I
Tregtari i cigareve: Vdekje popullit, në lirinë e fashizmit
Historia që tregon Enver Hoxha për bëmat e veta në prill 1939, në kohën e invadimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, mund të përmblidhet fare mirë me epigramin «Shumë zhurmë për asgjë». Ai shkruan në kujtimet e veta:
Kurrë nuk do t’ i harroj ato ditë të zeza, kur filloi të errësohej qielli i atdheut tonë, kur Italia fashiste e Musolinit na kërcënonte me invadim. Ndodhesha në Korçë, ku që prej vitit 1937 punoja si mësues në Liceun e mirënjohur të atij qyteti. Sapo kisha dalë nga mësimi, kur një i njohuri im më ndali i tronditur:
-E more vesh?- më tha,- Musolini i drejtoi Shqipërisë ultimatum!
Mbeta për një moment si i ngrirë... U nisa me shpejtësi për në farkëtarinë e mikut tim proletar, veteranit komunist, Pilo Peristeri.
Piloja, sapo më dëgjoi, e mbylli menjëherë farkën.
-Po shkoj te Miha,- tha.- Të mblidhemi.
Enver Hoxha nuk thotë se kush është ky njeri i cili ia dha këtë lajm. Si është e mundur që mban mend se shkoi në farkëtarinë e Pilo Peristerit dhe nuk mban mend se kush ia dha lajmin që Musolini i kishte dërguar ultimatum Shqipërisë. Ky njeri duhet të ishte shumë i besueshëm për Enver Hoxhën, derisa ai nuk pyeti se si e qysh, nga e mori vesh, por e mori për të vërtetë dhe u nis në farkëtarinë e Pilo Peristerit. Italia i dha ultimatum Shqipërisë në 2 prill 1939, me afat të fundit datën 6 prill. Në rast se nuk pranoheshin kërkesat e ultumatumit, atëherë Italia në 7 prill do të okuponte Shqipërinë. Ultimatumi i Italisë për Shqipërinë nuk u bë publik, në Shqipëri atë e dinte vetëm Mbreti Zog, i cili vetëm në 6 prill vuri në dijeni ministrat dhe disa deputetë. Enver Hoxhës e vuri në dijeni për ultimatumin policia sekrete mbretërore, e cila e udhëzoi që të bëhej aktiv dhe t’ i nxiste njerëzit, duke përfshirë edhe komunistët, që të ngriheshin në demonstrata. Në ato momente Mbretit Zog i interesonte që në vend të bëheshin demonstrata ku të protestohej kundër invazionit të pritshëm italianë dhe të kërkoheshin armë për të mbrojtur atdheun, se në këto demonstrata shprehej solidaritet me Zogun, duke i kërkuar atij që të vihej në krye të rezistencës. Këtë presion nga poshtë Zogu e përdorte në negociatat me italianët për të zbutur kushtet e tyre. Dikush mund të thotë se ata që u ngritën në demonstrata nuk kishin përgjegjësi për këtë instrumentalizim të tyre nga ana e Zogut. Pjesa më e madhe e tyre sigurisht që nuk kishin përgjegjësi, por njerëzit si Enver Hoxha kishin përgjegjësi, se ata po kryenin misionin që u ishte ngarkuar nga policia sekrete mbretërore. Kjo kuptohet nga qëndrimi që ata mbajtën pasi u largua Mbreti Zog nga Shqipëria, siç do të shpjegoj më tutje. Enver Hoxha, në kujtimet e veta, e konsideron mision agjenturor pjesmarrjen e Zai Fundit në organizimin e rezistencës në prill 1939:
Por edhe Zai, si njeri i përgatitur për misionin e tij agjenturor, nuk tërhiqej. Në prag të 7 prillit, pasi bëri ç’ ishte e mundur që të sabotonte punën tonë për rezistencën kundër pushtuesit, papritur ndërroi rol. Në kulmin e demonstratës popullore u ngjit në shkallët e Bashkisë dhe mbajti një fjalim «antifashist» gjithë figura, gjeste e ekstazë. Ne, që e njihnim fytyrën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë, ato efektin e bënë.[ii]
Atëherë mund të shqyrtohet edhe hipoteza se edhe Enver Hoxha në prill të 1939 vepronte me një mision agjenturor. Pse Enver Hoxha thotë se shkoi tek Pilo Peristeri dhe jo tek Mihal Lako që ishte kryetar i Grupit Komunist të Korçës? Mënyra se si Enver Hoxha rrëfen në kujtimet e veta për ato që ka bërë në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste okupoi Shqipërinë, është një ilustrim i natyrës së vet prej komediani. Ai shkruan:
Në këtë situatë Grupi i Korçës, duke çmuar seriozisht gjendjen e rëndë të atdheut dhe dëshirën e zjarrtë të popullit për ta pritur agresorin me plumba, mori inciativën të bëhej një mbledhje në Bashkinë e qytetit dhe të merrej fuqia nga ana e përfaqësuesve të popullit.[iii]
Por Grupi Komunist i Korçës a nuk ishte shpëndarë në mars 1938, sipas direktivave të Kominternit? Në të vërtetë, kjo mbledhje në bashki nuk është bërë me nismën e Grupit Komunist të Korçës, por të qytetarëve të shquar, të cilët që të bëhej një lloj organizimi qytetar në periudhën e vakuumit të pushtetit, në mënyrë që qyteti dëmtohej nga anarkia.
Enver Hoxha vetparaqitet si shumë luftarak, kur shkruan:
Ne, si grup komunist, kishim vendosur paraprakisht që në këtë mbledhje të arrihej sidomos në dy konkluzione të rëndësishme: Së pari, të regjistroheshin menjëherë vullnetarë popullore dhe me komunistë në krye, të niseshin për në Durrës; së dyti, të organizohej rezistenca e përgjithshme me armë kundër pushtuesit, kur ky të marshonte drejt Korçës.[iv]
«Ne si grup komunist» thotë Enver Hoxha! Por nëse Grupi Komunist i Korçës ekzistonte në prill 1939, atëherë kur ishte bërë anëtar i tij Enver Hoxha? Në cilën celulë kishte hyrë dhe kur? E vërteta është se, në prill 1939, Grupi Komunist i Korçës ishte shpërbërë prej një viti. Kështu shkruan Enver Hoxha më lart duket sikur ky njeri do të fillonte luftën që në prill 1939. Në mbledhjen e mësipërme Enver Hoxha i atribuon vetes rolin kryesor, gjë kjo krejt e pabesueshme se ai në Korçë nuk përfaqësonte asgjë, madje nuk ishte as korçar. Duke vënë në përdorim fantazinë e komedianit, ai shkruan:
Prandaj, i mbështetur nga shokët, u ngrita e propozova:
-Të krijojmë menjëherë një komitet për shpëtimin e atdheut, të mobilizojmë e të organizojmë të rinj e të moshuar, t’ i armatosim, t’ u presim rrugën fashistëve italianë që po na kërcënojnë me pushtim. Po ashtu, flitet se Ahmet Zogu po përgatitet të ikë vjedhurazi për në Greqi. Është detyra jonë, e do nderi i këtij populli që po demonstron kudo nëpër rrugë e sheshe që t’ i presim udhën edhe mbretit kapitullant e frikacak e t’ i japim atë që meriton.[v]
Por Enver Hoxha nuk doli t’ i mbajë fjalime turmës së qytetarëve të Korçës, të cilët qenë tubuar para bashkisë, siç bëri Zai Fundo (këtë e pohon dhe Enver Hoxha siç e kam cituar më lart), i cili për këtë gjë do të internohej më pas nga italianët. Në përfundim të gjithë kësaj zhurme, Enver Hoxha dhe komunistët nuk shprepën asnjë pushkë në prill 1939. Asnjë komunist nuk u vra në rezistencën kundër invazionit italian në 7-9 prill 1939. Enver Hoxha, për mospjesëmarrjen e vet dhe të komunistëve në rezistencën e armatosur kundër invazionit italian në prill 1939, kërkon të shfajësohet me largimin e Mbretit Zog jashtë vendit. Por Mbreti Zog nuk e sabotoi rezistencën me tjetër mënyrë veç largimit të vet. Ikja e Zogut mund të ishte një alibi për mosveprim në ditët e para të okupacionit, por ata që donin të luftonin, nuk i pengoi Zogu të dilnin në male në ditët pas okupacionit.
Ajo që do të thoshte Enver Hoxha më pas, se komunistët nuk u ngritën në luftë se qenë të përçarë, dhe se u duhej që më parë të bashkoheshin, të krijonin partinë e të ndërgjegjësonin popullin për luftë, është nonsens, sipas logjikës së Enver Hoxhës. E para, komunistët shqiptarë nuk qenë të përçarë aq për atë nëse duhej luftuar okupatori, se sa për atë nëse kjo luftë duhej konceptuar si një revolucion komunist për të marrë pushtetin. E dyta, populli shqiptar nuk kishte nevojë për propagandë komuniste që ta kuptonte se italianët qenë okupatorë dhe duheshin luftuar, se këtë gjë e kishte bërë në vitin 1920, kur nuk kishte fare komunistë. Enver Hoxha për 46 vjet rresht, që nga viti 1939, derisa vdiq në 1985, u tall me Mbretin Zog, i cili në prill, në vend që të bënte atë që kishte premtuar, se do të mbathte opingat që të shkonte në mal të luftonte, u largua jashtë vendit. Por vetë Enver Hoxha nuk doli në mal deri në korrik 1943, dhe atëherë për t’ u marrë me politikë për të ndërtuar bazat e pushtetit, dhe jo për luftë kundër okupatorit. Tito, të cilin Enver Hoxha do ta shante dhe përçmonte deri në fund të jetës, do të dilte në mal që në ditët e para pas okupimit të Jugosllavisë nga gjermanët, në 1941, dhe do të vihej në krye të krahut komunist të rezistencës së armatosur në vend.
Kur lexon «filipiket» e Enver Hoxhës për qëndrimin e Mbretit Zog, në prill 1939, nuk mund të mos nxitesh të bësh një krahasim me qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj kërkesave të jugosllavëve dhe sovjetikëve kur ai erdhi në pushtet. Mbreti Zog vërtet u largua nga Shqipëria në prill 1939, ama ai refuzoi edhe që të qëndronte në pushtet, duke pranuar kushtet e ultimatumit të Italisë, të cilat qenë më të lehta se ato që do t’ u pranonte shtatë vjet më pas Enver Hoxha jugosllavëve. Zogu mund të kishte qëndruar në pushtet, në rast se do të kishte pranuar një marrëveshshje sipas së cilës ushtria italiane të mund të dislokohej në Shqipëri. Enver Hoxha më pas do ta pranonte një gjë të ngjashme në marrëveshjet që nënshkroi me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, dhe ushtria jugosllave nuk erdhi në Shqipëri vetëm për shkak të kundërshtimit sovjetik, ndërsa ushtria sovjetike erdhi dhe iku kur deshi vetë. Tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës paraqitet ky dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit, gjatë një takimi të tyre në Moskë, në 12 nëntor 1960:
N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t’ jua falë».[vi]
Është e qartë, se po të kishte qenë për Enver Hoxhën, ushtria sovjetike do të ishte në Shqipëri edhe në 1985, kur ai vdiq. A nuk ngjan shumë e neveritshme indinjata e Enver Hoxhës për qëndrimin e Mbretit Zog në prill 1939, nën dritën e këtyre që ka thënë Enver Hoxha në 1960? Një episod që Enver Hoxha tregon në kujtimet e veta, për ditët e para të okupimit italian fashist, flet shumë për marrëdhëniet e tij me regjimin e ri:
Mbaj mend, se në ditët e para të prillit, kur ende pushtuesit s’ kishin hyrë në qytet, dikush hodhi mendimin që disa nga shokët tanë, të njohur nga autoritetet e nga agjentët fashistë për veprimtarinë e tyre antifashiste, të largoheshin nga Korça për t’ i shpëtuar internimit ose burgut. Shpërthyen kundërshtime të ashpra:
-Gjithë populli i Korçës, gjithë populli i Shqipërisë është antifashist,- theksuam në mbledhje.- Në rrugë me mijëra veta po demonstrojnë e thërresin hapur: «Poshtë fashizmi!». Atëherë, si të largohen komunistët nga populli?! E kundërta duhet të ndodhë. Ne duhet të jemi të parët në veprime e demonstrata, ne duhet t’ i tregojmë popullit rrugën e vërtetë të luftës e të çlirimit, ne duhet ta bindim atë me shembullin tonë.
Por a nuk duhej që fashistët t’ i arrestonin komunistët dhe veçanërisht ata që ishin dalluar në përpjekjet për organizimin e rezistencës ato ditë, një nga të cilët pretendon se ishte Enver Hoxha? Enver Hoxha logjikisht duhet të kishte pasur frikë nga kjo gjë. Por ai dinte dhe gjëra të tjera. Kunati i tij Bahri Omari ishte në Itali si emigrant antizogist, i mbajtur me para nga shërbimi sekret italian, dhe tash ai do të kthehej në Shqipëri. Tashmë Bahri Omari do të kthehej në Shqipëri dhe ai mund të shërbente si një kontakt i mirë i Enver Hoxhës me shërbimin sekret italian. Enver Hoxha e dinte nga Bahri Omari se italianët kur të vinin në Shqipëri do t’ i ftonin agjentët e policisë sekrete të Zogut që të punonin për ta dhe, vetëm nëse nuk pranonin do t’ i arrestonin dhe internonin në Itali. Prandaj Enver Hoxha ishte i qetë, se ai kishte ndërmend të bashkëpunonte. «Hermani» kërkonte kombinacionin magjik fitues në realitetin e ri dhe ishte i vendosur që ta siguronte atë me çdo çmim.
Në verën e vitit 1939 Enver Hoxha bëri një udhëtim të gjatë në Itali për të cilin thotë:
Kur isha mësues në Korçë dhe Italia na kishte okupuar, mua m’ u fry gjuri keq dhe doktorët më rekomanduan se duhet të bëja banja me një baltë speciale. Fahrija dhe Bariu nuk ishin kthyer akoma në Shqipëri. Mora ca para hua dhe tok me Fahrijen shkuam në Salcomaxhore. Duhet thënë se banjat ishin të mira, po ashtu edhe shërbimi dhe pata një përmirësim të tillë sa sëmundja e gjurit nuk m’ u përsërit më, bile as gjatë viteve të rënda të luftës.[viii]
Enver Hoxha nuk e shpjegon se çfarë sëmundjeje iu diagnostikua. Gjithashtu, Enver Hoxha nuk shpjegon as se kush ia pagoi qëndrimin dhe kurimin në këto llixha të njohura dhe të shtrenjta. Shumë pak nga shqiptarët që u fryhej gjuri në atë kohë mund t’ i lejonin vetes luksin që të kuroheshin në Itali. Si është e mundur që një mësues me orë në lice, t’ i lejonte vetes luksin që të shkonte në Itali për kurim, për disa muaj në llixha të njohura dhe të shtrenjta, ku terapia përfshinte dhe trajtim në klinika me pagesë? Bahri Omari nuk mund t’ ia paguante shpenzimet për këtë gjë, se ai me pagën që merrte nga shërbimi sekret italian duhet të mbante familjen. Për këtë ngjarje mësojmë diçka më tepër nga nipi i Enver Hoxhës, Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, i cili ka qenë dëshmitar i vizitës së Enver Hoxhës në Itali, në 1939, thotë në kujtimet e tij të përfshira në përmbledhjen «Kujtime me Enverin», të botuara në kohën e regjimit komunist:
Në vitin 1939 Enveri erdhi në Bari për mjekime. Nuk më kujtohet muaji, por mbaj mend se na erdhi një telegram, ku ai njoftonte ardhjen e tij dhe kërkonte që ne ta prisnim në port, gjë që e shqetësoi nënën time. Shkuam dhe kur anija iu afrua skelës pamë se Enveri ishte në kuvertën e e anijes në një karrige, me gjunjët e mbuluar me batanije. Hipëm në anije dhe morëm vesh se nuk ecte dot se kishte dhimbje të forta në këmbë, nga gjuri e poshtë. Nga anija deri në skelë e mbajti një hamall i fuqishëm, që e hipi në një pajton dhe po ky, nga pajtoni e ngjiti deri në banesën tonë. Në Bari iu nënshtrua menjëherë vizitave dhe analizave mjekësore te një patolog i njohur i Universitetit të atjeshëm, profesor Gargasole. Ky përjashtoi dyshimet për sëmundje të tjera dhe përcaktoi se ishte fjala për reumatizëm akut, që mund të shërohej me kura të ndryshme dhe me banja termale. Në Bari filloi kurat. Qëndroi në shtëpinë tonë një kohë relativisht të gjatë, ndoshta dy-tre muaj dhe gradualisht u përmirësua, ngrihej në dhomë me paterica e me bastun dhe pas njëfarë kohe filloi të dilte shëtitje.
Kur u përmirësua krejt dhe hoqi edhe bastunin Enveri u largua nga Bari për në Shqipëri. Në verë (më duket se ishte po viti 1939) së bashku me nënën time dhe vëllanë e vogël Fatosin, shkoi në Salsomaggiore (një vend me banja termike pranë Bolonjës), ku Enveri bëri banja për reumatizmën. Me sa duket mjekimet që bëri Enveri qenë shumë të dobishme sepse që nga ajo kohë, edhe në kushtet e vështira të jetës partizane, nuk pati asnjë herë ndonjë shqetësim nga reumatizmi.[ix]
Luan Omari këtu qartësisht e ka hallin që të përgënjeshtrojë traditën orale, sipas së cilës Enver Hoxha në atë kohë vuante nga një sëmundje veneriane, e cila i shkaktoi paralizë. Halli i Luan Omarit duket qartë kur thotë se mjeku përjashtoi dyshimet për sëmundje të tjera. Por Luan Omari dhe Nexhmije Hoxha, e cila ka qenë mentorja e tij në këto kujtime, «Në vend që të vinin vetulla, kanë nxjerrë sytë», siç i thonë fjalës. Enver Hoxha vetë thotë se atij i ishte fryrë vetëm njëri gju, ndërsa Luan Omari e nxjerr të paralizuar nga të dy këmbët. Luan Omari e bën këtë gjë me porosi të Nexhmije Hoxhës, e cila e dinte nga mjekët se fryrja e njërit gju është simptomë e një sëmundjeje veneriane, e cila quhet gonorre. Është qesharake që Luani dhe Nexhmija na thonë se Enver Hoxha në 1939 u paralizua nga reumatizmi akut. Reumatizmi akut nuk shkakton paralizë nga mesi i trupit e poshtë, aq sa njeriu të mos mund të lëvizë dot dhe ta marrin në krahë. Dhe në rast se do të kishte vuajtur nga reumatizmi akut në 1939, atëherë me siguri që kjo sëmundje do t’ i ishte shfaqur në dimrin e viteve 1943-1944, kur Enver Hoxha kaloi shumë ditë në male në kohë të keqe, në borë dhe në shi, dhe Enver Hoxha do të kishte mbetur i paralizuar në Kaptinën e Martaneshit, ose në kasollen e Nënë Zyhrasë në Orenjë, ose në stanet e Kostenjës, ose në kasollen e Galigatit etj.
Enver Hoxha, gjatë qëndrimit disamujor në Itali, në 1939, në fakt ka ndjekur një kurs të shërbimit sekret italian, ku u përgatit si i infiltruar i OVRA (policia sekrete politike fashiste italiane) në lëvizjen komuniste shqiptare. Për këtë gjë Enver Hoxha do të jepte shumë prova të tërthorta edhe kur erdhi në pushtet. Në 26 janar 1952 Enver Hoxha çon një «Letër udhëzuese dërguar komiteteve të partisë në rrethe mbi një problem të verifikuar në Pukë». Në këtë letër thuhet se sekretari i dytë i Komitetit të Partisë të rrethit të Pukës, Z.G.:
i mbështetur në të dhëna jo të besueshme, por të grumbulluara prej tij nga elementë armiq dhe spiunë në shërbim të okupatorëve dhe të kuislingëve, akuzonte padrejtësisht sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Pukës dhe disa shokë të tjerë, si spiunë të okupatorëve, si spiunë të okupatorëve dhe të kuislingëve në kohën e okupimit. Z. G., në kurdisjen e kësaj intrige, kishte krijuar një rreth të tij në udhëheqjen e komitetit dhe jashtë rregullave të Partisë, kishte filluar përpunimin e sekretarit të parë dhe të shokëve të tjerë.[x]
Sekretari i dytë i Komitetit të Partisë në rreth mbulonte dhe çështjet që kishin të bënin me Sigurimin e Shtetit. Nga ato që thotë Enver Hoxha më poshtë duket se sekretari i parë kishte qenë vërtet spiun i okupatorëve fashistë:
Përpara akuzave dhe veprimeve të shokut Z.G. ishin tronditur edhe vetë sekretari i parë i partisë e disa shokë të tjerë të rinisë, të cilët gjetën rrugën e mbrojtjes, jo duke e shtruar këtë çështje në komitet për ta sqaruar ose të vinin në dijeni sa më parë Komitetin Qendror të Partisë, por edhe ata u grumbulluan me njëri tjetrin për t’ u mbrojtur jo me metodat dhe rregullat e Partisë.[xi]
Por, nëse akuza e sekretarit të dytë qenë mashtrime, atëherë përse sekretari i parë i Pukës nuk shkonte te sekretari i parë në KQ, pra Enver Hoxha, por u trondit? Kuptohet se sekretari i parë i Pukës kishte qenë vërtet spiun i fashistëve. Enver Hoxha fajëson dhe shefin e Sigurimit të Shtetit në Pukë:
i dënueshëm ka qenë faji i Z. G. Dhe i shefit të Sigurimit në Pukë, të cilët pa vënë në dijeni Komitetin Qendror të Partisë dhe pa marrë autorizimin e tij, vunë në përpunim sekretarin e parë të Partisë.[xii]
Kështu, sipas Enver Hoxhës, Sigurimi i Shtetit bënte faj kur ndiqte spiunët e fashizmit që kishin depërtuar në hierarkinë e partisë. Derisa u çohej letër udhëzuese rretheve, atëherë problemi ishte i përgjithshëm dhe në parti kishte shumë «Z. G.», duke filluar nga vetë Enver Hoxha.
Në Kongresin II të PKSH, në 1952, Enver Hoxha do të deklaronte:
Komiteti Qëndror në mbledhjen e tij të datës 24 mars 1952, përjashtoi nga Komiteti Qëndror shokun Kahreman Ylli, për arsye se me rastin e verifikimit të dokumentit të tij ay nuk u tregua i sinqertë dhe u mundua të fshihte qënien e tij si anëtar i partisë i Partisë Fashiste dhe sidomos anëtar i direktoratit fashist të Peshkopisë.[xiii]
Kahreman Ylli kishte qenë sekretar politik i Komitetit të PKSH për Qarkun e Beratit dhe më pas ironikisht kishte përfaqësuar Shqipërinë në gjyqin ndërkombëtar ku Britania e Madhe e kishte paditur Shqipërinë për dëmtimin e anijeve të saj dhe vrasjen e marinarëve nga shpërthimi i minave në Kanalin e Korfuzit. Kështu Shqipëria antifashiste qe përfaqësuar me një hierark fashist në gjyqin ndërkombëtar! Por edhe pasi u përjashtu në 1952, Kahreman Ylli nuk u dënua por, si kaloi pak kohë do të bëhej anëtar i KQ dhe ministër i arsimit.
E njëjta gjë ndodhi dhe kur u godit Bedri Spahiu në 1952. I ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raporton Moskës në 7 prill 1952 për Bedri Spahiun:
Akuza kryesore dhe besoj, e vetme që u ngrit kundër tij është oportunizëm. Një sërë faktesh,- tha Enver Hoxha,- e vërtetojnë këtë tipar të Bedri Spahiut. Kështu, dikur, para themelimit të partisë, ai ka qenë anëtar i partisë fashiste dhe madje ka pasë rekrutuar edhe shokë të tjerë.[xiv]
Por Bedri Spahiu në kohën e luftës kishte qenë sekretar politik i Komitetit të PKSH për Qarkun e Gjirokastrës dhe njeriu që Enver Hoxha do të urdhëronte të bllokonte misionin e parë britanik që do të vinte në Shqipëri në 1943. Haki Toska në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, në 1948:
Unë e di që në sy të Bedriut atëherë elementë si Qemal Karagjozi, Shemsi Totozani etj., këndonin: «Moj Partia Komuniste me direktiva fashiste».[xv]
Kjo ndodhte në 1941- 1943. E megjithatë Bedri Spahiu më pas do të bëhej anëtar i Byrosë Politike të KQ, sekretar i KQ, ministër. Vështirë të besosh se ai në 1952 u godit për të shkuarën e vet fashiste, por iu përmend më tepër si pretekst. Shembuj të këtillë ka shumë dhe vetë Enver Hoxha do t’ i përmendte kur do t’ i eliminonte bashkëpunëtorët e vet të ngushtë, në sferat e larta të pushtetit komunist, siç do të tregoj më pas.
Në kujtimet e veta Enver Hoxha, me mënyra prej komediani, shtiret sikur edhe gjatë udhëtimit në Itali, ai paska vuajtur nga fashizmi, se karabinierët e vonin kur i vinin vulën pasaportës në doganë:
Kurse kur veje në gishenë e vizës së pasaportës, si në hyrje edhe në dalje fjalën e kishte karabinieri. Ai kontrollonte mbarë e prapë pasaportën, merrte lupën, shikonte vulat dhe pasi kishte mbaruar këtë operacion të hollësishëm, nxirrte nga sirtari dy albume, për rastin tim njëri me gërmën E dhe tjetri me gërmën H. Karabinieri shikonte nëse ndodhej në faqet e albumit në vendin përkatës sipas rendit alfabetik fotografia jote, vërente me kujdes herë albumin, herë pasaportën e, pastaj fytyrën dhe, po të mos gjente asgjë të dyshimtë, merrete vulën, ia bënte dy herë bamb-bamb një në bojë dhe një në pasaportë dhe ti, matanë gishesë, ku ruante një karabinier në këmbë, ia bëje dy herë uf, uf!
Kjo ishte Italia fashiste e Musolinit, armike e betuar e vendit dhe e popullit tonë, armike e Bashkimit Sovjetik, e socializmit dhe e komunizmit.[xvi]
Por këtu nuk mund të mos pyetet se përse Italia fashiste, kjo armike e betuar e komunizmit, e trajtonte me kaq indulgjencë komunistin Enver Hoxha? Kur Enver Hoxha bënte «uf, uf» para doganierëve italianë, duke shkuar dhe duke u kthyer nga resortet në Itali, Zai Fundo internohej nga italianët në ishullin e Ventotenes si antifashist, për fjalimin që i mbajti popullit të Korçës në prill 1939, ku e ftoi të luftonte kundër invazionit fashist. Në 12 maj 1939, Konti Ciano, Ministri i Jashtëm i Italisë, i cili e kishte bërë Shqipërinë si një çështje personale, shkruante në ditarin e vet:
Ka pak valëzim në ambientet intelektuale shqiptare arsye për të cilën nja njëzet persona do të internohen shpejt. Nuk duhet dhënë as shenja më e vogël e dobësisë: drejtësia dhe forca duhet të jenë karakteristikat e regjimit të ri. Punimet publike fillojnë të shkojnë mirë.[xvii]
Enver Hoxha nuk ishte një ndër ata të cilët u internuan në atë kohë. Është interesante se Enver Hoxha, në librat e veta me kujtime në të cilat tregon për vitet e okupimit italian («Kur lindi Partia», «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», «Mes njerëzve të thjeshtë», «Titistët», «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», «Për shokët e mi pionierë») nuk e përmend asnjëherë OVRA (Organizzazione di Vigillanca e Repressione del Antifascismo), policinë sekrete politike fashiste italiane që vepronte në atë kohë në Shqipëri. Enver Hoxha gjithherë përmend vetëm SIM (Servizio d’ Intelligenzia Militare), i cili qe shërbimi sekret i ushtrisë italiane. SIM nuk mbulonte ndjekjen e veprimtarisë antifashiste të kryer nga civilët. Në katër volumet masive të librit «Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar», botuar në kohën e regjimit komunist, OVRA nuk përmendet asnjëherë. Ndërsa emri i ekuivalentit gjerman nazist të saj, Gestapo, përmendet gjerësisht. OVRA, ndryshe nga Gestapo qe një tabu në kohën e regjimit komunist dhe nuk përmendej as në filmat e realizmit socialist, për luftën. Në të gjithë këta filma përmendet vetëm SIM. Në dokumentet e botuara në kohën e regjimit komunist përmendej gjithashtu edhe Zyra Politike e Ministrisë së Brendshme e viteve 1940-1943 (ish-Zyra Sekrete e monarkisë zogiste që ndryshoi emër në 1940), arkivi i së cilës u rrëmbye nga komunistët në 1943, ngjarje për të cilën është bërë edhe një film i realizmit socialist, sipas një novele të Neshat Tozajt. Por Zyra Politike në realitet qe një sektor i Ministrisë së Brendshme, ndërsa OVRA ishte një zyrë autonome, e pavarur prej Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, madje dhe prej asaj në Romë, dhe që varej drejtpërdrejt nga Musolini. Sigurisht që edhe në Shqipëri italianët pjesën më të madhe të çështjeve delikate të inteligjencës, në sensin e zbulimit dhe spiunazhit, nuk ia besonin Zyrës Politike, por i mbulonin me anë të OVRA.
Pse emri i OVRA qe tabu në Shqipëri në kohën e regjimit komunist? Kjo ndodhte për faktin se Enver Hoxha kishte frikë nga OVRA derisa vdiq në 1985. Kur Enver Hoxha erdhi në pushtet, derisa ai u kërkonte Italisë dhe Gjermanisë t’ ia paguanin Shqipërisë dëmshpërblim për okupacionin, asnjëherë nuk kërkoij që t’ i lejohej shtetit shqiptar akces në arkivat e shërbimeve sekrete të këtyre vendeve për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, sa i përkiste Shqipërisë. Në atë çka praktikisht qe fjalimi i vet i fundit publik, i quajtur përshëndetja me rastin e 40 vjetorit të çlirimit, në 1984, Enver Hoxha shprehu keqardhjen që arkivat e vendeve të ndryshme, duke përfshirë Italinë dhe Gjermaninë, mbeteshin të mbyllura për Shqipërinë, gjë që nuk qe plotësisht e vërtetë. Megjithatë, Enver Hoxha nuk qe në gjendje të thoshte se kur ai i qe drejtuar zyrtarisht Italisë dhe Gjermanisë me kërkesën për akces në arkiva e Luftës së Dytë Botërore, për dokumentet që kishin të bënin me Shqipërinë. Pse trembej Enver Hoxha nga OVRA, edhe 40 vite pasi kjo pati pushuar së ekzistuari? Kjo ndodhte për shkak se Enver Hoxha dhe liderë të tjerë komunistë të periudhës së luftës e të pasluftës, patën episode të dyshimta në veprimtarinë e tyre gjatë luftës, që mund të shpjegohen vetëm me atë se ata qenë agjentë të OVRA.
Enver Hoxha pretendon se kur u kthye nga Italia ai i shndrronte orët e mësimit në Liceun e Korçës në manifestime antifashiste:
Unë, që nga ana e Grupit Komunist të Korçës isha ngarkuar të punoja veçanërisht me rininë dhe me mësuesit patriotë e revolucionarë të Liceut, kurrë nuk do ta harroj atë atmosferë të zjarrtë e shpërthyese që sundonte në Lice e jashtë tij. Jo vetëm në bisedat me grupe të kufizuara shokësh e simpatizantësh, por shpesh edhe në orët e mësimit flisnim hapur kundër regjimit fashist e pasojave të tij, ndizeshin diskutime të gjalla, përgatiteshin mendjet dhe zemrat për betejat që na prisnin.[xviii]
Por nëse ishte kështu, italianët do të reagonin. Dhe ja si reaguan ata, sipas Enver Hoxhës:
Kuptohet, puna jonë do të binte dhe ra në sy të armikut. Pas një sërë «vërejtjesh» e survejimesh të vazhdueshme nga ana e agjentëve të fashizmit, për shembull, mua, në ditët e para të dhjetorit 1939, më komunikuan pushimin nga puna. Ndodhi kjo pas demonstratës së madhe që organizuam në Korçë më 28 nëntor të atij viti, në përkujtim të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë.[xix]
Pse duhet të tregoheshin kaq të butë dhe të durueshëm këta fashistët me Enver Hoxhën? Enver Hoxha mashtron kur e lidh pushimin e vet nga puna me pjesëmarrjen në manifestimin e 28 nëntorit se 28 nëntori vazhdonte të mbetej festë zyrtare, pasi Shqipëria nuk u aneksua nga Italia, por Imperatori i Italisë mori dhe kurorën e Mbretërisë së Shqipërisë. Ajo që ndalohej nuk ishte festimi i 28 nëntorit, por lëshimi i parullave antifashiste gjatë festimeve. Liceu i Korçës atëherë ishte bërë vërtet një qendër e manifestimeve antifashiste, gjë për të cilën Konti Ciano shkruan në ditarin e vet, në 30 janar 1945:
Parini sinjalizon se profesorët e studentët e Korçës, të cilët kanë krijuar trazira këto kohë, janë identifikuar e mendon se është i nevojshëm një dënim i rreptë. Duçja aprovon. Telefonoj që të arrestohen e të syrgjynosen në ndonjë ishull të Tirrenit. Siç është logjike janë intelektualët shqiptarë ata që ngulin këmbë kundër situatës së re. Duhet ose të thithen, kur është e mundur, ose të goditen të pathyeshmit. Nuk është një problem i madh: dy apo treqind persona. Populli nuk bezdis. Punon, fiton e gëzon një mirëqënie deri sot të panjohur. Në masën e madhe të tij, është i kënaqur.[xx]
Enver Hoxha nuk ishte njëri nga ata që u internuan. Kjo tregon se ai kishte vepruar si agjent i OVRA, për të rritur reputacionin e tij si veprimtar antifashist në rrethet komuniste. Kjo kuptohet dhe nga fakti se fashistët u sollën me shumë indulgjencë me Enver Hoxhën:
Pas kësaj, u shpalla si «i padëshirueshëm» për qytetin e Korçës dhe fillimisht më thanë se do të më transferonin në Gjimnazin e Gjirokastrës. Por fashistët ndërruan përsëri mendim: Urdhri nga Tirana ishte që të mos punoja në asnjë shkollë, sepse «turbulloja» rininë me ide të rrezikshme.
Kjo, në njërën ose në tjetrën mënyrë, do të ndodhte patjetër një ditë. Fashistët do të bënin punën e tyre, ne do të vazhdonim punën tonë.[xxi]
Por puna e fashistëve ishte që minimalisht t’ i internonin ata që bënin ato që pretendon se ka bërë Enver Hoxha. Si u mjaftuan fashistët me një shkarkim nga puna? Dhe për më tepër, si i thanë se do ta transferonin në Gjirokastër, ku supozohej se ishte shkarkuar për veprimtari antifashiste? Kjo tregon se ishte planifikuar që të shkonte me mision në Gjirokastër, por kjo duhet të jetë anuluar për shkak se ai kishte një reputacion të keq në qytetin e lindjes! Prandaj vendosën që ta çojnë me mision në Tiranë.
Enver Hoxha pretendon në kujtimet e veta se ka refuzuar oferta për punë të mirë, të bëra nga njerëzit e regjimit, kur do të shkonte në Tiranë, në 1940:
Disa «nacionalistë», të lidhur me fashistët, kur dëgjuan se unë, pas vendimit për pushim nga puna, po shkoja në Tiranë, më propozuan ndihmën e tyre që ta zbutnin qeverinë e të më emëronin mësues në Gjimnazin e Tiranës! Si duket donin të më «merrnin me të mirë», donin që në Tiranë, pas kësaj që «pësova» në Korçë, të qëndroja «urtë» e të mos trazohesha në politikë!
Kundërshtova kategorikisht:
-Jo-, u thashë,- nuk do të merrem më me mësuesi. Kam vendosur të ushtroj… tregtinë në Tiranë!
Kjo edhe i habiti, po edhe sikur i qetësoi njerëzit e fashizmit e të qeverisë kuislinge. «E po, thanë, e pa edhe ky që s’ i bihet murit me kokë dhe tani po u bëka si ne, tregtar».[xxii]
Enver Hoxha nuk thotë se cilët qenë këta njerëz në Korçë që ia bënë këtë ofertë. Se kështu do të dilte që këta qenë miku i tij Faslli Frashëri dhe ndonjë tjetër si ai, në rrethin e të cilëve Enver Hoxha kishte hyrë dhe për të cilët thotë gjithë të zezat më pas.
Enver Hoxha në kujtimet e veta mundohet shumë për ta paraqitur marrjen me tregti pas largimit nga Korça, si një angazhim në kuadrin e veprimtarisë së Grupit Komunist të Korçës dhe veprimtarisë së vet të supozuar antifashiste:
Ideja për të shkuar në Tiranë e «për t’ u marrë me tregti» nuk ishte një gjetje e rastit dhe nuk lindi thjesht nga fakti i pushimit tim nga puna. Jo, kjo ishte një punë e menduar dhe e llogaritur mirë nga ana e Grupit tonë komunist… Atje, me porosi të qendrës, duhej të ngrinim degën e Tiranës të Grupit Komunist të Korçës, të zgjeronim mbi baza të shëndosha veprimtarinë e grupit dhe të organizonim lëvizjen antifashiste në kryeqytet e në krahina të tjera të vendit.[xxiii]
Enver Hoxha vazhdon të bëjë sikur harron që Grupi Komunist i Korçës duhet të ishte shpërbërë që në mars 1938, sipas direktivave të Kominternit. Krijimi në Tiranë i një dege të ish-Grupit të Korçës, për të cilën thotë se u ngarkua Enver Hoxha, ishte shkelje e direktivave të Kominternit. Në rast se Grupi Komunist i Korçës ishte rikrijuar, atëherë kur u bë Enver Hoxha anëtar i tij, duke hyrë në një celulë? Ai nuk thotë se e ka bërë një gjë të tillë. Në rast se u krijua një degë e Grupit komunist të Korçës në Tiranë, atëherë kjo do të thotë se u krijuan celula. Enver Hoxha nuk ka thënë kurrë se u bë anëtar i ndonjë celule komuniste të Grupit të Korçës në Tiranë. Ai vazhdon mbetet evaziv. Pastaj të gjitha ato që thotë Enver Hoxha më lart qenë veprimtari politike komuniste dhe nuk kishte lidhje me luftën kundër okupacionit fashist, por me ndërtimin e instrumenteve të pushtetit të ardhshëm komunist, sipas manualit kominternian. Veprimtaria komuniste nuk ishte automatikisht veprimtari antifashiste. Në rast se Enver Hoxha dhe komunistët e tjerë për të cilët ai flet donin vërtet të luftonin okupatorin fashist, atëherë duhej që ata të dilnin në mal, qoftë në Pezë, ku kishin mikun e tyre Myslim Pezën, qoftë në vende të tjera. Por Enver Hoxha nuk e bëri këtë gjë. Në 1940, në vend që të bëhej luftëtar, ai u bë tregtar! Këtu del në skenë përsëri Esat Dishnica:
Thirra në Korçë simpatizantin e vjetër të grupit tonë komunist, Esat Dishnicën. Ai rridhte nga një familje e pasur, por fakt është se ky njeri patriot ishte ndër të parët që gjithë pasurinë e tij e vuri në shërbim të çështjes së Partisë e të popullit. Esati njihej prej të gjithëve për ndjenjat e tij të theksuara antizogiste dhe, aq hapur i demonstronte këto ndjenja, sa i kishte dalë nami si njeri «anarkist, si «njeri i opozitave»...
E thirra të vinte në Korçë, aty nga mesi i dhjetorit të vitit 1939. Erdhi menjëherë.
-A mund të na rregullosh një dyqan në Tiranë,- i thashë. –Unë e disa shokë të grupit duhet të vijmë «për punë» atje.
-Kur të doni!- tha i vendosur.- Po ku? Në periferi?!
-Jo,- i thashë,- mu në mes të Tiranës, mundësisht sa më afër qendrës!
Në rast se Esat Dishnica ishte simpatizant i Grupit komunist të Korçës, çfarë ishte Enver Hoxha? As ai nuk thotë dot se ishte më tepër se simpatizant. Esat Dishnica në fakt ishte vetëm simpatizant i Enver Hoxhës. Esati, siç kam thënë ishte një bej i pasur, aventurier, hedonist, pervers, ekcentrik, që nuk mbaroi dot një shkollë të lartë, si Enver Hoxha. Esat Dishnica mund të ishte gjithçka, por jo simpatizant i komunizmit, edhe pse ai nuk e kishte problem ta luante këtë rol, si një aventurë të re, kur bëhej për llogari të regjimit, çka ishte pa rrezik dhe madje i sillte përfitime të ndryshme. Esat Dishnica nuk mund të jetë habitur nga fakti që Enver hoxha po kërkonte ta shndrronte në qendër komuniste një dyqan në qendër të Tiranës, se ai e dinte mirë që Enver Hoxha qe njeriu i OVRA, ashtu si dhe ai vetë. Por Enver Hoxha këtu i atribuon Esat Dishnicës habinë që shprehnin ata komunistë, të cilët nuk i dinin lidhjet e Enver Hoxhës me regjimin. Enver Hoxha ka një sens të çuditshëm të veprimtarisë ilegale në kushtet e okupacionit fashist:
e binda se pikërisht në qendër një dyqan legal ngjall më pak dyshime për punën ilegale si dhe për avantazhet e tjera që do të kishte vendosja jonë atje.[xxv]
Por këta njerëz të njohur si komunistë do të binin shpejt në sy në Tiranën e vogël të asaj kohe. Përveç në rastin kur po bënin një veprimtari ilegale me lejen e autoriteteve. Enver Hoxha në fragmentin e mësipërm flet dhe për avantazhe të tjera që kishte qenia e dyqanit në qendër, por nuk thotë se cilat qenë avantazhet e tjera. Mos e ka fjalën se duke qenë atje pranë kuestura, vetëm njëqind hapa larg, ishin të mbrojtur? Enver Hoxha, më tutje në kujtimet e veta, kërkon të krijojë një tymnajë për atë se çka tregtohej vërtet tek ky dyqan:
biseda erdhi te mallrat që do të shitnim. S’ qenkej punë e thjeshtë! Ca më tepër për mua që kurrë ndonjëherë më parë s’ më kishte shkuar ndër mend se do të vinte dita të futesha edhe në të fshehtat e tregtisë! Por kisha një avantazh: s’ më interesonin fare të fshehtat e nxjerrjes së fitimit, por të fshehtat e një pune pune ilegale sa më të efektshme.
-Të shesim sende të vogla,- i thashë Esatit,- cigare, kafe, pije, sallam... Kështu dyqanin do ta frekuentojnë sa më shumë njerëz të thjeshtë e, në mes tyre, njerëzit tanë do të hyjnë e do të dalin më lirisht, nuk do të bien lehtë në sy të spiunëve. Si thua ti?!
Kështu si e përshkruan Enver Hoxha del të ishte kafene, ku shiteshin edhe cigare me pakicë. Por në fakt, dyqani ishte qendër grosiste, për shitjen e cigareve me shumicë, por kishte dhe një kafene të vogël. Kjo kuptohet tërthorazi edhe nga ato që thotë Enver Hoxha:
Ja kështu u gjet dyqani i cili u quajt «Flora», duke marrë emrin e fabrikës së cigareve ku ishte drejtor Esati. Pronari i kësaj fabrike ishte daja i tij, Ibrahim Biçaku, që më pas u vu në shërbim të nazistëve dhe u bë kryetar i njëfarë «komiteti ekzekutiv provizor», që u krijua nga gjermanët pas ardhjes së tyre në Shqipëri. Pas çlirimit të vendit ky u dënua nga gjyqi i popullit si tradhtar e kriminel lufte.[xxvii]
Së pari këtu duhet thënë se Ibrahim Biçaku ishte daja i Esatit, dhe ishte që në atë kohë në shërbim të fashistëve. Ibrahim Biçaku, në 1939, ishte anëtar i Asamblesë kushtetuese që i ofroi kurorën e Shqipërisë Mbretit të Italisë, Victor Emanuele III. Enver Hoxha, sipas praktikës së vet, nuk e shpjegon se përse dyqani i tij mori emrin e fabrikës së cigareve të Ibrahim Biçakut. Kuptohet përse. Nëse Enver Hoxha do ta bënte këtë gjë, do të duhej të thoshte se dyqani e mori këtë emër se kishte ekskluzivitetin për Tiranën të shitjes me shumicë të cigareve «Flora». Atje vinin ata që shisnin cigare me pakicë dhe blinin pako të mëdha me paketa cigaresh. Që dyqani «Flora» ishte pikë shitjeje grosiste, kjo kuptohet dhe nga këto që thotë Enver Hoxha më poshtë:
Cigaret që shitnim kërkoheshin shumë dhe për ne kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse na jepej mundësia që, me anën e tyre, ne të fitonim simpatinë e dyqanxhinjve të vegjël e të varfër.
-Këtyre t’ u japim pako më shumë, - u thosha shokëve,- të tregohemi shumë dashamirës, të drejtë, t’ ua japim edhe me kredi kur nuk kanë.
-Enver, për komunizmin ke dorë të lirë,- ndërhynte Esati.- Sa për Biçakun të mos kesh merak, se atij ia bëj mendjen tym fare unë,- thoshte ai për pronarin e fabrikës së cigareve.[xxviii]
Që dyqani «Flora» ishte një tregti cigaresh me shumicë, kjo thuhet edhe në kujtimet e Jashar Menzelxhiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, të cilat janë botuar në librin «Kujtime me Enverin»:
Babai im ishte duhanshitës dhe e kishte dyqanin përballë dyqanit «Flora», ku shoku Enver ushtronte veprimtarinë e tij. Në atë kohë kishte mungesë të madhe cigaresh. Zhvillohej edhe treg i zi. Babai i shiste paketat me pakicë, kurse dyqani «Flora» shiste me shumë pako. Shoku Enver babain e furnizonte vazhdimisht me topa cigaresh, mirëpo babai nuk ngopej, sa vinin në dyqan, plaku më çonte prapë:
-Shko,- më thoshte,-na merr nga «Flora» dy topa paketa.
Shkoja
-Profesor,- i thoja,- më jep dy topa cigare «Flora».
Licenca për shitjen e cigareve me shumicë jepej nga Ministria e Financave. Këtë dokument Enver Hoxha e ka asgjësuar. Marrja e lejes për të shitur cigare me shumicë ishte një gjë e vështirë, pasi kjo qe një tregti me fitim të madh dhe marrja e kësaj leje ishte një privilegj. Si ia bëri regjimi këtë privilegj Enver Hoxhës që pretendon se ishte pushuar nga puna si antifashist? Kuptohet se ky ishte një shpërblim për misionin e Enver Hoxhës për llogari të OVRA. Derisa duhani është i dëmshëm për shëndetine njeriut dhe ia shkurton jetën atij që e pi, për çka tregtarët e duhanit quhen edhe tregtarë të vdekjes, atëherë mund të thuhet se Enver Hoxha ishte duke e zbatuar në sens të kundërt atë që do të ishte më pas slogani i komunistëve dhe partizanëve: Vdekje e fashizmit, liri popullit! Enver Hoxha e kishte bërë atë: «Vdekje popullit, në lirinë e fashizmit!»
Sipas atyre që tregon Enver Hoxha ai dhe njerëzit e tij, me lejen dhe ndihmën e Esat Dishnicës, morën praktikisht nën kontroll edhe fabrikën e cigareve «Flora», ku Esati ishte drejtor:
I bëra një raport Mihas, ku i kërkoja të më dërgonin në ndihmë shokë punëtorë korçarë për të filluar një punë më të gjerë jo vetëm në gjirin e punëtorëve, numri i të cilëve ishte më i madh, por edhe me shtresat e intelektualëve antizogistë e antifashistë. Dhe kështu më erdhi ndihma: Pilo Peristeri, Kristo Mushi, Ilo Dardha, Sotir Sykuçka (Lubonja) dhe Sotir Vullkani... Për të mbuluar lidhjet tona i rregulluam në punë si mundëm, kush u fut formalisht si çirak në dyqanin «Flora», ndër ta edhe Pilo Peristeri, kush hyri si punëtor në fabrikën e cigareve, ku grumbulluam edhe punëtorë të tjerë.[xxx]
Kur Enver Hoxha thotë se i bëri një raport Mihas (Miha Lako) nënkupton se në Tiranë ishte ai që e drejtonte punën e Grupit të Korçës, gjë që duket e pabesueshme se Enver Hoxha nuk ishte as anëtar i ndonjë celule të grupit dhe simpatizant formalisht. Grumbullimi në një dyqan në qendër të Tiranës, si dhe në fabrikën e cigareve «Flora», i aq njerëzve të ardhur nga Korça, dhe të njohur si anëtarë të Grupit Komunist të Korçës, sa ç’ thotë Enver Hoxha, nuk mund të kalonte pa rënë në sy të policisë, e cila do të reagonte, me përjashtim të rastit kur nuk do të kishte motive të tjera për të qëndruar pasive. Esat Dishnica, sado «simpatizant» i komunistëve që të ishte, nuk do të guxonte që ta bënte këtë gjë, aq më tepër kur dëmtohej daja i vet, që mund ta ndëshkonte duke e larguar nga posti i drejtorit të fabrikës. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, u botua një libër me dy volume «Kujtime për Enverin», botim zyrtar i regjimit komunist, ku kanë dhënë kujtime bashkëpunëtorë dhe njerëz që e kanë njohur Enver Hoxhën në periudha të ndryshme të jetës së tij. Esat Dishnica mungon atje, edhe pse vdiq në 1990, dhe nuk u dënua, por ishte i privilegjuar, duke punuar për shumë kohë si drejtor i shoqërisë komisionare që grabiste për llogari të regjimit komunist pasuritë e shqiptarëve jashtë vendit, me autorizimet që u merrte regjimi trashëgimtarëve të këtyre pasurive që jetonin në Shqipëri. Esat Dishnica do të jetonte në një apartament mjaft të mirë për kohën, pikërisht në pallatin kubik, i cili u ndërtua ngjitur me dyqanin «Flora», në rrugën midis Sheshit «Skënderbej» dhe kryqëzimit të Rrugës së Dibrës me Rrugën e Barrikadave. Esat Dishnica nuk botoi as një libër me kujtime siç bënë shumë veteranë të tjerë. Kjo e ka një arsye. Esat Dishnica, me ardhjen e Italisë, ishte bërë dhe agjent i OVRA dhe tashmë po punonte për llogari të saj duke asistuar Enver Hoxhën, i cili ishte ngarkuar me një mision agjenturor.
Enver Hoxha e përmend Miha Lakon për të vërtetuar në mënyrën e vet se ai tregtinë e bënte si kamuflim të veprimtarisë revolucionare. Por marrëdhëniet e tij me Miha Lakon s’ duket të kenë qenë kurrë të afërta, as kur Enver Hoxha erdhi në pushtet. Në 27 gusht gusht 1969, kur Enver Hoxha vizitoi ish-kryetarin e Grupit komunist të Korçës, Miha Lako, në shtëpinë e këtij të fundit në Korçë, i tha ankueshëm me të hyrë në derë të shtëpisë:
Si je me shëndet shoku Miha? Ke kohë që nuk na ke ardhur nga Tirana. Përse nuk vjen? Ty të kemi komunist veteran dhe gëzohemi shumë që je mirë, megjithatë të këshilloj të mbash regjim.[xxxi]
Gjithsesi, fakt është se Enver Hoxha në këtë kohë u bë një tregtar i madh, i cili shfrytëzonte punën e proletarëve dhe përfitonte nga boom-i ekonomik që kishte sjellë Italia fashiste në Shqipëri. Enver Hoxha u bë pikërisht si Reiz Selfo, tregtari i madh gjirokastrit, të cilin Enver Hoxha e pushkatoi pas luftës, dhe për të cilin thotë:
Reiz Selfoja, tregtari i madh gjirokastrit, më fliste një ditë për të «mirat» që i kishte sjellë Italia fashiste Shqipërisë. Sigurisht, nuk munguan ca lot krokodili për «lirinë e humbur», për «vatanin e gjorë», por thelbi i diskurit të Reizit qe se «kjo e keqe që na erdhi, ka edhe të mirat e saj, se po hapen punëra, ka mallra në treg, shkollat shqipe nuk u mbyllën» e të tjera e të tjera si këto.
Natyrisht, unë ia hodha poshtë këtë «tezë», duke i thënë se armiku na zaptoi atdheun, na robëroi, na burgos njerëzit tanë, po na kolonizon dhe po na shfrytëzon edhe ekonomikisht.
-Kush mbron pushtimin e vendit nga të huajt, ai është tradhtar,- i thashë Reiz Selfos.- Përfitimet dhe të mirat që na thua, Reiz, janë për bashkëpunëtorët e fashizmit. Ju, tregtarët e mëdhenj, po, keni vërtet fitime përrallore, kurse populli bluan koçanët e misrit për bukë dhe goditet nga plumbat e armikut. Pse të ankohet nga Italia miku yt, Qemal Vrioni, apo pse nxjerr fitime duke u shitur tokat e vendit shoqërive bujqësore italiane? Ju, tregtarët e mëdhenj, i mbytët tregtarët e vegjël e rroni si mbretër. Shih sa ma ke xhevahirin jeshil në gisht (kishte unazë që sigurisht ishte shumë e kushtueshme). Ju jeni miqtë e Jakomonit e të Shuk Gurakuqit, ministrit të financave, ju merrni lejet e majme për import dhe na hiqeni si patriotë. Çfarë patriotizmi i thoni ju këtij?[xxxii]
Por, sipas kësaj logjike, edhe Enver Hoxha ishte bashkëpunëtor i fashizmit, derisa përfitoi të mirat, duke u bërë tregtar i madh. A nuk mori edhe Enver Hoxha mori leje për tregti duhani me shumicë? A nuk mund të quhej edhe Enver Hoxha miku i Jacomonit dhe i Shuk Gurakuqit, ministrit të financave, i cili i firmoi lejen për tregti cigares me shumicë. Enver Hoxha, duke vazhduar të sillej si Hermani, kishte gjetur kombinacionin magjik fitimprurës të letrave dhe «kontesha plakë» e tij këtë herë ishte OVRA.
Enver Hoxha në kujtimet e veta sjell dhe këtë bisedë me të njohurin e vet të vjetër, Faslli Frashërin, në kohën kur ishte në Tiranë, pas vitit 1940, dhe vendi ishte ende nën okupacionin italian:
Qazka, vëllai juaj, vazhdon akoma të bëjë tregti me italianët?- e pyeta.
-Ç’ hyn në këtë çështje tregtia e Qazimit?- kërceu si i habitur Fazlli Beu, se i dogji pyetja ime.
-Ta bëra këtë pyetje zoti Fazlli,- i thashë duke buzëqeshur,- se dua të përmbledh mendimin politik që më parashtrove. Të bësh politikë të zgjuar e të matur, për ju do të thotë të bëjmë tregti me Italinë fashiste, se për ju fjala «politikë» mund të përkthehet me fjalët «tregti e Qazkës».[xxxiii]
Por ku ndryshonte në këtë kohë Enver Hoxha nga Qazka? A nuk po bënte edhe Enver Hoxha «politikë të zgjuar e të matur», duke mos dalë në mal të luftonte kundër okupatorëve, por duke shitur cigare me shumicë në mes të Tiranës dhe duke fituar para me grushte? Enver Hoxha pretendon se dyqani «Flora» ishte një bazë sekrete e luftës antifashiste:
«Flora» i hapi dyert e saj të brendshme të «zemrës». Ky ishte vendtakimi sekret i ilegalëve, si të thuash «zyra» jonë e parë e ilegalitetit më të thellë. Prapa rafteve me likerna e cigare ishte një vend i gjerë me arka, arka me shishe, arka boshe, të vjetra e të reja. Dhe prapa tyre, më në thellësi kishte arka të tjera, si të hedhura atje nga «pakujdesia»; ato ishin arka «të rrezikshme», me materiale për të shtypur trakte, me libra e broshura të Marksit, Leninit, Stalinit, me armë, bomba e fishekë, me ilaçe, pambuk, me darë e gërshërë hekuri. Kjo ishte «zahireha» jonë e dimrit të pushtimit.
Përmbi arkat boshe ishte njëfarë ballkoni i brendshëm, diçka si llozhë, që e përdornim gjoja për të shtuar sipërfaqen e depozitimit të mallrave. Në fund të këtij ballkoni, në qoshen më të errët, par anjë perde arkash të vjetra e të prishura, hapej dera e një dhomëze me tavan shumë të ulët. Këtu bëheshin mbledhjet më sekrete. Mblidheshim atje kokë më kokë, raportonim ç’ kishim bërë, përcaktonim ç’ duhej bërë më tej, ç’ masa duheshin marrë, ç’ forma duheshin ndjekur.[xxxiv]
Por si mund të bëheshin të gjitha këto gjëra në qendër të Tiranës, vetëm pak hapa larg zyrave kryesore të regjimit, dhe fashistët të mos kuptonin asgjë? Në rast se fashistët do ta kishin kontrolluar dyqanin «Flora» ata do t’ i kishin zbuluar edhe vendet e fshehta dhe gjithçka kishte atje. Por Enver Hoxha nuk thotë që fashistët të kenë bërë ndonjë kontroll në këtë dyqan sa kohë që ai ishte atje. Merret vesh se ata e toleronin këtë qendër komuniste, në qendër të Tiranës, për arsyet e tyre. Enver Hoxha qëndroi në dyqanin «Flora» deri në 29 tetor 1941, kur doli në ilegalitet, siç do ta citoj më tutje në këtë libër atë vetë të shprehet. Deri në këtë datë ai nuk jep dot asnjë të dhënë që njerëzit të cilët qenë në dyqanin «Flora», të kenë bërë ndonjë aksion luftarak me armët dhe bombat për të cilat Enver Hoxha thotë se qenë fshehur atje. E megjithatë Enver Hoxha, me kurajën e komedianit e quan këtë që bënte në dyqanin «Flora» luftë kundër fashizmit dhe flet me qortim për Koço Tashkon që i rrinte larg dyqanit «Flora»:
Valët e luftës na përpinë të gjithëve, veç Koço Tashkos, i cili bridhte me një kone të bardhë të lidhur me zinxhir, që të «maskohej» si borgjez. Ai pretendonte se ishte «kryetari» i Grupit të Korçës e për më tepër «i dërguar» i Kominternit, por ai rrallë dukej në dyqanin tonë, nga frika se mos kompromentohej. Do ta maste shumë herë, pa të vinte në shtëpitë tona ose në një takim natën, «se mos e diktonte policia».[xxxv]
Se për cilën luftë e ka fjalën Enver Hoxha, kjo nuk kuptohet nga ato që tregon ai. Koço Tashko, duke qenë agjent i policisë sekrete të Zogut, si komunist i njohur, i cili kishte qenë në Bashkimin Sovjetik, dhe që në rrethet komuniste njihej si i dërguar i Kominteernit, gjë që me siguri u kishte shkuar në vesh dhe italianëve, me siguri që u thirr nga policia sekrete fashiste dhe u vu në shërbim të saj, derisa italianët nuk e internuan. Koço Tashko, kur tregohej i kujdesshëm, gjë për të cilën e tall Enver Hoxha, duket se nuk e kishte hallin se mos kompromentohej para fashistëve, por se mos kompromentohej para opinionit publik, i cili do të kuptonte se këta qenë komunistë me leje të policisë fashiste. Koço Tashko e dinte se një ditë do të kishte hetime nga Kominterni për këtë veprimtari, prandaj rrinte larg dyqanit «Flora», duke u shtirur se zbatonte manualet e Kominternit për konspiracionin.
Enver Hoxha, si një komedian i vërtetë, e akuzon të dërguarin e Kominternit, Koço Tashkon, se i mori paratë e pajës së motrës së vet Sanos, duke ia lënë motrën pa martuar, një gjë shumë e rëndë kjo në Shqipërinë e kohës, por dhe më pas. Enver Hoxha shkruan se Koço Tashko:
na u drejtua neve ta ndihmonim, por nuk kishim mundësi ta bënim këtë, se ato të ardhura fare të pakta që nxirrnim nga dyqani «Flora» na duheshin për luftën e nuk mund të mbanim në kurriz edhe një familje të re... «Kryetari» donte medoemos «ndihmë» që të hapte një dyqan, ku të shiste «këmishka» dhe... të tjera vogëlsira të brendshme për gra dhe të vinte atje si shitëse «zonjën Pavlinë», të zinte një shtëpi me qira dhe «të fitonte» koromanen. Bisedova me shokët. U thashë se një rrugë kishte: T’ i lutesha motrës sime, Sanos, të më jepte paratë që plaku i kishte kursyer lekë-lekë për pajën e saj dhe t’ ia jepnim Koços. Më kujtohet që kërcyen Kristo Mushi me Ilo Dardhën dhe më thanë:
-Dëgjo Enver, asnjë grosh të mos i japim Koços, ata janë të Sanos. Pse u martua shoku Koço pa u menduar mirë?! Të hollat, edhe në qoftë se na i jep Sanoja, na duhen për luftën e punën që kemi nisur dhe jo për dyqanin e modës të Koço Tashkos e të Pavlinkës.
Ata arsyetonin si proletarë, por megjithatë vendosa të bisedoja me motrën. Ajo pa ngurruar aspak, m’ i dha të hollat, duke më thënë: «Për luftën t’ i jap me gjithë zemër». Sanoja nuk e mori vesh se ku shkuan të hollat që dhuroi.[xxxvi]
Por Enver Hoxha fitonte shumë para në dyqanin «Flora» nga tregtia me shumicë e cigareve, prandaj nuk kishte pse ia kërkonte paratë motrës nëse donte ta ndihmonte Koço Tashkon. Në fakt ai këtu jep një version që përgënjeshtron zërat se ai i propozoi Koço Tashkos që ai të marrë për grua motrën e Enverit, Sanon, ndërsa Enver Hoxha të merrte për grua motrën e Koço Tashkos, Teftën. Por Koço Tashko nuk pranoi as njërin dhe as tjetrin propozim.
Për periudhën kur ishte legal gjatë okupimit fashist, që nga prilli 1939 dhe deri në tetor 1941, kur kaloi në ilegalitet, Enver Hoxha nuk arrin ta paraqesë veten përveçse si një antifashist kafenesh, çka ishte pjesë e misionit të tij për llogari të shërbimit sekret fashist, si agjent- provokator, pra që t’ i testonte njerëzit si do të reagonin. Enver Hoxha e përshkruan kështu një takim të tij me Zai Fundon, në Korçë, pas pushtimit fashist:
Një ditë, kur po dilja nga «Kafeneja e Bilbilave», siç e quanim ne kafe- lulishten afër Spitalit, u ndesha ballë për ballë me Zain. U përshëndetëm e i dhamë dorën njëri-tjetrit.
-Bëjmë një shëtitje të vogël bashkë,- më tha Zai.
-Si të duash,- i thashë,- por deri në Lice se kam për të dhënë mësim.
Rrugës filloi të më fliste për «ndjenjat e tij antifashiste», se ai «kishte ardhur në Shqipëri të luftonte kundër pushtuesit» etj., etj. Pastaj doli te kryesorja:
-Pse më sulmon, ti dhe shokët e tjerë, në masat e punëtorëve e të arsimtarëve? Unë s’ jam armik, kam biseduar gjerë e gjatë me Koçon (Koço Tashko- shënimi im: K. M.j) etj.
I zemëruar, e ndërpreva e i thashë afërsisht:
-Dëgjo, Zai Fundo! Ti je antifashist vetëm me fjalë, por me qëndrime e me vepra je trockist, armik i komunizmit, i Stalinit, pra je dhe armik i popullit tonë. Ti je armik i Bashkimit Sovjetik, sabotator i luftës revolucionare, prandaj je një antirevolucionar.[xxxvii]
Kështu, antifashisti Enver Hoxha, në kohën e okupacionit fashist të vendit rri tek Kafeneja e Bilbilave, në vend që të dalë në mal të luftojë me armë okupatorin. Dhe pastaj guxon e quan Zai Fundon tradhtar. Sipas Enver Hoxhës, Zai Fundo nuk është antifashist, sepse është antistalinist, dhe për faktin se është antistalinist është dhe armik i popullit shqiptar?! Por në atë kohë ishte në fuqi Pakti Molotov-Ribentrop (Stalin- Hitler), çka do të thotë se po të ishe stalinist nuk mund të ishe antifashist. Si mund të ishte Zai Fundo armik i luftës revolucionare komuniste në Shqipërinë e okupuar nga fashistët, në kohën që Enver Hoxha ishte ende në Korçë, pra deri në fillim të vitit 1940, kur kjo luftë revolucionare komuniste në Shqipëri nuk ekzistonte, se ishte në fuqi Pakti Molotov-Ribentrop, i cili i ndalonte komunistët e gjithë botës të luftonin kundër fashizmit? Pastaj, nëse Zai Fundo ishte spiun i fashizmit, pse nuk shkoi ta denonconte Enver Hoxhën? Nuk duhet të ketë kaluar shumë kohë pas kësaj bisede kur Zai Fundo u internua në Itali. Duket se në këtë internim duhet të ketë pasur dorë edhe Enver Hoxha, i cili e ka kërkuar këtë bisedë me Zai Fundon si agjent- provokator.
Veprimi më i shquar antifashist që sjell Enver Hoxha në këtë periudhë prej dy vjetësh e gjysmë, nga prilli 1939 deri në tetor 1941, është se shkonte tek Kafe «Kursali» (kafeneja kryesore e Tiranës në atë kohë) dhe ulej në tryezat e funksionarëve të lartë të regjimit fashist, për t’ u prishur bisedën:
Bahriu, si shumë pseudopatriotë të tjerë, ishte bërë anëtar i «Këshillit të Shtetit», i krijuar apostafat për këta lloj njerëzish, që regjimi fashist i kishte nëpër këmbë dhe i mbante edhe si rezervë për kohët e këqija që do t’ i vinin... Më kujtohet se si një mbasdreke hymë në kafe «Kursal» me Esat Dishnicën dhe i shohim të gjithë këta «këshilltarë» të grumbulluar në tryeza, duke biseduar në mes tyre.
-Hajde,- më thotë Esati,- t’ u futemi në mes e t’ u prishim muhabetin.
Esati ishte njeri me humor. Pasi i përshëndetëm, ai u tha:
-Dolët nga shkolla? Më falni që ju prishëm qetësinë se mbase ishit duke përsëritur mësimet.
Doktor Nishani që ishte simpatizanti ynë, ndaj dhe e quanin «kuqalashi», ia dha një të qeshuri të fortë, siç e kishte zakon, dhe na ftoi të uleshim. Ne u ulëm. Kolë Tromara i drejtohet Esatit dhe i thotë:
-Mirë këta, se janë të rrjepur dhe s’ kanë ç’ të bëjnë tjetër veçse të jenë komunistë, po ti që je nipi i Ali Beut, që sundonte fshatarësinë e Korçës, mend do të na shesësh?[xxxviii]
Por këta funksionarë fashistë ishin, siç thotë për ata të «Bela Venecia», spiunët e mëdhenj të regjimit fashist. Si nuk kishte frikë Enver Hoxha se mos e spiunonin tek policia fashiste dhe kjo ta arrestonte dhe internonte? Për ata të Kafe «Bela Venecia» thotë:
Këtyre njerëzve ishte e rrezikshme t’ u hapeshe, këta të dorëzonin te Zogu dhe te pushtuesi, në mos drejtpërdrejt, të kallëzonin tërthorazi.[xxxix]
Kuptohet se këta funksionarë fashistë do ta raportonin tek OVRA atë që u thoshte Enver Hoxha dhe Esat Dishnica. Derisa Enver Hoxha dhe Esat Dishnica nuk arrestoheshin dhe së paku internoheshin, atëherë kuptohej se ata qenë njerëzit e OVRA. Enver Hoxha ndihet i obliguar që të justifikohet për atë që rrinte e bisedonte në kafene me funksionarë të regjimit, të cilët më pas do t’ i pushkatonte si tradhtarë:
Në kafe «Kursal» takohesha ndonjëherë me Kolë Tromarën dhe Sheh Karbunarën dhe bisedat që bëheshin ishin nga më të rëndomtat.[xl]
Enver Hoxha nuk shpjegon se përse, në vend që të shkonte në mal e të luftonte okupatorët, rrinte në Kafe «Kursal» dhe bënte biseda nga më të rëndomtat me rrogtarët e tyre. Kur Enver Hoxha nuk bënte «aktivitet antifashist» në kafene, e bënte atë në bankete, në dreka dhe darka të shtruara në shtëpitë e zyrtarëve të regjimit fashist, si tek kunati i vet Bahri Omari, siç tregon në këtë rast:
Kjo bisedë zhvillohej gjatë një dreke te Bahri Omari, ku ishte ftuar Vehip Runa e ku ishim edhe unë e Skënder Pojani. Skëndo Pojani ishte një bej i hallakatur, topolak, me syze dhe me mustaqe, njeri që ndiqte gratë, pavarësisht nga mosha e kaluar. Ky bej ishte pjesëtar i «Stamlesit», kuletën e kishte plot, me italianët po hynte e dilte, ishte mik me ta, ishte mik me bejlerët e tjerë, që vinin rreth «qypit me mjaltë» të fashizmit.[xli]
Por a nuk ishte dhe Enver Hoxha një nga ata që në në këtë vinin rreth «qypit me mjaltë» të fashizmit, dhe që madje hante drejtpërdrejt nga ky «qyp» në shtëpinë e Bahri Omarit. Në drekën tek Bahri Omari, që përmend më lart Enver Hoxha, merr pjesë dhe Vehip Runa, të cilin ai e përshkruan kështu:
Në sajë të këtyre lidhjeve dhe si shpërblim për shërbimet që i bënte Ahmet Zogut, Vehip Runa arriti të bëhej edhe prefekt, u largua nga fshati dhe u kthye në një «personalitet të qytetëruar» qyteti. Kur Zogu braktisi Shqipërinë, Vehip Runa, natyrisht e la Zogun dhe i dha dorën Italisë. Prapë ndërroi këmishë, prapë u bë prefekt, nën regjimin kuisling.[xlii]
Me këta dy «kuislingë» Enver Hoxha lufton heroikisht në këtë banket:
I preva fjalën dhe i thashë:
-Zoti Vehip, ne jemi në kundërshtim me politikën tuaj «urtë e butë e plot tigani», sepse me okupatorët nuk mund të jetë kurrë plot «tigani» i popullit, por do të jetë i zbrazët, prandaj ne nuk mund të jemi as të butë, as të urtë me armikun, por do të jemi të egër e të pamëshirshëm, pse vetëm kështu do ta shpëtojmë popullin.
Pas këtyre fjalëve të mia, edhe Skëndo Pojani, që deri atëherë heshtte e merrej me të ngrënë e me të pirë, kërceu e ndërhyri në bisedë:
-Ah jo, zoti Enver,- tha ai,- ne nuk mund të jemi dakord me ju që të vritet populli, të digjen qytete e fshatra, të digjen krahina.
-Mirë thotë zoti Skëndo,- i mbajti anën Vehipi, duke m’ u kthyer mua.- Po të ndjekim rrugën që thoni ju, populli ynë, që edhe kështu është një grusht, do të pësojë humbje të mëdha. Ju këtë gjë doni? Fol, more Bahri?- iu drejtua Bahri Omarit që nuk ishte përzier në bisedë.
-Unë,- iu përgjigj Bahriu,- kam biseduar vazhdimisht me Enverin, por nuk merrem vesh me të. Përpiquni ju të merreni vesh,- dhe prapë heshti.
-Ne,- u thashë,- e duam shumë popullin dhe atdheun dhe nuk duam kurrë që të na vritet dhe të na digjet. Përkundrazi duam që atdheun ta kemi të lirë dhe popullin sovran e zot në vendin tonë. Por kjo, - vazhdova,- nuk arrihet as duke qëndruar me duar të lidhura, as duke e marrë «kalanë nga brenda», siç mendoni ju. Vetëm me luftë mund të arrihet liria dhe lumturia e popullit, prandaj kemi vendosur t’ i kundërsulmojmë ata që na sulmuan dhe na grabitën lirinë dhe sovranitetin e atdheut, që t’ i shporrim dhe të çlirojmë popullin».[xliii]
Por, kur Enver Hoxha ishte për luftë kundër okupatorit, pse gjendej ai në tryezën e Bahri Omarit, në mes të këtyre kuislingëve, dhe nuk gjendej në mal duke luftuar okupatorët? Merret vesh, kjo e Enver Hoxhës nuk është gjë tjetër veçse patetikë luftarake prej komediani. Enver Hoxha, duke mos e mposhtur dot mbizotërimin e sensit të komedianit tek vetvetja, e përshkruan kështu një tjetër «betejë antifashiste» në shtëpinë e Bahri Omarit:
Jam zënë keq njëherë edhe me Abaz Omarin, një kushëri i Bahriut nga i ati, por edhe yni, sepse xhaxhai im, Hysen Hoxha e kishte nip. Njiheshim që fëmijë, kur qemë të rinj, vinte shpesh në shtëpinë tonë. Qemë pothuajse moshatarë (mundet që Abazi të ishte nja dy-tre vjet më i madh nga unë), edhe ai kishte bërë Liceun e Korçës dhe kishte vajtur për studime në Paris. Por, si kishte ndenjur nja 4 vjet me paratë e babait që e kishte tregtar dhe pronar tokash në Fier, ishte kthyer pa diplomë në Shqipëri dhe ca kohë ushtroi zanatine të atit. Më vonë mori një grua me prikë të madhe dhe me të hollat e saj u kthye në Francë, mori diplomën në drejtësi dhe erdhi e u bë avokat. Kishte kohë që nuk isha pjekur me të, derisa një ditë, pas pushtimit të vendit, e gjeta te motra ime Fahrije. U puthëm, u ngalasëm, e urova dhe pas bisedave të zakonshme, si gjithmonë filluam diskutimet për problemet politike. Mbaja mend që dikur Abazi në diskutimet shfaqej si antifeudal, demokrat e i majtë. Por ç’ të shihja: kur i fola për luftën, për domosdoshmërinë e saj e të tjera, na doli që Abazi nga i majtë» na qe bërë «i djathtë», nga demokrat na qe bërë një mbrojtës i zjarrtë i të pasurve, me një fjalë kishte ndërruar lëkurën. U grindëm dhe kushedi si do të kishte mbaruar grindja, po të mos kishte hyrë në mes motra ime. Më nuk e pashë këtë njeri që u bë një qen zinxhiri i Ali beut, u bë ballist dhe bashkëpunëtor i hapur i pushtuesve gjermanë.[xliv]
E motra nuk e la ta vriste atë ditë Abaz Omarin, nipin e Baba Çenit, por Enver Hoxha u kujdes që ta bënte këtë gjë kur erdhi në pushtet, duke e dënuar me vdekje dhe pushkatuar. Faji i Abaz Omarit është se ishte antikomunist.
Të gjitha episodet të cilat Enver Hoxha i quan si provë të veprimtarisë së vet antifashiste, në periudhën prej dy vite e gjysmë që nga fillimi i pushtimit në prill 1939 deri në tetor 1941, janë ose biseda në kafene, ose biseda në bankete. Kështu ai tregon për një takim në një kafene në Durrës, me Medar Shtyllën, i cili pas luftës do të bëhej ministër dhe nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (nënkryetar i shtetit):
E kërkova dhe e gjeta të ulur në një kafene, në rrugën që të çonte në port. Sa i shkova afër, më pa dhe, me atë të sjellurën e tij aq të ëmbël u ngrit e, si u përshëndetëm, më ftoi të rrija:
-Hajde Enver, ulu të pish një kafe nga unë.
-E falenderova dhe u ula. Shkëmbyem pyetjet e përgjithshme në takime të tilla, pastaj më pyeti a më dilte ndonjë çikë dhe a fitoja gjë me shitjen e cigareve në dyqanin «Flora» dhe mbasi iu përgjigja se nxirrja aq sa për të jetuar e pyeta edhe unë si shkonte me punë.
-Ja,- më tha,- përpiqem të bëj diçka se nuk e duroj dot këtë mbytje.
-Na kanë zënë në grykë o Medar, prandaj duhet t’ u tregojmë vendin këtyre pipinove të pispillosur,- i thashë duke i treguar disa oficerë italianë që po shëtitnin duke folur e duke qeshur me zhurmë.
-Le salauds! («maskarenjtë»- shënim në libër),- tha Medari dhe vazhduam bisedën me zë të ulët në frëngjisht, pse kështu s’ kishte rrezik që ndonjë spiun të na kuptonte. Edhe ajo kafene, si gjithë kafenetë në atë kohë, me siguri që i kishte spiunët e vet permamentë.
-Duhet të luftojmë,- i thashë Medarit.- Ne po riorganizohemi, populli na dëgjon dhe duhet të ecim drejt luftës çlirimtare. Sigurisht që ka rreziqe kjo luftë, mund të lemë edhe kokën, por për çlirimin e atdheut çdo sakrificë duhet bërë, prandaj ne e kemi marrë parasysh vdekjen.
Kështu vazhduam bisedën ndonjë gjysmë ore, kokë më kokë:
Medari mbasi më dëgjoi me vëmendje, më tha me vendosmëri:
Të dy burrat bënë «luftë antifashiste» të ashpër në kafene. Medar Shtylla ishte kushëri i parë i Tahir Shtyllës që ishte ministër në qeverinë kuislinge shqiptare. Medar Shtylla në kohën e monarkisë e më pas të pushtimit fashist ishte kryeveteriner e nëndrejtor në fermën e Xhafzotajt në Durrës. Ai ndërtoi një vilë në bregdetin e Durrësit, saktësisht atje ku më pas do të ishte blloku i vilave të udhëheqjes komuniste. Medar Shtylla ishte i vetmi udhëheqës komunist që shkonte për pushime në vilën e vet private në ish-bllokun e udhëheqjes komuniste. Medari as që mendoi për luftën, deri në kohën kur e pa se po të shtirej sikur kishte dalë në mal, do të kishte përfitime, duke siguruar pushtet. Kjo kuptohet kur Enver Hoxha shkruan:
Bashkë u takuam prapë në Labinot, në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare ku Medari u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.[xlvi]
Enver Hoxha e njohu Medarin nga kushëriri i parë, Behar Shtylla, të cilin Enver Hoxha e kishte nxënës në Liceun e Korçës. Biseda e mësipërme duhet të jetë bërë kur Enver Hoxha shkonte për pushime në vilën e Medarit, që në vitin 1937 e deri në 1942. Por kuintesenca e episodeve «luftarake» komike që tregon Enver Hoxha në këtë periudhë kur ai ishte antifashist i kafeneve, është sigurisht ky në kulisat e librarisë të Mithat Frashërit, në Rrugën Mbretërore:
Lumo Skëndon e kisha njohur që më parë nga disa miq të tij në rrethet intelektuale të kryeqytetit. Herë pas here më binte rasti të shkëmbeja ndonjë fjalë me të, kur veja të blija ndonjë libër në librarinë që mbante në «Rrugën Mbretërore», sot Rruga e Barrikadave... Një mëngjes, në atë kohë isha ende legal, i shkova në librari. Ishte vetëm. Më dha dorën.
-Ç’ kemi, mor djalë?- më tha.
-Ç’ të kemi Mithat Bej,- i them, -mënxyra na ka mbuluar edhe ne të rinjve nuk na rrihet, duam të luftojmë, të organizohemi. Ne jemi të bindur se do të na ndihmoni.
-Unë jam gati t’ ju ndihmoj, por po të më dëgjoni,- më tha.
-Urdhëroni e flisni zoti Lumo, ju e dini që unë ju respektoj.
-Eja këtej,- më tha e nga dera që kishte në shpinë më futi në njëfarë magazine ku mbante libra, ca revista e gazeta të vjetra.
-Ulu,- më tha e më tregoi një karrige, kurse vetë u ul, në tjetrën përballë.
Ndenjëm ca çaste ashtu pa folur dhe unë po prisja. Lumo diç bluante në mendje, hoqi syzet e i fshiu me një copë fanellatë, pastaj i vuri prapë.
-Dëgjo more djalë, -ia nisi Lumoja dhe prapë hoqi syzet,- unë do të flas me ty dhe do të të ndihmoj në rast se ti ndjek rrugën e xhaxhait tënd, patriotit Hysen Hoxha.
-Rrugën e atij po ndjek,- iu përgjigja,- edhe me besnikëri.
-Jo,- m’ u kthye Mithat Beu,- nuk është ashtu. Ai ishte nacionalist i flaktë, ishte me Ismail Benë në Vlorë kur u ngrit flamuri, ai luftonte bashkë me Çerçizin e me të tjerë, kurse ti, nipi i tij, ke marrë një rrugë të keqe antishqiptare, ti je bolshevik dhe bolshevizmi është armiku i Shqipërisë.
U shtanga, m’ u duk sikur më hipi gjaku në kokë, por e mbajta veten dhe i thashë: Zoti Lumo Skëndo, ju po më ofendoni në çka kam më të shenjtë, në dashurinë ndaj atdheut dhe popullit tim. Unë jam komunist shqiptar dhe i tillë do të mbetem derisa të vdes...
Dola i zemëruar nga dyqani dhe e lashë Mithat Frashërin tek përpiqej më kot të më përgjigjej, se nga kjo e papritur po i merrej goja më shumë se zakonisht.[xlvii]
Në rast se Enver Hoxha donte vërtet të luftonte, ai do të bënte mirë të dilte në mal me komunistët e vet dhe pastaj ta tërhiqte popullin në luftë dhe jo të shkonte e të bisedonte për luftën në librarinë e Mithat Frashërit. Në poemën satirike «Epopeja e Ballit Kombëtar» të shkruar nga miku i Enver Hoxhës, Shevqet Musaraj, do të tallej Mithat Frashëri, se rrinte në librarinë në Rrugën Mbretërore, në kohën e okupacionit fashist. Por nëse ky i quhej faj 60 vjeçarit Mithat Frashëri, ç’ mund të thuhej për qëndrimin e 30 vjeçarit Enver Hoxha? Enver Hoxha, si një komedian i vërtetë, ve në gojën e Mithat Frashërit deklaratën se xhaxhai i Enverit, Hysen Hoxha ka qenë një nga firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, në 1912, ku ka qenë dhe Mithat Frashëri. Por, Enver Hoxha, duke treguar episodin e mësipërm, duket se kërkon të justifikohet për atë që hynte në pjesën e pasme të librarisë së Mithat Frashërit. Mithat Frashëri ishte një bej i pamartuar dhe përfolej si biseksual, ndoshta më tepër për faktin se homoseksualizmi ishte mjaft i përhapur tek aristokratët osmanë.
Si gjëja më afër luftës që bënte Enver Hoxha në këtë kohë, janë takimet në kafene me Myslim Pezën. Enver Hoxha kujton:
Unë nga ana ime, kisha filluar punënë nëpërmjet lidhjeve që kisha vendosur me Myslim Pezën. Me Babën, siç e thërritnin Myslimin fshatarët e Pezës, u njoha nëpërmjet mikut dhe shokut tonë besnik Esat Dishnicës, që më 1939, para se të vendoseshin në Tiranë. Myslimi dhe familja e tij kishin miqësi të madhe me Aqif Pashë Elbasanin. Të dyja familjet, edhe të Aqif Pashës, edhe të Pezës, ishin armiq për vdekje me Shefqet Vërlacin. Esati ishte nipi i Aqif Pashës, djali i motrës së këtij dhe në shtëpinë e Aqifit kishte dëgjuar dhe qe njohur me Myslim Pezën.[xlviii]
Nëse Myslim Peza do të ishte armiku i Vërlacëve, si do të kthehej ai në Shqipëri, në 1939, kur Shefqet Vërlaci ishte bërë kryeministër?! Enver Hoxha nuk e ka saktëson kohën se kur në vitin 1939 e takoi Myslim Pezën, sepse e di që Myslim Peza, i cili kishte qenë arratisur në Jugosllavi si kriminel ordiner, u kthye nga Shqipëria në verën e vitit 1939, kohë kur Enver Hoxha gjendej në Itali për kurim. Myslim Peza u kthye në Shqipëri në korrik 1939, çka e thotë vetë në kujtimet e që ka botuar:
Scribët e regjimit komunist, të cilët kanë shkruar kujtimet e Myslim Pezës mbi bazën e rrëfimeve të tij, kanë sajuar një takim të Enver Hoxhës me Myslim Pezën ditën e dytë të ardhjes së këtij të fundit në Shqipëri, në mes të korrikut 1939:
Atë mëngjes korriku dola bashkë me Dem Xhepën nga shtëpia e tij. E kisha mik të vjetër Demin, prej njëzet e pesë vjetësh; mik besnik, atdhetar, antizogist në kulm, e kisha me prova besnikërinë e tij. Për shkakun tim Demi kishte hangër dy vjet burg në Gjirokastër. Prej andej ai më pat çue një njoftim shumë të randësishëm, që më shpëtoi jetën. Dy ditë më parë Demi më kishte pritur me taksi në pikën kufitare të Zvezdës në Korçë. Kishim dalë pra atë ditë në kafen e Demit për të takue miq e shokë.
Demi hyri në banak, unë u ula në tavolinën e qoshes, përballë derës. Lokali ishte plot, po unë nuk po dalloja asnjë fytyrë të njohur. Kishin ikë shumë vjet dhe fytyrat ishin ndërrue. Ndeza një duhan dhe fillova të pi kafen që ma solli kamerieri. Mbas pak Demi u afrua te tavolina ime me një djalë të gjatë, të dobët, por të veshur mirë.
-Myslim,- tha ai,- të kam sjellë një mik. Ashtu nipi i Aqif Pashës. Quhet Esat Dishnica.
Unë u ngrita në këmbë dhe i dhashë dorën me përzemërsi mikut të ri.
-Ulu i thashë dhe i afrova një karrige..
-Kam dhe një shok, -tha Esati, -një profesor të Liceut të Korçës, njeri shumë i mirë. Edhe ai ka dëshirë të njihet me ty.
-Me gjithë qejf, -iu përgjigja.
Ai u mendua pak.
-Është komunist, –më tha.
Unë qesha.
-Le të jetë, -ia ktheva aq më mirë. –Nuk ishte hera e parë që takohesha me komunistë. Esati doli dhe mbas pak u kthye me një djalë të ri, të gjatë e të shëndetshëm. Ishte i pashëm, shumë i pashëm.
-Enver Hoxha, -foli me zë të plotë.
-Myslim Peza, -i thashë dhe u rrokëm me njëri tjetrin sikur të ishim njohur prej vjetësh. Më hyni në zemër që në të pamen e parë, m’ u duk i hapët e zemërbardhë. Këta njerëz kisha qejf t’ i baja miq.[l]
Që Enver Hoxha nuk e ka takuar Myslim Pezën në 1939, siç pretendon Enver Hoxha, dhe siç kanë shkruar scribët e tij në emër të Myslim Pezës, kjo zbulohet nga të vetmet kujtime të Esat Dishnicës, të botuara ironikisht në librin «Partizanët tregojnë» (Esat Dishnica nuk kishte qenë asnjë ditë partizan), në vitin 1960. Esat Dishnica kujton se takimi i parë i Enver Hoxhës me Myslim Pezën është bërë në janar 1941 dhe se këtë takim e ka organizuar ai vetë. Esat Dishnica kujton:
Grupi komunist i Korçës tregon patrioti Esat Dëshnica, po ndiqte me interesim qëndrimin e papërkulur të Myslim Pezës dhe për këtë më ngarkuan mua që ta thërras Myslimin për t’ u takuar me shokun Enver Hoxha.
Ky takim u bë në janar të vitit 1941, në dyqanin «Flora» që ishte bazë e grupit dhe ku rrinte shoku Enver. Porsa erdhi Myslim Peza në dyqan,- tregon Esat Dëshnica,- së bashku me shokun Enver u futën brenda në një dhomë të veçantë. Mirëpo në këtë kohë, që zhvillohej lufta italo-greke, u dha alarm ajror. Unë vajta brenda në dhomë e i thashë shokut Enver që të shkojmë së bashku në strehim, ashtu siç shkonim ngaherë.
Ay pyeti nëse donte edhe Myslimi të shkonim në strehim. Që të dy nuk deshën të ngrihen nga biseda, që kishin filluar.
Atëherë unë iu thashë si me shaka, që ju rrini, por unë, meqë nuk kam kokë tepër, po shkoj.
Pas një ore e gjysmë, unë u ktheva, hapa qepenin e dyqanit dhe i takova kur ata kishin mbaruar edhe bashkëbisedimin.[li]
Këto gjëra Esat Dishnica i ka thënë në një kohë që nuk ishte botuar ortodoksia e historisë me librat me kujtime të Enver Hoxhës. Kjo që thotë Esat Dishnica duket më bindëse. Enver Hoxha e ka takuar Myslim Pezën në 1941, se ishte duke marrë kontakte me njerëz të ndryshëm, në kuadrin e misionit që i kishte ngarkuar OVRA. Edhe Myslim Peza nuk ishte pa implikime me regjimin fashist. Myslim Peza ishte në gjak me fisin e fuqishëm të Balasejve se kishte vrarë Osman Balin, i cili dikur kishte qenë njeriu kryesor i Esat Pashë Toptanit në Tiranë. Balasejtë qenë ende të fuqishëm dhe Myslim Peza nuk mund të dilte lirisht në Tiranë, në kafenenë e Dem Xhepës, në rast se nuk kishte mbështetjen e regjimit fashist. Enver Hoxha pretendon se në bisedën e parë me Myslim Pezën i tha këtij:
-Ne komunistët, shoku Myslim,- i thashë,- jemi për luftë, për luftë me armë kundër fashistëve. A do të jesh edhe ti me ne?
-Oj, si nuk do të jem?! Pse erdha unë? Për të luftuar erdha,- m’ u përgjigj Myslim Peza.- Do të jem në ballë të luftës me ju komunistët dhe me të gjithë ata që duan të luftojnë për vatanin.[lii]
Kurdo që të jenë thënë këto fjalë, në 1939, siç pretendon Enver Hoxha, apo më vonë, pyetja është se përse Enver Hoxha nuk shkonte në mal të luftonte, por rrinte dhe bënte biseda për luftën në kafenetë e Tiranës.
Esat Dishnica kujton për takimin e parë që është bërë midis Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës:
Kur Myslimi u largua nga dyqani, unë e pyeta shokun Enver:
-Eh, si t’ u duk?
-Kishe shumë të drejtë Esat,- më tha plot entusiazëm shoku Enver, kur filloi të flasë për bashkëbisedimin që bëri me bab Myslimin dhe shtoi:
-Në të gjitha çështjet Myslimi është dakord me ne, ay nuk ishte ashtu siç e quanin disa si kryeneç e kapadai, por njeri i thjeshtë, i dashur dhe i vendosur për çështjen e Atdheut.
Pastaj vazhdoi:
-Me të bisedova aqë përzemërsisht sikur të njiheshim prej 20 vjetësh dhe unë fillova të kem një simpathi të veçantë për këtë njeri. Pastaj vazhdoi.- Të lutem, Esat, çoi bab Myslimit revolverin tim si dhuratë prej meje.
-Kur unë mora revolverin «Mauzer» 20-she, gjysmë automatik dhe ja dhurova Myslim Pezës, në emër të Enver Hoxhës,- thotë Esat Dëshnica- ay u gëzua pa masë për këtë dhuratë të shtrenjtë.[liii]
Në lidhje me revolverin, nga ato që thotë më lart Esat Dishnica, zbulohet një gënjeshtër e Enver Hoxhës, i cili shkruan në kujtimet e veta:
Lidhjet me Myslimin shkuan duke u forcuar. Një herë i dhurova një «Mauzer» të ri, një njëzetëshe. Më duket se ishte fillimi i vitit 1941. Myslimi ishte njohës i madh i armëve dhe nëpër duar kishte kaluar marka armësh nga më të ndryshmet, por, kur mori dhuratën time, i ndritën syrë:
-S’ ka si bëhet peshqesh më i madh,- tha dhe e përkëdheli revolverin në duar. Ai te kjo dhuratë pa edhe respektin tonë për të, por edhe dëshirën e sinjalin e komunistëve.[liv]
Pra, Enver Hoxha ia ka çuar Myslim Pezës revolverin me anë të Esat Dishnicës dhe nuk ia ka dhënë me dorën e tij. Kjo duket më e besueshme se Myslim Peza, i cili ishte një njeri i regjur në këto punë, nuk mund të pranonte një armë nga njeri i panjohur, siç ishte Enver Hoxha. Këtu duhet shënuar se kjo është hera e parë që Enver Hoxha rrëfen në kujtimet e veta se ka prekur me dorë një armë zjarri. Se përse nuk shkoi në Pezë dhe të luftonte, por dërgonte një armë si dhuratë nga kafenetë e Tiranës për Myslim Pezën, këtë Enver Hoxha nuk e shpjegon.
Një gjë shumë interesante në njohjen dhe kontaktet e Enver Hoxhës me Myslim Pezën, është se në marrëdhëniet e tyre të para është i pranishëm Dem Xhepa. Enver Hoxha shkruan në librin me kujtime «Kur lindi Partia»:
Dy a tri herë tok me Esatin e me Myslimin kemi shkuar tek kafja e Dem Xhepës.[lv]
Në kujtimet e Enver Hoxhës, Myslim Pezës etj., për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, del gjithandej emri i Dem Xhepës, si njeriu që bëri të mundur njohjen e Enver Hoxhës me Myslim Pezën, çka më pas çoi në bashkëpunimin e tyre për Konferencën e Pezës etj. Emri i Dem Xhepës ka hyrë në folklorin tiranas, dhe kujtohet edhe sot me shprehje si «Ç’ ke që m’ ec kështu shtrembt, sikur ke flejt me Dem Xhepën!». Në librin e Agim Mustës dhe Mexhit Kokalarit «Kush ishte Enver Hoxha» thuhet për Enver Hoxhën:
Ai ka qenë dylber i Ali Qoraliut dhe i Dem Xhepës. Kur vendosi diktaturën Ali Qoraliun e pushkatoi pa gjyq kurse Dem Xhepën e hodhën nga shkallët e godinës së Sigurimit dhe vdiq pas disa javësh.[lvi]
Enver Hoxha, me mënyrën e vet dinake të të shkruarit të kujtimeve, duke e ditur që pas vdekjes së tij kontaktet e tij me Dem Xhepën do të përfoleshin me sarkazëm, e përmend shkarrazi këtë fakt, duke e menduar këtë si mënyrën më të mirë për t’ ua mbyllur gojën njerëzve. Por atë të vërtetë që e fsheh Enver Hoxha, e zbulon Myslim Peza, në kujtimet e veta, të botuara pas vdekjes së Enver Hoxhës, ku shkruan se Dem Xhepën e kishte mikun e vet më të ngushtë, siç e kam cituar dhe më lart, por që ia vlen të përsëritet;
Atë mëngjes korriku dola bashkë me Dem Xhepën nga shtëpia e tij. E kisha mik të vjetër Demin, prej njëzet e pesë vjetësh; mik besnik, atdhetar, antizogist në kulm, e kisha me prova besnikërinë e tij. Për shkakun tim Demi kishte hangër dy vjet burg në Gjirokastër. Prej andej ai më pat çue një njoftim shumë të randësishëm, që më shpëtoi jetën. Dy ditë më parë Demi më kishte pritur me taksi në pikën kufitare të Zvezdës në Korçë. Kishim dalë pra atë ditë në kafen e Demit për të takue miq e shokë.[lvii]
Pra, Dem Xhepa ka qenë miku më i mirë i Myslim Pezës, njeriu më besnik i tij, i cili ka «ka hangër burg» për të (se çfarë «ka hangër» Baba nga Dem Xhepa për t’ ia shpërblyer, merret me mend), që doli për ta pritur Babën në kufi me taksi, kur u kthye nga mërgimi në Jugosllavi. Prej kufirit Myslimi shkon jo në shtëpinë e vet në Pezë, por në shtëpinë e Dem Xhepës në Tiranë, ku rri dy ditë, dhe ditën e tretë del në kafenenë e Dem Xhepës, në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, për t’ u takuar me miqtë. Kafeneja e Dem Xhepës ishte qendra e grumbullimit të homoseksualëve në Tiranë, aty gjeje ashikë dhe dylberë, aty merreshin vesh thashethemet për çiftet mashkullore që krijoheshin e prisheshin, aty shkonin zhigolotë meshkuj në kërkim të qejflinjve të vjetër e të pasur që kërkonin dylberë. Ata që i lexojnë këto rreshta ndoshta mund të mendojnë se po ekzagjeroj, por e vërteta është se, nën influencën orientale osmane, homoseksualizmi ishte mjaft i përhapur në mjedisin ku lindi dhe u rrit Myslim Peza. Nuk është për t’ u habitur që në kafenenë e Dem Xhepës shkonte beu pervers Esat Dishnica. Siç thotë vetë Myslim Peza, me Esat Dishnicën atë e prezantoi Dem Xhepa dhe pastaj ishte Esat Dishnica që ia prezantoi Myslim Pezës Enver Hoxhën.
Këtu kuptojmë një gjë, që Esat Dishnica ishte miku i Dem Xhepës, gjë ky i fundit e pohon me gojën e vet. Dhe derisa Esat Dishnica dhe Enver Hoxha ishin miq është e qartë se edhe Enver Hoxha kishte miqësi me Dem Xhepën. Se çfarë miqësie mund të kishte aristokrati shumë i pasur dhe i shkolluar në Perëndim Esat Dishnica, me kafexhiun analfabet tiranas, Dem Xhepën, kjo nuk është e vështirë që të kuptohet. Kafeneja e Dem Xhepës nuk ishte ndër ato vende që Esat Dishnica mund t’ i frekuentonte pa një motiv të veçantë. Esat Dishnica frekuentonte kafenetë luksoze dhe ajo e Dem Xhepës nuk ishte një ndër to. Ajo që e lidhte Esat Dishnicën dhe Enver Hoxhën me Dem Xhepën ishte fama e këtij të fundit prej Don Zhuani i marrëdhënieve ndërmashkullore. E si mund t’ i shpëtonte Dem Xhepës pa e njohur dhe bërë mik ky Enver Hoxha «i ri, i shëndetshëm, i pashëm, shumë i pashëm»dhe i etur për dëfrime dhe për pare. Esat Dishnica, në kujtimet e veta të cituara më lart, për takimin e parë mes Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës, thotë se është bërë në dyqanin «Flora» dhe jo te kafeneja e Dem Xhepës. Duke e ditur reputacionin e Dem Xhepës dhe të kafenesë së tij, Esat Dishnica ka menduar ta shmangë Demë Xhepën dhe kafenenë e tij nga kjo histori revolucionare. Por të vërtetën megjithatë e nxjerrin Enver Hoxha dhe Myslim Peza.
Çka është tjetër interesante, janë përshtypjet e Myslim Pezës për Enver Hoxhën në këtë takim të parë të tyre. Ia vlen të përsëriten nga fragmenti i cituar më lart:
Esati doli dhe mbas pak u kthye me një djalë të ri, të gjatë e të shëndetshëm. Ishte i pashëm, shumë i pashëm.
-Enver Hoxha, -foli me zë të plotë.
-Myslim Peza, -i thashë dhe u rrokëm me njëri tjetrin sikur të ishim njohur prej vjetësh. Më hyni në zemër që në të pamen e parë, m’ u duk i hapët e zemërbardhë.[lviii]
E pra, të thëna në kafenenë e Dem Xhepës, nga miku i ngushtë i Dem Xhepës, Myslim Peza, për një njeri porsa të njohur me ndërmjetësinë e Dem Xhepës, këto përshtypje të Myslim Pezës për Enver Hoxhës janë ato të ashikut për dylberin: «i ri, i gjatë, i shëndetshëm, i pashëm, shumë i pashëm». Dhe mes të dyve, Myslim Pezës dhe Enver Hoxhës pati një «colpo di fulmine»: «u rrokëm me njëri tjetrin sikur të ishim njohur prej vjetësh». Kështu pra, lëvizja antifashiste komuniste në Shqipëri paska filluar në kafenenë e Dem Xhepës, mes këngëve të dylberëve dhe vetë Dem Xhepa ka një kontribut të madh në Konferencën e Pezës, se ndërmjetësoi në njohjen e Enver Hoxhës me Myslim Pezën! Kështu shkoi zinxhiri i njohjeve dhe Enver Hoxha i prezantoi Myslim Pezës Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën e kështu me radhë shokët komunistë. Dem Xhepa del të ketë një rol të rëndësishëm në organizimin e asaj që u më vonë u quajt Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri! Curzio Malaparte ka qenë ai që e ka analizuar atë fenomen të çuditshëm të Luftës së Dytë Botërore, të angazhimit të homoseksualëve në lëvizjet komuniste, si dhe në rezistencën e antifashiste. Curzio Malaparte, në librin e vet me përsiatje nga Lufta e Dytë Botërore, «Lëkura» shkruan:
Gjithçka është vënë në veprim, në këtë luftë të tmerrshme e të çuditshme, me qëllim fitoren, gjithçka, edhe pederastia, e cila prandaj meriton respektin e çdo njeriu liridashës. Disa moralistë ndoshta nuk do të jenë të këtij mendimi, por s’ mund të kërkohet që të gjithë heronjtë të kenë pastërti morale dhe të jenë të një seksi të përcaktuar mirë. Nuk ekziston një seks i detyrueshëm për heronjtë e lirisë.... E çfarë sakrificash nuk është i zoti të bëjë një pederast për çështjen e madhe të lirisë.[lix]
Homoseksualët u bënë antifashistë që në vitin 1934 kur Hitleri në atë që u quajt «Nata e thikave të gjata» vrau Ernst Remin i cili ishte homoseksual dhe spastroi shumë homoseksualë në poste të larta, duke i pushkatuar pa gjyq. Curzio Malaparte ka qenë ai që e ka analizuar atë fenomen të çuditshëm të Luftës së Dytë Botërore, të angazhimit të homoseksualëve në lëvizjet komuniste, si dhe në rezistencën e antifashiste. Curzio Malaparte shkruan se madje, në Luftën e Dytë Botërore, shërbimet sekrete britanike dhe amerikane u mbështetën tek homoseksualët për të krijuar grupe klandestine të rezistencës antifashiste në Europë, duke i gjetur homoseksualët shumë të përshtatshëm për veprimtari ilegale antifashiste:
Homoseksualët siç dihet përbëjnë njëfarë vëllazërie ndërkombëtare, një shoqatë të fshehtë, të drejtuar nga ligjet e një miqësie të dashur e të thellë, që nuk është në mëshirën e dobësive dhe të paqëndrueshmërisë proverbiale të seksit.[lx]
Kështu që homoseksualët konspiratorë antifashistë nuk do ta tradhëtonin kurrë njëri tjetrin. Malaparte shton se shërbimi sekret i aleatëve perëndimorë:
kishte ditur të përfitonte nga dobësitë e pederastisë, për ta bërë një vegël të mrekullueshme lufte.[lxi]
Curzio Malaparte, i cili prej vitit 1943 ka qenë oficer ndërlidhjeje i qeverisë antifashite italiane pranë shtabit të trupave britaniko-amerikane në Itali, tregon se një pederast aristokrat francez me lidhje të shumta në Europë, ishte ai që ua dha këtë mendim shërbimeve sekrete britaniko-amerikane:
Mendimi i formimit të çetave të homoseksualëve kishte qenë një mendim i Zhorzhit, e atij i takon merita që organizoi në të gjitha viset e pushtuara, madje edhe në Gjermani, atë rrjet të rinjsh bukuroshë, që i kanë bërë shumë shërbime dhe shërbime fort të vlefshme çështjes fisnike të lirisë europiane...Por gjenerali i famshëm Donëven (shefi i OSS, shërbimit sekret amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore-K. M.), krahu i djathtë i të cilit ishte bërë Zhorzhi, për gjithçka që kishte të bënte me çetat e homoseksualëve, kishte ditur të përfitonte nga dobësitë e pederastisë, për ta bërë një vegël të mrekullueshme lufte.[lxii]
Një oficer amerikan i thotë Malapartes:
Po nis të besoj që pederastët janë të vetmit që kanë fituar luftën.[lxiii]
Malaparte thotë se kjo lidhje e homoseksualizmit me politikën dhe antifashizmin ndodhte edhe në krahun komunist, ku shumë njerëz:
ishin dhënë pas pederastisë, duke menduar se ishin dhënë pas komunizmit.[lxiv]
Sigurisht që edhe OVRA e Kominterni, të cilat u gjendën në një bashkëpunim të çuditshëm në drejtimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, e përdornin përparësinë që sillte pederastia për të organizuar lëvizje klandestine. Kjo duket qartë në lidhjen e Enver Hoxhës dhe Esat Dishnicës me Myslim Pezën, me anë të Dem Xhepës. Myslim Peza thotë për ditën pasi takoi Enver Hoxhën:
Të nesërmen u nisa me Dem Xhepën në Pezë.[lxv]
Dhe pas Myslim Pezës dhe Dem Xhepës në Pezë do të shkonin dhe Enver Hoxha, Miladin Popoviçi etj. Ndoshta ka qenë Dem Xhepa ai që ka sugjeruar vargun e parë të këngës partizane «Ato maja rripa-rripa», sipas proverbit me shumë kuptim «Atje poshtë në ato rripa, herë ma hipe herë ta hipa». Kontributin e Dem Xhepës në luftë e përmend dhe Haxhi Lleshi në kujtimet e veta. Ai shkruan për Myslim Pezën:
Disa herë i dërgova letra e të holla me korrierët Mysli Jashari, Ramë Dumani, Nuz Majtara, Kadri Demiri, Lilë Bushati e Fadil Verzivolli që natën e ditën kalonin kufirin ilegalisht e ndonjëherë edhe me pasaportë. Siç mora vesh prej tyre, në shumicën e rasteve letrat ia lexonte Esat Dishnica në kafe të Dem Xhepës ose në shtëpinë e Ismail agë Petrelës pastaj i digjnin që të mos binin në dorë të armikut.[lxvi]
Enver Hoxha kërkon t’ i paraqitë gjërat sikur ai e nxiti Myslim Pezën të fillonte luftën kundër okupatorëve, me armën që i dhuroi, kur shkruan:
Në mars të vitit 1941 Myslimi goditi italianët në rrugën e Pezës dhe doli ilegal me gjithë çetë.[lxvii]
Në fakt Myslim Peza sulmonte automjete për t’ i grabitur në rrugën e Ndroqit, prandaj karabinierët, të cilët mbronin rendin, bënë në atë kohë një inkursion kundër tij. Por atëherë italianët qenë të zënë në frontin grek dhe nuk kishin nge të merreshin me Myslim Pezën. Enver Hoxha, i cili thotë se kishte shumë dëshirë që të luftonte, nuk e shpjegon se përse nuk shkoi dhe ai me komunistët në çetën e Myslim Pezës. Nëse ai dhe komunistët e tjerë do të dilnin në mal të luftonin, kjo do të ishte një mënyrë shumë më e mirë për t’ i tërhequr njerëzit në luftë, se sa propaganda për luftën nëpër kafenetë e Tiranës.
Enver Hoxha, kur erdhi në pushtet, nuk do të mungonte që të përdorte talentin e vet prej komediani, për të bërë sikur ai kishte qenë gati duke e organizuar atentatin kundër mbretit-imperator Victor Emanuele III, kur ai vizitoi Shqipërinë, në maj 1941. Në 5 maj 1973, gjatë një vizite në familjen e Vasil Laçit, që atëherë banonte në Durrës, Enver Hoxha do të tregonte natyrën e vet prej komediani:
Kur Vasili kreu atentatin kundër mbretit të Italisë, unë isha në Tiranë ilegal, se më ndiqnin. Në atë moment ndodhesha në një shtëpi në fund të rrugës së Durrësit tek Esat Dishnica dhe po bisedoja me të, po i flisja se ne nuk ishim akoma të organizuar, megjithatë, i thashë, po sikur t’ i bëjmë ndonjë gjë këtij «qeni», Viktor Emanuelit, atë ditë që do të ikte. Kur, ja, krisi pushka dhe ne u ngritëm në këmbë. «Mos bënë atë që duhej bërë?», thashë unë. Vallë kush qenë ata që e bënë këtë atentat, se të gjithë ne, komunistët e grupeve, ishim në lidhje me njëri-tjetrin, dhe dinim çdo gjë që do të bënim. Nxora kokën në dritare dhe pashë një katrahurë të madhe. Rrugëve rendnin me vrap milicë e karabinierë. U rrethua gjithë mëhalla. Çfarë të bënim që të merrnim vesh ç’ kishte ndodhur? Pak më vonë mësuam se si një djalë i ri nga Bregu i Detit kishte qëlluar me armë mbretin e Italisë. Ca thoshin se atentatori e vrau, ca të tjerë thoshin e plagosi. Një entuziazëm të madh kishte kudo në popull. «Si e thonë?» pyeta unë. «Vasil, më thanë,- dhe e arrestuan, nuk e vranë». Atë ditë lajmërova shokët, i pyeta në kishte njeri lidhje me Vasilin dhe njëri prej tyre më thotë se kishte patur muhabet me të dhe në bisedat që bënin Vasili fliste me urrejtje kundër fashizmit».[lxviii]
Vasil Laçi e bëri atentatin ndaj Viktor Emanuele III në maj 1941, ndërsa Enver Hoxha doli në ilegalitet në katër muaj më vonë, 29 tetor 1941, siç do ta citoj më tutje në këtë libër. Enver Hoxha më lart na thotë se për pak ai dhe Esat Dishnica kanë qenë duke i bërë atentat Victor Emanuele III! Por ata e nuk e shkrepën atë ditë dhe siç do të tregoj më tutje, Enver Hoxha nuk e shkrepi kurrë armën gjatë luftës.
II
OVRA ndez një «cigare»
Kundërshtarët e Enver Hoxhës kanë thënë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, komunistët shqiptarë dhe Enver Hoxha së bashku me ta, filluan që të lëvizin vetëm në 1941, pasi u sulmua Bashkimi Sovjetik, atdheu i tyre ideologjik. Nëse do ta pranosh si të vërtetë këtë tezë, do të thotë që t’ i atribuosh Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, një përkushtim ideologjik, të cilin ai vetë dhe pjesa më e madhe e rrethit të tij, nuk e kanë pasur. Sukseset e mëdha të gjermane në frontin e Lindjes, në muajt e para të luftës, si dhe humbjet kolosale që Ushtrisë së Kuqe në atë kohë, nuk ishin diçka inkurajuese për të filluar një guerrilje komuniste në Shqipëri. Komunistët shqiptarë thjesht prisnin se si do të shkonin gjërat. Ata i nxorrën nga apatia homologët e tyre jugosllavë. Në korrik të vitit 1941 në Jugosllavi filloi një guerrilje e armatosur komuniste, e drejtuar nga Tito, i cili fill pasi vendi u okupua në prill 1941, doli në mal si partizan, ndryshe nga Enver Hoxha, i cili qëndronte si «ilegal» në qytetin e Tiranës.
Në verën e vitit 1941, Mali i Zi, fqinj me Shqipërinë, ishte ajo zonë e Jugosllavisë ku lufta partizane mori përmasa impresionuese. Në 15 korrik 1941, Konti Ciano shkruan në ditarin e vet:
Në Malin e Zi shumë keq. Kryeqyteti është izoluar dhe gjithë rrugët e hyrjes në të janë bllokuar nga rebelët. Dërguam forca nga Shqipëria.[lxix]
Në korrik të vitit 1941, në Shqipërinë e zgjeruar të 1941 dhe në Malin e Zi ishte venduar Armata IX italiane me 12 divizione, të cilat vepronin në kuadrin e asaj që quhej Komanda e Forcave të Armatosura në Mbretërinë e Shqipërisë dhe Mbretërinë e Malit të Zi. Kryengritja e armatosur komuniste në Malin e Zi u rrit në mënyrë spektakolare dhe brenda disa ditësh italianët e panë veten në rrezik të dëboheshin krejt nga Mali i Zi. Në këto rrethana, italianët u detyruan që të tërheqin pjesën më të madhe të ushtrisë së tyre që gjendej në Shqipëri, për ta angazhuar në luftime të gjata, të vështira dhe pa rezultat kundër partizanëve në Malin e Zi. Në 22 korrik 1941, Konti Ciano shkruan në ditarine e vet për gjendjen në Malin e Zi:
Punët në Malin e Zi shkojnë mjaft keq: forcat rebele po rriten me kroatë e serbë e divizionet tona nuk mbërrijnë t’ i ngrijnë në mënyrë vendimtare. Gjithë kjo është qesharake, por bën shumë të reflektohet.[lxx]
Si rezultat i gjendjes në Malin e Zi, në Shqipëri kishin mbetur shumë pak forca italiane, çka kuptohet kur Ciano shkruan në ditarin e vet në 2 mars 1942 për gjendjen në Shqipëri, të cilën e shikon të qetë, por shqetësohet nga numri i paktë i ushtarëve italianë në vend:
Jacomoni raportoi mbi gjendjen në Shqipëri, e cila është e mirë në përgjithësi e sidomos për kohët që kalojmë. Por një çështje që tërheq vëmendjen time- pamjaftueshmëria e forcave ushtarake: katër divizione me nga dy regjimente; regjimentet me dy batalione, pak forca karabinierësh, asnjë tank. Ky është garnizoni ynë në Shqipëri. Është e qartë se, sikur të vringëllonte një goditje nga jashtë dhe propaganda armike të arrinte të ngrinte shtresa të gjera të brendshme, me forcat tona nuk përballojmë dot asgjë. Nuk duhet të harrohet që gjithë Ballkani është në flakë që në Shqipëri regjimi italian ka vetëm tre vjet, që jemi në luftë me Amerikën e Anglinë, të cilat kanë shumë mjete dhe me një Rusi që është mjeshtre kurthesh.[lxxi]
Kjo do të thotë se, në Shqipëri (Ciano ka parasysh Shqipërinë e zgjeruar të 1941), praktikisht gjendeshin jo më tepër se dy divizione italiane, duke qenë në Shqipërinë e 1913 jo më tepër se rreth dy të tretat e kësaj force. Kështu, 83% e forcave të Armatës IX gjendeshin në Malin e Zi, ndërsa jo më tepër se 10-11% e tyre gjendeshin në Shqipërinë e 1913. Dhe për më tepër, siç thotë Ciano, nuk kishin ndonjë shqetësim. Në gjuhën e komunistëve jugosllavë, që drejtonin guerriljen partizane në Malin e Zi, kjo do të thoshte se komunistët e Shqipërisë fqinje me Malin e Zi nuk po bënin asgjë për të kryer detyrën e tyre internacionaliste, për të lehtësuar barrën që partizanët malazezë po mbanin në luftën kundër armikut të përbashkët, okupatorit fashist. Për shkak të pasivitetit të komunistëve shqiptarë, partizanët malazezë qenë të detyruar që të përballonin edhe forcat italiane që patën ardhur nga Shqipëria. Në rast se në Shqipëri komunistët do të kishin organizuar në ndërkohë një luftë partizane, italianët nuk do të kishin mundur që t’ i sillnin forcat e tyre nga Shqipëria, dhe Mali i Zi do të ishte çliruar krejt, e partizanët e tij do të shkonin në ndihmë të forcave partizane në Bosnjë, Herzegovinë, Dalmaci, Serbi. Komunistët jugosllavë i kishin të gjitha arsyet të qenë të zemëruar me homologët e tyre shqiptarë. Partizanët e Malit të Zi, me një një territor sa gjysma e atij të Shqipërisë së 1913 dhe një popullsi më pak se gjysma e asaj të Shqipërisë së 1913, tashmë qenë të detyruar që të përballonin forca italiane tetë herë më të mëdha se ato që gjendeshin në Shqipëri, në të cilën për më tepër forcat italiane qenë të pashqetësuara. Në ndërkohë komunistët e Shqipërisë e kalonin kohën me biseda të kota në kafenetë e Tiranës, Shkodrës, Korçës dhe qyteteve të tjera. Për këto arsye Partia Komuniste e Jugosllavisë nisi një emisar të saj në Shqipëri, në verën e vitit 1941, me emrin Dushan Mugosha, i cili kishte detyrë që të nxiste komunistët shqiptarë të bashkoheshin në një parti komuniste dhe të fillonin luftën kundër armikut të përbashkët, për të tërhequr sa më tepër forca italiane në vend, duke lehtësuar kështu barrën e partizanëve malazezë.
Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për ardhjen e Dushan Mugoshës në Shqipëri, në gusht 1941:
Në këtë kohë erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të «Të Rinjve», kërkoi takim me «kryetarin» tonë. Mirëpo, me të drejtë, Koçoja nuk pranoi të takohej me të, sepse rruga që u përdor ishte nga më të gabuarat. Koçon e kërkoi për takim Anastas Lula, prandaj merret me mend që ai e refuzoi takimin.[lxxii]
Më pas del në skenë Tahir Kadare, të cilin Enver Hoxha donte ta përdorte për të vendosur kontakte me komunistët në Tiranë, në 1936 dhe për të cilin flet me përçmim:
Por këtë herë lajmet e tij ishin vërtet të rëndësishme. Po na tregonte, «në konfidencë» se në Tiranë ishte organizuar një mbledhje e përbashkët ku merrte pjesë, përveç shokëve të Grupit të Shkodrës e të «Të Rinjve», edhe një jugosllav, Dushan Mugosha. Si «i të gjithëve» kishte marrë pjesë edhe Tahiri. Por më e rëndësishmja erdhi më poshtë:
-Dushan Mugosha,- vazhdoi Tahiri,- na tha se në kampin e internimit në Peqin fashistët kishin sjellë kohët e fundit një kuadër të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, një shok shumë të mirë. E quajnë Miladin Popoviç, është sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë i Kosmetit, dhe na u lut që ne, komunistët shqiptarë, të ndihmojmë për të organizuar lirimin e Miladinit nga kampi i internimit.[lxxiii]
Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndodhur kështu, se Tahir Kadare e njihte mirë Enver Hoxhën, i cili mund të influenconte tek Koço Tashko që ky ta pranonte Dushan Mugoshën si emisar të PKJ. Këtu ballafaqohemi me atë që mund të quhet si Enigma «Miladin Popoviç». Miladin Popoviçi, si komunist me peshë i një partie që tashmë kishte filluar një guerrilje të armatosur, duhet të ishte në burg për t’ u hetuar dhe jo i internuar në kampin e Shijakut, ku shkonin ata persona të cilët nuk hetoheshin, por thjesht izoloheshin. Madje, edhe nëse Miladin Popoviç do të ishte internuar, ai do të ishte internuar në Itali, si të tjerë komunistë. Derisa u çua në Peqin, kjo u bë që të simulohej arratisja e tij. Pra, Miladin Popoviç ishte bërë agjent i shërbimit sekret italian, dhe me shumë gjasë edhe Dushan Mugosha. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
I mblodha shokët, dhe u raportova se ç’ më tha në «Flora» Tahir Kadareja dhe u propozova se edhe neve të Grupit të Korçës, na takonte të vepronim për të çliruar Miladin Popoviçin.
-Të lirojmë nga kampi nga kampi i internimit një komunist e kuadër të një partie komuniste tjetër,- u thashë shokëve,- është një detyrë internacionaliste ndaj së cilës ne s’ mund të rrimë mënjanë. Pastaj, kam parasysh se mundësitë tona për këtë veprim janë më të mëdha se ato të grupeve të tjera, sepse influenca e lidhjet tona në zonën e Elbasanit dhe të krejt Shqipërisë së Mesme janë më të ndjeshme; në ato zona vepron Myslim Peza me çetën e tij me të cilin ne jemi lidhur prej kohësh. Prandaj,- u thashë shokëve,- ne duhet të kryejëm këtë detyrë dhe t’ u propozojmë edhe shokëve të Grupit të Shkodrës për bashkëpunim.[lxxiv]
Enver Hoxha nuk kishte asnjë status në Grupin Komunist të Korçës, për të cilin tash flet sikur të ishte rimbledhur (në kundërshtim me direktivat e Kominternit), në mënyrë që të drejtonte një mbledhje të tillë. Madje ai nuk mund ta bënte këtë as për degën e Tiranës, për të cilën vetë pohon se e drejtonte Koço Tashko. E gjithë kjo që thotë Enver Hoxha më lart është pra vetëm fantazi prej komediani. Pastaj, kështu siç flet Enver Hoxha, duket sikur lirimi i Miladin Popoviçit do të bëhej me një sulm me armë në kampin e internimit, ku në aksion do të merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Por jo. Enver Hoxha thotë se, pasi bisedoi edhe me Vasil Shanton e Grupit të Shkodrës, vendosën që këtë detyrë t’ i ngarkojnë Mustafa Gjinishit:
Meqë s’ kishim kundërshtim asnjëra palë, atëherë vendosëm të vepronim sa më parë. Pastaj i bëra të ditur Vasilit se ne do të ngarkonim Mustafa Gjinishin, i cili dinte serbisht dhe njihte terrenin e Peqinit, ku do të gjente njerëzit e duhur për aksionin.
-Jemi dakord,- tha Vasili,- Me Mustafanë mund të dërgojmë edhe ne një a dy shokë nga grupi ynë.[lxxv]
Ky episod na tregon se Enver Hoxha është i paaftë ta shmangë natyrën e vet prej komediani. Ai do të rrinte në «Kursal» të priste se ç’ do të bënte Mustafa Gjinishi! Është interesante se përse këtë mision, të parin të rëndësishëm të komunistëve shqiptarë, nuk ia ngarkuan Myslim Pezës dhe çetës së tij, por Mustafa Gjinishit, të cilin më pas e quan armik dhe e vrasin pas shpine. Enver Hoxha tregon vetëm kaq për aksionin për lirimin e Miladin Popoviçit:
Të nesërmen e takimit me Vasilin thirra Mustafanë dhe ia komunikova vendimin. Bëmë planin sipas të cilit ai do të shkonte të bënte një herë rikonjicionin e terrenit: fushën ku ndodhej kampi i internimit, rojat e armikut që patrullonin, t’ u vinte syrin njerëzve nga të tijtë, që do të përdorte, plus një ose dy shokëve të tjerë që do të rekomandonte Vasil Shantoja. Mustafai u hodh përpjetë nga gëzimi që po e ngarkonim për një veprim special të cilin ai e konsideronte të rëndësishëm. E porosita të ruante gjakftohtësinë, të ishte konspirativ dhe të gjente mundësinë për të lajmëruar brenda në kamp Miladinin, kurse planin e veprimit dhe datën për zbatimin e tij, të na i parashtronte, pastaj të vendosnim definitivisht. Dhe kështu bëri. Kur u kthye pas tri-katër ditësh, Mustafai e kishte gati planin. Pasi e diskutuam bashkërisht, ai mori aprovimin për veprim. Aksioni u krye me sukses. Miladin Popoviçi u çlirua dhe u vendos në një bazë të sigurt në Tiranë.[lxxvi]
Enver Hoxha nuk jep detaje për këtë aksion të parë të madh të komunistëve shqiptarë. Thjesht thotë se ia ngarkoi Mustafa Gjinishit dhe ky e kreu. Edhe në librin «Dokumente nga lufta e popullit shqiptar për liri dhe demokraci: 1917-1941», (botim i Drejtorisë Qendrore të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1959), ku paraqiten deri edhe raporte të policisë fashiste për trakte komuniste të hedhura në 1941, nuk jepet asgjë për këtë aksion për lirimin e Miladin Popoviç. Në librin e Enver Hoxhës «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë» ka një kapitull me titull «Mustafa Gjinishi- njeriu i anglezëve»[lxxvii] ku thotë gjithë të zezat për të, madje edhe se u pohoi që ishte agjent i shërbimit sekret britanik. Vetëm si agjent të shërbimit sekret të Jugosllavisë monarkiste nuk e akuzon, edhe pse thotë se Mustafa Gjinishi kishte ardhur nga Jugosllavia në 1941. Enver Hoxha thotë për Mustafa Gjinishin në librin e vet me kujtime «Rreziku anglo-amerikan» për Shqipërinë:
Pas pushtimit të vendit tonë nga italianët, Mustafa u fut në Shqipëri nga Jugasllavia, së toku me Mustafa Kaçaçin dhe me Abaz Kupin. Natyrisht këta u futën ilegalisht duke kaluar kufirin në Dibër, në mos gabohem. Morën kontakt me Haxhi Lleshin, i cili ishte në ilegalitet dhe erdhën në Tiranë, po në mënyrë ilegale. Mustafa Gjinishi u takua edhe me Myslim Pezën, i cili ndiqej nga italianët dhe qe hedhur edhe ky në ilegalitet.[lxxviii]
Por Haxhi Lleshi, i cili më pas, në kohën e regjimit komunist, do të bëhej kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (kryetar i shtetit) për 29 vjet, shkruan në kujtimet e veta se para largimit nga Jugosllavia, u takua për herë të fundit me me Mustafa Gjinishin, Abaz Kupin dhe Mustafa Kaçaçin në Shkup, në prag të sulmit gjerman kundër Jugosllavisë, në pranverën e vitit 1941. Në fillim të vitit 1941, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Mbretërore Jugosllave dhe shërbimi sekret jugosllav, duke parashikuar mundësinë e një sulmi gjerman ndaj Jugosllavisë, përgatiti në këtë rrethanë planin e invadimit të Shqipërisë. Ky plan parashikonte dhe veprimin e grupeve të armatosura shqiptare, të cilët deri atëhere i pati mbajtur me rrogë dhe stërvitur sherbimi sekret jugosllav, në territorin jugosllav. Për këtë qëllim, në mars 1941, u bë një mbledhje në Shkup me krerët e këtyre grupeve. Këto grupe, në 6 prill 1941, kur Gjermania invadoi Jugosllavinë msynë kufirin shqiptar, të mbështetur nga reparte të ushtrisë së rregullt jugosllave. Haxhi Lleshi me grupin e vet msyu në Dibër. Ja se si shkruan Haxhi Lleshi në kujtimet e veta për këtë mbledhje dhe për veprimet e tyre në ato ditë të prillit 1941:
Nëpërmjet radios mora vesh se edhe në Malësi të Gjakovës vullnetarë shqiptarë kishin luftuar kundër pushtuesve italianë. Ata ishin frymëzuar dhe udhëhequr nga shoku dhe miku ynë, i riu Jahe Salihi, djali i Sali Manit, patriotit demokrat dhe bashkëluftëtarit të Bajram Currit. Me Jahe Salihit patëm lidhur besë për luftë. Takimin e fundit me të e kisha bërë në Shkup nga mesi i marsit 1941. Në këtë takim morën pjesë edhe Abaz Kupi, Gani Kryeziu e Mustafa Gjinishi, me të cilët patëm rënë dakord që të vinin në luftë me ne kundër pushtuesve italianë. Por, këta së bashku me disa emigrantë të tjerë që kishin tërhequr pas vetes, kishin vajtur gjoja për të luftuar në Malësinë e Gjakovës dhe asnjë pushkë nuk kishin zbrazur.[lxxix]
Këtu bëhet fjalë për radio marrëse-dhënëse ushtarake. Haxhi Lleshi nuk e thotë se nëpërmjet cilës radio i mori vesh këto gjëra ato ditë kaotike të prillit 1941? Merret vesh, nëpërmjet radiomarrëses dhe dhënëses me të cilën komunikonte me shtabin e ushtrisë jugosllave, që komandonte atë dhe Jahe Salihin. Haxhi Lleshi këtu zbulon pa dashje fytyrën e vet të vërtetë prej agjenti të serbëve. Mustafa Gjinishi mori pjesë në sulmin nëpërmjet Tropojës (Malësisë së Gjakovës). Oficeri britanik Julian Amery, i cili ka qenë në Beograd në vitet 1940-1941, për të përgatitur këto lloj operacionesh, shkruan në kujtimet e veta për këtë operacion të prillit 1941:
Në mbrëmjen e 7 prillit Gani, Seit dhe Hasan Kryeziu, së bashku me Abaz Kupin dhe Mustafa Gjinishin kapërcyen kufirin për në Shqipëri në krye të treqind burrave. Me ta ndodhej edhe Oklej Hill.[lxxx]
Majori britanik Dayrell Oakley-Hill, i cili ishte pjesëmarrës në këtë sulm thotë se në të morën pjesë dhe një brigadë dhe një grup artilerie të ushtrisë jugosllave, të komanduar nga një gjeneral jugosllav, që përbënin forcën kryesore, ndërsa grupet shqiptare të Kryezinjve dhe Kupit përbënin vetëm pararojën e tyre. Këto forca kishin objektiv që të pushtonin Shkodrën, duke i dalë nga pas shpine vijës së mbrojtjes së saj, në kufirin perëndimor të Shqipërisë me Jugosllavinë. Këto forca kapërcyen nëpër Krasniqe, Shalë, Shosh dhe arritën deri në Bogë, por u kthyen pas kur mësuan disfatën e ushtrisë jugosllave. Oakley-Hill shkruan në librin e vet me kujtime:
Gjatë një ndërprerjeje të shkurtër oficerët eprorë jugosllavë mbajtën një mbledhje. Na vunë në dijeni se ata do të ktheheshin prapa. Pas një bisede me Ganiun dhe Bazin, unë shkova te oficeri që komandonte trupat dhe e pyeta ç’ plane kishin. Ai na tha se nuk fitonim gjë po të avanconim. Ai na tha se do të kishim nevojë për furnizime dhe linja e furnizimeve ishte në anën tjetër të forcave të tyre, artileria e të cilave mund të ndihej nga beteja e tyre në perëndim, kështu që ata do të ktheheshin prapa për të marrë rrugën drejt Thethit. Pastaj iu drejtova komandantit të këmbësorisë me gradën brigadier dhe e pyeta atë nëse mund të përdorte, të themi gjysmën e batalionit për të marrë kreshtën, ndërsa ne do të vepronim si një patrullë e avancuar për atë dhe dhe për të marrë kontakt me opozitën vendore, të cilët ishin padyshim burrat e Shalës dhe të Shoshit. Ai tha se do të dëshironte ta bënte një gjë të tillë, por nuk e bënte dot sepse kishin ardhur urdhra. Kështu që pamë grupin e brigadën të zbriste tatëpjetë malit. Ne i ndoqëm ngadalë të bindur që grupi ynë i vogël nuk mund të bënte gjë në atë moment fatkeq.[lxxxi]
Oakley-Hill, duke kqyrur në retrospektivë këtë aksion shkruan:
Unë ende besoj se dëmin më të madh ne na e bëri hyrja e jugosllavëve në Shqipëri. Të mos kishte ndodhur kjo, ne do të mund të lëviznim pa zhurmë dhe pa bujë në male e kodra dhe të gjenim strehim duke u shpërndarë nëpër shtëpitë e malësorëve. Puna ishte se tërë Veriu i largët kishte dijeni për praninë tonë atje dhe mendonin se ne ishim vegla të jugosllavëve.[lxxxii]
Më pas Oakley-Hill thotë se u kthyen mbrapsht në Gjakovë dhe ai u dorëzua tek gjermanët. Kështu, Mustafa Gjinishi nuk hyri në Shqipëri nga Dibra por u kap nga gjermanët dhe iu dorëzua italianëve. Kjo kuptohet dhe kur Haxhi Lleshi thotë në kujtimet e veta se, pas atij takimi me Mustafa Kaçaçin në mars 1941 në Shkup, me të u pa vetëm në shkurt 1942, në Krujë.[lxxxiii]Kur Haxhi Lleshi e pyet për Abaz Kupin, Mustafa Kaçaçi i thotë:
E ç’ pyet për të o Haxhi, sikur s’ e ke njohur. Ty të tha në Shkup se do të luftonte kundër italianëve, por kur filloi lufta e prillit, u fsheh. Ia mbathi, medemek për të luftuar në Malësinë e Gjakovës me Gani Kryeziun e kompani. Lere, po shkuam edhe unë e Jahe Salihi me të.[lxxxiv]
Amery shkruan kështu për itinerarin që ndoqën Abaz Kupi dhe Mustafa Gjinishi, pas disfatës së këtij operacioni:
Ndërkohë Abaz Kupi dhe Mustafa Gjinishi ishin nisur në drejtim të jugut pasi ishin ndarë nga vëllezërit Kryeziu. Rruga e tyre kaloi përgjatë kufirit të territorit kundërshtar të Mirditës, duke përshkuar vargun e maleve që ndodheshin mbi lumin Drin, të veshur ende me borë.[lxxxv]
Abaz Kupi qëndroi në male, ndërsa Mustafa Gjinishi në mes të qytetit të Tiranës. Kryezinjtë, kur u tërhoqën u arrestuan nga italianët dhe u internuan në Itali, në ishullin famëkeq Ventotene. Si e lanë italianët të lirë Mustafa Gjinishin kur erdhi nga Jugosllavia, aq më tepër që erdhi si pjesë e një komandoje të armatosur antiitaliane, të organizuar në Jugosllavi? Si nuk e arrestuan italianët Gjinishin dhe së paku ta internonin? Merret vesh, Mustafa Gjinishi u bë agjent i policisë sekrete italiane. Enver Hoxha, siç e kam cituar më lart, thotë se Gjinishi erdhi në Tiranë si ilegal në 1941, por nuk thotë se si doli nga ilegaliteti, dhe i binte Tiranës kryq e tërthor duke marrë takime me të gjithë llojet e njerëzve. Është sa interesante aq domethënëse se Enver Hoxha nuk e akuzon Gjinishin si agjent jugosllav, por vetëm si agjent anglez?!
Duket se Enver Hoxha nuk tregon të vërtetën, kur thotë se Popoviçin e liroi Gjinishi, pasi e shumta që ka bërë Gjinishi, është që ka mbështetur arratisjen fiktive të Miladin Popoviçit, dhe kalimin e tij nga Peqini në Tiranë, meqënëse e njihte zonën. Më pas Enver Hoxha e eliminoi Gjinishin edhe me porosi të Popoviç se dinte enigmën e lirimit të tij. Enver Hoxha më pas do të shkruante për Mehmet Shehun:
Pas thyerjes së luftës antifashiste në Spanjë, Mehmet Shehu shkoi në një kamp refugjatësh në Francë, ku ndenji tre vjet në një kohë që shumë shokë të tij u arratisën. Në kamp ai u rekrutua edhe agjent i Intelixhens Servisit anglez. Prej andej e tërhoqën një oficer i Gestapos gjermane dhe një i SIM-it italian, kaloi nëpër Itali, ku u mbajt dy muaj, pastaj iu dorezua në Durrës spiunit famëkeq shqiptar, në shërbim të pushtuesve italianë, Man Kukaleshit, i cili pas njëzet ditësh e liroi dhe Mehmet Shehu shkoi në Mallakastër dhe u lidh me organizatën e Partisë sonë.[lxxxvi]
Këto mund të jenë të vërteta, por nëse kqyret nga kjo pikëpamje edhe arratisja e Miladin Popoviç, atëherë ai del si agjent i policisë sekrete italiane. Në atë kohë italianët qenë të preokupuar se mos komunistët jugosllavë do të çonin emisarë në Shqipëri për të përdorur komunistët shqiptarë, në mënyrë që të organizonin një guerrilje komuniste antiitaliane në Shqipëri. Italianët qenë të sigurt se komunistët jugosllavë do t’ i bënin këto përpjekje në drejtim të Shqipërisë, prandaj nuk është për t’ u habitur që italianët e shikonin si konvenuese që ta kishin këtë proces nën kontroll, me anë të njerëzve të tyre, si tek emisarët jugosllavë, ashtu dhe tek udhëheqja komuniste shqiptare. Pas arratisjes fiktive të Popoviçit, këtë të fundit e sollën brenda në qytetin e Tiranës?! Enver Hoxha pretendon se e sollën në një bazë të sigurt, siç e kam cituar më lart, por a mund të kishte të tillë në qytetin e Tiranës për një kuadër komunist serb, i cili supozohej që të kërkohej nga italianët. Më e pakta, duhet ta kishin çuar në Pezë.
Ekziston një dokument i jashtëzakonshëm, që përbën një çelës për të zbërthyer shumë mistere të lëvizjes komuniste shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fjalën e kam për letrën që Koço Tashko, i adreson Kominternit në vjeshtën e vitit 1942. Koço Tashko letrën ia dorëzoi Enver Hoxhës, i cili në atë kohë qe edhe sekretar politik i Komitetit të PKSH për Qarkun e Tiranës. Që kjo letër, e cila është botuar në Shqipëri pas rënies së komunizmit, është e vërtetë, këtë e pohon edhe Enver Hoxha, i cili sjell në kujtimet e veta këtë bashkëbisedim me Koço Tashkon, ku ky i fundit i thotë:
-Do t’ i bëj një letër Kominternit. E kam menduar me kohë këtë se kam edhe probleme të tjera për t’ i shtruar.
-Mirë,- i thashë,- shkruaji Kominternit e kujt të duash.
-Pas disa ditësh më dorëzoi vërtet letrën për Kominternin, duke më thënë:
-Duhet t’ ia dërgosh patjetër Qendrës!
-Sapo të hyjmë në lidhje me të do t’ ia nis,- e sigurova.[lxxxvii]
Për këtë paragraf në kujtimet e Enver Hoxhës është shënimi sqarues: «Kopja e kësaj letre është në AQP (Arkivi Qendror i Partisë- K. M.)».[lxxxviii]
E megjithatë kjo letër e Koço Tashkos nuk u botua kurrë gjatë regjimit komunist. Ajo u publikua vetëm në 1995. Në këtë letër, të cilën do ta citoj gjerësisht në këtë libër, Koço Tashko ankohet për Miladin Popoviçin:
Shokut Miladin i mungon konspiracioni, i mungon dhembshuria për shokët dhe për Partinë, d.m.th. i mungon dhembshuria për dëmet që do të pësojnë shokët dhe Partia nga mospërfillja e tij për konspiracionin.[lxxxix]
Mospërfilla e Miladin Popoviçit për konspiracionin, aq më tepër kur porsa u kishte shpëtuar fashistëve, e dekonspironte atë si njeri të policisë sekrete fashiste. Për hir të së vërtetës, mungesë konspiracioni në lidhje me Miladin Popoviçin kishte treguar edhe Koço Tashko, si dhe Enver Hoxha, i cili e përshkruan kështu takimin e parë me Miladin Popoviçin:
Të nesërmen Koçoja, unë dhe Mustafai shkuam dhe u takuam për herë të parë me Miladinin. U përqafuam dhe u puthëm me të si të ishim njohur prej kohësh. Miladini fliste serbisht, Mustafai përkthente. Koçoja i uroi mirëseardhjen dhe i transmetoi gëzimin tonë që u çlirua nga kampi i fashizmit.[xc]
Si shkuan tre komunistë të njohur në shtëpinë ku ishte strehuar Miladini, të nesërmen e arratisjes së tij? A nuk kishte rrezik kështu që të kompromentohej «baza e sigurt»? Me sa duket nuk kishte rrezik se, të katërt ata që u takuan qenë agjentë të policisë sekrete fashiste. Enver Hoxha nuk kishte asnjë arsye pse të ishte në këtë takim, se ai nuk përfaqësonte asgjë. Derisa Gjinishi ishte ai që e kishte liruar Miladin Popoviçin dhe Koço Tashko ishte i dërguari i fundit i Kominternit dhe e kishte detyrim që të takohej me emisarin jugosllav, Enver Hoxha, i cili nuk ishte madje as komunist i organizuar, nuk e kishte këtë detyrim. Por, sipas të gjitha gjasave ka qenë Koço Tashko, ai që e ka marrë me vete Enver Hoxhën kur shkoi ta takojë Miladin Popoviçin, si i dërguari i fundit i Kominternit në Shqipëri që kishte qenë Koço Tashko. Koço Tashko duhet të ishte porositur nga OVRA që ta lançonte Enver Hoxhën në lëvizjen komuniste shqiptare, çka më pas iu ngarkua edhe Miladin Popoviç. Enver Hoxha thotë për takimin e parë me Miladin Popoviçin:
Ai shprehu dashurinë dhe admirimin e tij për popullin vëlla shqiptar. Këto ndjenja kishin lindur në zemrën e tij nga sa kishte dëgjuar për popullin tonë dhe nga ato që kishte parë e njohur vetë, sepse kishte jetuar dhe punuar me shqiptarë. Ai ishte malazez, por virtytet e popullit tonë i gjykonte dhe i vlerësonte si komunist.[xci]
E vërteta është se Miladin Popoviçi, ashtu si Dushan Mugosha, ka qenë serb nga Mali i Zi, i çuar si kolonist në Kosovë, në kohën e Jugosllavisë monarkiste. Etninë malazeze e krijoi Tito pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të reduktonte kombin serb, se para Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë monarkiste banorët sllavë ortodoksë të Malit të Zi ishin deklaruar serbë në regjistrimin e vitit 1921, dhe po serbë ishin deklaruar në regjistrimin e vitit 1905, në Malin e Zi, kur ky ishte shtet i pavarur. Edhe sot një e treta e banorëve të Malit të Zi deklarohen serbë. Kolonistët sllavo-ortodoksë të Kosovës, të ardhur pas vitit 1918 kanë qenë antishqiptarët më të tërbuar në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Prandaj Miladin Popoviç mund të ishte gjithçka përveç një dashamirës i shqiptarëve.
Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte vendosur që të krijonte Partinë Komuniste të Shqipërisë, për ta përdorur atë për qëllime afatshkurtra, për organizimin e një lufte partizane antiitaliane në Shqipëri, si dhe për qëllime afatgjata politike, për kontrollimin e Shqipërisë pas luftës. Italianët, nga ana e tyre, vendosën ta tolerojnë krijimin e kësaj partie, dhe veprimtarinë e saj, duke e mbajtur nën kontroll me anë të njerëzve të tyre në udhëheqjen e saj. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, duke bashkëpunuar me okupatorin, nuk bënin gjë tjetër veçse ndiqnin traditën e çelur nga Lenini, i cili bashkëpunoi me gjermanët, duke e quajtur këtë të vetmen alternativë në ato rrethana. Duket se edhe homologët e tij në Shqipëri mendonin kështu. Italisë fashiste i duhej një lëvizje komuniste e dobët në Shqipëri se me të trembte dhe e mbante të lidhur pas vetes shtresën e lartë dhe të mesme në Shqipëri, duke i treguar përbindëshin e komunizmit. Në anën tjetër Italia fashiste kështu llogariste të alarmonte fuqitë perëndimore, SHBA dhe Britanisë së Madhe, se Bashkimi Sovjetik kishte dalë në Mesdhe me anë të lëvizjeve komuniste të kontrolluara prej tij.
Partia Komuniste e Jugosllavisë donte të ndizte një zjarr të madh në Shqipëri, ndërsa OVRA vendosi që ta mashtronte duke ndezur thjesht një «cigare». E ku kishte njeri më të përshtatshëm për këtë gjë se tregtari i cigareve Enver Hoxha, i cili shtirej si komunist kafeneve, me lejen e OVRA? Enver Hoxha ishte njëri nga njerëzit që italianët donin ta shikonin në udhëheqjen e partisë komuniste që do të krijohej në Shqipëri, madje njeriu që ata donin ta shikonin pranë emisarëve jugosllavë. Enver Hoxha u konvenonte edhe jugosllavëve, të cilët donin që njerëzit të cilët do të zgjidheshin në udhëheqjen komuniste shqiptare, kur nuk qenë të etnive të tjera, të qenë njerëz të tillë, që të kishin sa më pak ndjenja nacionale dhe mundësisht për shkaqe të ndryshme t’ u ishte kultivuar një urrejtje për nacionin (kombin) dhe vendin e tyre, si dhe të ndiheshin të lidhur, në një mënyrë ose në një tjetër, me sllavët. Në këtë mënyrë këta njerëz do të zbatonin çfardo urdhrash që do t’ u thoshin jugosllavët, sado në kundërshtim që të qenë me interesat shqiptare. Enver Hoxha edhe ishte shqiptar (në letër), edhe nuk ishte, se ai biologjikisht nuk ishte i biri i Halil Hoxhës, por bastardi i Halil Musa Beut, bimbashit boshnjak të Gjirokastrës. Enver Hoxha i kishte vuajtur shumë talljet se ishte i biri i bimbashit, se ishte boshnjak, kështu që kjo ishte kthyer, së paku në një subkoshiencë, në një urrejtje për shqiptarët, Shqipërinë, nacionin shqiptar. Kështu, që Enver Hoxha, për arsye të ndryshme ishte njeriu i pëlqyer për të qenë në udhëheqjen komuniste shqiptare, si për për fashistët italianë, ashtu dhe për komunistët jugosllavë.
Enver Hoxha shkruan në kujtimet se ai i mori për drekë dy «ilegalët» serbë në shtëpinë e vet në Tiranë, ku banonte me qira familja e vet:
Pas mbledhjes shkuam për të ngrënë bukë së toku në shtëpinë time me dy dhoma, që ndodhej në Kodrën e Kuqe. Miladinin e Dushanin i njoha me plakun e me anenë, të cilët i përqafuan dhe u uruan mirëseardhjen. Miladini pasi i përqafoi pleqtë e mi, dukej i malluar, ndoshta ngaqë kishte kohë pa e parë nënën e tij... Pleqtë nuhatën që të dy shokët tanë ishin të huaj, por s’ pyetën se nga, pse e dinin që edhe ata i ndiqte policia si djalin e tyre e si Pilon që ata e njihnin qysh më parë. Sanoja përgatiti darkën që na shijoi aq shumë, sa «u shqepëm së ngrëni», si i thonë fjalës.[xcii]
Por Miladin Popoviç kërkohej nga policia si i arratisur, prandaj ai nuk mund të shkonte kështu në shtëpinë e Enver Hoxhës, të cilën duhet ta survejonte policia fashiste, për shkak të lidhjeve të këtij të fundit me komunistët. Kur policia fashiste të shikonte se në shtëpinë e Enver Hoxhës në Kodrën e Kuqe hynë disa burra, aq më tepër dy shtatlartë, të cilët nuk ngjanin si gjirokastritë, çka qenë dy komunistët serbë, do të dyshonte dhe rrethonte shtëpinë e të kontrollonte. A nuk ndodhi kështu në Kodrën e Kuqe me Vojo Kushin dhe shokët e tij? Merret vesh, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç kishin garancinë e OVRA.
Meqënëse Enver Hoxha nuk kishte asnjë lloj reputacioni si komunist, italianët përpunuan dhe zbatuan një plan për t’ i krijuar Enver Hoxhës shpejt dhe në mënyrë spektakolare një reputacion prej antifashisti me kurajë. Me këtë lidhet enigma e ngjarjes në 29 tetor 1941, në dyqanin «Flora». Por para saj vjen episodi në demonstratën antifashiste të 28 tetorit 1941 në Tiranë, që përbën një pikë të rëndësishme të «hagiografisë» së Enver Hoxhës. Enver Hoxha shkruan për këtë demonstratë:
Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç e kishim parashikuar. U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste.[xciii]
Në këtë demonstratë Enver Hoxha u përlesh me një kapiten të karbinierisë, gjë që e panë të gjithë pjesëmarrësit. Që e gjithë kjo ishte një inskenim, kuptohet së pari nga fakti se italianët në këtë demonstratë nuk qëlluan me armë. Në demonstratën e disa ditëve më pas në Korçë, ku do të vritej «miku» i vjetër komunist i Enver Hoxhës, Koci Bako, italianët qëlluan me armë. Përleshja e Enver Hoxhës me kapitenin e karabinierisë ishte një performancë prej komediani. Por akti i dytë i komedisë dhe më i bukuri, u luajt të nesërmen, në dyqanin «Flora». Enver Hoxha shkruan në kujtimet:
Që të nesërmen u detyrova të hidhesha në ilegalitet. Ka edhe kjo historinë e vet. Në mëngjesin e 29 tetorit në «Flora» ia behën karabinierët. Dy prej tyre, krekosur me rripa meshini kryq e tërthor krahërorit e me këllëfët e revolverëve të hapur, hynë brenda, të tjerët qëndruan jashtë. Vetëm ato çaste e ndiem se ç’ gabim të madh kishim bërë. Kishim menduar se në rrëmujën e madhe të përleshjes së djeshme, në mes atyre qindra e mijëra demonstruesve, që tundën Tiranën, fashistët nuk na kishin identifikuar. E ja ku tani, thuajse të gjithë ne «punëtorët» e «Florës» ndodheshim përpara çarkut të tmerrshëm.
-Enver Hoxha!- thirri njëri nga karabinierët.- Dove e Enver Hoxha?!
Pilos e Ilo Dardhës që ndodheshin në banak u ngrinë pecetat në duar. Pasoi një çast heshtjeje, por unë ndërkaq e mblodha veten dhe nga arka e «pronarit ortak», zgjata kokën e gjithë «xhentilecë» provova të vetmen mundësi që mund të provohej:
-Ja këtu brenda është, prisni, ju lutem, ta lajmëroj,- u thashë me zë të qetë e me gjeste të një «gatishmërie» kaq shembullore, sikur mezi prisja rastin t’ u bëja pepinove një shërbim të çmuar!
Kisha goditur në shenjë. Më besuan. Hyra në pjesën e brendshme të dyqanit, duke thirrur me zë të lartë, «Enver, të kërkojnë», hapa me shpejtësi deriçkën e pasme, të çelur apostafat për raste të tilla, u lëshova në një rrugicë të ngushtë, kapërceva në oborrin e një plake të vetmuar dhe prej andej, duke i rënë mes për mes «lagjes së çobanëve», përshkova «i qetë», por me sytë katër bulevardin e madh. Pas disa çastesh kur hyra në lagjen popullore, matanë bulevardit, u binda se fashistëve vetëm emri u kishte mbetur në duar.[xciv]
Ky tregim i Enver Hoxhës është një përrallë për kalamajtë. Kur karabinierët italianë, të cilët ishin profesionistë, shkonin të bënin arrestimin e një antifashisti të rrezikshëm, nuk shkonin verbërisht, por bënin një plan sipas manualeve përkatëse. Në këtë plan merreshin masa që identifikohej personi që kërkohej të arrestohej, si dhe rrethohej vendi që t’ i pritej këtij çdo mundësi ikjeje. Kështu ndodhi kur fashistët shkuan të arrestojnë Qemal Stafën, Vojo Kushin dhe shokët e tij, Perlat Rexhepin dhe shokët e tij. Por në rastin e Enver Hoxhës nuk ndodhi kështu?! Është krejt e pabesueshme që karabinierët dhe agjentët e OVRA, të cilët sigurisht qenë bashkë me ta, të shkonin për të arrestuar Enver Hoxhën pa pasur me vete asgjë për identifikimin e tij. Karabinierët kur shkuan të arrestojnë Enver Hoxhën, duhet të kishin me vete një fotografi të tij, çka qe rregulli minimal në këto raste. Këtë fotografi ata mund ta kishin siguruar ose nga fotografitë që bënë gjatë demonstratës së një dite më parë, ose nga dosja e Enver Hoxhës, derisa ai pretendon se është pushuar nga puna si mësues në Lice, për veprimtari antifashiste.
Edhe sikur italianët ta kenë bërë gabimin diletant, që të mos kishin me vete fotografinë e personit që kërkonin, nuk mund të pranohet që ata të kenë bërë gabimin e dytë krejt prej diletanti, që të mos rrethonin ndërtesën dhe një zonë të gjerë rreth saj. Sipas manualeve që zbatoheshin në këto raste, nuk lejohej të dilte askush nga zona e rrethuar, që në momentin që fillonte aksioni për arrestimin e personit apo personave të kërkuar. Në rast se sinjalizohej që aksioni qe kryer me sukses, atëherë zona çbllokohej, ndërsa në rast se sinjalizohej se të kërkuarit nuk ishin gjetur në ndërtesë, atëherë fillonte krehja e zonës, domethënë kontrolli i imtësishëm i saj. Kështu ndodhi kur u vranë Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, si dhe në shumë raste të tjera, kur italianët nuk qenë treguar aq idiotë sa të hynin nga dera kryesore, duke mos e rrethuar ndërtesën dhe zonën, duke u dhënë kështu mundësi të kërkuarve që të largoheshin nga dera e pasme, ose nga muret e oborrit të shtëpive. Në të gjitha rastet, veç atij të Enver Hoxhës, italianët rrethonin ndërtesën dhe madje gjithë lagjen, siç thotë kënga për Perlat Rexhepin dhe shokët e vet:
Drita dal ka herë,
ç’ po troket një derë.
Çelnie mor të mjerë,
se nuk ikni dot!
Madje italianët, në rastin e Enver Hoxhës bënë dhe gabimin e fundit diletant, duke mos e shoqëruar personin i cili u tha se po shkonte të njoftonte atë që ata kërkonin. Mos ndoshta Enver Hoxha kërkon të na bëjë të besojmë se karabinierët menduan se kur i kërkuari të mësonte se po e kërkonin karabinierët, nuk do të ikte, por do të paraqitej tek ata? Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi etj., del se qenkan treguar shumë idiotë, se kur u trokitën fashistët në derë të shtëpisë, nuk shkuan t’ u hapin derën dhe t’ i pyesin se kë kërkojnë, pastaj t’ u thotë se Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi janë brenda dhe se po shkojnë t’ i lajmërojnë. Sipas eksperiencës të Enver Hoxhës me karabinierët, fashistët duhet të prisnin te dera kryesore, duke pasur kështu mundësi të kërkuarit të dilnin nga dera e pasme.
Ajo që i ndodhi Enver Hoxhës në 29 tetor 1941 është rasti klasik i një loje për t’ i dhënë kredibilitet një agjenti. Enver Hoxha, pasi del nga dera e pasme e dyqanit «Flora», që gjendet pak metra larg kryqëzimit ku priten Rruga e Barrikadave me Rrugën e Dibrës, në rrugën që lidh kryqëzimin në fjalë me Sheshin «Skënderbej», në vend që të vazhdojë të ecë në rruginat e lagjes për të dalë jashtë Tiranës në drejtimin ku sot është stacioni i trenit, kthehet majtas, duke dalë në atë që sot është Bulevardi «Zog I» (vazhdimi i bulevardit kryesor). Kapërcen dhe bulevardin për të hyrë në lagjen që ishte në anën tjetër, pra në bllokun mes Bulevardit «Zog I» dhe Rrugës së Durrësit. Në një kthesë, në të djathtë të Rrugës së Durrësit, pra në bllokun ku u fut Enver Hoxha, ishte shtëpia e Esat Dishnicës, çka e ka pohuar vetë Enver Hoxha, siç e kam cituar më lart në këtë libër.
Enver Hoxha, edhe pasi pretendon se kërkohej të arrestohej nga fashistët, vazhdoi të banonte si «ilegal» në qytetin e Tiranës, ku qëndroi deri në maj 1943, pa u kapur nga italianët, çka duket e vështirë për t’ u besuar, se Tirana atëherë ishte një qytet i vogël me 40 mijë banorë. Dhe ai për pjesën më të madhe të kohës rrinte në shtëpinë e Bahri Omarit, siç e pohon vetë. Por ku do ta kërkonin së pari fashistët përveçse tek shtëpia e Bahri Omarit, apo ajo e Esat Dishnicës? Këto që bëri Enver Hoxha mund t’ i bënte vetëm një njeri që kishte garanci nga OVRA se nuk do të prekej. Deri në 29 tetori 1941, pra dy vjet e gjysëm pas pushtimit fashist, Enver Hoxha kishte qenë legal, dhe vetëm atëherë u bë ilegal, por duke mbetur në qytetin e Tiranës edhe për 15 muaj, deri në maj 1943.
Gjërat bëhen më të dyshimta po të mendosh se italianët nuk ia internuan familjen Enver Hoxhës, siç bënë në raste më pak të rënda, siç thotë ajo kënga komuniste e kohës së Luftës së Dytë Botërore:
Ku e kam vajzën,
ku e kam djalin?
Ma kanë tret’ në burg të zi.
Farefisin ma kanë hedhur,
larg në ishuj, në Itali.
Familja e Enver Hoxhës, babai, nëna dhe motra e pamartuar, qëndruan në Tiranë gjatë gjithë kohës që Enver Hoxha ishte ilegal, nga 29 tetori 1941, deri në 17 nëntor 1944, kur gjermanët u larguan nga Tirana. Dikush mund të thotë se familjen e Enver Hoxhës e mbronte Bahri Omari. Por në rast se Enver Hoxha nuk kishte lidhje me italianët, atëherë ata do të internonin edhe Bahri Omarin, bashkë me familjen e Enver Hoxhës, në rast se Bahri Omari ndërhynte në mbrojtje të tyre. Atë mbrëmje Enver Hoxha ka shkuar në shtëpinë e Bahri Omarit, gjë të cilën na e pohon Luan Omari:
Jeta e tij legale siç dihet, vazhdoi deri në demonstratën e 28 tetorit 1941. Atë ditë, nga mbarimi i demonstratës m’ u afrua Sofokli Buda dhe më tha se Enverin donin ta arrestonin, prandaj unë duhej ta gjeja në «Kursal» ose në «Flora». Këtu, një shok, që më vonë u vra në kampet gjermane të përqëndrimit (më duket se e quanin Ilo), më tha se Enveri ishte larguar duke i shpëtuar arrestimit. Në mbrëmje Enveri erdhi për pak kohë në shtëpi. Pastaj u largua duke na thënë se do të fshihej pasi e kërkonte policia.[xcv]
Kështu, Enver Hoxha, kur nuk ishte në dyqanin «Flora» ishte në kafe «Kursal» në kafenenë më luksoze të Tiranës në atë kohë, ku mblidhej elita e regjimit, si dhe të pasurit (Hotel «Dajti» me kafenetë e tij luksoze do të hapej vetëm në 1943.). Dhe a nuk duhet të ishte shtëpia e Bahri Omarit vendi i parë ku do ta kërkonin fashistët Enver Hoxhën, përveç shtëpisë së tij? Enver Hoxha më tutje tregon për ato që kanë ndodhur në vazhdim në atë natë të 29 tetorit:
E vetmja gjë që më mbajti në ankth e në shqetësim gjithë atë ditë ishte fati i shokëve. Por, në mbrëmje vonë, në bazën ilegale ku isha vendosur, brofa në këmbë gjithë gëzim, kur pashë Pilon të hynte. Ishte gjithë qejf.
-Ama të punuar,- tha.- Ua le bajgat pepinove,- dhe më shpjegoi fill e për pe rrëmujën e zemërimin e karabinierëve kur e kishin kuptuar se ç’ u kishte ndodhur. Shokëve tanë për fat nuk u kishin bërë asgjë. Si duket emrat e tyre nuk qenë futur akoma në listat e kuesturës fashiste.[xcvi]
Pilo Peristeri, duke shkuar në shtëpinë ku ishte strehuar Enver Hoxha, shkeli një nga rregullat bazike të konspiracionit, se fashistët mund ta kishin ndjekur atë, dhe kështu t’ i çonte në shtëpinë ku ishte strehuar Enver Hoxha. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse Pilo Peristeri kishte garanci se kjo nuk do të ndodhte. Enver Hoxha nuk thotë se e qortoi për ardhjen atje. Dhe si është e mundur që karabinierët nuk bënë as kontroll?! Nëse do të kishin bërë kontroll do të zbulonin literaturë komuniste dhe armë e do t’ i kishin arrestuar të gjithë. Sipas praktikës së fashistëve, duhej që këta t’ i arrestonin të gjithë ata që gjetën në dyqanin «Flora», së bashku me Pilo Peristerin, për t’ i marrë në pyetje. Të gjitha këto tregojnë se atë ditë OVRA nuk bëri një operacion serioz, por bëri një lojë, për të krijuar një legjendë, siç thuhej më pas në gjuhën e Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës, legjendën e «ilegalit» Enver Hoxha, i cili kërkohej të arrestohej nga fashistët. Enver Hoxha, në të famshmen Tablo Sinoptike, thotë se Mehmet Shehu u bë agjent i italianëve, pasi kur erdhi nga Franca në Shqipëri, duke kaluar përmes Italisë, në 1942, italianët e lanë të lirë pasi e mbajtën 20 ditë të arrestuar. Por, si del jeta e Enver Hoxhës kur shqyrtohet me këto kategori që ai vetë shqyrton jetën e Mehmet Shehut?
Koçi Xoxe, kur erdhën fashistët ta arrestojnë në 1942 nuk iku dot nga dera e pasme. Ai u arratis nga burgu, në prill 1943, me anë të një tuneli nëntokësor që hapën të burgosurit në burgun e Tiranës. Pas luftës, Koçi Xoxe, kur u bë ministër i Brendshëm, filloi një hetim për spiunët e fashizmit në radhët e komunistëve. Koçi Xoxe, në hetimin e njerëzve të dyshuar për lidhje me policinë sekrete fashiste përdorte një metodë të thjeshtë, por shumë efikase, të marrë nga shërbimi sekret sovjetik. Koçi Xoxe nuk mblidhte prova për të vërtetuar dyshimet që ekzistonin ndaj një personi, por i kërkonte atij që të jepte shpjegime racionale për rrethanat kompromentuese të së kaluarës së tij, pra ia linte atij barrën e provës. Në rast se personi nuk jepte një shpjegim bindës, ai duhej që, ose të pranonte se kishte qenë agjent i shërbimit sekret fashist dhe të tregonte hollësisht këtë implikim, çka supozohej t’ i sillte lehtësim në trajtimin e tij, ose do të ndëshkohej maksimalisht. Koçi Xoxe kishte bërë dhe një dosje ku qenë evidentuar dhe të gjitha pikat e errta të veprimtarisë së Enver Hoxhës para dhe gjatë luftës. Xoxe mendonte se një ditë do të mund t’ i kërkonte llogari Enver Hoxhës për to. Një kopje e kësaj dosjeje duhet të ketë shkuar në Beograd, ndërsa origjinali ra në dorën e Enver Hoxhës, kur ky e eliminoi Koçi Xoxen. Ennver Hoxha në kujtimet e veta duket se kryesisht merret me përgënjeshtrimin e kësaj dosjeje.
Dy emisarëve komunistë serbë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, komunistët shqiptarë u vunë pseudonime. Miladin Popoviçit iu dha pseudonimi «Ali», por edhe «Halim Gostivari», ndërsa Dushan Mugoshës «Duqi» dhe «Sali Murati». Duket qartë tendenca për t’ i paraqitur ata si shqiptarë me emra muslimanë, për të gabuar popullin. Në rast se komunistët shqiptarë, kryesisht jugorë, do të kishin përdorur në rastin e pseudonimeve të Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshës, po atë sens që patën përdorur në rastin e pseudonimit të Ali Kelmendit, të cilit i patën vënë pseudonimin «Maloku», siç e kam cituar më lart Enver Hoxhën, atëherë qe dashur që Popoviçit ose Mugoshës t’ i vinin pseudonimin «Shkjau».
III
Konspiratori i tetëmbëdhjetë
Në 4 nëntor të vitit 1941, në një shtëpi të vogël, në qytetin e Tiranës u mblodhën 18 konspiratorë, të cilët synonin të krijonin një parti ilegale, Partinë Komuniste të Shqipërisë. Më pas historiografia zyrtare komuniste do të jepte si datë të fillimit të mbledhjes datën 8 nëntor dhe të përfundimit datën 14 nëntor, çka e thotë edhe Enver Hoxha në librin «Kur lindi Partia». Por në librin «Dokumente kryesore të PPSH», (volumi i parë), botuar në 1960, për mbledhjen themeluese thuhet:
Mbledhja zgjati rreth pesë ditë dhe mbaroi në orët e vona të natës, më 8 nëntor 1941.[xcvii]
Enver Hoxha, më pas e falsifikoi datën se, kur do të bëhej një mbledhje të tillë të rëndësishme, ku do të merrnin pjesë shumë vetë të rëndësishëm, sipas praktikës së punës ilegale, për të konfonduar spiunët e policisë fashiste, merreshin masa shtesë konspirative. Kështu, caktohej një datë dhe një vend i zhvillimit të mbledhjes dhe pastaj ndryshohej me një tjetër. Në këtë rast nuk ka ndodhur kështu. Kuptohet se ata që u mblodhën në Tiranë, në nëntor 1941, për të krijuar partinë komuniste, nuk kishin asnjë kujdes për konspiracionin. Më pas, Enver Hoxha, duke dhënë si datë të hapjes së mbledhjes 8 nëntorin, la të kuptohet se data e parë kishte qenë një masë konspirative, gjë që nuk duket e besueshme, se ajo u vu në një botim zyrtar dokumentesh, që sigurisht u shqyrtua dhe nga vetë Enver Hoxha.
Nga të 18 konspiratorët, të cilët u mblodhën në 4 nëntor 1941, 15 qenë anëtarë të tre grupeve komuniste shqiptare, një Koço Tashko qe atje jashtë delegacioneve të grupeve si ish- i dërguar i Kominternit, dy qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Konspiratori i tetëmbëdhjetë, i cili nuk qe komunist i organizuar ishte Enver Hoxha. Ai vinte në këtë mbledhje si përfaqësues i Grupit Komunist të Korçës, i sjellë nga Koço Tashko, me justifikimin se në përfaqësinë e Grupit Komunist të Korçës qenë të gjithë me origjinë të krishtere ortodokse dhe mungonte një përfaqësues me origjinë muslimane. Todi Lubonja, ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, në kujtimet e veta, sjell këtë bisedë me Koço Tashkon, në burgun e Burrelit, ku të dy qenë të dënuar, kur Enver Hoxha ishte në pushtet:
Kur i thashë një herë se ku e gjeti Enver Hoxhën që e futi në pesëshen e Grupit Komunist të Korçës për në mbledhjen themeluese, ai qeshi dhe po me humor u përgjegj: Po ne ishim të gjithë Kiço, Koço, Sotir, Spiro e s’ kishim asnjë musliman.[xcviii]
Por, pranë Grupit Komunist të Korçës kishte patur të tjerë muslimanë, të cilët kishin qenë anëtarë, si p.sh., Ymer Dishnica, i cili kishte qenë dhe anëtar i Partisë Komuniste të Francës dhe në atë kohë gjendej në Shqipëri, ku ishte aktiv në lëvizjen komuniste. Ymer Dishnica kishte shumë më tepër aktivitet komunist se Enver Hoxha, duke qenë se në shtëpinë e tij në Dishnicë të Korçës, në 1935 qenë mbledhur përfaqësuesit e lëvizjes komuniste shqiptare, nën drejtimin e Ali Kelmendit, për të diskutuar për krijimin e partisë komuniste. Koço Tashko nuk e shpjegoi kurrë se përse zgjodhi Enver Hoxhën dhe jo Ymer Dishnicën. Një shpjegim të tërthortë të Tashkos na e përsjell Todi Lubonja, i cili sjell në kujtimet e veta dhe këto fjalë të Koço Tashkos, për Enver Hoxhën:
Kur ndonjë i thoshte: «Ti mban përgjegjësi të madhe për këtë zgjedhje të gabuar» po duke qeshur (dhe kishte një të qeshur të çiltër, të bukur) përgjigjej: Po edhe Lenini futi në KQ Malinovskin i cili siç u vërtetua më vonë kishte qenë agjent i policisë sekrete cariste.[xcix]
Koço Tashko këtu bën aluzion se Enver Hoxha ishte spiun i policisë sekrete fashiste. Por nuk duhet harruar se derisa Malinovski ishte vërtet spiun i Okhrana, edhe Lenini do të ishte më pak bashkëpunëtor i okupatorëve gjermanë të Rusisë, traditë që duket se e ka ndjekur edhe vetë Koço Tashko. Kjo deklaratë evazive i kushton Koço Tashkos 31 ditë në birucë. Todi Lubonja shkruan përkëtë gjë:
Ishte 7 nëntori 1977. Atëherë Koçoja kishte mbushur 78 vjet. U trondita kur e dënuan me 31 ditë birucë. Bënte një dimër i fortë: stalaktitet ishin varur deri 75 cm jashtë, buzë tarracës. Birucat atë kohë ishin të pashtruara me dërrasa. Pra, çimento, akull dhe lagështirë tronditëse. Atje, duhej të kaloje natën vetëm me batanije... Të ngratit plak i kishin vënë një akuzë të tillë: «Ka sharë Komandantin». Mirëpo nuk u mor vesh kurrë se kë kishte sharë, atë që rrinte në Tiranë apo komandantin e burgut.[c]
Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për mbledhjen themeluese të partisë komuniste:
Atë natë që do të gdhihej data 8 nëntor ne u drejtuam për në shtëpinë e vogël që po na priste.... Anembanë rrugicat qenë siguruar me shokë të armatosur, të vendosur e të qetë.[ci]
Kur në vitin 1935, sipas direktivës së Kominternit, në Shqipëri u bë mbledhja për krijimin e qendrës komuniste shqiptare, ku mori pjesë edhe Ali Kelmendi, kjo mbledhje nuk u bë në qytetin e Tiranës, as në qytetin e Korçës, por në një pyll në të dalë të fshatit Dishnicë të Korçës, që gjendet në rrëzë të malit, pra në një vend të përshtatshëm për t’ u larguar në mal. Pjesëmarrësit shkuan në vendin e mbledhjes nga shtëpia e Ymer Dishnicës. Ndërsa kur po themelohej partia komuniste, në kohën e pushtimit fashist po bëhej në qytetin e Tiranës?! Si pranoi Miladin Popoviçi që mbledhja themeluese të bëhet brenda në kryeqytetin e Shqipërisë së pushtuar nga fashistët? Miladin Popoviçi i njihte rregullat konspirative, për të cilat duhet të ishte i veçanërisht i kujdesshëm, aq më tepër që supozohej se porsa ishte arratisur nga kampi fashist i përqëndrimit. Pse nuk shkuan së paku në Pezë ta bënin këtë mbledhje? Kjo tregonte se kishin garanci nga autoritetet fashiste.
Emrat e 18 pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese nuk do të botoheshin kurrë të plota nga historiografia komuniste shqiptare e kohës kur Enver Hoxha ishte në pushtet. Emrat e pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese u bënë pjesërisht të ditura kur i përmendi Enver Hoxha për herë të parë në vitin 1981, në librin me kujtime «Kur lindi Partia», ku ai shkruan:
Nga grupi ynë, për të marrë pjesë në Mbledhje, qenë caktuar: Koço Tashkoja, Pilo Peristeri, Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Sotir Vullkani.[cii]
Enver Hoxha falsifikon, kur thotë se Koço Tashko ishte në mbledhje me delegacionin e Grupit të Korçës, se Koço Tashko kishte ardhur në Shqipëri si përfaqësues i Kominternit, çka pohohet dhe nga historiografia komuniste. Prandaj Koço Tashko në mbledhjen themeluese asistonte me status të veçantë. Përfaqësia e Grupit të Korçës përbëhej nga: Koçi Xoxe (nënkryetar), Pilo Peristeri, Sotir Vullkani, Sotir Lubonja, Enver Hoxha. Më tutje Enver Hoxha shkruan:
Nga Grupi i Shkodrës ishin të pranishëm Qemal Stafa, Vasil Shantoja, Kristo Themelkoja, Tuk Jakova, kurse nga Grupi i «Të Rinjve» ishin të pranishëm Ramadan Citaku, Anastas Lula, Sadik Premtja dhe një shok kosovar.[ciii]
Nga Grupi i Shkodrës përmend katër emra, ndërsa nga Grupi i Të Rinjve përmend tre emra. Nuk përmend të pestin e Grupit të Shkodrës, i cili ishte Sadik Bekteshi. «Shoku Kosovar» i Grupit të «Të Rinjve» ishte Elhami Nimani, i cili më pas do të martohej me një serbe, do të bënte karrierë në diplomacinë jugosllave dhe kur të vdiste në 1998, do të varrosej në Beograd. I pesti i Grupit të Të Rinjve ishte Sadik Stavaleci, i lindur në Gjakovë. Përfaqësia e Grupit Komunist të Shkodrës kishte një veçori, të pestë anëtarët e saj qenë dënuar në gjyqin e komunistëve në 1939.
Enver Hoxha, në kujtimet e veta, duke treguar natyrën e vet prej komediani, i atribuon vetes se ishte ai që bëri propozimin që i hapi rrugë themelimit të partisë:
Heshta për një moment, mora frymë thellë që të kapërceja emocionin dhe me zë disi më të lartë shqiptova:
-Shokë, propozimi i Grupit të Korçës është:
Të formojmë Partinë Komuniste të Shqipërisë në bazë të mandateve që na kanë dhënë shokët e grupeve para se të vinim në këtë Mbledhje dhe, pasi të vendosim më parë solemnisht dhe unanimisht Themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të vazhdojmë debatet e diskutimet.[civ]
Që këto fjalë t’ i thoshte Enver Hoxha, këtë gjë nuk do ta pranonte askush nga të pranishmit. Këto fjalë i ka thënë sigurisht Miladin Popoviç. Në fillim të mbledhjes, dy emisarët jugosllavë, Popoviç dhe Mugosha, të cilët bënin rolin e arbitrit, paraqitën propozimin se në fillim duhet të merrej vendim për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe pastaj të diskutohej për problemet, duke përfshirë dhe konfliktet mes grupeve komuniste dhe gabimet e tyre. Ky ishte manuali i Kominternit kur formoheshin partitë komuniste. Pra, në fillim formohej partia, dhe pastaj vihej në lëvizje mekanizmi i spastrimit të të padëshiruarve, me anë të autokritikës. Kështu u bë. Enver Hoxha shkruan në lidhje me pretendimin se PKSH është krijuar nga të dërguarit jugosllavë:
Kur Titoja me shokë na paskëshin qenë kaq «të fortë» e «të zotët» sa të krijonin «nga jashtë» një parti komuniste në Shqipëri, përse nuk e bënë këtë gjë, ta zemë, më 1935 apo më 1937, më 1939 apo më 1940?! Apo mos vetëm më 1941 «zbuluan» se në kufi me Jugosllavinë na ekzistonte edhe Shqipëria, e cila na priste «krijuesin» Tito të thoshte «të bëhet partia», ashtu si bota, sipas Biblës priste «krijuesin e madh» të thoshte «të bëhet jeta»?![cv]
Por, kur na qenkësh kaq e thjeshtë që të krijohej partia, sipas parimit të «Vezës së Kolombit», pra mblidheshin 15 komunistë dhe deklaronin se në fillim të krijojmë partinë, ndërsa diskutimet që kemi t’ i bëjmë më vonë, pse nuk u krijua më parë? Pse duhej të qenë të pranishëm dy emisarë komunistë jugosllavë për t’ u bë kjo gjë? Komunistët shqiptarë qenë urdhëruar t’ i shpërndanin organizatat e tyre, sipas vendimit të Kominternit, dhe krijimin e Partisë mund ta bënin vetëm me një vendim tjetër të Kominternit, sepse Partia Komuniste e Shqipërisë do të ishte seksion i Kominternit. Përgjegjësinë për krijimin e partisë, në mungesë të një direktive të Moskës, nuk guxonte ta merrte përsipër asnjë komunist shqiptar. Por këta të fundit ndiheshin komodë kur këtë përgjegjësi e merrnin jugosllavët, të cilët gjithashtu merrnin përsipër që të bënin avokatin e partisë së re në Moskë, në mënyrë që atë ta pranonte Kominterni.
Enver Hoxha, duke mos mundur dot të bëjë pa kënaqur teatralitetin e vet komik, pretendon se:
Atëherë u ngrita në këmbë shumë i emocionuar dhe thashë:
-Shokë, në bazë të propozimit të Grupit Komunist të Korçës dhe mendimeve të shfaqura nga gjithë të pranishmit po vë në votë projektvendimin: «Sot, më 8 nëntor të vitit 1941, përfaqësuesit e të tri Grupeve Komuniste, të Korçës, të Shkodrës dhe të 'Të Rinjve», të mbledhur në seancë plenare dhe pas diskutimeve konstruktive me frymë komuniste, duke u bazuar në mandatin që u kanë dhënë shokët e grupeve të tyre, Themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë. Kush është pro, të ngrejë dorën.
Të gjithë ngritën dorën. Nuk pati asnjë kundër, asnjë abstenim. Një gëzim i papërshkruar na pushtoi të gjithëve. U kurorëzua me sukses hapi kryesor, detyra vendimtare, që i kishim vënë vetes kur u nisëm për në këtë Mbledhje historike!
Atëherë deklarova:
-Me unanimitet të plotë u Themelua Partia Komuniste e Shqipërisë. Rroftë Partia Komuniste e Shqipërisë![cvi]
Nuk do të ishte ironi e vogël sikur një njeri, i cili nuk ishte fare komunist, të ketë qenë ai që i shqiptoi këto fjalë. Por në fakt ato janë thënë në serbisht, dhe në shqip janë dëgjuar të përkthyera. Enver Hoxha bën sikur ka harruar se emri i partisë që u themelua ishte Partia Komuniste Shqiptare dhe jo Partia Komuniste e Shqipërisë. Rezolucioni i mbledhjes themeluese mban poshtë nënshkrimin:
Edhe Thirrja e parë e PKSH, mban poshtë nënshkrimin:
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare.[cviii]
Kjo sa për të përmendur vetëm disa dokumente. Emri «Partia Komuniste Shqiptare» nuk u vu se partia donte të përfshinte dhe shqiptarët jashtë kufijve, por se Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha ndiqnin agjendën jugosllave sipas së cilës Shqipëria si shtet nuk do të ekzistonte pas luftës, por do të aneksohej nga Jugosllavía. Pra, nuk do të kishte një Parti Komuniste të Shqipërisë. Partia Komuniste Shqiptare do të ishte e përkohshme. Udhëheqja komuniste jugosllave, e cila i dizenjonte kufijtë e njësive të federatës jugosllave sipas dëshirës, dhe që siç u zbulua më pas kishte projekte për ta përfshirë Shqipërinë brenda federatës, sipas të gjitha gjasave kishte plane për ta coptuar territorin e Shqipërisë mes njësive të federatës. Për Titon modeli i përkryer i njësisë federale ishte Bosnjë-Herzegovina, e përbërë nga tre komunitete etnike, që kundërbalanconin njëri tjetrin. Shqipërinë e përfshirë në federatë, Tito llogariste ta përdorte për të bosnjëherzegovinizuar Maqedoninë dhe Malin e Zi.Tito bënte projekte që Jugosllavia të aneksonte edhe territoret maqedone të Greqisë, të cilat do t’ i bashkoheshin republikës së ardhshme jugosllave të Maqedonisë. Kjo do ta rriste shumë popullsinë sllave, tradicionalisht bullgarofone të Maqedonisë, duke e bërë të nevojshme kundërbalancimin e saj. Për këtë gjë Tito llogariste që të përdorte shqiptarët, jo vetëm ata të anës tjetër të kufirit të 1913, por edhe të kësaj ane. Duket se jugosllavët donin që Shqipërinë jugore dhe qendrore ta bashkonin me Republikën Jugosllave të Maqedonisë, për të shndërruar këtë republikë në një lloj Bosnjë-Herzegovine, duke kundërbalancuar kështu shqiptarët sllavo-maqedonët. Republika e re mund të kishte një emërtim të dyfishtë si Bosnjë-Herzegovina, duke u quajtur maqedono-shqiptare. Nuk është e rastit që i dërguari për Maqedoninë, Svetozar Vukmanoviç (Tempo) mbështeste Koçi Xoxen me origjinë nga një fshat në Greqi, pranë kufirit, ku flitej dhe gjuha sllavo-maqedone. Shqipërinë veriore me popullsi të madhe katolike, Tito donte t’ ia bashkonte Malit të Zi, për të kundërbalancuar elementin serb, atje të cilin Tito donte ta shndërronte në etni malazeze. Kështu do të kishte komunistë shqiptarë, por jo Parti Komuniste të Shqipërisë, as si republikë jugosllave.
Enver Hoxha rrëfen në kujtimet e tij për momentin e themelimit të partisë:
Të gjithë, të gëzuar e të emocionuar, u ngritëm në këmbë dhe, me grushtin përpjetë, në dritën e llambës me vajguri, kënduam me zë të ulët Internacionalen, pastaj brohoritëm e brohoritëm për Partinë Komuniste të Shqipërisë, por kurdoherë në surdinë: «Rroftë Partia Bolshevike!», «Rroftë Stalini!», «Lavdi Marksit, Engelsit, Leninit!», «Rroftë Partia Komuniste e Jugosllavisë!», «Poshtë fashizmi!», «Rroftë populli ynë heroik!» etj.[cix]
Siç shihet, jeta e popullit shqiptar, për nga rëndësia vjen pas asaj të partisë bolshevike ruse dhe të Stalinit!
Është shumë domethënëse se nga ata 16 përfaqësues të lëvizjes komuniste shqiptare, të cilët u mblodhën për të krijuar PKSH, asnjëri nuk qe proletar në kuptimin marksist, pra njeri që nuk zotëronte mjete prodhimi, por jetonte duke shitur punën e krahëve të veta. Ata që paraqiteshin si punëtorë, qenë zejtarë të vegjël, të cilët zotëronin dyqane të vogla, ose e pakta mjetet e punës, pra sipas fjalorit marksist qenë mikroborgjezë. Tuk Jakova ishte karpentier dhe zotëronte një punishte së bashku me familjarët e vet. Po kështu edhe Kristo Themelko. Pilo Peristeri kishte një farkëtore, siç e ka thënë edhe Enver Hoxha, të cilin e kam cituar. Koçi Xoxe ishte teneqepunues dhe zotëronte një punishte të vogël, së bashku me të atin, Vasil Shanto ishte furrtar, që punonte në furrën e familjes. Zejtarë qenë edhe Sotir Vullkani dhe Sotir Lubonja. Të tjerët qenë intelektualë ose surrogat- intelektualë, si Koço Tashko, Qemal Stafa, Enver Hoxha, Anastas Lula, Sadik Premte, Elhami Nimani. Enver Hoxha ishte një miksturë e çuditshme, se ishte edhe tregtar, pra borgjez.
Kjo reflektonte realitetin e Shqipërisë së kohës që ishte një vend agrar i prapambetur, me një popullsi rreth 90% fshatare. Komunizmi, sipas pikëpamjes së doktrinarëve të tij, Karl Marx dhe Frederick Engels mund të ndërtohej vetëm në shoqëri urbane të industrializuara. Asgjë më larg realitetit ku mund të tentohej të ndërtohej komunizmi, nuk do të kishin imagjinuar Marx dhe Engels, se Shqipëria e asaj kohe. Ironikisht, okupacioni fashist, kundër të cilit pretendonte se do ta ngrinte popullin në luftë PKSH, po e përshpejtonte modernizimin e shoqërisës së prapambetur agrare shqiptare. Italia fashiste, sigurisht për interesat e veta, kishte filluar një program të gjerë punësh publike në Shqipëri, si dhe kishte bërë të rritej tregtia e konsumi në vend, për shkak të rritjes së të ardhurave. Shqipëria ishte i vetmi vend i okupuar në Luftën e Dytë Botërore, i cili gjatë kohës së okupacionit u zhvillua ekonomikisht më tepër se gjatë gjithë kohës që kishte qenë i pavarur, dhe kur për hir të së vërtetës qe zhvilluar kryesisht me financimin e Italisë. Ky është një fakt aq i njohur saqë qeveria komuniste më pas do ta kishte selinë në një ndërtesë të ngritur në kohën e okupacionit fashist dhe Komiteti Qendror i PKSH do ta kishte selinë në një ndërtesë të filluar në kohën e okupacionit fashist dhe të përfunduar më pas nga regjimi komunist. Zhvillimi ekonomik i stimuluar dhe sponsoruar nga Italia fashiste për qëllimet e saj, solli rritjen e popullsisë urbane. Nëse pas luftës, në vend nuk do të ishte vendosur një regjim komunist, por vendi do të kishte qenë i lidhur me Perëndimin, atëherë do të kishte vazhduar procesi i zhvillimit ekonomik dhe urbanizimit i filluar nga Italia fashiste. Kjo do të kishte bërë që të shpërbëheshin natyrshëm mbetjet e feudalizmit osman në Shqipërinë e Jugut dhe atë të mesme, si dhe sistemi fisnor, për të cilin thuhej se ekzistonte në Veri, por që në fakt ishte i fuqishëm, në një formë apo në një tjetër në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë edhe qytetin e Gjirokastrës, siç e pohon edhe vetë Enver Hoxha, të cilin e kam cituar më lart. Në fakt, eliminimi i feudalizmit në vend, të cilin ia atribuoi vetes PKSH, tashmë ishte një proces që kishte ecur në tre dekadat pasosmane të vendit, dhe ishte drejt përfundimit. Këtë gjë e tregojnë shifrat që dha Enver Hoxhën për reformën agrare, në Kongresin I të PKSH, në 1948. Kur komunistët erdhën në pushtet në 1944, në vend kishte shtatë familje latifondistësh të mëdhenj, të cilat së bashku kishin 14. 554 ha tokë, 3. 70% të sasisë së përgjithshme të tokës. Ndërsa 4713 familje që zotëronin 91.133 ha tokë, ose 19 ha për familje, u quajtën pronarë të pasur. Këta mund të quheshin shtresë e mesme. Kurse 60. 43% të tokës së vendit e zotëronin 128. 961 mijë familje, që zinin 83. 080% të popullsisë fshatare. Në vend kishte 21.554 familje pa tokë, që përbënin 13. 880% të popullsisë fshatare. Shteti zotëronte 12. 71% të tokës bujqësore, të trashëguar nga periudha osmane.[cx]
Është e qartë se procesi i shpërbërjes së feudalizmit ishte duke u përfunduar, kur doli PKSH, e cila kur do të vinte në pushtet, pasi u dha përkohësisht tokën fshatarëve, i kaloi në feudalizëm shtetëror me krijimin e kooperativave bujqësore, sipas modelit sovjetik. Problemi në Shqipëri nuk qe feudalizmi, por polarizimi social në një shoqëri kryesisht fshatare, që mbijetonte me vështirësi në një vend ku kishte pak tokë. 97% e popullsisë fshatare, e cila përbënte rreth 90 % të popullsisë së vendit, mund te quheshin fshatarë të varfër, me ose pa tokë. Sikur shihet nga këto shifra polarizimi ishte i madh. Reforma agrare nuk e zgjidhte problemin, atë mund ta zgjidhte vetëm urbanizimi dhe emigracioni.
Nuk ka asnjë të dhënë që të vërtetojë se fshatarët shqiptarë donin që problemet e tyre të zgjidheshin me anë të kolektivizimit sovjetik, ashtu siç ishte agjenda konspirative e PKSH. Rezistenca që ata i bënë më pas kolektivizimit e provon këtë gjë. PKSH ishte një konspiracion që kishte një agjendë konspirative për marrje pushteti dhe përmbysjen me dhunë të sistemit shoqëror ekonomik dhe zëvendësimin e tij me një sistem politiko-shoqëroro-ekonomik, i cili pavarësisht nga veshja ideologjike në të cilën paraqitej, rezultoi të ishte më afër rendit skllavopronar, si një version i azhurnuar modern i tij. PKSH vërtet po dilte me slogane antifashiste, dhe për luftë nacionalçlirimtare, por ky siç thuhej në gjuhën e komunistëve qe vetëm programi minimum, i shpallur publikisht, ndërsa programi maksimum i pashpallur qe agjenda ultrakonspirative për eksploitimin e luftës, në mënyrë që të merrej pushteti me dhunë. Në këtë sens mund të thuhet se me krijimin e PKSH në Shqipëri filloi një aggresion i dytë, pas atij fashist, agresioni komunist. Nëse data e nisjes së agresionit fashist është 7 prilli 1939, data e nisjes së agresionit komunist është 4 nëntori 1941, kur u themelua PKSH.
Në rezolucionin e Mbledhjes themeluese të PKSH, në nëntor 1941, thuhet:
Një nga ligjet themelore të zhvillimit të partisë së tipit të ri, të partisë bolshevike, është lufta në dy fronte kundër gabimeve të vetvetes dhe veçanërisht kundër tentativës së krijimit të grupeve dhe lufta pa pajtim kundër armikut të klasës.[cxi]
Enver Hoxha ishte një nga ata që e firmuan këtë rezolucion, në emër të Komitetit Qendror të PKSH, prej shtatë anëtarësh, që doli nga mbledhja themeluese e partisë. Me këtë PKSH, që në dokumentin e saj themelues shpallte së pari luftën civile në radhët e lëvizjes komuniste në Shqipëri, si një luftë e stalinistëve kundër të komunistëve të tjerë që konsideroheshin si trockistë dhe që nuk pranonin vijën staliniste të Kominternit, i cili e kishte qendrën në Moskë. Me këto rreshta të rezolucionit, pra dokumentit themelues të PKSH, përgënjeshtroheshin të gjitha parimet e shpallura publikisht nga PKSH për bashkim të popullit shqiptar pa dallim ideje, krahine dhe feje, në luftën kundër pushtuesve fashistë. E vërteta ishte se në rezolucionin themelues të PKSH, që gjatë luftës nuk u publikua (u publikua për herë të parë në vitin 1947), në Shqipëri, në fakt shpallej lufta kundër atyre që kishin ide të ndryshme nga komunistët stalinistë, si brenda lëvizjes komuniste, ashtu dhe jashtë saj. Faji i vetëm i këtyre njerëzve ishte se nuk pranonin diktatin e komunistëve stalinistë.
Krahu antikomunist shqiptar pretendon se lufta civile në vend ka filluar në mesin e vitit 1943, kur PKSH prishi Marrëveshjen e Mukjes dhe filloi luftën kundër Ballit Kombëtar. E vërteta është se lufta civile në Shqipëri u shpall në nëntor 1941, në rezolucionin themelues të PKSH, dhe së pari u bë brenda vetë lëvizjes komuniste. Ky akt i parë i tragjedisë së luftës civile në Shqipëri, paralajmëroi aktin tjetër të luftës civile më të gjerë, e cila filloi në 1943. Është një fakt historik se, brenda së majtës komuniste shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka pasur dy rryma, një që mund të quhet moskovite, kominterniste, staliniste, ekstremiste, dhe një tjetër, e një komunizmi refraktar ndaj Moskës, por megjithatë antifashist, të moderuar. Mes tyre pati një debat dhe konflikt të madh, që precipitoi deri në luftë civile brenda lëvizjes komuniste mes krahut stalinist, kominternist, që krijoi PKSH në nëntor 1941, dhe krahut antistalinist, që do të vihej në shënjestër për t’ u asgjësuar fizikisht, sipas praktikës staliniane. Me kalimin e kohës, intrasigjenca e krahut stalinist do të bënte që edhe brenda të krijoheshin kundërshti që do të shtypeshin me dhunë të skajshme.
Në mbledhjen themeluese, Miladin Popoviç, përgatiti terrenin për spastrimet e ardhshme në parti, duke krijuar mekanizmin e autokritikës, sipas modelit stalinist kominternian. Por të pranishmit dredhonin. Anëtarët e delegacionit të Grupit të Shkodrës, të përpunuar nga Popoviçi dhe Mugosha, i pranuan gabimet dhe fajësuan Zef Malën dhe Niko Xoxin, si përgjegjës. Anëtarët e delegacionit të Grupit të Korçës, të ardhur nga Korça, qenë hermetikë, por edhe të paaftë. Pilo Peristeri ishte rrogtar i Enver Hoxhës. Enver Hoxha ishte porositur nga M. Popoviçi që të kritikonte udhëheqjen e Grupit të Korçës, duke u paraqitur kjo si kritikë nga brenda. Enver Hoxha e bëri këtë pa hezitim se nuk kishte përgjegjësi, pasi nuk kishte qenë drejtues i Grupit. Enver Hoxha kritikoi Koçi Xoxen. Koço Tashko heshti, se ai në mbledhje nuk qe si anëtar i Grupit të Korçës, Pilo Peristeri heshti, ndërsa Koç Xoxe u ndodh i izoluar. Anëtarët e delegacionit të Grupit të Të Rinjve thanë se ata nuk kishin lidhje me këtë çështje, pasi ata qenë krijuar si grup në vitin 1940.
Sa për zgjedhjen e udhëheqjes së partisë, Enver Hoxha, në kujtimet e veta e thotë:
Nuk mbaj mend kush propozoi dhe «kompromisi» u pranua që kandidaturat për në Komitetin Qendror t’ i përgatiste e t’ i paraqiste një komision prej tre vetash, nga shokët që pak a shumë kishin qenë në krye të grupeve e merrnin pjesë në atë Mbledhje. Pra, në komision u zgjodhën Koço Tashkoja, Vasil Shantoja e Anastas Lula.[cxii]
Kur Enver Hoxha thotë se nuk e mban mend se kush e propozoi këtë gjë, kjo duhet lexuar se e propozoi Miladin Popoviç, i cili vetë ishte anëtar dhe madje kryetar i përfaqësisë, gjë që Enver Hoxha e pohoi në Plenumin II të KQ, në Berat, në 1944, kur duke iu përgjigjur një pyetjeje të Gogo Nushit, tha:
As zgjedhjet, as mbledhjet s’ janë bërë në rregull. KQ u zgjodh nga Miladini, Koçoja, Vasili, Anastasi. Ata na zgjodhën.[cxiii]
M. Popoviçi propozoi që për zgjedhjen e KQ të krijoi një përfaqësi e mbledhjes themeluese, së cilës do t’ i paraqiteshin nga tre propozime nga çdo grup, por jo me emra, por me karakteristika. Kjo do të thoshte që pjesëmarrësit në mbledhjen themeluese privoheshin nga e drejta për të zgjedhur KQ, çka ishte një shkelje e asaj që quhej demokracia e brendshme në parti. Ky propozim shkaktoi debatin e parë serioz në mbledhjen themeluese, por u imponua nga Popoviçi e Mugosha. Këtë praktikë Enver Hoxha do ta përdorte më pas në të gjitha kongreset.
Pra Komitetin Qendror të parë të PKSH supozohet ta kenë zgjedhur tre krerët e grupeve komuniste, së bashku me Miladin Popoviçin. Në fakt atë e zgjodhi vetëm Miladin Popoviç, gjë që kuptohet nga fakti se nuk u ruajt barazia midis përfaqësuesve të ish-grupeve në Komitetin Qendror. Në lidhje me Komitetin Qendror provizor, të zgjedhur në nëntor 1941, është pranuar si e vërtetë se kishte shtatë anëtarë, gjë që e thotë edhe Enver Hoxha në kujtimet e veta. Por, Ramadan Çitaku, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese dhe anëtar i KQ të parë provizor, më pas, në Plenumin II në Berat, do të jepte një të dhënë mjaft interesante:
Në KQ Provizor mua më duket se kam ardhur rastësisht. Aty u ndanë punët: sekretar politik Tuku, sekretar organizativ Koçi, me Rininë Qemali, me financën Enveri, me ushtrinë Shulja dhe Baca me teknikën. Shoku Gjin nuk dihej; më vonë u tha që edhe ky ishte në KQ.[cxiv]
Sipas Çitakut del se në KQ, në fillim u zgjodhën gjashtë anëtarë, ndërsa Gjin Marku u bë më vonë anëtar i KQ. Kur Çitaku tha këtë, në sallë qenë të pranishëm, katër nga gjashtë anëtarët e KQ të nëntorit 1941, me përjashtim të Qemal Stafës që ishte vrarë, ndërsa Gjin Marku qe përjashtuar nga KQ. Asnjëri prej tyre nuk e kundërshtoi atë që tha Çitaku. Duket se versioni që jep Çitaku për zgjedhjen e KQ prej gjashtë anëtarësh, është më i besueshëm, se derisa u kërkua që çdo grup të propozonte nga tre vetë nënkuptohet se do të zgjidheshin dy. Enver Hoxha shkruan:
U mbajt parasysh, që të ruhej deri diku, brenda mundësive, njëfarë ekuilibri, duke përfshirë në Komitetin Qendror përfaqësues sa më të shëndoshë nga ish-grupet.[cxv]
Në fakt nuk pati ekuilibër të tillë. Nga gjashtë anëtarë të KQ provizor tre vinin nga ish-Grupi i Shkodrës: Tuk Jakova, Qemal Stafa, Kristo Themelko. Nga Grupi i Korçës në fakt vinte vetëm një anëtar i KQ, Koçi Xoxe. Enver Hoxha, i cili u zgjodh, apo më saktë u katapultua anëtar i KQ, nuk kishte qenë anëtar i Grupit të Korçës. Enver Hoxha do të thoshte më pas në Plenumin II të KQ, në vitin 1944:
Kur u formua Partia dhe u gjenda në Komitetin Qendror, këtu hyra me propozimin e Koços. Unë s’ kisha eksperiencë ose kisha më pak se të tjerët, qoftë nga shokët e Grupit të Korçës, qoftë nga të Grupit të Shkodrës. Ata ishin futur më aktivisht në punën e Grupeve.[cxvi]
Enver Hoxha nuk e shpjegon se përse e bëri Koço Tashko këtë gjë, dhe vetë ky i fundit nuk qe i pranishëm për të dhënë shpjegime. Edhe nga Grupi i të rinjve vinte vetëm një anëtar i KQ, Ramadan Çitaku, i cili u bë anëtar i KQ se ishte shumë i lidhur me Miladin Popoviçin, duke qenë dhe përkthyesi i këtij të fundit nga serbishtja në shqip dhe anasjelltas. Disekuilibri më pas do të thellohej kur në KQ do të hynte një tjetër anëtar i ish-Grupit të Shkodrës, Gjin Marku.
Të gjashtë ata që u zgjodhën në Komitetin Qendror në 1941, si dhe Gjin Marku që hyri më vonë vinin nga mjedise ku formimi i njeriut ishte i tillë që mund ta konsideroje larg mjedisit që kishin parashikuar doktrinarët e komunizmit, aq sa ç’ mund të imagjinohej. Enver Hoxha i perceptonte gjërat e reja siç thyheshin në prizmin e mendësisë së tij, të formuar në mjedisin ku lindi dhe u rrit. Komunizmin ai e pa ashtu siç e kishin parë njerëzit e familjes së tij Islamin, si një fe të re nga e cila mund të siguroje benefice, në rast se bëheshe «klerik» i saj. Partia ishte «xhamia» e kësaj feje dhe Komiteti Qendror ishte «Këshilli i ulemave» të saj, që do të merrte beneficet. Në një mjedis të ngjashëm ishte lindur dhe rritur Qemal Stafa. Derisa Enver Hoxha vinte nga një familje e klerit osman, Qemal Stafa vinte nga një familje ushtarake osmane. Edhe Ramadan Çitaku vinte nga një familje fshatare muslimane nga Drenica e Kosovës, një mjedis ky pa asnjë lidhje me atë që kishin parashikuar doktrinarët e komunizmit. Koçi Xoxe dhe Kristo Themelko qenë për nga origjina fshatarë të fesë ortodokse, që merreshin me zejtari. Mjedisi rural ortodoks ishte gjithashtu shumë larg mjedisit ku doktrinarët e komunizmit kishin parashikuar të kultivohej ideologjia e tyre. Edhe këta të dy i perceptonin gjërat e reja ashtu si thyheshin në prizmin e mendësisë së tyre të shenjuar nga ikona me të gjitha paragjykimet që vinin prej saj. Tuk Jakova dhe Gjin Marku vinin nga një mjedis me tradita fisnore, për njerëzit e të cilit kapërcimi tek komunizmi ishte baraz me një udhëtim fantastiko-shkencor në kohë.
Në KQ provizor kishte katër kristianë dhe tre muslimanë, një gjë e çuditshme kjo në një vend me popullsi 70% muslimane. Por emisarëve jugosllavë kjo nuk u prishte punë, se emrat e anëtarëve të KQ nuk do të bëheshin të ditura as për partinë, e jo më për popullin.
Në Komitetin Qendror provizor kishte tre zejtarë (Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Kristo Themelko) dhe tre njerëz që shiheshin si intelektualë, apo gjysmëintelektualë (Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku). Me futjen pak më vonë edhe të Gjin Markut, pesha do të anonte nga intelektualët dhe gjysmëintelektualët. Partia që pretendonte të bënte një revolucion në emër të punëtorëve, në radhë të parë, e pastaj edhe të fshatarëve, ishte një parti intelektualësh, gjysmëintelektualësh. Koçi Xoxe në raportin për çështjet organizative, në Plenumin II të KQ, në Berat, në nëtor 1944, do të thoshte disa të vërteta të mëdha të partisë ku bënte pjesë:
Nuk është çmuar edhe puna e punëtorëve dhe shohim që në Partinë e tyre (të punëtorëve- shënimi im- K.M.) fare pak punëtorë janë në radhët e saj.[cxvii]
Më tutje, Koçi Xoxe do ta shpjegonte këtë gjë kështu.
Kuptohet pse të punosh me fshatarë e punëtorë duhet të lidhesh, duhet të jesh kurdoherë pranë tyre, duhet një punë e palodhur, organizatat tona (sidomos ato të terrenit) kanë ndjekur rrugën më të lehtë, punën me intelektualë dhe gjysmintelektualë. Këtu shihet që ne jo vetëm që nuk kemi çmuar rëndësinë e punëtorit dhe të fshatarit të varfër për Partinë por nuk kemi ndjerë dhe rrezikun që përbën për Partinë një kompozicion i tillë social. Dhe kjo situatë është edhe më e rëndë përsa i përket udhëheqësve dhe udhëheqjes së Partisë në terren dhe në ushtri.[cxviii]
Koçi Xoxe do të thoshte një të vërtetë tjetër epigramatike:
Edhe vetë kriteri i rekrutimit nuk ka qenë i drejtë dhe vazhdon të jetë kështu. Këtu kemi shkuar në dy ekstreme: edhe në sektarizëm, edhe në liberalizëm. Kemi treguar frikë pa vend në rekrutimin e fshatarëve, për të vetmin shkak se ata janë të pazhvilluar dhe kemi qenë më dorëlëshuar për intelektualët dhe gjysmintelektualët dhe arsyeja kryesore ka qenë për këta se janë të zhvilluar (pse dinë të flasin në popull me fjalë të bukura). Ky kriter rekrutimi nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara: në radhët tona, e sidomos në radhët e udhëheqësve shikohen të jenë me dyzina intelektualët, gjysmintelektualët, bejlerë, agallarë, mikroborgjezë.[cxix]
Kështu dilte se partia, për nga përbërja shoqërore e anëtarësisë dhe e udhëheqjes, nuk përfaqësonte së pari atë klasë që pretendonte të përfaqësonte klasën punëtore, e cila gjithsesi ishte një pakicë e vogël në Shqipërinë e kohës. Në këto rrethana partia ishte edhe më e prirur që të bëhej instrument i një klike intelektualësh dhe gjysmëintelektualësh, të cilët me alibinë e konspiracionit do t’ i impononin partisë vullnetin e tyre, si të vetmin rregull brenda partisë. Kjo u duk kur rregulli i miratuar që në KQ të mos ishin krerët e grupeve u respektua sa i përket Grupit të të Rinjve dhe Grupit të Shkodrës, por jo sa i përket Grupit të Korçës, nënkryetari i të cilit Koçi Xoxe u bë anëtar i KQ. Dukej qartë afiniteti i sllavëve Popoviç dhe Mugosha për Xoxen, i cili kishte lindur një një familje sllavishtfolëse në fshatin Negovan, tej kufirit, në pjesën e Maqedonisë që gjendet në Greqi, dhe që kishte kishte ardhur në Korçë në moshë të rritur. Një tjetër anëtar i KQ, Kristo Themelko, ishte i etnisë sllave maqedone. Anëtari tjetër i KQ, Qemal Stafa ishte me origjinë nga Zabzuni i Gollobërdës, një zonë me popullsi shqiptare, por bilinguale, që fliste dhe një dialekt sllav për shkak të emigrimit sezonal në krahinat sllave të Maqedonisë. Ky fakt për Qemal Stafën u fsheh në biografinë e parë të tij, të shkruar nga Nasho Jorgaqi dhe të botuar në 1970, ku thuhet se familja e tij ka zbritur në Elbasan nga malësitë e Krrabës. Por në botime të tjera të këtij libri thuhet:
Të parët e Stafajve kanë qenë fshatarë të thjeshtë, të zbritur nga malësia e Zabzunit të Dibrës, në Elbasan.[cxx]
Enver Hoxha ishte një tjetër njeri që konsiderohej nga Miladin Popoviçi si me afinitet sllav, për arsyet që kam treguar më lart. Enver Hoxha nuk thotë asgjë se cilat qenë tre propozimet që bëri delegacioni i Grupit të Korçës. Gjin Marku nuk figuronte fare në propozimet e Grupit të Shkodrës dhe ai u shtua në listë nga Miladin Popoviçi, ose Dushan Mugosha. Koço Tashko në letrën për Kominternin, në vjeshtën e vitit 1942, shkruan:
Duke thënë se duhet të ndajmë Grupin e Shkodrës nga Grupi i të Rinjve (që kishin qenë superficialisht të bashkuar kundër Grupit të Korçës), shoku Miladin në fillim u bazua në Grupin e Shkodrës, në atë grup që kish teoritë më sektare, pra në vend që të përdorë autokritikën si bazë për konsolidimin e Partisë, përdori politikën «ndaj e mbretëro».[cxxi]
Emisarët jugosllavë u mbështetën tek Grupi i Shkodrës se Grupin e Korçës e shikonin si me afinitet grek. Në rezolucionin e mbledhjes themeluese Grupi i Korçës u qortua kështu:
I tillë është qëndrimi i komunistëvet gjatë okupacionit grek: në vend që të përfitohej nga situata e krijuar për të marrë fuqinë në dorë, për të treguar se si punojnë komunistët duke zaptuar depot depot e armëvet dhe duke ia shpërndarë këto popullit, ata bënë punën e rojtarit të depovet dhe ranë në pikëpamjen e gabuar se ushtria e Metaxaj-it ishte ushtri çlirimtare.[cxxii]
Për këtë paragraf ka një shënim sqarues në libër:
Është fjala për grupin komunist të Korçës me rastin e pushtimit të qytetit të Korçës dhe të një pjese të Shqipërisë së Jugut nga ushtrija Greke në fund të vitit 1941, pas thyerjes dhe largimit të ushtrisë fashiste italiane… Grupi Komunist i Korçës ra në gabim duke mejtuar se ushtrija dhe qeverija reaksionare greke e Metaxajt, diktatorit fashist të Greqisë, do të silleshin si çlirimtarë ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, me rastin e largimit të ushtrisë italiane nga Korça dhe rrethet, Korça ndejti më tepër se dy ditë e lirë pa asnjë pushtues; komunistët në vend që të merrnin inisiativë dhe të krijonin një administratë shqiptare dhe armët e lëna nëpër depot nga italianët t’ ia ndanin popullit, ata u bënë rojtarë të depove dhe ia dorëzuan ushtrisë greke. Vetëm pak ditë pas pushtimit, qeverija greke shpalli aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës mbretërisë së Greqisë.[cxxiii]
Kjo kritikë u fut në rezolutë nën influencën e jugosllavëve, të cilët donin ta lidhnin lëvizjen komuniste në Shqipëri me atë në Jugosllavi, duke eliminuar influencën greke në lëvizjen komuniste shqiptare. Jugosllavët nuk e donin Grupin Komunist të Korçës, prandaj zgjodhën Xoxen që ishte në mos sllavo-maqedon, së paku sllavofon se dinte maqedonisht, ose më saktë dialektin vendor të bullgarishtes. Komunistët me origjine fetare ortodokse, por josllavë, që shiheshin si simpatizues të Greqisë, nuk u futën në Komitetin Qendror.
Duke parë emrat e njerëzve që hynë në KQ, duket qartë se jugosllavët nuk donin njerëz që kishin qenë në Bashkimin Sovjetik. Në fakt këtë gjë nuk e donin as sovjetikët, as atëherë dhe as më vonë, pasi donin ta bënin Perëndimin të besonte se partia komuniste e krijuar në Shqipëri nuk drejtohej nga Moska. Në zgjedhjen e udhëheqjes së PKSH në 1941, kishin dorë italianët dhe jugosllavët, por jo sovjetikët. Në gusht 1944, kur në Shqipëri ardhi majori sovjetik Ivanov, për të cilin vetë Enver Hoxha thotë se ishte i NKGB, ai filloi ta pyeste Popoviçin për krijimin e PKSH. Atëherë Tito e tërhoqi me ngut Miladin Popoviçin në Jugosllavi ku pas disa muajsh Popoviç u vra në rrethana të dyshimta, me sa duket i eliminuar nga të vetët.
Në 1941, me themelimin e partisë, Enver Hoxha do të bëhej favorit i Miladin Popoviç. Enver Hoxha në Plenumin II të KQ, nën nëntor 1944, tha:
«Aliu» ishte pseudonimi i Miladin Popoviç. Në fakt ishte Miladin Popoviçi ai që qëndroi pranë Enver Hoxhës dhe jo e kundërta. Miladin Popoviçi nuk shkoi në mal, por qëndroi në qytetin e Tiranës, atje ku rrinte Enver Hoxha. Shpjegimi: Garancia e shërbimit sekret fashist dhe komoditeti. Në rast se përdorim për Enver Hoxhën logjikën që ai ka përdorur për Mehmet Shehun, dhe të cilën nuk ka pse mos ta pranojmë, del se Enver Hoxha është bërë agjent jugosllav nga Miladin Popoviç. Enver Hoxha shkruan:
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Mehmet Shehu dhe gruaja e tij, Fiqret Sanxhaktari, u rekrutuan edhe si agjentë të jugosllavëve nga Dushan Mugosha. Punën me Mehmet Shehun, Mugosha e nisi qysh në Vlorë në pranverën dhe verën e vitit 1943 dhe e intesifikoi akoma më shumë kur të dy «e rregulluan» që të ndodheshin bashkë në Brigadën I Sulmuese, të cilën ne e krijuam në gusht të atij viti. Po në brigadë, Mugosha i gjeti tenxheres kapakun: rekrutoi Fiqret Sanxhaktarin dhe, po për qëllime agjenturore, u bë «shkes» për fejesën e saj me Mehmet Shehun. Si çdo agjenturë e huaj, edhe agjentura titiste, që po lindte e po formohej «në zjarrin e luftës», veproi ndaj rekrutëve të vet për plane të afërta e të largëta... të parit i dha pseudonimin agjenturor MISH (Mehmet Ismail Shehu), asaj i dha pseudonimin FISARI (Fiqret Sanxhaktari)».[cxxv]
Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi «e rregulluan» që të gjendeshin bashkë që nga shtatori 1941 e deri në gusht 1944, kur Miladin Popoviçi u largua nga Shqipëria. A nuk mund të thuhet se Enver Hoxha u rekrutua si agjent jugosllav nga Miladin Popoviç? A nuk mund të thuhet se Popoviç i gjeti «tenxheres kapakun» duke rekrutuar edhe Nexhmije Xhuglinin dhe duke u bërë shkes për fejesën e saj me Enver Hoxhën? Sipas traditës orale komuniste Nexhmije Xhuglini pati qenë në fillim e fejuara e Miladin Popoviç, por pastaj ky i kaloi Enver Hoxhës, me pretekstin se donte ta vinte në provë nëse kishte paragjykime të moralit borgjez. Atëherë a nuk mund të thuhet se Enver Hoxha ishte EHH (Enver Halil Hoxha) dhe NEXHUNI (Nexhmije Xhuglini). Tekefundit PKSH ishte një konspiracion serb për puç gjatë pushtimit në Shqipëri. Enver Hoxha veteë pranon se në fillim ai nuk ishte lider, çka do të thotë se do të bëhej ose jo në të ardhmen kjo varej nga vullneti i Popoviçit. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për mbledhjen themeluese të partisë:
Për të siguruar unitetin, nuk pati zgjedhje për kryetar ose sekretar të Komitetit Qendror. Pariteti i plotë u vu në themel të të gjithë punës, si për përgatitjen, ashtu edhe për zhvillimin e punimeve të Mbledhjes për Themelimin e Partisë. Nuk duhej kryer asnjë akt që mund të krijonte përshtypjen se njëri grup kishte më shumë të drejta dhe avantazhe se tjetri.[cxxvi]
Por, derisa nuk u zgjodh një sekretar i përgjithshëm, atëhere kjo do të thoshte se partinë e drejtonte Miladin Popoviç, çka u pohua nga anëtarët e Komitetit Qendror në Plenumin II të Komitetit Qendror, në Berat, në nëntor 1944, si dhe nga vetë Enver Hoxha, i cili tha në Plenumin e Beratit:
Komiteti Qendror ishte identifikuar me Miladinin dhe praktikisht Komitet Qendror nuk kishte.[cxxvii]
Ndërsa për vetveten, Enver Hoxha do të thoshte:
Përsa i përket vijës politike, unë mendoja siç mendonte Aliu, asnjë presje më tepër.[cxxviii]
Por, ato që mendonte «Aliu» (pseudonimi i Popoviç) qenë në realitet ato që mendonte OVRA, çka i konvenonte edhe Enver Hoxhës.
Megjithatë Ramadan Çitaku në Plenumin II në Berat na bën me dije se ndonëse nuk u zgjodh sekretar i përgjithshëm, sekretarë të KQ për sektorë të veçantë u zgjodhën:
Në KQ Provizor mua më duket se kam ardhur rastësisht. Aty u ndanë punët: sekretar politik Tuku, sekretar organizativ Koçi, me Rininë Qemali, me financën Enveri, me ushtrinë Shulja dhe Baca me teknikën. Shoku Gjin nuk dihej; më vonë u tha që edhe ky ishte në KQ.[cxxix]
Enver Hoxha nuk e kundërshtoi. Nuk kundërshtuan as të tjerët, të cilët qenë të pranishëm në sallë, me përjashtim të Qemal Stafës që ishte vrarë dhe Gjin Markut që ishte përjashtuar nga KQ. Zgjedhja e Tuk Jakovës, katolik nga Shkodra, si sekretar politik, pra në një farë mënyre nr. 1 i partisë, duket e besueshme se jugosllavët qenë të interesuar për një guerrilje partizane në Shqipërinë e Veriut, që të lehtësohej presioni i italianëve mbi partizanët malazezë. Sa për Enver Hoxhën, duket më e besueshme që t’ i kenë ngarkuar financën e partisë, për shkak se ishte i vetmi në KQ, i cili qe marrë me tregti. Enver Hoxha pranon në kujtimet e veta se është bërë një ndarje pune në KQ, por pretendon se ai u caktua të mbulonte shtypin dhe teknikën:
Bëmë ndarjen e punëve në mes shokëve të Komitetit Qendror Provizor. Së pari, të gjithë do të merreshim me organizimin e Partisë, por u bë dhe njëfarë ndarje pune në bazë qarqesh ose sektorësh. Kështu Qemali u caktua me punën e rinisë, Baca me financën e Partisë, unë do të merresha me shtypin e teknikën dhe me organizimin e Partisë në Tiranë, e kështu edhe të tjerët me radhë u shpërndanë në qarqet ku kishin punuar ose njiheshin. Tuku shkoi në Shkodër, Koçi Xoxe në Korçë, Gjin Marku në Berat, Kristo Themelko në Gjirokastër, më duket edhe në Vlorë etj. Edhe Ramadan Çitaku shkoi në Elbasan, por në fillim u desh të qëndronte pak kohë në Tiranë.[cxxx]
Sipas praktikës së partive komuniste duhj që KQ i zgjedhur të mblidhej në një plenum, për të marrë vendime të domosdoshme për organizimin e partisë dhe çështje të tjera. Kjo gjë nuk u bë. Plenumi I i KQ u mblodh vetëm pas dy vjetësh e gjysmë, në maj 1944, në Helmës të Skraparit. Tre vjet pas themelimit të partisë, në Plenumin II të KQ, në Berat, në nëntor 1944, Komiteti Qendror do të zbulonte se Partinë nuk e drejtonte ai por klika Popoviç-Mugosha-Hoxha, e cila ishte një konspiracion brenda një konspiracioni, çka ishte vetë partia. Konspiratorët qenë bërë viktima të një konspiracioni të brendshëm! Konspiracionin brenda konspiracionit e pohon Enver Hoxha kur thotë për organizimin e partisë:
Brenda disa ditëve krerët e ish-grupeve na paraqitën listat emërore të shokëve të tyre. Kjo ishte një çështje themelore. Mua, Qemalit dhe Bacës na duhej t’ i verifikonim emrat e t’ i kontrollonim jo vetëm jo vetëm nëpërmjet listave, por edhe me anë shokësh, për të provuar nëse listat ishin ekzakte, nëse ishin vënë të tërë, apo kishte mangut ose qenë shtuar. Na u desh ta zhvillojmë këtë punë jo vetëm në Tiranë, por, për të verifikuar listat me bazën, dërguam shokë të besuar edhe në Shkodër, në Korçë, në Vlorë, në Durrës e gjetkë.[cxxxi]
Ironia është se Enver Hoxha ishte i vetmi anëtar i KQ, emri i të cilit nuk figuronte në listat e anëtarëve që do të dorëzonin grupet! Enver Hoxha do të bëhej për herë të parë komunist i organizuar vetëm në nëntor të vitit 1941. Sa për listat, kuptohet se pastaj iu dorëzuan OVRA-s, e cila në bashkëpunim me Enver Hoxhën dhe Miladin Popoviçin, përzgjodhi ata që do të eliminoheshin, si të dëmshëm për italianët. Organizimi i partisë u bë nga lart-poshtë. U vendos që të krijohej komitetet e partisë në qarqe, të quajtur qarkorë, por nuk u bënë konferencat e partisë në qarqe nga të cilat do të dilnin qarkorët. Enver Hoxha shkruan:
Siç vendosëm në Mbledhjen Themeluese, menjëherë pas saj na u desh të studionim e të caktonim shokët që do të zgjidheshin apo do të kooptoheshin në komitetet e qarqeve ose «qarkorët», siç u thoshim. Sekretarët politikë e organizativë, i caktuam ne të Komitetit Qendror, kurse për anëtarët e tjerë do të vendosej në vend, kur të shkonin të deleguarit.[cxxxii]
Gjithçka u bë nga lart-poshtë, nga klika ultrakonspirative, sipas modelit masonik. Nuk funksiononte demokracia e brendshme në parti, as aq sa ç’ e pranonte dhe praktika e partive komuniste. Për konveniencë të klikës ultrakonspirative, në mbledhjen themeluese nuk u la si detyrë që të hartohej programi dhe statuti i partisë, kuptohet se kështu i konvenonte klikës. Program dhe statut do të bëhej vetëm në vitin 1948. U tha vetëm se PKSH do të kishte si njësi organizative bazë celulën me pesë anëtarë. Pranë çdo celule do të kishte dhe një grup simpatizantësh. Çdo anëtar i partisë do të përpiqej të bënte një simpatizant, që më pas do të pranohej anëtar. Nëse anëtarët e rinj që pranoheshin në parti do ta dinin të vërtetën, se sa u përket punëve të partisë, ata nuk dinin dhe nuk kishin në dorë më tepër se pjesa më e madhe e anëtarëve të KQ, kjo do t’ i kishte ngushëlluar.
Enver Hoxha në veprat e veta i atribuon vetes autorësinë e rezolucionit të mbledhjes themeluese të PKSH, thirrjes së parë të PKSH dhe të shumë trakteve të rëndësishme. Por të vërtetën e zbulon Ramadan Çitaku në Plenumin II, në Berat:
Në fillim në Agjitprop ishte caktuar Qemali, Koço Tashkoja dhe një tjetër. Kur Qemali u vra, Agjitpropi mbeti keq. Por edhe në kohën e Qemalit traktet shkruheshin prej Miladinit dhe përktheheshin prej Qemalit dhe prej Koços.[cxxxiii]
Sigurisht që edhe rezolucionin dhe thirrjen e parë të PKSH i ka shkruar Miladin Popoviç.
Me t’ u bërë Enver Hoxha anëtar i KQ të PKSH, filloi të mbajë dhe pseudonime, sipas rregullave të ilegalitetit, edhe pse të gjithë e dinin se «ilegali» rrinte tek Bahri Omari, jo shumë hapa larg kuesturës fashiste. Duke iu referuar veprave botuara të Enver Hoxhës, në janar 1942, shfaqet pseudonimi i parë, «Selami». Në 20 tetor 1942 shfaqet pseudonimi «Tarasi»me të cilin nënshkruan një letër, për të cilën thuhet se i drejtohet një shoku.[cxxxiv] Artikujt në gazetën «Zëri i Popullit» i ka nënshkruar me pseudonimet «Malo», «Sali». Por pseudonimi i veprimtarisë ilegale ishte «Tarasi». Enver Hoxha nuk shpjegon asgjë për kuptimin e pseudonimit «Tarasi», por qartësisht ai ka të bëjë me prijësin kozak. «Tarasi»do të ishte pseudonimi që Enver Hoxha e mbajti më gjatë. Në 3 nëntor 1943, shfaqet pseudonimi «Shpati», në një letër.[cxxxv]
Por, në 28 tetor 1943, vetëm pesë ditë më parë, ka nënshkruar me pseudonimin «Tarasi».[cxxxvi]
Në nëntor 1943, në dy letra që duket qartë nga përmbajtja se janë shkruar pas datës 3 nëntor 1943, kur nënshkroi me pseudonimin «Shpati», ka nënshkruar përsëri me pseudonimin «Tarasi». Në shkurt 1944, të parën letër që shkruan që nga dhjetori 1943, kur u izolua, e nënshkruan me pseudonimin «Tarasi». Edhe dy letra për Nako Spirun në mars 1944, nënshkruhen me pseudonimin «Taras».[cxxxvii] Në 17 prill 1944, një letër për Hysni Kapon e nënshkruan me pseudonimin «Tarasi».[cxxxviii]
Që nga 28 maji i vitit 1944 Enver Hoxha nuk përdor më pseudonim dhe fillon e nënshkruan: Gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Është kurioze se përse Enver Hoxha nuk e ndoqi shembullin e Titos, i cili vazhdonte të përdorte nom du guerre edhe pas luftës si mbiemër, siç bënte dhe Stalini. Sigurisht që Enver Hoxha ka dashur të përdorë pseudonimin «Tarasi» si mbiemër por nuk e kanë lejuar jugosllavët dhe sovjetikët, pikërisht për një nga arsyet për të cilat e vunë në krye të PKSh dhe më pas të qeverisë, se ishte musliman. Enver Serbët dhe më pas rusët kanë menduar se emri Enver Tarasi do të krijonte konfuzion dhe ndoshta propaganda armike do të hapte fjalë se atë e kishin «kaur» jugosllavët dhe rusët.
Enver Hoxha, në kujtimet e veta, kur flet për krijimin e PKSH, e gjen të nevojshme që të bëjë një apologji për atë që PKSH nuk e mbuloi dhe Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, duke shkruar:
Por momentet nuk ishin të diskutohej nëse duhej ruajtur apo jo «uniteti» që kishte krijuar mbretëria jugosllave. Ky do të ishte dhe duhej të ishte një problem i së ardhmes. Problemi kardinal tani ishte të sigurohej bashkimi i gjithë këtyre popujve në luftën e përgjithshme e vendimtare për çlirim. Këtë mund e duhej ta bënte Partia Komuniste. Por, gjersa Partia Komuniste e Jugosllavisë ishte ndërtuar e vepronte mbi baza federative, tash, edhe pse Jugosllavia ishte shkatërruar partisë i duhej të ruante strukturën e mëparshme të ndërtimit e të funksionimit të saj. Ndryshe s’ mund të bëhej. Ndryshe, ose ajo do të dizintegrohej, të coptohej e të riorganizohej edhe vetë në bazë të ish-shteteve që përbënin mbretërinë jugosllave, ose duhej të pushonte fare së ekzistuari. Ky rrezik ishte iminent.
Siç dihet, pas prillit 1941, për njëfarë periudhe organizata e partisë e Maqedonisë, pjesë e PKJ, shkëputi çdo lidhje me KQ të PKJ dhe u fut në lidhje me KQ të Partisë Komuniste Bullgare.
Shqip kjo do të thoshte që në këtë pjesë të ish-Jugosllavisë PKJ pushoi së ekzistuari. Nëse të njëtën gjë do ta bënim edhe ne, me organizatën sado të vogël të partisë të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, atëherë PKJ do të pushonte së ekzistuari edhe në Kosovë e në viset e tjera të ish-mbretërisë jugosllave që iu bashkuan Shqipërisë. Në vazhdim, e njëjta gjë mund të ndodhte, ose mund të kërkonte të bënte PK Italiane për ato pjesë që iu bashkuan Italisë, PK e Hungarisë për ato pjesë që iu bashkuan Hungarisë etj. Mbetej, pra, që një pjesë e mirë e PKJ të dezintegrohej e të hynte në përbërjen e atyre partive komuniste që vepronin në vendet të cilave iu bashkuan copa të ish- mbretërisë jugosllave. Pjesës tjetër i mbetej ose të humbiste, ose të riorganizohej në parti të veçanta komuniste në Serbi e në Kroaci. Këto, për ato momente, do të ishin manovrime të rrezikshme, e pas asnjë rezultat pozitiv. Bile, riorganizime të tilla jo vetëm s’ mund të bëheshin kurrë, por nuk ishin as koha, as kushtet, as mundësitë qoftë edhe për të diskutuar për to. Në favor të problemit imediat e kardinal të momentit- organizimit të luftës së përgjithshme kundër pushtuesit nazifashist, duhej pranuar, pra, statusi i mëparshëm i PKJ dhe duhej ndihmuar që ky status të ruhej. Në të kundërtën, nuk do të ishte thjesht PKJ që do ta pësonte. Mbi të gjitha do ta pësonte lufta e popujve të Jugosllavisë. Ata do të mbeteshin pa udhëheqje ose, në mungesë të udhëheqjes së Partisë Komuniste, do t’ i ngrinte në luftë reaksioni, Drazha Mihailloviçët me kompani, aleatët anglo-amerikanë e të tjerë.
Pikërisht kështu duhet të ketë gjykuar edhe Komiteti Ekzekutiv i Kominternit kur vendosi që organizata e partisë e Maqedonisë t’ i shkëpuste lidhjet e krijuara pas prillit 1941 me PK Bullgare e të hynte në lidhje me Partinë Komuniste të Jugosllavisë, pjesë e së cilës kishte qenë prej kohësh. Nga një gjykim i tillë ishim nisur edhe ne, që në fillim, për qëndrimin që mbajtëm ndaj faktit se kush duhej ta organizonte dhe ta udhëhiqte direkt luftën e popullit të kosovës e të viseve të tjera shqiptare të aneksuara dikur Jugosllavisë.[cxxxix]
Enver Hoxha këtu qartësisht niset nga konsiderata ideologjiko-pansllaviste, dhe madje edhe nga një pikëpamje kundër anglo-amerikanëve. Për një paradoks, sa ironik edhe domethënës, Enver Hoxha e quan të pranueshëm faktin që Jugosllavia e Versajës, e cila në 1941 u shpërbë, jetonte si një zombie te Partia Komuniste e Jugosllavisë.
Por Enver Hoxha më poshtë pohon se Partia Komuniste e Jugosllavisë, ndërsa kërkonte nga të tjerët që të respektonin kufijtë shtetërorë të paraluftës, sa i përket territorit që mbulonin partitë komuniste, vetë ndiqte një standard të dyfishtë, duke u shkëputur organizata e partisë e Istrias nga Partia Komuniste e Italisë në 1941 dhe duke u bashkuar me PKJ. Madje Enver Hoxha pretendon se duke u nisur nga ky precedent, në 1943 i ka shkruar një letër Titos, ku i thotë:
KQ i PKJ «që sot», «që tani» të shpallte publikisht të drejtën legjitime të popullit të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi për vetëvendosje gjer në shkëputje «nesër», domethënë, pas luftës e si rezultat i luftës.[cxl]
Enver Hoxha pretendon se në këtë letër që i ka çuar Titos në emër të KQ të PKSH, e ka krahasuar rastin e Kosovës me atë të Istrias, që para luftës kishte qenë pjesë e Italisë, por që rivendikohej nga Jugosllavia, dhe ku PKJ dhe UNÇJ shtrinë veprimtarinë e tyre. Por Enver Hoxha nuk e publikoi kurrë këtë letër të pretenduar, në veprat e tij, ku i atribuon vetes rezolucionin e mbledhjes themeluese të KQ dhe thirrjen e parë PKSH. Për përgjigjen e Titos thotë:
Ishte pezmatuar rëndë Titoja që ne, në letrat që i kishim dërguar, e krahasonim çështjen e qëndrimit të PKJ ndaj Kosovës etj., me qëndrimin që mbante ajo parti ndaj Istrias. «Jo, na tundte kërcënueshëm gishtin Titoja, rasti i Istrias është krejt ndryshe nga ai i Kosovës e i Metohisë».
Si ishte e vërteta?
Istria, gadishulli buzë Adriatikut, deri ëm 1918 ndodhej nën Austrinë e më 1919 iu dha Italisë. Meqë shumica e popullsisë së saj përbëhej nga sllovenë, KQ i PKJ shtroi qysh gjatë luftës çështjen e bashkimit të saj me Jugosllavinë, me argumentin që Italisë i qe aneksuar përdhunisht.
Po vallë, a nuk kishte ndodhur i njëjti aneksim me përdhunë nga imperialistët edhe i Kosovës e i viseve të tjera shqiptare më 1913?! Patjetër! Atëherë përse PKJ e quante të drejtë të kërkonte «që sot» bashkimin me Jugosllavinë të një zone të banuar nga sllavë e nuk e quante të drejtë edhe rastin analog të Kosovës e të viseve të tjera të shkëputura Shqipërisë?
«Argumentet» që jepte Titoja ishin qesharake. Istria, sipas tij, duhej bashkuar me Jugosllavinë, sepse atje kishte «një lëvizje të zhvilluar revolucionare», kurse në Kosovë kjo nuk po ndodhte! Ndoshta vërtet në Istria kishte lëvizje të tillë të zhvilluar (po e quaj të mirëqenë thënien e Titos, ngaqë s’ dija asgjë konkrete për gjendjen atje), por lind pyetja: Pse në Kosovë s’ po ndodhte e njëjta gjë?! Me bindje të patundur e përsëris se sikur popullsisë së Kosovës t’ i bënte PKSH të njëjtën thirrje që i bëri PKJ popullsisë së Istrias, atëherë Titoja do të detyrohej të vriste shumë mendjen për të fabrikuar ndonjë «argument» tjetër.[cxli]
Kjo do të thoshte se Enver Hoxha dhe të vetët e dinin që atëherë mendimin e jugosllavëve për këtë çështje. Kjo kuptohet kur Enver Hoxha shkruan për një letër që i ka çuar Tito në 25 tetor 1943:
Titoja me djallëzi, por fare qartë linte të kuptonte se çështja e trojeve dhe e popullsisë shqiptare në Jugosllavi nga ana e KQ të PKJ ishte paracaktuar: «Sot, te populli shqiptar në Kosovë dhe në Metohi,- shkruante,- duhet kultivuar dashuria vëllazërore ndaj popujve heroikë të Jugosllavisë dhe ndaj luftës së përbashkët kundër pushtuesve gjermanë. Jugosllavia e re që po krijohet do të jetë vendi i popujve të lirë, kështu që nuk do të ketë vend për shtypjen nacionale as të pakicës shqiptare».
Shqip kjo do të thoshte: KQ i PKJ i ka caktuar kufijtë e shtetit të ardhshëm jugosllav, ata do të jenë ata që kanë qenë. «Pakica» shqiptare, pra Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, Dibra etj., etj., kësisoj do të mbeten nën «Jugosllavinë e re që po krijohet».[cxlii]
Atëherë përse Enver Hoxha nuk veproi me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi si Tito me Istrian? Përgjigjia është e thjeshtë, se Enver Hoxhën e patën vënë jugosllavët në udhëheqjen e PKSH, që t’ u shërbente atyre. Konspiratori i tetëmbëdhjetë është njeriu-kyç i jugosllavëve. Kur, saktësisht tre vjet, tre javë dhe tre ditë pas ditës së themelimit, partia komuniste do të vinte në pushtet, konspiratori i tetëmbëdhjetë do të ishte në krye të saj dhe do të sundonte për 41 vjet, duke e bërë Shqipërinë ashtu siç donte ta shihte Serbia, një vend-monstër, me të cilin bota tallej dhe e përçmonte. Apologjia e Enver Hoxhës është e dobët, e vetëshkatërrueshme.
IV
I vetëquajturi «gomari i Buridanit» antifashist
Me krijimin e partisë komuniste në Shqipëri, duhej pritur që kjo parti të ndiqte shembullin e homologes jugosllave, pra udhëheqja e saj të dilte në mal dhe atje të organizonte ushtrinë partizane dhe shtabin e saj. Në fakt këtë gjë prisnin edhe komunistët jugosllavë nga komunistët shqiptarë, në mënyrë që të lehtësohej presioni ushtarak italian mbi forcat partizane në Mal të Zi, por edhe në Maqedoni.
Në 4 korrik 1941, pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, Komiteti Qendror i PKJ vendosi të fillojë luftën dhe e shpalli Titon Komandant të Përgjithshëm. Ky bëri thirrje për të rrëmbyer armët dhe me këtë u bë i njohur në gjithë Jugosllavinë. Por Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes së PKSH, si dhe Miladin Popoviçi, i cili i drejtonte ata, nuk ndoqën shembullin e Titos, që të dilnin në mal, si luftëtarë, qoftë edhe në Pezë. Enver Hoxha jetoi në komoditet, në qytetin e Tiranës, edhe pas themelimit të PKSH, për më tepër se një vit e gjysëm, deri në maj 1943, kur u largua nga Tirana, për të marrë pjesë në spastrimet staliniste në parti. Në librin me kujtime, «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», Enver Hoxha tregon për periudhën pas themelimit të partisë:
Me anë të Bahriut unë kisha mundësi të krijoja lidhje të shumta për të kontaktuar me elementët nacionalistë, si dhe për të njohur më mirë e nga afër «rrymat», «tendencat», «grupet» apo organizimin e tyre, detyrë kjo e rëndësishme për punën e Partisë.[cxliii]
Kështu, Enver Hoxha rrinte në shtëpinë e Bahri Omari dhe bëntë «luftë» banketesh. Në këto bankete u bë proverbiale shprehja: Enver dil ti i pari në mal të luftosh, se të nesërmen na ke prapa. Madje edhe kur Enver Hoxha doli në «mal», në vitin e fundit të luftës, jetonte në luks borgjez. Enver Hoxha i shkruan Nako Spirut në mars 1944:
Për orën e Aliut mos i kurseni paret, «Longines».[cxliv]
Enver Hoxha kujdesej që komunisti Miladin Popoviç të kishte orë prej kapitalisti të pasur. A mund të konsiderohej kjo një ndihmë sipas parimit të internacionalizmit proletar? Enver Hoxha, në vjeshtën e vitit 1942, si një komedian i vërtetë, shtirej se ishte në dilemë, nëse duhet të rrinte në qytetin e Tiranës, apo të dilte në mal. Në letrën e parë që i çon «një shoku», në muajin tetor 1942, Enver Hoxha i thotë për çështjen e daljes në mal:
Për punën që kemi thënë, jam i mendimit që, po s’ e forcuam organizatën nga kjo tronditje e madh s’ duhet të riskojmë dhe....[cxlv]
Në fund të faqes janë dy shënime që lidhen me këtë fjali. I pari shpjegon se për ç’ punë është fjala:
Është fjala për largimin e shokut Enver Hoxha nga Tirana, në Martanesh, a gjetkë. [cxlvi]
Shënimi i dytë shpjegon ndërprerjen e fjalisë:
Në origjinal mungon vazhdimi i dorëshkrimit.[cxlvii]
Me ndërprerjen e fjalisë duket se Enver Hoxha ka dashur të thotë me reticencë, se jeta në qytetin e Tiranës është shumë më komode se ajo në male. Tito 50 vjeçar rrinte në male me partizanët, ndërsa Enver Hoxha, 34 vjeçar rrinte në qytetin e Tiranës. Në letrën e dytë që i çon «një shoku» në në muajin tetor 1942 Enver Hoxha i thotë për çështjen e daljes në mal:
Për punën që kishim biseduar ishte e pamundur në atë kohë, por s’ e harrojmë, si do që pa forcuar organizatën më duket se s’ është mirë, pse reaksioni do të jetë edhe më i egër. [cxlviii]
Në libër është shënimi shpjegues:
Ky shënim është ai i cituar më lart, që shpjegon se bëhet fjalë për daljen e Enver Hoxhës në mal. Kështu, Enver Hoxha mendonte për partinë dhe jo për luftën. Enver Hoxha, duke treguar natyrën e vet prej komediani shkruan në letër për kinse dilemën e tij, në qytetin e Tiranës, apo në mal:
Po përpiqem të gjej një vend të sigurt këtu, se s’ bëhet po të iki. Rrezik i madh është, po s’ di dhe unë çfarë të bëj, po e pësoj si l’ ane de Buridan, keq andej, keq këndej.[cl]
Kështu, Enver Hoxha mund të quhet «Gomari i Buridanit» antifashist. Tito nuk kishte dilemë të tillë. Që nga qyteti i Tiranës, Miladin Popoviç dhe Enver Hoxha jepnin në emër të Komitetit Qendror të PKSH direktiva për krijimin e ushtrisë partizane dhe të komandës së saj në mars 1942, ku u thuhej komiteteve qarkore të PKSH:
Cila është përbërja e komandës: Në ballë të çetës është komandanti ushtarak dhe zëvendësi i tij, është komisari politik dhe zëvendësi i tij. Përbërjen e komandës së çetës e cakton shtabi i batalionit (dm.th. komiteti qarkor i vendit në territorin e të cilit formohet çeta), Shtabi i batalionit (komandanti dhe zëvendësi, komisari politik dhe zëvendësi) caktohet prej shtabit të aradhës (kështu quheshin fillimisht brigadat- K. M.) d.m.th. prej komitetit qarkor dhe komitetit qendror. Shtabi i arradhës caktohet prej shtabit madhor d.mth. prej komitetit qendror.[cli]
Në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944, Enver Hoxha do të thoshte:
Flisnim për çështjen e ushtrisë. Kishte gjetur direktivë për ushtrinë e Partisë Jugosllave. Por ne s’ kishim ushtri.[clii]
Enver Hoxha këtu e ka fjalën për ushtrinë partizane. Gjithsesi, në dokumentin konfidencial të mësipërm të KQ të PKSH, thuhej qartë se në realitet Shtabi Madhor, ose i përgjithshëm i ushtrisë partizane ishte Komiteti Qendror i PKSH. Ushtria partizane ishte kështu krahu i armatosur i PKSH dhe, duke pasur strukturat e kësaj partie të inkorporuara në strukturën ushtarake, ishte e ideoligjizuar. Por përse nuk krijohej një shtab i përgjithshëm i ushtrisë dhe nuk shpallej vetë krijimi i ushtrisë partizane, duke u emëruar edhe një komandant i përgjithshëm i saj? Në Jugosllavi këto gjëra u bënë që në vitin 1941, pak kohë pas okupacionit, dhe shumë kohë para se të krijohej Fronti Nacionalçlirimtar (AVNOJ), gjë që u bë vetëm në nëntor 1942.
Është thënë rëndom se komunistët shqiptarë, në gjithçka që bënë, ndoqën manualin e homologëve jugosllavë. Në vija të përgjithshme është kështu, por ka një ndryshim thelbësor. Derisa komunistët jugosllavë shpallën në fillim krijimin e ushtrisë partizane, shtabit të saj dhe emëruan komandantin e përgjithshëm (Tito), dhe më pas krijuan AVNOJ (Fronti Nacionalçlirimtar), komunistët shqiptarë krijuan në fillim Frontin Nacionalçlirimtar (Frontin ANÇ), në shtator 1942 dhe vetëm në korrik 1943, shpallën krijimin e ushtrisë, shtabit të përgjithshëm të saj, ndërsa vetëm në maj 1944 emëruan komandantin e përgjithshëm të ushtrisë. Kuptohet se përse ndodhi kështu: Miladin Popoviçin dhe Enver Hoxhën nuk i lejonte OVRA që ta bënin një gjë të tillë që në 1941, apo edhe në 1942. Ata e bënë këtë gjë vetëm në korrik 1943, kur regjimi fashist po shembej në Itali dhe pritej zbarkimi i britaniko-amerikanëve në Itali, ashtu dhe në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë me direktivën për krijimin e çetave partizane, Komiteti Qendror i PKSH, domethënë klika Popoviç-Hoxha, kishte dhënë një udhëzim të çuditshëm, të cilin e zbulon Koço Tashko kur shkruan në letrën e tij për Kominternin, në vjeshtën e vitit 1942:
Direktivat parashikojnë se as ushtarë italianë s’ po vrasim sot, por do të vrasim nesër. Nesër do të vrasim edhe ushtarë shqiptarë, në qoftë se ata bëhen vegla të armikut. Mirëpo direktiva jepet për sot dhe jo për nesër. Dita që përmend Tarasi s’ ka ardhur. Kur të vijë kemi kohë ta japim direktivën.[cliii]
Nga këto që thotë Koço Tashko kuptohet se direktivën e ka dhënë Enver Hoxha (Tarasi) me urdhër të Miladin Popoviç. Nga kjo direktivë që ishte në fuqi edhe në vjeshtën e vitit 1942, pra tre vite e gjysëm nga dita e okupacionit, kuptohet se Miladin Popoviç dhe Enver Hoxha punonin për llogari të OVRA. Aksionet bëheshin vetëm kundër policëve shqiptarë të kuesturës, milicëve dhe karabinierëve shqiptarë. I pari ushtarak italian i cili u vra në Shqipëri, në një aksion të partizanëve, qe komandanti i legjionit të milicisë Clemente, i cili u vra në Vlorë, në janar 1943. Por edhe ai u vra duke komanduar forca shqiptare të milicisë. Kundër ushtrisë nuk bëheshin aksione, jo vetëm ndaj italianëve, por as ndaj ushtarëve shqiptarë. Në fakt me këtë direktivë të Enver Hoxhës në vend kishte filluar praktikisht një luftë civile, në vend të luftës kundër okupatorëve. Direktiva e Enver Hoxhës u bënte komoditet italianëve, të cilët e shikonin guerriljen shumë modeste komuniste në Shqipëri si një problem të shqiptarëve, dhe që duhet të zgjidhej nga vetë autoritetet dhe forcat shqiptare të regjimit. Një provë për këtë e kemi në qëndrimin e italianëve ndaj Myslim Pezës, siç e përshkruan Koço Tashko në letrën për Kominternin, në vjeshtë 1942:
Duke mos pasur milicë shqiptarë për të shtypur çetën e Myslimit italianët ofruan një kompromis, të cilin vëllai i Myslimit, Shyqyriu, e pranoi në shkurt të 1942-së. Kompromisi ishte që Shyqyriu të ruajë qetësinë në Pezë dhe si shkëmbim qeveria të mos ketë të drejtë të mbajë fuqi të armatosura, polici e xhandarmëri në Pezë. Në rajonin e Pezës, pra, u formua një soj republike në zemër të fashizmit. Myslimi nuk e pranoi kompromisin, por përfitoi nga autonomia.[cliv]
Çetat partizane filluan të krijohen në vitin 1942, pasi komunistët bënë një kompromis me banditët tradicionalë në Shqipërinë e Jugut, por së pari me Myslim Pezën. Koço Tashko shkruan në letrën e tij për Kominternin, në vjeshtën e vitit 1942:
Qëndrimi i KQ karshi Myslim Pezës ka qenë që në fillim negativ. Mbaj mend që u formulua prej shokut Miladin kështu: «Neve na duhen çetat tona partizane, s’ mundemi të humbasim kohë e material për një kriminel». Për fat të keq s’ mund të gjesh një nacionalist me guxim, i cili të mos ketë bërë krime. Edhe më të mirët janë bijtë e sistemit feudal që ka pasur dhe ka akoma Shqipëria.[clv]
Këtu duhet sqaruar se me fjalën «nacionalist» në fjalorin komunist, kuptoheshin të gjithë jokomunistët që shiheshin si njerëz që mund të bindeshin të bashkëpunonin me komunistët. Për komunistët «nacionalist» ishte kushdo që nuk ishte internacionalist si ata vetë. Miladin Popoviç kishte frikë që të bashkëpunonte me banditët tradicionalë, pa pyetur Titon dhe Kominternin dhe duket se e bëri këtë pasi i erdhi miratimi që priste. Kështu, Miladin Popoviç dhe Enver Hoxha më pas do ta afronin Myslim Pezën, se u duhej si vrasës në luftën civile, si në atë brenda lëvizjes komuniste, ashtu dhe në atë kundër antikomunistëve. Tashmë nuk kishte më skrupuj për kriminelët. Komunistët dhe banditët tradicionalë do të bëheshin bërthama e çetave partizane në 1942.
Todi Lubonja, ish-antar i Komitetit Qendror të PPSH dhe antar i PKSH që prej krijimit, tregon shembuj për këtë në kujtimet e veta. Ai shkruan kështu për dy nga bashkëvuajtësit e vet në burgun e Spaçit, në kohën e diktaturës komuniste.
S.I., i cili së bashku me N. kishte qenë vërtet bandit, e mbajtën pak dhe e hoqën shpejt. Ai kishte qënë bandë më vete dhe meqënëse nuk kishte rënë në ujdi me N. të dyja bandat kishin vepruar më vete, derisa filloi lufta dhe u bënë partizanë, pastaj edhe kuadro.[clvi]
Një tjetër komunist i njohur dhe pjesmarrës në anën e republikanëve në Luftën Civile në Spanjë, Petro Marko, në librin e vet me kujtime, «Intervistë me vetveten», tregon për një episod nga parada e forcave partizane në Tiranë, në 28 nëntor 1944, para Enver Hoxhes dhe lidershipit komunist:
Më tërhoqi vëmendjen një zë diku poshtë tribunës. Hodha sytë dhe ç’ të shihja?! Një bashkëfshatari im bënte rojë me armë në dorë, në këndin e tribunës. Ishte veshur partizan dhe tundte pushkën në shenjë fitoreje. Po kush ishte ky? Një kryekusar. E lashë në burgun e Tiranës në vitin 1942, kur më nisën për në Itali.[clvii]
Lëvizja partizane u ushqye kështu nga baza e lëvizjes tradicionale të hajdutëve, që ekzistonte në Shqipërinë e Jugut. Dervish Pasha, komandanti i ekspeditës turke, e cila shtypi Lidhjen e Prizrenit, në 1881, i bëri Sulltanit, një raport mbi gjendjen në Shqipëri, ku thuhet:
Të gjitha këto bënë që Lidhja Shqiptare të përhapej e të shtrihej në gjithë Gegërinë dhe që Komitetet e Lidhjes të kryenin gjithandej veprime kryengritëse që ishin në kundërshtim me dëshirat e qeverisë.[clviii]
Ndërsa, për gjendjen në Shqipërinë e Jugut, Dervish Pasha shprehet:
Në anët e Toskërisë çështja që ka marrë karakter më shqetësues është ajo e veprimtarisë së banditëve, që është thjesht një veprimtari kusarie.[clix]
Në Toskëri kusari apo hajduti, siç quhet me një fjalë tjetërt është një njeri i nderuar, është simbol i njeriut trim, është heroi i të gjithëve. Në Toskëri hajdutit i këndohen këngë trimërie, madje këngët e hajdutëve jane të vetmet këngë epike në Toskëri. Kur rapsodi popullor, do që ta lartësojë Zenel Gjoleken, një prej prijsve të kryengritjes të vitit 1847 në Toskëri, ai thotë për të se vishet si hajdut, çka në fakt pati qenë më parë:
O Gjolekë, o labi Kuçe,
këmishën mbi gju hajduçe
Jug 1899[clx]
Në një këngë tjetër, rapsodi nga Progonati i Kurveleshit, i drejtohet qytetit të Gjirokastrës, vendlindjes së Enver Hoxhës, duke e pyetur ku e ka heroin e vet me të cilin mburrej:
O Gjirokastra me vulë,
ç’ e bëre Shemo Hajdunë?
Nënë Grebene ç’ e zunë
thyer krahnë, thyer gjunë,
lidhur në Janinë e shpunë
në kala e në budrumë.
Progonat- Kurvelesh 1952[clxi]
Është domethënëse se në këto këngë, derisa ndeshkimi që pëson hajduti prej shtetit, kqyret si një gjë të cilën ai e ka kerkuar vetë, me veprimet e veta, ai që bashkëpunon me shtetin per kapjen e hajdutit, apo ai njeri i ligjit qi i ndeshkon ata, perbuzen si njerez të keq. Kjo duket në atë që është padyshim kënga më e famshme e hajdutëve në Toskëri, «Bilbilenjtë trembëdhjetë». «Bilbilenjtë» qenë nji bandë e famshme hajdutësh. Në këtë këngë thuhet:
O Birbil e bëre vetë,
që kur preve kazinetë
shtatë mushka katër vetë,
Lanet paç Xhelal Voshtina,
vare dymbëdhjetë trima.
Progonat- Tepelenë 1947[clxii]
Hajduti, ndryshe kusari, u bë heroi partizan. Vendet e njohura të hajdutëve në male u bënë vendet e partizanëve. Në romanin e Dritëro Agollit «Komisari Memo», ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shqipërinë e Jugut, batalioni partizan e ka strehën e vet kryesore në Gur-Kusar, domethënë Guri i hajdutit. Komisarët e kuq i kthyen kusarët në partisanë dhe kusarët nga ana e vet, u prine atyre në strofullat e veta. Edhe komisari u vra tek ky gur. Në një poezi shumë të njohur të kohës së komunizmit, Dritëro Agolli thotë:
Nën një shkëmb murrash të shtrembër,
që mban emrin Gur-Kusar,
rrugën gjeti gjer në zemër
plumbi i nxehtë komisar![clxiii]
Bukur pra; atje ku e patën derdhur gjakun kusarët, tash qenë duke e derdhur gjakun komisarët, të cilët tash qenë vënë në krye të kusarëve. Tek Guri i Kusarit u ngrit lapidari i komisarit të kusarëve.
Kur regjimi fashist vendoste të bënte ndonjë operacion, më tepër spektakolar, kundër partizanëve, siç ishte rasti në Pezë, në vjeshtën e vitit 1942, këta të fundit dëshmonin se nuk kishin asnjë vlerë luftarake. Në një letër që shkruan në tetor 1942, Enver Hoxha flet me përçmim për veprimet e çetës partizane të Pezës gjatë operacionit fashist që filloi në Pezë, dy ditë pasi Enver Hoxha qe larguar nga Peza, ku shkoi për të marrë pjesë në konferencën që u mbajt atje:
Sa për punën e Pezës nuk po të shkruaj gjatë, por po të çoj të dy raportet që ka sjellë Dinia dhe një tjetër që ka çuar Tafari. Gjykoje vetë gjendjen. Unë them vetëm se atje ka munguar në të gjithë gjakftohtësia dhe krejtësisht decizioni në ekzekutimin e planit të tërheqjes dhe të goditjes nga shokët. Kanë shkuar si berrat dhe, po t’ i këndosh me vërejtje raportet, do të shikosh se, megjithëse s’ kanë pasur kohë, siç thonë, përsëri kohë kanë pasur për të mos u tërhequr me aq panik, sa akoma s’ po i gjejnë shokët. Është e vërtetë, që shokët ishin përgjithësisht të rinj, por barra u binte më të pjekurve.[clxiv]
Enver Hoxha jepte konsiderata ushtarake që nga qyteti i Tiranës, pa shkuar vetë në mal. Sigurisht që në disa zona malore si në Kurvelesh, Skrapar, apo në malësitë e Korcës, Kolonjës, Vlorës cetat partizane kishin marrë nën kontroll territore jo të pakta, por kjo nuk i shqetësonte italianët. Zonat ku vepronin rebelët qenë larg vijave të komunikimit të italianëve dhe në vende që tradicionalisht nuk kishin qenë nën kontrollin e shtetit në Shqipëri, ose në rastin më të mirë kishin qenë vetëm në letër. Në të vërtetë cilido pushtet që kishte qenë në Shqipëri, si i huaj ashtu dhe vendas, duke përfshirë dhe monarkinë e cila arriti të siguronte shkallën më të lartë të kontrollit të territorit të vendit, sa u përket zonave malore të Jugut dhe Veriut, ishte kënaqur, duke i kontrolluar praktikisht me anë të krerëve tradicionalë vendorë, të blerë nga pushteti. Italianët nuk e braktisën këtë traditë, edhe pse nuk e pëlqenin fort atë. Italianët duket se kanë pasur edhe mendimin diabolik se një luftë civile në Shqipëri do të ishte në favor të tyre, se tekefundit atyre u bënte komoditet që shqiptarët po vrisnin njëri tjetrin. Italianët mendonin se në këto rrethana ata shqiptarë që nuk e kishin mirëpritur okupacionin italian, por që i shikonin me dyshim komunistët, dhe këta shqiptarë përbënin shumicën, do të lidheshin më fort me ta (italianët). Italianët prisnin që, në këtë luftë, komunistët të eliminonin krerët tradicionalë dhe mbështetësit e tyre, duke u dëmtuar dhe vetë komunistët në këtë luftë. Kjo do t’ u mundësonte pastaj italianëve që të kishin kontroll të plotë në vend duke eliminuar komunistët.
Si rezultat i sjelljes së Enver Hoxhës dhe të Miladin Popoviç, dhjetë muaj pas formimit të partisë komuniste, italianët nuk ndiheshin të shqetësuar në Shqipëri. Në 1 shtator 1942 Ciano shkruan në ditar për gjendjen në Shqipëri:
Jacomoni paraqet një raport mjaft qetësues për situatën shqiptare. Mjafton të sigurohet një minimum ushqimesh, për të mbajtur qetësinë në vend. Ndërkohë propaganda kundërshtare e ka vënë në shenjë Shqipërinë, e cila përfaqëson të vetmin oaz paqeje në Ballkan.[clxv]
Me krijimin e partisë komuniste nuk u justifikua shpresa e komunistëve jugosllavë se si rezultat i organizimit të guerriljes komuniste në Shqipëri, italianët do të detyroheshin të tërhiqnin forca nga Mali i Zi dhe Dalmacia, për të kontrolluar vendin. Në shtator 1942, italianët vazhdonin të mbanin në vend të njëjtin numër trupash që kishin në korrik 1941, pas tërheqjes së divizioneve të tyre nga Shqipëria për në Mal të Zi. Në 9 shtator 1942 Ciano shkruan në ditar për forcat italiane në Shqipëri:
Tërhoqa sërish vëmendjen e Musolinit mbi situatën shqiptare. Më tepër se sa pakënaqësia që qarkullon, më preokupon mungesa e forcave tona. Katër divizione vetëm për emër: në fakt janë gjithsej njëmbëdhjetë mijë njerëz. Me një gjendje të tillë të punëve, çfarëdo e papritur është e mundshme. Cavallero, të cilit i tunda zilen e alarmit, nuk diti të bëjë tjetër veç të më japi pesëdhjetë autoblinda: pak. Duçja shfren një nga ato shfryrjet e zakonshme kundra ushtrisë, ku gjithçka shkon keq e asgjë s’ përmirësohet.[clxvi]
Në Shqipërinë e 1941 kishte 11 mijë ushtarë italianë, çka do të thotë se në Shqipërinë e 1913 kishte jo më tepër se 7-8 mijë vetë. Ciano qartësisht nuk shqetësohej nga veprimet e guerrilasve në Shqipëri, por se forcat aleate mund të zbarkonin në Shqipëri. Italianët nuk kishin arsye për t’ iu trembur komunistëve shqiptarë, edhe për faktin se këta qenë të zenë me luftën civile brendakomuniste.
Angazhimi kryesor i klikës që drejtonte PKSH në atë kohë, dhe ku bënte pjesë edhe Enver Hoxha, qenë spastrimet staliniste brenda radhëve të partisë. Në fakt kjo nuk ishte aq një domosdoshmëri, se një mënyrë për të justifikuar nesër për faktin që udhëheqja e partisë nuk po dilte në mal për të organizuar ushtrinë partizane. Në pranverën e vitit 1942 filloi lufta civile në radhët e PKSH. Lufta civile në radhët e PKSH filloi zyrtarisht në prill 1942, me spastrimet që ndërmori klika Popoviç-Hoxha ndaj të padëshiruarve në parti. Është interesante se më pas Enver Hoxha falsifikon dhe datat e mbajtjes së mbledhjeve kryesore të partisë, në vitin 1942, në të cilat u bënë spastrimet, ashtu siç bën me ditën e hapjes së mbledhjes themeluese të partisë dhe ditën e themelimit të saj. Enver Hoxha në raportin e vet në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948, thotë:
Komiteti Qëndror Provizor ndiqte me kujdesin më të madh veprimtarinë e tyre antiparti dhe më 21 prill 1942 mblodhi Konferencën e Partisë dhe i dha grushtin fraksionit t’ Anastas Lulos dhe Sadik Premtes.[clxvii]
Më pas vetë Enver Hoxha dhe historiografia komuniste, e cila bënte të vetën ortodoksinë e historisë që jepte ai, do të thoshte se konferenca në fjalë u bë në qershor 1942. Enver Hoxha, më tutje në raportin e vet në Kongresin I, thotë se Konsulta e Aktivit e PKSH u bë pas konferencës të prillit 1942, për të punuar rezolucionin e konferencës:
Pas kësaj vepre shpëtimtare të Partisë dolli Rezolucioni i prillit 1942, përmbi këtë çështje dhe Komiteti Qëndror i Partisë thirri Partinë në konsultë dhe përpunoi këtë rezolucion duke demaskuar gjithë veprimtarinë e fraksionistëvet.[clxviii]
Pra, konferenca është bërë para konsultës, çka duket e logjikshme. Kështu, konsulta del që të jetë bërë në fund të prillit 1942. Në raport nuk bëhet fare fjalë për konferencën e qershorit 1942. Enver Hoxha më pas do të thoshte se konsulta u mbajt në 8-10 prill 1942, pastaj në 12-14 prill, ndërsa konferenca në qershor 1942. Pse i bëri Enver Hoxha këto falsifikime? Kjo zbulohet kur Enver Hoxha shkruan, duke treguar për ato që ndodhën pas demonstratës së 7 prillit 1942, që u mbajt në Tiranë:
Ky veprim i guximshëm e i organizuar mirë i tërboi armiqtë. Qysh atë natë filloi një valë e re kërkimesh e arrestimesh që vazhdoi edhe ato ditë, kur ne u mblodhëm në Konsultën e Parë të Aktivit të Partisë. Në botimin e parë të Historisë së Partisë së Punës të Shqipërisë, dhe në një sërë shkrimesh të botuara pas Çlirimit, është thënë se Konsulta i zhvilloi punimet nga 8 deri në 10 prill 1942. Për këtë autorët janë nisur nga një letër e shkurtër, e shkruar me dorë nga unë, që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë, me të cilën lajmëroja shokët se punimet e Konsultës do të fillonin më 8 prill. Mirëpo, për shkak të terrorit të egër që shpërtheu më 7 e 8 prill 1942 në Tiranë, si dhe për arsye se ndonjë nga shokët pjesëmarrës në Konsultë nuk kishte mundur të mbërrinte në Tiranë në kohën e duhur, Konsulta, në fakt, i zhvilloi punimet pak më pas se dita e parashikuar dhe pikërisht nga 12 deri më 14 prill 1942.[clxix]
Demonstrata e 7 prillit 1942 u organizua në mënyrë që policia fashiste të evidentonte komunistët dhe të arrestonte sa më shumë prej tyre. Nuk kishte shpjegim tjetër që të nxirreshin komunistët në demonstratë në mes të Tiranës dhe pastaj të mbeteshin përsëri në qytet. Fashizmi nuk luftohej me demonstrata, por me armë në mal. Në vend që Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi t’ i çonin komunistët në mal, si partizanë, i çuan në burgjet e fashizmit. Sigurisht quan ata të papëlqyerit, të cilët i kishin vënë në listë për t’ i eliminuar në spastrimet e planifikuara staliniste. Kështu partia komuniste spastrohej me ndihmën e fashizmit. Enver Hoxha e përmbys rendin e ngjarjeve, duke e vënë konsultën para konferencës dhe duke e afruar në kohë, se kërkon të thotë se edhe ai qe njëlloj i rrezikuar si të tjerët, ishte në mes të shokëve, në ato ditë përndjekjes fashiste. Por e vërteta është se ai doli në skenë në 21 prill 1942, kur tashmë komunistët e padëshiruar qenë arrestuar dhe kur u mblodhën vetëm ata komunistë për të cilët Enver Hoxha i jepte garanci fashizmit se qenë të parrezikshëm për të.
Në ndërkohë klika komuniste vazhdonte të merrej e pashqetësuar me spastrimin e partisë. Konferenca e jashtëzakonshme e PKSH, e mbajtur në prill 1942, doli me një rezolucion që iu shpërnda komiteteve qarkore të PKSH në korrik 1942. Në këtë rezolucion shpalleshin si tradhëtarë dy pjesëmarrës të mbledhjes themeluese të PKSH, Anastas Lulo dhe Sadik Premte, si trockistë. Në qarkoren me direktiva që Komiteti Qendror i PKSH u çonte komiteteve të qarqeve, për zbatimin e vendimeve të konferencës, thuhej:
Në të gjitha partitë e tipit të ri Lenin-Stalin duhet të ekzistojë njësia kështu pra dhe partia jonë duhet të bazohet në këto themele.[clxx]
Fjala «njësi» (unitet), e thënë në sens stalinist, ishte një eufemizëm për të treguar diktatin diktatin stalinist brenda partisë. Në rezolucion shpallej spastrimi i të gjithë atyre që nuk i bindeshin ortodoksisë ideologjike staliniste:
Ne duhet të kemi partinë të pastër prej të gjithë këtyre elementëve, në qoftë se do t’ u përgjigjemi realisht detyrave tona duhet ta kemi partinë të fortë, se sipas fjalëve të mësuesve të mëdhenj të proletariatit, partia forcohet me spastrim, gjë që do të thotë se partinë duhet ta spastrojmë prej të gjithë elementave armiq pa marrë parasysh nën ç’ lëkura janë fshehur ose veshur. [clxxi]
Pra, preokupimi kryesor për PKSH, edhe në prill 1942, kur qe mbushur viti i tretë i okupacionit fashist, nuk ishte lufta kundër fashizmit, por lufta brenda radhëve, për asgjësimin e kundërshtarëve ideologjikë, antistalinistëve. Veç këtyre, në këtë dokument thuhej:
Partia ka vendosur të marrë një qendrim të caktuar për të spastruar radhët e saj. Partia do të shikojë edhe elementat e dorës së dytë që kanë rënë në pozita të tilla dhe këta do t’ i spastrojë pa mëshirë.[clxxii]
Pra, sipas praktikës staliniste, spastrimet e përgjakshme nuk do të kufizoheshin tek krerët, por do të zgjeroheshin dhe në radhët e ndjekësve të tyre. Pas konferencës, partia u mblodh në Konsultë për çështjen e spastrimeve, po në prill 1942, në Tiranë. Vetëm një parti praktikisht legale mund të bënte mbledhje të tilla të gjera, brenda në Tiranën e okupuar nga fashistët. Në rezolucionin e Konsultës së parë të Aktivit të PKSH, të mbajtur në prill 1942, thuhet:
Të luftojmë pa mëshirë grupin e «Zjarrit», trockistët Zai Fundo, Aristidh Qendro, Niko Xoxi dhe të gjithë armiqtë e partisë, të çilët përpiqen në çdo mënyrë të pengojnë punën e partisë.[clxxiii]
Rezolucioni i prillit 1942 mbyllet me fjalët:
Rroftë partia bolshevike dhe shoku Stalin![clxxiv]
Të ashtuquajturit trockistë ishin komunistë që ishin antifashistë, por faji i tyre ishte se ishin edhe antistalinistë. Faji i Zai Fundos dhe të ashtuquajturve trockistëve të tjerë ishte se ata ishin deziluzionuar nga stalinizmi pas spastrimeve masive të përgjakshme të tij, dhe nuk e pranon këtë komunizëm brutal. Faji i tyre është se ata nuk besonin tek strategjia staliniste, e përçuar nëpërmjet Kominternit, se lufta botërore duhej përdorur nga partitë komuniste, në mënyrë që nëpërmjet ekspedientit të antifashizmit, të merrej pushteti dhe të vendosej regjimi komunist në vendet ku vepronin këto parti. Të ashtuquajturit trockistë si Zai Fundo, zjarristët, e më pas Anastas Lulo dhe Sadik Premte besonin se në kushtet e Shqipërisë që ishte një vend i prapambetur kryesisht fshatar, gjysmë-feudal dhe patriarkal-fisnor, nuk mund të vendosej komunizmi, pasi do të dështonte dhe prandaj nuk duhej përdorur lufta antifashiste për marrjen e pushtetit nga komunistët, por duhej bërë një aleancë e sinqertë me antifashistët jokomunistë, ndërsa sa për ardhjen në pushtet të komunizmit kjo i duhej lënë së ardhmes, kur vendi të përparonte dhe të shndërrohej në vend borgjez, nga vend feudo-borgjez që ishte, sipas terminologjisë komuniste. Pra, faji i të ashtuquajturve trockistë shqiptarë ishte se ata donin që sloganet zyrtare të PKSH që të bëhej luftë antifashiste, në aleancë me jokomunistët, pa dallim ideje dhe çështja e pushtetit të zgjidhej pas lufte, të merreshin seriozisht dhe jo siç bënte PKSH, që i shikonte si «gjethe fiku» që mbulonin lakuriqësinë e politikës së saj për pushtet. Duket qartë se për PKSH, armiqtë ideologjikë, të ashtuquajturit trockistë, qenë më të rrezikshëm se pushtuesit e huaj fashistë, pasi PKSH e abandononte parimin e shpallur për bashkim pa dallim ideje, në luftë kundër pushtuesve fashistë për hir të luftës kundër këtyre kundërshtarëve ideologjikë. Lufta kundër tyre nuk ishte luftë antifashiste, por luftë kundër të ndryshmëve ideologjikë, luftë e stalinistëve kundër antistalinistëve.
Edhe rezolucioni i prillit 1942 nuk u publikua deri në vitin 1947. Kjo luftë civile ideologjike brenda radhëve të lëvizjes komuniste vazhdoi e përgjakshme gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, madje edhe pas saj. Protagoniste e kësaj lufte qe udhëheqja staliniste e PKSH që i spastroi kundërshtarët e saj antistalinistë, duke i asgjësuar fizikisht në atentate dhe fushata terroriste.
Enver Hoxha i akuzon «trockistët» se kishin frikë të bënin aksione luftarake. Në një rast ai tregon për një ngjarje në nëntor 1941, me Anastas Lulën:
Hyri Anastasi, gjoja me një frymë dhe tha:
-Spiuni Ali Reçi po ngjit Rrugën e Spitalit, ai është vetëm, hajdeni ta ekzekutojmë!
U ngrita në këmbë, mora një nga nagantët që mbanim pranë në tryezë, drodha rrotën, u sigurova që ishte plot me fishekë dhe ia ndëra Qorrit, duke i thënë:
-Merre nagantin, shko e vraje dhe, me të dëgjuar krismat, ne do të largohemi nga kjo bazë!- Anastasi shtangu.
-Ç’ pret,- i thashë unë,- nisu!
-Na,- i tha Qemali, -merre dhe këtë bombë, kije në xhep!- Anastasi shtrëngoi kasketën në kokë dhe u zhduk në errësirë. Ne vazhduam punën. Qemali tha:
-Enver, ky Anastasi i poshtër ka qenë dhe i poshtër do të mbetet.
-Ishte provokacion nga ana e tij,- i thashë Qemalit,- po nuk na e hedh dot. Ai as atentat ka bërë, as do të bëjë, prite kur të kthehet.
Dhe nuk mungoi të kthehet. Pas ndonjë ore erdhi si i dëshpëruar dhe tha:
-Iku, s’ e arrita dot, dhe vuri koburen dhe bombën mbi bankë.
-S’ ka gjë,- i thashë,- herë tjetër.
-Natën e mirë,- i tha Qemali i inatosur,- shko tash, se kemi punë.- Dhe, pasi doli nga dhoma, Qemali shfreu:
-Gjarpëri me syze!
Pas dy ditësh u hap mbledhja për themelimin e Rinisë Komuniste.[clxxv]
Derisa mbledhja për themelimin e rinisë komuniste u hap në 23 nëntor 1941, atëherë kjo ngjarje ka ndodhur në 21 nëntor 1941. Nëse ishte provokacion nga Anastas Lula, siç thotë Enver Hoxha, atëherë më e thjeshtë do të kishte qenë që të njoftonte policinë fashiste, e cila do të shkonte t’ i arrestonte Enver Hoxhën dhe Qemal Stafën. Pse ky Enver Hoxha, që i jepte një revole dhe një bombë, ish-kryetarit të Grupit të Të Rinjve, për të bërë një atentat, nuk bëri vetë asnjë atentat? Nëse ishte fjala për provokacion këtu, atëherë Anastas Lula ishte duke provokuar Enver Hoxhën dhe Qemal Stafën, nëse donin ta shkrepnin armën apo jo në luftë kundër fashistëve. Kjo e tërboi Enver Hoxhën. Çështja ishte se Enver Hoxha dhe Qemal Stafa nuk donin të bënin aksione të armatosura kundër fashistëve, se donin t’ i bënin kundër komunistëve.
Enver Hoxha kundërshtarët e vet politikë i shan edhe fizikisht. Për Sadik Premten thotë:
Sadik Premtja në çdo gjë ishte njëlloj me Anastasin, ngjanin me njëri- tjetrin jo vetëm nga idetë trockiste, jo vetëm nga shpirti i lig dhe intrigant, por deri edhe nga shtati e fytyrat e tyre të thara e të nxira. Anastasi ishte një katran nga fytyra, me koqka të zeza, sikur lëkurën t’ ia kishte përcëlluar baruti. Ai ishte miop e mbante syze, prandaj pseudonimin e kishte «Qorri». Por mbante një palë syze speciale, të vogla e të rrumbullakta, me një skelet të zi, që i jepnin fytyrës pamjen e një gjarpri, prandaj pas formimit të Partisë, prej intrigave që nuk i la kurrë, ne i vumë edhe një nofkë tjetër më të përshtatshme, «gjarpri me syze». Anastas Lula, gjarprit me syze nuk i ngjiste vetëm nga pamja e jashtme, por edhe nga sjelljet, edhe nga mënyra e fëlliqur e veprimtarisë së tij. Kisha lexuar diku, ndofta në ndonjë enciklopedi apo në ndonjë tekst biologjie, që gjarpri me syze bëhet aktiv kur bie muzgu. Edhe Anastas Lula ishte njeri i natës, njeri i pabesive dhe i intrigave, njeri i trukeve, ashtu si i përdorin gjarpërinjtë me syze fakirët e Indisë. Edhe Anastas Lula donte të helmonte gjakun e pastër të Partisë, por kjo nuk kishte për të ndodhur kurrë.[clxxvi]
E megjithatë Enver Hoxhës më pas do t’ i dukej simpatike fytyra vrarëlije e Stalinit! Është për t’ u habitur që Enver Hoxha, i cili për vete ishte fytyrëzi flet me përcmim për këtë tipar të Anastas Lulës. Ky mund të konsiderohet si një racizëm brenda llojit, i shkaktuar nga një vetëdije e dyzuar racore që vinte nga fakti se Enver Hoxha ishte djali lëkurëzi i prindërve lëkurëbardhë.
Nëse Enver Hoxha e kishte quajtur Anastas Lulën «gjarpri me syze», ky epitet vlente jo më pak edhe për vetë Enver Hoxhën, i cili kur ishte «ilegal» mbante syze optike për t’ u maskuar, jo se ruhej nga fashistët, por se ruhej nga shokët komunistë, të cilët po i eliminonte një nga një. Enver Hoxha tregon një episod kuptimplotë nga koha kur mbahej Konsulta e parë të Aktivit të PKSH, në Tiranë, në prill 1942, episod që tregon se nga cili «fakir indian» komandohej «gjarpri me syze»- Tarasi:
Por le të kthehemi në temë, te mbledhja e Konsultës. Një pasdreke, në të ngrysur, shokët jashtë na lajmëruan se policia bastisi «Shtëpinë e bretkosave» (ishte një shtëpi në breg të Lanës, tek ura e vjetër me gurë, që të nxirrte te selia e Luogotenencës), dhe arrestoi shokun që banonte aty, i cili hynte e dilte te shtëpia e Bijes dhe e dinte që ajo ishte bazë ilegalësh. Po ashtu na lajmëruan se armiqtë ishin shumë të shqetësuar dhe të egërsuar nga dështimi i mitingut që hierarkët fashistë kishin organizuar në sheshin para Bashkisë për të festuar të ashtuquajturin «përvjetor i tretë i dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut mbretit të Italisë», dhe se rreth shtëpisë ku punonim ishin parë të lëviznin disa njerëz të dyshimtë. Duhej të shpërndaheshim, prandaj pezulluam seancën. Të gjithë shokët pjesëmarrës në Konsultë, që vinin nga rrethet apo që ndodheshin në ilegalitet, e kishin të caktuar bazën ku do të venin në rast alarmi ose rrethimi, i cili po të ndodhte, do të çahej vetëm me luftë. Kur bënim mbledhje të tilla, ne merrnim masa të forta që më parë, jo vetëm masa sigurimi, por edhe për ushqime, që në rast kontrolli, të mos diktohej asnjë gjurmë. Bukën që kishim, shokët e ndanë që ta merrnin një copë me vete kur të iknin, ç’ kishte mbetur gjellë e hëngrëm në këmbë; u hoqën tavolinat e stolat, disa të improvizuara me dërrasa, e u shpërndanë nëpër shtëpi, kurse ushqimet e thata u ruajtën se mund të justifikoheshin si zahire. Pastaj shokët ngjeshën koburet dhe dolën njëri pas tjetrit. Unë mbeta në fund, se prisja të errej edhe pak. Kishte mbetur edhe Nexhmija, e cila ishte përveshur e bashkë me Bijen, pastronin e rregullonin dhomën. Nexhmija po lante me forcë dyshemenë që ishte bërë pis nga këpucët.
-Ditke të bësh edhe punë shtëpie,- i thashë, s’ të paska përkëdhelur nëna.
-Jam dibrane,- m’ u përgjigj pa ngritur kokën.
-E shoh,- i thashë,- por edhe ne gjirokastritët nuk mbetemi prapa për pastërti. Kur të vish ndonjëherë në shtëpinë time,- ia hodha me romuz,- mund ta shohësh vetë.
Qeshi.
-Mirë, mirë,- tha,- po merre këtë qilim e shkunde pak në oborr, të shohim si i ndihmon gratë.
Qilimin e shkunda. Dhoma e punës u shtrua me qilim e mindere, si një dhomë e zakonshme populli për pritje mysafirësh. Enët u lanë e u shpërndanë nëpër rafte e haure, që të mos binin në sy.
-Po tani, ku do të shkosh ti?- e pyeta Nexhmijen.
-Nuk e di,- më tha,- qëkur ika nga shtëpia, erdha drejt e këtu. Akoma nuk kam menduar për bazat se ku do të strehohem....
-Mund të vete në bazën tonë, te Rruga e Shëngjergjit, te 66-ta,- tha Nexhmija.
-Në asnjë mënyrë,- i thashë,- atje është larg, hajde me mua!...
-Dakord,- tha Nexhmija dhe rrëshqitëm si era në bulevard, nga Rruga e Fortuzit, e pastaj poshtë Rrugës së Durrësit.
U futëm pa asnjë incident në bazë. Ishte një shtëpi e vogël përdhese, pranë ndërmarrjes «Bellotti», prapa centralit elektrik të Tiranës. Atë e kishte marrë me qira një miku im i pakompromentuar në sy të armikut dhe unë e kisha si bazë për situata të vështira. Kjo njihej vetëm nga shoku Gogo dhe, tani që e solla këtu, edhe nga Nexhmija. Aty banonin dy motra, njëra nga të cilat ishte e fejuara e shokut tim.[clxxvii]
Pse, Enver Hoxha, kundër të gjithë rregullave të ilegalitetit, nuk u largua, por mbeti në shtëpi, shkundi qilimin në oborr (a nuk shihej nga vrojtuesit e mundshëm nga shtëpitë përreth?), priti sa u shkundën gjithë qilimat, u lanë enët e u shpërndanë, në ndërkohë flirtoi me Nexhmijen, dhe pastaj u largua? Si duket ai ndiqte instruksione të tjera, të dhëna nga shërbimi sekret fashist, sipas të cilave në raste të tilla alarmi, nuk duhej të largohej se mund të merrte ndonjë plumb në rrëmujë e sipër, por të rrinte në shtëpi. Sa për shtëpinë ku shkoi Enver Hoxha atë natë, nipi i Syrja Selfos, Seit Selfo, shkruan në kujtimet, duke komentuar çka shkruan Enver Hoxha më lart:
Dhe meqë ai «harron» të përmend emrat e tyre, unë mund t’ i them lexuesit se miku i tij i pakomprometuar ishte xhaxhai im, Syrja Selfo, kurse dy motrat ishin Bibika Selfo, e fejuara e Syrjait dhe Drita Shehu, e fejuara e Hysen Shehut. Më vonë gjyqet komuniste do të dënonin me vdekje si Syrjanë, ashtu dhe Hysenin.[clxxviii]
Në maj 1942, policia fashiste mundi të zotëronte gjithë dokumentacionin e PKSH, gjë për të cilën Enver Hoxha fajëson Ludovik Nikajn dhe Zef Ndoja, dy komunistë nga të cilët për të parin pretendon se tradhtoi, ndërsa për të dytin thotë se nuk u rezistoi dot torturave:
Në bazë të të dhënave që mori, vetëm pak ditë pas mbarimit të Konsultës së Parë të Aktivit të Partisë, armiku mundi të arrestonte në Tiranë e në rrethe të tjera një numër komunistësh, ndër të cilët edhe disa kuadro të qarkorëve. Bazat ku ruanim teknikën u bastisën dhe, fashistët arritën të shtinin në dorë përveç mjeteve tona të shtypit ilegal, edhe dokumente të një rëndësie të dorës së parë, ndër të cilat edhe procesverbalin e mbajtur gjatë ditëve dhe netëve historike të nëntorit, kur u mblodhëm e themeluan Partinë.
Armiku kështu kishte në duar krejt listën e anëtarëve të Komitetit Qendror Provizor, si dhe emrat e dhjetëra shokëve të tjerë që i gjeti në dokumentet që kapi. Të shumëfishuara këto lista qarkullonin me shpejtësi në çdo kuesturë e postë karabinierie; ato i mbanin me vete spiunë e agjentë të tjerë të armikut. Urdhri qe i prerë e urgjent; të arrestoheshin kudo që të qe e mundur, personat e shënuar në lista. Nëse kundërshtonin të vriteshin në vend.[clxxix]
Por pse të gjitha këto dokumente të rëndësishme dhe delikatë kishin mbetur në qytetin e Tiranës dhe nuk qenë nxjerrë jashtë saj, për t’ u fshehur, p.sh. në Pezë, në ditë më të mira, ku situata ishte më e qetë? Kuptohet përse. Enver Hoxha kishte krijuar një situatë që këto dokumente të binin në dorë të policisë fashiste, pas të gjitha gjasave, sipas informatave që i dha ai. Kështu policia fashiste do të mburrej me një aksion spektakolar dhe njëkohësisht regjimi do t’ i trembte shqiptarët me përbindëshin e komunizmit. Kjo kuptohet kur Koço Tashko shkruan në letrën e vet për Kominternin, në vjeshtën e vitit 1942:
Në kohën e tradhtisë së Ludovikut u vendos që ilegalët të iknin nga Tirana. Ky vendim u zhvendos, u rivendos dhe u rizhvendos shumë herë. Kjo lëkundje i kushtoi jetën Qemal Stafës, shkaktoi arrestime të kota, dhe për turp shoku Miladin akuzoi si pa disiplinë shokë që kishin ikur në Pezë në bazën e vendimit origjinal.[clxxx]
Kuptohet që kishte një skemë të zbatuar nga policia fashiste me ndihmën e Enver Hoxhës dhe të Miladin Popoviç, që të kapeshin dokumentet dhe njerëzit. Koço Tashko gjithashtu shkruan në letrën për Kominternin:
Me zbulimin e parë që bëri policia (në shtëpinë e Zefit), Mustafa Kruja gjeti prova për ekzistencën e «jugosllavëve në krye të punës», gjeti edhe fotografitë e tyre. Gazetat e fashizmit e trumbetuan. Propaganda e tyre e pareshtur, përsëri me qëllim të shkaktojë izolimin e Partisë prej popullit e prej krerëve nacionalistë, ishte që Partia Komuniste udhëhiqet prej serbëve dhe është organ i tyre. Rëndësinë e kësaj propagande në dëm të Lëvizjes sonë NÇ shoku Miladin nuk e kuptoi ose s’ i dhimbej që ta kuptonte.[clxxxi]
Miladin Popoviç sigurisht që i kuptonte të gjitha, por ai nuk kishte si t’ ia bënte ndryshe se komandohej nga OVRA. Nga të gjitha ngjarjet që ndodhën në këtë periudhë, më e bujshmja dhe ajo që ka mbetur e veshur me mister është vrasja e Qemal Stafës. Ditën që u vra, në 5 maj 1942, Qemal Stafa do të nisej për në Vlorë, ku do të punonte për zbatimin e rezolutës të aktivit të PKSH për luftë kundër trockistëve. Enver Hoxha shkruan:
Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin ishte më 4 maj. U poqëm në bazën nr. 66, në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Ishte një familje e ndershme populli... Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe. Qemali përgatitej se të nesërmen që në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë. Sido që ne baritnim çdo herë, siç thotë populli, «me qefin në kokë», me kobure në brez dhe me bomba nëpër xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtrëngova për herë të fundit në krahërorin tim shokun, nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?!
Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe duke qarë më tha:
-Armiku na vrau Qemal Stafën!
Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët.
-Ku e vranë?- i thashë.
-Në Tiranë,- më tha shoku,- në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës.
U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë:
-S’ duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurt, mos e besoni, se armiku hap parrulla!
-Mjerisht,- më tha shoku,- kjo është e vërtetë. Qemali u vra duke luftuar, ra heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi gjithë municionin që kishte.[clxxxii]
Enver Hoxha ishte tashmë një komedian i sprovuar, aq më tepër që kishte dhe natyrë prej komediani, kështu që nuk e kishte të vështirë ta luante rolin e të pikëlluarit. Por vrasësi i vërtetë i Qemal Stafës ishte ai vetë. Për shtëpinë ku u rrethua Qemal Stafa Nasho Jorgaqi, në monografinë e tij për Qemal Stafën, të botuar kur Enver Hoxha ishte në pushtet, thotë, duke u mbështetur në kujtimet e bashkëkohësve komunistë:
Ishte një nga ato bazat e reja që qenë marrë pas zbulimit të bazave të vjetra. Por si bazë e re ishte akoma e paprovuar mirë. Veç kësaj ajo ndodhej përballë kazermave të artilerisë së ushtrisë italiane, në një vend të zhveshur, aq sa nga dritaret e saj të përparme mund të shihje me sy deri rruga e Dibrës lart... Qemali vinte për herë të parë në këtë bazë... Aty gjeti një shok të Komitetit Qendror dhe tri vajza.[clxxxiii]
Si rrinte Qemal Stafa në një bazë kaq të papërshtashme? Kuptohet se këtë e bënte për arsye se kishte garanci nga OVRA! Shoku tjetër që u gjend i rrethuar bashkë me Qemal Stafën ishte Kristo Themelko, anëtar i Komitetit Qendror të PKSH, i ngarkuar për çështjet ushtarake, ndryshe «Shule», siç quhej për shkak të origjinës sllavo-maqedone. Fashistët kishin kapur kështu në çark me një goditje një gjah të çmuar, gati një të tretën e Komitetit Qendror (forumi më i lartë drejtues i PKSH, se Byroja Politike nuk qe krijuar ende) prej 7 vetësh të PKSH. Por Themelko, që dukej se ishte gjithashtu njeriu i OVRA, nuk u duhej fashistëve. Atyre u duhej vetëm Qemal Stafa. Në librin e Nasho Jorgaqit, ngjarja përshkruhet sipas dëshmive:
të dy ilegalët u larguan disa hapa nga shtëpia, po ndërsa shoku i Qemalit hyri në një hendek më të djathtë të shtëpisë, nga ku kish mundësi të luftonte e të mbrohej, Qemali qendroi, duke u angazhuar në luftë me armiqtë, për të siguruar tërheqjen e shokut... Pasi hodhi edhe bombën e dytë, nisi të vraponte nëpër kopshtin e gjelbëruar dhe doli në fushë të hapur.[clxxxiv]
Në fakt Qemali qëndroi për mos të rrezikuar veten, siç është udhëzimi për agjentët e infiltruar në lëvizje subversive kur bien në prita të tilla. Qemali mendonte se kjo ishte një një goditje e rastësishme dhe ai qendroi pas që të dorëzohej, me mendimin se, kur ta kapnin, OVRA do ta shpëtonte. Por OVRA e kishte shitur. Për fatin e keq të Qemalit, fashistët që e kishin rrethuar atë nuk ishin aq naivë sa ata që shkuan të arrestojnë Enver Hoxhën dhe që nuk kishin rrethuar ndërtesën. Qemal Stafën e prisnin armët e fashistëve edhe kur doli nga dera e pasme. Qemal Stafa u vra nga padronët e tij dhe ironikisht njeriu i cili e kërkoi kokën e tij, Enver Hoxha, kur erdhi në pushtet e bëri ditën e vrasjes së Qemalit ditën e përkujtimit të gjithë dëshmorëve.
Qemal Stafa u bë i famshëm në Shqipëri dhe jashtë saj si komunist i vendosur dhe i deklaruar publikisht, kur në 4 shkurt 1939, deklaroi para gjykatës speciale për krime politike në Tiranë, ku kishte dalë si i pandehur në atë që u njoh si gjyqi i komunistëve (i pari gjyq i këtij lloji që mbahej në Shqipëri):
Akuzat që më atribuohen figurojnë të gjitha ndër procese të cilat i pranoj dhe deklaroj se jam komunist i bindur, komunizmi ka me e shpëtue gjendjen e sodshme.[clxxxv]
Në 1936 Qemal Stafa, për shkak se një vit më parë i kishte vdekur i ati, shkoi me banim në Tiranë, së bashku me familjen, ku vazhdoi shkollën në gjimnazin shtetëror të kryeqytetit, ku u pranua pavarësisht incidentit që pati në Shkodër. Në Gjimnazin e Tiranës ai vazhdoi veprimtarinë revolucionare, duke u lidhur me degën e Grupit komunist të Shkodrës, atje. Në verën e vitit 1938, në kohën që Qemal Stafa mbaroi shkollën e mesme dhe po bënte përpjekje për të siguruar një bursë për studime të larta jashtë vendit, në Shqipëri filluan arrestimet masive të komunistëve.
Italisë fashiste të Musolinit i duhej një lëvizje komuniste në Shqipëri, në thelb po për ato arsye që i duhej Zogut. Musolini donte t’ u thoshte fuqive perëndimore se në Shqipëri ekzistonte një rrezik komunist dhe se Italia ishte bastioni kundër tij. Pra, lëvizja komuniste në Shqipëri bëhej pjesë raison d’ etre të fashizmit, rrezikut komunist ndërkombëtar. Gjithashtu, italianëve u duhej një lëvizje komuniste në Shqipëri, e toleruar deri në një përmasë diskrete, për t’ i mbajtur shtresat e larta dhe të mesme, si dhe intelektualët antikomunistë shqiptarë të lidhur pas Italisë fashiste, të cilën do ta shikonin si mbrojtëse të Shqipërisë nga komunizmi.
Regjimi fashist në Shqipëri i joshi komunistët me poste dhe benefice, dhe këta të fundit e bënë «Paktin Molotov-Ribentrop» para se ta bënin Moska dhe Berlini. Enver Hoxha mori një lejë për tregëti cigaresh me shumicë, gjë që në atë kohë ishte një gjë mjaft fitimprurërëse dhe quhej si privilegj i madh, se duhani ishte monopol i shtetit.
Qemal Stafa nuk bëri përjashtim nga prirja e komunistëve për bashkëpunim me regjimin fashist. Në monografinë e Nasho Jorgaqit thuhet:
Vetë Xhovani Xhiro, organizator i rinisë fashiste, u përpoq ta afronte Qemalin. Në rrugë të tërthorta e të drejtpërdrejta, ai i ofroi pozita shtetërore të rëndësishme, por Qemali nuk pranoi kurrsesi. Ai refuzoi çdo lloj nëpunësie në aparatin shtetëror të pushtuesve.[clxxxvi]
Qemal Stafa atëherë donte para së gjithash që t’ i jepej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë që e pati ndërprerë pas arrestimit. Për këtë ai flirtoi me fashistët. Nasho Jorgaqi shkruan:
Sa për të mos ndenjur pa punë, po më shumë që të njihej nga afër e të blente prej tyre, Qemali u dha për një kohë mësime të gjuhës shqipe disa aviatorëve italianë.[clxxxvii]
Nashoja i «Mërgatës së qyqeve» duhet ta dijë se po të përdorim logjikën e Manush Kelmendit, këtu del saktë se Qemali ka punuar përkthyes i ushtarakëve italianë, se pilotëve italianë nuk u duhej që të mësonin shqip, kur ishin shqiptarët ata që mësonin italisht. Kështu del se Qemali ishte njeriu i OVRA, shërbimit sekret fashist, se vetëm një njeri i tillë mund të kishte privilegjin të punonte përkthyes me aviatorët italianë. Dhe për të fituar dashamirësinë e fashistëve Qemali arriti deri atje sa të botonte shkrime në gazetën «Fashizmi», organ i Partisë Fashiste Shqiptare, anëtar i së cilës duket se u bë. Nasho Jorgaqi shkruan:
Atëherë u gjet një ish-bashkënxënës i Qemalit i viteve të Shkodrës, agjent i fashistëve, Lazër Radi, të cilit i kishin mbetur disa shkrime nga koha e gjimnazit të Shkodrës dhe ndërmjet tyre skica letrare «Rreze frëngjijash». Skicën Lazër Radi e botoi arbitrarisht në fletushkën «Fashizmi». Ky ishte një incident që e revoltoi pa masë Qemalin, sepse dukej haptazi qëllimi mashtronjës i fashistëve.[clxxxviii]
Kjo është si ato përrallat e atij personazhit të «Mërgatës së qyqeve», të marrit Daut, në kafenenë e mërgatës, se kurrkush nuk e beson që Lazër Radi na paska ruajtur një shkrim të Qemalit që nga vitet e Gjimnazit dhe e paska botuar pa lejen e këtij të fundit! Dhe për më tepër kur pas botimit në gazetën «Fashizmi» Qemalit iu dha e drejta të rifillonte studimet në Itali me bursën e regjimit fashist. Nasho Jorgaqi për këtë thotë:
Një vit më parë Qemali ishte regjistruar në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Firences. Në rrethet komuniste në muajt e parë të pushtimit fashist diskutohej çështja, nëse duhej të vinin shokët për studime në Itali. Lufta kundër fashizmit akoma nuk kish marrë forma të organizuara... Grupi i Shkodrës dha orientime që shokët të shkonin për studime në Itali... Ata jo vetëm do të pajiseshin me kulturë e do të fitonin horizont, po vajtja atje po të shfrytëzohej si duhet, do t’ i shërbente njohjes në vend të fashizmit. Si pasojë, ata do të dinin ta demaskonin e ta luftonin më mirë armikun në atdhe.[clxxxix]
Bukur! Por duket se komunistët kështu po i merrnin për idiotë fashistët! Se si do ta toleronte fashizmi këtë komunist të deklaruar, që të vinte edhe në universitetet e Italisë dhe të bënte subversion?! Dhe përse në Shqipëri komunistët nuk fillonin luftën e organizuar në vitin 1939? Se atëherë u bë Pakti Molotov-Ribentrop, pas të cilit komunistëve në gjithë botën, duke përfshirë dhe Shqipërinë, u erdhi urdhëri nga Moska që të ndërprisnin çdo veprim, qoftë edhe verbal kundër fashizmit. Kështu Qemali në shtator 1939 shkon në Itali për studime. Nasho Jorgaqi shkruan:
Fashistët i nxorrën mjaft pengesa. Bile nuk donin ta linin për të kaluarën e tij si komunist, por duke mos pasur fakte të reja, u detyruan t’ i jepnin pasaportën.[cxc]
Shumë indulgjentë këta fashistët me komunistin e deklaruar Qemal Stafa! Ashtu si Sigurimin i Shtetit me atë personazhin e Nasho Jorgaqit, Manush Kelmendin, alias Isuf Mullai. Dhe kjo në kohën që shqiptarë të tjerë jokomunistë, por antifashistë ishin duke i internuar në ishujt e Italisë, duke përfshirë dhe komunistë të padëgjueshëm ndaj Moskës si Zai Fundo. Nasho Jorgaqi nuk thotë se me ç’ pare shkoi Qemali për studime në Itali kur në shtëpi kishte vetëm nënën e ve, që jetonte me qera, dhe nuk kishte pasuri. Duket qartë se shkoi me paret e fashizmit. Në 17 maj 1941 Policia e Tiranës do t’ i kumtonte Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për Qemal Stafën:
Studenti universitar në objekt, banues këtu, është aktualisht në Firence për arsye studimi, i shënuar në Rubrikën e Kufirit me masën paraprake: «Të ndiqet dhe të survejohet» Nga Komanda e Grupit CC.RR e Tiranës iu sinjalizua Kuesturës Mbretërore të Firences si komunist, që rezulton i përfshirë në listën e personave të rrezikshëm që burgosen në rrethana të caktuara.[cxci]
Me këto të dhëna Qemal Stafa minimalisht duhej të ishte internuar në ndonjë ishull në Itali dhe jo të lejohej të shkonte për studime në Firence. Nasho Jorgaqi në librin e vet për Qemal Stafën shkruan:
kuestori italian i Tiranës, B. Skaminaci, kur i bie në dorë shkresa që bën fjalë për të drejtën që i është dhënë Qemalit të ndjekë studimet në Itali, shënon mbi të jo pa nervozizëm me laps të kuq: Dhe dërgojmë për studime një element të kësaj natyre? [cxcii]
Pyetja e oficerit italian të policisë mund të kishte një përgjigje racionale vetëm nëse Qemal Stafa ishte agjent i shërbimit sekret italian dhe se në Itali shkoi për studime për shpërblim dhe me mision. Në një dokument të Luogotenencës (Mëkëmbësisë), autoritetit më të lartë shtetëror italian në Shqipëri, të 22 prillit 1940 thuhet:
Në Luogotenencën e Përgjithshme referohet nga rrugë e besuar, se studenti shqiptar pranë Universitetit Mbretëror të Firences, Qemal Stafa, që ka ardhur para pak ditësh në Shqipëri, ishte bërë nxitësi ndërmjet kolegëve të tij në Firence, për formimin e një bërthame komuniste në opozitë të plotë me regjimin.[cxciii]
Pra, duket qartë se Qemal Stafa në Firence po bënte agjentin-provokator për të zbuluar rrethet studentore komuniste. E megjithatë, edhe pas kësaj nuk urdhërohet arrestimi i Qemal Stafës. Duket qartë se atë e mbronte OVRA, policia sekrete politike fashiste. Në 29 mars 1940, oficeri i lartë i policisë në Shqipëri, italiani A. La Verde raportonte për Qemal Stafën:
I sipërpërmenduri, sikurse më është thënë, është akuzuar tri herë si komunist dhe më 1939, përpara gjykatës (e ka fjalën për gjyqin e shkurtit 1939- K.M.), së cilës i ishte kaluar, kishte deklaruar hapur se ishte komunist. Për këtë motiv u arrestua dhe pastaj u internua.[cxciv]
E megjithatë Qemal Stafa vazhdonte të shijonte Firencen si student në një fakultet të pëlqyer ku edhe bashkëmoshatarët italianë ëndërronin të studionin. Që Qemal Stafa ishte agjent i shërbimit sekret fashist, kjo u kuptua kur në nëntor 1940, me fillimin e Luftës Italo-Greke, ai u arrestua në Itali dhe u çua para Gjykatës Speciale të Romës, si njeri emri i të cilit ishte në listat e njerëzve të rrezikshëm. Por nuk u burgos dhe as u internua, se e mbrojti OVRA. Qemal Stafa u lirua dhe vazhdoi studimet. Urdhëri për arrestimin e Qemal Stafës doli vetëm në fund të tetorit 1941:
Me urdhër nga Roma i kërkohet Tiranës arrestimi i Qemal Stafës. Me teleks nr 71. 12739.3406 të datës 17 tetor, Ministria e Brendshme në Romë urdhëroi arrestimin e Qemal Stafës.[cxcv]
Derisa urdhëri për arrestimin e Qemal Stafës vjen nga Roma, kuptohet se ky njeri ishte jashtë juridiksionit të autoriteteve të Mbretërisë Shqiptare dhe këtë status Qemalit mund t’ ia jepte vetëm OVRA. Arrestimi i tij është urdhëruar në tetor 1941, se atëherë ishte koha kur po themelohej PKSH, dhe italianët donin që t’ i rrisnin reputacionin Qemal Stafës, në mënyrë që ky të ngjitej sa më lart në hierarkinë komuniste dhe ta kontrollonte atë për llogari të tyre.
Në 2 nëntor 1941, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tiranë u drejtohet kuesturave të Tiranës dhe Elbasanit, duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Qemal Stafës:
Lutemi të bëni urgjentisht arrestimin dhe bastisjen e banesës së komunistit Stafa Qemal të Hasanit.[cxcvi]
Në 3 nëntor 1941 Kuestura e Tiranës njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Qemal Stafa nuk gjendet dhe se kërkimet për të dolën të pafrutshme në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit. Kuptohet se kjo ishte një lojë që bëhej për të rritur reputacionin e Qemal Stafës mes komunistëve, duke qenë se fotografia dhe emri i Qemal Stafës do të publikoheshin gjithandej dhe ai kështu do të bëhej i famshëm si i kërkuar. Për të tjerat e mbronte OVRA. Në 16 nëntor 1941 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Tiranë njofton kuesturën e Romës se:
Qemal Stafa dalë nga Shqipëria direkt për në Itali, nuk rezulton më i rikthyer as me rrugë ajrore, as me rrugë detare. Duke menduar megjithatë se ndërkohë ndodhet në Itali, lutemi t’ u ipni instruksione organeve kompetente për ndalim.[cxcvii]
Vetëm një njeri që kishte mbrojtjen e OVRA-s mund të hynte, në atë kohë, nga Italia në Shqipëri në atë kohë, pa u marrë vesh nga policia. Gjashtë muaj pasi u shpall në kërkim, Qemal Stafa do të vritej nga policia. Me sa duket tashmë OVRA kishte zgjedhur midis Enver Hoxhës dhe Qemal Stafës sa i përket liderit të lëvizjes komuniste dhe zgjedhja ra mbi Enver Hoxhën. Që ky i fundit ishte njeriu i OVRA, kjo kuptohet nga ajo që thotë në kujtimet e veta «Kur lindi Partia», se kur karabinierët erdhën ta arresotjnë në dyqanin «Flora» në 29 tetor 1941, të nesërmen e demonstratës, dhe disa ditë para themelimit të PKSH, ata shkuan tek banaku dhe pyetën Enver Hoxhën ku është Enver Hoxha, ndërsa ky i fundit u tha se po shkonte ta njoftonte dhe, duke thirrur emrin e vet doli nga dera e pasme dhe u largua! Kaq naivë të ishin treguar në rastin e Enver Hoxhës këta karabinierët, të cilët kur shkonin të kapnin komunistët e tjerë rrethonin shtëpinë dhe nuk u ikte dot njeri nga dera e pasme. Qemal Stafa tentoi ta bënte këtë gjë pa sukses disa muaj më pas kur u rrethua. Është e qartë se loja e arrestimit të Enver Hoxhës u bë për të rritur reputacionin e tij, në prag të themelimit të PKSH. Enver Hoxha u kërkoi italianëve t’ ia hiqnin qafe rivalin Qemal Stafa dhe ata e gjetën konvenuese ta bëjnë këtë.
Vrasja e Qemal Stafës koincidon jo rastësisht me periudhën e fillimit të spastrimeve në parti. Në atë kohë klika e partisë zgjeroi edhe Komitetin Qendror, në kundërshtim me rregullat, me njerëz të përzgjedhur dhe të emëruar prej saj. Enver Hoxha shkruan për përbërjen e KQ në një mbledhje të KQ të PKSH, në korrik 1942:
Kjo mbledhje u organizua në ditët e para të korrikut, në një shtëpi në fund të rrugës së sotme «Hoxha Tahsin». Në këtë mbledhje, përveç shokëve të zgjedhur në Komitetin Qendror të Partisë (natyrisht Gjin Marku vazhdonte të mungonte), merrnin pjesë edhe Ymer Dishnica e Nako Spiru. Siç dihet, të dy këta në Mbledhjen Themeluese të Partisë nuk ishin zgjedhur në përbërjen e Komitetit Qendror të Përkohshëm, por, pas vrasjes së Qemal Stafës dhe arrestimit të Koçi Xoxes në gjysmën e parë të vitit 1942, neve na u desh t’ i aktivizonim Nakon e Ymerin me detyra të ndryshme të Komitetit Qendror. Natyrisht, zgjedhje ose kooptim zyrtar, ashtu si i kuptojmë sot këto veprime, ne për ta nuk bëmë, por fakt është se këta shokë mbaheshin afër, konsideroheshin si anëtarë të Komitetit Qendror të Përkohshëm dhe ngarkoheshin me detyra që u takonin anëtarëve të udhëheqjes së Partisë.[cxcviii]
Në rast se ka pasur vërte një mbledhje të KQ, atëherë përse ky nuk u quajt Plenumi I? Pse derisa mblidhej konferenca e partisë, nuk i bënte ajo edhe futjen e anëtarëve të rinj në KQ. Për shkak të ilegalitetit mund të thuhet. Po përse anëtarët e KQ rrinin si ilegalë nëpër qytete dhe nuk dilnin në mal të organizonin luftën, ku të bëheshin dhe mbledhjet e KQ, siç bëhej në Jugosllavi? Përgjigjia për këto pyetje është sepse klika që drejtonte PKSH ishte nën kontrollin e OVRA, dhe vinte në KQ vetëm të pëlqyerit e saj. Në platformën e paraqitur për diskutim në plenum nga Byroja Politike në Plenumin VIII, në 1948, Pandi Kristo thotë:
Në Konsultën e Partisë që u bë në Tiranë, ku u dënua puna e Lulës dhe e Xhepit, Ymer Dishnica që erdhi me mua, qëndroi në Tiranë. Kush doli në udhëheqje? Ymer Dishnica dhe Liri Gega. Unë mendoja se si doli Ymer Dishnica në udhëheqje, mbasi kur u organizua partia në Korçë unë nuk e rekomandova, por Dushani na kërkoi që të takohej dhe që atëherë ai u mor dhe u fut në Qarkor si sekretar politik. Baza e udhëheqjes ishte elementi intelektual, por shumica e shokëve punëtorë ishte shpërndarë në qarqe dhe Koçi ishte në burg. (Pandi).[cxcix]
E gjithë kjo ishte rezultat i punës së klikës.
Enver Hoxha, me ndjenjën e vet të pamposhtshme të komedianit, edhe historinë e lidhjes së PKSH me Kominternin, e shndrron në një komedi, duke dashur të bëjë apologjinë e marrëdhënieve të veta me jugosllavët. Ai shkruan në kujtimet:
Në Konsultën e Parë të Aktivit të PKSH, në prill 1942, ne kishim vendosur të vinim në dijeni Kominternin për themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, për rezultatet e para në organizimin dhe në forcimin e radhëve e të jetës së saj si dhe vijat e përgjithshme të programit të sja luftarak... Gjykuam se rruga më e mirë për t’ i komunikuar Kominternit këto vendime e propozime ishte udhëheqja e PK të Jugosllavisë dhe ngarkuam shokët Vasil Shanto e Dushan Mugosha që t’ i çonin atje ku ndodhej udhëheqja jugosllave.[cc]
Në të njëjtin libër Enver Hoxha shkruan:
I nisëm, pra shokët që në majin e atij viti për në Jugosllavi dhe në korrik Vasil Shantoja për habinë tonë, u kthye.
-Si?- e pyeta.- Kaq shpejt e kryet detyrën?
-Vetëm fillimin!- na tha qetë- qetë.- Më mbeti të bëja vetëm zakonin e malësive tona. Çova Duqin (pseudonimi i Dushan Mugoshës- shënim në libër) shëndoshë e mirë, gjersa ramë në lidhje me një repart partizanësh jugosllavë në Mal të Zi e, pas kësaj, ai më tha: «Kthehu mbrapsht! Misionin do ta kryej vetëm».
Ndonëse ishte tip shumë i përmbajtur, i gjerë e që s’ mbante rezerva, vura re njëfarë pakënaqësie në mënyrën si m’ u përgjigj.
-Shumë mirë që u ktheve,- i thashë duke i rënë supeve.- Ne këtu kemi kaq e kaq punë!
-Dakord, shoku Taras,- më tha,- veç mendoj se kur më nisi Komiteti ynë Qendror, kishte parasysh që propozimet e tij të rëndësishme t’ i çonte në vend një komunist shqiptar.[cci]
Ç’ komunist shqiptar ishte Vasil Shanto, kur ai ishte sllav? Gjithsesi, kështu shkruan Enver Hoxha në librin «Titistët», të botuar në 1982. Ndërsa në librin me kujtime «Kur lindi Partia», të botuar një vit më parë në 1981, shkruan për këtë çështje:
Miladini e quajti me vend kërkesën tonë dhe pasi bëmë përgatitjet e duhura, në maj të vitit 1942, u nis për në Jugosllavi Dushan Mugosha që t’ i çonte udhëheqjes së PK të Jugosllavisë kërkesën tonë drejtuar Kominternit.
Udhëtimi do të qe i gjatë, i vështirë në kushtet e rënda të ilegalitetit e të terrorit që sundonte në të gjitha anët, prandaj ne caktuam shokun tonë të sprovuar Vasil Shanton, të shoqëronte Mugoshën, gjersa ky të mbërrinte në duar të sigurta, pra gjersa të takohej me repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Vasil Shantoja, e më pas, edhe heroi i lavdishëm i Partisë e i popullit tonë, Vojo Kushi, e kryen me nder detyrën që u ngarkoi Partia.[ccii]
Enver Hoxha këtu thotë se detyra e Vasil Shantos ishte pikërisht kjo për të cilën ai ankohet?! Kështu për të çuar kërkesën e PKSH, për pranim në Komintern, shkuan në emër të PKSH dy sllavë, se edhe Vojo Kushi ishte sllav. Vojo Kushi në Jugosllavi do të ketë bërë ankesa dhe ka folur keq për Enver Hoxhën, si njeri i dyshimtë, se tre muaj pas kthimit të Vasil Shantos e Vojo Kushit, ky i fundit vritet në Tiranë, disa orë pasi Enver Hoxha qe larguar nga shtëpia e tij. Enver Hoxha shkruan për ditën kur u vra Vojo Kushi:
U nisa me biçikletë, duke bërë xhiro rrugicave për të humbur gjurmët. Pasi u sigurova se nuk më ndiqte ndonjë spiun u futa në rrugicën e shtëpisë së Ijes dhe i rashë derës me sinjalin që kishim.
Hyra brenda. Përqafova Xhoxhin, që rrinte në divan, pastaj Sadikun, Vojon dhe e fillova bisedën me një qortim për Xhoxhin. Ky qe çuar ndenjur në krevat, kishte zbërthyer krejt «dhjetëshen turke» dhe e fshinte çdo pjesë.
-Ke kobure rezervë që ma ke bërë armën fije- fije?- i thashë. Xhoxhi ishte i ri, i zgjuar, e kuptoi dhe, duke u skuqur, m’ u përgjigj:
-Nuk kam, por kanë Vojoja dhe Sadiku të tyret.
-Çdo ushtar duhet ta ketë gati armën e vet, prandaj shpejt mbërtheje. Ne komunistët duhet ta kemi kurdoherë armën gati. Nuk dimë ç’ na ngjet.[cciii]
Enver Hoxha, i cili nuk e kishte shkrepur kurrë armën e vet në luftë as atëherë, as më vonë, jepte leksione për armët. Pastaj kur do të pastroheshin armët, derisa shumica nuk kishin më tepër se një? Në raportin e kuesturës së Tiranës për ngjarjen tek Kodra e Kuqe, ku u vra Vojo Kushi dhe të vetët, thuhet:
Sonte natën kjo zyrë duke pasë marrë hetime se në Lagjen Ismail Efendi të këtij qyteti gjendeshin të mshefun elementë komunistë, disa ndër të cilët eksponentë të organizatës terroristike, ka fillue një aksion me pjesëmarrjen e reparteve të Milicisë fashiste Shqiptare.
U morën masat për rrethimin e përgjithshëm të lagjes së sipërthanun e, porsa filloi mëngjesi, u fillue veprimi për një spastrim të përgjithshëm. Mbasi u diktue vendi se ku ishin mshehun disa ndër elementët komunistë të sipërtreguem, me përdorimin e autoblindeve u përballuen. Meqënse ata treguen qindres me hedhje bombash dore dhe armë të tjera zjarri, forca publike ka përdorun armët, tue vra dy ndër komunistat dhe arrestue njenin ndër ta.[cciv]
Enver Hoxha nga ana e tij shkruan:
Ende pa aguar dita u dëgjuan të shtëna pushkësh, krisën bataretë e mitralozave dhe plasjet e bombave. Shuam dritat dhe dolëm në dritare. Me ankth e me një hidhërim të pafund në zemër i dëgjoja ato gjëmime se isha i sigurt që diku shokët po luftonin në rrethim.[ccv]
Enver Hoxha gjendej në një shtëpi me Nexhmijen e cila bëri një «trimëri»:
Pas ndonjë gjysmë ore, Nexhmija, si komuniste e patrembur, doli dhe pas një kohe u kthye. Ajo u fut në dhomë dhe ia plasi të qarit, më pushtoi dhe më tha:
-Të na rrojë Partia, por na vranë Vojo Kushin, Sadikun dhe Xhoxhin. Ata luftuan heroikisht. Vojoja iu hodh armikut me bomba mbi tank, u vranë shumë fashistë.
Mua m’ u këputën këmbët dhe rashë mbi një minder, duke qarë si i vogël.[ccvi]
Është e qartë se Enver Hoxha nuk arrin ta mposhtë dot natyrën e vet prej komediani, kur shkruan kujtimet e veta.
A mendonin në këtë kohë Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç se PKSH mund të merrte pushtetin dhe a punonin me gjithë mend për këtë gjë? Ata zbatonin manualin kominternian leninist për eksploitimin e luftës imperialiste për marrjen e pushtetit, por në realitet ata kishin hyrë në një aventurë surealiste komunisto-fashiste, për të cilën nuk e dinin si do të përfundonte.
Koço Tashko në letrën e vet për Kominternin, në vjeshtën e vitit 1942, na jep shumë fakte që janë prova se Miladin Popoviç qe agjent i OVRA, ndryshe nuk mund të sillej kështu:
Shokut Miladin i mungon konspiracioni, i mungon dhembshuria për shokët dhe për Partinë, d.m.th. i mungon dhembshuria për dëmet që do të pësojnë shokët dhe Partia nga mospërfillja e tij për konspiracionin.
Ca nga nervoziteti, ca nga dëshira të mbajë dokumente për ta justifikuar në të ardhmen, ca nga që është studiues dhe merr shënime, shoku gjithë ditën shkruan. Shkruan nëpër copra karte, që i mbjell në tërë odat e shtëpisë, ku ka gjetur strehë, shkruan në defterë dhe ka mbushur mjaft deftere sa për një bibliotekë të vogël. Të paktën në rastin tim, shoku nuk pëlqen të përdorë pseudonimin, insiston të më thërresë në emër e të më shënojë me emrin e vërtetë. Tërë shkrimet i bën, pa fjalë, serbisht dhe, kur detyrohet të ikë nga një shtëpi shpejt e shpejt ajo shtëpi sigurisht mbetet e dënuar me gjithë familjen mik e shokë-pritëse, se ajo shtëpi do ditë që të spastrohet nga shkrimet e shokut, kurse mund të ngjasë që policia të arrijë brenda orëve, e bile brenda disa minutave.
Shokut i kisha hequr vërejtjen dhe kisha ngulmuar veçanërisht për shënimet që kishte marrë nëpër deftere në kohën e takimit të tij me grupet një nga një e në kohën e Konferencës së parë të grupeve. Ngulmova që të zhdukej dhe procesverbali i asaj Konference. Më siguroi që e kish zhdukur, por pastaj mësova që e kish fshehur në shtëpi të kompromentuara. Të gjitha ranë në duart e policisë. Në Tiranë katër teknika ranë në duart e policisë dhe që të katra do të kenë qenë të mbushura me shkrimet e shokut (për dy nga teknikat jam i sigurt që kishin dokumente që mbante shoku). Ra edhe procesverbali i Konferencës.[ccvii]
Gjithashtu, në këtë letër, Koço Tashko thotë për Miladin Popoviç:
Shoku fliste kundër pjekjeve (takimeve- K.M.) të shumta dhe të kota që bëheshin në shtëpitë ku rrinin ilegalë, por shoku ishte i pari që s’ merrte masa të pakësonte këto pjekje për vete. Sapo hynte shoku në një shtëpi, ajo shtëpi bëhej pazar me gjithë zotimet që i kishte dhënë të zotit të shtëpisë se lidhjet do t’ i mbante vetëm me një person ose, shumë- shumë, me dy persona. Shoku mërzitej si ilegal, po ç’ faj ka Partia që të pësojë nga ky nervozitet i tij. Pas tradhtisë së Ludovikut, takimet u bënë shumë të zorshme. Shokët që kishin një dhembshuri dhe e ruanin konspiracionin, raportet i bënin me shkrim. Kur këto raporte vinin nga shokë që Miladini s’ i kish me sy të mirë, p.sh. raportet e atyre që ishin ngarkuar me punën me nacionalistët, këto raporte mbaheshin në arkivat e ekspozuara. Si rezultat ato ranë në duart e policisë, tre nacionalistë u internuan, nacionalistë të tjerë që përmendeshin në ato raporte u thirrën në polici dhe shpëtuan vetëm se në raportet ishte thënë se ata s’ kishin pranuar bashkëpunimin me Partinë. Mirëpo Mustafa Kruja i përdori ato dokumente që t’ u provojë nacionalistëve se ç’ punë e rrezikshme ishte të kishin të bënin me ne dhe që të shkaktojë izolimin e komunistëve.[ccviii]
Koço Tashko qe për vete njeriu i policisë sekrete fashiste, por ai duke qenë një kominternian i regjur, i cili kishte qenë dhe në Bashkimin Sovjetik, por merrte masa për të mbrojtur veten, nesër kur të gjithë të thirreshin për të dhënë llogari para të dërguarve të Moskës.
Në ndërkohë lufta kundër fashizmit ishte preokupimi i fundit i PKSH. Ato që Enver Hoxha përmend si aksione luftarake, qenë në fakt akte banditeske. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
Xhoxhi Martini mori pjesë në djegien e një shkolle fashiste dhe së bashku me Sabaudin Gabranin dogji Centralin Telefonik të Tiranës.[ccix]
Shkollë fashiste thotë Enver Hoxha. Por në shkolla atëherë mësimi bëhej shqip (italishtja ishte gjuhë e dytë), ndërsa fashizmi ishte një nga lëndët që bëhej, si marksizëm-leninizmi më pas në kohën e Enver Hoxhës. A mos nuk duhet të shkonin nxënësit shqiptarë në shkolla për shkak se atje bëhej lënda e fashizmit? Më tutje, Enver Hoxha shkruan:
Ky aksion ndodhi në mesin e gushtit 1942 dhe pa kaluar as edhe një muaj, në shtator, Xhoxhi Martini së bashku me Shyqyri Ishmin do të kryenin edhe një aksion tjetër, sa të rrezikshëm aq edhe të guximshëm, aksionin për marrjen e materialeve nga depoja e PTT-së të Tiranës.[ccx]
Por PTT (Postë Telegraf-Telefon) qe një zyrë e shërbimit publik në dobi të shqiptarëve, siç kishte qenë para okupacionit fashist dhe siç do të ishte pas tij, prandaj nuk kishte sens që të ishte një objektiv i luftës antifashiste. Këto aksione prej gangsterësh iu njohën si merita atyre që i kryen, Xhoxhi Martinit, Shqyri Ishmit dhe të tjerëve, për t’ u bërë «Heronj të Popullit», të popullit të cilit i dogjën shkollat, centralin telefonik dhe i vodhën PTT! Komunistët fanatikë, me prirje terroriste, të cilët bënin veprime të tilla Enver Hoxha e gjente mënyrën t’ ia dorëzonte policisë fashiste, të t’ i eliminonte ose t’ i arrestonte. Në kujtimet e tij Enver Hoxha më pas shfaq simptomat e torturimit nga fantazmat e tyre. Por në kohën për të cilën po tregoj, Enver Hoxha ndihej i torturuar nga të tjera fantazma të vjetra të jetës së vet. Një nga këta ishte Faslli Frashëri. Takimin e parë, që përshkruan Enver Hoxha, mes përfaqësuesve të PKSH dhe atyre që do të krijonin Ballin Kombëtar, është ai ku në emër të krahut tjetër vjen... Fazlli Frashëri, i cili thotë se flet në emër të Mit’ hat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar. Ky është një episod me të vërtetë i jashtëzakonshëm, kur komediani Enver Hoxhës ka rënë në një kurth ironie të ngritur nga një mjeshtër i ironisë si Mit’ hat Frashëri. Enver Hoxha thotë:
Një ditë, aty nga fillimi i verës së vitit 1942, ndërsa po punoja në një bazë, më lajmërojnë se një shok kërkonte të më takonte, sepse kishte një lajm për mua personalisht. E njihja atë shok, ishte nga Korça dhe u thashë ta sillnin. Kur erdhi u përqafuam, e pyeta si venin punët, a kishte ditë që kishte ardhur nga Korça, pyeta për shokët e mi të vjetër. Pastaj shoku më tha:
-Para dy-tre ditësh më gjeti Fazlli Frashëri e më tha: «Të lutem, të gjesh mundësinë të lajmërosh zotin profesor, që zoti Fazlli Frashëri dëshiron të ketë një takim me të. Jam gati të shkoj ku të dëshirojë zoti profesor». Unë,- vazhdoi shoku,- i thashë se nuk e di ku ndodhet profesori, por po ta takoj do t’ i them.
Enver Hoxha nuk thotë se kush ishte shoku që e njoftoi se Fazlli Frashëri kërkonte takim. Por e bukura vjen më poshtë:
U konsultova me shokët, që e njihnin po aq sa unë se kush ishte Fazlliu, dhe vendosëm ta prisja. Të nesërmen e thirra shokun tonë dhe e porosita:
-Takoje Fazlliun e i thuaj: «Në ora kaq e aq ju pret në një shtëpi zoti profesor». Merre, sille rrotull rrugicave dhe fute te shtëpia e Gabranit.
Njerëzit e shtëpisë së shokut tonë të paharruar Sabaudin Gabrani ishin miqtë e mi dhe shtëpia e tyre një nga bazat tona të luftës.[ccxii]
Enver Hoxha shtiret sikur vepron sipas rregullave të ilegalitetit! Shoku nuk ia tregon shtëpinë Fazlliut por e sjell atje, pasi e shëtit rrugicave, që mos e mbajë mend. Por, Fazlli Frashëri, spiuni i regjur, mund të kishte vënë njeri që t’ i ndiqte pas, i cili të njoftonte policinë se ku do të bëhej takimi. Bisedën me Fazlli Frashërin, Enver Hoxha e përshkruan kështu:
Si zuri vend, Fazlliu fërkoi një herë kërcat e fytyrës dhe pasi më pyeti për shëndetin, filloi bisedën.
-Na erdhën kohë të këqija, zoti profesor, i huaji na okupoi atdheun,- dhe tundi kokën i vrerosur...
-Ç’keni ndër mend të bëni zotëria juaj për ta çliruar vendin?- e pyeta. Kjo neve na intereson shumë dhe, po të gjejmë gjuhë të përbashkët, atëherë do t’ i harrojmë të kaluarat.
... arriti, më në fund, te qëllimi i misionit të tij:
-Ne gjykojmë se jemi në situata të rënda, se jemi vend i vogël dhe kemi mbi kokë fuqi të mëdha që, një çikë të ngresh gishtin për të thënë një fjalë, të grijnë... Duhet të fillojmë me një politikë të zgjuar me Italinë, t’ i dredhojmë, ta vëmë në gjumë dhe javash-javash ta ngremë edhe ne zërin në mënyrë që, siç thotë patrioti i shquar Mithat Beu, «edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet».
-Flisni edhe në emër të Mithat Beut?- e pyeta.
Por Mit’ hat Frashëri e njihte vetë Enver Hoxhën dhe, nëse donte ta takonte, mund të shkonte tek shtëpia e Bahri Omarit, i cili ishte njeri i rrethit të Mit’ hat Frashërit, dhe që më pas u bë një nga krerët e Ballit Kombëtar të kryesuar nga Mit’ hat Frashëri. Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, shkruan:
Që nga ajo kohë na vinte herë pas here, por sidomos që nga marsi 1942 e deri në maj1943, kur shkoi në zonën e Vlorës për të shpartalluar fraksionin antiparti dhe u largua përfundimisht nga Tirana, kjo shtëpi ka qenë një nga bazat ku ai strehohej herë pas here.[ccxiv]
Gjithashtu Luan Omari thotë:
Kjo duket e pakuptueshme, po të mendosh se diheshin botërisht lidhjet e Enver Hoxhës me Bahri Omarin dhe fakti se Enver Hoxha kur ishte legal hynte e dilte shpesh në këtë shtëpi, madje edhe kishte banuar atje për shumë kohë. Prandaj, nëse fashistët donin vërtet ta kapnin Enver Hoxhën, atëherë kjo shtëpi duhet të ishte nën survejim. Derisa në këtë shtëpi nuk është bërë kurrë kontroll, në kohën e «ilegalitetit» të Enver Hoxhës, atëherë kuptohet se italianët nuk donin vërtet ta kapnin Enver Hoxhën, se ky zbatonte manualin që i kishte përgatitur policia sekrete fashiste për lëvizjen komuniste në Shqipëri. Kjo gjë, ironikisht, e bëri atë të devijojë nga manuali komunist jugosllav që ai supozohej ta zbatonte.
Mit’ hat Frashëri, duke dërguar Faslli Frashërin si përfaqësues të grupit nacionalist që do të krijonte Ballin Kombëtar, në takimin me Enver Hoxhën, i cili ishte ngarkuar nga Miladin Popoviç të përfaqësonte PKSH, i çonte një kumt ironik të hollë Enver Hoxhës. Faslli Frashëri ishte ish-shef i Enver Hoxhës në kohën kur ky ishte spiun i policisë sekrete të Zogut në Korçë, në vitet 1927- 1930 dhe 1937- 1940. Në këtë takim do të dukej shumë false retorike luftarake antifashiste e Enver Hoxhës, kur ajo i adresohej njeriut që e dinte mirë se kush qe ky burrë që po bënte luftë retorike.
Enver Hoxha, në kujtimet e veta, për të kundërshtuar tezën se ai dhe PKSH zbatonin manualin e jugosllavëve, thotë se Konferenca e Pezës, ku u krijua Fronti Nacionalçlirimtar (FNÇ), u bë tre muaj para Konferencës së Bihaçit, në Jugosllavi, ku u krijua AVNOJ, homologu i FNÇ. Enver Hoxha fare mirë mund të kishte thënë se ai dhe PKSH nuk e ndoqën manualin jugosllav derisa nuk ndoqën shembullin e jugosllavëve, ashtu që para se të krijonin FNÇ, të krijonin ushtrinë dhe shtabin madhor të saj, si dhe që udhëheqja e partisë të dilte në mal me partizanët. Kjo përmbysje e rendit të gjërave tregon se Enver Hoxha devijonte nga manuali jugosllav, atje ku i konvenonte OVRA-s. Enver Hoxha nuk kishte ndërmend të krijonte as FNÇ, por atë e bëri Miladin Popoviç, i cili mendonte për apologjinë e vet, pas përfundimit të luftës, kur do t’ i duhej të jepte llogari tek të vetët. Enver Hoxha thotë në Plenumin e KQ në Berat:
Do të flas si u paraqit para meje Konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së Aliut. Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më përpara. Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjetëm këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’ e mbaj mend, ta vemë këtë apo të mos ta vemë. Pas një ditë dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ne kishim turp, s’ ishim njerëz të turmave. Unë s’ isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do të delnin ato skena që dolën, do të delnin gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue nga një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm.[ccxvi]
Nga Peza u kthyen në qytetin e Tiranës nga ku kishin ardhur para disda ditësh, me sa duket më tepër për turizëm:
Që në dhjetëditëshin e parë të shtatorit unë dhe shokë të tjerë u vendosëm në Pezë dhe lëviznim vetëm në raste të domosdoshme.[ccxvii]
Pra, edhe në ditët e konferencës, shkonte e vinte me automjet nga Peza në Tiranë.
Në Konferencën e Pezës morën pjesë 16 delegatë. Ata kishin emrin delegatë, por ata nuk i kishte deleguar askush, veç atyre të PKSH dhe Abaz Kupit dhe Ndoc Çobës, të cilët përfaqësonin ish-Mbretin Zog. Partia Komuniste kishte deleguar pesë vetë, por edhe delegimi i saj nuk qe i rregullt, se ajo kishte bërë kërkesë në Moskë, për t’ u njohur dhe ende nuk kishte marrë përgjigje. Enver Hoxha qe anëtar i delegacionit të PKSH, përkrah Koço Tashkos, Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit, Ramadan Çitakut. Nga delegatët e tjerë, dy qenë gjithashtu anëtarë të PKSH, Nako Spiru, që paraqitej si përfaqësues i Rinisë Antifashiste, por që në fakt kishte zëvendësuar Qemal Stafën, si sekretar politik i Rinisë Komuniste, Nexhmije Xhuglini (Hoxha), që paraqitej si përfaqësuese e grave antifashiste.
Por edhe ndër delegatët e tjerë, që paraqiteshin si nacionalistë, kishte tre njerëz që praktikisht ishin komunistë, se mbanin yllin e kuq si simbol, por që deklaronin se ishin patriotë pa parti?! Këta ishin Myslim Peza, Haxhi Lleshi dhe Baba Mustafa Xhani (Baba Faja). Por dhe këta mund të quheshin praktikisht anëtarë të PKSH, të cilët komunistët i kishin lënë jashtë partisë për arsye taktike. Myslim Peza tregon në kujtimet e veta për një bisedë që ka patur në fillim të vitit 1942 me Vasil Shanton, i dërguar nga Komiteti Qendror i PKSH si komisar politik në çetën e Pezës:
-Në çetë kemi njerëz të mirë- më tha Vasili kur mbetëm vetëm.- Disa nga ata shumë shpejt mund të bëhen anëtarë të Partisë Komuniste.
-Pa derman,- ia ktheva. –Të gjithë do të futemi në Parti, si të mos futemi? Unë bile do të jem i pari.
Vasili vuri buzën në gaz. M’ i nguli sytë e tij bojë deti e më tha:
-Pjesëtarët e çetës, ca më parë e ca më mbrapa, do t’ i fusim në parti, pasi kështu do ta bëjnë ma mirë punën e Partisë, kurse me ty, Babë puna ndryshon. Ti do t’ i shërbesh ma mirë Partisë, tuj mos qenë anëtar Partie.[ccxviii]
Këtu çdo gjë del e qartë. Ndërsa delegati tjetër, Haxhi Lleshi shkruan në kujtimet e veta:
Më 24 korrik 1943, në shtëpinë e Isuf Koçit në Çerenec, të cilën qysh prej majit 1941 e kishim bazë të sigurt, bëmë mbledhjen e celulës së partisë.[ccxix]
Pra, në korrik 1943, disa muaj pas Konferencës së Pezës, Haxhi Lleshi na del të jetë komunist. Ai qëllimisht nuk e thotë në kujtimet e veta ditën se kur u bë anëtar i PKSH, se në Konferencën e Pezës duhet të dalë si patriot jokomunist, sipas skemës kominterniane. E njëjta gjë vlen dhe për Baba Mustafa Xhanin. Për të Enver Hoxha kujton:
Si tani më kujtohet ajo ditë kur Mustafa Xhani më shfaqi dëshirën e tij për t’ u pranuar në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ishim në teqenë e Martaneshit (kam vajtur disa herë atje në stinë të ndryshme) dhe, pasi kishim biseduar me njëri-tjetrin gjerë e gjatë, Mustafai më thotë:
-Shoku Taras, unë dua të bëhem anëtar i Partisë.
U gëzova shumë nga ato fjalë të Baba Fajës dhe menjëherë iu përgjigja:
-Ti e meriton plotësisht të bëhesh anëtar i Partisë, o Mustafa Xhani, prandaj bëj lutjen dhe u thuaj shokëve të celulës që edhe Enveri është pro pranimit tënd. Unë do të mbështes në këtë kërkesë, pse jam i sigurt që ti nuk beson te feja, por beson vetëm te Partia.
-Për Partinë,- tha Baba Faja Martaneshi,- unë i zhvesh rrobat.
-Jo, rrobat që ke, t’ i mbash,- i thashë.- Këtu nuk është çështja për të gënjyer popullin, por rrobat fetare të babait ti i kishe edhe para luftës, edhe para formimit të Partisë, prandaj i ruaj ato, pse ne duhet t’ i respektojmë sentimentet e besimtarëve dhe të të shfrytëzojmë simpatinë q ëka populli ndaj tej dhe ndaj teqesë së Martaneshit. Pra, derisa ti je i vendosur për luftë dhe e do Partinë, respekton dhe zbaton vijën e saj, atëherë ne të pranojmë anëtar Partie.
Dhe celula e çetës e pranoi Mustafa Xhanin anëtar të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ky ishte një gëzim i madh për Baba Fajë Martaneshin. Ai më përqafonte fort, më puthte e më xiniste me atë mjekër të zezë që e krihte me gishtërinjtë e tij.[ccxx]
Por që të ishte anëtar i PKSH dhe të mbante veshjen fetare, kjo ishte tallje me sentimentet e besimtarëve, se si komunist ishte ateist. Pra, dhjetë delegatë qenë praktikisht komunistë. Delegatët të cilët nuk qenë komunistë Enver Hoxha do t’ i eliminonte fizikisht thuajse të gjithë. Aziz Çamin e vranë në atentat në 1943, Ismail Petrelën e pushkatuan partizanët kur hynë në Tiranë, në nëntor 1944, Skënder Muçon do ta eliminonin duke e spiunuar tek gjermanët, të cilët e pushkatuan, Ramazan Jaranin dhe Ndoc Çobën do t’ i vriste në burgje pas luftës. Tre delegatë të Konferencës së Pezës, pas saj do të arrestoheshin nga fashistët dhe do të mbeteshin gjallë: Nako Spiru, Kamber Qafmolla dhe Ndoc Çoba. Ata që do të viheshin në shënjestër nga Enver Hoxha nuk do të shpëtonin gjallë, në fillim jokomunistët dhe pastaj komunistët. Edhe nga komunistët pjesëmarrës në konferencë dy, Mustafa Gjinishi dhe Nako Spiru, do të vriteshin pas shpine nga shokët e vet, ndërsa një tjetër, Koço Tashko, do të kalonte shumë vjet të jetës në burgje e internime, ku do të vdiste. Nga pikëpamja e Enver Hoxhës, në retrospektivë del se shumica e delegatëve të Konferencës së Pezës, me të cilën supozohet të zerë fill Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, qenë në fakt tradhtarë dhe armiq.
Konferenca e Pezës ishte një mbledhje e një numri njerëzish të cilët përfaqësonin një parti, ish-mbretin, si dhe disa individëve që pretendonin të përfaqësonin shtresat e ndryshme të popullit shqiptar. E ashtuquajtura konferencë pretendonte të krijonte strukturat e një lëvizjeje që do të organizonte luftën kundër pushtuesve. Si njësi-bazë të kësaj lëvizjeje do të ishin këshillat nacionalçlirimtare të tubuara në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, që do të drejtohej nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (KPNÇ), prej shtatë vetësh, një nga anëtarët e të cilit u zgjodh edhe Enver Hoxha. KPÇN do të organizonte Ushtrinë partizane dhe vullnetare të emërtuar sipas shembullit jugosllav. Por edhe pse u krijua në letër një ushtri, nuk u krijua një shtab i përgjithshëm i ushtrisë, as një komandant i përgjithshëm. Kjo tregonte se kurrkush, as vetë komunistët, nuk kishin ndërmend seriozisht që të luftonin okupatorët. Pyetja që mund t’ u bëhej burrave dhe gruas të mbledhur në konferencë, ishte se, kur gjërat qenë kaq të thjeshta, pra mblidhen 16 vetë dhe krijojnë në letër Frontin ANÇ dhe ushtrinë, përse nuk e bë kjo gjë që në 1939, kur u okupua Shqipëria? Në rezolucionin e Konferencës së Pezës të nxjerrë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar thuhet:
në konferencë është pranuar që çetat partizane, që luftojnë me flamurin e Skënderbeut, të mbajnë si shenjë dalluese shenjën partizane, flamurin kuq e zi me yllin e kuq, dhe çetat vullnetare si shenjë dalluese flamurin kuq e zi; në konferencë gjithashtu, delegatët çfaqën dëshirën dhe vullnetin e plotë për një organizim të shëndoshë të gjithë shqiptarëve të vërtetë, pa dallim feje krahine, klase dhe rryme politike dhe zgjodhën Këshillin e Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar (të përkohshëm).[ccxxi]
Renditja e fjalëve është shumë domethënëse. Në fillim është marrë vendimi për mbajtjen e yllit të kuq nga çetat partizane, pastaj vendimi për bashkimin në luftë pa dallim feje, krahine dhe ideje. Pra, vendimi për parimin bashkim «pa dallim feje, krahine dhe ideje» vjen për nga rëndësia pas vendimit për mbajtjen e yllit të kuq, që në fakt e eliminon parimin e parë, pasi ylli i kuq shpreh dallim ideje. Ylli i kuq quhet me një eufemizëm simbol partizan, kur ai ishte simbol komunist. Dallimi në ide vjen për shkak se ishte çështja e pushtetit. Në rezolucion thuhet edhe:
Rëndësia e Këshillave Nacional-çlirimtare është e madhe. Me anë të këtyre bëhet qeveria, mobilizohet populli për në luftë e për kryengritje. Ja pra rëndësia e tyre.[ccxxii]
Renditja e fjalëve është shumë domethënëse. Pra, e para vjen çështja e pushtetit («qeveria»), pastaj çështja e luftës kundër pushtuesve. Në thirrjen e parë të Këshillit të Përkohshëm Nacionalçlirimtar, të dalë nga konferenca, dhe që u shpall në shtator 1942, nuk thuhet asgjë për vendimet për yllin e kuq dhe për këshillat si organe qeverie. Në këtë thirrje për këtë çështje thuhet vetëm:
formoni në të gjitha krahinat dhe fshatrat Këshillat Nacional-çlirimtare, të cilat do të jenë organet e vërteta për luftën tonë kundër zaptuesit.[ccxxiii]
Por në këtë thirrje nuk u tha asgjë për çështjen e këshillave si organe të pushtetit. Dokumentet konfidenciale ku bënin fjalë për këtë gjë, komunistët i botuan vetëm pas luftës. Për herë të parë koncepti i këshillave nacionalçlirimtare del në «Letër e Komitetit Qendror të PKSH, drejtuar komiteteve qarkore, në lidhje me ditën e ushtrisë sovjetike», në shkurt 1942, ku u thuhet komiteteve të PKSH të qarqeve se:
kanë për detyrë të formojnë këshillat Nacional-çlirimtare të popullit (të cilat njëkohësisht do të jenë fillestarët e qeverisë sonë të ardhshme).[ccxxiv]
Që e gjithë kjo bëhej sipas manualit të Kominternit (Internacionales Komuniste), me qendër në Moskë, kjo është pohuar në Rezolucionin e Konferencës së parë të PKSH, mars 1943, ku thuhet:
Konferenca e I e Vendit përshëndeti me një zë direktivat dhe ndihmën e Internacionales Komuniste (Kominterni-K.M.), e cila ia ka dhënë partisë sonë në momentin më të mirë, me të cilat është e mundur të merret qendrimi mbi Luftën Nacional-Çlirimtare.[ccxxv]
Në librin «Historia e PPSH» thuhet:
Për organizimin e këshillave PKSH kishte përvojën e madhe të sovjetëve.[ccxxvi]
Pra, është thënë me sinqeritet se me këshillat nacional-çlirimtare thjesht po kopjohej modeli rus i Revolucionit të Tetorit, ku sovjetët, që në rusisht do të thotë këshilla, u përdorën nga bolshevikët, për të kamufluar pushtetin e tyre. Koçi Xoxe në raportin e vet në Plenumin e KQ, në Berat, në nëntor 1944, do të thoshte:
Këshillat Nacionaçlirimtare nuk dolën si rezultat i dëshirave të popullit, nuk dolën nga thellësia e tij, nuk dolën si nevojë që të riorganizohej pushteti i popullit, por që lart. Këto këshilla, mbasi nuk kishin rrënjë të thella, nuk e kuptuan rolin e tyre, pse ato dolën nga lart.[ccxxvii]
Këshillat dhe vetë Fronti ANÇ qenë «kali i drunjtë», sipas shprehjes së famshme të Gjergj Dimitrov në Kongresin VII të Kominternit, tek të cilët do të fshiheshin komunistët në rrugën e tyre drejt pushtetit.
Por komunistët e Partisë Komuniste Shqiptare nuk mund të bashkoheshin pa dallim ideje me pjesën tjetër të shqiptarëve jokomunistë, edhe për faktin se ata në atë kohë kishin filluar një luftë civile brenda lëvizjes komuniste, ku ndesheshin ekstremistët stalinistë dhe të të moderuarit, të quajtur trockistë nga ekstremistët. Nga shtatë komunistët e deklaruar që morën pjesë në konferencë, gjashtë i përkisnin krahut ekstremist stalinist, të komunistëve shqiptarë: Enver Hoxha, Koço Tashko, Ymer Dishnica, Nako Spiru, Ramadan Çitaku, Nexhmije Xhuglini. Këta kishin pranuar dhe kishin nënshkruar dokumentet e luftës civile në radhët e lëvizjes komuniste, sipas manualeve kominterniane. Prandaj ishte absurde që ata të pretendonin se do të bashkoheshin me jokomunistët.
Zogistët i dinin këto gjëra, por megjithatë Zogu i dha porosi Abaz Kupit, që të bashkohej me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, të kontrolluar nga PKSH. Aleanca e komunistëve me zogistët në Konferencën e Pezës është precedenti historik i asaj që sot njihet në fjalorin politik shqiptar me termin “aleancë fluide”. Me sa duket zogistët hynë në këtë aleancë, duke marrë një premtim nga komunistët se këta do t’ a mbështesnin kthimin e Zogut si mbret në Shqipëri, në shkëmbim të legalizimit që do t’ i bënte ky lëvizjes së tyre pas lufte. Në kalkulimet e zogistëve, komunistët nuk do të lejoheshin nga Perëndimi, jo vetëm që të vinin në pushtet pas lufte, por as të ekzistonin si lëvizje legale, prandaj ata kishin nevojë për mbështetjen e Zogut. Pra, zogistët mendonin për një aleancë me komunistët të ngjashme me atë që bëri Princi Sihanuk i Kamboxhias pas Luftës së Dytë Botërore. Një indicje që na çon para në zbulimin e këtij kombinimi misterioz është fakti se as në Konferencën e Pezës dhe as në ato të Labinotit në korrik dhe shtator 1943, nuk u zgjodh një kryetar i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, që në hierarkinë e pushtetit që po ngrihej kishte atributet e kryetarit të shtetit. Në Pezë u zgjodh vetëm kryetari i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, Kamber Qafmolla. Me sa duket zogistët e kërkonin për Ahmet Zogun postin e kryetarit të Frontit. Pas të gjitha gjasave pakti ka qenë që Ahmet Zogu të zgjidhej kryetar i FNÇ. Kompromisi ka qenë që vendi i kryetarit të mbahej vakant, ndërsa zogistët mos ta krijonin një parti të vetën, çka komunistëve u konvenonte shumë, pasi donin të mbeteshin partia e vetme në Front. Natyrisht që komunistët shqiptarë, të cilët instruktoheshin në çdo hap nga jugosllavët, i gjenin shumë konvenuese iluzionet e zogistëve. Vajtja në Pezë e Abaz Kupit, mëkëmbësit të Mbretit të mërguar Zog në Shqipëri, si dhe futja e Kupit në kryesinë e Frontit qe një përparësi e madhe propagandistike, por edhe strategjike për komunistët. Dhe vetëm kur zogistët panë se komunistët nuk kishin ndërmend ta mbanin fjalën, u larguan nga Fronti, në shtator 1943, kur krijuan partinë e tyre. Atëhere komunistëve kjo nuk u prishte shumë punë, se ishin fuqizuar mjaft, duke përdorur metodat e tyre të terrorit. Kryetari i Frontit u zgjodh më pas, në 1945, Enver Hoxha, kur Fronti ndryshoi emrin.
Fasada e pushtetit të këshillave i konvenoi aq shumë PKSH, më pas PPSH, që nga viti 1942, sa e ruajti deri në vitin 1991, duke mos parapëlqyer të dilte në dritë si mbajtëse legale e pushtetit, ndërsa ishte mbajtëse reale e gjithëfuqishme e pushtetit. Partia as që paraqitej në zgjedhjet që bëheshin në nivel qendror dhe lokal dhe as që krijonte qeverinë. Në letër në zgjedhjet paraqitej dhe fitonte Fronti Demokratik (vazhduesi i Frontit Nacionalçlirimtar që ndërroi emrin në gusht 1945), i cili sipas Kushtetutës qe mbajtës i pushtetit, duke qenë se Kuvendi Popullor dhe këshillat popullore, që qenë asambletë që konstituonin organet ekzekutive të pushtetit lokal, përbëheshin vetëm nga deputetë dhe këshilltarë të dalë nga lista zgjedhore e Frontit Demokratik. Pushteti në Shqipëri, nga viti 1944 në vitin 1991 ishte pushteti i këshillave, ekuivalenti shqiptar i pushteti sovjetik. Kryetari i Frontit të krijuar në Pezë në 1942, do të ishte nga viti 1945 dhe derisa vdiq në 1985, shefi i PKSH Enver Hoxha, për t’ u pasuar pas vdekjes nga e veja e tij, Nexhmije Hoxha, të dy delegatë të Konferencës së Pezës. Kjo është një tjetër e dhënë shumë sinjifikuese për të vërtetën e Konferencës së Pezës.
Myslim Peza, mikpritësi i konferencës, kishte ardhur nga Jugosllavia në korrik 1939, dhe gjatë qendrimit në Jugosllavi kishte pasur miqësi të madhe me Haxhi Lleshin, një tjetër delegat prokomunist në konferencë. Myslim Peza shkruan në kujtimet e veta, se në periudhën pas qershorit 1940, kur u hodh në ilegalitet, duke krijuar çetën:
Në atë kohë na u gjind Haxhi Lleshi. Korrierët, katundarë të thjeshtë vinin prej Dibre. Mijëra napolona na ka dërgue Haxhiu prej Dibre, duke na e lehtësue mjaft mbajtjen e 70 e ca burrave me bukë.[ccxxviii]
Ku i gjente këto para Haxhi Lleshi, i cili në kujtimet e veta thotë se kur u arratis në Jugosllavi pas ardhjes së Zogut në pushtet, e nxirrte jetesën me vështirësi:
Për këtë arsye shkuam në Dibër të Madhe. Banonim herë nëpër miq e shokë, herë në shtëpi me qira. Më vonë pas shumë kërkesash e ndërhyrjesh, na lejuan të vendoseshim në Banjisht. Aty e rregulluam disi më mirë ekonominë, duke u marrë me bujqësi e blegtori.[ccxxix]
Se ku i gjente aq shumë para Haxhi Lleshi për t’ ia çuar Myslim Pezës, kuptohet po të lexosh një pjesë nga kujtimet e Haxhi Lleshit. Në vitin 1941, në vigjilje të invazionit gjerman kundër Jugosllavisë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Mbretërore Jugosllave përgatiti planin e invazionit të Mbretërisë së Shqipërisë, që në atë kohë qe pjesë e Perandorisë Italiane. Ky plan parashikonte dhe veprimin e grupeve të armatosura shqiptare, që deri atëhere i pati mbajtur me rrogë dhe stërvitur sherbimi sekret jugoslav, në territorin jugosllav. Dy prej këtyre grupeve, që mësynë në Dibër, komandoheshin prej Haxhi Lleshit (200 vetë) dhe Aqif Lleshit (100 vetë), xhaxhai i Haxhiut. Këto dy grupe qenë në mbështetje dhe si udhërrfyes të forcave jugosllave. Në kujtimet e veta, H. Lleshi shkruan:
Në të aguar të 6 prillit, filluam veprimet luftarake në befasi të plotë.[ccxxx]
Forcat italiane, pjesa më e madhe e të cilave ndodheshin në frontin e luftës me Greqinë, luftuan shumë keq dhe vija e mbrojtjes u ça, kështu që sllavët hynë thellë në territorin shqiptar. Por jugosllavët u ndalën prej avancimit të shpejtë të msymjes gjermane në territorin jugosllav. Ja sesi e pershkruan Haxhi Lleshi fundin e kësaj lufte:
Ndërkohë repartet e ushtrisë jugosllave i përfshiu paniku, sepse morën vesh që gjermanët po përparonin me shpejtësi të rrufeshme në të gjitha frontet. Mbasi kishin marrë Nishin, Shkupin, Tetovën e Gostivarin ata i qenë drejtuar Dibrës së Madhe. Pa arritur ende në Mavrovë, 50 km larg qytetit, ushtria jugosllave nisi të shpërbëhej. Gjeneralët dhe oficerët mendonin si të shpëtonin lëkurën e tyre dhe jo të drejtonin trupat në luftë. S’merrej vesh kush komandonte dhe kë komandonte.[ccxxxi]
Haxhi Lleshit, i mësuar nga tradita familjare për të qenë nën komandën e serbëve, tashmë i dukej vetja si krejt i humbur ngase serbët nuk po ia kishin ngenë që ta urdhëronin, sikur ai qe mësuar. Padronin e ri serb Haxhi Lleshi e gjeti po atë vit, kur në Shqipëri erdhi Miladin Popoviçi. Por më e bukura vjen më poshtë, në përshkrimin e Lleshit për përfundimin e kësaj lufte. Lleshi shkruan:
Gjermanët arritën në Dibër të Madhe me 10-15 tanke si në manovra. Kur hynë në qytet asnjë qëndresë nuk gjetën. Që me breshëritë e para nga frëngjitë e tankeve, ushtria jugosllave u dorëzua pa kushte. «Të luftojmë, -u thosha ushtarakëve, se vendi nuk mund të pushtohet pa u shkelur nga këmbësoria». Por ata s’çanin kokën, hidhnin armët dhe iknin nga sytë këmbët. «Ku po shkoni?» i pyesja. «Sollun, Sollun» përgjigjeshin. Sollun i thoshin Selanikut.[ccxxxii]
Teoria e Haxhiut se, “pa u shkelur toka nga këmbësoria nuk pushtohet vendi”, është e vërtetë, por ajo provon se për Haxhiun ushtarakët serbë, në trevat shqiptare tej kufirit të 1913-s, nuk qenë pushtues. Për Xhiken, siç e quante Enver Hoxha Haxhiun, pushtues qenë veç gjermanët. Çfare ironie! Haxhi Lleshi, në vend që të bënte detyrën si shqiptar për t’ u vënë pushkën pushtuesve serbë, u kërkonte atyre që mos të iknin prej trevave shqiptare, por të rrinin atje, në Dibrën e Madhe shqiptare si okupatorë. Ky Haxhi Lleshi do të ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë në vitet 1944-1946 dhe kryetar i shtetit (Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), për tre dekada (1953-1982). Pas këtyre që tregon Haxhi Lleshi, nuk është e vështirë të kuptohet se mijëra napolonat që i çonte Myslim Pezës ishin në fakt paratë e spiunazhit serb. Serbët e financonin Myslim Pezën se atyre u interesonte që në Shqipëri të kishte një lëvizje të armatosur kundër Italisë. Prandaj dhe çeta e Pezës bëri sikur filloi veprimet luftarake vetëm në mars 1941, kur po përgatitej sulmi i Boshtit kundër Jugosllavisë. Këta njerëz i zgjodhi vetë Miladin Popoviçi për të «përfaqësuar» popullin shqiptar.
Koço Tashko shkruan në letrën për Kominternin:
Siç mora vesh, KQ kishte vendosur që shoku Miladin, kur të vinte në Pezë, të mos hynte në katund, ku ka turli katundarësh, turli nacionalistësh, turli të dyshimtësh, bile edhe spiunë, por të vinte në një shtëpi një çerek ore larg nga Peza (nga qendra e Pezës), ku Partia kishte shokë të teknikës dhe Teknikën. As katundarët, as shokët e çetës e dinin që ndodhej Teknika e që atje kishte shokë. Mirëpo vendimet s’ kanë vlerë për shokun Miladin. Ai hyri drejt e në Pezë, mbeti në Pezë brenda, bile brenda në shtëpinë e Myslimit, ku vinin turli mysafirësh, midis të cilëve edhe katundarë të Shyqyriut, të cilët më vonë, u provua që ishin në marrëveshje me prefektin e Tiranës, bile edhe ia raportuan prefektit ndodhjen e Miladinit në Pezë. Po shoku s’ u mjaftua me kaq, ai desh të sigurohet që si anëtarët e çetës, si Myslimi të mos gaboheshin e të kujtonin që ndonjë tjetër ish «kryetari» i Partisë. Urdhrat, kritikat, lëvdatat, qortimet që jepte shoku Miladin s’ lanë asnjë dyshim as në katundarin më të humbur, përsa i përket kryesisë së Partisë. E asnjë dyshim që kryetari është serb.[ccxxxiii]
Historiografia komuniste dhe më pas ajo e majtë shqiptare ka spekuluar se me konferencën e Pezës Shqipëria u bë pjestare e Koalicionit të madh antifashist ndërkombëtar. Pjesmarrja e një vendi në koalicionin ndërkombëtar antifashist të krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ka qenë një gjë deklarative informale, që ka pasur të bëjë me thjesht deklarata të këtij apo atij individi apo grupimi në vendet e ndryshme, por ka qenë një gjë formale, nga pikëpamja juridike ndërkombëtare. Koalicioni ndërkombëtar antifashist i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, e ka zanafillën në Konferencën e Washington-it të njohur me emrin e koduar «Arcadia» dhe që u mbajt nga 22 dhjetori 1941 në 14 janar 1942, me pjesëmarrjen e Presidentit të SHBA, Franclin Delano Roosevelt dhe të kryeministrit të Britanisë së Madhe Winston Churchill, si dhe të përfaqësuesve të 24 vendeve të tjera që luftonin kundër vendeve të Boshtit, duke përfshirë dhe përfaqësues të vendeve të pushtuara. Nga kjo konferencë doli Deklarata e Kombeve të Bashkuara e 1 janarit 1942 e nënshkruar nga 26 vende, e njohur si Deklarata e Kombeve të Bashkuara. Me emrin «Kombet e Bashkuara» njihej koalicioni ndërkombëtar antifashist. Koalicioni i Kombeve të Bashkuara vazhdoi të zgjerohet gjatë luftës, me nënshkrimin e Deklaratës së Washingtonit të 1 janarit 1942 nga përfaqësues të vendeve të tjera, të pushtuara, ose jo. 21 vende të tjera u bënë anëtarë të Koalicionit të kombeve të Bashkuara deri në 1 mars 1945, kur hynë tre vendet e fundit, Arabia Saudite, Siria dhe Libani. Kështu numri i përgjithshëm i vendeve anëtare të koalicionit antifashist të quajtur Kombet e Bashkuara arriti në 47 para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria nuk ishte ndër 26 vendet nënshkruese fillestare të Deklaratës së Washington-it të 1 janarit 1942. As Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar i krijuar në konferencën e Pezës në shtator 1944, nuk u pranua si autoriteti që mund të nënshkruante Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, në emër të Shqipërisë. Edhe organizatat e ngjashme me të, të krijuara me nismën dhe nën kontrollin e partive komuniste në vende të tjera si Greqi (EAM), Jugosllavi(AVNOJ), nuk u pranuan si pjesë të koalicionit për vendet e tyre, derisa këto nuk pranuan të bashkëpunojnë me qeveritë në mërgim që kishin nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara dhe që njiheshin si autoriteti që përfaqësonte vendin përkatës në koalicionin ndërkombëtar antifashist. Shqipëria do të ishte bërë sigurisht anëtare e koalicionit të Kombeve të Bashkuara në rast se do të kishte mbetur në fuqi marrëveshja e Mukjes dhe do të vazhdonte të ekzistonte komiteti i krijuar atje që bashkonte të tre grupimet që ekzistonin në vend Frontin e kontrolluar nga komunistët, Ballin Kombëtar dhe monarkistët. Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë i krijuar sipas Marrëveshjes së Mukjes do të ishte pranuar sigurisht nënshkrues i Deklaratës së Kombeve të Bashkuara dhe si autoriteti që përfaqësonte Shqipërinë në koalicionin ndërkombëtar antifashist, sikur komunistët mos ta kishin eliminuar atë, duke e prishur marrëveshjen e arritur në Mukje. Dhe «institucionet» e krijuar nga komunistët shqiptarë, si Fronti ANÇ, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, apo Komiteti ANÇ, me atributet e qeverisë, i dalë nga Kongresi i Përmetit, dhe i vetëshpallur qeveri në tetor 1944, nuk u pranuan si autoritete legjitime për të nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë në koalicionin ndërkombëtar antifashist.
Historiografia komuniste ka pretenduar se Konferenca e Pezës i dha vrull luftës kundër okupatorit dhe se forcat partizane u rritën me shpejtësi. Asgjë të vërtetë nuk ka këtu: Ramadan Çitaku do të tregonte një episod nga Konferenca e PKSH në mars 1943, gjashtë muaj pas Konferencës së Pezës:
Sa kam qenë në KQ, s’ kam ditur asnjëherë sa anëtarë ka Partia. S’ ishte puna jonë, na thoshin. Sa çeta partizane kishte, fashizmi i dinte, kurse ne nuk i dinim. Kur ka raportuar Ymeri në Konferencën e Vendit se kishte 20 çeta, unë kam pyetur se sa çeta kishte në të vërtetë që ta dinim. Miladini më është përgjigjur: «S’ është puna jote». Kështu ka qenë edhe pas krijimit të KQ definitiv.[ccxxxiv]
Ramadan Çitaku atëherë u zgjodh anëtar i Byrosë Politike të KQ, forumi më i lartë i partisë, e megjithatë ai nuk e dinte sa çeta çeta partizane kishte në të vërtetë. Kuptohet se nga mënyra se si foli Miladin Popoviç, numri i vërtetë i çetave qe dy-tre herë më pak.
Që Konferenca e Pezës ishte një farsë kjo kuptohet nga fakti që pas përfundimit të saj Enver Hoxha nuk doli më në fund në mal, të organizonte luftën, apo së paku të rrinte në Pezë, por shkoi në qytetin e Tiranës me veturë, si një njeri që kthehet nga një resort turistik. Enver Hoxha shkruan:
Ndërkaq unë me disa shokë pasi mbaruam punët që kishim, vendosëm të ktheheshim në Tiranë. Udhëtimi duhej bërë në mënyrë tepër konspirative, sepse dyshohej se armiku mund të kishte marrë vesh për mbledhjen dhe të kishte forcuar kontrollin. Veç kësaj, do të merrnim me vete një sasi jo të vogël materialesh për t’ ua çuar shokëve në Tiranë e për t’ i dërguar në drejtime të tjera.
Babë Myslimi na premtoi se do të na gjente një makinë me një shok të sigurt, i cili kishte kryer misione të tilla edhe më parë, sidomos në periudhën e përgatitjeve për Konferencën e Pezës. Ky ishte një shofer, i lidhur ngushtë me Partinë e me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, që më duket se e thërritnin Meti (Muhamet Qoli). Një ose dy ditë më pas, aty nga dreka, Meti erdhi me një «mileçento», që ia kishte marrë borxh një miku të tij, dhe, pasdite, u nisëm për në Tiranë së bashku me Y. Dishnicën e M. Gjinishin. Të tre ishim veshur si «intelektualë». Unë kisha vënë edhe një palë syze dielli të errëta. Në brez, nën jelek mbaja nagantin, kurse në çantë kisha futur një «njëzetëshe». Në makinë, siç thashë, kishim edhe nja dy thasë me materiale, trakte dhe Rezolucionin e Konferencës.
Rrugën nga Peza deri në hyrje të Tiranës e kaluam pa incidente, po tamam kur kaluam postbllokun e menduam se s’ kishte më rrezik, Tafari (pseudonimi i Mustafa Gjinishit- shënim në libër), pa u konsultuar fare me ne, i thotë shoferit:
-Ktheje andej!
-Për ku?- e pyeta i habitur.- do të na çosh tek italianët si cjapin te kasapi?- dhe i tregova me gisht kazermat që ngriheshin afër atij vendi ku atij i shkrepi të futnim makinën.
-Kazermat janë larg,- m’ u përgjigj qetë-qetë,- kurse fare afër prej këtej është hani i një mikut tim. Thasët me dokumente do t’ i lemë atje që në qytet të hyjmë pa asgjë të rrezikshme.[ccxxxv]
Mustafa Gjinishi kishte të drejtë. Sipas rregullave të konspiracioni njerëzit kryesorë nuk duhet të udhëtonin me materiale kompromentuese. Por Gjinishi nuk trembej nga italianët, por kishte frikë se mos e pësonin në goditjen e parë nga karabinierët që nuk e dinin se kush ishin ata. Enver Hoxha shkruan:
Nuk arrita dot t’ i kundërshtoja, sepse makina frenoi para njëfarë hani të qelbur e thuajse të shkatërruar. S’ mbetej tjetër veç të zbritnim me shpejtësi, i fshehëm thasët në një qoshe të hanit dhe u futëm në makinë.
Me sa duket qëndrimi ynë prej disa minutash aty tërhoqi vëmendjen e ushtarëve e të milicëve që s’ ndodheshin larg dhe, kur ne u nisëm në drejtim të rrugës së Kavajës (sot «Konferenca e Pezës»), dy- tre karabinierë na bëjnë shenjë me dorë që të ndalojmë.
Ishte ditë e shtunë dhe këtë ditë fashistët italianë e festonin; ushtarët e sidomos oficerët dilnin në qytet e kalonin kohën nëpër kafene e restorante. Për shkak të lëvizjes së madhe në rrugë ne manovronim me vështirësi. Ndërkohë vumë re që dy motoçikleta na ishin vënë prapa. Por Meti nuk ndali dhe me shkathtësi diti t’ u humbiste atyre nga sytë. Kështu i shpëtuam edhe një herë rrezikut të madh dhe arritëm te Kodra e Kuqe.[ccxxxvi]
Edhe pse Enver Hoxha ishte armatosur mirë, as këtë radhë fashistët nuk i dhanë rastin ta përdorte njëzetëshen «Mauser». Ç’ farë lloj fashistësh qenë këta që ndeshte Enver Hoxha, dhe që ndryshonin kaq shumë nga ata që ndeshën Qemal Stafa, Vojo Kushi, Nikolla Tupe, Ferid Xhajko, Misto Mame, Perlat Rexhepi etj? Nëse atë ditë fashistët donin t’ i kapnin Enver Hoxhën dhe të vetët, do të kishin shkuar drejtpërdrejt tek hani, kur ishin atje, ose do t’ i kishin arritur shumë shpejt se i ndoqën me motoçikleta. Gjithmonë Enver Hoxhës kështu i ndodhte me fashistët. Atij i ndodhte të kishte të bënte me fashistë idiotë apo...kjo ishte lojë që bëhej për të rritur reputacionin e Enver Hoxhës, pasi qe zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm ANÇ, si dhe një mënyrë që italianët të shtinin në dorë dokumentet e konferencës. Enver Hoxha shkruan:
Të tërbuar që s’ na kapën dot, fashistët ishin kthyer në palo hanin e Gjinishit, kontrolluan dhe i gjithë materiali që sollëm nga Peza (Rezolucioni dhe traktet) ra në duart e tyre. Ndonëse e kishim për tjetër destinacion, «ngushëlluam» veten me faktin që fashistët ishin ndër të parët që mësonin sihariqin e madh: populli shqiptar kishte vendosur të bashkohej i tëri në luftën për shfarosjen e tyre.[ccxxxvii]
Gjërat bëhen edhe më të dyshimta kur mendon se dy ditë pas largimit të Enver Hoxhës nga Peza, u bë një aksion i karabinierisë dhe milicisë kundër Pezës: Myslim Peza kujton:
Enver Hoxhën e përcolla vetë, deri në Pezë të Vogël. Bashkë me të do të ktheheshin në Tiranë edhe komisari ynë që nuk rrinte në Pezë, Mustafa Gjinishi edhe Ymer Dishnica. Ishte e shtunë mbasdite, 26 shtator. E mbaj mend mirë këtë datë, sepse mbas dy ditëve, më 28, të hënën në mëngjez, na ranë fashistët.[ccxxxviii]
Dhe me çfarë merrej Enver Hoxha në qytetin e Tiranës, kur u kthye nga pak ditë qëndrimi në Pezë? Ja se me çfarë. Ai shkruan në letrën e 20 tetorit 1942, të cilën e kam përmendur më lart:
Në lidhje me dëbimin e Biverbrukut dhe të shoqes Qorre nga Partia për gabimin që bënë e që të vura në dijeni, zbuluam diçka tjetër që vë në dukje shkakun e vërtetë të gabimit dhe tendencat grupashe të pashëruara të Grupit të «Të Rinjve», të cilët kanë mundur me futë në rrethin e tyre shoqen Fiqret e sigurisht shoqen Bionde që ishte në qarkorin e Rinisë. Kur i pyeta shoqen dhe Biverbrukun për atë që bënë, ata më treguan se shoqja rastësisht u ndodh atje dhe vetë e mori përgjegjësinë, duke gjykuar se ishte një aksion që duhej bërë.
Mirëpo puna qëndron ndryshe, shoqja na mbante fshehur se ishte fejuar me Agron Çoratin, edhe ky i Grupit të «Të Rinjve» dhe në qarkor të Rinisë me detyrë sekretar organizativ. Nuk na intereson fejesa në vetvete, pse ajo mund t’ i ngjasë cilitdo, po në këtë rast na intereson, pse me anën e kësaj fejese në mes Fiqretit dhe Agronit, ndoshta dhe të Biondes me ndonjë tjetër që s’ e dimë, shokët e Grupit të «Të Rinjve» ia kishin mbërritur qëllimit të tyre, për të cilin diskutuam aq shumë në Konferencën e spastrimit (në libër është shënimi shpjegues: Konferenca e jashtëzakonshme e Partisë 28- 29 qershor 1942- K. M.), domethënë me anë fejese pothuajse ia arritën të shtinin në dorë qarkorët dhe në mungesë tonë u dhanë veprimeve cachet-in e sëmurë të frymës së grupit.[ccxxxix]
Në vend që Enver Hoxha të shkonte në mal me të gjithë këta shokë dhe shoqe të tij, ai rrinte në Tiranë dhe hetonte historitë e dashurisë e shkruante letra të gjata për to, sikur tregonte një telenovelë dashurie. Enver Hoxha shkruan në letrën e 20 tetorit 1942:
Siç të kam shkruar, me humbjen e Mistos (Mame) duhet të riformonim qarkorin e Partisë. Qendrori i Rinisë na rekomandoi Agronin, dhe u mendua edhe për Biverbrukun në qarkorin e Partisë. Më parë se të vihej në qarkor Biverbruku, në një mbledhje që bëmë për të vendosur se kush të vinte si përfaqësues i Rinisë, shoqja (Qorre) qiti kundërshtim për ardhjen e sekretarit politik të Rinisë që ishte shoqja Delegate (Nexhmije Xhuglini- shënim në libër- K. M.). Ajo pretendonte se Delegatja kishte shumë punë etj., etj., dhe thoshte që të vinte sekretari organizativ, Agroni. Unë refuzova duke thënë se s’ mund të venë në qarkor dy të sëmurë (ideologjikisht- K.M.), Biverbruku e Agroni, por duhej të vinte medoemos sekretari politik. Ai përjashtim ishte bërë vetëm për Miston.
S’ mund të dyshoja aspak për prapamendimin e shoqes, pse s’ dija se ajo ishte fejuar me Agronin. Këto gjëra i lidha pasi u zbulua fejesa e saj. Kjo, pra, insistonte që në qarkor të Partisë të vinte dhe Agroni, se ajo ishte se ishte, se ishte edhe Isufi, domethënë qarkorin e Partisë e të Rinisë i kishin nën kontroll.
Nga ana tjetër shoqja Bionde, e qarkorit të Rinisë, pas këtij diskutimi që patëm në qarkor, ku u vendos të vinte Delegatja, ishte në dijeni se ç’ bisedohej në qarkor të Partisë ngaqë Fiqreti e mbante në korrent duke shkelur direktivat. Ajo zë Delegaten dhe i thotë se «s’ bëre mirë që e pranove atë detyrë», se «unë të isha si ty, s’ e pranoja, më mirë ta marrë një tjetër».
Këto gjëra tregojnë se Fiqreti, Biondia, Agroni dhe Biverbruku kishin riformuar klikën, si me thënë brenda Partisë, e natyrisht ata nga jashtë, si Nastasi (Anastas Lula-shënim në libër- K. M.) e kompani, po u shkisnin vazelinën.[ccxl]
Nëse ishte fjala për një klikë, atëherë ishte fjala për një klikë të re, rivale me atë të Enver Hoxhës, Nexhmije Xhuglinit dhe Miladin Popoviçit. Këtu çështja ishte se kush do të bëhej anëtar i Komitetit të PKSH për Qarkun e Tiranës (Qarkori i Tiranës). Enver Hoxha kërkon që Nexhmije Xhuglini të bëhet anëtare e Qarkorit të Tiranës, dhe kështu bëhet. A nuk ka këtu prapamendim derisa Nexhmije Xhuglini ishte e fejuara e Enver Hoxhës.? A nuk ishte vetë Enver Hoxha që bënte të njëjtën lojë si ata që qorton. Kështu, tre vjet e gjysëm nga dita e pushtimit, Enver Hoxha merrej me grindje femrash në forumet partiake, në vend që të shkonte në mal e të organizonte e drejtonte luftën, si Tito. Thuajse të gjithë këta persona që përmend Enver Hoxha u arrestuan ato ditë. Misto mame u vra në 16 gusht 1942. Pas kësaj filloi rindërtimi i dy qarkorëve të Tiranës, të partisë e të rinisë komuniste. Në fund të shtatorit 1942 arrestohet Agron Çorati. Në letrën e parë, në tetor 1942, Enver Hoxha shkruan:
Sikundër e di, Nakon, Agronin dhe një shok tjetër i zuri policia.[ccxli]
Gjithashtu, në këtë letër Enver Hoxha shkruan:
Reaksioni vazhdoi e vazhdon. Pardje kapën edhe shoqen tjetër të qarkorit të Rinisë, Bionden, mu në rrugë dhe kot, pse shokët kujtojnë se policia flë.[ccxlii]
Agron Çorati e Biverbruku (Isuf Keçi), kur Enver Hoxha erdhi në pushtet, bënë shumë vite burg. Me Fiqret Shehun Enver Hoxha u soll ndryshe, porsa ajo pranoi t’ i shërbejë klikës që drejtonte partinë. Nexhmije Hoxha shkruan në librin «Miqësi e tradhtuar»:
Kur Enveri u vendos në Vithkuq, e tërhoqi Fiqretin nga Korça dhe e ngarkoi me punë në sekretarinë e KQ të Partisë dhe më vonë e caktoi si zëvendëskomisare të Brigadës I Partizane, që u përurua në Vithkuq në gusht 1943.[ccxliii]
Por si iu fal Fiqret Shehut faji i saj, të cilin Enver Hoxha e pati quajtur veprim prej gangsterësh:
Por, ç’ ngjet në këtë kohë. Të dëshpëruar në kulm për kapjen e shokut në aksionin e shkollës, Biverbruku propozoi aspak në qarkor, por në muhabet ku ndodheshin shoqja Qorre (Fiqreti) e Duksi, që, për ta shpëtuar shokun të shkonin të rrëmbenin çupën 9 vjeçe të Man Kukaleshit (spiun) dhe ta kërcënonin këtë duke i thënë: «Përpiqu të shpëtosh shokun, ndryshe çupën do të ta vrasim». Shoqja përnjëherësh e gjeti gjenial mendimin e Biverbrukut, e mori me entusiazëm përgjegjësinë dhe, pa pyetur, as qarkorin as Tarzanin, pa një pa dy, planin e vunë në zbatim, dhe kidnapper-ët e Partisë, me automobil si në Amerikë, rrëmbyen çupën, i lanë letrën babait të saj, spiunit, i cili përnjëherësh lajmëroi policinë. Kur po ngjisnin këto ne ishim në Pezë si Dr, T dhe unë, kurse Shulja kishte ikur.[ccxliv]
Praktika e marrjes peng të familjarëve për shantazh, si dhe ndëshkimi i tyre për veprime të një të afërmi të tyre, do të ishte një praktikë e rëndomtë dhe e ligjëruar kur Enver Hoxha erdhi në pushtet. Kështu që indinjimi që ai shpreh këtu për aksionin në fjalë është hipokrizi, çka kuptohet edhe nga fakti se Fiqrete Shehut më pas iu fal faji dhe mori poste të larta. Indinjimi i Enver Hoxhës duket qartë se vjen ngase i prishte atij dhe Popoviçit komoditetin e qëndrimit brenda në qytetin e Tiranës.
V
Sekretari politik që nuk është partizan
Në dhjetor 1942 Enver Hoxhës iu desh që të përdorte talentin e vet prej komediani dhe eksperiencën teatrale që kishte fituar në Gjirokastër, për të bindur të dërguarin e Kominternit, Bllazho Jovanoviç, se ai ishte një partizan komunist, që jetonte në male. Këtë gjë Enver Hoxha e bëri edhe me ndihmën e Miladin Popoviç. Enver Hoxha shkruan:
Në shtator të vitit 1942 Kominterni e mori dhe e aprovoi kërkesën tonë... Njohjen dhe direktivat e Kominternit i solli në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1942, Bllazho Jovanoviçi, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë dhe të Luftës Nacional-Çlirimtare në Malin e Zi... Fillimisht Bllazho Jovanoviçi na transmetoi lajmin e njohjes së Partisë sonë nga Kominterni dhe të direktivave, për të cilat na tha se vinin nga «Plaku» (e kishte fjalën për Stalinin), nga Moska.[ccxlv]
Bllazho Jovanoviç ishte një prijës partizan që ishte shquar në betejat në Mal të Zi. Si të gjithë partizanët malazezë ai kishte një përçmim të madh për komunistët shqiptarë, të cilët nuk organizuan luftën në Shqipëri, duke bërë që mbi partizanët malazezë të binte dhe barra e divizioneve italiane që erdhën nga Shqipëria. Enver Hoxha fare mirë mund ta kishte sjellë Bllazho Jovanoviçin në qytetin e Tiranës, atje ku rrinte ai vetë me Miladin Popoviçin. Por Bllazho Jovanoviçi duhet të shikonte se udhëheqësit e PKSH janë në male si partizanë, prandaj të dërguarin e çuan në Labinot.
Morëm të gjitha masat që t’ i sigurohej mikut një udhëtim me sa më pak rreziqe dhe, në ditët e fundit të dhjetorit 1942, mbërriti shëndoshë e mirë në Labinot të Elbasanit i deleguari i KQ të PKJ. Ky ishte Bllazho Jovanoviçi.[ccxlvi]
Që Bllazho Jovanoviçi të bindej se Enver Hoxha dhe të vetët kishin dalë vërtet në male partizanë, atë e çuan nga Labinoti në fshatin e thellë malor Shmil, në verilindje të Labinotit, në një kasolle:
E pritëm mikun me të gjitha nderet që mund të realizohen në kushtet e rënda të ilegalitetit e, ca më tepër, në një kasolle të varfër me çati dushku në Shmil të Elbasanit.[ccxlvii]
Si një komedian i vërtetë, Enver Hoxha e inskenon pritjen e lajmit për njohjen e PKSH nga Kominterni në kasollen e Shmilit:
dhe, ç’ është e vërteta, na solli lajme vërtet të gëzueshme: njohjen e Partisë sonë nga Kominterni dhe direktivat e Komitetit Ekzekutiv të Internacionales për Luftën tonë Nacionalçlirimtare. Me vete Bllazhoja solli edhe një letër të Titos për KQ të Partisë sonë.[ccxlviii]
Për shkak të ardhjes së Bllazho Jovanoviçit, edhe Enver Hoxha u detyrua që të largohej përkohësisht nga qyteti i Tiranës për të shkuar në Labinot të Elbasanit:
Në dhjetor të vitit 1942, unë kisha kaluar në zonën e Elbasanit, por për vetë detyrat që kishim përpara dhe për faktin që akoma vazhdoja të isha edhe sekretar politik i Qarkorit të Tiranës, ishte e nevojshme që nga dhjetori gjer në mars 1943, ta bëja herë pas here rrugën nga Tirana në Elbasan e anasjelltas.[ccxlix]
Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi ia paraqitën Labinotin të dërguarit të Titos dhe Kominternit si qendrën e udhëheqjes komuniste partizane në Shqipëri, duke i thënë se ata rrinin atje, por për nevojat e luftës lëviznin në krahina të tjera, sigurisht duke kaluar mal më mal, si partizanë. Në fakt, ata, nga Labinoti shkonin me vetura në qytetin e Tiranës, ku jetonin në komoditet. Nga dhjetori 1942, në mars 1943, Enver Hoxha shkonte herë pas here në Labinot nga Tirana, vishej si partizan dhe pozonte me një pushkë në dorë së bashku me Bllazho Jovanoviçin, para aparateve fotografikë. Enver Hoxha llogariste që këto fotografi Bllazho Jovanoviçi do t’ ia tregonte Titos dhe ky do t’ ia çonte Kominternit, që ata të shikonin se Enver Hoxha gjendej në male partizan. Enver Hoxha në këtë kohë shkonte e vinte nga Tirana në Labinot me Nexhmijen, duke udhëtuar me vetura:
Për një punë të tillë u nisëm një herë bashkë me Nexhmijen për në Elbasan me një veturë, një nga ato makinat e vogla që i quanin «topolino», të cilën, s’ di se si, e kishin gjetur shokët e Tiranës. Unë isha veshur si tregtar, me borsalinë në kokë e një qostek që më ndriste i mbërthyer në jelek, dhe që e vija në dukje me qëllim, për të mos dyshuar, por edhe sepse kisha futur dorën në xhepin e pantallonave dhe shtrëngoja fort revolverin. Nexhmija ishte veshur si një zonjushë, me një kapele e me dy- tri revista mode në dorë. Udhëtonim me pasaporta false, si vëlla e motër. Unë quhesha... (?!) ja që s’ e mbaj mend si quhesha, kurse mbiemrin e kisha Hysi, kurse Nexhmija e kishte Vera Hysi. Asaj ia mbaj mend emrin se atë emër përdornim gjatë luftës në mes tonë. Sot e kësaj dite njerëzit e mi e thërresin Vera. Lufta të kalit shumë nervat. Nuk e di si ta shpjegoj, pse edhe në momentet më të vështira ndiheshim shumë të qetë. Bënim dhe shakara: Ej mik,- i thoshte Nexhmija shoferit,- si e quajnë këtë «zotninë» që ke në makinë? Pastaj kthehej nga unë: «More si na e quajnë nënën? Po babanë?» Kështu i bënim provim vetes dhe qeshnim.
Aty ku fillon e përpjeta e Rrugës së Elbasanit, pak para se të arrinim te Pallati i Zogut, ose më mirë të themi i Jakomonit, mëkëmbësit të Viktor Emanuelit në Shqipëri (sot Pallati i Brigadave), ishte një postbllok ku kontrolli ishte veçanërisht i rreptë. Sau afruam, na doli një oficer i karabinierisë italiane dhe na bëri shenjë të ndalonim. Ne vërtet dokumentet i kishim në rregull, por çdo mund të ndodhte. Natyrisht nëpër xhepa e poshtë sediljeve kishim revolverët e bombat; po të diktoheshim, ato do t’ i vinim në veprim, por misioni ynë ishte që të mbërrinim në Elbasan e jo të bënim një ndeshje sado heroike, me një postë karabinierie. Ndodheshim përballë saj. Shoferi u kthye nga ne e na mori pasaportat, pastaj doli e duke qeshur i thirri oficerit në emër.
Unë nxorra paketën r ndeza krejt «indiferent» një cigare, kurse «Vera» shfletonte një revistë mode. Sidoqoftë prapa kësaj «indiference» të shtirë të pamjes «së qetë», përqëndrohej gjithë vigjilenca e kujdesi ynë për të vepruar me shpejtësi e në çastin e duhur. Italiani mori pasaportat e u hodhi një sy, por ndërkaq shoferi ynë, duke qeshur i zgjati një shishe raki e diçka nisi t’ i thoshte. Ky e mori shishen, i shkeli syrin shoferit, e bëri shenjë të kalonim.[ccl]
Një oficer karabinierie nuk sillej kështu, dhe as mund të silleshe kështu me të. Enver Hoxha nga një anë thotë se udhëtonin me pasaportat false, ndërsa në anën tjetër thotë se dokumentet i kishin në rregull. Në ç’ kuptim, në rregull! Që kishin leje të posaçme nga shërbimi sekret fashist që të udhëtonin në këtë mënyrë?
Që Bllazho Jovanoviç të bindej vërtet se qe mes njerëzish që luftonin dhe që ndiqeshin nga italianët, Enver Hoxha dhe OVRA organizuan dhe zbore me italianët në Labinot:
Me sa më kujtohet ka qenë dhjetori i 1942-shit kur ishim vendosur në Labinot bashkë me disa shokë, si Vasil Shanton, Ramadan Çitakun e të tjerë, kur u lajmëruam për afrimin e forcave të shumta të armikut. Menjëherë u bëmë gati, morëm materialet që na duheshin me vete, të tjerat i fshehëm në vend të sigurt dhe u tërhoqëm nga Labinoti në drejtim të pyjeve të Shmilit, ku qëndruam derisa shokët e Qarkorit të Elbasanit, na lajmëruan se operacioni kishte marrë fund dhe armiku po tërhiqej. U nisëm menjëherë për në Labinot në mes një shiu e një të ftohti që të hynin deri në palcë. Ishte edhe natë dhe kjo e bënte akoma më të vështirë udhëtimin. Ecëm nja tre katër orë të mira dhe, kur arritëm në Labinotin- Mal, ishim të rraskapitur. Fjetëm atë natë si të vdekur në shtëpinë e vogël, poshtë, të Sami Bahollit.[ccli]
Si gjithmonë, fashistët, kur kishin të bënin me Enver Hoxhën, largoheshin pa i dhënë rastin këtij që ta shkrepte armën. Enver Hoxha tregon për një rast tjetër, po në atë kohë, në Labinot:
Kështu, një mëngjes, Vasili, që ngrihej shumë herët, hyri brenda me vrap e na zgjoi duke thirrur:
-Çohuni, po vijnë ushtarë!
U ngritëm me nxitim dhe u bëmë gati t’ i prisnim. Ndamë detyrat, zumë pozicion, nëpër dritaret nga të gjitha anët e shtëpisë, që të mbroheshim nga çdo anë.
Vasili, gjakftohtë dhe i sigurt, zuri vend me automatikun e tij në korridorin e shtëpisë, në drejtim të derës së hyrjes.
-Po vijnë,- tha me zë të ulët.
Ne po prisnim. Dëgjonim nga jashtë fjalë të shkëputura shqip e italisht. Vështroj me kujdes në dritare dhe shoh që shumë milicë po kalonin në një rrugë disa metra poshtë nga shtëpia ku qemë ne dhe drejtoheshin në anën tjetër të fshatit. Një oficer italian, i pasuar nga 5-6 ushtarë, i hodhi një sy shtëpisë, seç u foli të tijve, duke qeshur e duke treguar me dorë nga dritaret, një pjesë e të cilave qenë pa xhame. U larguan edhe këta dhe pas pak çastesh hyri Jashari, një fshatar vendës, që na shërbente e i vinte doresh për shumë gjëra, dhe thirri shumë i gëzuar:
-Ikën. Më ngriu gjaku!
Vasili «urdhëroi»:
-Jashar, gjej ku të gjesh ca sheqer se do të bëjmë hallvë.
Edhe në këtë rast fashistët u larguan pa i dhënë mundësi Enver Hoxhës që ta shkrepte armën. Si një komedian i vërtetë, Enver Hoxha nuk heziton të tallet as me shokët e tij që humbën jetën në luftë, siç është rasti i Dullë Ketës. Enver Hoxha shkruan:
Dulla u ngarkua me detyrë nga Komiteti Qarkor i Partisë, konkretisht nga Gogoja, që të më sillte mua materiale Partie në Çermenikë. Dullë Keta si komunist i vendosur, eci ditë dhe natë pa pushim, kaloi postblloqet e armiqve dhe doli në zonën e lirë. Atë e zuri një natë e egër, me furtunë në një mal. Binte shi, vetëtinte dhe Dulla vazhdonte të ecte, por në një vend siç kuptohet, nuk do të ketë parë se ishte hon dhe ai ra. U vra si partizan, komunisti trim Dullë Keta. Kur e gjetën trupin e tij, ai mbante në dorën e ngrirë xhepin me dokumente. Qava në errësirën e dhomës ku ndodhesha në Çermenikë, qava për shokun tim besnik, Dullën, qava për hidhërimin që do të ndienin për atë trim nënë Minja, Nazmija, Hakiu dhe të gjithë shokët që e njihnin.[ccliii]
Por Dullë Keta humbi jetën në 18 nëntor 1942, ndërsa Enver Hoxha vetë ka thënë, siç e kam cituar më lart, se në Labinot shkoi në dhjetor 1942, ndërsa në Shmil, ku supozohet se priste Dullë Ketën, edhe më vonë. Enver Hoxha në 18 nëntor 1942 qe në shtëpinë e Bahri Omarit në Tiranë dhe jo duke pritur Dullë Ketën në Shmil. Dullë Ketën e eliminoi Enver Hoxha se dinte shumë për punët e tij dhe të Miladin Popoviçit. Abdulla Keta, anëtar i PKSH që në 8 nëntor 1941, ishte berber dhe e kishte shtëpinë 200 metra larg dyqanit «Flora», siç e thotë Enver Hoxha.[ccliv] Si ra Dullë Keta në greminë? Pse ecte natën pa udhërrëfyes? Apo qenë ata që e shoqëronin të cilët e shtynë në hon me urdhër të Enver Hoxhës. Dhe pastaj ky i fundit shkruan për motrën e Dullë Ketës:
Nazmija u emërua drejtuese e Shtëpisë Muze ku u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë.[cclv]
Me ardhjen e vitit 1943, prioritetet e komunistëve shqiptarë nuk kishin ndryshuar, prioritet mbetej lufta brenda llojit, spastrimet staliniane në parti, si dhe politika në funksion të pushtetit, por jo lufta kundër okupatorit fashist. Në mars 1943, në mes të okupacionit fashist, komunistët shqiptarë bënin... konferencën e partisë. Enver Hoxha kujton:
Konferenca i filloi punimet, ashtu siç kishim vendosur që më parë, më 17 mars 1943, në shtëpinë e madhe të Bahollëve, në Labinot.[cclvi]
Edhe tash që kishte ikur përkohësisht nga Tirana Enver Hoxha nuk kishte dalë në mal si Tito, që rrinte nëpër shpella, ku bënte dhe mbledhjet e Komitetit Qendror, por rrinte në vila komode, si ajo e Bahollëve, e cila më tepër ngjiste me një resort turistik. Në këtë konferencë Enver Hoxha vinte si favoriti i dukshëm i Miladin Popoviç. Enver Hoxha do të thoshte në Plenumin e Beratit:
Erdhëm në Konferencën e Vendit. Unë këtu dukesha si më i preferuari i Aliut. Ai kishte besim të madh te unë. Unë gjithashtu tek ai. Si u përgatit Konferenca e Vendit, kjo është një tjetër histori. Si për të gjithë evenimentet e Partisë, deri në fund ishte Aliu.[cclvii]
Edhe në Konferencën e parë të vendit, të PKSH, mbajtur në mars 1943, preokupimi kryesor ishte lufta ideologjike dhe spastrimet e dhunshme të kundërshtarëve ideologjike brenda lëvizjes komuniste dhe vetë partisë. Në rezolucionin e kësaj konference thuhej:
Duhet të krijojmë dhe të spastrojmë partinë si na ka mësuar i madhi Lenin, si na ka mësuar i madhi Stalin, duke krijuar partinë më revolucionare dhe të marrin një vend të merituar në radhët e I.K. (Internacionales Komuniste).[cclviii]
«I madhi Stalin» mësonte që partia duhet spastruar në mënyrë masive dhe të përgjakshme nga ata që mendonin ndryshe nga ortodoksia ideologjike staliniste. Më tutje në këtë dokument thuhet:
Duhet të luftojmë pa mëshirë kundër elementëve trockistë, kundër gjithë deviatorëve dhe armiqve të partisë... Organizata dhe anëtarët duhet të vazhdojmë pa mëshirë luftën kundër armikut të Internacionales Komuniste dhe të partisë sonë trockistit Zai Fundo dhe elementëve të ndryshëm trockistë: Dhimitër Fallos, Aristidh Qendros, Niko Xoxit, Niko kondit, Andrea Zisit etj. Nuk duhet harruar se Zai Fundo dhe disa plehra të tjera trockistë kanë lidhje dhe influencë mbi disa patriotë të ndershëm.[cclix]
Pra, armiqtë kryesorë të PKSH, edhe në mars 1943, ishin të ashtuquajturit trockistë, kundërshtarët e stalinizmit dhe jo pushtuesit fashistë. Se këta të ashtuquajturit trockistë shiheshin aq të rrezikshëm, sa për hir të tyre pranohej që të shkelej dhe parimi i hedhur me krijimin e PKSH dhe i adoptuar pastaj nga Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar i krijuar në Konferencën e Pezës, në 1942, për luftë pa dallim ideje kundër pushtuesit fashistë.
Në Konferencën I të Vendit, të PKSH, Enver Hoxha do të ngjitej në postin e parë në parti, por nuk do të bëhej shef i saj. Ai shkruan për këtë»:
Më 22 mars, pas mbylljes së diskutimeve, Konferenca e Parë zgjodhi Komitetin Qendror të Partisë të përbërë prej 15 anëtarësh e 5 kandidatësh, emrat e të cilëve gjenden në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë. Gjithashtu Konferenca zgjodhi Sekretarin dhe Byronë Politike dhe Sekretar të Përgjithshëm më zgjodhi mua.[cclx]
Të gjitha këto janë gënjeshtra, përveç shifrave, gjë që provohet me fjalët që ai ka thënë në raste të tjera. Konferenca nuk zgjodhi as KQ, as Byronë Politike, as sekretarin e përgjithshëm (u zgjodh vetëm një sekretar politik), por këto i bëri klika, pas shpinës së delegatëve. Në Konferencën I të Vendit Enver Hoxha zgjidhet në komisionin prej katër vetësh, të caktuar nga klika, i cili do të emëronte Komitetin Qendror definitiv, një ekspedient ky i përdorur dhe në mbledhjen themeluese. Ramadan Çitaku në Plenumin II të Beratit thotë për Konferencën I të Vendit:
Atje unë u zgjodha edhe në komisionin për zgjedhjen e KQ, megjithëse nuk e njihja organizatën. Komisioni ishte: Enveri, Dushani, Baca dhe Ymeri.[cclxi]
Në këtë mënyrë klika po e përdorte konferencën thjesht si dekor. Nako Spiru, në Plenumin e Beratit na zbulon edhe më qartë dhe formulën që përdori klika në Konferencën e Parë të Vendit:
U krijua një komision për zgjedhjen e KQ dhe KQ u zgjodh. Komisioni ia paraqiti konferencës anëtarët e KQ me pseudonime që askush nuk i njihte. Me një fjalë komisioni e zgjodhi Komitetin.[cclxii]
Pse duhej që, 70 njerëz njerëz, sa ç’ ishin delegatët në konferencë, të cilët ishin në të njëjtën sallë dhe hanin bukë në një tryezë gjatë pesë ditëve të konferencës, dhe që në pjesën më të madhe e njihnin njëri-tjetrin, t’ i paraqiteshin njëri tjetrit me pseudonime, kur ishte fjala për kandidaturat? Se kështu i konvenonte klikës, kuptohet. Në Konferencën I të Vendit klika konsolidoi pozitat dhe u fuqizua. Tashmë ajo e kishte bërë praktikë që t’ i merrte vendimet në mbledhjet e saj të fshehta dhe jo në ato të forumeve partiake.
Enver Hoxha më lart mashtron hapur kur thotë se u zgjodh sekretar i përgjithshëm, pra shef i sekretarëve të KQ, se ai u zgjodh vetëm sekretar politik, pra një nga sekretarët e KQ. Në Plenumin e Beratit Enver Hoxha pohoi se në Konferencën e Parë të Vendit, ose më saktë në kulisat e saj, ai u zgjodh, ose më saktë u emërua, vetëm sekretar politik i KQ dhe jo sekretar i përgjithshëm:
Shokët folën si u zgjodh Komiteti Qendror, si u zgjodh edhe Byroja. Do të theksoj zgjedhjen time si sekretar politik. Aliu s’ kishte besim tek asnjëri vec meje. Unë nuk di për vendimin që u mor për këtë, por di që Aliu e mbrojti tezën që unë të isha sekretar politik. Propozimin e bënë Doktori (Ymer Dishnica-K.M.) dhe Miladini. Kjo gjë më ra si nga qielli, prandaj u thashë që nuk e bëja dot.[cclxiii]
Enver Hoxha nuk e shpjegon se përse Miladin Popoviçi («Aliu») nuk kishte besim tek kurrkush tjetër veç tij. Nëse Popoviçi nuk kishte besim tek kurrkush veç Enver Hoxhës, delegatët e konferencës mund të kishin besim tek kushdo veç Enver Hoxhës, për të marrë postin nr. Në parti, atë të sekretarit politik. Në rast se në konferencë do të ishte paraqitur kandidatura e Enver Hoxhës për sekretar politik, ajo nuk do të kishte fituar, për shkak se ai nuk kishte asnjë lloj merite si komunist. Kështu që Enver Hoxha u bë sekretar politik, superilegalisht, jo vetëm për publikun, por edhe për pjesëmarrësit e konferencës.
Në Plenumin e Beratit, Enver Hoxha do të kërkonte shfajësohej për mënyrën se si u zgjodhën Komiteti Qendror dhe Byroja Politike në Konferencën I të Vendit, në mars 1943:
Në Konferencën e Vendit ne s’ dinim ç’ qe Plenumi, s’ dinim strukturën e KQ, ç’ ishin anëtarët, ç’ ishin kandidatët. Ne për këtë u mbështetëm te Miladini dhe Dushani, por edhe këta nuk dinin, hezitonin, s’ dinin sa veta anëtarë e sa kandidatë.
U zgjodh në Konferencën e Vendit Komiteti Qendror, por nuk u shpjegua rëndësia, funksioni i tij. Këta (anëtarë e kandidatë) u caktuan dhe u thirrën prej Dushanit më këmbë, një nga një, i cili u thoshte se janë zgjedhur në Plenumin e KQ. Nuk u bë mbledhje, por u çuan të gjithë në terren. Mbetëm vetëm ne të Komitetit provizor dhe bile jo të tërë. Ne u mblodhëm jo në një mbledhje të rregullt e menduam si të zgjidhej Byroja, si të quheshin, kush do të ishte sekretar. U vendos më këmbë edhe për Byronë dhe për sekretarët.[cclxiv]
Sipas atyre që thotë Enver Hoxha më lart, Komitetin Qendror të PKSH e emëroi Dushan Mugosha, sigurisht në konsultim edhe me Miladin Popoviç. Pastaj ishte klika që emëroi Byronë Politike, kuptohet sipas përzgjedhjeve të Popoviçit dhe Mugoshës. Enver Hoxha u zgjodh, në mënyrë krejt të parregullt, sekretar politik i Komitetit Qendror, por jo sekretar i përgjithshëm, siç pretendon më pas. Nako Spiru në Plenumin e Beratit do ta thoshte të vërtetën për klikën që veproi në Konferencën I të Vendit, duke replikuar tërthorazi me Enver Hoxhën:
Nuk është puna se nuk dinim të zgjidhnim KQ . Kjo ka qenë e dorës së dytë. Puna është se gjithçka mbetej në duart e Miladinit dhe të njerëzve që ai donte t’ i mbante afër tij. Kjo është kryesorja.[cclxv]
Nako Spiru vazhdon:
Shokët nuk donin jo se nuk donin, por ishte vija e tillë. Ishte bërë një natyrë e dytë të mos bëhej mbledhje.[cclxvi]
Konspiracioni brenda konspiracionit (klika brenda partisë) tashmë ishte një gjë e qartë. Sejfulla Malëshova do të thoshte në Plenumin e Beratit:
Ç’ ngjau. Ngjau ajo që KQ nuk ekzistonte. Byroja nuk ekzistonte. KQ dhe Byro ishte Aliu me dy tre veta rreth tij.[cclxvii]
Sejfulla Malëshova do të ishte i pari që do të përmendte fjalën «klikë» në Plenumin e Beratit, në nëtor 1944:
Në fakt në Byronë Politike është formuar një klikë, pa dashur.[cclxviii]
Kurse Nako Spiru do të ishte edhe më eksplicit duke përmendur me emër pjestarët e klikës. Ai tha në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944, Nako Spiru do të u shpreh:
Kështu pak nga pak me punën e Aliu u krijua klika e Enverit, Lirisë e Bacës.[cclxix]
Liri Gega, një pjestare e klikës, do të thoshte në Plenumin e Beratit, e zemëruar nga tradhtia që i bëri Enver Hoxha:
Kush e ka udhëhequr Partinë tonë? Partinë tonë e ka udhëhequr Aliu (Miladin Popoviç- K. M), kurse dora e djathtë ka qenë Enveri... Në Byronë Politike ishte krijuar një klikë.[cclxx]
Këtë e pohon edhe Enver Hoxha kur tregon në Plenumin e Beratit për krijimin e Byrosë Politike në Konferencën I të Vendit, në mars 1943:
Unë mbaj mend që më zgjodhën mua sekretar politik, Koçi Xoxen sekretar organizativ. U zgjodhën në Byro: Baca, Ymer Dishnica, Nakoja dhe Gjin Marku. Këto i bëri Miladini. Gjini as as u thirr, as nuk ka marrë pjesë kurrë në Byro. U tha dhe për Lirinë dhe për Shulen. Kështu është zgjedhur Byroja nga Miladini.[cclxxi]
Pra, serbi Miladin Popoviç krijoi të parën Byro Politike të KQ të PKSH, ku qenë gjashtë vetë: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Ymer Dishnica, Nako Spiru, Gjin Marku, Ramadan Çitaku. Gjithashtu, u diskutua për anëtarësimin në Byronë Politike në Byro e Liri Gegës dhe e Kristo Themelkos (Shules), por këta nuk u pranuan në mars 1943.
Emrat e anëtarëve të Byrosë së Parë Politike nuk do të bëheshin kurrë publike në kohën e regjimit komunist. Po kështu edhe emrat e anëtarëve dhe kandidatëve të Komitetit Qendror. Kuptohet se përse emrat nuk u bënë publike. Pjesa më e madhe e tyre u eliminuan në spastrimet që bëri Enver Hoxha, kur ishte në pushtet.
Gjithsesi, Enver Hoxha ishte njeriu më i përshtatshëm për të drejtuar partinë e surrogat-intelektualëve. Ai ishte si të thuash prijësi shpirtëror i surrogat-intelektualëve dhe mbrojtësi i përkushtuar i interesave të tyre. Si i tillë ai do të luftonte punëtorët në udhëheqje, apo më saktë ata që në Shqipëri paraqiteshin si punëtorë. Enver Hoxha në Plenumin VIII, në 1948, do të thoshte për periudhën që nga Konferenca I e Vendit e PKSH, kur ai u zgjodh sekretar politik:
Bëmë edhe gabime më të mëdha, duke luftuar Koçin, Shulen, Tukun. Kjo është përgjegjësi të madhe. Si u lejuan këto? Rrethanat ishin të ndryshme. E vërteta është se Miladini këto çështje nuk i shikonte drejt. Për atë shokët punëtorë nuk kishin atë stimë që Konferenca (Konferenca I e Vendit e PKSH) u dha e që duhej ta merrnin. Këtu kam përgjegjësi edhe unë. Kur doli Koçi nga burgu, nuk u mor me punën e tij, përkundrazi, u dërgua në Korçë e gjetkë dhe kështu, siç u zhvillua udhëheqja, do të ngjisnin ato që ngjanë. Do të vinim në Berat me Liri Gegën si sekretare organizative. Mendimet e saj aprovoheshin prej meje, Miladinit e Dushanit. Unë thoshja se Koçi është punëtor etj., dhe se nuk kish besim në vete për punën, por nuk qe lejuar për të punuar, nuk i qe dhënë atij punë, për ta provuar. Situata e tillë bëri që KC (Komiteti Central- K.M.) dhe Byroja, që ish Aliu unë e Baca, Liria të punonin në atë drejtim.[cclxxii]
Me Enver Hoxhën klika e surrogat-intelektualëve në parti gjeti një prijës të aftë, i cili duke përdorur konspiracionin si alibi, do ta drejtonte partinë si në shoqëri masonike, duke imponuar vullnetin e klikës si të vetmin rregull.
Pas Konferencës I të Vendit të Vendit, Enver Hoxha nuk qendron në mal të drejtojë luftën partizane, si sekretar politik i partisë që ishte, por kthehet në qytetin e Tiranës. Në këtë kohë në skenë hyjnë ... britanikët! Enver Hoxha shkruan:
Nga fundi i prillit të vitit 1943 Komiteti Qarkor i Partisë për Gjirokastrën më lajmëroi se nga kufiri grek kishte hyrë në zonat tona të çliruara një grup ushtarakësh anglezë, të kryesuar nga njëfarë Bill Maklin, major, të pajisur me armë e me radio, që pretendonin se ishin mision ushtarak zyrtar i dërguar pranë partizanëve shqiptarë nga Shtabi i Forcave Aleate të Mesdheut me qendër në Kajro.
I porosita shokët e Partisë të Qarkorit të Gjirokastrës që anglezët e ardhur nga Greqia të bllokoheshin në Zagori dhe të pyeteshin me imtësi se cilët ishin, si quheshin (duke e vërtetuar me dokumente zyrtare identitetin e tyre), nga vinin, kush i udhëhiqte cila ishte detyra e vërtetë që kishin etj.[cclxxiii]
Këtu shihet se Enver Hoxha vepronte në linjë partie. Ai urdhëronte komitetin e partisë të Gjirokastrës, që të ndalonte britanikët, kur këta të fundit nuk kishin asnjë punë me partinë. Në fakt Enver Hoxha i ndaloi britanikët se nëse do të takohej me ta në prill 1943, nuk kishte çfarë t’ u tregonte në lidhje me luftën, madje nuk kishte as si t’ u paraqitej. Në prill 1943, Enver Hoxha ishte vetëm sekretar politik i PKSH dhe nuk kishte asnjë titull ushtarak si Tito, i cili ishte komandant i përgjithshëm. Enver Hoxha rrinte në shtëpinë e funksionarit fashist, Bahri Omarit në qytetin e Tiranës dhe merrej me spastrimet staliniste brenda lëvizjes komuniste. Në prill të vitit 1943, kur në Shqipëri pati ardhur misioni britanik, kishin kaluar katër vjet të okupacionit fashist italian dhe Enver Hoxha nuk e kishte filluar ende jetën partizane, por rrinte në qytetin e Tiranës, duke u shkëputur vetëm pak ditë për të shkuar në shtëpi komode fshatrash për të bërë ndonjë mbledhje në Pezë apo në Labinot. Nga 67 muaj okupacion (1939-1944), Enver Hoxha do të kalonte 49 muajt e parë, ose 73% të kohës, në qytetet e Korçës dhe të Tiranës, si dhe disa muaj në Itali në 1939, deri kur u largua nga Tirana në maj 1943. Si mund t’ i prezantohej Enver Hoxha të dërguarit britanik në prill 1943, si sekretar politik i KQ të PKSH? Ushtria partizane që u tha se do të krijohej në Konferencën e Pezës, nuk kishte as shtab, as komandant. Atëherë me kë do të takohej i dërguari britanik. Prandaj ai duhej bllokuar. Ai duhej bllokuar dhe që të mos asistonte në luftën brenda llojit komuniste që do të zhvillohej në maj-qershor 1943. Enver Hoxha shkruan:
Në qershor, shokët e Gjirokastrës, sipas porosisë sonë, i nisën për te ne në Labinot, të siguruar mirë se mos u ngjante gjë rrugës. Erdhën të rraskapitur nga lodhja. I prita ditën e dytë të ardhjes. Maklini m’ u paraqit si kryetar i misionit.[cclxxiv]
Enver Hoxha nuk thotë se si iu paraqit ai vetë oficerit britanik. Në qershor 1943 Enver Hoxha nuk ishte më tepër se sekretar politik i PKSH. Por ky takim nuk është bërë në fund të qershorit, por pas mesit të korrikut 1943. David Smiley, i cili bënte pjesë në misionin e kryesuar nga Maklin, thotë në kujtimet e veta se ranë dakord që Maklin të presë në fshatin grek Drimade, ndërsa Smiley të tentojë të hyjë në Shqipëri nga një drejtim tjetër dhe pastaj të tërheqë dhe Maklinin. Në qershor 1943, Maklini arriti në Leshnjë të Skraparit, ku qëndroi deri në në fund të muajit. Në 30 qershor nga Leshnja shkoi dhe u vendos në Shtyllë të Korçës. Këtë e dëshmon Smiley, i cili kujton për udhëtimin e vet në thellësi të Shqipërisë:
Ditën e katërt të xhiros sonë morëm lajmin se Maklini me kompani po i afrohej Leshnjës, kështu që mëngjesin tjetër shpejtuam të kthehemi dhe i gjetëm aty. U gëzuam shumë që shihnim njëri tjetrin. Maklini e kish patur të vështirë në Drimade, se komunikimi me Kajron nuk qe i mirë dhe Bedri Spahiu i ishte bërë pengesë deri në fund, kur i kishte ardhur urdhri të bashkëpunonte. Maklini nuk i kishte marrë letrat e mia deri disa ditë para mbërritjes në Leshnjë.[cclxxv]
Takimi i Maklinit me Smiley në Leshnjë të Skraparit ndodhi në gjysmën e dytë të qershorit:
Kur ishim në Leshnjë Kajro na lajmëroi se së shpejti do të na vinin furnizimet e para, kështu që iu ngjitëm malit për të qenë afër pikës ku do të binin parashutat… Më 23 qershor ishim bërë gati për furnizimin e parë… Pritëm tre netë rresht… Patëm shpresë për natën e katërt se kushtet atmosferike qenë ideale, por për dëshpërimin tonë nuk erdhën. Të nesërmen morëm lajm se koha se koha në Derna e bënte të pamundur ngritjen e aeroplanëve. Do të na lajmëronin se kur do të bëhej furnizimi që ishte ndërprerë. Të nesërmen Maklini u largua për të takuar disa anëtarë të Këshilli qendror të një fshati aty pranë… Më dy të mëngjesit u zgjova nga zhurma e motorëve mbi ne… Të nesërmen na njoftuan se do të vinin dy aeroplanë të tjerë dhe po ashtu të pasnesërmen… Maklini ku u kthye nga mbledhja ku u vendos që të shkonim në një bazë të re në afërsi të Korçës. Shtylla baza jonë e re ishte një ditë larg.[cclxxvi]
Pra, Maklini ka qenë në një mbledhje me këshillin nacionalçlirimtar të fshatit Shtyllë ku do të vendoseshin, gjë që e kanë sajuar komunistët, për ta bërë oficerin britanik të merrte kontakt me ato që komunistët i quanin organe pushteti. Në qershor 1943, Enver Hoxha ka kaluar nëpër Skrapar, duke shkuar nga Vlora në Korçë dhe megjithatë nuk ka marrë kontakt me britanikët. David Smiley shkruan për qëndrimin në Shtyllë:
Me furnizimin e 17 korrikut na erdhi dhe një komandant skuadriljeje gjuajtësish, Toni Nil, i gjatë dhe i pashëm që Maklini e dërgoi te Bazi i Canës, kryetari i lëvizjes zogiste... Maklini u kthye ca ditë më vonë dhe patëm të parën nga vizitat e shumta të Shtabit të LNÇ të udhëhequr nga Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha.[cclxxvii]
Pra, Maklini dhe Smiley janë takuar me Enver Hoxhën rreth fundit të korrikut dhe jo rreth fundit të qershorit siç thotë Enver Hoxha. Me sa duket Hoxha ka pritur dhe ardhjen e Tempos, për të vendosur për këtë takim. Kapiten Smiley përmend të parin M. Shehun se ky iu paraqit si komandanti i Brigadës I partizane që po formohej dhe i kërkoi furnizime, ndërsa Enver Hoxhën e ve të dytin se titulli zyrtar i tij ishte komisar politik, një imitim sovjetik, por oficerët britanikë nuk donin të flisnin për çështje politike. Majori Maklin mund të krenohej se doli në malet shqiptare si guerrilas para Enver Hoxhës! Në Labinot, Maklini dhe Smiley shkuan vetëm në fund të shtatorit 1943. Smiley shkruan:
Më 11 shtator arrita në Llëngë ku gjeta Maklinin… qëndruam në Llëngë për 10 ditë… Dëgjuam se mijëra italianë ishin bashkuar me partizanët afër Elbasanit, prandaj vendosëm ta spostonim Misionin Konsensus në atë zonë.[cclxxviii]
Takimi në Labinot për të cilin flet Enver Hoxha, është bërë në fund të shtatorit dhe jo në fund të qershorit!
Në kohën kur oficerët britanikë donin të hynin në Shqipëri, Enver Hoxha po nisej të merrte pjesë në atë që mund të quhet si fushata e tij e parë luftarake, dhe që nga historiografia komuniste është quajtur si: shkatërrimi i fraksionit të Vlorës. Enver Hoxha, në Kongresin I të PKSH do të thoshte për këtë çështje:
Partia dhe Komiteti Qëndror provizor vigjilentë dhe në dijeni të kësaj veprimtarie, urdhëruan arrestimin e Anastas Lulos dhe Sadik Premtes, kalimin e tyre në gjyqin ushtarak dhe pushkatimin si trathëtarë të Partisë dhe të Popullit. Anastas Lulua u kap, u gjykua dhe u pushkatua. Sadik Premtja i shpëtoi arrestimit dhe në rrezik t’ arrestohej shpejtoi zbatimin e pllanit të tyre. Ay urdhëroi njerëzit e tij që kishin infiltruar gjer në qarkorin e Partisë Komuniste të Vlorës, që ta rrëzonin qarkorin dhe ta merrnin në duart e tyre dhe këtë veprim e mbështeti në kryengritjen dhe revoltimin e elementëve të tij që kishin infiltruar në Çetën Plakë të Vlorës.[cclxxix]
Sadik Premte u revoltua nga pushkatimi i mikut të vet, ish-kryetarit të Grupit të Të Rinjve, Anastas Lulës. Sadik Premte kishte me vete gjithë Çetën Plakë të Vlorës, të quajtur kështu se ishte çeta e parë partizane që ishte krijuar në Vlorë. Në 3 maj 1943, Enver Hoxha, që nga shtëpia e Esat Dishnicës në Tiranë, i çonte Hysni Kapos, sekretarit politik të Komitetit Qarkor të Vlorës, të emëruar nga Dushan Mugosha «Udhëzim Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste të Shqipërisë për Vlorën mbi masat për likuidimin e fraksionit të Sadik Premtes», ku thuhet:
Për këtë gjë duhet të veprohet kësisoj: Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh si tradhtarë, fraksionistë, armiq te betuar të Partisë e të popullit. Njëkohësisht të arrestohen Vangjua e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre. Në gjyq të marrin pjesë disa shokë të vendosur të Partisë e të qarkorit. Atje të sqarohet qëndrimi i Vangjos, Difit dhe i të tjerëve, pjesëmarrja e tyre dhe përgjegjësitë që kanë marrë në këtë punë. Për Vangjon e për Difin dënimi i tyre minimum është qitja jashtë Partisë, shkarkimi nga çdo funksion, mbajtja e tyre në çetë dhe në një survejancë të paprerë. Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin dhe në asnjë mënyrë nuk pendohen për sa kanë bërë si dhe vijojnë të mbajnë një qëndrim antiparti, edhe ata të pushkatohen.[cclxxx]
Nga udhëzimet që çonte kuptohet se Enver Hoxha nuk donte që të shkonte vetë në Vlorë, në fillim. Udhëzimet janë një akt gangsterizmi. Si mund të arrestonte për çështje ideologjike, kur nuk kishte as autoritet shtetëror? Në 8 maj 1943, sipas udhëzimeve të Enver Hoxhës, më saktë të Miladin Popoviç, arrestohen Neki Ymeri (komandant i Çetës Plakë të Vlorës) e Xhemil Çakërri e çohen në mullirin e Kutës, në Mallakastër. Atje pushkatohen Xhemil Çakërri e Hidajet Micolli e lëndohet Neki Ymeri. Kjo gjë u mësua në Vlorë në 12 maj. Komunistët dhe partizanët e Tragjasit, fshati nga ishte Neki Ymeri, u ngrit kundër klikës së PKSH dhe kërkoi lirimin e Pali Tërovës, të cilin Hysni Kapo u detyruan ta lirojë. Gjormi, fshati i Sadik Premtes, ishte tashmë në revoltë. I ashtuquajturi fraksion në Vlorë ishte shumë më tepër. Atje në fakt fraksion kishte mbetur Hysni Kapo me të vetët. Në një qarkore të Komitetit Qendror të PKSH për këtë çështje, për Komitetin Qarkor të Vlorës, të çuar në qershor 1943, thuhet:
Ky akt rebelizmi kundër partisë i frymëzuar dhe i udhëhequr prej Xhepit (Sadik Premte-K.M.) dhe Palit (Pali Terova-K. M.) kishte si pjestar kryesor Vangjon (komandant çete dhe përgjegjës celule), Qazim Çakërrin (Difin, komisar politik dhe përgjegjës celule), Xhemil Çakërrin (komisar politik), Zeqon... Lufta jonë kundër këtyre armiqve të poshtër duhet të bëhet me ashpërsinë më të madhe dhe që të mundim ta luftojmë këtë sëmundje të ndyrë duhet t’ i urrejmë këta njerëz dhe pa mëshirë t’ i godasim kudo që t’ i gjejmë e në çdo rast që manifestohen.[cclxxxi]
Të gjithë këta komunistë antifashistë, krerë të luftës partizane në Vlorë, komandantë dhe komisarë të çetës së partë partizane të Vlorës, heronj të luftës së Gjormit të dhjetor-janarit 1943, shpalleshin armiq të partisë, pra armiq të Stalinit. Faji i tyre ishte se nuk pranonin diktatin stalinist për spastrime ideologjike në parti. Kundër këtyre njerëzve kërkohej ashpërsia dhe urrejtja më e madhe, me synim që të eliminoheshin fizikisht, dhe në fakt shumë prej tyre u eliminuan fizikisht që në atë kohë dhe më pas gjatë luftës. Sadik Premtë shpëtoi se u arratis jashtë vendit, ndërsa shokët e tij u eliminuan, duke përfshirë dhe Anastas Lulon, pjesëmarrës i mbledhjes themeluese të PKSH. Nako Spiru, anëtar i Byrosë Politike të KQ, që nga marsi i vitit 1943, do të thoshte në Plenumin e Beratit:
Të shohim çështjen e Vlorës. I tërë terreni i Vlorës ishte i Xhepit. Edhe kur Partia mori qëndrim të caktuar kundër Xhepit dhe Anastasit terreni i Vlorës nuk u hodh në luftë me Partinë; populli ishte me Xhepin.[cclxxxii]
Përmasat e të ashtuquajturit fraksion kuptohen kur Enver Hoxha i shkruan Hysni Kapos në letrën e 3 majit 1943:
Të spastrohen nga komandat të gjithë elementët e dyshimtë dhe të zëvendësohen me besnikët e Partisë.[cclxxxiii]
Në këto rrethana, Enver Hoxha, i gjendur në situatën kur klikës po i humbte kontrolli mbi partinë, detyrohet të shkojë vetë në Vlorë. Enver Hoxha shkruan:
Në ditët e para të majit, shoku Hysni Kapo më njoftoi se gjendja në Vlorë ishte shqetësuese dhe kërkonte një të deleguar. Rrebelimi i Sadik Premtes kishte shpërthyer me tërë egërsinë e vet.... Gjendja kështu ishte e ndërlikuar e serioze, prandaj, sa mora lajmin, vendosa përnjëherë që të nesërmen të shkoja vetë në Vlorë.[cclxxxiv]
Enver Hoxha këtu qartësisht mashtron, se në ditët e para të majit ai e udhëzoi Hysni Kapon si ta kontrollonte situatën me terror, dhe kur këtij i dolën gjërat fare nga kontrolli u detyrua që dalë nga shtëpia e Esat Dishnicës dhe të shkonte në Vlorë, ku gjendja ishte ndërlikuar nga zbatimi i udhëzimeve të tij për terrorizëm:
Ato ditë në zonën e Mallakastrës ishin vrarë aksidentalisht dy veta dhe ishte plagosur një tjetër, të tre të Çetës Plakë të Vlorës. Njëri nga të vrarët (Xhemil Çakërri- shënim në libër) dhe i plagosuri (Neki Ymer Hoxha- pseudonimi «Vangjo»- shënim në libër) ishin arrestuar prej Qarkorit si fraksionistë dhe mbaheshin të izoluar derisa t’ u bëhej gjyqi.[cclxxxv]
Nisur nga udhëzimet që kishte dhënë Enver Hoxha, nuk mund të besohet se vrasjet kishin qenë aksidentale. Klika urdhëroi dhe vrasje politike, në zbatim të vendimit të konferencës për eliminimin e të ashtuquajturve trockistë. Hysni Kapo në Plenumin e Beratit do të thoshte:
Për vrasjen e Xhepit (Sadik Premte- K.M.). Kur u larguam nga Labinoti (mars 1943- K.M) Miladini e Dushani ngarkuan Mehmetin (Mehmet Shehu- K.M.) që të vriste Xhepin. Unë i pyeta por s’ më thanë kurrgjë. Kjo ishte një gabim. Sikur të më kishin thënë mua, unë kisha mundësi që ta bëja më mirë se Mehmeti këtë punë. Kjo i la fushë të lirë Xhepit për të vepruar.[cclxxxvi]
Enver Hoxha shkruan për nisjen e tij për në Vlorë:
Nga Tirana, më kujtohet, jemi nisur nga shtëpia e shokut Esat Dishnica, ku kisha nja dy- tri ditë që strehohesha dhe punoja me shokët ilegalë për punë të ndryshme propagandistike dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera që bënim në këtë qytet. Ishte aty nga mesi i majit.[cclxxxvii]
Si rrinte tek shtëpia e Esat Dishnicës kur dihej botërisht se qenë miq dhe atje qe një nga vendet e para ku fashistët do ta kërkonin Enver Hoxhën? Por tashmë kjo merret vesh. Enver Hoxha sigurisht që nuk mund të udhëtonte si partizan, por me veturë:
Të nesërmen në mëngjes u nisëm me automobil, me shokun që kishte ardhur të më lajmëronte. Ky ishte shoku Ymer Veshi, i cili bënte pjesë në organizatën e Vlorës.[cclxxxviii]
Enver Hoxha kujton për udhëtimin:
Unë kisha letërnjoftim fals, por këtyre letërnjoftimeve nuk u zihej shumë besë; besë u zinim më tepër në atë kohë naganteve dhe bombave që kishim me vete. Megjithatë, në postblloqet e ndryshme që ndodheshin gjatë rrugës Tiranë-Vlorë, kaluam pa incidente, bile në shumë prej tyre, nuk na ndaluan fare. Për herë të parë na ndalën në postbllokun e Qafës së Koshovicës. Më kujtohet se xhandari që na kërkoi letër-njoftimet, ishte një burrë me mustaqe të mëdha. Ne ia dhamë por, ndërsa me një dorë i jepnim atij letër-njoftimet, me dorën tjetër mbanim koburet e fshehura në xhepa. Ai na i pa letër-njoftimet dhe na pyeti ku shkonim.
-Shkojmë në Vlorë,- i thamë.
-Mirë,- u përgjigj ai, na hapi postbllokun e kaluam.
Tek Ura e Mifolit, po ashtu, na ndaluan karabinierët, na pyetën edhe ata se ku po shkonim. U dhamë të njëjtën përgjigje: «Shkojmë në Vlorë» dhe na lanë të kalonim. Kështu e kaluam pa ndonjë vështirësi edhe këtë pengesë. Kur erdhëm te vendi ku do të ndaleshim, në kodrat me ullishte në të hyrë të Vlorës, zbritëm nga automobili dhe filluam të ngjitnim të përpjetën për të vajtur në fshatin Hoshtimë, në shtëpinë e Mahmud Xhafës, te dajat e nënës së Ymerit.[cclxxxix]
Sekretari politik i PKSH udhëtonte kaq lehtë me veturë, duke kaluar postblloqet fashiste pa asnjë problem. E pra, krejt ndryshe u kishte ndodhur gjashtë komunistëve që u nisën nga Tirana në Vlorë në prill 1942, ndër ta edhe paraardhësi i Hysni Kapos, sekretari politik i Qarkorit të Vlorës, Sinan Gjoni. Enver Hoxha shkruan për këtë ngjarje:
aty nga mesi i prillit 1942, armiqtë kishin mundur të arrestonin në Fier shokët tanë të paharruar, punëtorët komunistë Hamdi Mëzezin, Ferid Xhajkun e Nikolla Tupen, kur po përcillnin një shok të Qarkorit të Vlorës, «Rrumbullakun» (në libër është shënimi: «pseudonimi i Sinan Gjonit»), i cili së bashku me shokun Hysni Kapo, kishte marrë pjesë në Konsultën e Parë të Aktivit të PKSH. Hysniu nuk u nis në të njëtën kohë për në Vlorë, sepse e mbajtëm në Tiranë pak ditë për punë. Rrumbullaku, pas arrestimit u internua në Itali, kurse Hamdiu, Feridi e Nikolla u sollën në Tiranë dhe aty, pas torturash cnjerëzore, u varën.[ccxc]
E gjithë kjo ishte një kurth i ngritur nga Enver Hoxha dhe Miladin Popovic për të eliminuar njerëzit e papëlqyer brenda partisë, ata që nuk pajtoheshin me fillimin e luftës civile brenda lëvizjes komuniste. Kjo kuptohet dhe nga fakti se Hysni Kapo u mbajt në Tiranë, në mënyrë që të mos binte në kurth. Hysni Kapo do të ishte beniamini i emisarëve serbë në Vlorë. Sinan Gjoni do të eliminohej pas luftës kur u kthye nga Italia, se kërkonte të zbulonte të vërtetën e asaj që i ndodhi atij dhe shokëve të tij në prill 1942. Kështu atë që nisën fashistët, e përfunduan shokët komunistë. Fashistët që Enver Hoxha ndeshi rrugës për në Vlorë në maj 1943 qenë «syleshë», jo si ata që ndeshën komunistët që bënë të njëjtën rrugë në prill 1942.
Në Vlorë Enver Hoxha u paraqit si «Usta Hasani nga Elbasani». Në 29 nëntor 1972, kur Enver Hoxha vizitoi në qytetin e Vlorës familjen e Sherif Hasanit, në shtëpinë e të cilit, në Mazhan të Vlorës, Enver Hoxha kishte qëndruar gjatë shtypjes së fraksionit, Sherif Hasani i tha:
Enver Hoxha kur shkoi në fshatrat e Vlorës u soll me dinakëri. Ai u paraqit sikur kishte ardhur nga qendra me atë që sot quhet në diplomaci «mision faktmbledhës», duke kërkuar që të gjitha palët të paraqesnin ankesat, të cilat do t’ i studionte qendra dhe do të merrte vendime, duke ndëshkuar përgjegjësit. Synimi i klikës ishte që të fitonte kohë, për të përgatitur kurthe të reja përgjakshme, siç edhe ndodhi në të vërtetë. Por Enver Hoxha nuk pati guxim të shkonte në Gjorm, në fshatin që kishte bërë luftën e famshme të para disa muajve kundër milicëve, në dhjetor 1942-janar 1943, e para luftë e vërtetë në Shqipëri nga forcat partizane, jo luftë fiktive si ajo e çlirimit të Skraparit, ku partizanët nuk patën asnjë të vrarë dhe nuk vranë asnjë armik, apo si lufta fiktive e çlirimit të Kurveleshit. Tashmë sekretari politik i PKSH nuk hynte dot në Gjorm. Enver Hoxha shkruan:
Sipas traditës orale, në Tragjas, gjatë mbledhjes, çohet Sali Ormëni dhe i thotë:
More na thuaj emrin një herë kush je ti, lere këtë «usta Hasani» se nuk e hamë ne. Si sikur po na vinë shumë nga ju, që po na shuajnë nga shelegët (qingjat)!
Në vitin 1951, Sali Ormënin, i cili atëherë ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme do ta pushkatonin me urdhër të «Usta Hasanit nga Elbasani», pikërisht në ullishtat e Elbasanit, dhe do ta shpallnin të vetëvrarë. Kështu e mori vesh mirë se kush ishte «Usta Hasani nga Elbasani»!
Fushata e ashtuquajtur për likujdimin e fraksionit në Vlorë në 1943, ishte në fakt likuidimi i polit të fortë vlonjat në kreun e së majtës shqiptare. Në historinë e së majtës shqiptare Vlora (me «Vlorë» këtu kuptoj rrethin tradicional të Vlorës, duke përjashtuar Himarën, që përbën historikisht një krahinë më vete) është «Jerusalemi», tempulli ku e ka origjinën fuqia dhe legjitimiteti. Nëse do të kërkosh datëlindjen e së majtës shqiptare do ta gjesh me krijimin e Partisë Popullore në vitin 1920, në krye të së cilës u vu një vlonjat, Qazim Kokoshi. Kjo zgjedhje nuk ishte një gjë e rastësishme. Në atë kohë dallimi e djathtë-e majtë në Shqipëri ishte në sensin e Francës revolucionare të pas vitit 1789, pra midis aristokracisë që kishte pushtetin dhe shtresave të mesme dhe të ulëta, që aspironin për barazi shoqërore. Lufta e Vlorës e vitit 1920 kundër italianëve, e cila u drejtua nga njerëzit e shtresës së mesme dhe u bë nga njerëzit e shtresës së ulët, prodhoi një forcë mikste të këtyre dy shtresave, të përbërë kryesisht nga intelektualë dhe bujq, e cila donte ndryshime shoqërore dhe që nuk pajtohej me dominimin politik dhe ekonomik të aristokracisë. Kjo forcë mikste u bë baza e së majtës shqiptare.
Kjo ka qenë arsyeja që kryetari i parë i Partisë Popullore u bë një vlonjat. E majta shqiptare e kohës kishte nevojën për Vlorën si forcë, prandaj edhe në mënyrë simbolike, në krye të partisë së parë të majtë nuk mund të ishte veçse një vlonjat. Por kjo ishte një gjë fiktive. Lidershipi i së majtës shqiptare të asaj kohe ishte i dubluar. Pas lidershipit zyrtar të Partisë Popullore qëndronte një lidership i fshehtë i bashkuar në një organizatë sekrete që u bë e njohur si «Klika» dhe që përbëhej kryesisht nga njerëz me origjinë nga Shqipëria e Jugut, por jo nga Vlora. «Klika» donte ta përdorte Vlorën si forcë, por nuk donte që në krye të Partisë Popullore të dilte një lider i fortë nga Vlora, pasi liderët e «Klikës» donin që kontrollin real të së majtës ta kishin vetë. Prandaj në krye të Partisë Popullore nuk u vu lideri më i fortë politik vlonjat i asaj kohe, një nga drejtuesit kryesorë të Luftës së Vlorës, Qazim Koculi, por një njeri apatik si Qazim Kokoshi. Shpejt edhe Qazim Kokoshi u quajt si i rrezikshëm dhe ai u largua nga drejtimi i Partisë Popullore duke u zëvendësuar nga Fan Noli, i cili më pas u zëvendësua nga Sejfi Vllamasi.
«Klika» që drejtonte efektivisht Partinë Popullore, derisa e lajkatonte shumë Vlorën nuk u jepte pushtet real njerëzve të saj, duke mos u dhënë poste të rëndësishme. Asnjë vlonjat nuk ishte në Këshillin e Naltë (kryesia kolektive e shtetit prej katër vetësh) dhe as në postet e rëndësishme në kabinetet qeveritare që ndërroheshin shpesh. Kjo ishte arsyeja që grupi më aktiv politik i Partisë Popullore nga Vlora, me në krye Qazim Koculin, në dhjetor 1921 u bashkua me një konspiracion politik për rrëzimin e qeverisë, si pasojë e të cilit erdhi në pushtet për një natë e vetmja qeveri në historinë e Shqipërisë e drejtuar nga një vlonjat pas asaj të Ismail Qemalit, qeveria e Qazim Koculit. Qazim Koculi u detyrua që të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas presionit nga «Klika» dhe ironikisht, largimi i tij i hapi rrugën e pushtetit njeriut që edhe pse kishte infiltruar tek Partia Popullore, po vinte duke u profiluar si lideri i vërtetë i së djathtës konservatore aristokratike të kohës, Ahmet Zogut.
Qazim Koculi ishte i vetmi politikan i së majtës së kohës, që i kishte të gjitha cilësitë, duke përfshirë forcën dhe energjinë, për t’ u përballur me Ahmet Zogun dhe për t’ i prirë së majtës në luftën për çrrënjosjen e feudalizmit nga politika dhe shoqëria shqiptare. Aq shumë ishte obseduar «Klika» nga rreziku i daljes së një lideri të fortë, edhe pse antifeudal, nga Vlora, saqë mënjanoi Qazim Koculin dhe ngriti në pushtet më makiavelikun e aristokratëve, Ahmet Zogun. As Ahmet Zogu nuk e pëlqente Vlorën. Në Qeverinë «Zogu», që qëndroi në pushtet nga dhjetori i vitit 1922 deri në shkurt 1924, nuk kishte asnjë vlonjat. Kështu u pa qartë se konflikti brenda së majtës kishte sjellë në pushtet më të rrezikshmin e aristokratëve, Ahmet Zogun, i cili veç të tjerash tashmë kishte marrë në dorë edhe Partinë Popullore. Edhe në këto rrethana, e majta nuk u bashkua. Nga krahu i majtë i kësaj partie u krijuan disa formacione politike, si Partia Liberale, e cila kishte në krye Fan Nolin, ndërsa në Vlorë u krijua grupi antifeudal i quajtur «pa bej e pa pashë» me në krye Qazim Koculin.
Problemet e së majtës u thelluan se të majtët vlonjatë, në vend që të bënin diçka për të ulur frikën e pjesës tjetër të së majtës nga sundimii mundshëm i tyre, bënë të kundërtën, duke kërkuar që Vlora të shpallej kryeqytet, gjë që e mbështeti dhe Fan Noli, me sa duket për t’ i bërë për vete vlonjatët. Ky ishte një gabim sepse, aq më tepër në një vend me një sistem rrugor shumë të keq siç ishte Shqipëria, kryeqyteti duhej të ishte në qendër të vendit dhe jo në skaj të tij. Kërkesa e vlonjatëve nuk mundet që mos të shihej nga pjesa tjetër e së majtës dhe nga gjithë shqiptarët, si e ardhur nga prapamendimi për dominim.
E majta u bashkua vetëm pas e vrasjes së Avni Rustemit që u varros në Vlorë, duke iu konfirmuar këtij qyteti statusi si «Jerusalemi» i së majtës, që tashmë kishte edhe «varrin e Krishtit». Me këtë rast në Vlorë shkuan të gjithë deputetët e opozitës antizogiste dhe në fjalimet mbi varrin e Avni Rustemit u elaborua idea e së majtës shqiptare të kohës që kishte si pikënisje apelin për kryengritje për t’ u marrë pushtetin feudalëve. Nga Vlora filloi Revolucioni i vitit 1924, që e çoi të majtën në pushtet në Tiranë, në qershor 1924.
Por nga revolucioni doli një qeveri e dobët, me në krye Fan Nolin, i cili kishte cilësitë e ideologut, por jo të shtetarit me dorë të fortë, që e kërkonte koha. Njeriu i fortë i Vlorës, Qazim Koculi, hyri në qeveri në postin e dorës së dytë të ministrit të punëve botore dhe të bujqësisë. Në rrethanat e kaosit të pashpresë në të cilin gjendej vendi, të apatisë së qeverisë së Nolit dhe të rrezikut të revanshit të Zogut, pjesa radikale e së majtës kërkonte që në krye të qeverisë dhe të shtetit të vinte Qazim Koculi, si kreu i një diktature jakobine. Por frika nga lideri i fortë vlonjat bëri që pushteti revolucionar të parapëlqente vdekjen e paralajmëruar nga intervencioni i Ahmet Zogut, se shpëtimin nga dora e fortë e Qazim Koculit. Qazim Koculi do ta mbyllte karrierën e vet tragjike si një i majtë antifashist në vitin 1943, kur edhe pse ishte një funksionar i lartë i qeverisë së Mustafa Krujës, ai u pushkatua nga milicia, i akuzuar se kishte ndihmuar komunistët.
Komunizmi shqiptar, që nga koha e rritjes së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati me Vlorën po atë raport të komplikuar si e majta e viteve ’20. Ata që krijuan PKSH-në në 1941, kishin shumë shpresa tek Vlora, për shkak të traditës së saj të majtë, për ta përdorur si forcë të komunizmit shqiptar dhe të lëvizjes partizane, por megjithatë në Komitetin Qendror të parë të PKSH, të përbërë prej shtatë vetësh, nuk kishte asnjë vlonjat. E pra atje kishte deri edhe një minoritar maqedon, Kristo Themelko. Klika në krye të PKSH e shihte Vlorën si një forcë të së majtës dhe e lajakatoi shumë atë, por u kujdes që në krye të PKSH mos të dilte një lider i fortë nga Vlora. Pas krijimit të PKSH dhe fillimit të lëvizjes partizane, si lider i fortë komunist nga Vlora ishte duke u profiluar Sadik Premte, i cili u shqua si komandanti i së parës çetë partizane në rrethin e Vlorës dhe heroi i Luftës së Gjormit në dhjetor1942-janar 1943.
Sadik Premte, edhe pse ishte përjashtuar nga lidershipi i PKSH për shkak të formulës së kompromisit që u zbatua në mbledhjen themeluese, sipas së cilës nuk u zgjodhën në Komitetin Qendror krerët e ish-grupeve komuniste, përsëri po imponohej si lider me forcën dhe energjinë e tij dhe rruga e tij për në lidership mbetej gjithsesi e hapur pasi ai e pa se formula e nëntorit 1941 u cënua në Konferencën I të PKSH, në mars 1943, kur Vasil Shanto, një nga ish-krerët e grupeve, u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror. Ndërsa nga Vlora në Komitetin Qendror u zgjodh Hysni Kapo, i cili nuk i kishte cilësitë e një lideri të fortë dhe energjik dhe ishte më tepër një burokrat partiak pa një protagonizëm të theksuar politik. Kjo ishte një zgjedhje sipas modelit «Qazim Kokoshi», pra e një lideri të dobët për një zonë të fortë. Hysni Kapo ishte pikërisht njeriu që i duhej Enver Hoxhës për ta patur në krah si lider që përfaqësonte Vlorën dhe për të cilin ishte i sigurt se nuk do ta përdorte forcën e Vlorës për të dalë në krye të PKSH. Ndërsa Sadik Premte ishte si të thuash «Qazim Koculi» i PKSH. Në Konferencën I të Vendit të PKSH, që u mbajt në Labinot në mars 1943, ku u zgjodh për herë të parë Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKSH, si forumi më i lartë drejtues i kësaj partie, nga të gjashtë anëtarët e saj, asnjëri nuk qe vlonjat, edhe pse Vlora tashmë shihej si bastioni kryesor i lëvizjes komuniste dhe partizane.
Kur e pa se u shkel në dëm të tij kompromisi i nëntorit 1941, Sadik Premte duket se dyshoi që formula ishte sajuar për të përjashtuar nga lidershipi i PKSH në 1941, atë njeriun e fortë të Vlorës, që ishte një nga krerët e Grupit të Të Rinjve. Atëhere Sadik Premte u rebelua kundër klikës në krye të PKSH, në atë që në historiografinë zyrtare komuniste quhet fraksioni i Vlorës. Premte arriti që të bënte për vete pjesën më të madhe të komunistëve aktivë të Vlorës dhe Çetën Plakë të Vlorës, duke u thënë se Vlora kishte një përfaqësim fiktiv në lidershipin e PKSH dhe se Vlorën po kërkonin që ta përdornin, duke mos i dhënë atë që e meritonte.
Me asgjësimin e lëvizjes së Premtes mori fund tentativa e fundit serioze e Vlorës për të siguruar një përfaqësim meritor në lidershipin komunist dhe të së majtës në përgjithësi, deri në ditët tona. Enver Hoxha, në ditët kur qëndroi në zonën e Vlorës për të eliminuar “fraksionin” piketoi ndër njerëzit që e ndihmuan për ta bërë këtë, disa vetë pa staturë lideri të fortë, si Hysni Kapo, Manush Myftiu, Rrapo Dervishi, të cilët do t’ i ngrinte në hierarkinë e pushtetit komunist, për t’ i pasur si përfaqësues të parrezikshëm të Vlorës. Përjashtim bënte Kadri Hazbiu, karriera e të cilit gjithsesi vërteton këtë tezë për arsye që do t’ i shpjegoj më tutje në këtë libër.
Lufta për likuidimin e të ashtuquajturit fraksion të Vlorës do të vazhdonte në gusht 1943, kur u vra Neki Ymeri («Vangjo»), komandant i së parës çetë partizane të Vlorës dhe shoku i tij Xhaferr Dalani. Në spastrimet e gushtit 1943, ku luftonin partizanët kundër partizanëve, stalinistët kundër trockistëve, u vranë dy partizanë të krahut stalinist, Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit) dhe Sadik Zoto. Në një trakt të Komitetit Qarkor të PKSH për Vlorën, të gushtit 1943, me titull «Dy shokë bien në luftë kundër tradhëtarëve», thuhet në lidhje me këtë ngjarje:
Sadiku dhe Shyqyriu u vranë. U vranë duke përmbushur detyrën e tyre të shenjtë-luftë kundër zaptuesit-luftë kundër tradhëtarëve... Tradhëtarët u qëlluan. Neki Ymeri dhe Xhafer Dalani u shtrinë përdhe si kërmë... Shokët tanë trima partizanë, pasi e mbaruan me sukses këtë detyrë, u larguan plot gëzim.[ccxciii]
Neki Ymeri, komandanti i së parës çetë të Vlorës, u vra si kërmë se kishte bërë fajin e vetëm që si komunist nuk e pranonte stalinizmin brutal. Dhe ish-shokët e tij partizanë që ranë duke luftuar kundër ish-komandantit të tyre, ranë për idealin e lartë të mustaqeve ideologjike të Stalinit. Në tekstin e traktit të bën përshtypje cinizmi kur thuhet se partizanët u larguan me gëzim pasi e bënë detyrën. Dhe detyra nuk ishte të vrisnin pushtuesit, por shokët e tyre, edhe pse ishin betuar se do të bashkoheshin pa dallim ideje në luftë, dhe se konfliktet për ide do t’ i linin për pas lufte.
Në këtë luftë civile brenda radhëve të PKSH, që u zhvillua në Vlorë, u përdorën reparte partizane të sjella nga krahina të tjera, të cilat u përdorën për të bërë presion mbi repartet partizane të Vlorës, që ishin nën kontrollin e fraksionistëve. Në të vërtetë, në maj-qershor 1943, kur u shtyp fraksioni i Vlorës, repartet partizane formalisht ishin nën urdhrat e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, të dalë nga Konferenca e Pezës, e shtatorit 1942, dhe duhej t’ i bindeshin programit të frontit që kërkonte të pezulloheshin luftrat ideologjike për hir të luftës kundër pushtuesit fashist. Kështu duhet të ishte në letër. Në këtë luftë civile brenda PKSH, udhëheqja staliniste u kultivoi anëtarëve të partisë dhe partizanëve një ethos kriminal, për të cilin Sejfulla Malëshova do të deklaronte në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944:
Unë jam çuditur kur kam dëgjuar të thuhet se sa më brutal e terrorist të jetë një njeri, aq më komunist është, d.m.th. i masim shokët nga brutaliteti dhe kriminaliteti. Ky është një kriter i gabuar. Kështu në Partinë tonë po duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh. Këto janë shenja sigurisht. Kështu që shumë herë nuk di të dallosh ku është puna politike dhe ku është krimi.[ccxciv]
Sejfulla Malëshova do të vinte në Shqipëri vetëm në qershor 1943, kur pjesa më e madhe e luftës civile në PKSH, tashmë po përfundonte. Partia tashmë ishte kthyer në një organizatë vrasësish ideologjikë, që duke përfunduar spastrimin në radhët e veta, po bëhej gati të spastronte kundërshtarët politikë jokomunistë në krejt shoqërinë shqiptare.
Në këtë tragjedi kishte dhe skena të një komiciteti të zi, që zbulonin më qartë se sa fals ishte roli i komunistit ortodoks që po luante tash Enver Hoxha. Ai gjatë fushatës kundër fraksionistëve shkoi dhe në Teqen e Çorrushit të takohej me Mehmet Shehun, leitnantin e tij në Mallakastër, dhe kaloi natën në teqe me sheh Ismailin, babain e Mehmet Shehut. Enver Hoxha rrëfen:
Pasi bëmë edhe ca muhabet aty përjashta, Shehu më ftoi të hynim në shtëpi.
-Hyjmë brenda,- tha,- se gratë do të na e kenë përgatitur darkën.
-Shkojmë,- iu përgjigja,- ndoshta tashti mund të vijë edhe Mehmeti.
-Kur nuk erdhi deri tashti, si zor të vijë sonte,- tha ai.
-Mirë, o sheh, po unë do të fle këtu.
Enver Hoxha, i biri i mullait, kishte ardhur në teqe të takonte të birin e shehut, me të cilin luftonin për të sjellë komunizmin në Shqipëri. Mjedisi i sheh Ismailit dhe i mulla Halilit ishte praktikisht ai mesjetar islamik osman, dhe ishte aq larg sa ç’ mund të imagjinohet mjedisit modern në të cilin ishte llogaritur nga doktrinarët e komunizmit të lindnin komunistët. Bijtë e mulla Halilit dhe të sheh Ismailit po bënin një kapërcim artificial nga mesjeta në botën moderne. Ata nuk mund të bënin gjë tjetër veçse mesjetën osmane ku kishin lindur ta riciklonin ashtu siç thyhej në prizmin e ideologjive moderne. E gjithë në fakt nuk ishte veçse një lojë që bën brezi i ri i familjeve të mullahëve dhe shehëve për të gjetur siguri të reja në një botë ku qenë shkatërruar siguritë tradicionale të familjeve të tyre, pra për të gjetur një fe të re dhe që ofronte mundësi për sinekura. Loja me zare që Enver Hoxha bën atë natë me sheh Ismailin është diçka simbolike:
Atë natë nënë Sulltana na kishte bërë një darkë të mirë. Pasi hëngrëm, shehu më tha:
-Nuk kalohet nata, o djalë, di të hedhësh zare ti?
-Zare? Nuk di zare unë,- iu përgjigja.
-Hajde o, se t’ i mësoj unë,- më tha ai,- se mos është ndonjë punë e madhe.
-Në të vërtetë,- i thashë,- unë diçka di nga loja me zare, se kam parë kur luante plaku im tavllë.
-Jo mor jo me tavllë, se s’ kam tavllë këtu unë,- tha shehu, por kam një kartë dhe atje do t’ i hedhim zaret.
-Hajde,- i thashë unë,- i hedhim, pa punë e madhe.
-Ta hedh unë i pari,- tha ai,- dhe filloi.
Hidh ai e hidh unë, hidh ai e hidh unë, e u bënë kështu nja 20 herë që i kishim hedhur. Në këtë kohë shehu më tha:
Zaret hidhen dhe fiton brezi i ri, pasardhës i klerikëve islamikë, i cili vendos të ndërtojë një fe të re që ofron sinekura të reja. Enver Hoxha dukej se ishte një mysafir nga qyteti që vjen në fshat dhe jo një partizan. Ai ha dhe pi mirë në teqe dhe fle në një shtrat të mirë. Këtu nuk ka asgjë prej jete partizane.
Enver Hoxha më pas do ta quante Mehmet Shehun agjent të italianëve, përveç të tjerash. Në rast se do të kishte qenë kështu, përse nuk e vrau Mehmet Shehu Enver Hoxhën atë kohë në Çorrush, ose kur e përcolli nga fshati i vet për në Skrapar, siç tregon Enver Hoxha:
Të nesërmen në mëngjes u largova nga Çorrushi. Më përcollën Mehmeti, shehu e nënë Sulltana, u puthëm e u përqafuam me ta. Më shoqëronin një udhërrëfyes dhe 3-4 partizanë që kishte zgjedhur Mehmeti... Do të kaloja nëpër Skrapar dhe prej andej do të shkoja në Korçë. Bëmë shumë rrugë. Kur arritëm te një teqe, qëndruam aty për të kaluar natën. Të nesërmen dolëm në xhade mbi Paraspuar, zbritëm poshtë dhe ndoqëm rrugën derisa arritëm në fshatin Vërzhezhë, te Pasho Hysi.[ccxcvii]
Ose Mehmet Shehu nuk ishte agjent i italianëve, ose ata që të dy qenë agjentë të italianëve! Enver Hoxha nuk e kalonte kurrë natën jashtë në mal, në shpella, si Tito, por gjithnjë gjente vende komode, si teqet, ku hahej e pihej mirë. Enver Hoxha nuk e thotë përse shkoi në Skrapar, por atej ishte çuar për t’ u pushkatuar Anastas Lula., një ngjarje që kishte shkatuar konfuzion të komunistët dhe partizanët e atjeshëm. Nga Skrapari Enver Hoxha shkoi në Korçë, gjithnjë duke u marrë me çështjen e fraksionit.
I shoqëruar nga disa partizanë e bashkë me korrierin, morrëm rrugën për në Korçë. Udhëtuam në kodra e male derisa arritëm në Mazrekë. Atje kishin dalë shokët e Korçës të më prisnin: komandant Teki Kolaneci, Zalo Zvarishti, Agush Gjergjevica, Hasan Moglica, Asllan Gura edhe shokë të tjerë. Pasi u përqafuam e u përshëndetëm, morëm rrugën drejt për në Lavdar, sepse kisha lajmëruar që atje të mblidheshin shokët e Qarkorit dhe komandantë të çetave, pasi do t’ u flisja për situatën politike, për gjendjen e ushtrisë sonë, për luftën dhe veçanërisht për fraksionin e Sadik Premtes e masat që mori Partia për shkatërrimin e tij. Në Lavdar arritëm në mbrëmje.[ccxcviii]
Në Qarkun e Korçës kishte pasur influencë Anastas Lula, që ishte nga Kolonja, por edhe Pali Tërova, bashkëpunëtori i ngushtë i Sadik Premtes, i cili ishte nga Korça, ku do të vritej në pritë, fill pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet.
Më tutje Enver Hoxha shkruan:
Prej aty kaluam në zona të tjera të Korçës e, pasi u ndava me Tekiun e me Asllanin, u hodha në Kucakë, ku qëndrova disa ditë. Më vonë kalova në Mokër dhe aty nga fundi i qershorit 1943, mbërrita në Labinot të Elbasanit.[ccxcix]
Lufta kundër okupatorëve italianë, e shpallur në letër si objektivi i parë, ishte në realitet objektivi i fundit. Në rend të ditës ishte lufta brenda llojit.
[vi] Enver Hoxha: Vepra, vol. 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 379
[viii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 128
[ix] «Kujtime për Enverin», Vol. 1, f. 394
[x] Enver Hoxha: Vepra, vol. 9, Tiranë 1972, f. 86
[xiii] Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë», Botim i Komiteti Qendror të PPSH, Tiranë 1952, f. 67
[xv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit të Shtetit, Tiranë 1996, f. 315
[xvi] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 129
[xix] po atje: f. 32
[xxxvii] po atje: f. 30
[xlii]po atje: f. 87
[xlviii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 56-57
[li]«Partizanët tregojnë», Botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, f. 16
[liii] «Partizanët tregojnë», f. 16
[lxi]po atje: f. 144
[lxvi] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje”, “Dituria”, Tiranë 1996., f. 32
[lxxii]Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 115
[lxxv] po atje: f. 122
[lxxvii]Enver Hoxha «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 166- 215
[lxxviii] po atje: f. 167
[lxxix] Haxhi Lleshi, «Vite, njerëz, ngjarje», f. 42
[lxxxi] Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Botimet «Koçi», Tiranë 2006, f. 145
[lxxxii]po atje: f. 149
[lxxxiii]Haxhi Lleshi, «Vite, njerëz, ngjarje», f. 67
[lxxxiv] po atje: f. 68
[lxxxv]Julian Amery: «Bijtë e shqipes», f. 66
[lxxxvi]Enver Hoxha: «Titistët», f. 548
[lxxxvii]Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 371
[lxxxviii]po atje: f. 371
[xc] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 124
[xciv] po atje: f. 160- 161
[xcv] «Kujtime për Enverin», Vol. 1, f. 395
[xcvi]Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 161- 162
[xcvii] «Dokumente kryesore të PPSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 7
[ci]Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 162
[cvi] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 173
[cvii] «Dokumente kryesore të PPSH», Vol. 1, Tiranë 1960, f. 23
[cviii]po atje: f. 23
[cx] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste Shqiptare», f. 120
[cxi] «Dokumente kryesore të PPSH», Vol. 1, Tiranë 1960, f. 19
[cxiv] po atje: f. 103
[cxix] po atje: f. 49
[cxxii] «Dokumente kryesore të PPSH», Volumi 1, Tiranë 1960, f. 18
[cxxiii] po atje: f. 471
[cxxvi]Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 220
[cxxvii] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, f. 27
[cxxix]po atje: f. 103
[cxxxii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 229
[cxxxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 1, Tiranë 1983, f. 616
[cxxxix] Enver Hoxha: «Titistët», f. 73- 74- 75
[cxli] po atje: f. 96
[cxlvi] po atje: f. 129
[clv] po atje: f. 187
[clvi]Todi Lubonja: «Nën peshën e dhunës», Botime «Progresi», Tiranë 1993, f. 118
[clvii]Petro Marko: «Intervistë me vetveten», «OMSCA», Tirane 2000, f. 441
[clviii]«Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane- 1878-1881», Instituti i Historisë, Tiranë 1978, f. 145
[clix]po atje: f. 149
[clx]«Epika Historike», Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, Tirane 1981, Vol. II. f. 146
[clxii]po atje: f. 525
[clxvii] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste Shqiptare», f. 64
[clxviii] po atje: f. 69
[clxxiii] po atje: f. 64
[clxxiv] po atje: f. 66
[clxxxiv]po atje: f. 411
[clxxxv] «Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare». Përmbledhje dokumentesh, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, f. 21
[clxxxvi] Nasho Jorgaqi: «Qemal Stafa», Tiranë 1970, f. 255-256
[cxcii]Nasho Jorgaqi: «Qemal Stafa», Tiranë 1970, f. 262-263
[cxcviii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 322
[cciii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 63
[ccv] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 66
[ccvi] po atje: f. 66
[ccix] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 55
[ccx] po atje: f. 61- 62
[ccxi]Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 104
[ccxiv] «Kujtime për Enverin», Vol. 1, f. 395
[ccxviii] Myslim Peza: «Kur dhashë besën», f. 139
[ccxix] Haxhi Lleshi, «Vite, njerëz, ngjarje», f. 132
[ccxxi] «Dokumenta të organeve të larta të pushtetit revolucionar, nacional-çlirimtar», Instituti i Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1962, f. 12
[ccxxii]po atje: f. 13
[ccxxiii]po atje: f. 17
[ccxxvi]«Historia e PPSH», Tiranë 1981, f. 95
[ccxxviii] Myslim Peza: «Kur dhashë besën», kujtime, f. 68
[ccxxix] Haxhi Lleshi, «Vite, njerëz, ngjarje», f. 27
[ccxxx] po atje: f. 41
[ccxxxi] po atje: f. 41
[ccxxxii]po atje: f. 41
[ccxxxvi] po atje: f. 177
[ccxxxix]Enver Hoxha: Vepra, Vol. 1, Tiranë 1983, f. 131- 132
[ccxlv] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 332- 333
[ccxlvii]po atje: f. 24
[ccliii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 86
[ccliv] po atje: f. 75
[cclv] po atje: f. 87
[cclxix] po atje: f. 119
[cclxxi] po atje: f. 67
[cclxxv] David Smiley: «Me mision në Shqipëri», «Shtëpia botuese enciklopedike», Tiranë 1993, f. 40
[cclxxvi] po atje: f. 42
[cclxxvii] po atje: f. 48- 49
[cclxxviii] po atje: f. 69
[cclxxix] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste Shqiptare», f. 70
[cclxxxiii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 1, Tiranë 1968, f. 276
[cclxxxv] po atje: f. 410
[ccxc]po atje: f. 305- 306
[ccxciii] «Thirrje dhe trakte të PKSH», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1962, f. 268
[ccxcvi] po atje: f. 427





