Home »
» Martin Camaj - Vërshimi
Martin Camaj - Vërshimi
Dranjes s'i kalbet ashti dhe mishin s'ia ha askush ndër ne. Prandej, kur na sheh, sado lëkurë murmë të jemi e të parruem, s'i ngjethet shtati puçërrizë nga frika. Por akulli i dimnit të papritun në gjumë, një herë në gjymtyrë, mandej në qafë e krye e deri në zemër, ia qet kësi dheu mbarë farën! Ashtu edhe Drini.
Mbasi ky lumë e then qafën atje ku e then, u zgjanue atë mot për rrafsh, vërshoi andej e këndej katunde e ara, përmbysi lisa me rranjë e damtoi gjithçka.
Kur u paque, si bishë krenare, i ngimë me dhé e çmos, tregoi prenë e bame rrak: shtylla telefoni, derra e shtazë tjera të ajuna, dhe qiti në breg, si me i pasë rradhitë dikush me dorë, varg e varg një morí breshkash. Ngjanin, ashtu të shtrime nën diell, si njerëz të gjykuem për vdekje e mandej të vramë për t'i shti gjindjes tmerrin!
Katundarët, me brakesha të gjana shpërvjelë deri në gju, hapën një hulli në fund të arës e i mbuluen me botë. Por kur ndodhi këta, Dranja i pat lanë hijen atij vend e Drinit të dalun mendësh! Por, akullit, jo.