Klubi i basketbollit Sigal Prishtina është përforcuar me plejmejkerin amerikan Devan Downey. Ai nuk ka të drejtë të paraqitet në BKT Superligë, por vetëm në Ligën Ballkanike, nëse Prishtina merr pjesë.
Prishtinasit kanë nënshkruar marrëveshje me amerikanin deri në fund të këtij sezoni.
25 vjeçari në tri vitet e fundit ka luajtur për tri skuadra të ndryshme. Sezonin e fundit ishte anëtar i TED Kolejliler në Ligën Turke TB21. Në dhjetë ndeshjet e fundit ai kishte mesatare prej 8.3 pikëve për ndeshje. Ai ka luajtur edhe për ekipet e tjera si Antalya BSB, KK Zadar, Chorale Roanne, RBC Verviers-Pepinster, Fort Wayne Mad Ants.
“Ne kemi nënshkruar marrëveshje me amerikanin që luan në pozitën e plejmejkerit. Kontratën e kemi nënshkruar kur ka ardhur drejtori i Ligës Ballkanike, Shay Stricks në Kosovë, i cili na garantoi se do të marrim pjesë në Ligën Ballkanike”.
“Edhe nëse nuk marrim pjesë në këtë ligë, në do të kërkojmë që të ndryshohet rregullorja për lojtarët e huaj dhe kërkesa jonë do të jetë me tre lojtarë të huaj. Federata na ka premtuar se klubi ynë nuk do të dëmtohet”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Artan Rugova./Telegrafi/






