Retrospektivë poetike



 











Retrospektivë poetike
1973 – 1990

Nga FERIDE PAPLEKA

ZGJIM
Tek unë flinte një det,
Flinte një det me valë.
E zgjoi një erë në vjeshtë,
Një erë dhe vrull dhe fllad.

Pastaj valët vërshuan,
Më zunë, s’më lanë të dal.

Dhe shpirtin ma trazuan,
Me këngë, me shpresë, me vaj.

1976

SONTE


Sonte nuk kam gjumë,
Ma vodhën yjet cinxëri
Zemra ime sonte
Si deti nën hënë shushurin.
Jam hedhur
Në krahët e mëndafshtë të natës.
Në sy më flenë
Dy kulumbri dhe një bukureze.
Sonte jam universi
Qe fsheh mistere.

1976

GRURI NE PRANVERE


Në pranverë
Gruri është i blertë
Me bishta yjsh të kaltër.

Filizi i tij
Ngjitet si curril

Dhe si aromë e vakët.
Si rrahje flatre
Dhe si bisht dallëndysheje
Në ajër.

*   *   *

Sa i brishtë është !
Kur e përkund era,
Maja e tij nën shi,
Gjilpërë argjendi.

Kur bie brymë,
Struk qafën e hollë
Vetëm dëbora,
Trupin ia ngroh.

Ah, i magjepsur,
Bujku nuk flet
I përkunden në sy
Kallinjtë e pjekur

1977
VALBONA

Rrjedh mbi shkëmbinj
E virgjër, flurore,
Shtrydh nga kraharori
Qumësht dëbore.

Sa e kanë zili !
Çupat që kalojnë,
Në gjokset e reja
Amësia këndon.

                        1977


ZAMBAK E LULEBORE


Buza jote si qershi në rrfanë
luleborë e zambak.
Nga syri yt një qiell i tërë kullon,
zambak e luleborë.
Dielli nga hutimi mbi flokë të ra
luleborë e zambak.
Fytyra jote si hënë e plotë
zambak e luleborë.
Vështrime djemsh ta ngatërrojnë hapin,
luleborë e zambak.
Sa e bukur je ti që dashuron !
zambak e luleborë.

                        1977

PLEPI


Plepit këtë ditë vjeshte
Gjethet e fundit i ranë :
Ah, si dridheshin në erë !
Per degët që i mbajtën.

Maja e zhveshur dremit -
Lejlek me krahë të mbledhur,
Që i fekton në sytë gri,
Një vend i largët, i nxehtë.

Sa i vetmuar duket !
Kollos me krahë të hollë,
Gjethet, monedha pa vlerë,
Dergjen të shtrira përtokë.

Ah, ç’pikëllim ! se dielli
S’ka ku t’i ndalë rrezet,
Por pa flijim s’ka pranverë,
Puhi argjendi dhe gjethe.
Tetor 1978

TRISHTIM

Rruga nën hapat e mi këndon
dhe zogjtë po çmenden
mbi plepa.

Pranvera ka ardhur
lulet po çelin,
por, s’di se ç’më thotë zemra !

Ah, sa shpejt ikën koha !
Dhe poezia ka vënë flatra të reja.

                        1979

MBREMJE


Një yll i vetmuar
atje lart shkëlqen.

Syri im i lodhur
Tretet në eter.

Ylli përmbi tokë,
Unë nën këtë qiell.

Ai diç më thotë,
Unë diç i them.

                        1980

HENE QE ME FLE NE SHPIRT

                                    Vajzës

Hënë që më fle në shpirt
Dhe ma zbeh të qeshurën.

Luleshpatore e njomë,
Që bëhesh thikë e ma sëmbon zemrën.

Ku vajti ai mermer i ftohtë
Me thonj të trëndafiltë në gishta ?

Ne flokë bënë fole dy bilbila
Dhe ligjërojnë çdo fundmaj.

Posytë ? Ah, sytë dot s’i kujtoj !
As zërin që harroi të kumbonte.

1981

VESHTROJE, BIR, GRURIN

Vështroje, bir, grurin !
Mugullimi i tij i blertë
është gjuha e tokës
ku përzihen fjalë të gjyshërve
e stërgjyshërve.
Ku përzihen krisma e këngë,
djersë e lot,
gjak e varre.
Vështroje, bir, grurin !

1982

TE JESH I VOGEL

Ti vogëlushi im beson se
mund ta kapësh diellin,
te një rreze !
Po të ngjitesh në majëmal
e çik qiellin me kokë;
Po ta tjerrësh qumështin
nxjerr gjalpë;
Dhe se, delja e hëngri përnjimend
letrën te novela “Kërriçi i pikëlluar” 1)
Të gjitha këto
Ndryshojnë nga e vërteta,
Por ti je i lirë
t’i thuash qingjit “tinti”,
si dikur bebe,
dhe të më lutesh
ta zbres hënën për ty që lart.
Vetëm kështu unë të quaj ende të vogël
                                               
                        1982
——————–
1)      Novelë e Abdyl Bunjakut, autor nga Kosova

SI DHJETE VJET ME PARE

Dëborë e bardhë si ëndërr fëmijërie
Peizazh i shtrenjtë që shpirtin ma ngroh,
Nën plojën e butë të kristaleve magjike
Harroj se  ka trishtime kjo botë.

Fluturat më ulen në sy e në duar
E zemra më lutet të qesh marrëzisht,
Te kthehem sërish në ato ditë të arta,
Kur u njohëm bashkë e u bëmë miq.

Prapë jemi miq, kjo është e zakonshme
Por dhe e pazakonshme njëkohësisht,
Vështrimet tona të pastra si loti, janë ftohur
E turbulluar ndonjëherë, sigurisht.

Por ka mbetur dashuria e plotë si një diell,
Që prapa reve i bukur e i zjarrtë rri
Dhe është e domosdoshme në këtë kohë të sertë,
Si dita e kthjellët pas një moti me shi.

Kjo bardhësi hyjnore që prej qiellit bie,
E nusëron qytetin e dashurisë sonë,
Një vogëlush që nga sytë dhe balli është ti,
Futet mes nesh e me borë na qëllon.

Qyteti Bajram Curri, Janar 1983

RRUGA E PEMETORES

Kjo rrugë më duket e afërt,
Pemët që u kam mikur tokën,
më përshëndesin
me degët e tyre.
Bora shkrifërohet,
Akulli shkrin
nën hapat e mi
Kur bie shi,
mbështetem pas një molle
dhe pres,
Ajo më flet me gjuhën e saj
e m’i mbush sytë
me bulëza,
me lule
e me fruta.
Bujan, mars 1983

ME KA MARRE MALLI

Më ka marrë malli për të qeshurën tënde -
Gurgullimë ujërash pranverorë,
Degëz lulemolle në buzë.

Për sytë e tu
Burim i kulluar që ma huton vështrimin,
Pasqyrë ku më duket vetja e bukur.

Më ka marrë malli për dorën tënde –
Rreze agimi që zgjon ujërat e blerta.
Krehër hëne që çlodhet në kokën time.

Për profilin tënd
Vizatim i druajtur dhe kryeneç
Yll që më tërheq në orbitë.
1983

DASHURIA S’VDES
Në qiell noton hëna
Pasqyrëz e mermertë.

Dashuria s’vdes !

Dhe vjen batica natën
E zemrën ma merr

Dashuria s’vdes !

Lulëzojnë trupat tanë
Si bimët në Eden.

Dashuria s’vdes !

Si Eva dhe Adami
Ecim prej shekujsh !

Dashuria s’vdes !

                        1980

 

POETIT
       A.
Përkulur mbi tryezë
diçka midis sfinksit
dhe zjarrit.

Imazhet si një galaktikë
të rrethojnë

Pikëllohesh
kur lumi i fjalëve
ndalet,

qielli i syve të tu
yj të rinj kërkon.

Përkulur mbi tryezë,
diçka midis sfinksit
dhe zjarrit.

                        1983

DO TE DOJA TE VDISJA NE PRANVERE

Dua të vdes në pranverë,
që të më mbështjellë aroma e luleve të mollës
si një rendez-vous1) i fundit
me natyrën.
Dhe kënga e bletëve që punojnë
të më përcjellë si muzika më e bukur.
po qe se zogjtë ashtu kot
kur të fluturojnë,
do të rrëzojnë petale mbi fytyrën time.
S’do të dëshiroja tjetër lamtumirë.

Sikur te vdisja në pranverë !

                        1983
———-
  1. 1.      Rendez-vous (fr.) – takim, pikëpjekje

Related Posts: