Presidenti amerikan Barack Obama realizoi këtë të hënë një vizitë në Mianmar, e cila mund të konsiderohet historike. Ai u bë i pari president amerikan që viziton këtë vend kontrovers.
Ai u takua me lideren e opozitës, Aung San Suu Kyi dhe i ofroi asaj një përqafim të ngrohtë, por edhe një puthje si një sinjal se Amerika mbështet kauzën e saj.
Gruaja që ka marrë çmimin Nobel për Paqen, ka qëndruar për dy dekada në arrest shtëpie.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, që shoqëron presidentin në këtë vizitë, u takua po kështu miqësisht me Kyi, me të cilën ka pasur edhe të tjera takime.
Kyi ka qëndruar e burgosur në shtëpinë e saj, ndërsa ka udhëhequr opozitën kundër juntës ushtarake.
Mijëra njerëz dolën në rrugë për të parë autokolonën e presidentit Obama.
Presidenti amerikan u takua edhe me presidentin Thein Sein.
Më pas mbajti një fjalim para qindra studentëve.
Në Mianmar presidenti foli për dëshirën për ndryshim e për reforma. Ai tha se ishte aty për t’u zgjatur dorën e miqësisë.
Qëllimi i vizitës ishte të tregonte se mbështet reformat e ndërmarra nga qeveria e Thein Sein.
Por disa aktivistë thonë se vizita është e parakohshme, pasi shumë të burgosur politikë janë sërish prapa hekurave, kurse konfliktet etnike në kufi vazhdojnë.
Një amnisti u aprovua të hënën në këtë vend, duke liruar 66 të burgosur.
Obama kaloi gjashtë orë në Mianmar dhe nuk e vizitoi kryeqytetin.
Duke folur para studentëve të universitetit të Rangunit, epiqendër e protestave pro- demokratike në vitin 1988, ai tha se ka nisur një udhëtim i rëndësishëm, që ka ende shumë rrugë përpara.
Ai kërkoi që edhe të ketë një pajtim kombëtar, për të pranuar edhe pakicat myslimane, të cilët diskriminohen.
Sanksionet e vendosura ndaj Mianmarit janë lehtësuar, ndërkohë që shpresohet se vizita e presidentit do të nxisë ndryshime më të shpejta.






