SAMI REPISHTI
![]() |
| SAMI REPISHTI |
Prej Tivarit deri në Prevezë, kushdo që bukën quen bukë dhe besën mban besë, ashtë shqiptar dhe shqiptare, ashtë vëlla e motër gjuhe dhe gjaku të përbashkët, ashtë arbënor, ashtë arbënore.
Për ju të gjithë arbënorë, urimet tona ma të përzemërta me rastin e festimit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorën historike më 28 Nandor 1912, nga babai i kombit, Ismail Qemal bej (Vlora) dhe shokët e tij.
Shqipëria e juej dhe e jona ashtë sot nji shtet shekullor, jo krijesë e rastit, as edhe dhuratë e “Shën Adriatikut”. Sot, Shqipëria ashtë nji shtet i lirë për hir të tokës që mbrojti me gjak, të gjuhës që ruejti me kambëngulje, për hir të interesave dhe aspiratave të përbashkëta të fisit arbënor.
Nji shekull ka kalue me invazione të hueja, lufta mbrojtje, grindje të brendshme, diktatura ekstreme, regjime autoritare; dhe sot kalohet nëpër rrugën e vështirë të “tranzicionit” nga diktatura e egër e proletariatit – çmenduria monstruoze e shekullit 20 – në demokracinë e brishtë, në nji periudhë historike që do të kujtohet për të kaluemen dështake që refuzon me vdekë dhe për të renë premtuese që nuk ka fuqi me lindë.
Asnjiherë në të kaluemen tonë 25 herë shekullore, vendi i shqiptarit nuk ka qenë ma i lirë dhe ma i sigurt se sot. Shqiptarët gëzojnë nji Shqipëri të lirë, të pavarun, të etshme për demokratizim, dhe me shpresë bashkimi shpirtënor të të gjithë shqiptarëve. Shqipëria ashtë anëtare e NATO-s, garancia e pavarësisë dhe integritetit tokësor të vendit. Shqipëria po i afrohet Bashkimit Europian, garancia e nji zhvillimi ekonomik të studjuem dhe kultural të vendit në nji atmosferë që lejon dhe thith me etje të pashueme ajrin e pastër e frymëdhanës të ideve iluministe dhe humaniste të Europës së qytetnueme që duhet të përqafojmë. Në Kosove gëzojme sot lindjen e Republikës së Kosovës, e lirë, e pavarun, demokratike dhe me perspektiva europiane. Në Maqedoni kemi nji popullsi shtet-formuese e angazhueme në sigurimin e të drejtave që meritojnë. Në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës) dhe në Mal të Zi, vëllaznit e motrat shqiptare janë ngritë në nivelin e duhun për kërkim dhe afirmim të të drejtave të tyne. Por Shqipëria sot vajton fatin tragjik të Çamërisë së masakrueme, popullsinë e saj pa plang, pa shtëpi. Shqipëria për të parën herë që në periudhën e lavdishme të herojt tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, hynë plotësisht në histori si pjesë përbamëse e kontinentit dhe bashkohet në marshimin drejt lirisë së plotë të njeriut, të çdo njeriu, pa përjashtim. Europa nuk ashtë thjesht nji shprehje gjeografike, as edhe nji ishull begatie. Europa ashtë nji koncept lirie dhe humanizmi, vlera themeltare të qytetnimit, që shqiptarët duhet të përvetësojnë.
Për Shqipërinë kjo gjendje tranzicioni sot ashtë faza e ndërgjegjsimit dhe ringjalljes mbas kohës së humbun në errësinën 50-vjeçare të pushtimeve të hueja e diktaturës hermetike komuniste. Ditët e vështira të frikësimeve, arrestimeve, ekzekutimeve, vrasjeve, vjedhjes së votave, gjyqeve të paligjëshme, eliminimit të opozitës politike, të shteteve njipartiake dhe qeverive kukëll në shërbim të qendrave jashtë-shqiptare ka kalue njiherë e përgjithmonë. Kanë perëndue kohët e nji sistemi politik, qëllimi i të cilit ka qenë me krijue “njeriun e ri”, që nuk ndien shtypjen dhe as nevojën e revoltimit kundër sistemit që e detyron me shërbye si kafshë pune. Kanë kalue ditët kur kultura, arti, letërsia dhe sportet ishin të detyruem me i dhanë “nji fëtyrë njerëzore” çnjerëzimit të plotë komunist.
Sot kujtojmë eliminimin e intelektualëve, klerikëve të edukuem – sidomos ata të Kishës Katolike shqiptare – profesionistët e diplomuem në Perëndim, të rinjtë me perspektivë demokratike që u eliminuen padrejtësisht, brezninë që mbrojti traditat kombëtare dhe u zëvendësuen me elemente pa arsim e pa kujtesë historike. Sepse në kokët e tyne nuk kishte shumë “rrezikshmëri” që duhej “pastrue”, nuk kishte as dyshimin, as nevojën me kundërshtue, nuk kishte as shqetësimin për nënshtrim ndaj “Partisë” dhe doktrinës që premtonte nji jetë ma të mirë!Komunizmi si teori ka humbë aftësinë e tërheqjes magjike sepse u demaskue natyra e tij kriminale. Me kalimin e kohës dështoi plotësisht nën peshën e krimit dhe të nji sistemi ekonomik të paaftë me rikrijue burime të reja dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë. Komunizmi dështoi për arsye të frikës së përgjithshme që krijoi nji atmosferë terrori, nji atmosferë që ushqeu filozofinë e heshtjes si mjet mbijetese dhe, si rrjedhim, nënshtrimin e plotë ndaj “Shtetit” monstër. Në Shqipëri ngjau diçka thellësisht shqetësuese: shpërbamja e plotë e traditës kombëtare dhe e demokracisë.
Nji kuadro e këtillë nxjerr në shesh heroizmin e “kundërshtarit”, të njohun si luftëtar për liri gjatë Luftës së Dytë Boterore dhe si “i përndjekun” (ose disident politik) gjatë regjimit komunist. Në ditët e vështira këto dy kategori folën të vërtetën para “pushtetit”. Ata ndihmuen me pa nji fëtyrë njerëzore te çdo viktimë e regjimit të urrejtun. Historia e tyne inkurajoi ata që nuk patën guximin me u revolute. Ata u sakrifikuen për të gjithë ne! Ata janë herojt e kombit tonë!
Mentaliteti komunist ka mbijetue regjimin që e krijoi. Ai jeton akoma, e asfikson përpjekjet tona me u çlirue. Akoma sot kemi mbeturinat e frikës së qytetarëve nga pushteti qeveritar që prodhon nji shoqëni me qëndrime infantile, që pret instruksione nga “qeveria” si nxanësi nga mësuesi në shkollat fillore, e që manipulohet me lehtësinë e kafshës së stërvitun të cirkusit. Nuk duhet të jetë kështu! Ky mentalitet i smurë dhe i trashëguem duhet përbuzë. Sot shqiptarët kanë nevojë me protestue dhe me tregue se nënçmimi i talentit dhe virtytit në shoqëninë tonë përban nji rrezik të vërtetë për të ardhmen tonë.
* * *
Me hymjen në shekullin e dytë të pavarësisë dhe në historinë europiane, na duhet të orientohemi nga qëllimi kryesor: respektimi i jetës së njeriut dhe jetës me dinjitet. Me gjuhën shqipe: qytetarë liridashës me nder, besë e burrëni, për çdo burrë dhe grue shqiptare, pa asnji dallim. Na duhet të shikojmë çdonjenin nga ne si nji “person” individ me liri dhe të drejta të plota. Na duhet të pyesim çdo qytetar, duhet të njohim “andrrën” e tij, dhe nga të gjitha këto të nxjerrim përfundimet tona. Duhet të grumbullohemi rreth nji klase të ndërgjegjshme që nuk pranon uniformitetin vdekjeprurës që përqafon diversitetin dhe që ngren frymën e solidaritetit shoqënor si dëshirë e përbashkët me ec përpara. Duhet nji grupim vullnetar mendimesh të ngjashme – jo uniforme – dhe nji udhëheqje që përfaqëson esencën e mendimit të përbashkët. Thomas Jefferson e quente këtë kombinim “the natural aristocracy: talent and virtue”.
Shqipëria ka nevojë për mendje të ndrituna, zemra të pastërta dhe punë ndërtuese, të kryeme me djersë, sepse vetëm djersës i bie era ndershmëni. E lodhun nga dështimet e njimbasnjishme të klasës politike, Shqipëria ka nevojë për nji fitore të njeriut shqiptar, të qytetarit shqiptar, nji fitore që fshinë lotët e vuejtjes, shtypjes e mjerimit njiherë e përherë.
Duhet të kemi nji ide qendrore në të cilën besojmë. Francezët kanë “Liberte, Egalite, Fraternite”. Amerikanët kanë “Liberty and Justice for all”. Gjermanët: “Liria ashtë themeli i shtetit gjerman”. LIRIA ashtë vue në piedestalin ma të naltë: të lirë nga frika, sidomos e autoritetit, dhe të lirë nga uria, sidomos papunësia dhe vorfënia. Liri për të gjithë, pa përjashtim. Sepse, “partizania” në vetvete ashtë përjashtim, ashtë nji shkelje flagrante e humanizmit universal. Duhet të ndërgjegjsohemi se vetëm solidarë mund të përmirësojmë jetën e popullit tonë, me mendje të qartë dhe punë të ndershme. Na duhet nji konventë në mes të shqiptarëve dhe Shqipërisë, nji “vizion” për Shqipërinë e të gjithë shqiptarët. Na duhet nji vizion i grupimit vullnetar dhe i nji udhëheqje të pranueme lirisht. Nji komb pa vizion ashtë i dënuem me u zhdukë. “Vizioni i shqiptarëve” për shekullin e dytë të Shtetit Shqiptar duhet të jetë integrimi europian, hymja e plotë e pa rezerva në historinë e kontinentit europian. Europa ashtë shtëpia jonë! Nji përgjigje pozitive për këtë problem ekzistencial për të gjithë shqiptarët ashtë nji imperativ kategorik, korrektësia e të cilit do të përcaktojë fatin tonë, të paktën për nji shekull…. Ndoshta edhe ma gjatë. Sot, para shqiptarëve kudo që banojnë janë ditë premtuese; shqiptarët kanë përqafue rrugën e paqes, fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me të gjitha vendet. E sigurt, sot Shqipëria nuk paraqet kërcënim, por nji premtim për nji Ballkan të qetë dhe nji Europë të lirë, të begatshme dhe të bashkueme!
Vëllazën, motra shqiptarë: Gëzuar ardhmëninë e shekullit të dytë të Pavarësisë sonë gjithëkombëtare!
*City University of New York. Ish-i burgosun politik (1946-1956)






