T’ia shpëtojmë fytyrën gjeneralit Petraeus


 Nga Anne-Marie Slaughter


Anne-Marie Slaughter

Zbardhja e detajeve të tjera të aferës së ish-shefit të CIA-s mund të marrë edhe javë të tëra. Në të njëjtën kohë, amerikanët vetëm mund të shpresojnë se përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të kombit të tregojnë një gatishmëri të ngjashme për t’u përballur dhe marrë përgjegjësi për dështimet e tyre, dhe për të vënë qasjen bipartizane në krye të manifestit të vendit dhe nevojave urgjente. Këta zyrtarë tani duhet të marrin përsipër detyrën e tyre fondamentale: të qeverisin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zhvendosur prej një debati të zgjedhjeve presidenciale në një skandal të ulët seksual brenda një jave. Për shumë amerikanë, zgjedhjet demonstruan çfarë është më e mira për vendin, duke pasuar kështu me një proces dëshpërues familjar të rrëzimit të heronjve prej piedestaleve. Për shumë joamerikanë, zgjedhjet sollën fitoren e mirëpritur dhe siguruese të Barack Obama, ndërkaq dorëheqja e David Petraeus prej postit të drejtorit të CIA-s, nuk ishte e nevojshme, një plagë prej të cilës vuante vetëm ai. Në fakt, edhe zgjedhjet presidenciale, edhe dorëheqja e Petraeusit janë pjesëza të një tërësie më të gjerë: një Amerikë që jeton me premtimet e veta. Zgjedhjet ua kujtuan shumë amerikanëve se SHBA-ja është një shtet i përkushtuar dhe i aftë për progres - të çajë përpara drejt një vizioni ideal. Obama ishte mbështetur prej një koalicioni të minoriteteve: amerikano-afrikanët, latinët, amerikano-aziatikët, amerikanët myslimanë, amerikanët homoseksualë dhe amerikanet lesbike, dhe një shumice të nënpërfaqësuar - femrat - që të gjithë së bashku vuajnë padrejtësi dhe pabarazi që duhet të hiqen qafe. Por fitues ishin ata që besojnë se Amerika është në fakt, e përkushtuar ndaj “drejtësisë së barabartë sipas ligjit”, fjalë që janë të ngulitura në verdiktet e Gjykatës Supreme.
Me zgjedhjen e një afro-amerikani president më pak se pesëdhjetë vjet pas përfundimit të segregimit zyrtar racor në shumicën e vendit, këta amerikanë shohin triumfin e vlerave të mishëruara në Kushtetutën amerikane që mbisundojnë paragjykimet sociale, politike dhe ekonomike. Ata mendojnë se presidenti është i përkushtuar për avancim të të gjithë amerikanëve, pavarësisht racës, gjinisë, prejardhjes etnike, orientimit seksual, gjendjes fizike ose statusit ekonomik. Ata gjithashtu e shohin Amerikën si një vend që njëmend reflekton botën, që josh emigrantë prej të gjitha shteteve dhe që u jep atyre një mundësi të barabartë për t’ia dalë mbanë sikur amerikanët. Dhe ata e shohin atë si një president me një vizion të një vendi që mund të rindërtojë infrastrukturën e vet, reformon kujdesin shëndetësor, forcon sistemin edukativ, dhe nxit prosperitetin e vet ekonomik me mënyra që kërkojnë kontributin e të gjithë shtetasve – dhe ai vullnet, në shkëmbim, i lejon të gjithë shtetasit të avancojnë.
Por çfarë ka lidhje ky vizion me dorëheqjen e Petraeusit, një gjeneral i stërdekoruar dhe i prezantuar si ndër më të suksesshmit përpara se të merrte kreun e CIA-s, pas publikimit të lajmit se ai kishte një lidhje jashtëmartesore? Duke gjykuar prej postimeve në rrjetet sociale, monitoruesit e huaj thjesht nuk mund ta kuptojnë pse duhet të japë dorëheqje një burrë që i shërbeu atdheut të tij në njërën prej pozitave më të ndjeshme dhe më të larta, për shkak të diçkaje që i kishte ndodhur në jetën e tij private – diçka që kishte prekur vetëm ata që ishin të përfshirë dhe familjet e tyre. Kultura amerikane, dua ta shpjegoj, i gjykon fort ashpër aferat jashtëmartesore, kështu që një zyrtar i lartë që kapet në një lidhje jashtëmartesore mund të vuajë një goditje të fortë – e më së paku duhet t’i ndodhë një drejtuesi të CIA-s. Disa miq të mi jashtë SHBA-së më shkruanin në internet se skandali nuk kishte marrë përmasat e një afere që kishte goditur punët e shtetit, dhe kështu gjenerali Petraeus duhej të mbante pozitën e tij.
Shumë amerikanë pajtohen me këtë. Në të vërtetë, edhe vetë Obama kishte hezituar ta pranonte dorëheqjen e Petraeusit. Sidoqoftë, prej prizmit tim, gjenerali bëri gjënë e duhur: vetëm duke dhënë dorëheqje ai mund ta linte rrugën hapur për ta kthyer imazhin e dikurshëm. Petraeus, mbi të gjitha, ishte gjeneral Petraeus, një ushtarak që kishte katër yje për jetën e tij të kaluar në ushtri, për komandimin e misioneve amerikane në Irak dhe Afganistan. Ai kishte diplomuar - dhe më vonë ligjëruar – në Akademinë Ushtarake të SHBA në West Point, një institucion i lartë që prihet nga slogani “Detyra, nderi shteti”. Në kohën tonë cinike, shumëkujt mund t’i duket ky një slogan i dalë mode. Por kështu nuk mendojnë edhe kadetët e akademisë. Sikur u kishte thënë edhe gjenerali Douglas MacArthur atyre në vitin 1962, ato tri fjalë “ndërtojnë karakterin themelor. Ato ju përgatisin juve për rolet e ardhshme si mbrojtës të vendit. Ato ju bëjnë aq të fortë sa për ta ditur kur jeni të dobët, dhe mjaft të guximshëm ta kontrolloni veten kur jeni të frikësuar”. Ato ju mësojnë, vazhdonte ai, “ta prini veten tuaj përpara se t’u prini të tjerëve; të keni një zemër të pastër, një qëllim që është i lartë”. Retorika e MacArthurit është bezdisëse, mund të thotë dikush. Idealet që kishte shprehur ai janë të ndershme; vetë ai kishte dëshmuar rëndësinë e tyre në më shumë se një rast. Por ai, dhe djemtë e vajzat në ushtrinë amerikane besojnë në këto ideale dhe bëjnë punën e tyre ashtu si dinë më së miri, sikur bëjnë edhe shumë shtetas të ndershëm amerikanë që tregojnë fisnikëri duke respektuar fjalët e larta të kushtetutës. Petraeus kishte shkelur kodin e tij personal të nderit dhe detyrës karshi gruas dhe familjes së tij – dhe kështu sipas këtij prizmi, edhe atë ndaj vendit, veçanërisht zotimin dhënë para atyre burrave dhe grave që i ishin besuar t’i drejtonte si drejtor i CIA-s. Kur u zbulua afera e tij, ai u përball me dështimin e tij, mori përgjegjësi për pasojat, dhe bëri atë që mendonte se ia kërkonte detyra, nderi dhe vendi. Zbardhja e detajeve të tjera të aferës së tij mund të marrë edhe javë të tëra. Në të njëjtën kohë, amerikanët vetëm mund të shpresojnë se përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të kombit të tregojnë një gatishmëri të ngjashme për t’u përballur dhe marrë përgjegjësi për dështimet e tyre, dhe të vënë qasjen bipartizane në krye të manifestit të vendit dhe nevojave urgjente. Këta zyrtarë tani duhet të marrin përsipër detyrën e tyre fondamentale: të qeverisin. Ata duhet të jenë të gatshëm të negociojnë me besim dhe kompromis për të mirën me qëllim të nxjerrjes së ligjeve, zgjedhjeve së problemeve, shmangies së krizave dhe ndërtimit të besimit në të ardhmen. Le të shpresojmë se zotimet e tyre për ta mbrojtur dhe ruajtur kushtetutën janë më shumë se fjalë të thjeshta.

Autorja është ish-drejtoreshë e planifikimit të politikës në Departamentin amerikan të Shtetit (2009-2011) një profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Princeton”. Marrë nga “Project Syndicate”