Home »
» Të gjithë e kemi dashur një Kosovë, shumë më ndryshe
Të gjithë e kemi dashur një Kosovë, shumë më ndryshe
Të gjithë e kemi dashur një Kosovë më ndryshe, një Kosovë përparimtare, të rehatshme, demokratike. E kemi dashur, pra, një Kosovë ku sundon rendi dhe ligji. Një Kosovë pa korrupsion dhe krim të organizuar. E më së shumti e kemi dashur një Kosovë unike, ku sundon mendimi i përbashkët i të gjitha partive. Ku flitet me një zë. Fatkeqësisht ka përçarje të mëdha në mes liderëve dhe partive të ndryshme. Mungon uniteti dhe bashkimi
Shkruan: Mr. Bislim Aliu
Kosovën tonë të gjithë e duan, i madhe e i vogël, edhe pse shumëçka nuk është në rregull. Dhe shumëçka edhe po na mungon. E populli vijimisht disi është bërë skeptik, duke menduar vazhdimisht se Kosova pas luftës do të përparojë dhe përditë do të bëhet mirë e më mirë. Megjithatë, fatkeqësisht tash 13 vjet s’ka përparim, s’ka ligjshmëri, s’ka demokraci, s’ka liri të shprehjes, s’ka, s’ka… dhe na u ka mbushur koka me skepticizëm dhe me mangësi të shumëllojta, që vazhdimisht po na pengojnë, për një jetë të rehatshme. Megjithatë, kemi menduar dhe shumë kemi shpresuar më ndryshe. Pra, për një Kosovë përparimtare dhe shumë demokratike.
1.
Në këtë konglomerat shpresash kemi shpresuar dhe shumë kemi shpresuar. Megjithatë, shteti me shpresa nuk formohet dhe nuk ecën përpara. Shteti formohet me punë. Pra me punë konkrete dhe me punë të vullnetshme. Shteti nuk përparohet, vetëm me fjalë teorike. Ndaj, vetëm vepra konkrete e bën shtetin e fortë dhe të ligjshëm.
Jemi mësuar ne në Kosovë, vetëm të flasim. Vetëm t’i bëjmë qejf vetes. Pra, jemi mësuar, varg e vijë, që të flasim shumë për patriotizëm dhe besa edhe për bajraktarizëm. E vepra konkrete përherë po na mungon. Ky vend do angazhim konkret dhe angazhim të sinqertë. Që secili ta kryej punën e vet ashtu si duhet dhe të përgjigjet për atë. Dhe a po e kryejmë secili punën si duhet, apo vazhdimisht po i bishtnojmë asaj!
Dhe për këtë e me gjithë mend e bëjë pyetjen; Vallë, deri kur të merremi me fjalë të mëdha teorike dhe me patriotizëm të tepruar? Dhe a është më patriotike dhe më humane që secili ta punojmë punën me ndershmëri; si mësuesi, profesori, mjeku, bujku, futbollisti, pylltari, këngëtari, piktori…pra ta ngremë cilësinë e punës, për të mirën e këtij vendi, apo përherë të merremi me fjalë të mëdha dhe fare boshe!
Pra, ta shikojmë punën dhe vetëm punën. Vetëm ky është patriotizëm praktik. Ndaj, vetëm praktika është garanci e suksesit. E ne më kot jemi mësuar të flasim dhe vetëm të flasim. Eu vallë, sa bukur dimë të flasim. E, pak flasim me punë. Me punë të sinqertë. Pra, na mungon sinqeriteti për të punuar dhe për të ecur përpara. Na mungon vullneti për të mirën e vendit.
2.
Gjithsesi të gjithë kemi dashur një Kosovë shumë më ndryshe. Një Kosovë përparimtare, një Kosovë të rehatshme, ku secili do të bënë një jetë të lumtur dhe një jetë pa brenga. Dhe kemi shpresuar vazhdimisht kemi shpresuar, për një Kosovë, ku do të sundon ligji dhe ligjshmëria. E vazhdimisht ligji përmendet kudo, e në realitet ai nuk funksionon apo nuk zbatohet si duhet. Janë mbledhur lëndë e lëndë që të zgjidhen, por më kot presim e presim dhe u mbytem duke pritur. Megjithatë, shqiptarët e kanë shpresën e madhe. Kjo, sigurisht është veti shumë e mirë, por në anën tjetër duhet edhe të punojmë. Këtë asnjëherë, mos ta harrojmë. Vetëm puna e sinqertë do të na shpie përpara. Fatkeqësisht, ajo po na mungon dhe deri kur ajo do të na mungojë?
3.
Kemi shpresuar, pra një Kosovë pa korrupsion dhe pa krim të organizuar. E fatkeqësisht korrupsioni, vazhdimisht po lulëzon. Ai pra gjendet kudo e kurdo. Ai ka quar krye në çdo pore të jetës. Kjo njollë e zezë, shumë po e dëmton Kosovën. Atë po e gjykojmë vetëm teorikisht. Atë nuk po e gjykojmë praktikisht.
Në anën tjetër, po na mungon uniteti konkret për ta gjykuar atë. A thua deri kur do të na mungon ky konkretizim! Zaten, në këto kushte, populli mbeti i varfër. Kjo varfëri përditë po na shtohet e po na shtohet. Dhe, një kategori, mbeti jashtë mase i varfër. A kemi mundur dhe a po mendojmë se atyre duhet ndihmuar, apo përherë duhet lënë ata që të vuajnë!
4.
Vazhdimisht kemi shpresuar dhe shpresën e patëm të madhe, se gjendja ekonomike do të përmirësohet dhe do të jetë më e mirë. Megjithatë, papunësia është e madhe. Flitet për 60% të papunë. E më së shumti të rinj. Ata duan punë. Me diploma në xhepa, ata sillen rrugëve. E më kot ata shpresojnë… Në anën tjetër, një pjesë bukur e mirë e politikanëve tanë punojnë në 4-5 vende të punës! E të rinjtë tanë më kot kërkojnë punë. Politikanët tanë plot gojën e kanë ligj e demokraci. Këtë e bëjnë vetëm me teori, e praktikisht, ata asnjëherë nuk veprojnë. E të rinjtë tanë, përherë flasin e flasin; edhe kësaj i thonë ligj e demokraci?...
5.
Jemi mësuar të flasim dhe vazhdimisht kështu edhe veprojmë. E pak jemi mësuar që të punojmë. Dhe vallë a do të mbushemi ndonjëherë mend, se ky vend do punë dhe me sinqeritet do punë. Ky vend do drejtësi, demokraci, por edhe shumë njerëzi..
S’do mend se Kosova është lodhur dhe skajshmërisht është lodhur nga papunësia dhe nga parregullsia. Mjaft kemi vuajtur. Dhe, mjaft kemi qenë të nënçmuar dhe të përbuzur. Kemi qenë të burgosur dhe të vrarë. E tani na duhet vendosmëria për punë dhe për të ecur përpara. Borxh e kemi para populli dhe para shteti që të punojmë dhe me sinqeritet të punojmë. Këtë përherë e do Kosova jonë e dashur. Këtë amanet duhet ta kemi të qartë dhe asnjëherë mos ta harrojmë. “Kosova është gjaku im që nuk falet” thoshte përherë, poeti ynë i madh Ali Podrimja. Këtë, pra, duhet ta kujtojmë dhe në bazë të saj edhe të veprojmë.
6.
Pra tashmë 13 vjet kemi dashur dhe vazhdimisht kemi shpresuar, një Kosovë shumë më ndryshe. Një Kosovë unike. Një Kosovë ku sundon ligji dhe ligjshmëria. Kemi dashur një Kosovë përparimtare. Një Kosovë të bashkuar, ku të gjitha partitë do të flasin me një zë. Ku liderët tanë, për të cilët votoi populli, do të jenë të bashkuar dhe do të punojnë shumë më tepër për të mirën e këtij vendi dhe të këtij populli. Kemi dashur pra, e gjithmonë do të dëshironim një Kosovë demokratike e shumë përparimtare. Një Kosovë ku secili punon punën e vet ashtu si duhet. Pra, tash e 13 vjet, shpresuam dhe përherë do të shpresojmë një Kosovë shumë më ndryshe.
Një Kosovë të fortë dhe stabile. Apo, vetëm po shpresojmë e po shpresojmë. Dhe, vallë deri kur duhet, vetëm shpresuar?





