Njeriu që ka udhëtuar në të gjitha vendet e botës me ‘këmbë në tokë’



Një 33-vjeçar nga Liverpuli shënoi një rekord të ri ‘Guinness’ pasi u bë i vetmi njëri në botë që ka arritur t’i vizitojë të gjitha shtetet e botës në një udhëtim që ka zgjatur plot 4 vjet, pa përdorur në asnjë rast avion. Graham Hughes ka përdorur autobusë, taksi apo ecjen në këmbë për të përshkuar 160 000 km në 1426 ditë gjatë të cilave vizitoi të 201 shtetet e botës. Ai e përmbylli udhëtimin e tij të pazakontë ditën e djeshme, pasi vizitoi edhe Republikën e Sudanit Jugor, një shtet fare i ri që nuk ekzistonte në kohën kur 33 vjeçari mori përsipër nismën e veçantë.
“Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe arsyeja që e mora përsipër këtë nismë ishte të provoja nëse ishte e mundur që një njëri i vetëm të mund të përshkonte të gjithë botën duke qenë me këmbë në tokë, – tha 33 vjeçari për ‘Christian Science Monitor’. Gjithashtu, mendoj se dëshiroja të tregoja se bota në fund të fundit nuk është një vend i madh dhe i frikshëm, por në fakt është e mbushur me njerëz dashamirës, që duan të të ndihmojnë edhe pse mund të jesh fare i panjohur për ta”.

‘Guinness’, tashmë e ka konfirmuar faktin se Hughes, i cili e ka filmuar të gjithë ekspeditën e pazakontë me të cilën do të realizohet edhe një dokumentar, ka arritur të jetë një rekord botëror.