PJESA E NËNTË - LA DROLE DU GUERRE SHQIPTARO-SOVJETIKE




1.
Komediani në skenën më të madhe të jetës së vet: «skerco putanash»

      Mbledhja e 81 partive komuniste dhe punëtore të botës, e mbajtur në Moskë, në nëntor 1960, ze një vend qendror në mitologjinë e krijuar nga propaganda e regjimit për figurën e Enver Hoxhës, dhe nga vetë ky i fundit për vetveten. Ismail Kadare në poemën “Vitet gjashtëdhjetë” (1969) do t’ a përshkruante udhëtimin e Hoxhës në Moskë, në terma divine:
Një avion fluturonte në qiellin dimëror sipër maleve,
Drejt verilindjes. Drejt verilindjes.
Re
    Re
        Re
 Shoku Enver Hoxha mbështetur te dritarja
Vështronte peizazhin e gjerë mbi dhe…

Ai nuk i hiqte sytë nga xhamat.
Re të zeza kudo: elektricitet, rreshje.
Horizonte të zymta.
Heshta vetëtimash.
Thyer aty-këtu si pas një përleshje.

Po shkonte drejt luftës.
Retë që nxinin
Në horizonte sajonin kështjella,
                                              Llogore.
Avioni fluturonte nëpër barkun e qiellit.
Mes shkretëtirës dimërore.[i]
      Hoxha përshkruhet si Zeusi që shkon të marrë pjesë në një përleshje zotash. Hrushovi e thirri mbledhjen e Moskës të partive komuniste e punëtore të botës, për të korrigjuar koncesionet ideologjike që i kishte bërë Mao Ce Dunit në 1957, të cilat tashmë nuk i konsideronte më të nevojshme. Hrushovi nuk ishte i interesuar as për ta bërë Hoxhën që të ndryshonte qëndrim, çka kuptohet nga fakti se dy ditë para fillimit të mbledhjes, në 8 nëntor delegacionit shqiptar iu dorëzua kopja e letrës që KQ i PK të Bashkimit Sovjetik i dërgonte KQ të PK të Kinës. Hoxhës i dogji një paragraf ai akuzohej për kult të individit. Ai e veçon paragrafin, duke e komentuar në raportin që ai mbajti në Plenumin XXI të KQ, në 19 dhjetor 1960, për Mbledhjen e Moskës:
      «Duke pretenduar se në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që pas kritikës kundër «kultit të individit», çështjet gjoja zgjidhen sipas rregullave të centralizmit demokratik, në letër thuhej: «Por për fat të keq ka dhe shembuj të tjerë. Ne mund të biem një shembull të tillë të freskët siç është zgjidhja e çështjeve të tilla nga shokët shqiptarë. Në shtator të këtij viti ata përjashtuan nga Komiteti Qendror dhe shkarkuan nga posti i sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, shoqen Liri Belishova, ndërsa shokun Koço Tashko e shkarkuan nga posti i kryetarit të Komisionit Qendror të Revizionimit të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e përjashtuan nga Partia. Dhe për çfarë? Vetëm se këta shokë shprehën mendimet e tyre se është e palejueshme të shahet Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ne shprehim dyshime, se mund të ketë një mbarim të keq për të gjithë ata njerëz, ’faji’ i të cilëve qëndron vetëm në atë, se ata janë miqtë e Bashkimit Sovjetik, kuptojnë në mënyrë të drejtë situatën dhe shprehin simpatinë e tyre ndaj popullit sovjetik, ndaj Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik».[ii]
      Por ka dhe dy fakte të tjera që të japin të kuptosh se Hrushovi nuk kishte më interes të përpiqej të bënte për vete Hoxhën, dhe që zbulohen nga biseda që Hoxha bën me Yuri Andropov (pasardhësin e Brezhnjev), pikërisht në 8 nëntor:
       SHOKU ENVER HOXHA: Sot më lajmëruan se Hrushovi ka shfaqur dëshirën të takohet me mua nesër në orën 11. Unë kisha vendosur t’ i përgjigjesha pozitivisht kësaj kërkese, por sot lexova materialin sovjetik, në të cilin Shqipëria nuk figuron si vend socialist.
J. ANDROPOVI: Çfarë materiali është ky, nuk po ju kuptoj, tregomëni konkretisht cilin material keni parasysh, ku është thënë kjo?!
SHOKU ENVER HOXHA: Ky është materiali i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik drejtuar Partisë Komuniste të Kinës.[iii]
      Takimi me Hrushovin për të cilin flet Hoxha ishte takimi rutinë i kortezisë në të cilin Hrushovi priste të gjithë udhëheqësit e huaj komunistë, të ardhur në Moskë për mbledhjen. Fakti që materiali sovjetik u shpërnda një ditë para takimit të Hoxhës me Hrushovin do të thotë se sovjetikët donin që takimi të mos bëhej. Fakti që në materialin sovjetik Shqipëria nuk figuron kur përmenden vendet socialiste tregon se sovjetikët po u thoshin kinezëve se ata kot shpresonin që të fitonin ndonjë gjë duke e përdorur Hoxhën si zëdhënës të tyre, me anë të së cilit do të akuzonin udhëheqjen sovjetike për cenim të ortodoksisë ideologjike se Shqipëria e prapambetur agrare nuk duhej llogaritur si vend socialist dhe as partia e saj si parti komuniste.
      Mbledhja e madhe e komunizmit ndërkombëtar filloi në 10 nëntor në sallën «Georgievskij», në Kremlin. Mbledhja i zhvilloi punimet me dyer të mbyllura dhe debatet që ndodhën gjatë saj nuk u përcollën nga media. Hoxha shkruan në kujtimet për qëndrimin e Hrushovit në mbledhje:
       Hrushovi në fjalimin e tij i shprehu plotësisht pikëpamjet revizioniste dhe sulmoi Partinë Komuniste të Kinës dhe Partinë e Punës të Shqipërisë, si dhe ato që do të pasonin këto parti, por pa përmendur asnjë emër. Me këtë taktikë në fjalimin e tij donte të na paralajmëronte: «Zgjidhni e merrni, ose sulme në përgjithësi, pa adresë, por që të gjithë e dinë se për kë janë, ose, po s’ ju pëlqeu kështu, ju sulmojmë edhe hapur».[iv]
      Në të vërtetë për Hrushovin nuk kishte rëndësi debati. Objektivi i tij ishte deklarata zyrtare që do të dilte nga mbledhja dhe që do të bëhej publike. Hrushovi ishte i vendosur që deklarata të formulohej krejtësisht sipas pikëpamjes sovjetike pa u bërë asnjë koncesion kinezëve. Në rast se kinezët, dhe bashkë me ta edhe shqiptarët, nuk e firmonin deklaratën që do të firmohej nga pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, atëherë Hrushovi fitonte të drejtën t’ i quante kinezët dhe shqiptarët si deviacionistë. Hoxha pretendon në kujtimet se:
       Ndërsa mbledhja vazhdonte, sovjetikët dhe Hrushovi i trembeshin shumë fjalës sonë dhe donin me çdo kusht të na bindnin që, në mos të hiqnin dorë nga mendimet tona, të paktën të zbutnim qëndrimin.[v]
      Qëndrimi i Hrushovit në ditët para fillimit të mbledhjes dëshmon të kundërtën. Hrushovi e kishte të qartë se të gjithë në mbledhje do ta shihnin fjalimin e Hoxhës si fjalim të Mao Ce Dunit by proxy. Prandaj Hrushovit i konvenonte që zëdhënëse e partisë kineze të bëhej ajo shqiptare, partia e një vendi agrar dhe të prapambetur, e cila nuk mund të quhej komuniste. Kështu kinezët do të bëheshin qesharakë në mbledhje. Në takimet që Hoxha pati me udhëheqësit sovjetikë, në ditët para se të mbante fjalimin e tij në mbledhje, jo vetëm që sovjetikët nuk duken të impenjuar për të ndryshuar qëndrimin e Hoxhës, madje është ky që ankohet për hapat e sovjetikëve në drejtim të prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë. Në 10 nëntor delegacioni shqiptar i kryesuar nga Hoxha takohet me delegacionin sovjetik të përbërë nga Mikojan, Kozllov, Susllov, Pospjellov, Andropov. Gjatë bisedës u shkëmbyen këto fjalë:
       SHOKU ENVER HOXHA: E dini se ne na kanë kërcënuar të na përjashtojnë nga Traktati i Varshavës? Këtë e ka bërë Greçko.
A. MIKOJANI: Ne s’ dimë gjë, na e thoni.
SHOKU ENVER HOXHA: Do t’ jua themi dhe me forcë, se është çështje parimore. Dy mareshalët tuaj, Malinovski dhe Greçko e kanë thënë një gjë të tillë. Ju duhet ta dini.
SHOKU HYSNI KAPO: Në datën 22 tetor unë ia kam thënë këtë Poljanskit.
A. MIKOJANI: Ju mund të mos më besoni, por unë nuk e di.[vi]
      Mareshali Greçko ishte Komandant i Përgjithshëm i Traktatit të Varshavës, ndërsa Mareshali Malinovski ishte ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik. Këta njerëz nuk mund të lëshonin fjalë të tilla kot. Ishte e qartë se sovjetikët kishin vendosur ta braktisnin Shqipërinë. Ashtu siç ishte e qartë se Hoxha nuk donte që Shqipëria të largohej nga Traktati i Varshavës. Sovjetikët e dinin se Hoxha do të informonte kinezët për gjithçka që thuhej në këto bisedime, prandaj ata u treguan agresivë në bisedimet me shqiptarët duke u dhënë të kuptonin qartë kinezëve se nuk qenë të prirur për kompromis. Në fund të bisedës së 10 nëntorit Hoxha i thotë Susllovit:
       Do t’ ju jap një këshillë: hiqeni nga mendja se ne jemi gjaknxehtë. Kur është fjala për të mbrojtur marksizëm-leninizmin dhe interesat e popullit tonë, ne do t’ i mbrojmë ato me zjarr.[vii]
      Kështu, interesat e popullit shqiptar vinin të dytat në radhë pas marksizëm-leninizmit. Dy ditë më pas Hoxha do të takohej me Hrushovin. Një fragment i bisedës është mjaft instruktiv për të treguar atë që po ndodhte me marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike:
     SHOKU ENVER HOXHA: Lidhur me çështjen e ushtarakëve, ne u kemi folur shokëve tuaj. Ç’ interes kemi ne që ushtarakët tanë të grinden në bazën e Vlorës! Kurse ju nxirrni «dokumente» se një shoku ynë paska thënë kështu e ashtu. Shikojini mirë ushtarakët tuaj. Unë i thashë Mikojanit se kundëradmirali juaj në bazën ushtarake në Vlorë nuk është kundëradmiral.
N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t’ jua falë.
N. S. HRUSHOVI: Shoku Enver, mos e ngrini zërin!
SHOKU ENVER HOXHA: Nëse do të hiqni bazën, do të bëni një gabim të madh. Ne kemi luftuar edhe pa bukë e të zbathur, por asnjëherë nuk i jemi përkulur askujt.[viii]
      Ishte e qartë se Bashkimi Sovjetik kishte vendosur të tërhiqej nga baza e Vlorës. Kjo do të thoshte se ai kishte vendosur të tërhiqej dhe nga Shqipëria. Reagimi i Hoxhës është shumë domethënës. Kolaboracionisti i pushtuesve sovjetikë u ankohej këtyre se po e braktisnin Shqipërinë! Ata që Hoxha i kishte quajtur kolaboracionistë të pushtuesve fashiste nuk kishin bërë kurrë diçka të ngjashme. Reagimi i mësipërm i Hoxhës përgënjeshtron atë që ai shkruan në kujtimet e veta për atë që ka dëgjuar nga bisedat midis Hrushovit dhe ministrit sovjetik të mbrojtjes, mareshalit Malinovski, gjatë vizitës që këta bënë në Shqipëri, në 1959:
         Pas nja dy ditësh po të njëjtën gjë do ta përsëritnin në Vlorë. Kishin dalë në verandën e vilës tek Uji i Ftohtë.
-E mrekullueshme, e mrekullueshme!-thirri Hrushovi dhe u drejtua nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peizazhin vërtet mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë:
-Çfarë gjiri i sigurt rrëzë këtyre maleve!-thanë. –Që këtu me një flotë të fuqishme ne kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e gjer në Gjibraltar! Mund të bëjmë zap këdo.
Mu drodh mishi kur i dëgjoja të flitnin kështu si zotër të deteve, të vendeve, të popujve. Jo, Nikita Hrushov, thashë me vete, kurrë s’ do të lejojmë që nga toka jonë të nisë robëria dhe gjakderdhja e vendeve të tjerë. Kurrë s’ do t’ kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Vlorën, asnjë gisht të tokës shqiptare.[ix]
        Vetëm një komedian si Hoxha mund të kishte paturpësinë që t’ i shkruante këto gjëra dhe t’ ua shiste vendeve mesdhetare për të vërteta, kur sipas dokumenteve të botuara nga ai vetë dhe të cituara më lart, Hoxha ka folur ndryshe.  
      Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike mund të konsideroheshin të vdekura pas takimit të Hoxhës me Hrushovin në 12 nëntor. Megjithatë Hoxha qëndroi në Moskë për të bërë ritualin ideologjik, në mbledhjen që vazhdonte, një gjë absurde sa nuk kishte ku të shkonte kjo, derisa tashmë sovjetikët e kishin bërë të qartë prishjen në rrafsh gjeopolitik mes dy vendeve. Në 14 nëntor do të ishte radha e kinezëve që të mbanin fjalimin e tyre në mbledhje. Por fjalimi kinez do të ishte i përmbajtur në terma. Duket se kjo ndodhte se pritej që kinezët të mbanin edhe një fjalim tjetër, by proxy, me anë të Hoxhës. Ky i fundit do ta mbante fjalimin e vet në 16 nëntor. Komediani ishte ngjitur në skenën më të madhe të jetës së vet, për të bërë rolin më të madh të jetës së tij. Ky fjalim i Hoxhës, mund të përcakohet me komentin që ai shkruan në ditar në 13 korrik 1966 për qëndrimet e udhëheqjes rumune ndaj sovjetikëve:
       Fjalët e rumunëve janë skerco putanash.[x]
      Hoxha në mbledhjen e Moskës do të bënte pikërisht skerco putanash. Ai në fjalim përgënjeshtroi ato që kishte thënë që prej Kongresit III të PPSH, ndërsa duke firmuar deklaratën përfundimtare të mbledhjes së Moskës, do të përgënjeshtronte fjalimin e vet në këtë mbledhje! Mao Ce Dun kishte thënë në 17 nëntor 1957, në një bisedë me studentët kinezë në Moskë:
       Ajo, që ka me të vërtetë rëndësi në botë, është qëndrimi serioz, dhe pikërisht këtij qëndrimi Partia Komuniste i kushton vëmendjen më të madhe.[xi]
      Mao Ce Dun nuk kishte gjetur aspak një njeri serioz për të folur për llogari të tij në forumin më të madh të komunizmit ndërkombëtar. Por kishte një aspekt tjetër joserioz në qëndrimin e Hoxhës në mbledhjen e Moskës. Fjalimi i Hoxhës u publikua vetëm pas dhjetë vjetësh. Në 1970 në broshurën e Hoxhës “Fjala e mbajtur në emër të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në Moskë në nëntor 1960”, jepet ky sqarim që në fillim:
       Fjala e mbajtur nga shoku Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në nëtor 1960 është botuar për herë të parë në vëllimin III të Dokumentave Kryesore të PPSH, që u vu në qarkullim në qershor të vitit 1970… Ky fjalim në atë kohë nuk u botua sepse PPSH nuk donte të bëhej shkaktare që mosmarrëveshjet të dilnin jashtë lëvizjes komuniste ndërkombëtare.[xii]
      Kjo është tepër e çuditshme. Duke filluar që nga një vit pas mbledhjes së Moskës, në 1961, të dy palët do të shaheshin në mënyrën më të ashpër, e megjithatë Hoxha nuk e publikoi fjalimin e tij të mbajtur në Moskë. Kjo tregonte se të drejtën e autorit për fjalimin e kishte Mao Ce Dun dhe jo Hoxha, prandaj fjalimi u publikua kur deshi Mao Ce Dun. Fjalimi i Hoxhës në mbledhjen e Moskës duhet lexuar i krahasuar me deklaratën zyrtare të mbledhjes, të firmuar dhe nga Hoxha. Hoxha tha në fjalimin e vet:
       Imperializmi botëror me imperializmin amerikan në krye, edhe tani, kur shikon se po i afrohet vdekja, dhe përpara tij ka kundërshtarë të fortë dhe të vendosur, siç janë kampi i socializmit dhe aleanca e tij e madhe me të gjithë popujt e botës, po përqëndron, organizon dhe armatos forcat e tij të sulmit. Ai pregatitet për luftë. Kush nuk e sheh këtë ai është qorr. Kush e sheh, por e mbulon, ai është tradhtar në shërbim të imperializmit.[xiii]
      Të gjithë të pranishmit e kishin të qartë se ishte Mao Ce Dun ai që po kritikonte Hrushovin për tezën e tij të mundësisë së ndalimit të luftrave mes dy blloqeve në epokën e re ku kishte hyrë bota. Hoxha në fjalimin e mbajtur në 19 dhjetor 1960 në Plenumin XXI tëi Komitetit Qendror ku raportoi për Mbledhjen e Moskës, tha në stilin stalinian, me pyetje të cilave u përgjigjej vetë për çështjen e kontradiktave mes kinezëve e shqiptarëve nga njëra anë dhe sovjetikëve nga ana tjetër:
       Cilat ishin çështjet në diskutim, ku konsistonin kontradiktat?[xiv]
      Dhe duke u përgjigjur po vetë Hoxha tha:
       Shkurt çështja shtrohet kështu: Ne themi se duhen mbështetur luftrat revolucionare e çlirimtare; ata, duke u nisur nga teza se «nga një shkëndijë mund të plasë lufta botërore», nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur këtyre luftrave. Ne themi se politika e bashkëekzistencës paqësore të shteteve socialiste me ato kapitaliste nuk duhet të na pengojë që të përkrahim luftërat çlirimtare dhe revolucionare të popujve, se edhe në kushtet e bashkëezistencës paqësore lufta e klasës dhe ajo e popujve të shtypur duhet zhvilluar, ata na thonë se «ju jeni kundër politikës së bashkëekzistencës dhe partizanë të luftës». Ne themi se në rast të një lufte të re botërore do të zhduket imperializmi dhe fitorja do të jetë e socializmit; ata na thonë «ju jeni për luftë, sepse me anën e saj doni të përshpejtoni fitoren e socializmit».[xv]
      Por lufta botërore në epokën bërthamore nuk mund të kishte fitues dhe Hoxha duhet ta dinte këtë, kur mbronte tezën e Mao Ce Dun të marrjes parasysh edhe të luftës bërthamore. Me shumë urtësi një udhëheqës sovjetik, Kozllov ua kishte bërë të qartë këtë gjë shqiptarëve. Përgjigjia që i dha Hoxha Kozllovit nga tribuna e mbledhjes së Moskës, ishte një bufonadë politike:
       Thuhet se ne duam luftën dhe jemi kundër bashkekzistencës. Bile shoku Kozllov neve, shqiptarëve, na ka vënë këtë alternativë: ose bashkëekzistencë, siç e kupton këtë ai, ose një bombë atomike nga imperialistët, e cila do ta bëjë hi Shqipërinë dhe asnjë shqiptar s’ do të mbetet i gjallë. Një kërcënim të tillë atomik asnjë përfaqësues i imperializmit amerikan nuk ia ka bërë deri tani popullit shqiptar. Por ja që atë ia bën një anëtar i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik... Por, shoku Froll Kozllov, ti ke gabuar adresë, ti nuk na frikëson dot ne, që t’ i përulemi vullnetit tënd të gabuar dhe ne s’ e ngatërrojmë kurrë Partinë e lavdishme të Leninit me ju, që silleni kaq keq dhe kaq paturpësisht me popullin shqiptar dhe me Partinë e Punës të Shqipërisë.[xvi]
      Por Kozllovi nuk bëri gjë tjetër veçse i tregoi Hoxhës konseguencën përfundimtare të qëndrimit të vet. Pra, nëse do të shkohej në luftë botërore atomike, Shqipëria e vogël me siguri që do të zhdukej shumë shpejt dhe lehtë. Që Kozllovi kishte dashur të thoshte pikërisht këtë, kjo kuptohet kur Hoxha thotë për këtë episod në kujtimet e veta:
       Ishte po ai Kozlov që dy-tre vjet më pas, në ngjarjet e paharruara të Bukureshtit e të Moskës, do të vërtetonte se qe aq «patriot» i madh ndaj nesh, sa, veç të tjerash, na kërcënoi me humbjen e lirisë e të pavarësisë së atdheut duke na thënë: «Mjafton një bombë atomike të hidhet nga amerikanët dhe e shuan fare Shqipërinë dhe popullsinë e saj».[xvii]
      Është e qartë se Kozllov e kishte fjalën për një bombë atomike të hedhur nga amerikanët në Shqipëri në rast të një lufte botërore. Të pranishmit mund të mendonin se Hoxha pas kësaj retorike nuk do ta pranonte deklaratën përfundimtare të mbledhjes ku do të thuhej:     
       Mbledhja mendon se realizimi i programit të çarmatimit të përgjithshëm dhe të plotë, të propozuar nga Bashkimi Sovjetik, do të kishte rëndësi historike për fatet e njerëzimit. Të arrish zbatimin e këtij programi do të thotë të likuidosh vetë mundësinë e luftrave midis vendeve.[xviii]
      Por jo, Hoxha e pranoi dhe e firmoi deklaratën (Kapo e firmoi atë në emër të udhëheqjes shqiptare) dhe në rezolutën e Plenumit XXI të Komitetit Qendror të PPSH, të mbajtur në 19-20 dhjetor 1960 thuhet:
       Plenumi aprovoi njëzëri veprimtarinë e delegacionit të Partisë sonë që mori pjesë në Mbledhjen e Moskës si dhe Deklaratën dhe Thirrjen e drejtuar nga ajo mbledhje popujve të botës.[xix]
      Në fakt, e gjithë retorika atomike e Hoxhës kishte të bënte me atë se Mao Ce Dun donte që Kina ta kishte bombën atomike dhe të bëhej kështu një peshë në balancën globale të forcës bërthamore. Hoxha do t’ i dilte si zëdhënës i kësaj aspirate kineze në mbledhjen e Moskës, kur tha:
       Ne shtrojmë çështjen, përse Kina komuniste të mos e ketë bombën atomike? Ne mendojmë se ajo duhet ta ketë dhe, kur edhe Kina t’ i ketë bombën dhe raketat, atëherë do të shohim se a do të vazhdohet t’ i mohohen të drejtat Kinës në arenën ndërkombëtare, do të shohim se a do të guxojnë imperialistët amerikanë të vringëllojnë armët, siç bëjnë sot.[xx]
      Patetika false prej Tarasi-Herman e Hoxhës në mbledhjen e Moskës do të arrinte kulmin kur ai në stil stalinian, me pyetje që u përgjigjej vetë, do të ngrinte zërin:
       Atëherë, cili është faji ynë? «Krimi» ynë i vetëm është se në Bukuresht nuk pranuam të dënohej padrejtësisht një parti motër komuniste siç është Partia Komuniste e Kinës, «krimi» ynë i vetëm është se ne hapur dhe në një mbledhje komuniste ndërkombëtare (dhe jo në pazar) patëm guximin të kundërshtojmë veprimin e padrejtë të shokut Hrushov, «krimi» ynë i vetëm është se ne jemi një Parti e vogël e një populli të vogël e të varfër, i cili sipas pikëpamjes së shokut Hrushov, vetëm duhet të duartrokasë, të aprovojë dhe të mos shfaqë mendim. Por kjo nuk është as marksiste dhe as e pranueshme.[xxi]
      Por Hoxha, me këto fjalë. kishte kryer një krim sipas një ligji ideologjik të përcaktuar nga Stalini, ndjekës dhe mbrojtës të të cilit ai do ta shpallte veten në mbledhje. Në një nga raportet e mbledhjes së Byrosë Informative të vitit 1949, ku u dënua Tito, do të thuhej për ata komunistë jashtë Bashkimit Sovjetik, që mendojnë se mund të kenë të drejtë, edhe nëse kanë një pikëpamje të kundërt me atë sovjetike:
       Ja se ç’ paralajmërim bënte shoku Stalin kundër këtij rreziku njëzet e dy vjet më parë:
‘Internacjonalist është ay që është gati të mbrojë BRSS pa rezerva, pa ngurime, pa kondita, sepse BRSS është baza e lëvizjes revolucionare botërore dhe se s’ munt të mbrojmë, dhe ta bëjmë të shkojë përpara këtë lëvizje revolucionare pa mbrojtur BRSS. Sepse ay që mejton të mbrojë lëvizjen revolucionare botërore pavarësisht nga BRSS dhe kundër tij, ky njeri shkon kundër revolucjonit, shket detyrimisht në kampin e armiqëve të revolucionit.[xxii]
      Në raportin Byrosë Informative thuhej për këto fjalë të Stalinit:
      “Sa aktuale janë fjalët e edukatorit tonë të math!”[xxiii]
      Dhe Byroja Informative, raportet dhe rezolutat e së cilës për dënimin e Titos, Hoxha pas prishjes me Hrushovin do t’ i konsideronte përsëri si të drejta, postulonte:
       besnikërija ndaj atdheut të socializmit, ndaj Bashkimit Sovjetik, është guri themeltar dhe kriteriumi i internacionalizmit.[xxiv]
      Sipas ligjit stalinian komunistët e botës duhet t’ i bindeshin Moskës, çfarëdo pikëpamjeje që ajo të kishte, madje edhe kur ajo dënonte vetë Stalinin. Prandaj, Hoxha u shfaq si antistalinist, kur kritikoi udhëheqjen sovjetike për qëndrimin ndaj Stalinit, në fjalimin e vet në Moskë:          
       Partia e Punës e Shqipërisë mendon se s’ është e drejtë, normale dhe marksiste që për të gjithë këto epokë të shuhet emri dhe vepra e madhe e Stalinit, siç po bëhet. Veprën e mirë dhe të pavdekshme të Stalinit duhet ta mbrojmë të tërë, kush nuk e mbron, ai është oportunist dhe frikacak. Shoku Stalin si person dhe si udhëheqës i Partisë Komuniste Bolshevike, është njëkohësisht udhëheqësi më i shquar i komunizmit ndërkombëtar pas vdekjes së Leninit, që influencoi në mënyrë shumë pozitive dhe me autoritet të madh në konsolidimin dhe në zhvillimin e fitoreve të komunizmit në të gjithë botën. Gjithë veprat teorike të shokut Stalin janë një dëshmi e zjarritë e besnikërisë së tij ndaj mësuesit gjenial, Leninit të madh dhe leninizmit. Stalini luftoi për të drejtat e klasës punëtore dhe të punonjësve në të gjithë botën, ai luftoi me konsekuencë të madhe deri në fund për lirinë e popujve të vendeve tona të demokracisë popullore. Duke e shikuar vetëm nga këto anë, Stalini i përket gjithë botës komuniste dhe jo vetëm komunistëve sovjetikë, u përket gjithë punonjësve të botës dhe jo vetëm punonjësve sovjetikë. Sikur shoku Hrushov dhe shokët sovjetikë ta kishin shikuar këtë çështje në këtë frymë, do të ishin shmangur gabimet e mëdha që u bënë.[xxv]
      Të pranishmit, një pjesë e madhe e të cilëve kishin qenë të pranishëm në Kongresin III të PPSH, katër vjet më parë, pyesnin veten nëse ishte apo jo i njëjti Hoxhë, që atëherë nuk kishte lënë gjë pa thënë kundër Stalinit! Hoxha do t’ i përgjigjej Hrushovit, në emër të Mao Ce Dunit, edhe për një gjë që ua kishte thënë kinezëve në Bukuresht, për Stalinin:
       Në Bukuresht, shoku Hrushov, duke iu drejtuar shokëve kinezë, u tha: «Po kapeni pas kalit të ngordhur», «Po të doni, ejani merrni edhe koskat e tij», Këto gjëra thuheshin në adresë të Stalinit. Partia e Punës e Shqipërisë deklaron solemnisht se është kundër këtyre veprimeve dhe këtyre gjykimeve mbi veprën dhe personin e J. V. Stalinit».[xxvi]
      Mao Ce Dun bëri diçka tjetër. Ai e hipi Hoxhën në «kalin e ngordhur»dhe e çoi të luftonte kundër Hrushovit. Hrushov në kujtimet e veta shkruan për mbrojtjen që i bënte Hoxha Stalinit:
       Liderët shqiptarë me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura krijuan një parti, e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika. Ata nuk mund të pranonin vendimet e Kongresit XX të PKBS, sepse në luftën kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ashtu si edhe kinezët, ngritën lart emrin e Stalinit. Stalini, ja ideali i vërtetë për ta. Stalini është marksist, është leninist, ndërsa gjithë të tjerët janë revizionistë. Domethënë se revizionist është ai që ngrihet kundër vrasjeve të fshehta dhe të hapura, është ai që ngre zërin për demokratizimin e jetës së partisë dhe të vendit. Liderët shqiptarë nuk i pranonin për bashkëluftëtarë njerëz të tillë. Kjo natyrisht, ishte tragjedia e vërtetë e popullit shqiptar.[xxvii]
      Por Hoxha e pranoi deklaratën përfundimtare të mbledhjes, edhe pse atje nuk u tha asgjë në mbrojtje të Stalinit, duke treguar kështu se devocioni i tij ndaj Stalinit qe fals, dhe se ai nuk ishte aspak dogmatik, siç e akuzonin sovjetikët, por vetëm një hipokrit. Hoxha, si një komedian i vërtetë, doli si kampion i mbrojtjes së Stalinit, kur ky i fundit nuk e njohu kurrë zyrtarisht për komunist, duke mos patur kurrë në takimet e tyre një komunikatë të përbashkët për marrëdhëniet mes dy partive. Nga të gjitha kritikat që sovjetikët i bënë Hoxhës, ai, ironikisht, në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës, do të kundërshtonte veçanërisht me forcë pikërisht atë për dogmatizëm, e cila në fakt i konvenonte se ishte një «gjethe fiku» që mbulonte lakuriqësinë e tij prej komediani. Hoxha tha në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës:
       Sa shpejt u organizua Mbledhja e Bukureshtit dhe sa shpejt u dënua Partia Komuniste e Kinës për «dogmatizëm»! Po pse vallë s’ është organizuar shpejt edhe një konferencë për të dënuar revizionizmin.[xxviii]
      Këtu Hoxha fliste qartësisht në emër të kinezëve. Gjithashtu Hoxha do të thoshte:
       Mund të ketë shokë që na akuzojnë ne, shqiptarët për kokëfortë, për piper të kuq, për gjaknxehtë, për sektarë, për dogmatikë e për çfarë të duash, por ne i hedhim poshtë të gjitha këto akuza false dhe u themi këtyre se ne s’ lëvizim nga këto pozita, se janë marksiste-leniniste.[xxix]
      E megjithatë, Hoxha do ta pranonte deklaratën përfundimtare të mbledhjes, ku thuhej:
       Dogmatizmi dhe sektarizmi në teori dhe në praktikë, në qoftë se kundër tyre nuk bëhet një luftë konsekuente, gjithashtu mund të bëhen rrezik kryesor në këtë ose në atë etapë të zhvillimit të partive të veçanta.[xxx]
      Ky paragraf ishte futur qartësisht nga sovjetikët në mënyrë që kinezët dhe shqiptarët të mos e pranonin dhe të mos e firmonin deklaratën dhe sovjetikët t’ i shlyenin llogaritë me ta, duke i quajtur si deviatorë. Por kinezët hezituan ta avancojnë konfliktin ideologjik me sovjetikët deri në prishje zyrtare dhe publike. Kinezët e quanin këtë një luks që nuk mund t’ ia lejonin vetes në kohën kur qenë në armiqësi me SHBA, dhe ende nuk shihej asnjë perspektivë e pajtimit me SHBA. Mao Ce Dun ende e shikonte traktatin sovjeto-kinez si një mbrojtje të nevojshme të Kinës nga rreziku që vinte prej një invadimi prej amerikanëve dhe kinezëve antikomunistë. Prandaj Mao Ce Dun e pranoi deklaratën e mbledhjes dhe këtë gjë e bëri dhe Hoxha. Për këtë të fundit pranimi i deklaratës së mbledhjes qe një turp që vetëm një komedian mund t’ ia lejonte vetes.
      Si një komedian i vërtetë, Hoxha nuk do të mungonte të thoshte më vonë, në Kongresin VIII të PPSH, në 1981, kur tashmë qe braktisur nga Kina, se kauza kineze që ai kishte mbrojtur në mbledhjen e Moskës nuk ishte marksiste-leniniste, por:
       Revizionizmi kinez është një korrent oportunist në lëvizjen komuniste botërore dhe maocedunideja, baza e tij, është një ideologji me tipare arkaike, një amalgamë teorish të vjetra kineze të Konfucit e të Mencit dhe teorish të reja të perifrazuara, pa një lidhje organike e strukturore, të lyera me një frazeologji marksiste-leniniste.[xxxi]
      Po në fjalimin në Kongresin VIII, në 1981, Hoxha do të thoshte:
       Kur në Kinë theksohej roli i diktaturës së proletariatit, nën të fshihej dhe zhvillohej diktatura e grupeve rivale dhe e personaliteteve.[xxxii]
      Nëse ekzistonte Maocedunideja si e tillë, atëherë duhet të ekzistonte dhe  Enverhoxhaideja, si ideja e sigurimit të pushtetit personal me anë të gjetjes së protektorëve nga Tito, tek Stalini, Hrushovi, Mao Ce Dun, të cilëve u ofrohen shërbimet prej kolaboracionisti tradicional dhe ato ideologjike, në këmbim të mbështetjes për ruajtjen e pushtetit personal. Hoxha, në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës, nuk mund t’ i rezistonte shfaqjes së një aspekti të karakterit të vet, atij të borxhkërkuesit të pafytyrë, të cilin e kishte praktikuar që në rini:
       Unë dëshiroj të shtroj këtu çështjen që ndihmat nga vendet  ekonomikisht më të forta për vendet më të dobëta ekonomikisht, sikurse është rasti i vendit tonë duhet të jenë më të mëdha... Ne mendojmë se vendet ekonomikisht më të forta të kampit të socializmit, duhet t’ u japin kredi edhe vendeve kapitaliste asnjëanëse, edhe popujve të porsaçliruar nga kolonializmi, kur udhëheqjet e këtyre vendeve janë kundër imperializmit, mbështetin politikën paqësore të kampit të socializmit dhe nuk pengojnë e nuk kundërshtojnë luftën legjitime të forcave revolucionare, por në radhë të parë duhet të shikohen më me kujdes dhe të plotësohen nevojat e vendeve të kampit të socializmit. Sigurisht ka nevojë India për hekur dhe për çelik, por ka nevojë më shumë dhe më përpara Shqipëria socialiste, ka nevojë për ujitje dhe për energji elektrike Egjipti, por ka nevojë më shumë dhe më përpara Shqipëria socialiste.[xxxiii]
      Vetëm një komedian mund të kishte paturpësinë që t’ u kërkonte borxhe nga tribuna të zotëve të shtëpisë, të cilët porsa i kishte fyer dhe akuzuar për gjithçka të imagjinueshme, dhe të cilët për më tepër tashmë i kishin dhënë borxhe, që nuk i kishte shlyer ende. Kërkesa për borxhe megjithatë është tregues se Hoxha shpresonte se sovjetikët nuk do të shtyheshin shumë larg në prishjen e marrëdhënieve, dhe se do ta toleronin atë, siç kishin bërë me Titon, aq më tepër kur Hoxha shprehte besnikëri ndaj kampit të socializmit dhe Traktatit të Varshavës. Hoxha besonte se derisa Hrushovi e kishte quajtur fajtor Stalinin për largimin e Titos nga kampi socialist, atëherë do të dilte një tjetër udhëheqës sovjetik që do ta toleronte Hoxhën që nuk shkonte aq larg sa Tito, i cili nuk pranonte të rikthehej në kampin socialist zyrtarisht. Hoxha mendonte se sfida e tij duhej të perceptohej në Moskë si shumë më e lehtë se ajo e Titos, dhe u habit kur u perceptua si shumë më e rëndë. Ajo që nuk kishte llogaritur Hoxha ishte që Bashkimi Sovjetik thjesht ta braktiste për motive gjeopolitike. Hoxha e kishte parë kartën kineze si taktike, por kur Bashkimi Sovjetik e dinamizoi konfliktin ideologjik me Shqipërinë deri në prerje marrëdhëniesh, karta kineze u shndrrua në strategjike për Hoxhën. Hoxha, në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës, u kujdes që t’ u bënte të ditur sovjetikëve se ai nuk do të ndiqte shembullin e Titos, duke e afruar Shqipërinë me Perëndimin:     
       E rrethuar nga armiq, si ishull në mes të dallgëve, Republika Popullore e Shqipërisë u ka qëndruar me guxim të gjitha sulmeve dhe provokacioneve të imperialistëve dhe të shërbëtorëve të tyre. Ajo si shkëmb graniti ka mbajtur dhe mban lart flamurin e socializmit në prapavijat e armikut.[xxxiv]
      Në Mbledhjen e Moskës fjala e Hoxhës u prit me indinjatë dhe përbuzje nga salla e mbushur me elitën e veteranëve revolucionarë komunistë të botës. Ata, të cilët që në rininë e tyre kishin luftuar dhe kishin kishin ëndërruar revolucionin botëror. Tashmë që ishte krijuar një kamp vendesh komuniste me një krye Bashkimin Sovjetik, ata nuk duhej ta shikonin një luftë të re botërore të nxitur nga imperialistët, si diçka të frikshme, se ajo do të sillte revolucionin botëror, sipas ortodoksisë leniniste. Por epoka e armëve bërthamore i kishte kthjelluar këta revolucionarë entuziastë. Tashmë ishte e qartë se pas një lufte tjetër botërore nuk do të ekzistonte njerëzimi, që i këndohej në hymnin komunist botëror, «Internacionale». Hoxha që tashmë shtirej kaq radikal nuk kishte qenë një militant komunist që në rininë e vet, si ata. Kështu që radikalizmi dhe ortodoksizmi revolucionar i Hoxhës ishte thjesht një truk prej spekulanti. Në këtë dramë të komunizmit ndërkombëtar Hoxha ishte Falstafi. Hoxha, duke e ditur se në seancën e pasdites të mbledhjes do të kritikohej rreptë fjalimi i tij mungoi në të. Ai shkruan në ditar, në 16 nëntor 1960:
       Pasdreke ndenja u çlodha. Shokët më njoftuan se në seancat e pasdites të Mbledhjes, Dolores Ibarruri, «Pasionarja», kishte çelur e para sulmin joparimor kundër nesh. Kishte bërë një sulm të turpshëm. Por ne as na prek e as na tund. «Qentë le të lehin, karvani ecën përpara».[xxxv]
      Dolores Ibarruri nuk doli më kot e para të kritikonte fjalimin e Hoxhës. Ajo simbolizonte Luftën e Spanjës, këtë «Luftë të Trojës» të komunizmit ndërkombëtar, pjesëmarrja në të cilën ishte e nevojshme për një komunist të moshës së Hoxhës, që të bënte pjesë në urdhërin e kalorësisë së komunizmit ndërkombëtar, çka Hoxhës i mungonte. Hrushovi shkruan në kujtimet e veta për reagimin e Pasionares ndaj Hoxhës:
       Atëherë foli shumë bukur Dolores Ibarruri, revolucionarja më e moshuar, njeriu më besnik ndaj lëvizjes komuniste. Ajo tha: «Si ka mundësi të ndodhë kështu. Fjalimi i Enver Hoxhës i ngjan veprimit të atij qenit, që i japin të hajë, ndërsa ai sulet dhe kafshon dorën, që e ushqen».[xxxvi]
      Dolorez Ibarruri kishte dhënë epigramin e sjelljes së Hoxhës gjithë jetën. Kështu bëri ai me Baba Çenin, Omarin, Selfot, Koço Tashkon, Aleko Turtullin, Gjeneralin Davies, Kolonelin Oakley-Hill, Titon, Hrushovin, Mao Ce Dunin etj. Udhëheqësi komunist polak Gomulka, një nacional-komunist i ndershëm antistalinist, e cilësoi fjalimin e Hoxhës si:
       një akt prej vagabondi të cilin nuk mund t’ ia lejojë vetes asnjë njeri që ka ndjenjën e përgjegjësisë.[xxxvii]
      Hoxha e sjell komentin e Gomulkës kur raporton në Plenumin XXI, në 19 dhjetor 1960. Polakët duket se qenë veçanërisht të fyer nga mbrojtja e Stalinit. Komenti i Gomulkës meritonte vetëm një korrigjim: Hoxha ishte një komedian vagabond. Pas fjalimit të Hoxhës në Moskë, delegacioni bullgar shpërndau një deklaratë ku thuhej:
       Revizionistët e Beogradit nuk kanë baza për të qenë të pakënaqur nga «lufta» e udhëheqësve të Partisë së Punës së Shqipërisë kundër tyre. Nga kjo «luftë» ata vetëm se çmohen më shumë në tregun amerikan, marrin një ndihmë më zemërgjerë dhe huara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.[xxxviii]
      Hrushovi shkruan për Hoxhën në kujtimet e veta:
       Enver Hoxha është thjesht një bandit. Vallë, politikan është ai, që njeh vetëm një metodë, litarin në fyt dhe tërhiqe fort. Politikë tipike staliniste. Hoxha mban vrasës të fshehtë, të cilët eliminojnë kundërshtarët.[xxxix]
      Hoxha, duke mos e përmbajtur dot shfaqjen e natyrës së vet prej komediani, i paraqet gjërat sikur pas mbajtjes së fjalimit të vet në mbledhjen e Moskës, ai u vu në një situatë si atëherë kur ishte «ilegal» në Tiranë në kohën e pushtimit fashist. Ai shkruan në kujtimet:
       Pasi mbajtëm fjalimin, Mehmeti dhe unë lamë rezidencën ku na kishin vënë sovjetikët dhe shkuam në ambasadë ku qëndruam sa ndejtëm në Moskë. Kur lamë rezidencën e tyre, një oficer sovjetik i sigurimit i tha shokut Hysni në konfidencë: «Bëri mirë që iku shoku Enver, se jeta e tij këtu ishte në rrezik të madh».[xl]
      Nëse Hoxha ishte në rrezik, përse vazhdoi të qëndronte në Moskë? Dhe derisa vazhdonte të ishte në Moskë, duhet të ishte njëlloj në rrezik si një rezidencën ku e kishin çuar sovjetikët, ashtu dhe në ambasadën shqiptare. Nëse sovjetikët donin vërtet ta eliminonin, atëherë nuk do ta kishin për gjë që të hynin në ambasadë e ta kapnin, se ai gjendej në një vend totalitar, ku mund të bëhej çdo gjë. Nga kush do të druheshin sovjetikët? Hoxha duke e stërholluar këtë histori shkruan në kujtimet:
       Hrushovianët ishin të gatshëm për çdo gjë dhe ne morëm masat tona. Dërguam shokët e ambasadës e bashkëpunëtorët e delegacionit nëpër dyqane dhe u furnizuam me ushqime.[xli]
      Por dyqanet në Moskë qenë shtetërore dhe lëvizjet e njerëzve që çoi Hoxha  qenë të kontrolluara, se ndiqeshin nga KGB. Njerëzit e KGB mund të bllokonin dyqanin ku hynin ata dhe të mos i lejonin të blinin asgjë. Hoxha kërkon të krijojë përshtypjen sikur ikja e tij nga Bashkimi Sovjetik në nëntor 1960 ishte një veprim jo më pak heroik se legjenda e sajuar prej tij për daljen e tij nga rrethimi në dimrin e viteve 1943-1944, në Çermenikë. Që në 13 nëntor 1960 Hoxha shkruan në ditar:
       Lidhur me kthimin tonë në atdhe, i njoftuam shokët se do të nisemi së shpejti dhe se mendojmë të kthehemi me det. Porositëm që një vapor yni të niset për në Konstancë të Rumanisë.[xlii]
      Hoxha nuk e shpjegon se përse vendosën kështu. Në 16 nëntor 1960, ditën që mbajti fjalimin, ai shkruan në ditar:
      Diskutuam me shokët përsëri çështjen e rrugëve të kthimit në atdhe. Vendosëm të mos kthehemi me det, por me tren deri në Budapest. Andej shohim e bëjmë, por për çdo eventualitet dhe për të çorientuar veprimet dhe planet e revizionistëve sovjetikë të pabesë, kërkuan aeroplanin tonë të na presë në Budapest. Kërkuam të vijë në Budapest edhe një grup shokësh të sigurimit, të cilët, së bashku me shokët që na shoqërojnë dhe shokët e ambasadës sonë atje, të kujdesen për masat e nevojshme të kthimit deri në Tiranë. Çështjen e kthimit nga Budapesti me avion do ta rishikojmë.[xliii]
      Kjo ishte një përrallë që ai mund t’ ia tregonte kalamajve të vet 8-10 vjeçarë në atë kohë. Në rast se sovjetikët mendonin se Hoxha u sillte aq dëm sa duhej të eliminohej, ata nuk do të hezitonin që ta bënin këtë gjë, duke gjetur mënyrën e përshtatshme. Sovjetikët, nëse donin ta eliminonin Hoxhën, mund ta merrnin me gjithë Shehun, Sulo Gradecin dhe të tjerët, t’ i vrisnin, dhe pastaj t’ i futnin në e aeroplanin qeveritar shqiptar të cilin ta bënin të rrëzohej në kufirin hungarezo-jugosllav, apo hungarezo-austriak, duke aluduar se fajtorë qenë jugosllavët, apo perëndimorët.
      Hoxha nuk mund të largohej ende nga Moska, se duhet t’ i jepnin leje kinezët, në skenarin e të cilëve roli i tij në Moskë ende nuk kishte përfunduar së luajturi. Hoxha shkruan në ditar, në 18 nëntor 1960:
       I bëmë një vizitë delegacionit kinez në rezidencën e tij në Leninskie Gori. Asistonin të gjithë aëtarët e delegacioneve tona. U zhvillua një bisedë shoqërore. Kinezët thanë fjalë shumë të mira për Partinë tonë të lavdishme dhe për rrugën e saj të drejtë.[xliv]
      Kjo vizitë krijonte përshtypjen se shqiptarët tashmë merrnin udhëzime nga kinezët, dhe këta të fundit me sa duket donin të krijonin pikërisht këtë përshtypje. Të nesërmen, në 19 nëntor 1960 Hoxha shkruan në ditar:
       Kinezët na kthyen vizitën në ambasadën tonë në Moskë. Delegacionin kinez e kryesonte Liu Shao Çia.[xlv]
      Me këtë gjest të kinezëve tashmë nuk kishte më asnjë ekuivok për atë se fjalimi i Hoxhës në mbledhjen e madhe kishte qenë një kumt kinez by proxy. Në kohën që Hoxha e kishte futur Shqipërinë në një kurs të ri aventurist, ai mendonte vetëm për familjen e vet. Në 20 nëntor ai shkruante në ditar:
       Kur dëgjoj në telefon zërin e Nexhmijes e të fëmijëve më ndizet një mall i madh për të gjithë.[xlvi]
      Myfit Mushi, përkthyes i Hoxhës kur shkoi në Moskë për të marrë pjesë në Mbledhjen e partive komuniste e punëtore, kujton për mënyrën se si Hoxha e kalonte kohën në Moskë, në një botim zyrtar të regjimit komunist për Hoxhën:
       Me shumë qejf luante tavllë me punonjësin e ambasadës sonë Shemsho Çelën.[xlvii]
      Zaret hidheshin por Hoxha ende nuk ishte i sigurt nëse gjendej vërtet para  «Rubiconit». Kinezët qenë hermetikë dhe nuk sqaronin gjë. Më në fund kinezët i dhanë leje Hoxhës që të kthehej në Shqipëri. Por jo pa luajtur pjesën e fundit të rolit të tij, sipas skenarit kinez, atë të njeriut që i shmanget me guxim dhe zgjuarsi rrezikut që i vjen nga sovjetikët, të cilët duan ta eliminojnë. Ai shkruan në kujtimet:
       Kur erdhi koha që vendosëm të largoheshim nuk pranuam të shkojmë me avion, sepse «aksidenti» mund të ndodhte më lehtë. Hysniu e Ramizi qëndruan akoma në Moskë se duhej të firmosnin deklaratën, kurse unë e Mehmeti u larguam nga Bashkimi Sovjetik me tren dhe nuk hëngrëm asgjë nga dora e tyre.[xlviii]
      Nëse qenë kaq në rrezik, pse u nisën natën, çka e thotë Hoxha në ditar, në 25 nëntor:
       Në mbrëmje u larguam nga Moska dhe me tren u nisëm për në Shqipëri.[xlix]
      Udhëtimi me tren nga Moska në Budapestin e pushtuar nga ushtria sovjetike vazhdonte dy ditë, çka e thotë vetë Hoxha, i cili bëri të njëjtën rrugë për të ardhur në Moskë. Ai shkruan në ditar në 4 nëntor 1960:
       Sot në mëngjes, në orën 8: 20, u nisëm me tren të posaçëm nga Budapesti për në Çop (kufiri hungarezo-sovjetik)... Në orën 22 me orën e Moskës arritëm në Çop.[l]
      Në Moskë do të arrinte dy ditë më pas, në 6 nëntor kur shkruan në ditar:
       Në orën 8: 30, me orën e Moskës, arritëm në stacionin hekurudhor «Kievskaja».[li]       A mund të besohet që ky udhëtim i gjatë me tren në stepat sovjetike ishte më i sigurt se udhëtimi me avion për një udhëheqës të cilin KGB kërkonte ta eliminonte? Në 27 nëntor Hoxha shkruan në ditar:
       Pas dy ditë udhëtimi arritëm në Budapest.[lii]
      Ashtu siç i ka paraqitur gjërat Hoxha, sikur udhëtimi me tren nga moska në Budapest ishte ideja e tij shpëtimtare, duhet që arritja në Budapestin e pushtuar nga ushtria sovjetike, të krahasohet me arritjen e tij në Galigat dikur. Po në 27 nëntor 1960 Hoxha shkruan në ditar, në Budapest:
       Këtu vendosëm të kthehemi në atdhe me tren duke kaluar nëpërmjet Austrisë dhe Italisë dhe jo me aeroplanin tonë Budapest-Tiranë. Në Bari do të na presë aeroplani ynë për në Tiranë... Në orën 12 të natës u nisëm përsëri me tren për në Vjenë.[liii]
      Hoxha me këtë kërkon t’ i japë botës të kuptojë, në mënyrën e tij prej komediani, se atij i kërcënohet një rrezik i madh nga sovjetikët dhe se ai po i ikën atij me shkathtësi të madhe prej ish-komandanti partizan. Në 28 nëntor 1960 ai shkruan në ditar:
       Arritëm në Vjenë, ku qëndruam 4 orë dhe bëmë një shëtitje të vogël me taksi. Pasi hëngrëm mëngjes në një hotel, u nisëm për në Itali.[liv]
      Avioni qeveritar shqiptar nuk mund të vinte në Vienë, se Shqipëria nuk kishte një marrëveshje për trafikun ajror me Austrinë. Prandaj Hoxha u detyrua të vazhdonte udhëtimin me tren. Po për të njëjtën arsye avioni qeveritar nuk mund të vinte dhe në Italinë e Veriut, kështu që Hoxha u detyrua të vazhdonte udhëtimin me tren përgjatë gjithë Gadishullit Apenin, gjë për të cilën shkruan në kujtimet:
       Dolëm në Austri, që andej kaluam me tren nëpërmjet Italisë dhe nga Bari u kthyem me avionin tonë shëndoshë e mirë në Tiranë dhe shkuam drejt e në pritjen e organizuar me rastin e festave të 28-29 nëntorit.[lv]
      E shumta që mund të bëhej në mungesë të një marrëveshjeje trafiku ajror me Italinë, ishte që avioni qeveritar shqiptar të lejohej të vinte në Bari, në qytetin bregdetar italian. Hoxha vërtet me të arritur në Shqipëri shkoi drejt në pritjen që jepej për festat e nëntorit, por ai nuk e kishte llogaritur që të arrinte në 28 nëntor, në ditën e Pavarësisë, por në 29 nëntor, ditën e festës së vërtetë të regjimit. Pikërisht në këtë ditë ai shkruan në ditar:
       Arritëm në Bari dhe, me avionin tonë që na priste atje, u nisëm drejt për në Tiranë. Në aeroportin e Rinasit mbërritëm natën vonë.[lvi]
      Ky do të ishte udhëtimi i fundit i Hoxhës jashtë Shqipërisë sa kohë ishte gjallë. Ai do të ishte i vetmi udhëheqës në botë, në shekullin XX, i cili nuk doli jashtë vendit të vet për 25 vjet.


2.
Miqësia me Bashkimin Sovjetik ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë guri themeltar i politikës së jashtme të Shqipërisë së re

       Pas kthimit nga Moska, Hoxha bëri një veprim karakteristik për të: vendosi të thërresë më së fundi me ngut kongresin e radhës të partisë, të cilin e kishte shtyrë për shumë muaj. Plenumi XXI i Komitetit Qendror, në 20 dhjetor 1960 vendosi që Kongresi IV të fillonte në 13 shkurt 1961, nëntë muaj e gjysëm jashtë afatit të përcaktuar në statut.[lvii]
      Tashmë Hoxha kishte sigurinë se kongresi nuk do t’ i sillte të papritura, por do të ishte thjesht një spektakël-ritual propagandistik. Përndryshe e papritura për Hoxhën ishte se kinezët, kur erdhi fjala për diskutimin në shifra të ndihmës ekonomike që ishte premtuar nga Mao Ce Dun, nuk u treguan të gatshëm të kompensojnë përveçse një pjesë të vogël të kredive të cilat qenë arritur me sovjetikët dhe dhënia e të cilave tashmë qe ndërprerë. Bisedimet shqiptaro-kineze që po mbaheshin në Tiranë, për arritjen e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Kinës për akordimin e një kredie me afat pesëvjeçar nga kjo e fundit, qenë zhgënjyese për Hoxhën. Prandaj ai nisi në Kinë me ngut njeriun e vet të besuar, zëvendëskryeministrin Spiro Koleka. Për këtë Hoxha shkruan në ditar, në 3 janar 1961:
      Bisedova me shokun Spiro Koleka në lidhje me përgatitjen që ka bërë ai për vajtjen në Kinë në krye të një delegacioni qeveritar për çështje ekonomike.[lviii]
      Hoxha donte shpërblimin nga kinezët, si qeni që u ndërsye dhe kërkon kockën. Hoxha mbështetej në premtimin që Mao Ce Dun i kishte dhënë në shtator, por nuk e dinte se në ndërkohë në Kinë po ndodhnin ndryshime politike, me të cilat në janar 1961 Mao Ce Dun e humbi pushtetin efektiv. Në janar 1961 u mbajt  Plenumi VIII i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i cili e ndërpreu politikën maoiste të Kërcimit të Madh Para, madje filloi edhe prishja e komuneve popullore. Mao dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Këshillit të Shtetit (ekuivalenti i presidentit të republikës), të cilin e mori Liu Shao Ci, i cili ishte dhe nënkryetar i partisë. Mao mbajti postin e kryetarit të partisë, një post ky i krijuar nga ai, që nuk ekzistonte sipas modelit stalinist. Postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë e mori Ten Hsiao Pin, aleati i Liu Shao Çi. Postin e kryeministrit e mori Çu En Lai, i cili qëndronte mes të dy palëve, por anonte nga politika e Liu Shao Çi. Si pjesë e marrëveshjes Mao- Liu ishte eliminimi i Pin De Hua dhe zëvendësimi i tij me njeriun e Maos, Lin Biao, me të cilin Mao mbante fort në kontroll ushtrinë. Këtu filloi dhe tërheqja e Maos nga ushtrimi efektiv i pushtetit, që i kaloi Liu Shao Çi, i cili në fillim të vitit 1961 u bë zyrtarisht pasues i Maos në pushtet. Pas kësaj Mao u shndërrua në një ikonë që nderohej sipas një rituali, por që nuk ushtronte pushtet efektiv. Ai më pas do të thoshte se në këtë periudhë e trajtonin një paraardhës të vdekur. Vetë ai filloi të mos shfaqej më publikisht. Por tërheqja e Maos ishte një veprim sipas traditës së perandorëve kinezë, për të grumbulluar forcat dhe për të dhënë goditjen. Mao, i gjendur ngushtë në mes të katastrofës që kishte shkaktuar me politikën e tij, reagoi në një mënyrë që dukej sikur po lëshonte pushtet, por që në fakt synonte të bënte diversion mes kundërshtarëve të tij, derisa të krijohej situata e përshtatshme për t’ i eliminuar ata.
      Në ndërkohë që mbaheshin bisedimet ekonomike shqiptaro-kinezë, sovjetikët filloi tërheqja e specialistëve sovjetikë nga Shqipëria. Hoxha shkruan në ditar, në 21 janar 1961:
       Sot qeveria sovjetike, nëpërmjet një nëpunësi të GUES (në libër është shënimi: Zyra Qeveritare e Ndërlidhjeve Ekonomike), njoftoi ministrin tonë të Industrisë, Adil Çarçanin, se tërheq 20-25 specialistë sovjetikë që punojnë në sektorin e naftës, nën pretekstin se «u mbaroi afati i qëndrimit». Afati i qëndrimit të këtyre specialistëve në Shqipëri vërtet mbaron, po ka katër muaj që nga ana jonë i është kërkuar zyrtarisht qeverisë sovjetike që ky afat të zgjatet. Nëpunësi sovjetik i tha Adilit se brenda pesë ditëve specialistët sovjetikë do të largohen nga Shqipëria. E njëjta gjë ngjet edhe me një grup teknikësh ushtarakë në bazën e Vlorës. Akoma pa mbaruar punën, për arsye se s’ kanë ardhur materialet e nevojshme nga Bashkimi Sovjetik, ata u lajmëruan të largohen nga vendi ynë».[lix]
      Kjo tregon se edhe ndërprerja e marrëdhëniveve në rrafshin ekonomike është bërë nga sovjetikët. Madje sovjetikët në të njëjtën kohë filluan edhe ndërprerjen e marrëdhënieve në rrafshin ushtarak. Në të njëjtën ditë, në 21 janar 1961, Hoxha shkruan në ditar:
       E njëjta gjë ngjet edhe me një grup teknikësh ushtarakë në bazën e Vlorës. Akoma pa mbaruar punën, për arsye se s’ kanë ardhur materialet e nevojshme nga Bashkimi Sovjetik, ata u lajmëruan të largohen nga vendi ynë.[lx]
      Ishte e qartë se Shqipëria nuk mund të mbështetej më në ndihmën ekonomike sovjetike në Planin e Tretë Pesëvjeçar. Por ndihma kineze, me gjithë insistimin e Hoxhës në Pekin, nuk do të kompensonte veçse një pjesë të vogël të ndihmës sovjetike. Në 2 shkurt 1961, në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj kineze me anë të së cilës kjo e fundit i jepte qeverisë shqiptare një kredi prej 112 500 000 rubla, në periudhën 1961-1965, me interes 1% në vit.[lxi]Kjo do të thoshte se kompensoheshin vetëm në masën 30% kreditë që kishte marrë përsipër të jepte Bashkimi Sovjetik deri në vitin 1965, dhe që arrinin në shumën 370 milion rubla, pa folur këtu për kreditë që Shqipëria duhet të merrte në këtë periudhë nga vendet e kampit socialist dhe që iu ndërprenë në atë kohë. Për pjesën e mbetur kinezët ndoshta menduan se po e kompensonin duke i dhënë Hoxhës kredit ideologjik si personalitet i komunizmit ndërkombëtar. Në 9 shkurt 1961 në takimin që Hoxha pati me delegacionin e Partisë Komuniste të Kinës që mori pjesë në Kongresin IV të PPSH, ai pati këtë dialog me sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës:
       SHOKU ENVER HOXHA: Si janë me shëndet shokët Mao Ce Dun, Çu En Lai dhe shokët e tjerë?
SHOKU LI HSIEN NIEN: Janë shumë mirë të gjithë. Edhe ne gëzohemi që ju jeni shumë mirë, sepse shëndeti juaj është lumturi jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare.[lxii]
      Hoxha, në këtë takim i foli delegacionit kinez me gjuhën e kolaboracionistit, të vasalit servile, me të cilën u kishte folur dikur jugosllavëve dhe më pas sovjetikëve:
       Ne u gëzuam që ju do të rrini disa ditë pas Kongresit. Atëherë do të jeni edhe më të lirë, shtrohemi këmbëkryq, siç themi ne shqiptarët e bisedojmë për gjithçka kemi për të thënë. Prandaj, të dashur shokë kinezë, duhet ta ndieni veten si në shtëpinë tuaj, si në Kinë, si në Pekin, si në Shangai, si në komunet popullore.[lxiii]
      Në Kongresin IV të PPSH, që filloi në 13 shkurt 1961, Hoxha do të bënte hymne ndaj Bashkimit Sovjetik, edhe pse ky tashmë kishte treguar me veprime vullnetin për ta braktisur Shqipërinë, dhe Hoxha e kishte shpallur udhëheqjen sovjetike antimarksiste:
       Bashkimi i lavdishëm Sovjetik është bërë tani shteti më i fuqishëm në botë, kështjella e pamposhtur e socializmit dhe mbështetja e popujve të gjithë botës në luftën e tyre për paqë, pavarësi kombëtare, demokraci, e socializëm. Ai po çan i pari në rrugën e komunizmit, rrugën e së ardhmes së ndritur e të lumtur të gjithë njerëzimit.[lxiv]
      Hoxha në raportin që mbajti në kongres bëri madje një postulat historik, tejkohor për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë:           
       Miqësia me Bashkimin Sovjetik ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë guri themeltar i politikës së jashtme të Shqipërisë së re... Miqësia me Bashkimin Sovjetik do të rrojë në shekuj sa malet kreshnike të atdheut tonë dhe s’ ka forcë në botë që mund ta prekë.[lxv]
      Ishte Tarasi-Herman i cili po jepte garanci se sa të ishte gjallë ai, do të mbetej prosovjetik, pavarësisht se Bashkimi Sovjetik mund ta braktiste Shqipërinë, siç po dukej. Por, derisa Hoxha i bënte dithirambe Bashkimit Sovjetik, ra në sy se ai nuk e përmendi asnjëherë emrin e udhëheqësit sovjetik në raportin e tij, ndryshe nga ç’ ishte praktika në raste të tilla. Shqiptarëve dhe vëzhguesve të huaj, të prirur të lexonin mes rreshtave nuk mund t’ u shpëtonte kjo gjë. Hoxha me këtë donte t’ i paraqiste gjërat sikur ai ishte në konflikt vetëm me udhëheqësin sovjetik dhe jo me Bashkimin Sovjetik. Madje, Hoxha, për të treguar se ai nuk qe kundër Hrushovit për gjithçka, i bëri jehonë në raport një fantazie propogandistike hrushoviane, në kohën që sovjetikët kishin ndërprerë ndihmat ekonomike për Shqipërinë:
       Më 1965 vëndet tona socialiste parashikohet të prodhojnë më shumë se gjysmën e prodhimit industrial.[lxvi]
      Gjëja tjetër që bëri përshtypje në raportin e Hoxhës ishte se për Kinën po flitej në një mënyrë të re:
       Mijëra kilometra e ndajnë gjeografikisht Shqipërinë nga Kina, por e tillë është forca e marksizëm-leninizmit sa që e ndjejmë shumë të afërt miqësinë dhe solidaritetin shëmbullor të popullit të madh kinez prej 650-milionësh dhe të udhëheqjes së tij të sprovuar, Partisë së lavdishme komuniste të Kinës, që po ndërton me sukses socializmin, nën flamurin ngadhnjimtar të marksizëm-leninizmit.[lxvii]
      Edhe pse tashmë në Moskë i kishin bërë të ditur se Shqipëria do të dëbohej nga Traktati i Varshavës, dhe kur ndihma ushtarake sovjetike ishte ndërprerë, Hoxha do të deklaronte në kongres:
       Partia e Punës e Shqipërisë dhe qeveria jonë, ashtu si kurdoherë, e quajnë detyrë kryesore ruajtjen dhe çelnikosjen e vazhdueshme të unitetit dhe kompaktësisë së kampit socialist, forcimin e mëtejshëm të Traktatit të Varshavës.[lxviii]
      Pikërisht për të shmangur dëbimin nga Traktati i Varshavës, Hoxha do të deklaronte në kongres zbulimin e një konspiracioni ndërkombëtar për invadimin e vendit dhe përmbysjen e regjimit komunist:
       Unë mund t’ i deklaroj Kongresit, popullit, partisë, se këto dy fuqi fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, në bashkëpunim me disa tradhëtarë shqiptarë brënda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi dhe në kordinim me Flotën e 6-amerikane në Mesdhe kishin organizuar disa muaj më parë sulmin mbi Shqipërinë me qëllim që të likuidonin Republikën Popullore të Shqipërisë. Komploti kriminal u dështoi fund e krye. Komplotistët dhe faktet janë në duart e drejtësisë popullore.[lxix]
      Pra armiku ishin SHBA dhe aleati Rusia. Pasi dëgjoi deklaratën e Hoxhës, delegacioni sovjetik i kërkoi Hoxhës që të sqaronte arsyen se përse nuk u pati çuar informacion vendeve të Traktatit të Varshavës për këtë komplot ndërkombëtar për të msyrë ushtarakisht Shqipërinë, gjë që ishte obliguese, sipas termave të traktatit, si dhe kërkoi në emër të Traktatit të Varshavës të dhëna të plota për këtë aferë, pasi një sulm kundër Shqipërisë, një vendi anëtar të Traktatit të Varshavës, qe baraz me një sulm kundër të gjitha vendeve të Traktatit të Varshavës.[lxx]Hoxha nuk i dha kurrë këto të dhëna, se ato nuk ekzistonin dhe ishin një truk që Hoxha të mbetej nën ombrellën e Traktatit të Varshavës. Shumë vite më vonë, në mbledhjen e Byrosë Politike në tetor 1982, ku do të gjykohej ish-ministri i Punëve të Brendshme në vitet 1954-1980, Kadri Hazbiu, Hoxha, duke iu drejtuar këtij të fundit e përgënjeshtroi teorinë e tij të komplotit të vitit 1960:
     Vetë çështja e komplotit të Teme Sejkos është mbuluar me një mister. Në «Tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu» unë thashë se nuk e kam të qartë komplotin e Teme Sejkos, dhe ç’ rol ka luajtur Mehmet Shehu në të. Na ishte thënë se ky ishte një komplot i organizuar nga agjentura amerikane, greke e jugosllave, e lidhur me Flotën e 6-të Amerikane në Mesdhe. Në Kongresin e 4-t të Partisë folëm për këtë komplot... Tani s’ kam më dyshim se e kam të qartë atë që fsheh ti, që ky komplot i Teme Sejkos ishte i organizuar nga sovjetikët, nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku e të tjerë, e që ti këta të dy, kryesorët, nuk i zë fare në gojë në ktë letër.
    Tash po e sqaroj: nuk diskutoj qenien e Teme Sejkos si agjent në lidhje me grekët, amerikanët (Flotën e 6-të) e jugosllavët dhe as qëllimet e tyre. Por në ato momente historike, as nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë ndërhyrje greke e jugosllave e sidomos për ndonjë ndërhyrje të Flotës së 6-të, kur në Pashaliman ndodhej flota sovjetike. Le të mos harrojmë që ishim në vitin 1960, kur me sovjetikët ishim me shpata zhveshur dhe ia kishin frikën dëbimit të flotës së tyre ushtarake nga Vlora. Ne po përgatitnim sulmin në mbledhjen e Bukureshtit dhe në mbledhjen e Partive Komuniste e Punëtore në Moskë. Ata na kërcënuan me shumë mënyra, bile në një letër na thoshin të shuanim «shkëndijën» që u ndez në Bukuresht. Por, duke parë vendosmërinë tonë, ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e kompani të ashtuquajturin komplot të Teme Sejkos, se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga flota e 6-të, e mbështetur nga grekët e jugosllavët. Me fjalë të tjera, sovjetikët na thoshin: mos bëni shaka se sulmi është gati për të shkatërruar Shqipërinë dhe na e keni nevojën. Ky ishte versioni i vërtetë i komplotit të Teme Sejkos, që ti, Kadri, as e kishe zbuluar atëherë, kur ishe ministër i Brendshëm dhe as tani, që u zbulua veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, nuk bëre tentativë të na e zbuloje, por ke mbushur letrën me dhjetëra e dhjetëra fjalë «me sa më kujtohet», e me supozime të ndryshme, bile edhe trillon».[lxxi]
      Ajo çka e rrëzon këtë teori konspiracioni të Hoxhës është fakti se sovjetikët i bënë të ditur atij se Shqipëria do të dëbohej nga Traktati i Varshavës dhe se Shqipërinë e kishin përjashtuar nga vendet e kampit socialist në dokumentet e shpërndara në mbledhjen e Moskës, gjë për të cilën Hoxha protestoi në takimet me udhëheqësit sovjetikë në Moskë, nëntorin e kaluar. Kështu që e vërteta e të ashtuquajturit komplot të Teme Sejkos, i cili në atë kohë ishte komandanti i flotës ushtarake-detare shqiptare, dilte të ishte një sajim i Hoxhës për t’ i detyruar sovjetikët që të mos e përjashtonin Shqipërinë nga Traktati i Varshavës. Dhe në fakt Hoxha ia arriti qëllimit, derisa Shqipëria nuk do të përjashtohej formalisht nga Traktati i Varshavës, edhe pasi Bashkimi Sovjetik preu marrëdhëniet diplomatike me të. Shqipërisë thjesht do t’ i refuzohej pjesëmarrja në mbledhjet e Traktatit të Varshavës. 
      Pasi Hoxha përfundoi me liturgjinë për politikën e jashtme në raportin e vet në kongres, ai do të fliste për ekonominë, duke bërë një deklaratë që tregonte se këtej e tutje ekonomia do të shihej edhe më tepër se në të shkuarën në funksion të propagandës. Hoxha shpalli përfundimin e procesit të ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit në Shqipëri:
       Vitin e kaluar sektori socialist përfshinte 99 përqind të prodhimit të përgjithshëm industrial, 100 përqind të tregtisë me shumicë, 90 përqind të tregtisë me pakicë, mbi 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bujqësor. Kështu në vendin tonë është zhdukur në përgjithësia ekonomia shumëformëshe dhe në vend të saj është krijuar një sistem i vetëm socialist i ekonomisë. Në këtë mënyrë baza ekonomike e socializmit është krijuar si në qytet ashtu edhe në fshat.[lxxii]
      Por doktrinarët e komunizmit, me bazë ekonomike të socializmit kishin kuptuar kolektivizimin e ekonomisë në shoqëritë industriale, çka do të mundësonte sipas tyre rritjen e prodhimit dhe të mirëqenies së gjithë popullit. Baza ekonomike e socializmit në një vend të prapambetur agrar si Shqipëria ishte një fiksion barbar. Shqipëria ishte një vend fshatar. Në 1960, 70.5% e popullsisë jetonin në fshat dhe vetëm 29.5% në qytet.[lxxiii]Baza e ekonomike e socializmit përbëhej në pjesën më të madhe nga toka bujqësore e kolektivizuar. Ky ishte një eksperiment pa precedent deri më atëherë në botën komuniste. Ose më saktë ishte krijimi i kushteve për kryerjen e një eksperimenti. Hoxha do të thoshte për të në në raportin e vet në kongres:
       Tani vendi ynë futet në një etapë të re, në etapën për ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste, në etapën e kthimit të vendit tonë nga një vend bujqësor- industrial, në një vënd industrialo-bujqësor.[lxxiv]
      Kjo ishte një fantazi e plotë dhe e marrë. Shqipëria nuk ishte vend bujqësor-industrial, siç pretendohej, por vazhdonte të mbetej një vend bujqësor i prapambetur. Tre vjet më parë Hoxha kishte thënë se Shqipëria ishte një vend blegtoral, dhe se duhej të zhvillohej në këtë drejtim. Tash po thoshte një gjë tjetër. Synimi për ta kthyer Shqipërinë në një vend industrialo-bujqësor ishte një kthim në modelin stalinian të industrializimit të sforcuar, zbatimi i të cilit në Shqipëri ishte ndërprerë pas vizitës së Hoxhës në Moskë, në qershor 1953. Hoxha tha në raportin e vet në Kongresin IV:
       Edhe në pesëvjeçarin e tretë Partia jonë e Punës e quan si detyrë të rëndësishme zhvillimin e mëtejshëm të industrializimit socialist të vendit, duke i dhënë rëndësi zhvillimit me ritme të shpejta të industrisë së rëndë.[lxxv]
      Në një vend të vogël dhe të pazhvilluar si Shqipëria kjo ishte një utopi paranojake. Shqipëria e varfër duhej të kishte ndihmë të madhe ekonomike të huaj për të bërë industrializimin e vendit, gjë që nuk e kishte. Edhe ndihma sovjetike nuk mjaftonte për këtë gjë, jo më ndihma kineze, e cila ishte dukshëm më e vogël, dhe teknologjia që vinte me të ishte e prapambetur. Hoxha sigurisht që i kuptonte këto, por ai qe i detyruar që të fliste kështu se këtë gjë ia kërkonin kinezët. Ata donin që t’ i privonin sovjetikët nga argumenti i tyre i parapëlqyer se sateliti europian i Kinës, Shqipëria ishte një vend i prapambetur agrar, i cili nuk mund të quhej vend socialist, dhe partia e të cilit nuk mund të quhej komuniste. Ishte pra ekonomia në funksion të propagandës. Derisa ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit u krye në 16 vjet, për ndërtimin e socializmit nuk u dha ndonjë afat, madje as për fazën e parë të tij zhvillimin e Shqipërisë duke u bërë një vend industrialo-bujqësor.
      Regjimi i Hoxhës e përdorte lirshëm fjalën «luftë» në çdo ndërmarrje te tij. Kështu edhe ndërmarrja e regjimit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend industrialo-bujqësor do të ishte një luftë në dy rrafshe, kundër njerëzve dhe natyrës. Përfundimi i ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit ishte përfundimi me sukses i një agresion barbar të regjimit ndaj shoqërisë shqiptare, gjatë të cilit u thye me dhunë rezistenca e zotëruesve të pronës private dhe ata u shpronësuan pa shpërblim. Pari passu me ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit kishte filluar një agresion i ri ndaj shoqërisë shqiptare, ku si kundërshtarë do të shiheshin punëtorët e ndërmarrjeve shtetërore dhe fshatarët kooperativistë, të cilët nuk jetonin dot me të ardhurat që u jepte shteti, dhe që nuk kishin ç’ të bënin tjetër për të mbijetuar, përveçse të përvetësonin sa të mundnin nga prona «e përbashkët» në vendet ku punonin. Ato gjëra që përvetësonin i përdornin për vete, ose shkëmbenin në tregun e zi në natyrë që u krijua me ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit, me të tjera sende të siguruara në të njëjtën mënyrë, për të cilat kishin nevojë. E gjithë periudha, që nga fillimi i procesit të ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit dhe në vazhdim mund të shikohet si një luftë, ku punëtorët, fshatarët, kuadrot, të gjithë luftonin për të ndërtuar bazën ekonomike private, në dëm të bazës ekonomike të socializmit. Në një sens kjo mund të quhet si rezistenca që populli i bënte regjimit komunist, një rezistencë kjo të cilën regjimi nuk do të arrinte që ta shtypte kurrë. Është domethënëse se njëkohësisht me shpalljen e ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit Hoxha do të shpallte krejt popullin shqiptar si reaksionar. Ai do të thoshte në raportin e vet në kongres:
       Ndërtimi i plotë i shoqërisë socialiste nuk mund të kuptohet pa krijuar njëkohësisht edhe një njeri të ri, me ide e mendime të reja, me cilësi e virtyte të larta morale. Mbeturinat borgjeze e mikroborgjeze në ndërgjegjen e njerëzve janë një pengesë serioze në rrugën për fitoren e plotë të socializmit në vendin tonë. Kontradikta midis bazës së re socialiste dhe mbeturinave kapitaliste në ndërgjegjen e njerëzve është një nga kontradiktat e rëndësishme të jetës sonë, për kapërcimin e së cilës duhet bërë një punë e madhe.[lxxvi]
      Kjo mënyrë të foluri do të thoshte se tani njerëzit e popullit, në emër të të cilëve ishte bërë revolucioni, shpalleshin njerëz të vjetër, pra reaksionarë ndaj progresit të vendit, të ndërmarrë nga regjimi. Kjo vinte nga mosdashja e regjimit për të pranuar dështimin e vet, të dogmës ideologjike që zbatonte, çka e bënte që  t’ ia atribuonte fajin popullit. Kjo vinte se e gjithë historia e regjimit komunist shqiptar, si e regjimeve komuniste në përgjithësi, ishte ajo prevalimit të mjeteve mbi qëllimet, e sendeve mbi njeriun. Kategoritë ekonomike të ideologjizuara dhe realiteti i krijuar prejt tyre, ekonomia shtetërore e planifikuar, qenë mjete që duhet të krijonin mirëqenie për njeriun, çka nëse nuk ndodhte, logjika i zhvlerësonte ato. Por regjimi komunist fajin ia  vinte njeriut, i cili quhej i papërshtatshëm për to. Njeriu konsiderohej i vjetër në raport me marrëdhëniet në prodhim, prandaj duhej ndërtuar njeriu i ri. Kështu, në vend që të ndryshoheshin sendet që përdorte njeriu, kërkohej të transformohej ky i fundit. Dhe derisa kriteri kryesor i transformimit të njeriut nga njeri i vjetër në njeri i ri ishte që të përmbusheshin planet që bënte regjimi në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, çka nuk arrihej, atëherë dilte se njeriu i ri nuk ishte krijuar. Kështu faji mbetej tek populli. Por regjimi e kuptonte se nuk mund të mbetej në këtë rreth vicioz absurd. Ai që dukej si rreth vicioz krijohej se punonte armiku, i cili përpiqej të sabotonte ekonominë dhe çdo sektor të shoqërisë, thoshte regjimi. Dhe këtu verifikohej nëse tek dikush qenë kultivuar cilësitë dhe virtutet e reja morale të njeriut të ri. Ai që «zbulonte» dhe denonconte armikun, sabotatorin, që ishte pranë tij, në vendin e punës, në lagje, në shkollë, brenda në familje, ai e dëshmonte veten si njeri të ri. Vigjilenca, kriteri i së cilës ishte spiunimi qe cilësia më e rëndësishme e njeriut të ri. Hoxha tha në raportin e vet në kongres:
       Në luftën e madhe për ndërtimin socialist të vendit lindën dhe po farkëtohen njerëzit e rinj, të pajisur me vetitë e moralit komunist, të cilët me ndërgjegje të lartë i janë përveshur punës për të vënë në jetë fjalën e partisë.[lxxvii]
      I ashtuquajturi morali komunist me të cilin qenë pajisur ata ishte në fakt quintia essentia e relativizmit moral, kodi ezoterik i normave të kastës sunduese të vendit, komunistëve. Morali komunist mund të definohet si detyrimi që veprimet më amorale të atij që është bartës i pushtetit në piramidën e regjimit komunist, të kamuflohen me një frazeologji fiktive morale. Parimi numër një i moralit komunist ishte se kasta e komunistëve do të shkelte çdo normë të moralit tradicional, çdo rregull dhe ligj të shoqërisë, të nxjerrë prej vetë regjimit, kur qe fjala për të ruajtur pushtetin në vend, në përgjithësi, apo pushtetin e klanit të caktuar në veçanti. Në terminologjinë e moralit komunist, semantika e moralit tradicional kishte një tjetër kuptim. Kështu fjala «sinqeritet» kishte si kriter spiunimin, fjala «nder» kishte si kuptim luajalitetin ndaj partisë, pavarësisht se sa të ndershme qenë ato që kërkonte ajo, si dhe favoret që u  bëheshin duke shpërdoruar postin zyrtar  atyre që quheshin «njerëzit tanë». Relativizmi i moralit komunist u kuptua kur vetëm në 11 korrik 1961 Hoxha do të çonte për herë të parë një letër në adresë të komiteteve të partisë në rrethe, ku do të thoshte:
       Bakshishet nuk pajtohen me normat e moralit komunist.[lxxviii]
      Drejtuesit vendorë të partisë, «njerëzit e rinj», supozohej që ta dinin këtë gjë, dhe ata sigurisht e dinin mirë. Korrupsioni dënohej rreptë nga ligji. Por ata e dinin edhe se sipas frymës bigotiste të regjimit këto gjëra toleroheshin dhe thuajse të gjithë zyrtarët merrnin bakshish për gjithçka që ishte në kompetencat e tyre. Hoxha deri më atëherë nuk ishte shqetësuar shumë nga ankesat e popullit, por në korrik 1961, kur Shqipëria ishte prishur me Bashkimin Sovjetik, ai ishte bërë shumë i ndjeshëm për gjithçka që cënonte regjimin e tij. Por me kalimin e kohës kjo ndjeshmëri do të binte dhe gjërat do të vazhdonin si më parë.
      Në shoqërinë shqiptare tash do të kishte dy klasa të reja virtuale kundërshtare, njerëzit e rinj dhe njerëzit e vjetër, të cilët qenë në luftë mes tyre. Njerëzit e rinj qenë komunistët, të cilët në një pjesë të madhe përbënin nomenklaturën, klasën e re sunduese të vendit. Sipas shifrave që dha Hoxha në kongres për përbërjen sociale të PPSH, doli se partia, e cila supozohej të ishte parti e klasës punëtore, ishte uzurpuar edhe më tepër se më parë nga burokratët. Në atë kohë partia kishte 50 802 anëtarë dhe 2857 kandidatë.[lxxix]      Nëpunësit përbënin 41.94% të numrit të komunistëve, ose rreth 22 mijë vetë, duke qenë grupi më i madh në parti.[lxxx]
      Kjo do të thoshte se nomenklatura sunduese e vendit qe njësuar praktikisht me partinë. Në partinë që supozohej të ishte organizata pararojë e klasës punëtore,  punëtorët përbënin vetëm 29.66% të saj.[lxxxi]Partia që e shpallte veten kampione e marksizëm-leninizmit ndërkombëtar, ishte shumë larg të qenit parti e klasës punëtore. Shumica e popullsisë, që ishin fshatarët, si ata të kolektivizuar ashtu dhe ata të pakolektivizuar, të cilët përbënin rreth 70% të popullsisë së vendit, përbënin vetëm 31.44% të partisë.[lxxxii]      Lufta e regjimit kundër natyrës ishte jo më pak tragjike se ajo kundër njeriut. Në procesin e industrializimit të vendit, me përparësi industrinë e rëndë, regjimi nuk kishte asnjë skrupull ekologjik. Toka, ujrat, ajri do të ndoteshin shumë rëndë nga mbetjet e industrisë kimike, metalurgjike etj. Regjimi mendonte se bujqësia e kolektivizuar do të bënte mrekullira, dhe ky besim mbështetej në dy kulte, në atë të traktorit dhe atë të plehrave kimike. Traktori shihej nga regjimi si tanku i luftës për ndërtimin e socializmit. Në maj 1960 Hoxha tha gjatë vizitës në Kooperativën e bashkuar bujqësore të Brezhdan-Zdojanit, në Dibër:
      Në pesëvjeçarin e ardhshëm do të sjellim katër herë më shumë traktorë nga sa kemi tani. Brenda vitit 1965 ne do të sjellim edhe disa mijëra traktorë nga rreth 4 000 që kemi tani.[lxxxiii]
      Por pjesa më e madhe e tyre qenë traktorë të përdorur, në fillim sovjetikë dhe pastaj kinezë, të cilët konsumoheshin shpejt për shkak të karburantit dhe vajrave të këqija. Kështu që mjedisi rural shqiptar u bë një lloj varreze traktorësh, makinash korrëse dhe shirëse të grurit, makinash mbjellëse, kamionash të vjetra, që erdhën në fillim nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Kina. Në janar 1962 Hoxha do të thoshte në Plenumin VI të Komitetit Qendror:
       Në qoftë se, për shembull Korça ka 180 traktorë, nga të cilët 80 prej tyre nuk e realizojnë planin, atëherë të hiqen këta të fundit dhe të dërgohen në ato rrethe ku ka më pak makina të tilla.[lxxxiv]
      Por pjesa më e madhe e këtyre traktorëve nuk do të arrinin të shkonin kurrkund. Ata mbetën në anë të rrugëve të fshatrave, derisa nuk u ndërtua kombinati metalurgjik dhe ata u çuan atje për t’ u shkrirë. Edhe më dëmprurës ishte kulti tjetër i regjimit, ai i plehut kimik. Hoxha tha në raportin që mbajti në kongres se në vend do të ndërtohej industria kimike:
       Do të investohen fonde të mëdha për ngritjen e degëve të reja të industrisë së rëndë, siç janë industria kimike për prodhimin e plehrave azotike dhe fosfatike për bujqësinë.[lxxxv]
      Por, për shkak se plehrat kimike që do të prodhoheshin në vend ishin me cilësi të keqe, kjo bëri që prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale të qenë të intoksikuara, si shkaktoi  helmimin gradual të tokave, duke shkaktuar një katastrofë ekologjike. E gjithë kjo katastrofë erdhi nga supersticioni komunist për bukën. Në Kongresin IV do të ndryshohej prioriteti në bujqësi, duke u rikthyer përsëri drithi si prioritet. Hoxha tha në raportin e vet në kongres:
       Gjatë pesëvjeçarit të tretë detyra kryesore në bujqësi qëndron gjithmonë shtimi i prodhimit të drithit.[lxxxvi]
      Edhe për aq sa do të arrihej kjo gjë, do të arrihej me një kosto katastrofale. Shpallja e drithit si prioritet afatgjatë do të thoshte se nuk kishte gjasa që struktura ushqimore e shqiptarëve të ndryshonte, nga me bazë bukën, në me bazë mishin, perimet dhe bulmetin. Por Hoxhës aq i bënte për këtë. Parulla e re e regjimit do të ishte: «Lufta për bukën është lufta për socializmin». Kështu regjimi pranonte tërthorazi se ende nuk kishte arritur që t’ i ngopte njerëzit as me bukë dhe se me ndërtimin e socializmit njerëzit do të kishin së paku bukë sa të ngopeshin. Të tjerat do të vinin në komunizëm. 
      Në Kongresin IV Hoxha bëri anëtarë të Byrosë Politike dy bashkëpunëtorët e tij të afërt, Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin. Tashmë në Byronë Politike kishte tetë muslimanë dhe tre ortodoksë. Ajo që ra në sy ishte se ministri Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u bë vetëm kandidat i Byrosë Politike. Në sekretariatin e Komitetit Qendror u fut dhe njeriu i Shehut, Josif Pashko. Pas përfundimit të Kongresit IV nuk u mbajt miting në Tiranë, siç ishte tradita. Kjo u bë se Hoxha mendonte se delegacioni sovjetik nuk do të mbante një fjalim të pëlqyeshëm për të.


3.
«Likuidimi i bazës së Vlorës gëzoi pa masë vetëm armiqtë e socializmit, armiqtë e Shqipërisë dhe të Bashkimit Sovjetik, gëzoi imperialistët amerikanë».

      Në «hagiografinë» e Hoxhës, largimi i sovjetikëve nga baza e Vlorës është shndërruar virtualisht në një betejë të madhe ushtarake të fituar nga Hoxha. Si gjithë mitet që përbëjnë kultin e Hoxhës, kjo mbështetet në tjetërsimin e ngjarjeve. Nëse bëri një betejë Hoxha në 1961, ajo ishte beteja që ushtria sovjetike të mos largohej nga Vlora. Hoxha, në takimin që pati në 20 shkurt 1961, me të dërguarin sovjetik në Kongresin IV, Yuri  Andropov, konfirmoi qëndrimin e tij në bisedën me Hrushovin, në Moskë, për bazën e Vlorës:
       Ne duam që në bazën detare të zotërojë harmonia dhe dashuria me njerëzit sovjetikë, sepse kjo bazë është e nevojshme për interesat e të gjithë kampit tonë socialist dhe jo vetëm për ne.[lxxxvii]
     Andropov, njeriu që më pas do të bëhej shef i KGB, post të cilin do ta mbante për 15 vjet, për t’ u bërë pastaj udhëheqësi suprem i Bashkimit Sovjetik në vend të Brezhnjevit, kishte ndodhur që të ishte njeriu më i përshtatshëm për ta çmuar këtë ngjarje krejt të rrallë në historinë sovjetike, madje edhe ruse, ashtu që udhëheqësi i një vendi josllavo-ortodoks, shprehej kundër largimit të ushtrisë ruse nga vendi i tij. Si për të dëshmuar sinqeritetin e fjalëve të tij, Hoxha, fill pas përfundimit të kongresit, u nis me pushime në Vlorë. Ai shkruante në ditar, në 26 shkurt 1961:
       U nisa me pushime në Vlorë.[lxxxviii]
      Ky ishte një gjest prej Tarasi-Herman, me të cilin ai donte të tregonte se ai nuk ndjente shqetësim nga flota ushtarake sovjetike. Por sovjetikët tashmë kishin një agjendë për t’ u larguar nga baza e Vlorës dhe po e ndiqnin atë. Mbi këtë Hoxha shkruan në ditar, në 15 mars 1961:
       Nikita Hrushovi përveç provokacioneve e presioneve të tjera, po pengon plotësimin e nevojave të bazës detare të Vlorës. Kjo është me të vërtetë një tradhti e madhe. Atje janë pezulluar të gjitha punimet. Kësaj i thonë që të ndihmosh e të lësh lësh të qetë të bëjnë punën e vet imperializmi amerikan dhe Flota e tij e 6-të që ndodhet në Mesdhe. Sazani dhe Karaburuni që janë kobure kundër forcave imperialiste, po mbeten si trofe «të pambushura» për faj të revizionistit Hrushov. Kjo situatë është e padurueshme dhe e papranueshme. Për këtë qëndrim ai së bashku me shokët e vet do të përgjigjen![lxxxix]
      Në fund të marsit 1961, sovjetikët vendosën zyrtarisht që të mbyllej baza e Vlorës dhe që të ndërpriteshin marrëdhëniet me Shqipërinë në rrafshin ushtarak. Hoxha shkruan për këtë në ditar, në 31 mars 1961:
       Mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës që u bë në Moskë është vazhdim i punës armiqësore të Nikita Hrushovit dhe i grupit të tij kundër Partisë dhe vendit tonë, është vazhdim i të njëjtave qëndrime të tyre në Mbledhjen e Moskës të nëntorit 1960, por këtë herë në platformën politike dhe ushtarake. Nikita Hrushovi, i mbështetur dhe nga të tjerët, në këtë mbledhje mori në fakt vendimin që të mos na furnizojë më me armatime, të heqë bazën e Vlorës, duke u bërë kështu një koncesion të madh imperialistëve amerikanë e Flotës së tyre të 6-të në Mesdhe dhe t’ i presë Shqipërisë ndihmat ekonomike të akorduara më parë.[xc]
      Në letrën që Hoxha, në emër të Komitetit Qendror të PPSH dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, do t’ i çonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, në 6 korrik 1961, pra gjashtë javë pas largimit të sovjetikëve nga baza e Vlorës, thuhej në lidhje me vendimin sovjetik për largimin nga baza e Vlorës:
       Komiteti Qendror i Partisë së Punës dhe Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë vendimin e udhëheqjes sovjetike për të prishur bazën ushtarako-detare të Vlorës e konsideron si një ngjarje të hidhur në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Ne kemi të drejtë të themi se në këto momente, kur nga ana e imperialistëve dhe shërbëtorëve të tyre komplotohet kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe kur situata ndërkombëtare është shumë e rëndë, udhëheqja e Partisë Komuniste dhe e Shtetit Sovjetik e mikut e aleatit tonë të fuqishëm e besnik, Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, duhej të na ndihmonte për të forcuar akoma më shumë potencialin tonë mbrojtës dhe jo ta dobësonte këtë potencial dhe të na krijonte situate të rrezikshme siç bëri me vendimin për të likuiduar bazën ushtarako-detare të Vlorës që mund të përshëndetet vetëm nga armiqtë e vendeve tona socialiste. Këto veprime të padrejta që bëhen kundër Shqipërisë, bëhen njëkohësisht kundër gjithë kampit socialist, ato janë në dëm të vetë Bashkimit Sovjetik dhe ngarkojnë me përgjegjësi të madhe ata që i vendosin dhe i kryejnë.[xci]
        Këtu çdo gjë del e qartë. Bashkimi Sovjetik e braktisi bazën e Vlorës si pasojë e një marrëveshjeje sovjeto-amerikane, çka kuptohet nga fakti se largimi i flotës sovjetike ndodhi pak ditë para takimit Hrushov-Kenedi, që u mbajt në Vienë, në 3-4 qershor 1961. Hrushovi e pati shtyrë ultimatumin për Berlinin në maj 1960, duke pritur zgjedhjen e Presidentit të ri amerikan në nëntor, me të cilin donte të negocionte për Berlinin. Amerikanët donin që kriza e Berlinit të merrte fund dhe nuk donin që të fillonin Luftën e Tretë Botërore për Berlinin. Ata qenë dakord që kriza e Berlinit të zgjidhej në frymën e parimit të ndarjes së zonave të influencëve, por donin që të siguronin dhe një quid pro quo (kompensim) për lëshimin që po bënin duke pranuar ndarjen e Berlinit, i cili me marrëveshjet e të mëdhenjve qe parashikuar të qe qytet i hapur. Në kushtet e luftës së ftohtë hapësira për kompensim gjeopolitik qe shumë e vogël dhe e vetmja që mbetej në bargainin counter qe baza e Vlorës. Në takimin Hrushov-Kennedy që u mbajt në Vienë në 3-4 qershor 1961, të dy palët u pajtuan me zgjidhjen e krizës së Berlinit, sipas parimit të ndarjes së zonave të influencës, çka do të thotë se amerikanët u pajtuan në parim me ndërtimin e Murit të Berlinit. Aspekti praktik u mbetej sovjetikëve, të cilët për turpin e tyre dhe të kampit komunist e realizuan me ndërtimin e murit, çka dëshmonte dhe frikën e tyre.
        Pas vendimit të Kremlinit për të larguar forcat sovjetike nga Vlora dhe për të prishur në përgjithësi marrëveshjet ushtarake me Shqipërinë, në maj 1961 në Tiranë u krijua komisioni i përbashkët për ndarjene aseteve të bazës. Marrëveshja për ndarjen e aseteve u arrit shpejt, duke marrë sovjetikët 8 nëndetëse dhe anijen-bazë furnizimi të nëndetësve, ndërsa pala shqiptare mbajti 4 nëndetëse. Në 26 maj 1961 anijet sovjetike u larguan nga Vlora, në drejtim të Gjibraltarit për të shkuar në Balltik. Sovjetikët i lanë Shqipërisë minimumin e forcës që mos të akuzoheshin se lanë një vend komunist të pambrojtur para imperializmit. Në 5 qershor 1961 nga Vlora u larguan dhe instruktorët ushtarakë sovjetikë. Tashmë, amerikanët mund t’ u jepnin sovjetikëve dorë të lirë në Berlin. Disa javë pas largimit të sovjetikëve nga Vlora, në 13 gusht 1961, sovjetikët, duke vepruar me anë të puppet strings të tyre gjermanolindorë, mbyllën zonën e tyre të okupacionit në Berlin dhe katër ditë më pas, në 17 gusht, filloi ndërtimi i Murit të Berlinit. Reagimi i SHBA-ve qe vetëm retorik, pasi në ndërkohë marrëveshja qe arritur.
        Që largimi i sovjetikëve nga Vlora u bë pas një marrëveshjeje me SHBA-t, për këtë indirekt i ka akuzuar sovjetikët edhe Hoxha kur shkruan në Letrën që Komiteti Qendror i PPSH i çoi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në 12 tetor 1961:
       Likuidimi i bazës së Vlorës gëzoi pa masë vetëm armiqtë e socializmit, armiqtë e Shqipërisë dhe të Bashkimit Sovjetik, gëzoi imperialistët amerikanë dhe aleatët e shërbëtorët e tyre, të cilët mendojnë se tashmë Shqipëria është «e zbuluar», se pellgu i Mesdheut në rast lufte është plotësisht në duart e tyre.[xcii]
      Presidenti Kennedy u kritikua gjerësisht për faktin që nuk reagoi për të ndaluar ndërtimin e murit të Berlinit dhe kjo i quhet atij si një nga gabimet që bëri. Në anën tjetër atij as që i njihet fare merita e heqjes së flotës sovjetike nga Vlora, çka qe një fitore e madhe strategjike për NATO-n. Por, ky është fati i burrave të shtetit. Të vërtetat e mëdha të bargaing gjeopolitik nuk janë shënuar nëpër arkiva, ose janë shënuar në ato dokumente që mbahen në arkiva që nuk do të hapen kurrë. Kurrkujt sot nuk i intereson të zbulojë se Berlini «u shkëmbye» me Vlorën. Por, ky është ekzagjerim, se Vlora nuk vlente sa Berlini do të thotë shumëkush. Ashtu është, por në Berlin amerikanët kishin pak çka të pretendonin, pasi atje zonat e influencës qenë ndarë në mënyrë strikte, kështu që fleksibiliteti i Berlinit në bargaining counter relativizohej mjaft, duke u barazuar praktikisht me Vlorën. Ishte sigurisht zgjuarsia dhe prakticiteti i Kennedy-t që e kuptoi këtë dhe pati kurajon ta bënte këtë shkëmbim, të cilin p.sh. Presidenti Eisenhoëer (Ajzenhauer) para tij nuk e bëri. Që ka pasur një bargain sovjeto-amerikan për largimin e sovjetikëve nga Shqipëria, kjo kuptohet tërthorazi nga ajo që Hoxha, në 28 gusht 1969 u tha disa komunistë francezë, në takimin që pati me ta:
       NATO-ja nuk mund të mos e konsiderojë vendin tonë si një vend me rëndësi strategjike. Prandaj, për interesat e saj nuk do të rrijë pa reaguar fare ndaj një sulmi të socialimperialistëve sovjetikë ndaj vendit tonë.[xciii]
      Në kohën e largimit të ushtrisë sovjetike nga Shqipëria, dukej se Moska donte që NATO ta invadonte Shqipërinë. Vetë Hrushovi u kujdes që t’ i bënte të ditur Perëndimit se Shqipëria nuk shihej më brenda rrezes sovjetike të mbrojtjes. Hoxha, në fjalimin e mbajtur në nëntor 1961 në mbledhjen solemne për 20-vjetorin e krijimit të PPSH, do të thoshte:
       Në kohën kur amerikanët, grekët, turqit bëjnë manovrat e mëdha ushtarake rreth kufijve të Shqipërisë dhe të Bullgarisë, N. Hrushovi në deklaratën që i bëri gazetarit Sulzberger të «Nju Jork Tajms»-it në datën 10 shtator 1961, tha tekstualisht: «Ju (amerikanët) keni vendosur baza edhe në Greqi dhe prej andej kërcënoni aleaten tonë Bullgarinë». A mos vallë Greqia monarkofashiste s’ i ka vendosur bazat edhe kundër Shqipërisë? Që kur Nikita Hrushovi ka vendosur që Shqipëria të mos jetë më aleate e Bashkimit Sovjetik? Kjo është një gjë e përbindshme. A janë këto çështje të vogla. A mund t’ i lejohet Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Kryeministrit të Bashkimit Sovjetik, sikur e në thikë e në pikë të jetë me Shqipërinë socialiste, që t’ i thotë hapur reaksionit grek se Shqipëria socialiste s’ është më aleate e Bashkimit Sovjetik dhe t’ i dërgojë lajm presidentit Kenedi se «marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik janë të prishura».[xciv]
      Sovjetikët mendonin se nëse NATO invadonte Shqipërinë, dhe të rrëzonte regjimin e Hoxhës, atëherë Bashkimi Sovjetik kishte të drejtë që për quid pro quo të invadonte Berlinin Perëndimor, duke i dhënë fund situatës aspak të këndshme me murin. Por duket se amerikanët qenë komodë me ekzistencën e Berlinit të ndarë dhe të Shqipërisë komuniste, por pa ushtri sovjetike.     
      Por pse Hoxha insistonte që ushtria sovjetike të mbetej në Shqipëri? A besonte ai vërtet se vendit i kërcënohej një rrezik serioz nga një aleancë e Greqisë me Jugosllavinë, të cilat duke përfituar nga largimi i sovjetikëve do të invadonin dhe ndanin mes tyre vendin, siç deklaroi praktikisht në Kongresin IV, në shkurt? Në kohën që sovjetikët po largoheshin nga baza e Vlorës, Hoxha do të provonte edhe një herë të luante kartën e rrezikut greko-jugosllav për Shqipërinë, që t’ i bënte sovjetikët të ndryshonin vendimin e tyre. Në një artikull të Hoxhës të botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, në 2 maj 1961, me titull “Përse Rankoviçi shkon në Athinë?”, thuhej:
       Komplotet dhe pazarllëqet në kurriz të Shqipërisë kanë lidhje edhe me zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve të vjetra midis Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilat, me gjithë aleancën e ngushtë midis dy vendeve, nuk mungojnë të dalin herë pas here në sipërfaqe. Kështu, në gushtin dhe në dhjetorin e vitit që shkoi, disa gazeta greke dhe jugosllave nisën një fushatë të ashpër për punën e Maqedonisë. Shtypi jugosllav e akuzonte Greqinë për synime territoriale ndaj Maqedonisë, ndërsa shtypi grek e akuzonte Jugosllavinë se zhvillon fushatë mbi temën e «Maqedonisë së Egjeut». Në Beograd, në Athinë dhe në disa kryeqytete të vendeve të NATO-s flitet për herë e më shumë se janë të gjitha mundësitë që të dyja palët të mbeten të kënaqura duke e zgjidhur këtë çështje në kurriz të Shqipërisë. Edhe një fakt tjetër: Kohët e fundit në shtypin grek flitet përherë e më shumë për «autonominë e Vorio-Epirit», duke e lidhur këtë çështje me kuptimin që i jep bashkëekzistencës paqësore Sofokli Venizellosi, që nën maskën e «autonomisë të Vorio-Epirit», fsheh planet agresive të shovinistëve grekë kundër RP të Shqipërisë dhe nën maskën e «bashkëekzistencës paqësore» fsheh politikën agresive të reaksionit grek.[xcv]
      Sigurisht që grekët dhe jugosllavët nuk do të mungonin që ta invadonin dhe ndanin Shqipërinë, nëse u krijohej situate e favorshme, dhe situata e krijuar pas largimit të flotës sovjetike nga Shqipëria dukej se krijonte situatën e favorshme për të ndërmarrë një veprim të tillë. Por fakti që Greqia dhe Jugosllavia, nuk e kishin bërë këtë gjë para vitit 1955, në kohën kur Shqipëria nuk kishte një aleancë formale me Bashkimin Sovjetik, kur ushtria sovjetike nuk gjendej në Shqipëri, dhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e OKB, të jepte të kuptoje se këtë gjë nuk mund ta bënte as tash, dhe se qe tjetërkush që i frenonte vendet fqinje të invadonin Shqipërinë. Frenimi vinte nga Washingtoni. Hoxha e kuptonte se rreziku që paralajmëronte ai nuk qe real, por këtë e bënte që sovjetikët të mos ndërprisnin ndihmën ushtarake për Shqipërinë, çka kishte si parakusht që ata të mos largoheshin nga baza e Vlorës, që përbënte dhe arsyen kryesore për të cilën ata i jepnin ndihmë ushtarake Shqipërisë. Ndihma ushtarake sovjetike Hoxhës nuk i duhej aq për mbrojtjen e vendit, se ai e dinte se në rast lufte ushtria shqiptare nuk do të qe në gjendje të përballonte sulmin e ushtrive të vendeve fqinje të bashkuara, siç parashikonte ai të ndodhte, dhe aq më pak një sulm amerikan. Ndihma sovjetike për ushtrinë shqiptare nuk ishte vetëm në armatime, por edhe në veshje, ushqime, dhe pajisje të tjera. Hoxhës i duhej ndihma ushtarake sovjetike për të siguruar mbajtjen e korpusit të ushtarakëve profesionistë, oficerë, nënoficerë, si dhe punonjës të tjerë civilë të ushtrisë, të cilët i shikonte si bazë fuqie të regjimit. Në sajë të ndihmës sovjetike regjimi ishte në gjendje që t’ u paguante ushtarakëve paga ndjeshëm më të larta, në krahasim me ato të zyrtarëve civilë. Në rast se do të ndërpritej ndihma sovjetike atëherë ushtarakët do të bëheshin një barrë e rëndë për regjimin, i cili nuk do të mund t’ i trajtonte më si më parë dhe kjo do të sillte pakënaqësinë e tyre, dhe eventualisht pasojat e frikshme që sillte kjo gjë.   
      Me rastin e largimit të flotës sovjetike nga baza e Vlorës, Hoxha, me natyrën e vet të pamposhtshme prej komediani, nuk rri dot pa sajuar edhe një surrogate-betejë, të llojit si atëherë kur rrinte në shtëpinë e File Musait në Kishtë të Gramshit, dhe përgjonte me armën ngrehur ballistët që rrinin në dhomën tjetër, të ndarë me një mur dërrase. Hoxha tek «Hrushovianët e tregon kështu historinë e largimit të flotës sovjetike nga baza e Vlorës:
       Erdhi pas tyre në Tiranë komandanti i flotës së Detit të Zi admirali Kasatonov, me misionin që të rrëmbente jo vetëm tetë nëndetëset dhe bazën lundruese me ekuipazh sovjetik, të cilat edhe këto qenë pronë e shtetit shqiptar, por edhe nëndetëset që ne i kishim marrë në dorëzim më parë. I thamë këtij prerë: Ose do të na i dorëzoni nëndetëset sipas marrëveshjes, ose brenda një kohe të shkurtër (i caktuam afatin) të largoheni menjëherë nga gjiri vetëm me anijet që shërbehen nga ekuipazhet tuaja. Ju po shkelni marrëveshjen, ju po na i grabitni nëndetëset tona dhe do ta paguani këtë qëndrim. Admirali u përpëlit dhe u përpoq të na zbuste, por më kot. Ai nuk i dorëzoi nëndetëset, por shkoi në Vlorë, hipi në nëndetësen-komandë dhe i rreshtoi të tjerat në formacion lufte. Ne dhamë urdhër të zihej ngushtica e Sazanit dhe të ngriheshin topat në drejtim të anijeve sovjetike. Admirali Kasatonov, që deshi të na trembte, u tmerrua. Ishte zënë si miu në dhokan dhe, po të tentonte të vinte në zbatim planin e tij, mund të gjendej në fund të detit. Në këto kushte admirali u detyrua të merrte vetëm nëndetëset me ekuipazh sovjetik dhe me bisht në shalë doli nga gjiri e u nis për andej nga kishte ardhur.[xcvi]
      Por në librin «Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë», botim zyrtar i regjimit komunist, shkruhet, duke iu referuar qeverisë sovjetike:
       Ajo tërhoqi para syve të gjithë botës anijet e bazës detare luftarake të Vlorës dhe i grabiti Shqipërisë tetë nëndetëse si dhe luftanijet shqiptare që ndodheshin në riparim në Sevastopol. Këto veprime dobësonin fuqinë mbrojtëse të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të kampit socialist, nxisnin shumë lakmitë e imperialistëve amerikanë, të monarkofashistëve grekë dhe revizionistëve komplotistë jugosllavë. Megjithatë PPSH nuk i dënoi botërisht këto veprime armiqësore të klikës së Hrushovit. Përkundrazi, KQ i PPSH edhe në korrik 1961 i shkruante KQ të PKBS: «duhet të hiqet dorë nga shtrirja e mosmarrëveshjeve ideologjike, që ekzistojnë midis dy partive tona, në fushën e marrëdhënieve shtetërore, qoftë në lëmin ekonomik, qoftë në atë politik e ushtarak».[xcvii]
        Kështu, edhe 20 vjet pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve nga ana e Bashkimit Sovjetik, Hoxha deklaronte botërisht se po të ishte për të Bashkimi Sovjetik duhej të kishte ende ushtrinë e vet në Shqipëri, dhe Shqipëria të ishte në aspektin politik e ekonomik një satelit sovjetik. Por, edhe pse sovjetikët u larguan nga baza e Vlorës, Hoxha çuditërisht do të deklaronte se ai vazhdonte ta shikonte atë si bazë sovjetike. Në letrën e Komitetit Qendror  të PPSH dhe Këshillit të Ministrave të RPSH drejtuar homologëve sovjetikë në 6 korrik 1961, thuhej:
       Me gjithë vështirësitë serioze që krijon për vendin tonë vendimi i lartpërmendur i Qeverisë Sovjetike, ne deklarojmë se do ta ruajmë bazën e Vlorës me ato mjete që kemi, do ta bëjmë një bazë të fortë për mbrojtjen e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të kampit socialist në këtë zonë, si pjesëtarë të Traktatit të Varshavës, do të koordinojmë veprimet tona me Komandën e Bashkuar dhe e konsiderojmë gjithashtu të nevojshme të ruajmë kontaktet edhe me komandën e Flotës luftarako-detare sovjetike të Detit të Zi.[xcviii]
      Ky dokument është mëse eksplicit dhe nëse ka rast kur vlen shprehja se çdo koment është i tepërt, është pikërisht ky rast. Por sovjetikët, jo vetëm që e larguan ushtrinë e tyre nga Shqipëria, por fill pas kësaj e përjashtuan virtualisht Shqipërinë nga Traktati i Varshavës. Në gusht 1961, në Moskë u mbajt takimi i sekretarëve të parë të vendeve të Traktatit të Varshavës, në të cilën mori pjesë një delegacion shqiptar me në krye Ramiz Alinë, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror. Për këtë mbledhje Hoxha në 4 gusht 1961, shkruan në ditarin e vet politik shënimin «Shkelje flagrante trockiste e çdo norme marksiste e të barazisë», ku thotë
       Ramizi u kthye nga Moska dhe raportoi për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës për çështjen e traktatit të paqes me Gjermaninë. Atë e nxorrën nga mbledhja në mënyrën më të poshtër. Nuk i dhanë as fjalën, nuk e lejuan të fliste. Banditi Hrushov në mënyrë skandaloze e pengoi të fliste, sido që për këtë u bë një debat i ashpër midis Ramizit dhe Hrushovit. Ulbrihti propozoi përjashtimin tonë nga mbledhja dhe dërgimin e një letre armiqësore Komitetit Qendror të Partisë sonë, gjë që u aprovua nga gjithë të tjerët, me përjashtim të ambasadorit kinez.[xcix]
           

4.
Shokë revizionistë, qëlloni të parët: «Apo e duam këtë për histori, si fjala e njohur e oficerëve francezë në Fontenua në luftën me anglezët: Messieurs les Anglais, tirez le premiers! Kjo është absurde kur është fjala për të luftuar armikun e madh në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare».

      Kur u bë publike prishja sovjeto-shqiptare në vjeshtën e vitit 1961, Hoxha, në fjalimin që mbajti në mbledhjen solemne për 20-vjetorin e krijimit të PPSH, në 7 nëntor 1961, ku i ktheu përgjigje Hrushovit pasi ky e atakoi publikisht, do të ankohej:
       Partia e Punës e Shqipërisë asnjëherë nuk ka folur publikisht për mosmarrëveshjet tona, ajo vetëm në rrugë Partie dhe në mbledhje Partie ka kritikuar hapur e me kurajë pikëpamjet dhe veprimet e gabuara të udhëheqësve sovjetikë, kurse N. Hrushovi i pari foli publikisht nga tribuna e Kongresit XXII jo vetëm për ekzistencën e mosmarrëveshjeve tona, por volli vrer, shpifi në mes të ditës, kundër Partisë dhe pushtetit tonë popullor, duke e paraqitur atë si një ‘regjim terrori ku majtas e djathtas ka burgje e skuadra ekzekutimi.[c]
      Hoxha, si në shumë raste të tjera, edhe këtu nuk arrinte që ta mposhtte natyrën e vet prej komediani. A nuk e kuptonte ai se kështu po e rrëfente rolin e tij në këtë histori si atë të aktorit të një komedie situatash. Në rast se çështjet ortodoksisë komuniste për të cilat Hoxha kishte folur në mbledhjen e Moskës nëntorin e kaluar qenë vërtet shumë të rëndësishme për të, ai nuk mund të rrinte pa i bërë publike ato, ashtu që komunistët e botës të kishin mundësi të njiheshin me të vërtetën. Se sikur Hrushovi të kishte vazhduar të heshtte, dhe të mos e sulmonte Hoxhën atëherë do të kalonin vite dhe këto çështje do të mbeteshin të panjohura. Në këtë rast Hoxhës i shkonte si epigram ajo që ai në 15 shtator 1964 do të shkruante në ditarin politik për qëndrimin e kinezëve, të cilët ende nuk i kishin kritikuar publikisht sovjetikët:
       Apo e duam këtë për histori, si fjala e njohur e oficerëve francezë në Fontenua në luftën me anglezët: Messieurs les Anglais, tirez le premiers! Kjo është absurde kur është fjala për të luftuar armikun e madh në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare.[ci]
      Hoxha në 1961 do të thoshte pikërisht këtë gjë: Shokë revizionistë qëlloni të parët! Madje Hoxha kishte qëlluar vetveten kur në mbledhjen e Moskës, nëntorin e kaluar, kishte pranuar dhe firmuar deklaratën e përbashkët zyrtare ku ai pranonte gjithçka që në fjalimin e vet e kishte konsideruar shkelje të ortodoksisë ideologjike. Në fakt Hrushovi kishte pritur që Hoxha të qëllonte i pari publikisht. Hrushovi gjatë gjithë pranverës dhe verës së vitit 1961 priti që Mao Ce Duni ta urdhëronte Hoxhën që ta atakonte publikisht udhëheqjen sovjetike. Atëherë Hrushovi do të kishte mundësi që përveç Shqipërisë, e cila tashmë për të nuk kishte asnjë rëndësi, të atakonte Kinën, si nxitësen e saj dhe shkaktaren e vërtetë të përçarjes së kampit socialist dhe të lëvizjes komuniste ndërkombëtare.
      Ajo çka e kishte vënë Hoxhën në pozitën e aktorit të një komedie situatash në këtë histori ishte fakti se kinezët nuk ranë në këtë kurth sovjetik dhe u thanë shqiptarëve që të mos bënin asnjë gjest publik që mund të interpretohej si antisovjetik, duke ia lënë Hrushovit të shtënën e parë. Sigurisht që turpi në këtë histori i mbetej Hoxhës i cili në mbledhjen e Moskës, nëntorin e kaluar, nuk kishte lënë gjë pa thënë ndaj sovjetikëve. Tash Hoxha jo vetëm heshtte për ato që kishte thënë në fjalimin e vet në Moskë, por si një komedian i vërtetë  vazhdonte të bënte publikisht ritualin e hymneve ndaj Bashkimit Sovjetik. Në 1 shtator 1961 Hoxha shkruante në ditar:
       U çel muaji i miqësisë shqiptaro-sovjetike... si ngaherë i ftuam edhe sovjetikët në aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji, po ata refuzuan të dërgonin delegacion. E bëjmë dhe pa ta. Miting madhështor në Tiranë me pjesëmarrjen e 60 mijë vetave. Entusiazëm i madh. Foli Hysniu, isha dhe unë.[cii]
      Fjala «komedian» është përdorur shumë në këtë libër, por a mund të evitohet ajo në një rast si ky kur Hoxha, edhe pse sovjetikët nuk dërgojnë delegacionin në festën e çeljes së muajit të miqësisë shqiptaro-sovjetike, megjithatë e bën mitingun tradicional në këtë ditë, ku merr pjesë edhe vetë, si dhe vazhdon të ndiqet agjenda e muajit të miqësisë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kështu, gjithë bota po shihte se, derisa sovjetikët virtualisht e kishin braktisur Shqipërinë, Hoxha po u kërkonte atyre të ktheheshin në Shqipëri. Derisa sovjetikët nuk kishin ndërmend ta bënin këtë, Hoxha do ta mbyllte muajin e miqësisë shqiptaro sovjetike në një festë kineze. Në 30 shtator Hoxha mori pjesë në pritjen e ambasadës së Kinës në Tiranë, me rastin e festës së Kinës, ku tha në fjalimin që mbajti:
       Populli kinez, duke zbatuar me sukses tre flamurët e kuq: të vijës së përgjithshme të partisë për ndërtimin e socializmit, të hopit të madh përpara dhe të komuneve popullore, ka treguar një inisiativë krijuese në një nivel shumë të lartë në të gjitha fushat e ndërtimit socialist. Kështu në Kinë, gjatë tre vjetëve të hopit të madh, në sektorin e industrisë u realizuan përpara afatit treguesit kryesorë të planit të dytë pesëvjeçar, u krijua një bazë industriale moderne mjaft e madhe, duke bërë që të rritet disa herë më shumë kapaciteti i prodhimit në degët kryesore të industrisë.[ciii]
      Hoxha ua paraqeste shqiptarëve katastrofën kineze si sukses të madh se e dinte që shumë shpejt do t’ i duhej t’ u thoshte shqiptarëve publikisht se tashmë vendi do të mbështetej vetëm në ndihmën e Kinës. Hrushovi zgjodhi që ta bënte publike prishjen me Shqipërinë në Kongresin XXII të PKBS, që u mbajt në tetor 1961. Zgjedhja e Hrushovit ishte e llogaritur në mënyrë të tillë që të dinamizonte prishjen sovjeto-kineze, duke i detyruar kinezët që të bënin hapin vendimtar në këtë drejtim, çka sipas mendimit të udhëheqjes sovjetike do të thellonte konfliktin e brendshëm në Pekin. Në kongres merrte pjesë një delegacion kinez me në krye kryeministrin Çu En Lai, çka do të thoshte se delegacioni kinez ishte i një niveli dukshëm më të lartë se ai në Kongresin XX. Në Kongresin XXII të PKBS do të qenë praktikisht të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes së partive komuniste e punëtore të botës të një viti më parë, me përjashtim të PPSH, së cilës sovjetikët nuk i kishin çuar ftesë. Të gjithë përfaqësuesit e komunizmit ndërkombëtar që do të ishin në sallë e dinin se denoncimi sovjetik ndaj shqiptarëve ishte një denoncim ndaj kinezëve, dhe përgjigjia pritej prej këtyre të fundit. Nëse kinezët do të reagonin në mbrojtje të shqiptarëve mendonin sovjetikët, atëherë ata merrnin kështu përsipër  veprimet e Hoxhës, duke u dhënë të drejtë sovjetikëve që të akuzonin drejtpërdrejt kinezët.
      Në 17 tetor Hrushovi sulmoi Hoxhën dhe PPSH, gjë që do ta bënte jo vetëm në raport por edhe në fjalën e mbylljes. Hrushovi u shpreh, duke përdorur një figuracion biblik, se “udhëheqja e PPSH u shit tek imperializmi për 30 aspra”. Kjo ishte akuza që e preku më tepër Hoxhën, i cili në fjalimin e mbajtur në mbledhjen solemne për 20-vjetorin e krijimit të PPSH, në 7 nëntor të atij viti, ku do t’ i kthente përgjigje Hrushovit, do të thoshte:
       Është gjithashtu e pabesueshme edhe shpifja e përbindshme se udhëheqësit shqiptarë qenkan lidhur me imperializmin dhe i qenkan shitur atij «për 30 aspra»! «Zbulimeve» të këtilla mund t’ u zenë besë vetëm amatorët e përrallave dhe të romaneve policeske, por asnjë njeri serioz, sepse çdo njeri i ndershëm, që sado pak njeh historinë 20-vjeçare të Partisë sonë, nuk mund të mos shohë se një shpikje e tillë nuk e justifikon asnjë qëndrim i Partisë sonë, asnjë veprim i udhëheqësve të saj. Partia e Punës së Shqipërisë, gjatë gjithë rrugës së saj revolucionare, kurdoherë ka luftuar dhe lufton me vendosmëri kundër imperializmit dhe agjentëve të tij, ajo kurrë, as në të kaluarën, as tani, as edhe në të ardhmen, nuk i ka zgjatur, nuk i zgjat dhe nuk do t’ i zgjatë dorën për lëmoshë kurrkujt e aq më pak imperializmit dhe aleatëve të tij.[civ]
      Hrushovi me akuzën e shitjes për 30 aspra donte të justifikohej që ai e kishte shitur një satelit sovjetik, Shqipërinë, në një pazar gjeopolitik me SHBA. Por mbi të gjitha, Hrushovi, me fjalët e mësipërme po akuzonte udhëheqjen kineze se kërkonte të bënte një aleancë me SHBA, në dëm të Bashkimit Sovjetik, sipas precedentit të Titos. Në Moskë e dinin se në Ëashington kishte pasur gjithherë një linjë që kërkonte afrimin me Kinën, ashtu që të çahej blloku komunist dhe Kina të përdorej për të kundërbalancuar Bashkimin Sovjetik në Azi, ku komunizmi ishte në ekspansion. Afrimi mes Kinës komuniste dhe SHBA ishte frenuar se parakushti për këtë ishte prishja kino-sovjetike. Mao Ce Dun ecte me kujdes në kursin e prishjes me Bashkimin Sovjetik se pozita e tij në Kinë nuk ishte e sigurt. Ai e dinte se Bashkimi Sovjetik, kur të shikonte shenjat e afrimit të Kinës me SHBA do të nxiste dhe mbështeste kundërshtarët e Mao Ce Dunit në Kinë, që ta rrëzonin atë nga pushteti. Mao Ce Dun e dinte se sovjetikët nuk do të mërziteshin aspak, madje do ta mirëprisnin që amerikanët të përfitonin nga kjo situatë kaosi për të invaduar Kinën, duke mbështetur ndërhyrjen ushtarake të kinezëve antikomunistë të Taiëan-it, siç kishin bërë kinezët komunistë në Kore, në rast se kjo do të çonte në realizimin e planit të hershëm për ndarjen e Kinës. Ankthi i Mao Ce Dun ishte që prishja kino-sovjetike dhe afrimi i Kinës me SHBA, të çonte në një marrëveshje sovjeto-amerikane për të ndarë Kinën. Prandaj, Mao Ce Dun, nuk mund të bënte asnjë hap për afrimin me SHBA, pa eliminuar të gjithë ata brenda vendit të cilët nesër të mbështetur nga sovjetikët, do të tentonin ta eliminonin atë duke e akuzuar atë si të shitur tek imperializmi amerikan. Mao Ce Dun iu përgjigj akuzës së qartë të Hrushovit duke shkallëzuar atakimin ideologjik ndaj SHBA dhe këtë e bënte edhe se me diabolizëm llogariste që t’ i eliminonte kundërshtarët e tij duke i akuzuar si agjentë të imperializmit.
      Kur prishja sovjeto-shqiptare u bë publike, gjëja më interesante që ndodhi ishte se Hoxha heshti për katër ditë, edhe pse fjalimi i Hrushovit u dha nga Radio Moska dhe u dëgjua në të gjithë botën. Të gjithë e kuptuan se Hoxha priste udhëzimet e kinezëve për të vepruar. Në 19 tetor, dy ditë pasi Hrushovi sulmoi Hoxhën, në kongresin sovjetik ishte radha e Cu En Lait të fliste, në emër të delegacionit kinez. Ndryshe nga ç’ prisnin sovjetikët Çu En Lai nuk u prononcua drejtpërdrejt për sulmin e Hrushovit ndaj Hoxhës, por e aludoi vagullt se kjo nuk ishte një gjë e drejtë. Hrushovi u zhgënjye nga vetëpërmbajtja e kinezëve. Ai ishte përgatitur për t’ i sulmuar edhe ata publikisht.
      Hoxha do ta mblidhte Byronë Politike për të diskutuar atë që bëri Hrushovi vetëm tre ditë më vonë, në 20 tetor. Në këtë mbledhje Hoxha do të thoshte:
       Siç e dini shokë, revizionistët sovjetikë na sulmuan hapur. Ata vazhduan sulmet kundër nesh. Lidhur me këto sulme të udhëheqjes revizioniste sovjetike, kam një propozim mbi mënyrën se si do të veprojmë më tej ndaj tyre. Gjer tani ne kemi mbajtur qëndrim të drejtë marksist-leninist ndaj udhëheqjes sovjetike duke mos i nxjerrë përpara opinionit publik botëror mosmarrëveshjet që kemi me të. Por këto mosmarrëveshje i denoncoi botërisht Hrushovi, i cili na sulmoi duke shkelur kështu normat leniniste të marrëdhënieve në mes partive si dhe vendimet e Mbledhjes së Moskës të vitit 1960. Aktualisht ne gjendemi përpara sulmeve të hapura të komplotistëve, të cilat i mori vesh gjithë opinioni publik botëror. Është e drejta jonë që edhe ne t’ u përgjigjemi këtyre sulmeve revizioniste. Për Partinë tonë mbaroi etapa e mbajtjes rezervë, etapë në të cilën ne kishim bërë propozime për zgjidhjen e çështjeve, prandaj duhet që edhe ne sulmeve të tyre t’ u japim përgjigjen e merituar.[cv]
      Kjo logjikë është e çuditshme. Nëse Hrushovi ishte revizionist, komplotist, atëherë ishte dashur që ai të ishte denoncuar publikisht kohë më parë, dhe nuk duhej pritur që ta bënte ai këtë gjë i pari. Hoxha nuk e shpjegoi se në ç’ pikëpamje ishte një qëndrim i drejtë marksist-leninist ai që ndaj revizionistëve u hesht deri në kohën që ata sulmuan të parët publikisht. Kjo nuk do të thoshte gjë tjetër përveç asaj se për Hoxhën çështjet ideologjike qenë dytësore, thjesht në funksion realpolitik të pushtetit të tij. Mënyra se si u vendos për përgjigjen që do t’ u jepej sovjetikëve ishte një konfirmim i akuzës që Hrushovi i kishte bërë Hoxhës në Kongresin XXII për kult stalinist të individit. Hoxha tha në mbledhjen e Byrosë Politike:
       Në qoftë se shokët janë dakord, propozoj të bëjmë një deklaratë në emër të Komitetit Qendror të Partisë dhe ta botojmë në shtyp, ku të theksojmë qëndrimin tonë në këto situata.[cvi]
      Në qoftë se ndonjë nga shokët nuk ishte dakord, dhe donte të diskutonte për atë se a kishte diçka të vërtetë megjithatë në kritikat që kishte bërë Hrushovi, ai shok e kishte të qartë se në rastin më të mirë e priste fati i Belishovës dhe Koço Tashkos, ndërsa në rastin më të keq e priste fati i Liri Gegës dhe Dali Ndreut. Edhe këtë herë Byroja Politike thjesht miratoi vullnetin e Hoxhës, ndërsa Komiteti Qendror, në emër të të cilit doli deklarata, as që u pyet fare. Sigurisht që Byroja Politike kishte të drejtë që të vepronte në emër të Komitetit Qendror në kohën kur ky nuk ishte i mbledhur, por për një çështje kaq të rëndësishme Komiteti Qendror duhej të ishte mbledhur, aq më tepër që kishin kaluar tre ditë që nga koha kur Hrushovi kishte folur në kongresin sovjetik. Mbledhja e Byrosë Sovjetike do të kishte sens nëse bëhej në mbrëmjen e ditës kur foli Hrushovi, ose e shumta të nesërmen në mëngjes, por nuk kishte sens që tre ditë më vonë Byroja Politike të mblidhej për të vepruar në emër të Komitetit Qendror për një çështje kaq të rëndësishme. Deklarata e Komitetit Qendror të PPSH u publikua të nesërmen e mbledhjes së Byrosë Politike. Në libër është shënimi sqarues:
       Kjo deklaratë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë u botua në gazetën «Zëri i Popullit», më 21 tetor 1961.[cvii]
      Kjo do të thotë se Hoxha heshti katër ditë ndaj sulmit të Hrushovit. Sigurisht që kjo ndodhi se deklarata shqiptare u çua në fillim në Pekin për t’ u shqyrtuar atje dhe pastaj u publikua në Tiranë. Pas botimit të deklaratës së Komitetit Qendror të PPSH, Hoxha organizoi një farsë masive, ashtu që nga e gjithë Shqipëria niseshin me qindra mijëra letra e telegrame në adresë të tij ku dënohej qëndrimi i Hrushovit dhe shprehej mbështetja për për PPSH dhe Hoxhën. Ky i fundit do ta përmendte këtë fiksion propagandistik për të kundërshtuar njërën prej akuzave të Hrushovit goditjen e së cilës e kishte ndjerë më keq. Për këtë Hoxha tha në fjalimin e 7 nëntorit 1961:
       Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik nuk u mjaftua me kaq. Duke e parë se të gjitha presionet, bllokadat e shantazhet e tij nuk dhanë rezultatin që dëshironte, nuk i gjunjëzuan dot Partinë dhe popullin tonë, nga tribuna e Kongresit XXII bëri thirrje haptazi për të rrëzuar me grusht kundërrevolucionar udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë, për të likuiduar Partinë tonë, gjë të cilën ai rezervohet ta bëjë edhe kur është puna për qeveritë e vendeve kapitaliste, sepse e konsideron një ndërhyrje në punët e tyre të brendshme. Ai tha: «T’ i japësh fund kultit të individit do të thotë për Shehun, Hoxhën e të tjerë të heqësh dorë në esencë prej posteve komanduese në Parti e në shtet. Por këtë gjë ata nuk duan ta bëjnë. Ne jemi të bindur se do të vijë koha kur komunistët shqiptarë, kur populli shqiptar do të thonë fjalën e tyre dhe atëherë udhëheqësit shqiptarë do të duhet të japin përgjigje për atë dëm që ata u shkaktuan vendit të tyre, popullit të tyre, çështjes së ndërtimit të socializmit në Shqipëri». Populli e komunistët shqiptarë ia dhanë përgjigjen N. Hrushovit nëpërmjet qindra e mijëra telegrameve e letrave, një pjesë e të cilave u botuan në shtypin tonë.[cviii]
      Hoxha këtu tregon një dinakëri prej komediani. Ai i lejon vetes që të citojë akuzën e Hrushovit, duke dashur t’ i bëjë të tjerët të mendojnë se nëse do të ishte ashtu siç thoshte Hrushovi, ai nuk do ta përsëriste në fjalimin e tij akuzën e rëndë që i bëhej. Kjo pjesë e fjalimit nuk u drejtohej shqiptarëve, por të opinionit të huaj, komunizmit ndërkombëtar. Hoxha e dinte se çdo shqiptar që dëgjonte akuzën e Hrushovit, të përsëritur nga goja e të akuzuarit, pavarësisht nëse ky shqiptar qe pro Hoxhës apo kundër tij, ai e dinte mirë se ajo akuzë ishte e vërtetë. Por kjo nuk përbënte asnjë rrezik për Hoxhën se çdo shqiptar e dinte se nëse do ta përsëriste edhe ai akuzën e Hrushovit, që i kishte lejuar vetes ta përsëriste i akuzuari, atëherë ai do të bëhej bujtës i qelive të Sigurimit të Shtetit. Hoxha pasi e citoi besnikërisht Hrushovin, solli si argument kundër fjalëve të tij telegramet e letrat nga populli që i shkuan Hoxhës si reagim ndaj fjalimit të Hrushovit. Por këto letra e telegrame të cilat supozohej të qenë shkruar nga njerëzit e thjeshtë nuk mund të qenë tregues i mbështetjes për udhëheqësin në një vend ku njerëz të udhëheqjes që kishin mbajtur një qëndrim të kundërt me Hoxhën qenë ndëshkuar rëndë për këtë gjë.
      Hoxha, në fjalimin e 7 nëntorit bëri edhe këtë koment për thirrjen që Hrushovi u bëri shqiptarëve për të përmbysur regjimin e Hoxhës:
       Partia dhe populli ynë kanë dëgjuar, vazhdimisht, për 17 vjet me radhë, thirrje për të përmbysur pushtetin tonë popullor, për të likuiduar Partinë tonë dhe udhëheqjen e saj. I kanë dëgjuar e i dëgjojnë ato çdo vit nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashskuara të Amerikës, nga imperialistët amerikanë, anglezë dhe të tjerë, nga radio «Spanja nacionaliste» e Frankos, nga tradhtarët revizionistë të Beogradit, nga monarko fashistët grekë etj.[cix]
      Tash që kjo thirrje erdhi dhe nga Moska, këta të tjerët, pra “ujku” duhet të nxiteshin të bënin sulmin vendimtar për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri.


5.
«Populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten 'për 30 aspra»

Hoxha vetë do të reagonte ndaj sulmit të Hrushovit ashtu si Stalini ndaj sulmit të Hitlerit. Ashtu si Stalini që nuk reagoi personalisht ndaj sulmit gjerman për njëmbëdhjetë ditë, edhe Hoxha nuk u shfaq të reagonte publikisht ndaj sulmit të Hrushovit për tre javë, nga 17 tetori në 7 nëntor 1961. Për këtë vonesë nuk mund të ketë pasur tjetër arsye përveç asaj se ai ai priti që t’ i jepnin leje kinezët. Fjalimi i Hoxhës i 7 nëntorit 1961 u perceptua nga komunizmi ndërkombëtar dhe vëzhguesit në Perëndim si publikimi parë i tërthortë i prishjes kino-sovjetike. Fjalimi i Hoxhës u perceptua si sulm by proxy i Mao Ce Dunit ndaj Hrushovit. Në këtë aspekt fjalimi ishte më i qartë se në çështjet ngushtësisht të lidhura me prishjen sovjeto-shqiptare. Ata që prisnin të mësonin shkakun e prishjes së marrëdhënieve Hoxha i adresoi tek Hrushovi, kur tha në fjalimin e 7 nëntorit:
       Atëherë, pse nuk u keqësuan marrëdhëniet sovjeto-shqiptare? Këtë e kanë të qartë dhe e dinë mirë vetë Hrushovi dhe lëvizja komuniste ndërkombëtare. Hrushovi e di shkakun sepse vetë është fajtori. Ne do të themi vetëm këtë se pikënisja është Mbledhja e Bukureshtit e qershorit 1960.[cx]
      Me këtë Hoxha po thoshte hapur se nuk ishte Shqipëria ajo që u prish me Bashkimin Sovjetik, por ky i fundit që u prish me Shqipërinë. Hoxha me fjalët e mësipërme e bëri të qartë se për të nuk kishin asnjë rëndësi çështjet ideologjike që kishte ngritur, se pavarësisht tyre ai nuk do të ishte prishur me Hrushovin, sikur këtë gjë të mos e kishte bërë ky i fundit. Hoxha në fjalimin e vet e bëri të qartë se ai, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, nuk do ta orientonte Shqipërinë nga Perëndimi:
       Në qoftë se N. Hrushovi, e pasuesit e tij, për një arsye apo për një tjetër nuk duan të na ndihmojnë, më kot presin që ne t’ u drejtohemi për «lëmoshë» imperialistëve e aleatëve të tyre. Populli ynë ka miq e shokë në vendet socialiste që nuk e kanë lënë dhe nuk e lënë atë në baltë.[cxi]
      Është interesante se Hoxha këtu, vetëm aludon për Kinën dhe nuk e përmend drejtpërdrejt atë. Qartësisht kinezët nuk i kishin dhënë leje që ta bënte këtë gjë. Hoxha, i cili ende besonte se ishte prishur vetëm me Hrushovin, dhe se pas largimit të këtij të fundit nga pushteti marrëdhëniet sovjeto-shqiptare do të rregulloheshin, siç ndodhi me ato sovjeto-jugosllave pas vdekjes së Stalinit, bëri një premtim të përbindshëm, me të cilin donte t’ i krijonte bindjen pjesës tjetër të udhëheqjes sovjetike, se ai nuk do të bënte si Tito, ashtu që të afrohej me Perëndimin:
       Por, pavarësisht nga kjo, ne i themi N. Hrushovit se populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten për «30 aspra», se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.[cxii]
      Këto fjalë duhen lexuar se edhe sikur shqiptarët të hanin bar, atij nuk i bëhej vonë, mjaft që të qëndronte në pushtet. Këto fjalë të Hoxhës i kam dëgjuar shumë herë që fëmijë, në kopësht dhe më pas në shkollë të përsëriten shumë herë nga propaganda e regjimit, por sinjifikimin e vërtetë të tyre e kuptova në fillim të viteve tetëdhjetë, kur lexova romanin autobiografi të gjermanit Fric Zelbman «Nata e Gjatë», ku autori përshkruante jetën e vet si i internuar komunist në kampet naziste të përqëndrimit. Gjëja që më tronditi më tepër në libër ishte ky fragment:
       Të burgosurve u japin fare pak ushqim dhe prandaj të gjithë vuajnë nga uria. Por nuk janë të gjithë të burgosurit njëlloj. Ai që nuk e përmban dot veten bëhet palaço, katandiset në një mbeturinë njerëzore pa vullnet e pa sedër. Këta njerëz të dobët këpusin bar dhe e hanë.[cxiii]
      Si do të reagonte autori i këtij libri, një komunist gjerman, sikur të mësonte se udhëheqësi komunist i një vendi deklaronte se do ta bënte popullin e tij të hante dhe bar, nëse kursi ku e kishte futur vendin do të bënte që populli të mbetej pa bukë. Derisa ky shkrimtar gjerman  e quante palaçon atë të internuar të uritur, i cili hante, bar, atëherë ai nuk mund të mos e quante palaço udhëheqësin e një vendi që deklaronte se do ta bënte popullin e vet të hante bar. Stalini në kohën kur Leningradi, një qytet që ishte më i madh si numër popullsie se Shqipëria e vitit 1961, ishte i rrethuar dhe popullsia e tij kërcënohej të vdiste nga uria, nuk deklaroi kurrë se sikur leningradasve të mos u mbetej asgjë për të ngrënë, ata duhet të hanin edhe bar, por të mos dorëzoheshin. Ishte e sigurt se Leningradi do të dorëzohej në rast se mbrojtësve dhe banorëve të tij nuk u mbetej asgjë për të ngrënë veç barit.
      Kur Hoxha i deklaroi botës se ai do ta bënte popullin shqiptar të hante bar, ai nuk tha se e kishte pyetur në ndonjëfarë mënyre popullin dhe se ai i kishte dhënë përgjigje miratuese për ngrënien e barit. Ishte diktatori ai që po e merrte këtë vendim të paprecedent edhe për skllavopronarët antikë. Kur Hoxha deklaronte se nëse ishte e nevojshme ta bënte popullin të hante dhe bar, supozisht për hir të disa parimeve të asaj që ai e quante ortodoksia komuniste, ai harronte se qëllimi i deklaruar i këtyre parimeve ishte që ta bënin njeriun të kishte më shumë mirëqenie dhe dinjitet. Nëse një popull i tërë shndërrohej në kope kafshësh barngrënëse, ashtu që udhëheqësi i saj të kishte mundësi të qëndronte në pushtet duke propaguar parimet e supozuara të ortodoksisë komuniste, atëherë kjo binte në kundërshtim me vetë qëllimin e doktrinës që tij. Prishja me Bashkimin Sovjetik dhe ndërprerja e ndihmës ekonomike sovjetike shënoi fundin e procesit të ndërtimit të socializmit dhe në perspektivë edhe të komunizmit në Shqipëri. Hoxha mbronte vërtet ortodoksinë komuniste në versionin stalinist, por ishte e sigurt se ai nuk qe në gjendje ta zbatonte atë në Shqipëri. Komunizmi shkencor kërkonte që në këtë rast udhëheqësi duhet të deklaronte ndërprerjen e ndërtimit të socializmit dhe komunizmit në Shqipëri, dhe shtyrjen e këtij procesi për më vonë, kur të qenë krijuar kushtet objektive- po të shprehem në terminologjinë komuniste. Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes, si dhe ajo pjesë e nomenklaturës, që kishte bërë krime, të shkonin si emigrantë politikë në Kinë.
      Hoxha nuk e bëri këtë, por zgjodhi që të qëndronte në pushtet në një Shqipëri që tash e tutje nuk do të mund të ndërtonte më as socializmin blegtoral të propozuar nga Hrushovi. Deklarata e Hoxhës se do ta bënte popullin shqiptar të hante bar, duhet t’ i ketë shkaktuar një nënqeshje sardonike Hrushovit, i cili kishte propozuar që Shqipëria të ndërtonte një version blegtoral të socializmit dhe komunizmit. Tash Hoxha deklaronte se do t’ i shndërronte shqiptarët në kafshë, ashtu që të mbronte patetikisht parimet sipas tij të vërteta komuniste. Në një sens të caktuar edhe ky ishte socializëm blegtoral, ku Hoxha eksploitonte popullin-kope bagëtish, për të qëndruar në pushtet.
      Fjalimi i Hoxhës i 7 nëntorit 1961 ishte i pari rast që nga denoncimi që Hrushovi i kishte bërë Stalinit në Kongresin XX, në 1956, kur udhëheqësi i një vendi komunist e akuzonte për tradhti Hrushovin, për dënimin e Stalinit:
       N. Hrushovi, duke shpifur kundër Partisë sonë në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe duke ndërhyrë brutalisht në punët tona të brendshme tha se «udhëheqësit shqiptarë janë kundër kritikës së kultit të individit të Stalinit», sepse gjoja në Partinë tonë lulëzokan metodat e kultit të individit, se në Shqipëri mbretërokan terrrori dhe padrejtësia. Nuk do të ndalemi këtu për të hedhur poshtë këto shpifje, por fakti që autori i tyre ka rënë kaq poshtë sa për të mobilizuar opinionin publik kundër Partisë sonë, përdor të tilla «argumente» të huajtura nga armiqtë më të tërbuar të socializmit e të komunizmit tregon qëllimet e tij të errëta.[cxiv]
      Për të gjithë ishte e qartë se Mao Ce Dun po e akuzonte Hrushovin se ishte vënë në shërbim të Perëndimit kapitalist, saktësisht ashtu siç kishte bërë Hrushovi me Berian pak vjet më parë. Duke zhvilluar këtë akuzë, në një paragraf të fjalimit, Mao Ce Duni po e akuzonte Hrushovin me gojën e Hoxhës se ai e kishte dënuar Stalinin për të diskredituar Bashkimin Sovjetik, në interes të botës kapitaliste:
       N. Hrushovi ka akuzuar udhëheqjen e Partisë sonë për kritikat e drejta dhe në mbledhje partie, që ajo ka bërë për disa veprime të palejueshme kundër vendit tonë, se gjoja udhëheqësit shqiptarë «hedhin baltë kundër Bashkimit Sovjetik». Po këtë zell të shfrenuar të tij për të nxirrë një epokë të tërë të lavdishme, epokën e ndërtimit të socializmit në Bashkimin Sovjetik, për të diskredituar në sytë e gjithë botës lavdinë e Bashkimit Sovjetik, duke e paraqitur atë si vendin ku paskan sunduar terrori e vrasjet, pikërisht ashtu siç ka propaganduar e propagandon gjithë shtypi reaksionar borgjez, si ta quajmë? A nuk është pikërisht ai vetë, që me veprimet e tij diskrediton Bashkimin sovjetik? A nuk fyen rëndë ai heroizmin e popujve sovjetikë që në luftë me armiq të brendshëm e të jashtëm, në luftë me vështirësi e pengesa të panumërta, nën udhëheqjen e partisë së tyre komuniste që drejtohej nga Stalini, hodhën themelet e shoqërisë socialiste e komuniste në Bashkimin Sovjetik, kur propozon që në Moskë të ngrihet përmendorja e «viktimave» të kultit të individit. Dikush këto veprime i quan «autokritikë e guximshme». Le ta mendojnë më thellë këtë sa të mira dhe sa të këqija u ka sjellë Bashkimit Sovjetik dhe lëvizjes komuniste kjo farë «autokritike e guximshme».[cxv]
      Mao Ce Dun me këto fjalë synonte që të nxiste kundërshtarët e Hrushovit në udhëheqjen sovjetike që ta rrëzonin atë nga pushteti, çka i konvenonte edhe Hoxhës. Hoxha në fjalimin e 7 nëntorit i bëri një paralajmërim Hrushovit në emër të Stalinit, që nuk bie dhe aq në sy i vendosur në kuadrin e kritikës për heqjen e kufomës së Stalinit nga mauzoleumi, pikërisht ato ditë:
       Kulmi i këtij qëndrimi çnjerëzor arriti në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku jo vetëm u përsëritën akuzat e Kongresit XX, kësaj here publikisht, por u muar një vendim i posaçëm për të hequr trupin e balsamosur të J. V. Stalinit nga mauzoleumi. Duke mos qenë në gjendje ta hedhë poshtë Stalinin me argumente parimore në fushën e veprimtarisë e të krijimit teorik të tij, Hrushovi, për të luftuar Stalinin, e hedh çështjen në terrenin policor e agjentural dhe merr masa edhe për likuidimin e kufomës së Stalinit.[cxvi]
      Stalini thjesht u varros në murin e Kremlinit, së bashku me të tjerë liderë partiakë. Hoxha, duke ndjekur shembullin e Stalinit kishte bërë shumë më keq me kufomat e atyre që kishte eliminuar, të cilët nuk kishin as varr. Por gjëja më interesante dhe e rëndësishme në këtë paragraf është diçka tjetër, ajo qëndron tek fraza «Hrushovi, për të luftuar Stalinin, e hedh çështjen në terrenin policor e agjentural». Ajo çka e kishte shqetësuar Mao Ce Dunin dhe Hoxhën ishte se në Bashkimin Sovjetik tashmë po flitej për bashkëpunimin e Stalinit me policinë sekrete cariste, së cilës i kishte dorëzuar shokët e tij revolucionarë. Për këtë gjë kishte folur Trocki pas largimit nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa tash po fliste vetë propaganda sovjetike. Ajo çka të bën përshtypje është se Hoxha tregohet shumë i kujdeshshëm në përcjelljen e kësaj akuze kineze, dhe sigurisht ka qenë ai që i ka moderuar termat e saj, duke pasur frikë se mos Hrushovi i përgjigjej duke bërë publike fakte që sovjetikët i dinin për bashkëpunimin e Hoxhës me policinë sekrete fashiste. Hoxha, në fjalimin e 7 nëntorit, me paturpësinë më të madhe paraqiti si qëndrime ekskluzive të vetat ato ku thjesht kishte reflektuar pikëpamjen sovjetike:
       Pikëpamja e Partisë dhe e Qeverisë sonë ka qenë dhe mbetet se përfundimi i Traktatit të Paqes me Gjermaninë dhe zgjidhja mbi këtë bazë e problemit të Berlinit Perëndimor janë masa të domosdoshme, të pjekura prej kohësh dhe në interes të Republikës Popullore të Shqipërisë, të Republikës Demokratike Gjermane, të vendeve të tjera socialiste, në interes të paqes e të sigurimit në Evropë. Ne kemi qenë dhe jemi për zgjidhjen sa më parë të këtyre problemeve, sepse çdo zvarritje e tyre është në dobi të armiqve tanë.[cxvii]
      Në fakt kjo kishte qenë pikëpamja e Hrushovit dhe ishte në thelb të ultimatumeve të përsëritura që Hrushovi i adresonte SHBA për çështjen e Berlinit. Nënshkrimi në mënyrë të njëanshme i traktatit të paqes me Gjermaninë Lindore nga ana e Bashkimit Sovjetik, çonte në rritjen e tensionit mes këtij dhe SHBA, çka i interesonte Kinës. Prandaj Hoxha e thoshte këtë gjë, duke e paraqitur me paturpësinë e tij prej komediani sikur ishte edhe në interes të Shqipërisë. Nëse Hoxha do të kishte pasur një minimum serioziteti, ishte dashur që në fjalimin e 7 nëntorit 1961 ku nuk la gjë pa thënë kundër Hrushovit, të kishte provuar të shpjegonte se si kishte ndryshuar ky Hrushovi, për të cilin vetëm pak më tepër se dy vjet më parë, Hoxha kishte thënë në mitingun e mbajtur në qendër të Tiranës, gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri, duke iu drejtuar këtij të fundit:
       Ardhja juaj ka një rëndësi shumë të madhe ndërkombëtare, sepse ajo i tregon gjithë botës, dhe veçanërisht popujve të vegjël, të cilët gjithnjë gjatë historisë së tyre kanë qenë viktima të intrigave të imperialistëve se për Bashkimin Sovjetik, për Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, për ju shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, nuk ka dallim midis popujve të mëdhenj dhe të vegjël; përkundrazi tamam për popullin tonë, për vëllanë më të vogël të familjes sonë socialiste, ju kini treguar e tregoni kujdes të veçantë, e kini mbrojtur, e kini ndihmuar kurdoherë si vëllai i madh i vërtetë, si nëna birin e vetëm.[cxviii]
      Shqiptarët që dëgjonin fjalimin e Hoxhës në 7 nëntor 1961, ku shpallej prishja me Bashkimin Sovjetik, kishin dëgjuar Hoxhën të thoshte nëntë muaj më parë, në Kongresin IV të PPSH:
       Shqipëria, me gjithë rrethimin gjeografik kapitalist, nuk është një vend i izoluar nga kampi socialist. Ajo është pjestare e denjë e këtij kampi, ajo është pjestare e Traktatit të Varshavës, ajo ka miq të fortë e besnikë-vendet e kampit socialist me Bashkimin Sovjetik në krye, ajo ka aleatë të gjithë popujt paqedashës dhe klasën punëtore të mbarë botës.[cxix]
      Sipas kësaj që kishte thënë vetë Hoxha, Shqipëria tashmë ishte një vend i izoluar. Por Hoxha evitoi të jepte shpjegime për këtë. Ai më pas do të hidhte poshtë me indinjatë konstatimin e Perëndimit e të Lindjes se Shqipëria ishte vend i izoluar, edhe pse Shqipëria dilte të ishte e izoluar sipas postulatit të vetë atij. Dy ditë pas fjalimit të tij të parë kundër Hrushovit, në 9 nëntor Hoxha filloi një tur vizitash në Shqipërinë e Jugut. Ajo që ra në sy ishte se Hoxha, në një rast kaq të veçantë nuk bëri një agjendë të kombinuar vizitash, në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut. Ai thjesht bëri një tur në Shqipërinë e Jugut, duke dashur të thotë me këtë se kjo pjesë e vendit ishte baza e fuqisë së tij. Ndalesa e parë e turit të Hoxhës ishte Qyteti “Stalin” (Kuçova), ku mbajti një fjalim në mitingun e naftëtarëve. Kjo ishte dalja e parë e Hoxhës në një miting popullor, pasi Hrushovi e shpalli botërisht prishjen ideologjike. Vizita ishte një shprehje e natyrës prej komediani të Hoxhës. Vizita u bë qëllimisht për të sfiduar Hrushovin në qytetin që mbante emrin e Stalinit, në një kohë që emrat e Stalinit u qenë hequr qyteteve në Bashkimin Sovjetik. Në këtë miting Hoxha tha:
       Ne nuk kemi qenë dakord me N. Hrushovin edhe për çështjen e Stalinit, emrin e të cilit e mban qyteti juaj. Vërejtjet, kritikat dhe pikëpamjet tona ia thamë hapur, ashtu si na kanë mësuar Lenini dhe Partia Bolshevike. Megjithatë trupin e J. v. Stalinit që luftoi me aq rreptësi e konsekuencë kundër imperializmit dhe armiqve të marksizëm-leninizmit, revizionisti Hrushov e hoqi nga nga Mauzoleumi i Sheshit të Kuq, e dogji dhe e futi në baltë, por vepra e Stalinit kurrë nuk do të vdesë, sepse i gjithë njerëzimi nuk do ta harrojë atë në shekuj, për sa ka bërë ai për çlirimin e popujve.[cxx]
      Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë Hoxha po pohonte kështu se ai ishte treguar hipokrit për të ruajtur pushtetin. Të pranishmit ende e kishin të freskët në mendje fjalimin aspak të zakonshëm të Hoxhës në Kongresin III, ku ai ishte pajtuar me gjithçka kishte thënë Hrushovi kundër Stalinit, dhe madje kishte folur gjatë kundër këtij të fundit. Më tutje, në këtë fjalim, Hoxha tha:
       Nikita Hrushovi duke sulmuar botërisht në Kongresin XXII Partinë tonë, komplotoi përsëri hapur kundër lëvizjes komuniste ndërkombëtare, kundër unitetit të saj. Në vend që mosmarrëveshjet midis dy partive tona të zgjidheshin në mbledhje të rregullta të përfaqësuesve të të gjitha partive, ai i bëri të njohura botërisht.[cxxi]
      Kjo është gjuha e “Koza nostra”, ashtu që konflikti duhej zgjidhur brenda kupolës së mafies komuniste ndërkombëtare, pa u bërë publike. Është simptomatike se Hoxha në këtë fjalim do të përsëriste, duke kërkuar të shfajësohet, se ishte Hrushovi ai që e bëri publik konfliktin, dhe e detyroi që të përgjigjet:
       Pushkën kundër nesh e shkrehu i pari Hrushovi, prandaj ai le të presë tani topat e Partisë sonë, porn ë rrugën marksiste-leniniste, për probleme parimore, që kanë një rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. N. Hrushovi doli i pari botërisht, pra ai është shkaktari i këtij debati të hapur, ai është shkaktari i çarjes së unitetit të kampit socialist, ai shkeli Deklaratën e Moskës.[cxxii]
      Kjo është gjuha e mafiozëve, të cilët shfajësohen se përse grindja ka dalë jashtë rrethit  të “Koza nostra”. Në fjalimin e Kuçovës Hoxha iu kthye çështjes së izolimit të vendit, duke bërë një truk prej komediani:
       Tani ne jemi të rrethuar nga të katër anët nga imperialistë e revizionistë, por jemi të fortë. Në shekullin e triumfit të marksizëm-leninizmit nuk ka izolim ideologjik.[cxxiii]
      Kur Hoxha kishte folur për izolimin ai e kishte pasur fjalën për izolimin gjeografik, dhe jo për atë ideologjik, një term absurd ky. Në fjalimin e Kuçovës Hoxha i kërcënoi ata që do të guxonin të kundërshtonin politikën e ngrënies së barit:
       Ne kemi Armën e fuqishme dhe besnike të Sigurimit të Shtetit që qëndron vigjilente dhe zbulon çdo komplot që kurdisin armiqtë kundër atdheut tonë. Organet e Sigurimit të Shtetit të lidhura ngushtë me popullin kanë bërë të dështojë çdo orvatje e armiqve dhe kështu do të ndodhë kurdoherë.[cxxiv]
      Ai do ta shtjellonte edhe më gjerë paralajmërimin e kobshëm, duke iu drejtuar atyre që mendonin se tash regjimi, i mbetur i izoluar, do të shembej:
       Në rast se disa njerëzve u ngrihet mendja dhe, nga këto që po bën Hrushovi me pasuesit e tij presin të bëhet katrahurë në Shqipëri e të vijnë miqtë e tyre të përtej kufijve, u themi le të mendohen mirë. Atyre që në këto situata ngrenë veshët, domethënë reaksionarëve, u themi: «Mos u eksitoni zotërinj, por ulni kokën dhe shkoni në punë, mos vini veten në rrezik». Këtë këshillë ua bëjmë për të mirën e tyre, sepse ne nuk mund të lejojmë që ca reaksionarë të dëmtojnë interesat e popullit, kjo nuk do të ndodhë kurrë dhe davaja e tyre është e humbur. Prandaj le të ecin ndershmërisht.[cxxv]
      Të nesërmen në 10 nëntor Hoxha e përsëriti këtë paraljmërim kërcënues në fjalimin që mbajti në mitingun në qytetin e Beratit:
       Njerëzit e ligj që dëmtojnë interesat e popullit të mos kenë shpresë se tani u erdhi koha, të mos mendojnë se mbaroi Partia. Jo Partia kurrë nuk do të mbarojë por do të rrojë në shekuj. Partia, i këshillon këta njerëz të mos prekin interesat e popullit, ndryshe do ta kenë keq me të.[cxxvi]
      Me «interes të popullit» Hoxha në këtë rast kuptonte interesin e vet të pushtetit, ndërsa njerëz të ligj ai quante të gjithë ata që do të provonin ta rrëzonin atë nga pushteti. Hoxha do ta vazhdonte turin në Shqipërinë e Jugut duke shkuar në 12 nëntor në Përmet, në 13 nëntor në Këlcyrë, në 14 nëntor në Gjirokastër, në 16 nëntor në Delvinë, në 17 nëntor në Sarandë dhe në 19 nëntor në Himarë.
      Në fjalimin e mbajtur në 14 nëntor në mitingun në qytetin e Gjirokastrës, Hoxha do t’ i kthehej çështjes delikate të izolimit të vendit, për të cilën atij po i vinin gjithherë e më tepër informacione se përbënte shqetësimin e madh edhe të njerëzve të besuar të regjimit:
       Disa pëshpëritin vesh më vesh e thonë: ‘E, sa larg është Kina!’ Po kohët kanë ndryshuar, nuk janë më kohët e para. Le të jetë larg deri në fund të botës. Tani largësitë gjeografike as që llogariten; Kina është afër Shqipërisë, këtë le ta kenë parasysh ata që mbajnë shpresa të kota. Në shekullin e leninizmit në Tokën tonë nuk ka largësi gjeografike.[cxxvii]
      Këtu Hoxha me një sinqeritet prej komediani zbulon realitetin e përbindshëm të regjimit të tij. Pse njerëzit pëshpërisnin vesh më vesh dhe nuk e thoshin me zë të lartë në takimet me të atë që mendonin për çështjen e izolimit, derisa ai pretendonte se në vend kishte liri? Pasi dëgjuan këto fjalë njerëzit filluan të pëshpërisnin vesh më vesh se në ç’ mënyrë leninizmi i shkurtonte largësitë gjeografike, duke pritur që Hoxha ta bënte këtë shpjegim në ndonjë fjalim tjetër, gjë që nuk ndodhi. Atëherë doli kjo anekdotë:
       -A e di se si udhëtohet më shpejt se me aeroplan reaktiv?
-Jo,
-Fare thjesht. Merr një libër të Leninit, ulu mbi të dhe thuaj: me forcën e leninizmit dua të shkoj në Pekin!
-Po sikur të duash të shkosh në New York funksionon?
-Mos e bëj atë gabim. Vepra e Leninit të çon drejt e në oborrin e Sigurimit të Shtetit!
      Hrushovi e finalizoi agjendën e tij të braktisjes së Shqipërisë në 3 dhjetor 1961, kur qeveria sovjetike njoftoi zyrtarisht atë shqiptare se i priste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Hoxha, duke qenë se priste udhëzime nga Kina, e mblodhi Byronë Politike vetëm dy ditë pas njoftimit sovjetik. Në 5 dhjetor Hoxha tha në mbledhjen e Byrosë Politike:
       Sikurse jeni në dijeni, qeveria sovjetike i preu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Ky është një nga aktet më armiqësore të qeverisë sovjetike, me në krye Hrushovin, ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Prerja e këtyre marrëdhënieve nga ana e revizionistëve sovjetikë, nuk është e rastit por e paramenduar mirë.[cxxviii]
      Ishte dashur që për një çështje kaq të rëndësishme të mblidhej Komiteti Qendror, gjë e cila ishte krejt e mundshme derisa Byroja Politike po mblidhej pas dy ditësh. Mëgjithatë askush në mbledhjen e Byrosë Politike nuk guxoi ta thoshte këtë gjë. Byroja Politike thjesht miratoi atë që tha Hoxha, i cili si një comedian par excellance bënte dialog me vetveten:
       Na propozohet që ne t’ i japim përgjigje notës së qeverisë sovjetike. Nota jonë duhet t’ i përshtatet notës së tyre. Ata me anën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Firjubin, i bënë komunikim verbal këshilltarit të ambasadës sonë në Moskë, kurse ne mendojmë që notën tonë ta bëjmë me shkrim, pavarësisht nëse ata do ta marrin ose jo. Të dyja këto nota, bashkë me një artikull të botohen në shtyp.[cxxix]
      Por ajo që të bën përshtypje në këtë rast është se artikulli për të cilin flet Hoxha u botua në shtyp vetëm pesë ditë pas mbledhjes së Byrosë Politike. Në  10 dhjetor 1961 në gazetën «Zëri i Popullit» u botua editoriali me titull «Një akt i pashembullt në marrëdhëniet midis vendeve socialiste», çka konsiderohet prerja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nga ana e Bashkimit Sovjetik. Artikulli, autor i të cilit është vetë Hoxha, fillon me një tezë qesharake:
       Me nxitjen e N. Hrushovit, qeveria sovjetike vendosi të tërheqë gjithë personelin e ambasadës sovjetike nga Tirana dhe të kërkojë largimin e të gjithë ambasadës shqiptare nga Moska.[cxxx]
      Por Hrushovi ishte kryetar i qeverisë sovjetike e dhe jo ndonjë njeri jashtë saj, i cili e nxiste atë. Më tutje në artikull thuhet:
       Është e çuditshme dhe e pakonceptueshme për çdo njeri të ndershëm se si N. Hrushovi arriti deri atje sa të presë edhe marrëdhëniet shtetërore diplomatike me një vend të vogël mik e vëlla, me një vend socialist që lufton pa u përkulur, në kushtet e rrethimit kapitalist e revisionist, që mban lart flamurin e socializmit në brigjet e Adriatikut, që në çdo moment e rrethanë me vepra ka treguar besnikërinë e tij të pakufishme ndaj atdheut të madh të Leninit.[cxxxi]
      Zgjedhja e fjalëve është mjaft shprehëse: “e çuditshme dhe e pakonceptueshme”. Kjo shpreh habinë e Hoxhës i cili nuk e besonte as vetë që gjërat kishin shkuar deri këtu. Deri në fund ai kishte menduar se e shumta do të prishej vetëm me Hrushovin, por aspak me Bashkimin Sovjetik, dhe se me këtë marrëdhëniet shpejt do të rregulloheshin. Pas prerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve u krijua një gjendje e çuditshme, ashtu që Shqipëria vazhdonte të ishte anëtare e Traktatit të Varshavës që udhëhiqej nga vendi me të cilin ajo nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Hoxha, me sinqeritetin e vet prej komediani, në një rast do të thoshte për Rumaninë e Çausheskut diçka që i përshtatej dhe regjimit të tij. Në maj 1975 Hoxha tha në një plenum të Komitetit Qendror:
       Rumania bën përjashtim nga kjo gjendje, por si duket sovjetikët i kanë caktuar asaj detyra speciale, që mund të hedhë edhe vickla kundër padronit, por në fund të fundit t’ i shërbejë, bile të jetë në shërbim të plotë të tij. E gjithë veprimtaria e grupit të Çausheskut të lë të dyshosh për këtë, pse edhe bërtet se kërcënohet nga sovjetikët, por edhe nuk shkëputet nga Traktati i Varshavës. Kësaj i thonë të jesh brenda, por të hiqesh sikur je gjysmëjashtë.[cxxxii]
      Por a nuk ishte në këtë pozitë Shqipëria e Hoxhës, edhe më tepër se Rumania e Çausheskut? Madje Çaushesku kishte një justifikim për mosdaljen nga Traktati i Varshavës se nëse e bënte këtë sovjetikët do të shikonin këtu një pretekst për të invaduar Rumaninë me të cilën kishin kufi tokësor. Ndërsa Hoxha mund të duhet të ishte larguar nga Traktati i Varshavës që në dhjetor 1961, kur Bashkimi Sovjetik preu marrëdhëniet me Shqipërinë. Në këtë moment ishte e qartë se Shqipëria nuk do të kishte asnjë pasojë ushtarake nga sovjetikët nëse largohej nga Traktati i Varshavës. Sovjetikët, pas prerjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, nuk e përjashtuan këtë edhe formalisht nga Traktati i Varshavës, se menduan diabolikisht që t’ ia lenë Hoxhës këtë hap, gjë që ky nuk donte ta bënte se e shikonte këtë si një fije që e lidhte me Bashkimin Sovjetik dhe që do të shërbente për rregullimin e marrëdhënieve në të ardhmen. Edhe pas prerjes së marrëdhënieve, Hoxha, duke pasur frikë se mos e përjashtonin edhe nga Traktati i Varshavës, nuk e rreshtonte Bashkimin Sovjetik ndër vendet që përbënin rrezik ushtarak për Shqipërinë. Katër ditë pas prerjes së marrëdhënieve, në 7 dhjetor, Hoxha në një fjalim që u mbajti ushtarëve dhe oficerëve të cilët morën pjesë në një lojë ushtarake, deklaroi:
       Armiqtë i kemi rreth e rrotull kufijve dhe pas tyre është imperializmi amerikan. Ata janë të armatosur dhe po armatosen çdo ditë.[cxxxiii]
      Gjithashtu në këtë fjalim Hoxha tha:
       Armiku i popujve është në radhë të parë imperializmi amerikan, i cili ka për qëllim zhdukjen e socializmit dhe të komunizmit dhe rivendosjen e pushtetit të kapitalit kudo në botë. Për këtë arsye ai armatoset për vete, armatos satelitët e tij e në radhë të parë revanshistët e Bonit, nazistët. Kundër vendit tonë imperializmi amerikan kurdoherë ka pasur qëllime agresive. Ai ka nxitur lakejtë e tij rreth e rrotull Shqipërisë, revizionistët jugosllavë, monarkofashistët grekë dhe neofashistët italianë, që të organizojnë provokacione e komplote, për ta mbytur Republikën Popullore të Shqipërisë.[cxxxiv]
      Por gjëja që epitomizon natyrën komike të regjimit të Hoxhës është ajo që rrëfehet në kujtimet e Ismet Elezit, kryetar i Byrosë Juridike pranë Këshillit të Ministrave në vitet 1966-1985, i cili shkruan:
       Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 tetor 1974, ditën e hënë, ora 8ºº, midis të tjerash u shqyrtua ribotimi në revistën «Drejtësia Popullore» i Kodit Penal të vitit 1952, i cili, veç të tjerash, përmbante edhe një nen në krimet kundër shtetit se «Për solidarësi ndërkombëtare të interesave të të gjithë punonjësve, krimet kundër shtetit dënohen edhe kur drejtohen kundër Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe çdo shteti demokratik popullor». (neni 83 i Kodit Penal).
    Pas prishjes së marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Bashkimin Sovjetik (1961), kuptohet që ky nen e kishte humbur përmbajtjen e tij, megjithëse formalisht nuk ishte shfuqizuar. Ribotimi i këtij neni (bashkë me tërë Kodin Penal), u konsiderua një gabim i rëndë politik dhe u dha porosia nga KQ i PPSH-së që të merreshin masa kundër redaksisë së revistës.[cxxxv]
      Kjo do të thoshte se Hoxha dhe të vetët kishin kryer krim, sipas ligjit shqiptar, me gjithçka kishin thënë dhe shkruar ndaj Bashkimit Sovjetik që nga viti 1961. Regjimi kishte rënë në këtë situatë-kurth për shkak të zellit prej kllouni të Hoxhës ndaj Bashkimit Sovjetik. Siç shihet në përmbajtjen e nenit Bashkimi Sovjetik veçohet nominalisht nga shtetet e tjera të kampit komunist. Në rast se nuk do të kishte qenë kështu, atëherë do të kishte qenë e mjaftueshme që të thuhej se Bashkimi Sovjetik nuk bënte më pjesë në këto lloj vendesh që përcaktonte kjo dispozitë penale. Tash në vitin 1974 nuk mund të ndryshohej neni se kjo nuk mund të mos merrej vesh jashtë vendit, derisa të drejtën e ndryshimit të Kodit Penal e kishte Kuvendi Popullor. Kjo ishte me të vërtetë një situatë që mund të krijohej vetëm në regjimin e një diktatori komedian si Hoxha! Ky absurditet mori fund vetëm me miratimin e Kodit Penal të ri në 1981.
      Disa vite pas prishjes sovjeto-shqiptare Hoxha ngarkoi shkrimtarin e oborrit, Ismail Kadare, që të rishkruante në romane historinë se si i konvenonte Hoxhës që të kishin ndodhur ngjarjet, ashtu që Hoxha të mos i kishte thënë Hrushovit në Moskë se do të bënte tradhti nëse e braktiste bazën e Vlorës. Gjithashtu Kadare duhet t’ i paraqiste gjërat sikur në mbledhjen e Traktatit të Varshavës të marsit 1961 nuk ishte vendosur braktisja e bazës së Vlorës, por e kundërta, që ajo të mbahej me forcë. Kjo do të ishte njëlloj sikur Stalini t’ i kishte kërkuar një shkrimtari që të shkruante një roman për Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore ku të thuhej se Stalini kishte refuzuar kërkesën e Hitlerit për një pakt sovjeto-gjerman në gusht 1939 dhe se ky pakt nuk ishte bërë. Stalini nuk e bëri këtë gjë. Vetëm një komedian si Hoxha mund ta bënte.


6.
«Prokrusti» indulgjent: miti i rremë për Enver Hoxhën si nacional-komunist

      Pas prishjes sovjeto-shqiptare, studiues dhe gazetarë perëndimorë filluan ta quajnë Enver Hoxhën nacional-komunist. Kjo tezë, në rastin më të mirë ishte prokrustizëm indulgjent, ashtu që këta studiues e vinin Hoxhën në «Shtratin e Prokrustit» për t’ ia përshtatur një shablloni të cilit Hoxha nuk i përshtatej asfare. Nacional-komunizmi ishte ideologjia komuniste, ashtu siç shfaqej e thyer në prizmin e interesit nacional të një vendi të caktuar. Nacional-komunizmit u promovua në Bashkimin Sovjetik kur Stalini mposhti Trockin dhe e çoi vendin në kursin e vendit të vetëm socialist, me ç’ rast filloi të invokohet nacionalizmi imperial rus. Stalini ishte nacional-komunisti i parë në histori. Është sinjifikues fakti që këtë gjë për herë të parë nuk e thanë studiuesit perëndimorë, por udhëheqësit fashistë, Hitleri dhe Musolini. Hitleri deklaronte në biseda konfidenciale se Stalini kishte bërë «një lloj nacionalizmi sllav-moskovit», ndërsa Musolini thoshte se Stalini praktikisht i kishte dhënë fund bolshevizmit, duke krijuar «një lloj fashizmi sllav».[cxxxvi]
       Më vonë, kur edhe vende të tjera u bënë komuniste, nacional-komunist do të quhej ai udhëheqës i një vendi komunist i cili përpiqej të fitonte sa më tepër pavarësi që ishte e mundur nga Bashkimi Sovjetik, duke mos lejuar që vendi i tij të shndërrohej thjesht në një koloni sovjetike, dhe që për të mirën e vendit të vet, bënte gjithçka që të rriste marrëdhëniet ekonomike me Perëndimin dhe të përfitonte nga ndihma e tij për zhvillimin e vendit. Nacional-komunistët e parë pas fitores së komunizmit në vende të tjera veç Bashkimit Sovjetik, pas Luftës së Dytë Botërore qenë Mao Ce Dun dhe Tito. Ishte çështje e durimit të Stalinit që i takoi Titos nderi që të ishte i pari udhëheqës komunist pas Luftës së Dytë Botërore i cili fitoi kredit si nacional-komunist pas prishjes sovjeto-jugosllave. Tito dhe Mao Ce Dun hynë në grindje me Bashkimin Sovjetik se ky nuk sponsoronte projektet ambicioze jugosllave dhe kineze për industrializimin dhe armatosjen e vendeve të tyre, si dhe nuk mbështeste rivendikimet e tyre territoriale. Të dy këta udhëheqës i orientuan vendet nga Perëndimi. Të tjerë udhëheqës nacional-komuniste pas tyre, si Gomulka i Polonisë, Çaushesku i Rumanisë, madje edhe Kadar në Hungari, të cilët qenë në pozita më pak të favorshme se Tito, për se kishin kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, madje në Poloni kishte edhe trupa ushtarake sovjetike, bënë lëvizje më të kufizuara, por gjithsesi mjaft impresionuese nëse shihen në varësi të pozitës së tyre. Për të gjithë këta udhëheqës komunistë mund të ndërtohet një teori e bazuar në veprimet e tyre që i paraqet ata si nacional-komunistë. Për Hoxhën nuk mund të bëhet një gjë e tillë në mënyrë të besueshme.
      Hoxha u tregua e kundërta e nacional-komunistit në vitet 1944-1948, kur regjimi i tij ishte në marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. Një udhëheqës nacional-komunist nuk do të kishte bërë ato gjëra që bëri Hoxha në ato vite, nuk do të kishte miratuar ato kërkesa të jugosllavëve që miratoi ai. Dhe në fund, nuk ishte Hoxha që e shkëputi Shqipërinë nga varësia jugosllave, por qe Jugosllavia ajo që e braktisi Shqipërinë për shkak të implikimeve të rrezikshme që mendonte se i krijonte vazhdimi i politikës së saj në Shqipëri. Në këtë periudhë Hoxha mund të definohet sipas përcaktimit që Leon Blum i bënte Partisë Komuniste të Francës, së cilës i referohej si “partisë nacionaliste të huaj”.[cxxxvii]
      Hoxha ishte sipas këtij përcaktimi nacionalist i huaj në Shqipëri. Edhe pas prishjes së marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare Hoxha nuk u soll si nacional-komunist. Kur e pas se Stalini nuk kishte ndërmend t’ i ofronte ndihmë ekonomike konsistente Shqipërisë, Hoxha, në vend që të afrohej me Perëndimin si Tito, mbeti i ngjitur pas Bashkimit Sovjetik, edhe pse dukej qartë se Moska nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe ta satelitizonte Shqipërinë, së paku jo sa kohë qe gjallë Stalini. Nëse provohet ndonjë gjë katërcipërisht nga prishja sovjeto-shqiptare, ajo që provohet është se Hoxha nuk ishte nacional-komunist. Hoxha nuk u prish me Hrushovin kur i kërkoi që të instalohej një bazë ushtarake sovjetike në Shqipëri, por kur i kërkoi të largohej nga pushteti. Nuk ishte Hoxha ai që u shkëput nga Bashkimi Sovjetik, por ishte ky që e braktisi Shqipërinë. Hoxha e akuzoi Hrushovin për tradhti kur ai deklaroi se do të hiqte dorë nga baza ushtarake sovjetike në Vlorë dhe se do ta largonte ushtrinë sovjetike nga Vlora. Nëse Hoxha do të kishte qenë nacional-komunist, ishte dashur që pas prishjes me Bashkimin Sovjetik ta orientonte vendin nga Perëndimi, duke ndjekur shembullin e Titos. Për ata që spekulojnë se edhe sikur Hoxha ta bënte një gjë të tillë, këtë nuk e donte Perëndimi, përgjigjia është se Hoxha as që e provoi këtë.
      Hoxha mund të kishte lejuar qarkullimin e lirë të njerëzve, duke i pajisur me pasaporta dhe lejuar të udhëtonin jashtë vendit, dhe pastaj nëse u mbetej vendeve perëndimore përgjegjësia nëse do të lejonin ose jo shqiptarët të udhëtonin lirisht jashtë vendit. Në atë kohë kur ende nuk kishte filluar fluksi i madh i emigrantëve drejt vendeve perëndimore, shqiptarët sigurisht që do të udhëtonin po aq lirisht sa jugosllavët në vendet perëndimore. Hoxha gjithashtu mund të bënte hapjen kulturore të vendit, duke  e bërë televizionin shqiptar të hapur për programet perëndimore, duke lejuar shikimin e televizioneve të huaja perëndimore, duke lejuar qarkullimin lirisht të literaturës perëndimore, duke rritur mësimin e gjuhëve të huaja perëndimore në shkollat shqiptare etj. Hoxha mund të kishte lejuar sipërmarrjen private krahas asaj shtetërore, si në Jugosllavi dhe të lejonte që ato të bënin tregti me Perëndimin. Ai mund të kishte bërë ligje që lejonin investimet e huaja në vend. Nëse Hoxha do t’ i kishte bërë të gjitha këto dhe gjëra të tjera si këto, dhe Perëndimi e pengonte përmbushjen e tyre, atëherë përgjegjësia do t’ i mbetej Perëndimit. Por Hoxha nuk bëri kurrgjë nga këto. Pas prishjes sovjeto-shqiptare Hoxha pati uvertura të ndryshme nga Perëndimi, ashtu që të ndiqte shembullin e Titos. Në 18 janar 1962 Hoxha shkruan në ditar:
       Një letër revoltuese! Ish-oficeri i misionit anglez në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Bill Maklini, sot anëtar i parlamentit anglez më shkruan dhe kërkon ta lejojmë të vijë në Shqipëri që të më bëjë disa pyetje! Asnjë përgjigje nuk do t’ i jap! Kur ishte në vendin tonë, ky i poshtër s’ bëri gjë tjetër veç veproi kundër interesave të popullit shqiptar e të luftës së tij çlirimtare.[cxxxviii]
      Bill Macklin në atë kohë ishte deputet i parlamentit britanik. Ai nuk po kërkonte rastësisht që të vinte në Shqqipëri gjashtë javë pasi Bashkimi Sovjetik njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Macklin qartësisht ishte ngarkuar me një mision konfidencial nga qeveritë britanike dhe amerikane, për t’ i bërë Hoxhës ofertën që të hapej nga Perëndimi, duke i garantuar dhe qëndrimin në pushtet nëse e bënte këtë gjë. Hoxha reagoi me indinjatë se ai ende shpresonte të rregullonte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Në këtë pikë, nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Hoxha, i cili nuk kishte asnjë devocion real ideologjik, nuk e pranoi ofertën e Perëndimit, e cila qartësisht i ka ardhur? Hoxha kishte frikë se nëse do të varej nga Perëndimi, nuk do të rrinte në pushtet sa të qe gjallë. Këtu duket se ka influencuar geni i marrëzisë gjirokastrite, që i ushqente mosbesimin patologjik tek Tito, për të cilin mendonte se donte ta largonte me çdo mënyrë nga pushteti. Hoxha e dinte se Tito ishte shumë më i rëndësishëm për Perëndimin se ç’ mund të ishte ai, kështu që Tito mund ta bindte Perëndimin që të gjente mënyrën për ta larguar atë nga pushteti. Kompleksi gjirokastrit i izolimit i ushqente Hoxhës ndjenjën e komoditetit në situatën e re, kur vendi ishte i izoluar, por regjimi i tij ishte i parrezikuar. Në 15 tetor 1964 Hoxha do të shkruante në ditar, duke e pasur fjalën për politikën e jashtme:
       Për marksist-leninistët s’ ka politikë pa ideologji.[cxxxix]
      Kjo sentencë është pikërisht e kundërta e nacional-komunizmit. Por në rastin e Hoxhës ideologjia ishte shndërruar në politikë, saktësisht në machtpolitik, politikë të pushtetit.
      Hoxha nuk ishte një nacional-komunist se ai kur erdhi në fuqi, nuk paraqiti rivendikime territoriale ndaj Jugosllavisë, për trojet e gjera shqiptare atje, duke përfituar nga fakti që Jugosllavia kishte paraqitur rivendikime territoriale ndaj Italisë, Austrisë dhe Greqisë. Madje Hoxha mbështeti rivendikimet territoriale jugosllave ndaj vendeve të tjera. Më vonë, kur marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare qenë prishur, Hoxha do të indinjohej me Titon kur ky i atribuonte Hoxhës të kishte thënë se do ta çonte çështjen e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, në OKB. Hoxha në fjalimin që mbajti në  Konferencën e Partisë të Tiranës, në 15 mars 1959, tha duke komentuar fjalimin e mbajtur disa ditë më parë nga Tito, ku ai kishte thënë këtë gjë:
       Ç’ argument dha Tito për të rrëzuar faktet tona të bazuara që demaskojnë veprimtarinë djallëzore të revizionistëve veçanërisht kundër vendit tonë? Absolutisht asgjë. Çfarë të thoshte, faktet janë kryeneçe. Ai tha vetëm një gjë, se gjoja ne kemi thënë në Kuvendin Popullor se «çështjen e Kosovës do ta çojmë në Kombet e Bashkuara». Ju e dini se unë s’ thashë një gjë të tillë, ajo që thashë unë është e shkruar me të zezë mbi të bardhë. Pra kjo është një shpifje si të gjitha shpifjet e tyre të zakonshme, se gjoja ne po bëjmë një politikë «irredentiste» dhe «shoviniste».[cxl]
      Por pse ishte irredentizëm dhe shovinizëm që Shqipëria të ankohej në OKB për trajtimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kur Jugosllavia i kishte paraqitur në OKB prej vitit 1945 të gjitha rivendikimet e saj për ato që i quante territore sllave në Itali dhe Austri? Disa ditë më parë, 10 mars 1959 Hoxha e komentonte kështu në ditar fjalimin e mësipërm të Titos:
     Te ky kërcënim i ri i Titos vërtetohet plotësisht ajo çka thashë në fjalimin që mbajta pak kohë më parë në Kuvendin Popullor për lidhjet e Beogradit me emisionet e radios reaksionare të ashtuquajtur «Shqipëria socialiste» që transmeton diku afër Athinës. Në një emision të saj kjo radio amerikane na shtronte pyetjen se «pse udhëheqja shqiptare nuk e çon çështjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara» dhe unë në Kuvend theksova se emisionet e kësaj radioje furnizohen me materiale nga Beogradi».[cxli]
      Hoxha ka një sens prej komediani edhe në të gënjyer. Nga ajo që thotë ai një gjë del qartë, se amerikanët (këto lloj radiosh në atë kohë i kontrollonte CIA) i propozonin atij që ta çonte në OKB çështjen e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Hoxha thotë se amerikanët e bënin këtë se qenë nxitur nga Beogradi. Ky mendim ngjan si nonsens se përse Beogradi do të kishte interes që të internacionalizoheshin çështjet e brendshme jugosllave. I vetmi rast kur mund të ketë kuptim mendimi i Hoxhës është ai kur Tito u ka kërkuar amerikanëve që ta bëjnë këtë gjë, në mënyrë që t’ u bënte presion serbëve, të cilët do të shqetësoheshin më tepër nëse çështja e Kosovës do të çohej në OKB nga Shqipëria. Hoxha në njëfarë mënyrë do ta pohonte këtë kur shkruante më poshtë në ditar, në të njëjtën ditë:
     vërteton plotësisht jo vetëm atë çka thashë unë, por edhe diçka më tepër: sugjerimet e radios «Shqipëria socialiste» për ta ngritur çështjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dalin nga goja e Titos, domethënë del se e ashtuquajtura radio «Shqipëria socialiste» jo vetëm furnizohet nga Beogradi, por sugjerimi i saj për ta ngritur këtë çështje në Kombet e Bashkuara e ka burimin te grupi revizionist i Titos.[cxlii]
       Hoxha, në fjalimin e vet të mbajtur në Konferencën e Partisë së Tiranës në 15 mars 1959 i ofronte Titos, ose më saktë udhëheqjes jugosllave dhe në radhë të parë serbëve në të, atë që mund ta quajmë një pakt mossulmimi në OKB:
       Por thënia e mësipërme e Titos provon pikërisht atë që thashë unë në Kuvendin Popullor se radioja e fshehtë amerikane, me qendër në Athinë, shpreh dëshirat dhe provokacionet e revizionistëve jugosllavë, asgjë më shumë, asgjë më pak. Tito na kërcënoi se do të na çojë në Kombet e Bashkuara dhe do ta padisë vendin tonë si luftënxitës kundër Jugosllavisë. Populli ynë në këtë rast thotë një fjalë: «Sa poshtë ka rënë katundi».[cxliii]
      Hoxha me këtë u thoshte serbëve se janë amerikanët ata që duan të nxisnin grindjen mes regjimit të Hoxhës dhe Serbisë, për çështjen e Kosovës, dhe i paralajmëronte se Tito po luante për llogari të amerikanëve kundër interesave serbe. Nëse Hoxha do të kishte qenë sadopak nacional-komunist ai nuk do të kishte mbajtur ndaj Kosovës qëndrimin që mbajti në 6 maj 1959 në diskutimin e tij në në mbledhjen e Byrosë Politike «Mbi disa probleme të Historisë së Shqipërisë». Në tekst është shënimi: «Në këtë mbledhje të Byrosë Politike të KQ të PPSH u morën në shqyrtim disa probleme themelore që dolën nga diskutimi rreth maketit të Historisë së Shqipërisë». [cxliv]
      Hoxha tha në këtë mbledhje:
       çështja e pasqyrimit të historisë së Kosovës pas 1912-s meriton një studim të veçantë.[cxlv]
      Kosova dhe trojet e tjera shqiptare u përjashtuan nga libri «Historia e Shqipërisë», botim zyrtar i regjimit,  për periudhën pas vitit 1912. Studimi i veçantë për të cilin flet Hoxha nuk u bë kurrë sa kohë ishte ai në pushtet, madje as sa kohë ekzistoi regjimi komunist. Nxënësit dhe studentët shqiptarë nuk do të mësonin gjeografinë dhe historinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, pa përmendur këtu Çamërinë. Kjo në një kohë kur Hoxha do të thoshte për tekstet shkollore në një diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike, në 9 mars 1965, mbi «edukimin ideopolitik të rinisë të shkollave të mesme e të larta»:
       Në tekstet përkatëse, në çështjen e luftës antikoloniale, të trajtohen probleme të historisë së popujve të rinj që kanë dalë dhe po dalin në arenën ndërkombëtare. Kjo ka rëndësi shumë të madhe dhe tregon për një ndryshim jo vetëm të hartës së botës, por edhe të mendimit njerëzor, në idetë, në luftën e deritanishme. Në shkollat borgjeze akoma flitet si zaptohen këta popuj, si ata qenkan «të egër», «injorantë» dhe himnizohet shtypja nga ana e tyre mbi këta popuj. Ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me propagandën që bëhet jashtë shkollës për këtë çështje. Duhet që edhe në tekstet tona të historisë, të gjeografisë, të letërsisë etj., të zhvillohet kjo rrymëe antikoloniale e botës. Ky do të ishte plotësim i një boshllëku të madh në mësim mbi zhvillimin materialist të botës.[cxlvi]
      Nxënësit dhe studentët në Shqipëri do të dinin më shumë për historinë dhe gjeografinë e shteteve të reja afrikane dhe aziatike, në një kohë kur për bashkombasit e tyre në Jugosllavi nuk dinin asgjë. Megjithëse edhe shqiptarët në Jugosllavi qenë një popull i kolonizuar, se Jugosllavia e Versajës ishte një perandori koloniale. Po atë vit, në 28 nëntor 1959, Hoxha në fjalimin e mbajtur në mbledhjen solemne me rastin e 15 vjetorit të çlirimit, do t’ i quante shqiptarët e Kosovës «minoritet»:
       Politikën e revizionistëve jugosllavë në minoritetin shqiptar të Kosovës mund ta barazosh me veprimet e një ariu të egër në një dyqan qelqurinash, por ne u themi revizionistëve jugosllavë dhe kulishëve të tyre në Kosovë, ish-plehra të Partisë sonë, se kosovarët nuk janë qelqurina.[cxlvii]
      Hoxha e dinte se Jugosllavia ishte një vend federal i përbërë nga kombe të ndryshme, ose nga gjysmëkombe, siç qe rasti i maqedonasve, një pjesë e të cilëve qenë në Greqi e Bullgari, kështu që shqiptarët e atjeshëm nuk mund të qenë minoritet. Në një vend federal nuk mund të ishte minoritet një popullsi që ishte më e madhe se ajo e katër nga kombeve të cilët kishin republika brenda federatës. Duke i quajtur shqiptarët e Kosovës minoritet Hoxha pajtohej me qëndrimin serb që donte ta ulte statusin e tyre edhe më tepër se ç’ e kishin të ulët në atë kohë. Në kohën që Hoxha deklaronte se nuk kishte ndërmend as që të ankohej në OKB për trajtimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, ai çuditërisht mbështeste qëndrimin nacional-komunist të udhëheqësit koreanoverior Kim Ir Sen. Në 25 dhjetor 1959 Hoxha shkruan në ditar:
       Po sot Kuvendi aprovoi rezolutën mbi «Thirrjen e Sovjetit Suprem të BRSS drejtuar parlamenteve të botës në lidhje me çarmatimin e përgjithshëm  e të plotë» dhe rezolutën mbi «Letrën e Asamblesë së Lartë Popullore të Republikës Demokratike Popullore të Koresë lidhur me vendosjen e unitetit kombëtar të Koresë».[cxlviii]
      Hoxha ishte më i përkushtuar ndaj çështjes nacionale koreane se ndaj asaj shqiptare! Në 15 janar 1969 Hoxha priti ambasadorin e Pakistanit, të cilit i tha:
       Nuk mund të luhet sot as me fatin e të drejtat e Shqipërisë së vogël, as me të drejtat e Pakistanit për Kashmirin.[cxlix]
      Hoxha foli kështu për Kashmirin se në atë kohë Pakistani qe aleat i Kinës për shkak se të dy vendet qenë në marrëdhënie të këqija me Indinë. Por ekuivalenti i «Kashmirit» për Shqipërinë qenë Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, të cilat Hoxha nuk i përmendi në këtë rast. Hoxha, qartësisht, nuk ishte një nacional-komunist as në retorikë, jo më në veprime. Sa i përket qëndrimit aspak nacional-komunist të Hoxhës ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë, ka një episode shumë sinjifikues. Në 13 shtator 1977 Hoxha shkruan në ditar:
       Materialin, në formë platforme, e atij doktorit serb (s’ ia mbaj mend emrin), shkruar më 1937 për shpërnguljen në masë në Turqi dhe gjenocidin e shqiptarëve të Kosovës e të gjitha viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, ne duhet t’ ua dërgojmë kinezëve me një notë nga ambasada jonë dhe të atakojmë Sajfudinin, i cili ka deklaruar se titizmi «e ka zgjidhur si duhet problemin nacional dhe veçanërisht problemin e kombësisë shqiptare». Ky person, na thonë, pas çlirimit ka qenë ministër i pyjeve dhe tashti është akademik. Ky është një fakt me shumë rëndësi.[cl]
      Në fund të faqes është shënimi shpjegues:
      «Dr. Vaso Çubrilloviqi. (Një nga ministrat e qeverisë së Titos, pas Luftës së Dytë Botërore, anëtar i LKJ, i Akademisë së Shkencave të serbisë e të Bashkimit Sovjetik. Më 7 mars 1937 i paraqiti klubit të kulturës serbe në Beograd një studim të veçantë «Mbi shpërnguljen e arnautëve» (shqiptarëve), i cili u konsiderua si platforma, programi më i avancuar i borgjezisë serbomadhe për shkombëtarizimin, kolonizimin dhe serbizimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.[cli]
      Hoxha ishte një njeri me kujtesë mjaft të fortë. Ai mbante mend shumë emra njerëzish nga bota, të rrafsheve nga më të ndryshme, të cilët i kishte ndeshur gjatë leximeve. Në 15 janar 1969 ai i tha ambasadorit të Pakistanit:
       Lexoj nganjëherë antologji të përkthyera nga persishtja. Midis tyre kam kënduar disa pjesë të poetit tuaj, filozofit Ikbal, që predikonte në Lahorë. Shkrimet e tij janë idealiste, por në to ka edhe ide përparimtare. Me sa më kujtohet, në një vend Ikbali u drejtohet kapitalistëve të Perëndimit dhe u thotë: «Ju njerëzit e Oksidentit në tokën tonë,- që ekzaktësisht ai e quan toka e zotit’,- ku keni shtrirë kthetrat, keni ndërtuar një fole siç e ndërtojnë zogjtë mbi një kallam të hollë, prandaj mos kujtoni se te ne do të kenë jetë të gjatë regjimet që ju vetë keni krijuar, se ju vetë keni përgatitur në të njëjtën kohë edhe thikën me të cilën do t’ ju vrasin». Këto parashikime të Ikbalit u bënë realitet.[clii]
      Ky Hoxha që mbante mend emrin e dijetarit persian të vdekur shumë vjet më parë, si nuk mbante mend emrin e Vasa Çubrilloviqit, i cili me ato që kishte shkruar ngulitej në mendjen e çdo shqiptari me vetëdije nacionale?
      Hoxha nuk ishte nacional-komunist për arsye se ai nuk kishte vetëdije nacionale shqiptare, por thjesht vetëdije regjionale toske, të cilën nuk mungonte ta shfaqte pa dashje. Në 12 shkurt 1969, Hoxha do të thoshte në takimin me një çift të porsamartuar, nga të cilët burri qe mirditor dhe gruaja përmetare:
       Nga anët tona, nga Jugu…[cliii]
      Ky takim kishte qëllim propagandistik, për të treguar se në Shqipërinë e re të Hoxhës toskë dhe gegë nuk qenë të ndarë por të bashkuar dhe martoheshin mes tyre. Por të vërtetën e regjimit të Hoxhës e tregonte shprehja e mësipërme. Hoxha nuk tha  “Nga anët tona, nga Gjirokastra…”, por «Nga anët tona, nga Jugu…», domethënë nga Toskëria. Në mendjen e Hoxhës, qartësisht  qenë të ndara «anët tona», të toskëve dhe «anët e tyre», të gegëve, Gegëria. Regjimi i Hoxhës do të ishte regjim i «anëve tona» (Jugut, Toskërisë). Ndërsa për «anët e tyre» (gegët, Gegërinë, posaçërisht Shqipërinë e Veriut), edhe pse do të bëheshin disa spektakle propagandistike si ai më lart, për të treguar dashurinë e Hoxhës për to, banorët e tyre do të mbaheshin në gjendje segregacioni, të mbyllura si rezervate njerëzore. Malësorët e Veriut i duheshin Hoxhës për të pozuar në fotografi propagandistike, siç bënte me Avdi Bajramin e famshëm nga Tropoja, bashkëluftëtarine Bajram Currit, por biseda mes tyre tregonte një Hoxhë tjetër. Në 11 qershor 1978 mes tyre u bë ky dialog në Tiranë:
       SHOKU ENVER HOXHA: I kemi si kurdoherë të forta bjeshkët tona? Më ka marrë malli shumë për to.
SHOKU AVDI BAJRAMI: Të forta e të patundura janë bjeshkët, ashtu si ne… Po a e di çfarë, shoku Enver? Të ndërtohet edhe rruga, të mos e lenë pa e ba!
SHOKU ENVER HOXHA: Duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë, se shkurtohet shumë rruga andej dhe fitohet kohë.[cliv]
      Avdi Bajrami e kishte fjalën për Rrugën përgjatë Drinit, që shkurtonte rrugën nga Tropoja dhe krahinat përgjatë dy brigjeve të Drinit, për në Tiranë, rrugë kjo që në përgjithësi lidhte një pjesë të madhe të Shqipërisë së Veriut jo vetëm me Tiranën, por edhe me pjesën tjetër të vendit. Por kjo rrugë shkurtonte dhe lidhjen me Kosovën veriperëndimore, nëpërmjet Gjakovës. E megjithatë kjo rrugë nuk u bë. Nuk u bë as rruga që lidhte Milotin me Kukësin, nëpërmjet Rrëshenit dhe Kalimashit dhe që shkurtonte shumë lidhjen me Kosovën, përveçse me një pjesë tjetër të madhe të Shqipërisë së Veriut. Banorët e këtyre viseve mbetën me ato rrugë që kishin bërë Italia fashiste dhe Austro-Hungaria, dhe të cilat qenë rrugë emergjente ushtarake dhe jo civile. Hoxha nuk i ndërtoi këto rrugë se ai donte ta mbante Shqipërinë e Veriut të izoluar, dhe se donte t’ a mbante dhe Kosovën e trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi të izoluara nga Shqipëria e këtej kufirit.
      Enver i cili shfaqte hapur frymën e lokalizmit tosk, do të qortonte ashpër atë që e quante lokalizëm geg, kur shfaqej tek udhëheqës të tjerë, siç qe rasti i Jakovës. Në raportin «Mbi gabimet e Tuk Jakovës» që Hoxha mbajti Plenumin XIV, në 15 qershor 1955, tha:
       Fryma e lokalizmit aq e theksuar te Tuk Jakova, është e rrezikshme, jo vetëm për një udhëheqës, por edhe për një anëtar të thjeshtë partie. Fryma e lokalizmit mund edhe të çon në pikëpamje të rrezikshme antimarksiste, siç është nacionalizmi borgjez. Në rastin e Tuk Jakovës lokalizmi e ka çuar atë në devijim që ta shohë Partinë nën prizmin e një ish- pjesëtari të grupit komunist të Shkodrës, e ka çuar atë në regjionalizëm: gegë dhe toskë, dhe këtë e provon çështja e abetares në gjuhën toskërishte që përdoret në shkollat e Veriut të Shqipërisë, për të cilën shoku Tuk Jakova protestoi energjikisht përpara plenumit, duke thënë në mes të tjerash se «dukagjinasi dukagjinas do të mbetet», sikur të tjerët mendojnë se dukagjinasi duhet të bëhet skraparli. Shoku Tuk Jakova duke qenë i sëmurë në këto çështje ka pikëpamje nacionaliste-borgjeze.[clv]
      Por, nëse ishte lokalizëm i ngushtë geg që abetarja të ishte në të folmen e Shkodrës, apo edhe të Shqipërisë së Veriut, ishte po aq lokalizëm tosk, që abetarja të ishte në dialektin tosk, kur kjo çështje ishte zgjidhur që gjatë Rilindjes Nacionale me përcaktimin e një miksture të dy dialekteve si gjuhë normative shqipe. Hoxha edhe këtu tregoi vetëdije toske dhe jo vetëdije nacionale shqiptare. Më pas ai do ta bënte dialektin tosk gjuhën normative shqipe. Në 14 nëntor 1961 Hoxha tha në fjalimin e mbajtur në qytetin e Gjirokastrës:
       Mbaruan historitë e vjetra toskë e gegë, myslimanë e të krishterë. Të gjithë jemi një e të pandarë rreth Partisë sonë të dashur.[clvi]
      Kështu ishte në letër, por në realitet, Hoxha toskët i thirri më pranë partisë në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera të mëdha të Shqipërisë Qendrore, ndërsa gegët duhet të qëndronin më larg rreth partisë, në malësitë e Veriut, duke iu ndaluar lëvizja e lirë drejt kryeqytetit të cilën e kishin gëzuar edhe në kohën e pushtimit fashist. Në 28 maj 1970 Hoxha do të thoshte në fjalimin e mbajtur në  në qytetin e Kukësit:
       U shemb përgjithmonë regjimi i sanxhaqeve e i bejlerëve, i dasive gegë e toskë, myslimanë, katolikë e ortodoksë, të krijuara apostafat nga armiqtë për të përçarë popullin tonë, me qëllim që të sundonin më mirë mbi të. Tani ka ardhur një kohë tjetër, kur populli është një dhe i pandarë, si një bllok i tërë i çeliktë, prandaj sot nuk ka fuqi që ta thyejë këtë unitet, të lëkundë themelitë e tij të forta.[clvii]
      Në fakt e vetmja gjë që kishte bërë regjimi i Hoxhës ishte se kishte shtuar edhe një dasi të re, atë ideologjike. Dasitë regjionale brendashqiptare mund të zhdukeshin vetëm me anë të urbanizimit përzierës, në kryeqytetet dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë Qendrore, gjë të cilën Hoxha e bëri në mënyrë selektive duke përjashtuar gegët. Sa për dasinë fetare, katolikët qenë pa asnjë dyshim popullsi e diskriminuar negativisht në Shqipërinë e Hoxhës.
      Një tjetër provë se Hoxha nuk ishte nacional-komunist është fakti se ai nga fundi i jetës filloi të saktësojë çdo detaj që kishte të bënte me të dhe që mund të bënte që ai të dukej si nacional-komunist. Në 23 shtator 1975 Hoxha tha në diskutimin e tij në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor:
       Mua më duket se nuk është e drejtë që një popull si ky yni, të cilit nuk i është mohuar prejardhja ilire, të përdorë emra të vjetër për hir të antikitetit. Ne e kemi quajtur Ilir djalin e madh jo në kuptimin e prejardhjes së shqiptarëve, por në kuptimin e të qenit njeri i lirë. Kështu e kemi menduar në familje kur i vumë këtë emër.[clviii]
      Pastaj Hoxha, në të njëjtin fjalim u shpreh kundër vënies së emrave ilirë fëmijëve:     
       Ne shqiptarët jemi një popull që, duke ndërtuar socializmin, kemi krijuar tradita e zakone të reja. Edhe sikur emrat e rekomanduar të jenë me të vërtetë ilirë, për hir të këtij fakti, nuk mund të kthehemi 3000 vjet prapa në periudhën e antikitetit. Ç’ kuptim ka kjo, kur kemi mundësi të vemë shumë emra të rinj, të bukur e me kuptim si, bie fjala emra vendesh, malesh etj.[clix]
      Duket se moda që kishte filluar në Shqipëri për t’ u vënë emra ilirë fëmijëve e shqetësoi diktatorin, i cili nuk donte që kjo të përdorej për t’ u përcaktuar regjimi i tij si nacional-komunist. Për krijimin e mitit të Hoxhës si nacional-komunist tek disa studiues dhe gazetarë të huaj, ka influencuar retorika e tij e llojit, si në një fjalim në Tepelenë, në 27 tetor 1963:
       Por nuk mund të guxonte kurrë një popull i vogël, jo si i yni, por edhe sikur 15 milion të ishte, të thoshte një të vërtetë kundër një fuqie të madhe imperialiste, sepse menjëherë i turreshin luftanijet, e sulmonin dhe e likuidonin rezistencën e tij kundër imperialistëve. Kurse, sot, në shekullin e leninizmit, një Shqipëri e vogël u qëndron si kala imperializmit amerikan. italian, gjerman, anglez etj., si dhe revizionistëve hrushovianë e pasuesve të tyre.[clx]
      Në të vërtetë këtu nuk ka asnjë grimë nacional-komunizmi. Shqipëria e izoluar që i reziston Perëndimit kapitalist dhe Lindjes sovjetike, të perceptuar si armiq, nuk ka të bëjë me vizionin e nacionalizmit historik shqiptar. Nacionalizmi historik shqiptar ka qenë properëndimor, i ka kërkuar aleatët në Perëndim, që nga koha e Rilindjes Nacionale, në shekullin XIX. Pastaj ajo që të bën përshtypje në fjalët e mësipërme të Hoxhës është se italianët dhe gjermanët i përmend çuditërisht si imperialistë, kur nuk ishin të tillë se në atë kohë nuk kishin më koloni dhe pushtime të tjera jashtë kufijve të tyre. E megjithatë nuk i përmend grekët, të cilët në këtë kuptim të lirë të fjalës «imperialist» mund të përmendeshin fare mirë si imperialistë, për shkak të pretendimeve të tyre territoriale ndaj Shqipërisë.
      Hoxha pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, jo vetëm që nuk e orientoi Shqipërinë nga Perëndimi, por vazhdoi të kultivonte edhe urrejtjen për Perëndimin tek shqiptarët. Në 14 nëntor 1961, një javë pasi Hoxha i kishte kthyer përgjigje publikisht sulmit të Hrushovit ndaj tij, do të thoshte në fjalimin që mbajti në një miting në qytetin e Gjirokastrës:
       Kur shkon në Tropojë, para se të arrish në vend, të del përpara madhështor mali i Shkëlzenit mbuluar me borë. Ai të kujton luftrat heroike të të parëve tanë kundër turqve ose kralëve të Serbisë; atje është derdhur gjaku i vëllezërve tanë kosovarë që kanë luftuar kundër Turqisë, kundër lordit anglez Bikonsfild, kundër Bismarkut, që donin ta copëtonin Shqipërinë.[clxi]
      Në fakt kryeministri britanik Lord Beaconsfield (Bikonsfild), ndryshe Disraeli, në 1878 e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi, duke bërë të anulohet Traktati i Shën Stefanit, që e kishte imponuar Rusia, cilën Hoxha nuk e përmend fare. Sa për Bismarkun, ai nuk ka ndonjë faj në këtë histori, në të cilën thjesht vuan falsifikimin historik sikur paska thënë se Europa nuk duhet të shqetësohet për disa kasolle shqiptare, një frazë kjo për të cilën deri më sot nuk është paraqitur asnjë dokument si burim, dhe që u hodh në qarkullim nga një gazetë joserioze italiane.
      Studiuesit perëndimorë, të cilët e kanë perceptuar si nacional-komunizëm sfidën e Shqipërisë së Hoxhës, të izoluar dhe armiqësore ndaj Perëndimit kapitalist dhe Lindjes sovjetike, në të vërtetë janë nisur nga një premisë të cilën e kanë pasur në mendje, diku mes vetëdijes dhe nënvetëdijes, por që nuk e kanë shprehur. Duke e parë Hoxhën si një musliman dhe Shqipërinë si një vend musliman, ata kanë menduar se nacional-komunizmi shqiptar ishte i një lloji të veçantë, një nacional-komunizëm islamik, dhe se izolimi i Shqipërisë shprehte refuzimin islamik ndaj Perëndimit të krishterë dhe Bashkimit Sovjetik gjithashtu të krishterë. Në këtë mënyrë ata duket se shpjegonin edhe aleancën me Kinën, një vend i largët që ishte konfliktuar shumë pak me Islamin dhe vetëm me skajet e tij në të shkuarën e largët. Kjo teori do të ishte e vështirë të kundërshtohej, edhe pse gjithë jeta e Hoxhës tregonte se ai nuk ishte fetar, sikur të kishte qenë Shqipëria ajo që u prish me dy vendet e krishtera, Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, dhe jo ato me të, si dhe sikur Hoxha të mos kishte ndaluar fenë islame (bashkë me fetë e tjera) gjashtë vjet pas prishjes sovjeto-shqiptare. Por këto fakte e rrëzojnë teorinë e nacional-komunizmit islamik shqiptar. 
      Si mund të konsiderohet Hoxha nacional-komunist, kur ai në 2 tetor 1964, në mbledhjen e Byrosë Politike, ku diskutohej mbi vëllimin e dytë të Historisë së Shqipërisë, që ishte përgatitur për botim, tha:
       Lidhur me periudhën e Skënderbeut mendoj të bazohemi në formulën e Stalinit, që përcakton se ç’ është kombi.[clxii]
      Një nacional-komunist nuk mund të fliste kështu. Kjo ishte krejt e kundërta e pikëpamjes nacional-komuniste, ishte kqyrja e interesit nacional ashtu siç shfaqej i thyer në prizmin e ideologjisë.


[i]Ismail Kadare: Vepra, vol 2, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1981, f. 209
[ii] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 519-520
[iii] po atje: f. 355
[iv] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 415
[v] po atje: f. 416
[vi]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 361
[vii] po atje: f. 370-371
[viii]po atje: f. 379
[ix] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 357
[x] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1966-1967», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 4, f. 131
[xi] «Libri i kuq i citateve të Kryetarit Mao Ce Dun», Shtëpia botonjëse e gjuhëve të huaja, Pekin 1967, f. 156
[xii] Enver Hoxha: «Fjala e mbajtur në emër të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në Moskë në nëntor 1960», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Tiranë 1970, f. 5-6
[xiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 386-387
[xiv] po atje: f. 485
[xv] po atje: f. 490
[xvi] po atje: f. 393-394
[xvii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 331
[xviii] «Deklaratë e Mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1960, f. 28
[xix]Gazeta «Zëri i Popullit», 21 dhjetor 1960, f. 1
[xx] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 399
[xxi] po atje: f. 421-422
[xxii] «Raportet dhe Rezolutat e Konferencës së Byrosë Informative të Partive Komuniste dhe Punëtore: nëntor 1949», Botim i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1949, f. 74
[xxiii] po atje: f. 74
[xxiv] po atje: f. 73
[xxv] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 456-457
[xxvi]po atje: f. 459
[xxvii] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 148- 149
[xxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 453
[xxix]po atje: f. 393
[xxx] «Deklaratë e Mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1960, f. 46
[xxxi]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin VIII të PPSH», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 235- 236
[xxxii]po atje: f. 236
[xxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 396- 397
[xxxiv]po atje: f. 425
[xxxv]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 249
[xxxvi] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 148
[xxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 549
[xxxviii]po atje: f. 550
[xxxix]N. S. Hrushov: «Kujtime», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2006, f. 208
[xl] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 422
[xli] po atje: f. 423
[xlii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 247
[xliii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 250- 251
[xliv]po atje: f. 253
[xlv]po atje: f. 254
[xlvi]po atje: f. 255
[xlvii]“Kujtime për Enverin”, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, Vol 1, f. 450
[xlviii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 423
[xlix]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 258
[l] po atje: f. 234
[li] po atje: f. 235
[lii] po atje: f. 261
[liii]po atje: f. 260
[liv]po atje: f. 261
[lv] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 423
[lvi] Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 262
[lvii]Gazeta «Zëri i Popullit», 21 dhjetor 1960, f. 1
[lviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 281
[lix] po atje: f. 296
[lx] po atje: f. 296
[lxi] «Manual diplomatik i Republikës së Shqipërisë», Botim i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë 1997, f. 83
[lxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 20, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 37
[lxiii]po atje: f. 58
[lxiv]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë 1961, f. 8
[lxv] po atje: f. 27
[lxvi] po atje: f. 9
[lxvii] po atje: f. 28
[lxviii] po atje: f. 29
[lxix] po atje: f. 34
[lxx] Arkivi Qendror i Shtetit fondi 14/ Arkivi i PPSH, lista 15, dosja 7
[lxxi]Enver Hoxha: «Gjithmonë vigjilentë», për organet e punëve të brendshme, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986, Vol 2, f. 659-660
[lxxii] Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 39
[lxxiii] «Vjetari Statistikor», 1950-1990, Botimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tiranw 1991, f. 35
[lxxiv]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 37
[lxxv]po atje: f. 67
[lxxvi] po atje: f. 140
[lxxvii] po atje: f. 61
[lxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 21, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 350
[lxxix]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 113
[lxxx] po atje: f. 113
[lxxxi] po atje: f. 113
[lxxxii] po atje: f. 113
[lxxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 261
[lxxxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 23, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1977, f. 107
[lxxxv]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 67
[lxxxvi] po atje: f. 85
[lxxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 20, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 324
[lxxxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 335
[lxxxix]po atje: f. 345
[xc] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1961-1963», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 2, f. 63
[xci] «PPSH: Dokumente kryesore», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1970, vol. IV, f. 51
[xcii]po atje: f. 133
[xciii]Enver Hoxha: Vepra, vol 41, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, f. 424
[xciv]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 123-124
[xcv]Enver Hoxha: Vepra, vol 21, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 14-15
[xcvi]Enver Hoxha: «Hrushovianët», «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 435-436
[xcvii]«Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë», «8 nëntori», «Instuti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH», Tiranë 1981, f. 349-350
[xcviii]«PPSH: Dokumente kryesore», Botim i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Tiranë 1970, Vol IV, f. 51-52
[xcix] Enver Hoxha: «Superfuqitë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986, f. 53
[c] Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 158-159
[ci]Enver Hoxha: «Shënime për Kinën», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, Vol. 1, f. 100
[cii] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1961-1963», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 2, f. 158
[ciii]Enver Hoxha: Vepra, vol 21, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 552- 553
[civ] Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 126
[cv] po atje: f. 55-56
[cvi] po atje: f. 56
[cvii]po atje: f. 56
[cviii]po atje: f. 165-166
[cix] po atje: f. 166
[cx] po atje: f. 127
[cxi] po atje: f. 127
[cxii]po atje: f. 127
[cxiii]Fric Zelbman: «Nata e gjatë», Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 181
[cxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 131
[cxv] po atje: f. 136-137
[cxvi]po atje: f. 135
[cxvii]po atje: f. 118-119
[cxviii]Gazeta «Zëri i Popullit», 31 maj 1959, f. 5
[cxix]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin IV të PPSH», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1961, f. 26-27
[cxx]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 181
[cxxi]po atje: f. 181
[cxxii]po atje: f. 182
[cxxiii] po atje: f. 182
[cxxiv] po atje: f. 182
[cxxv] po atje: f. 184
[cxxvi] po atje: f. 192
[cxxvii] po atje: f. 267-268
[cxxviii] po atje: f. 401
[cxxix] po atje: f. 404
[cxxx] po atje: f. 425
[cxxxi] po atje: f. 427
[cxxxii] po atje: f. 481
[cxxxiii] po atje: f. 409
[cxxxiv] po atje: f. 414
[cxxxv]Ismet Elezi: «Me syrin e një juristi», Botimet «Toena», Tiranë 2004, f. 39
[cxxxvi]cituar sipas: «Paul Johnson: «Kohët moderne», Shtëpia botuese «Apollonia», Tiranë 1996, vol. 1, f. 375
[cxxxvii]Leon Blum: «A l’ echellehumaine», Gallimard 1945, p. 105
[cxxxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1962», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, vol. 4, f. 23
[cxxxix]Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1964-1965», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 3, f. 265
[cxl] Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 78
[cxli]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 317
[cxlii]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 317
[cxliii]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 78- 79
[cxliv]po atje: f. 181
[cxlv]po atje: f. 181
[cxlvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 29, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 170-171
[cxlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f.  464
[cxlviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 520
[cxlix]Enver Hoxha: Vepra, vol 40, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1983, f. 72
[cl] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1977», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1984, vol. 9, f. 661
[cli] po atje: f. 661
[clii]Enver Hoxha: Vepra, vol 40, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1983, f. 71- 72
[cliii]po atje: f. 130
[cliv]Enver Hoxha: Vepra, vol 66, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 360
[clv]Enver Hoxha: Vepra, vol 12, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 338
[clvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 268
[clvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 43, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, f. 257-258
[clviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 55, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, f. 368- 369
[clix]po atje: f. 369
[clx]Enver Hoxha: Vepra, vol 25, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1977, f. 538-539
[clxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 265
[clxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 27, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1978, f. 349