresëlënëse kundër Aston Villas edhe pse u gjet në disavantazh të dyfishtë. Takimi i zhvilluar në Villa Park përfundoi me rezultat 2-3.


Skuadra mysafire pati posedimin më të madh të topit në pjesën e parë, mirëpo ekipi vendas ishte më i rrezikshëm dhe arriti të shënojë.
Andreas Weimann e filloi dhe e mbaroi një kundërsulm të vendasve. Ai e pranoi një top nga Benteke dhe shënoi në fund të gjysmës së parë (45’+1).
Pesë minuta brenda pjesës së dytë, i njëjti futbollist e dyfishoi epërsinë (50’). Gabriel Agbonlahor ishte asistues.
Përkundër disavantazhit, Djajtë e Kuq nuk u dorëzuan. Një pasim të bukur të Paul Scholes, e shfrytëzoi Javier 'Chicharito' Hernandez për t’i kthyer mysafirët në lojë (58’).
Presioni i United u kurorëzua edhe me golin e dytë dhe të barazimit. Ishte një autogol i Ron Vlaar (63’). Në vazhdim mysafirët e kërkuan më shumë fitoren, ndërkohë që De Gea ia mohoi Weimannit het-trikun.
Angazhimi i Djajve në fund të ndeshjes u shpagua. Pas një gjuajtje të lirë të Robin van Persiet, Chicharito e shënoi golin e fitores (87’).
Manchester United vazhdon kryesimin në Ligën Premier dhe tash ka katër pikë më shumë se Chelsea që të dielën zhvillon derbin ndaj Liverpoolit.
Shikoni golat duke klikuar këtu