Spanjollët rizbulojnë Amerikën

Të lodhur nga kriza, gjejnë një jetë të re në Amerikën e Jugut



Pasi u anëtarësua në euro në vitin 1999, bumi ekonomik i Spanjës e bëri këtë tokë të mundësive për miliona emigrantë nga Amerika Latine. Por që kur bumi që zgjati një dekadë, u kthye në rrënim katër vite më parë, shumë nga këto emigrantë janë kthyer në shtëpi, nën shoqërinë e një numri gjithnjë e më të madh spanjollësh, të cilët kanë mbetur pa punë në atdhe dhe po e gjejnë një jetë më të lehtë në ekonomitë e ish-kolonive të veta, të cilat janë prekur pak nga kriza dhe po përjetojnë periudhën më të mirë në historinë e vet.
Spanjollët historikisht kanë qenë një popullatë që nuk e kishte qejf emigracionin. Por tani që papunësia ka arritur në 25 për qind, shumë prej tyre kanë ndryshuar mendim.
“Europa është kthyer në hale”, thotë 45 vjeçari Xavi Berdala, një ish fotograf nga Barcelona që emigroi në Meksikë në qershor për të hapur një piceri. “Njerëzit tani e shohin Amerikën Latine me më shumë respekt dhe më shumë potencial”.
Afërsisht 370 mijë vetë emigruan nga Spanja më 2011, dhjetë herë më shumë se sa ritmi i përjetuar para krizës së vitit 2008. Rreth 86 për qind e tyre qenë emigrantë të natyralizuar në Spanjë, që kishin lindur në vende të tjera. Por edhe vetë spanjollët po lëvizin. Vitin e kaluar 50 mijë të tillë ikën më 2011. Aktualisht, një në pesë spanjollë jeton nën minimumin jetik dhe pagesat e papunësisë për shumë kanë skaduar për t’u zëvendësuar nga ndihma ekonomike.
“Situata në Spanjë vështirë se do të përmirësohet për së paku pesë vjet të tjera”, thotë Olmo del Paso, një kameraman që u largua nga Spanja për në Uruguai, pasi mbeti pa punë për dy vjet. Kur një hotel në Montevideo i ofroi punë, ai bleu një biletë dhe u nis menjëherë. Spanja beson se vitin e ardhshëm do të përjetojë një recesion prej 0.5 për qind, por shumica e ekonomistëve thotë se ky është një plan tepër optimist. Kili, Meksika, Venezuela, por edhe Brazili ku flitet portugalisht, kanë qenë destinacionet kryesore të emigrantëve të rinj.