Armët do të ruhen në kushte të larta sigurie dhe me kamera 24 orë
Pas katër shekujsh mungesë kanë mbërritur dje në Shqipëri shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut. Nën kushte të larta sigurie, objektet e Heroit tonë Kombëtar erdhën në vendin tonë nga Porti i Durrësit me një nga tragetet e linjës Bari-Durrës.
Kushtet e sigurisë
Pas mbërritjes në Muze, për 24 orë, përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut, si edhe gravura e përmasave të mëdha e kodeksit me të dhënat e jetës së Heroit tonë Kombëtar, do të qëndrojnë të ambalazhuara, pasi sipas specialistëve, objektet duhet të përshtaten me temperaturat e reja. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi deklaroi për mediat se këto objekte do të qëndrojnë në Pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar dhe në 22 nëntor kureshtarët do të kenë mundësi të shohin nga afër këto objekte. “Është përcaktuar që ekspozita do të hapet në Sallën e Skënderbeut pasi aty është vendi më i përshtatshëm. Objektet janë të mbyllura dhe janë të vendosura me kujdes nga vetë specialistët”, tha ai. Malltezi, bëri të ditur se kanë ardhur gjithashtu edhe dy objekte të tjera të Skënderbeut, ruajtja dhe ekspozimi i të cilave do të bëhet në kushte të larta sigurie ku të gjitha pavijonet e Muzeut janë të pajisura me kamera sigurie. Sipas tij marrëveshjet dhe transporti i këtyre objekteve ka kushtuar, por fatura financiare nuk është e rëndësishme përballë faktit që këto objekte historike sot do i përkasin Muzeut Kombëtar.
Eksozita
Ekspozita me reliket e Skënderbeut do të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar për 45 ditë pas datës 22 nëntor dhe përpos kushteve të tjera të sigurisë, një kamera e posaçme është vendosur saktësisht në mjedisin ku do të ekspozohen armët e përkrenarja e Skënderbeut. Reliket e Skënderbeut janë koleksionuar nga Muzeu i Vjenës prej vitit 1588.
Përkrenarja e dhuruar nga Papa në 1466-n
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Sipas specialistëve, ky rreth qarkues mund të jetë vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit. Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937-n nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Sipas dokumenteve të pakta që na vijnë deri në ditët tona, Papa Pali II i dhuroi Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466 një shpatë dhe një kësulë.
Shpata
Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit, është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine, ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu. Po sipas Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Dorëza e larë në argjend dhe milli i veshur me kadife janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të paraluftës.






