Lidhja jashtëmartesore, jep dorëheqjen kreu i CIA



Kreu i CIA, David Petraeus

Marrëdhënia jashtëmartesore i ka kushtuar postin numrit një të spiunazhit në SHBA. Kreu i CIA-s, gjenerali David Petraeus, dha dorëheqjen dje nga posti i drejtorit të CIA-s, për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore. Sipas VOA, në një letër drejtuar Presidentit Barack Obama, gjenerali Petraeus shkruante se kishte vepruar me një gjykim jashtëzakonisht të dobët dhe se një sjellje e tillë është e papranueshme për një udhëheqës. “Pasi kam qenë i martuar për mbi 37 vite, kam treguar një gjykim shumë të varfër, duke u angazhuar në një aferë jashtëmartesore. Një sjellje e tillë është e papranueshme si burrë dhe si lider i një organizate si kjo e jona. Këtë pasdite, Presidenti me mirësjellje pranoi dorëheqjen time”, theksonte kreu i CIA-s në letrën e tij publike. Presidenti Obama, pasi pranoi dorëheqjen, e vlerësoi punën e shefit të CIA-s, duke nënvizuar se Petraeus ka ofruar një shërbim të jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara për dekada. “Përgjatë gjithë jetës së tij në shërbim, David Petraeus e ka bërë vendin tonë më të sigurt dhe më të fortë. Duke ecur përpara, mendimet dhe lutjet e mia janë me Dave dhe Holly Petraeus, që kanë bërë kaq shumë për të ndihmuar familjet ushtarake përmes punës së tyre”. Vendin e Petraeus do ta marrë numri dy i CIA-s, Michael Morell. Petraeus ishte një gjeneral me katër yje kur u bë kreu i zbulimit amerikan vitin e kaluar, pas një karriere të gjatë në Ushtrinë amerikane. Ai ishte kryekomandanti i Forcës Ndërkombëtare në Irak dhe u bë kryekomandant i Forcave Amerikane në Afganistan në vitin 2010.

Por, largimi i shefit të CIA-s nuk është i vetmi në administratën Obama. Zëdhënësi i sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, konfirmoi dje se ajo do të lërë detyrën në administratën Obama brenda pak ditësh. “Sekretarja e Shtetit ka qenë e nderuar që i ka shërbyer Presidentit Obama, dhe e ka dashuruar çdo minutë punën në Departamentin e Shtetit dhe të qenët pjesë e familjes-shtet”, ka shkruar zëdhënësi i saj, Filip Riajns, në “Weekly Standard”. Ai nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Hilari Klinton do të kandidojë për Presidencën e vitit 2016, siç supozojnë shumë media. Nëse ajo garon në 2016-n, pritet të përballet me Xhef Bush, vëllain e vogël të ish-presidentit Xhorxh Bush, aktualisht guvernator i Floridës, por pritet të jetë kandidati republikan për 2016-n. Zyrtar mbetet vetëm lajmi për largimin e Klinton nga Departamenti i Shtetit.