I
Partizan nga 4 korriku 1943
Nëse bëhet pyetja se kur u bë Enver Hoxha partizan, është njëlloj sikur të pyesësh se kur u bë komunist i organizuar. Ashtu siç Enver Hoxha u bë komunist i organizuar, kur u bë anëtar i Komitetit Qendror të PKSH, edhe partizan i organizuar u bë kur u zgjodh anëtar i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë partizane në 4 korrik 1943, në Labinot. Ashtu si Enver Hoxha u bë anëtar i Komitetit Qendror të PKSH, pas qenë komunist i organizuar, ai u bë anëtar i Shtabit të përgjithshëm partizan pa qenë pjestar në ndonjë mënyrë i forcave partizan.
Që atëherë ai nuk u mor me luftën partizane, por me përdorimin e luftës, që më tepër ishte një realitet i propagandës së tij, në funksion të politikës së pushtetit të ardhshëm. Në korrik të vitit 1943 klika komuniste ishte në ethe. Pasi aleatët perëndimorë fituan betejën për Afrikën pranverën e vitit 1943, pritej një zbarkim i tyre në Ballkan, posaçërisht në Shqipëri, si pika më e përshtatshme për të depërtuar nga Perëndimi në thellësi të Gadishullit. Këtë të bënte ta besoje edhe ardhja e oficerëve britanikë në Shqipëri. Komunistët donin t’ u paraqiteshin aleatëve perëndimorë si ajo forcë në vend që luftonte fashistët dhe kishte fituar të drejtën e pushtetit. Për këtë qëllim, në korrik 1943 u mbajt me ngut një mbledhje e Këshillit të dalë nga Konferenca e Pezës. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
më 4 korrik 1943 filluam mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, e cila u mbajt në Labinot, në shtëpinë, ku në mars kishte zhvilluar punimet Konferenca e Parë e Vendit e Partisë.[i]
Këtu ka një simbolikë mjaft domethënëse, për atë se Fronti ANÇ nuk ishte më tepër se një zgjatim i partisë komuniste. Enver Hoxha kujton:
Për drejtimin e punimeve të kësaj mbledhjeje propozova luftëtarin e shquar, Mustafa Xhanin, dhe pjesëmarrësit e tjerë të mbledhjes u shfaqën plotësisht dakord me propozimin tim.[ii]
Në fakt, Mustafa Xhani nuk ishte zgjedhur në Pezë anëtar i Këshillit, por tashmë kjo gjë ishte bërë një praktikë. Në kohën që Enver Hoxha i bënte këtë nder Mustafa Xhanit, i bënte dhe një «nder» xhaxhait të tij, Qamil Xhanit, duke urdhëruar Myslim Pezën që ta vriste. Myslim Peza kujton:
Në shtator të vitit 1943, në një nga ditët e Konferencës së Labinotit, shoku Enver më hoqi mënjanë.
-Myslim,- më tha,- Qamil Xhani është përgjegjës për krime të rënda para popullit dhe Partia ka mendimin ta dënojë me vdekje... Pas një jave armiku i popullit Qamil Xhani mori dënimin e merituar.[iii]
Krimi i vetëm për të cilin ishte përgjegjës Qamil Xhani është se ishte antikomunist. Myslim Peza kujton:
Vetëm në Fushë-Kavajë ndeshëm në pengesën e fortë të tri familjeve «të mëdha»: Habiljeve, Xhanëve dhe Leçinëve... dërguam korrierë te Hamit Leçini e Qamil Xhani. Hamiti erdhi shpejt, kurse nënprefekti fashist i Kavajës Qamil Xhani nuk erdhi fare... Qamili ishte vëllai i Bajram Xhanit.[iv]
Bajram Xhani ishte babai i Mustafa Xhanit (Baba Fajës), i cili qe bërë partizan se kishte bërë disa vrasje ordinere. Mustafa Xhani mbante në teqe një grua, e cila kishte ikur nga burri, me të cilën Baba Faja kishte një djalë. Kur babai i saj, së bashku me djalin dhe nipat e tij, shkuan në teqe, për t’ i dhënë fund këtij turp, Baba Faja i vrau ata. Ky ishte kryetari i mbledhjes së Labinotit, në korrik 1943.
Në Labinot, në korrik 1943 Enver Hoxha u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm prej 12 vetash të ushtrisë partizane, që u krijua në këtë mbledhje. Shtabi i përgjithshëm u krijua qartësisht që ushtria partizane të jepte iluzionin e një ushtrie sa më serioze dhe të rregullt. Por Enver Hoxha nuk do të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë, ashtu siç ishte homologu i vet, Tito, në Jugosllavi, por do të bëhej komisar politik i Shtabit të Përgjithshëm, një titull ky asfare ushtarak. Në Labinot nuk do të emërohej një komandant i përgjithshëm i ushtrisë partizane, por vetëm një komandant i Shtabit të Përgjithshëm, post që e mori Spiro Moisiu. Ushtria partizane do të bëhej me komandant të përgjithshëm vetëm në fund të majit 1944, gjashtë muaj para përfundimit të luftës, kur këtë post do ta merrte Enver Hoxha, ndërsa Spiro Moisiu do të mbetej në krye të Shtabit të Përgjithshëm. Enver Hoxha e anashkalon këtë anomali që u bë në Labinot, kur shkruan:
Të nesërmen u mblodh Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, i cili përcaktoi strukturën e vet organizative dhe ndau përgjegjësitë midis anëtarëve të vet. Shtabi do të kishte një komandant si dhe komisarin politik të tij, ashtu sikurse kishin edhe të gjitha repartet tona partizane.[v]
Por në nivelin e reparteve të mëdha dhe të krejt ushtrisë ka një shef shtabi dhe një komandant të repartit, në rastin e ushtrisë, të përgjithshëm. Kështu do të bëhej edhe me ushtrinë partizane në maj 1944. Enver Hoxha kujton për zgjedhjen e atij që do të bëhej drejtuesi ushtarak i Shtabit të Përgjithshëm:
Propozova që me detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të ngarkohej shoku Spiro Moisiu, si një njeri patriot dhe specialist i çështjeve ushtarake.[vi]
Por pse ky «patrioti» Spiro Moisiu nuk kishte qenë në Konferencën e Pezës? Spiro Moisiu fitoi emër prej «patrioti» për shkak se kur u çua nga italianët në frontin e Luftës Italo-Greke, me gradën major, si komandant i një batalioni ushtarësh shqiptarë, dezertoi bashkë me një pjesë të ushtarëve, duke mos pranuar të luftonte kundër grekëve. Por nuk mund të mos bësh pyetjen se përse Spiro Moisiu pranoi t’ i shërbente okupatorit italian si oficer nga 7 prilli 1939 dhe deri në 28 tetor 1940, pra për një vit e gjysëm, dhe kur e çuan në luftë kundër Greqisë dezertoi?! Nëse pushtimi fashist ishte një gjë e keqe, atëherë del se ky njeri e donte Shqipërinë më pak se Greqinë. Spiro Mosiu nuk shkrepi asnjë pushkë në 7 prill 1939, kundër invadorëve fashistë, dhe si shpërblim autoritet fashiste italiane e mbajtën atë në ushtri, madje e rritën në gradë nga kapiten në major. Kështu major Spiro Mojsiu veshi këmishën e zezë dhe filloi të nderojë ala romana, me xhepin e mbushur plot me lira italiane. Në 28 nëntor 2002, i biri i Spiro Moisiut, Alfred Moisiu, në kohën që ishte President i Republikës, ka dhënë një intervistë në Tv Klan, në emisionin «Opinion» të Blendi Fevziut, ku tregoi një episod të babait të vet, Spiro Mosiu, në vitin 1942. Alfred Moisiu përcolli rrëfimin e babait:
Im atë u zgjodh si kryetari i Këshillit antifashist nacionalçlirimtar për Lushnjën. Por italianët e zbuluan dhe deshën ta arrestonin. Ka qenë një koincidencë interesante, se kur erdhën për ta arrestuar, ai ishte në dyqan, që kishte dy dyer. Meqënëse nuk i besonin karabinierëve të Lushnjës, pasi babai kishte miqësi me ta, dërguan njerëz nga Tirana, për të qenë më të sigurtë. Ata i thonë: «Duam major Spiro Moisiun», «Është vëllai im, u përgjigj, tani sapo doli nga dera matanë», «Ku është?» e pyesin. «Po shkoj ta thërras».
Kjo histori ngjan si dy pika uji me atë që tregon Enver Hoxha, për veten, kur shkuan karabinierët ta arrestojnë në dyqanin «Flora», në 1941. Enver Hoxha, agjenti i OVRA dhe Spiro Moisiu, majori fashist, i cili kishte dezertuar në favor të Greqisë dhe jo të Shqipërisë, formonin një çift të bukur në krye të ushtrisë partizane. Spiro Moisiu u zgjodh në këtë post, se ai ishte i paaftë që të errësonte Enver Hoxhën. Reginald Hibbert, një prej oficerëve britanikë që ka qënë gjatë luftës pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe që në kujtimet e veta është dashamirës ndaj partizanëve, shpreh përshtypje të këqija vetëm për Spiro Moisiun. Hibbert shkruan:
Shefi i Shtabit, Spiro Moisiu, na u duk se nuk e meritonte aspak pozitën e tij të lartë dhe ishte një njeri i pakëndshëm në bashkëbisedime. Ndofta kjo ishte arsyeja përse e kishte vënë aty Enver Hoxha[vii]
Talenti prej komediani në shumë raste e ka ndihmuar Enver Hoxhën që të dalë nga situata të vështira. Një ilustrim i shkëlqyer i kësaj është mënyra se si e menaxhoi Enver Hoxha çështjen negociatave me Ballin Kombëtar në verën e vitit 1943. Në fund të vitit 1942 rrethet politike që kishin qenë kundër Zogut qenë aktivizuar duke u bashkuar në një organizatë politiko-ushtarake që u quajt Balli Kombëtar. Synimi i tyre kryesor ishte që të merrnin pushtetin në vakuumin që do të krijohej nga disfata e italianëve, që do të shkaktohej nga zbarkimi i pritshëm i aleatëve perëndimorë në Ballkan e me këtë rast në Shqipëri. Kjo gjë i ndërlikonte planet e komunistëve, prandaj ata e panë Ballin Kombëtar si një rival politik të rrezikshëm që duhej asgjësuar. Me zbarkimin e aleatëve perëndimorë në Itali, në fillim të korrikut 1943, Balli Kombëtar po kërkonte bisedime me Frontin ANÇ, në mënyrë që të krijonin një aleancë antifashiste. Sigurisht që ballistët mendonin për pushtetin me mbarimin e luftës, jo më pak se komunistët, por bashkëpunimi, me perspektivën që palët të kishin akces në pushtet pas lufte, dukej alternativë më e mirë se lufta civile në mes të luftës botërore, çka u bë e qartë edhe më vonë. Kur një nga udhëheqësit partizanë jugosllavë, Svetozar Vukmanoviç Tempo, erdhi në Shqipëri në mars 1943, ai gjeti të gabuar qëndrimin e PKSH ndaj Ballit Kombëtar. Nako Spiru thotë në Plenumin e Beratit për këtë gjë:
S’ ishte punë kundërshtimesh të vogla mes Aliut e Tempos, po kundërshtimesh vije. Tempoja kishte pikëpamje që vija jonë ishte oportuniste, kurse Balli Kombëtar ishte Drazha Mihailloviçi.[viii]
Por Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi hezitonin që të fillonin luftën kundër Ballit Kombëtar, se ata e dinin mirë se forcat partizane që ata kishin në dispozicion nuk qenë në gjendje ta përballonin këtë luftë. Ata e shikonin këtë si një lojë shumë të rrezikshme, dhe të padëshirueshme edhe për atë se pas fillimit të kësaj nuk mund të rrinin më në qytetin e Tiranës, por do të detyroheshin të dilnin në mal, ku do të bënin një jetë të vështirë e të rrezikshme. Sejfulla Malëshova do të thoshte në Plenumin II, në Berat:
Që në kohën përpara daljes së Ballit Kombëtar vija jonë ishte sektare. Kur doli Balli Kombëtar ajo u bë oportuniste. Thuhej se Ballin nuk duhej ta luftonim, se Balli nuk duhej demaskuar si organizatë, se duheshin demaskuar vetëm parullat e tij. Nuk duhej të luftonim Ballin, pse ai do të trembej, do të tërhiqej e do të hidhej me reaksionin. Një tjetër opinion ishte që nuk duhej të luftonin Ballin se ne ishim të dobët. Të dy këto argumente ishin të kalbura... Demaskimi politik do të ishte e vetmja rrugë e drejtë, kështu ne do të forconim pozitat tona. Miladini dhe Komiteti Qendror kishte tjetër mendim. Kur mbërrita unë këtu kjo ishte taktika ndaj Ballit. Kjo ishte taktikë oportuniste.[ix]
Gjithashtu, Sejfulla Malëshova do të thoshte në Plenumin e Beratit, për mbledhjen e Labinotit, në korrik 1943:
Më ngarkuan të shkruaja proklamatën e Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë Proklamatë unë vura në dukje demaskimin e Ballit, e karakterizoja Ballin se ai, me dashje, pa dashje, bënte lodrën e armikut, pengonte luftën, ndalonte mobilizimin e masave. Proklamata u këndua, u bënë kundërshtime, më në fund u hartua dhe u pranua. E kishim bërë si kishte dashur Miladini. Kjo gjendje në lidhje me Ballin vazhdoi prapë.[x]
Kur Balli Kombëtar kërkoi bisedime Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi nuk guxuan që të refuzojnë, nga frika se mos Balli Kombëtar u shpallte luftë, në atë situatë të turbullt, kur Italia fashiste ishte në prag të shembjes. Prandaj, në Labinot, në korrik 1943 u mandatua një delegacion i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, me në krye Ymer Dishnicën, për bisedimet me Ballin Kombëtar. Enver Hoxha thotë për ndarjen me Ymer Dishnicën në Labinot, në korrik 1943:
Kështu, ai u nis në drejtim të Tiranës, kurse ne të tjerët morëm rrugën për në Korçë. Atje qëndruam në Shtyllë, Kucakë, Vithkuq, duke ndjekur nga afër përgatitjet përfundimtare për inaugurimin e formimit të Brigadës I Sulmuese.[xi]
Enver Hoxhës i takonte që të shkonte në bisedimet me Ballin Kombëtar, si anëtar i delegacionit. A nuk thotë ai vetë se kishte marrë pjesë në bisedime të mëparshme me Ballin Kombëtar? Ai shkruan në kujtimet, për takimet me Ballin Kombëtar, në pranverën e vitit 1943, kur ishte në Tiranë:
Edhe unë vetë, siç kishim vendosur në Byro, zhvillova në këtë kohë dy tre takime me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar. Një takim, me sa më kujtohet, është bërë në shtëpinë e Bahri Omarit në Tiranë. Kisha me vete Ymer Dishnicën dhe Mustafa Gjinishin, kurse Ballin e përfaqësonin Bahri Omari e Kolë Tromara.[xii]
Gjithashtu, Enver Hoxha tregon edhe për një takim tjetër në shtëpinë e Nexhat Peshkëpisë, në Tiranë:
Po në këtë periudhë bëmë edhe dy takime me përfaqësues të Ballit, një në shtëpinë e Nexhat Peshkëpisë, ku ishin Bahri Omari dhe Halim Begeja, dhe tjetri në shtëpinë e Muharrem Vllamasit, ku veç Bahriut e Kolë Tromarës, merrte pjesë, si «ndërmjetës», Sheh Karbunara.[xiii]
Gruaja e Nexhatit ishte kushëria e parë e Enver Hoxhës. Atëherë si është e mundur në në momentin më delikat të bisedimeve, ai jo vetëm që nuk mori pjesë në bisedime, por iku me ngut sa më larg vendit ku mbaheshin bisedimet, duke shkuar në malësinë e Korçës me arsyen e formimit të Brigadës I partizane. Por Brigada I do të formohej në mes të gushtit, ndërsa dy takimet me Ballin Kombëtar ku u arritën marrëveshjet u bënë në 26 korrik dhe në 2 gusht. Enver Hoxha kishte kohë që të ndiqte bisedimet dhe të shkonte në Korçë.
Enver Hoxha nuk shkoi në bisedimet me Ballin Kombëtar në korrik- gusht 1943, se e ndjeu nga debatet mes Popoviçit dhe Tempos se kjo punë ishte «thikë me dy presa për të». Kjo duket kur Enver Hoxha thotë në Plenumin e Beratit:
Kur erdhëm në Kucakë, Tempoja e shtroi këtë çështje. Marrëdhëniet e Aliut me Tempon ishin të thartuara. Unë isha influencuar nga Aliu: tash e kuptoja se Aliu kishte tendenca ta denigronte atë. Thoshte se Tempoja ishte ekstravagant. Qëndrimi im ishte po si i Aliut., se unë nuk dija që Tempoja ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Jugosllave, e dija se ishte vetëm një njeri i rastit, i cili qe ngarkuar për një punë dhe kalonte këtej rastësisht. Aliu më thoshte se ai nuk donte ç’ kërkonte, se ishte i çuditshëm etj. Çdo kritikë e çdo pyetje që bënte Tempoja, Aliu e konsideronte si një kritikë përsonale dhe unë besoja se Tempoja kritikonte vetëm për të kritikuar. Unë kisha besim te Aliu dhe mendoja se ne të dy mbronim një vijë të drejtë... Unë mbroja tezën që mbronte Aliu, sipas së cilës Balli ka forca dhe po ta godasim do të na godasë dhe ne do të humbasim. Tempoja shtroi tezën e demaskimit të Ballit. Ai nuk u bind por as ne nuk u bindëm.[xiv]
Debati Popoviç-Tempo në Kucakë është bërë në korrik 1943, pas largimit nga Labinoti. Nga këto që thotë Enver Hoxha, kuptohet se ai dhe Popoviçi e kanë instruktuar delegacionin që të bënte marrëveshje me Ballin Kombëtar.
Ajo që është njohur si Marrëveshja e Mukjes, në fakt duhet quajtur Marrëveshja e Tapizës, se u arrit në Tapizë të Tiranës, në 26 korrik 1943, ndërsa në Mukje, në 2 gusht, thjesht u nënshkrua një marrëveshje në zbatim të saj. Në procesverbalin e mbledhjes së Tapizës thuhet:
Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p. dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës. Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. Major Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe delegacioni i organizatës Balli Kombëtar, i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku.[xv]
Shihet qartë se derisa delegacioni i Ballit Kombëtar është i nivelit më të lartë, ai i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ nuk është i tillë. Marrëveshja e Tapizës është:
Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin «Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë»...
1. Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
2. Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.[xvi]
Në 27 korrik 1943, Ymer Dishnica i çon një letër Enver Hoxhës ku e informon për mbledhjen e Tapizës, duke i paraqitur dhe përmbajtjen e marrëshevjes që u arrit.[xvii] Kjo letër duhet t’ i ketë shkuar Enver Hoxhës në Korçë që të nesërmen, 28 korrik, se korrierët lëviznin me makina. Gjithsesi, Enver Hoxha vetë i kishte vështirësuar gjëra, jo vetëm duke mos marrë pjesë në mbledhje, por duke shkuar kaq larg, në Vithkuq të Korçës. Në 31 korrik 1943, Ymer Dishnica dhe Gogo Nushi i çojnë një letër Enver Hoxhës ku e informojnë për mbledhjen që do të mbahej në Mukje, në 1- 2 gusht 1943.[xviii]
Në Mukje, në 1 gusht 1943, u nënshkrua një akt në zbatim të marrëveshjes së Tapizës, nga dy delegacione të zgjeruara, të përbëra prej nga 12 përfaqësuesish nga secila palë. Delegacioni i Ballit Kombëtar ishte i nivelit më të lartë, me gjithë drejtuesit kryesorë të tij:
Hasan Dosti, Mithat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Jusuf Luzaj, Kadri Cakrani, Rauf Fratari, Nexhat Peshkëpia, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni.[xix]
Përndryshe delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar nuk ishte i nivelit të lartë:
Nënkolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan Plumbi, Haki Stërmilli, Gogo Nushi.[xx]
Në të kishte vetëm katër anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ: Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi. I pari që kishte vënë firmën për Këshillit të Përgjithshëm ANÇ ishte nënkolonel Jahja Çaçi (njeriu i Abaz Kupit), i cili nuk ishte fare anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ. Është e çuditshme që në delegacionin e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të ishte Jahja Çaçi dhe të mungonte Spiro Moisiu, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e komisarit, Enver Hoxha, aq më tepër që ky i fundit ishte dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANC. Në delegacionin e Këshillit të Përgjithshëm ANC kishte vetëm tre komunistë: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Gogo Nushi. Nga këta vetëm një ishte anëtar i Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike: Ymer Dishnica. Mes firmëtarëve nga ana e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ ishin edhe Omer Nishani, Gogo Nushi, Medar Shtylla, Myslim Peza të cilët më pas nuk do të ndëshkoheshin për këtë gjë, si Ymer Dishnica, madje do të merrnin poste të larta. Merret vesh, Tapiza dhe Mukja ishin kurth për Ymer Dishnicën, të cilin Enver Hoxha donte që ta eliminonte se e shihte si rival, që pëlqehej nga jugosllavët. Nëse Enver Hoxha nuk shkoi në Tapizë, ai duhet të kishte shkruar patjetër në Mukje. Në mbledhjen e datës 2 gusht u vendos që të krijohet Komiteti provizor i shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga 12 anëtarë, nga gjashtë prej secilës palë. Një nga gjashtë anëtarët e caktuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ ishte dhe Spiro Koleka, i cili më pas nuk u ndëshkua për këtë gjë. Madje Spiro Koleka ishte pjesëmarrës në mbledhjen e parë të këtij komiteti, të mbajtur në Mukje në 3 gusht, nga ku doli dhe një proklamatë.
Në 3 gusht 1943, Ymer Dishnica me anë të një letre e informon Enver Hoxhën për zhvillimet e tjera në Mukje. Dishnica shkruan:
Ndalesën e Shqipërisë etnike e kapërcyem me një formulë, as femër as mashkull, atë që ju shkrojta në letrën e parë.[xxi]
Me këtë bie miti sikur marrëveshja u prish për shkak të përmendjes së Shqipërisë etnike. Enver Hoxha rrëfen me një indinjatë komediani për reagimin e tij ndaj marrëveshjeve me Ballin Kombëtar:
I rashë tavolinës me grusht, në zyrën e Shtabit në Vithkuq, dhe i shkrova në çast Ymerit një letër, pa e mbajtur dot inatin për këtë tradhti të ulët që i bëhej luftës sonë, gjakut që kishim derdhur, privacioneve, fitoreve të arritura, idealit të lartë që kishim ngjallur në zemër të popullit dhe të partizanëve.[xxii]
Kështu, Enver Hoxha përvetësoi politikën e Sejfulla Malëshovës, të cilën deri atëherë e pati kundërshtuar. Kjo nuk qe as hera e parë dhe as hera e fundit, që Enver Hoxha do ta bënte këtë gjë me një lehtësi prej komediani. Pasi Enver Hoxha e përvetësoi politikën e Sejfulla Malëshovës, e pengoi ngjitjen e këtij të fundit në hierarkinë partiake, gjë të cilën e pohoi vetë në Plenumin e Beratit:
Mbaj mend që Baca më tha të fusnim Sejfullain në Byro. Unë fola me Aliun kurse ky më bëri vërejtje: «Si mendojnë këta shokë?» Kur Sejfullai e shtroi çështjen e vijës politike, ky ishte kulmi, prandaj u la mënjanë.[xxiii]
Ajo që të bën përshtypje në prishjen e marrëveshjeve me Ballin Kombëtar, është vonesa me të cilën u bë kjo gjë. Enver Hoxha shkruan:
Sapo inaguruam Brigadën I Sulmuese u nisa menjëherë bashkë me disa shokë të tjerë nga Vithkuqi dhe pas një marshimi të pandërprerë përmes Gorë-Oparit e zonave të Librazhdit, në dhjetëditëshin e fundit të gushtit arritëm në Labinot, ku ndërkohë ishte kthyer edhe Ymer Dishnica. Aty bëmë një mbledhje të Byrosë Politike ku merrnin pjesë ata shokë që ishte e mundur të vinin dhe i kërkuam Ymerit të bënte një raport të hollësishëm për veprimtarinë e delegacionit në Mukje. Ymer Dishnica, ndonëse e pranoi fajin, u përpoq të justifikohej me «situatat e papritura», me gjoja mungesën e udhëzimeve, etj., etj. Në këtë mbledhje propozuam përjashtimin e tij nga Byroja dhe shqyrtimin e vendosjen e kësaj çështjeje e lamë për në mbledhjen e rregullt të Komitetit Qendror të Partisë, që parashikonim të bënim në muajt e parë të vjeshtës. (Rrethanat u shtjelluan në mënyrë të tillë që plenumi të mblidhej në maj 1944.)[xxiv]
Ymer Dishnica do të bëhej «caper expiatorius», që të shpëtonte fytyrën Enver Hoxha para jugosllavëve. Që komedia të bëhej më e plotë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, pjesa më e madhe e të cilëve patën firmuar marrëveshjet me Ballin Kombëtar, tashmë i shfuqizuan dhe i denoncuan ato, ditën që u bë mbledhja e Byrosë Politike, ose më saktë e klikës, se Enver Hoxha thotë se nuk qenë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike:
Po atë ditë, në një mbledhje të tij, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e hodhi poshtë marrëveshjen oportuniste të Mukjes dhe vendosi që Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare, për të cilën ishin bërë përgatitjet e duhura, të fillonte punimet më 4 shtator.[xxv]
Prishja e marrëveshjeve me Ballin Kombëtar u bë pas alarmit që i bëri udhëheqjes komuniste jugosllave Svetozar Vukmanoviç (Tempo), pas largimit nga Shqipëria. Popoviç dhe Hoxha u trembën se mos Tempo i akuzonte tek Tito si spiunë të fashistëve. Ata duhet t’ i ketë shqetësuar një episod që e tregon Enver Hoxha në librin «Titistët», kur thotë se në fund të korrikut- fillim të gushtit 1943, kur ai dhe Popoviçi gjendeshin në Kucakë të Korçës kishin vetëm një radiotransmetuese në shtab, të cilën kërkoi t’ ua merrte Tempo. Enver Hoxha e përshkruan kështu, këtë episod:
Para se të ikte «koka ballkanike» deshte të na merrte të vetmen radiomarrëse e dhënëse që kishim. Ne, natyrisht, nuk mund t’ ia jepnim. Por kur Tempoja po insistonte më shumë si me lutje e shoqërisht, ndërhyri Milica (gruaja e Tempos-K.M.) dhe me një ton disi autoritar donte të na bindte se neve s’ na duhej, kurse për Tempon kishte shumë rëndësi. Mua më hipi inati dhe i thashë në mënyrë jo të sjellshme:
Enver Hoxha duket të jetë nervozuar për shkak se Milica i ka thënë të vërtetën. Enver Hoxhës nuk i duhej radiotransmetuesja për shkak se shtabet e reparteve partizane të shpërndara nëpër Shqipëri nuk kishin radiotransmetuese, kështu që Shtabi i Përgjithshëm partizan nuk mund ta përdorte për të komunikuar me to. Sipas librit «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare», jo vetëm në korrik dhe në gusht 1943 që Shtabi i Përgjithshëm partizan i kryesuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, nuk ka dërguar asnjë radiogram, por radiogramin e parë e ka çuar vetëm një vit më pas, në korrik 1944. Ky është radiogrami që Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të saj, i çojnë Divizionit I partizan në 3 korrik 1944.[xxvii]
Atëhere përse i duhej radiotransmetuesja Enver Hoxhës në korrik-gusht 1943? Për ta pasur si dekoracion në shtëpinë fshatare ku punonte- apo duhet thënë luftonte? Është e qartë se radiotransmetuesja i duhej për të kontaktuar me ndonjë qendër tjetër. Sigurisht që jo për të kontaktuar me Titon, pasi në këtë rast Tempo nuk do të kërkonte t’ ia merrte.
Por as më Bashkimin Sovjetik, se ai ua kishte dhënë jugosllavëve mandatin për Shqipërinë. Enver Hoxha në kujtimet e veta ka thënë se deri në gusht 1944, kur në Shqipëri erdhi një i dërguar sovjetik (majori Ivanov), lëvizja komuniste dhe partizane në Shqipëri nuk ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me Moskën dhe Kominternin, por i ka mbajtur ato nëpërmjet Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila praktikisht përfaqësonte për lëvizjen komuniste dhe partizane në Shqipëri Moskën dhe Kominternin. Kjo për shkak të kushteve të luftës. Madje edhe kur erdhi i dërguari sovjetik në Shqipëri, Enver Hoxha thotë për majorin Ivanov se mbajti një profil të ulët duke u rekomanduar shqiptarëve që për çdo gjë të mbanin lidhje me komunistët jugosllavë, duke marrë direktiva prej tyre. Titoja me gjasë mbante lidhje me Moskën me radiotransmetuese të fuqishme, por sigurisht jo Enver Hoxha. Enver Hoxha mund të mbante lidhje me shërbimin sekret italian, dhe për këtë gjë ka dyshuar Tempo. Pikërisht për këtë arsye Tempo ka dashur që t’ ia marrë Enver Hoxhës radiotransmetuesen. Por, Enver Hoxha nuk e dha radiotransmetuesen dhe kjo duhet të ketë zgjuar dyshimet e para të Titos për të. Këtu është dyshuar edhe për Popoviçin. Prandaj Tito, që kishte eksperiencë kominterniane, vendosi më pas ta shpallë Popoviçin si deviator, që kishte gabuar në Shqipëri, në mënyrë që t’ i dilte para asaj që do të bënin sovjetikët dhe të ishte në rregull.
Enver Hoxha shkëlqeu në ceremoninë e krijimit të Brigadës I partizane, si një aktor në një film me luftë, bëri fotografitë që i duheshin dhe u largua me ngut që të mos dëgjonte ankesat e oficerëve britanikë se tash duheshin bërë aksione kundër armikut. Oficeri britanik që ka qenë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, David Smiley në librin e vet me kujtime thotë për këtë ngjarje:
U rreshtuan rreth 800 partizanë, të pajisur me armët dhe veshmbathjet që i kishim sjellë... Mendova me vete: «Ky është rezultati i stërvitjes dhe ndihmës materiale që u kemi dhënë». Kurse ngjarjet do të tregonin se në këtë rast u tregova tepër optimist...
Patëm një debat me ata të Shtabit. Tani që Brigada e Parë ishte stërvitur dhe pajisur me gjithë sa i nevojitej, përse nuk kish hyrë në veprim? Maklini ia bëri të qartë Mehmet Shehut se do të ndërpriste furnizimin me armë, municione, materiale dhe të holla nëse brigada nuk do të fillonte veprimet kundër armikut. Mehmet Shehu pranoi të kryente një aksion me gjithë brigadën, duke na ftuar të merrnim pjesë për të parë rezultatet.
Ca ditë më pas Maklini, Kempi dhe unë u nisëm për në zonën e Barmashit, ku do të ngrihej pusia, në një vend në afërsi të atij ku kisha ngritur pusinë me ballistët. Pas një marshimi prej 10 orësh më së fundi gjetëm Mehmet Shehun. Natën dëgjuam të shtëna, por nuk ndodhi ndonjë gjë e veçantë. Menduam se partizanët po zinin pozicionet e tyre dhen në agim gjithshka do të ishte gati për të pritur kolonën e parë gjermane. Kishim gabuar sepse herët në mëngjes, Shehu erdhi të na lajmëronte se nuk do të kryhej asnjë aksion. Të çuditur dhe të zemëruar në kulm e pyetëm se cili ishte shkaku. Shehu u përgjigj: «Aksioni im i parë duhet të jetë qind për qind i suksesshëm dhe gjermanët kanë një postë që zotëron rrugën».
«Sa gjermanë qëndrojnë në atë postë?» e pyetëm. «Nuk e di me saktësi, por nja 20». «Kërkon të më thuash, tha Maklini, se nuk je në gjendje të asgjësosh një postë me 20 gjermanë, duke patur një brigadë të tërë në dispozicion?»
Por Shehu nuk pranoi të thyente urdhrin që kish marrë. U munduam gjithë ditën ta bindnim të ndryshonte mendim por qe e kotë. Kishim stërvitur 800 partizanë duke i armatosur dhe veshur për të luftuar gjermanët dhe komandanti i tyre refuzonte të të sulmonte një postë me 20 gjermanë. Në fillim menduam se refuzimi shkaktohej nga frika, por për të qenë të drejtë me Shehun, i cili ishte burrë trim, si dhe ndaj partizanëve, pranuam se në atë kohë nuk dinim se ai kish marrë urdhër për të mos luftuar gjermanët, por të kursente brigadën për të luftuar kundërshtarët politikë.[xxviii]
Këtu së pari vërehet se Enver Hoxha i kishte mashtruar britanikët duke e rritur në 800 numrin e partizanëve të brigadës, kur ata qenë pak më tepër se 500. Në rast se Maclean dhe Smiley do ta dinin kuptimin e emrit të fshatit ku u mbajt ceremonia, atëherë nuk duhet të kishin iluzione, se Enver Hoxha po u thoshte me gjuhën e vet prej komediani, se brigada që ata kishin pajisur dhe armatosur qe një repart komunist i destinuar për luftën civile për marrjen e pushtetit. Emri i fshatit Vithkuq kishte qene Bythkuq, para se Mbreti Zog të pranonte të ndërrohej me kërkesën e banorëve të cilët nuk i duronin dot talljet që u bënin të tjerët për emrin e fshatit të tyre, duke i quajtur bythkuqë, ose bythkuqarë. Emri i ri «Vithkuq» ruante kuptimin e vjetër veçse në vend të fjalës «bythë» ishte vënë eufemizmi «vithe».
David Smiley në kujtimet e veta tregon se si Maclean dhe ai, ia zbulonin Enver Hoxhës truket prej komediani:
Shtabi partizan erdhi në Misionin tonë disa herë, duke raportuar aksione të guximshme të çetave dhe duke pretenduar se ishin vrarë qindra italianë, por pa dhënë asnjë provë. Këto vizita bëheshin për të kërkuar armë të tjera dhe për të hedhur baltë mbi Ballin Kombëtar. Ne kërkonim prova për këto fitore të pretenduara, si p.sh. etiketa të identifikimit, grada të uniformave, por kurrë nuk na u paraqitën prova të tilla, vetëm llafe. Kështu dyshonim dhe nuk besonim.[xxix]
Nëse Maclean dhe Smiley donin luftë kundër fashistëve, Enver Hoxha kishte prioritete të tjera. Prioriteti i tij qe politika dhe jo lufta. Lufta për Enver Hoxhën ishte një aspekt i propagandës, përveç rastit kur bëhej ndaj kundërshtarëve politikë, të cilët e pengonin në rrugën drejt pushtetit. Tashmë prioriteti i Enver Hoxhës në politikën e vet të pushtetit ishte që të shpallte publikisht puçin në pushtim, siç e kërkonte situata e re e krijuar. Krijimi i PKSH ishte një konspiracion për një puç të armatosur për marrjen e pushtetit, një puç në pushtim. Në Konferencën e Pezës u krijuan organizmat e kamufluara të këtij puçi. Puçi në pushtim do të shpallej publikisht në Konferencën II Nacionalçlirimtare, pas asaj të Pezës, që u mbajt në Labinot, në 4- 9 shtator 1943. Enver Hoxha shkruan:
Problemi kryesor që kapi e trajtoi Konferenca ishte çështja e pushtetit politik në Shqipëri, duke e parë këtë të lidhur ngushtë me arritjet reale të këshillave nacional-çlirimtare, që nga momentet e krijimit të tyre dhe, pa dyshim, në lidhje të ngushtë me gjendjen e reqë ishte krijuar në verën e 1943- shit e me detyrat që dilnin. Të 6 referatet që u mbajtën në Konferencë dhe diskutimet e shumta që u bënë rreth tyre, pavarësisht se secili kapte e trajtonte më në gjerësi aspekte ose probleme të veçanta, i lidhte e i përshkonte një ide e përbashkët: pushteti real që ne kishim mundur të arrinim përmes një lufte të gjithanshme me armë, me propagandë, me punë konkrete me masat etj., tash duhej të centralizohej, të shpallej pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri dhe të bëheshin të gjitha përpjekjet që ky pushtet, edhe të ushtronte sa më mirë detyrat e rolin e tij në gjithë vendin, edhe të forcohej e të mbrohej si pushtet i popullit kryengritës.[xxx]
Tashmë kur kishte rënë Musolini nga pushteti, dhe kur aleatët perëndimorë kishin zbarkuar në Itali, pritej kapitullimi i afërt i Italisë, si dhe zbarkimi i aleatëve perëndimorë në Ballkan, e me këtë rast në Shqipëri. Kështu që komunistët shqiptarë, të nxitur nga jugosllavët, shpallën se pushteti u përkiste atyre, mbi pretendimin fals se përfaqësonin vullnetin e popullit. Enver Hoxha në raportin e vet në Plenumin e Beratit, në dhjetor 1944, kur u urdhërua nga emisarët jugosllavë që të bënte autokritikë (për arsye që do t’ i shpjegoj më tutje), do të thoshte për mbledhjen e Labinotit, në shtator 1943:
Labinoti ishte mbledhja karakteristike që tregonte panikun tonë përpara situatës së krijuar dhe njëkohësisht mospërfilljes as të Ballit dhe as të popullit i cili ishte vënë në korrent të vendimeve që ishin marrë në Mukje dhe priste me padurim rezultatet. Me Labinotin ne i dhamë përgjigjen popullit dhe Ballit dhe njëkohësisht i dhamë atij armën për të na luftuar, duke na akuzuar si shkaktarë të prishjes së marrëveshjes dhe vëllavrasjes.[xxxi]
Gjithashtu, në Plenumin e Beratit, Enver Hoxha do të thoshte për këtë çështje:
Asgjë s’ peshonim, parulla «ja me ne, ja kundër nesh» ishte në rendin e ditës.[xxxii]
Shpallja e pretendimit për pushtetin, do të thoshte automatikisht shpallje e luftës civile kundër forcave jokomuniste. Në fakt, ajo që e bëri të paevitueshme luftën civile në Shqipëri mes komunistëve dhe antikomunistëve, ishte fakti se lufta civile, e cila kishte filluar në 1942 brenda vetë lëvizjes komuniste shqiptare, përfundoi në 1943 me fitoren e stalinistëve ekstremistë. Tashmë komunistët që fituan luftën civile brenda llojit, qenë të lirë që të fillonin luftën civile ndaj jokomunistëve që i shikonin si pengesë, ose edhe rrezik në rrugën e tyre kah pushteti. Sejfulla Malëshova do të thoshte në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944, për mbledhjen e Beratit në shtator 1943:
Në Labinot u vendos që të mos e godisnim Ballin me armë, kurse nisëm menjëherë luftën me armë kundër Ballit në kundërshtim me Rezolucionin e Labinotit. Ky ishte një provokim që bëmë ne dhe që e detyruam Ballin të hidhej në prehërin e reaksionit e të okupatorit. Ne u hodhëm kështu nga oportunizmi në sektarizëm.[xxxiii]
Por klika e Miladin Popoviçit dhe Enver Hoxhës, e cila kontrollonte PKSH dhe instrumentet e saj të pushtetit si Këshilli i Përgjithshëm ANÇ, i cili u mblodh në Labinot, urdhëroi fillimin e luftës civile që ditën e përfundimit të Konferencës së Labinotit. Kjo u kuptua nga fakti se lufta civile filloi, me beteja në shkallë të gjerë (se me vrasje individuale tashmë kishte filluar) që të nesërmen e përfundimit të Konferencës së Labinotit, në 10 shtator 1943, me sulmin që Brigada I partizane ndërmori kundër forcave të Ballit Kombëtar në Dumre. Këtu u pushkatuan 80 robër ballistë, veç atyre që u vranë në betejë. Për këtë ngjarje Enver Hoxha më pas, kur ta kishte eliminuar Mehmet Shehun, do ta qortonte duke e quajtur veprim terrorist.
Komunistët nuk kishin guxuar që ta fillonin luftën civile deri në shtator 1943, me aq pak forca partizane sa qenë deri në atë kohë. Por, komunistët u inkurajuan këtë që ta bëjnë kur radhët e reparteve partizane filluan të mbushen me ushtarë italianë, kur Italia fashiste kapitulloi, në shtator 1943. Në pranverën e vitit 1943, numri i forcave italiane në Shqipëri kishte ardhur duke u rritur disafish për shkak se italianët mendonin se në pranverën ose verën e vitit 1943, aleatët perëndimorë do të zbarkonin në Ballkan, dhe me këtë rast edhe në Shqipëri, si vend i përshtatshëm. Historiografia komuniste shqiptare thotë se qenë 1500 ushtarë italianë që u bashkuan me forcat partizane shqiptare, nga 15 mijë ushtarë ushtarë italianë që nuk pranuan t’ u dorëzohen gjermanëve, dhe që u strehuan në familjet shqiptare.
Në rastin e italianëve, të cilët u bashkuan me partizanët, historiografia komuniste ka pasur interes që ta ulë dhe jo ta rritë numrin e tyre, në mënyrë që të mos duket sikur ushtria partizane shqiptare ia dedikon fuqinë e saj në një masë të konsiderueshme ish-ushtarëve okupatorë. Si zbulohet e vërteta? Mund të provohet lehtësisht se Enver Hoxha e rriti për qëllime propagandistike, 2. 33 herë numrin e ushtrisë partizane, në përfundim të luftës. Enver Hoxha dhe historiografia e tij kanë thënë se në 29 nëntor 1944 ajo që ata e quanin Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, pra ushtria partizane, kishte 70.000 veta. I dërguari jugosllav në Shqipëri, Velimir Stoiniç, në 25 nëntor 1944, do të thoshte në Plenumin e Beratit:
Është detyra e çdo komisari, e çdo anëtari të Partisë që të punojë për edukimin e ushtrisë sonë. Në qoftë se do të ishin komisarët në krye të detyrës së tyre, po ashtu edhe anëtarët e Partisë do të kishim 30 mijë agjitatorë të mirë, do të kishim 30 mijë që do të shpinin programin tonë në gjithë Shqipërinë.[xxxiv]
Velimir Stoiniç këtu kërkon të thotë se nëse bëhet një propagandë e mirë në ushtrinë partizane, atëherë të gjithë partizanët do të bëhen agjitatorë, të cilët do t’ i shpërndanin këto ide në të gjithë Shqipërinë. Nga ato që thotë Stoiniç kuptohet se, në 25 nëntor 1944, në Shqipëri kishte 30 mijë partizanë. Velimir Stoiniç sigurisht që kishte të dhëna të sakta. Siç shihet, shifra reale është rritur 2. 33 herë. Dhe të mendosh që pas Kongresit të Përmetit, filloi mobilizimi i detyrueshëm në repartet partizane i njerëzve në moshë për të luftuar, në zonat e kontrolluara nga partizanët. Nëse mendojmë se edhe numri i partizanëve italianë do të jetë ulur së paku 2. 3 herë, atëherë në shtator 1943 numri i italianëve të bashkuar me partizanët duhet të kenë qenë, së paku 4 mijë. Por është e sigurt se kanë qenë edhe më tepër. Enver Hoxha, në një letër për Sejfulla Malëshovën, në tetor 1943, jep shifra për italianët, të cilët qenë bashkuar me partizanët:
Kruja u muar nga çetat tona; atje po dërgojmë këshilltarë të formojnë pushtetin; tok me çetat tona që hynë në Krujë, janë edhe 8000 italianë, të cilët janë bashkuar me ne me armë, me municion e me topa... Afro 1200 italianë kemi këtu në Pezë.[xxxv]
Sigurisht që kishte dhe shumë italianë të bashkuar me partizanët në Shqipërinë e Jugut. Një dokument gjerman i kohës na jep të dhëna për numrin e italianëve të bashkuar me partizanët. Në 9 nëntor 1943, Konsulli i përgjithshëm gjerman në Tiranë, Shlip, në një raport për Berlinin, jep këtë shifër për numrin e italianëve që ishin bashkuar me partizanët:
Qarqet kompetente ushtarake vlerësojnë se numri i përgjithshëm është 4.000 deri në 5.000 veta.[xxxvi]
Gjermanët në atë kohë me Shqipërinë, quanin atë në kufijtë e zgjeruar të 1941, por nga ato që thuhen në raport del se të gjithë këta italianë të bashkuar me partizanët janë në Shqipërinë e 1913: 300 vetë në veri të Tiranës, 500 vetë në verilindje (zona e Shëngjergjit), 1500 vetë në Pezë.[xxxvii] Më tutje në raport për këtë çështje thuhet:
Përveç pikës nën 1 ku përmenden njësitë italiane, pranohet prania edhe e rreth 400 italianëve në juglindje të Beratit dhe 1.000 deri në 2.000 në lindje të Vlorës.[xxxviii]
Historiografia zyrtare komuniste na jep këto shifra për numrin e ushtrisë partizane në verë-vjeshtë 1943:
Në tetor-nëntor të vitit 1943, UNÇSH-ja numëronte rreth 20 mijë luftëtarë, duke u shtuar kështu dyfish që nga korriku kur u formua Shtabi i Përgjithshëm.[xxxix]
Kjo do të thotë se ushtria partizane në korrik 1943, para kapitullimit të Italisë fashiste, kishte rreth 10.000 partizanë, që të pjestuar me koeficientin 2. 3 bëjnë rreth 4.300 vetë. Ndërsa, po ta pjestojmë shifrën prej 20.000 vetësh, sa ç’ thuhet të qenë partizanët në tetor-nëntor 1943, me koeficientin 2.3, do të thotë se kishte realisht jo më shumë se 8.600 vetë. Italianët, të cilët u bashkuan me forcat partizane në shtator 1943, e dyfishuan numrin e tyre. Këta italianë ishin njerëz me bindje të majta, një pjesë e mirë me bindje komuniste dhe u përzien me dëshirë në luftën civile ideologjike në Shqipëri. Ata qenë njerëz të stërvitur në luftë, ushtarë, nënoficerë, si dhe jo pak oficerë, të cilët erdhën të pajisur me armë të llojeve të ndryshme, ndër të cilat shumë mortaja, mitraloza etj. Këta italianë e fuqizuan shumë ushtrinë partizane. Tashmë Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç mund ta hidhnin ushtrinë partizane në luftën civile, për të asgjësuar forcat e Ballit Kombëtar.
Në kohën që filluan luftën me Ballin Kombëtar, komunistët kishin arritur një lloj paqeje të ftohtë, jo vetëm me italianët, por edhe me autoritet shqiptare në vend. Të tronditur nga kapitullimi i Italisë, autoritetet shqiptare filluan të mos i ndjekin më komunistët dhe të mos ndërmarrin veprime kundër partizanëve, duke zbatuar një marrëveshje të heshtur sipas së cilës asnjëra palë nuk e ngacmonte tjetrën. Autoritetet shqiptare madje e gjenin konvenuese ekzistencën e lëvizjes komuniste partizane në vend, se mendonin që për shkak të saj, aleatët perëndimorë, të cilët pritej të zbarkonin në Shqipëri, do t’ i trajtonin me indulgjencë kolaboracionistët me okupatorin fashist. Autoritetet shqiptare, qeveria, ushtria, policia etj., mendonin se aleatët do t’ ua kishin nevojën për të neutralizuar guerriljen komuniste, çka do të ndodhte më pas në Greqi. Kjo sjellje e autoriteteve shqiptare u konvenonte komunistëve, të cilët ndiheshin kështu të pashqetësuar në momentin që po fillonin sulmin për asgjësimin e Ballit Kombëtar.
Forcat e Ballit Kombëtar që u gjendën përballë partizanëve qenë të përbëra nga vullnetarë, kryesisht fshatarë të mobilizuar nga krerët vendorë, të cilët i kishin ndjekur pas tradicionalisht. Por këta fshatarë të varfër qenë njerëz nuk e shikonin luftën si kauzën e tyre, dhe kishin shkuar në të «për hatër», siç thuhej. Ata shkonin në luftë si «duaxhinj», si vasalë të senjorit, dhe jo si «kryqtarë» të një kauze ideologjike, gjë për të cilën nuk kishin as kategoritë minimale mendore për ta kuptuar. Koncepti tradicional që kishin për luftën këto forca që u vunë përballë komunistëve, ishte ai që ishte kultivuar në luftrat e zhvilluara në vend në kohën osmane, si dhe në luftrat për pushtet që qenë bërë pas pavarësisë, pra që të shkrepnin disa pushkë dhe pastaj krerët e tyre të merreshin vesh me palën që dukej se po fitonte, për të siguruar disa benefice për vete dhe për ta. Ata niseshin me dy ditë bukë me vete, sipas zakonit, dhe ditën e tretë duhet t’ i ushqenin krerët që i kishin thirrur, ndryshe këto forca fillonin e treteshin. Propaganda komuniste kishte një efekt paralizues tek ta, duke u thënë se krerët e tyre kishin marrë flori nga të huajt për t’ i çuar në luftë kundër partizanëve. Lufta për këta njerëz qe diçka krejt e ndryshme nga ajo që u imponuan komunistët, të cilët gjithashtu nuk ishte luftë por më tepër një gjueti kundërshtarësh politikë, për t’ i asgjësuar ata, pa respektuar asnjë rregull human. Kjo paralizonte vullnetin e palës tjetër për të rezistuar.
Komunistët dhe partizanët si krahu i armatosur i tyre qenë një forcë e vogël, por aktive dhe e vendosur, në mos për të luftuar kundër të huajve, së paku për të luftuar kundër «reaksionarëve» në luftën civile në pushtet. Komunistët kishin krijuar një forcë të armatosur të vogël, por të disiplinuar dhe të përkushtuar ideologjikisht, të përbërë nga fanatikë të cilët qenë të vendosur të përdornin dhunën e pakufizuar për të marrë pushtetin. Bërthama e këtij grupimi qe produkti arsimit laik, për rrezikun e të cilit kishte paralajmëruar dikur At Ambroz Marlaskaj. Kjo bërthamë njerëzish të arsimuar qenë të aftë të bënin propagandistët në një popullsi, në masën më të madhe analfabete. Ata thjeshtuan kategoritë ideologjike komuniste duke bërë të rrokshme për mentalitetin oriental të kësaj popullsie, në trajtën e sloganit domethënës: «Kur të fitojmë ne do të hamë me lugë prej floriri!» Megjithatë shoqëria shqiptare kryesisht rurale, dhe me një traditë inaktiviteti politik masiv, ishte skeptike ndaj këtyre njerëzve që paraqiteshin si magjistarë politikë dhe nuk besonte se ata mund të bënin mrekullitë që premtonin. Komunistët edhe në fund të vitit 1944 nuk arritën të bënin për vete veçse një pakicë të shoqërisë shqiptare, çka vërtetohet nga shifra e vërtetë e njerëzve që ata ngritën pas vetes, edhe kur bënë mobilizimin e detyruar, siç e kam treguar më lart.
Lufta civile mes komunistëve dhe Ballit Kombëtar u zhvillua e ashpër në vjeshtën e vitit 1943. Balli Kombëtar, i gjendur nën goditjet e terrorit komunist kërkoi mbështetje tek gjermanët, të cilët sigurisht qenë të lumtur që shqiptarët të luftonin mes tyre, duke i lënë të qetë gjermanët që kishin si synim kryesor mbrojtjen e bregdetit nga një zbarkim britaniko-amerikan, si dhe sigurimin e rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë me Greqinë. Ironikisht, komunistët që e akuzonin Ballin Kombëtar për bashkëpunim me gjermanët, e luftonin Ballin Kombëtar duke bashkëpunuar me ish-ushtarët okupatorë italianë.
II
Aleatët ante portas!
Evoulimi i befasishëm i situatës me përmbysjen e Musolinit nga pushteti në fund të korrikut 1943 që ishte rezultati imediat i zbarkimit të aleatëve në Itali dhe që paralajmëronte kapitullimin e afërt të Italisë fashiste, bënte të dukej imediat zbarkimi tashmë i paralajmëruar i aleatëve perëndimorë në Ballkan, me këtë rast edhe në Shqipëri.
Në 9 shtator 1943, në «Direktiva në lidhje me gjendjen e krijuar pas kapitullimit të Italisë fashiste», drejtuar të gjitha komiteteve qarkore të PKSH në vend, Enver Hoxha shkruan:
Zbarkimi i aleatëve në Ballkan, ose edhe në Shqipëri, nuk është më një perspektivë shumë e largët. Prandaj organizatat tona duhet të punojnë për të përballuar një situatë të tillë. Duhet që në rastin e zbarkimit të aleatëve, këshillat nacionalçlirimtare të jenë me të vërtetë pushteti i popullit, të mobilizojnë gjithë popullin rreth tyre dhe të mos lejojnë që forcat e tjera, si Balli Kombëtar, të kenë influencë në popull… Duhet të dini se fuqitë aleate të zbarkimit do të përkrahin të gjitha forcat shqiptare që do të gjejnë përpara, pa preferencë për ato të lëvizjes nacionalçlirimtare dhe, bile, po të marrim parasysh çështjen e Darlanit, me preferencë për ato reaksionaret. Që të mund të evitohet një gjë e tillë, forcat nacionalçlirimtare duhet të fillojnë të impozohen që tani dhe në rastin e zbarkimit t’ u paraqiten aleatëve me anën e këshillave dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare si i vetmi pushtet i popullit shqiptar. Aleatët duhet të jenë në Shqipëri me ushtritë e tyre vetëm për të thyer Gjermaninë me këlyshët e saj, por qeverimi i Shqipërisë duhet të jetë plotësisht në duart e lëvizjes nacionalçlirimtare dhe këtë gjë aleatët duhet ta njohin.[xl]
Është e qartë pra, se çështja kryesore që e preokupon Enver Hoxhën është ajo e pushtetit dhe jo e luftës kundër okupatorëve. Për Enver Hoxhën dhe të vetët, nuk kishte rëndësi çlirimi i vendit, në rast se pushtetin nuk e merrnin komunistët. Në shtator të vitit 1943, në Shqipëri jo e jo, por as jashtë saj saj nuk kishte një pushtet legjitim të njohur nga Koalicioni Antifashist, që të pretendonte sovranitetin mbi territorin shqiptar, kështu që territori shqiptar qe i hapur për veprimet luftarake të forcave aleate. Duke shkruar dhe vepruar kështu në 1943 Enver Hoxha dhunonte në mënyrë flagrante Kartën e Atlantikut, dokumentin bazik të Koalicionit Antifashist, dokumet që pasi u firmua nga Presidenti amerikan Roosevelt dhe kryeministri britanik Churchill në gusht 1941, deri në vitin 1942 u firmua dhe nga 26 shtete dhe qeveri në mërgim, që qenë në luftë kundër Boshtit, duke inkluduar dhe Bashkimin Sovjetik. Sipas termave të Kartës së Atlantikut, çështjet, që kishin të bënin me pushtetin, në vendet e okupuara nga fuqitë e Boshtit do të zgjidheshin pas luftës, me vullnetin e popujve të lirë. Enver Hoxha, praktikisht kërkonte që aleatët perëndimorë të njihnin si vullnet politik të lirë të popullit shqiptar implementimet e manualit kominternian që Moska iu dha të gjitha partive komuniste në vendet e okupuara nga fuqitë e Boshtit, për të ndërtuar që gjatë luftës strukturat e pushtetit, sipas modelit të sovjetëve në Rusinë e vitit 1917. Në 1 tetor 1943, Enver Hoxha, në një letër me udhëzime drejtuar komiteteve qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare që në fillim thotë:
Në radhë të parë na paraqitet çështja e pushtetit.[xli]
Këtu çdo gjë thuhet qartë, pa eufemizma antifashiste. Në vazhdim thuhet se amerikanët dhe britanikët duhen parë si armiq:
Ne i njohim kush janë amerikano-inglizët dhe nuk harrojmë për asnjë çast se ata janë kapitalistë, se ata janë kundër komunizmit, kundër socializmit; as ata nuk harrojnë kush jemi ne, por as ne nuk harrojmë kush janë ata. Tani jemi në aleancë me ta kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman dhe ne i qëndrojmë besnikë kësaj aleance. Por ne nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë kurrë që ata të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë.[xlii]
Këtu nuk ka vend për koment. Çdo gjë është thënë në terma tejet të sakta. Në librin e vet me kujtime «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», Enver Hoxha thotë se në rast të një zbarkimi të aleatëve perëndimorë në Shqipëri, komunistët duhet të vepronin me shpejtësi për të marrë pushtetin:
Pavarësisht se si do të zhvilloheshin ngjarjet më pas (sidomos kjo do të varej nga shkalla e ndërhyrjes ushtarake të nazistëve ose të aleatëve anglo-amerikanë), vendosja e pushtetit të këshillave në qytete e në qendra të tjera të banuara do të kishte një rëndësi shumë të madhe politike… Në këtë mënyrë do të kishim forcën e të drejtën t’ u thoshim edhe aleatëve nëse do të zbarkonin: ju keni ardhur në Shqipëri vetëm për të luftuar Gjermaninë hitleriane, por qeverisja e vendit është e do të jetë në duart e Lëvizjes Nacionalçlirimtare![xliii]
Enver Hoxha pretendon se në atë kohë u bë gati që së bashku me forcat partizane të hynte në qytetin e Tiranës, në rast se do të zbarkonin aleatët perëndimorë në Shqipëri. Ai shkruan në kujtimet e veta:
Në kuadrin e gjithë këtyre masave e detyrave, Shtabi i Përgjithshëm planifikoi, në përshtatje me situatat, edhe një sulm të mundshëm mbi kryeqytet, në mënyrë që ky të çlirohej dhe të vendosej edhe atje, në të gjitha hallkat, pushteti ynë. Për këtë, menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, ndërsa delegatët u nisën në qarqet e zonat që përfaqësonin, një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u largua nga Labinoti dhe u vendos pranë kryeqytetit, në Arbanë, ku ishte vendosur ato ditë edhe komanda e Grupit të Pezës. Këtu do të bëhej edhe organizimi e inaugurimi i formimit të Brigadës III Sulmuese, ngjarje në të cilën do të do të merrnim pjesë edhe unë e Spiro Moisiu si dhe shokë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Por, siç thashë, ardhja dhe vendosja jonë në këtë zonë, kondicionohej sidomos nga situata politike e ushtarake që mund të krijohej në vendin tonë në rast të ndonjë zbarkimi eventual të aleatëve në Ballkan e, veçanërisht në Shqipëri.[xliv]
Pra, kur gjermanët të luftonin me britanikët dhe amerikanët, partizanët do të përfitonin që të bënin një puç për marrjen e pushtetit. Konferenca e Labinotit përfundoi në 9 shtator 1943, çka do të thotë se që në 10 ose 11 shtator 1943 Enver Hoxha ka shkuar në Arbanë, duke u bërë gati të hyjë në Tiranë. Enver Hoxha shkruan mbi planin për marrjen e Tiranës:
Ndërkohë, për këtë qëllim, në zonën rreth Tiranës ishin afruar një numër batalionesh e çetash, veç forcave të Grupit të Pezës dhe të Brigadës III Sulmuese që ishte në formim e sipër. Gjithashtu i dhamë urdhër Brigadës I të dislokohej në zonën rreth Tiranës e Elbasanit, duke bllokuar komunikacionin mes qyteteve e duke goditur autokolonat naziste. Në sulmin kundër Tiranës do të merrnin pjesë edhe forcat partizane nën komandën e Haxhi Lleshit, pas çlirimit të Krujës.[xlv]
Përse nuk e sulmuan këto forca Tiranën, kur atje nuk kishte shumë gjermanë, siç thotë Enver Hoxha, në një letër për Sejfulla Malëshovën, në tetor 1943, kur ende vazhdonte të ishte në Arbanë:
Gjermanë në Tiranë mund të ketë 1500.[xlvi]
1500 gjermanë qenë shumë pak për të mbrojtur Tiranën nga një sulm partizan, aq më tepër që brenda në Tiranë duhej të kishte dhe njësite guerrile komuniste, të cilët qenë gati për të hyrë në veprim. Por duket se kishte një marrëveshje mes gjermanëve dhe partizanëve se nuk do ta sulmonin njëri-tjetrin, ndryshe nuk ka si shpjegohet që Enver Hoxha me kaq forca partizane rrinte përreth Tiranës ku kishte kaq pak gjermanë. Për ato që historiografia komuniste pretendon se kanë qenë beteja mes partizanëve dhe gjermanëve në atë kohë, në fakt kanë qenë inskenime për t’ u dorëzuar gjermanëve ata italianë të shumtë, të bashkuar me partizanët, të cilët kishin rezultuar të papëlqyer nga seleksionimi, gjatë të cilit qenë mbajtur vetëm ata me bindje të majta. Për të tjerët shihej më konvenuese që t’ u dorëzoheshin gjermanëve, në beteja të inskenuara, se kishte drojë mos bashkoheshin me ballistët. Këto beteja të inskenuara vlenin dhe për t’ u krijuar edhe britanikëve përshtypjen se partizanët po luftonin me gjermanët. Një inskenim i tillë ishte e ashtuquajtura lufta e Arbanës, e tetorit 1943, e cila ishte e vetmja ku Enver Hoxha pretendon se mori pjesë. Enver Hoxha e përshkruan kështu këtë betejë:
Pikërisht në një nga këto ditë, me sa mbaj mend në mëngjesin e 9 tetorit, kur ishim akoma në Arbanë dëgjojmë të shtëna pushkësh e mitralozësh. Çohemi, pyesim nëse dinin gjëkafshë shokët që ishin roja jashtë dhe, ndërkohë që pushka vazhdonte, ne të tërë u armatosëm, u veshëm e u bëmë gati për sulm. Në këto e sipër shohim të vijë drejt nesh me shpejtësi një korrier i dërguar nga Myslimi. Ai na tha se Arbanën po e sulmonin gjermanët, të cilët, siç duket, nëpërmjet informacionit të tyre, kishin mësuar që ne ndodheshim në këtë fshat. Duhet thënë se forcat tona u gjendën në befasi në një kohë kur armiku kishte vepruar me shpejtësi të madhe dhe kishte përgatitur sulmin frontal si nga brigjet përballë Arbanës, po kështu edhe nga të dy krahët përballë lumit Erzen, nga veriu dhe nga perëndimi, nga Mulleti dhe nga ura e Beshirit. Nga ura e Beshirit dhe nga Mulleti nëpërmjet Erzenit ata vinin me tanke, kurse këmbësoria zbriste kodrat drejt lumit të Erzenit.[xlvii]
Në rast se gjermanët e kishin mësuar se në Arbanë gjendej udhëheqësi i luftës partizane, pse nuk bënë një aksion me desantë të lëshuar me glajderë (planerë), siç bënë në maj 1944, kur deshën të eliminojnë Titon, i cili shpëtoi për fije nga vdekja dhe vetëm për faktin se shpella ku rrinte kishte dhe një dalje tjetër. Gjermanët ishin bërë të famshëm për këto lloj desantimesh. Duket se gjermanët nuk donin ta eliminonin vërtet Enver Hoxhën. Pastaj si shpjegohet që gjermanët i kapën në befasi, siç thotë Enver Hoxha. A nuk kishin vënë roje? Apo qenë të sigurt se gjermanët edhe po të vinin nuk do të afroheshin tek vendi ku qenë ata. Myslim Peza tregon në kujtimet e veta një incident që ka patur me Mehmet Shehun në mars 1944, kur Brigada I shkoi në Pezë:
Dreka kaloi mirë, po mbasdite u prish puna. U zu Mehmeti me komandantin e rojave tona, Avdi Kasallin. Erdhi Avdiu në çadrën time. Ishte i mërzitur shumë
-Ça ke more Avdi?
-S’ më ka mbetë gja tjetër, o babë veçse me u vra me Mehmet Shehun.
Avdi Kasalli ishte pak nevrik, po ama kurrë s’ i binte njeriu në qafë.
I hodha dorën mbi sup dhe i fola:
-Thuaji Babës, si asht puna?
Avdiu filloi të më tregojë: E kishte thirrë Mehmet Shehu. Ku i ke rojat? E kishte pyetë. Lart mbi kodër,- i qe përgjigjë Avdiu. Ç’ lart mor brek m…! Shpejt të vesh roja në të gjitha qafat, se të merr dreqi, të merr!
-Ne s’ kemi nxjerrë ndonjëherë roja atje thue ti,- kishin qenë fjalët e Avdiut,- tip o deshe nxirr roja nga të tutë. Pastaj unë s’ marr urdhra prej teje, kam se prej kujt t’ i marr. Mehmeti qe ba baltë në fytyrë e kishte hedhë dorën mbi revolver.- do të marrësh urdhra prej meje, mor qen bir qeni,- kishte thirrë,- se unë të lidh këmbë e duar e të pushkatoj. Edhe Avdiu kishte hedhë dorën mbi revolver. Nuk të shkrep vetëm ty revolja, -ia kishte kthyer hazër xhevap.
E dëgjova ç’ më tregoi Avdiu dhe mendova: Avdi Kasalli i kishte vendosur rojat sipas udhëzimeve tona. Po Mehmet Shehut s’ i ka pëlqyer ai lloj sigurimi. Mundet ta kishim ne gabim, po pse të merrej me përgjegjësin e rojave tona e aq ma tepër t’ i bërtiste e ta shante si qehajai argatin.
-Ti s’ ke faj fare në këtë mes, -i fola Avdiut.-Mirë s’ ke ba që je zanë me të, po kjo u ba. Mehmet Shehu nuk e njeh vendin këtu. E para kjo. Masandaj ai asht djegë në vendet e tjera ku ka kalu e pandeh se mund t’ i ndodhë ashtu edhe në Pezë. Rruga e gjatë, pritat, ndjekjet ia kanë prishë nervat… Njeri asht edhe ai, e lëshon edhe ndonjë fjalë të keqe… Po mos u mërzit. Besoj se do ta rregullojmë këtë punë.
Pse Myslim Peza, edhe pse qe fare pranë qytetit të Tiranës, nuk kujdesej fort për të vendosur roje? Kështu kishte bërë ai edhe në tetor 1943. Enver Hoxha e përshkruan kështu vazhdimin e betejës:
Ne zbritëm menjëherë poshtë, kapërcyem rrugën përmes mareve dhe u takuam me Myslimin, i cili na raportoi për situatën dhe riforcuam me shpejtësi gjendjen e trupave tona. Këto veprime i bëmë gjatë zhvillimit të luftës. Myslimi kaloi në drejtimin e majtë të luftimeve, përballë gjermanëve dhe unë bashkë me disa partizanë, nga e djathta po kështu ballë për ballë gjermanëve te mulliri, të cilin gjermanët përpiqeshin ta rrëmbenin dhe të mund të sulmonin që andej Arbanën e të kalonin në këtë anë. Lufta vazhdonte e ashpër.
Neve na duhej ta likuidonim këtë aksion të gjermanëve, jo vetëm duke ruajtur pozicionet, por edhe duke kundërsulmuar. Kundërsulmin vendosëm ta bënim njëkohësisht nga e djathta, domethënë në drejtimin e veriut, duke u marrë krahët gjermanëve, pastaj frontalisht, duke kapërcyer Erzenin dhe duke sulmuar rreptësisht nga mulliri. Për këtë qëllim , të cilit i dhamë urdhër që me një skuadër të kalonte prapa krahëve të gjermanëve, të kapërcente Erzenin, të ngjitej në shtigje kyç, dhe kur të kishte mbërritur në pozicionet që vendosëm, të shpërthenim sulmin nga të dy krahët. Dhe kështu bëmë.
Gjermanët, si rezultat i sulmit tonë të përqëndruar, nuk mundën ta kapërcenin dot Erzenin, ata na qëlluan me mortaja, që i kishin vendosur nga ana e majtë e urës së Beshirit, predhat e të cilave kalonin mbi kokat tona dhe binin nja njëqind- 150 metra larg. Si rezultat i realizimit të këtij plani, gjermanët u tërhoqën dhe pasdreke lufta kishte mbaruar. Në këtë luftë ndihmuan me armë në dorë edhe fshatarë të zonës, të cilët morën pjesë trimërisht në vijën e parë të zjarrit.
Si mbaroi lufta dola tok me disa shokë përtej Erzenit dhe vizituam vendin vetë. Me sytë e mi pashë nja dhjetë kufoma gjermanësh të vrarë, të cilat dhashë urdhër t’ i futnin menjëherë në gropë, t’ i mbulonin me gëlqere, pse kishim frikë nga ndonjë epidemi që mund të ngjiste.[xlix]
Enver Hoxha këtu trillon me një lehtësi dhe shkujdesje prej komediani. Çdo njeri që ka sadopak njohuri ushtarake, e kupton se, nëse partizanët e kapur në befasi do të bënin tre kundërsulme, kur gjermanët kishin zënë kodrat, atëherë sigurisht që partizanët do të kishin shumë më tepër të vrarë, se gjermanët mbroheshin me mitraloza, snajpera dhe mortaja. Gjithashtu gjermanët nga kodrat vëzhgonin lëvizjet e partizanëve dhe nuk mund t’ u merrje krahët. Ajo që ka rëndësi është se Enver Hoxha edhe në këtë «luftë» nuk thotë se e shkrepi armën. Në fakt beteja e Arbanës u sajua në mënyrë që partizanët t’ u dorëzonin gjermanëve, pa humbur fytyrën, italianët që ishin grumbulluar në Pezë dhe që donin të luftonin, por që ishin konsideruar të padëshiruar se nuk kishin bindje të majta. Për këtë gjë u sajua sulmi gjerman, partizanët u tërhoqën dhe italianët ranë në dorën e gjermanëve. Gjermanët futën në Pezë edhe një batalion ish-robërish sovjetikë, nga republikat muslimane të Azisë Qendrore, të cilët i kishin zemëruar fort gjermanët se qenë njerëz të padisiplinuar. Prandaj, si ndëshkim e çuan këtë batalion para zjarrit partizan, ku pati disa viktima.
Që Enver Hoxha ishte në marrëveshje me gjermanët, kjo gjë kuptohet tërthorazi nga një e dhënë që jep kapiten David Smiley dhe që tërthorazi e konfirmon dhe Enver Hoxha. Kapiten Smiley shkruan në kujtimet e veta për një episod në shtator 1943, në Labinot:
«Për tri ditë ecëm mbi një monopat mbi rrugën e re të hapur nga italianët. Në shumë raste monopati i afrohej shumë rrugës kryesore. Pamë të kalonin shumë kolona gjermane dhe anës rrugës barraka të zëna nga gjermanët. E ndjenim veten të sigurt, sepse na ndante lumi Shkumbin por nga rruga mund të qëlloheshim. Në një vend nga kaluam kishte fortifikime të rëndësishme me tunele që futeshin në faqen e malit. Hymë dhe brenda gjetëm një shqiptar i cili na lajmëroi se ishin të përdorshme dhe se gjermanët kishin qenë aty në mëngjes. Shfrytëzuam një rrugë që largohej nga këto fortifikime dhe ecëm gjatë saj derisa arritëm në Shkumbin, të cilin e kapërcyem tek ura prej druri. Në këtë kohë shoqërohesha nga një çetë e vogël partizane dhe komandanti i çetës sugjeroi se përderisa ura shpinte te fortifikimet nuk do të ishte keq sikur të hidhej në erë. Vendosëm minat te dy këmbët e urës. Ndeza fitilat që do të më jepnin 10 minuta kohë të largohesha se më kishin thënë se gjermanët qëndronin në disa barraka aty afër... Pas disa orësh arritëm në Labinot ku gjeta Uilliamsonin me radion e tij, disa pjestarë të Shtabit dhe shumë ushtarë italianë që ishin bashkuar me partizanët! Doja të flija, por pas pak hyri i tërbuar Enver Hoxha duke më kërkuar llogari se kush më kish lejuar të hidhja urën në erë. I thashë se nuk më duhej urdhër nga Shtabi për të hedhur një urë në erë, dhe se për më tepër vetë komandanti i çetës kishte qenë i mendimit se ishte punë që duhej bërë. Hoxha u përgjigj: «Duhet të ketë qenë ndonjë ballist».[l]
Rruga nacionale kalonte përgjatë bregut verior të Lumit Shkumbin, dhe prej saj mund të shkohej fare lehtë në Labinot ku ishte Enver Hoxha. Në Labinot kalonte një rrugë dytësore që shkonte deri në Shëngjergj në veri të Labinotit. Enver Hoxha nuk trembej prej ardhjes së gjermanëve se kishte një marrëveshje me ta.
III
Në trekëndëshin e magjepsur të pushtetit Labinot- Bizë- Tiranë
Në fillim të tetorit 1943, Enver Hoxha, shumë dyshues për qëllimet e aleatëve perëndimorë, mësoi nga majori Maclean se misioni aleat në Shqipëri do të zgjerohej dhe rritej shumë në profil, duke ardhur në krye të këtij misioni një gjeneral dhe shumë oficerë të tjerë. Enver Hoxha sjell në kujtimet e veta këtë bisedë me Maclean:
-Mund të më thoni pranë cilit dërgohet ky gjeneral me shtabin e tij?
-Pranë jush, zoti Hoxha.
-E kuptoj, por dua ta di nëse dërgohet pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare apo pranë Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar?
Maklini dinak e kuptoi ku e kisha unë qëllimin, u mendua pak dhe u përgjigj:
-Pranë Shtabit të Përgjithshëm të partizanëve shqiptarë, prandaj është edhe general, ai është personalitet ushtarak dhe jo politik.
-Si zor është të ndahen,- i thashë,- çështjet ushtarake nga ato politike. Ne nuk i ndajmë, por ju keni parimet dhe rregullat tuaja.[li]
Por, në rast se është kështu, siç thotë Enver Hoxha, atëhere pse në librin «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare», i botuar në vitin 1976, në kohën kur Enver Hoxha qe në pushtet, nuk është botuar dokumenti me të cilin Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, në cilësinë e Komisarit dhe të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm japin pëlqimin për ardhjen e Gjeneralit Davies dhe të njerëzve të tij dhe atashimin e tij pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në cilësinë e kryetarit të misionit ushtarak aleat? Gjenerali Davies në kujtimet e veta nuk thotë se ai dhe misioni i kryesuar prej tij qenë atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan, por se ai shkoi me mision në Shqipëri për të marrë kontakt me të gjitha grupimet që qenë atje, midis tyre dhe me partizanët, duke pasur si synim që t’ i bashkojë në luftë kundër gjermanëve:
LNÇ (Lëvizja Nacionalçlirimtare-K.M.) mbante një qëndrim të tillë sikur unë kisha ardhur për të ndihmuar ata, prandaj nuk duhej të bisedoja me asnjë parti tjetër. Këtu nisën mosmarrëveshjet. Ua bëra të qartë se do të mbështetja çdo parti që do të luftonte gjermanët, dhe do të bisedoja me çdo lloj partie që dëshiroja t’ i drejtohesha. Gjatë këtyre grindjeve paraprake unë nuk e kuptoja ç’ armiqësi ekzistonte ndërmjet dy palëve. Mendoja se ata grindeshin për të siguruar favoret tona, pasi kuptohej se pas nesh ishin furnizimet e aleatëve. Mësova disa huqe të tyre, siç ishin lakmia për ushqime dhe verë. Ishte normale për një burrë të përlante gjithë gjalpin në tryezë, ose të fshinte një sahan plot me reçel, ose të shtinte të gjithë sheqerin në gotën e tij. Kështu vepronin ata të LNÇ. Ata të Ballit ishin më të sjellshëm. Kështu, kur shihnim të vinin disa të LNÇ në kohën e ngrënies, ushqimet e rralla rrëmbeheshin nga tryeza.[lii]
Kjo kuptohet nga fakti që misioni nuk u vendos në Labinot ku e kishte qendrën shtabi partizan i Enver Hoxhës, por Gjenerali Davies u vendos në Bizë, në rrëzë të Kaptinës së Martaneshit, ku edhe ngriti shtabin e vet, në një vend të zgjedhur me diplomacinë e përhershme britanike, pasi qe i barazlarguar nga tre qendrat politike në Shqipëri me të cilat ai do të negocionte: Labinoti, ku qenë partizanët, Mati ku e kishte qendrën Abaz Kupi dhe zogistët e tij, si dhe Tirana ku kishte grupime që Davies shpresonte t’ i hidhte në luftë.
Që Gjenerali Davies dhe misioni i tij nuk qenë atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës dhe të Spiro Moisiut, kjo kuptohet dhe nga korrespondenca e Enver Hoxhës dhe Spiro Moisiut me gjeneralin Davies.
Në librin «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare» janë botuar dy letra që Enver Hoxha dhe Spiro Moisiut i çojnë gjeneralit Davies. Këto janë letra e datës 14 nëntor 1943, që është botuar me titullin «Letër dërguar Shtabit të Misionit ushtarak anglez lidhur me përgatitjen e një operacioni nga forcat pushtuese gjermane në Qarkun e Elbasanit»[liii], si dhe letra e datës 22 nëntor 1943, që është botuar me titullin «Letër dërguar Shefit të Shtabit të Misionit Ushtarak anglez mbi disa veprime luftarake të reparteve të UNÇSH në Pezë»[liv]
Në këto dy letra të shkruara në origjinal në gjuhën franceze, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i adresohen Gjeneralit Davies si «A monsieur le General Davies, Chef de l’ etat-major de la mission militaire alliee en Albanie», në letrën e parë të datës 14 nëntor dhe si «A Monsieur Le General Davies, Chef de la mission militaire alliee», në letrën e dytë të datës 22 nëntor. Në shqip do të thotë: «Zotit Gjeneral Davies, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Misionit ushtarak aleat në Shqipëri» dhe «Zotit Gjeneral Davies Shef i misionit ushtarak aleat».
Pra, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu nuk i adresohen Gjeneralit Davies si shef i Misionit ushtarak aleat pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, gjë e cila nëse do të qe e vërtetë, ata nuk do të kishin munguar që ta bënin me shumë kënaqësi, të etur siç qenë për t’ u njohur zyrtarisht nga aleat si i vetmi partner i tyre në Shqipëri. Titulli me të cilin Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i drejtohen zyrtarisht Gjeneralit Davies, si shef i Misionit ushtarak aleat në Shqipëri duket se është edhe titulli i tij zyrtar. Ky titull tregon neutralitetin politik që ruante Gjenerali Davies dhe misioni aleat i kryesuar prej tij. Gjenerali Davies dhe misioni ushtarak i drejtuar prej tij, nuk vinte me urdhër nga nga Londra dhe as varej formalisht prej saj, siç pretendon Enver Hoxha se i ka thënë majori Maclean, kur e ka informuar për ardhjen e gjeneralit, por vinte nga Komanda e përbashkët aleate (britaniko-amerikane) e Mesdheut, pra ai qe praktikisht dhe formalisht një mision britaniko-amerikan.
Me të mësuar edhe se Gjenerali Davies pati zgjedhur Bizën si vendqendrim të shtabit të tij, Enver Hoxha dhe udhëheqja partizane dhe komuniste duhen të jenë bërë edhe më tepër dyshues për qëllimet e aleatëve perëndimorë në Shqipëri. Biza është jo larg Tiranës (në verilindje të Tiranës) dhe prej atje mund të merreshin lehtësisht kontakte me Tiranën dhe të shkohej atje. Derisa britanikët e bënë Shtabin në Bizë pranë Tiranës, Enver Hoxha qëndroi pranë tyre, duke dyshuar në qëllimet e tyre, në një zbarkim të befasishëm në Shqipëri, për të kapur Tiranën. Duke u nisur nga direktivat që ka dhënë Enver Hoxha në 9 shtator 1943, në lidhje me qendrimin ndaj aleatëve, në rast zbarkimi të tyre në Shqipëri, direktiva këto që i kam cituar më lart, atëhere duket se Enver Hoxha ka besuar se Gjenerali Davies e instaloi shtabin e vet pranë qytetit të Tiranës, në mënyrë që të përgatiste qeverinë shqiptare që do të shpallej me të zbarkuar aleatët dhe do të qe gati të hynte në Tiranë për të marrë pushtetin. Në këto rrethana, Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë komunistë, të cilët donin të qenë mbajtësit e vetëm të pushtetit, u duhej të rrinin sa më pranë Tiranës, për të hyrë atje në rast të një zbarkimi aleat, pas të cilit forcat gjermane do të shpërbëheshin. Afrimi i dimrit nuk ia hiqte Enver Hoxhës dyshimin se britanikët dhe amerikanët, forcat e të cilëve atëhere gjendeshin në Itali, do të zbarkonin në Ballkan dhe posaçërisht në Shqipëri, pasi ata mund të synonin të shtinin nën kontroll bregdetin dhe ultësirën shqiptare, duke përfshirë Tiranën, deri në fund të vitit, të cilat pastaj do t’ i përdornin si bazë për të avancuar më tutje vitin e ardhshëm. Të gjitha këto vërtetohen nga ato që shkruan Enver Hoxha, kur tregon se si e priti ai dhe udhëheqja partizane ardhjen e Gjeneralit Davies. Enver Hoxha shkruan kështu:
Në ç’ konkluzione kisha arritur unë për sa u përket veprimeve të anglezëve? Ata, pavarësisht se luftonin kundër Italisë fashiste dhe Gjermanisë hitleriane, pavarësisht se ishin aleatë me ne që luftonim kundër armiqve të njëjtë, synonin të dobësonin Luftën tonë Nacionalçlirimtare, të dobësonin, mundësisht të zhduknin, influencën e Partisë sonë, të rekrutonin agjentë dhe spiunë në radhët e Frontit e sidomos në radhët e komunistëve për të na dobësuar, për të na shkatërruar, për të krijuar grupe e fraksione dhe të përgatitnin kështu një terren të atillë që oficerët anglezë të bënin ligjin në radhët e reparteve tona, t’ i kthenin këto në «komando» për veprime sabotimi e informacioni në interes të perandorisë angleze dhe në dëm të pavarësisë së vendit tonë.
Plani i tyre ishte të njihnin, të takoheshin dhe të lidheshin me njerëzit e Zogut, me krerët e Ballit, me bajraktarët e me kuislingët dhe, tok me ta, të krijonin në Shqipëri një forcë ushtarako-politike kundër Partisë Komuniste dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Këtë forcë, duke e drejtuar ata politikisht dhe ushtarakisht, donin ta kishin të gatshme për ta futur në luftë drejtpërdrejt me ne gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe sidomos në pragun e çlirimit për të na e marrë pushtetin nga duart ose për të na detyruar ta ndanim me ta.
Detyra e shenjtë e Partisë dhe e imja si Sekretar i Përgjithshëm i saj dhe përgjegjës për forcat e armatosura partizane, ishte që t’ ua bllokonim, t’ ua paralizonim dhe t’ ua shkatërronim anglezëve këto plane djallëzore. Dhe realizimit të kësaj detyre të shenjtë ia arritëm plotësisht e me sukses. Partia me luftën e saj heroike dhe me vigjilencën revolucionare e shpëtoi popullin dhe atdheun nga shumë kurthe të rrezikshme që përgatitnin nën rrogoz pseudoaleatët anglezë. Imperialistët anglezë nuk arritën të realizonin asnjë objektiv të tyre.
Pikërisht për këto arsye na shqetësonte ardhja e grupit të gjeneralit Deivis. Ai nuk hidhej kot. Sigurisht qendra e tij gjykonte se «ishin pjekur konditat» për veprime të mëtejshme. Cilat ishin këto veprime? Neve na vihej detyrë t’ i zbulonim.[lv]
Në të vërtetë, Enver Hoxha reflekton këtu dyshimet e Titos, pra qe Tito ai që dyshonte se mos aleatët perëndimorë qenë duke bërë në Shqipëri një eksperiment se si do ta neutralizonin një lëvizje partizane komuniste në Ballkan për mos ta lejuar që të merrte pushtetin pas lufte. Prandaj, Enver Hoxhës duhet t’ i ketë ardhur urdhri nga Tito për të qendruar pranë vendqendrimit të Gjeneralit Davies dhe për të kqyrur me kujdes manovrat e tij politike, në mënyrë që Enver Hoxha të qe gati për çdo situatë që mund të krijohej në rast të një zbarkimi aleat në Shqipëri.
Gjenerali Davies u hodh me parashutë në Bizë në 15 tetor 1943 dhe atje ngriti shtabin e vet, në një vend prej nga ku mund të mbante kontaktet me të gjitha forcat që qenë në lojë në Shqipëri, me partizanët, me qendër në Labinot, me zogistët me qendër në Mat dhe në malësinë e Tiranës, si dhe me qytetin e Tiranës, që nuk qe shumë larg nga Biza. Pra, Londra, që e çoi misionin e Gjeneralit Davies, me këtë donte të tregonte se ai ruante asnjëanësinë politike dhe qe i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat që do të luftonin kundër gjermanëve. Gjenerali Davies mori vërtet takim me krerët e lëvizjes partizane, por në kuadrin e takimeve me të gjitha forcat ushtarako- politike që qenë në Shqipëri, gjë që e pohon dhe vetë Enver Hoxha. Enver Hoxha për takimin e vet të parë me shefin e misionit ushtarak aleat thotë se ai (Enver Hoxha) e planifikoi takimin në Labinot dhe gjenerali shkoi atje:
Në Labinot kisha planifikuar edhe takimin me gjeneralin Deivis… Gjenerali Deivis erdhi në takim në mbasditen e 31 tetorit në orën e caktuar. Ishte i shoqëruar nga shefi i shtabit të tij, kolonel Nikolsi.[lvi]
Enver Hoxha me këtë kërkon të thotë se ai e detyroi gjeneralin britanik të vijë nga Biza në Labinot ku e kishte qendrën Shtabi i Përgjithshëm partizan, por me këtë Enver Hoxha në vend që të vejë vetullat nxjerr sytë, siç i thonë fjalës, pasi nëse misioni ushtarak aleat qe atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm aleat, siç ka pretenduar Enver Hoxha më lart në të njëjtin libër dhe siç e kam cituar, atëhere Gjenerali Davies duhet ta kishte qendrën në Labinot dhe jo në Bizë, shumë orë rrugë më larg. Në 31 tetor 1943 gjenerali Davies dhe Shefi i shtabit të tij, koloneli Nikols, ishin për drekë tek Enver Hoxha në Labinot. Davies kujton:
Këshilli nuk reagoi dhe e priti fjalën time pothuajse ftohtë. Enveri pastaj më pyeti nëse mund të jepja një pasqyrë të situatës politike botërore. I thashë prerë se nuk mundesha pasi misioni im ishte vetëm ushtarak. Duket se Këshilli mendoi se unë po mashtroja, me këto fjalë. Enveri tha, shumë i vendosur: «Situata e luftës varet tërësisht nga situata politike, atëherë pse nuk na flet mbi përshtypjet rreth politikës ndërkombëtare?»
Iu përgjigja: «Sepse jam ushtarak dhe jo politikan».
Atmosfera u tendos shumë, dhe kuptova që fillimi shkoi keq. Këshilli e priti shumë i brengosur përgjigjen time. Sidomos Malëshova mbeti shumë i zhgënjyer. Arma e tij ishte fusha politike dhe aspak ajo ushtarake.
Ai i foli në vesh Enverit që filloi të pyesë sërish: «Kur do ta pushtojnë Aleatët Ballkanin, dhe në mënyrë të veçantë Shqipërinë? Është e rëndësishme ta dimë; ne duhet të bëjmë shumë marrëveshje».
…Atëherë pyeta: «Kush ka thënë se Ballkani do të pushtohet ndonjëherë?»
Enveri ma ktheu: 'Na kanë paralajmëruar dhe Majori Meklin nuk e ka mohuar një gjë të tillë».
I thashë: «Ai nuk ishte në gjendje ta pohojë ose ta mohojë. Ai ka bërë të pamundurën që t’ ju ndihmojë me këshilla të besueshme. Këtë nuk e mohoj. Por dua t’ ju them se duhet të bëheni gati të kaloni dimrin vetë se s’ ka pushtim, të përgatiteni dhe për pranverën, nëse deri atëherë s’ ndodh pushtimi».
Këshilli vërtet mbeti i shastisur- ata gjithsesi mendonin se pushtimi do t’ i shpëtonte, sepse pas tij ata mund të riorganizoheshin dhe të shtriheshin më tej, do të merrnin furnizime me armë, veshje dhe rezerva mjekësore dhe në fakt, gjithçka aty do të shkonte për bukuri. Lajmi që u dhashë i tronditi shumë.[lvii]
Këshilli për të cilin flet Davies, është Këshilli ANÇ Në fakt Davies i keqinterpretoi përshtypjet që u bënë atyre fjalët e tij. Ata nuk e donin zbarkimin aleat, por dyshonin se Davies po i mashtronte në lidhje me këtë gjë dhe se zbarkimi do të kryhej. Është interesante një përshtypje që jep Gjenerali Davies për Enver Hoxhën, në takimin e parë të tyre:
Pjesën më të madhe të bisedës e zhvillonte në frëngjisht, të cilën e fliste shumë mirë, por vura re se kur diskutonte mbi politikën, gjithmonë rrëshqiste në shqip, kështu që duhej të përkthente Frederiku.[lviii]
Duket se Enver Hoxha nuk e njihte frengjishten politike. Gjenerali Davies e kuptoi menjëherë porsa mbërriti se komunistët kishin filluar luftën civile kundër nacionalistëve, dhe se kjo e bënte të pamundur që partizanët të luftonin kundër gjermanëve, edhe sikur të donin. Davies shkruan për Enver Hoxhën:
Për secilin nga ne gjendja ishte shumë serioze dhe më e rrezikshme nga ç’ dinim më parë. Lufta civile ishte në shpërthim e sipër pasi Këshilli (Këshilli ANÇ- K.M.) kishte urdhëruar që Balli të luftohej dhe të çarmatosej në mbarë vendin. Këshilli thoshte se mund ta bënin këtë pa cënuar përpjekjet kundër gjermanëve. Kjo ishte një gjë tepër absurde.[lix]
Prandaj Gjenerali Davies u ofrua që të bënte ndërmjetësin midis palëve, në mënyrë që ato të pushonin luftën civile dhe të luftonin kundër gjermanëve. Enver Hoxha shkruan kështu për këtë gjë:
Gjenerali anglez Deivis kishte ardhur të bënte kompromis dhe pajtim midis nesh, nga njëra anë, dhe Ballit Kombëtar e zogistëve nga ana tjetër. Unë ia hodha poshtë e ia demaskova këtë plan. Dhe nuk gjykova gabim. Gjenerali, megjithëse ndeshi në qëndrimin e vendosur të Partisë sonë dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, nuk i hodhi armët, por bëri ç’ ishte e mundur të realizonte planet e tij.[lx]
Gjenerali Davies shkruan në kujtimet e veta se Enver Hoxha premtoi se Fronti ANÇ do të ndalojë luftën kundër Ballit Kombëtar, nëse Balli Kombëtar do të zotohej me shkrim që t’ i luftonte gjermanët:
«Po, tha Enveri, pranojmë, por do të shikoni se Balli nuk pranon kurrë, dhe e kanë vetë fajin për gjithë këtë ngatërresë, prandaj kemi vetëm një zgjidhje për ta, t’ i godasim dhe t’ i asgjesojmë».[lxi]
Enver Hoxha luajti bluff, si «Herman» që ishte. Mes Enver Hoxhës dhe Gjeneralit britanik kishte filluar një luftë politike nervash që do të vazhdonte gjatë më tepër se dy muajve të ardhshëm.Por, me këtë fjalë të Enver Hoxhës, Gjenerali Davies shkoi në Shëngjergj të Tiranës, ku mori takim me krerët më të lartë të Ballit Kombëtar. Gjithsesi, Gjenerali Davies, para se të nisej, nuk la pa e bërë Enver Hoxhën të pohonte, në një farë mënyre, se as ai nuk luftonte kundër gjermanëve. Enver Hoxha, për ta impresionuar gjeneralin britanik, i doli para me një pushkë snajper në krah. Por kur gjenerali e ftoi Enver Hoxhën që të bënin një aksion kundër gjermanëve ku ai të kishte rast ta përdorte këtë armë, Enver Hoxha refuzoi. Gjenerali Davies kujton:
Përpara se të niseshim në mëngjes, unë theksova rëndësinë për t’ u përgënjeshtruar gjermanëve udhëtimin e sigurtë në rrugët kryesore. Veturat e shtabit dhe autokolonat udhëtonin pa u shqetësuar nga pritat dhe snajperët në pjesën më të madhe të vendit. I hodha Enverit sfidën e një gare snajperësh në kodrat që mbulonin rrugën kryesore Tiranë-Elbasan për të parë se cili do të godiste më shumë patrulla dhe vetura oficerësh. Kjo nuk ishte për mua një «gjueti buajsh», por një përpjekje e çiltër për t’ i nxitur të sulmonin rrugët. Enveri pranoi, por kur përpiqesha të filloja ndeshjen atij gjithmonë i dilte ndonjë punë tjetër për të kryer. E ndërroi pushkën me dylbi që ua kishin zënë gjermanëve pranë Tiranës, me një automatik, pasi ishte më i lehtë për t’ u mbajtur gjatë ecjes.[lxii]
Është e qartë se Enver Hoxha nuk e shikonte veten si një prijës guerriljesh, i cili mund të marrë pjesë në luftime, por si një politikan, një shtetar të ardhshëm, i cili e mban armën për të fituar kapital politik. Nëse Gjenerali Davies donte të bënte një garë snajperash me Enver Hoxhën, ai duhet të kishte qenë në 18 janar 1959, në Çekosllovaki, ku Enver Hoxha shkruan në ditar për një episod gjuetie gjatë vizitës së vet në këtë vend:
Jemi në malet e larta Tatra në «Javorina» . Koha është jashtëzakonisht e mirë, dielli shkëlqen mbi borë. Jemi në një vilë të bukur të rrethuar me pisha. Po clodhemi e po përgatitemi të shkojmë për gjah.
Pasdreke e filluam gjahun. Unë shkova për dhi të egra. U ngjita në Tatra Llomnica me teleferik, pastaj kalova gërxhet përpjetë me këmbë, mbi borë e gurë. Lodhje e madhe, djersët curkë, po dhitë asgjëkundi nuk dukeshin.[lxiii]
Për të gjetur dhitë e egra Enver Hoxhës i duhej të lodhej shumë më tepër se për të gjetur gjermanët, kur Gjenerali Davies e ftonte për gara snajperësh. Dhitë e egra «reaksionare» nuk i dalin para udhëheqësit komunist si gjermanët. Por më në fund:
por më së fundi ja, si pika të zeza në borë, në hon u duk një tufë dhish të egra rreth 250 m larg. Ngrita pushkën me dylbi, qëllova dhe dhia u godit. Ajo bëri edhe disa dhjetëra metra përpara e plagosur, pastaj mbeti në borë. Të tjerat «fluturuan».[lxiv]
Këtu më fund shihej Komandanti duke qëlluar me armë kundër një «armiku» në resortet e aristokratëve. Eh ta dinte gjenerali Davies ku do ta përdorte pushkën me dylbi Komandanti! Në «Operacionin e dimrit» të gjuestisë së dhive të egra, në Malet Tatra. Të nesërmen, Komandanti, i inkurajuar nga ky sukses, shkoi përsëri në «luftë» dhe vrau një tjetër «armik». Ai shkruan në ditar, në 19 janar 1959:
Pasdreke shkuam përsëri për gjah. Udhëtuam me karrocë, larg nga kufiri polak, thellë në mal. Gjë e mrekullueshme. Kasollet ishin përgatitur, qenë përgatitur gjithashtu ushqimet (gështenjë dhe bar) për kopetë e drerëve. Nata duhet të na zinte në kasolle dhe atje të mbyllur, të heshtur, pa pirë as cigar, duke vëzhguar nga dritaret e vogla, të prisnim ardhjen e drerëve... Prit e prit, pastaj larg nesh u duk një dre, po s’ lëvizte. Duke e fiksuar aq shumë me sy, na dukej sikur ai e ndiente rrezikun. Më në fund u afrua, e qëllova në kokë, mbeti në vend. Gjah i bukur. E hodhëm në karrocë dhe u kthyem.[lxv]
Enver Hoxha, në 1943, edhe pse i paraqitej Gjeneralit Davies si prijës partizanësh, që luftonte kundër gjermanëve, në fakt nuk kishte dëshirë të luftonte se e ruante veten për të shijuar beneficet e pushtetit të ardhshëm, sic qenë këto gjueti në parqet e mrekullueshme të aristokratëve. Gjenerali Davies sigurisht që nuk e kishte patur të vështirë të kuptonte me të ardhur në Shqipëri se zogistët dhe ballistët nuk luftonin kundër gjermanëve, por ai si ushtarak e kishte të vështirë të kuptonte se përse krerët e Shtabit të Përgjithshëm partizan, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, gjendeshin aq larg forcave kryesore partizane që gjendeshin në Jug të Shqipërisë. Kjo diskrepancë nuk mund të shpjegohej assesi me konsiderata ushtarake, por vetëm me konsiderata politike. Pastaj, edhe atje ku qenë krerët partizanë, nuk bënin ndonjë gjë kundër gjermanëve.
Takimi i Gjeneralit Davies me krerët e Ballit Kombëtar u bë në 8 nëntor 1943. Frederik Nosi, kordinator i Shtabit të Përgjithshëm partizan pranë Misionit ushtarak aleat, shkruan në kujtimet e veta:
Por gjeneral Deivisi, i cili ndiqte me këmbëngulje planin e tij të bashkëpunimit me reaksionin shqiptar, në datën 8 nëntor 1943, më në fund, bëri një takim me krerët e Ballit Kombëtar në Shëngjergj të Tiranë.[lxvi]
Në këtë takim përveç krerëve më të lartë të Ballit Kombëtar ishte dhe Abaz Kupi, përfaqësuesi i zogistëve, çka e thotë Gjenerali Davies:
Furtuna kaloi dhe ne rrëshqitëm poshtë kodrës deri në fshat, ku takuam Midhat Frashërin, Vasil Andonin, Halil Maçin, Abaz Kupin dhe Osman Memën, me një turmë pasuesish.[lxvii]
Gjenerali Davies i vuri në dijeni ata për premtimin e Enver Hoxhës, që në thelb do të thoshte që palët të riktheheshin në marrëveshjet e Tapizës dhe Mukjes të verës së atij viti. Të pranishmit kërkuan kohë të mendohen, duke e pasur hallin që të saktësohej garancia që jepnin aleatët perëndimorë se komunistët do ta respektonin marrëveshjen dhe do ta ndërprisnin luftën civile. Më në fund Gjenerali Davies mori satisfaksion nga nacionalistët:
Në orën 8 të mëngjesit, Vasil Andoni dhe Halil Maçi hynë në dhomë për të më thënë se natën kishin biseduar gjerë e gjatë dhe më në fund kishin vendosur t’ i luftonin gjermanët me të gjitha forcat; ata gjithashtu jepnin fjalën se do të ndalonin luftën kundër LNÇ. A mund t’ ua linim për ndihmë daktilografistin për të shtypur deklaratën. Arturi dhe unë ishim tepër të kënaqur. Tani gjithçka do të shkonte mirë. Ne do të bashkërendonim përpjekjet e përbashkëta, gjermanët do të bllokoheshin dhe do të kërkonin përforcime dhe ne do të realizonim misionin tonë. Ngjitja me kuaj nëpër shiun e dendur na jepte kënaqësi, dhe me t’ u kthyer nisëm një komunikim me radio me Kajron për t’ u njoftuar lajmin e mirë. Dërguam një mesazh poshtëe kodrës në Labinot që lajmëronte Enverin për kthimin tonë, dhe se ai mund të vinte të nesërmen në Bizë ose të zbrisnim ne tek ai.[lxviii]
Enver Hoxha, në këtë kohë, del që ta ketë zhvenduar qendrën e vet, më më në veri, në Orenjë të Çermenikës, fare pranë Bizës. Kjo kuptohet kur Enver Hoxha shkruan për takimin e dytë me gjeneralin britanik:
Pak më vonë vjen Frederiku dhe më thotë se gjenerali më kishte ftuar të shkoja për darkë në kuartierin e tij në Bizë tok me shokët që kisha me vete. E pranova ftesën dhe në pasdrekën e 11 nëntorit, i shoqëruar nga partizanët, duke marrë edhe Mustafa Gjinishin edhe si përkthyes edhe si anëtar i Shtabit, u nisa nga Orenja. Në Bizë arrita afër mbrëmjes.[lxix]
Pra, Enver Hoxha është zhvenduar në Orenjë dhe kjo ka vetëm një shpjegim: ai donte të qe sa më pranë qendrës së misionit ushtarak aleat për të mbajtur në vëzhgim veprimet e tij dhe për të qenë gati të bënte lëvizjet e duhura në situatat që do të krijoheshin, duke pasur si synim prioritar çështjen e pushtetit. Në këtë periudhë Enver Hoxha duket krejt i painteresuar për veprimet e forcave kryesore partizane që gjenden në Jugun e thellë të Shqipërisë. Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët supozohej të drejtonin forcat partizane, në këtë kohë mjaftohen me disa udhëzime të përgjithshme për forcat kryesore partizane që gjenden në Jug dhe vazhdojnë të qendrojnë të lidhur në trekëndëshin e magjepsur Labinot (Orenjë)- Bizë- Tiranë ku luhej fati i pushtetit të pasluftës në Shqipëri. Derisa Gjenerali Davies dhe misioni i kryesuar prej tij nuk po lëviznin nga Biza, atëhere dhe Enver Hoxha së bashku me udhëheqësit kryesorë të lëvizjes komuniste partizane duhet të qenë pranë tyre, për të hyrë në lojë në momentin vendimtar.
Gjenerali Davies, tre ditë pas takimit me krerët e Ballit Kombëtar dhe me Abaz Kupin, takohet me Enver Hoxhën në Bizë. Gjenerali kujton për këtë takim:
Pastaj u thashë me krenari për suksesin tim me Ballin. Ua tregova deklaratën e shkruar për të luftuar gjermanët, gjë të cilën Enveri ma kërkoi në Labinot. Thashë se do ta mbërtheja Ballin me këtë deklaratë pasi ky lajm do të transmetohej në BBC. Pllakosi një heshtje vdekjeje. Enveri u kap në befasi të plotë. Ai me sa duket nuk priste që Balli të ndërmerrte këtë zotim, vlerësohej apo nuk vlerësohej nga ata. Ai u bë flakë i kuq nga zemërimi, më fajësoi se po ndërhyja dhe shprehu mendimin e tij për BBC-në dhe Ballin. Ai nuk u tërhoq nga qëllimi për t’ i luftuar gjermanët, por në të njëjtën kohë ai do të shkatërronte dhe Ballin.
Lufta civile vazhdonte. Isha shumë i sigurtë se ai nuk mund të ndeshej me gjermanët dhe Ballin në të njëjtën kohë. Zgjidhja e vetme ishte që ai të sulmonte Ballin derisa të ndihej mjaft i fortë, dhe të vazhdonte t’ i sulmonte derisa t’ i zhdukte. Atëherë mund të luftonte pak kundër gjermanëve... Ishte një zhgënjim i madh pas shpresave tona të mëdha për një përpjekje të përbashkët nga të gjitha partitë kundër gjermanëve.[lxx]
Enver Hoxha kishte luajtur bluff-n me gjeneralin britanik dhe kishte humbur. Si një komedian i vërtetë Enver Hoxha nuk pati turp ta mohonte fjalën që kishte dhënë. 11 nëntori 1943 është kështu një datë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë ditë aleatët perëndimorë u qartësuan përfundimisht se komunistët kishin si prioritet luftën civile me synim për të marrë pushtetin, çka do të thoshte se nuk kishin asnjë interes për të luftuar gjermanët, sa kohë që këta nuk i ngacmonin. Që nga ky moment aleatët perëndimorë duhet të kishin ndërprerë çdo lidhje me partizanët, në rast se nuk donin që të merrnin mbi vete një përgjegjësi të rëndë për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë aleatët perëndimorë vazhduan t’ i mbështesin komunistët shqiptarë me sasi të mëdha armësh, floriri, veshjesh, ushqimesh. Tashmë mund të thuhej se aleatët perëndimorë qenë duke sponsorizuar një lëvizje terroriste në Shqipëri. Ajo çka qenë dhe çka po bënin tashmë komunistët shqiptarë ishte e dënueshme si konspiracion për përmbysje me dhunë e sistemit shoqëror, sipas vetë ligjeve amerikane dhe britanike dhe ky fakt nuk mund të kamuflohej me antifashizmin e supozuar të komunistëve shqiptarë. Pse aleatët perëndimorë e bënë këtë gjë? Ata e bënë se vepronin sipas një agjende globale politike, e cila përcaktonte se një lëvizje komuniste qe e nevojshme në vendet që ata synonin t’ i kishin në sferën e tyre të influencës, për t’ i mbajtur ato të lidhura. Në Shqipëri gjërat po shkonin më larg, por për zyrat e politikëbërjes së aleatëve, rasti i Shqipërisë mund të shihej si një gabim i pranueshëm në zbatimin e agjendës globale.
Shefi i Misionit britanik pranë shtabit partizan jugosllav të Titos gjatë Luftës së dytë Botërore, Gjeneral Fitzroy Maclean, tregon në kujtimet e veta se, kur i shprehu shqetësimin kryeministrit britanik Churchill, se komunistët do të merrnin pushtetin pas luftës në Jugosllavi, nën maskën e antifashizmit, mori këtë përgjigje nga Churchill:
-Mos keni gjë ndërmend, -pyeti ai (Churchill- K. M.), të jetoni në Jugosllavi mbas lufte?
-Jo sër.- iu përgjigja.
-As unë,- tha ai- Meqë është kështu, sa më pak të vrasim mendjen se ç’ formë qeverisje do të vendosin, aq më mirë.[lxxi]
Ky dialog mund të jetë bërë dhe për Shqipërinë. Për Churchill dhe për oficerët britanikë që ishin në Shqipëri në kohën e luftës dhe që nuk do të jetonin në vendin tonë pas luftës, mund të mos kishte rëndësi se komunistët do të vinin në pushtet nën maskën e antifashizmit, por për shqiptarët që jetonin këtu kishte shumë rëndësi. Prandaj ata bënin llogaritë e tyre se a ia vlente të luftonin një okupator që po humbte luftën, kur në vend kishte një lëvizje subversive prosovjetike, që kërkonte të merrte pushtetin, duke «peshkuar në ujë të turbullt». Koha tregoi se kjo gjë kishte shumë rëndësi, se pas çlirimit, pushteti i çlirimtarëve e rrethoi vendin me tela me gjemba, e institucionalizoi terrorin duke e bërë luftën e klasave parim kushtetues, vrau burgosi dhe internoi për motive ideologjike realisht më shumë shqiptarë se okupatorët e huaj, prej të cilëve pretendoi se na cliroi, konfiskoi pronën private, gjë që nuk e kishin bërë okupatorët, duke ndaluar madje edhe mbajtjen e pulave, dhe i robëroi shqiptarët me anë të kolektivizimit totalitar në fshat dhe në qytet.
Pasi komunistët refuzuan marrëveshjen me nacionalistët, nën garancinë britanike, ballistët e ndjenë veten të lirë që të luftonin me çdo mjet kundër komunistëve, duke pranuar për këtë gjë edhe ndihmën e gjermanëve, të cilët duke qenë në ikje shiheshin si nnjë rrezik kalimtar në krahasim me komunistët. Në mënyrë paradoksale, pas 11 nëntorit të vitit 1943 në Shqipëri qe krijuar një situatë- karikaturë e asaj që do të shihej rëndom në botën e Luftës së Ftohtë. Aleatët perëndimorë kishin marrë rolin që do të kishte Bashkimi Sovjetik si sponsor i guerriljeve komuniste, të cilat perëndimorët do t’ i quanin si terroriste, ndërsa ushtria gjermane kishte marrë, së paku në dukje, rolin që më pas në Kore dhe në Vietnam do ta bënte ushtria amerikane.
Për mua, bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë në vende si Shqipëria, Jugosllavia apo Greqia, ku kishte lëvizje komuniste të fuqishme të kontrolluara nga Moska, që rrezikonin të merrnin pushtetin, janë të shfajësuar në krahasim me homologët e tyre në vende ku lëvizjet komuniste qenë të dobëta si Danimarka, Norvegjia, Holanda, Belgjika. Se tekefundit në kohën e Luftës së Ftohtë, kur SHBA dhe Britania e Madhe, nuk shikonin më si rrezik fashizmin por komunizmin, a nuk mbështetën ato regjime antikomuniste me natyrë fashiste në vendet ku rrezikohej që komunistët të vinin në pushtet, si në Amerikën Latine, Vietnam, Kubë, Greqi etj. SHBA e mbështetën sundimin e Frankos në Spanjë deri në 1975 dhe të Salazarit në Portugali, në emër të antikomunizmit. Nuk ka arsye pse mos mendohet që kështu do të ishin sjellë dhe me kolaboracionistët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, nëse do të kishin mbetur në pushtet pas ikjes së gjermanëve.
E megjithatë kolaboracionizmi i Luftës së Dytë Boterore është i justifikuar dhe në një sens tjetër. A mund të imagjinohet se çfarë do të ndodhte në vendet e pushtuara, në rast se do të bëhej ajo që thoshin antifashistët komunistë, pra që të ndërpritej çdo veprimtari shtetërore nën pushtuesin dhe qytetarët mos i paguanin taksa regjimit kolaboracionist. Kjo do të thoshte kurrkush mos paguhej dhe që për pasojë që policia mos punonte dhe kriminelët të kishin fushë të lirë veprimi kundër pasurisë dhe jetës së qytetarëve, që drejtësia mos punonte kundër kriminelëve, që pushteti lokal mos punonte dhe mos regjistroheshin as lindje dhe as vdekje, që shkollat mos punonin, që spitalet të pushonin së funksionuari, dhe të sëmurët të vdisnin e të shpërthenin epidemitë, që mos kishte as furnizim me energji elektrike, ujë, dhe mos funksiononin as kanalet e ujrave të zeza, se nuk do të kishte kush të kujdesej për to, që mos kishte transport, mos rregullonte kush qarkullimin rrugor, që tregëtia të pushonte dhe që njerëzit të vdisnin nga uria etj., etj. Kjo do të thoshte që vendi të kalonte në kaos dhe jeta të pushonte dhe vendi të kthehej në gjendje barbare. Kjo do të kishte qenë gjendja e Shqipërisë në kohën e pushtimit në rast se nuk do të kishte regjim kolaboracionist në vitet 1939-1944, pra për gjashtë vite. Është e lehtë ta shash qeverinë kolaboracioniste për të këqijat e ekzistencës së saj, por sa të këqija të mëdha do të kishin ardhur sikur ajo mos të ekzistonte! Që të evitohej kjo katastrofë humanitare duhej një regjim kolaboracionist që të pranonte të bënte politikën e imponuar nga pushtuesi në emër të evitimit të më së keqes. Sigurisht që serbi Miladin Popoviç do të donte që në Shqipëri gjërat të ndalnin në emër të antifashizmit dhe populli shqiptar të shuhej krejt. Por për fat kishte shqiptarë të mençur që nuk e lanë të ndodhte këtë.
Enver Hoxha, në nëntor 1943, i vetëdijshëm se e zhgënjeu gjeneralin britanik u bë, së bashku me të dërguarit jugosllavë pranë tij, edhe më tepër dyshues se tashmë aleatët perëndimorë do të krijonin një qeveri antikomuniste ballisto-zogiste, të cilën do ta njihnin kur të bënin një zbarkim të rrufeshëm në bregdetin shqiptar, për të vendosur atje një kryeurë, duke zënë edhe Tiranën, gjë të cilën klima ua lejonte ta bënin edhe në vjeshtën e vonë. Nëse ndodhte kështu, komunistët duhet të ishin gati, që, në kohën që aleatët perëndimorë do të ishin duke luftuar me gjermanët, të hynin në luftë me bërthamën e forcave zogiste që ishin rreth Tiranës dhe për t’ i asgjësuar ato, duke i paraqitur si kolaboracioniste të gjermanëve. Kështu, komunistët llogarisnin që, nëse gjermanët i ndalnin apo i hidhnin në det anglo-amerikanët, atëherë ata (komunistët) të mbeteshin forca e vetme që do të merrte pushtetin në Shqipëri kur të largoheshin gjermanët. Prandaj Enver Hoxha u bë edhe më i vendosur që të rrinte në atë zonë, duke mbajtur një numër aq të madh forcash partizane rreth Tiranës, pa i futur në veprim, madje me sa duket llogariste që të sillte dhe të tjera.
Labinoti, vendi ku Enver Hoxha rrinte në atë kohë së bashku me shpurën e tij, ishte në një afërsi të rrezikshme me linjën kryesore gjermane të komunikimit në zonë, rrugën nacionale Tiranë-Elbasan- (Strugë)-Korçë-Follorinë, për më tepër kur kishte një rrugë dytësore që lidhte rrugën nacionale me malësitë e Çermenikës dhe të Tiranës, dhe që kalonte nëpër Labinot dhe Shëngjergj, rrugë e cila do të përdorej nga gjermanët gjatë Operacionit të Dimrit. Nuk jepte siguri as plani i Enver Hoxhës se, në rast rreziku, të tërhiqeshin në linjën Shmil-Orenjë, aq më tepër po të mendosh se kjo ishte një zonë kryesisht «reaksionare», siç thuhej në gjuhën e komunistëve, dhe siç rezultoi më vonë. Kjo dukej një gjë përtej limiteve të rrezikut që i toleronte vetes Enver Hoxha. Në këtë zonë ata mund të rrethoheshin lehtë nga forcat gjermane që vinin nga Elbasani, si dhe nga Tirana, nëpër rrugën Shëngjergj-Labinot. Enver Hoxha dhe të vetët mund të rrinin në këtë zonë vetëm nëse rrezikoheshin vetëm nga ballistët, dhe jo edhe nga gjermanët. Edhe tërheqja në drejtimin Shmil-Orenjë mund të krijonte siguri vetëm në rast se forcat partizane do të përballeshin vetëm me ballistët, por jo edhe me gjermanët. Në rast se Enver Hoxha dhe të vetët do të arrinin që ta çanin rrethimin tërheqja drejt Jugut do të qe shumë e vështirë për shkak të Lumit Shkumbin, i cili në dimër nuk mund të kalohej në va (domethënë në vende ku qe më i cekët), për shkak të fryrjes nga rreshjet dhe prurjet e përrenjve, ndërsa kalimi nëpër ura do të qe shumë i vështirë, për mos të thënë i pamundur, pasi urat ruheshin shumë nga gjermanët, aq më tepër kur ato takonin rrugën nacionale më të rëndësishme për gjermanët në Shqipëri, siç qe rasti i rrugës që kalonte përgjatë Shkumbinit.
Të gjitha konsideratat ushtarake e bënin të pakëshillueshëm qendrimin në veri të Shkumbinit dhe për më tepër pranë qytetit të Tiranës të Enver Hoxhës, Spiro Moisiut dhe të pjesës së udhëheqjes partizane e komuniste që ishte së bashku me ta, në shtator-dhjetor 1943. Atëhere pse Enver Hoxha dhe të vetët, u gjendën në këtë zonë të vështirë «reaksionare» në fillim të Operacionit të Dimrit dhe ngulmoi të rrinte atje edhe për disa javë pas fillimit të operacionit, duke mbajtur pranë vetes forca të mëdha partizane, të destinuara vetëm për të mbrojtur ata (Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë partizanë që qenë me ta), duke bërë që këto forca partizane t’ i ekspozohen një rreziku të madh e të panevojshëm dhe të detyrohen të bëjnë luftë frontale për ta kryer këtë mision, krejt në kundërshtim me praktikën e luftës partizane, gjë që i çoi këto forca në katastrofë, që mund të qe evituar sikur Enver Hoxha dhe të tjerët që qenë me ta, të kishin kaluar në Jug, që në tetor, ose edhe në nëntor 1943, gjë që do të qe shumë më e lehtë se në dhjetor, kur edhe u tentua të bëhet pa sukses? Por, «Strategu i shquar» nuk e bëri këtë gjë, por vazhduan të rrinte në këtë zonë, me gjithë rrezikun e madh që paraqiste kjo gjë jo vetëm për të, por edhe për forcat partizane që mbante pranë vetes, duke u besuar gjermanëve, saktësisht si Tito. Pse e bëri këtë gabim elementar. Kjo tregon se sa shumë qenë të obseduar Enver Hoxha dhe emisarët jugosllavë pranë tij nga idea fikse se aleatët perëndimorë po përgatisnin diçka në Shqipëri.
Gjenerali Davies, siç e kam cituar më lart, thotë se Enver Hoxhës i duhej të mos luftonte me gjermanët, që të mund të bënte luftën civile kundër Ballit Kombëtar. Më vonë, pasi të ketë rënë rob tek gjermanët, Davies do të pyesë nëse Enver Hoxha ishte në bashkëpunim me ta apo jo? A ishte Enver Hoxha në bashkëpunim me gjermanënët në vjeshtën e vitit 1943, apo jo? Tashmë është e njohura marrëveshja e partizanëve me gjermanët në Berat, në atë kohë, dhe që është quajtur «kompromisi i Beratit». Në 2 tetor 1943, Enver Hoxha i shkruan Gjin Marku, të deleguarit të KQ, në Berat:
Në popull flitet me insistim se gjermanët që gjenden jashtë Beratit, pasi kontrollohen në bllok nga shokët tanë, ata lihen të lirë dhe të qetë të hyjnë në qytet dhe të blejnë sende që kanë nevojë dhe, si i përmbushin këto nevoja, ata kthehen në kampet e tyre. Po kjo punë na informojnë ngjet edhe në Lushnjë, ku gjermanët dhe partizanët me pushkë krahut vijnë rrotull në qytet si pa gjë të keq. Bile partizanë, në mos komunistë, kanë shkuar dhe kanë biseduar me komandantin gjerman të vendit. Këto lajme janë edhe më përpara se të merrnim letrën tuaj. Ne nuk i besojmë këto gjëra, sepse s’‚ mendojmë kurrë që ju andej të bini në një kompromis e një gabim kaq të madh... Por populli flet me insistim për këtë gjë, shokët janë alarmuar, kolona e pestë ja ka mbërritur qëllimit në këtë pikë, prandaj të na sqaroni përnjëherësh dhe me imtësinë më të madhe për këtë punë.[lxxii]
Në fund të tekstit është shënimi:
Pse kjo letër nuk u publikua më parë, derisa kishte të bënte me një çështje kaq delikate? Në 5 nëntor 1943, Enver Hoxha shkruan në një letër drejtuar Komitetit Qarkor të PKSH për Beratin:
Kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija që mund të ketë bërë një qarkor i partisë. Të gjitha mund të priteshin por një vepër e tillë nuk mund të pritej kurrë nga ju. Këto janë konsekuencat e shkëputjeve të lidhjeve me Komitetin Qendror.[lxxiv]
Edhe këtu ka një shënim në fund të tekstit, në libër:
Botohet për herë të parë sipas origjinalit që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë.[lxxv]
Në rast se Gjin Marku e bëri kompromisin me gjermanët në Berat, atëherë përse më pas, në vitin 1944, ai u bë komandant i Brigadës VII partizane, komandant divizioni partizan dhe pas luftës arriti gradën gjeneral-major? Pse nuk u dënua sekretari politik i Qarkorit të Beratit, Kahreman Ylli, pse nuk u dënua, por pas luftës do të bëhej ministër dhe anëtar i Komitetit Qendror. Është e qartë se marrëveshja me gjermanët në Berat është bërë me urdhër të Enver Hoxhës, ndërsa letrat e cituara më lart janë shkruar pas luftës nga «Ministria e së Vërtetës» enveriane, e drejtuar nga gruaja e tij, Nexhmije Hoxha. Enver Hoxha bëri me gjermanët atë gjë për të cilën ai e qorton Titon se bëri në Sutjeska. Është shumë interesante analogjia përshkrimit qëe i bën Enver Hoxha veprimeve të Titos në pranverën e vitit 1943, pasi kishte bërë marrëveshje me gjermanët dhe veprimeve të Enver Hoxhës në vjeshtën e vitit 1943, që tradhtojnë një marrëveshje me gjermanët. Enver Hoxha shkruan për Titon:
Në kohën kur kishim marrëdhënie të mira me PKJ, ne dëgjonim me respekt të flitej për betejat e ashpra e të përgjakshme të maj-qershorit 1943, të zhvilluara në luginën e Sutjeskës. Kishim dëgjuar për heroizmin e jashtëzakonshëm që treguan atje brigadat partizane jugosllave, kishim dëgjuar për aktet e pashembullta të qëndresës e trimërisë së partizanëve, komandantëve e komisarëve serbë, malazez, kroatë, sllovenë etj. Thuhej se forcat i kishte drejtuar vetë Titoja, bile në ato ditë edhe ishte plagosur.
Mirëpo më pa morëm vesh se gjithë gjaku që u derdh në Sutjeskë, mijëra partizanë e partizane trima që dhanë jetën në atë betejë, e dhanë jetën si rezultat i aktit tradhtar të Titos. Të dërguarit personalë të këtij, tre ndër kuadrot kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav, famëkëqinjtë Milovan Gjilas, Koço Popoviç, Vladimir Velebit, sipas kushtit të komandaturës gjermane, me nga një flamur të bardhë në duar, shkuan në bisedime me krerët e ushtrisë gjermane, nënshkruan një marrëveshje «armëpushimi» me ta dhe u kthyen te Titoja me besën e nazizmit në duar. «Strategu» Tito mendoi se erdhi koha të lante hesapet me kundërshtarët e brendshëm, me çetnikët e ustashët dhe orientoi kuadrot e shtabit të mos i trembeshin mundësisë së një sulmi nazist. Vigjilenca ra, si armik kryesor u quajtën ustashët. E, ndërsa shtabi i Titos jetonte në euforinë e fitores dhe brigadat partizane bënin përgatitje rreshtore (Titoja priste paradën e hipjes në fron), shtabi nazist në fshehtësi grumbullonte divizionet e veta dhe i rrethoi krejt trupat kryesore të UNÇL të Jugosllavisë në një luginë të ngushtë. Aq e madhe ishte euforia që u kishte ngjallur Titoja shtabeve sa, edhe kur vinin lajme se gjermanët po shtonin përqëndrimet, njerëzit e Titos talleshin me ta këto informata e me ata që i sillnin.
Pikërisht në këto momente shpërtheu tragjedia. Trupat e freskëta gjermane, të mbështetura nga aviacioni e artileria, bënë kërdinë. Tradhtia e Titos po paguhej me gjakun e 6000 trimave e trimëreshave serbe, boshnjake, malazeze, kroate, sllovene etj. Vetë autori kryesor i kësaj historie të rëndë, Titoja, siç dëshmoi vetë shpëtoi rastësisht... nga një qen, nga qeni i tij personal që u hodh mbi trupin e kryekomandantit e u bë copë e thërrime![lxxvi]
Kjo marrëveshje që bëri Tito me gjermanët, ishte në traditën e asaj që pati bërë Lenini në Brest-Litovsk në 1918, si dhe Stalini me Hitlerin në 1939. Këtë lloj marrëveshjeje e pati bërë dhe Enver Hoxha me italianët në 1941, si dhe me gjermanët në vjeshtën e vitit 1943, kur ishte në malësitë e Tiranës dhe të Elbasanit. Ajo që e tradhton marrëveshjen e Enver Hoxhës me gjermanët, në vjeshtën e vitit 1943, është fakti se ai pati kurajë të fillojë luftën civile me Ballin Kombëtar, gjë që nuk do të guxonte ta bënte pa siguruar neutralitetin faktik të gjermanëve. Që të kthehemi tek analogjia mes veprimeve të Titos dhe Enver Hoxhës, ky i fundit, pasi bëri marrëveshje me gjermanët, duke vepruar saktësisht si Tito në Sutjeska, nuk lëvizi nga kjo zonë e rrezikshme dhe e pafavorshme, as kur mësoi se gjermanët do të ndërmerrnin një operacion spastrues në zonën Shëngjergj- Çermenikë-Martanesh, pra në zonën ku gjendej ai. Në 14 nëntor 1943, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë Gjeneralit Edmund Davies:
Shërbimi ynë i informacionit na njofton që gjermanët dhe elementët e Ballit Kombëtar pregatitin një sulm kundër qarkut të Elbasanit. Forcat gjermane janë grumbulluar në qytet, kurse në krahinat përreth bandat e Ballit të komanduara nga Nezir Muzhaqi, Haki Blloshmi etj. janë armatosur nga nazistët. Ky sulm po të ndërmerret, do të bëhet nga tri anë. Nga ana e Labinotit, Librazhdit (Fënarës) dhe Priskë-Shëngjergjit. Ju lutemi të merrni të gjitha masat: batalionet tona janë në marshim drejt pozitave të caktuara. Nga ana tjetër kemi dhënë urdhër për të goditur armikun.[lxxvii]
Pra, Enver Hoxha qe në dijeni të operacionit që po përgatitej në këtë zonë. Gjithashtu ai e dinte se në këtë zonë lëvizja partizane qe shumë e dobët. Dhe çka bëjnë Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu pasi mëson për operacionin e ardhshëm gjerman? Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu bëjnë diçka krejt në kundërshtim me konceptet strategjike dhe taktike të luftës partizane, ata planifikojnë që me forcat partizane që kanë në dispozicion në atë zonë, të bëjnë një luftë frontale me forcat gjermane, për të mbrojtur një zonë mjaft të gjerë. Ky plan absurd kuptohet qartë nga dokumentet e publikuara nga vetë Enver Hoxha.
Po atë ditë që i shkruajnë gjeneralit Davies, pra në 14 nëntor, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë komandës së brigadës II, të porsakrijuar:
Ju urdhërohet që një njësit i brigadës, nga ata elementët më të vjetër, si shokët që kanë ardhur nga Dumreja, të dërgohet në pozitat e rrugës së Shëngjergjit përmbi Labinot dhe ai njësit të ruajë rrugën që vjen prej Elbasanit. Nga ana tjetër një pjesë e këtij njësiti të ruajë vendin e rrugës që është prishur përmbi Labinot dhe këtë vend ta ruajë nga çdo tentativë e armikut… Pjesa tjetër e brigadës të qëndrojë në vend ku është duke marrë çdo masë sigurimi dhe të vazhdojë pregatitjen e shokëve të rinj.[lxxviii]
Po në 14 nëntor, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë komandës së batalionit partizan të Çermenikës:
Batalioni juaj, me të marrë këtë urdhër të veprojë me urgjencën më të madhe si vijon: pasi të forcohen pozitat Fënarës e në disa pika të tjera për të penguar ndonjë sulm armik nga ana e Librazhdit, pjesa tjetër e batalionit tuaj të kalojë në Labinot pa humbur asnjë minutë që nga marrja e këtij urdhëri. Në bazë të lihen disa partizanë për të bërë ndërlidhjen me rojet e Fënarësit, Brigadën II dhe anglezët në rast nevoje. Me të mbërritur në Labinot batalioni juaj duhet të marrë pozitat nga ku mund të sulmojë armiku, pozita që sigurisht është në dijeni komanda e Batalionit të Çermenikës. Ne mendojmë që këto pozita të jenë Godoleshi, Labinoti dhe Xibraka. Këto urdhëra kanë karakter shumë urgjent dhe në asnjë mënyrë nuk përmetohet të gjenden arsye për neglizhencën e tyre. Moszbatimi i këtyre urdhërave me shpejtësinë më të madhe sjell përgjegjësi shumë të mëdha për komandën tuaj.[lxxix]
Në rast se ishte fjala për luftë kundër gjermanëve, kjo do të thotë se një batalion partizan prej rreth 150 vetësh, sa ç’ thotë vetë Enver Hoxha se kishte, kërkohej të angazhohej në një luftë frontale, përballë një armiku të pajisur me armë të rënda, deri edhe me aviacion. Por Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu llogarisnin se do të luftonin vetëm me ballistët dhe jo edhe me gjermanët. Gjithashtu në 14 nëntor 1943, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë komandës së batalionit «Dajti»:
Me të marrë këtë urdhër të veproni me urgjencën më të madhe si vijon: batalioni juaj duhet të jetë i mobilizuar dhe të vëzhgojë e të mbrojë rrugën e Shëngjergjit që kalon nga Priska. Batalioni «Martini» (italian) të qëndrojë në pozita të avancuara në rrugën e Priskës dhe, duke i ngjitur disa partizanë, ai duhet të godasë forcat armike në rast të ndonjë sulmi eventual. Batalioni juaj duhet të zerë pozitat gjithashtu për të goditur armikun në rast se tenton të kalojë rrugën e Shëngjergjit… Armiku përdor në shkallë të perfeksionuar taktikën e luftës sonë partizane. Prandaj rojet duhet të kenë sytë hapur kudo.[lxxx]
Është e qartë se Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu planifikojnë që, edhe këto forca partizane t’ i angazhojnë në një luftë frontale, me synim mbrojtjen e një territori, për më tepër të një territori të gjerë, dhe jo një luftë partizane, ku nuk mbrohet një territor i caktuar. Në rast se ishte fjala për të përballuar një sulm gjerman, kjo strategji e përpunuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu qe absurde po të konsiderohet, nga njëra anë, numri i ulët i forcave partizane që u ngarkoheshin këto detyra luftarake, cilësia e ulët luftarake e këtyre forcave, territori i gjerë që ato duhet të mbronin, armatimi i lehtë, ndërsa nga ana tjetër, numri i madh i forcave kundërshtare, armatimi i tyre shumë më superior, dhe avantazhet që do të siguronin forcat kundërshtare nga kjo mënyrë luftimi e partizanëve. Derisa partizanët do të qendronin në pozicione fikse, pranë rrugës automobilistike, kundërshtarët do të kishin mundësi që të përdorinin me efikasitet artilerinë, aviacionin dhe automjetet e blinduara. Por Enver Hoxha llogariste se gjermanët nuk do të merrnin pjesë në luftë.
Enver Hoxha kishte krijuar kështu atë që mund ta quajmë Republika Komuniste e Labinot, me garanci naziste, dhe me kufij në vijën Godolesh-Xibrakë-Fënares nga juglindja, vijën Shëngjergj-Labinot nga perëndimi, si dhe Martaneshin në veri. Në rast rreziku, Enver Hoxha kishte llogaritur të mbante të hapur rrugëkalimin për në Jug, kur të vendosnin të tërhiqeshin, madje jo një rrugëkalim dosido por rrugën automobilistike Shëngjergj-Labinot, pasi Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët në atë kohë ndodheshin në Orenjë, në lindje të Shëngjergjit dhe pranë kësaj rruge automobilistike, nuk donin të udhëtonin me kuaj por me automobila. Batalionit të Çermenikës, efektivi dhe aftësitë luftarake të të cilit qenë mjaft modeste (siç do të tregoj më poshtë Enver Hoxha kujtonte se ky batalion kishte 150 vetë, por doli se kishte vetëm 50), ngarkohej me detyrën që të mbronte një front të gjerë që arrinte mbi 30 kilometra në vijë ajrore, në vijën Godolesh-Labinot-Xibrakë-Fënarës, nga verilindja e qytetit të Elbasanit në veriperëndim të qytetit të Librazhdit. Për të mbrojtur këtë front nuk do të mjaftonin as dhjetë herë më shumë njerëz se ç’ supozonin Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu se kishte batalioni i Çermenikës, pasi duke qenë forcat të shtrira në një territor të gjerë ato nuk mund t’ i vinin në ndihmë shpejt repartit që do të priste goditjen, kështu që fronti do të çahej dhe pjesa tjetër do të binte në rrethim, duke u goditur ballas dhe nga shpina.
Pjesa ushtarakisht e vlefshme e Brigadës II ngarkohej që të mbronte rrugën automobilistike Shëngjergj-Labinot, me synim frenimin e msymjes armike që do të vinte nga Elbasani. Është e qartë se, në rast se bëhej fjalë për luftë kundër gjermanëve, këto forca të reduktuara do të qenë të pamjaftueshme ta kryenin këtë detyrë në një territor prej disa dhjetra kilometrash dhe qenë të destinuara të pësonin disfatë të gjendura përballë një kundërshtari shumë herë më të madh në numër dhe që mund të përdorte me efikasistet artilerinë, aviacionin dhe automjetet e blinduara për shkak se partizanët mbanin pozicione statike pranë rrugës automobilistike.
Në rast se bëhej fjalë për të përballuar një mësymje gjermane, po aq absurde dhe e papërballueshme qe dhe detyra që i qe ngarkuar batalionit «Dajti», i cili duhej të mbante të bllokuar rrugën Priskë-Shëngjergj, me synim që të ndalonte forcat mësymëse kundërshtare që do të vinin nga Tirana. Por, numri dhe kualiteti luftarak i këtij batalioni territorial qenë shumë modestë për të përballuar një detyrë të tillë të luftës frontale, që do të kishte qenë e pamundur për t’ u përballuar edhe nga një brigadë. Është e qartë se edhe këto forca do të qenë krejt të pamjaftueshme ta kryenin këtë detyrë dhe qenë të destinuara të pësonin disfatë, ashtu të përhapura në pozicione fikse në një territor të gjerë, në rast se do të gjendeshin përballë një kundërshtari si gjermanët, shumë herë më të madh në numër dhe që mund të përdorte me efikasistet artilerinë, aviacionin dhe automjetet e blinduara për shkak se partizanët mbanin pozicione statike pranë rrugës automobilistike.
Edhe një njeri që nuk është ekspert ushtarak e kupton se dy «strategët» e shquar Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu kanë bërë me këtë plan një gafë të madhe ushtarake, që nuk do ta bënte as një partizan i thjeshtë po t’ i jepej mundësia që të planifikonte planin e veprimit të këtyre forcave. Kjo gjithmonë në rast se llogarisnin që të përballonin një mësymje gjermane. Në këtë rast, këto forca partizane do të çoheshin drejt katastrofës me vetëdije nga Enver Hoxha, i cili kryente në ndërkohë manovrat e veta politike për të siguruar pushtetin. Dhe, ç’ është më skandaloze, këto forca partizane kishin detyrë ta mbronin rrugën Shëngjergj-Labinot, derisa Enver Hoxha, pasi të kishte mbaruar manovrat politike, të largohej me automobil për në Labinot, për të kaluar në Jug. Në letrën që i dërgojnë komandës së Brigadës II, në 14 nëntor 1943, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu shkruajnë:
Automobilat që gjenden në Labinot të vihen në dispozicionin tuaj për çdo eventualitet.[lxxxi]
Eventualiteti do të ishte që Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu të largoheshin nga Shëngjergji drejt Labinotit, për të kaluar në Jug, nëpër rrugën Shëngjergj-Labinot që duhej mbrojtur pikërisht për këtë qëllim, pra që Enver Hoxha dhe të vetët të bënin një udhëtim komod, jo si partizanë, në këmbë, ose kuaj e mushka. Kështu, motorri i automobilit që do t’ i çonte ata do të punonte praktikisht me karburant- gjak partizani. Enver Hoxha qe i vetëdijshëm për kualitetin modest luftarak të forcave partizane që ai kishte në dispozicion në këtë zonë, madje ai e dinte dhe se dy brigadat e krijuara me ngut në tetor dhe në nëntor 1943, pra e dyta dhe e treta, në fakt qenë vetëm numra, të krijuar për efekt propagandistik dhe për të impresionuar misionin aleat dhe jo reparte me vlerë reale luftarake. Në 16 nëntor, dy ditë pasi i pati shkruar Gjeneralit Davies, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë komandantit të Grupit të Elbasanit, Kadri Hoxha:
Gjendja e vajtueshme ushtarake, e sidomos në pikëpamje komande, në qarkun e Elbasanit më detyron të të drejtohem shoqërisht dhe të të bëj disa disa vërejtje të hidhura… Me një urdhër të mëparshëm të thërritnim të merrje pozitat me batalionin tënd përpara Labinotit, Godoleshit, Xibrakës. Ti na u përgjigje se ke vetëm 18 veta dhe se këta duhen për të ruajtur Bacën (Ramadan Çitaku-K.M.) dhe na numëroje të tjerët, të cilët ishin të zënë në mulli e në furrë, e ku ta di unë. Shokut D (Nako Spiru-K.M.), i cili të ka pyetur prej sa vetash përbëhet batalioni yt, tani, që të kanë ikur një pjesë në Dibër, ti i je përgjigjur se arrin në 150 veta. Si i bëhet që tani po na dalin vetëm 50 veta këtu? Duhet ta dish se pozitat që të ishin caktuar të zije me anën e urdhërit të Shtabit, janë krejt të hapëta. Armiku ka grumbulluar forca në Elbasan, flitet për një operacion këtej. Ne, Shtabi s’ kemi asnjë mbrojtje, s’ kemi asnjë korrier elbasanas, që të na lajmërojë ose të dërgojmë të shohim se a është hedhur rruga, a ruhet rruga, a është minuar.[lxxxii]
Kuptohet se me anë të kritikave të këtij lloji, të botuara pas luftës, Enver Hoxha ka dashur ta shpërndajë mbi të tjerët përgjegjësinë për katastrofën që pësuan në dhjetor forcat partizane në zonën ku qe Shtabi i Përgjithshëm. Në këtë rast, Enver Hoxha fajëson Kadri Hoxhën, ndërsa më pas do të fajësojë Beqir Ballukun, komandantin e Brigadës II, Hulusi Spahiun, komandantin e Brigadës III etj. Nga vetë dokumentat e publikuara prej Enver Hoxhës, kuptohet se ai e dinte cilësinë shumë të ulët luftarake të forcave partizane që gjendeshin në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Shmil. Në letrën e sipërpërmendur të 16 nëntorit 1943, Enver Hoxha i shkruan Kadri Hoxhës:
Para dhjetë ditësh a më shumë, ty të është ngarkuar komanda e Grupit të Elbasanit dhe natyrisht barra ta formosh këtë grup dhe të na e propozosh sa më parë.[lxxxiii]
Pra, Grupi partizan i Elbasanit nuk ekzistonte dhe ai duhej të krijohej, të organizohej, gjë që në fantazinë e Enver Hoxhës, Kadri Hoxha duhej ta kishte bërë brenda dhjetë a diçka më tepër ditësh. Madje këtë Kadri Hoxha duhet ta kishte bërë në një nivel të tillë që ky formacion partizan të përballonte detyrën herkuliane të siguronte të hapur rrugkalimin nëpër të cilin Shtabi i Përgjithshëm do të tërhiqej në Jug. Dhe çka është më paradoksale, Kadri Hoxha, për të cilin pretendohet se është kritikuar kaq rëndë në vjeshtën e vitit 1943, pak muaj më pas, në mars 1944 u emërua komisar i Brigadës VII, në maj 1944 u gradua nënkolonel dhe më pas kolonel, në shtator 1944 u emërua shef i Misionit partizan shqiptar pranë Komandës Aleate të Mesdheut, me qendër në Napoli?!
Plani luftarak absurd i Enver Hoxhës dhe i Spiro Moisiut do të kishte një mundësi minimale hipotetike që të funksiononte sikur forcat partizane në Martanesh, Pezë dhe në Dibër të mbaheshin fort dhe të ushtronin presion mbi forcat gjermane që do të msynin forcat partizane të dislokuara në zonën Shëngjergj-Labinot-Shmil-Çermenikë. Por, edhe kjo nuk kishte gjasa që të ndodhte për shkak se gjendja e forcave partizane në Martanesh, Pezë dhe Dibër linte shumë për të dëshiruar. Dhe me të filluar operacioni gjerman kundër forcave partizane në Pezë dhe në Dibër, në nëntor 1943, forcat partizane në këto zona u tërhoqën dhe u hallakatën, duke mos qenë në gjendje të mbështesin forcat partizane të përqëndruara në zonënë Shëngjergj-Çermenikë-Labinot. Në 19 nëntor 1943, Enver Hoxha i shkruan një letër Baba Mustafa Xhanit, komandantit të batalionit partizan të Martaneshit:
I dashur Baba, Kemi afër 15 ditë që kemi ardhur këtu në krahinën tuaj, por situatën nuk e kemi gjetur aq të mirë si dëshirojmë ne. Gjermanët po grumbullojnë forca në Elbasan dhe flitet për një operacion këndej. Ballistët e këtij qarku po armatosen prej gjermanëve, edhe njerëzit e Beut e të Pashës po atë punë bëjnë.[lxxxiv]
E thënë ndryshe, forcat partizane të Martaneshit nuk do të qenë në gjendje t’ u mbronin krahët nga veriu forcave partizane të dislokuara në zonën Shëngjergj-Çermenikë-Labinot, gjë që edhe ndodhi. Në 22 nëntor 1943, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i shkruajnë një letër Gjeneralit Davies, ku jepen informata për gjendjen në Pezë:
Zoti gjeneral, Ne sapo morëm raportin zyrtar të Komandës partizane të Pezës që na njofton: Çeta të Batalionit III të Pezës që kishin zënë pozicion, nën presionin e madh të armikut janë tërhequr Brenda territorit dhe në luftimet e zhvilluara është vrarë një numër i madh gjermanësh. Asnjë humbje nga tanët.[lxxxv]
Derisa partizanët nuk kishin patur asnjë humbje, kjo do të thotë se ata qenë tërhequr me ngut, në zona të thyera, ku gjermanët nuk kishin interes t’ i ndiqnin, pasi qenë larg vijave të tyre të komunikacionit. Por, ajo çka kuptohet nga kjo letër është se forcat partizane të Pezës, tashmë i patën lëshuar pozicionet nga të cilat mund t’ u bënin presion në shpinë forcave gjermane që do të msynin në drejtim të Shëngjergjit, që gjendet në lindje të Tiranës. E parë gjendja në Pezë, në një pikëpamje të përgjithshme, e lidhur me atë në Martanesh, do të thoshte se forcat partizane në zonën Shëngjergj-Çermenikë-Labinot qenë duke rënë në rrethim. Situata e keqe në të cilat gjendeshin forcat partizane në Dibër, e bënte edhe më të rëndë situatën e forcave partizane në trekëndëshin Shëngjergj-Labinot-Çermenikë. Nëse forcat partizane të Dibrës nuk do të mund t’ u mbronin atyre krahët, atëhere ato do të qenë krejt të rrethuara. Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu qenë të vetëdijshëm për këtë gjë, sepse në 10 nëntor 1943, në një letër që i shkruajnë komandës së Brigadës III, thonë:
Sipas urdhërit që morët nga kjo komandë ju duhet të ishit nisur që më datën 26 të muajit të kaluar për drejtimin që ju kishte caktuar kjo komandë. Deri sot ju as që e keni vënë në zbatim urdhërin që ju është dhënë. Ju kemi lajmërue me anë të Tiranës që duhej me urgjencë të niseshit për te vendi i caktuar ku situata vazhdonte dhe vazhdon të jetë shumë e keqe për punën tonë (në Qarkun e Dibrës-shënimi në tekst-K.M.). Megjithatë shohim përsëri se ju hala s’ po lëvizni. Pa marrë parasysh asgjë, ju me të marrë këtë urdhër, Brenda 24 orëve duhet të dilni nga rajoni ku jeni dhe të merrni drejtimin që ju kemi caktuar.[lxxxvi]
Por, Brigada III, e krijuar në 9 tetor 1943, pra vetëm para disa javësh, në fakt qe vetëm një numër dhe jo një repart me vlerë reale luftarake. Ajo qe krijuar për efekte propagandistike, me t’ u mësuar ardhja e Gjeneralit britanik, për ta impresionuar këtë të fundit me numra boshe. Brigada përbëhej nga njësi teritoriale që nuk donin të shkonin përtej fshatit të tyre, prandaj brigade nuk shkoi dot në Dibër.
Përmbyllja e rrethimit të gjerë të forcave partizane të dislokuara në rajonin Shëngjergj-Labinot-Çermenikë duket të qe dhe synimi i komandës gjermane të operacionit që në 16 nëntor filloi dhe një operacion spastrues në Dibër. Brenda asaj dite gjermanët morën Peshkopinë, që mbahej nga partizanët. Këta u tërhoqën në zonën e Zerqanit në jug të Dibrës, në kufi me Çermenikën, ku gjithsesi mund të luanin një rol në mbështetje të forcave partizane të dislokuara në trekëndëshin Shëngjergj-Labinot-Çermenikë, duke u mbrojtur këtyre krahët nga verilindja. Duke e kuptuar këtë, gjermanët, në 20 nëntor e zgjeruan msymjen dhe në Zerqan, ku ndodheshin forcat kryesore të Grupit partizan të Dibrës. Grupi i Dibrës i humbi pozitat në Zerqan që në 20 nëntor. Vetë historiografia komuniste të dhënat e së cilës, kur është fjala për numrin e forcave partizane, megjithatë duhen marrë me rezerva, shkruan:
Si e studioi gjendjen e krijuar, komanda e Grupit të Dibrës vendosi t’ i ndante forcat e saj (rreth 150 veta) në katër çeta…Qarku kontrollohej tashmë gati krejtësisht nga armiqtë.[lxxxvii]
150 vetë, apo tre herë më pak, të ndarë në katër çeta, apo më tepër, (këtë e them pasi qarkullon si anekdotë se Haxhi Lleshi kur shkrohej teksti i historisë u kërkoi autorëve që ta trefishonin shifrën), është e qartë se forcat partizane të Grupit të Dibrës, praktikisht qenë shpërbërë në nëntor 1943 dhe nuk kishin më vlerë luftarake. Vetë Haxhi Lleshi, kreu i lëvizjes partizane në Dibër, kaloi në Maqedoni dhe prej andej hyri në Shqipërinë e Jugut, në zonën e Korçë, nëpërmjet Prespës. Në lidhje me këtë, Haxhi Lleshi shkruan në kujtimet e veta:
Por le të kthehemi përsëri atje ku e lashë tregimin tim, në vjeshtën e vitit 1943, kur pas luftimeve me forcat gjermane në nëntor, kalova në Maqedoni në kërkim të Tempos e të shtabit të tij… Tempoja nuk hyri në debat me mua (për mendimin e Haxhi Lleshit se në Bullgari kishte lëvizje partizane-K.M.) dhe më pyeti mua se ç’ forca partizane kishim lënë në Dibër. I thashë se atje lufta partizane vazhdonte, natyrisht në përputhje me kushtet e reja që ishin krijuar. Edhe ata 100 partizanë që patëm marrë me vete, i kthyem për të vepruar së bashku me të tjerë që kishim lënë në Dibër., Lumë, Mat, Martanesh etj., kurse ne me 10-15 partizanë do të kalonim nëpër zonën e pushtuar nga bullgaria, për të dalë në qarkun e Korçës, ku do të takoheshim me Shtabin e Përgjithshëm dhe pastaj do të ktheheshim përsëri në Dibër. Nga mesi i dhjetorit 1943 hymë në qarkun e Korçës. Mbas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm natë e ditë, pa vënë gjumë në sy e kafshatë në gojë, arritëm në fshatin Pustec, rrëzë Malit të Thatë, me rreth 100 shtëpi. E dija që aty flitej gjuha maqedonase prandaj fshatarëve të parë që takuam u fola në atë gjuhë.[lxxxviii]
Në rrethanat kur forcat partizane në Dibër u shkatërruan që prej 20 nëntorit 1943, forcat partizane të dislokuara në pozicione të luftës frontale në rajonin Shëngjergj-Çermenikë-Labinot, qenë praktikisht të rrethuara, në një gjendje të dëshpëruar nga pikëpamja ushtarake. Pikërisht në këtë moment, nga pikëpamja e logjikës elementare, qe dashur që Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu të tërhiqeshin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Jugut, së bashku me forcat partizane që kishin me vete, për t’ i ruajtur ato nga shkatërrimi i sigurt.
Në vjeshtën e vitit 1943 dukej se forcat gjermane po përgatisnin një operacion të madh spastrimi. Duke qenë se prisnin një zbarkim të aleatëve (britaniko-amerikanëve) në Ballkan, e posaçërisht në Shqipëri, gjermanët donin të spastronin teritorin e Shqipërisë, veçanërisht zonat pranë bregdetit dhe kryeqytetit nga guerriljet, në mënyrë që ato mos të përbënin rrezik për gjermanët, në kohën e zbarkimit. Por Enver Hoxha u besonte gjermanëve, ashtu siç thotë për Titon. Prandaj, edhe pse që prej 20 nëntorit, 1943, e gjithë zona Shëngjergj (lindje të qytetit të Tiranës)-Labinot-Çermenikë qe praktikisht e rrethuar, Enver Hoxha vazhdonte të rrinte atje. Ai shkruan:
Më 28 nëntor 1943 shkova në Shëngjergj të Tiranës për të marrë pjesë në ceremoninë e formimit të Brigadës II Sulmuese. Aty kishte ardhur, me ftesë të Shtabit tonë të Përgjithshëm edhe gjenerali Deivis.[lxxxix]
Enver Hoxha gënjen kur thotë se ai shkoi në 28 nëntor në Shëngjergj, një katund në lindje të Tiranës, me të cilin e lidhte një rrugë automobilistike. Në të vërtetë ai shkoi në Shëngjergj që në 15 nëntor 1943. Për këtë kemi dëshminë e Reshit Shtëpanit, djalit të Ali Shtëpanit, në shtëpinë e të cilit në Shëngjergj, Enver Hoxha qendroi kur shkoi në këtë katund. Në librin «Kujtime për Enverin» (1988) janë botuar dhe kujtimet e Reshit Shtepanit, nën titullin «Mysafiri me dritë». Në to thuhet:
Nëntor 1943. Në shtëpinë tonë kishin ardhur mjaft shokë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Disa herë ato ditë dëgjonim të thoshin me njëri tjetrin:
-Si nuk erdhi edhe sot Tarasi?
Në mbrëmjen e 15 nëntorit, aty nga ora 19ºº, një grup partizanësh u ndalën përpara shtëpisë sonë. Disa shkuan për të bujtur në një bazë tjetër aty afër, kurse Spiro Moisiu dhe ai tjetri, që ende s’ e njihnim, u drejtuan nga dera e kullës sonë (kështu i thoshim odës së miqve). Me të dëgjuar hapat në shkallët prej dërrase, dolëm e i pritëm, u përshëndetëm e u përqafuam me ta.
-Ku i latë shokët e tjerë?- pyeti babai.
-Pse, pak paska këtu, duhen edhe më shumë,- tha me buzë në gaz e me zë kumbues mysafiri shtatlartë.
-Ju kam pritur e na bëtë merak,- ndërhyri dr. Omer Nishani.
-Në pyetshi për mua, unë desha të vija edhe më parë, se atje në Linos, ku rrinim ne, na i nxorri sytë tymi,- tha me shaka Spiro Moisiu,- po hajde shkule Tarasin. Kur fillon ky nga puna… dale të bëjmë edhe këtë, të bëjmë edhe atë, të bisedojmë me këtë komisar, të bisedojmë me atë komandant… po s’ ka faj ky, se më është nja dhjetë e dymbëdhjetë vjet më i ri se unë dhe s’ e bën qejfin qeder nga të ftohtët.
Të gjithë qeshën me shakatë e major Spiros. Qeshte edhe Tarasi.[xc]
E dhëna që jep Reshit Shtëpani duhet marrë më me vërtetësi se ajo që jep Enver Hoxha, për faktin se dita kur u erdhën në shtëpi Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, dy krerët e lëvizjes partizane duhet t’ u jetë fiksuar në kujtesë këtyre njerëzve. Pra, Enver Hoxha ka qenë në Shëngjergj që nga 15 nëntori 1943, ku Enver Hoxha u vendos për të pritur Abaz Kupin, me të cilin donte të bisedonte që ta bindte të mbetej në Frontin ANÇ.
Zogistët patën qenë në krah të komunistëve së pakut deri në gusht 1943 kur Abaz Kupi qe në radhët e delegacionit të Frontit ANÇ në takimet me Ballin Kombëtar në Tapizë dhe Mukje. Zogistët kanë thënë se ata u prishën me komunistët dhe dolën nga Fronti pasi komunistët prishën Marrëveshjen e Mukjes. Kjo përrallë nuk është e vështirë të hidhet poshtë. Zogistët hynë në Front edhe pse lëvizja politike që formoi Ballin Kombëtar, me të cilin u bë marrëveshja në Mukje, nuk pranoi që të hynte në Frontin e drejtuar nga komunistët, as në Pezë në shtator 1942 dhe as pas krijimit të Ballit Kombëtar në nëntor 1942. Ballistët refuzuan të bashkëpunojnë me komunistët, deri në gusht 1943, për shkak se këta të fundit u kërkonin këtyre që të hynin në Front dhe u mohonin bashkëpunimin në nivel partiak. Komunistët donin që në Front të kishte vetëm një parti, PKSH, e cila do ta përdorte Frontin si mjet për të marrë pushtetin.
Aleanca zogisto-komuniste u prish vërtet pas Mukjes, por pas të gjitha gjasave, për faktin se komunistët në Konferencën e Dytë të Këshillit ANÇ, në Labinot, në korrik 1943, ku mori pjesë edhe Abaz Kupi, refuzuan të mbajnë premtimin për zgjedhjen e Zogut si kryetar të Frontit ANÇ dhe ta njohin atë si mbret, sipas skemës: Ahmet Zogu mbret me Enver Hoxhën si kryeministër. Por, Enver Hoxha dhe komunistët e tij, në vjeshtën e vitit 1943 qenë fuqizuar aq sa nuk kishin më nevojë për aleancën passive të zogistëve për të mbijetuar në luftën e brendshme në radhët e tyre dhe përballë rrezikut që u vinte prej ballistëve. Prandaj komunistët ia prenë shkurt Abaz Kupit se kërkesat e tij qenë të papranueshme. Sa i përket prishjes të zogistëve me komunistët ka një episode shumë domethënës, që e tregon Myslim Peza në kujtimet e veta. Në librin e vet me kujtime Myslim Peza tregon për takimin e vet të dytë me Abaz Kupin, një vit pas Konferencës së Pezës, në 1943:
Mbas një viti u takova me Bazin e Canës në Tapizë. Sa më pa, u rrudh në fytyrë dhe tregoi me gisht stemën që kasha qendisur në xhaketë.
-Ç’ e ke atë yll të kuq mbi shkabë, o Myslim? Vallahi ta kisha pa se mbanit yll të kuq, s’ do të kasha pranu asgja nga ato që u morën në Pezë.
-Unë edhe në Konferencën e Pezës e kam pasë yllin e kuq në xhaketë, - i thashë.- Nuk e pe ti?!
Abaz Kupi nuk mund të mos e kishte parë yllin e kuq të Myslim Pezës edhe para një viti, në 1942, në Konferencën e Pezës, si dhe yjet e kuq të Enver Hoxhës e delegatëve të tjerë komunistë, por atëhere Abaz Kupit i qenë zënë sytë nga premtimet e komunistëve. Kur komunistët i shkelën premtimet, Bazit të Canës iu hapën sytë. Në 21 nëntor 1943, Abaz Kupi dhe zogistët krijuan në Zall-Herr të Tiranës OKLL (Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit), që paraqitej si një forcë politike alternative me Frontin Nacionalçlirimtar dhe Ballin Kombëtar. Enver Hoxha u bë shumë dyshues dhe mendoi se këtë gjë e pati sajuar Gjenerali Davies, pas takimit me Abaz Kupin disa ditë më parë. Këto dyshime i ushqente fakti që ish-Mbreti Zog gjendej në Londër. Tashmë Enver Hoxha dyshonte se Gjeneralit Davies, pasi dështoi që t’ i pajtonte komunistët me nacionalistët, synonte që të bashkonte «reaksionin», nën udhëheqjen e Ahmet Zogut, në mënyrë që këta të merrnin pushtetin pas luftës. Enver Hoxha shkruan:
Në bisedat që pati gjenerali anglez me krerët e Ballit Kombëtar dhe me Bazin, ai patjetër arriti në disa përfundime me interes. Një prej tyre ishte edhe ai që këto dy grupe duhej të pajtoheshin, të organizoheshin dhe të forcoheshin për hir të së nesërmes. Kështu, pjesa që do të bashkëpunonte me gjermanët dhe ajo që ishte nën drejtimin e anglezëve, do të koordinonin veprimet për ta luftuar më mirë Lëvizjen Nacional-çlirimtare. Natyrisht, rolin vendimtar nesër do ta luante Anglia dhe ata që ishin nën drejtimin e saj, shkurt, karta e Zogut do të dominonte mbi të tjerat.[xcii]
Prandaj, Enver Hoxha vendosi të qëndrojë në zonë për të ndjekur lojën politike dhe për të neutralizuar, madje goditur Abaz Kupin, duke dashur t’ u heqë nga dora britanikëve kartën zogiste. Krijimi i organizatës nga zogistët u perceptua nga komunistët si një shenjë se në vend do të kishte zhvillime të shpejta politike, të stimuluara nga aleatët perëndimorë. Prandaj komunistët vendosën ta vazhdojnë edhe pak lojën «tërhiq e mos këput» me zogistët duke e ftuar Abaz Kupin për bisedime. Këto bisedime qenë një nga arsyet që Enver Hoxha edhe në 7 dhjetor 1943 vazhdonte të qe rrotull Tiranës, në Shëngjergj, në një kohë që kjo zonë praktikisht qe rrethuar nga gjermanët. Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm partizan dhe të Kryesisë së Këshillit ANÇ, të cilët qenë me të kërkonin patjetër të merrnin takim me Kupin dhe ta detyronin atë që të kthehej në qëndrimin e mëparshëm, ose, ta denonconin publikisht, duke e deklaruar tradhëtar dhe kolaboracionist, sipas zhargonit komunist, duke justifikuar kështu atakimin ushtarakisht të lëvizjes së tij më vonë, për ta asgjësuar me dhunë. Enver Hoxha shkruan:
Abaz Kupi po dilte haptas, mjaft kishte vepruar nën rrogoz kundër nesh. Tri herë i bëmë thirrje për takim dhe s’ vinte. Kishte ardhur koha për t’ ia vënë dy këmbët në një këpucë, sepse kupa ishte mbushur dhe po derdhej. E lajmëruam për herë të fundit të vinte në takim në Shëngjergj të Tiranës në javën e parë të dhjetorit. Më në fund pranoi.[xciii]
Në Shëngjergj Enver Hoxha kishte planifikuar dhe ceremoninë e krijimit të Brigadës II ku ishte ftuar dhe gjenerali britanik. Kjo ishte e llogaritur që të shërbente si sfon në lojën politike që Enver Hoxha bënte me zogistët. Enver Hoxha, me paradën që bëri në Shëngjergj në 28 nëntor 1943, ka dashur ta impresionojë gjeneralin britanik duke i krijuar iluzionin sikur forcat partizane po shtoheshin me brigada të reja. Por Brigada II, qe vetëm një numër, ashtu si Brigada III, e cila ironikisht qe krijuar që në 9 tetor 1943, shtatë javë para se të krijohej e dyta, si për ta bërë më të dukshëm trukun prej komediani të Enver Hoxhës, I cili e bëri gjeneralin të asistojë në krijimin e Brigadës II, pasi qe krijuar Brigada III!
Në këtë kohë, gjenerali dhe shtabi i tij, duke qenë ushtarakë profesionistë dhe me eksperienca luftarake, e patën perceptuar plotësisht situatën e vështirë në të cilën gjendeshin ata dhe forcat partizane. Ata e kishin kuptuar se gjermanët, pasi patën nxjerrë praktikisht jashtë luftimit forcat partizane në Pezë dhe Dibër qenë duke përgatitur një msymje në zonën Shëngjergj-Martanesh-Çermenikë-Labinot, duke pasur si synim të kapnin ose të asgjesonin misionin britanik me qendër në Bizë, si dhe të asgjesonin forcat partizane që gjendeshin në këtë zonë. Prandaj Gjenerali Davies, e eksploitoi takimin me Enver Hoxhës në Shëngjergj, në 28 nëntor, për t’ i propozuar këtij të fundit që të kapërcenin Shkumbinin, për t’ u hedhur në Jug:
Pastaj mbajtëm një konferencë, unë shfaqa mendimin për t’ u shmangur më në jug, për të siguruar furnizime nga deti… Por qëllimi kryesor ishte të veprohej shpejt, përpara se të binim në kurth dhe të mos dilnim dot. Pasoi një heshtje varri. Pastaj Enveri tha se do ta shqyrtonin këtë taktikë- ku qe përfshirë mjaft- dhe se do të më vinin në dijeni kur ta vendosnin.[xciv]
Në fakt, kjo ishte e vetmja gjë e arsyeshme që mbetej për t’ u bërë në ato rrethana, dhe pikërisht këtë gjë do të tentonte të bënte Enver Hoxha dy javë më vonë, kur do të ishte tepër vonë. Ndaj këtij propozimi të ushtarakut të lartë britanik Enver Hoxha reagoi në mënyrën stereotipe që ai (Enver Hoxha) pati pritur çdo ide që i vinte nga aleatët perëndimorë. Edhe pse propozimi i Gjeneralit Davies përmbante gjithë urtësinë ushtarake, por Enver Hoxha e mori atë me shumë dyshim, pikërisht për faktin se ky propozim iu bë nga gjenerali britanik. Enver Hoxha dyshonte se mos Gjenerali Davies ia bëri propozimin për ta larguar atë (Enver Hoxhën) dhe udhëheqësit e tjerë të lëvizjes partizane dhe komuniste nga afërsitë e Tiranës, ndoshta në kohën që po përgatitej një zbarkim britaniko-amerikan në Shqipëri. Kështu, në momentin deciziv, kur në Tiranë do të hynte një qeveri shqiptare që do t’ u prezantohej aleatëve si pushtet që do të njihej prej tyre, Enver Hoxha me të vetët do të qenë shumë larg dhe dotë vinin në Tiranë post festum. Në rast se Gjenerali Davies do të donte që Enver Hoxha ta pranonte propozimin e tij, atëhere ai do të duhej që t’ i kishte propozuar të kundërtën e asaj që mendonte, pra t’ i thoshte se duhej të rrinin në atë zonë ku qenë.
Enver Hoxha vazhdonte të qëndronte në atë zonë, ku siç thotë edhe historiografia komuniste shqiptare, situata ku gjendej ai dhe forcat partizane, po bëhej gjithherë e më tepër si ajo e Titos në Sutjeska:
Në ditët e para të dhjetorit, komanda gjermane mundi të arrijë rrethimin operativ të zonës. Rezultatet e trupave pushtuese me operacionin ‘Edelveis’ në qarkun e Dibrës, ua hiqnin forcave partizane mundësinë e daljes e të manovrës në krahun verilindor. Zotërimi nga armiqtë i krahinës së Librazhdit mbyllte krahun lindor, kurse pushtimi nga ana e gjermanëve i Bërzeshtës, Polisit, Shpatit e Dumresë e kishte vëshirësuar së tepërmi manovrën e forcave partizane në jug të lumit Shkumbin.[xcv]
Të gjitha të dhënat këshillonin largimin e shpejtë nga kjo zonë, jo vetëm për sigurinë e krerëve të lëvizjes partizane e komuniste, por edhe të forcave të mëdha partizane që ata mbanin pranë vetes. Por, Enver Hoxha nuk bëri kështu. Enver Hoxha dhe pjesa e udhëheqjes partizane e komuniste që qenë me të, vazhduan të qendrojnë në atë zonë, madje në fshatin Shëngjergj, në lindje të qytetit të Tiranës, në një afërsi të rrezikshme me qytetin e Tiranës. Në Shëngjergj Enver Hoxha qendroi prej 15 nëntorit deri në 8 dhjetor 1943. Historiografia e kohës së komunizmit përpiqet shumë që t’ i vejë një «gjethe fiku» lakuriqësisë së kësaj gafe të bërë nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, duke shkruar:
Masat e para që urdhëroi Shtabi i Përgjithshëm për t’i dalë përpara operacionit armik në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh ishin: shkatërrimi dhe minimi i xhadeve Tiranë-Priskë-Shëngjergj dhe Labinot-Fushë-Shëngjergj, që çonin në thellësi të asaj zone: organizimi i rojave dhe i patrullave të posaçme për gjurmimin dhe zbulimin e çdo lëvizjeje dhe të çdo përqendrimi forcash gjermano-tradhëtare; sigurimi në vende të fshehta i rezervës së ushqimeve dhe i dy shtypshkronjave.
Një tjetër masë ishte zhvendosja e Komandës së Shtabit të Përgjithshëm nga Labinoti në Shmil, si dhe e shtabit të misionit britanik nga Biza në Orenjë. Por masa kryesore ishte urdhëri për ta goditur armikun nga të katër anët me qëllim që të çorganizoheshin përgatitjet e tij për operacion. Detyra të rëndësishme u kishte vënë Shtabi i Përgjithshëm batalionit «Dajti», Batalionit të Çermenikës dhe Brigadës II për të mbajtur në vrojtim, për të penguar dhe për të goditur armikun në drejtimet kryesore që të çonin në brendësi të zonës gjatë rrugëve automobilistike Tiranë-Priskë-Shëngjergj dhe Labinot-Fushë-Shëngjergj. Por krahas mbylljes së këtyre drejtimeve, Shtabi i Përgjithshëm porosiste që të mbahen nën vëzhgim të përhershëm edhe të gjitha shtigjet, grykat e rrugët kryesore.[xcvi]
Por, historiografia komuniste, sit ë thuash, duke dashur të vejë vetulla, ka nxjerrë sytë, pasi urdhëri i mësipërm nuk është një urdhër për luftë partizane, por për një luftë frontale, që e bën një ushtri e rregullt, që mbron pozicione fikse në një territor të gjerë. Pra, është e qartë se ende vazhdonte të qe në fuqi plani për të bërë një luftë frontale në zonën shëngjergj-Labinot-Çermenikë, çka qe një absurditet. Në mes të kurthit ku i kishte future forcat partizane, Enver Hoxha vazhdonte të luante si macja me miun me Abaz Kupin, të cilin donte ta veçonte nga ballistët.
Në librin «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare», për periudhën nga 3 dhjetori 1943, pra në prag të fillimit të operacionit gjerman në zone, deri në 8 mars 1944, kur Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu patën dalë nga rrethimi dhe gjendeshin në malësinë e Korçës, ka gjithsej 7 (pikërisht shtatë) dokumente që përmbajnë urdhëra dhe udhëzime të Shtabit të Përgjithshëm të firmuara bashkarisht nga Komisari i Shtabit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe Komandanti, Spiro Moisiu, ose vetëm nga Enver Hoxha. Këto janë dokumentet nga 92 në 105. Nga këto shtatë dokumente dy kanë të bëjnë me Abaz Kupin:
1) Dokumenti nr. 92, i datës 2 dhjetor 1943: «Pjesë nga letra dërguar komandës së çetës partizane të Matit mbi largimin e Abaz Kupit nga vija e Luftës Nacionalçlirimtare dhe mbi punën sqaruese politike me popullin»[xcvii]
2)Dokumenti nr. 93, i datës 3 dhjetor 1943: «Letër dërguar shokut Haxhi Lleshi lidhur me veprimet armiqësore të Abaz Kupit»[xcviii]
3)Dokumenti nr. 94, i datës 18 dhjetor 1943: «Letër dërguar komandës së Grupit të Elbasanit mbi organizimin e pushtetit ushtarak dhe të rrjetit informativ»[xcix]
4)Dokumenti nr. 95, i datës 19 dhjetor 1943: «Letër drejtuar komandës së Brigadës III Sulmuese mbi gjendjen e krijuar në Qarkun e Elbasanit gjatë operacionit armik të Dimrit 1943-1944 dhe mbi rrethimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH»[c]
5)Dokumenti nr. 96, pa datë, me shënimin dhjetor 1943, por që gjithsesi duhet të jetë pas 19 dhjetorit: «Kritikë drejtuar komandës së Grupit të Elbasanit për moszbatim urdhëri»[ci]
6)Dokumenti nr. 97, i dhjetorit 1943, pa datë fikse, por që i zakon periudhës pas 19 dhjetorit: «Letër mbi përgjegjësinë e Kadri Hoxhës për gjendjen ushtarake të krijuar në qarkun e Elbasanit gjatë operacionit armik të dimrit»[cii]
7)Dokumenti nr. 99, i datës 24 janar 1944: «Letër drejtuar Dali Ndreut mbi kritikën e veprimeve të Brigadës III në zonën Çermenikë-Shëngjergj gjatë operacionit armik në këtë zonë» [ciii]
Nga të shtatë këto akte vetëm një është urdhër për veprime luftarake, ai që i jepet Brigadës III për të kryer pastrimin nga «reaksionarët» të Çermenikës. Por, edhe ky urdhër krijon dyshime të mëdha për Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun, do ta tregoj më poshtë. Nga 14 aktet e Shtabit të Përgjithshëm të periudhës 1 dhjetor 1943-10 mars 1944, ai i datës 4 janar 1944 («Përshëndetje dërguar Brigadës V me rastin e formimit të saj»)[civ] është firmuar nga anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Haxhi Lleshi, i cili që në dhjetor 1944 gjendej në Korçë. Akti i datës 20 shkurt 1944 («Udhëzim dërguar komandës së Shtabit të Grupit të Beratit mbi ndihmën për formimin e Brigadës VII»),[cv]është firmuar po ashtu nga Haxhi Lleshi, që nga Korça.
Akti i datës 20 shkurt 1944 («Urdhër dërguar Shtabeve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare mbi taktikën ofensive për shkatërrimin e armikut dhe mbi disa masa organizative për forcimin e ushtrisë popullore»)[cvi]mban siglën «Shtabi i Përgjithshëm»dhe kuptohet që është hartuar dhe çuar nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të cilët qenë në malësinë e Korçës.
Për të gjetur një akt të Shtabit të Përgjithshëm të hartuar dhe firmuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu duhet shkuar në datën 10 mars 1944, me letrën që i adresohet Komandantit të Brigadës I, Mehmet Shehu, i cili falenderohet për misionin e vështirë që ndërmori kjo brigadë për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm që gjendej i rrethuar në Çermenikë («Pjesë nga letra dërguar shtabit të Brigadës I mbi veprimin e tri batalioneve gjatë marshimit në Veri»)[cvii]
Mungesa e urdhrave operacionale për forcat partizane, për të kryer një luftë partizane, nuk është një rastësi. Në këtë kohë çështja kryesore në mendjen e Enver Hoxhës nuk qe ajo e luftës kundër gjermanëve, por çështja politike se kujt do t’ i takonte pushteti pas lufte, si dhe likuidimi i atyre që e pengonin në këtë ndërmarrje. Enver Hoxha vazhdonte të qëndronte në këtë zonë të rrezikshme se kishte bërë marrëveshje me gjermanët dhe donte t’ i përdorte forcat kundër ballistëve e zogistëve. Ai vazhdonte të ishte përsëri i fiksuar për takimin me Abaz Kupin, të cilin donte ta veçonte nga ballistët. Në kujtimet e veta Enver Hoxha shkruan:
Bazi premtoi se do të vinte në Orenjë më 25 nëntor. E pritëm në datën e caktuar, por Abaz Kupi nuk u duk. Pasi s’ erdhi në datën që kishim caktuar dhe si i dërguam një ultimatum, ku paralajmëronim se do ta sulmonim si një armik e tradhëtar, Bazi u tremb dhe pranoi që më 7 dhjetor, në Shëngjergj, të paraqitej në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm. Kur arrita në Shëngjergj gjeta atje Ymerin e Sejfullain, të cilët kishin shkuar që në mbrëmjen e 6 dhjetorit dhe siç, më thanë, qenë takuar me Bazin dhe kishin rënë dakord që mbledhja të bëhej të nesërmen.[cviii]
Sipas këtyre që thotë Enver Hoxha këtu, ai ka shkuar në Shëngjergj në mëngjesin e 7 dhjetorit. Por, në librin «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë»Enver Hoxha jep edhe një version tjetër për këtë episod, duke precizuar dhe datën, në mënyrë jo shumë të zakonshme për të:
U ndava nga brigada e porsaformuar dhe bashkë me disa shokë shkova në shtëpinë e Ali Shtëpanit. Atje biseduam me shokët për çështjen e Abaz Kupit. Te ballisti Osman Mema kishte ardhur dhe ai me një suitë prej 100 vetash. Më 7 dhjetor u bë takimi me të. Ai nguli këmbë të njihnim Legalitetin dhe satrapin Zog si mbret.[cix]
Këtu del sikur Enver Hoxha ka shkuar në Shëngjergj në 28 nëntor 1943, ndërsa aty më lart ka thënë se ka shkuar në Shëngjergj në mëngjesin e 7 dhjetorit 1943. Ku ka qenë në të vërtetë Enver Hoxha në këtë periudhë? Çfarë fsheh ai? Mos ndoshta faktin që ka qenë brenda në Tiranë. Enver Hoxha këtu thotë disa rrena. E para, takimi nuk u bë në shtëpinë e Osman Memës, por në një shtëpi të zgjedhur nga vetë Enver Hoxha. Për këtë gjë hedh dritë Reshit Shtepani, që thotë:
Dy tri ditë para se të vinte Abaz Kupi në Shëngjergj, Tarasi i tha babait:
-Më në fund Bazi i Canës pranoi të vijë në mbledhje, se na e pruri në majë të hundës. Të drejtën për të zgjedhur shtëpinë se ku do të mblidhemi për të zhvilluar mbledhjen e kemi ne,- vazhdoi ai,- prandaj na thuaj dy a tre shtëpi që të jenë të përshtatshme.
Aliu e nuhati se duhej një vend i sigurt:
-Mendoj të caktosh shtëpinë e nipit tim, Abdiut që e kemi këtu pranë ose shtëpinë e dajës tim, Ismailit që e ka pranë mikut të tyre, Osman Memës, kryetar i ballistëve e i zogistëve në Shëngjergj. Mendoj se Abazi,- vazhdoi babai,- do të zgjedhë shtëpinë e dytë, se vendi është më i përshtatshëm për ata, pa për ne është njëlloj kudo që të jemi, te njerëzit tanë jemi.
-Shumë mirë,- u përgjigj aty për aty Tarasi.
Më 5 dhjetor 1943, Abaz Kupi njoftonte se do të vinte në Shëngjergj dhe pranonte gjithashtu që mbledhja të bëhej në shtëpinë e Ismailit.[cx]
Pra, ka qenë i zoti i shtëpisë ku rrinte Enver Hoxha në Shëngjergj, Ali Shtëpani, ai që e ka zgjedhur shtëpinë ku do të bëhej takimi, sipas kritereve të vëna nga Enver Hoxha. Dhe Ali Shtëpani ka zgjedhur shtëpinë e një të afërmit të vet. Kështu që nuk ka qenë Enver Hoxha ai që tregoi guxim duke shkuar në këtë shtëpi, por Abaz Kupi.
Vendosëm që në takim me të të shkoja unë me dy tre shokë. Pa marrë parasysh rreziqet shkuam dhe e takuam. Për t’ i treguar se ishim miq dhe s’ kishim pse të frikësoheshim prej tij, morëm me vete vetëm pesë-gjashtë shoqërues.[cxi]
Veç kësaj, kur Enver Hoxha thotë se Abaz Kupi erdhi me 100 vetë (Reshit Shtëpani i bën 150), ndërsa ai vetë, Enver Hoxha, qe me pesë-gjashtë vetë, nuk e thotë se ku shkoi Brigada II, që para një jave qe formuar në Shëngjergj. Reshit Shtepani shkruan:
Në Shëngjergj Abaz Kupi mbërriti në pasditen e 6 dhjetorit, një ditë para mbledhjes. Nga frika kishte marrë me vete 150 vetë. Vetë shkoi tek Osman Mema, ndërsa forcat i shpërndau në fshat… Të nesërmen diskutimet në mbledhje vazhduan 4-5 orë a më shumë. Babai dhe Ismaili i kishin marrë të gjitha masat që shokët të mos i trazonte askush.
Rreth orës 13ºº shokët u kthyen. Aliu, që gjatë mbledhjes shkonte e kontrollonte me dylbi, i priti te porta:
-E shoku Taras , si u ndatë?
-Ia dhamë duart Abaz agës,- foli Spiro Moisiu, ndërsa Tarasi tha:
Të na japësh si të mundësh ndonjë gjë për të ngrënë, se me atë e këputëm hesapin, e dëbuam, se mjaft u përpoq, u hodh e u përdrodh deri tani Bazi i Canës.[cxii]
Në Shëngjergj, në 7 dhjetor, Enver Hoxha dhe Abaz Kupi, ose më saktë, Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu (pasi Kupi qe leitnant i Ahmet Zogut) luajtën pjesën e fundit të lojës që kishin filluar që në Pezë, në shtator 1942, domethënë bënë tentativën e fundit për t’ ia hedhur njëri tjetrit, dhe për të arritur secili qëllimet e veta, duke përdorur tjetrin. Në takimin e Shëngjergjit, Abaz Kupi, duke reflektuar skepticizmin e Zogut ndaj komunistëve, i kërkoi Enver Hoxhës që Fronti ANÇ të njihte zyrtarisht Zogun si mbret, domethënë praktikisht ta njihte si kryetar dhe pas kësaj mund të kishte bashkëpunim. Këtë gjë komunistët nuk mund ta pranonin, kështu që takimi u mbyll pa asnjë rezultat, ose më saktë i vetmi rezultat qe zyrtarizimi i prishjes mes komunistëve e zogistëve. Abaz Kupi dhe vetë OKLL u deklaruan si tradhti, respektivisht tradhtar dhe organizatë tradhtare, në një rezolutë të Kryesisë së Këshillit ANÇ, të dalë nga një mbledhje e mbajtur në Shëngjergj, po atë ditë në 7 dhjetor 1943. Kjo qe hera e parë që komunistët i sulmonin publikisht dhe zyrtarisht Ahmet Zogun dhe zogistët. Enver Hoxha shkruan:
Menjëherë bëmë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë, e përjashtuam nga radhët e saj dhe po atë ditë hartuam rezolucionin ku njoftonim për takimin me Abaz Kupin, për përpjekjet që ta bindnim atë të bënte kthesë dhe, më në fund, për nevojën e demaskimit të tij në popull.[cxiii]
Por as pas kësaj Enver Hoxha nuk mund të mendonte për të kaluar në Jug, derisa gjenerali Davies vazhdonte të rrinte pranë Tiranës. Enver Hoxha në kujtimet e veta pretendon se:
Fill mbas takimit me Kupin, në skenë doli gjeneral Deivisi…
-Zoti Hoxha- m’ u drejtua përsëri gjenerali,-do t’ ju lutesha të influenconit në Këshill që ai të shtyjë afatin e pritjes së qëndrimeve të Kupit, sepse do të bisedoj unë përsëri me të.
-Kemi pritur boll,-ia preva shkurt.-Prej kohësh ai ka shtruar si çështje të ditës jo çlirimin, por regjimin. Kjo punë ka marrë fund tani. Vendimi është marrë.[cxiv]
Por në kujtimet e Gjeneralit Davies nuk del asgjë e tillë. Megjithatë qëndrimi i gjeneralit praën Tiranës qe për Enver Hoxhën arsye e mjaftueshme që edhe ky i fundit të rrinte ende në atë zonë për të parë se çfarë kombinacionesh do të kishte midis aleatëve perëndimorë, ballistëve dhe zogistëve. Edhe pse situata e krijuar nga manovrat rrethuese të forcave gjermane qe bërë kritike dhe rreziku po shkallëzohej shumë kërcënueshëm, në prag të msymjes së pritshme gjermane, Enver Hoxha dhe të vetët nuk largohen me urgjencë nga Shëngjergji drejt Jugut. Reshit Shtepani kujton:
Tarasi vendosi të qendronte edhe një natë në Shëngjergj… Atë natë u bënë shumë biseda dhe u kënduan këngë partizane si të qe kor i përgatitur. Kishte shumë lezet… Të nesërmen shokët u ngritën vonë. Pasi hëngrëm mëngjesin e pimë edhe kafenë, dolëm te sheshi i manit. Aty u organizua qitje me pistoletë dhe me pushkë…Pastaj Tarasi u bëri disa poza me aparatin e tij fotografik përveç disave që kishte bërë ditë më parë me fëmijët. Meqë dëshironte të dilte edhe vetë me ta, më mësoi ta mbaja e ta shkrepja unë aparatin. Në pasditen e 8 dhjetorit ata u larguan. U ndamë me dorë në qafë. I përcolla gjer te Qafa e Shpellëzës.[cxv]
Pra, Enver Hoxha dhe të vetët e marrin shumë ngadalë, rrijnë në Shëngjergj dhe një natë pas takimit, bëjnë një karaoke nate, pastaj çohen vonë nga gjumi, bëjnë qitje (në vend që fishekët t’ i harxhojnë kundër gjermanëve i harxhojnë kundër teneqeve tek mani i Shëngjergjit), bëjnë edhe fotografi dhe vetëm pasdite largohen nga fshati. Kjo shkujdesje duket e çuditshme në atë situatë dhe nuk mund të shpjegohej përveçse me garancinë e gjermanëve. Vetëm pas 7 dhjetorit u mori vendimi për të kapërcyer Shkumbinin, gjë të cilën Gjenerali Davies e kishte kërkuar që në 28 nëntor. Historiografia komuniste shkruan:
Shtabi i Përgjithshëm, kur pa se gjermanët po grumbullonin forca të mëdha, armatosnin me shpejtësi reaksionarët ballistë nga qenë e nga s’ qenë dhe po krijonin kështu një unazë rreth e qark zonës Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh, mori vendim të largohej nga kjo zonë e të kalonte në zonat e Shqipërisë së Jugut. Ky vendim u mor pas mbledhjes që u bë në Shëngjergj, më 7 dhjetor, për përjashtimin e Abaz Kupit nga Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe për demaskimin e Legalitetit si organizatë tradhëtare.[cxvi]
Por, kjo situatë kurthi qe bërë e qartë së paku që në 20 nëntor 1943, pra 17 ditë para takimit me Abaz Kupin, gjë që del nga vetë dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm partizan. Kjo nuk ka shpjegim tjetër vec atij se Enver Hoxha kishte një garanci nga gjermanët. Nga ana e tij Enver Hoxhës shkruan:
Kështu, para se të fillonin shirat e mëdha dhe bora, duhej të kishim kaluar Shkumbinin dhe, duke goditur forcat gjermane në rrugën e Librazhdit, të kalonim me kolona Polisin, Shpatin, krahinat në jug të Librazhdit e pastaj të dilnim në Opar e prej andej në Voskopojë etj. Caktuam kohën e nisjes. Lajmërova Brigadën III të fillonte marshimin dhe të ndodhej në Labinotin e Poshtëm ditën që i kisha caktuar. Urdhërova batalionet e Dumresë e të Çermenikës të ishin në gatishmëri për natën kur kur do të bëhej kalimi i forcave në Shkumbin. Njoftova edhe gjeneralin anglez dhe shtabin e tij që, po të donin, të vinin tok me shtabin tonë në qarkun e Korçës. Ai ishte hedhur përpjetë nga gëzimi i këtij propozimi dhe më ktheu përgjigje se do të ishte gati sapo ta lajmëroja unë.[cxvii]
E vërteta ishte se, pas javës së parë të dhjetorit, rrallë ndodhte që të mos fillonin shirat e mëdha në Luginën e Shkumbinit, si dhe bora në malësitë nga ku do të kalonin ata, pasi të kapërcenin Shkumbinin. Në këto kushte vonesa ishte absurde. E megjithatë Enver hoxha në vend që të veprojë shpjet bën lëvizje të çuditshme. Ai shkruan:
Nga Shëngjergji u hodha në Labinot dhe prej andej në kasollet e Shmilit. Atje vendosëm të kalonim në rajonin e Korçës tok me Brigadën III.[cxviii]
Shmili është në veri të Labinotit dhe kjo do të thotë se Enver Hoxha po i largohej më tepër Shkumbinit, duke mbetur afër Bizës, e cila e tërhiqte si një pol manjetik politik. Enver Hoxha nuk vendoste që të largohej nga zona përtej Shkumbinit, afër Tiranës, për shkak se dyshonte ende se mund të ndodhte një zbarkim i befasishëm aleat, pas të cilit Enver Hoxha mund të mbetej jashtë lojës për pushtetin. Historiografia komuniste e përshkruan tentativën e Enver Hoxhës për të kapërcyer Shkumbinin si një plan të madh ushtarak:
Shtabi i Përgjithshëm që ndiqte me vëmendje të madhe rrjedhën e ngjarjeve, e vlerësoi në kohë gjendjen kërcënuese që po krijohej dhe vendosi, që me Brigadat II dhe III të ndërmerrej një manovër dhe kundërveprim i fuqishëm për të shkatërruar rrethimin operativ të armikut, kurse vetë Shtabi i Përgjithshëm të dilte nga kjo zonë e të vendosej në qarkun e Korçës. Për realizimin e kësaj manovre Brigada III mori urdhër të çante rrugën dhe të siguronte kalimin e Shtabit të Përgjithshëm në jug të Shkumbinit. Brigada pasi të dilte nga unaza e rrethimit në rajonin e Mirakës (15 km në verilindje të Elbasanit), do të sulmonte e do të shpartallonte ballistët në Polis dhe do të zotëronte atë rajon në gatishmëri për të vepruar në kushte të përshtatshme në shpinë të trupave vepruese gjermane, e për të kaluar bashkë me Shtabin e Përgjithshëm në rajonin e Korçës. Njëkohësisht Brigadës së Dytë iu ngarkua detyra të rrethonte e të shkatërronte forcat reaksionare në Çermenikën e Vogël duke përmirësuar kështu kushtet e manovrimit përballë forcave vepruese gjermane.[cxix]
Enver Hoxha, edhe në këtë rast vepron krejt në kundërshtim me praktikat e luftës partizane. Ai nuk e njofton Brigadën III para takimit me Kupin, që të gjendej në Labinot që në 8 ose 9 dhjetor, në mënyrë që Enver Hoxha të bashkohej me të atje dhe të niseshin së bashku për në në Jug, por e njofton pas përfundimit të takimit me Kupin dhe ve në lëvizje gjithë ato forca të tjera partizane për të shkuar pranë vendit ku Enver Hoxha dhe të vetët do të kapërcenin Shkumbinin. Ky përqendrim forcash sigurisht që duhej të zgjonte dyshime tek gjermanët dhe do t’ i bënte ata që të përqëndronin forca në anën tjetër të Shkumbinit për t’ u bllokuar kalimin drejt Jugut, çka edhe ndodhi. Më e thjeshtë dhe efikase do të kishte qenë që Enver Hoxha me një ose dy batalione të Brigadës III të nisej për të kapërcyer Shkumbinin dhe të shkonte në Jug. Pse Enver Hoxha u vonua plot pesë ditë, nga 7 dhjetori në 12 dhjetor? Ndryshe nga ç’ thotë Enver Hoxha, nuk u vonua Brigada III, por qe Enver Hoxha ai që e vonoi brigadën dhe më në fund nuk deshi të lëvizte së bashku me të, duke e çuar para si mish për top. Ai pati frikë të lëvizte së bashku me brigadën. Historiografia shqiptare e kohës së komunizmit shkruan:
Shokët e udhëheqjes së Partisë, të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm e të Këshillit të Përgjithshëm orvatjen e parë për të dalë nga zona e bllokuar Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh e bënë më 12 dhjetor 1943.[cxx]
Pra, pesë ditë pas takimit me Kupin në Shëngjergj, kur nga Shëngjergji në breg të Shkumbinit mund të shkohet shpejt me automjet, nëpër rrugën që partizanët e kishin ende nën kontroll sipas porosisë së Enver Hoxhës që e kam cituar më lart në këtë libër! Por mund të shkohet edhe me kuaj brenda një dite. Gjenerali Davies shkruan për këtë ngjarje:
Mu drejtua Enveri: «Mendojmë se tashmë situata është kritike Gjeneral, gjermanët e kanë rrethuar zonën ku ndodhemi dhe kanë vendosur një çmim shumë të lartë për kokat tona. Prania e Misionit të Shtabit Aleat dhe e Këshillit LNÇ është një karrem i madh, dhe tradhtarët me siguri do të na heqin qafe. Kemi vendosur të kalojmë në jug, jeni dakord? Më vonë do t’ u flasim për hollësitë e lëvizjes, por po të dëshironi lëvizni paraprakisht për në Orenjë se do të vijmë t’ ju lajmërojmë shpejt. Vështirësia më e madhe është kapërcimi i rrugës kryesore dhe i lumit Shkumbin; sapo të kalojmë këtë pengesa do të shpëtojmë, fshatrat dashamirëse do të na japin ushqim, dhe në varësi të motit do të zbresim në Jug».
Unë e pyeta se si do të kalonim matanë, meqë sipas thënieve të tij, forca të shumta e kishin rrethuar Çermenikën.
Enveri u përgjigj: «Kadri Hoxha do t’ u tërheqë vëmendjen gjermanëve duke sulmuar fshatrat e Ballit në lindje, Balli do të kërkojë ndihmë, dhe pasi gjermanët do t’ u përgjigjen, ne do të kalojmë rrugën dhe lumen. Do të jemi të mbrojtur nga të dy krahët me forcat tona, që do të bllokojnë rrugën për të vonuar patrullat dhe përforcimet e gjermanëve. Një nga brigadat do të formojë një kryeurë nga ana tjetër e lumit, që pasi të vrasin rojet, do të kalojnë në afërsi të urës. Ne do të kalojmë nga vau duke marrë me vete kuajt dhe mushkat bashkë me gjithë pajimet. Mos merrni ushqime me vete se do t’ ua sigurojmë ne».[cxxi]
Plani i Enver Hoxhës qartësisht tradhton paramendimin për t’ i braktisur në fatin e tyre forcat partizane që do të bënin manovrën për të mbuluar kalimin e Shkumbinit nga ana e Enver Hoxhës dhe të rrethit të vet të ngushtë. Forcat partizane që do të mbulonin kalimin e Enver Hoxhës qenë të destinuara të binin në kurth kur gjermanët të ngushtonin rrethimin. Kur Enver Hoxha i propozon Gjeneralit Davies të shkojë me të, ai e bën këtë se qartësisht preokupohet se mos Gjenerali Davies me shtabin e vet, për t’ u mbrojtur nga gjermanët, shkon në zonën e kontrolluar nga Abaz Kupi. Prandaj Enver Hoxha kërkon ta tërheqë atë me vete në jug. Gjenerali Davies parapëlqente të shkojë në Jug, se atje mund të vendosë kontakt me qendrën e vet, nëpërmjet bazave të misioneve që kishin aleatët në bregdetin shqiptar, siç e kam cituar më lart atë vetë. Por Gjenerali Davies, si ushtarak është skeptik për planin e Enver Hoxhës:
Unë shfaqa mendimin se do të ishte më mirë sikur të udhëtonim me pajime të lehta, pa kafshë, dhe të ishim sa më pak vetë. Ata thanë se kjo nuk ishte e domosdoshme.[cxxii]
Këshilla e Gjeneralit Davies ishte e arsyeshme për kushtet e luftës partizane, por Enver Hoxha nuk e merr parasysh këtë këshillë se ai nuk mendonte si partizan, por si një shtetar i ardhshëm, i cili ndihej i sigurt kur kishte sa më tepër trupa që e mbronin përreth. Gjithashtu, Enver Hoxha nuk mund të pranonte të ecte në këmbë, por mbi kalë, siç paraqiteshin bejlerët- komandantë ballistë, në filmat e realizmit socialist, në kohën kur Enver Hoxha erdhi në pushtet. Enver Hoxha, me një sedër mendjelehtë, refuzoi ofertën e Gjeneralit Davies për ndihmë profesioniste ushtarake për kapërcimin e lumit:
Unë i lashë në dispozicion stafin tim që t’ i ndihmonte për rikonjicionin e lumit dhe për të planifikuar detajet e operacionit. Ata më falenderuan por s’ e pranuan ndihmën time. «Ne kemi shumë oficerë që kanë luftuar në Spanjë, që janë kalitur për çdo operacion ushtarak. Ata se kanë për gjë të kalojnë një lumë».
Duhet ta mendonim se kishte diçka që s’ shkonte- më pas u pendova që nuk ngula këmbë që Nikollsi t’ ua kontrollonte stafin e punës dhe Çizshajëri të kryente një rikonjicion nga lumi disa netë rresht përpara se ta kapërcenim.[cxxiii]
Ata që Enver Hoxha i quante oficerë që kishin qenë në Luftën e Spanjës, në fakt qenë amatorë, të cilët ishin bërë oficerë, dhe që në rastin më të mirë kishin mbaruar ndonjë shkollë ushtarake fillestare, siç qe shkolla e plotësimit në kohën e monarkisë, në Shqipëri. Gjenerali Davies bëri një gabim fatal që nuk insistoi për të dhënë asistencë. Historiografia komuniste e përshkruan kështu fillimin e orvatjes për kalimin e Shkumbinit:
Natën e 11-12 dhjetorit xhadenë dhe Shkumbinin e kapërceu, pa asnjë pengesë, vetëm një batalion i Brigadës III. Mirëpo duke përparuar më tutje në Polis ai ra në kurth…Batalioni ishte ndarë grupe-grupe.Kur u err, një pjesë, me gjithë vështirësitë, mundi të kapërcente Shkumbinin me not ose në vah nga jugu në veri.[cxxiv]
Kjo bëri që të humbej befasia, se kapërcimi i lumit nga një masë kaq e madhe partizanësh dhe stacionimi i tyre në breg të lumit, për të pritur të tjerët, do të tërhiqte vëmendjen e gjermanëve dhe të ballistëve dhe do t’ u jepte atyre mundësi që ta rrethonin batalionin, me shpinë nga lumi. Enver Hoxha i merrte këto masa se kishte frikë nga ballistët, jo nga gjermanët. Por doli se ai do të kishte të bënte dhe me këta të fundit. Sigurisht që një përqëndrim kaq i madh forcash partizane në këtë zonë prej disa ditësh, me synimin e qartë për të kapërcyer Shkumbinin do të shkaktonte reagimin e gjermanëve dhe të ballistëve, të cilët do të përgatisnin prita për ta në anën tjetër të lumit, çka edhe ndodhi. Enver Hoxha, tashmë po provonte «besën e nazistëve», gjë për të cilën e qorton Titon. Tashmë që situate nuk ishte e pafavorshme, gjermanët i dhanë të kuptonte Enver Hoxhës, se garancia vlente vetëm për atë personalisht dhe për rrethin e vet të ngushtë, por jo për forcat e mëdha partizane që ai mbante me vete, madje edhe këtë garanci ai duhet ta fitonte duke u dorëzuar gjermanëve gjeneralin britanik dhe shtabin e tij. Pasi batalioni e kapërceu Shkumbinin dhe priste në bregun tjetër, derisa ra në luftim, Enver Hoxha, si një komedian i vërtetë zbriti në breg të lumit dhe deklaroi se ai nuk mund të kapërcehej. Enver Hoxha, në lidhje me këtë episod shkruan:
Pasi u bënë të gjitha përgatitjet ishim gati të kalonim lumin në va, sepse urën e Haxhi Beqarit, siç kam shkruar, na e kishte hedhur në erë një oficer i misionit anglez. Dërguam disa shokë për të kontrolluar vaun. Ishte në rregull. Kapërcimi do të bëhej me shpejtësi natën. Zbritëm në orën e caktuar, por pa dalë akoma mirë në rrugë, korrierët e pararojës erdhën e na lajmëruan se Shkumbini kishte dalë. Shkova vetë te vau dhe e pashë se nuk mund të kapërcehej. U rikthyem në bazë. Aty do të qëndronim derisa të siguronim të dhëna dhe të gjenim mundësinë e nisjes, nga dhe si.[cxxv]
Që lumi fryhej në dhjetor nga rreshjet, kjo ishte gjë duhej pritur dhe llogaritur. Megjithatë fakti që atë natë lumin e kishte kaluar një batalion, i cili do ta kapërcente edhe një herë në kthim atë mbrëmje, siç citova më lart të dhënat që jep historiografia komuniste, do të thoshte se lumi mund të kalohej. Sa për urën, ajo qe hedhur në erë që në shtator dhe jo në dhjetor, që të shihej si një prishje e planit për të kapërcyer lumin. Pastaj, Enver Hoxha këtu nuk e shpjegon se përse gjermanët, edhe sikur kjo urë mos të qe hedhur në erë, nuk do ta ruanin atë. Aq më tepër kur në kushtet e Operacionit të Dimrit fitonte një rëndësi shumë të madhe strategjike për ta, pasi forcat partizane, të thyera në veri të Shkumbinit, nëpërmjet saj do të tentonin të kalonin në jug? Enver Hoxha shkruan se veç kësaj ure ishte edhe një tjetër, në të cilën nuk mund të kalonin se:
Kishin ardhur informata. Nga Ura e Murrashit ishte e pamundur të kalohej, sepse e ruante armiku.[cxxvi]
Por, a nuk do ta ruanin gjermanët edhe Urën e Haxhi Beqarit sikur mos të qe hedhur në erë nga David Smiley, ashtu sikur bënin me urat e tjera? Përshkrimi që i bën Gjenerali Davies orvatjes për kalimin e lumit, na tregon se veprimet e Enver Hoxhës qenë dominuar nga natyra e tij e pashmangshme prej komediani:
Ndalëm katërqind metra nga rruga Elbasan-Strugë, ndërsa Këshilli bisedoi me shoqëruesin që do të na drejtonte te vau. Dëgjohej rrjedha e shtruar e lumit Shkumbin, dhe vorbullat në anën tjetër të rrugës. Udhërrëfyesi tha se batalioni pararojë e kishte kaluar lumin pranë urës dhe kishte krijuar një kryeurë për të mbrojtur vaun. Rruga u bllokua në dy krahët nga batalioni i dytë. Fshatrat e Ballit në lindje ishin sulmuar një orë më parë, po zhvilloheshin luftime të rrepta pasi batalioni gjerman i zonës kishte shkuar për të ndihmuar Ballin. Deri këtuy plani po shkonte për mrekulli. Era na e kishte tharë djersën në trup dhe po dridheshim duke pritur. Pritja u bë e padurueshme. Duhej shumë kohë derisa të kaloja lumin me gjithë kafshët e barrës dhe të ikja sa më larg matanë që të mos na arrinin. Patrullat gjermane të rrugës me siguri do t’ i sulmonin pa humbur kohë krahët mbrojtës.
Zbrita drejt e në rrugë me Enverin për të parë se ç’ po ndodhte. I raportuan se udhërrëfyesi nuk po e gjente vaun. Në sipërfaqe lart dëbora ishte shkrirë ndërsa lumi ishte fryrë- prandaj ne dëgjonim zhurmën e lumit. Enveri u nxi nga inati dhe e stërpyeti udhërrëfyesin, i cili pohonte se megjithëse ai kishte banuar gjithë jetën pranë lumit s’ i kishte qëlluar ta kaptonte, por ai e dinte se fshatarët e kalonin në verë. Ishte e qartë se vau nuk ishte gjendur. Rrjedha e lumit ishte shumë e shpejtë, e rrëmbyeshme, por edhe sikur të gjendej ndonjë va asnjë burrë apo kalë s’ do të hidhte një hap aty. Ai e kontrolloi bregun për të parë thellësinë e ujit. U duk sikur u gjet një breg nga mund të kalohej- uji dukej i cekët. Një kalorës me kalin u futën për provë në ujë dhe u përlanë menjëherë nga rryma dhe për fat dolën njëqind këmbë poshtë rrjedhës. Nuk e zgjatëm dhe hoqëm dorë, për t’ u kthyer në Labinot.
Nisëm të ktheheshim në orën 3 të mëngjesit, dhe vetëm pas tri orësh natë do të dukeshim nga rruga. Me sulmin e Kadri Hoxhës mbi fshatrat e Ballit, befasia nuk ecte më dhe patrullat do të shihnin gjurmët tona poshtë lumit dhe do ta kuptonin se ishim përpjekur pa sukses të kalonim dhe ishim detyruar të ktheheshim në Çermenikë. Batalioni që formoi kryeurën, ishte lënë në baltë, sikundër krahët mbrojtës.[cxxvii]
Enver Hoxha e shndërron gjithçka në një komedi. Forcat partizane vihen në lëvizje për të zbatuar manovrën e befasishme, angazhohen në luftime, dhe kur në këto momente Enver Hoxha me të vetët shkojnë në breg të lumit, del se udhërrëfyesi që kanë zgjedhur nuk e ka kaluar kurrë lumin në va, por ka parë të tjerët të kalojnë. Enver Hoxha nuk ishte kujdesur ta gjente vaun dhe të provonte me disa njerëz kalimin e lumit atje. Kjo është një tjetër provë se Enver Hoxha nuk sillej si komandant partizan, por si politikan që po përdorte luftën partizane për të ardhur në pushtet. Tashmë Enver Hoxha dhe të vetët gjendeshin plotësisht në kurth, të privuar edhe nga mbështetja e forcave partizane që u ngarkuan të bëjnë manovrën, të cilat duheshin konsideruar të humbura. Si një komedian i vërtetë, Enver Hoxha për këtë dështim të vetin fajëson britanikët. Gjenerali Davies kujton:
Kur morëm të përpjetën Enveri ia hodhi fajin Misionit Britanik për këtë dështim.
«Po të mos e hidhte në erë kapiten Smajli urën në korrik ne do të kalonim nëpër të bashkë me kuaj dhe mushka dhe do të ishim larguar nga ana tjetër,- tha ai».
«Por Enver,- ia ktheva,- nëse do të veproje siç të këshillova, duke udhëtuar pa ngarkesë, pa kafshë, ne prapë do ta kalonim urën. Kapiten Smajli kishte shumë të drejtë që e hodhi në erë, sepse atje qarkullonin patrullat. Gjithashtu unë të ofrova oficerët e mi të shtabit për të ndihmuar në organizimin e kalimit dhe ti s’ e pranove ndihmën e tyre. Ata do ta kishin zbuluar disa netë përpara se kalimi të bëhej i pamundur dhe nuk do t’ i besonim fjalëve të kota të një fshatari të marrë».[cxxviii]
Gjenerali Davies dukej se nuk e kuptonte që Enver Hoxha dukej se nuk kishte qenë i preokupuar për ardhjen e gjermanëve, së paku jo deri në atë ditë. Tashmë ishte e qartë se Shkumbini nuk mund të kapërcehej, për më tepër me forca të mëdha, siç donte Enver Hoxha. Historiografia e kohës së komunizmit, pohon se forcat partizane, pas orvatjes së dështuar për kapërcimin e Shkumbinit, u shpërndanë në zonë, të çorientuara:
Batalionet e tjera të brigadës s’ e kaluan dot xhadenë dhe lumin Shkumbin për arsye të masave gjysmake që kishte marrë komanda e njësisë, dhe tani këto batalione gjendeshin larg në Labinot-Mal.[cxxix]
Kjo sigurisht që duhej pritur. Tashmë qe humbur befasia, elementi kryesor i luftës partizane. Në ndërkohë që tentonte të kalonte pa sukses Shkumbinin, Enver Hoxha e pati futur Brigadën III në një aventurë të rrezikshme dhe të kotë:
Po natën e 11-12 dhjetorit tri batalionet e Brigadës II lëvizën në tri kolona nga Guri i Muzhaqit (Çermenikë e Sipërme) drejt jugut e jugëlindjes për të spastruar Çermenikën e Vogël nga bandat e Ballit Kombëtar. Të dhënat që kishte për gjendjen dolën të gabuara. Në vend që ta përdornin befasinë partizanët, që kishin nismën e veprimeve, e përdorën reaksionarët. Në fshatrat Zdrajsh, Përvall, Zgozhd dhe në Dorëz Rrapun, ku s’ mendohej se do të hasej ndonjë qëndresë, partizanët u gjendën nën goditjen e forcave të mëdha balliste. Nuk vonoi të vinte në ndihmë të tradhëtarëve dhe batalioni gjerman i përqëndruar në Librazhd. Brigada kishte rënë gati në rrethim. Ajo mundi të tërhiqej me luftime në rajonin e Shëngjergjit.[cxxx]
Ç’ kuptim kishte që kjo brigadë e re dhe e papërgatitur të çohej për të kryer një aksion luftarak në një zonë të vështirë malore dhe të mbuluar me borë, ku «reaksioni», siç quheshin forcat antikomuniste në terminologjinë komuniste qe shumë i fortë, sipas vetë atyre që ka thënë Enver Hoxha kur e kam cituar më lart? Kjo bëhej me qëllim që Enver Hoxha mos të qe i rrezikuar nga ana e lindjes kur të qe duke medituar në breg të «Rubikonit» të vet, Shkumbinit, të cilin nuk vendoste ta kalonte me shpejtësi, së bashku me brigadën, sipas manualit të luftës partizane. Historiografia e kohës së komunizmit pranon:
Kështu plani i Shtabit të Përgjithshëm për të shpërthyer rrethimin operativ të armikut dhe për të dalë nga zona e rrezikshme, përpara se gjermanët të fillonin operacionin, nuk u zbatua. Kjo u jepte mundësi forcave gjermane e tradhëtare të hidheshin në mësymje në mënyrë të befasishme e në kushte shumë të rënda për njësitë e repartet partizane.[cxxxi]
Pra, Enver Hoxha dhe të vetët tashmë patën rënë në kurth. Në kujtimet e veta, Enver Hoxha fajson për dështimin e manovrës për kapërcimin e Shkumbinit komandantin e Brigadës III, Hulusi Spahiun dhe komandantin e Shtabit të Grupit partizan të Elbasanit, Kadri Hoxhën:
Nisja në datën e caktuar u pengua për shkak të komandantit të Brigadës së 3-të, Hulusi Spahiut, që e tregoi se ishte një aventurier, i cili më vonë, pas Çlirimit, mbaroi si agjent i jugosllavëve dhe u dënua me burgim. Komanda e Brigadës së 3-të s’ kishte marrë asnjë masë organizimi, brigade u vonua, e zuri në rrugë një furtunë e madhe, konspiracioni nuk u ruajt dh era në ndeshje edhe me gjermanët, kështu që kur mbërriti në vendin e caktuar ishte hallakatur… Kalimi ynë dështoi edhe sepse informatat që na dha komandanti i Shtabit të Grupit të Elbasanit ishin krejt të gabuara. Ai kishte neglizhuar rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje, qëndronte në Orenjë plot indiferentizëm, bënte llogje me Beg Ballën e me anglezët, ndërsa armiku vepronte e bënte kërdinë.[cxxxii]
Por, cilat qenë këto informata të gabuara. Enver Hoxha nuk i përmendi kurrë. Dhe ky Hulusi Spahiu, që këtu kritikohet kaq ashpër, qe një ish-luftëtar i Brigadave internacionale në Spanjë, i cili paradoksalisht pak muaj më pas, në maj 1944 do të gradohej kolonel, ndërsa pas luftës do të arrinte deri në gradën gjeneralmajor, duke marrë detyra të rëndësishme, si Komandant i përgjithshëm i artilerisë dhe Komandant i përgjithshëm i Mbrojtjes Bregdetare, për t’ u goditur më pas, duke u dënuar me burg dhe me internim. Në rast se Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu donin vërtet një repart partizan të aftë për t’ i kaluar në jug të Shkumbinit, atëhere ata nuk duhet që t’ ia besonin këtë mision një brigade fiktive, siç qe Brigada III, apo edhe Brigada II. Në dhjetor 1943, me fillimin e Operacionit të Dimrit në zonën Shëngjergj-Çermenikë-Labinot Brigada II dhe ajo III u shpërbënë dhe mbeturinat e tyre kaluan në Shqipërinë e Jugut, ku këto dy brigade praktikisht u rikrijuan. Historiografia komuniste thotë:
6 maj 1944-Brigada II riorganizohet në Panarit, Korçë.[cxxxiii]
Në po këtë libër shkruhet:
5 qershor 1944- Përmet. Në Frashër u bë plotësimi dhe riorganizimi i Brigadës III.[cxxxiv]
Pra, këto brigada kanë mundur të rikrijohen vetëm pesë-gjashtë muaj pas shpërndarjes së tyre dhe vetëm pesë-gjashtë muaj para përfundimit të luftës. Midis 12 dhjetorit, kur dështoi kalimi në jug dhe 19 dhjetorit kur filloi operacioni gjerman, Enver Hoxha dhe të vetët vazhdojnë të qendrojnë si në kurth, në Shmil, duke pritur fatin e tyre, ndërsa operacioni gjerman bëhej gati të fillonte. Enver Hoxha, në vend që të riorganizojë forcat partizane për të tentuar një kalim të ri, pas 12 dhjetorit, nëpërmjet zonës Çermenikë-Mokër, ku Shkumbini ngushtohej shumë për shkak se atje pranë qe burimi i tij, itinerari të cilin e ndoqi dhe Mehmnet Shehu me tri batalionet e Brigadës I, kur marshoi në shkurt, në ndihmë të Enver Hoxhës, vazhdonte që të ankohej për dështimin e 12 dhjetorit dhe të tentonte përsëri kalimin e lumit në va pranë Labinotit, ku tashmë kjo qe krejt e pamundur. Në 19 dhjetor 1943, ditën e fillimit të operacionit gjerman, Enver Hoxha i shkruan komandës së Brigadës III:
Çështja e daljes sonë nga kjo zonë është bërë një histori e ditës. Kemi gati 20 ditë që po e pregatitim këtë dalje dhe, po të rrimë e të mendojmë pakëz se në ç’ rezultate kemi arritur, do të shohim se jo vetëm që s’ kemi bërë asnjë çap përpara, por përkundrazi dita-ditës çdo tentativë jona po kompromentohet. Mendimi ynë është se shkaku i gjithë kësaj çështjeje është mungesa e informatave, por jo vetëm mungesa e tyre, por edhe natyra e gabuar e tyre. Deri tani asnjë informatë të sigurtë nuk kemi, përkundrazi që të tëra janë alarmuese e disfatiste, informata të kolonës së pestë. Organizata e terrenit është e para përgjegjëse, por pas saj vjen edhe komanda e shtabit të Brigadës III…Tani, informatat për daljen tonë janë në vendin që kanë qenë këtu e 20 ditë dhe dita-ditës ne mendojmë që dalja do të bëhet shumë e vështirë. Reaksioni dhe armiku do të na godasin më parë se ne të kemi parë realitetin.
Për këtë arsye ikja jonë duhet të bëhet patjetër. Ose duhet të dalim nga Shkumbini ose duhet të kalojmë në Martanesh; ndërkohë Brigada III ose brigada të tjera të godasin. S’ mund të pritet më me duarlidhur. Nuk dihet se ç’ jeni duke bërë ju aty dhe ç’ po pritni. Duhet të studjoni mundësinë e daljes, të paktën të një batalioni tok me ne, pa kuaj dhe pa asgjë dhe të marrin rrugën e Shpatit andej nga kaloi A. dhe T. Por pregatitja e këtij kalimi të mos marrë ndonjë muaj kohë, sepses a kohë humbet është në dëmin tonë. Aspak të mos merret parasysh se brigada shpërndahet, një batalion mbetet këtej, një andej nga Shpati dhe tjetri hala i paorganizuar. Do të lëmë një vend, ku mund të piqen e të grumbullohen.[cxxxv]
Këtu, Enver Hoxha zbulon të vërtetën e Brigadës III, e cila sipas vetë fjalëve të tij kishte në atë kohë vetëm dy batalione, ndërsa batalioni III qe ende i paorganizuar. Dhe kësaj brigade fiktive Enver Hoxha ia ngarkonte këtë detyrë kaq të vështirë! Ndërsa në një letër që i shkruan Shtabit të Grupit të Elbasanit, në dhjetor 1943 (letra nuk ka datë, por edhe nga radhitja e dokumenteve në libër kuptohet se është shkruar pas 19 dhjetorit 1943), Enver Hoxha thotë:
Largimi ynë dështoi për të vetmen arsye sepse informatat që na dhatë ishin krejt të gabuara. Ju s’ u kishit vënë rëndësinë e duhur ndërmarrjes dhe aksioneve që kishim ndërmend të bënim. Kjo neglizhencë ngjau në të dyja anët: si nga ana e Librazhdit (ku vepronte Brigada II- K.M.), ashtu edhe nga ana e Brigadës III. Kudo informatat tuaja ishin shkaku i mossuksesit dhe i humbjeve tona.[cxxxvi]
Më tutje, në këtë letër, Enver Hoxha, në gjendje histerike, i shkruan Kadri Hoxhës, duke zbuluar dhe të vërtetën e atij që quhej Grupi partizan i Elbasanit, si dhe arsyet për të cilat ai nuk mund të kryente detyrën herkuliane që i pati ngarkuar Enver Hoxha:
Ti mund të ngresh duart në qiell, ti mund të bërtasësh dhe të thuash: «Çfarë të bëj unë me një battalion prej 40 vetash»; ti mund të thuash: «Po i bien legenit më të kotë», por unë po të them se ti s’ e bën detyrën si duhet, ose s’ di ta bësh detyrën, ose detyra që të është ngarkuar s’ është për ty, se është shumë e vështirë.[cxxxvii]
Enver Hoxha këtu bëhet qesharak, se, derisa ai vetë e pranon se forcat partizane në Çermenikë qenë praktikisht inekzistente, nuk kishte kuptim që ai të kërkonte prej tyre që të përmbushnin misione kaq të mëdha. Pastaj, çfarë informatash të gabuara të Kadri Hoxhës e penguan Enver Hoxhën të kapërcente Shkumbinin? Pse nuk i bën të ditura? Në rast se Enver Hoxha donte të kapërcente Shkumbinin, nuk kishte pse të rrinte e të priste informacione për gjëra që nuk i zbulon nga Kadri Hoxha por mjaftonte të merrte një brigadë dhe t’ i hynte kësaj sfide me vendosmëri. Enver Hoxha, me të gjitha këto akuza që shpërndan majtas e djathtas kërkon të fshehë frikën dhe panikun që e pati kapur dhe që nuk e linte të vepronte burrërisht siç bëri Mehmet Shehu dy muaj më pas, duke marrë brigadën dhe duke kaluar në veri të Shkumbinit. Duke mbajtur forca të mëdha partizane të përqëndruara në këtë zonë dhe duke hezituar të përballojë rreziqet e kapërcimit të Shkumbinit dhe të kalimit në Jug, Enver Hoxha po i bënte këto forca, të cilat i mbante pranë vetes, një pre të operacioni gjerman, që pritej të fillonte nga dita në ditë. Tashmë Enver Hoxha ka bërë një plan tjetër për të kaluar në Jug. Ai shkruan:
Ndërkohë nazistët gjermanë kishin grumbulluar forca të mëdha rreth e qark krahinave të Çermenikës, të Shëngjergjit e të Martaneshit dhe po përgatiteshin të fillonin operacionin mbi to. S’ vonoi dhe operacioni armik shpërtheu. Një rrezik serioz po na kanosej. Në këto kushte kapërcimi i rrugës Librazhd-Elbasan dhe qëndrimi i mëtejshëm aty ishte i pamundur. Prandaj menduam që kalimin në Jug ta bënim nëpërmjet Gollobordës, Çermenikës së Vogël, Hotolishtit e të dilnim në Mokër ose Bërzeshtë dhe prej andej të hidheshim në zonën e Korçës. Kështu vendosëm.[cxxxviii]
Ky plan mund të zbatohej me sukses, në rast se do të fillonte me shpejtësi marshimi, që të nesërmen e dështimit të kalimit të Shkumbinit, pra në 13 dhjetor 1943. Në vend që të bënte këtë, Enver Hoxha u vonua një javë, derisa filloi operacioni gjerman në zonë, dhe pastaj iku në panik në male.
Itinerari që përmend më lart Enver Hoxha qe itinerari, që do të përshkonte Mehmet Shehu, në kahje të kundërt, dy muaj më pas, në shkurt 1944, kur anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të cilët qenë në Korçë i kërkuan që të shkonte në ndihmë të Enver Hoxhës dhe të vetëve për të cilët mendohej se ende qenë të bllokuar në Çermenikë. Enver Hoxha, pasi e eliminoi Mehmet Shehun, do ta akuzonte se ai zgjodhi me qëllim rrugën më të gjatë, kur mund të vinte brenda dy ditësh!? Enver Hoxha e akuzon Mehmet Shehun se:
ngriti në legjendë «inkursionin e dy batalioneve» të Brigadës I për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm nga rrethimi gjermano-ballist të cilin jo vetëm s’ e shpëtoi ai (sepse Shtabi e çau rrethimin me forcat e veta), por M. Shehu humbi me qëllim dy javë në vend të dy ditëve, duke futur forcat e brigadës në disa shtigje të rrezikshme dhe duke shkaktuar kështu që shumë trima të kësaj brigade të binin heroikisht.[cxxxix]
IV
«Sutjeska» e Enver Hoxhës, karikaturë e asaj të Titos
Enver Hoxha, ironikisht, u gjend kundër dëshirës së vet në një zonë veprimesh luftarake, kur gjithherë u qe shmangur zonave të luftimeve. Që situata qe e ngjashme me atë të Titos në Sutjeskë, kjo del dhe nga ajo që shkruan historiografia komuniste për këtë episod:
Në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh gjatë muajit dhjetor u zhvillua operacioni më i rëndësishëm i pushtuesve hitlerianë. Në këtë zonë ndodheshin Brigada II e porsaformuar, Brigada III, batalionet «Dajti», të Çermenikës dhe të Martaneshit, me efektiv rreth 1500 luftëtarë. Në këtë zonë kishin qendruar Shtabi i Përgjithshëm me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.[cxl]
Nga ato që shkruan historiografia komuniste del se, pikërisht si në Sutjeska, forcat e konsiderueshme partizane qenë në pozita statike në një territor sa të ngushtë, kur ishte fjala për të përballuar një kundërshtar superior i cili synonte t’ i rrethonte, aq të gjerë kur ishte fjala për t’ u mbrojtur, cka do të thotë se po vepronin krejt në kundërshtim me manualet e luftës partizane:
Terreni i ashpër malor i zonës Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh e detyroi komandën gjermane që para se të kryente goditjen vendimtare, të bënte në këtë zonë rrethimin dhe ngushtimin operativ të forcave partizane, të cilat shtriheshin në një sipërfaqe rreth 1000 km².[cxli]
Pra, në këtë territor me sipërfaqe rreth 1000 km², qenë përqëndruar 1500 partizanë për të bërë praktikisht luftë frontale, në tre fronte 20- 30 km të gjata: fronti Godolesh-Labinot-Xibrakë-Fënarës në aksin Elbasan-Librazhd, fronti Shëngjergj-Labinot dhe fronti i Çermenikës, çka do të thotë 15-20 partizanë për çdo kilometër! Në fakt me kaq pak forca nuk mund të mbrohej një zonë kaq e gjerë nga gjermanët. Këtë e kuptonte edhe Enver Hoxha që nuk ishte ushtarak. Por ai kishte supozuar se nuk duhej të trembej nga gjermanët se me ta kishte marrëveshje, por vetëm nga ballistët e zonës. Në qendër të trekëndëshit të mësipërm, Enver Hoxha sillej rrotull i kapur nga paniku, si «miu në dhokan», siç thonë në Gjirokastër, duke mos ditur çfarë të bënte. Ky dislokim i forcave partizane bëhej absurd edhe për faktin se partizanët tashmë duhej të bënin një luftë frontale pa disponuar armë të rënda, përballë një armiku superior në numër që dispononte artileri, automjete të blinduara dhe aviacion. Tashmë që gjermanët hynë në veprim, e gjithë kjo nuk dukej më një strategji, por një skemë për vetëvrasje kolektive. Në këto rrethana filloi në këtë zonë mësymja gjermane 19 dhjetorit 1943. Për këtë historiografia komuniste shkruan:
Më 19 dhjetor 1943, gjermanët e tradhëtarët u hodhën nga të gjitha anët në mësymje kundër forcave të UNÇSH në atë zonë. Ky operacion filloi në kushte shumë të ndërlikuara për repartet partizane. Në këtë operacion të emërtuar ‘1828’, merrnin pjesë forcat e gjashtë batalioneve të këmbësorisë, të përforcuara me pesë bateri artilerie dhe tri kompani xheniere të divizioneve të 100-të, të 297-të dhe të regjimentit II ‘Brandenburg’, me efektiv rreth 6500 veta. Së bashku me ta, në veprimet luftarake merrnin pjesë edhe 1500 ballistë. Ky operacion të cilit komanda e Korpusit XXI e vlerësonte si një «mësymje tepër të fortë koncentrike», filloi me pesë grupe sulmi që mësynin nga drejtimet Dibër, Librazhd, Elbasan, Tiranë dhe Burrel.[cxlii]
Pra, forcat gjermane dhe balliste kishin një superioritet në numër më tepër se pesë herë në krahasim me forcat partizane. Për superioritetin në armatim është e tepërt të bëhet fjalë, ai që dërmues. Enver Hoxha kishte rënë në një kurth të llojit që strategët ushtarakë gjermanë e quanin kesselbildung, domethënë rrethim grupesh kundërshtare në formë kazani. Në këtë kazan vrasës Enver Hoxha pati futur dhe 1500 partizanë që nuk e dinin se qenë bërë viktima të manovrave politike që vetëm me luftën kundër gjermanëve nuk kishin të bënin. Komandantët gjermanë që realizuan këtë operacion mund të thoshin me krenari se kjo performancë ushtarake mund të shërbente si rast për t’ u studiuar në akademitë ushtarake, kur qe fjala për zbatimin e strategjisë antiguerrilje kesselbildung. Historiografia komuniste më tutje bën të ditur:
Vendimin për kryerjen e këtij operacioni komanda gjermane e kishte marrë që në pesëmbëdhjetëditëshin e parë të nëntorit. Po në këtë kohë kishte mundur të mësonte për kryerjen e këtij operacioni edhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH…Kështu, pas 15 nëntorit të dyja palët përgatiteshin për të arritur qëllimet e veta paraprake: gjermanët të siguronin kushte sa më të volitshme për të kaluar në mësymje dhe për të arritur objektivat e operacionit, kurse forcat e UNÇSH të mos i lejonin armiqtë të siguronin të tilla kushte dhe të bënin që të dështonte tërë plani i komandës gjermane.[cxliii]
Por, historiografia komuniste nuk e shpjegon se përse Enver Hoxha, kur paska qenë në dijeni që në fillim të nëntorit 1943 për zhvillimin e këtij operacioni, i ka mbajtur gjithë këto forca partizane pa eksperiencë luftarake në atë zonë të rrezikshme «reaksionare» dhe përse nuk u tërhoq në jug që kur mësoi se do të kryhej ky operacion? Kuptohet, për shkak se kishte marrëveshje me gjermanët si Tito. Enver Hoxhës i ndodhi pikërisht ashtu sikur ai shkruan se i ndodhi Titos. Por ndryshe nga rasti i Titos, objektivi kryesor i gjermanëve këtë herë nuk qe Enverr Hoxha, por misioni britanik. Gjermanët, për veçse donin që t’ i largonin forcat partizane larg vijave të tyre të komunikimit, sulmuan se donin të kapnin misionin britanik dhe posaçërisht gjeneralin Davies, siç do të rezultonte më vonë. Enver Hoxha shkruan:
Gjermanët, si duket i kishin diktuar lëvizjet tona drejt Elbasanit, drejt Shkumbinit e kthim dhe përgatitën me shpejtësi ofensivën për të na asgjësuar në rajonin e Labinotit, Shmilit etj. Gjermanët u ndeshën me forcat tona partizane të Brigadës së 2-të e të 3-të, forcave të batalioneve territoriale të Çermenikës, të Dumresë etj.[cxliv]
Këtu Enver Hoxha kërkon që indirekt t’ i bëjë Kadri Hoxhën dhe Hulusi Spahiun si fajtorë edhe për fillimin e ofensivës gjermane, pasi ata me lëvizjet e dështuara për të kapërcyer Shkumbinin joshën gjermanët. Por, a nuk është Enver Hoxha ai, i cili, së paku që në 14 nëntor, pra një muaj para tentativës për kapërcimin e Shkumbinit, thotë se kishte dijeni për zhvillimin e këtij operacioni, gjë të cilën e thotë dhe historiografia e kohës së komunizmit, siç e kam cituar më lart? Duket se, Enver Hoxha, kur ka shkruar fjalët e mësipërme në «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë» nuk i ka pasur parasysh ato që ka shkruar, ose që supozohet se i ka shkruar në nëntor 1943 dhe që qenë botuar tashmë, në kohën kur u publikua libri i mësipërm! Por ku qenë në kohën që filloi msymja gjermane e 19 dhjetorit Enver Hoxha dhe krerët e tjerë të lëvizjes komuniste e partizane që qenë me të? Enver Hoxha shkruan se:
Ofensiva armike e 19 dhjetorit na gjeti në Orenjë. Në mbrëmjen e asaj dite lamë Orenjën dhe u nisëm drejt Veriut në mes pyjesh me ahe.[cxlv]
Historiografia komuniste shkruan:
Më 19 dhjetor, kur filloi operacioni, Komanda e Shtabit të Përgjithshëm me Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar ndodheshin në Shmil. Depërtimi i shpejtë i kolonës gjermane që mësynte nga Elbasani në Shëngjergj i detyroi në mbrëmje të shpërnguleshin që andej përpjetë maleve të larta nga veriu.[cxlvi]
Enver Hoxha, në 1982, në librin «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë»thotë se qenë në Orenjë, ndërsa hartuesit e tekstit të historisë në 1988 thonë se ai qe në Shmil. Pse ndodh kjo diskrepancë? Spiro Koleka, i cili gjendej së bashku me Enver Hoxhën në atë kohë shkruan në kujtimet e veta:
Gjatë ditëve që na ndanin nga sulmi i 19 dhjetorit shoku Enver, si gjithmonë i palodhur e buzëqeshur, jepte porosi për vendosjen e forcave të brigadave II e III Sulmuese, për prishjen e rrugës e për marrjen e masave të tjera, për t’ i bërë ballë sulmit që pritej nga dita në ditë… Në mëngjesin e sulmit armiku hasi në qëndresën e rreptë të forcave tona… U nisëm për në Orenjë, në drejtim të pyjeve të Martaneshit.[cxlvii]
Pra, Spiro Koleka, i cili pas lufte do të bëhej anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër për një kohë të gjatë, thotë se nuk qenë në Orenjë në 19 dhjetor 1943, por u nisën për në Orenjë. Orenja është një lindje të Shmilit, çka të bën të besosh se atë ditë qenë në Shmil. Haki Stërmilli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili në atë kohë qe pranë Enver Hoxhës, për shkak se mori pjesë në takimin me Abaz Kupin, shkruan në ditarin e vet, se në 18 dhjetor 1943 ai u nis nga katundi Gur i Zi, për në Shmil, ku gjeti Enver Hoxhën:
18 dhjetor 1943, Në kohë të drekës na njoftuen se nji fuqi gjermane qenka avitë te zona e kontrollueme prej partizanëve dhe ma andej lëvizkan forca anmike. Duket se po pregatiten me na sulmue. Prandaj ne të Këshillit u pa e arsyeshme të largohemi prej këndej e të shkojmë në Shmil.
19 dhjetor 1943
Shtëpia ku jemi vendosë ka qenë zanë me qira prej shokëve të Këshillit. Enver Hoxha e Spiro Moisiu janë në nji shtëpi tjetër ma andej.[cxlviii]
Pra, sipas Haki Stërmillit, kur ai shkoi në Shmil, në 19 dhjetor 1943, atje gjeti Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun. Historiografia komuniste është më e qartë, duke shkruar për këtë ndodhi:
Forcat e grupit të sulmit që mësynin nga Librazhdi, ndeshën në qëndresën e Batalionit të Çermenikës në Zdrajsh. Partizanët, me zjarr nga pozicionet dhe me kundërsulme, e gozhduan kundërshtarin nga mëngjesi deri afër mbrëmjes, duke mos lejuar që ai t’ u dilte në shpinë forcave partizane dhe të vinte në rrezik Shtabin e Përgjithshëm që ishte duke shkuar nga Shmili në Orenjë (vetëm 4 km nga Zdrajshi) nëpër pyjet e Martaneshit.[cxlix]
Kështu, është e qartë se Enver Hoxha ishte në Shmil, madje prej Shmili nuk shkoi në Orenjë, por në Gurakuq, midis Shmilit dhe Orenjës. Këtë e mësojmë nga Gjenerali Davies, i cili gjendej atje afër, në Bizë, dhe që shkruan se në 19 dhjetor:
erdhi Kadri Hoxha për të më lajmëruar që të shkoja diku në një shtëpi në Gurakuq për të diskutuar me Këshillin. Ua hipëm kuajve unë, Frederiku dhe dhe rreshteri Melrouz... Rreth orës një Nikollsi na dërgoi një lajmëtar për të na thënë se Këshilli kishte shkuar në Orenjë, pasi menduan se fshati Gurakuq ishte shumë i rrezikuar. Veshëm këpucët me ngut dhe iu ngjitëm sërish malit. Vendi ishte i qetë, përveç zhurmës së pandërprerë të mororrave të autokolonës që patëm dëgjuar që në mëngjes herët, ndërsa kalonte nëpër rrugën malore.[cl]
Përse ka mashtruar Enver Hoxha, duke thënë se në 19 dhjetor qenë në Orenjë, kur është e qartë se kanë qenë në Shmil dhe prej andej ka shkuar në Gurakuq? E para, për faktin se mjaft të shohësh hartën dhe e kupton se duke ikur nga Shmili Enver Hoxha ka braktisur pikën më të mirë nga ku mund të drejtoheshin forcat që ai kishte dislokuar në formë unaze, në atë zonë. Arsyeja e dytë, zbulohet indirekt nga një letër që Enver Hoxha i çon pas një muaji në 24 janar 1944, nga Shmili të deleguarit të Shtabit të Përgjithshëm pranë Brigadës III, Dali Ndreu, të cilit i kërkon të marrë komandën e brigadës dhe të kryejë këtë mision:
Brenda 48 orëve mbas marrjes së kësaj letre ti do të marrësh në dorëzim nga Hulusiu komandën e Brigadës III dhe do të nisesh me brigadën për në Çermenikë… Brenda 48 orëve duhet të keni kryer të gjitha veprimet e nevojshme për t’ u vënë në marshim. Qëllimi i vajtjes suaj në Çermenikë është për të luftuar kundër reaksionit… Bukë do të hani dhe do të merrni me vete nga fshatrat, nga miqtë dhe nga armiqtë, me të mirë dhe me forcë. Edhe kur fshatrat ju presin mirë, ju duhet t’ i gjurmoni reaksionarët dhe t’ i ndëshkoni… Do të kaloni nga Shëngjergji ose nga Zaranika, nga ku ta shihni më të arsyeshme. Rrugën e Shëngjergjit (automobilistike) do ta kaloni shumë konspirativisht. Rrugën do ta kaloni nga Gurakuqi. Të mos kaloni as nga Labinoti as nga Shëmili. Do të ruheni të mos bini në luftë me komandantin e çetës (në tekst është shënimi «balliste»- K.M.) të Shëmilit. Mandej vazhdoni për Fënarë, Zdrajsh e Zgozhdë që janë qendrat e reaksionit.[cli]
Kjo është shumë e çuditshme. Pse duhej që kjo brigade, e cila merrte si detyrë luftarake që të spastronte këtë zonë nga «reaksionarët», nuk duhej të luftonte kundër çetës balliste të Shmilit, aq më tepër kur vetë Enver Hoxha dhe të vetët në atë kohë qenë të izoluar në Shmil dhe brigada fare mirë mund të shkonte për t’ i shpëtuar? Për këtë pyetje ka një përgjigje. Enver Hoxha qe në kompromis me komandantin e çetës balliste të Shmilit, i cili varej nga kryekomandanti ballist i zonës, Aziz Biçaku dhe, siç do të tregoj më poshtë, do t’ u dorëzonte atyre shefin e misionit aleat, gjeneralin britanik Davies. Prandaj Enver Hoxha në kujtimet e veta, si ai krimineli që heziton ta përmendë vendin e krimit, heziton të përmendë se në 19 dhjetor 1943, kur filloi msymja gjermane ai qe në Shmil. Por, atë ditë atij iu desh që të largohet nga Shmili, pasi në kushtet e operacionit gjerman, mund t’ i ndodhte si në atë anekdotën me Nastradinin që u fsheh kur autoritetet po mblidhnin kuajt për t’ i përdorur për punë angari dhe Nastradini iu përgjegj gruas që e pyeti se përse kishte frikë ai që nuk qe kalë se, derisa të merrej vesh kjo, do t’ i kishte bërë nja dhjetë rrugë. Dhe Enver Hoxhës do t’ i duhej që të fshihej sa të kalonte «stuhia» e operacionit gjerman. Në fillim të operacionit forcat partizane të dislokuara në zonë del se kishin detyrë të mbronin Enver Hoxhën dhe njerëzit e tij të vendosur në Shmil, derisa këta të gjenin mundësinë për të lëvizur drejt Jugut. Historiografia e kohës së komunizmit shkruan:
Gjermanët që mësynin nga Elbasani kishin zënë qysh natën rajonin Labinot-Fushë-Griqan. Ata kishin marrë detyrën të çanin përpjetë rrugës automobilistike që shkon prej Labinotit në Shëngjergj. Mbrojtjen e këtij drejtimi më kryesori nga të tjerët, Shtabi i Përgjithshëm ia kishte ngarkuar Brigadës III…Batalionet e brigadës, me të cilat ndodhej edhe shtabi i saj, bënë vetëm një qëndresë të shkurtër dhe u tërhoqën nga perëndimi duke e lënë të lirë xhadenë krejt në kundërshtim me urdhërin që kishin marrë nga Shtabi i Përgjithshëm. Urdhëri kërkonte që rruga Labinot-Shëngjergj të mbrohej me çdo kusht. Në rast se do të shihej e pamundur të qëndrohej në pozicionet e para në Griqan, brigada duhej të tërhiqej, duke luftuar nga ana e Çermenikës drejt Orenjës. Mirëpo komanda e brigadës edhe këtë herë e mori nëpër këmbë urdhërin. Ajo e lëshoi xhadenë pas një qëndrese fare të vogël, iu shmang luftimeve të mëtejshme dhe i tërhoqi forcat në anën e kundërt të asaj që kërkonte Shtabi i Përgjithshëm.
Kjo u dha mundësi gjermanëve të përparonin me shpejtësi xhadesë e të dilnin pasdite afër Shëngjergjit, kurse tradhëtarët ballistë mundën të pushtonin Çermenikën. Si pasojë forcat partizane u copëtuan, u prish bashkëveprimi dhe u krijua rreziku i rrethimit të tyre taktik. Në një gjendje të jashtëzakonshme kërcënuese u vunë Komanda e Shtabit të Përgjithshëm me Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar që ndodheshin në Shmil.[clii]
Është e vërtetë se sektori që mbronte Brigada III qe më kryesori në teatrin e luftimeve. Por, gjithashtu është e vërtetë se, Brigada III, një formacioni të ri partizan dhe pa eksperiencë luftarake, numri i partizanëve të së cilës në ditën e formimit, disa javë para fillimit të këtij operacioni, nuk bëhet i ditur në këtë tekst voluminoz të historisë së luftës partizane, dështoi kështu të mbronte një vijë që shkonte përgjatë një rruge automobilistike, në afërsi të rrezikshme me qytetet e Tiranës dhe Elbasanit, në një front prej tridhjetë kilometrash, një detyrë kjo absurde për një formacion partizan dhe për kryerjen e së cilës do të duheshin disa brigada të një ushtrie rtë rregullt e të pajisur me armatim të rëndë. Mbrojtja e zonës nga forcat partizane, e ideuar nga «strategët e shquar» Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu u shpërbë brenda një dite, 19 dhjetorit 1943, në të gjitha anët. Këtë e pohon vetë historiografia komuniste që shkruan:
Kështu, kolonat armike që mësynin nga Elbasani e nga Tirana u bashkuan në Lindje të Shëngjergjit, duke e çarë përmes zonën që mbrohej nga repartet e UNÇSH. Brigadat II dhe III ngelën në anën jugperëndimore të rrugës Labinot-Shëngjergj-Tiranë, kurse Shtabi i Përgjithshëm me batalionet e Çermenikës dhe të Martaneshit në anën lindore.[cliii]
Kështu u shkallëzua zbatimi i strategjisë gjermane kesselbildung, duke kaluar nga «kazani» i madh i shtrirë në gjithë zonën, në dy «kazanë» më të vegjël në të cilin patën rënë forcat partizane të coptuara. Derisa në mëngjesin e 19 dhjetorit Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu kishin nën komandë të drejtpërdrejtë në atë zonë 1500 partizanë, në mbrëmjen e asaj dite e gjithë kjo forcë qe shkrirë, duke mbetur rreth Enver Hoxhës vetëm disa dhjetra vetë. Historiografia komuniste shkruan:
Brigada II gjatë «tërheqjes» krejt të paparashikuar, të paorganizuar dhe të padrejtuar u shpërbë… Në kundërshtim me vullnetin e partizanëve komanda e brigadës dha urdhër të dorëzoheshin armët dhe luftëtarët të largoheshin nga të mundnin. Këto armë u fshehën në pyllin e Baltëzës, të cilat më vonë i gjetën dhe i morën ballistët. Beqir Balluku, jo vetëm që nuk i mblodhi partizanët për t’ u shpjeguar gjendjen e krijuar e për të dalë nga ajo, por ishte vetë i pari që braktisi shokët, që iku fshehurazi. Partizanët, të shpërndarë veç e veç ose në grupe, humbën çdo lidhje me komandat e tyre dhe secili më kokë të vet kishte gjetur mënyrën e shpëtimit për të mos rënë në dorë të armikut. Në këtë mënyrë Brigada II nuk ekzistonte më si njësi, mbeti vetëm një grup prej 40-50 vetash, që u vendosën në lindje të Tiranës.[cliv]
Historiografia komuniste gjithashtu shkruan për veprimet e Brigadën II:
Kjo solli gabimin tjetër dhe më të rëndë: shpërndarjen e pjesës më të madhe të forcave në muajin shkurt.[clv]
Shpartallimi i Brigadës II mund të kishte hyrë fare mirë në tekstet e akademive ushtarake për të ilustruar se si e pëson një formacion partizan kur angazhohet në luftën me metodat e një ushtrie të rregullt. Por ajo çka të habit është se komandanti i Brigadës II, Beqir Balluku, pas luftës do të qe për 26 vjet anëtar i Byrosë Politike dhe 20 vjet ministër i mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër, për t’ u goditur më pas, duke u arrestuar si armik dhe duke u pushkatuar, për të marrë nga Enver Hoxha përcaktimin epigramatik «mut muti», në Plenumin e KQ të PPSH, në 1982. Për këtë disfatë, për të cilën Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu duhet të kishin dalë para gjyqit ushtarak partizan, Enver Hoxha e shpërndan fajin gjithandej, duke lënë të paprekur vetëm veten. Në 24 janar 1944 Enver Hoxha i shkruan Dali Ndreut, i cili atëhere qe i deleguar i Shtabit të Përgjithshëm pranë Brigadës III:
Konstatojmë se ti dhe shtabi i brigadës, nuk i keni përmbushur aspak detyrat tuaja... Megjithëse shtabit të brigadës i ishte theksuar vazhdimisht se duhej të mbronte pozitat e Griqanit, prapë natën e 18 dhjetorit Shtabi i Përgjithshëm ju urdhëroi që të dërgonit aty forca. Rezulton tani se forcat tuaja kanë shkuar tepër vonë, më 19 dhjetor në mëngjes, kur gjermanët kishin hedhur ura në rrugë dhe se rezistenca në atë sektor ka qenë formale jo kaq tepër nga ana e partizanëve sesa nga ana e komandës, e cila kishte kurdoherë ndër mend që t’ u shmangej luftimeve dhe të hynte në zona të qeta. Kjo taktikë lufte nuk është taktikë partizanësh... Gjëja e tretë me rëndësi, dhe me rëndësi të madhe, është se ju e latë Shtabin e Përgjithshëm në mëshirën e fatit. Për një muaj e gjysmë rresht Shtabi është sjellë rrotull ndër male në pasigurinë më të madhe.[clvi]
Nga të gjitha këto që shkruan Enver Hoxha kuptohet se, edhe Brigadës III i qenë caktuar detyra të luftës frontale, dhe të mbrojtjes së një pozicioni statik, gjë krejt absurde për një repart partizan, i cili nuk kishte si të mos dështonte në këto rrethana. Por, Dali Ndreu, në maj 1944 u bë komandant i Divizionit I partizan, kurse në gusht 1944 u bë Komandant i Korparmatës I partizane, duke arritur në gradën gjeneral-major, për t’ u goditur pas lufte duke u arrestuar dhe pushkatuar së bashku me gruan e vet shtatzanë. Në rast se Dali Ndreu do të kishte qenë fajtor në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1943-1944, si iu besuan këto detyra më vonë? Enver Hoxha më lart qorton drejtuesit e Brigadës III:
nga ana e komandës, e cila kishte kurdoherë ndër mend që t’ u shmangej luftimeve dhe të hynte në zona të qeta. Kjo taktikë lufte nuk është taktikë partizanësh.[clvii]
Por, a vlen ky kriter, mbi bazën e të cilit i gjykon ata Enver Hoxha, edhe për vetë Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun? A nuk kishte qenë Enver Hoxha ai, i cili, që nga maji i vitit 1943, kur shkoi nga qyteti i Tiranës për në fshatrat e Vlorës, që vazhdimisht u qe shmangur zonave të luftimeve, duke mbetur në zona të qeta. Këtë gjë që deshi ta bëjë edhe në dhjetor 1943, duke u orvatur të shkojë në një zonë malore të Jugut ku nuk kishte luftime, por nuk ia doli dot për një kohë të gjatë për shkak të rrethanave, duke mbetur gjithsesi në zona të rrezikshme por ku nuk ra në asnjë luftim, në periudhën dhjetor 1943- mars 1944. Në maj-qershor 1943, Enver Hoxha qëndroi në Vlorë, jo për të organizuar luftën kundër italianëve, por për të organizuar një spastrim brenda radhëve të komunistëve, me luftën kundër të ashtuquajturit fraksion trockist të Sadik Premtes dhe Anastas Lulos. Në fund të qershorit 1943, Enver Hoxha kaloi tranzit nga Vlora në Skrapar, Korçë për të dalë në fund të qershorit në Labinot të Elbasanit, shumë larg forcave kryesore partizane që vepronin thellë në Shqipërinë e Jugut. Prej kësaj kohe, po të përjashtojmë një interval disa javësh në malësinë e Korçës nga mesi i korrikut në mes të gushtit, Enver Hoxha gjendet përfundimisht në veri të Shkumbinit, deri në mes të shkurtit 1944, i shkëputur nga forcat kryesore partizane që vepronin thellë në Jug. Ndërsa, duke filluar që nga pranvera e vitit 1944, kur forcat kryesore partizane po bëheshin gati të kalonin në veri të Shkumbinit, Enver Hoxha gjendet thellë në Jug, përsëri larg forcave kryesore partizane.
Por, për t’ u kthyer përsëri në ditën fatale të 19 dhjetorit 1943, të gjitha forcat partizane që u angazhuan në luftë frontale për të zbatuar planin absurd të luftimit të përpunuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, u shpërbënë. Merret me mend ajo që ka ndodhur realisht, kur edhe vetë historiografia komuniste shkruan:
Batalionet «Dajti», «Krujë-Ishëm», ai i Martaneshit e i Çermenikës si dhe çetat e Matit u kthyen në njësite, Brigada II mbeti me 40-50 luftëtarë dhe Brigada III me 80-90 luftëtarë, të ndarë në dy grupe: 40-50 veta në Pezë dhe 30-40 veta në Shëngjergj.[clviii]
Enver Hoxha, pasi iku nga Shmili në Orenjë, ditën e 19 dhjetorit, u takua atje me Gjeneralin Davies. Gjenerali Davies tregon për takimin në Orenjë me Enver Hoxhën, në 19 dhjetor dhe për atë që ndodhi atë ditë, më pas:
Këshilli ishte mbledhur në shtëpinë tonë, duke ngrënë mollë, dardha dhe duke pirë verë të kuqe. Ata s’ më njoftuan asgjë të re, përveç asaj se situata po rëndohej vazhdimisht.[clix]
Enver Hoxha me të vetët, shkuan në Orenjë, në shtëpinë që kishin zënë me qira britanikët, për të konsumuar rezervat ushqimore të tyre. Në Orenjë Misioni aleat i kryesuar nga Gjenerali Davies pati ngritur pak ditë më parë kuartierin dimëror, duke u zhvenduar nga Biza që është në veriperëndim të Orenjës. Por edhe qëndrimi i Enver Hoxhës në Orenjë varej nga rezistenca që bënte batalioni i Çermenikës në Zdrajsh, në jug të Orenjës, nga ku vinte e mbyllej njëra anë e darës gjermane. Është për t’ u habitur se Enver Hoxha me të vetët u ngritën në panik dhe ikën nga Orenja verbtazi, në drejtim të maleve me borë, me të mësuar që gjermanët po mësynin në Zdrajsh dhe Batalioni i Çermenikës kishte rënë në luftime në këtë fshat. Gjenerali Davies kujton për këtë:
Ndërkaq, erdhi një njoftim se gjermanët ndodheshin një orë larg, në Zdrashë. Kishte ardhur koha për të ikur. Anëtarët e Këshillit më morën me vete, ata prinë përpara dhe ngjitën malin duke u futur në pyllin e ahut. Ndërsa po ecnim ra muzgu. U bashkuam me anëtarët e tjerë të Shtabit tonë.[clx]
A nuk kishte qenë mbrojtja nga jugu, me anë të Batalionit të Çermenikës, pjesë e strategjisë «gjeniale» të Enver Hoxhës dhe të Spiro Moisiut? Atëherë pse këta të dy nuk qëndruan në Orenjë dhe të mbledhin partizanët e shpërndarë gjithandej? Të gjendur nën kërcënimin e forcave gjermane, edhe Gjenerali Davies dhe të vetët u detyruan të bashkohen me grupin e vogël partizan të Enver Hoxhës. Së bashku u detyruan që të nisen, në konfuzion të plotë, drejt Kaptinës së Martaneshit, me sa duket për të shkuar në Martanesh ku supozohej që të mbaheshin ende forcat partizane të Baba Mustafa Xhanit. Enver Hoxha shkruan:
Nuk bëhej më fjalë për Brigadën e 3-të. Shtabi i Përgjithshëm duhej të kalonte i vetëm, i shoqëruar nga partizanët që mbronin anëtarët e Shtabit. Na udhëhiqnin komandanti i Shtabit të Grupit partizan të Elbasanit, Kadri Hoxha, dhe një komandant çete i batalionit të Baba Fajës.[clxi]
Pra, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët e nisën ditën e 19 dhjetorit, duke pasur nën komandën e tyre të drejtpërdrejtë 1500 partizanë në zonën ku qenë, e përfunduan ditën sipas fjalëve të vetë Enver Hoxhës vetëm me rojet e Shtabit të Përgjithshëm. Këta 1500 partizanë që kujtonin se patën shkuar të luftonin kundër fashizmit, u bënë viktima të një manovre politike djallëzore dhe përfunduan të shpërndarë pyjeve dhe maleve, në të ftohtin e dimrit, pa ushqim dhe të veshur keq. Historiografia komuniste thotë se sa qenë këta partizanë kur filloi lufta në 19 dhjetor 1943, por nuk thotë se sa prej tyre i mbijetuan dimrit. Pjesa më e madhe e tyre duhet të kenë vdekur nga të ftohtit dhe uria pyjeve dhe maleve në dimrin e ashpër të vitit 1943-1944.
Kjo ishte «Sutjeska» e Enver Hoxhës, karikaturë e asaj të Titos. Tito doli nga rrethimi në Luginën e Sutjeskës së bashku me pjesën më të madhe të forcave partizane, që kishte me vete, edhe pse ato pësuan dëme të mëdha. Enver Hoxha në fund do të mbetej vetë i tretë siç thotë vetë, ose më saktë vetë i katërt, se kishte me vete edhe Ymer Dishnicën, të cilin nuk e përmend.
V
Fundi i Gjeneralit Davies, deja vue fundit të Qemal Stafës dhe Vojo Kushit
Pasi Enver Hoxha humbi betejën me Shkumbinin, filloi betejën me borën, i humbur në pyje e malet. Enver Hoxha, komisari politik i përgjithshëm ushtrisë partizane dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, së bashku me Komandantin e Shtabit, Spiro Moisiun, që në ditën e parë të betejës ku u gjendën të implikuar, i braktisën forcat partizane, dhe morën pyjet e malet hipur në kuaj. Këtë dezertim Enver Hoxha e glorifikoi në «hagiografinë» e vet si Marshimi i Shtabit të Përgjithshëm për të dalë nga rrethimi gjatë Operacionit të Dimrit. Nga të gjitha ndodhitë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, dy qenë ato që historiografia komuniste i glorifikoi në mënyrë të veçantë. Ndodhia e parë qe rënia në rrethimin gjerman i një pjese të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Këshillit ANÇ, të kryesuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu në zonën e Çermenikës, të cilët mbetën të izoluar nga pjesa tjetër e forcave partizane për rreth tre muaj (dhjetor 1943-mars 1944) për t’ u bashkuar përsëri me forcat partizane në zonën e Korçës. Ndodhia e dytë qe inkursioni i tre batalioneve të Brigadës I partizane të komanduar nga Mehmet Shehu, në shkurt-mars 1944, për të shpëtuar Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun. Me eliminimin e Mehmet Shehut në 1981, inkursioni i Brigadës I, jo vetëm që nuk u quajt si një mision heroik dhe i lavdishëm, por u konsiderua si një manovër e qëllimshme e Mehmet Shehut, që e vonoi ndihmën, në mënyrë që Enver Hoxha dhe krerët e tjerë partizanë të binin në duart e armiqve. Në përpjestim të zhdrejtë me çglorifikimin e inkursionit të Mehmet Shehut dhe Brigadës I, historiografia komuniste e glorifikoi edhe më tepër «marshimin» e Enver Hoxhës për të dalë nga rrethimi në dimrin e viteve 1943-1944.
Tashmë Enver Hoxha ia beson fatin e vet Kadri Hoxhës, për të cilin pretendon se e ka qortuar rëndë si shkaktar të katastrofës:
Na udhëhiqnin komandanti i Shtabit të Grupit partizan të Elbasanit, Kadri Hoxha, dhe një komandant çete i batalionit të Baba Fajës.[clxii]
Kur Enver Hoxha e quan Kadri Hoxhën komandant të Grupit të Elbasanit në 19 dhjetor, sikur harron që në dokumentet e shkruara prej tij është thënë se ai qe shkarkuar një ditë më parë, në 18 dhjetor dhe i qe kërkuar të mbetej në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm!? Kadri Hoxha, i cili pati qenë shok klase i Mehmet Shehut në kolegjin ushtarak të Napolit, në Itali, e njihte shumë mirë vendin. Sipas të gjitha gjasave qe Kadri Hoxha ai i shpëtoi Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun në ato ditë të vështira, duke u prirë rrugën në tërheqjen e tyre në panik nga Shmili në Orenjë. Dhe Enver Hoxha ia shpërbleu duke i dhënë pas lufte 24 vite burg dhe internim, nga të cilat 11 vite burg. Enver Hoxha dhe të vetët në 19 dhjetor vazhdojnë rrugën, të prirë nga Kadri Hoxha, nga Orenja drejt verilindjes, duke iu ngjitur malit për të dalë në Kaptinë të Martaneshit. Gjenerali Davies shkruan për marshimin, ose më saktë ikjen në panik, në 19 dhjetor 1943, të Enver Hoxhës nga Orenja, të cilin u detyruan ta ndjekin edhe britanikët:
Vijuam marshimin në errësirë, duke i drejtuar kuajt midis pemëve, duke udhëtuar pa rrezik nëpër një shteg të mbushur prej sa vjetësh nga gjethet. Pas shtatë orësh arritëm dolëm nga pylli. Po më çahej koka nga dhimbja, dhe kisha shumë ftohtë. Në orën një të mëngjesit u shtrimë ndër gjethet e lagura dhe u përpoqëm të flemë.[clxiii]
Duke qenë se në orën një të mëngjesit kishin shtatë orë që udhëtonin, del se nga Orenja janë nisur në orën 17 të mbasditës, orë kur në 19 dhjetor është errësirë. Kjo e dhënë e tregon edhe më qartë ikjen në panik. Enver Hoxha shkruan:
Udhëtuam gjithë natën në pyjet e Orenjës nëpër borë e errësirë. Të nesërmen (20 dhjetor- K.M.) vazhduam rrugën e dolëm në Kaptinë të Martaneshit. Nata na zuri aty por nuk ndaluam derisa hymë në pyjet e Okshtunit. Atje, pas shumë përpjekjesh, mundëm të ndiznim zjarr, rreth të cilit e kaluam gjithë natën.[clxiv]
Spiro Koleka shkruan për këtë episod, duke ruajtur versionin e dhënë më lart nga Enver Hoxha, por duke dhënë detaje:
Gjatë gjithë natës së 19-20 dhjetorit 1943 udhëtuam në kushte shumë të vështira, nëpër pyje të mbushura me dëborë, në një errësirë të plotë e nën një shi, që binte pa pushim. Në të gdhirë arritëm në shkallën e Lalë Bizës. Prej këtej Shtabi i Përgjithshëm, i shoqëruar nga pak partizanë, do të ndërmerrte udhëtimin për në zonat e çliruara. Ishim gjithsej rreth 20 vetë…Kaptinën e Martaneshit e kaluam natën e në kushte jashtëzakonisht të rënda. Pjesën e dytë të natës e kaluam rreth zjarrit në pyjet e Okshtunit.[clxv]
Pra, në natën e 19-20 dhjetorit janë ngjitur në drejt Kaptinës së Martaneshit dhe në 20-21 dhjetor e kanë kapërcyer atë. Kaptina e Martaneshit është në verilindje të Orenjës dhe arrin në lartësinë 1871 metra. Atje ikën në panik për t’ i shpëtuar darës gjermane. Kjo nuk ishte dalje e planifikuar nga rrethimi por thjesht ikje në panik në male. Destinacioni duket se është Martaneshi, ku supozohej se rezistonte Baba Mustafa Xhani me partizanët e tij. Me të arritur në Kaptinë të Martaneshit duket të kenë marrë lajmin se edhe forcat partizane të Baba Mustafa Xhanit qenë shpërbërë dhe se gjermanët po msynin dhe nga veriu, nga Martaneshi. Në këto rrethana Enver Hoxha dhe të vetët vazhduan të udhëtojnë dhe gjatë 20-21 dhjetorit, duke bërë një hark dolën në verilindje, në Gollobordë, në Okshtun. Okshtuni është në lindje të Orenjës, përtej Kaptinës së Martaneshit, në Gollobordë. Këtu dolën për shkak se humbën rrugën. Në ndërkohë msymja gjermane praktikisht kishte përfunduar. Historiografia e kohës së komunizmit shkruan, për ditën pas 19 dhjetorit, kur filloi operacioni gjerman:
Të nesërmen, më 20 dhjetor nuk u zhvilluan luftime të tjera…Trupat operuese armike gjithë ditën kërkonin që të zbulonin drejtimet e lëvizjes dhe të përqëndrimit të forcave partizane për t’ i rrethuar e asgjësuar grupe-grupe. Por ata nuk i gjetën gjëkundi.[clxvi]
Derisa forcat partizane virtualisht qenë shkrirë që në ditën e parë të luftimeve, nuk kishte se si të luftohej ditën e dytë. Tashmë operacioni kundër partizanëve ishte shndrruar më tepër në një operacion policor. Enver Hoxha në kujtimet e veta, pasi ka treguar se natën e 20-21 dhjetorit e kaluan në pyjet e Okshtunit, siç e kam cituar më lart, thotë se në 21 dhjetor kanë hyrë në katundin Okshtun:
Por Okshtuni është më në veri, prandaj duket pa sens që të ketë qenë pjesë e itinerarit të planifikuar të tyre, për të shkuar drejt jugut. Gjeneral Davies përkundrazi shkruan se në 21 dhjetor (duke e llogaritur datën sipas të dhënave që jep gjenerali për kalimin e ditëve) gjendeshin në pyjet malorë, duke vendosur për itinerarin e përgjithshëm që do të fillonin ta ndiqnin të nesërmen, për të dalë në Jug:
I thashë: «Enver, duhet të bëjmë një përpjekje që Shtabi im dhe një pjesë e Këshillit të shkëputet dhe t’ ia mbajë nga lindja. Nuk do t’ i marrim kafshët; pasi mund të udhëtojmë më lehtë që të kthehemi në jug matanë Liqenit të Ohrit derisa të arrijmë shtabin e forcave partizane në jug. Do të lë një pjesë të prapavijës që të vijë më vonë pas nesh, ndërsa Kadri Hoxha të kujdeset për ta, meqë është vendas. S’ kemi kohë për diskutime duhet të vendosni menjëherë për t’ u nisur. Unë do të marr me vete Kolonelin Nikolls, Frederikun, Rreshterin Smith dhe Bektashin si bartës... Këshilli do të marrë vetëm pesë nga anëtarët më të rëndësishëm. Të gjithë nuk duhet t’ i kalojmë dymbëdhjetë vetët, pasi s’ mund të ushqehen më shumë nga fshatrat përreth sepse mund të diktohen apo të spiunohen».
Enveri pranoi, dhe tha se mund të niseshim në orën 7 pasdite. Ai e shtyu nisjen deri në orën 9 të mbrëmjes, por na tha se s’ kishte ardhur ende udhërrëfyesi, kështu që s’ mund të niseshim para agimit.[clxviii]
Kështu, në 21 dhjetor vendosin të nisen të nesërmen kah lindja, pra për të dalë tej kufirit shtetëror të 1913-s, dhe për të kaluar në zonënë e Korçës duke kaluar midis Liqenit të Ohrit dhe atij të Prespës së Madhe, një itinerar që e kishte ndjekur edhe Haxhi Lleshi. Enver Hoxha nuk e thotë këtë gjë. Kjo duket më e besueshme se vajtja në Okshtun që në 21 dhjetor, të cilën Enver Hoxha e sajon për të dhënë të kuptojë se ata nuk po endeshin të humbur në pyje dhe male, por se kishin rënë madje në kontakt me shokët e terrenit. Kjo kuptohet kur Enver Hoxha shkruan:
Nga Okshtuni, pasi u këshilluam me shokët dibranë, vendosëm të vazhdonim rrugën nëpër pyje, të zbrisnim në Fushë-Studë e të kalonim në zonën e Librazhdit duke i rënë nga Letmi, ku gjermani nuk kishte futur akoma trupa.[clxix]
Ky është plani që duket se është bërë në 21 dhjetor. Enver Hoxha po ndiqte kështu itinerarin që në shkurt 1944 do të ndiqte Mehmet Shehu kur u nis me tre batalione për t’ i ardhur në ndihmë Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë partizanë, me ndryshimin e vetëm se Shehu u nis nga jugu për në veri. Por këtë itinerar Enver Hoxha do ta ndiqte duke u nisur nga Okshtuni në 25 dhjetor dhe jo në 22 dhjetor, siç pretendon këtu. Për zhvillimet në zonë ditën e 21 dhjetorit, kur ata vendosin për itinerarin historiografia e kohës së komunizmit shkruan:
Të nesërmen (është fjala për datën 21 dhjetor, se më poshtë thuhet që Enver Hoxha qe larguar nga Orenja dy ditë më parë- K. M.) komanda gjermane vuri në kërkim të forcave partizane katër kompani, nga lindja dhe nga perëndimi mbi fshatin Orenjë, sepse pati marrë vesh që aty gjendej udhëheqja e Luftës Nacionalçlirimtare me një grup partizanësh. Por edhe kjo orvatje dështoi. Shtabi i Përgjithshëm ishte larguar që andej dy ditë përpara.
Meqë nuk dinte kë të sulmonte e nga të sulmonte më tutje, komanda e Korparmatës XXI, më 23 dhjetor, megjithëse e quajti të mbyllur operacionin «1828» dhe urdhëroi të ktheheshin trupat kryesore në bazat e tyre, la në rajonin Shëngjergj-Martanesh një batalion (1000 veta) me detyrë që të ndihmonte ballistët të vendoseshin e të organizoheshin në ato krahina.[clxx]
Pra, sipas atyre që thotë vetë historiografia komuniste, katër ditë pas fillimit të operacionit, në zonë kishte vetëm një batalion gjerman. Shifra prej 1000 vetash që jep historiografia komuniste për efektivin e këtij batalioni duhet marrë me rezervë të madhe, se ky qe efektivi në letër i një batalioni të ushtrisë gjermane, por vitin 1943 repartet gjermane që erdhën në Shqipëri pas shumë luftimesh të zhvilluara gjithandej Europës, kishin në rastin më të mirë dy të tretat e efektivit fillestar. Kështu që katër ditë pas fillimit të operacionit në zonë kishte vetëm një batalion jo të plotë gjerman. Ky repart modest gjerman i bëri të enden pyjeve e maleve «heronjtë» e luftës partizane Enver Hoxhën dhe Spiro Moisiun. Gjenerali Davies e tregon kështu nisjen në 22 dhjetor, në marshimin drejt jugut:
U nisëm në të gdhirë. Na shoqëroi një togë që e mora si masë mbrojtëse derisa të çanim rrethimin. Enveri kërkoi që toga të na shoqëronte gjatë gjithë rrugës, pasi do të kalonim përmes krahinës së Ballit, ku kishte rrezik të na kapnin. Unë kundërshtova me forcë, duke theksuar se dymbëdhjetë vetë mund të shmangeshim pa u vënë re, por tridhjetëepesë ishin tepër, qoftë për t’ u ushqyer, qoftë për ruajtjen e fshehtësisë, pasi ne kurrë s’ mund të shpresonim të kalonim me gjithë atë turmë. Ndoshta për shkak të dështimit në Shkumbin u orvatëm shumë herë për të zgjedhur rrugën më të vështirë. Enveri nuk donte të ndryshonte planin e tij, kur thoshte se duhej marrë patjetër toga shoqëruese. Marshuam disa orë dhe u ndalëm në lartësi të malit, të pambrojtur nga rrebeshi, ndërsa Këshilli u përpoq të gjente Baba Fajën që thuhej se fshihen andej pari. Aty s’ gjetëm ushqim... Me t’ u errur, ndezëm zjarrin dhe qëndruam rrotull tij, duke ngrohur njërën anë të trupit, ndërsa ana tjetër ngrinte pastaj ktheheshim për të ngrohur pjesën e ngrirë. Nata mezi kaloi dhe ishim të kapitur. Në orën 9 të mëngjesit vjen Kadriu me dy shqiptarë që tërhiqnin zvarrë një dele, që Bektashi e therri dhe e poqi duke e shkuar në hell... Delja u coptua dhe u shpërnda. Ishim tepër të uritur, dhe nuk e patëm të vështirë për të përfunduar racionin.[clxxi]
Kadri Hoxha qartësisht u ka shpëtuar jetën duke u sjellë ushqim, që u dha fuqi të udhëtonin, ndryshe do të vdisnin të ngrirë në borë, në mal. Sipas Gjeneralit Davies edhe natën e 22-23 dhjetorit e kaluan jashtë në mal dhe në mëngjes Kadri Hoxha ka gjetur ushqim, në ndonjë stan atje rrotull, dhe pasditen e 23 dhjetorit janë nisur përsëri. Gjenerali Davies shkruan:
Gatimi na mori shumë kohë dhe pasi mbaruam së ngrëni u bëmë gati të niseshim vetëm pasdite. Vijuam ngjitjen derisa na erdhi dëbora deri në gju. Udhërrëfyesi nuk po e dallonte mirë shtegun pasi ishte mbuluar nga dëbora, dhe pasi ndërroi disa herë drejtimin i humbi shpresat dhe pranoi se e kishte humbur udhën...Tashmë po ngrysej, atëherë në krye të grupit u vu Kadri Hoxha dhe u futëm në pyll... Rreth mesnatës vendosëm të ndaleshim- vazhdimi i mëtejshëm i udhëtimit në këto kushte nuk kishte kuptim; e kishim humbur rrugën për te fshati ku qemë nisur prandaj duhet të prisnim të zbardhte dita.[clxxii]
Kështu, sipas Gjeneralit Davies, për në fshatin në Okshtun janë nisur, kuri kanë arritur që të orientohen se ku gjenden, pas humbjes së rrugës. Sipas Gjeneralit Davies në Okshtun kanë arritur në 24 dhjetor:
Sapo zbardhi, Kadriu u largua për të gjetur shtegun dhe erdhi pas dy orësh të na udhëhiqte. Pasi marshuam katër orë të mira mbërritëm në rrethinat e fshatit Okshtun, dhe u fshehëm pas një peme aheje ku kontaktuam me fshatarët dhe shpërndamë në disa shtëpi.[clxxiii]
Duke llogaritur se bëhet fjalë për datën 24 dhjetor, kur dita zbardh vonë, del se në katundin Okshtun kanë hyrë rreth mesditës. Kështu pas ikjes në panik nga Orenja, në 19 dhjetor, në orën 17, kur kishte rënë muzgu, pas gati pesë ditësh që endeshin të humbur në pyje dhe në male hynë për herë të parë në një katund. Këtë fakt ka dashur ta fshehë Enver Hoxha, i cili thotë se në 22 dhjetor shkuan në katundin Okshtun. Në fakt atje shkuan për herë të parë në 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjeve, ku hëngrën një darkë për të cilën Gjenerali Davies thotë se ishte e denjë për një pikturë biblike. Enver Hoxha pretendon se në Okshtun u rikthyen në 24 dhjetor pasi nuk arritën që të kalojnë dot në Qarrishtë. Enver Hoxha shkruan:
Të nesërmen (23 dhjetor- K.M.) lëvizëm drejt Qarrishtës. Kur mbërritëm në pyjet e Qarrishtës, pararoja na lajmëroi se nuk mund të vazhdonim më tej, nga Çermenika e Vogël në Mokër ose në Bërzeshtë, pasi reaksioni atje ishte në kulm. Çetat balliste të Aziz Biçakut e të tjerë ishin në këmbë dhe kishin zënë gjithë udhëkalimet, qafat e shtigjet. Duhej të ktheheshim medoemos përsëri drejt Okshtunit.[clxxiv]
Dhe më tutje Enver Hoxha shkruan:
Natën e kaluam në mal. Kur zbardhi dita, larg përballë nesh u duk Okshtuni. Atëherë e morëm vesh se ishim në malin e Okshtunit… U nisëm për në Okshtun. Zbritjet dhe ngjitjet qenë të vështira. Bora kishte ngrirë kallkan… Në bazën ku do të qëndronim arritëm në mbrëmje.[clxxv]
Enver Hoxha përsëri është duke ndjekur, por natyrisht në drejtim të kundërt, rrugën që do të ndiqte Mehmet Shehu në shkurt. Kështu në 24 dhjetor janë në Okshtun, për herë të dytë sipas Enver Hoxhës dhe për herë të parë sipas Gjeneralit Davies. Që në Okshtun janë në 24 dhjetor, kjo kuptohet nga fakti se Enver Hoxha thotë se atë mbrëmje Gjenerali Davies u mrekullua nga nata e vigjiljes së Krishtlindjeve që kaloi në një shtëpi, në Okshtun:
Në mes të dhomës një qilim i madh Dibre, kurse mbi trarët e tavanit ishin rreshtuar si ushtarë vargje me kallinj misri të varur njëri pas tjetrit. Nuk shihje as trarë, as cati, vetëm kallinj misri që drita e zjarrit u jepte ngjyrën e ndritshme të floririt.
«Kjo është e mrekullueshme! Kjo është parajsë!»- mërmëriste gjenerali,- «as në ëndër nuk mund ta imagjinoja një natë të tillë krishtlindjesh».[clxxvi]
Sipas Enver Hoxhës, ai ka bërë një anabas nga Okshtuni në... Okshtun. Edhe këtë herë natyra e tij prej komediani del më e fortë se diskrecioni i tij prej lideri. Kush e tregon të vërtetën, Enver Hoxha, i cili thotë se në 24 dhjetor erdhën për herë të dytë në Okshtun, apo Gjenerali Davies, i cili thotë se erdhën për herë të parë? Fakti është se ka një të dhënë që na jep të kuptojmë se të vërtetën e tregon Gjenerali Davies dhe jo Enver Hoxha. Kjo është dëshmia e Haki Stërmillit, i cili gjendej si ilegal në Okshtun dhe që takua me ata të nesërmen e vajtjes së tyre në fshat. Takim të cilin Enver Hoxha e përshkruan kështu:
Të nesërmen, tek po hanim bukë na erdhi shoku ynë i dashur, luftëtari dhe shkrimtari Haki Stërmilli, i veshur fshatarçe me rroba të vjetra sa mezi njihej.[clxxvii]
Enver Hoxha këtu e ka fjalën për mëngjesin e ditës së Krishtlindjeve, pasi gjenerali u mrekullua nga nata e vigjiljes së festës në Okshtun, pra për datën 25 dhjetor. Por, vetë Haki Stërmilli, në ditarin e vet me titull «Shtigjet të lirisë» shkruan se kjo ka ndodhur në 29 dhjetor:
29 dhjetor 1943, Mora vesh se mbramë, natën, paska ardhë këtu shoku Enver Hoxha bashkë me të tjerë që, disa ditë ma parë, u nisën me kapërcye në Jug. Unë, megjithqë jam i dobët, shkova dhe u takova me ta. Shokët më njoftën, megjithqë jam ndryshue me këtë veshje të keqe katundare. Anglezët s’ kuptuen kurrgja. Fola me Tarasin i cili më pyeti për gjendjen e vendit. I dhashë shpjegime. Ata nuk kishin mundë me e kalue gardhin e anmiqve e me u hedhë në Jug. Prandaj ishin kthye. Por përsëri kanë me u nisë.[clxxviii]
Nga rrëfimi i Haki Stërmillit del se, Enver Hoxha dhe të vetët, kanë ardhur në katundin Okshtun për herë të dytë në 28 dhjetor 1943, pasi dështuan që të kalojnë në jugu, çka pajtohet me versionin që jep Davies. Gjenerali Davies thotë se nga Okshtuni u nisën të nesërmen e mbërritjes atje, pra në 25 dhjetor, me destinacion kalimin në Jug. Që nisja është bërë në 25 dhjetor kjo kuptohet kur ai thotë se ditën e nisjes ai dhe oficerët e tjerë britanikë ia uruan Krishtlindjet njëri tjetrit në male, në udhëtim e sipër:
Ne pimë në mënyrë solemne nga një gllënkë dhe uruam njëri-tjetrin Gëzuar Krishtlindjet, në vend të hapur, me një të ftohtë që priste në lartësinë 6000 këmbë![clxxix]
Është e qartë se Enver Hoxha mashtron kur thotë se në Okshtun janë rikthyer në 24 dhjetor, pasi nuk kanë arritur që të çajnë dot për në jug. Rikthimi në Okshtun, pra anabasi i Enver Hoxhës, ka ndodhur në 28 dhjetor. Haki Stërmilli zbulon dhe një tjetër trillim prej komediani të Enver Hoxhës. Ky i fundit tregon një përrallë sikur ia prezantoi Gjeneralit Davies Haki Stërmillin dhe se këta bashkëbiseduan gjerësisht. Ja se si shkruan Enver Hoxha:
Të nesërmen, tek po hanim bukë na erdhi shoku ynë i dashur, luftëtari dhe shkrimtari Haki Stërmilli, i veshur fshatarçe me rroba të vjetra sa mezi njihej. Ia prezantova gjeneralit.
-E shikon këtë? Është shkrimtar, - i thashë.- Ky la shtëpinë, familjen, qetësinë dhe u hodh në luftë; nuk është komunist., por është një patriot i madh e demokrat revolucionar… Me Hakiun e kaluam kohën shumë mirë. Ai i foli gjeneralit për jetën e errët ku e mbanin popullin feudalët, paria dhe feja, i foli për regjimin gjakatar të Zogut dhe i bëri një përmbledhje të romanit të tij ‘sikur të isha djalë.[clxxx]
E vërteta del nga fragmenti i ditarit të Stërmillit, të cilin jam i detyruar ta risjell:
29 dhjetor 1943, Mora vesh se mbramë, natën, paska ardhë këtu shoku Enver Hoxha bashkë me të tjerë që, disa ditë ma parë, u nisën me kapërcye në Jug. Unë, megjithqë jam i dobët, shkova dhe u takova me ta. Shokët më njoftën, megjithqë jam ndryshue me këtë veshje të keqe katundare. Anglezët s’ kuptuen kurrgja. Fola me Tarasin i cili më pyeti për gjendjen e vendit.[clxxxi]
Enver Hoxha thotë se ia prezantoi Haki Stërmillin gjeneralit Davies, ndërsa Stërmilli thotë se anglezët as që morën vesh gjë fare se kush qe Stërmilli, duke e marrë për një fshatar të vendit. Enver Hoxha ka vërtet një talent prej komediani.
Për nisjen nga Okshtuni, në 25 dhjetor në mëngjes, me destinacion Qarishtën, pra për të shkuar në Jug, Gjenerali Davies kujton:
U nisëm në orën 6.30 dhe u vodhëm nga fshati pa treguar vendin ku po shkonim, u ngjitëm përgjatë një të përpjete të fortë në majë të një kreshte prej nga dukej lugina ku shtrihej rruga e Dibrës. Shtegu zbriste në shpatin e malit që ndërpriste fushën e gjerë dhe në një pyll që mbulonte kodrat prej nga dukej fshati i Qarishtës. Këshilli u nis teposhtë shtegut.
«Enver, pyeti Nikollsi, ti e ke megjithë mend që do ta kalosh fushën ditën? Më mirë të vijojmë të ecim dhe një milje nëpër kreshta pastaj zbresim përmes pyllit, prej nga s’ shihemi, deri te kthesa e rrugës». Ai po vrojtonte gjithë vendin me dylbi, ndërsa ne mundoheshim të shmangeshim që të mos na shihnin gjatë kalimit.
«Ky është një vendkalim i rregullt për partizanët që ne e njohim mirë pasi këtu s’ na kanë sulmuar kurrë, s’ ka asgjë të keqe po të na shohin, do të thonë se është vetëm një çetë partizanësh më shumë», tha Enveri.[clxxxii]
Koloneli Nikolls, i cili ishte i SOE (sektorit te operacioneve speciale të shërbimit sekret britanik), e kuptonte se po veprohej kundër të gjitha manualeve të guerriljes. Enver Hoxha nuk duket se e bënte këtë gjë nga trimëria, se në vazhdim të këtij episodi ai do të tregonte se i mungonte trimëria. Vazhdimi i këtij episodi flet shumë për raportin e Enver Hoxhës me gjermanët. Gjenerali Davies kujton për vazhdimin e këtij episodi:
Pas operacioneve gjermane në Dibër dhe në mbarë Çermenikën ishte çmenduri të kaloje andej ku trafiku rrugor mund të na ndalte në çdo moment; ne mezi zbritëm poshtë shtegut në drejtim të fushës dhe ndërsa po dilnim fshehtas nga rrëza e kodrës, një grup rekrutësh Todt prej dhjetë vetësh, po punonin për meremetimin e një llogoreje, katër syresh po bartnin një trung të madh. Ne ndalëm dhe po i vëzhgonim nga pusia. Urdhërova Enverin t’ i sulmonte gjermanët dhe t’ i kapte rob. Enveri nuk pranoi, duke thënë që ta kalonim fushën pa i përfillur; raporti i forcave ishte në favorin tonë, kështu që s’ mund të na bënin asgjë. Unë i thashë: «Përveç përshkrimit të hollësishëm, numrit tonë, dhe të drejtimit nga po shkojmë, ne s’ duam që gjermanët ta dijnë që kemi çarë rrethimin, se rrezikojmë kokat». Ishte e kotë të diskutoje me të.[clxxxiii]
Enver Hoxha qartësisht nuk donte që të vriste gjermanë! Ai sillej kështu se donte të ribënte marrëveshjen e tij me gjermanët, duke i përdor britanikët si shpërblim për gjermanët. Gjenerali Davies kujton për vazhdimin e këtij episodi:
Po ecnim nëpër fushë të hapur në grupe të vegjël... Sa po hynim në shkurret matanë rrugës, kur gjermanët hapën zjarr me breshëri nga mbrapa.
«Enver, kthehemi dhe i heqim qafe» ngulmova unë.
Por s’ ishte e thënë. Dolëm nga shtegu dhe ia mbajtëm përpjetë shpatit të thepisur të malit, kaluam pyllin, pastaj vijuam të ngjiteshim herë-herë dhe këmbadoras, duke iu ngjitur shpatit, shmangëm një pritë sipër shtegut... Kur ra muzgu arritëm të shohim Qarishtën nën vete. Ne zumë pozicionet ndërsa dy anëtarë të Këshillit u ulën poshtë për të gjetur strehë dhe ushqim.[clxxxiv]
Mosagjësimi i grupit të vogël të gjermanëve u kushtoi shumë në natën e 25-26 dhjetorit të cilën e kaluan në lartësitë mbi Qarrishtë, ku çuan njerëz që të negociojnë për të hyrë në fshat dhe për të marrë garanci që të kalonin më tej, në jug. Gjenerali Davies kujton:
Në orën dy të mëngjesit u kthye grupi ynë që ishte strehuar në fshat bashkë me kryeplakun, të cilët na njoftuan se gjermanët po na prisnin poshtë, pasi e nuhatën që po orvateshim të shkonim në jug pranë Liqenit, sipas raportimit të atyre që po hapnin llogoren. E shamë Enverin që nuk i hoqi qafe ata. Tani askush në fshat nuk do të rrezikonte të na jepte strehë ose ushqim, dhe s’ mund të vazhdonim në atë drejtim pasi gjermanët e kishin kuptuar qëllimin tonë. Duhej të ktheheshim në Çermenikë dhe të gjenim rrugë tjetër. Pasi humbën gjithë këtë kohë, kthimi ishte një shuplakë e rëndë për ne; pasi e patëm shumë të lehtë që të mos diktoheshim. As në Shkumbin dhe as këtu, ne s’ e pësuam nga zotësia e gjermanëve por nga pakujdesia jonë.[clxxxv]
Gjenerali Davies kishte pasur të drejtë dhe Enver Hoxha e kishte pasur gabim. Në rast se do t’ i kishin asgjësuar gjermanët, atëherë mund të shkonin në fshat, të furnizoheshin, dhe kur të kishin mësuar gjermanët se ç’ kishte ndodhur, do të kishin ikur tutje. Enver Hoxha pretendon se kur u kthyen mbrapsht nga Qarrishta pati një debat të ashpër me Gjeneralin Davies, i cili sipas Enver Hoxhës tha:
Siç shihet, puna juaj mori fund. Jeni të humbur. Gjermanët kanë bërë një ofensivë të madhe e të kordinuar dhe forcat tuaja janë shkatërruar. Tani s’ ka mbetur tjetër veçse ne të ikim dhe ju të dorëzoheni. Por juve ju janë error sytë dhe nuk shikoni asgjë. Ju e keni kot, ju e humbët luftën, ju jeni të rrethuar, dy rrugë ju mbeten: Ose të vriteni, ose të dorëzoheni.[clxxxvi]
Por, duke qenë se Enver Hoxha ndjek praktikën e Stalinit, për të cilën flet Avtorkhanov, atribuimin e qëllimeve të veta kriminale viktimave të tij, atëherë duhet menduar se Enver Hoxha i atribuon këtu Gjeneralit Davies qëllimin e vet kriminal për t’ ua dorëzuar gjeneralin gjermanëve. Mendimin për t’ ua dorëzuar gjeneralin britanik gjermanëve, në rast se kjo do t’ i shërbente, Enver Hoxha duhet ta ketë pasur pak a shumë që kur gjenerali erdhi në Shqipëri. Por ky mendim duhet të jetë bërë definitiv në mendjen e Enver Hoxhës, pasi dështuan të kalojnë në Qarrishtë, dhe u rikthyen në Okshtun në 28 dhjetor. Tashmë Enver Hoxha- «Herman» e shikonte dorëzimin e gjeneralit tek gjermanët si kombinacionin magjik të letrave fituese, për të dalë nga situata pa krye. Pikërisht për të zbatuar planin e dorëzimit të gjeneralit, Enver Hoxha, me të vetët, dhe me misionin aleat nga pas, u nisën, të nesërmen e rikthimit në Okshtun, për në Kostenjë, një fshat në rrugën mes Okshtunit dhe Shmilit. Enver Hoxha e shpjegon këtë:
Qëndrimi në Okshtun qe me të vërtetë i këndshëm... Zgjatja e qëndrimit atje ishte e rrezikshme. Prandaj vendosëm të shkonim në Kostenjë... U ngjitëm kështu në Kostenjë.[clxxxvii]
Por, nëse qëndrimi në Okshtun konsiderohej i rrezikshëm, edhe më i rrezikshëm duhet të konsiderohej vajtja në Kostenjë, që ishte në jugperëndim të Okshtunit, pranë Orenjës, nga e cila qenë nisur në panik në muzgun e 19 dhjetorit. Dhe vërtet që vajtja dhe qëndrimi gjatë në Kostenjë, do të rezultonin fatale. Spiro Koleka shkruan për vajtjen në Kostenjë:
Më 29 dhjetor u nisëm për në Kostenjë, ku do të pritnim derisa të vendosnim lidhje me shokët e Shmilit, ku mendonim të qëndronim.[clxxxviii]
Këtu konfirmohet tërthorazi ajo që thotë Haki Stërmilli se në Okshtun kanë arritur për herë të dytë në 28 dhjetor dhe se të nesërmen janë nisur për në Kostenjë. Pse Enver Hoxha u ndal në Kostenjë, në gjysmë të rrugës nga Okshtuni në Shmil, kur kishte vendosur që të shkonte në Shmil? Kuptohet se përse. Ai nuk mund të negocionte në Shmil me gjermanët për dorëzimin atyre të Gjeneralit Davies. Në rast se gjermanët do ta kapnin gjeneralin në Shmil, ose edhe në Orenjë, e cila është gjithashtu në rrugën nga Okshtuni në Shmil, atëherë do të shtoheshin dyshimet se Enver Hoxha ua kishte dorëzuar gjeneralin gjermanëve. Nga Shmili Enver Hoxha dhe të vetët qenë larguar vetëm pak ditë më parë, në 19 dhjetor. Shmili qe i kompromentuar si bazë e komunistëve, për shkak se atje Enver Hoxha pati qendruar për shumë kohë dhe madje atje e zuri fillimi i operacionit gjerman para disa ditësh. Enver Hoxha nuk mund të rikthehej në Shmil, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, përveç rastit kur kishte marrëveshje me gjermanët dhe me ballistët e zonës. Këta të fundit siç do të tregoj më poshtë qenë njerëzit e Ibrahim Biçakut, dajës së Esat Dishnicës, mikut të ngushtë të Enver Hoxhës. Tashmë Shmili qe nën kontrollin e ballistëve dhe patrullave gjermane, dhe rreziku shtohej se Shmili qe pranë rrugëve ku lëviznin patrullat e motorizuara gjermane. Rruga e Enver Hoxhës për në Shmil kalonte mbi kufomën- sa i përkiste Enver Hoxhës- të Gjeneralit Davies.
Nëse krahasohen ato që thotë Enver Hoxha për ndarjen me Gjeneralin Davies, me ato që tregon gjenerali, dhe versioni i këtij të fundit duket më i besueshëm, atëherë na zbulohet qartë se Enver Hoxha sajon alibinë për krimin që ka bërë, duke e dorëzuar gjeneralin tek gjermanët. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për kohën e qendrimit në Kostenjë:
U lidhëm me shokët e Partisë dhe forcat tona në Shmil, Labinot etj. dhe morëm vesh se operacioni kishte mbaruar pa sukses për gjermanët. Lajmërova shokët e Partisë që të njoftonin Brigadën e Parë të kapërcente në Letm, në Kostenjë, në Martanesh, në Orenjë e në Shmil, të spastronte këto zona nga gjermanët e ballistët dhe të takohej me Shtabin e Përgjithshëm. Vendosa të kalonim nga Kostenja në Shmil dhe prej andej të gjenim ndonjë korridor në drejtim të zonave të Korçës
E lajmërova gjeneralin për këtë projekt dhe e pyeta nëse donte të vazhdonte rrugën me ne, në rast të kundërt do t’ i siguronim vend të mbrojtur dhe mund të lëvizte kur të donte në drejtim të qarkut të Korçës. Ai m’ u përgjigj se pasi të mendohej do të më njoftonte… Pasi kishim mbaruar gjithë përgatitjet për marshim, nëpër borë e suferinë, vajta në banesën ku rrinte gjenerali. U ula. Më dha një cigare dhe bisedova me të rreth planit. Ai ishte i shqetësuar, shikonte kolonelin dhe dukej sikur donte t’ i merrte leje këtij.
-Le të vendosë koloneli,- më tha. Ky ishte ulur mbi një stol.[clxxxix]
Enver Hoxha, kur rrëfen për hezitimin e gjeneralit e ka fjalën për atë se koloneli Nikols e kishte këmbën e sëmurë dhe nuk mund të ecte, megjithëse këmba nuk e pengoi kolonelin që të vraponte kur u rrethuan nga gjermanët dhe të mos binte në dorë të gjermanëve atë ditë që Gjenerali Davies ra rob i lënduar rëndë. Më tutje Enver Hoxha pretendon se Gjeneralit Davies refuzoi të shkonte me të në Shmil, dhe më tutje, kah Jugu:
Gjenerali më falenderoi për kujdesin dhe shpejtësinë me të cilën po veprohej për shpëtimin e kolonelit dhe më tha se në këto kushte, derisa të shërohej koloneli, nuk mund të largohej nga afërsitë e Tiranës.
-Është e kuptueshme,-i them.-Atëhere ju do të rrini me Baba Fajën. Në mos ka ardhur, ai do të vijë dhe, tok me të e me forcat e tij, ose do të qëndroni këtu, ose mund të kaloni në ndonjë zonë tjetër këtu afër.
Baba Faja erdhi dhe u takua me gjeneralin. Ne u lamë shëndenë. I shtrëngova dorën gjeneralit duke i thënë: «Mirupafshim në zonën e Korçës». Por nuk do të shiheshim më. [cxc]
Por Gjenerali Davies e tregon ndryshe në kujtimet e veta bisedën e ndarjes me Enver Hoxhën në 7 janar 1944, në Kostenjë:
Ia behën Enveri me Këshillin, gati për marshim. Enveri ishte gjithë gëzim e gjallëri. «Gjenerali im, mora vesh për një mundësi daljeje. Do të marr Këshillin dhe do marshojmë dy ditë së bashku deri në një strehim. Atje kemi mundësi të vendosim më lehtë dhe pa u vonuar Po ta ndajmë grupin tonë në dy pjesë do ta kemi më lehtë për t’ u ushqyer. Sapo të bëhemi gati do të lajmëroj që të vish me ne. Po të lë Baba Fajën dhe togën tonë të mbrojtjes që të ruajë».
Qeshja e tij dukej mjaft bindëse, por mua s’ më pëlqeu ndarja nga Këshilli pa paralajmërim. Unë nuk i dhashë arsye, por isha shumë i shqetësuar, parandjeja se do të niseshim për të fundit herë.
«Enver, kjo s’ më pëlqen, i thashë. Ne kemi kaluar së bashku gjitha rreziqet dhe jam i bindur se duhet të rrimë së bashku. Mendoj se ne duhet të heqim dorë nga toga mbrojtëse. Po të krijojmë një grup të përbashkët prej dhjetë vetësh mund të kalojmë shëndoshë e mirë në jug. Këshilli juaj është tepër i madh dhe disa anëtarë janë tejet të moshuar që të përballojnë kushtet e vështira. Ata mund të vijojnë rrugën pas me prapavijën tonë. Sapo gjermanët të marrim se ne jemi larguar në jug do të heqin rrethimin e Çermenikës dhe situata do të bëhet më e lehtë për partizanët dhe pjestarët e tjerë të Misionit. A bashkohesh me këtë gjykim?»
Enveri më falenderoi për parashtrimin që bëra, por tha se plani ishte caktuar dhe nuk mund të ndryshohej. Ai mezi priste që të më takonte përsëri pas disa ditësh.
Kur u ngrit të ikte unë i thashë: «Ne kemi kaluar shumë kohë në këtë zonë. Meqë duhet të ndahemi, unë mund të vij kudo qoftë mjafton të më lajmërosh përpara».
«Jo, Gjeneral, rri këtu, është vend shumë i sigurtë. Baba Faja e njeh këtë krahinë përmendësh. Po qe se ai e sheh të nevojshme do t’ ju largojë që këtu. Është një kohë e tmerrshme, këtu do të jesh më i qetë dhe i mbrojtur nga moti i keq».
Unë shpreha mendimin se tufani është ideal për marshim- askush s’ do ta marrë vesh se ku do të shkojmë. Duke parë se ai kishte vendosur të ikte, i urova që të çante me sekses rrethimin. «Mundohu të na sjellësh ndonjë ndihmë mjekësore për këmbët e Kolonelit Nikolls, sepse i janë infektuar dhe nuk mund t’ ia mbathim. Ai s’ marshon dot në këtë gjendje».
«Po, tha Enveri, do të sjell diçka nga Tirana. Tungjatjeta Gjenerali im, mirupafshim së shpejti»
Ky ishte takimi ynë i fundit.[cxci]
Enver Hoxha ka refuzuar që t’ i marrë me vete Gjeneralin Davies dhe oficerët e tjerë të misionit britanik, se ai ishte marrë vesh me gjermanët që ata të vinin e t’ i kapnin britanikët në Kostenjë, porsa Enver Hoxha të largohej që atje për në Shmil. Enver Hoxha falsifikon bisedën e vet të fundit me Gjeneralin Davies, ashtu si krimineli që falsifikon bisedën e vet të fundit me viktimën, para kryerjes së krimit. Enver Hoxha shkruan se kur gjendej në Kostenjë:
Lajmërova shokët e Partisë që të njoftonin Brigadën e Parë të kapërcente në Letm, në Kostenjë, në Martanesh, në Orenjë e në Shmil, të spastronte këto zona nga gjermanët e ballistët dhe të takohej me Shtabin e Përgjithshëm.[cxcii]
Në atë kohë Brigada I gjendej thellë në Shqipërinë e Jugut. Enver Hoxha praktikisht po i kërkonte komandantit të Brigadës I, Mehmet Shehut, që të bënte atë gjë që dështoi ta bënte vetë Enver Hoxha. Enver Hoxha dështoi që të kalonte në Jug me forcat e mëdha partizane që kishte me vete, ndërsa tash Mehmet Shehut i kërkohej që të vinte përtej Shkumbinit me brigadën, të merrte Enver Hoxhën dhe ta conte në Jug. Enver Hoxha, si një komedian i vërtetë, e priti Brigadën I në Shmil, në skenën e parë të dështimit të tij, deri në mes të shkurtit 1944. Urdhri i arriti Brigadës I me vonesë në ato rrethana, megjithatë ajo e kreu misionin, duke dalë në Shëngjergj të Tiranës, ku duhej ta priste Enver Hoxha, dhe duke u kthyer përsëri në Jug, në mars. Enver Hoxha do t’ ia llogariste këtë gjë Mehmet Shehut si një poshtërim që i bëri atij personalisht.
Ndarja e Enver Hoxhës me Gjeneralin Davies doli të jetë si ndarja e Enver Hoxhës me Qemal Stafën, Vojo Kushin, etj., se të nesërmen e ndarjes së tij nga Enver Hoxha në Kostenjë erdhën gjermanët, të cilët e sulmuan shtabin britanik dhe gjenerali i lënduar ra rob. Për atë që ndodhi të nesërmen, në 8 janar Davies tregon:
Kaluam një natë shumë të qetë dhe moti në vend të përkeqësohej, u përmirësua. Të nesërmen në mëngjes, ata që kishin shkuar për furnizime në fshat kishin blerë bukë, qepë, fasule, dy dhi, një viç dhe një faqore raki. Rreth orës një dreka u bë gati, dhe ishte shumë e mirë; hëngrëm rëndshëm dhe e kishim ndarë të pushonim pasdite. Mbërritja e një partizani të alarmuar në atë çast na e hoqi mendjen nga gjumi. Ai na njoftoi se gjermanët ndodheshin 1000 këmbë poshtë nesh në fshatin e Kostenjës. Nëse ishte e vërtetë, ata mund të arrinin pas një ore… Lajmëruam Baba Fajën me një korrier, për ta konfirmuar lajmin. Rreth orës dy e gjysmë komisari i tij erdhi të na takonte. Fola me të në shtegun jashtë kasolles sonë. Pamja ishte e qartë dhe moti ishte i mirë. E pyeta nëse dinte gjë për fjalët e hapura se gjermanët kishin pushtuar Kostenjën. Ai ma ktheu: «Është e pamundur, Gjeneral, ne kemi spiunë në çdo fshat, kemi çdo skutë nën kontroll, duhet të na paralajmërojnë të paktën dy orë përpara. S’kam dëgjuar asgjë».
Pa mbaruar fjalën ai, na qëlluan me një breshëri mitralozi krak, krak, krak, krak. Prita të dëgjoja jehonën e krismave dhe dallova se vinin nga kreshta perëndimore sipër nesh rreth 300 metra larg. Pashë disa skuadra me nga dhjetë njerëz të fortë që po turreshin nga kreshta. I kqyra me dylbi, ishin ballistë dhe nacionalistë, secila skuadër komandohej nga një a dy gjermanë. Kjo ishte përgjigjia për mburrjen e Enverit se ai do ta zhdukte Ballin Kombëtar.[cxciii]
Baba Faja të cilin Enver Hoxha ia paraqiti gjeneralit si njeriun që do ta mbronte, nuk duket kurrkund në tregimin e gjeneralit ditën kur i sulmojnë gjermanët dhe ballistët. Baba Faja i kishte braktisur, me sa duket me porosi të Enver Hoxhës. Nisur nga ato që ndodhën më pas, është e qartë se Enver Hoxha refuzoi idenë e Gjeneralit Davies, se pati vendosur që t’ i shiste britanikët tek gjermanët. Enver Hoxha e tregon kështu atë që ndodhi:
Ato ditë ishte dorëzuar te gjermanët togeri anglez Trejhorn. Me sa duke tai u kishte treguar atyre gjithçka rreth gjeneralit, vendqëndrimin dhe planin e tij. Të nesërmen e ikjes sonë, më 8 janar, ballistët e Aziz Biçakut dhe një togë ushtarësh gjermanë u vërsulën drejt staneve të Kostenjës ku ndodheshin partizanët dhe gjenerali anglez vetë i pestë. Nga të katër anët filloi lufta e partizanëve e drejtuar nga Baba Faja…Pas betejës partizanët panë se gjenerali mungonte. Ai, i rraskapitur krejtësisht i dekurajuar, kishte hedhur armët dhe ishte dorëzuar pa zbrazur asnjë pushkë. Raporti për ngjarjen më erdhi në Shmil kur kishim marrë të gjitha masat, ishim përgatitur për rrugë dhe ishim bërë gati të niseshim për në zonën e Korçës. Gjenerali që na këshilloi të dorëzoheshim, kishte kohë që bluante në kokë dorëzimin e tij, pra gjeti momentin dhe e bëri realitet».[cxciv]
Mashtrimi i parë i Enver Hoxhës këtu është se thotë që Baba Faja gjendej në vendin ku Gjenerali Davies dhe të vetët u sulmuan nga gjermanët dhe ballistët. Sipas kujtimeve të gjeneralit, të cilat i kam cituar më lart, kjo nuk është e vërtetë. Mashtrimi i dytë i Enver Hoxhës është kur ai kërkon të bëjë fajtor togerin britanik Trejhorn, sikur ishte ai që i spiunoi të vetët tek gjermanët. Por edhe sikur kjo të ketë qenë e vërtetë, del pyetja se, derisa gjermanët e dinin vendqendrimin që prej disa ditësh, siç thotë Enver Hoxha, pse nuk e msynë Kostenjën që ditën e parë që e morën vesh se atje qe qendra e misionit britanik dhe e lëvizjes partizane, por pritën që të largohej Enver Hoxha me të vetët, që pastaj të sulmonin? Në msymjen kundër Kostenjës, siç thotë vetë Enver Hoxha i cituar më lart, nuk mori pjesë një forcë e madhe gjermano-balliste, por morën pjesë ballistët vendorë të komanduar nga Aziz Biçaku plus një togë ushtarësh gjermanë, çka të shtyn të besosh se nuk kishte arsye përse sulmi të shtyhej disa ditë dhe të humbej befasia. Gjermanët nuk hezitonin shumë dhe forcat alpine të tyre të ndara në njësi relativisht të vogla lëviznin me shpejtësi të madhe në zonën që siç kam cituar më lart të shkruajë historiografia komuniste, qe ende zonë operacionale për gjermanët dhe kështu ata kishin ende forca atje. Gjermanët e kishin mësuar praninë e gjeneralit britanik në atë zonë dhe qëllimi i operacionit ishte pikërisht kapja e misionit britanik. Kjo kuptohet nga një njoftim që i shkon Berlinit nga zyrat gjermane në Tiranë, në 21 janar 1944:
Nga mesi i dhjetorit është vërtetuar se gjenerali Dejvis me shtabin e tij ndodhet në malet e Martaneshit, në lindje të Tiranës, prandaj trupat gjermane u zmbrapsën ën drejtim të lindjes.[cxcv]
Gjenerali Davies dyshonte se Enver Hoxha i kishte shitur tek gjermanët. Kjo kuptohet kur ai shkruan në kujtimet:
E kam pyetur Palmerin, që e ka takuar disa herë Enverin pas mbarimit të luftës, nëse ai e besonte njoftimin se Enveri kishte dijeni për sulmin që po përgatitej dhe më la mua që ta pësoja ndërsa Këshilli ia mbathi më tutje. Palmeri kishte bindjen se ai nuk kishte dijeni për fatkeqësinë që ndodhi më pas dhe se Enverit i kishte ardhur keq kur e mori vesh ngjarjen.[cxcvi]
Por Alan Palmer ishte simpatizant i komunistëve. Palmer është i vetmi oficer britanik për të cilin Enver Hoxha jep konsiderata të mira:
Në qëndrim, në sjellje dhe në të folur, ai ishte shumë më i pjekur, më i matur, më serioz dhe më simpatik nga të gjithë oficerët anglezë që i njoha gjatë luftës.[cxcvii]
Fakti që gjermanët pritën sa të largohet Enver Hoxha nga Kostenja për ta msyrë atë tregon se Enver Hoxha pati bërë një pakt me dikë. Forcat e Aziz Biçakut, të cilat bënë sulmin kundër shtabit britanike, qenë pjesë e forcës vullnetare antikomuniste që kishte krijuar i njohuri i vjetër i Enver Hoxhës, Ibrahim Biçaku, gjë që del nga ky njoftimi i Konsullatës gjermane në Tiranë për Berlinin, në 14 janar 1944:
Zënia rob e Shtabit udhëheqës anglez në Shqipëri: -një gjeneral, një major dhe një oficer tjetër- pasoi pas disfatës së bandave të forta komuniste që ua shkaktuan formacionet vullnetare shqiptare të ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Ibrahim Biçakçiut.[cxcviii]
«Biçakçiu» është një formë e mbiemrit «Biçaku». Në fakt si Ibrahimi, ashtu dhe i ati, Aqif Pasha, rezultojnë me të dy trajtat e mbiemrit, «Biçaku» dhe «Biçakçiu». Ibrahim Biçaku ishte daja i mikut të ngushtë të Enver Hoxhës, Esat Dishnicës. Ibrahim Biçaku ishte ai që i kishte dhënë Enver Hoxhës ekskluzivitetin e shitjes në Tiranë të cigareve të Fabrikës «Flora». Enver Hoxha, me anë të Esat Dishnicës, u mor vesh me Ibrahim Biçakun dhe shpëtoi, duke i dorëzuar gjeneralin britanik tek Aziz Biçaku, i cili ishte kushëri i Ibrahim Biçakut. Pakti ka qenë që Enver Hoxha t’ i dorëzonte britanikët tek Aziz Biçaku, ndërsa Biçaku t’ i garantonte Enver Hoxhës qendrimin pa probleme në Shmil që ishte zonë e influencës së Biçakut. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që Enver Hoxha u rikthye në Shmil, pas ikjes nga Kostenja (duke bërë një ndalesë në Orenjë), kur Shmili qe kompromentuar si bazë e partizanëve, pasi prej aty Enver Hoxha pati ikur vetëm pak më tepër se dy javë më parë.
Në këtë pikë është interesante se Enver Hoxha, që në kujtimet e veta i atribuon Gjeneralit Davies qëllime shumë të këqija, deri edhe synimin për asgjësimin e lëvizjes partizane e komuniste, vazhdoi të qëndrojë në Shmil edhe pse mësoi për kapjen rob të gjeneralit Davies. A nuk duhet të kishte frikë Enver Hoxha se, derisa i pati treguar gjeneralit britanik synimin e vet për të shkuar në Shmil, gjenerali, pasi ra rob tek gjermanët, mund të vepronte, siç thotë Enver Hoxha se veproi togeri Trejhorn, pra t’ i spiunonte tek gjermanët, të cilët duhet të kishin ardhur të rrethonin Shmilin. Apo Gjenerali Davies u tregoi gjermanëve, por këta nuk qenë të interesuar për të kapur Enver Hoxhën?
Që Enver Hoxha kishte një pakt me Aziz Biçakun, komandantin e Ballit Kombëtar në atë zonë, ose më saktë me shefin e tij, Ibrahim Biçakun, kjo kuptohet nga fakti që Enver Hoxha me t’ u larguar nga Kostenja, që atë ditë, pra në 7 janar 1944, shkoi në Orenjë, e cila është në jugperëndim të Kostenjës, fare pranë saj. Si u kthyen prapë në Orenjë, kur ajo qe kompromentuar si bazë e tyre, që në nëntor dhe në mes të dhjetorit, sipas atyre që ka thënë vetë Enver Hoxha dhe që i kam cituar më lart në këtë libër? Enver Hoxha shkruan:
Fshati i parë që u bë streha jonë pas dështimit të përpjekjeve për të kapërcyer Shkumbinin në fillim të Operacionit armik të Dimrit, ishte Orenja. Në shtëpinë e nënë Zyhrasë arritëm përmes llohës e acarit, ndaj të erruri. Ishim gjithsej 10 veta, midis të cilëve Spiro Moisiu, Spiro Koleka, Nako Spiru e të tjerët, shoqërues.[cxcix]
Në këtë rast Enver Hoxha bën fjalë për vajtjen e dytë në Orenjë në 7 janar 1944. Enver Hoxha, i cili në 19 dhjetor 1943, kishte me vete 1500 partizanë, përveç anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Këshillit ANÇ, tashmë nuk kishte më tepër se pesë partizanë, veç krerëve të lëvizjes komuniste. Që në Orenjë kanë shkuar në 7 janar, po ditën e largimit nga Kostenja, këtë na e bën të ditur Spiro Koleka, i cili shkruan kështu në kujtimet e veta:
Pas afro 20 ditë lëvizjesh, për t’ u hedhur matanë Shkumbinit, në zona të lira, në një kohë kur sulmi gjermano-ballist kishte përfshirë afërsisht tërë fshatrat e Çermenikës, në mbrëmjen e 7 janarit 1944, u kthyem nga Kostenja në Orenjë dhe u strehuam në krye të fshatit, në bazën tonë, në shtëpinë e Beqir Koçit. Aty, së bashku me shokun Enver, ishte edhe Nako Spiru, Spiro Moisiu unë, si dhe disa shoqërues.[cc]
Orenja është në jugperëndim të Kostenjës dhe prej saj duket Shmili nga i cili e ndan një zall (vijë uji). Është për t’ u habitur që Enver Hoxha dhe të vetët ndaluan në Orenjë, fare pranë Kostenjës, për të kaluar atë natë, madje edhe ditën e nesërme, kur në Orenjë kishte ballistë, të cilët gjendeshin atje se kishin rrethuar zonën, në aksionin për kapjen e misionit aleat, që do të bëhej të nesërmen e arritjes së tyre në Kostenjë. Enver Hoxha në kujtimet e veta, duke iu drejtuar Zyhrasë, në mënyrë poetike, rrëfen se në fshat kishte ballistë:
Në mëngjes ti na the se brenda në fshat (shtëpia e nënë Zyhrasë ishte e veçuar nga fshati), kishte ballistë dhe tërë ditën bëre rojë…Ne u kthyem përsëri te ti, mbas një dite dhe ti përsëri na prite. Në mëngjes, pa zbardhur mirë dita, u larguam për në pyll, duke të treguar vendin ku do të qëndronim.[cci]
Këta janë pikërisht ballistët e Aziz Biçakut që atë ditë do të shkonin në Kostenjë për të mësyrë vendqëndrimin e misionit aleat, betejë ku u kap rob Gjenerali Davies. Që këta janë ballistët e Azis Biçakut, këtë e thotë vetë Enver Hoxha, kur shkruan:
Aty nga ora dy apo tre e mbasdites roja vjen dhe më lajmëron, se drejt nesh po ngjitej një grua. Kush të jetë, thashë dhe dola ta shoh. Ishte nusja e nënë Zyhrasë, e cila po na sillte bukë dhe pak gjizë. Kishte udhëtuar dhe ishte lodhur shumë.
-Të na falni,-tha Mahija, -që nuk jua solla më parë bukën.
-Ç’ kemi ndonjë të re, nga fshati?- e pyetëm.
Aziz Biçaku me të vetët në fakt nuk kërkonin gjë në fshat, se nëse do ta kishin bërë këtë gjë, do ta kishin kapur Enver Hoxhën natën në gjumë, në shtëpinë e Zyhrasë, ku ata do të vinin së pari për kontroll, se i biri i saj ishte partizan. Enver Hoxha, siç i thonë fjalës «kërkon të vejë vetullat por nxjerr sytë», kur thotë se, ndërsa natën rrinin në shtëpinë e Zyhrasë, ditën shkonin në pyll, ku ditën e parë erdhi i takoi vetë nënë Zyhraja, ndërsa ditën e dytë nusja e djalit të saj, Mahija. Por ballistët që e dinin se shtëpia e Zyhrasë qe bazë e partizanëve dhe se djali i saj qe partizan, duhet ta gjurmonin Zyhranë dhe nusen e saj Mahijen. Nëse ballistët kërkonin vërtet diçka të egërsuar, pra kërkonin partizanë, atëherë ata do të ndiqnin pas nga larg nusen e djalit partizan të Nënë Zyhrasë, dhe këtë të fundit, duke dyshuar se po u çonte bukë partizanëve të fshehur në pyll, dhe kështu do t’ i rrethonin ata. Por, ballistët, çuditërisht, nuk e bënë as këtë gjë. Madje ata, kur erdhën në fshat, nuk shkuan të djegin as shtëpinë e Zyhrasë, që dihej se qe bazë e partizanëve dhe shtëpi partizani. A duhen më prova të tjera se Enver Hoxha kishte një pakt me Aziz Biçakun, ose madje edhe me gjermanët? Dhe kur Enver Hoxha e të vetët ditën dalin të fshihen në pyll, dhe në mbrëmje rikthehen në shtëpinë e Zyhra Koçit për ta kaluar natën atje, çfarë garancie kishin se ballistët e Aziz Biçakut nuk do të vinin natën në shtëpinë e Zyhrasë për kontroll? Faktikisht ballistët nuk erdhën për kontroll. Është e çuditshme se Aziz Biçaku me ballistët e vet që në Kostenjë u treguan shkathët dhe të rreptë, duke msyrë britanikët dhe duke kapur rob Gjeneralin Davies, tash në Orenjë po tregoheshin kaq syleshë!
Në Orenjë, Enver Hoxha dhe të vetët duhet t’ i kenë dëgjuar krismat e shumta të armëve të luftës që u bë në stanet e Kostenjës, në 8 janar, të nesërmen e arritjes së tyre në Orenjë, se në këtë luftë, sipas tregimit të Gjeneralit Davies, nga gjermanët dhe ballistët u përdorën dhe mitraloza, granata e bazuka, krismat dhe shpërthimet e të cilave dëgjohen larg. E megjithatë Enver Hoxha dhe të vetët qëndrojnë të qetë në Orenjë ditën e 8 janarit si dhe atë natë dhe gjithë ditën e nesërmen, siç e kam cituar më lart të thotë Enver Hoxhën, kur i drejtohet Nënë Zyhrasë në gjuhë poetike. Kur arsyeja këshillonte që duhet të largoheshin sa më shpejt, se Orenja ishte një nga vendet e para ku ballistët dhe gjermanët duhet të vinin të kërkonin partizanët dhe britanikët që duhej të kishin shpëtuar nga sulmi në Kostenjë. Por Enver Hoxha kishte garanci nga gjermanët, prandaj ai rrinte në shtëpinë e Nënën Zyhrasë, shtëpia e së cilës kishte qenë tarafi i Aziz Biçakut.
VI
Anabasi i Enver Hoxhës: Nga Ura e Haxhi Beqarit tek Ura e Haxhi Beqarit
Derisa Enver Hoxha thotë se në Orenjë ka qëndruar dy net (7 dhe 8 janar), si dhe gjithë ditën e 9 janarit, deri në mbrëmje, dhe pastaj janë nisur për në Gurakuq, prej nga ku po atë natë kanë udhëtuar drejt Shmilit, atëherë i takon që në Shmil të kenë shkuar në mëngjes herët, në 10 janar. Enver Hoxha duke u rikthyer në Shmil, prej ku u nis në 19 dhjetor, imitoi kështu anabasin komik të Shvejkut që u nis për në Bugjejovicë dhe përfundoi në pikën prej ku u nis duke bërë një rreth të plotë. Edhe Enver Hoxha u nis nga Shmili për në jug dhe përfundoi në Shmil. Anabas quhej në Antikitet udhëtimi i një luftëtari që përfundonte në vendin nga ishte nisur, pasi kishte bërë shumë heroizma. Por kjo nuk vlen për Enver Hoxhën. Për të vlen shembulli i Shvejkut. Enver Hoxha gjatë anabasit të vet nuk e shkrepi asnjëherë armën, as edhe kur këtë gjë ia kërkoi me insistim Gjenerali Davies në Qarrishtë. Por anabasi i vërtetë i Enver Hoxhës do të ishte multianabas, siç do të tregoj më tutje.
Në Shmil u vendosën në lagjen Lugaxhi, tek Ali Disha. Këtu Enver Hoxha tregon një episod që është sa i habitshëm, aq edhe domethënës, për të vërtetën e Enver Hoxhës gjatë luftës:
Një ditë, në mëngjes na u dha alarmi. Forca të pushtuesit, të shoqëruara nga çeta të Ballit po hynin edhe në fshatin Lugaxhi. Ky është një fshat shumë i hapur, shtëpia e Aliut është e mënjanuar dhe e veçuar nga fshati dhe duhet të nisesh apostafat për të vajtur deri atje. Ndoshta armiku nuk ishte nisur për te ne. Po ku i dihet? Ai mund të ketë dyshime ose informata të veçanta, ose ndoshta vjen se e di që Shmili, në përgjithësi është bazë partizane? Ne duhej të shkonim në pozicionet e luftës që ishin lart, të shpella, mbi shtëpinë e Aliut. Morëm armët, municionet, Aliun dhe Abazin e vogël dhe u ngjitëm malit ku zumë pritat. Zenelin e çuam në fshat, sikur s’ dinte gjë, nusja shkoi për dushk dhe plaka, pasi spastroi dhomën se mos kishte mbetur ndonjë gjurmë nga ne, doli në shkallë dhe përgjonte. Lart në mal pritëm derisa kaloi dreka dhe erdhi Zeneli, i cili na tha se forcat armike kishin kaluar nga Shmili në drejtim të Orenjës.[cciii]
Enver Hoxha nuk e mposht dot natyrën e vet prej komediani! Ai këtu thotë se gjermanët dhe ballistët patën ardhur në katundin, ose më saktë lagjen Lugaxhi të Shmilit ku po qendronte ai me të vetët. Dhe çuditërisht, edhe këtu gjermanët e ballistët sillen si në Orenjë, dy ditë më parë, pra sillen kot nëpër fshat, pastaj ikin në Orenjë. Pse nuk e rrethojnë fshatin dhe të bëjnë kontroll, çka do të qe e arsyeshme, pasi edhe vetë Enver Hoxha thotë se ky fshat njihej si bazë e partizanëve. Pse atëherë ballistët dhe gjermanët që duhet të qenë me ta u sollën ndryshe nga ç’ bënë në Kostenjë, kur atje Gjenerali Davies mbeti vetëm pas largimit të Enver Hoxhës? Të nesërmen, kur Enver Hoxha shkoi në Orenjë, ballistët dhe gjermanët që duhet të qenë me ta, endeshin në fshat si turistë, pa bërë rrethim dhe kontroll, dhe në po të njëjtën mënyrë po silleshin edhe tash në Shmil! Kush të dojë le të besojë se ata po kërkonin vërtet seriozisht udhëheqjen e lëvizjes partizane e komuniste, siç thotë Enver Hoxha dhe historiografia e tij. Më tutje, Enver Hoxha shkruan:
Sidoqoftë maturia e luftës ilegale na mësonte se duhej të ndërronim bazën, duhej të ndaheshim me mikun tonë të shtrenjtë e besnik, Ali Dishën dhe me familjen e tij aq bujare. Ndarja jonë me Aliun, me plakën, me Zenelin dhe me nusen e tij u bë afër mesit të natës.[cciv]
Maturia e luftës ilegale siç thotë Enver Hoxha, do të kërkonte që mos të kishin ardhur fare në Shmil, derisa ky fshat sipas fjalëve të vetë Enver Hoxhës njihej si bazë partizane. Por, megjithatë, çuditërisht, Enver Hoxha dhe të vetët mbeten përsëri në Shmil, veçse ndërrojnë shtëpinë ku qendrojnë:
U përqafuam fort me Ali Dishën e përlotur dhe me familjen e tij në terrin e natës, me hapa të lehtë partizanësh, u futëm në dushqet e Shmilit, drejt bazës së re, kasolles së vetmuar në mes të pyllit, të një fshatari tjetër të varfër, po me atë emër, Ali, të Ali Gjurës.[ccv]
Maturia e luftës ilegale, siç shprehet Enver Hoxha, e kërkonte që të largoheshin fare nga Shmili, pasi nëse gjermanët dhe ballistët kishin rënë në gjurmë të tyre, ata do të rrethonin gjithë zonën dhe do ta krehnin me qen zbulimi, duke mos shkuar vetëm në shtëpinë e Ali Dishës, por edhe në dushqet e Shmilit, ku Enver Hoxha thotë se shkoi. Por, ironia është se Enver Hoxha e ka shkelur edhe atë pak «maturi të luftës ilegale» që pretendon se tregoi në këtë rast. Për këtë kemi dëshminë e Sami Bahollit, kushëririt të Nexhmije Hoxhës dhe njeriut që ka organizuar lëvizjet e Enver Hoxhës dhe të njerëzve të tij në këtë periudhë, në itinerarin Shmil-Labinot dhe deri në kalimin në anën tjetër të Shkumbinit. Sami Baholli shkruan në kujtimet e veta, të botuara në përmbledhjen «Kujtime për Enverin»:
27 janar 1944, e enjte. Ngjarja më kryesore e këtyre ditëve është se shokët mbrëmë i dërgova prapë te Ali Disha. E bëmë këtë lëvizje me qëllim që edhe po qe se ndokush ka rënë në dyshim për praninë e tyre, të marrë vesh se te Ali Gjura nuk ka partizanë. Bile i porosita Ali Gjurën dhe vëllanë e tij Hasanin që sot e nesër të tërheqin ndonjë mik në shtëpi si gjoja «për të dredhur një cigare» e «për të pirë një kafe» e me marifet t’ i bindin se në atë shtëpi s’ ka njerëz të tjerë veç atyre të familjes.[ccvi]
Pra, tek Ali Disha kanë shkuar përsëri. Enver Hoxha nuk e thotë këtë gjë sepse atëhere do të binte fare «gjethja e fikut» e «maturisë së punës ilegale» që tregonte ai në këtë marshim dhe do të zbulohej «lakuriqësia» e së vërtetës skandaloze se Enver Hoxha sillej praktikisht si një njeri legal, në kushtet e operacionit gjerman të dimrit. Dhe nga shtëpia e Ali Dishës kalojnë përsëri tek shtëpia e Ali Gjurës, në «dushqet e Shmilit», siç i quan Enver Hoxha. Për këtë Sami Baholli shkruan:
29 janar, e shtunë. Tarasin (Enver Hoxha-K.M.) dhe shokët e tjerë u detyruam t’ i sjellim përsëri te Ali Gjura. Kjo lëvizje e detyrueshme ndodhi në këto rrethana: sot në mëngjes, duke parë me sy e me dylbi andej nga faqja e Orenjës, ata kishin parë mjaft katundarë të armatosur që vinin drejt Shëmilit. Këtë dyndje ata e morën si një sulm të mundshëm ballist, prandaj aty për aty, ditën, kishin dalë nga shtëpia e qenë ngjitur përpjetë malit. Kështu na e dekonspiruan pa dashje bazën te Ali Disha. Nga të dhënat që mblodha unë, ata katundarë që vinin drejt Shëmilit ishin orejanë e miq të tyre që kishin marrë arratinë përpara një sulmi ballistësh. Puna është se na u dekonspirua nje bazë me rëndësi e tani duhet menduar për një tjetër rezervë.[ccvii]
Duke konsideruar faktin që Enver Hoxha u rikthye në shtëpinë e Ali Dishës, e cila sipas tij qe e kompromentuar, duhet besuar se edhe kjo lëvizje e dytë është bërë jo për shkak të «maturisë së punës ilegale» të Enver Hoxhës, por për shkak të shqetësimit të Sami Bahollit dhe të fshatarëve të tjerë, të cilëve Enver Hoxha nuk mund t’ ua kundërshtonte mendimin për të lëvizur, në rast se nuk donte të dyshonin se ai nuk qe vërtet ilegal, siç shtihej. Enver Hoxha nuk jep data të sakta, por sipas Sami Bahollit, të cituar më lart, tek Ali Gjura kanë ndenjur nga 29 janari 1944 deri sa shkuan në shtëpinë e Sherif Çekës. Enver Hoxha shkruan:
Në kasollen e Ali Gjurës ndenjëm disa ditë, atje përpunuam shumë materiale që ua dërgova organizatave të Partisë nëpërmjet Elbasanit.[ccviii]
Duhet të ketë qenë në qendrimin e parë tek Ali Gjura që Enver Hoxha shkroi letrën e famshme të 24 janarit 1944, për Dali Ndreun që ngarkohej të merrte komandën e Brigadës III:
Brenda 48 orëve mbas marrjes së kësaj letre ti do të marrësh në dorëzim nga Hulusiu komandën e Brigadës III dhe do të nisesh me brigadën për në Çermenikë… Brenda 48 orëve duhet të keni kryer të gjitha veprimet e nevojshme për t’ u vënë në marshim. Qëllimi i vajtjes suaj në Çermenikë është për të luftuar kundër reaksionit… Rrugën do ta kaloni nga Gurakuqi. Të mos kaloni as nga Labinoti as nga Shëmili. Do të ruheni të mos bini në luftë me komandantin e çetës (në tekst është shënimi «balliste»-K.M.) të Shëmilit. Mandej vazhdoni për Fënarë, Zdrajsh e Zgozhdë që janë qendrat e reaksionit. Në Gurakuq e në Orenjë do të përpiqeni të merrni kontakt me Batalionin e Çermenikës. Me anën e këtyre do të lidheni me Shtabin e Përgjithshëm i cili do t’ u japë direktiva të reja. Lidhjes me Shtabin duhet t’ i jepni rëndësinë më të madhe dhe prandaj me të mbërritur në Gurakuq e në Orenjë do të përpiqeni për këtë gjë.[ccix]
Siç e kam thënë edhe një herë është e habitshme se përse Enver Hoxha, i cili pretendon se po kërkonte me çdo kusht që të dilte nga zona ku qe bllokuar, i kërkon Brigadës III që mos të kalonte nga Shmili ku qe Enver Hoxha, kur duhej t’ i kishte thënë pikërisht të kundërtën. Dhe pse i thotë se me ballistët e Shmilit nuk duhej luftuar?! Sepse ballistët e Shmilit qenë nën komandën e Aziz Biçakut, me të cilin Enver Hoxha pati bërë kompromis që kur qe në Kostenjë? Prandaj çeta balliste e Shmilit nuk e prekte Enver Hoxhën? Gjatë qendrimit në Shmil Enver Hoxha tregon për një episod në shtëpinë e Ali Gjurës. Enver Hoxha, i cili porsa ishte shtrirë të flinte dëgjon Sami Bahollin t’ i thotë Ali Gjurës:
Asgjë nuk do të lëvizë rreth kasolles, ti, nesër, afër drekës në filan vend (dhe i tregoi vendin), do të shkosh dhe do të marrësh një thes që do të gjesh atje. Në mbrëmje natën ti me gjithë vëllanë do të shkoni në këtë vend (dhe i dha një adresë tjetër) dhe atje do të merrni dy thaës të tjerë. Pasnesër do të përsëritësh po këtë punë me shumë kujdes. E more vesh?
-E mora,-tha Aliu.
-Atëherë,-i tha Samiu,- unë po shkoj, s’ vij më këtej, hëpërhë, do të marrësh urdhra nga shoku Komisar. Mbetshi me shëndet. Kujdes!
-Mos ki merak,-ishte përgjigjja.
Dhe Aliu veproi sipas urdhrave të Samiut. E ku kishte parë ndonjëherë kasollja e varfër e Ali Gjurës kaq ushqime, miell bukë të grunjtë, djathtë të bardhë, djathë manure, ullinj, vaj, disa konserva me sardele, sheqer, kripë, kafe, xhezve, një tigan, lugë dhe pirunë?!
-Shoku Komisar,-pyeste Aliu,-të gjitha këto ne do t’ i hamë?
-Jemi shumë veta Ali,- i thosha,- edhe me kursim, pa të shohim a do të na dalin. Ju jeni fshatarë të varfër, unë jam gjirokastrit dhe nami na ka dalë se jemi të kursyer, prandaj çdo gjë do të shpenzohet si në luftë.[ccx]
Kështu, çdo ditë nga tre thasë me ushqime, të çdo lloji, deri edhe delikatesa. Enver Hoxha pretendon se ka dhënë porosi që këto ushqime duheshin konsumuar me kursim, se ata qenë shumë dhe qe luftë. Por, siç thotë vetë Enver Hoxha, siç e kam cituar pak më lart, ai dhe njerëzit e tij qenë dhjetë vetë, ndërsa Aliu qe vetë i katërt, pasi kishte gruan, një fëmijë dhe një vëlla të pamartuar në shtëpi. Pra, tre thasë ushqime në ditë, për 14 vetë! Me kaq ushqime në atë do të ushqehej një brigadë e tërë partizane! E pastaj Enver Hoxha thotë se ka vuajtur gjatë Operacioni të Dimrit, kur del se ai ka udhëtuar si turist, me të gjitha të mirat, pa rënë në asnjë luftim.
Enver Hoxha ka të drejtë kur thotë se shtëpia e fshatarit të varfër Ali Gjura nuk i kishte parë kurrë gjithë këto ushqime, por ama ato nuk i pa kurrë edhe gjatë kohës kur Enver Hoxha qe në pushtet, madje e pa edhe më keq, se Enver Hoxha u tufëzoi dhe bagtitë, duke u marrë dhitë, delet e pulat dhe duke i lënë pa qumësht e vezë, për mos të përmendur kafen dhe sheqerin që jepeshin me listë, në sasi të vogla, si shumë ushqime të tjera dhe që në më të shumtën e kohës mungonin krejt. Fshatari i varfër Ali Gjura duhet t’ i ketë mbajtur mend vërtet këto përrallore që kaloi me Enver Hoxhën dhe t’ ua ketë treguar si përrallë nipërve dhe mbesave, të cilët në kohën e lumturisë që solli pushteti i Enver Hoxhës ushqimet që erdhën atë ditë në shtëpinë e tyre mund t’ i shikonin vetëm në ëndërr. Dhe, duke ndejtur, duke ngrënë dhe duke pirë, Enver Hoxha bënte biseda «heroike» me strehuesin e vet:
Një ditë duke ndenjur me të e pyes:
-Po sikur të na rrethojnë larot e Ballit dhe gjermanët, ke menduar ç’ do të bëjmë?
-Do të luftojmë,-m’u përgjigj Aliu.[ccxi]
Eh, ballistët dhe gjermanët nuk e sulmuan kurrë Enver Hoxhën në këtë marshim «heroik». Enver Hoxha i nxjerr kasollet në kujtimet e veta se ashtu i duhet «hagiografisë» së tij, por e vërteta del megjithatë në kujtimet, kur shkruan:
Në shtëpinë e Sherif Çekës ku shkuam, kushtet ishin më të mira për arsye se Sherifin dhe vëllanë e tij, Ramën, me të nipin, i cili më vonë u pranua edhe anëtar partie, mund t’ i quanim fshatarë të mesëm për fshatin e Shmilit.[ccxii]
Në këtë shtëpi shërbimi për Enver Hoxhën ishte si një një resort turistik malor:
Gjatë tërë kohës që qëndruam në shtëpinë e Sherifit, e cila ishte ngritur në një vend të ngjashëm nga pozicioni me shtëpinë e Ali Dishës, ne u rrethuam nga dashuria e njerëzve të familjes…Gratë na e sillnin bukën të mbështjellë në një napë të bardhë që edhe ajo dukej si bora në dushqet kur rrinim tërë ditën deri kur errej… Ne ktheheshim vonë, kur binte nata.[ccxiii]
Edhe këtu e njëjta përrallë si në Orenjë ku, për shkak se në fshat qenë ballistët e Aziz Biçakut, Enver Hoxha dhe të vetët rrinin natën në shtëpinë e nënë Zyhrasë, ndërsa ditën rrinin në pyll, ku shkonin t’ i takonin nënë Zyhraja dhe nusja e djalit të saj. Ndërsa në Shmil, ku rrijnë në shtëpinë e Sherif Çekës, janë nuset e shtëpisë që shkojnë u çojnë ushqim ditën, kur ata fshihen në pyll. Por, gjermanët dhe ballistët kaq idiotë qenkan treguar sa nuk i paskan ndalur këto nuse dhe t’ i pyesin se kujt po ia çojnë këtë ushqim në pyll në mes të dimrit dhe borës, ose së paku t’ i gjurmonin dhe kështu të shkonin pas tyre drejt e tek Enver Hoxha dhe njerëzit që qenë me të? A nuk e mendonte Enver Hoxha këtë? Më e besueshme duket që, Enver Hoxha, duke qenë i sigurt se ballistët dhe gjermanët nuk do ta preknin, rrinte i qetë në shtëpitë ku qe strehuar, dhe këto që tregon janë vetëm trillime prej komediani.
Enver Hoxha qëndroi në Shmil deri në mes të shkurtit 1944, duke pritur Brigadën I, të cilën e donte jo për t’ u mbrojtur nga gjermanët, por nga hakmarrja e kundërshtarëve politikë që kishte eliminuar në luftën civile. Kur kaloi aq kohë sa të besonte se Brigada I nuk e kishte kryer dot misionin dhe do të ishte shpërbërë si forcat partizane që ai vetë kishte pasur në dhjetor, Enver Hoxha vendosi të kalojë në jug, me aq njerëz sa ç’ i kishin mbetur pranë vetes, domethënë vetë i pestë. Spiro Koleka shkruan:
«Më 14 shkurt u larguam nga kasollja e Ramë Karagjozit, ku po qëndronim kohët e fundit në Shmil dhe u vendosëm në një haur të shtruar me kashtë, në një lëndinë në mes të pyllit, në atë drejtim nga do të zbrisnim për në lumin Shkumbin. Në këtë haur kaluam netët e 14- 15 shkurtit, duke u mbuluar vetëm me kashtë. U shkëputëm nga të gjithë shokët. Vazhdonim të ishim vetëm ne të tre: shoku Enver, Spiro Moisiu dhe unë, të shoqëruar nga Sami Baholli e Ram Çeka. Këtu kaluam dhe ditën e 15 shkurtit».[ccxiv]
Në fakt qenë katër vetë. I katërti ishte Ymer Dishnica, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Këshillit ANÇ, të cilin Spiro Koleka nuk e përmend, se më pas do të shpallej tradhtar. Që ishte dhe Ymer Dishnica kjo provohet kur Enver Hoxha i thotë Gjeneralit Davies në Kostenjë, në 7 janar 1944, në bisedën e ndarjes, duke i folur për kolonelin Nikols të sëmurë:
Enver Hoxha, i cili atëherë kishte mbetur me një grusht njerëz në malet e Çermenikës nuk mund të premtonte ta Çonte kolonelin britanik në spital në Tiranë. Ky nuk është veÇse një trillim prej komediani në kujtimet. Por këtu na intereson fakti që Enver Hoxha pohon tërthorazi se Ymer Dishnica qe me të gjatë këtij udhëtimi. Enver Hoxha pra kishte mbetur vetë i katërt. Duke ditur se Enver Hoxha kishte dashur të kalonte në Jug me forca të mëdha partizane, për të siguruar veten, është e sigurt se ai nuk do ta ndërmerrte këtë aventurë pa pasur garanci speciale, të cilat mund t’ i jepnin vetëm gjermanët.
Në natën e 15-16 shkurtit 1944, Enver Hoxha bën një deja vu të 12 dhjetorit 1943. Ai niset nga Shmili në Labinot, dhe prej këtu në breg të Shkumbinit. Por si do t’ ia bënte këtë herë për të kapërcyer Shkumbinin, kur ishte shkurt dhe lumi qe përsëri i fryrë nga ujrat. Enver Hoxha nuk kishte ndërmend që ta kalonte lumin në va, por nga një urë. Nga cila urë. Ja se si thotë ai vetë:
Kishin kaluar pothuaj dy muaj nga përpjekja jonë për të kapërcyer Shkumbinin dhe ja, më në fund, pas gjithë atyre peripecive, në natën e 15-16 shkurtit, ne iu afruam Urës së Haxhi Beqarit.[ccxvi]
Kështu anabasi i madh i Enver Hoxhës përfundon atje ku filloi në 12 dhjetor, tek Ura e Haxhi Beqarit. Në 12 dhjetor 1943 Enver Hoxha kishte ndaluar në breg të Shkumbinit dhe i ankohej Gjeneralit Davies për hedhjen në erë të Urës së Haxhi Beqarit nga kapiten Smiley. Atëherë Enver Hoxha kishte me vete dy brigada partizane dhe disa batalione të veçanta. Tash po kthehej vetë i katërt, i shoqëruar nga dy fshatarë. Por ishte bërë «mrekullia». Ura e Haxhi Beqarit e priste atje?! A nuk ka shkruar Enver Hoxha se kalimi i Shkumbinit në dhjetor 1943 dështoi se oficeri britanik Davide Smiley pati hedhur në erë Urën e Haxhi Beqarit mbi Shkumbin? Çfarë paska ndodhur kështu, Ura e Haxhi Beqarit na qenka rindërtuar midis 12 dhjetorit 1943 dhe 15 shkurtit 1944, në kohën e Operacionit të Dimrit. Kjo duket e pabesueshme për dy arsye. E para, në kohën e Operacionit të Dimrit, nuk mund të ndërtohej një urë në një lumë të gjerë si Shkumbini brenda dy muajsh, qoftë kjo edhe një urë prej druri. Gjermanët nuk kishin arsye pse ta bënin këtë gjë, e para se ata në atë kohë kishin probleme të tjera dhe e dyta pasi ata përdornin për nevojat e tyre më tepër urën kryesore mbi Shkumbin në atë zonë, në Librazhd, urë e cila qe jo shumë larg vendit ku pati qenë Ura e Haxhi Beqarit. Gjermanët nuk kishte arsye pse të ndërtonin ura që do t’ u shërbenin vetëm partizanëve.
Mbetet që të mendohet se urën e kanë ndërtuar autoritetet shqiptare të kohës, gjë që duket e pabesueshme, së pari për faktin se edhe në këto 60 vite të pasluftës, qeverive shqiptare komuniste dhe paskomuniste, u duheshin vite për të rindërtuar urat dytësore të prishura (shumë prej tyre qendrojnë të prishura prej vitesh edhe sot), çka do të thotë se duhet t’ i atribuosh qeverisë shqiptare të quajtur kuislinge të kohës së luftës efikasitet dhe zotësi të madhe, që paska arritur të rindërtojë një urë mbi një lumë kaq të madh midis 12 dhjetorit 1943 dhe 15 shkurtit 1944, për ta bërë gati kështu në ditën kur Enver Hoxha doli në bregun verior të Shkumbinit, për ta kapërcyer lumin mbi këtë urë të supozuar. Në dimrin e viteve 1943-1944 administrata shqiptare pati filluar të shthurrej dhe sigurisht që ajo nuk mund të mendonte për rindërtim urash. Derisa ura nuk qe rindërtuar midis shtatorit kur e hodhi në erë Smiley dhe dhjetorit, kur deshi ta kapërcente lumin Enver Hoxha, nuk do ta bënte kush këtë punë nga dhjetori në shkurt. Por, edhe sikur të pretendohet se urën do ta kenë rindërtuar autoritetet shqiptare, kjo është e pamundur të jetë bërë në atë periudhë, pasi rindërtimi i një ure nuk bëhet në dimër në kushtet kur prurjet e lumit janë shumë të mëdha, çka i pengon punimet. Aq më tepër ku Smiley shkruan në kujtimet e veta se ai përdori një sasi shumë të madhe dinamiti, që e dëmtoi urën shumë rëndë. Enver Hoxha nuk e gjen fare të nevojshme të tregojë se si qe riparuar ura gjatë dy muajve të dimrit. Ai thjesht thotë se ajo e priste atje e rregullt, a thua ai kishte bërë një mrekulli. Por kjo është një «mrekulli» dhe siç tha Enver Hoxha në plenumin e KQ, në 1982, kur eliminoi Kadri Hazbiun: «Mrekulli bën Shën Thomai, ne jemi marksistë, ne nuk bëjmë mrekulli».
Por nëse kishte një urë në atë kohë, do të thotë se kishte dhe roje gjermane që e ruanin, gjë që e pohon dhe Enver Hoxha:
Urën e ruanin dy roja të armatosura gjermane dhe pikërisht në çastin kur ata shkuan, ndoshta për t’ u ngrohur ose për të zgjuar shokët që t’ i ndërronin, ne zbritëm me shpejtësi, e kapërcyem urën mu nën hundën e tyre dhe u nisëm, pa u ndier, drejt Polis-Mirakës.[ccxvii]
Nuk të mbetet veçse të thuash se kapërcimi i urës është bërë me aq lehtësi sa ç’ është riparuar ajo në mes të dimrit. Për këtë episod Spiro Koleka shkruan ndryshe:
Natën e 15-16 shkurtit u nisëm e zbritëm në shtëpinë e Myftar Hoxhës, këtej urës së Haxhi Beqarit. Kjo urë prej druri që lidhte dy anët e Shkumbinit, ruhej shumë nga gjermanë. Në orët e vona të natës, pasi u ndamë nga Sami Baholli e Ramë Çeka, duke përfituar nga një moment në të cilin mungonin rojat, me ndihmën e Myftarit, arritëm të kalonim urën.[ccxviii]
Spiro Koleka thotë se ura ruhej shumë nga gjermanët, çka duket e natyrshme, se urat mbi Shkumbin në atë kohë tentonin të përdoreshin prej mbeturinave të forcave partizane të cilat qenë thyer në zonat në veri të Shkumbinit dhe që tentonin të kapërcenin Shkumbinin për të kaluar në Shqipërinë e Jugut. Por, duke mos mundur ta kapërcenin lumin në këmbë për shkak se ai qe fryrë shumë për shkak të prurjeve nga rreshjet dhe përrenjtë, atëhere mbetej që ta kalonin vetëm nëpër ura. Spiro Koleka, megjithatë i qendron besnik versionit të Enver Hoxhës dhe thotë se e kapërcyen urën kur rojet mungonin, gjë që duket e pabesueshme, pasi gjermanët mbanin me vete qenër, që do të jepnin alarmin porsa ata të hynin në urën e gjatë.
Është e qartë se Enver Hoxha nuk e ka kaluar Shkumbinin nëpër Urën e Haxhi Beqarit, por nuk e ka kaluar as në këmbë, në va. Ai mbetet që ta ketë kaluar në urën kryesore të pjesës lindore të Shkumbinit, pranë Librazhdit dhe kjo gjë mund të jetë bërë vetëm në marrëveshje me gjermanët, ose së paku me ballistët. Për këtë mund të ketë ndërmjetësuar Aziz Biçaku. Se çfarë «pakti me djallin» ka bërë Enver Hoxha në ato kohë të vështira, kjo mbetet për t’ u zbuluar dhe unë do të përpiqem që të hedh pak dritë mbi këtë aferë të errët më poshtë në këtë studim.
Sami Baholli, që duhet marrë si më i besueshëm për shkak se ka mbajtur ditar, shkruan në kujtimet e veta:
15 shkurt, e martë. Me ato të dhëna që kemi shokët vendosën që nesër të nisen për në Jug.[ccxix]
Më tutje, Sami Baholli shkruan:
Më 16 shkurt u nisëm vonë pasdreke. Në grup ishin shokët e Shtabit dhe si shoqërues Ramë Çekoja dhe unë. Nëpër Brezë e nga rruga e Qafë Barit, zbritëm te shtëpia e Destan Çekos në Xibrakë, kushëri i Sherif Çekos. Aty morëm me vete edhe Selman Çekon dhe u nisëm drejt Mirakës. Kur po afroheshim atje u detyruam të ndalojmë rreth 25-30 minuta, sepse më tej, në Mirakë, kërciste pushka e mitralozi. Tarasi më pyeti se çfarë mund të ishin ato pushkë. Me besim te miqtë e sigurova se nuk kishin të bënin me ne, sepse ata që na mbajtën në vatrat e veta kaq kohë e ata që po na përcjellin janë miq besnikë. Veç kësaj zhurma bëhej mjaft larg nesh. Pasi pushoi rrëmuja e krismave të gjermanëve, që zhvillohej në vendin e quajtur Planat e Mirakës u varëm poshtë. Bëmë një pushim të shkurtër në shtëpinë e Rapush Mjeshtrit kun a priste edhe Myftar Hoxha. Pastaj, siç bëjmë kurdoherë, me kujdes e me distancë nga shoqi-shoqi kalojmë urën. Myftari na ftoi në shtëpi, por sigurisht nuk qe rasti. Na shoqëroi i vëllai i Myftarit, Hamiti dhe vazhduam rrugën. Kur mbërritëm në një vend përtej Urës së Gurit në përruan e Gostimës, Tarasi na ndaloi e kërkoi që ne që vinim nga Shëmili të ktheheshim prapë. Ishte ndoshta mesi i natës e nuk e shihnim mirë shoqi-shoqin.[ccxx]
Pra, sipas Sami Bahollit për të kapërcyer urën mbi Shkumbin u nisën në 16 shkurt pasdite dhe jo në natën e 15-16 shkurtit, siç thotë Enver Hoxha. E dhëna që jep Sami Baholli duhet marrë si më e saktë, për shkak se ai ka qenë i vetmi prej atyre që e kaluan Shkumbinin së bashku me Enver Hoxhën, që ka mbajtur ditar në atë kohë.
Se përse është bërë kjo ngatërresë në datën e kapërcimit të Shkumbinit në kujtimet e Enver Hoxhës dhe në kujtimet e Sami Bahollit nga ana tjetër, kjo është e qartë. Ata nuk mund ta kenë kaluar Shkumbinin në një urë joekzistente në natën e 15-16 shkurtit, por e kanë kaluar në një urë ekzistente, prane Librazhdit dhe në 16 shkurt në mbrëmje janë gjendur në Polis-Mirakë, duke udhëtuar ndoshta me kuaj, nga ana tjetër e lumit. Atje kanë dëgjuar dhe të shtënat e dendura të armëve për të cilat flet Sami Baholli dhe që me sa duket e ka zhvenduar skenën në bregun tjetër.
Enver Hoxha shkruan, duke e pasur fjalën për datën16 shkurt 1944:
Në Polis- Mirakë qëndruam disa orë në shtëpinë e Myftar Hoxhës për t’ u çlodhur e për të përcaktuar itinerarin që do të ndiqnim më tej. Myftari, edhe i gëzuar për kalimin pa incidente të urës, por edhe i habitur na pyeti:
-Si ia bëtë, o Komisar, që çatë mes tërë këtyre gjermanëve dhe ballistëve që kanë mbushur vendin?[ccxxi]
Enver Hoxha, i pandjeshëm ndaj ironisë së situatës, që e kompromentonte atë, na përsjell habinë e të zotit të shtëpisë, i cili i priti në Polis-Mirakë, në anën tjetër të Shkumbinit, fshatarit të zgjuar Myftar Hoxha. Eh sikur ta dinte ky Myftar Hoxha atë historinë e incidentit të Enver Hoxhës me karabinierët italianë në dyqanin «Flora», në 1941, atëhere fshatari i zgjuar do të kuptonte gjithçka dhe nuk do të pyeste. Për vazhdimin më tutje, Sami Baholli shkruan:
Djali i Bim Halilit nga Polisi, që e morëm rrugës, mori përsipër t’ i përcjellë shokët deri te Jaho Kalija, në Fushë-buell. Jahoja nga ana e tij do t’ i shoqërojë më tej derisa të takohen me forcat e Batalionit të Dumresë ose me ato të Brigadës IV që flitet se janë afruar andej nga Shpati.[ccxxii]
Ndërsa Enver Hoxha shkruan:
Duhej të nxitonim që mëngjesi të na gjente te patrioti Jaho Kalia, në fshatin Fushë-Buall. Fushë-Bualli ishte afër Elbasanit. Në këtë kohë unë mbaja pseudonimin Hasan Mborja, kurse Spiro Moisiu ishte «i privuar» nga pseudonimet, sepse shumë nga banorët e krahinave nga do të ecnim e kishin njohur në ushtri dhe e thërritnin «Major Spiroja». [ccxxiii]
Ky Spiro Moisiu, sipas intervistës që ka dhënë i biri Alfred Moisiu, në emisionin «Opinion», në Tv Klan, në 28 nëntor 2002, kërkohej të arrestohej prej italianëve që në pranverën e vitit 1943 dhe tashmë dihej se ai qe një nga krerët e lëvizjes partizane. Derisa banorët e fshatrave ku kalonin e njihnin Spiro Moisiun, si ish-eprorin e tyre në ushtri, atëhere është e kuptueshme se lajmi do të shkonte dhe tek gjermanët e ballistët. Por, megjithatë këta të fundit nuk tentuan asnjëherë që t’ i kapin. Në 16 shkurt 1944, kalojnë natën në Fushë-buall. Në mëngjes nisen për rrugë në itinerarin Fushëbuall-Shushicë:
Fshati Shushicë për ku ishim nisur nga Fushë-bualli të udhëhequr nga nipi i Jaho Kalisë, Musai, ngrihej në luginën që formon lumi i Shkumbinit në fushë dhe pranë qytetit të Elbasanit. Duke pasur një pozicion të tillë, ai ishte gjithmonë nën kërcënimin e bastisjeve të forcave gjermano-balliste, sidomos të mercenarëve, të kriminelëve të tillë si Alush Leshanaku e të tjerë.[ccxxiv]
Por megjithatë Enver Hoxha nuk u ballafaqua kurrë me armë, me me armiqtë, as këtu dhe në asnjë vend tjetër. Merret vesh, ai udhëtonte me leje speciale gjermane. Duke udhëtuar Enver Hoxha arrin në fshatin Galigat, një vend i shënuar në «hagiografinë» e tij të kohës së luftës. Enver Hoxha shkruan:
Duke çarë borën e dendur arritëm te pylli, afër fshatit Galigat…Po binte mbrëmja dhe të ftohtit po shtrëngonte shumë. Ne ishim të dërsirë nga rruga, por nuk mund të ndiznim zjarr sepse mund të diktoheshim nga forcat gjermano-balliste, që duhej të lëviznin atyre anëve.[ccxxv]
Por, me zjarr ose pa zjarr gjermanët e ballistët duhet që t’ i diktonin së paku një herë gjatë këtij udhëtimi të gjatë, por ata nuk i diktuan kurrë, sipas fjalëve të Enver Hoxhës. Dhe pastaj, Enver Hoxha dhe të vetët shkojnë tek kasollja e Galigatit, e njohur nga kënga e realizmit socialist. Enver Hoxha shkruan:
Kur ja, mes erës dhe tufanit të madh dalluam një kasolle, një kasolle në mes pemësh, mbuluar me kashtë. Na u duk diçka e mahnitshme, madhështore. Te dera e kasolles rrinte një fshatar, mesoburrë, i hollë, ca i verdhë nga fytyra e pa flokë. Ai ishte Ymer Coha.[ccxxvi]
Ky fshatari i Galigatit, strehues i Enver Hoxhës, e meriton të sillet si ilustrim i mashtrimit të fshatarësisë nga komunizmin. Atë natë mes tij dhe Enver Hoxhës zhvillohet një bisedë shumë interesante:
-Shoku komisar të zuri gjumi?
-Ja, po më zë Ymer, -i thosha.
-Po sa pa fjetur, a mund të më thuash edhe një gjë?
-Folë Ymer.
-A do të ketë para kur të qeverisim ne?
-Do të ketë Ymer, por do të jetë paraja jonë, paraja e popullit, këtë para që kemi sot do ta çjerrim e do të shtypim të reja që do të kenë vlerë të madhe dhe do të mbushim tregun tonë me mallra e me prodhime që do t’ i bëjmë vetë, këtu në vend…
-O sa i mirë është ky komunizmi!- thoshte Ymer Coha.- Dhe tani fli, fli shoku Komisar, fli se të lashë pa gjumë.[ccxxvii]
Eh…Se sa i mirë qe komunizmi fshatari do ta provonte më vonë! Dhe veç kësaj nuk paska qenë pra, ashtu siç thotë kënga e realizmit socialist «Kasollja e Galigatit»:
S’ kishin gjumë malet,
s’ kishte gjumë Enveri.
Frynte erë dimri,
Si këngë maliheri.
Enver siç thotë dhe vetë kishte gjumë, por ai që nuk kishte gjumë qe Ymeri që shikonte ëndërra të bukura me syhapur për komunizmin, ndërsa kënga e maliherit (pushkës) nuk u dëgja kurrë gjatë këtij marshimi «heroik», që prej 19 dhjetorit 1943 kur filloi dhe deri në 10 mars 1944 kur përfundoi.
Në 20 shkurt, në mëngjes, nisen nga Galigati për në Nezhan (Shpat), ku arrijnë në mbrëmje. Enver Hoxha shkruan:
Në Nezhan qëndruam në familjen e vëllezërve Dede, te Foni dhe Spiro Dede. Më kujtohet që na pritën mirë dhe nuk u trembej syri nga ballistët e Zhak Shqaut që vërtiteshin nëpër fshat… Gjatë dy tri ditëve që qëndruam në shtëpinë e vëllezërve Dede u fola hapur se kush ishte Lef Nosi dhe ç’ tradhëti të fëlliqur kishte kryer.[ccxxviii]
Nga këto fjalë mësojmë se Nezhani qe plot me ballistë kur arriti Enver Hoxha atje, por ata nuk e ngacmuan Enver Hoxhën dhe njerëzit e këtij të fundit. Ballistët «si ujq», siç i quan Enver Hoxha, nuk e paskan rrethuar dhe kontrolluar fshatin shtëpi në shtëpi, çka do të bënte që t’ i zbulonin patjetër partizanët e fshehur. Pse? Sa keq që dhe Gjenerali Davies nuk ndeshi në kësi ballistësh të druajtur dhe të sjellshëm! Në Nezhan, duke bërë llogarinë sipas tregimit të Enver Hoxhës del se qëndruan në 20-21 shkurt.
Në 21 shkurt 1944, ndërsa Enver Hoxha dhe të vetët qenë në skajin juglindor të Shpatit, në Seltë, Mehmet Shehu me tre batalionet e Brigadës I qe jo shumë larg, në Dardhë të Sulovës, në Berat, jo më vonë se tre ditë rrugë larg. Por, objektivi që i ishte dhënë Mehmet Shehut qe Shëngjergji i Tiranës dhe ai nuk kishte asnjë të dhënë se në ndërkohë Enver Hoxha dhe të vetët patën kapërcyer Shkumbinin dhe qenë duke udhëtuar në Shqipërinë e Jugut. Kjo është një tjetër provë se Enver Hoxha vazhdonte të qe krejt i shkëputur nga forcat partizane të cilat qenë në Jug.
Mehmet Shehu në «Kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese» shkruan:
Më 21 shkurt komandanti i Brigadës niset që nga Dardha e Sulovës, me Batalionin I. III dhe një pjesë të batalionit IV, për të kryer këtë mision. Kalojmë Tomorricën (fshat rrëzë Tomorrit nga veriu-shënimi në tekst- K.M.), Oparin, Gorën e më 25 shkurt jemi në Çezmën e Mokrës. Udhëheqës nuk kemi. E gjithë toka është e mbuluar me borë dhe vazhdon të bjerë gjithnjë pa pushim. Shkumbini mund të kalohet vetëm ku buron, afër Prënjasit.[ccxxix]
Pra problemi mbetej ai që pati qenë për Enver Hoxhën në dhjetor, kapërcimi i Shkumbinit, që në dimër nuk mund të bëhej në va, por vetëm në vendin ku lumi ngushtohej më tepër, pranë burimit. Kjo e detyronte Mehmet Shehun të zgjidhte itinerarin të cilin kishte qenë i detyruar të zgjidhte Enver Hoxha, pas dështimit të kalimit të Shkumbinit, në dhjetor, por pa mundur të çante. Enver Hoxha shkruan në lidhje me lëvizjet e grupit të vet në kohën që Mehmet Shehu tentonte të kalonte Shkumbinin:
Kishim disa ditë që endeshim pyjeve të Shpatit e të Vërçës për të shkuar në Korçë. Kishim lënë pas Seltën dhe u ndodhëm buzë lumit të Holtës, të cilin duhej ta kapërcenim patjetër për t’ u hedhur matanë në Stror. U futëm në ujë deri në gjunjë…Më në fund, ndonëse me vështirësi, e kaluam Holtën me sukses.[ccxxx]
Enver Hoxha, gjithherë i pandjeshëm ndaj çdo lloj vetironizimi, pasi ka dështuar me turp të kapërcejë Shkumbinim, nuk heziton të shprehet në terma pompoze «e kaluam Holtën me sukses» për kapërcimin e përroit të Holtës, ku vetë thotë se u futën në ujë vetëm deri në gjunjë. Më pas Enver Hoxha do të arrinte në fshatin Kishtë, ku do të bënte një «heroizëm» të shënuar në «hagiografinë» e vet të luftës, por që duket si një bëmë prej komediani. Enver Hoxha shkruan për arritjen në Kishtë:
Më në fund, mes erës që sillte rrotull borën, pamë disa drita të zbehta të largëta. Kishim arritur në Kishtë.[ccxxxi]
Kadri Musai, në shtëpinë e të cilit në Kishtë do të qëndronte Enver Hoxha, në librin e vet me kujtime, jep të dhëna precize për kohën e qëndrimit në Kishtë të Enver Hoxhës dhe të njerëzve që qenë me të:
Shoku Enver nga data 24 shkurt deri më 3 mars 1944 ka qëndruar në Kishtë dhe më 5 mars kaloi në Shënepremte për në Kopesh të Korçës.[ccxxxii]
Enver Hoxha, duke mos e mposhtur natyrën e vet prej komediani, shkruan kështu për takimin me të zotin e shtëpisë ku qëndruan në Kishtë, File Musain:
Si u ulëm dhe filluam bisedën, vija re se Filja nuk m’ i ndante sytë e tij të mprehtë.
-Kushedi sa të vështirë e keni pasur për të ardhur nga Shpati këtu në Vërçë, në mes të gjermanëve dhe ballistëve që janë tërbuar fare këto ditë!-tha ai.
Unë nuk iu përgjigja menjëherë. Vështrova Filen, vështrova dhe tërë njerëzit e tjerë që rrinin pranë meje dhe thashë:
Që të them se nuk e kishim të vështirë nuk e them dot, por ama kudo jemi rrethuar nga dashuria dhe nga mikpritja.[ccxxxiii]
Habia e File Musait është e njëjtë me atë të Myfit Hoxhës në Polis-Mirakë. Gjermanët dhe ballistët vërtet që i ndiqnin partizanët si të tërbuar, në Shpat dhe Vërçë, siç thotë File Musai, por sa do të habitej File Musai po të mësonte se Enver Hoxha dhe të vetët patën kaluar dhe midis gjermanëve dhe ballistëve të tërbuar dhe në Shmil, Çermenikë, Gollobordë, Polis, gjithkund pa rënë një herë të vetme në luftim. Dhe kuintesenca e kësaj çudie do të qe pikërisht në Kishtë. Enver Hoxha përshkruan kështu aventurën e famshme kur në fshat erdhën ballistët dhe ai u gjendën në të njëjtën shtëpi me ta:
Të nesërmen në mëngjes u ndava nga Neziri dhe Qamili, duke i falenderuar për gjithçka kishin bërë…Në kohën kur ne po diskutonim për rrugëkalimet më të mundshme në fshat ia behën ballistët. Mund të ishin rreth 200. Ballistët filluan të shpërndahen nëpër shtëpitë e lagjeve të Kishtës. Ata po vinin edhe në shtëpinë e Files. Ne liruam menjëherë dhomën ku kishin qëndruar deri atëherë dhe shkuam u futëm në një dhomë më të vogël, të vëllait të Files. Siç thashë edhe më sipër, dhomat ishin në të njëjtën ndërtesë dhe ndaheshin nga njëra tjetra me një ndarje të hollë dërrasash dhe nga një korridor i ngushtë. Sapo hymë në dhomë, të gjithë sa ishim brenda zumë pozicione luftimi. Më kujtohet se për vete zura vend te dritarja, Kadriu te dera nga ngjiteshin edhe shkallët (gratë i çuam në katin poshtë, në haur, që sido të vinte situate, ato të ndodheshin larg çdo rreziku), Spiro Moisiu dhe Spiro Koleka zunë dy dritaret e tjera. Kur i pashë tërë shokët në pozicione luftimi, u buzëqesha që të ruanin gjakftohtësinë…Ballistët erdhën dhe u shtruan në dhomën ngjitur me tonën. Ata nuk dyshonin aspak se në atë shtëpi ishin strehuar partizanë. E vetmja gjë që mund të na tradhëtonte ishte ndonjë zhurmë e shkaktuar nga pakujdesia, prandaj bënim kujdes të ishim sa më të qetë.[ccxxxiv]
Ballistët sigurisht që erdhën se dikush i njoftoi që, në fshat, tek File Musai, kishin ardhur partizanë. Por, sido që të kenë ardhur ballistët në Kishtë, me sinjalizim, ose rastësisht, ata do të duhej që të kontrollonin fshatin dhe posaçërisht shtëpitë e njohura si baza të partizanëve, ose shtëpi partizanësh, ndryshe për çfarë patën ardhur ballistët në Kishtë, për turizëm dimëror?! Megjithatë, ballistët nuk e kontrolluan as fshatin dhe madje as shtëpinë e File Musait, që njihej si shtëpi partizanësh. Ballistët vijnë në shtëpinë e File Musait për të cilën e dijnë që kjo është shtëpi partizanësh, nga njerëzit e tyre që kanë në fshat. Atëhere, pse ballistët nuk e kontrolluan bazën e partizanëve? Për çfarë endeshin ata fshatrave? Për këtë pyetje ka vetëm një shpjegim, se kështu i urdhëroi komandanti i tyre, i cili veproi si komandantët ballistë Aziz Biçaku në Lugaxhi të Shmilit dhe në Orenjë, si Zhak Shqau në Nezhan etj. U krijua një situatë absurde kur partizanë e ballistë qenë në të njëjtën shtëpi të ndarë nga një paret dërrasash. Në këtë rrethanë, Komisar Enveri bënte ndonjë gjest «heroik», që e përshkruan Kadri Musai:
Ndonjëherë shoku Enver ngrihej për të parë e për të dëgjuar nëpër një të çarë të paretit ballistët që ishin në dhomën tjetër.[ccxxxv]
Kështu kaluan disa ditë partizanë e fashistë në të njëtën shtëpi, si Ribentropi dhe Stalini në Kremlin, por midis tyre nuk fillon lufta. Kjo histori e pabesueshme mund t’ u ngjante vetëm Enver Hoxhës dhe Spiro Moisiut, të cilëve u kishte ndodhur një histori po kaq e pabesueshme, kur karabinierët italianë shkuan t’ i arrestojnë në dyqanet e tyre në Tiranë dhe në Lushnjë, ku dyqanarët e zgjuar ua hodhën fashistëve naivë.
Në ditën që ballistët vijnë në Kishtë, pjesa e Brigadës I që është nisur për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm, gjenden në Çezmën e Mokrës, siç e përmenda më lart duke cituar kujtimet e Mehmet Shehut. Mehmet Shehu shkruan më tutje:
Më 26 shkurt mblidhen të tre batalionet… Në pasdreken e 26 shkurtit forcat fillojnë rrugën nëpër një borë të përzier me shi… Errësira e natës na gjen në veri të Lakteshit, në xhadenë që çon për Qukës.[ccxxxvi]
Pra, në kohën që Enver Hoxha dhe të vetët gjenden në Kishtë të Verçës, Brigada I kalon fare pranë, duke ndjekur itinerarin Tomorricë-Opar-Gorë, praktikisht më pak se një ditë rrugë nga Kishta. Kalimi i një reparti kaq të madh dhe për më tepër të famshëm partizan, nuk mundej mos të merrej vesh në zonën përreth. Që ky fakt u mor vesh, kjo kuptohet dhe nga ajo që shkruan Enver Hoxha për qendrimin e vet në Kishtë, kur ballistët u larguan pasi një fëmijë u tha atyre se po vinte Brigada I, gjë që sipas atyre që shkruan Enver Hoxha, u shpik nga vetë Enver Hoxha si dizinformacion për t’ i bërë ballistët të largoheshin nga fshati, siç do të citoj më tutje.
Vetë ballistët duhet të kishin marrë vesh për ardhjen e Brigadës I, prandaj u larguan. Itinerari që po ndiqte Brigada I sigurisht që dihej nga njerëzit e terrenit të lëvizjes komuniste, pasi Brigada I me siguri që bashkëpunonte me ta për të marrë informata për lëvizjet e forcave armike. Këta njerëz të terrenit duhet ta kenë vënë në dijeni edhe Enver Hoxhën në Kishtë dhe ky mund të njoftonte fare mirë që Brigada I, të cilën Enver Hoxha e pati kërkuar që kur qe në Kostenjë të kthehej nga rruga dhe të vinte në Kishtë. Dhe në rastin më të keq, Enver Hoxha mund të niste nga Kishta korrierë ta arrinin Brigadën I dhe ta kthenin pas. Si na qenka kjo ndodhi, që Brigada I i kalon nën hundë Enver Hoxhës të ngujuar në Kishtë dhe ky nuk e njofton atë. Kadri Musai shkruan:
Batalioni partizan kishte ikur nga Shënepremtja. Ali Agolli erdhi në Kishtë, më duket, të nesërmen. Solli të dhëna me interes mbi përqëndrimin e forcave të Ballit, si dhe mbi një mbledhje me rëndësi që krerët e reaksionit kishin bërë në Kodovjat… Ata kishin diskutuar për masat e mëtejshme që do të merrnin në luftën kundër partizanëve. Partizanët, sipas tyre do të vinin nga krahinat e Korçës e do të hynin në Shënepremte, pastaj do të vazhdonin marshimin në fshatrat e tjera.
-Frontin e luftimit ta zëmë në Dushk dhe në Kuratë të Shënepremtes, -kishte propozuar në mbledhje Petrit Shahini.[ccxxxvii]
Plani i propozuar nga një prej komandantëve ballistë, që do t’ ia zinte rrugën e kalimit Enver Hoxhës (ai kërkonte të kalonte në Shënepremte) nuk pranohet. Pse?!
Ndërsa Enver Hoxha shkruan se ballistët nuk morën vesh për kalimin e Brigadës I atje pranë, por këtë ua tha Enver Hoxha si dizinformacion, me anë të fëmijëve të fshatit, për t’ i bërë t’ i kapte paniku. Enver Hoxha shkruan:
Duke njohur mirë psikologjinë e ballistëve dhe shkathtësinë e fëmijëve, i porosita që të përhapnin fjalë nëpër ballistë sikur nga çasti në çast mund të vinte në fshat Riza Kodheli dhe Brigada I. Pionierët e kryen më së miri këtë porosi dhe ballistët të tmerruar ua mbathën drejt Elbasanit. Tani rruga jonë drejt Korçës ishte e hapur. U përqafuam me njerëzit e shtëpisë dhe, të udhëhequr nga File Musai e Kadri Musai, u nisëm drejt qafës së Shënepremtes.[ccxxxviii]
Në një mesazh drejtuar pionierëve të Shqipërisë, në 11 shkurt 1947, me rastin e 5-vjetorit të krijimit të organizatës të pionierëve, Enver Hoxha e tregon këtë përrallë, edhe më hollësisht se në librin «Mes njerëzve të thjeshtë», duke shkruar:
Atëhere duhej patjetër të largonim ballistët nga fshati që kështu ta kishim rrugën të çelur. Dhe këtë detyrë të madhe dhe vendimtare ja ngarkuam shokut të vogël, pionierit katundar. Ai e kreu detyrën me trimërinë dhe zgjuarsinë më të madhe. Pasi ja shpjeguam se ç’ duhej të bënte, pionieri ja filloi punës. Brenda tri orëve ai mundi t’ u kallë një frikë të tmerrshme ballistëve. Ai shkoi shtëpi më shtëpi, ku qëndronin ballistët dhe u thoshte: «E muart vesh? Tashti poqa poshtë në çaire një katundar nga Grabova dhe dhe ai më tha se Riza Kodheli me 300 partizanë kaloi Qafën e Shënepremtes dhe sonte, një pjesë e tyre, do të hidhet në Grabovë, për në drejtim të Dumresë». Të tjerëve, pionieri u thoshte si pa gjë të keqe: «I dëgjuat disa pushkë dhe dy mitralozë të rëndë që gjëmonin përtej Shkumbinit? Thonë se Brigada e parë me Mehmet Shehun ka vënë përpara gjermanët dhe Xhaf Balin. Ajo do të kalojë në Nartë për t’ u bashkuar me forcat e Riza Kodhelit».
Këtë punë bëri pionieri për tri orë rresht. Ballistët u alarmuan në kulm. Ata filluan të shanin në sy të pionierit kryetarët e tyre, që nuk jepnin urdhër të largoheshin sa më parë nga fshati. Në një shtëpi ku ishin pesëmbëdhjetë ballistë, frika ishte aq e madhe, saqë ata i thanë pionierit: «Në rast se na sulmon natën Mehmet Shehu dhe s’ kemi kohë që të largohemi, aman, eja merr këto pushkët tona dhe i fshih ose u thuaj partizanëve që këto pushkë i kanë lënë partizanët». Kjo ishte përsëri efekti i propagandës demoralizuese që u bënte pionieri ynë ballistëve, të cilëve ai u thoshte: «Partizanët i duan shumë katundarët, kurse ballistët i urrejnë dhe po t’ ju zënë me pushkë, ata do të kuptojnë që jeni ballistë dhe ju piu e zeza».
Të nesërmen me natë të thellë, ballistët, të trembur, u larguan nga fshati ku ishim ne, ata muarën rrugën e Elbasanit dhe rruga jonë ishte e çelur, rrugën tonë na e çeli trimëria dhe zgjuarsia e një pionieri trim nga një katund i Vërçës.[ccxxxix]
Kështu, në 29 shkurt, ballistët largohen nga Kishta. Enver Hoxha ia atribuon këtë vetes si një sukses të madh. Por, e vërteta është se ballistët e patën mësuar se Brigada I po kalonte vërtet pranë Kishtës. Në rast se nuk do ta kishin këtë informacion, ballistët do ta kishin arrestuar pionierin, siç e quan Enver Hoxha, dhe do ta detyronin që t’ u tregonte se ku e kishte mësuar që të përhapte panik, se qartësisht këtë gjë po bënte. Spiro Koleka shkruan për vazhdimin e rrugës:
Duke u gdhirë 6 marsi, u nisëm përsëri për udhë, të shoqëruar nga Jakup Kulja, i cili kishte ardhur nga Gopeshi. Deri në Grabovën e Poshtme, sapo u gdhi na shoqëruan edhe File e Kadri Musai. Prej këndej vazhduam rrugën vetëm me Jakupin dhe pas një marshimi të vështirë, kaluam qafën e Gradishtës në Shënepremte, përmes një dëbore të madhe. Duke dalë në zonën e lirë, në shenjë gëzimi për këtë fitore të shkëlqyer, shkrehëm një batare pushkësh. Pastaj ecëm të shpenguar e si të lehtësuar nga një barrë e rëndë. Neë pasditen e 6 marsit arritëm në shtëpinë e Jakupit në fshatin Gopesh, ku qëndruam e u çlodhëm e u qetësuam për dy ditë.[ccxl]
Armët e shkrehura në shenjë triumfi kur arritën në krye të Qafës së Shënepremtes qenë të vetmet armë që ata shkrehën gjatë këtij marshimi, që nga 19 dhjetori 1943 deri në 5-6 mars 1944, pra gjatë 76-77 ditëve në të cilat patën kaluar në zona të kontrolluara nga gjermanët dhe ballistët, me të cilët shumë herë patën qenë fare afër. Spiro Koleka shkruan për vazhdimin e rrugës:
Pas dy ditësh (në 8 mars sipas Kolekës-K.M.) Jakupi na shoqëroi deri në Lozhan. Nga Lozhani kaluam në Osjekë e Lavdar dhe prej këndej u futëm në zona krejt të çliruara, kaluam Gjergjevicën, Marjanin, Qafën e Martës dhe dolëm në Panarit të Korçës, ku qëndruam për disa kohë… shoku Enver arriti shëndoshë e mirë në Panarit të Korçës, nga vazhdoi të drejtojë me energji e guxim Partinë, Shtabin e Përgjithshëm dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.[ccxli]
Por, për gjithë këtë rrugë duhen së paku 3 ditë, pasi i bie që të kenë bërë një hark të gjatë duke kaluar, në mënyrë të pashpjegueshme, nga Lavdari në Gjergjevicë, duke iu afruar kështu shumë qytetit të Korçës, pra në një zonë të rrezikshme, për të kaluar pastaj nga Gjergjevica në Marjan, për të dalë në Panarit. Kjo do të thotë se në Panarit ata kanë arritur, së paku në 11 mars 1944. Me arritjen e Enver Hoxhës në Panarit, nuk do të thotë se ai ishte në kontakt me pjesën kryesore të forcave partizane, e cila atëherë vepronte në atë që quhej Zona I Operative, rajoni Vlorë-Gjirokastër, që përfshinte dhe Tepelenën, Mallakastrën, Përmetin e Sarandën. Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, nëse do të kishin ndjekur shembullin e Titos, për të qenë pranë forcave kryesore partizane, do të duhej që në mars 1944, nga malësitë e Korçës të kalonin në këtë zonë. Por ata nuk vepruan kështu dhe përsëri mbetën larg zonave ku bëheshin luftime.
Në ndërkohë që Enver Hoxha festonte në Panarit të Korçës kthimin e tij nga dezertimi, Brigada I, natën e 19-20 marsit 1944, kapërceu Lumin Shkumbin nga veriu në jug, në një va në lindje të Peqinit, duke u bërë kështu e para njësi partizane që kapërcente lumin e madh, pas Operacionit gjerman të Dimrit 1943-1944. Me këtë Mehmet Shehu sikur donte t’ i bënte një poshtërim përfundimtart Enver Hoxhëës, i cili nuk arriti ta bënte këtë gjë në fillim të marshimit të vet. Në 10 mars 1944, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu i çojnë shtabit komandantit të Brigadës I, Mehmet Shehu, një «Letër përshëndetjeje dërguar Shtabit, kuadrove drejtues dhe gjithë partizanëve të Brigadës I Sulmuese». Në këtë letër thuhet:
(Shokut Mehmet Shehu)
Të dashur shokë…
Shtabi i Përgjithshëm nënvizoi kujdesin e veçantë që komandanti i asaj brigade shoku Mehmet Shehu, tok me batalionet I, II dhe III të Brigadës I Sulmuese, ka treguar dhe që pa marrë parasysh as lodhjet as pengesat që mund të haste rrugës, port ë bindur dhe të disiplinuar siç u ka hije partizanëve, të shtyrë nga dashuria e madhe ndaj Shtabit të Përgjithshëm, kanë vrapuar në ndihmën e një pjese të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm që ndodhej në zona të rrezikshme e të përshkuara nga gjermano-ballistët.[ccxlii]
Enver Hoxha u ndje gjithë jetën i cënuar në sedrën e vet nga ky sukses i Mehmet Shehut, që dukej edhe më i madh në sfond të dështimit të Enver Hoxhës. Prandaj Enver Hoxha e vazhdoi luftën kundër Brigadës I për sa kohë që qe gjallë. Duke shqyrtuar marshimin e Enver Hoxhës në dimrin e 1943-1944, të duken shumë qesharake ato që thotë ai në mesazhin drejtuar pionierëve të Shqipërisë, në 11 shkurt 1947, me rastin e 5-vjetorit të krijimit të organizatës të pionierëve, ku Enver Hoxha e përshkruan kështu aventurën e vet gjatë Operacionit të Dimrit::
Ishte koha e ofensivës së madhe të dimrit. Gjermanët na sulmuan nga të katër anët. Bora ishte e madhe; ditë të rënda për partizanët tanë. Tok me gjermanët na sulmuan edhe ballistët e zogistët. Partizanët luftuan si luanë, megjithqë s’ kishin shumë herë as këpucë në këmbë dhe kishin veshur në trup nga një palë rroba të grisura. Sa për ushqime, mos e zini në gojë, partizanët tanë trima rrinin edhe tri ditë pa ngrënë bukë, por asnjë minutë pa luftuar. Unë me disa shokë të mi, pas luftimeve me gjermano-ballistët u ndodhëm të shkëputur nga forcat tona dhe u detyruam të qëndrojmë te miqtë tanë katundarë përderisa të gjenim shtegun, të çanim rrethimin dhe të bashkoheshim me forcat partizane.[ccxliii]
Këto sigurisht nuk vlejnë për Enver Hoxhën, që rrinte në shtëpitë e fshatarëve duke porositur t’ i vinin thasë me ushqime të zgjedhura.
VII
Burokrati i luftës partizane
Në mars 1944 Enver Hoxha i shkruan nga Lavdari i Korçës, Nexhmije Xhuglinit në qytetin e Tiranës:
Pas tre muajsh mungese duhet të punojmë si derrat, se mjaft u çlodhëm.[ccxliv]
Zgjedhja e fjalëve është mjaft domethënëse. Ai thotë «pushuam» dhe jo «luftuam» dhe më tutje thotë «duhet të punojmë» dhe jo «duhet të luftojmë». Fjalia e mësipërme mund të rrinte fare mirë në letrën që i shkruan gruas një burokrat në kohë paqeje, pasi është kthyer nga pushime të zgjatura, por ja që ato gjenden në letrën që i shkruan së fejuarës së tij ai që supozohej të ishte udhëheqësi trim dhe i shquar i luftës partizane. Nga mënyra se si shkruan Enver Hoxha në kujtimet e veta, për ato që bëri pasi u kthye nga dezertimi i dimrit tek qendra e udhëheqjes komuniste në fshatin Panarit të Korçës, duket se ai e pohon në mënyrë të pavetëdijshme se e shkonte veten jo si një prijës të luftës partizane, por si një burokrat të luftës partizane:
Menjëherë pasi dolëm nga rrethimi i dimrit, preokupimi më i madh i çastit ishte të instaloheshim në një bazë të sigurt, të vendosnim lidhjet me organizatat e Partisë, me pushtetin në bazë, me repartet e ushtrisë kudo ku ishin dhe të intesifikonim punën. Fillimisht qëndruam pak kohë në Panarit, një fshat i madh i Korçës, në kufi me Skraparin, i lidhur me Partinë dhe me Luftën Nacionalçlirimtare. Në Panarit në atë kohë funksiononte kursi i Partisë, e para shkollë partie e jona, ku kuadro të Partisë e të Luftës Nacionalçlirimtare përgatiteshin ideologjikisht e politikisht, studionin literaturën marksiste-leniniste, njiheshin me parimet dhe me normat e ndërtimit, të organizimit e të funksionimit të partisë së klasës punëtore të tipit leninist, siç ishte edhe Partia jonë. Qëndruam disa ditë në këtë fshat, u çlodhëm, u njohëm në vija të përgjithshme me ç’ kishte ndodhur gjatë rrethimit tonë, me veprimtarinë e shokëve, u takuam e biseduam edhe me kursantët e «pedagogët» e kursit të Partisë etj.[ccxlv]
Këtu prioritetet jepen në mënyrë të qartë. E para vinte përgatitja e partisë për marrjen e pushtetit, pastaj lufta kundër okupatorit, e cila më tepër ishte një simulim për të fituar kapital politik që do të legjitimonte pushtetin. Në Panarit përgatiteshin kuadrot komuniste për këtë gjë. Interesimi kryesor i Enver Hoxhës ishte që në sfondin e luftës partizane kundër okupatorëve, që më tepër ishte një realitet fiktiv i krijuar nga propaganda, të ndërtonte bazat e pushtetit të ardhshëm, që tashmë mund të quhej si burokracia e luftës partizane. Kur lexon kujtimet e bollshme të Enver Hoxhës për periudhën e luftës, shikon se veprimtaria e tij në atë kohë është e mbushur me mbledhje dhe konferenca të pafundme. Mbledhje për krijimin e partisë komuniste, që ishte një qendër e burokracisë politike, mbledhje për organizimin e strukturave të partisë, celulave, komiteteve qarkore, mbledhje për spastrimin e partisë, konferenca të jashtëzakonshme të partisë, konsulta të aktivit të partisë, mbledhje të Komitetit Qarkor të partisë për Tiranën, që kryhesohej nga Enver Hoxha, mbledhje për krijimin e Frontit ANÇ, që ishte «doreza» me të cilën «dora e kuqe» do të kapte dhe mbante fort frerët e pushtetit, mbledhje për krijimin e strukturave të Frontit ANÇ, mbledhje të Këshilli ANÇ provizor, si forumi në letër i pushtetit, mbledhje për krijimin e këshillave ANÇ në fshatra, qytete, krahina, qarqe, mbledhje për krijimin e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe kryesisë së tij, mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe kryesisë, mbledhje të KQ, mbledhje të Byrosë Politike të KQ, Kongres për dhënie atributesh të parlamentit Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, për krijimin e Komitetit ANÇ me atributet e qeverisë, kongrese të rinisë, gruas, konferencë për shndrrimin e Komitetit ANÇ në qeveri të përkoshme etj., etj.
E gjithë kjo nuk është e rastësishme. Enver Hoxha e kishte origjinën nga një familje e burokracisë fetare islamike osmane dhe qe formuar në një mjedis ku ushqehej nostalgjia për kohën e artë kur familja shijonte parajsën burokratike osmane, si dhe trishtimi se ai po rritej në një kohë të keqe kur kjo kohë e artë kishte marrë fund. Tash Enver Hoxha po rindërtonte një parajsë burokratike për veten, ironikisht nën shenjën e komunizmit ateist, dhe në sfondin e luftës partizane. Në këtë kohë të turbullt të pasigurive, Enver Hoxha po rindërtonte botën e vjetër të sigurt burokratike osmane me nostalgjinë për të cilën e kishin ushqyer, ashtu siç kjo botë thyhej në prizmin e kohës, duke marrë trajta të reja ideologjike. Veçse tashmë në këtë botë Enver Hoxha luante për diçka shumë më të madhe, për vendin e «sulltanit».
Në ndërkohë jetesa në këto fshatra të shndrruara në zyra të burokracisë së luftës partizane, ishte e mërzitshme dhe duhej bërë pak më e këndshme. Pikërisht në mars 1944 Enver Hoxha i shkruante Nako Spirut nga Panariti i Korçës:
Po të kuptohet keq prej shokëve dhe shoqeve çështja e dashurisë së lirë, atëherë kalojmë fare lehtë në kurvëri dhe, nga ana tjetër, mund të kalojmë në jetën e murgjëve dhe të murgeshave. Shtrojeni çështjen qartazi në Rini dhe në Parti me anë konferencash, pse nuk jemi organizatë priftërinjsh, por të gjitha punët duhet t’ i shohim nga ana e përparimit.[ccxlvi]
Kështu parulla e ditës ishte: Vdekje fashizmit Liri... seksit! Por si mund të shmangej kurvëria dhe në të njëjtën kohë të mos kalohej në jetë manastiri, kur në fund të luftës, po t’ u besosh të dhënave që jep Enver Hoxha, kishte 70 mijë partizanë, nga të cilët 6000 qenë femra, pra raporti ishte njëmbëdhjetë meshkuj për një femër. Kuptohet se 6000 shoqet mund të shpëtonin vetëm 6000 shokë nga jeta e murgjve, në rast se nuk do të kalonin në kurvëri. Por mbeteshin 58.000 mijë shokë të cilët nuk donin të bënin jetën e murgjve dhe të cilëve udhëheqësi i tyre u jepte të drejtë për këtë. Kjo krijonte një dilemë të madhe për shoqet, dhe kjo dilemë duhej ndarë sipas parimit të solidaritetit revolucionar.
Për të mos bërë jetën e murgut, Enver Hoxha me të arritur në Panarit thirri nga Tirana Nexhmije Xhuglinin (Hoxha), të fejuarën e vet. Nexhmije Hoxha, në librin me kujtime «Jeta ime me Enverin», e përshkruan vajtjen tek Enveri jo si një histori të luftës partizane, por si një udhëtim që bënte në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet, një vajzë nga Tirana që shkon të takojë të fejuarin e saj që po bën stazhin e partisë në fshat:
Nga 20 marsi u largova nga Tirana, ku nuk u ktheva më veç pas çlirimit të këtij qyteti. Po shkoja me detyrë në mal te partizanët... me një letërnjoftim fals në xhep, mora autobusin... Arritëm në Korçë në mbrëmje. Fjetëm atë natë në shtëpinë e një shoqeje të shkollës. Të nesërmen, sa ra muzgu u nisëm për në Panarit, ku ishte Enveri me disa shokë të Komitetit Qendror e të Shtabit të Përgjithshëm.[ccxlvii]
Nexhmije Hoxha, e cila deri në 20 mars 1944, pra tetë muaj para përfundimit të luftës gjendej në qytetin e Tiranës, udhëton me autobusin e linjës Tiranë-Korçë, fle atë natë në qytetin e Korçës dhe shkon në fshatin ku gjendet Enver Hoxha. Asfare një udhëtim partizan, mal më mal. Edhe mjedisi ku ajo e gjeti Enver Hoxhën nuk qe asfare partizan, por si një një resort turistik malor. Nexhmije Hoxha shkruan për këtë në kujtimet e veta»:
Shtëpia ku qe vendosur Shtabi ishte e madhe, me dy tre kate bashkë me hauret dhe e ndërtuar krejt me gurë. Na futën në një dhomë të madhe, në mes të së cilës, në mes të së cilës qe ndezur një goxha zjarr, ku trungje të tërë qenë kthyer në prush të ndezur mirë dhe që i jepnin dhomës një të ngrohtë të këndshëm që ta kthente shpirtin në vend e të çlodhte krejt trupin pas atij udhëtimi të gjatë e të lodhshëm.[ccxlviii]
Më tutje, Nexhmije Hoxha e përshkruan kështu dhomën e Enverit, ku hyri pasdarke:
Hymë në dhomën e Enverit. Ajo zbardhte nga muret e lyer me gëlqere. Çarçafët në krevat qenë borë të bardhë, po ashtu dhe perdet e qendisura.[ccxlix]
Ky mund të ishte fare mirë përshkrimi i dhomës ku rrinte Enver Hoxha në llixhat e Salciomaxhore, në Itali, në vitin 1939, por asfare i një mjedisi të jetës partizane. Ndërsa Tito parapëlqente të rrinte nëpër shpella, se gjermanët bënin gjithçka për ta asgjësuar me aviacion dhe me desantë ajrorë. Merret me mend se në çarçafët borë të bardhë të shtratit të dhomës së Enverit, atë natë është bërë një betejë të rreptë partizane.
Nga malësitë e Korçës Enver Hoxha interesohet dhe për familjen e vet që e ka në qytetin e Tiranës. Në mars 1944, në letrën që Enver Hoxha i shkruan nga Lavdari i Korçës, Nexhmije Xhuglinit në qytetin e Tiranës, i thotë:
Shko dhe në shtëpi dhe u thuaj për mua që jam mirë.[ccl]
Gjermanët nuk e kishin internuar familjen e Enver Hoxhës, siç bënin me familjet e atyre që i luftonin. Mulla Halili, ane Gjuloja dhe motër Sanoja rrinin në mes të Tiranës, madje mulla Halili luante tavëll tek Bar Sahati. Pastaj si nuk do ta kapnin Nexhmijen kur të hynte në shtëpinë e prindërve të Enverit se supozohej që ajo shtëpi të survejohej? Enveri ishte vërtet mirë, siç i çonte lajm familjes. Edhe në këtë periudhë që Enver Hoxha supozohej se kishte dalë partizan, sipas atyre që thotë në kujtimet e veta, vazhdimisht del qartë dëshira për të qenë sa më larg zonave të luftimit, në fshatra të këndshëm dhe të sigurt, resorte të vërteta turistike malore. Panariti nuk i duket i sigurt, prandaj kërkon të shkojë dhe më larg:
Në Panarit kishim të gjitha kushtet për punë dhe fillimisht menduam të qëndronim aty, por, siç thashë, ky ishte një fshat i madh, të cilin e lakmonin shumë si gjermanët, ashtu edhe «trimat» e Ballit Kombëtar. Veç kësaj, pozita gjeografike e bënte Panaritin një objektiv që mund të kapej lehtë bile në mënyrë të papritur nga armiku. Dhe këtu nuk ishte fjala vetëm për rrezikun që do t’ u kërcënohej shokëve të udhëheqjes së Partisë, të Frontit e të Shtabit (që edhe kjo kishte rëndësi të madhe), por edhe se në duart e armikut mund të binin dokumente me rëndësi e sekrete. Ramë, pra, dakord që të mos rrinim në Panarit dhe menduam të kalonim në Skrapar, në fshatin Backë, që ndahej nga Panariti vetëm nga Qafa e Martës.[ccli]
Enver Hoxha këtu tregon pikërisht një mendësi prej burokrati kur shtiret se rri larg zonave të luftimit, jo se e ka hallin për veten, por për dokumentet sekrete! Edhe Tito duhet ta kishte këtë preokupim, megjithatë ai nuk rrinte larg zonave të luftimit. Enver Hoxha nëse kishte hallin e dokumenteve, mund ta kishte çuar arkivin në një vend më të sigurt dhe vetë të rrinte në Panarit, i cili megjithatë nuk ishte pranë zonave të luftimit, por ishte i arritshëm nga armiku, siç thotë Enver Hoxha. Enver Hoxha gënjen kur thotë se Panaritin e lakmonin shumë si gjermanët ashtu dhe ballistët, se gjermanët nuk kishin asnjë interes për territore të cilat qenë larg linjave të tyre të komunikimit rrugor, por për ballistët me të cilët gjendej në një luftë civile ideologjike për çështjen e pushtetit të nesërm. Kur Enver Hoxha bën sikur preokupohet për çështjen e dokumenteve, të shtyn të bësh pyetjen se si nuk e patën këtë preokupim kur i lanë në një shtëpi në qytetin e Tiranës dokumentet sekrete të themelimit të PKSH dhe listat e anëtarëve të partisë, së bashku me të dhëna të hollësishme për funksionet e tyre.
Por edhe në Backë Enver Hoxha nuk është i qetë dhe kërkon të shkojë edhe më larg zonave të luftimit dhe forcave partizane:
Por, pasi arritëm në Backë dhe dolëm të bënim një shëtitje, diku tej shikoj një grumbull shtëpish të vendosura në një pllajë në faqen e një kodre karshi.
-Ç’ fshat është ai atje?- pyes shokët që ishin me mua.
-Është Helmësi,- më përgjigjet një banor nga Backa.
-Është larg që këtej?- pyeta prapë.
-Ndonjë gjysmë ore më këmbë,- qe përgjigjia.
Më pëlqeu pozicioni ku qe vendosur Helmësi edhe nga fakti që ishte një fshat i vogël, i veçuar, ku prania jonë nuk do të binte në sy.[cclii]
Është paradoks i madh që Enver Hoxha, i cili në verën dhe në vjeshtën e vitit 1943 rrinte në Shqipërinë e Mesme, jo larg kryeqytetit, në Labinot, në Alltat pranë Arbanës, në Shëngjergj, në Shmil, duke mbajtur përreth forca të konsiderueshme partizane, të cilat megjithatë nuk i angazhonte në luftime, në pranverën e vitit 1944, ai shkon në një katund të izoluar të Skraparit të izoluar, ku gjermanët nuk kishin asnjë interes të shkonin dhe vetëm për luftë kundër tyre nuk mund të bëhej fjalë. Enver Hoxha në Helmës ishte shumë lart forcave kryesore partizane që atëherë gjendeshin në Vlorë, Gjirokastër dhe në Qarkun e Korçës, ku mund të luftoheshin vërtet gjermanët, pasi atje kishte përqëndrime te tyre për shkak se andej kalonin rrugët që qenë linjat e komunikimit për forcat gjermane që gjendeshin në Greqi.
Në Helmës Enver Hoxha është përsëri si në një resort të këndshëm turistik:
Kështu qysh të nesërmen u vendosëm në Helmës, një fshat i vogël me 10-12 shtëpi e me bahçe me mollë dhe këtu, mes mollëve, hapëm edhe çadrat ku u strehuan një pjesë e shokëve, rojat partizane etj., kurse ne u vendosëm në dy shtëpi dykatëshe, në të vetmet të tilla në këtë fshat.[ccliii]
Helmës! Vendi i helmit. Çfarë emri domethënës! Duket sikur edhe kur ka zgjedhur këtë fshat Enver Hoxha nuk ka arritur që ta mposhtë dot natyrën e vet prej komediani, që e çon tek një vetëironizim. Emri i këtij fshati ishte shumë i përshtatshëm për folenë e «gjarpërit» të kuq që u ngrit atje dhe që prej andej po i jepte Shqipërisë kafshimin fatal. Helmësi nuk ishte një qendër drejtuese e luftës kundër okupatorëve, por një qendër e politikës së pushtetit dhe e intrigave politike.
Në Helmës është i vetmi rast kur Enver Hoxha tregon se e ka shkrepur armën gjatë luftës. Në 13 tetor 1971, në një takim që pati në Tiranë me anëtarë të fimiljeve që kishin qenë baza të luftës nacionalçlirimtare, Enver Hoxha tregon për një episod në Helmës, në 1944, me Nevrus Bilimanin, që atëherë kishte qenë fëmijë:
Ky zeshkani më qepej pas si manar. Unë ia kisha vënë emrin «Negus». Ai më thoshte se donte të bëhej partizan, ama më rokanisi. «Mirë,- i thashë,- do të bëhesh partizan, por ama në qoftë se do të kalosh provimin, ndryshe s’ të marr». «Po» më thoshte djali, që ishte katër vjeç atëherë. Ja pra, provimi është ky: «E para,- i thashë,- unë do të shtie me kobure, por po mbylle sytë nuk kalon»... «Mirë» pranoi ai. Atëherë, një ditë qita me kobure dhe «Negusi», tëk mbylli sytë. Kjo ishte e natyrshme për të, se ai ishte fare i vogël. «Atëherë, Negus, i thashë,- provën e parë nuk e kalove».[ccliv]
Më në fund e shkrepi armën Enver Hoxha, për të trembur një fëmijë katër vjeç!
Në Helmës, në 15 maj 1944 u bë Plenumi I i Komitetit Qendror të PKSH, dy vjet e gjysëm pasi ky Komitet Qendror ishte krijuar. Në plenumin e Helmësit, në maj 1944 ishin të pranishëm vetëm shtatë nga 15 anëtarët e KQ: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Liri Gega, Ramadan Çitaku, Pandi Gusho (Kristo), Ymer Dishnica. Anëtarët e tjerë të Plenumit të Komitetit Qendror, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Hysni Kapo, Dali Ndreu, Kristo Themelko Kadri Hoxha, Gjin Marku gjendeshin në njësitë partizane, ndërsa Gogo Nushi gjendej në qytetin e Tiranës. Nga pesë kandidatët e KQ (Vasil Shanto qe vrarë në shkurt 1944) ishte i pranishëm vetëm Sejfulla Malëshova. Mehmet Shehu, Sadik Bekteshi, Petro Papi, Naxhije Dume, gjendeshin në njësitë partizane. Për më tepër këta shtatë anëtarë të pranishëm, të cilët nuk përbënin shumicën, morën vendim të përjashtojnë dy anëtarë të KQ, dhe kështu mbetën pesë. Nga raporti i Enver Hoxhës plenumi mësoi se Byroja Politike, ose më saktë klika, kishte uzurpuar kompetencat e Plenumit, duke përjashtuar Ymer Dishnicën nga Byroja Politike, që në vitin 1943, për shkak të çështjes së Mukjes:
Për këtë gjë Byroja e Komitetit Qendror e ka përjashtuar Doktorin nga Byroja dhe e paraqet çështjen përpara Komitetit Qendror.[cclv]
Pandi Kristo do të thoshte për këtë gjë në Plenumin e Beratit, në nëntor të vitit 1944:
Kur u mblodhëm në Helmës s’ bëmë kurrgjë, veçse dëgjuam një raport. Aty na u komunikua për Përmetin dhe vendosëm për largimin nga Komiteti Qëndror të Doktorit e të Gjinit dhe asgjë tjetër. Këtu shikojmë edhe një gabim të Byrosë. Shoku Doktor u përjashtua nga Byroja në Labinot dhe pas tetë muajsh, pa na thënë kush gjë për këtë, u përjashtua (edhe) nga Plenumi.[cclvi]
Vendimet i merrte klika, ndërsa Komiteti Qendror thjesht i konfirmonte. Por ajo që ra në sy ishte diferenca në trajtim mes Ymer Dishnicës dhe Gjin Markut. Ymer Dishnica akuzohej si përgjegjës për marrëveshjen me shqiptarë nacionalistë, ndërsa Gjin Marku për marrëveshjen me gjermanë nazistë. Edhe Gjin Marku ishte anëtar i Byrosë Politike, e megjithatë për të u tha:
Byroja kundër Gjinit s’ ka marrë ende ndonjë masë, prandaj e paraqet çështjen para Komitetit Qëndror që ky të marrë masat.[cclvii]
Ymer Dishnica dhe Gjin Marku u përjashtuan nga Komiteti Qendror (Gjin Marku edhe nga Byroja Politike), duke u bërë caper expiatorius për të shpëtuar fytyrën klika dhe posaçërisht Enver Hoxha.
Në plenum Enver Hoxha do të paraqiste si preokupim kryesor një zbarkim të mundshëm të aleatëve perëndimorë në Shqipëri:
Paraqitet eventualisht edhe mundësia e një zbarkimi aleat në Ballkan. Ky zbarkim duhet të na gjejë të fortë dhe të organizuar, që kështu të mos lejojmë që në një mënyrë ose në një tjetër, këta të ngatërrohen në punët tona të brendshme dhe t’ i bëjmë të respektojnë Kartën e Atlantikut dhe vendimet e marrura në Konferencat e Moskës dhe të Teheranit.[cclviii]
Kur Enver Hoxha thotë se nuk duhen lejuar aleatët perëndimorë të ngatërrohen në punët e brendshme të Shqipërisë, me këtë do të thotë se pushteti u takonte komunistëve të fshehur në «kalin e drunjtë» kominternian, Frontin ANÇ, dhe se këtë gjë duheshin detyruar që ta pranonin dhe aleatët perëndimorë. Është ironi e madhe kur Enver Hoxha thotë se duhen detyruar aleatët perëndimorë që të zbatojnë Kartën e Atlantikut nëse zbarkojnë në Shqipëri, kur ishte Enver Hoxha dhe komunistët që po e shkelnin këtë dokument, duke organizuar dhe zbatuar një konspiracion që po bënte atë që mund të quhej një puç në pushtim, me synim për të pasur pushtetin në përfundim të luftës. Mosinteresimi total i Enver Hoxhës dhe i udhëheqjes komuniste e partizane për luftën kundër gjermanëve, duket kur Enver Hoxha thotë në raport:
Duhet të kemi parasysh edhe një tërheqje eventuale të gjermanëve nga Shqipëria, dhe kjo gjë të mos na gjejë në befasi dhe të papregatitur.[cclix]
Këtu fjala është për përgatitjen e instrumenteve të pushtetit, gjë që kuptohet kur Enver shkruan në kujtimet e veta se në plenum tha:
Zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare dhe proporcionet që ka marrë ajo, gjendja politike e jashtme dhe rrethanat e brendshme sot kërkojnë të marrim vendime me rëndësi dhe të mbledhim një Kongres për të zgjedhur Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar që të ketë atributet e një pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, nga ku do të dalë Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore.[cclx]
Pesë vetë që përbënin udhëheqjen e një partie ilegale që kontrollonte një forcë të armatosur guerrilje morën në mënyrë konspirative vendime të tilla kaq të rëndëishme për të ardhmen e Shqipërisë, që të ndërtonin në vend një regjim të ri totalitar, që ndryshonte nga ai fashist vetëm nga fakti se do t’ u merrte shqiptarëve edhe pronën dhe lirinë e lëvizjes, një ndryshim ky gjithsesi mjaft i rëndësishëm, pasojat e të cilit mbeten të ndjeshme edhe tash në një retrospektivë mjaft të largët. Pesëshja konspirative mori vendimin se Shqipëria e pasluftës do të ishte armiqësore ndaj aleatëve perëndimorë, SHBA dhe Britanisë së Madhe, dhe do ta orientonte vendin kah Bashkimi Sovjetik.
Aleatët perëndimorë që nga 11 nëntori i vitit 1943 kur Enver Hoxha nuk e mbajti fjalën që i dha Gjeneralit Davies për një marrëveshje me nacionalistët, nën garancinë e këtij të fundit, e kishin të qartë se komunistët nuk qenë të interesuar për luftën kundër gjermanëve, por për luftën civile me synim sigurimin e pushtetit. Në zyrat e aleatëve për Shqipërinë kishte njerëz të cilët donin që komunistët të vinin në pushtet, ndryshe nuk ka si shpjegohen fantazimet e çuditshme që ata bënin për t’ i mbështetur komunistët shqiptarë. Në 22 janar 1944, Harry Fultz, shefi i Zyrës së OSS për Shqipërinë në Bari, shkruan në një për Philip Adams, desk-officeri për Shqipërinë në Departamentin e Shtetit:
Gjermanët kanë nevojë për pesë divizione që të mbajnë Shqipërinë të okupuar. Por për shkak se Balli Kombëtar dhe Zogistët refuzojnë të luftojnë, gjermanët janë të aftë t’ i reduktojnë forcat e tyre në pesëdhjetë për qind. Ndoshta divizionet që nuk janë në Shqipëri janë në kryeurën e Anzio duke vrarë amerikanë e britanikë, ndërsa ne provojmë të imagjinojmë mënyra për t’ u dhënë partizanëve të pabindur një mësim të ashpër.[cclxi]
Fultz këtu e ka fjalën për Shqipërinë e 1913, në të cilën vepronin partizanët e Enver Hoxhës, jo për atë të zgjeruar të 1941. Nëse në Shqipërinë me 28.000 koliometra katrore dhe 1 milion banorë duheshin 5 divizione gjermane, atëherë në Jugosllavinë me sipërfaqe rreth 9 herë më të madhe dhe popullsi 13 herë më të madhe do të duheshin dikund midis 45-65 divizione, e në Greqinë me sipërfaqe rreth pesë herë më të madhe e popullsi shtatë herë më të madhe do të duheshin dikund midis 25-35 divizione! Në krejt Ballkanin gjermanët kishin në atë kohë jo më shumë se 20 divizione! Edhe më absurde bëhet mendimi i Fultz, po të mendosh se në atë kohë përballë forcave anglo-amerikane në Itali gjendeshin 19 divizione gjermane, kur gjermanët atje përballeshin edhe me një lëvizje partizane të konsiderueshme në Italinë e Veriut dhe atë qendrore. Sikur partizanët shqiptarë do të qenë në gjendje që të tërhiqnin 5 divizione gjermane, nëse do të kishin furnizime më të mëdha nga aleatët perëndimorë, atëherë do të mund të thuhej se ushtritë amerikane dhe britanike në Itali po luftonin vërtet shumë keq, derisa duke qenë të pajisura me shumicë me armatime të të gjitha llojeve, ngecën deri në maj 1945 në Itali, përballë vetëm rreth katër herë më shumë divizioneve gjermane se ç’ do të mund të përballonin partizanët shqiptarë. Merret vesh, Fultz, i cili nuk qe ushtarak, megjithatë jep konsiderata ushtarake, nga dëshira për të ndihmuar komunistët.
Në janar të vitit 1944, në kohën kur Fultz shkruante kështu, i dërguari i posaçëm gjerman për Europën Juglindore, Nojbauer, njoftonte Berlinin (29 janar 1944):
Shqipëria gjendet në situatë të «neutralitetit relativ» dhe 18.000 ushtarët e e forcave të armatosura gjermane që ndodhen në vend i konsideron si miqtë e saj.[cclxii]
I njëjti Nojbauer do të njoftonte Berlinin në 13 janar 1944, për prioritetet e forcave gjermane në Shqipëri:
Meqë forcat tona ushtarake, pos detyrës për mbrojtjen e bregdetit nuk mund të marrin mbi vete, në masë të madhe, edhe detyrën e ruajtjes së sigurisë të territoreve të brendshme në prapavijë, mobilizimi i forcave nacionale kundër aksioneve komuniste edhe më tej mbetet detyrë me rëndësi vendimtare.[cclxiii]
Forcat gjermane që mbronin bregdetin shqiptar ndaj një zbarkimi të mundshëm të aleatëve perëndimorë, nuk u sulmuan kurrë nga komunistët, sipas një pakti të heshtur ose jo me gjermanët. Në shkëmbim, gjermanët i lejonin komunistët që të luftonin me nacionalistët për kontrollin e prapatokës, pra të krejt vendit me përjashtim të qyteteve dhe rrugëve kryesore, që përbënin linjat e komunikimit jetike për gjermanët. Për komunistët kaq ishte e mjaftueshme që të krijonin bazën e tyre të pushtetit, në Jug të vendit, sa kohë që gjermanët nuk kishin filluar të tërhiqeshin nga vendi.
Si për të përgënjeshtruar pretendimet e Fultz, Enver Hoxha shkruan kështu për prioritetin e forcave partizane në pranverën e vitit 1944:
Për të siguruar qetësinë gjatë punimeve të Kongresit kishim diskutuar me kohë, dhe në emër të Shtabit të Përgjithshëm, kisha urdhëruar një numër brigadash e repartesh të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të zinin pozitat strategjike, të bllokonin rrugët që çonin në Përmet me porosinë e prerë: këmbë armiku të mos kalojë në drejtim të qytetit. Kështu, kur po afronte koha që do të niste punimet Kongresi, nga Tri Urat e gjer në Berat, Skrapar, Tepelenë, Zagori, Lunxhëri, Kolonjë e Vithkuq, sypafjetur me armë në dorë zunë pozicionet e zjarrit partizanët e brigadave V, XII, VII e VIII sulmuese. Krahas tyre, në një shtrirje më të gjerë në mbrojtje të Përmetit historik do të vepronin brigada të tjera të ushtrisë sonë. Shokët e Shtabit të Përgjithshëm ishin të bindur se partizanët tanë heroikë do të kryenin me devotshmëri detyrën e lartë që u ishte ngarkuar dhe, me të vërtetë, ashtu ndodhi. Kongresi historik i Përmetit u zhvillua me qetësi të plotë. Kur çdo gjë ishte gati, u nisëm drejt Përmetit. Koha ishte e mirë, ndihej kudo pranvera.[cclxiv]
Sipas kësaj që thotë Enver Hoxha, forcat partizane qenë angazhuar në veprime asfare të luftës partizane, por të një ushtrie të rregullt që mbron një territor të gjerë. Kjo ngjan me atë situatë që krijoi Enver Hoxha në vjeshtën e vitit 1943, në malësitë e Çermenikës dhe të Tiranës, kur dislokoi një numër të madh forcash partizane, në një operacion që nuk kishte të bënte me luftën kundër gjermanëve, por me planet e tij të politikës së pushtetit. Edhe i gjithë ky dislokim i forcave partizane në Përmet dhe rreth tij, nuk kishte të bënte fare me luftën kundër gjermanëve dhe Enver Hoxha as që e pretendon këtë gjë. Për gjermanët nuk përbënte asnjë problem ky përqëndrim forcash partizane në malësitë e Shqipërisë Juglindore, derisa nuk prekte linjat e tyre kryesore të komunikimit. Gjermanëve aq u bënte që komunistët po bënin një kongres në kuadrin e politikës së tyre të pushtetit që do të instalohej në vend pas tërheqjes së pritshme të gjermanëve nga Ballkani, pasi armatat sovjetike kishin hyrë në territorin e Rumanisë, në mars 1944. Në maj 1944 forcat kryesore partizane qenë angazhuar për të siguruar zbatimin e planit të puçit në pushtim. Enver Hoxha me të vetët, që po e zbatonin këtë plan në Përmet, nuk rrezikoheshin nga gjermanët, por nga nacionalistët antikomunistë shqiptarë, dhe kundër tyre qenë përqëndruar forcat partizane në atë zonë.
Gjermanët e lanë të qetë Enver Hoxhën që të bëjë kongresin në Përmet, dhe vetëm pastaj filluan operacionin e quajtur të Qershorit, i cili ishte më tepër një demonstrim për t’ i shkurajuar aleatët perëndimorë që të zbarkonin në Shqipëri. Nëse gjermanët, të cilët kishin përqëndruar forca të mëdha në Shqipëri që në maj, duke qenë se prisnin një zbarkim të aleatëve perëndimorë në vend, do ta kishin nisur operacionin spastrues në maj, ata do t’ i kishin kapur si me morsë forcat kryesore partizane në një zonë të ngushtë në Përmet dhe rreth tij. Por gjermanët qartësisht nuk donin që ta bënin këtë gjë, duke ikur nga Shqipëria me satisfaksionin se u kishin lënë pas aleatëve perëndimorë në Shqipëri nën kontrollin e komunistëve. Pikërisht në maj 1944, kur Enver Hoxha bënte kongresin në Përmet, gjermanët bënë një operacion spektakolar me glajderë (planerë), duke lëshuar desantë në vendqëndrimin e titos për ta kapur ose vrarë atë. Në rastin e Enver Hoxhës, gjermanët jo vetëm që nuk e bënë këtë, por nuk çuan as disa avionë të bombardonin Përmetin në kohën që atje bëhej kongresi dhe t’ ia prishnin kështu festën.
Pikërisht në përfundim të Kongresit të Përmetit, avionët bombardues gjermanë vranë në Sheper të Zagorisë, pranë Përmetit, nënkolonelin britanik Lik, i cili ishte nisur nga Përmeti, ku porsa qe ndarë me Enver Hoxhën:
Ditën e fundit të kongresit, kur me një numër delegatësh po hanim bukë, më lajmëruan se kishte ardhur një nënkolonel anglez që kërkonte të takohej me mua...
-Do të shkoj në bregdet, atje do të vijë një anije dhe do të hidhem në Itali, prandaj ju lutem,- më tha,- të më jepni nja dy partizanë si shoqërues...
Nënkoloneli anglez nuk arriti deri në Bregdet, sepse u vra në Sheper të Zagorisë gjatë një bombardimi nga avionë gjermanë. E goditën mu në çadrën e bardhë që kishte ngritur kolegu i tij, majori Tillman, në kundërshtim me këshillat e Shtabit partizan të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër.[cclxv]
Se përse Enver Hoxha dhe të vetët që ishin mbledhur në Përmet nuk u vizituan nga bombarduesit gjermanë, kjo zbulohet tërthorazi nga një deklaratë e Spiro Moisiut në Kongresin e Përmetit, të cilën na e sjellë Enver Hoxha në kujtimet e veta:
Spiro Moisiu u solli delegatëve edhe një fakt që dëshmonte për rritjen e forcës goditëse të luftës sonë, por edhe për qëndrimin e vendosur parimor kundër çdo kompromisi tradhtar të Partisë.
-Komanda gjermane,- tha ai,- na dërgoi një oficer dhe na propozoi që Shtabi ynë i Përgjithshëm të dërgonte përfaqësues në Tiranë për të biseduar e për t’ u marrë vesh me hitlerianët. Por ne u deklaruam gjermanëve se do të luftojmë derisa të zhduket fashizmi. [cclxvi]
Ngjarjet tregojnë të kundërtën, se marrëveshja është bërë dhe tash Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu duan të përgënjeshtrojnë zërat që qarkullojnë për të. Që ka pasur një marrëveshje të tillë kuptohet tërthorazi nga dokumente të firmuara nga vetë Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, siç është kjo letër e Shtabit të Përgjithshëm për Brigadën I, e datës 22 prill 1944, ku thuhet:
Situata e armikut:
Vlorë: -200 gjermanë; 300 çerqezë, robër lufte të inkuadruar në ushtrinë gjermane; 200 kosovarë me oficerë shqiptarë; 600 ballistë të komanduar nga Enver Risilia.
Berat: -Në qytet, Kuçovë, Shjpirag dhe Myzeqe: 600-700 ballistë; në qytet, Ura e Hasan Beut, Otllak e Qelbësirë: 500 gjermanë.
Lushnjë:- Një sasi ballistësh dhe 50- 100 gjermanë.
Korçë:- Një numër ballistësh, numri i gjermanëve dhe i ermenëve është i luejtshëm. Shpeshherë ata janë pararoja e autokolonave që vendosen në qytet derisa të kalojë autokolona dhe pastaj nisen në drejtim të autokolonës.
Kolonjë:- 150 gjermanë, në veri e në jug të Kolonjës, gjatë rrugës automobilistike, gjenden grupe roje ermenësh prej 12 deri 30 vetash për ruajtjen e rrugës.[cclxvii]
Po në këtë letër thuhet:
Forcat gjermane janë të pakta përgjithësisht dhe ato mbushin rreshtat e tyre të boshatisur me ballistë, ermenë, çerqezë dhe me xhandarë. Gjermanët janë të rënë moralisht dhe ermenët e ballistët janë njerëz të mobilizuar me përdhuni më të shumtën e herës... Çdo ushtar ermen ka vetëm 30 fishekë me vete.[cclxviii]
Në rast se përbërja dhe gjendja e forcave gjermane në Shqipëri në atë kohë ishte e tillë, atëherë përse Enver Hoxha me partizanët e tij nuk e çliruan Shqipërinë në pranverën e vitit 1944, por e deklaruan çlirim tërheqjen e trupave gjermane nga Shqipëria në kuadrin e tërheqjes së përgjithshme të trupave gjermane nga Ballkani. Kjo në një kohë që kishte përgatitur shitjen e Shqipërisë Jugosllavisë. Kështu që për Enver Hoxhën që fliste nga tribuna e Kongresit të Përmetit mund të vlenin të perifrazuara ato vargjet e poemës satirike «Epopeja e Ballit Kombëtar», të mikut të tij Shevqet Musaraj:
Gjëmon Përmeti,
po flet e falet,
Një trim i partizan,
që vjen nga malet,
Në krye të vendit,
serbi bën roje.
Flet biri i botës
pa pikë droje.
Ne jemi forca
thjesht kombëtare,
të huaj nuk duam,
në tokën shqiptare
Aplausi forca,
troket legeni,
qesh feldgjendarmi,
Enver Hoxha nuk shkoi në Përmet si një partizan, që fle nëpër shpella, kasolle të bëra në pyll, apo çadra, por ndalet në shtëpi komode, si në këtë rast në Teqen e Frashërit, ku tregon dhe një episod komik. Në 12 prill 1979, Enver Hoxha, në një bisedë me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të Përmetit, Simon Stefani, sipas zakonit që kishte që në takimet të tilla të tregonte dhe ndonjë histori që i kishte ndodhur në kohën e luftës, rrëfen:
Më kujtohet që në kohën e luftës ne kemi vajtur edhe në teqenë e Frashërit, ku na priti babai i teqesë, Baba Fejzoja, ai kriminel që na vrau Baba Fajën. Isha me Spiro Moisiun dhe me disa partizanë. Bam, bam i ramë derës. Na hapën derën Na hapën derën, u futëm brenda dhe u përshëndetëm. «Na zuri nata,- i thamë Babait, -dhe do të qëndrojmë këtu bashkë me partizanët». «Si urdhëron»,- na u përgjigj ai. Na përgatitën darkën për të gjithë shokët partizanë. S’ e mbaj mend dhe aq mirë teqenë, por atje në fund të avllisë, ishin konakët.
Pasi hëngrëm bukë, babai i teqesë më tha: «Zotërisë suaj, me gjithë zotërinë tjetër,- as na pyeti fare se kush ishim,- ju kam shtruar në dhomën e mysafirëve». «Mirë»,- i thashë dhe shkuam atje.
Në dhomë i thashë Spiros:
-Tashti, Spiro, do të bëj myhib.
-Pse, si bëhesh myhib? Ha, ha, ha,- qeshte ai.
-Mos qesh,- i thashë,- se unë e di nga plaku im dhe Bedri Spahiu,- megjithëse as njëri, as tjetri, s’ më kishin thënë asnjë fjalë se si bëheshin myhibët, por kisha dëgjuar ca historira.[cclxx]
Kur partizanët i zë nata ata nuk supozohet që të trokasin nëpër shtëpi. Tito nuk trokiste nëpër shtëpi kur vinte nata, por rrinte nëpër shpella, ose në kasolle të ndërtuara nga partizanët thellë në pyje. Enver Hoxha është një lloj partizani që kur vjen nata duhet të hyjë patjetër në shtëpi dhe të ulet të hajë një darkë të mirë (Sigurisht në vende të tilla si Teqja e Frashërit) Enver Hoxha nuk hante bukë me qepë e gjizë, siç pretendohet se hanin partizanët), pastaj të shkojë të flejë në dhomën e miqve, në një shtrat të mirë. Sa për atë se si Enver Hoxha e bëri Spiro Moisiun myhyb, kjo mbetet mister, por jo dhe aq i errët po të kesh parasysh reputacionin e Enver Hoxhës, mikut të flokëverdhit të bukur Roncant.
Kongresi i Përmetit, që e çoi Enver Hoxhën të kalojë nga Teqja e Frashërit, ishte avancimi i planit të puçit në okupacion. Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar mori atributet e trupës ligjvënëse dhe u krijua Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar, me atributet e qeverisë. Në Kongresin e Përmetit, kur u bë ndarja e posteve në hierarkinë komuniste, Enver Hoxha mori për vete postet e kryetarit të qeverisë, Komandantit të përgjithshëm, ministrit të mbrojtjes, si dhe u bë anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar, që ishte kryesia kolektive e shtetit. Është ironi e madhe se Enver Hoxha, i cili dezertoi vetë i katërt nga kurthi ku i pati futur forcat partizane që pati me vete, në vjeshtën e vitit 1944, në vend që të dilte në gjyq ushtarak dhe të pushkatohej, u shpërblye duke u bërë komandant i përgjithshëm i ushtrisë partizane me gradën gjeneral-kolonel dhe filloi të pozonte me granduniformë, me pantallona me shirita, me çizme të lustruara, dhe me doreza luksoze. Nga dezertimi Enver Hoxxha shkoi në krye të puçit në pushtim. Kur Enver Hoxha u bë Komandant i përgjithshëm dhe kryetar i qeverisë, në maj 1944, ai ishte një njeri i panjohur në Shqipëri. Tuk Jakova do të thoshte në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944:
Ne e kemi popullarizuar gjithmonë e do ta popullarizojmë Enverin, por Enveri s’ ka vajtur që ta shohë ushtria e populli. Ai do të vinte vetëm atje ku do të shkonte Miladini.[cclxxi]
Enver Hoxha nuk kishte krijuar një reputacion në luftë si Tito, i cili kishte ishte bërë i njohur si komandant i përgjithshëm që në fillim të luftës. Përndryshe Enver Hoxha qëndroi si ilegal në Tiranë deri 18 muaj para përfundimit të luftës, dhe edhe më pas qëndroi përgjithësisht larg forcave partizane, me përjashtim të disa rasteve kur pati një kontakt tangencial me to, si në dy-tre promovime brigadash.
E megjithatë Enver Hoxha u tregua i pangopur në marrjen e posteve, si një bir i denjë i një familjeje të burokracisë osmane, dhe kjo solli zilinë e të tjerëve në udhëheqjen komuniste, njerëzit e së cilës u lanë në hije. Në Përmet u zyrtarizua ajo që mund të quhet si klika gjirokastrite. Omer Nishani, i cili ishte lindur në Lagjen Palorto, e njëjta lagje ku lindi Enver Hoxha, në qytetin e Gjirokastrës, mori dy poste, atë të kryetarit Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, ekuivalenti i kryetarit të shtetit, si dhe postin e ministrit të punëve të jashtme. Omer Nishani kishte një gjë të përbashkët me Enver Hoxhën, se qe endur nëpër shkolla, nga Stambolli në Vienë, për të studiuar në universitete për mjekësi, dhe qe kthyer nga studimet në moshën 34 vjeç, në 1921, pa diplomë. Omer Nishani, një ish-bashkëpunëtor i Kominternit, gjatë kohës që kishte qenë emigrant politik, ishte i vetmi ndër krerët e regjimit që po lindte, i cili kishte qenë në Rusi, veç Sejfulla Malëshovës. Ai njihej dhe me shefin e Kominternit, Gjergj Dimitrov, gjë që e rrëfen Enver Hoxha në kujtimet, t’ ia ketë thënë Dimitrovi:
Disa vite më pas, më 1947, kur vajta në Bullgari, në krye të një delegacioni qeveritar, për të nënshkruar Traktatin e miqësisë, të bashkëpunimit dhe të ndihmës reciproke në mes RP të Shqipërisë dhe RP të Bullgarisë, gjatë takimeve e bisedave në Sofje e gjetkë me Dimitrovin, mora vesh se edhe ai e njihte dhe e respektonte Omer Nishanin... Për mua ishte gëzim i veçantë që një personalitet i tillë si Dimitrovi e njihte dhe u interesua për doktorin, të cilin ne e kishim atëherë edhe Kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.[cclxxii]
Omer Nishani megjithatë kishte mbajtur postin e anëtarit të Këshillit të Shtetit gjatë okupacionit Italian, në vitet 1940-1943. Duket se kështu e kishte zbatuar ai personalisht Paktin Molotov-Ribentrop. Derisa Omer Nishani mori në 1944 një post kaq të lartë, atëherë duhet që ai të ketë qenë një nga kontaktet që i ishte rekomanduar Miladin Popoviçit kur erdhi në Shqipëri, për të njohur vendin dhe me njerëzit. Enver Hoxha në kujtimet e veta jep një të dhënë interesante se e ka njohur Omer Nishanin, që në kohën kur ky u kthye nga emigracioni politik, fill pas okupacionit Italian, kur Omer Nishani ishte bërë një hierark fashist:
Kur, pas pushtimit fashist, dëgjova se kishte ardhur në Shqipëri doktori (ai kishte mbaruar për mjekësi, por nuk e ushtroi kurrë profesionin), pata dëshirë ta takoj, ndonëse më kishte ardhur keq që ai, tok me të tjerët, ishte futur në «Këshillin e shtetit». Nuk ishte e vështirë për mua të njihesha me doktorin. Më njohu me të Bahriu.
-Ja doktor, po të prezantoj një «kuqalash» si ti,- i tha ai,- është Enveri, vëllai i Fahrijes, djali i Halilit.[cclxxiii]
Enver Hoxha në kujtimet e ndjen të nevojshme që të përcjellë shfajësimin e Omer Nishanit për postin që mori nga fashizmi:
Por do të thuash ti (dhe më pyeti prapë si më quanin), pse u fute në «Këshillin e shtetit»? Nga halli, s’ kam me se të rroj, kam edhe gruan. Ja, kështu u katandisëm.[cclxxiv]
Enver Hoxha këtë shfajësim që ia pranon Omer Nishanit, të tjerëve ua ze për të madhe. Kur faji i Omer Nishanit është më i madh se ai mund ta kishte nxjerrë jetesën duke ushtruar profesionin e mjekut. Gjithashtu Enver Hoxha pretendon se Omer Nishani i ka thënë që në takimin e tyre të parë, pasi u kthye në Shqipëri:
Dëgjo, Enver, vetëm një fjalë po të them dhe fute në xhep: Doktor Nishani është me ju derisa të vdesë. Kur ta shihni të nevojshme, dhe unë do të jem gati të bëj ç’ të më caktojë djalëria.[cclxxv]
Nëse ishte kështu, atëherë Omer Nishani duhet të kishte shkuar së paku në Konferencën e Pezës, në 1942. Enver Hoxha ndihet i detyruar që të japë një shpjegim edhe për këtë:
Kur përgatitëm Konferencën e Pezës, prapë pata takim me të, ia shpjegova gjërë e gjatë qëllimet, kë kishim ftuar dhe kush kishte pranuar. Kishim menduar që doktorin të mos e ftonim në Konferencë, sepse mendonim të mos e zbulonim (dhe këtë ia shpjegova doktorit); lidhjet e tij, propaganda që bënte ai për lëvizjen, i maskuar si njeri i regjimit, duke u shoqëruar me «baballarët» e «Këshillit të shtetit», do të na ishin të dobishme edhe për ca kohë.[cclxxvi]
Duket se Omer Nishani kishte një mision special si kontakt mes zyrave legale fashiste dhe atyre ilegale komuniste. Një nga arsyet për të cilat Enver Hoxha e mbështeti Omer Nishanin që të marrë postin e kryetarit të kryesisë së Këshillit ANÇ ishte se kryesia emëronte dhe shkarkonte, në aspektin formal, kryeministrin dhe komandantin e përgjithshëm, prandaj Enver Hoxha donte gjithsesi të kishte në këtë post një njeri të sigurt.
Ata që mbetën të pakënaqur nga ndarja e posteve në Përmet, filluan të thonë se në Përmet ishte krijuar Shteti i Palortosë, duke aluduar se Enver Hoxha dhe Omer Nishani që qenë nga lagjia Palorto në Gjirokastër, kishin marrë postet kryesore të shtetit të ri. Për më tepër që edhe Bedri Spahiu, një tjetër gjirokastrit nga lagjia Palorto dhe shok fëmijërie i Enver Hoxhës kishte marrë një portofol ministri në qeverinë ku nga nëntë portofole kryeministrore, tre i kishin gjirokastritët.
Të pakënaqurit thoshin për zëvendëskryeministrin Myslim Peza se ai ishte ekzekutori i urdhrave për vrasje të Enver Hoxhës. Të pakënaqurit e parë të mëdhenj qenë politbyroistët që nuk morën portofole në qeveri dhe në radhë të parë Koçi Xoxe me klanin e vet të korçarëve, të cilët e shikonin mënjaninmin e tyre si mosmirënjohje që Enver Hoxha kishte treguar ndaj shokëve të ish-Grupit Komunist të Korçës, të cilit i detyrohej aq shumë. Njerëzit e ish-Grupi Komunist të Korçës panë se i kishte shërbyer si katapultë njeriut që krijoi klikën gjirokastrite. Koçi Xoxe kishte pretenduar portofolin e punëve të brendshme, që i jepte atij shumë pushtet, meqënëse ishte sekretar organizativ i partisë, pra që merrej me kuadrot.
Por klika gjirokastrite ishte në ekspansion edhe në parti. Energjikja Liri Gega, një tjetër bashkëqytetare e Enver Hoxhës, synonte që me mbështetjen e këtij të fundit të merrte postin-kyç të sekretarit organizativ të partisë që e mbante Koçi Xoxe. Liri Gega tashmë praktikisht kishte uzurpuar postin nr. 2 në parti, atë të Koçi Xoxes. Në platformën e paraqitur për diskutim nga Byroja Politike në Plenumin VIII të KQ, në shkurt 1948, thuhet:
Në Konferencën e Vendit është zgjedhur shoku Koçi si sekretar organizativ. Kur doli nga burgu atij nuk iu dha vendi i tij, megjithëse qëndrimi dhe puna e tij në burg ishte e mirë. Ai as u vu në korrent si duhet për punimet e Konferencës dhe për çështje të tjera me rëndësi dhe të merrte punën në dorë dhe të ndihmohej në këtë drejtim. Por opinioni kishte ndryshuar. Kështu ishte puna e Liri Gegës, e cila kishte punuar me qëllim në këtë drejtim dhe puna e saj për të marrë arbitrarisht vendin e sekretarit organizativ gjeti terren të favorshëm, sepse ekzistonte orientimi që përmendëm, prointelektual. Koçi mbetej në emër sekretar organizativ, por në fakt u bë Liria.[cclxxvii]
Kështu, që nga koha kur ishte krijuar posti-kyç i sekretarit organizativ, Konferencën I të Vendit, në mars 1943, atë në letër e pati mbajtur Koçi Xoxe, por në realitet e ushtronte Liri Gega, edhe me mbështetjen e Miladin Popoviç, i cili nuk e donte Xoxen, të cilin e shikonte si njeriun e Tempos, me të cilin kishte kontradikta. Enver Hoxha do të deklaronte në Plenumin e KQ, në Berat, në nëntor të atij viti për këtë çështje:
Ne arritëm atje në përfundim që të mendonim se Koçi s’ e bënte dot punën organizative dhe se këtë punë duhej ta kryente Liria. Këtë e thoshte edhe Dushani, pastaj Miladini dhe unë. Lirisë i pëlqente.[cclxxviii]
Këtu intrigat politike përziheshin me ato dashurore, se siç thotë Enver Hoxha në Plenumin VIII, në 1948:
Ajo që tha Tekiu (Teki Kolaneci- K. M.) nuk është e pakët (Miladinë puthi Lirinë në Grabockë). Aliu kishte momente drejtësie, mund ta kishte njohur më parë. Ai i thosh Shules: «Si u ndave me Lirinë?». Nga ana tjetër ai vetë qe ngatërruar me Lirinë. Nga kjo situatë përfitoi Liria».[cclxxix]
Kështu del se Liri Gega ishte dashnorja e Miladin Popoviçit dhe kjo e stimuloi karrierën e saj. Por duket jo vetëm e Miladin Popoviçit derisa atë e ka mbështetur edhe Dushan Mugosha për të zënë vendin e Koçi Xoxes.
Liri Gega në Plenumin e KQ në Berat, në nëntor të atij viti, pranon se në Byronë Politike ekziston ai që ajo e quan (me një fjalë turke) një taraf, që do të thotë edhe klikë:
Nakoja mbeti jashtë këtij tarafi. Jashtë mbeti edhe Koçi që nuk ishte fare. Mbetëm vetëm Enveri, Baca dhe unë. Unë u largova (shkoi me Divizionin I në Veri- K.M.) por isha në taraf... Koçi ishte prezent, por mendimi i Aliut dhe i Dushanit ka qenë se Koçi nuk ishte i zoti, prandaj vetvetiu s’ e fusnin në taraf.[cclxxx]
Kurse Enver Hoxha detyrohet që ta pranojë tërthorazi këtë gjë:
Si është puna e tarafit që ngriti Pandi me Nakon. Unë jam dakord me ato që thanë ata. Në mënyrë koshiente ose inkoshiente Baca, Liria dhe unë qëndronim afër njëri tjetrit. Kjo mund të binte keq në sy.[cclxxxi]
Në fakt klika përbëhej vetëm nga Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Liri Gega, se Baca (Ramadan Çitaku) ishte vetëm përkthyesi i emisarëve jugosllavë dhe në fakt u përjashtua nga Byroja Politike në Plenumin e Beratit, në nëntor të atij viti, për inaktivitet.
Klika gjirokastrite ishte vazhdim i traditës së klikës surrogat-intelektuale të krijuar që me themelimin e partisë. E reja që ndodhi në Përmet është se klanet kundërshtare në udhëheqjen komuniste u profiluan në linjë krahinore dhe fetare. Klika gjirokastrite ishte muslimane, ndërsa klani kundërshtar i saj ishte kryesisht i fesë ortodokse, duke pasur si njerëzit më të spikatur Koçi Xoxen dhe Nako Spirut, dy njerëz që nuk morën në Përmet atë që mendonin. Mustafa Gjinishi, një tjetër i pakënaqur do të jepte një goditje pikërisht në këtë pikë, duke dashur që të kundërvejë Spiro Moisiun me Enver Hoxhën, por tërthorazi të kritikojë klikën muslimanë gjirokastrite. Enver Hoxha e sjell kështu këtë episode në kujtimet e veta:
-Mendoj të kemi dy nënpresidentë të Komitetit- tha Mustafa Gjinishi.- Propozoj për major Spiro Moisiun, caktimi i të cilit tingëllon mirë edhe sepse është ortodoks!
-Spiro Moisiu është komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe s’ mund të marrë edhe këtë funksion,- ishim të një mendjeje unë dhe Omer Nishani.[cclxxxii]
Argumenti i Omer Nishanit dhe Enver Hoxhës nuk qëndronte se edhe Omer Nishani kishte marrë më tepër se një funksion, ndërsa Enver Hoxha kishte disa funksione. Koçi Xoxe në diskutim, në Plenumin II të Beratit, gjashtë muaj më pas, kur do të përmendte anëtarët e udhëheqjes që janë mënjanuar, do të thoshte pesë emra të cilët qenë të pestë kristianë:
Lidhur me dobësitë në kompozicionin shoqëror të Partisë, sipas mendimit tim, këto dobësi i kanë rrënjët te pakujdesia dhe politika e shtrembër e kuadrit, që nuk është një politikë klase, politikë që e ka ndjekur Aliu nga lart deri poshtë. Prandaj kemi dhe këto rezultate. Një shembull: Katër shokë anëtarë të Komitetit Qendror me përbërje punëtore si Tuku, Pandi, Shulja dhe unë, të cilët mund tëe preferoheshin e të ndihmoheshin, janë luftuar. Edhe në raste të tjera, kur flitej për ndonjë element punëtor, si bie fjala për Gogon, flitej me përbuzje. Këtu qëndron dobësia.[cclxxxiii]
Të pestë këta qenë kristianë, nga të cilët kristianë, nga të cilët katër ortodoksë (Pandi Kristo, Kristo Themelko- «Shulja», Koçi Xoxe dhe Gogo Nushi) dhe një katolik (Tuk Jakova). Merret vesh se Koçi Xoxe aludonte për diskriminim fetar nga klika muslimane. Enver sigurisht që nuk ishte një besimtar musliman, por ai kishte paragjykimet muslimane, të cilat do t’ i mposhtte me vështirësi më pas, duke u dhënë kristianëve (ortodoksë) akces në pushtet, për të kënaqur Greqinë, jo se e bënte me dëshirë këtë gjë.
Që të kthehemi përsëri në Kongresin e Përmetit, ata që atëherë pretendonin se po e çlironin Shqipërinë nga pushtuesit fashiste, në Kongresin e Përmetit treguan se po i përgatisnin vendit një pushtim sllav, që paraqitej si miqësi dhe vëllazërim. Enver Hoxha, në fjalimin e tij në mbyllje të Kongresit të Përmetit, u shpreh:
Do të punojmë papushim për vëllazërimin e popullit tonë me popujt e tjerë të Ballkanit. Do të punojmë për realizimin e një konfederate ballkanike. Rroftë vëllazërimi i popujve ballkanikë në këtë luftë të përbashkët për zhdukjen e fashizmit dhe për realizimin e një konfederate ballkanike.[cclxxxiv]
Më pas ky paragraf nuk është botuar në veprat e Enver Hoxhës. Në Kongresin e Përmet komunistët shqiptarë kopjuan të gjithë strukturën e pushtetit të Tito, me përjashtim të OZNA (Drejtoria për Mbrojtjen e Popullit), që ishte versioni jugosllav i ÇEKA ruse të kohës së pas Revolucionit të Tetorit. Këtë gjë do ta bënin në nëntor.
Enver Hoxha edhe pasi u emërua në Përmet Komandant i përgjithshëm me gradën gjeneral-kolonel dhe veshi grandfuniformë, do të vazhdonte të rrinte larg zonave të luftimeve. Në qershor-nëntor 1944, në periudhën kur forcat kryesore partizane që deri atëherë gjendeshin thellë në Jug filluan të zhvendoheshin në veri të Shkumbinit, Enver Hoxha, zhvendohet gjithherë e më në jug. Ai e zhvendon qendrën e vet prej Helmësit të Skraparit, edhe më në jug, duke shkuar në Odriçan të Përmetit ku qendron deri në tetor 1944, me dy intervale të shkurtra, një kur shkon përsëri në Helmës të Skraparit në gusht 1944 për Kongresin I të Rinisë dhe një tjetër kur shkon në Sheper të Zagorisë, në jugperëndim të Odriçanit. Në tetor ai shkon në qytetin e Beratit, pasi gjermanët qenë larguar prej tij, duke mbetur kështu gjithherë thellë në Shqipërinë e Jugut larg forcave kryesore partizane që në atë kohë luftonin në veri të Shkumbinit. Beratin e la vetëm në 26 nëntor 1944 dy ditë para se të hyjnë në Tiranë. Duket qartë pra tendenca e Enver Hoxhës për të qendruar gjithherë në një largësi të madhe nga forcat kryesore partizane të angazhuara në luftime.
Odriçani, ku Enver Hoxha do të kalonte pjesën më të madhe të kohës nga fundi i majit në mes të tetorit, është si një resort i këndshëm turistik malor, ku ai banon në një shtëpi. Ai e përshkruan kështu Odriçanin:
Menjëherë pas Kongresit të Përmetit u vendosëm në Odriçan, një fshat i ndërtuar mbi një brinjë, jo larg Përmetit, ndonjë orë a dy më këmbë. Odriçani ishte i vogël, por i këndshëm, me ujë të freskët dhe me pemë. Armiku nuk e kishte djegur, prandaj kishim dhe ku të rrinim. Banorët e tij na pritën krahëhapur dhe të gjithë na rregulluan nëpër familjet e tyre. Mua më caktuan në një shtëpi në krye të fshatit.[cclxxxv]
Enver Hoxha, duke mos e mposhtur dot natyrën e vet prej komediani, rrëfen këtë episod, në Odriçan, që provon atë që ka thënë Gjenerali Davies, se ai nuk kishte asnjë dëshirë për të luftuar kundër gjermanëve:
Edhe ne që ishim vendosur në Odriçan ndodheshim brenda zonës së ofensivës armike dhe në çdo çast mund të bëheshim objekt i një sulmi, sidomos po qe se gjermanët e ballistët merrnin vesh se këtu qe vendosur udhëheqja e Partisë dhe Komanda e Përgjithshme. Prandaj u kishim dhënë porosi shokëve si dhe banorëve të fshatit që të ruanin konspiracionin më të rreptë, njëkohësisht kishim marrë masat që në rast rreziku të shpërnguleshim me shpejtësi.
Një natë vijnë me urgjencë Behar Shtylla dhe Stefo Grabocka e më lajmërojnë se forca gjermane ishte drejtuar për në Përmet, duke çarë nëpër malësinë e Korçës. Mora hartën, shënuam vendin nga ishin nisur gjermanët, kohën kur ishin nisur dhe llogaritëm kur mund të kalonin nga Odriçani ose aty afër. Na mbeteshin vetëm disa orë kohë. Lajmëruam batalionin e Riza Kodhelit, me komisar Misto Treskën, që të afrohej e të zinte me shpejtësi pyllin përballë Odriçanit, mbi rrugën që të çonte në Alipostivan dhe karshi rrugës që dilte nga fshati Pagri. Morëm masa për të vendosur në një vend të sigurt gratë, fëmijët e pleqtë dhe ne të Komandës së Përgjithshme kaluam të fundit matanë Odriçanit. Thirra Riza Kodhelin dhe Misto Treskën, të cilët më raportuan ku i kishin vendosur forcat, dhe u dhashë urdhër të gjithëve që asnjë të mos qëllonte pa dëgjuar tri të shtënat e «mauzerit» tim.
Rrinim të gatshëm, në pritje dhe në heshtje. Në rast se gjermanët do të digjnin fshatin, atëherë ishte e sigurt se kishte marrë informata, që ne ishim atje dhe se duhej të gjendeshim në pyjet rreth e rrotull, kështu që ata do të futeshin në rrugën e Alipostivanit. Gjermanët erdhën, kolona e tyre doli nga Odriçani dhe nga Pagrija, me mushka të ngarkuara me armatim të lehtë dhe me mortaja, vazhdoi udhëtimin dhe doli në rrugën në pyll. Dy orë të tëra ne i vrojtonim dhe ata na kalonin si në paradë. Nuk dogjën as Odriçanin, as Pagrinë, por u drejtuan për në Përmet, të cilit i vunë zjarrin për herë të fundit; s’ bënë gjë tjetër veç ridogjën gërmadhat. Gjermanët, pra, nuk kishin informata se ne ndodheshim në zonën e operacionit. U rikthyem në Odriçan dhe vazhduam punët.
Çdo mbrëmje, ose në shtëpi, ose në hajatin e kishës së vogël në fund të fshatit, ku zbrisja vetë, i mblidhja shokët dhe i vija në dijeni për situatën dhe ngjarjet e reja dhe këshillohesha me ta. Nga Odriçani ndiqnim edhe zhvillimin e ofensivës gjermane.[cclxxxvi]
Mauzeri i famshëm i Enver Hoxhës, me të cilin ai pozonte në fotografi, nuk u shkrep as këtë radhë. Edhe këtë herë Enver Hoxha ishte në dilemë si atë ditë në maj 1941, kur së bashku me Esat Dishnicën, po mendonte t’ i bënte atentat Victor Emanuele III. Por as këtë herë nuk qëlloi. Enver Hoxha nuk donte të vepronte se ai nuk e shikonte veten si një komandant guerriljesh, por si një politikan që përfitonte nga lufta për të marrë pushtetin. Ai ishte një burokrat i luftës partizane. Në këtë episdo është bërë dhe fotografia e famshme e Enver Hoxhës gjatë luftës ku ai, i veshur ushtarak, studion një hartë, duke u nënkuptuar se po drejtonte operacionet luftarake partizane. Të vërtetën e kësaj fotografie na e rrëfen Behar Shtylla, të cilin Enver Hoxha e përmend më lart si njeriu që e njoftoi se po vinin gjermanët. Behar Shtylla, i cili pas luftës do të ishte për më shumë se dy dekada ministër i Punëve të Jashtme, tregon në kujtimet e veta:
I kërkoi Irfan Peshtanit një hartë të zonës. Shoku Enver u ul mbi hartë e po më tregonte drejtimin që do të merrja. Ishte ende ditë. Aty u ndodh Spiro Koleka me aparat fotografik në dorë dhe mori shokun Enver në fotografi tek po vështronte hartën.[cclxxxvii]
Ja dhe misteri i fotografisë së famshme me hartën, që është një element i rëndësishëm në kapitullin e «hagiografisë» së Enver Hoxhës të kohës së luftës! Ajo nuk ka të bëjë me drejtimin e luftës, por me ikjen në panik nga një fshat, për të shmangur një betejë me gjermanët!
Në atë kohë Enver Hoxha nuk ishte i interesuar për luftën kundër gjermanëve, se ishte shumë i interesuar për luftën civile, nga e cila sigurohej pushteti. Pasi komunistët kishin fituar praktikisht luftën civile në Shqipërinë e Jugut, të filluar që në vjeshtën e vitit 1943, ata tashmë mund t’ i çonin forcat nga Shqipëria e Jugut për në veri të Shkumbinit, për të filluar aktin e dytë të tragjedisë së luftës civile, këtë herë edhe me ngarkesa urrejtjesh rajonale. Në 1 qershor 1944 është një «Urdhër i Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral-kolonel Enver Hoxha, dërguar shtabit të Divizionit I». Në hyrjen e këtij urdhëri thuhet:
Në veri të Shkumbinit okupatori nazist ka mundur të organizojë reaksionin dhe të forcojë pozicionet në zonat e Çermenikës, Zaranikë, krahina të Shëngjergjit dhe të hedhë në pasivitet e të bëjë burime mobilizimi Matin dhe Dibrën…
Zgjerimi i ushtrisë sonë dhe çlirimi i zonave në Jug të Shkumbinit, formimi i pushtetit tonë në zonat e Jugut dhe nevoja për të goditur okupatorin dhe reaksionin që përdor popullsinë e Shqipërisë së Mesme si një burim për të përmbushur rreshtat e tij të boshatisura dhe për të goditur forcat tona të shumta të grumbulluara në një zonë relativisht të ngushtë dhe, në anën tjetër nevoja për të vendosur edhe në Shqipërinë e Mesme pushtetin nacional-çlirimtar dhe për t’i dhënë hov luftës kundër okupatorit dhe tradhëtarëve, vë përpara nesh problemin e një ndërmarrjeje të madhe ushtarake drejt Shqipërisë së Mesme.[cclxxxviii]
Fjalët me të cilat fillon urdhëri i Enver Hoxhës janë domethënëse: «Në veri të Shkumbinit»!!! Kjo tradhton një resentiment të Enver Hoxhës ndaj kësaj pjese të Shqipërisë. Nga ky urdhër që i jepet një force partizane që gjendet në Shqipërinë e Jugut, të përbërë kryesisht nga jugorë, del se Enver Hoxha e shikon popullsinë shqiptare në veri të Shkumbinit dhe në këtë rast atë Shqipërisë së Mesme si armik që duhet neutralizuar. Ai nuk ka asnjë kujdes për termat. Nga ato që thotë Enver Hoxha kuptohet se në këtë pjesë të Shqipërisë këshillat nacionalçlirimtare nuk ekzistojnë dhe ato duhet t’ i krijojjnë forcat partizane që do të shkojnë atje, si pushtet të imponuar me forcën e armëve. Ato që thotë Enver Hoxha më lart përbëjnë një manifest të luftës civile. Fjala «okupatori nazist» e përdorur vetëm një herë më lart, është thjesht një «gjethe fiku», dhe siç do të shihet më poshtë, nuk del më në të gjithë tekstin e urdhrit.
Detyrat konkrete që Enver Hoxha i jep Divizionit I kur të kapërcejë Shkumbinin, janë qartësisht detyra të luftës civile:
Prandaj i caktojmë Divizionit I Sulmues detyrën që të marshojë drejt Shqipërisë së Mesme.
Objektiva e Divizioni:
1)Të goditë forcat e armikut
2)Të shkatërrojë rrugët e komunikacionit të tij.
3)Të goditë e të likuidojë Bazin e Canit, Legalitetin dhe forcat e ndryshme të reaksionit e të qeverisë kuislinge të Tiranës.
4) Të spastrojë zonat e Çermenikës, Zaranikës, rrethet e Tiranës, Mat e Dibër.
5) Të ngrejë dhe të forcojë pushtetin nacional-çlirimtar në zonat e çliruara.
6)Të mobilizojë popullin në luftë.
7)Të rimëkëmbë njësitë tona të shkrira nga reakioni i dimrit të kaluar.
Komandanti i Përgjithshëm i UNÇL
Gjeneral-kolonel
Enver Hoxha[cclxxxix]
Detyrat që i jepen kësaj fuqie partizane janë si ato që i jepen një fuqie okupatore. Divizionit I i jepet detyrë që të kryejë mobilizim të detyruar të njerëzve të aftë për luftë në repartet partizane. Në urdhër pranohet se në atë zonë nuk ekzistojnë më reparte partizane. Divizioni urdhërohet që të ngrejë këshillat nacionalçlirimtare në zonat e çliruara prej tij, çka do të thotë se populli nuk kishte ndërmend ta bënte vetë këtë gjë, pra pushteti i krijuar do të ishte pushtet i imponuar me forcë. Në Shqipërinë e Veriut edhe PKSH ishte inekzistente dhe në Plenumin e Beratit Nako Spiru do të ankohej se përse forcat partizane që shkuan atje dhe që kishin urdhër të punonin për ngritjen e organizatave të partisë nuk bënë gjë:
Në Veri ishte rasti që ne të forconim organizatat tona. Dihet që përpara ato kanë qenë të dobëta athe, por tani ishin krijuar kushtet që ato të forcoheshin. Gjatë dimrit ishte ndryshe, pasi atje s’ kishte asnjë çetë partizane, pra s’ ishte e mundur që të mbahej një organizatë në këmbë. Por tani që në Veri shkoi gjithë ajo ushtri, shkuan gjitha ata kuadro tanë të mirë, tani është më kollaj që të ngrihet puna organizative. Megjithëse shokët kanë pasur direktiva të punojnë për këtë dhe të ngrenë organizatat, ata s’ kanë bërë kurrgjë.[ccxc]
Sipas urdhërit të mësipërm të Enver Hoxhës Divizioni partizan gjithashtu urdhërohet që të sulmojë dhe forcat e Abaz Kupit, i cili vërtet nuk luftonte kundër gjermanëve, por ama as bashkëpunonte me ta, dhe pranë të cilit kishte një mision britanik. Sulmi ndaj forcave të Abaz Kupit ishte një akt i pastër i luftës civile.
Është interesante se në urdhrin e Enver Hoxhës zona ku ai qëndroi në dimrin e kaluar (Çermenika) quhet zonë reaksionare:
Datat e lëvizjeve të brigadave të ndryshme duhet të caktohet në atë mënyrë që zonat e para reaksionare që synohen (Çermenikë-Zaranikë) të merren me veprime të kombinuara rrethuese nga trupat që marshojnë.[ccxci]
Enver Hoxha nuk thotë që këto zona të çlirohen, por «të merren», që në kontekst ka konotacionin «të okupohen». Urdhëri i mësipërm i Enver Hoxhës është preludi i atij që nuk mund të quhet ndryshe veçse si invadimi dhe okupimi i Shqipërisë në veri të Shkumbinit nga forcat partizane të nisura nga Shqipëria e Jugut. Kjo ishte një fushatë gjatë së cilës u ushtrua një terror masiv dhe u vranë shumë njerëz të pafajshëm. Në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944, Nako Spiru pati deklaruar lidhur me msymjen e Divizionit I dhe më pas Divizionit II (gusht) në veri të Shkumbinit:
Ne dolëm me parrullën «o me ne o kundër nesh». Kur ne shkojmë në Veri me forca kaq të gjëra dhe vihemi në kontakt me popullin, në vend që të bashkohemi më shumë me popullin ne i kallim atij tmerrin.[ccxcii]
Në përmbledhjen «Këngë popullore për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ndërtimin socialist», botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH (1983), ka një këngë thuhet:
Tropoja afër kufirit
mbushur plot tradhëtarë,
aty shkon Brigatë e Tretë
armikun për ta shpërndarë,
Birçe djalë i Labërisë,
në Tropojë e derdhe gjaknë.
Labëri 1965[ccxciii]
Në fillim të korrikut të vitit 1944, Komandanti i Shtabit Aleat të Mesdheut, Gjenerali Wilson i dërgoi një notë Enver Hoxhës që kishte barazvlerën e një ultimatumi ku i thoshte:
Më duhet t’ ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë janë të destinuara vetëm për një qëllim, e pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t’ i përdorni këto armë për të vrarë ose për të eliminuar bashkëatdhetarët për qëllime politike, dhe në rast se ju do t’ i përdorni këto armë për një qëllim të tillë, unë do të detyrohem ta ndërpres furnizimin për ju. Shërbimi më i madh që mund t’ i bëjë armikut kushdo në vendin tuaj është të nisë një luftë civile. Eshtë brenda fuqisë tuaj që ta parandaloni atë.[ccxciv]
Enver Hoxha sjell në kujtimet e veta bisedën që pati me oficerin ndërlidhës aleat për këtë gjë:
-Zoti Hoxha, Shtabi Aleat më ka transmetuar një note të gjeneralit Uillson për ju.
-Ç thotë nota?- E pyeta pa e prishur terezinë sepse e merrja me mend ç’ mund të përmbante ajo note. Ofensiva e Divizionit tone në Veri po i shkelte në kallo.
-Në note shtrohen tri çështje,- vazhdoi anglezi.- E para, gjenerali Uillson nuk lejon që partizanët tuaj të hyjnë në planet e tij strategjike, ai nuk toleron luftën civile në teatrin e veprimeve të tij.[ccxcv]
Përgjigjia e Enver Hoxhës ishte dinake. Nga njëra anë mohonte që në Shqipëri të kishte luftë civile, ndërsa në anën tjetër thoshte:
E çmojmë si duhet ndihmën e aleatëve me material lufte dhe e quajmë të domosdoshme për luftën tonë.[ccxcvi]
Më pas Enver Hoxha, veç luftës civile, do ta mohonte edhe ndihmën e britanikëve dhe amerikanëve, duke u shprehur me shumë cinizëm për të. Enver Hoxha në kujtimet e veta pretendon se i ka thënë shefit të misionit aleat në Shqipëri, nënkolonelit Palmer:
Shekspiri juaj, i thashë,- ka shkruar një komedi që mban titullin «Shumë zhurmë për asgjë». Kurse kjo që po luhet sot në kurrizin e një populli të etur për liri i kalon caqet e komedisë e të dramës, kjo është një tragjedi e tmerrshme. Një popull i vogël si yni lufton dhe sakrifikon çdo gjë për fitoren e kësaj lufte. Ai ju kërkon vetëm ndihmë në armë dhe asgjë tjetër, kurse ju bëni shumë zhurmë rreth saj, në fakt ne po shohim, shumë, shumë pak, pothuajse asgjë nga kjo ndihmë.[ccxcvii]
Por në albumet e botuara në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet duket se të gjithë partizanët janë të veshur me uniforma britanike, çka është një tregues i përmasave të ndihmës së aleatëve. Kështu që edhe për këtë rast mund të thuhet se Enver Hoxha u soll sipas përcaktimit që i bëri Dolores Ibarruri, si qeni që kafshon dorën e atij që e ushqen.
Në ndërkohë lufta civile vazhdonte. Derisa në Shqipërinë e Jugut terrori i kuq ishte thjesht ideologjik, në Shqipërinë e përtej Shkumbinit, posaçërisht në atë të Veriut, terrori i kuq që u ushtrua reflektonte dhe resentimente rajonale. Por sigurisht që gjatë fushatës në veri të Shkumbinit, ndër viktimat e terrorit të kuq në kryeqytet, qenë edhe shumë njerëz me origjinë nga Jugu, ndër të cilët disa gjirokastritë nga familja Kokalari, kushërinj të Enver Hoxhës, të vrarë me urdhër direkt të këtij të fundit se dinin shumë për të. Gogo Nushi do të thoshte në në Plenumin e Beratit, në nëntor 1944, për këto vrasje:
Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditën e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona, në Tiranë janë vrarë 60 vjeta, e kemi dhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’ meritonte të vritej. Kjo është konseguencë e vijës sonë. Jemi të sigurt që do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar të 100 vetat.[ccxcviii]
Kristo Themelko, i cili i bëri këto vrasje, u shfajësua duke thënë se i kishte bërë me porosi të Enver Hoxhës:
Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se kur të hynim nëpër qytete, do t’ i spastronim elementët e rrezikshëm, prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.[ccxcix]
Enver Hoxha në raportin në Plenumin II në Berat, i detyruar nga mekanizmi diabolik kominternian i autokritikës, që kishte vënë në veprim i dërguari i plotfuqishëm jugosllav, Stoiniç, tha me hipokrizi:
Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’ është me ne, që s’ mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë. Kjo është e gjithë pasqyra e një pune të gabuar.[ccc]
Paralel me këtë luftë civile, do të vazhdonte dhe lufta civile brenda radhëve të komunistëve, në formë spastrimesh nga krahu stalinist i Enver Hoxhës. Në shtator 1944, kur forcat partizane shkuan në Veri, Enver Hoxha, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë partizane, urdhëroi kapjen dhe pushkatimin e Zai Fundos. Historiografia komuniste shkruan:
Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH (Enver Hoxha- K.M.) në këtë kohë i dha urdhër shtabit të Korparmatës I, që të ndiqeshin dhe të kapeshin Gani Kryeziu me Zai Fundon dhe majori anglez pranë tyre dhe të shpartallohej veprimtaria e tyre minuese kundër Frontit dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.[ccci]
Zai Fundo merrte pjesë në një formacion luftarak antifashist jokomunist, që kishte në krye Gani Kryeziun, pranë të cilit ishte atashuar dhe një oficer britanik. Veprimtaria e tyre minuese ishte se nuk pranonin të bëheshin kukulla të PKSH, në kuadrin e Frontit të kontrolluar prej saj. E vetmja veprimtari minuese e Zai Fundos ishte se ai nuk pranonte vijën e udhëheqjes staliniste të PKSH, dhe se ishte për antistalinist përveçse antifashist. Zai Fundo qe dënuar me vdekje nga Kominterni si antistalinist dhe ky dënim u shpall dhe nga PKSH, siç e kam cituar më lart. Në librin e përmendur më lart për Zai Fundon thuhet:
Tradhëtari u gjykua dhe u dënua si armik i Partisë Komuniste dhe i Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar.[cccii]
Pra, në fillim përmendet partia dhe pastaj populli. Duke pushkatuar Zai Fundon repartet partizane, që në letër i bindeshin platformës së Frontit për luftë pa dallim ideje, bënë terrorizëm ideologjik. Në prill të vitit 1944 Enver Hoxha në një letër që i shkruan Nako Spirut, që nga Helmësi i Skraparit, porosit edhe një herë që Zef Mala dhe Zai Fundo të pushkatohen porsa të gjenden:
Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi ta dekoroni me një plumb kresë. Ai s’ është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet pas dore... Çështja e Zai Fundos mbetet ajo që ka qenë. Çështja e autokritikës s’ na intereson dhe as që duhet të pëmendet, sikundër që e kanë bërë në Korçë, gjë që e popullarizon. Ai mbetet armik i poshtër i Partisë dhe hesapin dhe autokritikën s’ mund ta bëjë as këtu, as në Itali, po atje lart ku e kanë dënuar. Prandaj dhe ky, po të gjendet po atë fat. Në këtë pikë u thuaj shokëve që të mos gabohen.[ccciii]
Kështu, Enver Hoxha, njeriu që nuk kishte qenë fare komunist i organizuar deri ditën që shkoi në mbledhjen themeluese të PKSH, urdhëronte pushkatimin e dy komunistëve më të njohur shqiptarë të kohës, Zef Malës dhe Zai Fundos. Zef Mala dhe Zai Fundo, të dy porsa qenë kthyer nga internimi në Itali, ku i kishin çuar si antifashistë, në një kohë që Enver Hoxha merrte nga fashizmi benefice si licenca shumë e lakmuar për tregti cigaresh me shumicë. Zai Fundo e njohu se ç’ ishte komunizmi në Bashkimin Sovjetik dhe iku i tmerrua nga ajo që pa, duke e quajtur veten me fat që shpëtoi kokën. Por Stalini do ta ndiqte deri në atdheun e tij të largët, dhe do ta vriste me anë të «Taras»- dorasit, që me këtë veprim donte të fitonte simpatinë e Moskës. Nëse loja që pëlqehej tash ishte që vriteshin komunistë, Enver Hoxha, «Hermani»- «Taras» do ta luante atë me zell. Në Plenumin II, në Berat, në nëtor 1944, Nako Spiru tha:
Gogoja tha se ka marrë disa letra nga Komiteti Qendror për vrasjen e Sotir Kondit, Anastas Plasarit e Zef Malës. Por ai të thotë se letrat i ka marrë nga Enveri. Kështu për të gjithë ka kritika, të gjithë kemi përgjegjësi.[ccciv]
Sigurisht që Enver Hoxha nuk harroi që të likuidonte as Mustafa Gjiniishin, i cili dinte shumë për të dhe për Miladin Popoviçin. Në Plenumin II, Berat, Enver Hoxha, i gjendur befas në situatën kur i dërguari jugosllav i urdhëroi t’ i nxirrnin të gjitha ç’ kishin bërë, tha:
Si u bë puna e vrasjes së Mustafait, nuk e di. Ç’ i ka thënë për këtë Miladini Lirisë, edhe këtë nuk e di. Vetëm di që më erdhi telegrami, ku lajmërohej që Mustafai u vra. Telegrami thoshte: «Puna doli me sukses». Kjo është çështja e Mustafait.[cccv]
Enver Hoxha këtu e pohon se ka patur një urdhër për vrasjen e Mustafa Gjinishit dhe se ky urdhër i është dhënë nga Miladin Popoviç Liri Gegës. Sigurisht që për këtë gjë ka biseduar edhe Enver Hoxha me Miladin Popoviçin, se Mustafa Gjinishi i gjallë përbënte një problem për të dy. Enver Hoxha në kujtimet e veta tregon një episod për gjuetitë ku merrte pjesë gjatë vizitave të veta në Çekosllovaki, kur erdhi në pushtet:
Për gjah sorkadheje shkava shumë herë. Kishte një ceremoni të veçantë, kur përshëndetje sorkadhen e vrarë! Do të shkoje ta përshëndetje trupin e sorkadhes, do të prisje një degë pishe, që do ta lyeje me gjakun e kafshës, dhe pastaj degën do ta vije si një pendë në kordonin e jashtëm të kapelës.[cccvi]
Sigurisht që Enver Hoxha nuk vriste dot aq sorkadhe sa të mos kishte vend në kordonin e kapelës së tij për të vënë «degë të përgjakur» për çdonjërën prej tyre, por nëse do ta bënte këtë rit me njerëzit të cilët qenë vrarë me urdhër të tij, kordoni i kapelës së tij prej gjenerali nuk do t’ i mbante dot, edhe sikur të vinte vetëm hala të përgjakura pishe për çdo njeri të vrarë.
Në gusht 1944 Enver Hoxha vazhdoi të çonte forca partizane nga Shqipëria e Jugut në veri të Shkumbinit, për t’ i angazhuar në luftën civile. Me t’ u krijuar Divizioni II partizan, Enver Hoxha e urdhëron atë:
Divizioni II Sulmues duhet të zërë të gjitha pozicionet që mban tani Divizioni I Sulmues, i cili ka marrë urdhër që të veprojë gjetiu, pasi në bashkëpunim me divizionin tuaj të ketë shpartalluar dhe të ketë asgjësuar forcat e reaksionit në Shqipërinë e Mesme.[cccvii]
Ky ishte qartësisht një urdhër i luftës civile. Gjithashtu, në këtë urdhër Enver Hoxha thotë se Divizioni II ka si detyrë:
Të ngrerë dhe të forcojë pushtetin nacionalçlirimtar në zonat e çliruara.
Këto janë qartësisht detyra të një ushtrie okupatore. Lufta civile në veri të Shkumbinit në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, u fitua nga komunistët shumë më lehtë se lufta civile në Shqipërinë e Jugut, betejat vendimtare të së cilës qenë bërë në vjeshtën e vitit 1943. Divizioni I partizan, me vetëm 4000 vetë,[cccix] hyri në pjesën e Shqipërisë mbi Shkumbin, si «thika në gjalpë». Gjermanët nuk kishin asnjë interes të luftonin kundër tij sa kohë që forcat e divizionit partizan qëndronin larg linjave të tyre të komunikimit. Forcat e armatosura shtetërore shqiptare, ushtria dhe xhandarmëria, tashmë qenë në prag të shpërbërjes dhe nuk kishin asnjë vullnet për t’ u angazhuar në luftime. Më tepër se sa goditjet e partizanëve, moralin e tyre e kishte shkatërruar rritja e çmimeve dhe inflacioni. Oficerët dhe xhandarët nuk mund të blinin thuajse asgjë me pagat që merrnin. Kartmonedha shqiptare nuk pëlqehej nga tregtarët dhe ata i fshihnin mallrat, sidomos ushqimet, për të shmangur detyrimin ligjor që t’ i jepnin mallrat e tyre në këmbim të monedhës shqiptare. Tregtarët parapëlqenin arin, ose përndryshe e fshihnin mallin. Forcat e tjera që u vunë përballë partizanëve qenë vullnetarët e ashtuquajtur nacionalistë, kryesisht fshatarë të mobilizuar nga krerët vendorë, nuk qenë të afta për misionin që supozohej të kryenin, për arsye që i kam shpjeguar më lart në këtë libër.
Komunistët dhe partizanët si krahu i armatosur i tyre mbeteshin një forcë e vogël, por aktive dhe e vendosur, në mos për të luftuar kundër gjermanëve, së paku për të luftuar kundër «reaksionarëve» në luftën civile në pushtet. Në vakuumin që do të krijohej pas largimit të afërt të gjermanëve, komunistët mbeteshin e vetmja forcë që do të mbushte vakuumin e pushtetit që do të krijohej. Në Shqipërinë e vitit 1944 shumica e popullsisë, as nuk bashkohej aktivisht me kauzën e komunistëve, por as nuk i shikonte komunistët si një rrezik. Shumica nuk besonin se komunistët do të mund ta mbanin pushtetin, edhe sikur ta fitonin dhe pushteti i komunistëve do të zgjaste sa ai i Fan Nolit, ose i Haxhi Qamilit, në rast se në vend nuk do të vinte ushtria sovjetike. Më të shumtët besonin se në vend do të zbarkonin britanikët, me t’ u larguar gjermanët. Komunistët shiheshin si një grup ekzotik, i paaftë për ta mbajtur pushtetin në Shqipëri, aq më tepër që dukej qartë se kishin filluar të vrisnin njëri tjetrin. Edhe vetë komunistët nuk e dinin se si do të shkonin gjërat, ndonëse ata qenë të vendosur që t’ a rrëmbenin një herë pushtetin dhe ta mbanin sa më fort që të mundnin.
VII
Njeriu më i pasigurt i fitimtarëve
Në gusht të vitit 1944 Enver Hoxha ishte ylli i Kongresit të Bashkimit të Rinisë Antifashiste, që u mbajt në Helmës të Skraparit. I veshur me granduniformë, me çizme të lustruara, me një pardesy luksoze prej lëkure, për t’ u mbrojtur nga era e e malit, me një revole luksi në brez, ai shkoi në mes të të rinjve, si një aktor i madh tek turma e simpatizuesve të vet. Rrëfimi i tij për këtë kohë vazhdon të jetë i një burokrati të mbytur në punë dhe jo i një komandanti guerriljesh:
Pikërisht në valën e këtyre punëve Partia vendosi që të zhvillohej Kongresi I i Organizatës së BRASH-it. Kjo ishte një ngjarje e madhe jo vetëm për rininë, por edhe për Partinë e gjithë popullin tonë... Pikërisht se e vlerësuam kështu, prandaj ne, shokë të udhëheqjes së Partisë, të Komitetit Antifashist e të Kryesisë, që ishim rivendosur përsëri në Helmës, me gjithë punët e shumta, u ndodhëm ato ditë pranë të rinjve tanë revolucionarë. Kongresi do të mbahej në Helmës, në një fushë të bukur mbi fshat. Ishin ditë të gëzuara dhe plot punë.[cccx]
Kongresi u bë që Enver Hoxha të njihej me të rinj partizanë, për të përzgjedhur kuadrot e pushtetit të ardhshëm, pra klikën e vet të zgjeruar. Këtu Enver Hoxha do të takonte për herë të parë Ramiz Alinë:
Ky i ri, me trup ende të imët, por me shikim të mprehtë e fjalë të zjarrta, ishte shoku Ramiz Alia. Me të për herë të parë u poqa në Helmës, ndërsa nga larg, si të thuash, qemë njohur me kohë. Shokët, sidomos Nakoja e Nexhmija, më kishin folur për Ramizin me respekt e simpati si për një shok të ri, të shkathët e luftarak.[cccxi]
Enver Hoxha e simpatizoi menjëherë Ramiz Alinë për shkak të origjinës së përbashkët boshnjake. Ramiz Alia, i cili ka pretenduar se familja e vet ka ardhur nga Gjakova në Shkodër para se të lindte ai, nuk ka mundur të thotë se cilët kanë qenë të parët e familjes së tij në Gjakovë, një qytet shumë tradicionalist ky, ku njihet mirë origjina e fiseve të vjetra. Në fakt familja e Ramiz Alisë kishte ardhur në Gjakovë nga Bosnja. Më pas Enver Hoxha do ta bënte boshnjakun Ramiz Alia pasardhës të vetin në postin e diktatorit.
Në kohën që Enver Hoxha ishte në Helmës, në 12 gusht 1944, atje erdhi misioni ushtarak sovjetik, i kryesuar nga Majori K. P. Ivanov. Tito sigurisht që ishte në dijeni se atëherë në Shqipëri do të vinte një mision ushtarak sovjetik. Nuk mund të jetë koincidencë që disa ditë pas ardhjes së misionit sovjetik, Tito çoi dy të dërguar të tjerë pranë Komitetit Qendror të PKSH dhe Shtabit të ushtrisë partizane shqiptare, Kolonelin Velimir Stoiniç dhe majorin nijaz Dizdareviç. Enver Hoxha shkruan për këtë gjë:
Disa ditë para mbërritjes së «misionit Stoiniç», na kishte ardhur në Helmës edhe një major sovjetik, Ivanovi. Merret me mend, e pritëm me krahë hapur e me të gjithë nderimet që i takonin përfaqësuesit të ushtrisë së lavdishme staliniane. Por majori Ivanov gjynah që përfaqësonte një ushtri të tillë si Ushtria e Kuqe. Ishte tip i zgjuar, finok e, siç u duk më pas, edhe ai kishte ardhur me mision ushtarak, por edhe me të tjera «speciale». Mbaj mend mirë se si rrinte tërë ditën te shkallët e priste kolonelin Stoiniç dhe fakt është se Ivanovi «e njohu» Shqipërinë dhe ne, luftëtarët e saj, me atë dritë që ia përshkruante Stoiniçi. Për fat të keq Bashkimi Sovjetik po e njihte Shqipërinë me syzet e Stoiniçit dhe jo vetëm në prag të Çlirimit, por edhe disa vjet më pas, sovjetikët «na njihnin» ne me ç’ u molloiste Titoja, Kardeli, Gjilasi e të tjerë. Majori Ivanov poshtë e përpjetë vazhdimisht u bënte reklamë Velimir Stoiniçit dhe Nijaz Dizdareviçit për të na «konfirmuar» të vërtetën se «dy shokët jugosllavë janë kapacitete».[cccxii]
Por i dërguari sovjetik sigurisht që ndiqte me skrupolozitet udhëzimet e Moskës. Sovjetikët qenë befasuar nga suksesi i lëvizjes komuniste në një vend të prapambetur agrar si Shqipëria, gjë të cilën nuk e kishin pritur. Meritën për këtë arritje ata ua njihnin komunistëve jugosllavë, dhe do të qenë të lumtur sikur me Shqipërinë të vazhdonin të merreshin jugosllavët, duke i evituar Bashkimit Sovjetik problemet që do t’ i krijoheshin me aleatët perëndimorë, në rast se do të shihej që partizanët që po merrnin pushtetin në vend kontrolloheshin nga Moska. Aleatët perëndimorë dhe posaçërisht Britania e Madhe qenë shumë të ndjeshëm ndaj daljes së Bashkimit Sovjetik në Mesdhe, dhe Stalini druante se fitorja e komunistëve në Shqipëri do të shihej pikërisht kështu nga aleatët perëndimorë dhe ata do të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri, ashtu siç do të bënin pak kohë më pas në Greqi. Prandaj sovjetikët kërkonin që të jepnin të kuptohej se ta nuk kishin lidhje me atë që po ndodhte në Shqipëri, dhe se kjo ishte një aferë shqiptaro-jugosllave.
Në 9 janar 1945 një delegacion i lartë jugosllav ku qenë Andrija Hebrang, ministër në qeverinë e Titos dhe shefi i Shtabit Suprem të Ushtrisë Jugosllave, A. Jovanoviç, u takua në Moskë me Stalinin dhe Molotovin. Nga proces-verbali i bisedës del se kanë biseduar dhe për Shqipërinë:
Hebrangu njoftoi mandej se gjatë qëndrimit të paradokohshëm të delegacionit qeveritar shqiptar në Beograd u nënshkrua traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke, u nënshkrua gjithashtu edhe një marrëveshje tregtare.
Shoku Stalin tha se meqënëse Jugosllavia ka marrë angazhime sipas traktatit, ajo duhet t’ i plotësojë. Në qoftë se situata ndërlikohet, a është në gjendje ajo të luftojë kundër Anglisë, a i ka forcat të mjaftueshme? Ja, kjo është edhe një tjetër çështje. Lidhur me Shqipërinë duhet vrarë mendja. Anglezët njohin vetëm forcën.
Shoku Stalin pyeti për ushtrinë shqiptare
Jovanoviçi iu përgjegj se Shqipëria ka tetë divizione të ndara në tre korpuse.
Shoku Stalin tha se nuk ia vlen të luftohet kundër Anglisë. Duhet pritur ca, duhet peshuar mirë çështja e lidhjeve me Shqipërinë. Fakti që traktati i ndihmës reciproke ende nuk qenka ratifikuar dhe as shpallur është një gjë e mirë. Këshilloi që traktati të mos publikohet deri në muajin shkurt.[cccxiii]
Nga kjo kuptohet se që në dhjetor të vitit 1944 ka pasur një vizitë të papublikuar të Hoxhës në Beograd ku është nënshkruar në mënyrë sekrete traktati i miqësisë e bashkëpunimit (edhe me dispozita ushtarake) mes dy vendeve, që do të nënshkruhej publikisht në 1946, si dhe marrëveshja ekonomike që do të nënshkruhej po në 1946. Marrëveshjet sekrete shqiptaro-jugosllave janë nënshkruar, qartësisht, për shkak të angazhimit të ushtrisë britanike, në luftimet kundër komunistëve në Greqi, në dhjetor. Jugosllavët druanin se britanikët pas Greqisë do të ndërhynin ushtarakisht edhe në Shqipëri. Nënshkrimi publik i këtyre marrëveshjeve u shty me urdhër të Stalinit, i cili mendonte se Jugosllavia nuk duhet të rrezikonte të gjendej në luftë me Britaninë e Madhe, për shkak të Shqipërisë, se kjo sillte implikime dhe për Bashkimin Sovjetik, që së shpejti do të nënshkruante një traktat miqësie dhe ndihme reciproke me Jugosllavinë. Kjo kuptohet kur Stalini u thotë Hebrangut dhe Jovanoviçit:
Do të ishte mirë të dinit edhe mendimin tonë para se të merrni vendime të rëndësishme, ndryshe ne do të gjendemi në një pozitë të vështirë.[cccxiv]
Stalini praktikisht u thotë jugosllavëve që ta konsiderojnë të braktisur Shqipërinë, në rast se atje ndërhynin britanikët, si në Greqi. Këto fjalë të Stalinit rrëzojnë përfundimisht mitin se Shqipëria ia la Stalinit. E vërteta është se në kohën që filloi Konferenca e Jaltës, në 4 shkurt 1945, Shqipëria kishte kaluar tashmë faktikisht në bllokun lindor komunist, falë komunistëve që morën pushtetin në vakuumin e krijuar nga largimi i gjermanëve. Në Shqipëri nuk erdhi ushtria sovjetike. Pas të gjitha gjasave, që në Konferencën e Teheranit, Stalini kishte premtuar se Ushtria e Kuqe nuk do të dilte në Mesdhe (pra edhe Adriatik) dhe Stalinit i konvenoi që ta shtinte në dorë Shqipërinë me anë të lëvizjes partizane komuniste vendase, duke i vënë aleatët perëndimorë para faktit të kryer, të cilin ata nuk kishin rrugë tjetër për ta ndryshuar veç duke futur ushtritë e tyre në Shqipëri, për të luftuar me komunistët. Kur u bë Konferenca e Jaltës, e cila në fakt konfirmoi zonat e influencës, sipas gjendjes së faktit ku kishin arritur ushtritë respektive, Stalini nuk kërkoi që t’ ia falnin Shqipërinë, se ai e dinte që e kishte të fituar falë kukullave të veta atje, ndërsa amerikanët nuk e kishin në dorë.
Enver Hoxha në kujtimet e veta pretendon se, në tetor 1944, kur forcat britanike zbarkuan në bregdetin shqiptar, në Sarandë, ndodhi një përplasje serioze mes partizanëve shqiptarë dhe aleatëve perëndimorë. Ai e përshkruan kështu atë:
Prit ne të tërhiqeshin anglezët, por asgjë s’ po bëhej. Ata e shtynin me sot me nesër largimin. Siç dukej synimi i tyre ishte të qëndronin atje dhe ta kishin Sarandën bazë të tyren në bregdetin dhe në tokën e Shqipërisë... Disa herë e thirra Palmerin për t’ i protestuar dhe ai më siguronte se do të njoftonte qendrën për të urdhëruar tërheqjen. Më në fund kupa u mbush. S’ mund të duronim më. I dhashë ultimatum me porosi që t’ ia transmetonte menjëherë Komandës Aleate të Mesdheut: «Në rast se komandot angleze nuk tërhiqen nga Saranda në datën e caktuar, atëherë do të shpërthejë lufta në mes partizanëve dhe anglezëve»,- i komunikova.
Urdhërova forcat tona atjetë ishin në gatishmëri e në pritje të një urdhri për t’ i goditur anglezët dhe t’ u linin të kuptonin atyre se kishim marrë të gjitha masat dhe ishim të vendosur t’ i hidhnim në det. Në radhët e tyre hyri paniku... Anglezët, më në fund, hipën nëpër varka dhe... thyen qafën.[cccxv]
Enver Hoxha mburret kështu se në tetor 1944 ai ka përballuar dhe ndalur edhe një «invazion» të Shqipërisë nga ana e aleatëve perëndimorë britaniko-amerikanë. Në fakt kjo nuk është e vërtetë se, në rast se britanikët do të kishin dashur vërtet të zbarkonin në atë kohë në Shqipëri, me synim për të marrë vendin nën kontroll, atëherë do të zbarkonin së pari në Durrës, për të zënë kryeqytetin. Zbarkimi në Sarandë u bë vetëm për t’ ua prerë rrugën trupave gjermane që tërhiqeshin nga Korfuzi. Nuk është e vërtetë se ka pasur një ultimatum të partizanëve shqiptarë ndaj britanikëve në tetor 1944. Ky ultimatum nuk gjendet në librin «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH», i botuar kur Enver Hoxha ishte në pushtet. Enver Hoxha edhe këtë herë tregon natyrën e vet prej komediani. Ai i përshkruan gjërat ashtu siç i konvenonte të dukej se kishin ndodhur në kohën kur shkruante kujtimet, në funksion të «hagiografisë» së vet komuniste, jo ashtu siç kishin ndodhur vërtet. Enver Hoxha e kuptonte mirë implikimin që sillte një ultimatum për britanikët, dhe ai nuk do të ndërmerrte këtë aventurë që t’ u jepte ultimatum britanikëve përveçse ndoshta, në rastin kur jugosllavët do ta urdhëronin që ta bënin këtë gjë, gjë që nuk ka ndodhur. Jugosllavët e kuptonin se një veprim i tillë mund të justifikonte ndërhyrjen në stil të gjerë të aleatëve në Shqipëri, dhe më tej se Shqipëria, çka jugosllavët nuk e dëshironin. Në këtë rast jugosllavët do të detyroheshin të luftonin me aleatët perëndimorë, në rast se do të donin ta zotëronin Shqipërinë, gjë për të cilën Stalini do t’ i shkurajonte në dhjetor të atij viti. Sovjetikët qenë dakord që jugosllavët ta zotëronin Shqipërinë, por jo me çmimin e një lufte me aleatët perëndimorë. Sovjetikët, të cilët nuk donin të kishin të bënin drejtpërdrejt me Shqipërinë, pikërisht për shkak se nuk donin të gjendeshin në konflikt me aleatët perëndimorë për çështje që i gjykonin si jo të domosdoshme, aq më pak donin që të gjendeshin në një konflikt shumë më serioz me aleatët perëndimorë, për shkak se Jugosllavia komuniste do të hynte në konflikt me ta për Shqipërinë.
Në rast se sovjetikët nuk donin të kishin të bënin drejtpërdrejt me komunistët shqiptarë, ata tërthorazi me anë të NKGB (kështu quhej shërbimi sekret sovjetik në atë kohë), donin të mësonin se ç’ bëhej në vend. Majori Ivanov, sigurisht ishte edhe njeriu i shërbimit sekret sovjetik. Vetë Enver Hoxha i referohet Ivanovit si «majorit të zbulimit sovjetik, Ivanovit, shefit të misionit ushtarak sovjetik në Tiranë»[cccxvi]
Majori Ivanov do të pyeste me hollësi aktorët kryesorë, për atë që kishte ndodhur në Shqipëri, duke filluar që nga Miladin Popoviç dhe tek të tjerët. Sovjetikët e kuptonin se kishte shumë gjëra të dyshimta në atë që kishte ndodhur me lëvizjen komuniste shqiptare që nga viti 1941, kur qe krijuar PKSH. Tito, duke e kuptuar se misionari sovjetik në Shqipëri do të ishte njeriu i NKGB, çoi në Shqipëri një të dërguar tjetër, Velimir Stoiniç, i cili ishte kolonel i OZNA (shërbimi sekret i Titos). Enver Hoxha shkruan:
Velimir Stoiniçi erdhi në Shqipëri në fund të gushtit 1944 me cilësinë e shefit të misionit ushtarak jugosllav pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm.[cccxvii]
Enver Hoxha shkruan se në takimin e parë me Stoiniç ky i ka thënë:
Misioni im kryesor vërtet është ushtarak, por si kuadër partie dhe me porosi të posaçme të udhëheqjes së partisë sonë, do të bisedojmë edhe për çështje partie e për gjithçka tjetër.[cccxviii]
Dhe nga ato që rrëfen Enver Hoxha del se Velimir Stoiniç kishte ardhur në Shqipëri si «Jakomoni» komunist jugosllav, si guvernator i vendit:
Velimiri hiqej «kompetenti» për organizimin e ushtrisë, të partisë, të pushtetit, të sigurimit, të arsimit, të kulturës etj. Me një fjalë, ishte «kokë e madhe» dhe qe një «favor i madh» që i bënte Partia Komuniste e Jugosllavisë Partisë sonë, duke dërguar këtë farë burri për të na dhënë «eksperiencë».[cccxix]
Me ardhjen e Velimir Stoiniç, politika jugosllave në Shqipëri do të ndryshonte. Ardhja e Stoiniç ishte rezultat i prevalimit të politikës maqedonocentriste të Svetozar Vukmanoviç Tempos. Tashmë Tempo dhe udhëheqësit maqedonë kishin arritur që ta bindnin Titon se në politika jugosllave në Shqipëri duhet të bëhej në funksion të realizimit të projektit maqedon, të cilin e kam treguar më lart në këtë libër. Tempo, që në fillim, veçoi Koçi Xoxen nga udhëheqja shqiptare për ta përpunuar, dhe e mori me vete në disa udhëtime që bëri në Greqi, në 1943. Tempo sigurisht e bënte këtë se Xoxe ishte me origjinë nga fshati Negovan, përtej kufirit shqiptaro-grek të 1913, dhe fliste edhe gjuhën sllave të Maqedonisë. Fshati ku kishte lindur Koçi Xoxe gjendej në atë pjesë të territorit të Greqisë, që jugosllavët pretendonin t’ ia bashkonin republikës jugosllave të Maqedonisë pas lufte. Velimir Stoiniç u instruktua që të mbështeste klanin e Koçi Xoxes, i cili kishte dalë i pakënaqur nga Kongresi i Përmetit, që të merrte revanshin.
Miladin Popoviç, dukej shumë i alarmuar nga ardhja e Velimir Stoiniç, dhe kërkonte që ta izolonte atë, duke i nxitur udhëheqësit komunistë shqiptarë që ta shpërfillnin Stoiniçin. Nako Spiru rrëfen për këtë gjë në Plenumin e Beratit, në nëntor të atij viti:
Aliu bënte çmos që ne të mos qendronim afër me Velimirin duke ngritur teorinë që ne jemi indipendentë.[cccxx]
Miladin Popoviçi u alarmua se njeriu i OZNA, Stoiniçi, do të pyeste shqiptarët për ato që ishin bërë në të shkuarën. Skena e kësaj drame të politikës me intriga të sofistikuara, do të luhej në Odriçan, ku Enver Hoxha dhe të vetët u zhvenduan në fillim të shtatorit:
Në ditët e para të shtatorit kishim zbritur në Odriçan (Helmësi me pesë shtëpi nuk mund të na mbante), dhe prej aty përmes lidhjesh të pandërprera të shumta, drejtonim gjithë vendin.[cccxxi]
Por qartësisht lufta nuk ishte interesi parësor i Enver Hoxhës në atë kohë, kur forcat kryesore partizane qenë zhvenduar në veri të Shkumbinit, shumë larg Odriçanit që gjendej në skajin juglindor të vendit. Tashmë ai qe krejt i okupuar me luftën politike në oborrin komunist, në Odriçan. Është sa ironike aq edhe domethënëse se, Enver Hoxha, i cili pretendon se në shtator-tetor 1943 gjendej pranë qytetit të Tiranës, për të drejtuar një betejë të forcave partizane, për të marrë qytetin, në rast se në vend do të zbarkonin aleatët perëndimorë, tashmë, në vjeshtën e një viti më pas, kur forcat partizane qenë përqëndruar rreth Tiranës, për të bërë një «luftë» spektakolare për marrjen e qytetit, kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin, ishte shumë larg Tiranës. Kuptohet se përse. Këtë herë ai nuk shikonte ndonjë rrezik që të kërcënonte rrugën e tij drejt pallateve të pushtetit në Tiranë, të llojit të atij që shihte në vjeshtën e vitit 1943. Më pas e ashtuquajtura Beteja për çlirimin e Tiranës, e cila zgjati rreth tre javë, do të konsiderohej si beteja më e madhe dhe e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, do të mungonte në këtë betejë. Në fakt ajo nuk ishte një betejë, por një komedi e përgjakshme, një tragjikomedi, e inskenuar nga një komedian. Forcat gjermane në atë kohë qenë duke u tërhequr nga Shqipëria, për shkak të daljes së ushtrisë sovjetike në Jugosllavi. Forcat gjermane në Shqipëri kishin një agjendë tërheqjeje që kushtëzohej nga tërheqja e forcave gjermane në Greqi, që bëhej nëpërmjet Shqipërisë. Nuk ka asnjë provë që veprimet e partizanëve shqiptarë ta kenë vonuar agjendën e tërheqjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria, qoftë edhe një ditë të vetme. Madje as Enver Hoxha nuk e pretendoi kurrë një gjë të tillë, nën dritën e dokumenteve gjermane të publikuara pas luftës. Në rast se forcat partizane donin të luftonin kundër gjermanëve që tërhiqeshin, atëherë nuk kishin përse të hynin në qytetin e Tiranës, duke e bërë atë një fushë beteje fiktive, por që shkaktoi shumë dëme për popullsinë. Forcave gjermane mund t’ u ishte ngritur fare mirë prita jashtë qytetit të Tiranës, në rrugën Tiranë- Shkodër, ku beteja nuk do të shkaktonte dëme për popullsinë dhe infrastrukturën e qytetit. Beteja në qytet kishte kuptim veç në rastin kur gjermanët synonin ta mbronin qytetin për një kohë të pakufizuar, dhe jo kur synonin ta mbanin veç për disa ditë, siç ishte rasti.
Gjermanët madje nuk synonin as që të mbronin gjithë qytetin e Tiranës, por vetëm gjysmën e tij, që u mundësonte të mbanin hapur Rrugën e Elbasanit, nga e cila vinin trupat gjermane që tërhiqeshin nga Greqia, si dhe Rrugën e Durrësit nëpër të cilën do të tërhiqeshin trupat gjermane nga Tirana drejt Shkodrës dhe më tutje. Duke përfituar nga fakti se gjermanët nuk qenë të interesuar për të mbrojtur gjithë qytetin partizanët msynë dhe morën nën kontroll gjysmën e tij, praktikisht pa luftë, vetëm duke shkrepur armët kot, siç ndodhte në Tiranë në marsin e vitit 1997. Komanda partizane krijoi reparte sulmi me partizanë të mobilizuar muajt e fundit, të cilët u hodhën në sulm kundër fortifikatave gjermane, duke pësuar humbje të mëdha. Me këtë mënyrë eliminoheshin njerëz të padëshiruar dhe u shfaqej oficerëve aleatë të ndërlidhjes një «spektakël» i luftës partizane. Në këtë «luftë», qyteti i shndërruar në fushëbeteje prej partizanëve, pësoi dëme nga përdorimi i pakontrolluar i armëve prej tyre. Nga lufta e partizanëve, më tepër se gjermanët e pësuan banorët e Tiranës dhe infrastruktura e qytetit. Edhe në rastin e episodit më të glorifikuar të Betejës për Tiranën, Luftës së Mushqetasë, ku partizanët i zunë pritë në hyrje të Tiranës autokolonës së fundit gjermane që vinte nga Greqia, merita për dëmet e mëdha që pësuan gjermanët, nuk u takon partizanëve, por aviacionit të aleatëve perëndimorë, i cili sulmoi me disa valë autokolonën gjermane.
Për Enver Hoxhën këto ngjarje qenë njëlloj sikur të ndodhnin në një kontinent tjetër. Ai ishte larg, në qytetin e Beratit, ku po përballonte një rrezik të madh për të ardhmen e tij si politikan, në të cilën po i shfaqeshin ta kërcënonin fantazmat e së shkuarës. Nuk është e rastësishme që i dërguari jugosllav Velimir Stoiniç u përplas për herë të parë me Miladin Popoviçin dhe Enver Hoxhën për çështjen e vëllezërve Kryeziu. Vëllezërit Kryeziu, Ganiu dhe Seiti u kapën robër nga forcat partizane të Enver Hoxhës në Tropojë, të cilat sulmuan forcat e Kryezinjve, të cilat kishin me vete një oficer britanik, majorin Simkoks, si dhe Zai Fundon. Enver Hoxha shkruan se pasi morën vendim që të pushkatojnë Kryezinjtë dhe Zai Fundon:
Aliu shkoi në shtëpinë ku banonte Velimir Stojniçi ta vinte në korent për ndodhinë dhe për vendimin tonë.[cccxxii]
Velimir Stoiniç në Plenumin e Beratit, do të thoshte për këtë çështjen e Kryezinjve:
Baca më raportoi se ishte marrë vendimi që ky të vritej. Në atë mbledhje ku është marrë ky vendim ka qenë dhe Miladini. Unë iu përgjigja atij se vendimi nuk ishte i drejtë, por Baca nuk kuptoi gjë... Edhe Byroja e KQ nuk qe e një mendimi: Nako dhe Koçi ishin kundër Enverit. Baca ishte pro këtij veprimi. Edhe pas kundërshtimit tim ata kanë mbetur në pozitat e tyre. Arrita në përfundimin se çështjet e brendshme nuk mund të zgjidheshin gjersa ishte Miladini.[cccxxiii]
Siç shihet vendimi për vrasjet është marrë në mbledhjen e Byrosë Politike. Ramadan Çitaku («Baca») ka shkuar dhe e ka vënë në dijeni Stojniçin për vendimin para se të shkonte Miladin Popoviç («Aliu»). Derisa Byroja Politike është ndarë dy me dy në votim (anëtarja e pestë, Liri Gega ende ishte me Divizionin I në Veri), atëherë kishte qenë vendimtar mendimi i Miladin Popoviç, i cili ishte për pushkatimin e Kryeziut. Dhe madje ishte Popoviç ai që shkoi të vinte në dijeni Stojniç, siç thotë Enver Hoxha, me lehtësi prej komediani, sikur Popoviç të ishte shefi i Byrosë Politike të KQ të PKSH. Në këtë moment Stoiniç vendos përfundimisht se Popoviç duhet të largohet për në Jugosllavi. Enver Hoxha donte t’ i pushkatonte Kryezinjtë se ata e kishin njohur kur kishte qenë në Paris dhe duket se dinin shumë për bëmat e tij atje, në rrethet e emigracionit politik shqiptar. Enver Hoxha i pohoi Stoiniçit, se e njihte Seit Kryeziun, kur Stoiniç i erdhi me këtë të fundit në zyrë, pasi e ndaloi Enver Hoxhën ta pushkatonte:
më vjen në zyrë Velimir Stojniçi, bashkë me Seit Kryeziun.
Velimiri ma prezantoi.
-E njoh Seit Kryeziun që kur kam qenë student në Paris,- i thashë. –Nuk e di nëse ai më mban mend.
Ardhja e Stoiniç me Seit Kryeziun tek Enver Hoxha ishte një formë shantazhi ndaj këtij të fundit. Enver Hoxhën po e kërcënonin fantazmat e së kaluarës. Velimir Stoiniç e pa çështjen e Kryezinjve si rastin e përshtatshëm për të luajtur kartën sekrete fituese që kishte sjellë me vete nga Jugosllavia, atë se të dërguarit e mëparshëm jugosllavë në Shqipëri kishin gabuar dhe bashkë me ta edhe udhëheqja shqiptare që kishte zbatuar këshillat e tyre. Stoiniç tha në Plenumin e Beratit
Unë s’ isha i detyruar të tregoja pse u largua Miladini. Por unë e kam bërë këtë gjë me ndërgjegje me qëllim që t’ ju bëj që të kini mendjen që Partia juaj të fillojë një rrugë të re. Thashë se Miladini është tërhequr se ka punuar në një mënyrë shumë sektare.[cccxxv]
Derisa Miladin Popoviç konsiderohej si si fajtor, atëherë vetëkuptohej se fajtorë qenë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë shqiptarë duke filluar nga vetë Enver Hoxha. Me këtë mënyrë, jugosllavët i impononin Enver Hoxhës vetëfajësimin, por i jepnin dhe alibinë, kuptohet që do ta konsideronin ose jo si t’ u vinte për mbarë. Stalini e përdorte eliminimin e udhëheqësve sovjetikë të papëlqyer që kishin pasur lidhje me Kominternin dhe me partitë e tjera komuniste, si ekspedient për të spastruar partitë komuniste të vendeve të tjera, nga njerëzit e padëshiruar, me justifikimin se tek ato kishte njerëz të influencuar prej devijimit të udhëheqësve të dënuar sovjetikë, si Trocki, Buharini, Zinovievi, Kamenievi etj. Të njëtën metodë përdori tash edhe Tito në Shqipëri, duke i deklaruar Popoviçin e Mugoshën si deviatorë (oportunistë ose sektarë, sipas rastit), dhe pastaj duke i vënë udhëheqësit shqiptarë para faktit të kryer që të pranonin fajësinë e tyre. Që ky ishte një truk, kjo gjë u kuptua kur Popoviçi dhe Mugosha, me të ikur nga Shqipëria, morën poste, duke u bërë Popoviçi kryetar i PKJ për Kosovën, ndërsa Mugosha u bë më vonë gjeneral dhe president i Kosovës.
Edhe pas largimit të Miladin Popoviçit, klika nuk e merrte seriozisht Stoiniçin, kur ky u kërkonte që të bënin autokritikë. Velimir Stoiniç thotë në Plenumin e Beratit:
Që në mbledhjen e parë të Byrosë, kam konstatuar një gjë, shokët nuk kanë qenë të gatshëm të pranonin gabimet. Flisnin për disa gabime, por më tutje nuk shkohej, kërkohej të vazhdohej si më parë... Shokët s’ kishin besim te unë. Mendonin se unë dhe shoku Dizdar ishim të rinj e pa përvojë dhe se nuk mund të jepnim ndihmën e duhur. Besonin se Miladini do të kthehej përsëri. Gjendja ishte kritike, marrëdhëniet në Byro ishin të ashpra, shumica në Byro nuk e donte ndihmën tonë.[cccxxvi]
Këtu Velimir Stoiniç qartësisht e ka fjalën për Enver Hoxhën, Liri Gegën dhe Ramadan Çitakun, të cilët kishin qenë bashkëpunëtorët e ngushtë të Miladin Popoviç. Enver Hoxha këtu duket se ka tentuar të lidhet drejtpërdrejt me sovjetikët, me anë të majorit Ivanov, por ky e adresoi tek Stoiniç, duke folur me superlativa për këtë të fundit, siç thotë Enver Hoxha që e kam cituar më lart.
Stalini kur ndërtonte mekanizmin e spastrimeve në udhëheqjen sovjetike përdorte metodën e abrekëve, banditëve kaukazianë, duke thirrur një njeri të udhëheqjes dhe duke i thënë se ai që kishte vënë në shenjë, ishte armik. Pastaj e nxiste që ta sulmonte tjetrin, duke i premtuar vendin e atij. Në fund e eliminonte dhe këtë që kishte përdorur. Këtë metodë Stalinie përdorte për të inicuar goditjen e njeriut që donte të eliminonte. Ky njeri i përdorur mund të ishte një udhëheqës, ose një njeri i thjeshtë, sipas rastit. Tito dhe udhëheqja e PKJ bënë shkollën e «zbulimit» të komploteve në Bashkimin Sovjetik dhe i mësuan këto metoda. Këto i kishte mësuar dhe Stoiniç, i cili përpunoi Koçi Xoxen dhe Nako Spirun kundër Enver Hoxhës dhe klikës së tij në Byronë Politike. Koçi Xoxe në letrën që i çon nga burgu Komisionit të Posaçëm Hetimor, në 23 gusht 1949, thotë:
Bisedimet që unë dhe Nakoja kisha bërë me Velimir Stojniçin, domethënë kritikat dhe pakënaqësitë që ai na shfaqi, unë dhe Nakoja ia thamë shokut Enver 10 ditë më pas në një nga mbledhjet e Byrosë së vjetër. Që pas asaj dite, unë nuku kam biseduar gjë me Velimir Stojniçin pa dijeninë e shokut Enver, as gjatë analizës së punës në Byronë e vjetër e të renë, as në zhvillimin e Plenumit të Dytë, as edhe pas çlirimit në Tiranë. Gjithashtu në këtë mbledhje të Byrosë së vjetër unë dhe Nakoja bëmë kritikat tona që kishim karshi Miladinit, Enverit, Lirisë, si dhe kundër gabimeve që ne mendonim dhe shfaqëm pakënaqësitë tona.[cccxxvii]
Koçi Xoxe këtu pohon se ai dhe Nako Spiru patën bërë një takim konfidencial me Stoiniç dhe se pas këtij takimi Koçi Xoxe dhe Nako Spiru kanë kritikuar klikën në mbledhjen e Byrosë politike. Jugosllavët tashmë po e bënin Enver Hoxhën të provonte «helmin» që i kishin mësuar që në 1941 ta përdorte për spastrimin e partisë. Para mbledhjes themeluese të PKSH, Miladin Popoviçi thirri Enver Hoxhën dhe i tha të kritikonte Grupin Komunist të Korçës, duke i thënë se kështu do t’ i hapej rruga për t’ u bërë anëtar i KQ. Pas formimit të PKSH, Popoviç thirri Enver Hoxhën dhe Qemal Stafën dhe u tha se që partia të pranohet në Komintern duhet të bëjë pastrimin nga trockistët. Këta duheshin identifikuar. Një i tillë ishte Zai Fundo, por duheshin dhe të tjerë, Brenda partisë. Si të tillë u quajtën Anastas Lula dhe Sadik Premte me shokë, si dhe Grupi «Zjarri» meqënëse nuk kishin pranuar të hynin në parti. Miladin Popoviçi thirri Enver Hoxhën dhe i tha se «Xhepi» e «Qorri» si trockistë duheshin asgjësuar. Enver Hoxha përgatiti asgjësimin e tyre. Në gusht 1943, Miladin Popoviçi, për të mos e mbajtur mbi vete fajin për marrëveshjen me Ballin Kombëtar, thirri Enver Hoxhën dhe i tha se Ymer Dishnica ishte deviator oportunist dhe Enver Hoxha e goditi. Miladin Popoviçi dhe Enver Hoxha e udhëzuan vetë Gjin Markun e të tjerët të bënin kompromisin me gjermanët. Pastaj Popoviçi thirri Enver Hoxhën dhe e ndërseu kundër Gjin Markut, të cilin në prill 1944 e përjashtuan nga Byroja Politike dhe KQ. Në maj 1944, Miladin Popoviçi dhe Enver Hoxha thirrën Liri Gegën dhe i thanë se Mustafa Gjinishi ishte armik dhe duhej asgjësuar, dhe i premtuan postin e Sekretares organizative të partisë. Për ta kishte rëndësi kjo gjë, se Gjinishi dinte sekretin e lirimit të M. Popoviçit. Gjinishi kishte ardhur nga Jugosllavia. Në këtë skemë, Enver Hoxha deri tash kishte qenë gjahtari. Tash dukej se rolet qenë ndërruar dhe ai do të ishte preja.
Klika reagoi duke përgatitur goditjen vendimtare kundër klanit tjetër, eliminimin e Koçi Xoxes nga udhëheqja. Në Plenumin e Beratit Enver Hoxha deklaroi:
Filluan ato mbledhjet me Velon (Velimir Stoiniq-K.M.). Erdhi puna e sekretarit organizativ. Sekretar organizativ ishte Koçi, por unë kisha mendimin se Koçi nuk e kishte aftësinë për ta kryer këtë detyrë. Kisha mendimin se Koçi nuk ishte i vendosur në mendimet e tij, se ai ishte i lidhur pak me punën. Kjo çështje u hap një natë përpara mbledhjes. Ishim unë Liria e Baca. U shtrua çështja se kush do të kryente detyrën e personelit. Kjo detyrë i binte ta kryente Koçi, por unë kisha frikë se a do ta bënte dot. Por meqënëse ai ishte sekretar organizativ, duhej ta bënte këtë detyrë dhe ta ndihmonte Liria.Liria s’ pranonte në këtë mënyrë. Ose ta bëj vetë këtë, thoshte, ose të gjejmë ndonjë solucion tjetër.[cccxxviii]
Kur lexon fjalët e mësipërme të Enver Hoxhës të duket se nuk bëhet fjalë për njerëz që pretendonin se udhëhiqnin një luftë partizane, por intriga në një parti politike në kohë paqeje. Enver Hoxha e ka fjalën për mbledhjet e Byrosë Politike ku merrte pjesë dhe Velimir Stoiniç. Enver Hoxha këtu pohon se klika prej tre vetash, që kishte shumicën në Byrosë Politike prej pesë vetash, është mbledhur paraprakisht dhe ka bërë një konspiracion që Liri Gega të zinte postin nr. 2 në parti, të cilin deri tash e mbante Koçi Xoxe. Posti i sekretarit organizativ të partisë qe i rëndësishëm edhe për faktin se Sipas modelit jugosllav, ku sekretari organizativ i partisë ishte dhe drejtor i OZNA, sekretari organizativ në Shqipëri duhet të ishte drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, që u krijua një muaj më pas, në nëntor 1944, dhe që ishte ekuivalenti shqiptar i OZNA, paraardhëse e Sigurimit të Shtetit. Në platformën e paraqitur për diskutim nga Byroja Politike në Plenumin VIII, në shkurt 1948 thuhet për Liri Gegën:
vetë kërkonte të merrte Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit dhe Drejtorinë e Personelit të Ushtrisë.[cccxxix]
Në rast se këtë post do ta kishte zënë Liri Gega, atëherë klika do të ishte bërë përfundimisht e plotfuqishme. Mënyra se si përfundoi kjo histori është karakteristike për Enver Hoxhën. Ai do ta tregonte kështu përfundimin e kësaj historie në Plenumin e Beratit:
Liria kërkoi që kjo çështje të diskutohej e të vendosej. Unë atëhere thashë që për këtë të mblidhnim Byronë, ku të diskutonim dhe të vendosnim. E bëmë mbledhjen e Byrosë. Nakoja dhe Koçi qëndrojnë në njërën anë, Liria dhe Baca në anën tjetër. Unë mora anën e Nakos dhe të Koçit, duke thënë se kjo ishte një çështje me rëndësi, se atë duhej ta kryente Koçi, por ai duhet të kishte kujdes.[cccxxx]
Enver Hoxha në momentin vendimtar trembet dhe tërhiqet, duke i braktisur konspiratorët e një nate më parë Liri Gegën dhe Ramadan Çitakun. Enver Hoxha nuk guxon ta sfidojë më tej Stoiniçin dhe në një anë me Koçi Xoxen dhe Nako Spirun. Kështu, Enver Hoxha veproi si opurtunist, akuzë që ai do t’ ua bënte deri në fund të jetës kundërshtarëve të vet politikë në parti dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Por tërheqja e Enver Hoxhës ishte e përkohshme dhe ai priste ditë më të mira. Nako Spiru, në Plenumin e Beratit e tha qartë se votimi për sekretarin organizativ të partisë, ishte në fakt një votim nëse do të vazhdonte klika në udhëheqjen e partisë, apo nëse do të shkrihej ajo:
Në Byro erdhi çështja e sekretarit organizativ. Atje u shtrua çështja: Do të vazhdonte klika apo do të zgjidhej problemi. Çështja u shtrua dhe problemi mori zgjidhjen e parë. Aty Liria e pa se s’ mund të ishte sekretare organizative se duhej të largohej nga ajo pozitë. Kjo u shtrua në mbledhjen e Byrosë që në Odriçan. Di një gjë, që puna do të shkonte më mirë sikur Enver Hoxha të kishte vendosmëri në punë. U bisedua për çështjen me Velimir Stoiniçin dhe me Dizdarin. Si janë zhvilluar bisedimet unë nuk e di. U shtrua prapë çështja në Byro. Enveri ishte i lëkundshëm. Unë fola kundër Lirisë dhe kërkoja që të mbetej sekretar organizativ Koçi.[cccxxxi]
Koçi Xoxe në letrën që i çon nga burgu Komisionit të Posaçëm Hetimor, në 23 gusht 1949, thotë për mbledhjet r Byrosë Politike në atë kohë:
Kritikat që unë nuku ia kundërshtova as përjashta Byrosë, as edhe në Byro Velimir Stojniçit, kanë qenë një mbështetje për të (Byronë- K.M.). Në Byro dhe në KQ nuk ia ka kundërshtuar ndonjë shok kritikat Velimir Stojniçit.[cccxxxii]
Koçi Xoxe më lart thotë se kritikat e Velimir Stoiniçit në mbledhjet e Byrosë Politike nuk u kundërshtuan as nga vetë Enver Hoxha.
Në kohën që Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes komuniste që gjendeshin në Odriçan nuk merreshin me intriga politike, merreshin me ndërtimin e strukturave të pushtetit të ri. Derisa kishte ardhur vjeshta dhe parlamentet rëndom mblidhen në vjeshtë, atëherë në shtator 1944, Kryesia e Këshillit ANÇ (parlamenti partizan i krijuar në Përmet) të mblidhej në tetor. Enver Hoxha shkruan:
Nuk kaluan veçse pak ditë nga kjo mbledhje kur morëm vesh se qyteti i Beratit ishte çliruar. Vendosëm menjëherë që ta zhvillonim atje Mbledhjen e Dytë të KANÇ-it, duke pasur parasysh se ai ishte një nga qytetet kryesore të Shqipërisë, i vendosur në qendër të vendit e me tradita historike. Por data e fillimit të mbledhjes u shty disi, sepse akoma trupat gjermane mbanin pozitat e tyre në Kuçovë dhe se duhej njëfarë kohe gjersa të grumbulloheshin gjithë anëtarët e Këshillit Antifashist. Ndërkohë u dhamë urdhër njësive tona që vepronin në këtë zonë t’ i jepnin fund sa më shpejt rezistencës së nazistëve dhe më duket, 2- 3 ditë përpara fillimit të Mbledhjes së Beratit, edhe Kuçova u çlirua. Kështu, në momentin e duhur u nisëm nga Odriçani, kaluam mespërmes Skraparit dhe pas dy ditësh rrugë arritëm në Berat natën vonë.[cccxxxiii]
Enver Hoxha vazhdon të japë fakte se ai rrinte sa më larg luftës, duke e parë atë si një politikan dhe jo si një komandant partizan. Nga Berati në Kuçovë janë rreth 20 kilometra. Edhe një feldmareshal, që komandon një grup armatash rri në një distancë shumë më të shkurtër se kjo nga zona e luftimit dhe jo më një komandant forcash partizane. Pavarësisht se çfarë thotë Enver Hoxha edhe forcat partizane nuk kishin as urdhër dhe as dëshirë që të luftonin kundër gjermanëve që po tërhiqeshin.
Enver Hoxha nuk ishte i okupuar me luftën por me mbledhje të pafundme të strukturave të pushtetit të ri komunist. Vetëm në Berat ato ditë do të mbaheshin tre mbledhje të mëdha:
Ato ditë në Berat ishim duke u përgatitur edhe për dy ngjarje të tjera të rëndësishme, për Konferencën e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe për Kongresin e Gruas Antifashiste. Konferenca e Frontit që u bë, në mos gaboj, 3-4 ditë pas Mbledhjes së Dytë të Këshillit antifashist Nacionalçlirimtar, do të diskutonte e do të aprovonte vendimin që Fronti Nacionalçlirimtar tash e tutje të ishte një organizatë politike e madhe, e të gjithë njerëzve të ndershëm që luftonin për Shqipërinë e lirë demokratike e popullore, duke ua lënë funksionet e pushtetit këshillave nacionalçlirimtarë. Sikurse kishim rënë dakord në udhëheqjen e Partisë, organizata e Frontit do të krijonte kudo celulat e veta, këshillat e Frontit, të cilët do të luanin një rol kolosal për bashkimin e popullit, për mobilizimin e të gjitha energjive dhe aftësive krijuese të tij në shërbim të çështjes së ndërtimit të Shqipërisë së re.[cccxxxiv]
Kështu Fronti ANÇ nuk ishte më pushtetmbajtës as në letër. Fronti ishte organizata totalitare, gjithëpërfshirëse. Fronti ishte «Kisha», që përfshinte gjithë njerëzit, ndërsa partia ishte «Urdhëri monakor» konspirativ, që ishte mbajtësi i vërtetë i pushtetit. Këshillat që ndaheshin nga Fronti në letër qenë bartëse të pushtetit, ndërsa në realitet qenë dekori i pushtetmbajtësve të vërtetë. Ky ishte manuali sovjetik, i sjellë nga jugosllavët. Stoiniç, në Plenumin e Beratit do të thoshte për Mbledhjen e KANÇ në Berat:
Pikërisht atë natë u nisëm për në Berat. Pyeta nëse vendimet ishin gati. Kryesia nuk dinte ç’ të bënte. Kërkova me urgjencë mbledhjen e Byrosë. Unë në mënyrë të shkurtër e të qartë ia paraqita çështjen KQ. E dënova ashpër qëndrimin e KQ ndaj Kryesisë. KQ nuk dinte ç’ të bënte. Ai kishte vendosur të mos bëhej «Deklarata mbi të drejtat e qytetarëve», pasi disa gjëra ishin thënë që në Labinot. Nuk ka qenë bërë plani i mbledhjes. S’ ishte bërë gati dokumenti i ndërrimit të Komitetit në Qeveri. Çdo gjë që ishte bërë ishte e çalë e vetëm mund të kritikohej. Të gjithë shokët e kuptuan dhe e pranuan gabimin. Unë kam shfaqur mendimin që t’ i ndihmoja në formulimin e vendimeve. Të gjitha vendimet i kam formuluar vetë, me dorën time., ato ndodhen edhe sot në sirtarin tim... veç këtyre, unë dhashë edhe shpjegime të nevojshme. Kështu kam ndihmuar në çdo gjë. Kam dhënë të gatshme «Deklaratën e të drejtave të qytetarëve». Vendimet i hartova unë».[cccxxxv]
Ironikisht, «Deklarata e të drejtave të qytetarit» që miratoi KANÇ dhe që u proklamua si dokument kushtetues, e ka sjellë koloneli i OZNA, Stoiniç. Deklarata shpallte se në regjimin e ri do të respektoheshin liritë dhe të drejtat bazë, liria e fjalës, e organizimit, fesë, e sipërmarrjes, e drejta jetës, e pronës. Për regjimin që po vinte ky dokument do të ishte një letër e vdekur. Të gjitha këto liri dhe të drejta do të fillonin të shkeleshin në praktikë që ditën e parë të ardhjes në fuqi të regjimit të ri, ndërsa më pas pjesa më e madhe e tyre do të mohoheshin edhe me ligj.
Në 22 tetor kur Këshilli ANÇ mori vendim që Komiteti ANÇ të shndrrohej në qeveri e mbiquajtur demokratike, dhe e emëroi Enver Hoxhën kryetar të qeverisë, ai dukej njeriu më i fuqishëm dhe i sigurt në Shqipëri. Ai ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrisë partizane, i së vetmes forcë ushtarake krahasimisht të vlefshme që ekzistonte në atë kohë në vend, ku forcat antikomuniste praktikisht qenë shpërbërë. Ai ishte kryetar i qeverisë partizane që po vinte në pushtet pas largimit të gjermanëve, dhe që pritej të hynte në Tiranë nga dita në ditë. Sipas mendimit të të gjithëve ai nuk kishte pse t’ i trembej kurrkujt veç aleatëve perëndimorë, por dhe me ta në rastin më të keq kishte mundësi të bënte kompromis. Nëse pasiguria e Enver Hoxhës dukej se vinte vetëm nga jashtë vendit, pasiguria e të tjerëve, e antikomunistëve, vinte nga brenda, nga Enver Hoxha. Enver Hoxha duhet të ishte i lumtur për këtë gjë. E megjithatë, në fund të tetorit 1944, Enver Hoxha e ndjente veten jo më pak i pasigurt se kundërshtarët e vet politikë antikomunistë. Ai dukej se e kishte të hapur rrugën e «Kapitolit»(kodra në Romën e vjetër ku ishte selia e pushtetit) si të thuash, por e ndjente shumë pranë rrezikun që ta tërhiqnin tek «Shkëmbi i Tarpes» (shkëmb në pjesën e pasme të Kodrës së Kapitolit në Romën e vjetër, nga ku flaknin të dënuarit me vdekje).
I dërguari jugosllav Stoiniç kishte inicuar ritualin e «Shkëmbit të Tarpes» në mbledhjet e Byrosë Politike dhe tash, ndërmjet Enver Hoxhës dhe Tiranës («Kapitolit») gjendej një Plenum i KQ, që do të mbahej në Berat, dhe që mund ta tërhiqte tek «Shkëmbi i Tarpes». Koçi Xoxe, i cili disa ditë para Plenumit të Beratit ishte bërë Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, do ta bënte shërbente me kënaqësi Enver Hoxhën tek «Shkëmbi i Tarpes». Fakti që jugosllavët kishin insistuar që plenumi të mbahej para se udhëheqja komuniste të shkonte në Tiranë, nënkuptonte se në Tiranë mund të mos shkonte Enver Hoxha, nëse plenumi merrte vendim ta dënonte atë.
Në 22 nëntor 1944, pesë ditë pasi gjermanët qenë larguar nga Tirana dhe kryeqyteti priste ardhjen e zotërve të rinj të vendit, udhëheqja komuniste u mblodh në Berat në Plenumin e KQ, i dyti që nga krijimi i partisë në 1941. Në Plenumin e Beratit, që ka hyrë në mitologjinë e komunizmit shqiptar gjendeshin 12 nga 13 anëtarët e Komitetit Qendror të PKSH: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Liri Gega, Ramadan Çitaku, Pandi Gusho (Kristo), Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Kristo Themelko, Kadri Hoxha, Gogo Nushi. Dali Ndreu ishte me forcat partizane. Nga kandidatët e KQ në plenum qenë të pranishëm Sejfulla Malëshova dhe Naxhije Dume, ndërsa Mehmet Shehu, Sadik Bekteshi, Petro Papi qenë me repartet partizane.
Këta 14 vetë u mblodhën konspirativisht të vendosin dhe të diskutojnë jo thjesht për punët e partisë së tyre, por për fatin e vendit të cilin e mbanin në grusht me forcë, me anë të ushtrisë partizane. Partia, e cila kishte marrë praktikisht pushtetin në vend dhe sekretari politik i saj qe kryeministër, vazhdonte që të mbetej ilegale. Që prej 23 tetorit 1944, pra prej rreth një muaji, kur me miratimin nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, «Deklaratës mbi të drejtat e qytetarëve», ku qytetarëve u njihej dhe e drejta e shoqërimit, çka nënkuptonte bashkimin në organizata, parti, shoqata, duhej pritur që këtë të drejtë ta ushtronin më së pari njerëzit e PKSH. Kur u krijua PKSH, në 8 nëntor 1941, gjatë kohës së okupacionit italian fashist, sigurisht që themeluesit e saj nuk u paraqitën në Ministrinë e Drejtësisë për të paraqitur një kërkesë për miratimin e partisë. Në atë kohë e vetmja parti e njohur ligjërisht ishte Partia Fashiste Shqiptare. PKSH u krijua si një parti ilegale, ose më saktë klandestine, në raport me ligjet dhe pushtetin fashist, çka ishte një gjë e natyrshme. Por e çuditshmja është se PKSH vazhdonte të mbeti një parti ilegale, edhe tash që erdhi në pushtet. Madje tash ishte e kundraligjshme sipas ligjeve që kishte nxjerrë vetë pushteti i saj. Kjo e bënte të qartë se bëhej fjalë për një konspiracion diabolik. Udhëheqja e këtij konspiracioni tash do të merrte vendim për të ardhmen e vendit.
Në raportin që mbajti Enver Hoxha në Plenum u bë e qartë se edhe pse në rend të ditës ishte kritika ndaj frymës klikare që kishte dominuar në parti, e stimuluar siç thuhej nga Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, përsëri do të vazhdohej me këtë frymë, por në një kah tjetër. Kjo u kuptua kur Enver Hoxha në raportin e vet ia paraqiti plenumit si një fakt të kryer vendimet e marra në Byro, për përjashtimin e dy anëtarëve të Byrosë Politike dhe futjen në Byro të tre anëtarëve të rinj. Këto vendime qenë marrë pas të gjitha gjasave nga klika e re e mbledhur rreth Stoiniç, e cila uzurponte kështu kompetencat e KQ. Plenumi i KQ dëgjoi se qe marrë vendim që të binin «kokat» e Liri Gegës dhe të Ramadan Çitakut, të cilët nuk i qenë bindur vullnetit të Stoiniçit për të mos votuar kundër Koçi Xoxes. Enver Hoxha tha:
Pas një analize të thellë të punës së gjithësecilit, të gabimeve dhe të mirave të çdo shoku të Byrosë, rezultoi e domosdoshme që shoqja Liri dhe shoku Bacë të dalin nga Byroja.[cccxxxvi]
Merret vesh, Enver Hoxha i kishte shitur përfundimisht dy klikarët e vet dhe kishte pranuar që t’ i eliminonte ata, në mënyrë që të shpëtonte veten. Enver Hoxha mendonte se me këto dy flijime dhe me shfajësimin se kishte zbatuar udhëzimet e Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshës, ai do ta kalonte këtë situatë të vështirë.
Raporti i Koçi Xoxes për çështjet organizative ishte një apel për çështjn e tij të pëlqyer, që t’ u hapej më shumë vend në parti e në udhëheqje punëtorëve, në vend të intelektualëve e gjysmëintelektualëve. Koçi Xoxe në raportin për çështjet organizative, në Plenumin II, në Berat:
Të luftojmë me të gjitha forcat tona për të ndrequr kompozicionin shoqëror të Partisë, si në përgjithësi, ashtu dhe veçanërisht për udhëheqjen. Shokë perspektiva jonë, plani ynë organizativ duhet të jetë të forcojmë Partinë e punëtorëve dhe të fshatarëve të varfër me punëtorë dhe fshatarë të varfër.[cccxxxvii]
Koçi Xoxe gjithashtu tha në raport:
Kështu nuk duhet të shkojmë, pse me këtë kompozicion social të Partisë s’ është për t’ u çuditur të shkojmë në një intelektualizëm të sëmurë e në një burokraci.[cccxxxviii]
Koçi Xoxe atakonte në radhë të parë Enver Hoxhën. Koçi Xoxe më pas është stigmatizuar si armik i intelektualëve dhe persekutor i tyre, por ai ironikisht kishte të drejtë. Partia komuniste duhet të ishte në radhë të parë parti e punëtorëve. Velimir Stoiniç u çua në mes të diskutimeve në plenum dhe kërkoi thellimin e autokritikës, sipas manualit stalinist:
Unë jam dakord me ju që të shikonit punën e Miladinit e të Dushanit se puna e tyre ka qenë e lidhur me punën tija, por nuk jam dakord me ju që keni diskutuar për ta pa e lidhur punën e tyre me punën tuaj.[cccxxxix]
Me këtë Stoiniç i drejtohej në radhë të parë Enver Hoxhës. Synimi kryesor i jugosllavëve kur kishin kërkuar mbajtjen e plenumit ishte që të mbushnin dosjen e tij me gabimet e tij të pohuara prej vetë atij, sipas manualit stalinian të vetëfajësimit. Nëse Enver Hoxha refuzonte ta bënte këtë gjë, atëherë Stoiniç do të nxiste kundërshtarët e tij në plenum që të propozonin përjashtimin e tij nga Byroja Politike, Komiteti Qendror, çka do të thoshte humbje automatikisht e postit të sekretarit politik të partisë, më pas të kryeministrit dhe pastaj e priste fati i Anastas Lulës, ose i Mustafa Gjinishit, pra ose të pushkatohej si armik, ose të vritej pas shpine e të mbahej zi për të. Enver Hoxha e dinte mirë se nëse paraqitej në plenum propozimi për përjashtimi i tij, të gjithë do të votonin pra, si armiqtë e tij, ashtu dhe miqtë që i shiti, Liri Gega dhe Ramadan Çitaku. Por dilema e Enver Hoxhës ishte nëse duhet t’ i besonte premtimit të Stoiniç. A mos ishte ai kurth për ta bërë të bashkëpunonte në eliminimin e vetvetes? Kjo ishte praktika e rëndomtë e spastrimeve të cilën atij ia kishte mësuar Miladin Popoviçi. Çfarë loje luante në të vërtetë Stoiniç?
«Jeta është vetëm një lojë» thoshte Hermani. Tash «Tarasi»-«Herman» po luante lojën e jetës së tij. Ironikisht ky ishte momenti i vetëm vërtet i vështirë që Enver Hoxha kaloi gjatë luftës. Asnjë nga momentet që ai kaloi gjatë luftës nuk krahasohen për nga rreziku me këtë. Enver Hoxha vendosi që ta linte veten në mëshirën e jugosllavëve. Duke përdorur talentin e tij prej komediani, Enver Hoxha tha:
Do të më kishte pëlqyer që këto që po them t’ i thoshja para se të fliste shoku Velo (Velimir Stoiniç- K.M.), për të vetmen arsye se mos kuptohet që jam influencuar nga fjalët e Velos në këtë autokritikë që po bëj. E kam bërë këtë autokritikë dhe po e bëj përsëri.[cccxl]
Enver Hoxha e quan Stoiniçin me përkëdheli «Velo», një shkurtim i emrit të tij Velimir. Pastaj Enver Hoxha pranon përgjegjësinë e vet duke thënë:
Përgjegjëse kryesore e punës së shkuar është Byroja dhe i pari jam unë. Pastaj janë Liria e Baca, që duhet të bënin autokritikë, kurse ata nuk e bënë.[cccxli]
Përsëri Enver Hoxha synon të shpëtojë duke sulmuar bashkëpunëtorët e tij, ashtu siç kishte bërë dikur me Ymer Dishnicën, Gjin Markun dhe në fund me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën. Sejfulla Malëshova do të thoshte pas diskutimit të dytë të Enver Hoxhës:
S’ është mjaft që të jesh sekretar politik i një partie, që të jesh edhe kryetar i partisë. Partia Jugosllave ka pasur shumë sekretarë politikë, por kryetar ka vetëm një tani, Titon. Është puna që kryetari të dalë bashkë me partinë. Kur Partia jonë të forcohej, do të dilte dhe kryetari. Partia jonë sot ka krerë, por jo kryetar. Po të ishte puna që të kishim në krye të Partisë një kryetar të keq, atëherë le të ishte ky Miladini. Për Enverin u vendos të popullarizohej dhe kjo u zgjidh si gjithë punët e tjera të Miladinit, i cili vendosi të bëhej ky popullarizim. Pra ky s’ ishte mendimi i Partisë sonë, por i Aliut dhe i dy tre vetave të tjerë.[cccxlii]
Sejfulla Malëshova evidentoi një fakt të thjeshtë dhe të vërtetë se partia nuk kishte sekretar të përgjithshëm, pra shef. Enver Hoxha nuk e kishte staturën politike për ta marrë këtë post. Enver Hoxha, çohet përsëri pas këtyre fjalëve të Malëshovës dhe pranon se popullarizimi që i ishte bërë atij qe i sforcuar:
E shoh edhe tash se s’ mund të jap në atë vend atë që duhet, jo pse i shmangesha përgjegjësisë, por se e shihja se funksioni ishte i rëndë. Shoku Sejfulla e shtroi këtë çështje në një mënyrë tjetër dhe më lehtësoi, se të gjitha këto që bëheshin, edhe popullarizimi im, ishin artificiale. Unë e shihja popullarizimin se ishte artificial dhe nuk më dukej i arsyeshëm.[cccxliii]
A thua se Enver Hoxha këtu po kërkon dorëheqjen nga posti i sekretarit politik? Aspak. Ai thjesht kërkon të krijojë një të çarë mes Xoxes dhe Malëshovës. Enver Hoxha e dinte mirë se secili nga ata të dy e donte për vete postin e sekretarit të përgjithshëm. Xoxe mendonte se e meritonte këtë post si punëtor, ndërsa Malëshova si ideolog që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Nëse Enver Hoxha largohej nga posti i sekretarit politik, atëherë do të shtrohej çështja e zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm dhe secili nga ata nuk qe i sigurt se do ta merrte postin e lakmuar. Të dy ata do të pranonin që më mirë përkohësisht të mbetej në këtë post Enver Hoxha dhe po ashtu dhe Nako Spiru, pretendenti tjetër. Prandaj ata do të pranonin që Enver Hoxha të mbetej përkohësisht në postin e sekretarit politik, por pa u bërë sekretar i përgjithshëm, çka e linte pozitën e tij të dobët. Jugosllavët vetë nuk qenë të vendosur për ta larguar Enver Hoxhën kaq shpejt, pasi ende e quanin atë të nevojshëm për disa shërbime.
Ironia është se në plenumin e Beratit Enver Hoxha u bë zëdhënës i vendimeve të reja klikare, për të cilat nuk u qortua, si ai për dy përjashtimet nga Byroja Politike, apo vendimi për tre pranimet në Byronë Politike, për të cilat Enver Hoxha tha në raport:
Vendosëm të vinim në Byro anëtarë të rinj, të cilët u thirrën menjëherë prej nesh dhe që janë shoku Sejfulla, Pandi (Kristo- K.M.), Bedriu dhe një i katërt që do të kooptohet më vonë.[cccxliv]
Kështu vazhdonte praktika e vënies së Komitetit Qendror para faktit të kryer të uzurpimit të kompetencave të tij. Vendimet i kishte marrë klika e re Stoiniç-Xoxe dhe Enver Hoxha po bëhej zëdhënës i saj. Koçi Xoxe në letrën që i çon nga burgu Komisionit të Posaçëm Hetimor, në 23 gusht 1949, thotë për pranimet në Byronë Politike në Berat, në nëntor 1944:
Velimiri Stoiniçi në ato takime që kemi pasur me Nakon ka pyetur mbi anëtarët e KQ në cilësinë e tij si instruktor i KQ. Ne jemi përgjigjur për çdo anëtar, ai ka pyetur se kush mund të ngrihet në Byro nga këta. Unë kam shfaqur mendimin për Pandin. Ata, Veloja me Dizdarin, në Byronë e vjetër, kur kemi biseduar, kanë propozuar që të vinte Bedriu e Sejfullai. Unë për këta me Velon nuk kam biseduar. Për shokët që u ngritën në Byro kemi vendosur në Byronë e vjetër, ku kanë qenë edhe delegatët jugosllavë.[cccxlv]
Në plenum u futën në Byronë Politike pikërisht ata që tha Enver Hoxha në raport, madje hyri dhe i katërti për të cilin Enver Hoxha tha se do të kooptohej më vonë. Kështu, në fund të nëntorit 1944, në kohën që PKSH mori pushtetin, organi i saj drejtues, Byroja Politike përbëhej nga shtatë anëtarë: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Pandi Kristo, Tuk Jakova, Bedri Spahiu.
Enver Hoxha në Byronë Politike mund të llogariste vetëm mbështetjen e Bedri Spahiut, me origjinë nga Gjirokastra, të cilin Enver Hoxha e kishte pasur shok fëmijërie dhe e quante si njeriun e vet. Të tjerët i shikonte si kundërshtarë, ose në rastin më të mirë si neutralë. Në Byronë Politike tashmë kishte tre muslimanë dhe katër kristianë, çka do të thoshte se Byroja Politike reflektonte raportin e përmbysur ndërfetar në vend. Nga katër kristianët, tre qenë ortodoksë dhe një qe katolik. Tashmë dukej qartë tendenca që Byronë Politike ta dominonin ortodoksët. Tashmë kishte nisur lufta për pushtet midis Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, njeriut nr. 2 në parti, të pompuar nga jugosllavët. Koçi Xoxe, duke qenë nr. 2 në parti, si sekretar organizativ i partisë, që vendoste për çështjen e kuadrit, pra emërimet në të gjithë hierarkinë shtetërore, dhe Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, pra shërbimit sekret, kishte në dorë kombinacionin pushtetor që e bënte të plotfuqishëm. Ai u bë numri dy në hierarkinë e regjimit, duke lënë në hije ministrin e brendshëm Haxhi Lleshi, të cilit më pas do t’ ia merrte edhe portofolin ministror. Në këto rrethana dukej vetëm si çështje kohe që Koçi Xoxe të zinte vendin e Enver Hoxhës.
Në fund të plenumit Velimir Stoiniç do të jepte një porosi kuptimplotë:
emrat e Miladinit, Dushanit, Bllazhos e Tempos nuk do të dalin, qoftë edhe në shokët tuaj më të afërt. Këtë duhet ta kuptoni dhe këtu duhet të qëndroni fort sepse, po të dilte emri i Miladinit dhe Dushanit do të kuptohej në mënyrë të shtrembër ndihma e Partisë Jugosllave. Do të kuptohej keq edhe në një organizatë të shëndoshë dhe jo pastaj në një organizatë të re si kjo juaja.[cccxlvi]
Këtu vetë i dërguari jugosllav e pohon se në Shqipëri kishte pasur një konspiracion, apo komplot, që ishte termi i pëlqyer i Enver Hoxhës, të organizuar dhe drejtuar nga jugosllavët, të cilët i kishin përdorur komunistët shqiptarë si kukulla të komanduara me fije. Enver Hoxha dhe të vetët e respektuan Kodin Omerta komunist, derisa emrat e Miladinit, Dushanit, Bllazhos dhe Tempos nuk i nxorrën vetë jugosllavët, vite më vonë, pasi Enver Hoxha mbajti anën e Stalinit, kur Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik. Atëherë Enver Hoxha u detyrua që të bënte apologjinë e tij dhe në këtë kontekst i përmendi këta emra.
Në plenum, Stoiniç e bëri të qartë, pa hasur në asnjë kundërshtim, se marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë do të shkonin edhe përtej konfederatës ballkanike, që pritej të bëhej, duke aluduar për futjen e vendit në federatën jugosllave, e cila do të ishte pjesë e kësaj konfederate:
Perspektiva juaj duhet të jetë një perspektivë e lidhur me situatën, ajo duhet të jetë çështja e marrëdhënieve tuaja me fqinjët dhe në radhë të parë me Jugosllavinë. Ju jeni të vegjël, jeni kafshatë e mirë për imperializmin. Pa Jugosllavinë ju nuk mund ta mbani pushtetin, sidomos pa një Jugosllavi të tillë siç është sot. Këtu qëndron puna e marrëdhënieve të mira, të përzemërta dhe të forta me Jugosllavinë. Si do të jenë këto, nuk mund të thuhet në këtë konferencë, po le të jenë këto marrëdhënie një konfederatë dhe më tutje. Një perspektivë të tillë do të keni ju, një rrugë të tillë rrënjosni ju në shpirtin e popullit.[cccxlvii]
Ata që e paraqitnin veten si çlirimtarë të vendit nga okupacioni, po i përgatisnin vendit një okupacion të ri, këtë herë të armikut historik. Tre ditë pas përfundimit të plenumit Enver Hoxha do të hynte në Tiranë në krye të udhëheqjes komuniste. Hyrja e Enver Hoxhës dhe e oborrit të tij në kryeqytet u parapri nga inskenimi i një pritjeje entuziaste popullore, sipas manualeve sovjetike. Në 19 nëntor 1944 Shtabi i Përgjithshëm, me firmën e Enver Hoxhës çon «Udhëzim dërguar Shtabit të Korparmatës I mbi masat pregatitore për ardhjen e qeverisë demokratike në Tiranë», ku thuhet:
Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë... Të sigurohen banimet dhe ushqimet për Qeverinë, Këshillin, Shtetin, Rininë, Gruan dhe gjithë personelin e tyre, rreth 250 veta, përveç 300 vetave të Batalionit të Shtabit. Të rregullohen zyrat... Të organizohet një paradë e madhe për 28 nëntorin me Brigadën I, IV, VIII, XV. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë, ku të marrë pjesë në mënyrë të organizuar i gjithë populli.[cccxlviii]
Nga ky udhëzim kuptohet se regjimi i ri që po hynte në kryeqytet nuk priste ndonjë pritje entuziaste spontane popullore. Enigma se kush janë ata të malit, po shndërrohej në një zhgënjim të përgjithshëm, duke parë njerëzit kryesorë të regjimit të ri që hynë në Tiranë, duke bërë një ecje demonstrative nga sheshi qendror, nëpër bulevardin kryesor, deri tek Hotel «Dajti», ku qe ngritur tribuna për ta. Krerët e regjimit të ri, nuk kishin reputacion prej prijësish të luftës antifashiste, çka donin të vetëparaqiteshin. Aq më pak populli besonte në aftësitë e tyre për të qeverisur vendin. Enver Hoxha ishte mjaftueshmërisht i njohur në Tiranë, Gjirokastër dhe Korçë, dhe nga shumë intelektualë të tjerë shqiptarë që kishin studiuar në Francë, sa për t’ u parë më tepër se me dyshim si kryeqeveritari i ri i vendit. Omer Nishani njihej për pasionin e tij për të luajtur poker dhe për faktin se ishte bërë subjekt i një debati të rreptë mes shtypit qeveritar dhe atij opozitar në fillim të viteve njëzet, për shkak se ishte emëruar mjeku i bashkisë së Durrësit pa pasur një diplomë universitare. Spiro Moisiu rrinte në krah të Enver Hoxhës me spaletat e gjeneralmajorit, por nuk tregonte dot asnjë betejë me të cilën të kishte merituar të ngjitej nga grada e majorit dezertor fashist, në atë të gjeneralmajorit partizan. Koçi Xoxen e shkurtër, i cili ishte veshur me uniformën e kaltër të gjeneralit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, nuk e njihte kurrkush dhe nuk e dinin përse ishte atje. Përndryshe i njohur ishte Myslim Peza, i cili ashtu shtatlartë binte në sy me uniformën e gjeneralit, në radhën e parë. Myslim Peza ishte i njohur si bandit dhe dukej se po shijonte ngritjen e tij nga kriminel ordiner në gjeneral. Gjithsesi ai ishte në elementin e vet, në shoqërinë e kriminelëve politikë.
Enver Hoxha hyri në kryeqytet duke bërë rolin e fitimtarit, me granduniformë dhe me armë në brez, të cilën nuk e kishte shkrepur asnjëherë në luftë. Për Enver Hoxhën vlen ajo për të cilën ai e qorton Sejfulla Malëshovën:
Njeriu që e kishte kaluar luftën heroike të popullit e të Partisë tangent, ai që, jashtë rrezikut, «këmbëkryq përmbi selishtë» (në libër është shënimi: Ironizim me vargjet e Sejfulla Malëshovës: «Këmbëkryq përmbi selishtei ia marr këngës pleqërishte»- K.M.), ngrohte duart mbi trupin e zhuritur të atdheut, tani duke u mbështetur te lufta e heroizmi i një populli e një Partie të tërë, gjente rastin të mburrej e të krekosej për atë që s’ i takonte.[cccxlix]
Nga 67 muajt e okupacionit, Enver Hoxha i kaloi 51 muaj, ose 76% të kohës në qytete: Korçë, Bari, Tiranë, Përmet, Berat. Në janar 1943 Enver Hoxha do të botonte në gazetën «Zëri i Popullit» artikullin «Kështu lufton populli shqiptar- Shteg më shteg me çetat partizane e vullnetare, që luftojnë me tërbim okupatorin fashist».[cccl]
Në fakt Enver Hoxha në atë kohë qe brenda në qytetin e Tiranës, në shtëpinë e hierarkut fashist, Bahri Omarit. Enver Hoxha, pjesën tjetër të kohës kur bëri jetë «partizane» e kaloi në shtëpi komode fshatrash, të ngjashme me resorte malore. Gjatë gjithë luftës ai kaloi vetëm 4-5 net jashtë, në dhjetorin e vitit 1943. Enver Hoxha do t’ i tallte ballistët se u larguan nga Tirana dhe dolën në mal në korrik 1943, kur aleatët zbarkuan në Itali dhe ra Musolini. Për këtë gjë miku i Enver Hoxhës, Shevqet Musaraj do të shkruante poemën satirike «Epopeja e Ballit Kombëtar», ku do ironizohen krerët ballistë që dalin në mal në korrik 1943, kur pritej kapitullimi i Italisë:
Dhe vëndi pyet:
Ç’ vapor i solli?
Ku ish gjer die
Dhe më tutje:
Ca avokatë,
ca profesorë,
gjithë po na dalin,
Heronj... Therorë,
Të gjithë të pushkës,
të gjithë të malit.
Nashti që i ranë
Patkonjtë kalit
-Jemi për luftë,
S’ ka prit të presim,
Të huajt me shkelme
Enver Hoxha ishte pikërisht një njeri i tillë. Madje ai as atëherë ai nuk u bë «i pushkës dhe i malit»
Enver Hoxha, me gjithë legjendën që krijoi për veten si prijës i luftës partizane, duke pozuar në fotografi me armë, megjithatë në mënyrë domethënëse i përmend shumë pak armët që ka mbajtur vetë në kujtimet e veta voluminoze. Për herë të parë një armë e përmend kur pretendon se ia dhuroi Myslim Pezës, në janar 1941, siç e kam cituar më libër. Kjo është hera e parë që Enver Hoxha 32-33 vjeçar tregon se ka prekur një armë zjarri me dorë në jetën e vet. Për herë të dytë një armë e përmend në tetor 1941, kur thotë se Miladin Popoviçi i kërkoi një revolver dhe Enver Hoxha nxorri nga brezi mauzerin dhe ia dha:
Mbas bisedës që bëmë, kur u ndamë, Miladini na tha:
-Shokë, unë nuk kam kobure, duhet të më gjeni një.
Unë menjëherë nxorra nga mesi Mauzerin» tim njëzetësh e dy karrikatorë dhe ia dhashë. Sa shumë u gëzua, e puthi. Ai i donte shumë armët.[cccliii]
Miladin Popoviç i donte shumë armët si të gjithë serbët kolonistë të Kosovës, që i përdornin kundër shqiptarëve. Enver Hoxha, në mënyrë domethënëse, nuk thotë se kur u pajis me këtë armë dhe e vuri në brez atë. «Mauzeri» me 20 fishekë ishte një armë e shtrenjtë, e lakmuar. Atë ndryshe e quanin dhe «bolo» se Rusia sovjetike bleu një sasi të madhe armësh të tilla në Gjermani pas revolucionit, për të pajisur me to çekistët dhe komisarët e kuq.
Enver Hoxha vazhdimisht gjatë luftës nxjerr armë nga brezi dhe ua fal të tjerëve, siç bën në këtë rast kur tregon në kujtimet e veta tregon për takimin e tij të parë me Vojo Kushin, në shtëpinë e Dullë Ketës, disa muaj para se të vritej Vojo Kushi:
Ndërsa po bisedonim nxorra nagantin tim të ri dhe ia zgjata. Atij i shkëlqyen sytë, e mbështolli armën në duar dhe e puthi:
-Do ta bëj të këndojë si bilbil kundër armiqve, shoku Taras,- më tha, dhe pastaj si të ishte kujtuar për diçka, më vështroi në sy dhe shtoi:
-Po ju mbetët pa të!
-S’ ka gjë, do të gjej tjetër,- i thashë.
Vojoja më falenderoi përsëri dhe duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit u ndamë për atë ditë.[cccliv]
Enver Hoxhës nuk iu desh kurrë arma gjatë luftës, ndërsa Vojo Kushit iu desh shpejt, pasi ia dhuroi Enver Hoxha. Enver Hoxha qartësisht vuante nga oklofobia, frika nga armët. Një traditë orale thotë se revolet e shtrenjta dhe pushkët me të cilat ai pozonte në fotografi gjatë luftës, nuk qenë të mbushura me fishekë, dhe kur dikush nga të rrethit të tij të ngushtë i propozonte që ta mbushte armën, ai i thoshte: Jo se e shkreh shejtani!
Fakti që Enver Hoxha në kujtimet e veta tregon se nuk e ka shkrepur kurrë armën përveçse për të trembur një fëmijë (projektoi frikën e tij tek fëmija) në Helmës, e provon tërthorazi vërtetësinë e kësaj historie.
Enver Hoxha është shumë i ngjashëm me atë personazhin e romanit «Komedianët» të Graham Green, Xhonsin, i cili është gjithashtu «Hermani» që luan «Tarasin», një njeri që jeton duke bërë hile në lojrat me letra dhe që bëhet prijës fals guerriljesh. Në fund të romanit është ky dialog ku Xhons thotë:
Kështu e kam pjesën or mik... është në rol. Po kam një fjali për të qeshur që... do të shkulet gazit gjithë salla kur ta them, veç ta dëgjoni. Sidomos gratë.
-E çfarë thotë?
-Këtu është e keqja se. E kam harruar.
-Kujtojeni Xhons, duhet ta kujtoni.
-Hë, e gjeta. Kam për të thënë... dhe shihni, shihni mirë këta gurë të poshtër... «Sa i mirë ky vend» e të gjithë aty ia plasin gazit e qeshin me lot. Ju pastaj më pyesni: «Për se, për t’ u zënë pritë atyre dobiçëve?» Kurse unë ju përgjigjem: «S’ e kisha fjalën aty, jo». [ccclv]
Edhe Enver Hoxha kështu e kishte pjesën. Ai mund të konsiderohet ironia më e madhe e historisë shqiptare.
Si një komedian i vërtetë Enver Hoxha i dha përmasa groteske luftës që pretendonte se kishin bërë ai dhe të vetët. Ai më pas do të shpallte se në nëntor 1944 ushtria partizane kishte 70.000 vetë, një shifër kjo krejt e pabesueshme, në një vend me 1 milion banorë aq më tepër kur Enver Hoxha pretendonte se 28.000 të tjerë kishin qenë të vrarët në luftë të lëvizjes nacionalçlirimtare, dëshmorët. Në fakt, siç kam treguar më lart në këtë libër, ushtria partizane, me gjithë mobilizimin masiv që bëri në zonat e kontrolluara prej saj në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, nuk arriti të ketë më tepër se 30.000 vetë në fund të nëntorit 1944.
Sa për dëshmorët, 28.000 dëshmorë ishte një shifër hermetike, që nuk u zbërthye kurrë se sa qenë këta dëshmorë në secilin vit të luftës, ose më saktë të okupacionit, sa qenë të vrarë në luftime, sa të vdekur nga sëmundjet ose të ftohtët, sa të vdekur në burgje dhe internime etj. Lista me emrat e tyre nuk u shënua kurrë në përmendore në qytetet dhe fshatrat nga qenë, siç ndodh në gjithë botën. Përndryshe, në Jugosllavinë komuniste do të jepeshin këto shifra për dëshmorët partizanë. Në total ushtria partizane jugosllave, në katër vjet luftë (korrik 1941- maj 1945) pati 305 672 të vrarë, nga të cilët 245.549 të vrarë në luftime, 31.200 të vdekur nga plagët, 28.925, të zhdukur në aksion. Sipas viteve, në 1941 partizanët patën 18.896 të vrarë në luftime, 3.127 të vdekur nga plagët dhe 3800 të zhdukur në aksion. Në 1942 partizanët patën 24.700 të vrarë në luftime, 4194 të vdekur nga plagët, 6.300 të zhdukur nga plagët. Në 1943 patën 48.378 të vrarë në luftime, 7.923 të vdekur nga plagët, 5.423 të zhdukur në aksion. Në 1944, 80.650 të vrarë në luftime, 8066 të vdekur nga plagët, 5600 të humbur në aksion. Në 1945 pati 72.925 të vrarë në luftime, 7800 të vdekur nga plagët, 7800 të zhdukur në aksione. Këto shifra mund të vihen në dyshim, ama Tito i dha ato, kurse Enver Hoxha nuk i dha kurrë.
Në 15 shtator 1963, në fjalimin e vet në mitingun në Çorovodë, Enver Hoxha do të thoshte:
Vetëm nga rrethi i Skraparit dolën rreth dy mijë partizanë aktivë. Po partizan mund të quhet gjithë populli i krahinës suaj që përbënte prapavijën, e cila ishte po aq e rëndësishme sa edhe çetat e batalionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nga ky numër partizanësh ranë mbi 140 dëshmorë nga rrethi juaj, eshtrat e të cilëve prehen këtu dhe në gjithë anët e Shqipërisë.[ccclvi]
Në rast se Skrapari, i cili ishte një krahinat më të lidhura me lëvizjen nacionalçlirimtare (Çorovoda ishte qyteti i parë në Shqipëri që u çlirua sipas atyre që thuheshin) paska dhënë vetëm 140 dëshmorë, pra 0.5% të numrit të përgjithshëm prej 28.000 dëshmorësh, atëherë cilat krahina i paskan dhënë të tjerët? Në rast se nga 2000 partizanët e Skraparit ranë 140 dëshmorë, pra 7% e numrit të tyre, atëherë del që partizanët e Skraparit të kenë pasur një nga raportet më të ulta në vend mes numrit të partizanëve dhe numrit të dëshmorëve. Se në rast se do të mbledhim numrin e 70.000 partizanëve me të 28.000 dëshmorëve, atëherë na del se raporti mes partizanëve dhe dëshmorëve për Skraparin është katër herë më i ulët se mesatarja në rang vendi. Dhe në se Skrapari pati 2000 partizanë, atëherë cilat krahina i patën 68.000 partizanët e tjerë?
Kurrkush në botë nuk e beson që Shqipëria (e vitit 1913, së cilës i referohet Enver Hoxha) me rreth 1.100.000 banorë e Luftës së Dytë Botërore, dhe ku lufta filloi më vonë se në vendet e tjera (vetë komunistët pranojnë se lufta e organizuar filloi me pas Konferencës së Pezës të shtatorit 1942, dhe Shtabi i Përgjithshëm u krijua në korrik 1943, pra vetëm dy vjet dhe pak më tepër se një vit para çlirimit) të ketë dhënë në luftë 28.000 dëshmorë, nga ajo pjesë e popullsisë që u lidh me Frontin Nacional-Çlirimtar, të kontrolluar nga komunistët. Me fjalën «dëshmorë» kuptohen ata që kanë luftuar me armë në dorë, ose që janë vrarë duke vepruar në ndihmë të rezistencës antifashiste. Polonia me 27 milion banorë, që dihet se ishte vendi europian që luftoi më fort kundër okupatorëve fashistë pas Bashkimit Sovjetik, pati në Luftën e Dytë Botërore 123.000 të vrarë. Në këta përfshihen 66.000 ushtarakët polonezë të vrarët në luftën e shtatorit të vitit 1939, kur Gjermania invadoi Poloninë, përfshihen polonezët e vrarë nga ata që iu bashkuan ushtrive aleate në Perëndim dhe në Afrikë (23.000), si dhe të rënët e rezistencës antifashiste poloneze, gjithsej 33.000), nga të cilët 13.000 u vranë në kryengritjen e Varshavës që vazhdoi për gjashtë javë në vitin 1944, ndërsa vetëm 20.000 janë të rënët e rezistencës poloneze gjatë gjashtë viteve të okupimit gjerman (1939-1945). Si është e mundur që Polonia, e cila mbahet si një vend që u bëri rezistencë të madhe gjermanëve, të ketë dhënë në këtë rezistencë më pak dëshmorë se Shqipëria, e cila kishte një popullsi 26 herë më të vogël se Polonia? Si është e mundur që Franca, me një popullsi 36 herë më të madhe se Shqipëria në kohën e Luftës së Dytë Botërore, të ketë dhënë vetëm shtatë herë e gjysëm më tepër dëshmorë se Shqipëria (Franca pati 213.000 dëshmorë nga të cilët 120.000 në luftën e vitit 1940), dhe që rezistenca franceze të ketë dhënë vetëm tre herë e gjysëm dëshmorë më shumë se ajo shqiptare? Kur Belgjika me 8.3 milion banorë dha vetëm 12.000 dëshmorë nga të cilët 7.500 në luftën e vitit 1940 dhe vetëm 4.500 gjatë rezistencës? Kur Çekosllovakia me 15 milion banorë dha vetëm 10.000 dëshmorë? Kur Holanda me 8.7 milion banorë dha vetëm 7.900 dëshmorë. Kur Norvegjia me 3 milion banorë dha vetëm 3.000 dëshmorë, nga të cilët 2.000 në luftën e vitit 1940, kur Gjermania invadoi këtë vend. Kur Danimarka me 4.000 banorë dha vetëm 1.800 dëshmorë! Enver Hoxha e caktoi shifrën prej 28.000 dëshmorësh, kur mori vesh se Tito i caktoi Maqedonisë shifrën prej 26.000 dëshmorësh, e cila gjithashtu duket krejt e pabesueshme. Atëherë Enver Hoxha vendosi se Shqipëria duhej të kishte 2.000 dëshmorë më shumë se Maqedonia fqinje. Emrat e dëshmorëve nuk u bënë kurrë publike në mënyrë të plotë, kur duhej që në varrezat qendrore në Tiranë, duhet të kishte së paku një mur të gjatë ku të qenë shkruar të gjitha emrat e tyre, datëlindja, vendlindja, si dhe data dhe vendi i rënies.
Enver Hoxha ngriti një mitologji të tërë mbi luftën antifashiste, një lloj mistike ateiste, që u bë instanca «transhedentale»- burim dhe legjitimim i pushtetit komunist. Por a ishte lufta antifashiste një gjë që ia vlente sakrificat? Është fakt i pakundërshtueshëm, që gjatë Luftës së dytë Botërore në Europë vihet re një fenomen i habitshëm dhe shumë domethënës. Sa më i qytetëruar dhe më i zhvilluar ka qenë një vend europian i pushtuar nga nazi-fashistët, aq më minimale ka qenë rezistenca kundër pushtuesve në këtë vend. Vendi i pushtuar ku është bërë rezistenca më e madhe, në raport me përmasat, ka qenë Mali i Zi, ndërsa vendi ku është bërë rezistenca më e vogël ka qenë Danimarka. Rezistenca antifashiste në vendet e zhvilluara, Belgjikë, Holandë, Norvegji, Çekosllovaki ka qenë minimale. Në Çekosllovaki (Çeki) kryengritja kundër gjermanëve filloi në 5 maj 1945, tre ditë pas rënies së Berlinit dhe për të është thënë me ironi se kryengritja çeke zgjati më pak se një film i gjatë që u bë më pas për të. Gjatë luftës industria çekosllavake dhe ajo belge punuan me kapacitet të plotë, duke i siguruar Hitlerit gati gjysmën e armatimeve që përdori ushtria gjermane në luftë, kurse sabotimet qenë minimale.
E pra, popujt e të gjithë këtyre vendeve nuk ishin më pak atdhetarë se malazezët, apo se lebërit e Shqipërisë, madje ishin më tepër. Atëherë pse ndodhte ky paradoks? Se këta popuj të qytetëruar dhe të zhvilluar dhe elitat e tyre kuptonin mirë se lufta botërore ishte një një përleshje në pyll mes elefantëve (fuqive të mëdha), të cilat aq u bënte për fatin e tyre, dhe se në këtë rast këto vende të vogla duhet të silleshin ashtu si kafshët e vogla të pyllit që zgjedhin të gjejnë një vend të sigurt për të dalë nga kjo fatkeqësi me sa më pak dëm. Çekët, sllovakët dhe të tjerët e dinin se fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist i kishin shitur ato pa shumë vrarje ndërgjegjeje, si në Mynih në 1938, kur donin të kënaqnin Hitlerin, për ta paqësuar, që mos hidhej kundër tyre. Kur Hitleri filloi të kërcënonte vetë Britaninë e Madhe, pas rënies së Francës, kryeministri Churchill i instruktoi shërbimet sekrete britanike që të organizonin dhe ndihmonin lëvizjet e rezistencës në vendet e pushtuara. Atëherë Churhill hodhi sloganin sloganin «Të ndizet flakë e gjithë Europa». Nënteksti sihte i qartë, që gjermanët mos të mundnin të vazhdonin të ndiznin flakë ishullin britanik, duhej që të ndizej lufta në vendet europiane të pushtuara nga gjermanët, që nga ana e tyre pastaj do të reagonin duke i ndezur flakë këto vende. Kështu do të digjej e gjithë Europa për komoditetin e luanit britanik. Londra ishte për atë që e quante lufta që kushton lirë në jetë njerëzore, duke nënkuptuar sigurisht jetët e britanikëve. Dhe që të bëhej e mundur kjo duhej që të vriteshin sa më shumë europianë dhe rusë.
Popujt dhe elitat e vendeve të pushtuara të Europës nuk ranë në kurthin britanik. Sa më i qytetëruar dhe zhvilluar që të ishte një vend europian, aq më pak u ndez flakë ai, sipas dëshirës së kryeministrit Churchill. Por slogani i Churchill për ndezjen flakë të Europës ishte veçanërisht i rrezikshëm dhe destruktiv në vende ku kishte lëvizje komuniste, siç ishte rasti i Shqipërisë. Se nëse ndizej flakë një vend ata që do të përfitonin ishin komunistët. Komunistët kishin instruksione të qarta nga Kominterni se si duhet të silleshin gjatë luftës botërore, për të marrë pushtetin, në maskën e luftës antifashiste.
Aleatët perëndimorë, të cilët bënin sikur nuk e kuptonin këtë gjë në Shqipëri e kuptuan dhe e penguan me forcën e armëve në Greqi, ku britanikët e më pas amerikanët kishin interesa strategjike. Ende pa përfunduar Lufta e Dytë Botërore, në 8 dhjetor 1944, kur trupat britanike në Greqi qenë përfshirë në luftime në shkallë të gjerë kundër komunistëve, kryeministri britanik Churchill, me elokuencë e vet të zakonshme, do ta justifikonte në një debat në parlamentin britanik, si këtë aksion, ashtu dhe ndihmën që u ishte dhënë më parë komunistëve grekë:
Unë besoj se njerëzit, masa e njerëzve, në pothuajse çdo vend, por unë dua të sigurohem që është populli, dhe jo një bandë banditësh nga malet, të cilët mendojnë se me dhunë ata mund të përmbysin autoritetin kushtetues, në disa raste parlamente të vjetra, qeveri dhe shtete. Ky është përshkrimi im i përgjithshëm i bazës mbi të cilën ne duhet t’ u qasemi ngjarjeve të veçanta mbi të cilat unë po flas gjatë. Gjatë luftës ne sigurisht na u desh të armatosnim çdonjërin i cili mund të qëllonte një hun. Duke lënë mënjanë karakterin e tyre, bindjet politike, të dhënat e së shkuarës së tyre, e kështu me rradhë, nëse ata qenë duke luftuar hunët, ne i pranonim ata si miq dhe provonim t’ i aftësonin ata të përmbushnin instinktet e tyre të shëndetshme.
Zoti McGovern (deputet i Glasgow, Shettleston): Tash ju jeni duke paguar për këtë.
Zoti Churchill: Ne jemi duke paguar për këtë, derisa kemi këtë debat sot, të cilin unë personalisht e kam gjetur tejet zbavitës deri tash. Ne jemi duke paguar për këtë gjithashtu me pasurinë tonë dhe me gjakun tonë. Ne nuk jemi duke paguar për këtë me nderin tonë, ose me disfatë. Por kur vendet janë çliruar nuk duhet të ndodhë që ata të cilët kanë marrë armët tona t’ i përdorin ato në mënyrë që t’ i ligjërojnë vetvetes me dhunë, vrasje e gjakderdhje, të gjitha ato pushtete, tradita e vazhdimësi, të cilat shumë vende i kanë krijuar ngadalë, e me të cilat një pjesë e madhe e njerëzve të këtyre vendeve, unë besoj shumica, janë të lidhur fort. Në rast se ajo çka është quajtur në këtë amendament, aksioni i «miqve të demokracisë», do të interpretohet si grusht shteti i mirëplanifikuar, nga bandat e vrasësve dhe nga pushteti i hekurt i rufianëve të cilët kërkojnë të kacavirren në kolltukët e pushtetit, pa një votë, e cila ka qenë hedhur ndonjëherë në favor të tyre, nëse kjo maskaradë do të paraqitet si demokraci, unë mendoj se ky parlament do të bashkohet për ta dënuar këtë si një tallje.[ccclvii]
Këto fjalë të Churchill janë denoncimi më i saktë edhe për Enver Hoxhën dhe komunistët shqiptarë, të cilët e përdorën luftën e supozuar antifashiste dhe armët e ndihmat e tjera të dhëna nga aleatët perëndimorë, për të marrë pushtetin, gjë që do të thoshte praktikisht përmbysje e rendit shoqëror, gjë të cilën nuk e donte shumica e popullsisë. Ata qenë vetëm një bandë vrasësish që po e merrnin pushtetin me dhunë, duke e kamufluar këtë me një maskaradë demokracie partizane. Komunistët shqiptarë dhe partizanët si krahu i armatosur i PKSH, qenë një pakicë, e cila ia imponoi me dhunë sundimin e saj shumicës. Sipas të dhënës që jep Stoinic, të cilin e kam cituar më lart në këtë libër, ushtria partizane në përfundim të luftës kishte vetëm 30.000 vetë, ku përfshiheshin dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të PKSH. Nga ky numër, jo më shumë se gjysma duhet të qenë vërtet vullnetarë, ndërsa gjysma tjetër qenë të mobilizuar me forcë në gjysmën e dytë të vitit 1944. Kjo pakicë e dhunshme i imponoi shoqërisë, praktikisht me sponsorizimin e aleatëve perëndimorë, një pushtet dhe sistem shoqëror të cilin ajo nuk e donte.
Dhe ironia më e madhe ishte se Churchill nuk jepte dot të dhëna që partizanët komunistë grekë në këtë rast, apo ata shqiptarë, të kishin vrarë kushedi sa hunë (gjermanë) apo italianë, me armët e dhëna nga britanikët. Në vend të gjermanëve dhe italianëve, komunistët vrisnin kundërshtarët politikë. E megjithatë Churchill nuk e përfshiu dhe Shqipërinë në aksionin «miqtë e demokracisë», që ishte një goditje e armatosur ushtarake britanike ndaj komunistëve grekë, që praktikisht patën ardhur në pushtet pas ikjes së gjermanëve nga vendi.
Për Shqipërinë Churchill nuk foli, por se përse luftuan me armët britanike dhe amerikane partizanët shqiptarë, të veshur me unforma britanike, si dhe përse ranë dëshmorët partizanë, sado qofshin ata, këtë Enver Hoxha do ta thoshte më qartë në 6 nëntor 1947, në artikullin «Moska dhe populli shqiptar», shkruar me rastin e 800-vjetorit të themelimit të qytetit të Moskës:
Dhe heronjtë e popullit tonë që luftonin dhe vriteshin për lirinë e popullit tonë, binin duke kënduar lavdinë e Stalinit. Stalini për ta ishte Bashkimi Sovjetik ishte Moska. Në sulm, me emrin e BS e me shkrimet e Stalinit në gji, binte në luftë katundari nga malet e Kurveleshit. Mendimet më të mira dhe zemra e heroit Vojo Kushi ishin për Stalinin, kur ai, pas një qëndrese heroike prej gjashtë orësh, i rrethuar në një shtëpi, sulmoi me gjoks përpara dhe me bomba dore tanksat e armikut. Me emrin e Bashkimit Sovjetik në gojë digjeshin flakë në shtëpinë e tyre të rrethuar në Shkodër e të kthyer në një kështjellë të vërtetë, Perlat Rexhepi nga Vlora dhe shokët e tij.[ccclviii]
Pra luftonin për mustaqet e Stalinit! Në fjalimin e vet para popullit të Tiranës, në 28 nëntor 1944, Enver Hoxha, edhe pse i përmendi të tre aleatët e mëdhenj, bëri një diferencim të qartë mes tyre:
Dhe populli ynë i vogël, por i pathyer, u drejton popujve heroikë të Bashkimit Sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe famëmadhe mirënjohjen e tij të pafund.[ccclix]
Ndërsa për SHBA dhe Britaninë e Madhe thuhet vetëm se:
Lufta e tyre në det, në tokë e në ajër, që i shkakton kaq dëme maqinës luftarake gjermane është një ndihmë e çmueshme për popullin tonë.[ccclx]
Enver Hoxha në fjalimin e vet e tij, për miqësi foli vetëm me Jugosllavinë:
Me gjak e me vuajtje po lidhet miqësia në mes popullit tonë dhe popujve të Jugosllavisë. Ne u çojmë në këtë ditë feste të madhe për vendin tonë përshëndetjet tona popujve vëllezër të Jugosllavisë.[ccclxi]
Derisa foli për miqësi me popujt e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi nuk i përmendi fare veçanërisht. Kjo vërteton se Enver Hoxha ishte i vetëdijshëm se forcat partizane nga Shqipëria që kishin shkuar në Kosovë me urdhër të tij kishin shkuar për të ndihmuar jugosllavët të shtypnin shqiptarët, në atë që do të ishte genocidi i dimrit 1944-1945 ndaj shqiptarëve. Enver Hoxha më pas do ta gjente të nevojshme të bënte një apologji për rolin e forcave partizane që shkuan atje nga Shqipëria e 1913:
Mirëpo tamam kur Kosova ishte kthyer në një çerdhe të Luftës Nacionalçlirimtare, erdhi papritur urdhri nga shtabi i Titos që, forcat partizane të Shqipërisë e ato kosovare, të linin Kosovën e ta ndiqnin armikun nazist 'drejt Veriut' të Kosovës, në thellësi të Jugosllavisë. Forcat tona e zbatuan këtë, sepse ato kishin shkuar për ta ndjekur fashizmin gjer në çlirimin e plotë të popujve të Jugosllavisë. Por, më pas, do të mësonim se qëllimi i urdhrit të Titos për «ndjekjen e armikut në thellësi», s’ ishte gjë tjetër veçse përsëritja, thuajse e përpiktë, e asaj dhelpërie që ishin munduar të realizonin dikur kralët e knjazët në luftën kundër zgjedhës otomane. Sidomos kur u pa qartë se forcat osmane po shkatërroheshin e Shqipëria ndodhej në prag të pavarësisë kralët e Serbisë e knjazët e Malit të Zi, ç’ nuk bënë që forcat kryengritëse shqiptare ta linin Kosovën e çliruar e të angazhoheshin sa më gjatë në ndjekje të forcave osmane në viset e tjera, «drejt Jugut». Qëllimi i tyre ishte që ushtritë serbo-malazeze të pushtonin Kosovën e vise të tjera të Shqipërisë pa hasur në qëndresën e forcave kryengritëse shqiptare, bile edhe të forcave pushtuese osmane. Pikërisht këtë po bënte edhe Titoja më 1945. Në Kosovën e çliruar nga forcat e ushtrisë sonë e ato kosovare, forcat e ushtrisë titiste hynë për eliminimin e këshillave nacionalçlirimtare që ishin ngritur dhe për ndezjen e terrorit të shfrenuar e masiv kundër shqiptarëve. Kjo raprezalje e paparë e titistëve me të drejtë shkaktoi revoltën e madhe popullore, e cila vuri në dyshim edhe «Jugosllavinë e re», sepse me të drejtë populli kosovar s’ po shihte asnjë ndryshim nga ato që kishte pësuar nën «Jugosllavinë e vjetër».[ccclxii]
Enver Hoxha kërkon t’ i paraqesë gjërat sikur ajo që bënë partizanët e tij në 1944-1945 ishte e njëjtë me atë që bënë kryengritësit shqiptarë në 1912, kur kjo nuk është e vërtetë. Në 1912 kryengritja shqiptare përfundoi që në gusht, ndërsa lufta ballkanike filloi në tetor. Enver Hoxha, në apologjinë e mësipërme fajet e serbëve ia atribuon Titos. Enver Hoxha më tutje vazhdon të stërhollojë apologjinë e vet:
Populli patriot i Kosovës, në këtë situatë tepër të ndërlikuar, kërkoi «kthimin e partizanëve shqiptarë», me qëllim që situata të zgjidhej drejtësisht e të pushonte terrori i egër. Titoja me shokë, për të evituar ndërlikimin e mëtejshëm të situatave, u detyruan ta pranonin këtë kërkesë dhe partizanët u kthyen. Në Kosovë nuk gjetën kurrfarë forcash «të organizuara reaksionare», siç propagandonin jugosllavët, por gjetën një popull që i priti partizanët tanë njëlloj sikur të bënin një çlirim të dytë të Kosovës. Situata u qetësua dhe pas kësaj Titoja planifikoi manovrat e reja. Lufta tash kishte mbaruar, në situatën e re ai mund t’ i zgjidhte me forcat e veta problemet e mprehta në Kosovë. Por që ta bënte këtë, larg syve të botës e sidomos larg syve tanë, i duhej që forcat tona të largoheshin përfundimisht nga Kosova e të ktheheshin në Shqipëri. Po si? Nga largimi i drejtpërdrejtë i forcave tona nga Kosova nëpërmes kufijve të atjeshëm shtetërorë, do të krijoheshin skena të papëlqyeshme, ndoshta të rënda për titistët. Kosovarët mund të ngriheshin përsëri në revolta, kur të shihnin se forcat e ushtrisë sonë po largoheshin. Për të dalë nga kjo situatë, Titoja përsëri kopjoi kralët e dikurshëm dhe inskenoi «nevojën e ndjekjes së bandave reaksionare drejt Jugut, drejt Greqisë» e, për këtë, kërkoi «ndihmën» e atyre forcave tona që ndodheshin atje. Ne, që ende s’ i dinim mirë planet e fëlliqura të Titos, u dhamë urdhër divizioneve të vepronin. Pasi mbërritën në kufijtë më jugorë të Maqedonisë, forcave tona iu tha se «s’ ishte më nevoja» për qëndrim në Jugosllavi! Kalimi u bë në zonën e Korçës e të Prespës, larg syve të popullit të Kosovës. Tito-Rankoviçët mbetën të lirë për të vepruar, siç vepruan, me metodat e tyre barbare mbi Kosovën martire.[ccclxiii]
Por Enver Hoxha nuk mund të thotë se nuk e dinte se ç’ bëhej në Kosovë, sepse forcat partizane nga Shqipëria u rikthyen atje, siç thotë ai vetë, dhe i mësuan të gjitha ç’ kishin ndodhur atje, pra mësuan genocidin serb kundër shqiptarëve. Në mars 1945, jugosllavët filluan që të preokupohen se mos mënyra sesi ata qenë duke vepruar në Kosovë, influenconte në fatin e territoreve italiane të Istria-s, Trieste-s, dhe Venecia-Julia-s, të cilat ata i rivendikonin në Konferencën e Paqes. Prandaj ata i ftuan divizionet partizane shqiptare që të kthehen edhe një herë në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare. Lidhur me këtë episod, historiografia komuniste shprehet:
Më 12 mars (1945-K.M.) Divizioni V me Divizionin VI të UNÇSH ndodheshin përsëri në Kosovë...Kur forcat e Divizionit V të UNÇSH shkuan në fshatrat ku kishin qenë më parë në tetor, nëntor e dhjetor 1944, kërkuan anëtarët e këshillave të cilët i njihnin me emra, por nuk i gjetën më. Shumë prej tyre qenë vrarë, të tjerët kishin marrë arratinë për t’ i shpëtuar terrorit të titistëve... Qëndrimi për tre muaj në Kosovë i Divizionit V dhe Divizionit VI të UNÇSH e qetësoi gjendjen.[ccclxiv]
Pra, brigadat partizane kryesisht shqiptaro-jugore patën qenë në Kosovë edhe pas genocidit të janar-shkurtit 1945, kështu që ato e mesuan fort mirë atë çka pati ndodhur. Prej këtej, regjimi komunist i Tiranës qe plotësisht i informuar. Madje, në periudhën mars-qershor, u krye fushata e dyte e genocidit sllav, këtë here në prezencë të partizanëve shqiptarë. E megjithatë regjimi komunist shqiptar vazhdoi ta quajë Jugosllavinë komuniste aleaten e vet më të madhe dhe u prish me të, veç pasi Tito u prish me Stalinin dhe u lidh me Perëndimin. Madje dhe atëhere jugosllavëve nuk iu përmend ky genocide dhe as u denoncua nga diplomacia shqiptare në OKB, ku të dërguarit shqiptarë denonconin «krimet» amerikane në Vietnam dhe ato izraelite në tokat arabe. Komunistët shqiptarë thjesht u dorëzuan «vëllezërve» komunistë jugosllavë të gjitha trevat shqiptare tej kufijve të 1913-s, pa pasur asnjë presion prej jugosllavëve. Komunistët i terhoqën forcat e veta n' Shqipërinë e para 1941, që e gjenin të mjaftueshme për ta sunduar. Lidershipi komunist partizan shqiptar, me origjinë jugore, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e plotësoi me shumë dëshirë detyrën që i ngarkoi lidershipi komunist jugosllav për të marrën në kontroll dhe çarmatosur Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare, tej kufijve të 1913-s dhe për t’ ua dorëzuar ato jugosllavëve, në nëntor-dhjetor 1944. Lidershipi komunist i Republikës së Shqipërisë nuk bëri asnjë tentativë, në rrafsh internacional, që, pas luftës këto troje, t’ i bashkoheshin shtetit shqiptar. Nuk ndoqën shembullin e komunistëve jugosllavë, të cilët pas lufte nuk pranuan që të largohen prej Istrias dhe zonës në lindje të Triestes, duke e kushtëzuar largimin me mbajtjen e një referendumi, ku popullsia do të shprehej, në bazë të parimit të vetvendosjes nacionale, se me cilin shtet donte që të bashkohej. Largimi vjedhurazi i forcave shqiptare nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare për së dyti, ishte një akt tradhtie nacionale, pasi ato u kishin shërbyer serbëve për të shtypur shqiptarët e atjeshëm. Pse forcat partizane nga Shqipëria nuk qëndruan në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare? Pse megjithatë ai mbeti mik me jugosllavët, ose më saktë vasal i tyre?
Duke u shpallur nga Enver Hoxha 29 nëntori 1944 si ditë e çlirimit të atdheut dhe si festë zyrtare, praktikisht i thuhej botës se ne shqiptarët e këtej kufirit jemi të kënaqur me kufijtë e vënë në vitin 1913 dhe se atdheu jonë është vetëm territori i shtetit shqiptar të dalë nga Konferenca e Londrës. Me këtë u thuhej sllavëve fqinj se ne jemi të kënaqur që nuk e kemi Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve. Por nocioni i atdheut nuk ka të bëjë me kufijtë shtetërorë. Atdheu është hapësira nacionale, pavarësisht këtyre kufijve. Okupatorë të trojeve shqiptare nuk kanë qenë vetëm nazi-fashistët italianë dhe gjermanë, por kanë qenë dhe sllavët e grekët, dhe fakti që atyre iu legalizua okupimi i gjysmës së trojeve shqiptare nuk e ndryshon këtë fakt. Në të gjitha tekstet e historisë së Shqipërisë thuhet se kufijtë e Shqipërisë u vunë padrejtësisht në Konferencën e Londrës në 1912-1913, duke iu legalizuar Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë zotërimi i gjysmës së trojeve shqiptare, që ato i kishin okupuar gjatë Luftës I Ballkanike.
Pastaj një ngjarje historike nuk mund të shihet e ndarë nga të tjerat. Kur thuhet se në 29 nëntor 1944 është çliruar atdheu jonë, del pyetja: A është pjesë e atdheut tonë Deçiqi, që u çlirua në 12 dhjetor 1944, kur atje hyri Brigada XXII e Divizionit VI të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare? Në Deçiq, që sot është në Malin e Zi, në vitin 1911, u ngrit për herë të parë flamuri nacional shqiptar në kryengritjet shqiptare antiosmane të asaj kohe. Flamuri shqiptar, që në qytetet e Shqipërisë së 1913-ës u ngrit për herë të parë në nëntor 1912, në Deçiq u ngrit që një vit më parë nga Dedë Gjon Luli. Derisa pavarësia u shpall në Vlorë, në 1912, flamuri shqiptar u ngrit për herë të parë në Deçiq, në vitin 1911. Prandaj, 28 nëntori 1912 është vetëm dita e pavarësisë dhe jo dita e flamurit. Dita e flamurit i takon të jetë asaj kur flamuri u ngrit për herë të parë në një luftë kundër turqive dhe në 28 nëtor 1912 në Vlorë nuk u bë luftë kundër turqve, të cilët ishin në kazerma në qytet dhe i ndiqnin me pasivitet ngjarjet, se e kuptonin që rrjedha e ngjajrve po i dëbonte nga Ballkani. Atëherë si duhet thënë sipas logjikës së 29 nëntorit, që e identifikon atdheun me Shqipërinë e 1913-ës, se flamuri shqiptar në kryengritjet antiosmane shqiptare u ngrit për herë të parë jashtë atdheut, nga njerëz që nuk kanë qenë bashkatdhetarët tanë?! Pse? Për të kënaqur sllavët? Kur ne e quajmë 28 nëntorin Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, duhet të kemi parasysh se nga fakti që aktin e nënshkruan përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare në dy anët e kufirit të sotëm, nënkuptohej se si atdhe konsideroheshin të gjitha trojet shqiptare në dy anët e kufirit të sotëm. Atëherë ç’ kuptim ka që të thuhet se në 29 nëntor 1944 është çliruar atdheu? Pastaj, si duhet thënë për Lidhjen e Prizrenit me të cilën fillon lëvizja nacionale shqiptare në shekullin XIX, se ajo është zhvilluar jashtë atdheut? Atëherë ç’ donte Abdyl Frashëri në Prizren, në kohën e Lidhjes? Me kë shkoi të bashkëpunonte ai atje, me bashkëatdhetarët, apo me kë tjetër? Po për shtetin e Skënderbeut që përfshinte dhe një pjesë të madhe të Kosovës së sotme (e sigurt Rrafshin e Dukagjinit si pjesë e Principatës së Dukagjinëve), apo edhe pjesën e shqiptare të Maqedonisë, si pjesë e Principatës së Moisi Golemit, kryezotit të dy Dibrave, mos duhet thënë se shtrihej dhe jashtë atdheut? Deçiqi, ku u ngrit flamuri për herë të parë, atëherë dhe sot ishte i banuar me shqiptarë. Si duhen quajtur këta, bashkëatdhetarë apo si?
Në fjalimin e 28 nëntorit 1944 para popullit të Tiranës, Enver Hoxha tha:
Popull shqiptar,
Frytet e luftës tënde heroike duhet t’ i mbledhësh vetë, se ty të përkasin, ti i ke paguar me gjak. Që të mos na i rrëmbejnë dhe na i vjedhin hajdutët, spekulatorët dhe politikanët dallaveraxhinj, ata që janë mësuar të rrojnë në kurrizin tonë dhe që na kanë pirë gjakun, të shtrëngojmë radhët tona, më fort se kurrë, të grumbullohemi të gjithë rreth pushtetit, rreth Frontit, rreth Qeverisë Demokratike.[ccclxv]
Në të vërtetë ai që po fliste ishte vetë një «politikan dallaveraxhi», madje më i shkathti dhe më i paskrupullti i këtij lloji për kohën. Enver Hoxha e mori pushtetin aq lehtë se Shqipëria ishte e ngopur me «politikanët dallaveraxhinj», me origjinë nga establishmenti osman shqiptar dhe kurrkush nuk donte që të luftonte që ata të ndanin përsëri pushtetin mes tyre, siç kishin bërë që nga viti 1912, kur u krijua shteti shqiptar.
Por, duke qenë se e dinin se shteti i ri do të qe sipas modelit europian, laik dhe joaristokratik në letër, atëhere sa për dekoracion morën morën në rrethin e tyre të pushtetit edhe kristianë ortodoksë e katolikë si Ndoc Çoba, Pandeli Evangjeli, Koço Kotta etj., si dhe intelektualë muslimanë nga shtresa e mesme. Në fakt, në kuadrin e sistemit të kastave të regjimit osman, një kastë e privilegjuar ekzistonte dhe midis të krishterëve, me sistemin e bajraqeve për katolikët, si dhe me sistemin e miletit dhe në kuadrin e sistemit të korporatave (esnafeve) për ortodoksët.
E gjithë kjo qe pjesë e marrëveshjes së kompromisit midis Fuqive të Mëdha-kujdestare të Shqipërisë dhe aristokracisë së vjetër osmane shqiptare. Fuqitë e Mëdha vazhduan si ancient regime (osman) që ta qeverisin Shqipërinë me anë të aristokracisë osmane (pashët dhe bejlerët). Këta të fundit qenë gati të bënin kompromis me Fuqitë e Mëdha që, nëse këto u jepnin licencën e sundimit të Shqipërisë. Europa i kërkoi elitës osmane të cilën e kishte si interlokutore në Shqipëri, që të ndërtonte një shtet modern. Atëhere, kjo elitë bëri një farsë duke ndërtuar një shtet me institucione dekorative, sa për t’ i thënë botës se Shqipëria kishte një shtet si të gjithë vendet e qytetëruara. Por pas këtij dekori vazhdonte të dominonte sistemi i vjetër klientelist osman i tarafeve, sipas të cilit posti politik shihej si një burim fitimesh të kundraligjshme dhe në shkëmbim të besnikërisë ndaj tarafit (klanit) politik në shërbim të të cilit duhet ta vije postin, duke i dhënë kreut të tij një pjesë të fitimeve të nxjerra në mënyrë kundraligjshme dhe mbështetje në kohën e zgjedhjeve. Forca lëvizëse e këtij sistemi qe korrupsioni.
Elita politike dhe ekonomike me origjinë nga establimshmenti osman (jo vetëm musliman, por edhe kristian se prijsat e Mirditës qenë oficerë të Turqisë dhe tregtarët ortodoksë kishin privilegje në Imperinë Osmane), e cila qeverisi vendin në vitet 1913-1944, u deligjitimua së pari moralisht dhe deligjitimoi dhe sistemin politik që ndërtoi, duke përfunduar në një diktaturë në 1924 dhe duke u bërë kliente e fashizmit pas vitit 1939. Nga qeverisja e saj rezultoi një shoqëri e polarizuar ku nga njëra anë qe një pakësi e pasur dhe nga ana tjetër një shumësi e varfër. Lufta e Dytë Botërore qe për shoqërinë shqiptare si një tërmet për një ndërtesë të ndërtuar keq dhe që mbahej vetëm se nuk ishte vënë në provë qendrueshmëria e saj. Është kuptimplotë se një lëvizje minore e shoqërisë shqiptare, siç qe ajo komuniste, e cila në 1941 numëronte jo më shumë se 200 vetë, brenda tre vitesh arriti të mobilizojë një forcë të aftë për të marrë pushtetin. Ballafaqimi nuk qe aq midis lëvizjes komuniste partizane dhe okupatorit të huaj, se midis lëvizjes komuniste partizane dhe establishmentit shqiptar të delegjitimuar në sytë e popullit që e kontrollonte Shqipërinë. Kur elita politike dhe ekonomike e shoqërisë shqiptare pa rrezikun komunist, ajo i bëri thirrje shoqërisë që të ngrihej për të luftuar kundër këtij rreziku. Por shoqëria shqiptare ishte e polarizuar dhe shtresa e mesme, e cila duhej që t’ i përgjigjej këtij apeli, ishte e vogël. Madje, një pjesë e të rinjve të shtresës së mesme, për vanitet politik, më tepër se për ideal, u bënë komunistë. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, nuk i shikonte si rrezik komunistët, madje priste me një lloj kurioziteti dashakeq se çfarë do t’ i bënin ata elitës sunduese të vendit.
Gjithsesi, përballë njëri tjetrit, në luftën civile në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vunë dy pakica, komunistët dhe grupimi shoqëror tradicional, që e shikonte si rrezik për vdekje ardhjen e komunizmit. Shtresa e lartë dhe e mesme e shoqërisë shqiptare, që në një mënyrë apo në një tjetër iu kundërvu komunizmit, duke pasur në dorë pjesën më të madhe të pasurive të vendit si dhe pushtetin, ata kishin edhe detyrimin që të kishin bërë një luftë të pakompromis dhe të rreptë për të penguar fitoren e komunizmit në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo shtresë duhet të ndiqte shembullin e homologëve të saj në Spanjë dhe Greqi, që sakrifikuan gjakun dhe florinjtë e tyre në luftën për ta penguar komunizmin të fitonte në vendet e tyre dhe ia arritën kësaj. Në Shqipëri kjo shtresë nuk e mori kurrë seriozisht luftën kundër komunizmit, iu shmang ballafaqimit të ashpër me terrorizmin komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk pranoi as të jepte pare që të paguheshin shtresat e ulta për të luftuar, pasi Perandoria Osmane i kultivoi shqiptarit traditën e keqe të të luftuarit si mercenar. Shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, e cila duhej të qe në ballë të luftës kundër komunizmit, atëhere kur duhej ndaluar fitorja e tij, ndejti e tërhequr dhe e pavendosur, jo se donte të shmangte luftën vëllavrasëse, siç është shfajsuar me një eufemizëm të neveritshëm, por se i dhimbeshin pronat, florinjtë dhe nuk ishte mësuar të luftonte për kauzën e saj ideologjike si shtresë kapitaliste në qytet dhe fshat. Derisa të pasurit e Spanjës, gjatë Luftës Civile të 1936-1939 i dhanë flori Frankos që të sillte në Spanjë 85 mijë mercenarë marokenë që qenë luftëtarët më të tmerrshëm, të pasurit e Shqipërisë e fshehën floririn nën dhe që t’ ua merrte Enver Hoxha, së bashku me tokat, shtëpitë dhe dyqanet dhe lirinë e jetën. Meqë këta burra nuk donin të luftonin vetë seriozisht, sikur gjysma e atyre 390 ton flori që konfiskoi Enver Hoxha të qenë dhënë, mund të ishin huazuar marokenët që luftuan kundër komunizmit në Spanjë dhe Enver Hoxha me terroristët e tij të kuq do t’ ia kishin mbathur në Serbi për t’ u strehuar në shpellat ku rrinin partizanët e Titos.
Shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, nuk i bëri këto se ajo ishte mësuar që këtë ta bënin të tjerët për të, si në 1924, kur Zogu e rrëzoi nga pushteti regjimin Bolshevik të Nolit me mercenarë antikomunistë rusë bjellogardistë, të paguar me arin e Britanisë së Madhe. Edhe këtë herë kjo shtresë e mesme dhe e lartë e Shqipërisë priste që atë ta shpëtonte nga komunizmi «inglizi», duke u shprehur në kafenetë e qyteteve se «Nuk i le inglizi këta të kuqtë e malit të vijnë në pushtet në Shqipëri». Përndryshe shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, që ishte përgjegjëse për fatin e vendit, me mosveprimin e saj kriminal, praktikisht ia dorëzoi vendin dhe popullin një grushti terroristësh të kuq, të lidhur me armiqtë tradicionalë nacionalë, sllavët. Kjo rezultoi të qe me pasoja katastrofale, jo vetëm për Shqipërinë e 1913-s, por edhe për krejt nacionin (kombin), pra edhe për shqiptarët në anën tjetër të kufirit, që me besë shqiptari iu dorëzuan armët partizanëve të Enver Hoxhës, që kishin shkuar atje t’ i nënshtronin pabesisht për llogari të serbëve.
Në rast se krimineli është përgjegjës për një krim, jo më pak përgjegjës është ai që e kishte për detyrim ta ndalonte dhe nuk bëri gjithçka që kishte mundësi për ta ndaluar. Në kohën e “Marrëveshjes së Munich-ut” në 1938, Winston Churchill, atëhere në opozitë, iu drejtua me këto fjalë qeverisë britanike: “Midis luftës dhe turpit, ju zgjodhët turpin, por do ta keni dhe luftën!” Në të njëjtën mënyrë, shtresa e lartë dhe e mesme shqiptare, e cila gjatë viteve 1941-1944 zgjodhi turpin në vend të luftës, e pati edhe luftën e klasave për gjysmë shekulli.
Antikomunistët shqiptarë të asaj kohe, me formim nga bota osmane, në fakt përdorën të gjithë arsenalin e mjeteve tradicionale që njihnin për të shtypur rebelimet. Por lëvizja komuniste ishte një gjë e re, së cilës nuk i përshtateshin shabllonet e vjetra të reagimit ndaj rebelimeve, të traditës osmane, të cilat mund të definohej si «kulaçi dhe kërbaçi». Lëvizja komuniste përdorte metodat moderne të dhunës politike dhe kombinonte disiplinën e hekurt të grupit, me kërcënimin e ndëshkimit kapital për anëtarët, me vrasjen politike massive të kundërshtarëve, për të paralizuar vullnetin e tyre për reagim. Është e vërtetë ajo që i atribuohet Mithat Frashërit në poemën satirike «Epopeja e Ballit Kombëtar»
Desh bërë Shqipria
Det e tërmet
Që t’ vin në vete
Ky djall milet.
Po ne kërkuam
Si n’ vaft kadilerësh
Me një gur të vrisnim
Nëse të humburit satirizoheshin, fitimtari nuk rrinte dot pa bërë komedianin. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet e veta për pritjen në Hotel «Dajti», në 28 nëntor 1944:
Në këndin ku ishim ulur ne, Enveri e dr. Nishani iu qepën njërit nga përfaqësuesit e Misionit Anglez për të provuar se sa do t’ i qëndronte rakisë shqiptare. Për vete, ata të dy e kthyen gotën nja dy herë, pastaj i thanë garsonit t’ ua mbushte gotën me ujë. Kështu, ndërsa ata të dy pinin ujë, anglezi pinte e pinte raki deri sa erdhi në qejf e të dy palët qeshnin me gjithë zemër. Mysafiri rezistoi sa rezistoi, po në një moment nuk arriti as të largohej dhe nxorri gjithë ç’ i kish futur barkut atë natë.[ccclxvii]
Pasi Enver Hoxha hyri në Hotel «Dajti», në tempullin e borgjezëve që pati përmbysur nga pushteti, ai do të harronte «kasollet» që e kishin sjellë deri atje. Enver Hoxha nuk do të shkelte kurrë në fshatrat ku qe strehuar gjatë luftës, me përjashtim të një rasti kur shkoi në Labinot në 1968. Enver Hoxha nuk shkoi kurrë në Shmil, Gurakuq, Orenjë, Okshtun, Kostenjë, Alltat, Galigat, Kishtë, Backë, Helmës, Odriçan, Kucakë etj., anipse udhëtonte edhe me helikopter.
Në 13 tetor 1971, në një takim me një grup veteranësh dhe pjesëtarë të familjeve që kanë qenë baza të luftës nacionalçlirimtare, Enver Hoxha do të thoshte:
Më ka marrë malli për Galigatin.[ccclxviii]
E megjithatë ai nuk u kthye kurrë në Galigat, sa kohë qe në pushtet.
Enver Hoxha në shumë raste na jep të kuptojmë se ai tregon vetëm një interes propagandistik për njerëzit që e strehuan atë gjatë luftës në fshatra. Në 20 shtator 1966 Enver Hoxha bisedon në Tiranë me dy fshatarë nga Shmili, të cilit e kishin strehuar atë: Sadik Ceka e Ali Gjura. Tekstit të bisedës që jepet në veprat e Enver Hoxhës i paraprin ky shënim:
Me kërkesën e tyre, shoku Enver Hoxha i priti me përzemërsi miqtë e vjetër në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH.[ccclxix]
Nga biseda kuptohet se kjo ishte hera e parë që Enver Hoxha i takon ata pas vitit 1944. Këtu Enver Hoxha gjen rastin të bëjë sikur interesohet edhe për të tjerët që e patën strehuar:
Shoku Enver Hoxha: Ç’ bën Zenel Disha?
Sadik Ceka: Mirë është punon.
Shoku Enver Hoxha: Ç’ fëmijë ka?
Më tutje Enver Hoxha pyet:
Shoku Enver Hoxha: More, rron Ramë Karagjozi?
Në 13 tetor 1971, në një takim në Tiranë me një grup veteranësh dhe pjesëtarë të familjeve që kanë qenë baza të luftës nacionalçlirimtare, Enver Hoxha do të pyeste për disa nga ata që e strehuan në dimrin e viteve 1943-1944:
Po Tare Dyrmishi, rron apo ka vdekur? Unë dëshiroja të rronte, po ja ka ardhur i biri! Kishe një baba shumë të urtë dhe shumë të dashur.[ccclxxii]
Më tutje bashkëbisedimi i Enver Hoxhës vazhdon kështu:
Po nga Muço Boduri kush rron?
Shoku Dhimitër Boduri: Jam unë djali i tij.
Shoku Enver Hoxha: Po hajde more djalë të të shoh një çikë. Si je more Dhimitër? Ti ke qenë i vogël atëherë. Muçoja ka vdekur?
A ndihej Enver Hoxha i përndjekur nga fantazmat e së shkuarës së vet, si një «Makbeth» i kuq? Në 29 janar 1965, Enver Hoxha do të bënte këtë shënim në ditar:
Pashë filmin francez «Maria Oktobër», me subjekt nga lufta e rezistencës në Francë kundër nazizmit. Film psikologjik, i interpretuar e i realizuar mirë dhe me moral të shëndoshë. Mendoj se mund të shfaqet në popull i cili do ta pëlqejë.[ccclxxiv]
Ky film francez tregon për takimin e anëtarëve të një grupi të rezistencës franceze të kohës së Luftës së Dytë Botërore, njëzet vjet pas asaj nate kur gjermanët hynë befasisht në shtëpinë ku ata qenë mbledhur dhe vranë komandantin e grupit, i cili ishte dhe i dashuri i Marias. Kjo e fundit i rimblodhi anëtarët e grupit pas 20 vjetësh për të zbuluar se kush i kishte tradhtuar atë natë dhe për ta ndëshkuar tradhtarin, gjë që u arrit të bëhet atë natë. Nëse do të ishin organizuar disa takime të tilla pas luftës, ku të kërkohej të zbulohej e vërteta e disa vrasjeve apo arrestimeve gjatë luftës, si të Qemal Stafës, Vojo Kushit, Sinan Gjonit dhe shokëve të tij, Abdullah Ketës, Koci Bakos, Gjeneralit Davies etj., Enver Hoxha nuk do ta kishte të lehtë të mbrohej, për më tepër se do të shihej se qenë si shumë këto raste. Por ato që mund të qenë «Maria Oktobër» shqiptare Enver Hoxha kur erdhi në pushtet qe kujdesur t’ i çonte në burgje, si Drita Kosturin, të fejuarën e Qemal Stafës, ose edhe t’ i vriste fare si Ramize Gjebrenë, e cila dinte shumë për ato që kishin ndodhur në Tiranë. Enver Hoxha, me atë që mund të quhet sensi vetëmbrojtës i komedianit, e kishte shndërruar në komedi edhe dramën e vet personale të llojit «Maria Octobër», duke qenë se bashkëshortja e tij ishte ish-e fejuara e Miladin Popoviç, e cila nuk do të kërkonte kurrë llogari për vrasjen e tij në mars 1945, në Prishtinë, në rrethana të dyshimta. Këto rrethana bëhen edhe më të dyshimta, se atje u ndodh edhe Ramiz Alia, njeriu i besuar i Enver Hoxhës, i besuar më tepër për faktin se ishte boshnjak, se sa për faktin se ishte favorit i Nexhmije Hoxhës, siç është thënë. Në librin «Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë», që është një intervistë e gjatë me gazetarët Blerim Shala dhe Llukman Halili, Ramiz Alia pyetet:
-Keni qenë në Prishtinë atë ditë kur është vrarë Miladini?
-Po, po... Unë (isha Komisar i Divizionit të Pestë), bashkë me Gjin Markun, Komandantin e Divizionit të Gjashtë, atë ditë udhëtuam nga Mitrovica për në Prishtinë. Kishim takim me Shtabin e Kosmetit- si thuhej atëherë. Ky shtab ishte krijuar pas administrimit ushtarak. Më duket që Fadil Hoxha ishte zëvendëskomandant. Ishim në një kafene kur morëm vesh se atë mëngjes e kishin vrarë Miladinin. Nuk dua të hyj në detaje të çështjes, por për mendimin tim, nga mënyra se si na e shpjeguan Dushan Mugosha dhe Fadili ngjarjen, vrasjen e Miladinit...
-Ju shkuat në vend të ngjarjes apo...
-Po, po, ne shkuam në vendin ku kishte ndodhur ngjarja. Ne pamë dhomën e punës së Miladinit, vendin ku rrinte, plumbat të cilët i kishin rënë, madje njëri kishte thyer dorezën e telefonit. Plumbat ishin koncentruar në një trekëndësh shumë të vogël, gjë që tregonte se vrasësi kishte qëlluar me një qetësi shumë të madhe, në një kohë kur në të njëtën ndërtesë në katin e poshtëm , gjendeshin dymbëdhjetë partizanë si roje!!! Natyrisht të gjithë ishin të gatshëm dhe të armatosur. Nuk e kuptoja: si është e mundur që një njeri i panjohur të hyjë nëpër gjithë oborrin, të ecë shkallëve, të futet në dhomë të Miladinit dhe të qëllojë në qetësi pastaj të dalë andej dhe të ikë pa kurrfarë problemi!!! Neve na thanë më vonë se vrasësi i Miladinit ishte Haki Taha, i cili nuk u dorëzua, por i rrethuar në një fshat vrau veten. Për mua, kjo qysh në atë kohë ishte e dyshimtë. Tashti, a ka pasur dorë dikush tjetër, ta zemë, Dushani ose ndokush nga forcat e rendit është zor të thuhet.[ccclxxv]
Ramiz Alia, në këtë rrëfim, duket sikur më tepër kërkon të bëjë alibinë e vet, për dyshimet që vijnë nga fakti se ai erdhi në Prishtinë pikërisht ditën që u vra Miladin Popoviç, pak kohë para se të ndodhte vrasja. Ai thotë se ishte në kafene në momentin që ndodhi vrasja, dhe pastaj shkoi në vendngjarje! Duke respektuar ortodoksinë e historisë që ka dhënë Enver Hoxha, Ramiz Alia thotë se vrasja e Miladin Popoviç mund të jetë organizuar nga Dushan Mugosha. Dushan Mugosha ishte njeriu i fundit që mund t’ i besohej kjo vrasje, për shkak se ai kishte qenë me Miladin Popoviçin në Shqipëri, dhe do ta kuptonte se përse po eliminohej Popoviç. Por ishte kundër manualit të vrasjeve politike që vrasësi, ose organizatori i vrasjes të dinte më tepër se ç’ duhet për motivet e vrasjes. Dushan Mugosha do të dyshonte se pas Popoviçit do ta kishte radhën ai vetë, për shkak se dinte rreth kësaj çështjeje. Miladin Popoviç ishte bërë i padëshirueshëm sa për Enver Hoxhën, aq edhe për Titon, se të dy i trembeshin një vizite të Popoviç në Moskë, ku kishin filluar të shkonin për pelegrinazh komunistët jugosllavë, dhe ku ai sigurisht që do të zbërthehej nga policia sekrete sovjetike. Titos nuk donte që ta vriste serbin Popoviç me anë të njerëzve të tij, se kështu mbeteshin dëshmitarë të padëshiruar. Titos do t’ i konvenonte që vrasja e Popoviç të organizohej nga partizanët shqiptarë që gjendeshin atëherë në Kosovë, duke u kamufluar si e bërë nga ballistët. Ky ishte shërbimi i parë i madh që Ramiz Alia i bëri Enver Hoxhës.
Epigrami për Enver Hoxhën, kur ai hyri në Tiranë, në krye të regjimit të ri, në 28 nëntor 1944, do të ishte ai të cilin e bën Enver Hoxha vetë, në 24 qershor 1965, kur shkruan në ditar për diktatorin algjerian Ben Bela, i cili ato ditë u rrëzua nga pushteti me puç:
Ben Bela është njeriu tipik aventurier i kohëve aktuale. Ai është një mikroborgjez, karrierist, megaloman, i dyshimtë, njeri i të gjitha kallëpeve, njeri që ka një pikëpamje për veten e tij të një njeriu «të madh historik» me perspektivë jo vetëm «algjeriane», jo vetëm «afrikane», por «botërore». Ai veshi «togën» e luftëtarit pa hedhur pushkë, ai përfitoi nga lufta për të hedhur pushtetin në duar dhe të bëhej një personalitet botëror.[ccclxxvi]
Në 18 mars 1978, Enver Hoxha, në fjalimin para kuadrove të Gjirokastrës, do të thoshte:
Mbreti Huan Karlos, që erdhi në fuqi, ishte një nga frankistët e vjetër, i cili në postin e kryeministrit solli Suarezin. Ç’ ishte Suarezi? Suarezi ishte një anëtar i falangës, por nuk ishte veçse 38 vjeç, kurse mbreti ishte 35 vjeç, pra në duart e këtyre dy djemve të rinj, u la populli spanjoll që kishte evoluar dhe donte të çlirohej nga diktatura e egër fashiste.[ccclxxvii]
Kur Enver Hoxha i tha këto fjalë ai ishte 70 vjeç, pra pa tre sa mbreti dhe kryeministri spanjoll të marrë së bashku. Por kur Enver Hoxha kishte ardhur në pushtet, 34 vjet para se t’ i thoshte këto fjalë, ai kishte qenë 36 vjeç, pra dy vjet më i vogël se kryeministri spanjoll dhe një vit më i madh se mbreti spanjoll. Kur Enver Hoxha erdhi në pushtet, ai kishte dështuar në gjithçka që bëri në jetë, veç puçit për të marrë pushtetin. Enver Hoxha dështoi të marrë jo më diplomën e shkollës së lartë, por edhe provimet e vitit të parë, edhe pse iu pagua bursë nga shteti për katër vjet. Në dorë të këtij njeriu mbeti për 41 vitet e ardhshme populli shqiptar, i cili priste një të ardhme më të mirë pas luftës. Në 41 vjetët e ardhshëm ky njeri thjesht do të përpiqej që të rindërtonte botën e vjetër të sigurive të familjes së vet, ashtu siç ajo paraqitej e thyer në prizmin e ideologjisë së tij.
Në 28 nëntor 1944, kur Enver Hoxha hyri në Tiranë, në krye të regjimit të ri, ai shpalli se po fillonte një kohë e re për Shqipërinë. Në fakt kishte filluar të ecte përsëri, e projektuar në të ardhmen, koha e vjetër e artë e familjes së tij, i së cilës kohë sahati i vjetër i familjes ishte simbol. Enver Hoxha e kishte shkëputur Shqipërinë nga koha dhe e kishte futur praktikisht në një dimenison tjetër kohor, në Ukronian, një kohe tjetër të kurrkundit, e cila ishte Ukronia osmane e projektuar në të ardhmen, ku ai ndihej komod.
Në këtë të shkuar të rikrijuar, Enver Hoxha ishte bërë ajo çka të parët e tij kishin ëndrruar, ai qe bërë «sulltan». Por si shumë sulltanë të vërtetë ai kishte «Shpatën e Damokleut» mbi krye, dhe ndihej më i pasigurt dhe i trembur se skllevërit e tij të kuq, e ndoshta edhe se viktimat e tij të pritshme. Ai duhet të luftonte për fronin e vet që ia lakmonin, dhe që kishin dashur t’ ia rrëmbenin që në Berat, ende pa shijuar hyrjen në Tiranë.
Enver Hoxha risolli kohën e artë të sahatit të vjetër të familjes së tij, që shpëtoi kur dogj shtëpia, dhe për këtë u desh të digjej Shqipëria. Nëse do të parafrazoja një strofë nga poema aq e pëlqyer për Enver Hoxhën «Epopeja e Ballit Kombëtar», duke ndjekur stilin e turqizmave të kësaj poeme, do të thoja:
Desh bërë Shqipëria,
zjarr e lugat,
që të punonte,
ky dreq sahat.
Tashmë po përsëritej e projektuar në gjithë Shqipërinë, dhe tek populli shqiptar, ajo që thotë Enver Hoxha në letrën e 17 shtatorit 1962, në një letër dërguar nxënësve dhe mësuesve të shkollës së mesme «Asim Zeneli», në Gjirokastër, për djegien e shtëpisë së tij:
Unë atëherë isha i vogël, por mbaj mend se mëma, e llahtarisur, më shkundi nga gjumi dhe më shtyu përpara në mes të flakëve dhe të tymit për të më shpëtuar. Në shkallët që po digjeshin, nuk e harroj as tash, ktheva kryet dhe shikova mëmën në mes të tymit që në një sqetull mbante motrën time, foshnjë të vogël, dhe në sqetullën tjetër një sahat të vjetër që e ruante varur në odën e gjumit. Dhe që zilja e tij e zgjoi atë nga gjumi në atë natë të frikshme. Çdo gjë na e dogji zjarri, motra më e vogël na vdiq, por unë dhe sahati jetuam.[ccclxxviii]
Shoqëria shqiptare u çua e tmerruar natën në mes të zjarrit që ndezi Enver Hoxha dhe kërkoi të shpëtonte, së pari jetën fizike, pastaj edhe «sahatin» e saj, sensin e saj të kohës të ngulitur thellë në shpirt. Në 29 nëntor 1944, në ditën që Enver Hoxha do ta shpallte si çlirimi i Shqipërisë, do të fillonte të ecte ajo që njihet rëndom si «Koha e Enver Hoxhës». Në këtë pikë do të fillonte një betejë mes Enver Hoxhës dhe njeriut shqiptar, të cilin Enver Hoxha kërkoi ta nxirrte jashtë kohës normale të botës së cilës i përkiste, duke e futur në rrjedhën e Ukronias së krijuar prej tij, një antikohe ideologjike, vetëshkatërruese për njerëzit të cilëve iu imponua ajo.
[iv]po atje: f. 186-188
[xvii]po atje: f. 212- 215
[xix]po atje: f. 220- 221
[xxi]po atje: f. 227
[xxiii] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, f. 158
[xxvii] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, Vol 1, f. 466
[xxviii] David Smiley: «Me detyrë në Shqipëri», Shtëpia botuese Enciklopedike, Tiranë 1993, f. 59-60-61
[xxix] po atje: f. 60
[xxxvi] Hakif Bajrami: «Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare: 1941- 1944», Shtëpia botuese «Vatra», Prishtinë 1998, f. 117
[xxxix] «Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar», Vol. III, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1988, f. 144
[li] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 61
[liii] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…», Vol. 1, f. 173-174
[liv] po atje: f. 203-205
[lv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 73-74
[lviii] Edmund Davies: «Aventura ilire», f. 95
[lx] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 235-236
[lxiv] po atje: f. 262
[lxv] po atje: f. 263
[lxix] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 124
[lxxi]Fitzroy Maclean: «Lufta e Ballkanit», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2003, f. 120
[lxxvii] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…», Vol 1, f. 174
[lxxxi] po atje: f. 172
[lxxxii] po atje: f. 177-178
[lxxxiii] po atje: f. 176
[lxxxiv] po atje: f. 179
[lxxxv] po atje: f. 204
[lxxxvi] po atje: f. 165
[lxxxvii] «Historia e Luftës Antifashiste…», vol. III, f. 421
[xc] «Kujtime për Enverin», Vol. I, f. 503-504
[xci] Myslim Peza: «Kur dhashë besën», f. 170
[xciii] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 238-239
[xciv] Edmund Davies: «Aventura ilire», f. 81-82
[xcv] «Historia e Luftës Antifashiste… », vol. III, f. 429
[xcvi] po atje: f. 426-427
[xcvii] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…», Vol 1, f. 209
[xcviii] po atje: f. 213
[xcix] po atje: f. 214
[c] po atje: f. 215
[ci] po atje: f. 218
[cii] po atje: 219
[ciii] po atje: f. 224
[civ] po atje: f. 221
[cv]po atje: f. 238
[cvi] po atje: f. 230
[cvii] po atje: f. 248
[cxi] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 239
[cxiv] po atje: f. 248-249
[cxx] po atje: f. 448
[cxxi]Edmund Davies: «Aventura ilire», f. 85
[cxxii] po atje: f. 85- 86
[cxxiii] po atje: f. 86
[cxxix] «Historia e Luftës Antifashiste…», vol. III, f. 430
[cxxxiii] «Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar», vol. IV, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1989, f. 877
[cxxxv] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…», vol. 1, f. 215-216-217
[cxxxvi] po atje: f. 219
[cxxxvii] po atje: f. 220
[cxxxviii] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 143
[cxxxix] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 550
[cxl] «Historia e Luftës Antifashiste…», vol. III, f. 424
[cxli] po atje: f. 426
[cxlii] po atje: f. 433-434
[cxliii] po atje: f. 425-426
[cxliv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 144
[cxlv] po atje: f. 144
[cxlvi] «Historia e Luftës Antifashiste…», vol. III, f. 449
[cli]«Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…», Vol 1, f. 227-228-229
[clii] «Historia e Luftës Antifashiste…», vol. III, f. 434-435
[cliii] po atje: f. 435
[clvii]po atje: f. 227
[clx]po atje: f. 99
[clxv]«Kujtime për Enverin», Vol. I, f. 201
[clxxiii] po atje: f. 102
[clxxvi] po atje: f. 154
[clxxxix] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 159
[cxc] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 161
[cxcii] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 159
[cxciii] Edmund Davies: «Aventura ilire», f. 115
[cxciv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 162-163
[cxcvi]Edmund Davies: «Aventura ilire», f. 114
[cxcvii] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 291
[cxcix] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 171
[cci] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 172-173
[ccii] po atje: f. 173
[cciii] po atje: f. 187
[cciv] po atje: f. 187-189
[ccv] po atje: f. 189
[ccvi] «Kujtime për Enverin», Vol. 2, f. 405
[ccviii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 201
[ccx] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 200
[ccxi] po atje: f. 201
[ccxii] po atje: f. 201-202-205
[ccxiv] «Kujtime për Enverin», Tiranë 1988, Vol. I, f. 203
[ccxv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 160
[ccxvi] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 225
[ccxvii] po atje: f. 226
[ccxviii] «Kujtime për Enverin», Vol. 1, f. 204
[ccxx] po atje: f. 408
[ccxxi] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 226
[ccxxii]«Kujtime për Enverin», Vol. 2, f. 409
[ccxxiii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 227
[ccxxiv] po atje: f. 233
[ccxxv] po atje: f. 251
[ccxxvi] po atje: f. 251
[ccxxvii] po atje: f. 256-257
[ccxxviii] po atje: f. 236-237
[ccxxix] Mehmet Shehu: «Kujtime nga jeta e Brigadës I Sulmuese», «Antologjia e letërsisë shqipe të realizmit socialist», «Shtëpia botuese e librit shkollor», Tiranë 1968, f. 13
[ccxxx] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 242
[ccxxxi] po atje: f. 262
[ccxxxii] Kadri Musai: «Përmes stuhisë armike», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986, f. 48
[ccxxxiii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 264
[ccxxxiv] po atje: f. 265-266-267
[ccxxxvii] Kadri Musai: «Përmes stuhisë armike», f. 94-95
[ccxxxviii] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 269
[ccxxxix] Enver Hoxha: Vepra, vol. 4, f. 20-21-22
[ccxl] «Kujtime për Enverin», Vol. 1, f. 206-207
[ccxli]po atje: f. 207
[ccxliii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 4, f. 21
[cclviii] po atje: f. 203
[cclxv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 210- 212-213
[cclxvi]Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 396- 397
[cclxix] Shevqet Musaraj: «Epopeja e Ballit Kombëtar», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë 1948, f. 45-46
[ccxcii] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës- Plenumi II i Beratit», f. 117
[ccxciii] «Këngë popullore për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ndërtimin socialist», Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, «Naim Frashëri», Tiranë 1982, f. 472-473
[ccxciv] Reginald Hibbert, «Fitorja e hidhur», f. 266
[ccxcv] Enver Hoxha, «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 257
[ccxcvii] Enver Hoxha, «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 290
[ccciii] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, f. 287
[ccciv] po atje: f. 122
[cccv] po atje: f. 165
[cccvi] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 161
[cccviii]po atje: f. 74
[cccix] Kjo shifër zbulohet tërthorazi në një letër të Enver Hoxhës për drejtuesit e Divizionit I partizan, në 1 korrik 1944, ku thuhet: «S’ gjetët një Shaqo në 4000 vetat që keni aty, por kërkoni të na merrni dhe këta të paktë që keni këtu». (Enver Hoxha: Vepra, vol. 2, Tiranë 1968, f. 271)
[cccxv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 331- 332- 333
[cccxviii] po atje: f. 123
[cccxxi] Enver Hoxha: «Titistët», f. 128
[cccxxii] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 319
[cccxxiv] Enver Hoxha, «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», f. 319
[cccxxx] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës…», dokumente, f. 162
[cccxxxvi] po atje: f. 34
[cccxlii] po atje: f. 130
[cccxlix] Enver Hoxha: «Titistët», f. 168
[cccliv] Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», f. 57- 58
[ccclvii] «Winston Churchill’ spechees», «Pimlico», London 2006, f. 369- 370
[ccclxiv] «Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar», vol. IV. f. 912-913
[ccclxxv] «Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë», intervistoi: Blerim Shala, Llukman Halili, Shtëpia botuese «Dituria», Tiranë 1993, f. 36- 37
[ccclxxvii] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime: 1978-1979», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 51-52





