1 nëntori është Dita Botërore e Vegjetarianëve. Ja pse zgjedhja për të mos ngrënë ushqime me origjinë shtazore mund të jetë e shëndetshme
Me Ditën Botërore të Vegjetarianëve, që festohet sot më 1 nëntor, çelet edhe muaji që i kushtohet promovimit të këtij regjimi ushqimor dhe njohjes së një filozofie jete që po përvetësohet nga një numër i madh njerëzish. Për të gjithë ata që nuk e dinë, dieta vegjetariane është ajo mënyrë ushqyerje që përjashton të gjitha produktet që vijnë nga bota e kafshëve. Arsyet për t’u bërë vegjetarian janë të shumta, por më e rëndësishmja është ajo e zgjatjes së jetës. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e një studimi të kohëve të fundit të kryer te vegjetarianët (këta persona nuk konsumojnë asnjë lloj mishi, ndërkohë nuk i përjashtojnë ushqimet e tjera, si qumështin, vezën, kosin, etj. Ata që hanë vetëm zarzavate, u shtohet jeta me tetë vjet në krahasim me popullsinë e zakonshme. E njëjta diferencë është vënë re mes duhanpirësve dhe personave që nuk e vënë cigaren në buzë. Sipas specialistëve një ushqyerje korrekte mund të parandalojë, kurojë dhe të sinjalizojë rrugën e sëmundjeve vdekjeprurëse.
Duke u bazuar te patologjitë, po ju tregojmë efektet e dobishme të një regjimi ushqimor vegjetarian.
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në botë. Por duke ndjekur një dietë vegjetariane, arteriet e bllokuara mund të lirohen nga pllakat që formohen prej kolesterolit pa qenë e nevojshme të përdoren barna ose ndërhyrje kirurgjikale. Kjo gjë konfirmohet edhe nga një studim i gjatë i titulluar “Harvard Nurses Health Study”, ku është mbajtur nën kontroll për 35 vjet shëndeti i një grupi grash adulte.
Futja e kolesterolit në trup, që vjen nga ushqimet me origjinë shtazore, është shoqëruar me një jetëgjatësi të shkurtër, ndërkohë që konsumimi i fibrave dhe ushqimeve bimore është shoqëruar me një zgjatje domethënëse të jetës. Mjafton të thuash që sasia e kolesterolit që merret çdo ditë te një kokërr vezë mund të shkurtojë jetën e një gruaje, po aq sa tymi i pesë cigareve në ditë për 15 vjet. Jetëgjatësia e një gruaje që konsumon çdo ditë një tas me fibra është e barabartë me atë të një gruaje që bën 4 orë vrap në javë.
Kanceri është shkaku i dytë i vdekjes në botë. Shumë studime që bazohen te lidhja dietë-kancer kanë treguar se përqindja e kësaj patologjie të rëndë është më e ulët te personat vegjetarianë. Gjithashtu shumë eksperimente kanë treguar se gratë mund ta përmirësojnë përgjigjen imunitare kundër kancerit në gji, vetëm dy javë pasi i janë nënshtruar dietës me zarzavate.
Sëmundjet pulmonare, si enfizema, mund të parandalohen dhe kurohen duke ngrënë disa lloje zarzavatesh. Një studim tjetër ka treguar se shtimi i boronicës (një frut ekzotik me veti antioksidante) te duhanpirësit ka një efekt mbrojtës kundër enfizemës.
E njëjta gjë vlen edhe për sëmundjen e Alzhajmerit: prej 20 vjetësh dihet se njerëzit që konsumojnë mish, përfshi këtu pulën dhe peshkun, kanë tri herë më shumë propabilitet që të vuajnë nga demenca, në krahasim me ata që ndjekin një dietë vegjetariane. Sipas një studimi të ri, Alzhajmeri mund të kurohet me përdorimin e produkteve bimore siç është shafrani i Indisë.
Dieta me bazë zarzavatet ndihmon në parandalimin dhe kurimin e diabetit të tipit 2. Vegjetarianët janë më pak të prekur nga kjo sëmundje në krahasim me ata që konsumojnë mish dhe peshk. Peshojnë 13 kilogramë më pak se ata që hanë gjithçka dhe mund të kenë një indeks trupor pesë pikë më të ulët se këta të fundit.
Edhe insuficenca renale, shkaku i tetë i vdekshmërisë në Amerikë, mund të parandalohet dhe kurohet me ushqyerjen e duhur. Studiuesit e Harvardit kanë veçuar tri faktorët e rrezikut që ndikojnë në përkeqësimin e funksionit të veshkave: proteinat shtazore, yndyrat shtazore dhe kolesteroli, që të tria gjenden vetëm te produktet me origjinë shtazore.
Në fund janë infeksionet e aparatit të frymëmarrjes. Me ardhjen e stinës së gripit është mirë të dini se konsumimi i frutave dhe zarzavateve mund t’i japë një ndihmë domethënëse sistemit imunitar.
Detaj
Ndihma – Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në botë. Por duke ndjekur një dietë vegjetariane, arteriet e bllokuara mund të lirohen nga pllakat që formohen prej kolesterolit pa qenë e nevojshme të përdoren barna ose ndërhyrje kirurgjikale
Parandalimi – Dieta me bazë zarzavatet ndihmon në parandalimin dhe kurimin e diabetit të tipit 2. Vegjetarianët janë më pak të prekur nga kjo sëmundje në krahasim me ata që konsumojnë mish dhe peshk