![]() |
RAMI MEMUSHAJ |
Në gjuhësinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, ndihmesat kryesore në trajtimin e problemit të gjuhës standarde i takojnë pa dyshim A. Kostallarit, i cili jo vetëm ka përpunuar e përkufizuar një varg konceptesh që lidhen më planifikimin gjuhësor të shqipes, po edhe ka luajtur një rol udhëheqëse në organizimin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqip që u mbajt në Tiranë 40 vjet më pare.Gjuha letrare kombëtare (standarde) që sanksionoi ky Kongres, shihet prej A. Kostallarit si një sistem mbidialektor, më i përparuar e më i lartë. Këtë “sistem mbidialektor”, “sistem më sistemor” apo “makrokoine” parapëlqejmë ta quajmë “makrosistem”, duke u nisur nga struktura, funksionet dhe shtrirja e saj në krahasim me sistemet dialektore, të cilat janë mikrosisteme. Kuptimi i këtyre tri përmasave të gjuhës standarde shqipe dhe sqarimi i marrëdhënieve të saj me sistemet dialektore nuk mund të bëhet pa iu referuar veprës së A. Kostallarit, këtij gjuhëtari emri i të cilit në këtë 40-vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit sikur është harruar.
Shkalla e organizimit të një sistemi gjuhësor duket në atë se sa nënsistemet e tij u përgjigjen nevojave komunikative të shoqërisë dhe se sa zhvillohen ato për t’iu përgjigjur hap pas hapi këtyre nevojave. Për këtë mjafton të shihen ato nënsisteme që janë më të ndjeshme ndaj kërkesave të shoqërisë, siç janë leksiku dhe struktura kuptimore e fjalëve. Këqyrja e fjalorëve tregon se rezerva leksikore e shqipes standarde ka ardhur duke u pasuruar: nga 25 mijë fjalë në “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954) në 41 mijë fjalë te “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) për të arritur në mbi 70 mijë fjalë në “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (2011). Kjo do të thotë se leksiku i shqipes standarde është pasuruar me një ritëm prej 2,2 fjalësh në ditë. Për periudhën 1980-2011 ky ritëm arrin në 2,65 fjalë në ditë, që do të thotë se gjuha jonë po pasurohet me rreth një mijë fjalë në vit.
Nuk është pasuruar vetëm leksiku, po dhe kuptimet e fjalëve, të cilave u janë shtuar përbërës të rinj kuptimorë. Kështu, është llogaritur se rreth 320 fjalë në fjalorin e 2006-s dalin me kuptime të reja që nuk gjenden në fjalorin e 1980-s. Edhe në fushën e morfologjisë vërehet se ka fjalë të cilat po fitojnë kuptime gramatikore që u mungojnë fjalorëve të botuar deri më sot. P.sh., emrat duf e kthjellim, në fjalorët jepen vetëm në njëjës, por në ligjërim përdoren edhe në shumës: dufet e shpirtit, mot me vranësira e kthjellime etj.; kurse emri thashetheme, që fjalorët e japin vetëm në shumës, del edhe në njëjës: thashethem i ri, ky thashethem të burgosurish etj. E njëjta dukuri vërehet edhe te foljet. P.sh., pësorja e foljes transmetoj në fjalorë jepet vetëm në vetën e tretë: transmetohet. Por folësit televizivë thonë: transmetohemi të hënën, pra folja pësore ka fituar edhe kuptimin vetës së parë.
Gjuha standarde shqipe është sot një gjuhë kombëtare si gjithë gjuhët e tjera të zhvilluara. Edhe statusi i saj në hapësirat shqiptare është më i lartë: në Kosovë shqipja nga gjuhë zyrtare krahinore sot është bërë gjuhë e parë zyrtare; kurse në Maqedoni, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, nga gjuhë e inkurajuar është bërë gjuhë zyrtare paralele. Gjuha shqipe e ditëve tona i ka të gjitha funksionet shoqërore të një gjuhe të zhvilluar, ajo lëvrohet me shkrim në të gjitha stilet (letrar, administrativ, publicistik, shkencor, fetar) dhe përdoret në të folur në të gjithë nivelet e ligjërimit (libror, bisedor e thjeshtligjërim). Ndryshe nga më parë, kur këto stile për shkaqe politike apo ideologjike nuk lëvroheshin në shkallë të njëjtë, dmth. kishte asimetri në lëvrimin e tyre, tashmë është arritur simetria e stileve.
Për sa i përket përmasës së tretë, shtrirjes hapësinore të gjuhës standarde në raport me dialektet, na duhet që më parë të sqarojmë thelbin e marrëdhënieve gjuhë standarde - dialekt. Vetëm pas kësaj mund të kuptohet a qëndrojnë pohimet për “zhvillim konvergjent të dialekteve”, “ndërveprim dialektor”, “shkrirje dialektore” etj., që u kanë shërbyer si argumente përkrahësve të teorisë së pritjes pa fund në krijimin e gjuhës letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Në kushtet e mungesës së një zhvillimi të vërtetë urban dhe të zbatimit të politikave që pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, dialektet territoriale nuk mund të konvergojnë, të përzihen a të shkrihen. Ato kanë kufij të përcaktuar qartë dhe, si rrjedhim, nuk mund të flitet as për ndërveprim dialektor. Por me ndryshimet politike që kanë ndodhur në hapësirat shqiptare, kufijtë dialektorë janë shpërthyer. Si rrjedhim i migrimit të brendshëm, në Tiranë, në Durrës dhe në qytetet e tjera të zonës fushore e bregdetare, po edhe në Prishtinë etj., kemi dy- e shumëfishim të numrit të banorëve të ardhur prej krahinash të ndryshme. Si rrjedhim, janë shpërthyer kufijtë e të folmeve dhe të dialekteve dhe janë krijuar kushte për përzierjen e të folmeve të banorëve prej krahinash të ndryshme. Në këto qendra me popullsi të përzier ligjërimi “ka marrë tiparet e njëfarë ndërdialekti”, po të shprehemi me një term të përdorur nga A. Kostallari. Pra, për konvergim mund të flitet vetëm pas ndryshimeve demokratike, ndonëse edhe ky nuk është ende një realitet i matshëm.
Për çështjen e marrëdhënieve të gjuhës standarde me të folmet, A. Kostallari ka dhënë një përgjigje shkencore qysh më 1984. Sipas tij, të gjitha të folmet e trojeve etnike gjuhësore e të ngulimeve të diasporës janë “forma të ekzistencës së një etnolekti të vetëm”, që përfshin sistemet dialektore dhe gjuhën letrare (standarde). Nga ana teorike, shpjegon ai, sistemet e dialekteve mund të përqasen si tërësi të sintetizuara me sistemin mbidialektor të gjuhës letrare, por “në rrafshin konkret, real, ballafaqohet me këtë gjuhë vetëm çdo e folme e veçantë”. “Ky ballafaqim, - vijon Kostallari, - sot bëhet drejtpërdrejt dhe jo nëpërmjet dialektit dhe as nëpërmjet variantit dialektor që tashmë është shuar, sepse realisht ka bartës të një të folmeje të caktuar dhe jo bartës të një dialekti, domethënë të një grupi tërësor të folmesh në përgjithësi”.
Pra, dialekti dhe nëndialekti, si degëzime kryesore të gjuhës nuk janë diçka reale, po konstrukte mendore, koncepte të ndërtuara me anë të abstraktimit të veçorive të përbashkëta të një grupi të madh të folmesh që ndajnë një territor të përbashkët. Edhe pse themi “Ai flet toskërisht” apo “Ai flet gegërisht”, në të vërtetë asnjë jugor nuk flet një toskërishte të përgjithshme, as çamërishte të përgjithshme a labërishte të përgjithshme; po ashtu askush nga Veriu nuk flet një gegërishte të përgjithshme, as një gegërishte jugore, veriperëndimore apo verilindore. Në qoftë se nuk flasin në gjuhën standarde, si jugori edhe veriori do të flasin në të folmen e tyre, pra në një të folme të ngushtë që shtrihet në disa fshatra ose në një qytet me popullsi të papërzier.
Shkurt, reale janë vetëm të folmet lokale dhe gjuha standarde, që kanë lidhje të drejtpërdrejta. Por ballafaqimi i të folmeve të shqipes me gjuhën standarde ka vetëm një kahe: kjo e fundit ndikon fuqishëm mbi të parat. Të folmet ndikojnë mbi shqipen standarde vetëm për sa i përket shqiptimit të fjalëve, që në një periudhë të largët mund të shpjerë në ndryshime të shqiptimit. Sikurse vëren Kostallari, ndikimi i varianteve dialektore “ushtrohet mbi ligjërimin bisedor-letrar, ku norma nuk vepron në tërë gjerësinë e saj”, megjithëse po aty shton se “gjatë këtyre ndikimeve të ndërsjella, edhe në gjuhën e folur është pikërisht gjuha letrare që shtrihet më tepër në masat e gjera punonjëse”. Duke prekur të gjitha nënsistemet e tyre, sidomos leksikun e gramatikën dhe më pak sistemin fonetik, varianti standard, thotë Kostallari, “shpejton procesin e shthurjes së tyre shkallëzore”.
Pra, pohimet për bashkëveprimin e dialekteve me gjuhën standarde, ku dialektet shërbejnë si burim pasurimi për standardin etj. nuk qëndrojnë. Mendimi që i sheh të folmet si burim pasurimi të gjuhës i ka penguar gjuhëtarët që merren me fjalorët t’u drejtohen burimeve të vërteta të pasurimit të gjuhës. Dhe burimet e vërteta të pasurimit të gjuhës janë tri traditat letrare të periudhës para vitit 1972 (tradita letrare shkodrane, tradita letrare e Gegërisë jugore dhe varianti letrar tosk), sidomos autorët e ndaluar; gjuha e autorëve shqiptarë të periudhës pas vitit 1972; fjalorët krahinorë; leksiku terminologjik i të gjitha fushave, i pasqyruar ose jo në fjalorë; leksiku i përgjithshëm i gjuhës së publicistikës, shkencës, jurisprudencës etj.; e, më në fund, edhe huazimi i fjalëve prej gjuhëve të tjera. Studimi i gjuhës së autorëve shqiptarë ose me metodat e vjetra, ose duke shfrytëzuar programe të thjeshta kompjuterike për inventarin e fjalëve të një teksti elektronik, do të përbënte një ndihmesë të madhe të instituteve dhe të departamenteve të gjuhës shqipe për pasurimin e leksikut të shqipes. Prurjet leksikore që do të rezultonin nga këto studime do t’u shërbenin leksikografëve për të hartuar fjalorë edhe më të pasur të gjuhës sonë.
Më në fund, duke u mbështetur në idetë e A. Kostallarit për marrëdhëniet e gjuhës standarde me të folmet lokale, mund të shpjegojmë drejt edhe ku dallojnë këto nga pikëpamja e shtrirjes hapësinore dhe e numrit të bartësve të tyre. Ndërsa variantet dialektore mbulojnë territore tepër të ngushta, gjuha standarde ka shtrirje mbarëkombëtare, jo vetëm në trojet etnike, po edhe në diasporë. Në këto hapësira, ajo funksionon si një sistem i njëjtë, pa variante territoriale, për shkak se normat e saj zbatohen në të gjitha këto hapësira njëlloj, pavarësisht nga kontekstet e ndryshme politiko-gjeografike. Gjuha standarde ka bartës të saj në të gjitha hapësirat ku flitet shqipja, ndonëse me dallimin që në disa treva ajo është gjuhë e vetme (L), në të tjera gjuhë e parë (L1) e në disa të tjera gjuhë e dytë (L2). Ajo shërben si gjuhë L për zona e shtresa të tëra të popullsisë tejendanë trojeve ku shqipja është gjuhë amtare; për një masë tjetër folësish ajo është gjuhë L1, si në të folur dhe në të shkruar, por në ligjërimin e thjeshtë këta përdorin si L2 të folmen vendore; ka edhe një masë folësish që si L1 kanë të folmen lokale, por jashtë rrethit të së folmes gjuhën standarde e përdorin si L2 në komunikimin me bartës të standardit, me bartës të të folmeve të tjera dhe në përballjen me institucionet e organizatat shtetërore apo shoqërore, sidomos në formën e shkruar të saj. Më në fund, ka edhe folës që si gjuhë L, dmth. të vetme, kanë të folmen e trevës së tyre. Të tillë janë njerëzit e pashkolluar ose me shkollim të ulët që banojnë në fshat, por edhe në qytete, ku bëjnë një jetë të mbyllur. Mirëpo edhe këta ndodhen nën trysninë e përditshme të gjuhës standarde të mjeteve elektronike të komunikimit: radios dhe sidomos televizionit.
Pra, gjuha standarde shqipe, sendërtimit të së cilës A. Kostallari i kushtoi gjithë dijet dhe energjitë e veta, zotëron të gjitha cilësitë e një mjeti mbarëkombëtar komunikimi. Ajo është e aftë për të përmbushur të gjitha funksionet e një gjuhe moderne dhe po shfaqet si e barabartë me gjuhët më të zhvilluara të Europës. Zotërimi, lëvrimi, pasurimi dhe mbrojtja e saj janë detyra të shenjta për këdo që e ka shqipen gjuhë amtare.
Shqiptarja