Pjesa e dytë - Amatori i romaneve policore në rol




I
Liceisti i vonuar që nuk u bë dot komunist

    Nisjen nga Gjirokastra për në Liceun e Korçës,  Enver Hoxha e përshkruan kështu:
    Më në fund dita e gëzuar erdhi, por megjithëkëtë zemrën e kisha prapë të trishtuar, pse më vinte keq që do të lija vetëm xhaxhanë, anenë, Sanon, të dashurit e mi, që i doja dhe më donin me gjithë shpirt. Ishte hera e parë që ndahesha prej tyre, më dukej sikur i lija në mes të katër rrugëve. Ata vetëm mua më kishin, nga mua pritnin, tek unë e shikonin të ardhmen e tyre. E gjithë bota e tyre isha unë.[i]
    Nga këto që shkruan, Enver Hoxha duket- po të shprehem në termat komuniste që do të përdorte vetë më pas, si një mikroborgjez shpirtvogël, dhe jo si një ri që simpatizonte komunizmin dhe që aspironte të bëhej revolucionar, edhe pse atëherë ishte 19 vjeç. Ajo që të bie në sy është se këtu Enver Hoxha nuk e përmend Baba Çenin dhe fëmijët e tij, edhe pse ai ishte gjallë, por përmend vetëm Halilin, të cilin vazhdon ta quajë «xhaxha», si dhe njerëzit e familjes së vet të ngushtë.
    Në kohën kur Enver  Hoxha shkoi në Korçë në moshën 19 vjeç, në 1927, në këtë qytet kishte një lëvizje komuniste që ishte duke krijuar organizatën e vet, Grupin Komunist të Korçës. Në librin «Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë», i botuar në kohën që Enver Hoxha ishte në pushtet, thuhet:
     Më 1928 elementë të përparuar punëtorë dhe zejtarë krijuan në Korçë celulën e parë komuniste... Brenda një kohe të shkurtër në Korçë u krijuan dhe celula të tjera. Kjo e bëri të nevojshme riorganizimin e punës. Për këtë qëllim, në qershor të vitit 1929 u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të celulave komuniste. Në këtë mbledhje u krijua komiteti drejtues i kryesuar nga zejtari Mihal Lako. Aty u vendos të punohej për ngritjen e celulave të reja. Celulat do t’ i përhapnin idetë komuniste me anën e grupeve edukative... Brenda një kohe të shkurtër në qytet vepronin 8 celula me 40 anëtarë gjithsej. Secila prej tyre drejtonte 3-4 grupe edukative.[ii]
    Gjatë gjithë kësaj kohe, madje edhe një vit pas krijimit të Grupit Komunist të Korçës, Enver Hoxha gjendej në Korçë, si nxënës i Liceut. Liceu ishte një nga vendet kryesore ku celulat komuniste të Korçës dhe më pas Grupi Komunist i Korçës synonin që të rekrutonin anëtarë. Shumë liceistë u bënë anëtarë të Grupit Komunist të Korçës. E megjithatë Enver Hoxha nuk u bë anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Ai në kujtimet e veta nuk thotë se u bë anëtar i këtij grupi komunist, në kohën kur ishte nxënës në lice. Enver Hoxha thotë vetëm se ai kërkoi që të njihej me punëtorët korçarë me bindje komuniste. Ai vetë shkruan:
     Kontaktet e mia me komunistët e asaj kohe ishin vetëm kontakte njohjeje, bile unë ende s’ e dija fare se disa nga ata që më thërritnin e më pyetnin, si Koçi Bakoja, Llambi Dishnica e të tjerë ishin komunistë. Më pas, kur pas gjashtë vjetësh, do të kthehesha përsëri në Korçë, lidhjet tona do të viheshin në baza të shëndosha dhe unë do të bëhesha pjesëtar i Grupit Komunist «Puna», krah për krah me punëtorët komunistë korçarë, gjë të cilën e kam pasur e do ta kem gjithmonë për nder.[iii]
    Sipas praktikës së vet, për të kapërcyer me heshtje pikat më të dyshimta të së shkuarës së vet, Enver Hoxha nuk jep asnjë shpjegim se përse ai nuk u bë anëtar i Grupit Komunist të Korçës në kohën që ishte nxënës në Liceun e Korçës. Në librin me kujtime «Kur lindi Partia», Enver Hoxha shkruan:
     Qysh atëherë, kur isha nxënës në Lice, një gjë më binte në sy e këtë ua thosha edhe shokëve të mi të Gjirokastrës si Aqifit e Selamiut:
    -More këta punëtorët e Korçës, megjithëse nuk kanë shkollë, duken të zgjuar, të hedhur, të qeshur në mjerim, s’ përzihen kurrë me djemtë e efendilerëve dhe të arkondëve, të cilëve u futin lloj-lloj të sharash.
    Punëtorët korçarë shkonin në disa kafene të veçanta të dielave, atje ku veja edhe unë ngandonjëherë. Çudi, ata shkonin atje jo për të ngrënë e për të pirë, por për t’ u takuar me njëri-tjetrin e lëvonte muhabeti që ç’ ke me të.[iv]
    Aqif Selfo dhe Selami Xhaxhiu kishin shkuar në Korçë një vit para Enver Hoxhës, kështu që Enver Hoxha mendonte se ata kishin kontakte, të cilat donte t’ i përdorte për të depërtuar në lëvizjen komuniste në Korçë, për llogari të policisë sekrete mbretërore. Për këtë arsye Enver Hoxha shkonte dhe tek ëmbëltorja e Koci Bakos ku mblidheshin punëtorë me bindje komuniste. Enver Hoxha e tregon kështu kontaktin e vet me komunistët korçarë:
     Tek ëmbëltorja e Koci Bakos u njoha me Sotir Gurrën, Gaqo Naston, te Çaloja i pastiçerisë «Kristal» u njoha me Llambi Dishnicën, Petro Papin, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen e të tjerë. Me këtë të fundit u njoha në banjat pranë internatit, isha me «Këmbkën», nofka e Llambi Dishnicës.
    -E mo student, -më thoshin, -ç’ kemi ndonjë të re nga shkolla?
Unë u flisja.
Koci Bakoja një ditë më pyeti:
    -E mbarove atë që të dhashë?- Më kishte dhënë «Manifestin» e mirënjohur Komunist të Marksit e të Engelsit.
    -E lexova,- iu përgjigja, -kam lexuar edhe për Komunën e Parisit dhe për përleshjet e punëtorëve të Parisit me borgjezinë.
    -Atëherë na trego edhe ne,- thoshte Koci dhe më shikonte me ata sy të zez dhe të thellë. Dhe unë filloja.
Njëherë, kur po vazhdoja, Koci më solli një pastë dhe, duke ma ndërur, më tha:
    -Haje!
    -Të falemnderit- ia ktheva,- por s’ kam ta paguaj.
    -Çfarë lekë, more,- ma ktheu Koci,- ne do të luftojmë së toku në barrikada dhe ti më flet për lekë.[v]
    Në rast se do të ishte kështu, atëherë, sipas mënyrës në të cilën vepronin celulat komuniste, Enver Hoxhën duhet ta kishin ftuar të bëhej anëtar i njërit prej grupeve edukative, që vepronin pranë celulave, siç thuhet në librin «Historia e PPSH», të botuar në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet, të cilin e kam cituar më lart. Kështu Enver Hoxha do të bëhej formalisht simpatizant komunist. Pastaj do të bëhej anëtar i njërës nga celulat komuniste. Kredencialet e Enver Hoxhës do të qenë shumë të mira, në rast se ai vërtet kishte përkthyer «Manifestin Komunist» për komunistët korçarë. Pse me Enver Hoxhën nuk ndodhi kështu? Ai nuk jep asnjë shpjegim për këtë gjë. Enver Hoxha nuk u bë anëtar i Grupit Komunist të Korçës, jo se nuk interesohej për komunizmin dhe se nuk donte të bëhej komunist i organizuar, se kjo gjë ishte në sferën e veprimtarisë së tij si agjent i policisë sekrete mbretërore, por se atë nuk e pranuan që të bëhet komunist i organizuar. Liceistët gjirokastritë që studionin në Korçë dhe që ishin lidhur më parë me lëvizjen komuniste korçare, duket se u dhanë komunistëve korçarë të dhëna shumë kompromentuese për Enver Hoxhën, i cili ishte i dyshimtë, pikësëpari për faktin që kishte marrë befas bursë nga regjimi edhe pse nuk kishte qenë nxënës i mirë dhe kishte një kunat armik të regjimit.
    Duket krejt e pabesueshme që anëtarët e Grupit Komunist të Korçës t’ ia kenë besuar për ta përkthyer «Manifestin Komunist» nxënësit Enver Hoxha kur ata kishin në Grupin Komunist të Korçës anëtarë që ishin liceistë, ose që kishin mbaruar liceun. Më e mundshme është që Enver Hoxha duke vepruar si agjent-provokator, të ketë shkuar në ëmbëltoren e Koci Bakos me «Manifestin Komunist» të përkthyer dhe të jetë përpjekur të tërheqë në diskutim për të punëtorët korçarë që njiheshin si komunistë, duke dashur që të infiltrojë në Grupin Komunist të Korçës. Koci Bako, të cilin Enver Hoxha këtu e përmend si prijësin e vet të parë, në rrugën e lëvizjes komuniste, më pas do të rezultojë një njeri shumë i dyshimtë. 
    Kur në shkurt 1939, në Tiranë u mbajt gjyqi i famshëm i komunistëve, ku si të pandehur dolën 73 komunistë nga gjithë Shqipëria, duke përfshirë dhe shumë nga Korça (një nga ata qe dhe kryetari i Grupit Komunist të Korçës, Mihal Lako, i cili doli i pafajshëm?!), Koci Bako nuk ishte njëri prej tyre, edhe pse shumë nga anëtarët e Grupit komunist të Korcës që dolën para këtij gjyqi kishin frekuentuar ëmbëltoren e Koci Bakos. Kjo do të thotë se Koci Bako ishte bërë bashkëpunëtor i policisë sekrete mbreterore, me gjasë i rekrutuar me anë të liceistit Enver Hoxha. Nuk është rastësi që Koci Bako do të ishte i vetmi njeri që do të vritej në demonstratën që u bë në Korçë në 8 nëntor 1941. Në demonstratën që ishte bërë 10 ditë më parë në Tiranë, ku mori pjesë Enver Hoxha, italianët nuk qëlluan me armë, ndërsa në demonstratën e mbajtur në Korçë qëlluan me armë. Dhe u vra një njeri i vetëm, ai që ishte kontakti i parë i Enver Hoxhës brenda Grupit Komunist të Korçës!  
    Në librin tjetër me kujtime «Vite të Rinisë», ku rrëfen edhe për periudhën kur ishte në Liceun e Korçës, Enver Hoxha jep një version tjetër për atë se si i ra në kontakt me komunistët korçarë dhe për episodin kur i dhanë «Manifestin Komunist»: 
     Për sa i përket «Manifestit», ky më ra në dorë në mënyrë ilegale. Kisha një vit në Korçë, njihja mjaft shokë nga qyteti, njihja edhe disa punëtorë. Një të diel, kur po shëtitnim nga Mitropolia, një punëtor nga Korça, më i ri se unë, që nuk ia mbaj mend mirë emrin, megjithëse mund të ishte Foni Thanoja, më tha:
    -Hajde të hamë një pastë te Koci Bakoja.
    Hymë atje dhe i kërkuam Kocit nga një pastë. Koci i tha Fonit:
    -Ç’ e ke këtë student?
    -Është yni, -iu përgjigj Foni.
-Po dilni edhe këndej, o studentë,- më tha Koci,- se mos i bën më të mira pastiçeria «Stambolli»! Apo atje ka pasqyra rreth e rrotull!
    Fjalët e Kocit më dogjën. Të tretën herë që shkova te Koci, s’kishte njeri. Ai m’ u afrua, më solli pastën e zakonshme dhe më tha:
    -Pasta bën një lek, por kjo që do të të jap, është shumë më e ëmbël dhe pa para. Këndoje, përkthehe, mbaje fshehur dhe ma kthe prapë.
    Ishte«Manifesti»! E futa në gji, i shtrëngova dorën Kocit dhe ika. Rrugës për në internat më dukej sikur njerëzit më shikonin dhe më pyetnin: «Ç’ ke në gji?».[vi]
    Këtu Enver Hoxha na jep dhe një të dhënë për kohën se kur ka ndodhur kjo ngjarje, në 1928 (thotë se kishte një vit në Liceun e Korçës), kur ishte 20 vjeç. Ky ishte viti kur në Korçë u krijuan dhe celulat e para komuniste, sipas historiografisë komuniste që e kam cituar më lart, dhe të cilat celula një vit më pas u bashkuan në Grupin Komunist të Korçës. Tito, të cilin Enver Hoxha më pas do ta shpallte armikun e vet kryesor në komunizmin ndërkombëtar, do të bëhej anëtar i partisë marksiste që në moshën 18 vjeç dhe që nga ajo kohë do të ishte një militant partiak dhe punëtor. Ndërsa me Enver Hoxhën që shtirej si më revolucionar dhe komunist se Tito, ndodhi ndryshe.
    Në kujtimet e Enver Hoxhës gjendet ndonjë grimcë që i ka shpëtuar dhe që zbulon se ai në fakt nuk ka arritur të vendosë dot lidhje me komunistët korçarë. Kështu, kur tregon për një protestë që bënë konviktorët e Liceut për ushqimin e keq, protestë në të cilin ai ishte një nga krerët, Enver Hoxha kujton:
    Duhet të mësohemi të sulmojmë në barrikada!- na thoshte në raste të tilla Xhelal Rusi, që ne e merrnim me mend se do të kishte lidhje me dikë nga «bolshevikët», siç quheshin me përbuzje nga arhondët e Korçës punëtorët revolucionarë.[vii]
    Enver Hoxha thotë se kjo ngjarje ka ndodhur kur qenë në klasat e larta të liceut, pra në përfundim të tij. Kështu del se edhe atëherë Enver Hoxha nuk kishte lidhje me komunistët korçarë.
    Në kohën kur Enver Hoxha ishte në Liceun e Korçës ai nuk përmend asnjë episod që të ketë pasur të bëjë me policinë e regjimit, për shkak të bërjes së propagandës komuniste. Në atë kohë vërtet nuk ndalohej disponimi dhe leximi individualisht i librave me përmbajtje komuniste, por shpërndarja e tyre tek të tjerët ndalohej dhe klasifikohej si propagandë komuniste. Sipas kujtimeve të Enver Hoxhës, ky ka marrë pjesë vetëm në protesta për arsye ekonomike në internatin (konviktin) e Liceut, kundër ekonomatit:
    Shumë herë ne grindeshim pse gjellët nuk na gatuheshin si duhet, disa herë ushqimet nuk dilnin me cilësi të mirë, disa herë na vinte sasia e paktë. Prandaj krijuam një delegacion mes të cilëve isha dhe unë, shkuam në drejtori të internatit dhe u qamë. «Stapi», sipas zakonit na trajtoi «si djemtë e tij», por «e keni gabim që qaheni,- na tha,- se ju hani shumë mirë, s’ keni ngrënë kurrë kështu në shtëpitë tuaja; ju jeni bursistë, mbreti bën sakrifica për ju» e të tjera profka dhe kërcënime. Na futi kështu dhe mbretin në mes».[viii]
    Kulmi i këtyre protestave ka qenë refuzimi kolektiv i ushqimit në mensën e internatit, ku Enver Hoxha pretendon se ka pasur rolin kryesor:
     Një herë, dy herë, pastaj një ditë organizuam grevën. Isha unë kujdestar i ditës. Vajta mora në dorëzim ushqimet dhe konstatova se mishi dhe djathi binin erë, gjalpi ishte i paktë. I them Peros:
    -Nuk i marr në dorëzim…
U largova i inatosur, shkova në shkollë dhe bisedova me shokët kryesorë të internatit, me të cilët vendosëm që në drekë të bojkotonim ushqimin e përgatitur. U ktheva më përpara në internat dhe prisja shokët. Kur të gjithë u futëm në oborr, hipa në shkallë dhe u fola internatistëve për gjendjen. Shokët bërtitën:
    -Nuk e hamë gjellën e qelbur.
Nga drejtoria vëzhgonin nga dritarja dhe dëgjonin të bërtiturat dhe zallamahinë e madhe, u frikësuan dhe mbyllën derën me celës, se mos u hynim brenda. Si duket, lajmëruan me telefon komandantin e xhandarmërisë, pse nuk kaluan dhjetë minuta dhe ai erdhi me xhandarë, hyri brenda, duke lënë xhandarët jashtë dhe shkoi drejt e në drejtori. Ne po bërtitnim edhe më keq jashtë. Pas ca kapiteni i xhandarmërisë doli me një letër në dorë, ku ishin shkruar emri im në ballë dhe i tre shokëve të tjerë. Na arrestoi. Shokët bërtitnin, u shtua katrahura në oborr, hynë xhandarët dhe, në mes të një zallamahie të madhe, na çuan në xhandarmëri, po ne protestuam me forcë.
    -More djema, -thoshte kapiteni,- pse bëheni rebelë?
-Ne jemi në të drejtën tonë, me ç’ të drejtë na arrestuat? – iu përgjigja.- S’ kemi ne të drejtë të mbrohemi nga kusarët që na vjedhin bursën që na ka caktuar shteti? Ne nuk pranojmë të hamë mish të qelbur. Ju me këtë që bëtë, doni të bëheni ortakë me kusarët.
    -Hë, mor mbyll gojën ti!- briti oficeri.
-S’ kam pse e mbyll gojën, - i thashë, -bëmë çfarë të duash.
    Çështja u përhap në qytet, profesorët e liceut u alarmuan, lëvoi telefoni, sigurisht me prefektin dhe pas katër orësh na liruan. U kthyem në internat, ku shokët na pritën me gëzim.[ix]
    Por vjedhja e ushqimeve ishte një krim që dënohej nga ligjet e kohës dhe Zogu, për të fituar pikë tek nxënësit, familejt e tyre dhe opinioni publik në përgjithësi kishte interes t’ i ndëshkonte ata që vidhnin ushqimet. Atëherë pse do t’ i bënin presion Enver Hoxhës oficeri i xhandarmërisë? Oficeri i xhandarmërisë ishte i detyruar të regjistronte ankesën e nxënësve dhe të bënte hetime. Në xhandarmëri ai do të thërriste të dy palët. Enver Hoxha ka marrë pjesë në këtë protestë për të fituar pikë që të infiltrojë në rrethet komuniste, por pa sukses. Në rast se ai nuk do të kishte mbrojtje nga policia sekrete mbretërore, ai nuk do të guxonte që të merrte pjesë në këtë protestë, aq më tepër si një nga organizatorët, se do të kishte frikë se mos i prisnin bursën. Gjithsesi, kuptohet se në këtë kohë Enver Hoxha preokupohej vetëm për ushqimin e vet dhe jo për atë të popullit, ndryshe do të ishte bërë anëtar i Grupit Komunist të Korçës, kuptohet, në rast se do ta pranonin atje.
    Në atë kohë, në Korçë, Enver Hoxha do të njihej me Esat Dishnicën, me të cilin do të bëhej mik i ngushtë. Esat Dishnica, ose më saktë Esat bej Dishnica, ishte pinjoll i një familjeje të pasur bejlerësh nga fshati Dishnicë i Korçës. Ai ishte edhe nipi i Aqif Pashë Biçakut, motra e të cilit ishte nëna e Esatit. Esat Dishnica ishte një bej aventurier, ekcentrik (efekti i genit të mallkuar incestuoz të bejlerëve shqiptarë), shumë i pasur, i cili kishte shëtitur Europën me paratë e të atit, gjoja për të studiuar, por nuk kishte arritur të përfundonte dot asnjë nga shkollat ku kishte shkuar. Esat Dishnica e mbante veten edhe për revolucionar e antizogist, por duket se më tepër ishte njeriu i Mbretit Zog, i cili e përdorte për të mësuar se ç’ bënin kundërshtarët e tij politikë. Esat Dishnica ishte tetë vjet më i madh se Enver Hoxha, por i pëlqente të kishte në rrethin e miqve të vet nxëns të liceut, të cilët i afronte me anë të kushërinjve të vet që studionin atje, siç ishte Ymer Dishnica etj. Me këtë Esati kryente misionin që i kishte ngarkuar policia sekrete mbretërore, njëkohësisht kënaqte dhe shijet e veta perverse seksuale, aq të shpeshta tek bejlerët shqiptarë, të cilët geni incestuoz u kishte sjellë çrregullime seksuale, duke qenë një pjesë e madhe e tyre biseksualë. Këta kishin si moto perverse një proverbë turko-arabe që pak a shumë përkthehet kështu: «Penisi është për evlat, bytha është për rehat». Pra, do të thotë se penisi është për të lindur fëmijë, ndërsa bytha është për të provuar kënaqësi nga penisi i ashikëve të tyre, ose për t’ i dhënë vetes kënaqësi duke shëtitur penisin në bythën e ashikëve të tyre. Enver Hoxha, i cili ishte një djalë i ri, i bukur, i gjatë, i përshtatshëm si për dylber edhe për ashik, prandaj tërhoqi menjëherë vëmendjen e Esat Dishnicës të regjur. Që nga ajo kohë ata do të bëheshin miq të pandarë. Esat Dishnica, edhe kur fliste në pleqëri për Enver Hoxhën, thoshte: E ç’ të them më parë. Shoku Enver të mbyste me bukurinë e tij!
    Është sa e habitshme aq edhe domethënëse që Enver Hoxha nuk flet fare për Esat Dishnicën në librin «Vite të Rinisë», ku rrëfen për tre vitet që jetoi në Korçë, në kohën  kur studionte në lice. Enver Hoxha, në libra të tjerë me kujtime, do të thotë se Esatin e kishte njohur që në Korçë, por nuk e saktëson nëse kjo kishte ndodhur kur ai (Enver Hoxha) ishte herën e parë në Korçë si nxënës, apo kur ishte herën e dytë si mësues. Tradita orale korçare thotë se të dy qenë njohur që kur Enver Hoxha ishte nxënës në lice.
    Esat Dishnica e futi Enverin në rrethet e larta të botës së vesit të Korçës, në tavernat, tavolinat e pokerit, shtëpitë publike. Në pjesën muslimane të Korçës, Mbreti Zog kishte si njeriun vet të besuar Faslli bej Frashërin, me të cilin kishte qenë në Vienë. Faslli Frashëri nuk kishte asnjë post, por ai ishte syri dhe veshi i Mbretit Zog në Korçë. Duke qenë një beqar i pasur, Faslli Frashëri, kishte shumë kohë të lirë, të cilën e kalonte kohën në kontakte me njerëz të shtresave nga më të ndryshme nëpër kafene. Duke qenë bej, me një rreth të gjerë familjar, ai kishte akses në rrethet aristokratike muslimane. Por ai e mbante veten për një intelektual liberal, kështu që hynte dhe në rrethet e intelektualëve të rinj muslimanë dhe ortodoksë, profesorë, nëpunës, avokatë. Ai merrte kontakte dhe me liceistët. Të gjithë këtyre, në kafene, apo në shëtitje në bulevard, u bënte leksione të pafundme filozofike dhe politike, nëpërmjet të cilave synonte t’ i përcaktonte ata se çfarë njerëzish qenë dhe të përzgjidhte ata të cilët qenë të përshtatshëm, në sensin e misionit që atij i kishte ngarkuar regjimi. Në rrethin e Faslli beut hyri dhe nxënësi Enver Hoxha.
    Enver Hoxha në atë kohë nuk kishte ide politike, por kishte një ide të qartë për ta përdorur politikën në mënyrë që të siguronte benefice për veten, ashtu siç bëri edhe më pas kur erdhi në pushtet. Praktikisht ai do ta përdorte politikën, në atë mënyrë siç e patën përdorur brez pas brezi fenë islame në familjen e tij. Në fakt ai kishte filluar që ta bënte këtë gjë.
    Në kujtimet e veta ai tregon se nga mësimi i historisë në Liceun e Korçës i ka bërë përshtypje të madhe Revolucioni Francez, nga mësimi i të cilit veçon, në mënyrë domethënëse, këtë përshtypje:    
     Kur filluam studimin e epokës së Revolucionit Francez, epoka më e rëndësishme dhe më interesante e historisë franceze, kujdesi e vëmendja jonë ishin shumë të mëdha… Ndiqja me mendje kokat, që nga ajo e Luigjit të 16-të dhe deri te koka e revolucionarit, të pakorruptueshmit Robespier, që ua priste gijotina dhe binin në shportë… Por mbi të gjitha unë doja jakobinët, Robespierin e Sen Zhystin, pse ishin të drejtë, patriotë e të rreptë kundër feudalizmit dhe monarkisë, të rreptë kundër fraksioneve reaksionare të borgjezisë që po ngjitej.[x]
    Kokëprerja duket qartë se e entuziazmonte Enver Hoxhën, këtë shpirt oriental, të mbrujtur në një mjedis osman ku kishte një traditë të pasur të kokëprerjes, por për motive krejt të tjera nga ato të Revolucionit Francez. Prej fragmentit të cituar më lart kuptohet se Enver Hoxha, nga mësimi i Revolucionit Francez mori aspektin e tij sipërfaqësor dhunën spektakolare, por jo idetë e tij. Ai e perceptoi Revolucionin francez në atë mënyrë që do ta kishte perceptuar edhe Haxhi Qamili po ta kishte njohur atë. Enver Hoxha, kishte ndaj të pasurve një ndjenjë zilie, që shkonte në urrejtje. Si të gjithë njerëzit e varfër Enver Hoxha e shikonte atë që mund të quhet përdorimi i pasurisë nga njerëzit e pasur në mënyrën e tyre të jetesës, si një sfidë që i bëhej atij personalisht, si një gjest arrogance. Me këtë Enver Hoxha edhe pse nuk ishte komunist, kishte premisën për t’ u bërë komunist. Ai ishte një antipasanik, një  pasanikofob, nëse mund të shprehem kështu. Ai do të kënaqej nëse edhe në Shqipëri kokat e pasanikëve do të binin në shportë si në Francë, në kohën e Revolucionit.
    Por Enver Hoxha nuk ishte kundër shoqërisë me klasa, apo kundër njerëzve të pasur në përgjithësi. Ai i urrente pasanikët se nuk ishte njëri prej tyre. Kjo u provua më pas kur ai erdhi në pushtet dhe ndërtoi një despotizëm oriental klasik, ashtu siç thyhej në prizmin e ideologjisë komuniste, duke u bërë vetë pronari i vetëm i gjithçkaje në vend, deri edhe tek jeta e njerëzve. Enver Hoxha, për shkak se ishte i varfër, sigurisht që e shikonte me simpati komunizmin, se tek komunizmi shikonte përmbushjen e urrejtjes së vet ndaj të pasurve. Megjithatë Enver Hoxha nuk u mor seriozisht me komunizmin që në rini, nuk krijoi një grup komunist në Gjirokastër, kur thotë se u njoh me komunizmin, gjë që nuk ka arsye pse të mos jetë e vërtetë, për shkak se komunizmin e shikonte si një utopi të kotë, e cila nuk i siguronte përfitime të momentit. Gjithë jetën e vet Enver Hoxha ka bërë gjëra që i kanë sjellë përfitime të momentit. Kur pas se komunizmi i sillte përfitime të momentit, nëpërmjet policisë sekrete mbretërore, si një bursë për në Liceun e Korçës etj., ai filloi të merret me komunizmin. Ky do të ishte edhe më pas raporti i tij me komunizmin deri në fund të jetës.
    I vetmi aktivitet politik i Enver Hoxhës në kohën kur ishte nxënës në Liceun e Korçës qe një lloj paljaçate, ku ai shfaqte natyrën e vet prej komediani. Ja se si e rrëfen Enver Hoxha këtë në kujtimet e veta:
    «Me Xhelalin organizonim edhe 'mitingjet' për doktor Zografin. Ky ishte një burrë 50-60 vjeç, i shkurtër dhe i hollë nga fytyra dhe nga trupi. Kishte edhe një mjekër me majë, vishej me redingotë dhe me bombe, me pantallona me vija, kurse ditët e festave vinte një kapelë cilindër. Ishte qesharak dhe ca i lehtë, prandaj si borgjezia e Korçës, edhe autoritetet e vendit, e tallnin. Për të shëruar të sëmurët nuk e merrte njeri. Mirëpo doktori kishte një mani: donte të zgjidhej deputet dhe bile jo dosido, por deputet i opozitës. Ai hiqej dhe në të vërtetë ishte një demokrat liberal, ndjenja këto që i shfaqte haptazi. Doktori kishte maninë e fjalimeve, mirëpo në fjalime rrokulliste edhe shkëmbinj, jo haptazi për Zogun, po për gjithë njerëzit e tij në Korçë. Kështu që rreth doktorit autoritetet dhe borgjezia kishin bërë karantinë. Ne studentët e Liceut me Xhelalin në krye, herë me shaka e herë me seriozitet, e ndihmonim doktorin të fliste. Kur vinte Dita e Flamurit, sidomos, autoritetet përgjonin se mos dilte doktori e niste nga të tijat. Doktori nga ana e tij këto momente mezi i priste. Pispillosej me frak, me cilindër, me bastun dhe me një dekoratë që nuk e mbaj mend se kush ia kishte dhënë, dhe shkonte drejt ku mbahej mitingu, në ballkonin e shtëpisë së Sugarit, përballë Shëngjergjit. Rojat nuk e linin të hynte brenda, prandaj ai kacafytej me ta te dera. Në atë kohë, në mes të zallahisë, ndërhynim ne, e rrëmbenim doktorin dhe fshehurazi ngjiteshim ca më lart në ballkonin e një kafeneje me bilardo, ku pritnim sa të mbaronte ceremonia zyrtare. Me të mbaruar kjo, e nxirrnim doktorin në ballkon dhe ky ia fillonte fjalimit. Halli ishte se nuk e linte njeri të fliste, kush fërshëllente, kush bërtiste: «Ujë doktorit!».[xi]
    Duket se Enver Hoxhën e shtynte natyra e vet prej komediani drejt doktor Zografit. Por duhet të ketë pasur edhe diçka tjetër në këtë mes, se doktori njihej si homoseksual. Duket se Enver Hoxha nuk i reziston dot natyrës së vet prej komediani, se tregon edhe më tepër për këtë histori:
     Më vonë doktori desh na pësoi një fatkeqësi: për pak u mbyt në liqenin e Pogradecit! Vëllai i doktor Polenës, edhe ai doktor, u martua, bëri dasmë dhe po atë natë, ashtu të pirë siç ishin, morën edhe doktor Zografin dhe shkuan në Pogradec të vazhdonin ahengun. Ia hipën të tërë varkës dhe u mbytën, vetëm doktor Zografi shpëtoi për mrekulli.
    -S’ e gjen gjë paranë kallp!- thoshin korçarët.
Të nesërmen e dasmës, natyrisht, ne miqtë e doktorit, shkuam në shtëpinë e tij ta uronim që shpëtoi. Por ai ishte dhe komik në kulm. I kishte hipur një të verdhë në fytyrë dhe ashtu si kokall që ishte, na doli vetëm me të mbathura dhe me një batanije të vjetër në krahë.
    -Shyqyr që shpëtove, doktor!- i thamë.
    -Nuk thoni shyqyr që i shpëtoi Shqipërisë një njeri i madh! Ç’ e do, - vazhdoi,- unë shpëtova, po dekorata vate, më ra në gjol dhe kjo më ka pikëlluar se nuk gjej dot kopje ta zëvendësoj!
    Nga frika doktorit i kishin ikur dhe ato pak tru që kishte.[xii]
    Mirë doktori që nuk kishte mend, dhe ishte në punën e vet, po Enveri me shumë mend, pse merrej me të? Enver Hoxha nuk e thotë në kujtimet e veta, por doktori ishte mik i ngushtë i Esat Dishnicës, me të cilin kishin patur shumë aventura në Greqi.
    Në vitin e parë të shkollës së Enver Hoxhës në Korçë, ranë dy koka francezësh në «shportë». Atë vit vdiqën drejtori francez i Liceut Baji Komti, si dhe drejtori tjetër që e zëvendësoi atë, Victor Kutan.[xiii]A mund të konsiderohet kjo si shenjë se Franca po paguante çmimin për atë që po përgatiste diktatorin e ardhshëm komunist të Shqipërisë?
    Enver Hoxha, në kujtimet e veta, nuk heziton të japë provë që tregojnë drejtësinë e përcaktimit që i ka bërë atij Dolores Ibarruri. Kur rrëfen për një sëmundje të gjatë që pësoi kur ishte në Liceun e Korçës, për të cilën nuk jep hollësi, ai shkruan: 
     Në internat nuk kishte infermieri në kuptimin e vërtetë të fjalës, kështu që erdhi më mori kujdestari im, patrioti Ramiz Shehu, miku i babait tim, më çoi në shtëpinë e tij, ku ndenja disa javë sa u shërova.[xiv]
    Ramiz Shehu, kujdestari i Enver Hoxhës (kishte një rregull që çdo nxënës i liceut ishte nën kujdestarinë e një familjeje korçare të cilën e kishte gjetur familja e nxënësit) ishte një gjirokastrit që ishte gjykatës në Korçë. Ramiz Shehu ishte babai i Masar Shehut, një nga komunistët e rëndësishëm në kohën e themelimit të PKSH dhe pas saj, i cili më pas do të trajtohej keq nga Enver Hoxha, edhe pse nuk do të arrestohej apo internohej.
    Tradita orale korçare thotë se kur Enver Hoxha erdhi në Korçë si nxënës në lice, disa gjirokastritë që jetonin në Korçë bënin shaka me ish-komitin e çetës së Çerçiz Topullit, Mihal Gramenon, i cili jetonte në qytetin e Korçës, duke i thënë se në Korçë kishte ardhur i biri i bimbashit, prandaj duhet të ruhej. 
    Një ironi e madhe do të ishte sikur mbi Enver Hoxhën të zbatohej teoria që ai përdor për rininë e Mehmet Shehut. Enver Hoxha në kujtimet e veta flet me shumë simpati për drejtorët francezë të Liceut të Korçës, ku ai ka studiuar. Ndërsa drejtorin e shkollës teknike amerikane, Harry Fultz, e quan një njeri të spiunazhit amerikan, dhe që kishte ardhur në Shqipëri për të rekrutuar dhe përgatitur agjentë, posaçërisht ndërmjet nxënësve të shkollës që drejtonte. Mehmet Shehun, Mustafa Gjinishin etj., Enver Hoxha i quan agjentë të Fultz, të cilin e quan shef të spiunazhit amerikan në Shqipëri. Pse për francezët homologë të Fultz, Hoxha nuk ka këtë pikëpamje, kur edhe Franca kishte një spiunazh shumë të vjetër dhe me përvojë? Atëherë Franca ishte aleate e ngushtë e Jugosllavisë monarkiste të dominuar nga serbët, dhe Beogradi kishte interesa të mëdha në Shqipëri, kështu që spiunazhi jugosllav me siguri që do t’ i kërkonte atij francez ta asistonte në Shqipëri. Dhe liceu francez në Shqipëri mund të bëhej për jugosllavët një vend i mirë për rekrutim agjentësh me anë të drejtorëve dhe mësuesve francezë. Kështu, po të përdorim teorinë e Hoxhës për Shehun, atëherë del që Hoxha është rekrutuar nga shërbimi sekret francez për llogari të atij serb, që në ato «Vite të Rinisë»- sipas titullit të librit me kujtime të Enver Hoxhës- kur ishte në Liceun e Korçës.


II
Studenti i dështuar, polic i suksesshëm

    Aspiratat e Enver Hoxhës për të ardhmen në moshën 22 vjeçare, kur mbaroi Liceun e Korçës nuk qenë asfare ato të një revolucionari, të një militanti komunist, që ka si imperativ në jetë veprimtarinë revolucionare, por, nëse do të shprehem në terma komuniste që i përdorte ai më pas për të përcaktuar të tjerët, qenë ato të një mikroborgjezi, i cili shikon interesin e vet të ngushtë. Ai shkruan:
     Kuptohet ëndrra ime ishte të shkoja në Francë, në universitet. Dëshira ime e madhe ishte të mësoja o për letërsi, o për histori-gjeografi. Në këto lëndë kisha prirje dhe isha i bindur se do të dilja me sukses dhe do të bëhesha profesor i shkollës së mesme. Mirëpo çdo gjë varej nga fakti nëse do të më jepnin bursë, se plaku ishte «kripë», s’ mund të përballonte shpenzimet as për dy muaj jashtë, jo më për tre vjet. Pra, edhe i gëzuar isha që mbarova shkollën, por edhe i shqetësuar shumë, se si do të më shkonte halli më tej». [xv]
    Shihet qartë se Enveri 22 vjeçar nuk ka mendime prej revolucionari profesionist. Ai dallon shumë nga homologët e vet, diktatorët e vendeve komuniste që do të vinin në pushtet pas LDB, si dhe Lenini e Stalini, të cilët qenë bërë revolucionarë profesionistë që në rininë e hershme. Enver Hoxha kishte dy gjëra që duhet ta pengonin të fitonte një bursë. E para bursë nga shteti për të studiar jashtë vendit merrnin vetëm ata që kishin dalë me nota shumë të mira. Ai nuk kishte dalë me nota shumë të mira, gjë që e pranon dhe vetë. Ai shkruan për rezultatet e veta në mësime, në Licen e Korçës:
     Fizika më pëlqente dhe në këtë lëndë isha nxënës i mesëm, kurse kimia më dukej abstrakte. Formulat dhe kombinimet e tyre nuk i kuptoja siç duhej, prandaj edhe këtu çaloja, si në matematikë.[xvi]
    Si kështu, edhe i pëlqente fizika, edhe ishte nxënës i mesëm? Për notat me të cilat e përfundoi bakaloreatin (maturën) në Liceun e Korçës shkruan:
     Unë kalova mirë në të gjitha, në matematikë që kisha frikë, kisha një notë të kalueshme, në të tjerat shumë mirë dhe mirë. Kur them shumë mirë dhe mirë, duhet të kuptohet se rrallë e tek merrej në Lice nota 20, bile edhe 18 ose 17. «Nota 20, thuhej në Lice është e perëndisë, 17 është e profesorit, kurse nga nota 16 e poshtë fillon resti për nxënësit».[xvii]
    Enver Hoxha këtu qartësisht ekzagjeron, për të justifikuar notat e ulta që kishte, se nëse nota 20 ishte e rrallë, 18 dhe 18 nuk qenë kështu. Në lice nota më e ulët kaluese ishte 9, ndërsa me notën 8 nuk kaloje. Sipas atyre që thotë Enver Hoxha më lart, del se kur ai thotë se në ndonjë lëndë ka marrë notë shumë të mirë, atëherë del se ka marrë 16, ndërsa kur thotë se ka marrë notë të mirë, atëherë ka marrë nota si 15 apo 14. Ndërsa në matematikë dhe kimi duket se ka marrë vetëm notë kaluese. Me këto nota të ulta, të cilat ai i pranon vetë, nuk mund të fitoje bursë shtetërore për të studiuar jashtë vendit. Arsyeja e dytë, për të cilën ai nuk mund të fitonte një bursë të tillë është se ai ishte i kunati i një kundërshtari politik të regjimit që ishte emigrant politik. E megjithatë Enver Hoxhës iu dha një bursë nga regjimi për të studiuar në Francë. Ai përpiqet të tregojë se edhe këtu regjimi u soll me të padrejtë me të:
     Më në fund dolën listat e fituesve. Gëzimi im ishte në kulm. Më jepej një bursë për histori e gjeografi për në qytetin Monpelje të Francës! U hodha përpjetë nga gëzimi. Atyre që u doli bursa, u doli emri në një listë që u botua edhe në gazetë.
Pas disa ditësh shkova në ministri që të bëja formalitetet e duhura, kur më ngriu në vend lajmi:
    -Ty t’ u hoq bursa dhe iu dha një tjetri!
Merret me mend ç’ dëshpërim ishte kjo për mua.[xviii]
    Heqja e bursës të marrë me të padrejtë, ishte gjëja më e natyrshme që mund të bëhej me notat që kishte Enver Hoxha. Ai e rrëfen kështu reagimin e vet:
     Fillova të bërtisja se «po bëhen hatëre, se bursa ime iu dha të tjerëve që kishin hatër, se unë nuk largohem nga ministria pa u vënë në vend padrejtësia, dhe vendimi i parë i deklaruar zyrtarisht në gazetë» etj. Me një fjalë bëra potere, pse njeri nuk kisha kush të më ndihmonte.[xix]
    Por si ishte e mundur që, një nxënës as mesatar, i cili për më tepër ishte kunati i të arratisurit politik Bahri Omari, gjë për të cilën Enver Hoxha thotë se regjimi e shihte me sy të keq, bënte potere në Ministrinë e Arsimit për një bursë! Imagjinoni që në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet një njeri i tillë të bënte potere në Ministrinë e Arsimit për një bursë jo për jashtë vendit, por për brenda vendit! Nëse iu hoq bursa, kjo ndodhi qartësisht se me notat që kishte nuk e meritonte. Por megjithatë Enver Hoxha e mori bursën. Ai kujton:
     Më në fund fitova. Më thirri sekretari i përgjithshëm i ministrisë dhe më tha:
    -Mor djalë, u bë një gabim me ty, bursa jote për gjeografi iu dha një tjetri, por ty do të japim një bursë për shkencat natyrore! Nuk e dimë në e pranon këtë degë, po unë të këshilloj ta pranosh, ndryshe mbete pa gjë![xx]
    Në degën e shkencave natyrore në universitetin ku fitoi të drejtën të shkonte Enver Hoxha,  mësohej fizikë, kimi, botanikë, matematikë, gjeometri dhe ata që diplomoheshin atje përgatiteshin si mësues për shkollat e mesme. Fakti që i dhanë një bursë për shkencat natyrore e bën misterin edhe më i madh, për shkak se ai e kishte mbaruar Liceun në klasën e filozofisë (klasike) dhe në shkencat natyrore ishte i dobët, siç e pranon dhe vetë. Liceu francez i Korçës, në dy klasat e fundit, ose bakaloreati ndahej në dy degë, reale (me theks nga shkencat natyrore) dhe klasike (me theks nga shkencat humanitare). Enver Hoxha ishte në degën e shkencave humanitare. Ai u bë bacheler në klasën e filozofisë. E megjithatë e fitoi një bursë për të studiuar në degën e shkencave natyrore, ku kishte rezultate të dobta. Kjo gjë normalisht ishte e pamundur. Ata që i dhanë Enverit bursë për të studiuar në universitet, nuk duhet të jenë habitur që ai nuk arriti të kalonte as vitin e parë të universitetit, derisa ai kishte pasur nota të dobta në shkencat natyrore. Enver Hoxha shkruan në kujtimet:
     Kam pasur e kam respekt e dashuri të madhe për shkencat e natyrës, jo më tani, por qysh atëherë. I njihja bukurinë, forcën dhe rëndësinë e tyre, e dija në përgjithësi se ç’ progres kishin sjellë e sillnin ato për njerëzimin. Por, pavarësisht nga ky respekt për këto shkenca, pasioni im, dashuria e prirja ime qëndronin te shkencat shoqërore, te historia, letërsia, jurisprudenca. Ua thashë këtë memurëve të ministrisë, por ata u bënë më memurë se ç’ qenë.
    -Në dac shko për shkencat natyrore,- më thanë,- në daç, kthehu në Gjirokastër.[xxi]
    Këtu duhet thënë se, në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet, do të qenë instancat e pushtetit të cilat i caktonin çdo njeriu që mbaronte shkollën e mesme degën se ku do të studionin në shkollën e lartë, pavarësisht nga prirjet e tij, dhe kjo për të studiuar brenda vendit, se  jashtë vendit me studime mund të shkonin vetëm bijtë e aristokracisë së re komuniste. Në vitin 1930, Enver Hoxha nuk mund ta merrte bursë nga Ministria e Arsimit, për të studiuar në universitet për shkenca natyrore, përveçse me rekomandimin e Ministrisë së Brendshme, ose më saktë të policisë sekrete mbretërore. Enver Hoxha do të shkonte në Francë si spiun i policisë sekrete të regjimit tek studentët shqiptarë dhe emigracioni politik. Enver Hoxha vetë thotë se regjimi çonte agjentë të vet si spiunë në rrethet e studentëve në Francë, ku studionin pjesa më e madhe e shqiptarëve në atë kohë. Enver Hoxha kujton se, kur shkoi në Monpelje dhe po i fliste për për komunizmin një studenti, Eqrem Hados, ky i fundit i thotë:
    -Ki mendjen, mos fol hapur me të gjithë, se kemi edhe të këqinj në mes tonë, që bëjnë raporte në Tiranë! Ruhu nga Selim Damani e Foto Bala, pse janë ata që të buzëqeshin, por ta ngjeshin dhe të pritet bursa.[xxii]
    Enver Hoxha mund të ketë folur vërtet për komunizmin me studentët, se kjo ishte në praktikën e punës së agjentit- provokator, që i nxit të tjerët të shprehin opinionet e tyre. Është interesante se Enver Hoxha thotë se paralajmërimin e ka marrë nga Eqrem Hado, i cili nëntë vjet më pas, në 1939, do të ishte anëtar i trupit gjykues në gjyqin e komunistëve, që u mbajt në Tiranë. Eqrem Hado ishte një njeri me bindje antikomuniste, prandaj nuk mund të kishte folur kështu. Enver Hoxha në kujtimet e veta, ashtu si dhe në praktikën e pushtetit të vet, ndjek një metodë të cilën e përdorte dhe Stalini dhe të cilën studiuesi i Stalinit, ish-funksionari sovjetik i arratisur në Perëndim Abdurahman Avtorkhanov, në librin best seller «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias» e përshkruan kështu:
     Stalini e kishte zakon që t’ u vishte armiqve të tij qëllimet e veta kriminale. Historia e luftës së tij për të hipur në fronin e Leninit është e mbushur plot me shembuj të tillë. Edhe më vonë taktika e tij mbeti e pandryshuar.[xxiii]
    Enver Hoxha, në kujtimet projekton tek viktimat e veta bëmat e veta kriminale. Që ai ka shkuar me mission në Francë kjo kuptohet dhe nga fakti se ai me të ardhur në Monpelje, shkon në Paris, të marrë kontakte me studentët shqiptarë. Për këtë shkruan në kujtimet e veta:
     Në Paris kisha qenë edhe në vitin e parë të vajtjes sime në Francë. Më kishin ftuar shokët që studionin atje, të cilët më mbajtën disa ditë… Ato ditë fjeta te studenti Abaz Omari, djali i çupës së xhaxhait tim, të cilit më vonë, kur filloi Lufta Nacional-Çlirimtare, i bëmë thirrje të bashkohej me ne dhe të luftonte kundër okupatorëve, por ai u bashkua me Ballin, luftoi kundër popullit dhe më së fundi forcat tona e kapën dhe iu dha dënimi që meritonte.[xxiv]
    Për këtë udhëtim të vetin të parë në Paris, Enver Hoxha nuk tregon asgjë, nuk thotë se mori kontakte me komunistë shqiptarë që gjendeshin atje. Ai ka shkuar në Paris si turist, kuptohet veç misionit të vet policor. Edhe në ato që tregon më lart për Abaz Omarin, Enver Hoxha jep një provë se përcaktimi që i ka bërë atij Dolores Ibarruri, si qen që kafshon dorën e atij që e ushqen, është shumë i saktë. Enver Hoxha vazhdimisht në kujtimet e veta flet për njerëz që i kanë bërë të mira atij, por për veten nuk thotë se i ka bërë kujt një të mirë, kur ishte në vështirësi, me aq mundësi sa kishte.
    Për kontaktin e vet me komunizmin në Francë, Enver Hoxha, tregon një histori ku ve në punën talentin prej komediani. Ai shkruan për këtë gjë:
     Në Francë dhe konkretisht për mua në Monpelje, kishte një fushë të gjerë dhe të lirë për të mësuar marksizëm-leninizmin, për t’ u njohur më mirë me luftën dhe me jetën në Bashkimin Sovjetik të Leninit dhe të Stalinit. Seksioni i Partisë Komuniste Franceze për monpeljenë kishte një kiosk të veçantë ku shiste libra dhe broshura mbi Marksin, Engelsin, Leninin, fjalime të Stalinit etj. Atje shiteshin të shtypura në broshura komente që i bënte vetë partia shumë të kuptueshme, pse i përgatiste për punëtorët e për komunistët e thjeshtë dhe, doemos ato ishin aq të nevojshme dhe të domosdoshme edhe për mua, studentin e ri me zemër komuniste. Materiale të tilla zakonisht i blija, pse partia i shiste lirë, ndërkohë, kur arrita të njihem me klubet e punëtorëve që drejtonte Partia Komuniste franceze, shumë materiale të tjera të shkurtra më jepeshin pa pare dhe i studioja me zell. Kur kishte probleme që nuk i kuptoja, shkoja dhe kërkoja shpjegime te kiosku. Ai që shiste, s’ kishte kohë për sqarime, po më jepte adresën e një kafeneje të humbur në periferi dhe më thoshte:
    -Shko atje, gjej shokun Marsel dhe kërkoi atij të t’ i shpjegojë, pse ai është propagandist i partisë!
Kështu arrita të bëhem frekuentues i rregullt i librarive, i klubeve punëtore, i diskutimeve që zhvilloheshin atje dhe, nga të gjitha këto, çdo ditë e më mirë mësoja atë shkencë që për mua u bë një qëllim i jetës dhe e vija mbi shkencat e tjera të universitetit. Fillova të marr kështu në dorë armën e mprehtë të luftës revolucionare. Mora kontakt si lexues me shumë njerëz të Partisë Komuniste Franceze.[xxv]
    Por, ata që vepronin kështu bëheshin anëtarë të Partisë Komuniste të Francës (PKF), siç bënë shumë studentë shqiptarë, ndër të cilët edhe Ymer Dishnica, të cilin Enver Hoxha më pas do ta denigronte. Në «hagiografinë» Enver Hoxhës nuk mund të mbushet vakuumi i dukshëm i mungesës së veprimtarisë së tij komuniste në vitet që ishte në Francë. Enver Hoxha nuk shpjegon se përse nuk u bë anëtar i PKF. Enver Hoxha, kur ishte për studime në Francë, me siguri që ka dashur të bëhet anëtar i PKF. Hyrja në Partinë Komuniste të Francës ishte një synim në punën e tij si agjent i policisë sekrete mbretërore. Por, sipas rregullave që kishte PKF, për t’ u bërë anëtar i saj, Enver Hoxha duhej të siguronte rekomandime nga anëtarë shqiptarë të PKF të cilët e njihnin atë, dhe dilnin garant për të, ose nga shqiptarë të lidhur me Kominternin. Derisa Enver Hoxha nuk u bë anëtar i PKF, ai qartësisht nuk i siguroi dot  rekomandimet e nevojshme. Ai nuk arriti të siguronte rekomandime, se e shikonin si njeri të dyshimtë, meqënëse kishte marrë bursë nga Zogu, pa pasur notat e duhura, dhe duke qenë kunati i një të arratisuri politik. Sa për blerjen dhe studimin prej tij të botimeve komuniste franceze, kjo ishte në funksion të punës së vet si agjent i policisë sekrete mbretërore. Enver Hoxha, duke ndjerë nevojën që të shpjegohet në një farë mënyrë se përse nuk u anëtarësua në PKF, thotë diçka mjaft domethënëse dhe kompromentuese për veten:
     Nuk mund të them se qysh në ato momente përcaktova prerë si rrugë të jetës sime atë të njeriut të politikës dhe as e kisha të qartë se si e çfarë do të bëja në të ardhmen.[xxvi]  
    Kështu, Enver Hoxha pohon se në moshën 22 vjeç kur shkoi në Francë me studime, dhe në vitet që pasuan, kur ishte student, ai ende nuk e kishte vendosur se do të bëhej një revolucionar komunist. Në mënyrë të pamohueshme ka një paradoks ironik dhe domethënës në atë Enver Hoxha më pas, kur erdhi në pushtet, do të pretendonte se ishte bartës i ortodoksisë komuniste, në emër të së cilës do të jepte verdikte në rang ndërkombëtar, duke i akuzuar si tradhtarë të komunizmit shumë liderë të tij me karrierë të pasur revolucionare komuniste që në rininë e hershme. Por vetë Enver Hoxha, në vitet e njëzeta të jetës, nuk ishte më tepër se një mikroborgjez! Kjo tregon se roli prej bartësi të ortodoksisë komuniste që ai luajti kur ishte në pushtet, ishte në fakt një tjetër rol prej komediani.
    Enver Hoxha u çua jashtë vendit nga policia sekrete mbretërore jo vetëm për të mbikqyrur dhe spiunuar studentët shqiptarë në Francë, por me një mision më të gjerë. Duke qenë kunati i Bahri Omarit, ai kishte mundësi të hynte në lidhje me emigracionin politik antizogist shqiptar dhe t’ i raportonte për të policisë sekrete mbretërore. Ai shkruan në kujtimet:
     Këtu desha vetëm të përmend shkurtazi se më 1930, kur shkova për herë të parë në Bari, ashtu dhe më pas, sa herë më binte rruga të ndalja aty, Bahri Omari si njeri nuk dukej i keq, përkundrazi ishte i sjellshëm. Motra dhe ai bënin çmos të më kënaqnin jo vetëm në çështjen e ushqimeve, por edhe me ndonjë palë rroba, me ndonjë palë këpucë apo ndonjë këmishë që më blinin. Kur  m’ u pre bursa në Francë dhe ndodhesha në Paris, i kërkova motrës dyqind franga franceze. Ajo dhe Bahriu m’ i dërguan menjëherë. [xxvii]
    Kunatin Enver Hoxha nuk e përdorte vetëm për të siguruar kontakte në emigracionin politik, por edhe për përfitime materiale. Enver Hoxhës nuk i mjaftonin paratë, edhe pse veç bursës merrte rrogë edhe nga policia sekrete mbretërore. Kjo është e kuptueshme. Duke parë fotografitë Enver Hoxhës të asaj kohe, të botuara nga vetë ai kur erdhi në pushtet, duket qartë se ai shpenzonte shumë para për veshje, duke dashur të dukej si një njeri mondan, një gjë që e bënte edhe kur ishte në pushtet. Merret me mend se një njeri i tillë i veshur mondan, shpenzon para edhe për kafene të shtrenjta, restorante etj. Një episod që Enver Hoxha tregon në kujtimet e veta na zbulon rolin e vet prej agjenti-provokator në emigracionin politik antizogist:
     Kur isha student në Francë, qoftë kur vija për pushime në Shqipëri, qoftë kur kthehesha, ndaloja si në Bari, ku merrja vaporin, ashtu edhe në Paris. Gjatë këtyre ndalesave tranzit më ka rastisur të jem dëshmitar okular i jetës së tyre. Kam qenë disa herë, bie fjala, në kafe «Stopani» në Bari, që ishte ndër kafenetë me «nam» të këtij emigracioni, ku mblidheshin «onorevolet», ish-deputetët dhe pjesëtarët e tjerë të «opozitës zogiste», si Bahri Omari, sheh Karbunara, Muharrem Vllamasi, Qamil Çela, që e mbanin si «kuqalash», një oficer i quajtur Lekë Margjini e të tjerë si këta... Kur kthehesha nga Franca për të shkuar në Shqipëri i pyesja «onorevolet»: «Ç’ kemi nga Shqipëria?» Por asgjë për të qenë nuk mësoja nga ata veç thashethemeve e kronikave skandaloze të regjimit.
    Mbaj mend, një herë i gjeta në humor të madh.
    -Punët shkojnë birinxhi!- më thonë.
    -Çfarë ka ngjarë?- i pyes.
    -Zogu,- thotë Shehu,- është duke vdekur. Kemi lajme të sigurta se ka kancer dhe dy doktorë të mëdhenj kanë shkuar nga Viena ta ekzaminojnë.
    -Or Baba Sheh,- i them,- kemi ndonjë organizim nga brenda t’ ia ngremë këmbët, pa lere këtë!
    Shehu më pa në sy dhe tha:
    -Po... edhe kemi, por ju kuqalashët të tëra doni t’ i dini dhe neve ato tuajat na i fshihni!- dhe shihte nga Qamil Çela që e mbanin si komunist.[xxviii]
    Këtu Enver Hoxha qartësisht bën punën e agjentit- provokator, duke dashur të mësojë planet e emigrantëve politikë për përmbysjen e regjimit në Shqipëri. Gjithashtu, Enver Hoxha, në kujtimet e veta rrëfen për një takim me Ali Këlcyrën në Paris, kur ishte student në Francë:
     Më kishte rënë një herë rasti të takohesha me «feudalin» demokrat përpara luftës, kur isha student në Francë. Më duket se kthehesha nga Shqipëria, ku kisha qenë për pushime dhe në Bari kisha takuar Bahriun, i cili më kishte dhënë një letër për Ali Këlcyrën që banonte në Paris. Sipas adresës që më kishte dhënë Bahriu, i vajta beut në shtëpi. Kishte një apartament shumë të mirë, gjë që më bëri përshtypje e m’ u duk e çuditshme për një emigrant. Aliu më priti ftohtë e me fodullëk e mezi më futi në sallon. Vetëm kur mori vesh se kush më kishte dërguar, e ndryshoi tonin, më dha një cigare e i ra ziles për të thirrur shërbëtoren franceze, së cilës i tha të më bënte një kafe. Gjatë kohës që piva kafenë më pyeti për çfarë studioja e ç’ kishim nga Shqipëria. Beu i Këlcyrës më dëgjonte me indiferentizëm e si me bezdi. Atëherë dhe unë i qëndrova akull dhe pyetjeve të tjera iu përgjigja fare shkurt dhe, me të pirë kafenë, u ngrita e ika. Që atëherë nuk ia kisha parë fytyrën as jashtë, as në Shqipëri, kur erdhi bashkë me pushtuesin.[xxix]
    Bahri Omari, i cili në atë kohë jetonte në Itali, letrën mund ta çonte me postë, përveçse nëse ishte konspirative. E nëse letra ishte konspirative, ajo kishte rënë pikërisht në dorën që nuk duhej, duke rënë në dorën e Enver Hoxhës. Me këtë shpjegohet edhe qëndrimi i ftohtë dhe dyshues i konspiratorit të regjur Ali Këlcyra ndaj Enver Hoxhës.
    Në kohën që Enver Hoxha ishte student në Francë, si të vetmin episod të veprimtarisë së vet prej revolucionari tregon një rast kur ishte me pushimet e verës, në Gjirokastër, në vitin 1932, në kohën e Lëvizjes së Vlorës, kur pretendon se ai ka shkruar parulla antizogiste në qytet, në mbrojtje të të arrestuarve dhe për këtë gjë është arrestuar:
     Shumë u përpoq një prefekt i poshtër i Zogut, Qazim Bodinaku, të na fuste në burg, kjo për pak u arrit në vitin 1932 kur po bëhej gjyqi i «komplotistëve të Vlorës», të cilët u dënuan ashpër nga Zogu.
Isha kthyer nga Franca për pushimet e verës kur morëm vesh se ishte zbuluar e ishte arrestuar një grup i fshehtë që përgatitej të rrëzonte Ahmet Zogun. Në Gjirokastër ne shkruam në mure: «Në rast se ata pushkatohen, atëherë populli do të ngrejë krye, do të pëlcasë revolucioni». Me këtë rast mua, Enver Zazanin, Selahudin Kokonën, Selami Xhaxhiun dhe disa shokë të tjerë, që njerëzit e regjimit na kishin në sy, na arrestuan dhe na mbyllën në burgun e prefekturës. Kur na morën në pyetje, ne i refuzuam akuzat duke u thënë se këto janë shpifjet tuaj, na provuan shkrimet dhe për mungesë provash na liruan.[xxx]
    Tradita orale gjirokastrite thotë se Enver Hoxhën e arrestuan vërtet për disa ditë në atë kohë, por këtu ka një problem. Në rast se arrestimi i tij do të ishte i vërtetë dhe ai do të ishte i dyshimtë, atëherë kjo gjë do të ishte pasqyruar në raportet që prefekti i çonte Ministrisë së Brendshme, siç ka ndodhur me të tjerë persona, në raste të tjera, që janë pasqyruar në librin e botuar në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet «Dokumenta e Materiale Historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci: 1917-1941» [xxxi]. Në rast se dokumenti për këtë ngjarje do të ekzistonte, dhe ai nuk mund të mos ekzistonte në rast se kjo ngjarje do të kishte ndodhur, atëherë Enver Hoxha sigurisht që nuk do t’ a linte pa e botuar këtë dokument. Por ky dokument nuk ekzistonte, se arrestimi i Enver Hoxhës ishte bërë që ai të fitonte reputacion prej njeriu kundër regjimit, në mënyrë që të infiltronte në rrethet e atyre që qenë kundër regjimit, duke u bërë i besueshëm për ta. Në rast se nuk do të kishte qenë kështu, atëherë atij, së paku, do t’ i kishin prerë bursën në këtë kohë. Në pushimet e verës të vitit 1932, pra në përfundim të vitit të dytë të shkollës, Enver Hoxha duhet të kishte punë me autoritetet shqiptare, së pari, për faktin se kishte dy vjet që po studionte me bursë shteti në Francë, nuk kishte arritur të merrte ende as provimet e vitit të parë të shkollës, për çka duhet t’ i ishte prerë bursa. Enver Hoxha, edhe pas këtij inskenimi të përndjekjes nga regjimi, nuk u bë dot i besueshëm për rrethet e njerëzve kundër regjimit, duke përfshirë dhe komunistët. Merret vesh, ata i bënte të dyshonin fakti që, Enver Hoxha edhe pse vazhdonte të mos merrte dot as provimet e vitit të parë në shkollë, atij nuk ia priste bursën regjimi.
    Në ndërkohë, mësimet qenë gjëja e fundit që i interesonte Enver Hoxhës. Ai kujton:
     I ndiqja pra diku me zell, diku pa qejf, këto drejtime të shkencave natyrore, për të cilat më ishte dhënë bursa, por dëshira ime nuk ndryshonte nga letërsia, historia dhe gjeografia. Për këtë, herë pas here ndiqja vullnetarisht leksionet në këto degë e sidomos vazhdoja të lexoja me synimin që të zgjeroja kulturën sa më shumë që të ishte e mundur. Natyrisht, një gjë e tillë edhe kohën më hante, edhe nuk më lejonte të përqëndrohesha në degën që më ishte caktuar, kështu që vihej në rrezik marrja e të tëra provimeve. Kapërcimi i tyre u bë i çalë, pse, rastiste që kur fitoja me shkrim, rrëzohesha me gojë. Në disa lëndë si në botanikë isha mirë, në zoologji disi, kurse në kimi e fizikë dobët.[xxxii]
    Paratë e bursës që shpenzonte Enver Hoxha në Francë nuk qenë paratë e Zogut, por paratë e dalë nga taksat që paguante populli shqiptar, për të cilin duket se Enver Hoxha nuk kishte as minimumin më të vogël të respektit për sakrificën që bënte populli për të, duke i paguar qëndrimin në Francë që të mësonte. Enver Hoxha thotë se në këtë kohë merrej me lexime librash që nuk kishin të bënin me mësimet, por që i lexonte për kënaqësinë e vet. Midis tyre nuk duhet të kenë munguar romanet policore. Kur tregon më tutje në kujtimet e veta për largimin nga Monpelje për në Paris, pasi iu pre bursa në vitin 1934, ai pohon tërthorazi se nuk arriti të merrte as vitin e parë të shkollës, por vetëm disa provime:
     Mora dëftesat e disa provimeve në të cilat kisha marrë nota kaluese, disa dëftesa që kisha ndjekur në rregull vitin e parë të drejtësisë dhe kështu u nisa nga Monpeljeja për në Paris me 1500 franga në xhep.[xxxiii]
    Mosmarrja e provimeve, qoftë edhe me nota minimale kaluese, tregon për një papërgjegjshmëri të madhe nga ana e Enver Hoxhës, se atij nuk i mungonte intelekti për ta bërë këtë gjë në rast se impenjohej seriozisht. E megjithatë atij iu pagua bursa për katër vjet, deri në vitin 1934, kur të tjerëve bursa u pritej që në përfundim të vitit të parë të studimeve, në rast se nuk arrinin t’ i merrnin të gjitha provimet. Enver Hoxha ekzagjeron shumë kur thotë se ndiqte fakultetin e drejtësisë. Ai thjesht mund të dëgjonte ndonjëherë leksione atje, por kjo nuk quhej ndjekje e shkollës, se ai nuk dha e nuk mori asnjë provim dhe as që mund të ndodhte kështu se ai nuk qe i regjistruar formalisht në fakultetin e drejtësisë. Për këtë gjë nuk mund të lëshonte kush dëftesa dhe Enver Hoxha as që paraqiti ndonjë nga këto dëftesa. Madje edhe vajtja e Enver Hoxhës për të ndjekur leksione në fakultetin e drejtësisë bëhej sigurisht në funksion të misionit të tij si agjent i policisë sekrete mbretërore. Enver Hoxha shprehet për prerjen e bursës:
    në fillimin e vitit 1934 m’ u pre përfundimisht bursa[xxxiv]
    Kjo tregon se bursa  ishte prerë dhe herë të tjera, derisa që nga viti 1930 e deri në 1934 vazhdonte të mos merrte dot as vitin e parë të shkollës. Bursa  ka rifilluar me ndërhyrjen e policisë secrete mbretërore dhe në 1934 i është prerë definitivisht. Prerjen e bursës ai e shpjegon kështu:
     Mua më prenë bursën, pse kisha disa provime të pashlyera në shkencat e natyrës dhe se në kundërshtim me urdhrin e ministrisë atë vit kisha ndjekur Fakultetin e Drejtësisë dhe jo atë që më ishte caktuar.[xxxv]
    Sipas fotokopjes së një shkrese të Ministrisë së Arsimit që botohet në librin me kujtime «Vite të rinisë»,[xxxvi]Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, me një shkresë të datës 6 shkurt 1934, urdhëron që Enver Hoxhës t’ i pritet përfundimisht bursa, në mars 1934. Prerja e bursës ishte një gjë e natyrshme sepse Enver Hoxha vazhdonte paguhej prej shtetit shqiptar, edhe tre vjet pasi nuk kishte marrë provimet e vitit të parë. Kjo gjë nuk mund të ndodhte në rast se nuk ndërhynte policia sekrete mbretërore. Pasi Enver Hoxha nuk arriti të merrte dot provimet e vitit të parë, bursa që i jepej ishte në fakt një rrogë që atij i paguante policia sekrete mbretërore. Enver Hoxha më kot paraqet si një nga arsyet e prerjes së bursës ndjekjen e supozuar prej tij të fakultetit të drejtësisë, se për këtë gjë shteti shqiptar nuk paguante asgjë.
    Enver Hoxhës iu pre bursa se në zyrat e regjimit e kuptuan se kur një student si ai, i cili kishte katër vjet që nuk po arrinte të merrte vitin e parë të shkollës, vazhdonte të paguhej me bursë nga shteti, aq më tepër kur ishte dhe kunati i Bahri Omarit, atëherë kjo ishte njëlloj sikur ky student ta kishte të shkruar në ballë se sihte agjent i policisë sekrete mbretërore. Gjithashtu dhe universiteti nuk pranonte ta mbante më gjatë këtë student të huaj që kishte katër vjet në vitin e parë. Ai kishte ezauruar dhe të gjitha mundësitë për të dhënë provimet. Prandaj policia sekrete mbretërore e tërhoqi Enver Hoxhën nga ky mision, duke e përgatitur për një tjetër. Por duket se për një periudhë policia sekrete mbretërore e braktisi Enver Hoxhën, për shkak se ai kompromentoi misionin duke mos marrë provimet, as me nota minimale.
    Tradita orale e studentëve shqiptarë të Francës tregon shumë histori për bëmat prej homoseksuali të Enver Hoxhës kur ishte student atje. Enver Hoxhën vinte ta takonte në Francë Esat Dishnica, i cili ishte xheloz për lidhjet e reja që kishte krijuar Enver Hoxha në Francë, pastaj të dy bënin sherre të mëdha. Ndonjë episod që Enver Hoxha tregon në kujtimet e veta, duket se hedh dritë mbi këto lidhje të reja homoseksuale në Francë:
     U futa dhe unë në radhë si të tjerët. Para meje ishte një djalë i gjatë, flokëverdhë e shumë simpatik. Më përshëndeti, e përshëndeta edhe unë, i dhamë dorën shoqi-shoqit dhe iu prezantova.
    -Hoxha.
    -Ronkant,- tha ai e më pyeti:- Ç’ nacionalitet je?
    -Shqiptar!
    -Kam simpati për Shqipërinë, pse bëj histori, kam mësuar për Skënderbeun tuaj trim. A do të më ndihmosh të di më tepër për të?- shtoi ai.
    -Me gjithë qejf, - i thashë, -dua të jem shok me ty!
    -Me kënaqësi!- ma priti dhe vazhdoi: -Po në ç’ fakultet je ti?
    -Në atë të shkencave natyrore.[xxxvii]
    Duket si colpo di fulmine homoseksualësh. Të dy i ka tërhequr tek njëri tjetrit ekzotika perverse që kanë gjetur tek njëri tjetri. Roncant gjeti tek Enver Hoxha ekuivalentin e vet ezmer, një djalë të gjatë dhe shumë të bukur, gjë që i krijoi një joshje ekzotike biondit të bukur, ndërsa Enver Hoxha gjeti tek Roncant ekuivalentin e vet biond, një djalë të gjatë dhe shumë të bukur, çka shkaktonte një joshje ekzotike tek ezmeri Enver Hoxha. Të dy e kanë ngrënë njërin tjetrin me sy, atje në radhën para sportelit të universitetit, dhe kodi i komunikimit i homoseksualëve ka funksionuar dhe Roncant si vendas ka folur i pari, se i huaji i porsaardhur hezitonte ta bënte këtë gjë, nga frika se mos shkaktonte ndonjë skandal që në ditën e parë që vinte në universitet. Për këtë Ronkant-in e bukur biond nuk flet më. Roncant mund të ketë përdorur vërtet Skënderbeun, të cilin e ka dëgjuar në shkollë, si pretekst, atje në bisedën e shkurtër në mes të studentëve që prisnin në radhë, por duket se nuk ishte aq i impresionuar nga palla e Skënderbeut, se nga «palla» e studentit shqiptar, i cili dukej jo më pak i impresionuar dhe ky i fundit nga «palla» e Roncant. Enver Hoxha, më pas kur erdhi në pushtet në daljet publike, kishte një ritual demagogjik, që merrte në duar fëmijë për t’ i përkëdhelur e  puthur. Por ai nuk merrte kurrë meshkuj, vetëm femra. E megjithatë, në 5 maj 1973, Enver Hoxha, gjatë një vizite në një familje dëshmori në Durrës do të thoshte një gjë të çuditshme:
        Kavaja ka dhe një skuadër të mirë futbolli. Tani amatorët e futbollit diskutojnë se cila skuadër do të fitojë, «Besa» e Kavajës, «Dinamoja» apo «Partizani». Këtu në Durrës besoj ka amatorë të të tria skuadrave, kurse unë vetë jam me Kavajën.[xxxviii]
    Të gjithë prisnin që Komandanti të ishte me «Partizanin», me «Luftëtarin» e Gjirokastrës, ose me cilëndo skuadër tjetër, por veç për Kavajën nuk i pati shkuar mendja kujt se do të ishte skuadra e zemrës e Enver Hoxhës. Një moment sinqeriteti?


II
Sekretari i dy konsujve sodomianë

    Jeta studentore e Enver Hoxhës ka një ngjashmëri të çuditshme me atë të Adolf Hitlerit. Të dy dështuan në shkollë dhe të dy, pas këtij dështimi u bënë vagabondë. Hitleri u bë vagabond në Vienë, ndërsa Enver Hoxha shkoi në Paris. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për këtë moment të jetës së vet:
    pasi mora lajmin e prerjes së bursës, fillova të mendohesha për të bërë ekonomi. Haja më pak, në kafe s’ veja, në kinema shumë rrallë, gazetat m’ i huanin shokët. Ndërkohë mendoja dhe kërkoja të gjeja ndonjë punë për të vazhduar studimet dhe për këtë më ranë këmbët, po asnjë sukses nuk pata në këtë drejtim. Atëherë me ato kursime të vogla që do të mblidhja dhe, pasi të merrja edhe bursën e muajit të fundit, vendosa të nisesha për në Paris.[xxxix]
    Pra, në Paris ka shkuar në mars 1934, kur ishte muaji i fundit që iu pagua bursa. Enver Hoxha shkoi në Paris si një vagabond që kishte dështuar në shkollë, dhe që ishte braktisur përkohësisht nga policia sekrete mbretërore. Kur shkon në Paris, mendimet e Enver Hoxhës 26 vjeçar nuk janë aspak ato të një revolucionari komunist, por të një mikroborgjezi:
     u largova i hidhëruar, i brengosur e i shqetësuar se si do të vente halli im, por edhe me ndonjë shpresë të vogël për punë e mësim. Të kthehesha në Shqipëri pa marrë ndonjëfarë diplome, asnjë punë nuk do të më jepnin, do të vuaja për bukë.[xl]
    I gjendur në këtë situatë Enver Hoxha nuk tregoi dinjitetin e Hitlerit, i cili nuk u ra në qafë të njohurve, por u zhduk në basifondet e Vienës, ku mbijetoi në njëfarë mënyre. Ndërsa Enver Hoxha shkoi në Paris për t’ u rënë në qafë të njohurve, që studionin atje, në mënyrë që këta ta strehonin dhe ta mbanin me ushqim, si dhe t’ i gjenin ndonjë punë të lehtë. Ai shkruan në kujtimet e veta për vajtjen në Paris:
    Shpresën e kisha të më ndihmonin shokët që të gjeja ndonjë punë në ndonjë fabrikë o ku të ishte dhe të mundja të ndiqja studimet për drejtësi ose ndonjë kurs tjetër të shkencave historiko-shoqërore në Sorbonë.[xli]
    Në rast se Enver Hoxha donte ndonjë punë në fabrikë, atëherë do të shkonte në qytetet industriale, si në Lion dhe jo në Paris ku nuk kishte punë nëpër fabrika për emigrantët. Por Enver Hoxha mashtron kur thotë se donte të punonte në fabrikë, ose në ndonjë vend tjetër, si punëtor. Ai nuk bëri kurrë asnjë lloj pune të tillë në jetën e vet. Sa për atë që donte të vazhdonte studimet në Sorbonë, kjo është përsëri një rrenë e trashë prej komediani, se Sorbona qe një universitet ku ëndërronin të shkonin të rinjtë francezë dhe atje nuk mund të shkonte një i huaj, i cili për më tepër nuk kishte arritur të përfundonte dot as vitin e parë të një universiteti tjetër francez, ku kishte shkuar me bursë. E vërteta është që ai nuk u regjistrua për të studiuar jo më në universitetin e Sorbonës, por në asnjë shkollë tjetër në Paris. Enver Hoxha, kur tregon për qëndrimin e vet prej dhjetë muajsh në Paris, nuk i shpëton dot vetëparaqitjes si një mikroborgjez vagabond, sado që i ve vetes në dorë gazetën e Partisë komuniste të Francës:
     Një pjesë të mirë të kohës shkoja në kopshtin e Luksemburgut, zija një vend në ndonjë bankë në diel dhe lexoja «L’ Humanite»- në apo ndonjë gazetë tjetër me anonsa për ndonjë vend pune. Anonsat i lexoja një për një çdo drekë, se prej tyre varej e ardhmja ime. Por më kot prisja, se zakonisht kërkoheshin vende me diplomë, të cilën unë nuk e kisha, ose viheshin të tjera që unë nuk i plotësoja».[xlii]
    Dhe këtu befas shpërthen ndjenja e kënaqësisë e «Hermanit» që ka fituar me anë të kombinacionit magjik në lojën e jetës:
     E ku mund të më shkonte mua atëherë në mendje që një ditë, rreth 10-11 vjet më vonë, pas fitores mbi fashizmin, do të vija po në këtë vend, tash Kryeministër i Shqipërisë së re demokratike popullore, do të ngjitesha në tribunë të «Palais du Luxembourg» dhe do të flisja për luftën heroike të popullit tonë të lavdishëm![xliii]
    Enver Hoxha këtu fare mirë mund të thotë se nuk i shkonte ndërmend që pas 11 vjetësh, në 1946, do të shkonte në Paris, në Konferencën e Paqes, si kryeministër, njëlloj si Esat Pashë Toptani për të cilin ai mediton gjatë kohës që ishte në Paris, në 1935:
     Mes vendeve ku shkoja shpesh e me admirim të veçantë ishte rruga para hotelit «Kontinetal»,, në mes të Parisit, atje ku 15 vjet më parë djali trim i Shqipërisë, patrioti e demokrati i shquar Avni Rustemi, shtriu përtokë tradhtarin me damkë, Esat Pashë Toptanin. Përpiqesha të përfytyroja sa më qartë rrugën që kishte ndjekur Avniu për të gjetur pozicionin e saktë nga do të qëllonte mbi gjeneralin tradhtar e kopuk, momentin kur Esat Pasha doli nga hoteli, gjurulldinë e rrëmujën që u shkaktua ndër kalimtarët kur dëgjuan të shtënat dhe panë si u shtri gjerë e gjatë anadollaku e njeriu i njëqind flamurëve, befasimin e të gjithëve, kur atentatori, një djalë i ri, shtatshkurtër, i zbehtë por me një shikim të qetë e të vendosur, pa asnjë hezitim, me revolverin që e kishte grykën ende të nxehtë, u dorëzua vetë tek autoritetet franceze.[xliv]
    Kur Esat Pashë Toptani shkoi në Paris në Konferencën e Paqes, ai akuzohej se donte ta shiste Shqipërinë në Beograd, ndërsa kur Enver Hoxha shkoi atje në 1946, ai e kishte shitur Shqipërinë në Beograd se kishte firmuar para një muaji një traktat shqiptaro-jugosllav që e kthente Shqipërinë në koloni jugosllave dhe kishte dispozita ushtarake që bënin të mundur legalisht okupimin e Shqipërisë nga jugosllavët. Pastaj meditimi për Avni Rustemin tradhton përsëri natyrën false prej komediani të Enver Hoxhës. Enver Hoxha ishte 28-29 vjeç kur meditonte kështu, ndërsa Avni Rustemi kishte qenë 25 vjeç kur e bëri atentatin. Avni Rustemi ishte një revolucionar profesionist ndërsa Enver Hoxhës ende as që i shkonte ndërmend të bëhej i tillë.
    Edhe në Paris Enver Hoxha nuk e harroi profesionin e vet të fshehtë prej spiuni dhe filloi të frekuentojë rrethet e emigracionit politik shqiptar antizogist, por jokomunist, atje. Ai kujton:
     Në Paris u njoha edhe me emigrantë politikë si Kol Tromarën, Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Beqir Valterin e të tjerë. Të gjithë luanin kumar, poker dhe merrnin pjesë në bastet për garat e kuajve, me përjashtim të Sejfi Vllamasit dhe të Rexhep Mitrovicës. Me këta më njohën Remziu, Qemali e ndonjë tjetër. Më prezantonin me ta si kunati i Bahri Omarit dhe për këtë arsye ata më jepnin nganjëherë dorën dhe më përshëndetnin.[xlv]
    Këtu kuptohet se Enver Hoxha kishte filluar t’ i frekuentonte edhe vetë vendet për frekuentimin e të cilave i kritikon emigrantët politikë shqiptarë në Paris. Nga ato që thotë Enver Hoxha kuptohet se ai bënte përpjekje të mëdha të hynte në rrethin e tyre, me sa duket i nxitur dhe nga policia sekrete mbretërore:
     Një grup tjetër të kësaj kategorie të emigracionit politik përbënin «demokratët antizogistë» të Parisit. Këtu bënin pjesë Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica e të tjerë, por Tromara, Ali Beu, Koculi e Mitrovica hiqeshin si kapot... Nuk kam pasur rastin t’ i njoh mirë këta se isha një student i lënë pa bursë e pa para, mezi përballoja shpenzimet për ushqim, për fjetje dhe rrallë e tek më dilte të veja në ndonjë muze, në ndonjë shfaqje a për të pirë ndonjë filxhan kafe. Herë më dërgonte plaku ndonjë napolon, nganjëherë më jepnin ndonjë monedhë shokët, ca kohë gjeta vend dhe jepja mësim shqip me disa franga orën. Për aq pak sa i njoha dhe me ç’ dëgjoja nga shqiptarët e tjerë, ata e kalonin kohën në kafene, në klubet e kumarit, duke bërë sehir në garat e vrapimeve me kuaj, në kinema etj. Dukej që kishin para boll.
    -Ku i gjejnë mor Remzi?- e pyesja Remzi Ficon, një student në mjekësi që e njihte Kolë Tromarën.
    -Marrin pare të madhe nga qeveria franceze si politikanë që janë,- më thoshte Remziu.
    Qendrat e tyre qenë «La Coupole», «La Source» dhe kafene të tjera me nam. Atje luhej edhe kumari, bëhej politika, «rrëzohej Zogu», «ngrihej populli shqiptar», ndaheshin edhe frangat e dollarët që ua siguronte rruga e tradhtisë ku qenë futur».[xlvi]
        Edhe këtu mund të kuptohet se Enver Hoxha kishte filluar t’ i frekuentonte edhe vetë vendet për frekuentimin e të cilave i kritikon emigrantët politikë shqiptarë në Paris. Duket se Enver Hoxha arriti të ketë disa rezultate në punën e tij në drejtim të emigracionit politik antizogist në Paris, çka kuptohet nga beneficet që atij iu dhanë më pas nga regjimi i Zogut. Megjithëse Enver Hoxha nuk duhet të kishte fytyrë të trokiste në dyert e zyrave të shtetit shqiptar me ato që kishte bërë në Monpelje, ai guxon të shkojë në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Paris, për të kërkuar që shteti shqiptar t’ ia rifillojë pagimin e bursës për të ndjekur studimet në këtë qytet. Enver Hoxha kërkon t’ ia atribuojë këtë veprim këshillës së studentit shqiptar nga Gjirokastra Remzi Fico, djalit të Rauf Ficos, i cili në atë kohë qe ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë. Në kohën kur Enver Hoxha ishte duke filluar punë si shkrues i adresave të zarfeve në një kompani që tregtonte verëra, shoku i tij Remzi Fico i thotë që të shkojë në legatën e Shqipërisë në Paris dhe të kërkojë t’ i vazhdojë bursa:
     S’ është gjë ajo!- tha Remziu.- Mbaje hëpërhë, por të këshilloj të shkosh në legatën tonë ku do të të presë Noçka. Unë e njoh atë, kërko, insisto, që të vazhdojnë të të japin përsëri bursën.
    -Mirë, do të vete, por s’ do të dalë gjë, -iu përgjigja.
    Vajta dhe në legatë, atje më priti njëfarë Noçka, që ishte sekretar i parë i Legatës sonë në Paris. Ishte mesoburrë dhe nuk më priti keq, më uli, më zgjati edhe një cigare. Ia tregova hallin, i vura në dukje që kisha shkuar apostafat në Paris të kërkoja një të drejtën time etj., etj. Edhe unë i flisja me njerzillëk.[xlvii]
    Ç’ paturpësi! Shkon të kërkojë bursën, ai që për katër vjet mbeti në vitin e parë! Që të guxonte të kërkonte bursë për të studiuar në Paris pas atyre që kishte bërë, kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse me lidhjet që kishte me policinë sekrete të regjimit. Pas dhjetë muaj jete prej vagabondi në Paris, ku bënte ndonjë punë të përkohshme, Enver Hoxha arriti të siguronte punë si sekretar në konsullatën shqiptare në Bruksel, që varej nga Legata shqiptare në Paris. Duket se policia sekrete mbretërore vendosi ta futë përsëri në lojë. Edhe marrjen e këtij posti diplomatik Enver Hoxha kërkon që t’ ia atribuojë Remzi Ficos:
     Prit e prit dhe më në fund doktori më lajmëroi se Tirana qe përgjigjur që nuk më vazhdonte më bursa.
    -Unë- vazhdoi Remziu, - i fola shumë mirë për ty, prandaj më tha: «Pa ma dërgo edhe një herë në legatë se mund të gjejmë diçka hëpërhë».
Vajta edhe në legatë ku Noçka më njoftoi përgjigjen e Tiranës, duke shtuar se në këtë përgjigje thuhet se je edhe kunati i Bahri Omarit. Ç’ t’ i thosha? Sidoqoftë e pashë se priste një përgjigje e i thashë:
    -S’ më lidh gjë me të, veçse motra. Por ministria e dinte këtë që kur më dha bursën.
    -Hiqe shpresën nga bursa, -theksoi Noçka,- se s’ del gjë andej. Por kam një propozim tjetër: do të hapim një konsullatë nderi në Bruksel të Belgjikës. Konsull nderi atje do të jetë një i quajtur Maroth, kont dhe i pasur. Ai do të paguajë ndërtesën e konsullatës, rrogën e sekretarit të konsullatës dhe ne do të dërgojmë vulat, pullat konsullore etj. Unë mund të rekomandoj që të shkosh ti si sekretar (kancelar) i kësaj konsullate.[xlviii]
    Pse duhej që t’ ia bënin këtë nder Enver Hoxhës, i cili kishte shpërdoruar bursën e paguar nga shteti shqiptar, dhe që për më tepër, siç pretendonte vetë, ishte në listën e të dyshuarve si kundërshtarë aktivë të regjimit, dhe që madje ishte edhe kunat i një kundërshtari politik të Zogut, shumë aktiv në emigracion? Sipas ligjit shqiptar Enver Hoxha duhet t’ i rimbursonte arkës së shtetit shqiptar paratë e bursës që kishte shpërdoruar, para se të kishte të drejtë që të merrte një punë prej tij. Përveç kësaj, Enver Hoxha, sipas ligjit shqiptar të kohës nuk mund të emërohej në diplomaci, se ai duhej të kryente detyrimin ligjor të shërbimit ushtarak. Enver Hoxha nuk e kishte përfunduar shkollën e lartë, ishte 27 vjeç, kështu që duhej të thirrej për të kryer shërbimin ushtarak. Ishte tjetër gjë se për shkak se kishte kryer Liceun e Korçë, ai nuk do të shërbente si ushtar i thjeshtë, por do të hynte në shkollën e plotësimit ku do të përgatitej si oficer në rezervë. Madje që në vitin 1931, pasi Enver Hoxha nuk mori provimet e vitit të parë universitet, duhet t’ i pritej bursa dhe ta thërrisnin ushtar, ose të shkonte në shkollën e plotësimit për oficer rezervë. Enver Hoxha nuk u thirr që të kryente shërbimin ushtarak, pasi atij i konsiderohej si shërbim i këtij lloji shërbimi për llogari të policisë sekrete mbretërore. Përse iu dha Enver Hoxhës ky vend punë në diplomaci? Kush ishte ky Konti Maroth dhe përse i duhej këtij Kontit Maroth nderi i dyshimtë, për më tepër i paguar shtrenjtë, i të qenit konsull nderi i Shqipërisë në Bruksel. Enver Hoxha shkruan për Kontin Maroth:   
    «Konsulli i nderit ishte njeri i sjellshëm, dukej se ishte i pasur dhe, siç mësov më pas, merrej me disa veprimtari tregtare e industriale. Kishte influencë e lidhje edhe në Belgjikë e Holandë, por, siç thonë, pasuria e hedh ujin përpjetë. Zoti Maroth, industrialist e afarist ishte keq për një çikë titull diplomatik! Donte të paraqitej jo vetëm në banka e në bursa, por edhe në qarqet e diplomacisë, të thirrej në pritje e të organizonte pritje kur të kishte rastin.[xlix]
    Por Konti Maroth nuk ishte njeri naiv dhe e dinte se Shqipëria ishte një vend i vogël, i varfër dhe diplomatëve të saj, aq më tepër kur qenë honorifikë, nuk u hapeshin dyert e salloneve, të ambasadave të rëndësishme në vendet ku qenë akredituar, madje as për festat e këtyre vendeve, se edhe për to ftoheshin në pritje të dorës së dytë. Aq më pak u hapeshin dyert e shoqërisë së lartë në vendet ku qenë akredituar. Konti Maroth ishte një çifut i pasur dhe eksentrik, i cili ishte përzier në skandale homoseksuale për shkak të të cilave kishte paguar shumë para që të mos dilte në faqet e gazetave, gjë që në atë kohë ishte më e lehtë se sot, por prapë ishte shumë e kushtueshme. Për t’ i dhënë vetes «nder» Konti Maroth bleu nga Zogu titullin e konsullit të nderit të Mbretërisë të Shqipërisë në Bruksel. Duke pasur Konti Maroth status diplomatik, do të ishte më i mbrojtur në orgjitë homoseksuale që bënte. Dikush në Tiranë, ndoshta vetë Zogu, ndoshta Lalë Krosi, «Rasputini» i Zogut, duke dashur që të zhvaste dhe para të tjera nga Konti Maroth, ia çoi atij në konsullatë si sekretar Enver Hoxhën, i cili qe ekspert për t’ u marrë me të tillë njerëz. Duket se idea ishte që paratë që Enver Hoxha do të arrinte të zhvaste nga Konti Maroth, t’ i ndante me njeriun në Tiranë, i cili e çoi në Bruksel. Enver Hoxha e mori detyrën në diplomaci pikërisht sepse kishte dhënë prova si një njeri i aftë, në shërbim të policisë sekrete mbretërore. Pranë kontit Maroth Enver Hoxha ishte në elementin e vet.
    Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta se, pasi mori lajmin për emërimin në konsullatë u kujtua për komunizmin, për të cilin nuk i kishte rënë ndërmend gjatë dhjetë muajve që qëndroi në Paris:
     Pastaj shkova në qendrën e leximit të Partisë Komuniste Franceze dhe dhe i kërkova përgjegjësit nëse mund të më organizonte një takim me shokun Pol Vajan Kuturie, se kisha diçka për t’ i thënë. Ai më tha të shkoja të nesërmen të merrja përgjigje. Kur shkova në mëngjes më porositi të shkoja në zyrat e «Huma»- së («Humanite»- shënimi im: K. M.) se do të më priste Vajani ose ndonjë shok tjetër. Shkova dhe për fatin tim më priti vetë Vajani… Vajani më dha dorën dhe më uli. I tregova shkurtimisht historinë time…
    -Do t’ ju lutem për një gjë,- vazhdova.- Unë jam komunist me gjithë shpirt, partia, shtypi juaj dhe mjerimet e popullit tim më kanë bërë komunist. Ngandonjëherë, nga lajmet që mund të marr nga Shqipëria, a mund të dërgoj në «L’ Humanite» nga ndonjë artikull të vogël për të demaskuar regjimin feudal të Zogut?
Vajani më shikoi me ata sy të ëmbël dhe më tha:
    -Posi, të dërgoni, shok, do t’ jua botojmë me gjithë qejf… Frëngjishten e flet mirë, duhet edhe ta shkruash. Për çdo artikull që do të na dërgosh, vur pseudonim. Shkrimet që do të na vijnë nga Brukseli e që do të flasin për Shqipërinë do të kuptojmë se vijnë nga ju, shoku Hoxha.
Kur u ndamë, Vajani më theksoi:
    -Ta duash dhe të luftosh për komunizmin.
    -Deri në vdekje do të luftoj!- i thashë».[l]
    Por, Pol Vajan Kuturje ishte kryeredaktor i gazetës që ishte organ i Partisë Komuniste të Francës dhe ai nuk mund të priste një të huaj i cili ishte askushi, i cili nuk kishte botuar asgjë në atë gazetë, apo në asnjë lloj gazete tjetër, i cili madje nuk ishte as anëtar i partisë komuniste. Në rast se Enver Hoxha ishte komunist me gjithë shpirt, siç pretendon se i ka thënë Kuturje, atëherë përse nuk ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste të Francës, ose i njërit prej grupeve komuniste në Shqipëri? Enver Hoxha nuk thotë se çoi ndonjë artikull në gazetë siç i premtoi Kuturje-së, as nëse u botua ndonjë artikull i tij dhe në ç’ datë u botua. Koleksionet e gazetës ekzistonin në kohën që Enver Hoxha shkruante kujtimet, kështu që ai mund t’ i gjente lehtë më pas artikujt që kishte botuar. Është e qartë se vajtja në zyrat e gazetës së PKF është një shpikje prej komediani. Enver Hoxha mund ta ketë tentuar takimin me Kuturje, por ai nuk e ka pranuar. Duke e adresuar tek ndonjë tjetër, i cili i ka kërkuar rekomandime nga shokët shqiptarë, të cilat Enver Hoxha nuk i kishte. Në «hagiografinë» e Enver Hoxhës, ky episod i sajuar me komunistin e njohur francez, është vënë me synimin e qartë për të mbushur disi vakuumin e dukshëm të lidhjeve të tij komunizmin në kohën kur gjendej në Francë.
    Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
    «sa ndenja në Paris rreth dhjetë muaj, s’ e ngopa kurrë barkun me bukë.[li]
    A nuk ishte kjo një situatë ideale për një njeri që të bëhej anëtar i Partisë Komuniste të Francës? Atëherë pse ai u kujtua që të shkruajë në kohën që u bë një nëpunës borgjez dhe iu krijua perspektiva ta ngopte barkun me gupë, por të siguronte shumë më tepër se kaq. Mënyra se si e përshkruan ai udhëtimin nga Parisi në Bruksel tregon se tashmë që kishte gjetur këtë punë të mirë, ai ishte shndrruar në moment në një njeri me mentalitet prej borgjezi meskin, po të shprehem në termat komuniste revolucionare:    
     Udhëtimi me tren nga Parisi në Bruksel ishte shumë më i shkurtër se nga Monpeljeja në Paris dhe, veç kësaj, gjendja ime shpirtërore ishte disi më e ngritur. Tani isha i siguruar, të paktën përkohësisht, me mjetet e jetesës; kisha një punë, të cilën vërtet s’ e përfytyroja dot si do të qe e si do ta kryeja, por thellë në ndërgjegje nuk shqetësohesha shumë.[lii]
    Por kjo gjendje shpirtërore e këtij 27 vjeçari ishte ajo e një borgjezi filistin, po të shprehem në një term aq të pëlqyer prej komunistëve. Enver Hoxha tashmë ishte bërë një mehmur (zyrtar) i Zogut, siç do t’ i ironizonte më pas me një term osman propaganda e tij nëpunësit e Zogut. Enver Hoxha kishte siguruar kështu ofiqin, sinekurën, sipas traditës së vet familjare. I paaftë që të shkëputet prej natyrës së vet prej komediani, Enver Hoxha rrëfen për këtë skenë «rebelimi» të tij ndaj Mbretit Zog në konsullatë:
     Vura zyrën e sirtarët në rregull dhe pastaj iu drejtova fotografisë së Zogut në mur: «Qen bir qeni, zbrit andej nga muri, se s’ të shoh dot, përpara!» dhe e mora e vura prapa një dollapi në kuzhinë. Në qoftë se do të vinte ndokush për vizitë, natyrisht do ta fusja në sallon dhe, po të vinin konsulli e të tjerë, do ta vija prapë portretin ku qe, duke gjetur një arsye.[liii]
    Enver Hoxha këtu me teatralitetin e vet të fryrë, kërkon të fshehë konformizmin e vet beneficar me regjimin. Enver Hoxha ndoshta e ka hequr vërtet portretin e Zogut, me urdhër të Kontit Maroth, i cili duhet të jetë bërë xheloz, pas historive të sajuara që i tregonte Enver Hoxha për lidhjen e vet me mbretin. Enver Hoxha, i gjatë dhe i bukur, me sharm oriental, i cili dinte të luante sipas rastit edhe dylberin edhe ashikun, ishte ekzotik për europianoveriorët. Shpejt ai u bë beniamini i Kontit Maroth dhe tërhoqi vëmendjen edhe të homoseksualëver të tjerë të pasur të rrethit të tij. Një tjetër homoseksual i pasur eksentrik, holandezi Godfrid Parser, të cilit Konti Maroth i kishte marrë një të dashur,  vendosi të hakmerrej duke ia marrë të dashurin e ri shqiptar. Për këtë ai vendosi të ndjekë rrugën e mikut të vet Maroth. Enver Hoxha kujton:
     Afro një vit pasi ishte hapur konsullata në Bruksel, marr një lajm nga legata e Parisit, e cila më njoftonte se në Anversë të Belgjikës do të hapej një tjetër konsullatë nderi e Shqipërisë, se konsull do të ishte holandezi Godfrid Parser dhe më kërkonin që edhe atij t’ i shërbeja si sekretar. Më kishin dërguar edhe adresën e tij e më thoshin që ta ndihmoja.
    Shkova në Anversë me tren, ishte ndonjë orë larg Brukselit. U paraqita te konsulli i ri, i cili, ashtu si Maroth Marothi, bile ca më tepër, ishte njeri i shumë shtetësive dhe i shumë aferave: holandez nga Amsterdami, me shtetësi belge e holandeze, afarist e industrialist i njohur, me aksione e kapitale në hotele e banka, anëtar nderi i klubeve të jahteve e automobilave, mbajtës i shumë dekoratave honori nga shumë shtete e që i duhej, pas tërë këtyre, edhe titulli i konsullit të nderit.[liv]
    Godfrid Parser u ofrua që të paguante për t’ u bërë konsull i Shqipërisë, me kusht që atij t’ i shërbente si sekretar, sekretari shqiptar që ishte në konsullatën e Brukselit. Kështu u kuptua se z. Parser kërkonte në fakt sekretarin e konsullatës së Brukselit dhe jo konsullatën e Anversës. Z. Parser duhet të ketë paguar shtrenjtë në Tiranë për ta siguruar këtë luks, se atij mund t’ i kishin caktuar një njeri tjetër si sekretar në Anversë. Për Tiranën kjo duhet të ishte një tregues se Enver Hoxha kishte qenë i suksesshëm në misionin e vet pranë Kontit Maroth. Në kohën që dy «zota» luftonin mes tyre për «Ganimedin»- Enver, ky i fundit «mori pjesë» në kryengritjen e Fierit, që u bë në Shqipëri në atë kohë. Ja si kujton Enver Hoxha:
     Në një moment, aty nga gjysma e dytë e gushtit 1935 erdhën lajme nga agjencitë që flitnin për «kryengritje në Shqipëri kundër Zogut». Përnjëherë i gëzuar u çova, u vesha, shkova në kuzhinë dhe iu drejtova fotografisë së Zogut, që e kisha futur në një qoshe: «Ah, tradhtar, ah, i poshtër, të erdhi fundi, do të gjesh vdekjen dhe do t’ i paguash krimet që i ke bërë popullit».[lv]
    Këtu nuk mund të thuhet gjë tjetër përveçse që natyra prej komediani e Enver Hoxhës ka dalë më e fortë se ndjenja e diskrecionit e tij. Enver Hoxha nuk ia thoshte dot i zhveshur këto fjalë portretit të Zogut, po vishet, si një aktor i vërtetë në rol.
    Enver Hoxha në kujtimet e veta pretendon se në kohën që punonte në konsullatë, u regjistrua dhe në Universitetin e Brukselit:
    Punova me zell e pasion disa muaj, kushtet duhet të them se tashmë i kisha të mira, por, si duket, s’ qe e thënë të jepja qoftë edhe një provim.[lvi]
    Shikoni si thotë ky komunist ateist «s’ qe e thënë»! E vërteta është se s’ qe e thënë (nga Enver Hoxha vetë) që ai të paraqiste një dokument që të tregonte se ai ishte regjistruar në Universitetin e Brukselit, gjë të cilën mund ta siguronte edhe më pas nëse donte. Enver Hoxha e shpjegon kështu ngjarjen që u bë shkak për pushimin e tij nga puna në diplomaci:
    Në valën e përgatitjeve për provimin e parë krejt papritur ia behu atasheu i shtypit nga Parisi. Hyri drejt e në sallonin e pritjes dhe më gjeti të zhytur në mes librash, gazetash e revistash. Ngaqë ato ditë përgatitesha për provimet, s’ kisha treguar kujdes për t’ i mbajtur të paktën në dhomën e gjumit gazetat e Partisë Komuniste Franceze e të Belgjikës, librat e Marksit, Engelsit e të Leninit, që i kisha me shumicë.
    E pashë që u skuq e u nxi menjëherë.
    -Ç’ janë këto?- më pyeti ai.
    Nuk po gjeja ende një arsye për të hedhur lumin, por ai vazhdoi:
    Pse komunist qenke ti, zoti Hoxha? Ne këtë s’ e dinim…
    Mendova fillimisht t’ i thosha se ishin gazeta e libra që shiteshin sheshit, por një argument i tillë, për një antikomunist si ai, nuk pinte ujë. Atëherë duke mbledhur veten i thash:
    -Nuk janë të miat, mund të jenë të djalit të shtëpisë, i cili do t’ i ketë harruar këtu se vjen ngandonjëherë!
    Por ai nuk e hëngri këtë:
-Nuk është një gazetë o një libër i lënë rastësisht nga dikush i jashtëm,- tha me nënqeshje.- Këtu është mbushur tërë kabineti me literaturë komuniste…
    Mbaroi për mua edhe periudha e Brukselit. Një a dy muaj pas largimit të atasheut të shtypit në Paris, më erdhi pushimi. Kjo i dha fund qëndrimit tim jashtë.[lvii]
    Por, në rast se do të kishte ndodhur kështu, atëherë Enver Hoxha do të kishte pasur pasoja kur të kthehej në Shqipëri, gjë që nuk ndodhi. Prandaj duket më i besueshëm versioni se Tirana e tërhoqi Enver Hoxhën nga detyra e sekretarit të dy konsullatave, pasi ai u bë shkak që të fillonte një betejë e rreptë mes konsujve të Brukselit dhe të Anversës, çka rrezikonte të përfundonte me ndonjë skandal të bujshëm, që do të kishte qenë shkatërrimtar për imazhin e Mbretit Zog dhe të Shqipërisë. Enver Hoxha pretendon se nga kjo ngjarje ka nxjerrë mësimin e vet të parë revolucionar:
    nga gjithë e keqja që më ndodhi e mora një mësim të mirë: armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet ose nënvleftësohet.[lviii]
    Në fakt Enver këtu mbivlerësoi aftësitë e veta për të menaxhuar një situatë të komplikuar ku dy dashnorë homoseksualë përlesheshin për të. Kjo histori e jashtëzakonshme e diplomacisë sodomiane vazhdoi një vit e gjysëm, çka kuptohet kur Enver Hoxha shkruan:   
    po i mbyll këto kujtime të përmbledhura për Belgjikën, ku, me një ndërprerje të shkurtër të një pushimi në Shqipëri, qëndrova rreth një vit e gjysmë.[lix]
    Pas gjithë këtyre aventurave dhe pas gjashtë viteve që ishte larguar nga Shqipëria, Enver Hoxha po kthehej në vend, si pa gjë të keq:   
    Aty nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë, në vendin tim, në mes të popullit dhe njerëzve të mi.[lx]
    Pse Enver Hoxha nuk kishte frikë që që të kthehej në Shqipëri, ku mund ta arrestonin dhe së paku ta internonin. Futja dhe mbajtja nga një zyrtar e literaturës komuniste në një zyrë shtetërore, në këtë rast diplomatike, kur kjo nuk kishte lidhje me detyrën, ishte një gjë që dënohej rëndë. Aq më tepër kur tashmë ishte viti 1936, dhe siç kam cituar më lart, kishte një vit që qeveria në Shqipëri kishte marrë vendim për ndalimin e hyrjes në vend të gazetave komuniste franceze. Pikërisht në korrik 1936 filloi Lufta Civile në Spanjë, e cila u bë si një lloj «Lufte e Trojës» për komunistët dhe antikomunistët e me shpirt luftarak të botës, nga të cilët kush mundi shkoi të luftonte atje. Pse Enver Hoxha nuk shkoi në Spanjë si Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Petro Marko, Mehmet Shehu etj. Ai mund të shkonte në Spanjë shumë lehtë nga Franca, ku Kominterni organizonte nisjen e vullnetarëve ndërkombëtarë për në Spanjën republikane. Edhe pasi Enver Hoxha ishte kthyer në Shqipëri, ai po të donte mund të shkonte përsëri në Francë me justifikimin se do të vazhdonte shkollën me paratë e veta, dhe të shkonte në Spanjë si vullnetar në brigadat internacionale. Ai ishte 28 vjeç, një moshë kjo shumë e përshtatshme për të luftuar.
    Por Enver Hoxha erdhi në Shqipëri dhe qëndroi në vend. Kur shkruan në kujtimet e veta për komunistin Zai Fundo, i cili u kthye pak më vonë në Shqipëri, Enver Hoxha e paraqet kthimin e këtij si një mision agjenturor:
     Para se Italia të na pushtonte atdheun, morëm vesh se kishte ardhur në Shqipëri Zai Fundoja. Ai u kthye nga mërgimi duke marrë lejen e qeverisë së Zogut, të cilën e kishte siguruar se nuk do të merrej me politikë. Tashmë ne, komunistët e Grupit të Korçës, e njihnim mirë veprimtarinë e tij, sepse Ali Kelmendi na kishte vënë në korent për çdo gjë lidhur me të dhe ishim të bindur se Zai Fundoja nuk vinte pa qëllime të caktuara pas kaq kohësh emigrimi. Ai nuk ishte një emigrant ekonomik dhe as një emigrant politik i thjeshtë, por «i njohur» si antizogist dhe antifeudal e, sidomos, si «komunist».
    E tillë ishte figura e tij nga ana e jashtme, të cilën Zogu, si dhe ish-ministri i tij i Brendshëm, Musa Juka e të tjerë mendonin ta ruanin si të tillë, sepse kishin nevojë për këtë person që kishte ndërruar shpirt e lëkurë dhe në fakt, nuk ishte më as antizogist, as komunist.
    Duke i ditur të gjitha këto, ne, pra, qemë të bindur se Zai Fundoja erdhi në Shqipëri në këto kohë të turbullta, ashtu si ujku që kërkon mjegull, me siguri, i dërguar nga agjenturat e huaja për t’ i përgatitur terrenin pushtuesit, për të sabotuar krijimin e PKSH, për të sabotuar rezistencën e armatosur të popullit shqiptar».[lxi]
    Por Zai Fundo e kishte pasur veprimtarinë e dënueshme për regjimin në Shqipëri deri në vitin 1924 dhe mund të kishte përfituar nga një amnisti që ishte bërë para shumë vjetësh për t’ u kthyer, si Ali Kelmendi. Ai mund të kthehej në vend vetëm nëse deklaronte se nuk do të merrej me politikë. Ndërsa Enver Hoxha supozohet ta kishte kryer veprimtarinë e dënueshme nga regjimi në vitin 1936, në një zyrë diplomatike të shtetit shqiptar. Pra, rasti i Enver Hoxhës ishte shumë më ndryshe se i Zai Fundos, domethënë shumë më i rëndë.


III

Profesori- surrogat komunist

    Enver Hoxha 28 vjeçar u kthye në Shqipëri, në 1936, kur vendi po kalonte një periudhë të trazuar. Në 1935 kishte ndodhur Lëvizja e Fierit, e cila në fakt ishte një konspiracion i organizuar në gjithë vendin, për të përmbysur regjimin e Zogut me armë, por që mori këtë emër se aksidentalisht filloi para kohe në Fier. Në vend kishin filluar të bëheshin greva dhe demonstrata. Një vit pas ardhjes së Enver Hoxhës, në vend do të ndodhte Kryengritja e Delvinës, e cila gjithashtu ishte një konspiracion e organizuar në gjithë vendin për ta përmbysur regjimin me armë, por që për shkak të rrethanave që u krijuan u kufizua në jugun e skajshëm të vendit. Në vend kishin filluar të rriteshin organizatat komuniste, në Korçë, Tiranë, Shkodër etj. Por veprimtaria revolucionare nuk ishte prioriteti i Enver Hoxhës në atë kohë. Ai shkruan në kujtimet:
     Për mua tani rëndësi kishte të fitoja bukën duke gjetur një punë të përshtatshme, t’ u dërgoja ndonjë lek xhaxhait dhe anesë që ishin hollë ekonomikisht, të njihja situatën ekonomike e politike të vendit dhe të krijoja lidhjet me elementët komunistë e patriotë.[lxii]
    Kjo ishte një mënyrë të menduari prej mikroborgjezi dhe jo prej revolucionari. Prioriteti i Enver Hoxhës është që të sigurojë jetesën e vet dhe të familjes, pastaj të merret me veprimtari komuniste. Kjo do të thoshte se ai ende nuk mendonte që të bëhej revolucionar profesionist. Sa larg është ky mentalitet ndaj atij të atyre revolucionarëve komunistë që sakrifikonin gjithçka për idealin revolucionar komunist! Enver Hoxha sigurisht që e ka ditur kur shkruante kujtimet se lexuesve do t’ u krijohej kjo përshtypje, por megjithatë ai e ka marrë parasysh atë për të përgënjeshtruar reputacionin që kishte si një vagabond që kishte braktisur familjen dhe nuk interesohej për të. Sa i përket lidhjes me komunistët, Enver Hoxha shkruan:
    Në këtë aspekt të fundit mendoja të veproja me shumë kujdes e vigjilencë, gjersa të shuhej ndonjë përshtypje ose mendim i keq që mund të qe dërguar nga legata jonë në Paris. Kishte ardhur apo jo informacioni në Tiranë mbi arsyet e pushimit tim nga puna, këtë nuk e di, por mendoja se në njëfarë mënyre edhe këtë çështje do ta përballoja, duke bërë kujdes që të mos bija në sy për qëndrimet e mendimet e mia.[lxiii]
    Enver Hoxha, nga njëra anë qartësisht mburret kur pretendon se e kanë shkarkuar nga diplomacia si njeri me bindje komuniste, në anën tjetër kërkon ta zbutë sa më tepër efektin që kjo gjë duhet të kishte bërë në zyrat e regjimit në Tiranë. Këtë Enver Hoxha e bën se i duhet të justifikojë faktin që regjimi i dha një vend pune të pëlqyer, kur u kthye në Shqipëri. Por, kur Enver Hoxha u kthye në Shqipëri në verën e vitit 1936 situata në vend nuk ishte më ajo e kohës kur ai ishte nxënës në Liceun e Gjirokastrës, apo në liceun e Korçës. Tashmë në vend ishte i ndaluar posedimi i literaturës komuniste. Ata që e zotëronin dënoheshin me internim për disa muaj, e shumta një vit, dhe nuk mund të merrnin vende pune shtetërore, duke përfshirë dhe arsimin. Kështu që, sido që të sillej Enver Hoxha, ai nuk mund të merrte punë nga regjimi, përveçse me ndihmën e policisë sekrete mbretërore. Si nuk mund të kishte ardhur informacion për bëmat e tij, të cdo lloji  qofshin, derisa u pushua nga puna? Enver Hoxha është i sinqertë kur thotë, siç e kam cituar më lart, se ai po sillej me kujdes, në mënyrë që të zhdukej ndonjë përshtypje apo mendim i keq që ishte krijuar për të në zyrat e regjimit për sjelljen e tij në Bruksel. Por me këtë kërkon të thotë se pas skandalit që kishte ndodhur në Bruksel, regjimi nuk ishte i sigurt nëse duhet të kishte të bënte më me Enver Hoxhën. Ato që thotë Enver Hoxha në fragmentin e mësipërm duken krejt të pabesueshme. Në të vërtetë, pushimi nga puna për shkak se mbante literaturë komuniste në selinë diplomatike në Bruksel ishte një histori që kishte sajuar policia sekrete mbretërore për të, në mënyrë që të infiltronte në rrethet komuniste në vend, çka ai do të tentonte që ta bënte. Vetëm kështu mund të shpjegohet që ai «e përballoi» situatën e vështirë në dukje, në të cilën u ndodh me regjimin.
    Enver Hoxha, edhe pasi rrëfen se donte të lidhej me lëvizjen komuniste, përsërit prioritetin e vet:
    Por, në radhë të parë e më urgjente dilte çështja e gjetjes së një pune.[lxiv]
    Enver Hoxha, ashtu siç bën për të gjitha pikat e dyshimta të jetës së vet, nuk jep asnjë shpjegim për pyetjen e natyrshme që bën njeriu i cili lexon kujtimet e tij: si do të merrte Enver Hoxha një vend pune nga regjimi, kur pretendon se ishte shkarkuar nga diplomacia si komunist? Kjo ka vetëm një kuptim, që ai ishte gati të luante revolucionarin për llogari të policisë sekrete mbretërore, nëse kjo do t’ i siguronte një vend pune. Dhe një ngjarje që ai tregon në kujtimet, të japin të kuptosh se ndodhi pikërisht kështu. Në «hagiografinë» prej revolucionari të Enver Hoxhës, vakuumi i ndjeshëm i preiudhës së viteve tridhjetë është tentuar të mbushet veçanërisht me njohjen e tij me Ali Kelmendin, i cili gjendej në vitin 1936 në Shqipëri, i ngarkuar me një mision nga Kominterni, për të punuar për krijimin e partisë komuniste në Shqipëri dhe për të bërë një raport për lëvizjen komuniste në vend. Enver Hoxha rrëfen kështu për këtë episod:    
     Shkova fillimisht në Gjirokastër të çmallesha me prindërit e të afërmit. Ditët e para e bëra mirë rolin e «djalit të urtë» për sa u përket qëndrimeve e pikëpamjeve politike. Por kjo nuk zgjati shumë. Tamam ato ditë atje ishte sjellë i internuar revolucionari ynë i madh Ali Kelmendi. Mbaj mend se sapo më tha Skënder Topulli se ç’ ishte «Maloku» dhe pse e kishin sjellë në Gjirokastër, vendimit për të qëndruar pak kohë në hije i vura kryq. Do të ishte e palejueshme dhe e pafalshme për mua, jo vetëm si djalë Gjirokastre, por sidomos për bindjet e mia politike, për idetë komuniste që më ishin rrënjosur, të mos i afrohesha, të mos e takoja, të mos e dëgjoja atë burrë, për të cilin Skënderin, siç më thoshte ky, e kishin njoftuar nga Korça, se ishte ndër figurat kryesore, në mos më kryesori, në lëvizjen e atëhershme komuniste në Shqipëri.[lxv]
    Si do të guxonte Enver Hoxha, i cili nuk ishte bërë anëtar i asnjë organizate komuniste në Shqipëri, apo në Francë, të tentonte të takohej me komunistin më të spikatur që gjendej në atë në Shqipëri, si i dërguar i Kominternit, Ali Kelmendin, i cili pak javë më pas do të dëbohej nga Shqipëria? Me këtë Enver Hoxha i thoshte praktikisht regjimit se edhe ai vetë ishte komunist. Por e vërteta është se me këtë veprim Enver Hoxha të jep të kuptosh se ishte agjent i policisë sekrete të regjimit, e cila e ngarkoi që të merrte kontakt me Ali Kelmendin. Enver Hoxha shkruan për këtë:
     U vumë, pra, në kërkim të «Malokut», dhe, siç kam treguar hollësisht një herë tjetër, e gjetëm, ndenjëm gjatë me të, mësuam prej tij dhe bëmë ç’ është e mundur gjersa u rregullua puna që ai të dilte jashtë atdheut.[lxvi]
    Ali Kelmendi u largua nga Shqipëria si i dëbuar nga policia sekrete mbretërore, gjë të cilën e thotë edhe Enver Hoxha në kujtimet, siç do ta citoj më tutje. Atë vit ai shkroi një raport për lëvizjen komuniste në Shqipëri, për llogari të Kominternit. Në këtë raport përmenden shumë emra komunistësh që gjenden në Shqipëri, por nuk përmendet as emri i Skënder Topullit dhe as emri i Enver Hoxhës. Skënder Topulli, edhe pse jetoi deri në vitet tetëdhjetë, nuk rezulton të ketë marrë pjesë në lëvizjen komuniste. Ai «u bë» komunist për disa ditë në korrik 1936, se kështu i konvenonte Enver Hoxhës. Tek libri me kujtime «Kur lindi Partia», Enver Hoxha e tregon kështu njohjen me Ali Kelmendin:
     Pak para se të largohej nga Shqipëria, unë pata fatin e madh të takohesha me të paharruarin Ali Kelmendi në Gjirokastër. Ndodhi kjo në verën e 1936-s, aty nga mesi i korrikut. Sapo isha kthyer në Gjirokastër, kur më vjen shoku im i vjetër Skënder Topulli dhe më thotë se në Gjirokastër do të vinte i internuar një komunist nga më të mirët, që ndiqej e persekutohej vazhdimisht prej regjimit të Zogut si element i rrezikshëm. Skënderit këtë njoftim ia kishin dhënë shokët e Korçës me anë të një letre ku e porositnin të gjente «Malokun» (pseudonimi i Ali Kelmendit) e të kujdesej për të.
    -Ta gjejmë patjetër, i thashë Skënderit dhe vazhduam të qëndronim në kërkim. Të dy sapo ishim kthyer nga jashtë dhe ishim të papunë. Skënderi kishte mbaruar studimet në Francë, kurse unë, pasi u pushova nga puna në konsullatën shqiptare në Belgjikë, tani rrija në Gjirokastër, pranë prindërve, në pritje të ndonjë pune.
    Një mëngjes qemë ulur në një kafene afër Qafës së Pazarit e po bisedonim. Papritur hyrri një burrë, me shtat e moshë mesatare, kokë jashtë. I ra mes për mes kafenesë, pa parë as majtas as djathtas, diçka bleu tek banaku dhe u kthye të dilte.
    -Maloku! më tha Skënderi ngadalë dhe u ngrit menjëherë. E arriti te dera dhe u përqafuan. Unë, pa lëvizur nga vendi, po e shihja me vëmendje e me një ndjenjë të thellë admirimi të porsaardhurin. Dukej i lodhur, ishte i vrarë në fytyrë, i mërzitur. Menjëherë e kuptoje se kishte kaluar një jetë plot vuajtje e mundime.
    Pasi i ranë së bashku rrugës gjer te sheshi, që më pas do të merrte emrin «Sheshi i Çerçizit», u kthyen përsëri te kafeneja, ku unë po prisja.
    -Kush është ai?- e kishte pyetur Aliu Skënderin.
    -Një shoku im, mos u bëj merak,- i qe përgjigjur Skënderi.- Do ta njohësh.
    -S’ e kam hallin për vete,- i kishte thënë Aliu.
    U prezantuam dhe u ulëm të tre. Qëndruam gjatë. Aliu ishte një burrë i qetë, fliste pak, ishte krejt i përqëndruar në bisedë dhe shumë i matur.
    Pas kësaj takoheshim vazhdimisht, herë në kafene, herë në ndonjë sofat ose në ndonjë mur guri. E njohëm më mirë njëri-tjetrin dhe shumë shpejt Aliu na foli hapur për lëvizjen komuniste, për Grupin e Korçës, për të tjerët. Mbi të gjitha shpresat i vinte te Grupi i Korçës.
    Nuk qëndroi gjatë në Gjirokastër, rreth një muaj, e shumta dy, por në atë pak kohë që qëndroi spikatën vetitë e tij prej komunisti e revolucionari konsekuent e të palodhur. Ndiqej vazhdimisht nga xhandarmëria e spiunët, por ai s’ trembej dhe ne, nga ana jonë, përpiqeshim t’ i vinim sadopak në ndihmë.[lxvii]
    Si është e mundur që Ali Kelmendi, konspiratori i regjur kominternian, t’ u hapej kështu dy njerëzve të panjohur, të cilët për më tepër nuk qenë anëtarë as të ndonjërës prej organizatave komuniste në vend? Kjo gjë nuk mund të ndodhte. Nuk është e pamundur që Enver Hoxha të ketë tentuar të njihet me Ali Kelmendin, por ky ka qenë mision i policisë sekrete mbretërore. Ali Kelmendi sigurisht që e ka kuptuar në moment se Enver Hoxhën atij ia kishte ngjitur pas policia sekrete mbretërore, prandaj i ka thënë atij vetëm gjëra të parëndësishme. 
    Enver Hoxha, duke e kuptuar se ata që do t’ i lexonin rreshtat e mësipërme të kujtimeve të veta do të bënin pyetjen se, derisa Ali Kelmendi survejohej nga policia e regjimit, si është e mundur që emri i Enver Hoxhës nuk dilte në raportet që shkonin nga Gjirokastra për survejimin e Ali Kelmendit, të cilat raporte Enver Hoxha sigurisht që do t’ i botonte më pas, nëse emri i tij do të ishte në to, shkruan: 
     Në xhandarmërinë e Gjirokastrës në atë kohë punonte një oficer i ri, Javer Xhiku. Ishte, më duket, adjutant i prefektit ose i komandantit të xhandarmërisë, s’ e mbaj mend mirë. Si unë dhe Skënderi e njihnim Javerin që nga fëmijëria, bile kishim qenë në një kohë së bashku edhe në shkollë, në Gjirokastër. Tani puna e solli që Javeri ta provonte veten ndaj nesh dhe ndaj mikut tonë. Spiunët e xhandarët që ndiqnin çdo lëvizje të Ali Kelmendit dërgonin raporte e njoftime të shpeshta për të. Shumë nga këto njoftime binin në duart e Javerit dhe ai jo vetëm i griste ose i fshihte, por dhe ne na sinjalizonte të tregoheshim të kujdesshëm. Kam mendimin se qe njeri i mirë dhe, me sa di, nuk përfundoi keq, më duket vdiq qysh para Çlirimit.[lxviii]
    Nëse Javer Xhiku kishte bërë këto gjëra, atëherë si nuk e dinte Enver Hoxha se si kishte përfunduar ai, kur Javer Xhiku, kur erdhi Enver Hoxha në pushtet, duhet të kishte marrë dekorata të larta për faktin që kontribuoi në lëvizjen komuniste shqiptare, që shumë kohë para krijimit të partisë komuniste, së bashku me Ali Kelmendin dhe Enver Hoxhën. Enver Hoxha duhet ta kishte përmendur emrin e Javer Xhikut në fjalimet që mbante kur shkonte në Gjirokastër. E pakta që mund të bëhej ishte që emri i Javer Xhikut t’ i vihej ndonjë shkolle ose rruge. Fakti që asgjë nga këto nuk u bë tregon se historinë e Javer Xhikut Enver Hoxha e shpiku në 1981, kur shkruante kujtimet. Javer Xhiku nuk mund ta bënte atë që pretendon Enver Hoxha sepse për Ali Kelmendin qenë veçanërisht të interesuara zyrat e regjimit në Tiranë, të cilat do të pyesnin në telefon ose me telegram Gjirokastrën se përse nuk po vinin raporte për Ali Kelmendit, dhe atëherë do të hetohej dhe do të zbulohej se ç’ qe bërë me to. Pastaj, një ish-diplomat i shkarkuar si komunist, siç pretendon se ishte Enver Hoxha, në rast se takohej kafeneve me Ali Kelmendin, në Gjirokastrën e vogël, do të binte në sy drejtpërdrejt të autoriteteve, pa pasur nevojë për raporte spiunësh. Enver Hoxha pretendon në kujtimet e veta, se edhe kur Ali Kelmendi u dëbua nga Shqipëria, ai ishte pranë tij:
    Aliut iu dha kjo alternativë:
    -Ose të largohesh nga Shqipëria, ose të vesh të mbyllesh vetë në «shtatë penxheret»(burgu në kështjellën e Gjirokastrës- K.M.).
    Ishim të tre, Aliu, Skënderi dhe unë te kafeneja në «Sheshin e Çerçizit», kur e njoftuan se e kërkonte urgjent prefekti. «Prisni», na tha Aliu. Kur u kthye na tregoi për bisedën që kishte bërë me prefektin nga Korça, i njohur si patriot i Rilindjes e që kishte punuar me Asdrenin. Ai i kishte thënë: «Me keqardhje ju njoftoj urdhrin e Ministrisë së Brendshme që ose të largohesh jashtë Shqipërisë, ose të shkosh të mbyllesh vetë në burg. Edhe i internuar je i rrezikshëm për qeverinë e Zogut».
    -Kur u ngrita,- tregoi Aliu,- prefekti më tha:
    -A mund t’ ju jap ndonjë ndihmë nga ana ime për shpenzimet e rrugës?
    -Jo,- i kishte thënë Aliu,- më japin shokët.
    Ne u hidhëruam. Ky ishte takimi i fundit me Ali Kelmendin.[lxix]
    Nuk është e pamundur që të ketë ndodhur kështu, por kjo provon se Enver Hoxha gjendej pranë Ali Kelmendit me mision, si njeri i policisë sekrete mbretërore.
    Në këtë kohë ka ndodhur edhe një tjetër ngjarje e cila më pas në «hagiografinë» e Enver Hoxhës është paraqitur si provë e veprimtarisë patriotike të tij. Fjala është për pjesëmarrjen e Enver Hoxhës në delegacionin gjirokastrit që shkoi në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, me ç’ rast Enver Hoxha mbajti fjalimin në ceremoninë në Shkodër. E vërteta është se Enver Hoxha nuk kishte asnjë arsye për të qenë në delegacionin gjirokastrit, se ai ishte një njeri që kishte dështuar të mbaronte universitetin me bursë shteti, dhe ishte pushuar nga diplomacia në rrethana të dyshimta, ashtu siç kishte marrë këtë vend pune. Në Gjirokastër kishte shumë njerëz të shquar, intelektualë dhe patriotë, që u takonte të qenë në delegacion para Enver Hoxhës. Por Enver Hoxha hyri në delegacion me porosi të prefektit të Gjirokastrës, se regjimi donte të rriste profilin e Enver Hoxhës, për ta përdorur në misione agjenturore. Kjo kuptohet dhe nga fakti se Enver Hoxha u ngarkua të mbajë fjalimin në ceremoninë në Shkodër, që është edhe fjalimi i parë publik i tij. Në Gjirokastër, pjesëmarrja e Enver Hoxhës në delegacionin gjirokastrit, që do të shkonte në Shkodër për të marrë eshtrat, shkaktoi humor, për faktin se eshtrat e Çerçiz Topullit, por shkonte t’ i merrte i biri i bimbashit të vrarë nga çeta e Çerçiz Topullit. Por duket se Enver Hoxhës kjo i konvenonte, se me këtë gjest mendonte se përgënjeshtronte zërat që e bënin të birin e bimbashit.   
    Enver Hoxha përpiqet t’ i japë vajtjes së tij në Shkodër vlerën e një veprimi kundër regjimit, në «hagiografinë» e vet revolucionare, të shkruar për veten:
     Të gjitha këto veprimtari që koincidonin në momentet kur sa isha kthyer nga jashtë, i pushuar nga puna me një motivacion tepër të rrezikshëm për ato kohë, vërtet më jepnin kënaqësi e më shtonin vendosmërinë për të vazhduar më tej, por rrezikun e shtonin më tepër; afishohesha hapur në sytë e regjimit për prirjet e pikëpamjet e mia.[lxx]
    Por marrja e eshtrave u bë me një ceremoni zyrtare dhe këta njerëz njiheshin zyrtarisht si patriotë. Në ceremoni, si në Shkodër, ashtu dhe në Gjirokastër morën pjesë autoritetet më të larta shtetërore të vendit. Në vjeshtën e vitit 1936, kur komunistët e vërtetë luftarakë shqiptarë bënin gjithçka për të shkuar në Spanjë, që të luftonin në anën e komunistëve, gjë për të cilën regjimi i Zogut i ndihmonte si të mundte, duke dashur t’ i hiqeshin qafe dhe po të kishte mundësi të vriteshin atje, Enver Hoxha endej ën Tiranë, duke kërkuar punë në zyrtat e regjimit:
     Aty nga fillimi i vjeshtës shkova në Tiranë, mora kontakt me miq e me shokë, më huan ca lekë Syrja Selfua e ndonjë shok tjetër dhe herë haja të njëri, herë tek tjetri… Në ato kohë mjerimi e pa punë në Tiranë më shumë më janë gjendur Syrja Selfoja dhe Nexhat Peshkëpia.  Syrjai më ndihmonte herë pas here duke më dhënë nga 30-50 franga shqiptare, më merrte edhe për drekë, veçse jo në shtëpi, por në restorant. Në shtëpi as unë s’ doja dhe as ai nuk donte të shkoja, pse vëllezërit e tij, me përjashtim të Halitit, ishin reaksionarë, antikomunistë, fodullë dhe arrogantë.[lxxi]
    Enver Hoxha ishte famëkeq për marrjen e borxheve të cilat nuk i kthente dhe këtë gjë ai nuk mund ta fshehë as në kujtimet e veta. Prandaj dhe vëllezërit e Syrja Selfos nuk e donin se e konsideronin vagabond, i cili ishte kthyer nga Franca pa diplomë. Enver Hoxha kishte me Selfatët (Selfot) lidhje familjare të shumëfishta. Hysen Hoxha ishte burri i motrës së Xhevdet Selfos, i cili kishte katër djem: Reiz Selfo, Fejzi Selfo, Masar Selfo dhe Syrja Selfo. Pra, djemtë e Xhevdet Selfos qenë nipat e gruas së Baba Çenit. Gruaja e Baba Çenita kishte qenë si nënë për Enver Hoxhën, kur të dy familjet, e Hysenit dhe e Halilit jetonin bashkë. Kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari, e kishte dajë Xhevdet Selfon, dhe ishte kushëri i parë me djemtë e tij, edhe me Syrja Selfon. Edhe me Syrja Selfon, i cili do ta ndihmonte edhe në vitet e mëpasme, Enver Hoxha, kur erdhi në pushtet, do të sillej sipas përcaktimit që i ka bërë Dolores Ibarruri, si qeni që kafshon dorën e atij që e ushqen. Në kujtimet e veta, Enver Hoxha shkruan për Syrja Selfon:
     Sidomos Syrjai nuk kurseu asgjë për Luftën Nacionalçlirimtare dhe ishte gati të na gjente e të paguante qiratë dhe shtëpitë  për shtëpitë që na duheshin si baza për shokët ilegalë. Bile ai dhe familjen time, e cila gjatë luftës nuk kishte asnjë të ardhur, e ndihmoi dhe e mbajti materialisht.[lxxii]
    Në fjalimin që mbajti Enver Hoxha në Gjirokastër, në 3 tetor 1947, në vizitën e vet të parë në këtë qytet, pasi erdhi në pushtet, ai do të denigronte Syrja Selfon i cili porsa ishte dënuar me vdekje dhe ishte pushkatuar. Enver Hoxhën e përmendi Syrja Selfon të parin në listën e gjatë të atyre gjirokastritëve të cilët i quajti armiq të popullit:
     Të tillë janë ata që u gjykuan në Tiranë, në mes tyre ka edhe gjirokastritë. Këta gjirokastritë tradhtarë s’ janë djemtë e popullit heroik të Gjirokastrës, por kanë qenë dhe janë armiqtë e popullit të Gjirokastrës dhe të Shqipërisë. Syrja Selfo, Hivzi Kokalari, Salim Kokalari, Pertef Karagjozi, Sheref Karagjozi, Aqif Kashahu, Milto Lito etj., janë nga ata dhe bijtë e atyre që kanë shtypur popullin e kësaj krahine tërë jetën, që kanë qenë të lidhur me italianët, që u kanë shërbyer gjermanëve, janë miqtë dhe vëllezërit e ballistëve të Ali Beut, janë nga ata që kur populli i Gjirokastrës vuante në shpellat, në budrumet e kalasë dhe nëpër male pa strehë dhe pa shtëpi dhe kur populli i Gjirokastrës luftonte, ata pasuroheshin, ata bënin tregëti nga të katër anët, ata bënin ziafete e thernin mishra me njerëzit e Metaksait, me italianët, me gjermanët, me Ismail Golemët e të tjerë banditë. A mund të ketë mëshirë për këta njerëz? Jo, kurrë! [lxxiii]
    Më pas, Enver Hoxha, si një komedian i vërtetë, në kujtimet e veta, deshi të bënte një lloj apologjie për eliminimin e Syrja Selfos, duke dashur që këtë t’ ia atribuonte Koçi Xoxes:
     Pikërisht në kohën kur gjyqet e popullit dënonin kriminelët e luftës, tradhtarët, sabotatorët dhe komplotuesit kundër pushtetit popullor, Koçi Xoxe si ministër i Brendshëm që ishte, më vuri në korent edhe për veprimtarinë e një grupi armiqësor mbi të cilin po bëheshin hetime dhe për personat kryesorë armiq. Radhazi, radhazi, një ditë më tha se në këtë grup ishte implikuar edhe Syrja Selfoja, «për rrëzimin e pushtetit». Unë hapa sytë dhe i them Koçit:
    -Si the, Syrjai? Është e pamundur, gaboheni! Syrjai s’ mund të ngrihet kundër pushtetit popullor
... Tronditjes dhe kundërshtimit tim të hapur Koçi Xoxe aty për aty iu përgjigj me «gjakftohtësi»:
    -Ka deponuar vetë. Ka pohuar çdo gjë dhe ka firmosur!
    -Më sillni procesverbalin e tij, se unë ia njoh firmën.
    Ma solli, e lexova dhe e pashë se ishte firma e Syrjait. U mendova dhe i thashë Koçit:
    -Mos e kanë torturuar?
Koçi më bëri be e rrufe: Në asnjë mënyrë. Ne me vendim të Byrosë e kemi ndaluar torturën.
    -Mirë,- i thashë,- të shkojë në gjyq, le ta gjykojë gjyqi dhe të zbatohet vendimi i gjyqit».[lxxiv]
    Enver Hoxha nuk bën dot pa vënë në përdorim talentin e vet prej komediani. Syrja Selfoja nuk mund të ishte torturuar se torturën e kishte ndaluar Byroja Politike e partisë e cila ishte ilegale ende në vitin 1947! Dhe pastaj, Enver Hoxha kërkon që Syrja Selfoja të gjykohet dhe të zbatohet vendimi i gjyqit, edhe pse e di shumë mirë se çfarë qenë gjyqet që kishin ngritur ai dhe Koçi Xoxe në Shqipëri. Kjo do të thoshte që praktikisht Enver Hoxha të urdhëronte vrasjen «legale» të Syrja Selfos. Enver Hoxha nuk e donte Syrja Selfon të gjallë se ai dinte shumë për të. Enver Hoxha më tutje në kujtimet thotë se Syrja Selfo ishte i pafajshëm:
     Më vonë, kur u zbulua tradhtia e Koçi Xoxes dhe e jugosllavëve, dolën në shesh të gjitha poshtërsitë e tyre, u gjetën edhe dosjet që përgatitnin në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mua e për të tjerët. Çështja e Syrja Selfos e ndonjë tjetri nuk ishte veçse një kurth për të më kompromentuar, duke arrestuar miqtë e mi, duke i torturuar këta për vdekje për të pranuar dhe për të firmosur ç’ u diktonte grupi i Koçi Xoxes.[lxxv]
    Në rast se ishte vërtet kështu, atëherë përse pas dënimit të Koçi Xoxes nuk u rehabilitua Syrja Selfo dhe madje të dekorohej për veprimtari patriotike? Pse gruaja e  Syrja Selfos, e cila i pati dhënë aq herë të hante Enver Hoxhës bëri 5 vjet burg, ndërsa vajzës së vetme, Mimozës, nuk  iu dha e drejta të studionte në shkollë të lartë.     Është sa interesante dhe domethënëse se Enver Hoxha në kujtimet e veta tregon në të njëjtin vend, si për të mirat që i kanë bërë atij njerëzit e njohur, në kohën që kishte mbetur ngushtë, ashtu dhe për fatin e tyre të keq më pas, për shkak të ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet. Kështu ai flet për vëllezërit Peshkëpia, me origjinë nga Gjirokastra, të cilët në atë kohë i hapën shtëpinë e tyre në Tiranë, ku ai ushqehej dhe flinte:   
     Nexhati më merrte shpesh për drekë e për darkë në shtëpinë e tij. Ai ishte profesor dhe vëllai i tij, Manushi, ishte nëpunës banke. Gruaja e Nexhatit ishte mbesë në Hoxhatët dhe kjo lidhje bënte që unë të shkoja pa teklif në shtëpinë e tyre. Edhe Manushi në atë kohë ishte përparimtar, shok e mik me Shevqet Musaranë.
    Nexhati, nuk e di në e kam shënuar diku, ishte antizogist dhe antiitalian me plot gojën, të cilën s’ e qepte kurrë. Por, kur erdhi Italia dhe filloi lufta, si Nexhati, ashtu dhe Manushi u bashkuan me Ballin Kombëtar, me tradhtarët e popullit e kuislingët, luftuan Partinë tonë, Frontin Nacionalçlirimtar dhe mua personalisht. Manushi më pas mori dënimin e merituar, kurse Nexhati u arratis me anglezët në prag të Çlirimit, kaloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdoi të na luftonte me organizime diversantësh dhe me propagandë. Para disa vjetësh ngordhi edhe ai në Nju Jork si tradhtar e armik i Shqipërisë socialiste dhe i komunizmit.[lxxvi]
    Nexhat Peshkëpia do të arratisej në 1944, për t’ i shpëtuar përndjekjes nga diktatura që vendosi Enver Hoxha në Shqipëri, ndërsa vëllai i Nexhatit, Manushi, do të dënohej me vdekje dhe do të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, në vitin 1951, kur u inskenua nga Sigurimi i Shtetit një atentat me bombë tek Legata Sovjetike në Tiranë.
    Enver Hoxha, në kujtimet e veta për kohën kur gjendej në Tiranë, vitin 1936, flet shumë, në mënyrë kurioze, për përpjekjet që bënte për të gjetur një vend pune:
     Çështja e punës po kthehej në një odise të vërtetë. Nuk dija asnjë zanat që të më pranonin çirak në ndonjë punishte, kurse punë në ndonjë tregtar nuk gjeje, as te Selfoja që e kisha gjirokastrit, pa le në të tjerët. U drejtova në Ministrinë e Arsimit për të më emëruar diku mësues të gjuhës shqipe ose të gjuhës frënge, por ishte e pamundur. U thashë se mund të jepja edhe biologji (botanikë ose zoologji) sepse, pavarësisht që s’ kisha diplomë, kisha studiuar për to, por edhe për këto veshi i ministrisë ishte i shrudhër. I drejtova ndërkohë edhe Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh se me dijet që kisha fituar në kurset që ndiqja në Francë e Belgjikë, do të më dëgjonin.[lxxvii]
    Por, Enver Hoxha, duke mos pasur diplomë të universitetit, mund të emërohej e shumta në shkollë fillore ose qytetëse, por jo në shkollë të mesme, siç kërkonte ai. Dhe me paturpsësi i drejtohej dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar punë atje për shkak se pretendonte se kishte ndjekur ndonjë leksion si dëgjues në fakultetin juridik në Francë dhe Belgjikë. Mandej Enver Hoxha kishte dy pengesa që duhet të qenë të pakapërcyeshme për të gjetur punë. Derisa kishte përfunduar vetëm shkollën e mesme, sipas ligjit, askush nuk mund t’ i jepte punë shtetërore, pa paraqitur dokument që kishte kryer shërbimin ushtarak, apo që kishte kryer shkollën e plotësimit për oficerë rezervë. Dhe Enver nuk i dispononte këto dokumente. Gjithashtu, Enver Hoxha nuk mund të kërkonte punë shtetërore, pa shlyer paratë e bursës që i kishte çuar dëm shtetit, pengesë të cilën tashmë e kishte kapërcyer misteriozisht, kur ishte emëruar në diplomaci. Duket se Enver Hoxha flet shumë për përpjekjet që bëri për të gjetur punë, që të na lejë të kuptojmë se ai nuk kishte lidhje të dyshimta me regjimin.
    Enver Hoxha, me paturpësinë e komedianit, na rrëfen se ai nuk ka hezituar që të kërkojë dhe një bursë për studime nga Kryqi i Kuq, edhe pse pse ai kishte shpërdoruar një bursë të shtetit shqiptar.
     Kur isha në kulmin e dëshpërimit nga një gjendje e tillë me halle e pa perspektivë, më vijnë Nexhati me Syrjain dhe më thanë:
    -Morëm vesh që Kryqi i Kuq Shqiptar jep dy bursa për jashtë. Tentoje edhe një herë fatin!
    -Është e kotë,- u përgjigja,- nuk dua të dal më jashtë! Mësova dhe pashë sa munda, tani dua të punoj brenda dhe të fitoj një krodhë bukë për vete dhe për pleqtë.
    -Nuk e sheh që s’ po të jep njeri punë?!- këmbëngulte Syrjai.- Bëje njëherë një lutje se nuk humbet gjë, po doli, doli.
    -Mirë,- pranova,- po e bëj që të mos ju prishi qejfin.
    -Shkrova një lutje, e nisëm por asgjë s’ doli; siç duket e hodhën në shportë.[lxxviii]
    Këtë bëmë të tij Enver Hoxha kërkon që t’ ua atribuojë të njohurve të tij, të cilët e ndihmonin për mëshirë, Syrja Selfos dhe Nexhat Peshkëpisë. Këtë gjë e gjen të nevojshme ta bëjë se e di që dokumentet e Kryqit të Kuq gjenden edhe jashtë vendit. Dhe shikoni si shprehet më lart, si mikroborgjez, se kërkon të punojë e të fitojë një krodhë bukë.
    Kur Enver Hoxha rrëfen në kujtimet e veta episode të ndryshme për të denigruar të tjerët, na zbulon tërthorazi vendet që frekuentonte ai. Kështu, ai shkruan:
     Në «Rrugën Mbretërore» ndodhej një kafene e vogël, por që në atë kohë dukej e madhe dhe quhej «Bela Venecia». Në lokalet e kësaj «Bela Venecia» vinte elita e kryeqytetit dhe spiunët e mëdhenj të regjimit që nga Fuat Asllani, ministër i jashtëm e ministra të tjerë deri te «personalitetet e larta të kulturës». Mblidheshin atje sipas zakonit anglez në five o’ clock. Nja dy herë më mori me vete një shok dhe shkova dhe unë këtë klub të «elitës intelektuale». Dhe ç’ pashë atje? Një rreth kozmopolitësh, arrogantësh e mendjemëdhenjsh. Ishte diçka e neveritshme t’ i shihje kur hanin kek e pinin çaj me mënyra «aristokrate» e me naze si damat në sallone.[lxxix]
    «Bela Venecia» nuk qe kafene anglofone, siç e quan Enver Hoxha, gjë që kuptohet edhe nga emri i saj që është italian. Në Tiranë, kafene anglofone, ku mblidheshin në five o’ clock, për të pirë çaj, ishte kafeneja e Tenis Club, tek vendi i quajtur «Shallvaret». Ndërsa «Bela Venezia» ishte një kafene ku mblidheshin filoitalianët, të pakënaqurit nga regjimi i Zogut, që donin të afroheshin me italianët. Enver Hoxha duket se shkonte në këtë kafene se donte që të afrohej me italianët, pse jo duke siguruar dhe një rrogë si agjent i tyre. Shoku me të cilin shkonte Enver Hoxha në këtë kafene, dhe të cilit nuk ia përmend emrin, është Esat Dishnica.
    Në nëntor të vitit 1936, Enver Hoxha fillon punë si mësues në Gjimnazin (shkollë e mesme e përgjithshme) e Tiranës. Për këtë ai kujton:
     Më së fundi, pas shumë përpjekjesh, mundimesh e vuajtjesh ministria pranoi të jepja mësime me orë, kur mungonte njëri ose tjetri mësues, në gjimnazin e Tiranës… E nisa punën si mësues «proletar»: s’ kisha të drejtë të sëmuresha, as të merrja pushime si gjithë të tjerët, pse isha me orë, domethënë aq sa orë punoja, aq lekë paguhesha! Kjo gjendje vazhdoi për gjithë ata 4-5 muaj sa punova në gjimnazin e Tiranës.[lxxx]
    Enver Hoxha e quan veten «mësues proletar»! Por një njeri pa diplomë të shkollës së lartë, aq më tepër i porsashkarkuar nga diplomacia si komunist, nuk mund të emërohej mësues në gjimnazin e kryeqytetit (shkollë shumë e rëndësishme derisa në vend nuk kishte universitete), përveçse nëse kishte lidhje konfidenciale me regjimin dhe ishte i ngarkuar me një mision sekret. Ishte pra një njeri i privilegjuar. Emërimi i Enver Hoxhës në Gjimnazin e Tiranës nuk mund të ishte veçse një mision agjenturor që iu ngarkua atij nga policia sekrete mbretërore për të bërë spiunin dhe agjentin- provokator në rrethet e mësuesve dhe të nxënësve. Në këto rrethe qenë përhapur idetë komuniste, të cilat, pas fillimit të Luftës së Spanjës, kishin filluar ta shqetësonin regjimin. Kjo jo aq për faktin se Zogu mendonte se komunistët mund të përmbysnin regjimin e tij në Shqipëri, por se mos atë e akuzonin vendet fqinje dhe fuqitë e tjera se Shqipëria ishte bërë një bazë e komunizmit, dhe se regjimi nuk e kishte nën kontroll situatën. Për këtë qëllim Enver Hoxha tentoi të infiltrojë në rrethet komuniste në Tiranë:
     Tani që më caktuan në gjimnaz më duhej të rifilloja punën dhe luftën ilegale, të lidhesha së pari me shokë e elementë komunistë. Por në Tiranë kjo për mua në ato momente nuk ishte gjë e thjeshtë, sidomos për faktin se në kryeqytet nuk kisha qëndruar asnjëherë gjatë, kisha pak të njohur ndër elementët demokratë e revolucionarë dhe asnjë lloj lidhjeje ose informate të sigurt se me kë mund të takohesha për të hyrë në «strukturat» e lëvizjes së atëhershme komuniste. U përpoqa shumë por s’ po e kapja dot fillin, nëse ekzistonte vërtet ndonjë fill i tillë i lëvizjes së organizuar komuniste në Tiranë.[lxxxi]
    Por, në rast se Enver Hoxha qe takuar me Ali Kelmendin e kishte bashkëpunuar ngushtë me këtë të fundit, siç pretendon, atëherë ky duhet t’ ia kishin dhënë lidhjen me komunistët në Shqipëri, duke përfshirë edhe ata të Tiranës, ku Enver Hoxha kishte ndërmend të shkonte kur thotë se rrinte me Ali Kelmendin në Gjirokastër. Ali Kelmendi kishte marrë kontakt me përfaqësuesit e komunistëve të gjithë Shqipërisë, duke përfshirë dhe ata të Tiranës, gjë të cilën e thotë në raportin e vet për Kominternin. A nuk tha vetë Enver Hoxha, siç e kam cituar më lart, se Ali Kelmendi i foli hapur për lëvizjen komuniste në Shqipëri. Nëse Enver Hoxha tash që gjendej në Tiranë po kërkonte të lidhej me komunistët, atëherë del se Ali Kelmendi nuk i ka folur hapur, se dyshoi tek ai dhe nuk ia dha lidhjen.
    I vetmi komunist me të cilin Enver Hoxha ka lidhje në atë kohë kur gjendet në Tiranë dhe të cilin kërkon ta përdorë për të infiltruar në lëvizjen komuniste është Tahir Kadare, shoku i fëmijërisë, të cilit i ka zënë derën e haurit ku banon: 
     Ai që më fliste herë pas here për «komunistë» e lëvizje komuniste ishte Tahir Kadareja, i cili në ato vite kishte mbaruar shkollën e plotësimit të oficerëve, në Tiranë, por fjalëve e historive të Tahirit vështirë t’ u besoje seriozisht. E njihja në Gjirokastër që nga fëmijëria dhe kur mbërrita në Tiranë disa herë flija në haurin ku ishte vendosur Tahiri. Me të bisedoje lirisht përse të doje: kundër Zogut, kundër Italisë fashiste, për komunizmin etj. Dhe vura re se ai nuk i bënte këto thjesht për pozë apo për t’ u hequr si përparimtar. Pavarësisht nga mendimet e pikëpamjet e avancuara që shfaqte, një herë e pyetja nëse këto pikëpamje ishin thjesht të tijat, ose të dy- tre të tjerëve, apo kishin ndonjë gjë më të organizuar, më serioze në këtë aspekt.
    -Kishim alamet grupi!- më tha.- Po shkonim drejt krijimit të partisë, por na goditi Zogu kur deshëm ta qëronim!
    -Si? Në ç’ mënyrë?- e pyeta.
    -S’ ke dëgjuar ç’ u bë vjet këtu në verë?- më tha i habitur.- Gati- gati morëm fuqinë. E kishim përgatitur çdo gjë me hollësi, për dy tri ditë do të bëhej nami por tamam kur ne do të shpërthenim kryengritjen, dikush na tradhëtoi e na zunë të gjithëve.
    -Ç’ thua!- ia ktheva me një lloj keqardhjeje e qesëndie bashkë.- U paska ikur Zogu nga dora! Mos keni gisht në ngjarjet e Fierit?
    -Tamam ato!- thirri. – E paske dëgjuar?! Repartet kryesore të ushtrisë në Tiranë i kishim në duar. Edhe xhandarmërinë e kishim me vete. Gjer edhe topat që do të qëllonin pallatin e mbretit i kishim caktuar. Por na zunë.[lxxxii]  
    Pas këtij rrëfimi të Enver Hoxhës është e qartë sde ai ka mashtruar kur ka thënë se Ali Kelmendi i ka folur atij hapur për lëvizjen komuniste në Shqipëri. Enver Hoxha këtu qartësisht vepron si një agjent që kërkon ta përdorë Tahir Kadarenë për të infiltruar në lëvizjen komuniste në Tiranë. Enver Hoxha, i vetëshpalluri  bashkëpunëtori i ngushtë i Ali Kelmendit, pohon se për sa kohë qëndro në Tiranë, në vitet 1936- 1937, mbeti krejtësisht në mjegull, sa i përket lëvizjes  komuniste në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë:
     E pyeta Tahirin nëse donte gjë se ç’ bëhej në prefektura e krahina në drejtim të lëvizjes komuniste; më foli diçka të mjegullt për Korçën, por e pashë se nuk dinte gjë për të qenë. Me disa elementë në Tiranë që më sugjeroi, s’ rashë dakord të takohesha, sepse, siç më tha vetë, ata s’ dinin më tepër se ç’ u thoshte Tahiri. I mbante «në lidhje» më shumë për muhabet e për ndonjë dorë bixhoz sesa për veprimtari ilegale. Kaluan kështu disa muaj dhe s’ po gjeja asnjë rrugë e mundësi për t’ u lidhur me elementë të vërtetë komunistë.[lxxxiii]
    Komunistët e Tiranës e refuzonin Enver Hoxhën se ai kishte një famë të keqe për bëmat e tij dhe dyshohej si spiun i regjimit. Për shkak se Enver Hoxha dështoi që të infiltrojë në lëvizjen komuniste në Tiranë, regjimi vendosi që ta çojë mësues në Korçë. Enver Hoxha thotë në kujtimet e veta se ishte ai që i kërkoi Ministrisë së Arsimit që ta transferonin në Korçë:
     Duke u nisur edhe nga fakti që mënyra si isha sistemuar në punë në Tiranë ishte krejt gjysmake, nisa përpjekjet për të kërkuar punë si mësues në Korçë, mundësisht në lice. Atje i njihja mirë qytetin e njerëzit e tij, njihja liceun, shokë e miq kisha më tepër. Kryesorja është se e dija, sidomos nga Ali Kelmendi, se lëvizja komuniste atje ishte më e organizuar e më e ndjeshme. Punëtorët korçarë, komunistët e atjeshëm, mendoja, do të më gjejnë vetë, pavarësisht nga përpjekjet që s’ do të më mungonin.[lxxxiv]
    Si guxonte Enver Hoxha të kërkonte punë si mësues në Liceun e Korçës, një nga shkollat e mesme më me emër në vend, kur nuk kishte diplomë të shkollës së lartë, çka ishte kusht për të dhënë mësim në lice? Kuptohet se kjo mund të ndodhte vetëm me ndërhyrjen e policisë sekrete mbretërore. Pastaj pse Enver Hoxha thotë se e kishte problem lidhjen me komunistët korçarë? Skënder Topulli, i supozuari komunist, për të cilin ka thënë se kishte lidhje me Grupin Komunist të Korçës dhe se e lidhi me Ali Kelmendin, në atë kohë gjendej pikërisht në Korçë, ku punonte si mjek. Është e qartë se Enver Hoxha këtu na zbulon se historia se si Skënder Topulli e lidhi me Ali Kelmendin është një trillim prej komediani.
    Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për emërimin e tij në Korçë dhe vajtjen në këtë qytet:
     U ankova disa herë në drejtorinë e gjimnazit të Tiranës e në ministri për statusin time gjysmë me punë, gjysmë pa punë, bëra presion dhe, ndërkohë, vura në lëvizje kolegët e gjimnazit që të më ndihmonin të gjeja një punë për të qenë në arsim, qoftë edhe jashtë Tiranës!
    Më në fund, aty nga marsi i vitit 1937, më njoftuan se isha emëruar me punë në liceun e Korçës! Kjo ishte një ngjarje e madhe për mua, një ngjarje që do të ndikonte shumë në të ardhmen time. Nuk prita gjatë, mblodha ato pak gjëra që kisha, u nisa në një nga ditët e para të prillit dhe mbërrita në Korçë.[lxxxv]
    Mbi ç’ bazë bënte presion një njeri pa diplomë të shkollës së lartë, kur përkundrazi duhet të qenë ata që kishin diploma të shkollës së lartë dhe e kërkonin këtë vend pune, të cilët duhet të ankoheshin dhe të bënin presion se përse këtë vend pune e mbante Enver Hoxha. Aq më tepër kur ai ishte shkarkuar nga diplomacia si komunist? Sigurisht që për Enver Hoxhën ka bërë presion në ministrinë e Arsimit policia sekrete mbretërore. Në 9 mars 1937, pak ditë para se Enver Hoxha të emërohej në Liceun e Korçës, prefekti i Korçës shkruante në një raport për Ministrinë e Punëve të Brendshme:
     Tue pasë konstatue sidomos në këto kohnat e fundit se këtu në Korçë dhe në disa vise të tjera të Shqipnisë përhapja e idenave komuniste ka marrun një hov të gjanë, shifet me të vërtetë e nevojshme marrja e disa masave preventive, tue fillue nga trupi arsimuer, i cili duket se asht i infektuem më tepër se çdo tjetër kategori.[lxxxvi]
    Një nga masat që u morën duket se ishte emërimi i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës. Enver Hoxha pretendon se edhe në Liceun e Korçës i bënë padrejtësi duke i dhënë statusin e mësuesit «proletar»:
     Formalitetet në lice nuk zgjatën shumë, më thanë se do të jepja gjuhë frënge e moral dhe, pas kësaj, si për të mos u gëzuar shumë, më njoftuan se norma e punës sime përsëri do të ishte e cunguar; do të paguhesha sipas orëve të mësimit që do të jepja!
    -Pse kështu?- i pyeta.- Në ministri më thanë se jam emëruar definitivisht.
    -Nuk keni ngarkesë të plotë,- më thanë,- Në na u krijoftë ngarkesë, do të ta japim.[lxxxvii]
    Enver Hoxha këtu bën një mashtrim të trashë se emërimi definitivisht i mësuesit të shkollës së mesme bëhej me dekret të mbretit dhe Enver Hoxha kur shkoi në Korçë e dinte nëse kishte dalë ose jo një dekret i tillë, si dhe përmbajtjen e tij. Fakt është se për Enver Hoxhën nuk ka një dekret emërimi. Dhe as që mund të kishte një dekret të tillë se në rast se do të dilte një dekret mbretëror për emërimin e të padiplomuarit Enver Hoxha si mësues me kohë të plotë në lice, kjo është njëlloj sikur të dilte një dekret që thoshte se Enver Hoxha qe agjent i policisë sekrete mbretërore. Enver Hoxha as që mund të pretendonte të emërohej definitivisht, kur nuk kishte diplomë, gjë për të cilën nuk duhej të ishte emëruar as si mësues me orë. Enver Hoxha kujton për kohën që qëndroi në Korçë, në vitet 1937- 1940:
     Nisi kështu faza e dytë e jetës sime në Korçë, tash si mësues në lice. Punova këtu tre vjet me radhë si mësues… fakt është, në ato tre vjet të punës sime në Korçë, qënia profesor në lice dhe dhënia e mësimit me kohë u kthyen në një sfond, në një mbulesë të veprimtarisë që nisa të zhvilloj dhe unë në radhët e Grupit Komunist «Puna» të Korçës.[lxxxviii]
    Në rast se hyri në radhët e Grupin Komunist të Korçës, do të thotë se u bë anëtar i njërës prej celulave të këtij grupi. Në atë kohë, procedura për t’ u bërë komunist i organizuar në ndonjë nga grupet që vepronin në vend ishte si më poshtë. Struktura e grupeve komuniste qe me celula prej 5-6 vetësh. Secila celulë krijonte një grup edukativ simpatizantësh. Çdo anëtar i celulës kishte disa simpatizantë me të cilët punonte dhe që më pas i sugjeronte për t’ i pranuar si anëtarë të grupit. Ai që donte të bëhej komunist duhet të gjente ndonjë komunist të organizuar që ta regjistronte në grupin edukativ që drejtonte, çka e bënte si të anëtar thuash kandidat për anëtar të celulës. Më pas, kur të konsiderohej i përgatitur, pranohej i celulës në varësi të së cilës ishte grupi edukativ, dhe kështu bëhej komunist i organizuar.
    Në këtë rrugë duhet të kishte kaluar edhe Enver Hoxha, nëse ishte bërë vërtet komunist i organizuar. Por ai nuk thotë se në cilin grup simpatizantësh bënte pjesë, kush qe përgjegjësi i celulës që kishte në varësi grupin e tij edukativ, kush qenë anëtarët e grupit edukativ ku bënte pjesë, dhe kur kaloi nga anëtar i grupit edukativ në anëtar i Grupit Komunist, në cilën celulë bënte pjesë, kush qe përgjegjësi i celulës, kur u bë mbledhja e parë. Këto gjëra nuk harroheshin, në rast se kishin ndodhur vërtet. E pra mbante mend historitë e Ramo Jolixhiut, të Vehip Qorrit, apo si e takoi biondin shumë të bukur Roncant në sportelin e Universitetit të Monpeljesë, ndërsa këto «i harron».  
    Enver Hoxha, në librin me kujtime «Kur lindi Partia», të botuar në vitin 1981, shtatë vite para librit «Vite të Rinisë» thotë se, kur shkoi në Korçë, në 1937, u bë anëtar i Grupit Komunist të Korçës:
     Më vonë, kur u ktheva në Korçë, në lice, si mësues ose profesor, siç quheshin atëherë mësuesit e shkollave të mesme, isha i përgatitur «për barrikada», siç më pat thënë shumë vjet më parë Koci Bakoja. Ishin përgatitur më mirë për barrikada edhe vetë mësuesit e mi të parë të lëvizjes komuniste në Shqipëri, punëtorët revolucionarë korçarë. Këtë e vura re menjëherë, pasi u lidha me ta, tashmë në mënyrë të organizuar, nëpërmjet shokëve të mi: Stefo Grabockës e Llambi Dishnicës, anëtarë të Grupit komunist të Korçës.[lxxxix]
    Por as këtu nuk jep hollësi. Si një komedian i vërtetë, ai më në fund, sikur të ketë synim kryesor që t’ i bëjë të tjerët për të qeshur, thotë më në fund se ai në fakt nuk ka qenë anëtar i ndonjë celule të Grupit Komunist të Korçës, duke e justifikuar këtë me shpërndarjen e celulave të Grupit Komunist të Korçës, sipas direktivave që i erdhën nga Kominterni në atë kohë:
     Kur unë nisa veprimtarinë në grupin «Puna», kishin ardhur direktivat e reja të Kominternit për lëvizjen komuniste në Shqipëri, të përpunuara në një mbledhje në Moskë në dhjetor 1935- janar 1936 në frymën e direktivave të Kongresit VII të Kominternit. Siç dihet, Grupi i Korçës, që në verën e 1936-ës u njoh me ato direktiva dhe ishte ndër të vetmit që i pranoi ato, duke filluar nga kërkesa e parë, shpërndarja e celulave «sektare» dhe futja e komunistëve në masat e punëtorëv, fshatarëve, intelektualëve, të rinisë etj. Kështu që në Korçë, unë vërtet nuk mora pjesë në ndonjë «celulë» në formën e mëparshme organizative të tyre, por qoftë me shokët komunistë të liceut e ca më tepër me punëtorë e zanatçinj komunistë, takoheshim vazhdimisht. Stefo Grabocka, Sotir Gurra, Llambi Dishnica e Nesti Titani ishin ndër ata me të cilët takohesha më shpesh e më rregullisht pa folur këtu për Mihan, Pilon, Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin e të tjerë, me të cilët, si shokë të udhëheqjes së grupit, kontaktet ishin të përhershme.[xc]
    Këtu Enver Hoxha mashtron me një lehtësi prej komediani. Rrenën ia nxjerr edhe «Historia e PPSH», e botuar në kohën kur ai ishte në pushtet, nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste i Nexhmije Hoxhës. Në këtë libër thuhet se direktivat e Kominternit,  për të cilat flet Enver Hoxha, u paraqitën për herë të parë në një mbledhje të mbajtur në Moskë:
     Në dhjetor 1936 Ali Kelmendi mbajti raportin në mbledhjen me aktivistë komunistë shqiptarë që vepronin jashtë shtetit. Kjo mbledhje u organizua në Moskë me inisiativën e Seksionit Ballkanik të Kominternit për të analizuar gjendjen e lëvizjes komuniste shqiptare dhe për të caktuar detyrat që dilnin para saj në në dritën e direktivave të Kominternit... Pas shqyrtimit të raportit mbledhja mori vendime që u aprovuan dhe nga Kominterni. Sipas këtyre vendimeve në Shqipëri do të krijohej një organizatë ilegale me karakter demokratik dhe antifashist. Ajo do të drejtohej nga një komitet qendror, ku do të bënin pjesë komunistë dhe nacionalistë patriotë. Bërthama komuniste e këtij komiteti do të përbëhej prej pesë vetash që do të punonin brenda në vend. Kjo organizatë do të shërbente si mbështetje për krijimin e frontit popullor. Në lidhje me organizatat komuniste, Kominterni nisej nga fakti se celulat e vjetra ishin të shkëputura nga masat e të mbyllura në vetvete dhe, si të tilla, nuk ishin të afta të zbatonin vijën e re. Prandaj, ato dhe forumet e tyre drejtuese duhej përkohësisht të shpërndaheshin e të riorganizoheshin mbi bazën e partisë, pasi të kishin hedhur themele të shëndosha  në masat, duke punuar në shoqëritë legale. Lidhjet midis komunistëve duhet të ishin individuale. Detyrën e qendrës organizuese komuniste deri në formimin e partisë do ta kryente bërthama komuniste e Komitetit Qendror.[xci]
    Enver Hoxha thotë se direktivat e Kominternit për lëvizjen komuniste shqiptare u përpunuan dhe u paraqitën në dhjetor 1935-janar 1936 dhe erdhën në Shqipëri në verën e vitit 1936. Kështu i konvenon Enver Hoxhës, në mënyrë që ai të thotë se organizata komuniste në Korçë ishte shpërndarë në fillim të vitit 1937, kur ai erdhi në këtë qytet. Merret vesh, Enver Hoxha nuk ka marrë mundimin as të lexojë librin «Historia e PPSH», ku thuhet saktë se kjo mbledhja në Moskë ku u përpunuan direktivat për lëvizjen komuniste shqiptare është bërë në dhjetor 1936. Natyrisht që direktivat do të dilnin pasi të paraqitej raporti dhe jo e kundërta. Gjithashtu «Historia e PPSH» thotë:
     Për t’ i çuar në Shqipëri këto udhëzime u ngarkuan Ali Kelmendi dhe Koço Tashkua.[xcii]
    Ali Kelmendi nuk mundi të shkonte përsëri në Shqipëri, kështu që mbeti vetëm Koço Tashko që erdhi në Shqipëri si emisar i Kominternit. Meqënëse jemi këtu, direktivat e Kominternit për shpërndarjen e organizatave komuniste në Shqipëri, deri në formimin e partisë, janë një moment interesant në marrëdhëniet e lëvizjes komuniste shqiptare me Moskën. Në dhjetor 1936 Kominterni (Bashkimi Sovjetik) praktikisht mori vendim për shpërbërjen e organizatave komuniste shqiptare, me arsyen e dobët, deri në krijimin e partisë, gjë që në anën tjetër mund të bëhej vetëm me miratimin e Moskës. Pra, praktikisht u urdhërua zhdukja për një periudhë të pacaktuar e lëvizjes komuniste të organizuar në Shqipëri. Pse nuk u bë menjëherë pas shpërndarjes së celulave dhe udhëheqjes së grupeve formimi i partisë komuniste kur pas pesë vitesh partia u krijua thjesht duke u mbledhur 16 vetë, me formulën praktike që në fillim të krijohej partia, pastaj të vazhdonin debatet për çështjet që i ndanin grupet e ndryshme? Nuk është e rastit që Moska e bëri shpërndarjen e organizatave komuniste në Shqipëri, menjëherë pas fillimit të luftës në Spanjë. Bashkimi Sovjetik nuk donte të akuzohej nga Italia fashiste, me të cilën kishte marrëdhënie të mira, se donte të vendoste një regjim komunist në Shqipëri. Moska, duke njohur interesat italiane në Shqipëri, në mënyrë që mos e akuzonte Roma se kishte dorë në puçet që bëheshin në Shqipëri, urdhëroi shpërndarjen e organizatave komuniste shqiptare. Shpjegim tjetër nuk ka. Direktiva për shpërndarjen e organizatave komuniste në vend, qe aq e çuditshme dhe e pakuptueshme saqë atë refuzuan ta pranojnë organizatat komuniste në Shqipëri, duke mos pranuar të besojnë se vinte nga Moska dhe duke e konsideruar një lojë të policisë sekrete mbretërore, e cila kishte arritur që të bënte për vete Koço Tashkon, i cili paraqitej si emisar i Kominternit. Edhe për Grupin Komunist të Korçës është thënë nga historiografia komuniste se i pranoi direktivat e Kominternit me vonesë dhe i shpërndau celulat vetëm në mars 1938.
    Enver Hoxha bën një truk prej komediani në kujtimet e veta duke dashur të japë të kuptojë se celulat e Grupit Komunist të Korçës u shpërndanë para apo pas vajtjes së Enver Hoxhës në Korçë. Enver Hoxha shkoi në Korçë në prill 1937, siç e kam cituar më lart nga kujtimet e tij, ndërsa celulat e Grupit Komunist të Korçës dhe vetë ky grup u shpërndanë njëmbëdhjetë muaj më pas, në mars të vitit 1938. Këtë gjë e thotë dhe «Historia e PPSH», e botuar në kohën e Enver Hoxhës:
     Grupi i Korçës nga ana e tij, vazhdoi të mbetej i mbyllur në qytetin e vet. Në mars të vitit 1938 ai i shpërndau celulat.[xciii]
    Pra, Enver Hoxha, në rast se donte të bëhej anëtar i Grupit Komunist të Korçës, kishte rreth një vit kohë për ta bërë këtë gjë. Enver Hoxha duhet të ketë tentuar që të bëhet anëtar i Grupit Komunist të Korçës, por atë nuk e kanë pranuar, se nuk kishte rekomandime nga komunistë të tjerë, kishte reputacion të keq, si dhe dyshohej si spiun i regjimit. Enver Hoxha, në Plenumin II të Komitetit Qendror të PKSH, që u mbajt në Berat, në nëntor 1944, i gjendur përballë urdhrit të emisarit jugosllav Stoiniç, që të bëjë autokritikë, e cila duhet të fillojë që nga koha e hyrjes në lëvizjen komuniste, u detyrua të thotë:
     Kur unë mora pjesë në Lëvizje me Grupin e Korçës, puna zhvillohej në mënyrë konspirative. U afrova me këta shokë dhe u gjenda afër Koço Tashkos. Të tjerët kujtonin se unë isha kryetar i punës, një nga krerët, por unë isha vetëm një simpatizanët, unë nuk isha anëtar.[xciv]
    Në fakt Enver Hoxha nuk ishte as simpatizant i shquar sa kohë qe në Korçë. I tillë u bë kur shkoi në Tiranë, në 1940. «Kumbar» i futjes së Enver Hoxhës në lëvizjen komuniste u bë Koço Tashko. Kur Koço Tashko erdhi në Shqipëri në vitin 1937, si i dërguar i Kominternit, rusët e dinin se atë do ta kapte policia sekrete e Zogut dhe do ta detyronte të rrëfehej. Megjithatë e bënë këtë gjë se donin t’ i jepnin sigurime Italisë fashiste, në sferën e influencës të së cilës qe Shqipëria, se nuk donin të organizonin një lëvizje subversive komuniste në Shqipëri. Koço Tashko nuk u arrestua nga policia mbretërore shqiptare në fund të vitit 1938 dhe në fillim të vitit 1939, kur u bënë arrestime masive të komunistëve, dhe nuk doli si i pandehur në gjyqin e komunistëve, edhe pse njihej si komunist. Kjo do të thotë se ai kishte bashkëpunuar me policinë sekrete mbretërore dhe qe vënë në shërbim të saj. Policia sekrete mbretërore e urdhëroi Koço Tashkon që t’ i krijonte mundësinë Enver Hoxhës që të infiltronte në lëvizjen komuniste, qoftë edhe në mënyrë jo të organizuar, pra duke u pranuar në rrethet e komunistëve. Kështu, Enver Hoxha, me anë të Koço Tashkos mundi të infiltronte më së fundi në lëvizjen komuniste shqiptare.
    Enver Hoxha në kujtimet e veta tregon disa histori për mënyrën se si u lidh me komunistët shqiptarë, histori të cilat vlejnë vetëm për të ilustruar natyrën e tij prej komediani. Tek libri me kujtime «Vite të Rinisë» ai thotë kështu:
     Për t’ u rilidhur me komunistët korçarë nuk e pata të vështirë. Disa ditë pas mbërritjes sime atje, shkova në bazën time të vjetër, në ëmbëltoren e Koci Bakos, për t’ u takuar me mikun e vjetër e për të nxjerrë mallin e «ëmbëlsirave» të kohës kur kisha qenë student. Koci m’ u hodh në qafë sa hyra te dera dhe u habita kur mësova se ai e dinte që isha emëruar në lice.
    -Kur më thanë që ke ardhur profesor në lice edhe u gëzova, nisi të më thotë, por edhe mendova se s’ kisha për të ardhur më në karakatinën time.
    -Ç’ thua!- ia ktheva.- Përse të mendoje ashtu?
    -Epo helbete! Kur ishe student i varfër, ëmbëlsirat e Kocit ishin luks i madh! Tani që u bëre profesor, mendova se do të bësh si të tjerët, do t’ i mbash këmbët te «Kristali».
    -Kot që m’ i ke dhënë ato ëmbëlsirat atëherë, - e shpova duke i shkelur syrin.[xcv]
    Por ama e vetmja fotografi ku ka dalë në një kafene në Korçë, dhe që botohet tek libri «Vite të rinisë», është ajo në kafene «Kristal»,[xcvi]e cila këtu përçmohet si «borgjeze», jo tek pastiçeria e Koci Bakos!
    Çka rrëfen Enver Hoxha më lart nuk tregon për lidhje me komunistët korçarë, por për një vajtje në kafenenë e një komunisti si Koci Bako. Në kujtimet e Enver Hoxhës rrëfehet edhe një episod tjetër për mënyrën se si u lidh me Grupin Komunist të Korçës, me ç’ rast ai gjen mundësi të shpjegojë edhe një skandal homoseksual në të cilin u përzie ai në atë kohë dhe që njihej si ngjarje, në kohën që shkruante Enver Hoxha kujtimet. Ai shkruan:
    Ndodhesha pra në këtë shtëpi të parë, kur disa ditë pas vizitës tek ëmbëltorja e Kocit, një mbasdite, ndërsa po përgatitesha për mësimin e së nesërmens, hyri i zoti i shtëpisë e më thotë.
    -More Enver, po pse s’ na ke thënë neve që s’ të heq mirë oxhaku?! Shkonim ne gjenim usta, more djalë, pse vihe në siklet vetë?!
    Nuk po merrja vesh fare se përse ishte fjala dhe, sa do t’ i thosha që s’ kisha idenë e kësaj gjëje, zgjati kokën te dera një i panjohur për mua e thotë:
-Zoti profesor, më dërgoi ustai t’ ju pastroj oxhakun sipas porosisë suaj!
    E mblodha shpejt veten duke menduar se diçka fshihej pas këtij «shërbimi» të papritur dhe u detyrova të justifikohem tek i zoti i shtëpisë se gjoja vërtet kisha biseduar me ca shokë për tymin e sobës.
    «Pastruesi i oxhakut» hyri brenda, lëshoi mbi dysheme një çantë me ca litarë, çekiçë e lecka e nisi t’ u vërtitej tubave të sobës. E pashë se s’ ia thoshte atij zanati, bile aq shumë i godiste me çekiç, sa rrezik t’ i shtrembëronte e t’ i rrëzonte fare.
    -Me cilin usta punon?- nisi të pyeste i zoti i shtëpisë.
    -Me më të mirin e Korçës!- ia kthente «pastruesi»
    -Po ç’ emër ka ai, bre djalë?!
-Të mbaroj punë pastaj ta them!- i bënte bisht »oxhakpastruesi» e bamb bumb mbi qyngjet e sobës e në rrëzë të murit, ku tubi futej në oxhak.- Di ç’ ke zotrote?- ia ktheu pastaj të zotit të shtëpisë.- Shko i thuaj sat shoqeje të na bëjë gati kafenë e rakinë. Do të vimë me profesorin ta pimë poshtë, te sobalka.
    Ai zbriti, dhe ndërsa unë po mundohesha të zhbiroja se ç’ ishtë tërë kjo histori, «pastruesi i oxhakut», nisi të më tregonte:
    -Erdhi Koci Bakoja tek ustai e po të lëvdonte e të ngrinte në qiell. «Profesor liceu, biri i botës, po dashurinë e ka me proletarët», kështu i thoshte.
    «Mos të do për të ëmblat, o Koci» i tha usta Pilua, por Kocit ia ke rrëmbyer zemrën. «Jo bre, - i thoshte,- ja ta njohësh e do ta shohësh se edhe kudhrën tënde do ta dojë, edhe mballomatarinë e Mihës do ta pëlqejë». Se që thua, ti profesor, ne punëtorë e të këputur jemi, punojmë kush në një dyqankë e kush në një punishte, por merremi vesh mirë dhe e duam njëri-tjetrin. Po edhe për të lexuar lexojmë ndonjë gjë, edhe njerëzit e mençur i duam. Njerëz të mësuar, që thua zotrote, ka plot Korça, por ka të mësuar e të mësuar. Domethënë Kocit ia ke bërë shumë qejfin, i ke hyrë në zemër. Më tha vetë Piloja «pa shko o Raqkë, se Raqi Themeli më quajnë, e shihe profesorin si i shkon tymi». «Ç’ tym a t’ u mbylltë!- ia ktheva.- Unë jam teneqexhi, s’ marr vesh nga oxhakët». «Po shko bre, e hiq hundët te dhoma e profesorit!- ma ktheu Piloja. Shih si i vete tymi, ç’ ka ndonjë hall se, helbete, i porsaardhur është në Korçë!» Ja, për këtë erdha, o zoti profesor, të bëra ca pis e rrëmujë po një qar e kam: do ia pi një raki e një kafe zonjës së shtëpisë.
    Qeshja gjatë tregimit të tij, e kuptova mirë mesazhin dhe më në fund, për ta ngacmuar i thashë:
    -Faleminderit për të gjitha, po më thuaj: si t’ u duk se ecën tymi im?
    -Birinxhi, bre profesor, birinxhi më duket mua! Them për kutin e hundës sime, bre, se ndryshe e kam unë, ndryshe Koci, ndryshe Piloja!
    Të nesërmen a të pasnesërmen shkova te farkëtaria e Pilo Peristerit, e njohëm shpejt njëri-tjetrin dhe që nga ato momente nisi veprimtaria ime, tashmë e organizuar, në radhët e Grupit Komunist «Puna» të Korçës. Më vinte mirë dhe e kisha për nder që në ato vite militova aq sa munda dhe pa kursyer asgjë në radhët e këtij grupi komunist, krah për krah me proletarët komunistë Miha Lakon e Pilo Peristerin, Koci Bakon e Sotir Gurrën, Petro Papin, Nesti Titanin, Petraq Titanin, Raqi Themelin, Foni Thanon, Llambi Dishnicën, Stefo Grabockën e dhjetëra të tjerë.[xcvii]
    E pse duhej të jepej në këtë mënyrë kumti se ftohej të bëhej anëtar i grupit komunist, kur dihet se si ishte procedura që e kam përshkruar më lart? E ftuan me një oxhakfshirës fals. Ç’ absurditet! Kur ai pretendon se kishte bashkëpunuar me Ali Kelmendin dhe se kishte mik Skënder Topullin për të cilin thotë se kishte lidhje me Grupin Komunist të Korçës. E vërteta e historisë së mësipërme, që tregon Enver Hoxha, është se i zoti i shtëpisë, ku ai rrinte me qira, i mërzitur ngase në dhomën e Enverit vinin djem të njohur si homoseksualë, e kapi në flagrancë, duke pasur dhe disa dëshmitarë dhe deshi ta dëbonte nga shtëpia. Por të zotin e shtëpisë e thirrën në xhandarmëri dhe i thanë të mbyllte gojën ndryshe do ta pësonte keq. Kjo është historia ku i zoti i shtëpisë bën fjalë me djalin «oxhakfshirës» që kishter ardhur në dhomën e profesorit.
    Për veprimtarinë e vet komuniste në Korçë Enver Hoxha thotë:
    Si «sektor» mua më caktuan të punoja për përhapjen e ideve komuniste e për të çuar detyrat e grup në lice, në radhët e intelektualëve përparimtarë e rinisë jashtëshkollore korçare. Për këtë të fundit, me rekomandim të udhëheqjes së grupit, u bëra edhe anëtar i shoqërisë «Rinia jashtëshkollore korçare» dhe merrja pjesë rregullisht në tërë veprimtaritë e shoqatës, që ç’ është e vërteta, në ato vite ishin të shumta dhe shpesh me karakter të ndjeshëm politik.[xcviii]
    Enver Hoxha këtu nuk sqaron nëse këto gjëra i ka bërë para shkrirjes së celulave të Grupit të Korçës, apo pas. Në rast se i ka bërë para shkrirjes së celulave, atëherë del pyetja se përse nuk u bë anëtar i rregullt i Grupit komunist, pra anëtar celule. Nëse i ka bërë pas shkrirjes së celulave, atëherë nuk mund të kishte më udhëheqje të Grupit të Korçës, se sipas direktivave të Kominternit, që i kam cituar më lart, edhe udhëheqja e Grupit duhet të ishte shkrirë, dhe të kishte vetëm një Qendër komuniste në rang vendi.
    Enver Hoxha në kujtimet e veta bën përpjekje të duket se kur ka qenë mësues në liceun e Korçës, ai ka jetuar në mes të punëtorëve, të proletarëve:   
    Më kujtohen bisedat me Miha Lakon, në dyqanin e tij të vogël, ku duke rrahur shollën e këpucës që të mos na dëgjohej biseda, flitnim dhe organizonim demaskimin e trockistëve, arqiomarksistëve, si Niko Xoxi, Arstidh Qendro, Zef Mala. Më kujtohet farka e Pilos përballë kafenesë «Afrika», ku mblidheshim dhe edukoheshim për veprim. Kam kujtimet e Koci Bakos, dyqanin e tij të vogël ku shkonim e hanim nga një pastë dhe dëgjonim «Internacionalen» nga Moska e Stalinit. Kam kujtimet e mikut e shokut tim Sotir Gurrës, mbledhjet që bënim në shtëpinë e Korit, në kafenenë e vogël pas «Mërkurit» o te dyqani i qymyrit të Hamit Baçes, ku dikur vinte Ali Kelmendi, kur ishte i internuar në Korçë.[xcix]
    Nuk përjashtohet që të ketë ndodhur kështu, se Enver Hoxha duhet të kishte marrë detyrë nga policia sekrete mbretërore, që të merrte kontakt me njerëz nga shtresa të ndryshme dhe pastaj të raportonte për idetë që qarkullonin në këto mjedise. Kjo kuptohet nga episodi i mëposhtëm që tregon ai në kujtimet:
     Edhe në kovaçhanën e Pilos venim vazhdimisht. Ai, si proletar i vendosur, rrihte mbi kudhër hekurin e skuqur, duke biseduar ç’ do të bënim të nesërmen, ç’ do të bënim të pasnesërmen e në ditët e tjera që do të vinin.
-Mos eja kaq sheshit këtej,- më thoshte nganjëherë ai gjithë merak.- Duhet të ruhesh.
-Pse?- e pyesja.
-Qysh pse? Hafijet janë sheshit. «Çdo profesori i Liceut në kovaçhanë?!»- do të pyesin e të vihen mbrapa.[c]
    Por Enver Hoxha nuk kishte frikë sepse ai vetë ishte pikërisht një nga hafijet (spiunët) e sheshit. Enver Hoxha, në kujtimet e veta e akuzon Zef Malën, kryetarin e Grupit Komunist të Shkodrës, si spiun të policisë së Zogut:
     Zef Mala, kryetari i grupit, mbaroi si agjent i policisë zogiste, i kallzoi të gjithë shokët dhe punën që bënte grupi i tyre. Policia i arrestoi shokët kryesorë të Grupit të Shkodrës, i çoi në gjyq dhe i dënoi me burgime të ndryshme.[ci]
    Zef Mala u arrestua nga regjimi dhe doli si i pandehur në Gjyqin e komunistëve në shkurt 1939, ku u dënua me 10 vjet burg, ndërsa kur Shqipëria u okupua nga Italia fashiste, ai u internua në Itali. Ndërsa Enver Hoxha, edhe pse pretendon se njihej nga regjimi i Zogut si komunist, nuk u arrestua dhe nuk doli në gjyqin e komunistëve në shkurt 1939, ku qenë 73 të pandehur si komunistë, duke përfshirë edhe shumë vetë nga Grupi Komunist i Korçës.
    Në Korçë Enver Hoxha bënte një jetë luksoze, shumë përtej asaj që mund t’ i lejonte vetes një mësues «proletar», siç e quan veten ai, që paguhej me orë. Për këtë gjë kemi dëshminë e Sterjo Spase, shkrimtar i njohur, i cili qe mësues në Korçë, në të njëjtën kohë me Enver Hoxhën. Në librin «Kujtime për Enverin», botuar nga regjimi komunist pas vdekjes së Enver Hoxhës, gjenden edhe kujtimet e Sterjo Spases, ku ai rrëfen për një takim me Enver Hoxhën, në atë kohë, në Korçë:
    Pa e kuptuar fare e kaluam bulevardin dhe hymë në restorantin e Hotelit «Pallas» përballë Bashkisë. Enveri zakonisht atje hante drekën. Unë pata shkuar shumë rrallë.[cii]
    Sterjo Spase qe një shkrimtar i njohur që në atë kohë, dhe që tashmë kishte botuar një roman të suksesshëm me titull «Pse», si dhe shumë shkrime në gazeta e revista nga të cilat kishte marrë të ardhura shtesë veç rrogës. Gjithashtu, Sterjo Spasse kishte dhe të ardhura nga ekonomia e vet në fshat. E megjithatë ai natyrisht që nuk mund të shkonte përditë të hante në restorantin e Hotel «Pallas», i cili në atë kohë qe hoteli dhe restoranti më luksoz dhe më i shtrenjtë në Korçë, që frekuentohej nga të pasurit. Enver Hoxha nuk mund të ishte klient i rregullt i këtij restoranti, përveçse në sajë të rrogës së dytë, që merrte nga policia sekrete mbretërore.
    Në Korçë Enver Hoxha hyri në rrethin e miqve të Faslli Frashërit, për të cilin siç kam thënë më parë, ishte njeriu i besuar i Mbretit Zog në Korçë, edhe pse nuk kishte asnjë post zyrtar. Në fakt, Faslli Frashëri ishte shef i shërbimit sekret të Zogut për Prefekturën e Korcës. Zogu nuk kishte një shërbim sekret zyrtar, por një shërbim sekret, si të thuash privat. Studiuesi Kastriot Dervishi në një libër për shërbimin sekret shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore paraqet tezën se shërbimi sekret i monarkisë shqiptare ka qenë Zyra Sekrete e Ministrisë së Brendshme. Në fakt ajo ka qenë vetëm zyra e korrespondencës sekrete dhe e shifrës. Zogu nuk kishte besim që të bënte një shërbim sekret zyrtar se kishte frikë se mos funksionarët e tij binin nën kontrollin e të huajve. Prandaj parapëlqente që të mbante një strukturë thuajse private, evazive, e cila funksiononte si një zyrë e oborrit. Këtë praktikë do ta ndiqte më pas dhe Enver Hoxha, kur të vinte në pushtet. Aq e njohur ishte miqësia e Enver Hoxhës me Faslli Frashërin, saqë Enver Hoxha, në kujtimet e veta, kur i bën një portret të saktë Faslli Frashërit, e gjen të nevojshme të bëjë dhe një apologji për lidhjet e veta me të. Nga portreti që i bën Enver Hoxha Faslli Frashërit, kuptohet mirë se kush ka qenë Faslli Frashëri, por edhe se cili ka qenë Enver Hoxha në atë kohë:
     Fazlli bej Frashëri, që hiqej si demokrat, ishte nga ata elementë të feudo-borgjezisë me njëqind flamurë në xhep, që vërtitej nga frynte era. Kisha dëgjuar për të, por edhe vetë e kisha njohur kur isha në Korçë, sidomos në ditët kur përpiqeshim të organizonim rezistencën kundër pushtimit fashist. Si një njeri pa skrupuj e parime, përpiqej të shtonte autoritetin e tij në shtresat e intelektualëve korçarë, në radhët e borgjezisë tregtare të qytetit, ta kishte mirë me bejlerët, pronarë të tokave, si me Maliq bej Frashërin dhe me shumë agallarë korçarë, të ruante influencën në të gjithë politikanët zogistë dhe pseudodemokratë, duaxhinj të tiranit. Hiqej si liberal antizogist, por në fakt ishte një zogist i kamufluar. Në Korçë qarkullonin zëra, dhe këto ishin në interes të regjimit, se Zogu e thërriste në pallat herë pas here dhe këshillohej me të.
    Kjo «famë» ushqehej nga njerëzit e tij dhe të regjimit, të cilët shpreheshin: «Zogu ecën me dy këmbë në Korçë»; me këmbën myslimane të Fazlli Frashërit dhe me këmbën e krishtere të Koço Kotës e të Pandeli Evangjelit. Këta dy të fundit ishin këshilltarë të hapur të Zogut, emëroheshin edhe kryeministra, kurse Fazlliu qëndronte në hije, ishte «l’ eminence grise» e mbretit satrap. Në kohën kur më njohën edhe mua me të në Korçë, ai shkonte rrallë në Tiranë, por në Korçë ishte miku i të gjithë prefektëve që vinin dhe iknin.
    Fazlli Beu i kishte ndarë rolet me të vëllanë e tij, Qazimin, apo Qazkën, siç i thoshte populli, një nga sipërmarrësit dhe tregtarët më të mëdhenj e më shfrytëzues të Korçës. Influenca e Fazlliut te Zogu, te Krosi e të Koço Kota kanalizohej nëpërmjet Qazkës, i cili merrte favoret e regjimit, sipërmarrjet, bënte allishverishe me tregtarët e mëdhenj të Korçës, me bejlerët dhe me agallarët, kurse Fazlli Beu luante rolin e atij që nuk përzihej në këto punë, se gjoja çështjet materiale nuk i interesonin. Fazlliu hiqej si idealist, si politikan i madh, si njeri me kulturë e filozof. Aa, në këto drejtime «ai ishte i pari»!
    Në shtëpi te Qazka, pse Fazlliu ishte beqar, me siguri jepte këshilla, lidhte e zgjidhte intriga me Tefik Mborjen, që pas pushtimit u bë ministër i partisë fashiste «shqiptare», dhe me të vëllanë, Selim Mborjen (tregtar i madh, që bashkë me një italian qe pronar i fabrikës së birrës), me Petraq Katron, tregtar i madh edhe fashist i orëve të para.[ciii]  
    Fazlli Frashëri ka qenë vërtet kështu siç e përshkruan Enver Hoxha, por edhe Enver Hoxha bënte pjesë në entourage të Faslli Frashërit, ku kishte hyrë me anë të Esat Dishnicës. Që Enver Hoxha ka qenë në rrethin e Faslli Frashërit, kjo kuptohet edhe nga ato që thotë ai, sipas mënyrës së tij, duke  minimalizuar gjërat:
     Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e behar, t’ i binte poshtë e përpjetë bulevardit duke biseduar gati me të njëjtët profesorë të Liceut të Korçës, sidomos me Stavri Skëndin, që u bë ndër eksponentët e Ballit Kombëtar në Korçë, me njëfarë Niko Stralla, me agjentin e italianëve, Vili Jatrunë, të cilin e vranë në emër të popullit njësitet tona guerrile, me Andonaqkën e Frashërit, agjent i amerikanëve dhe imoral... Fazlli Frashëri hiqej si filozof peripateticien, por jo se ishte pasues i Aristotelit, se filozofinë e tij nuke  njihte; nga mendimtari i njohur i Antikitetit kishte marrë vetëm zakonin që «mendimet» e veta ua shtjellonte «dishepujve» gjatë shëtitjeve të gjata në bulevard. Kur lodheshin ca nga rruga, ca nga arsyetimet e mësuesit, pjesëtarët e këtij grupi «filozofësh» ktheheshin në kafenenë e Nandos dhe atje shtroheshin, pinin çaj e hanin kek. Fazlli Frashëri edhe këtu vazhdonte «leksionin», me atë fytyrë plot dregëza, që e fërkonte nganjëherë sikur kashaiste kalin, fliste e nxënësit dëgjonin... Dy herë, e shumta tri pata rast të takohesha me Fazlliun.[civ]
    Enver Hoxha kështu e pohon se ka qenë në rrethin e Faslli Frashërit, por përpiqet që ta minimizojë praninë e vet në këtë rreth:
     Dy herë e shumta- tri, pata rastin të takohesha me Fazlliun, edhe këto gjatë shëtitjeve, sepse nuk kisha si të bëja ndryshe, mbasi qëllonte që dilja me kolegët e mi të Liceut për të shëtitur në bulevard, kur Fazlliu na dilte përpara dhe vazhdonte rrugën me ne.[cv]
    Madje Enver Hoxha pretendon se në bisedat me Faslli beun ka mbajtur një qëndrim parimor komunist. Enver Hoxha rrëfen se ka bërë këtë bisedë me Fazlli Frashërin, në një nga këto takime:
     Gjatë këtyre shëtitjeve të shkurtra dëgjoja se si beu «filozof» zhvillonte politikën «e madhe» të Anglisë, të Amerikës, të Gjermanisë e të Italisë. Një herë, në bisedë e sipër, i ndërhyra dhe e pyeta:
    -Po për politikën e Rusisë ç’ mendoni zoti Fazlli?- Ju jeni liberal, demokrat dhe unë e di se nuk keni frikë të na flisni,- dhe ia theksova këto fjalët e fundit që edhe ai kishte qejf t’ i përsëriste. Te të tjerët pyetja ime ra si bombë, shikuan njëri-tjetrin në sy dhe po pritnin me kureshtje se si do të dilte 'profesori' nga situata. Fazlliu bëri një pauzë, fërkoi mjekrën dhe rëndë-rëndë m’ u përgjigj:
    -S’ dimë shumë gjëra, zoti Hoxha, se sovjetikët dhe Stalini bëjnë politikë të mbyllur e konspirative.
    -Pse?- e pyeta.- Politika e Leninit dhe e Stalinit ka qenë gjithmonë e qartë, kurse Amerika, Anglia, Franca e të tjerat kanë bërë traktate e marrëveshje të fshehta në dëm të popujve, edhe në dëm të Shqipërisë. Ne shqiptarët e dimë mirë se qe Lenini ai që i bëri publike këto prapaskena. Kurse sot, nga sa dëgjojmë, gjithë borgjezia dhe fashizmi e sulmojnë Bashkimin Sovjetik dhe kanë arsyet e tyre se e dinë që politika e sovjetikëve do t’ u sjellë disfata.
    -Ky është mendimi juaj,- më tha Fazlliu,- por ne mendojmë ndryshe. Ne jemi demokratë, por jo ekstremistë.
    -E shoh,- ia ktheva me një ton ironik dhe s’ fola më.[cvi]
    Nëse Enver Hoxha do të kishte folur kështu me spiunin e Zogut në Shqipëri, në vitet 1937- 1939, kur supozohet të jetë bërë kjo bisedë, pra në kohën kur kishte filluar një fushatë për arrestimin e  komunistëve, atëherë me siguri që Enver Hoxha duhet të ishte arrestuar të nesërmen. Kuptohet në rast se ai nuk sillej kështu se kjo ishte pjesë e misionit të tij. Megjithatë ka shumë gjasa që Enver Hoxha ta ketë bërë pyetjen për politikën e Rusisë, se kjo ishte në misionin e tij si agjent-provokator. Me këtë ai donte të shikonte se si do të reagonin të tjerët që ishin të pranishëm dhe njëkohësisht kërkonte që t’ i krijohej një reputacion si komunist. Enver Hoxha do të takohej me Faslli Frashërin edhe më pas kur ishte në Tiranë, sic do ta citoj më tutje atë vetë. Faslli Frashëri do të arrestohej nga partizanët në Tiranë, në nëntor 1944, dhe do të dilte në gjyq në Korcë, si kriminel lufte, ku do të dënohej me vdekje dhe do të pushkatohej me një plumb pas koke nga i besuari i Enver Hoxhës Nevzat Hasnedari. Por Faslli Frashëri, edhe pse u bashkua me Ballin Kombëtar, nuk kishte ndonjë veprimtari të tillë sa të pushkatohej, aq më tepër po të mendosh se kryetari i Partisë Fashiste Shqiptare, Tefik Mborja nuk u dënua me vdekje, por me burg, kur Enver Hoxha erdhi në pushtet. Me sa duket Faslli beu e pësoi se dinte shumë për Enver Hoxhën.
    Në kohën kur Enver Hoxha ishte në Korçë, në vitet 1937- 1940, pretendon se pati përplasje dhe me Zai Fundon, një nga komunistët më të famshëm shqiptarë, një ish-aktivist i Kominternit, që ishte dënuar me vdekje nga Moska, si antistalinist, por që kishte shpëtuar sepse, siç thotë Enver Hoxha saktë:
    Kur u zbulua aktiviteti dhe pikëpamjet e tij trockiste, Zai Fundoja ndodhej jashtë Bashkimit Sovjetik dhe kështu shpëtoi nga spastrimet kundër trockistëve, buharinistëve e tradhëtarëve të tjerë.[cvii]  
    Enver Hoxha, me mentalitetin e komedianit i cili shtiret si revolucionar konseguent, e konsideron Zai Fundon kundërshtar personal:
     Në shtëpinë e Andresë së Thullës, ku rrija, më erdhi shoku Raqi Themeli, teneqexhi, dhe më lajmëroi se renegati Zai Fundo kishte ardhur në Korçë. U nisa dhe shkova te dyqani i Mihas (Lako), për të biseduar me të dhe për të vendosur se ç’ mënyrë dhe ç’ taktikë do të përdornim për të luftuar kundër këtij renegati. Unë mora përsipër ta demaskoja në radhët e mësuesve, profesorëve e nxënësve, njëkohësisht të zbuloja manovrat dhe metodat e punës së tij, ku do t’ i krijonte bazat dhe si do të shtrinte rrjetat.[cviii]
    Kështu del se Enver Hoxha mori përsipër detyrën kryesore në luftën kundër Zai Fundos. Enver Hoxha e thotë këtë se e di që Zai Fundo ishte dënuar me vdekje nga Kominterni dhe kërkon të thotë se ai (Enver Hoxha), po vepronte praktikisht si misionar i Kominternit. Fragmenti i mëposhtëm i kujtimeve të Enver Hoxhës është kod që na zbulon se si  operon Enver Hoxha duke projektuar tek Zai Fundo ato që bënte vetë, sipas metodës së Stalinit, që përmend Avtorkhanov:
     Zai Fundoja filloi nga puna me sistem. Ai ra në kontakt me të gjithë ata për të cilët prefekti dhe agjentura e tij nuk kishin asnjë fije dyshimi, pra ai po e legalizonte veprimtarinë e tij sipas «premtimeve» të dhëna që para se të kthehej në Shqipëri. Ne shihnim me kujdes lidhjet që vendoste dhe takimet që bënte jashtë, në vende publike, në kafe ose në shëtitjet e dendura mbrëmjeve në bulevard, gjithashtu dhe vizitat e shpeshta që bënte nëpër familje, deri te ndalesat në dyqanet e tregëtarëve të ndryshëm.
    Ai filloi të lidhej me krerët e borgjezisë tregtare korçare, me Fundot, me Vangjo Turtullin, me Manot, me Katrot e shumë të tjerë të këtij kalibri si dhe me ata të kalibrit më të ulët. Këta ishin përfaqësuesit e borgjezisë së krishtere që qenë lidhur me bejlerët dhe agallarët myslimanë dhe ishin më në kontakt me fshatin dhe ndër më të besuarit e Zogut, të Musa Jukës e të Krosëve, që sillnin ose hiqnin nga pushteti kur të donin Koço Kotët, Pandeli Vangjelët e të tjerë si këta. Zai Fundoja i dinte këto situata dhe këto nuanca politike i shfrytëzonte. Fazlli Frashëri, i vëllai Qazka, Selim Mborja, Tefik Mborja, Rexhep Merdani e mjaft të tjerë si këta e më të ulët se këta, por që formonin opinionin e «elitës myslimane» korçare, u bënë miqtë e tij më të ngushtë.
    Po ashtu mbështetje e Zai Fundos u bënë disa intelektualë korçarë, si Stavri Skëndi, Andon Frashëri, Vili Jatru e intelektualë fashistë, si Alarupi e të tjerë.
    Natyrisht bisedat e tij me këta njerëz e kishim të vështirë t’ i mësonim, por disa herë merrnim vesh ndonjë gjë nëpërmjet vesit të tyre për t’ u mburrur për «politikën» që bënin kafeneve. Kapardisej Zai si «politikan i zoti», si «njeri me kulturë të madhe». U fliste atyre se «ishte për reforma, por në mënyrë të moderuar, sepse nuk ishte akoma koha për reforma të thella», se «vendi ishte prapa nga ana arsimore» etj., etj., por nuk hynte thellë në arsyetime se ç’ duhej bërë. Fliste «fjalë të mira» për rininë, evitonte bisedat direkte për Bashkimin Sovjetik dhe për dhe për Stalinin dhe thoshte: «Jam komunist dhe këtë e di gjithë bota, bile edhe prefekti e këtë s’ kam si e fsheh» (!). Për Grupin tonë Komunist të Korçës nuk fliste dhe kur e pyesnin se ç’ mendonte për komunistët në Shqipëri, ai përgjigjej: «Nuk di gjë, s’ kam lidhje dhe nuk përzihem me ta» etj.
    Për të diskutuar rreth të gjitha këtyre taktikave të Zai Fundos, ne mblidheshim herë pas here në dyqanin e vogël të Mihas ose në sobalkën e Pilos, ku, pas diskutimeve, merrnim vendime për të demaskuar Zain si renegat, si armik të punëtorëve, si armik të reformës agrare që do të shpëtonte fshatarësinë etj. Natyrisht Zait dhe miqve të tij nuk u vinte mirë nga kjo luftë që u bënin «bolshevikët», siç na quanin ne».[cix]
    Por, a nuk ishte Enver Hoxha ai që i bënte të gjitha këto gjëra për të cilat e akuzon Zai Fundon. A nuk thotë Enver Hoxha se ka biseduar me Fazlli Frashërin, Stavro Skëndin etj. Tefik Mborja, i cili më pas do të bëhej Kryetar i Partisë Fashiste Shqiptare, në kohën që Enver Hoxha erdhi në pushtet, doli në gjyq si kriminel lufte, por nuk u dënua me vdekje. A nuk thotë vetë Enver Hoxha në kujtimet se me më të pasurin e Turtujve (Alekon), të cilin e kishte pasur bashkënxënës, kishte miqësi, ose më saktë donte të kishte miqësi. A nuk ishte vetë Enver Hoxha bënte politikë kafenesh, qoftë edhe tek ëmbëltorja e Koci Bakos, ajo «Kristal», apo dhe të tjera. Enver Hoxha vë një pikëçuditëse në kllapa pas fjalëve të Zai Fundos se nuk ka si e fsheh që është komunist, kur edhe vetë Enver Hoxha nuk mund ta fshehë këtë, se supozohet që është shkarkuar në diplomaci për shkak se i zbuluan literaturë komuniste.
    Në kujtimet e Enver Hoxhës ka një vakuum për periudhën e viteve 1937-1940. Libri me kujtime «Vite të Rinisë» mbulon periudhën deri në pranverën e vitit 1937, kur shkoi në Korçë si mësues i Liceut, ndërsa libri me kujtime «Kur lindi Partia» fillon në vitin 1940, kur erdhi nga Korça në Tiranë, edhe pse tregon disa episode në prill të vitit 1939. Në periudhën e vakumit në kujtime është një ngjarje shumë e rëndësishme siç është arrestimi masiv i komunistëve nga regjimi i Zogut në 1938 dhe në fillim të vitit 1939 dhe gjyqi i komunistëve i shkurtit 1939. Deri në 1939 Mbreti Zog e kishte toleruar një lëvizje të vogël komuniste në Shqipëri, në mënyrë që të paraqitej para Perëndimit si bastion kundër komunizmit. Megjithatë Zogu i trajtonte ashpër komunistët kur ata bënin veprime që rrezikonin seriozisht sundimin e Zogut. Por në fillim të vitit 1939 Zogu kishte filluar të ndjente presionin e fortë italian që do t’ i paraprinte pushtimit, një vit më pas. Zogu donte t’ i hiqte Italisë çdo shkak për të justifikuar pushtimin e Shqipërisë, gjë që Italia mund ta bënte legalisht, sipas së drejtës që i kishte dhënë Këshilli i Lidhjes së Kombeve në vitin 1921, duke e quajtur destabilitetin në Shqipëri, si cënim të sigurisë strategjike të Italisë. Italia, e cila atëherë ishte bashkuar me Paktin Anti-Komintern, gjermano- japonez, me arsyen se veprimtaria e komunizmit ndërkombëtar, me qendër në Moskë, përbënte rrezik për sigurinë e këtyre vendeve, mund të përdorte si pretekst për të futur trupa shtimin e veprimtarisë komuniste në Shqipëri, duke e parë këtë si rrezik për sigurinë e saj. Prandaj Zogu ndryshoi politikën ndaj komunistëve, duke filluar një goditje ndaj tyre.
    Enver Hoxha nuk ishte një nga ata 73 veta të cilët u arrestuan dhe dolën si të pandehur në gjyqin e komunistëve, në shkurt 1939. Nga 73 të pandehurit që dolën në gjyqin e komunistëve në shkurt 1939, 17 qenë të Grupit Komunist të Korçës, duke filluar që nga kryetari, Mihal (Miha) Lako, Petro Duma, Kristo Karanxha, Ilia Karanxha, Sotir Velko, Perikli Papamihali, Taqi Furrxhi, Bexhet Barbuta, Llazar Panariti, Niko Afezolli, Naqo Kondili, Mihal Trojani, Niko Konda, Thanas Gjoka, Stefo Grabocka, Pandi Gusho (Kristo), Ilo Panduku.
    Në kohën që bëhej gjyqi i komunistëve Enver Hoxha flirtonte me Tefta Tashkon, motrën e Koço Tashkos, njeriut i cili e futi në lëvizjen komuniste. Në librin me kujtime të Enver Hoxhës «Mes njerëzve të thjeshtë» është një kapitull me titull «Disa kujtime për Tefta Tashkon dhe vëllezërit e saj Gaqon dhe Alekon».[cx] Këtu bie në sy se Enver Hoxha ka vënë të parin emrin e Teftës edhe pse Alekon e ka patur shok shkolle dhe pune, ndërsa Gaqon e ka pasur bashkëpunëtor në kohën e luftës, madje edhe ministër më vonë. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
     Teftën në fillim e njoha nga Koçoja, me të cilin bënim pjesë në Grupin Komunist të Korçës.[cxi]
    Midis Enver Hoxhës dhe Tefta Tashkos lindi një dashuri me shikimin e parë. Tefta Tashko (1910-147), një artiste që kishte studiuar në Francë u godit si nga një rrufe, nga djaloshi i pashëm dhe që gjithë jetën e vet ushtronte një manjetizëm diabolik mbi njerëzit. Në fotografinë e dasmës së së Teftës, që botohet në librin e Enver Hoxhës «Mes njerëzve të thjeshtë», Enver Hoxha është në një pozicion sa të çuditshëm aq edhe domethënës, pas shpinës së Teftës, me një nënqeshje bizarre. Pas shpinës së çiftit nuk është askush nga të ftuarit. Enver Hoxha në këtë fotografi ngjan me ata personazhet e farsave të teatrit francez, dashnorit të nuses.
    Tefta, që në takimet e para filloi ta thërriste Enverin me shkurtimin përkëdhelës të emrit të tij «Eno». Më pas ajo djalit të saj të lindur në 1943, do t’ i vinte një emër të çuditshëm, «Eno». Ky emër nuk ishte as emër tradicional kristian ortodoks dhe as emër francez. Ky emër  nuk ishte gjë tjetër veçse emri me të cilin ajo e thërriste Enver Hoxhën. Enver Hoxha në kujtimet e veta thotë se ishte strehuar në shtëpinë e Teftës në Tiranë gjatë kohës kur ishte ilegal.[cxii] Pikërisht Eno Koços, djalit të Teftës, do t’ ia çonte shumë vite më pas Enver Hoxha kujtimet e veta për Teftën, të përcjella me një letër sentimentale.
    Në kohën kur në Shqipëri arrestoheshin komunistët dhe dilnin në gjyqin e famshëm të shkurtit 1939, Enver Hoxha sillej në atë mënyrë që i përshtatet  përcaktimi që ai vetë bën për Zef Malën:
    Ai hiqej si proletar i intelektualizuar, por s’ ishte gjë tjetër veçse një demagog i vogël dhe intrigant që zhvillonte një punë minuese.[cxiii]


[i] po atje: 126
[ii]«Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1981, f. 22
[iii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 109
[iv] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 34
[v] po atje: f. 34- 35
[vi]Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 44- 45
[vii] po atje: f. 79
[viii] po atje: f. 58
[ix] po atje: f. 58- 59- 60
[x] po atje: f. 39- 40
[xi] po atje: f. 79- 80
[xii]po atje: f. 80
[xiii]po atje: f. 35
[xiv]po atje: f. 55
[xv]po atje: f. 109
[xvi] po atje: f. 93
[xvii]po atje: f. 96
[xviii]po atje: f. 111
[xix] po atje: f. 111
[xx] po atje: f. 111
[xxi]po atje: f. 111
[xxii] po atje, f. 144
[xxiii]Abdurahman Avtorkhanov: «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», «Dituria», Tiranë 1992, f. 71
[xxiv] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 185
[xxv] po atje: f. 172- 173 
[xxvi]po atje: f. 175
[xxvii]po atje: f. 121- 122
[xxviii]Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 205- 206- 207
[xxix] po atje: f. 306
[xxx] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 99
[xxxi]Botim i Drejtorisë së Arkivave Shtetërorë të RPSH, Tiranë 1959
[xxxii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 156
[xxxiii] po atje: f. 181
[xxxiv] po atje: f. 175
[xxxv] po atje:  f. 181
[xxxvi] po atje: në fotografitë mes faqes 193-194
[xxxvii] po atje: f. 181
[xxxviii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 51, f. 23
[xxxix] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 181
[xl] po atje: f. 182
[xli] po atje: f. 185- 186
[xlii] po atje: f. 189- 190
[xliii]po atje: f. 190
[xliv] po atje: f. 196
[xlv]po atje: f. 197
[xlvi] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 209- 210
[xlvii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 193
[xlviii] po atje: f. 193- 194
[xlix] po atje: f. 194
[l]po atje: f. 199- 200
[li] po atje: f. 198
[lii]po atje: f. 205
[liii]po atje: f. 210
[liv]po atje: f. 216
[lv]po atje: f. 212
[lvi]po atje: f. 219- 220
[lvii] po atje: f. 220- 221
[lviii]po atje: f. 221
[lix] po atje: f. 235
[lx]po atje: f. 239
[lxi] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 26
po atje: f. 235
[lxii] po atje: f. 240
[lxiii]Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 240
[lxiv] po atje: f. 243
[lxv]po atje: f. 240
[lxvi] po atje: f. 240
[lxvii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 36- 37
[lxviii]po atje: f. 38
[lxix] po atje: f. 39
[lxx]Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 242- 243
[lxxi]po atje: f. 243- 244
[lxxii] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 62
[lxxiii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 4, f. 244
[lxxiv] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 487- 488- 489
[lxxv] po atje: f. 490
[lxxvi]Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 244
[lxxvii] po atje: f. 244
[lxxviii] po atje, f. 245
[lxxix] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 244
[lxxx]Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 246
[lxxxi] po atje: f. 246- 247
[lxxxii] po atje: f. 246
[lxxxiii] po atje: f. 246- 247
[lxxxiv] po atje: f. 248- 249
[lxxxv]po atje: f. 249
[lxxxvi] «Dokumenta e Materiale Historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci: 1917- 1941», f. 390
[lxxxvii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë»,  f. 249
[lxxxviii] po atje: 249- 250
[lxxxix] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 34
[xc]po atje: f. 254- 255
[xci] «Historia e PPSH», Tiranë 1968, f. 42- 43
[xcii] po atje: f. 44
[xciii] po atje: f. 41
[xciv]«Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1995, f. 153
[xcv] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 250- 251
[xcvi] Poatje: kqyrni në fotografitë mes faqeve 241-242, ku në faqen 14 të fotografive, është fotografia me shënimin: Në Kafe «Kristal», Korçë, 1939
[xcvii] Enver Hoxha: «Vite të rinisë», f. 251- 252- 253
[xcviii] po atje: f. 254
[xcix] po atje: f. 260
[c]po atje: f. 41
[ci] po atje: f. 69
[cii]«Kujtime për Enverin», vol. 1, f. 550
[ciii] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», f. 104- 105
[civ] po atje: f. 106
[cv] Po atje: f. 107
[cvi]po atje: f. 107- 108
[cvii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 106
[cviii]Po atje f. 107- 108
[cix] po atje: f. 27- 28- 29
[cx]  Enver Hoxha: «Mes njerëzve të thjeshtë», Shtëpia botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1984, f. 117- 131
[cxi] po atje: f. 119
[cxii] po atje: f. 127
[cxiii] Enver Hoxha: «Kur lindi Partia», f. 65