Parathënie e autorit


     
Sundimi 40-vjeçar i Enver Hoxhës, për nga rrethanat në të cilat ndodhi, është enigma më e madhe e historisë së Shqipërsë, dhe këtë e them në sens absolut, gjithëkohor.      Enigma e sundimit të Enver Hoxhës, si çdo enigmë e madhe dhe e ndërlikuar, është e përbërë nga një seri enigmash. Dhe këtu shfaqet vështirësia e parë, që ka të bëjë me identifikimin e enigmave që përbëjnë enigmën e madhe. Kjo mund të duket një gjë e lehtë, por në fakt është shumë e vështirë. Kështu, besohet se ka një enigmë sa i përket Shqipërisë tek Konferenca e Jaltës e Tre Të Mëdhenjve, në shkurt 1945, ku mendohet se Shqipëria iu la Bashkimit Sovjetik. Por enigma që duhet zbërthyer, dhe pretendohet se është zbërthyer në këtë libër, është se përse Enver Hoxha nuk e përshëndeti deklaratën e Konferencës së Jaltës, e cila u bë publike në përfundim të saj, dhe asnjëherë më pas nuk i njohu Stalinit meritën e mbrojtjes së Shqipërisë në Jaltë? Kush e bëri atentatin ndaj anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit dhe përse? Kushdhe pse e vrau Nako Spirun? Pse Enver Hoxha donte të ndahej nga gruaja e tij Nexhmija në 1947, dhe si përfundoi kjo histori me vdekjen e të përzgjedhurës për të zënë vendin e saj? Pse kur Tito e braktisi Shqipërinë në 1948, Enver Hoxha nuk donte ta braktiste Jugosllavinë. Pse u takuan, në verën e vitit 1948 prokurori i famshëm i gjyqeve-spektakël stalinian, Vishinski, dhe Enver Hoxha, në pallatin mbretëror rumun në Bukuresht, dhe përse në rezolutat e Byrosë Informative një vit më pas nuk përmendej gjyqi i Koçi Xoxes, i pari gjyq-spektakël ndaj titoistëve në Europën Lindore? Pse Stalini, edhe pas prishjes me Titon, nuk pranoi ta njihte zyrtarisht Enver Hoxhën për partner ideologjik? Nëse historianët ende pyesin se ku ishte Stalini në 10 ditët e para të luftës në 1941, edhe më e madhe është enigma se ku ishte Enver Hoxha nga 2 gushti deri në 15 gusht 1949, kur ushtria greke sulmoi në stil të gjerë Shqipërinë, çka u perceptua si invadim i vendit. E ngjashme është dhe enigma se ku gjendej Enver Hoxha mes 25 qershorit dhe 5 korrikut 1950, kur filloi Lufta e Koresë dhe Shqipëria ngjante si trofe e destinuar e Perëndimit në Europë, derisa vendi i vogël nuk kishte një aleancë formale mbrojtjeje me Bashkimin Sovjetik. Kush qëndronte pas shpërthimit tek Legata Sovjetike në 1951? Pse Enver Hoxha në kohën e konferencës së partisë në prill 1956, iku nga Tirana me «pushime» në një periudhë të pazakonshme te vitit, dhe si u rikthye? Bota njeh krizën e raketave sovjetike në Kubë, të vitit 1962, por kurrkush nuk flet për krizën e raketave sovjetike në Shqipëri, në 1959, kur qartësisht tërheqja e Hrushovit nga instalimi i raketave bërthamore në Shqipëri, u bë shkak që të vepronte me vendosmëri për instalimin e raketave në Kubë tre vjet më pas. Pse Hrushovi, i cili në 1958 ndërtoi një bazë ushtarake sovjetike në Shqipëri dhe në 1959 deklaroi se do të instalonte atje raketa bërthamore sovjetike, në 1961 e braktisi krejt Shqipërinë? Pse Hrushovi nuk veproi me Enver Hoxhën si me Matias Rakoshin e Hungarisë, të cilin e mbajti në Bashkimin Sovjetik, në një sanatorium derisa vdiq? A ishte i vetëdijshëm Enver Hoxha në 1960-61 se po ndodhte prishja sovjeto-shqiptare, apo mendonte se ishte fjala vetëm për një mosmarrëveshje me Hrushovin, nga ato që kishin ndodhur dhe me udhëheqës të tjerë komunistë? Dhe kwto janë vetëm disa nga enigmat…
Autori

Related Posts: