‘Marshi i Shqiponjës’, në rrugët e Shkupit – FOTO


Mijëra nxënës dhe qytetarë marshuan sot rrugëve të Shkupit, me moton ‘Marshi i shqiponjës’, për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Nxënësit ishin të veshur kuq e zi, ndërsa në duar mbanin flamuj dhe mbishkrime për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Edhe veturat ishin të stolisura me shqiponjën dy krenare. Marshi i cili filloi nga parku i Çairit deri tek ura në afërsi të bit pazarit ku edhe u përurua simboli i Shqiponjës, transmeton Alsat-m.
“Jemi organizuar që të mblidhemi të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, fillore, studentë dhe qytetarë të thjeshtë të bëhemi gjithë së bashku të marshojmë t’i japim më shumë volum përurimit të përmendores së re afër urës së bit pazarit, përmendorja e shqiponjës’, tha një nxënëse e shkollës së mesme.
“Sot kemi ardhur këtu për marshin e shqiponjës gjithë nxënësit e shkollave të mesme jemi tubuar për me festua 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Normal jemi shumë të lumtur që jemi duke marrë pjesë në kështu raste”, tha një nxënëse e shkollës së mesme
“Ndjehemi shumë mirë pasi jemi bashkë, shkollat e mesme jemi mbledhur me qëllim të 28 nëntorit. Jemi bashkë shqiptarët të mbledhur, ndjenja është e veçantë për të gjithë ne”, tha një nxënëse e shkollës së mesme
“Kodi i veshjes kuq e zi ka qenë për arsye se gjaku që është rrjedhur me vite e shekuj dhe ngjyra e kuqe simbolizon atë gjak, ngjyra e zezë simbolizon shqiponjën në flamur. Marshi është realizuar me sukses ka pasur shumë pjesëmarrës, me brohoritje të ndryshme, shpresojmë se vitin e ardhshëm do të organizojmë sërish kështu marshi për 101 vjetorin”, tha një nxënëse e shkollës së mesme
Marshit të nxënësve të shkollave të mesme iu bashkëngjitën edhe shumë qytetarë, të cilët nuk i fshinin dot emocionet që janë pjesë e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Kemi dalë me festuar 100 vjetorin, kjo bukuri rrallë pritet, një shekull e kemi prit pa durim. Rinia e zbukuron gjithmonë edhe shumë pritje të mirë kanë bërë”, tha një qytetar.
“Unë një 80 vjeçar gëzohem shumë që e prita këtë ditë, se kur isha i ri sikur ju nuk kisha të drejtë as flamurin me nxjerrë jashtë. Porosia ime për të rinjtë është të kenë rini të këndshme të rriten me këtë liri që e kanë sot”, tha një qytetar.
Marshi i nxënësve të shkollave të mesme vazhdoi deri tek përmendorja e Hasan Prishtinës pranë qendrës tregtare Mavrovasja.
  • Lajm: Alsat-m
  • Foto: MKD