Pse një terrorist serb është shenjtor i Kishës Ortodokse janullatiste shqiptare?




nga Kastriot Myftaraj

        Serbët, historikisht, kanë pasur disa ide që për ta kanë qenë imperative, që kanë përcaktuar kulturën dhe shtetformimin e tyre dhe që në një mënyrë apo në një tjetër ato mbeten të tilla dhe sot. Këto ide mund të shprehen kështu:
1)Zoti është në anën e serbëve (serbdashës).
2)Atje ku ka një kishë ose një manastir serb është tokë serbe e shenjtë.
3)Atje ku është tokë serbe nuk duhet të ekzistojnë joserbë.
4)Serbët duhet t’ i bashkojnë të gjitha tokat “serbe” në një shtet të vetëm.
5)Serbia e bashkuar, që të prosperojë, duhet të ketë dalje në Adriatik në një port të madh, domethënë në bregdetin shqiptar.
        Serbët, historikisht, që nga Mesjeta, për të siguruar të drejtën e tyre mbi tokat e okupuara joserbe, edhe në rast se do t’ i humbnin ato, me të okupuar një territor joserb (shqiptar, kroat, hungarez), uzurponin kishat dhe manastiret katolike dhe i shndrronin ato në tempuj serbë, duke ua atribuar ndërtimin e tyre princave dhe mbretërve serbë, të cilët kisha serbe i shenjtëronte. Këta tempuj serbët synonin t’ i përdornin si tituj pronësie mbi këto territore, për të legjitimuar rivendikimin e tyre nga ana e shtetit serb. Një nga sundimtarët serbë që më së pari e ka ushtruar këtë zeje nacionale serbe ka qenë Ivan Vladimiri, princi i Dioklesë. Ky ka qenë një princ serb që lindi në gjysmën e dytë të shekullit X (viti i saktë nuk i dihet) dhe vdiq në vitin 1015. Ivan Vladimiri e kishte origjinën nga fisi i Nemanjëve, i dinastisë mbretërore mesjetare serbe. Ai qe sundimtar i Dioklesë dhe i Rashës, Serbisë mesjetare. Në kohën kur Ivan Vladimiri pasoi të atin si sundimtar, në Ballkan ishte epoka e ekspansionit bullgar. Imperia Bullgare e Car Samuelit, që sundoi në vitet 976-1014, do të pushtonte Ballkanin bizantin nga Adriatiku deri në Detin e Zi, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Thesalinë etj., si dhe duke arritur madje deri atje sa të rrethonte Konstantinopolin, kryeqytetin bizantin. Ivan Vladimiri ishte aleat i bizantinëve kundër bullgarëve, duke u bërë kështu nismëtari i aleancës serbo-greke. Cari bullgar Samuel e kapi Ivan Vladimirin dhe burgosi në kryeqytetin e Imperisë Bullgare, në Ohër.
        Analet bizantine dhe serbe na thonë se atje e bija e Samuelit, Kosara, e cila po vizitonte burgun e pa Ivan Vladimirin dhe ra në dashuri me të. Princesha bullgare iu lut të atit që ta falte të burgosurin dhe t’ ia jepte për burrë, duke i dhënë atij si prikë sundimin mbi ish-principatën e tij. Analet serbe dhe bizantine na thonë se Samueli e pranoi lutjen e së bijës dhe Ivan Vladimiri u bë dhëndër i carit dhe sundimtar i ish-principatës së tij. Këtë përrallë mund ta besoni ose jo, sipas dëshirës, por më e logjikshme është që e vërteta të ketë qenë ndryshe, pra që të ketë qenë vetë Cari Samuel ai, duke dashur ta bënte aleat Ivan Vladimirin, për të siguruar krahun perëndimor të imperisë së tij, në kohën që bëhej gati të msynte Konstantinopolin, t’ ia ketë propozuar këtë marrëveshje, të cilën Ivan Vladimiri sigurisht që do ta pranonte. Dhe Ivan Vladimiri mori si prikë jo vetëm principatën e vet, por shumë më tepër, edhe territorin e Shqipërisë deri në Shkumbin.
        Por ai e dinte mirë se në këto territore dhe posaçërisht në territoret shqiptare, ai nuk qe një sundimtar sovran, por vetëm një qeveritar i emëruar nga sovrani i plotfuqishëm, Samueli, që mund t’ ia hiqte ato në çdo kohë atij, ose pasardhësve të tij. Për këtë arsye, Ivan Vladimiri, me siguri i këshilluar dhe nga popët e kishës serbe, vendosi që të legjitimonte sundimin e tij mbi këto territore, me anë të një “mrekullie” hyjnore. Analet serbe dhe bizantine thonë se një ditë, kur Ivan Vladimiri qe duke ecur së bashku me dy oficerë të vetët, në një pyll pranë Kërrabës, në breg të lumit të vogël të Kushës, ai pa t’ i afrohet në fluturim një shqiponjë e cila mbante mbi krahët e saj një kryq që shkëlqente. Shqiponja, e cila pretendohet të qe një engjëll, u ul në tokë, la kryqin dhe pasi i bëri nderime princit serb, u largua duke fluturuar lart në qiell. Ivan Vladimiri me të vetët, pasi i bënë nderime të mëdha shqiponjës-engjëll, iu afruan kryqit, të cilin princi serb e mori dhe e nguli në vendin ku më pas pretendohet se ndërtoi një kishë. Shqiponja-engjëll sigurisht që nuk e pa fare se në atë vend kishte një kishë e Shën Gjon Pagëzorit dhe një manastir të vjetër të ritit latin (katolik), që bizantinët e patën uzurpuar para do kohësh duke e kthyer në kishë të ritit grek. Nga këto e pati marrë emrin dhe vendi: Shijon (“Shijon” është shkurtimi i Shën Gjon), siç është toponimi “Shirgj” në Shkodër shkurtimi i “Shën Sergj”. Kjo mungesë perceptimi i erdhi shqiponjës-engjëll nga fakti se ajo qe një engjëll serb që kishte sy vetëm për kishat dhe manastiret serbe.
        Siç shihet këtu kemi të bëjmë me trukun e rëndomtë që përdornin sundimtarët serbë për të siguruar, në mënyrën e tyre, legjitimitetin e tyre mbi tokat e pushtuara. Kuptimi i kësaj “mrekullie” nga pikëpamja e serbëve qe se Zoti në këtë mënyrë ia njohu Ivan Vladimirit të drejtën e sundimit mbi territoret deri në Shkumbin dhe se tashmë këto bëheshin tokë e shenjtë serbe. Kisha që do të “ndërtohej” atje qe dëshmi e kësaj. Amen! Për të ngjarë e vërtetë përrlla ndihmonte dhe fakti që Ivan Vladimiri mbante versionin sllav të emrit të shenjtit që i pati dhënë emrin vendit. Emri “Ivan” është emri “Gjon” (Jan në greqisht) në sllavisht. Natyrisht që as serbët dhe as grekët nuk e shpjegojnë dot dhe as marrin mundimin që ta shpjegojnë se, nëse këtë kishë e ndërtoi Ivan Vladimiri atëhere përse toponimi nuk është në sllavisht, pra “Shivan” (si shkurtim), ose “Shjan”, në versionin grek (“Shën Jan”). Fjala “Shijon” nuk mund të ketë ardhur nga “Shën Joan” se në të folmen popullore, madje edhe greke, përdorej versioni “Jan”.    
        Sigurisht që analet serbe dhe bizantine nuk e përmendin fare atë që vendasit e njohin nga gojëdhëna e hershme, se në atë vend kishte një kishë dhe një manastir të hershëm të ritit latin, që ishte uzurpuar në fillim nga bizantinët, për t’ u uzurpuar pastaj nga serbët. Për analet kishtare sllave ky vend qe thjesht pyll para se atje të ndërtonte kishën Ivan Vladimiri dhe pasi u ndërtua kisha u shndrrua në tokë të shenjtë sllave. Përralla e mësipërme qesharake serbe tregohet me shumë seriozitet dhe në botimet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, si një mrekulli e shenjtë.
        Në fillim të shekullit XI, imperatori bizantin, Vasili II, filloi një mësymje të madhe kundër Imperisë Bullgare të Samuelit. Në këtë luftë, që përfundoi me shkatërrimin e Imperisë Bullgare, Ivan Vladimiri, dikur fshehtas dhe dikur haptas, mbajti anën e miqve të vet të hershëm, bizantinëve, duke e tradhëtuar vjehrrin mirëbërës. Ivan Vladimiri nuk mori pjesë në betejën vendimtare që u zhvillua midis ushtrive bizantine dhe bullgare në Grykën Kleidon  ku ushtria bullgare u mund keq duke u vrarë pjesa më e madhe e saj dhe duke u kapur rob pjesa tjetër. Imperatori bizantin, Vasili II, që pas kësaj u quajt Vasil Bullgaroktoni (bullgarvrasësi) dha urdhër që robërit bullgarë të verboheshin dhe të liheshin të lirë të shkonin në Ohër tek Samueli. Imperatori Samuel vdiq në momentin që pa të vinin ushtarët e vet të verbuar, që sipas analeve qenë 15 mijë vetë. Pas vdekjes së Samuelit në Ohër filloi një luftë për fronin bullgar në të cilën u implikua shumë edhe Ivan Vladimiri. Pasuesi i Samuelit, djali i tij Gavril Radomiri, kunati i Ivan Vladimirit u rrëzua nga froni dhe u vra pas një vitit, në 1015, nga djali tjetër i Samuelit, Ivan Vladislavi, i cili pati për ta arritur këtë mbështetjen e kunatit, Ivan Vladimirit, “shenjtit” të ardhshëm. Ivan Vladislavi e ftoi në Ohër kunatin e vet, Ivan Vladimirin, në dukje për ta shpërblyer për ndihmën që i dha për të ardhur në fron dhe kur “shenjti” i ardhshëm shkoi, e vrau këtë të fundit dhe i preu kokën, pas të gjitha gjasave si ndëshkim për tradhëtinë që i bëri të atit, Samuelit, në luftën kundër bizantinëve.
        Sipas praktikës së kohës, trupi i Ivan Vladimirit me siguri që duhet t’ u jetë hedhur qenve menjëherë pas vrasjes së tij, siç bëhej me kufomat e tradhëtarëve dhe këtë fat duhet të ketë patur edhe koka e tij, pasi të qe ekspozuar në kryeqytetin bullgar. Por, këtu kisha serbe dhe ajo greke (bizantine) sajuan një mrekulli të dytë me Ivan Vladimirin, këtë herë një të tillë që ishte e mjaftueshme që ai të shpallej “shenjt”. U sajua përralla se trupi pa kokë i Ivan Vladimirit u ngrit në këmbë, mori në dorë kokën e vet të shkëputur nga trupi dhe pastaj i hypi kalit të vet dhe udhëtoi nga brigjet e Liqenit të Prespës deri në kishën që pati ndërtuar vetë në Krrabë, pranë Elbasanit. Atje, kalorësin pa kokë e pritën me nderime të mëdha e shoqja, Kosara dhe populli dhe pastaj e varrosën në këtë kishë, në 22 maj (4 qershor) 1015, në një ceremoni të drejtuar nga kryepeshkopi serb i vendit. Kisha serbe dhe ajo greke (bizantine) e kanonizuan shenjt Ivan Vladimirin, serbët për arsye që i kam thënë më lart dhe grekët se ai mbajti anën e tyre kundër bullgarëve.
        Kuptohet që asgjë të vërtetë nuk ka në këtë përrallën e ngritjes së trupit pa kokë dhe ecjes së tij mbi kalë nga Prespa në Elbasan. Zoti sigurisht që bën mrekullira, por ai nuk ka pasur asnjë arsye përse t’ i merrte coprat e trupit të një princi serb nga stomaku i qenve të mbretit bullgar, t’ i bashkonte për të formuar trupin dhe pastaj me kokën e prerë në dorë ta bënte të udhëtonte mbi kalë deri në Elbasan. Tekefundit Ivan Vladimiri nuk qe gjë tjetër veç një sundimtar gjakatar serb, që ishte përzier në një konspiracion makbethian ballkanas dhe që u vra për shkak se tradhëtoi një mbret gjakatar, në dobi të një mbreti edhe më gjakatar. Si e vështirë të besohet që Zoti të ketë pasur simpati për këtë Ivan Vladimirin, sigurisht këtu e kam fjalën për zotin që njeh e gjithë bota dhe jo për Zotin që njohin serbët.
Zoti nuk ka pasur arsye pse ta shohë si kauzë të vetën luftën e bizantinëve në aleancë me serbët kundër bullgarëve, përveçse nga pikëpamja greke se Zoti është në anën e grekëve, për mos të thënë që është fare grek.
        Në vitin 1381, një sundimtar i zonës, Karl Topia, familja e të cilit kishte ardhur thellë nga Jugu i Shqipërisë, për të hyrë në shërbim të mbretërve anzhuinë, që sundonin Shqipërinë, e rindërtoi manastirin e Ivan Vladimirit, duke dashur ta bënte vendvarrimin e vet. Karl Topia atëhere qe në konflikt me familjen katolike të Balshajve, e cila në aleancë me Romën dhe fuqitë perëndimore ishte duke i bashkuar gjithë trojet shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën e sotme, në një shtet të vetëm. Për të siguruar aleancën e serbëve kundër Balshajve, Karl Topia nderoi kultin e Ivan Vladimirit. Princat serbë e shikonin me preokupim rritjen e fuqisë së Balshajve që po krijonin një shtet shqiptar që do të dominonte në rajon, prandaj e pritën me kënaqësi kërkesën e Topiajt për të bashkëvepruar kundër Balshajve. Me anë të serbëve, të cilët prej vitit 1371 qenë vasalë të turqve, Karl Topia arriti deri atje sa të thërriste turqit në luftë kundër Balshajve. Në vitin 1385, një ushtri turke e fuqizuar me kontigjente serbe dhe të Karl Topiajt msyu principatën e Balshajve dhe e mundi ushtrinë e tyre në Savër të Lushnjës. Kështu, Karl Topaj, dishepulli i Ivan Vladimirit, në aleancë me turqit dhe serbët, shkatërroi atë që do të qe shteti i fuqishëm shqiptar që bashkonte gjithë trojet shqiptare. Pas kësaj tradhëtie nacionale, Karl Topiaj vdiq dhe u varros siç e pati kërkuar në manastirin e Ivan Vladimirit, një vend i denjë për të, nën mbishkrime sllavisht dhe greqisht.   
        Kisha Ortodokse Greke, në shekuj, e bëri varrin e Ivan Vladimirit vend pelegrinazhi, duke hapur fjalë se atje bëheshin mrekullira, duke u shëruar të sëmurët, gjë që kupthet se është një rrenë e trashë, pasi Zoti nuk kishte përse të pajiste me fuqi çudibërëse kufomën e një princi gjakatar serb. Serbët e grekët mund të bëjnë ç’ të duan, por problemi është se Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare e njeh zyrtarisht si shenjt Shen Ivan (Joan) Vladimirin, kulti i të cilit celebrohet zyrtarisht çdo vit në manastirin e tij në fshatin Shijon pranë Elbasanit, në hyrje të Krrabës. Ç’ punë kanë besimtarët ortodoksë me këtë Ivan Vladimirin që ka qenë një sundimtar i egër serb, që sundoi në trojet shqiptare me zjarr dhe hekur, duke ia nënshtruar me dhunë kishat shqiptare kishës serbe, duke u i grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe duke i shtypur me gjakderdhje të mëdha revoltat e popullsisë shqiptare kundër sundimit të tij, çka për shqiptarët e bënte atë të qe thjesht një terrorist serb? Nderimi i Shën Joan Vladimirit është një gjë e kuptueshme në rastin e serbëve dhe grekëve, ndërsa në rastin e Kishës Ortodokse Shqiptare ajo që kuptohet është se në këtë rast i shërben Serbisë dhe Greqisë.
        Kur Ushtria Serbe mësyu Shqipërinë në 1912, porsa doli në Luginën e Drinit, oficerët i nxitnin ushtarët që të arrinin sa më parë tek varri i këtij shenjti serb, pasi ai shënonte kufirin e tokës së shenjtë serbe, që duhet të qe Lumi Shkumbin. Kështu, Serbia do të siguronte daljen në det nëpërmjet një porti të madh, Durrësit, aq të ëndërruar për serbët. Pra, ky mit është funksionalizuar nga Serbia për legjitimimin e aspiratave të saj shoviniste në hapësirën shqiptare. Është kjo arsyeja që Kisha Serbe është kujdesur vazhdimisht për reliket e këtij të ashtuquajturit Shën Joan Vladimirit. Në vitin 1935 Kisha Serbe i çoi dhuratë Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare një këmbanë prej 300 kilogramësh për kishën e “ndërtuar” nga Shën Joan Vladimiri, si dhe një arkë speciale, që nuk shkatërrohej nga zjarri për të futur në të trupin e balsamosur të “shenjtit”. Pesë vite më parë, në 1930, u hap varri i “shenjtit” nga një komision 7 kryesuar nga Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani, si dhe çuditërisht nga një farmacist, një mësues dhe dy fshatarë të zonës. Për ato që u gjetën në varr u bajt një proces-verbal, që konfirmoi “mrekullinë” pasi brenda u gjend një trup me kokë të prerë!? Ç’ komedi. Kur ishte dashur që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare mos ta njihte fare këtë të ashtuquajtur shenjt, kulti i të cilit qe imponuar deri atëhere në trojet shqiptare nga Patriarkana e Fanarit nën varësinë e së cilës qe deri atëhere kisha ortodokse në trojet shqiptare.
        Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, gjermanët, kur erdhën në Shqipëri, u habitën shumë kur panë që shqiptarët lejonin që në trojet e tyre të mbahej kulti i një sundimtari serb, që nderohej si “shenjt”, kur serbët u patën bërë gjithë ato të këqija historikisht shqiptarëve. Gjermanët, të cilët e urrenin pansllavizmin, e dogjën manastirin e Shën Joan Vladimirit. Oficeri gjerman që komandonte trupat që bënë këtë tha: “Këtu në Shqipëri ka njerëz që na quajnë si pushtues ne gjermanëve dhe këtë e kuptoj, por nuk e kuptoj se përse këtu në tokën shqiptare lejoni që të nderohet si shenjt një pushtues serb”.
        Por, relikja e “shenjtit” shpëtoi nga zjarri falë arkës speciale që pati çuar si dhuratë Kisha Serbe. Në vitin 1967 kur ndalua feja në Shqipëri dhe kisha dhe manastiri në Shijon u mbyllën, regjimi komunist tregoi për kufomën e sundimtarit pushtues serb një kujdes shumë më të madh se për eshtrat e At Gjergj Fishtës. Derisa eshtrat e At Gjergj Fishtës i hodhi në lumë, kufomën e balsamosur të “shenjtit” serb e çuan për ruajtje në Tiranë dhe më pas iu dha fshehtas Kishës Serbe, derísa në 1991 ajo u kthye në Shqipëri me ndërhyrjen e Janullatosit tek autoritetet shqiptare. Sot, kulti i këtij Ivan Vladimirit vazhdon të ekzistojë dhe të nderohet në Shqipëri, duke i shërbyer Serbisë si argument për të rivendikuar në të ardhmen territoret shqiptare, ashtu siç bën në Kosovë, nëpërmjet kishave dhe manastireve ortodokse serbe të ndërtuara atje nga mbretërit serbë. Ata që nderojnë Ivan Vladimirin sot janë pasuesit e Karl Topisë, tradhëtarit nacional që solli ushtrinë turke dhe serbe në Shqipëri për të luftuar kundër shqiptarëve që po krijonin shtetin më të madh dhe të fuqishëm shqiptar që pati ekzistuar në histori. Këta njerëz edhe sot punojnë kundër interesave shqiptare, në aleancë me serbët dhe grekët për të penguar bashkimin nacional shqiptar, në mënyrë që në perspektivë, në një situatë të favorshme, trojet shqiptare të ndahen mes Serbisë dhe Greqisë, duke u pastruar prej shqiptarëve me anë të genocidit. Kulti i ushtarakut serb me kokë të prerë-“shenjt” në qendër të trojeve shqiptare është një kob për gjithë nacionin-kombin shqiptar, nj kob që duhet larguar sa më parë.     

2006